• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

30 VJET NGA RRËZIMI I MONUMENTIT TË DIKTATORIT

February 19, 2021 by dgreca

30 VJET NGA RRËZIMI I MONUMENTIT TË DIKTATORIT ENVER HOXHA, ARDHJA E DEMOKRACISË NË SHQIPËRI/

Saimir Maloku, i përndjekur dhe i burgosur prej regjimit komunist shqiptar për 9 vite, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Rrëzimit të Simboleve Komuniste, i rrëfen ekskluzivisht gazetarit Sokol Paja për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, 20 shkurtin e vitit 1991, rrëzimin e monumentit të diktatorit Enver Hoxha në Tiranë dhe djegien publike të librave të tij. Sipas Malokut 20 shkurti është shembja e totalitarizmit shqiptar dhe fitorja e demokracisë në Shqipëri.

20 SHKURT VITIT 1991 SHEMBJA E TOTALITARIZMIT, FITORJA E DEMOKRACISË NË SHQIPËRI.

Më datë 20 Shkurt të vitit 1991 u organizua një miting i madh i popullit të Tiranës me rreth 100 mijë veta në Qytetin e Studentëve në përkrahje të Grevës së Urisë të rreth 900 studentëve si dhe kundër regjimit të egër komunist. Unë kisha një urrejtje të madhe ndaj këtij regjimi totalitar dhe kërkoja të hakmerresha ndaj figures së diktatorit Hoxha. Kjo gjë m’u bë mua si dhe shtresës së gjerë të të persekutuarve politikë realitet në këtë ditë të shënuar historike. Jam krenar në jetë që sikur të ishte profeci e Zotit, pata shansin dhe fatin e madh historik që në ditën e 20 Shkurtit të vitit 1991 unë, i përkrahur nga një grup i madh të persekutuarish politikë, sindikalistë dhe nga mijëra protestues të kryeqytetit udhëhoqa turmën e parë dhe më kryesore të popullit të Tiranës nga godina e Radio – Televizionit Shqiptar drejt Sheshit “Skënderbej”. Në ato momente tepër delikate dhe të rrezikshme, unë, për të realizuar idealin tim dhe të popullit që thashë në gjyq, shpalosa vetitë më të mira të ushtarakut si strategjia e menjëhershme, këmbëngulja dhe guximi i madh, humanizmi im i lartë për të shmangur gjakderdhjen e mundshme si dhe urrejtjen tepër të madhe si ish-i burgosur politik që kisha për diktatorin Hoxha dhe regjimin komunist. Atë ditë një djalosh, i ri dhe jetim, me një rrip mëndafshi të kuq në ballë dhe rreth kokës, më solli një parullë rreth 3 metra të gjatë, ku shkruhej: LIRI DEMOKRACI. Ky djalosh, i quajtur Albert Risilia, e kishte bërë këtë parullë me perdet e dritareve të dhomës në Konviktin e shkollës ku banonte, duke e ngjyrosur me bojë këpucësh. Pasi vumë këtë parullë të madhe në krye të turmës unë, i shkëputur pak metra nga turma dhe si prijës i saj, i shoqëruar nga një fotoreporter i huaj, i bëja thirrje protestuesve të rrëzonim monumentin e E. Hoxhës si dhe të digjnim mijëra libra të tij në mes të Tiranës. Nuk harroja në ato çaste grisjen dhe djegien e dhjetëra librave artistike si dhe të Librave të Shenjtë të Biblës dhe të Kuranit në gjuhën angleze që kishin bërë oficerët e Sigurimit të Shtetit në shtëpinë time pas arrestimit. Ishte Jezu Krishti që më frymëzonte të hakmerresha ndaj këtij regjimi të urryer që dogji e grisi librat fetarë. Kështu, populli do të tregonte urrejtjen ndaj regjimit dhe do ta përqafonte përsëri fenë.

DJEGIA E MIJËRA LIBRAVE TË DIKTATORIT ENVER HOXHA

Gjithashtu, unë nxitja popullin protestues të digjte librat e diktatorit Hoxha dhe si hakmarrje ndaj tij për djegien e qindra mijëra librave fetare nga militantët komunistë në vitin 1967, kur me ligjin monstruoz të shtetit u hoq feja. Populli ka një shprehje: “Çfarë të keqe do të bësh, atë do ta pësosh po vetë”. Dhe kështu ndodhi me djegien e mijëra librave të diktatorit E. Hoxha. Me këtë veprim tepër të guximshëm, unë isha i vetëdijshëm se mund të arrestohesha përsëri për veprimtari të theksuar armiqësore dhe të përsëritur për të dytën herë kundër shtetit komunist dhe të pushkatohesha si nxitës ekstremist i turmës së protestuesve për rrëzimin e monumentit dhe si nxitës kryesor i trazirave popullore. Por, nga ana tjetër unë, i përkrahur nga dhjetëra shokë dhe shoqe, kryesisht të persekutuar politikë, shmangëm një masakër të madhe të mundshme, ku mund të ishin vrarë me qindra protestues të pafajshëm. Kjo për arsye se populli kërkonte të futej me forcë në Bllokun Qeveritar, ku ishin me qindra gardistë dhe policë të armatosur rëndë dhe mbi 20 tanke dhe autoblinda dhe gati 50 mitralozë të rëndë. Me këtë rast falënderoj z. Bujar Kore, operator televiziv dhe znj. Tefta Radi – gazetare e Televizionit Shqiptar, të cilët si të njohurit e mi, më vunë në dijeni për këtë gjë. Kjo sepse ata para një ore kishin qenë në një mbledhje të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste (e Punës) aty, në Bllokun Qeveritar. Informacioni i dhënë prej tyre ishte i një rëndësie të jashtëzakonshme. Në rast se turma e madhe e protestuesve do të tentonte të futej me forcë në Bllokun e vilave të pushtetarëve dhe në godinën kryesore të Komitetit Qendror, ushtria, do të qëllonte ndaj mijëra protestuesve atëherë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” para Bllokut Qeveritar dhe Komitetit Qendror të Partisë Komuniste (të Punës) do të ishte mbushur me qindra të vrarë e të plagosur. Përfytyroni çfarë pasojash tepër katastrofike për Shqipërinë do të kishte kjo gjakderdhje e mundshme, kryesisht ndaj shtresës të persekutuarve politikë duke na kujtuar gjenocidin e tmerrshëm në Kamboxhia të Khmerëve të Kuq ndaj popullatës me kombësi vietnameze në vitin 1975.

USHTRIA ËSHTË ME NE. USHTARËT JANË VËLLEZËRIT TANË

Gjithashtu 6 ushtarë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë u kapën nga protestuesit dhe në këto momente të vështira unë dhe shumë të persekutuar politikë nuk lejuam që ata të masakroheshin nga protestues ekstremistë dhe provokatorë. Falë ndërhyrjes tonë energjike, ne i lame ushtarët të lirë, duke bërtitur: “Ushtria është me ne. Ushtarët janë vëllezërit tanë”. Më vonë njëri nga këta ushtarët e liruar nga ne protestuesit, sa herë më takonte, më falënderonte për ndihmën që i dhamë në atë ditë trazirash (e filmuar). Itinerari i lëvizjes së turmës tonë të protestuesve niste nga mbrapa “Piramidës” – Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe drejt Sheshit “Skënderbej”. Në tarracat e shumë ministrive kishte ushtarë me pushkë snajper, të cilët mund të më qëllonin dhe të më asgjësonin mua nga çasti në çast si udhëheqës i turmës së madhe të protestuesve. Kjo për arsye se unë isha pesë apo gjashtë metra i vendosur në krye të turmës së protestuesve dhe i nxisja ata me parulla të shumta politike kundër regjimit komunist. Pastaj, të gjithë protestuesit brohoritnin një zëri dhe fuqishëm po këto parulla politike. Pra, u thye heshtja dhe frika e popullit të Tiranës ndaj regjimit komunist. Por Zoti më ndihmoi dhe një masakër e tillë nuk ndodhi. Kam besim që fotot e bëra nga fotoreporteri i huaj që më shoqëronte mua, ku isha si prijës i turmës së protestuesve, një ditë do të jepen në media.

GUXIMI ËSHTË FILLIMI I FITORES

Unë dhe gjithë turma e protestuesve në ato çaste marshimi ishim tepër të gëzuar, sepse erdhi dita që populli i Tiranës t’i jepte dënimin e merituar diktatorit Hoxha dhe regjimit gjakatar komunist. Në ato çaste më kujtoheshin fjalët e Plutarkut, filozof grek: “Guximi është fillimi i fitores”. Turma jonë e protestuesve ishte turma më energjike dhe më kryesore që mbërriti e para në Sheshin “Skënderbej” dhe zumë vend pranë monumentit të diktatorit komunist. Pastaj erdhën edhe tri turma të tjera protestuesish. Aty, në sheshin kryesor, u bë një përleshje e ashpër e popullit me Forcat e Policisë dhe të Ushtrisë si dhe me Forcat Speciale të Ndërhyrjes së Shpejtë. Këto forca policore ishin të pajisura me fishekë manovër stërvitjeje dhe jo vdekjeprurës. Policia përdori aty kundër popullit protestues makinën zjarrfikëse me pompa uji, disa makina policie me sirena të fuqishme dhe shumë qen kufiri. Në momentin që sapo rrëzohej monumenti nga turma e protestuesve, m’u shfaq papritur si në ëndërr portreti i Jezu Krishtit, i cili sikur thoshte për të më frymëzuar: “Shko Saimir dhe godite këtë kriminel të madh komunist që ndaloi besimin fetar dhe vrau e torturoi popullin e pafajshëm në Shqipëri”. Kjo ishte arsyeja kryesore dhe e jashtëzakonshme që unë u vërsula si shqiponjë dhe isha qytetari i parë që godita dhe pështyva kokën e monumentit të diktatorit komunist. Në ato momente mua m’u duk vetja sikur vendosa flamurin e Demokracisë mbi kokën e diktatorit komunist Hoxha dhe që shënoi rrëzimin e Komunizmit në Shqipëri. Ky ishte një fat i jashtëzakonshëm për mua dhe i rrallë në botë. Tri vajza dhe gra të persekutuara politike, me lot gëzimi në sy, më përshëndetën dhe më përqafuan gjithë entuziazëm në atë moment të jashtëzakonshëm historik. Ishte si një dëshirë e Jezu Krishtit që çasti më historik i shekullit të kaluar për popullin shqiptar të fotografohej nga fotografi i mrekullueshëm z. Armando Babani, i cili ishte edhe fotoreporteri i një agjencie amerikane lajmesh. Sot ai punon e jeton me familjen e tij në Gjermani. Unë dhe bashkëvuajtësit e mi e falënderojmë atë, që na lejoi të botohej në kopertinën dhe në faqet e librit tim kjo foto me vlera të jashtëzakonshme historike ku unë përpara mijëra protestuesve jam duke goditur dhe pështyrë kokën e monumentit të diktatorit komunist Enver Hoxha. Kjo foto i tregoi mbarë njerëzimit mallkimin e madh që i dha Zoti këtij diktatori komunist, që hoqi fenë nga Shqipëria. I takon Presidentit të Republikës ta dekorojë z. Armando Babani për këto foto, që u vlerësua nga mediat ndërkombëtare si edhe për kontributin e tij në pasqyrimin e Lëvizjeve Demokratike në vendin tonë. Në atë çast, rreth 100 mijë protestues ishin në ekstazë nga gëzimi i madh dhe në të njëjtën kohë bërtisnin: “E hoqëm, e hoqëm, e hoqëm qelbësirën!”, “Fitore – Fitore”, “Enver – Hitler”. Pastaj unë bëra dy apo tre herë kryqin dhe nisa të falënderoja Jezu Krishtin duke u shprehur: “Faleminderit o Zot që shporre Komunizmin nga Shqipëria!” Ja sa kuptimplote është shprehja: “Qesh mirë ai që qesh i fundit”. Në atë moment m’u kujtuan përsëri çastet e fundit të gjyqit tim kur unë në gjuhën angleze i lutesha Jezu Krishtit: “Të lutem o Ati i Shenjtë, shporre Komunizmin nga Shqipëria dhe shpëtoje këtë popull nga vuajtjet!” si dhe këndoja këngën amerikane “Let’s Tëist Again”. Tani kjo ishte si kënga e Fitores së Demokracisë në Shqipëri .

LIRIA, DEMOKRACIA DHE NJË SAKRIFICË FAMILJARE

Isha tepër krenar sepse edhe dy fëmijët e mi, dy dhe katër vjeç, ishin protestuesit më të vegjël të asaj dite tepër të rëndësishme. Makina zjarrfikëse e Policisë para godinës së Liceut Artistik kishte lagur me bojë të kuqe gruan dhe dy djemtë e mi dhe ata të tre dukeshin si indianët me pupla të kuqe të xhunglave të Amazonës. Babai i gruas time gjatë protestës ishte plagosur rëndë në kokë dhe mbas disa muajve vdiq. Atë nuk e vrau ushtari gjerman gjatë luftës, ndërsa vdekjen e tij e shkaktoi Policia Komuniste duke qëlluar me gurë protestuesit. Plani ynë për të djegur librat e diktatorit Hoxha në Librarinë “Flora” nuk u realizua atë ditë, sepse në tarracat e pallateve aty pranë saj kishte shumë ushtarë të pajisur me pushkë snajper. Të nesërmen pasdite, rreth orës 17.00 pra më 21 Shkurt të vitit1991, unë dhe një grup i madh të persekutuarish politikë, kryesisht të Rrugës së Kavajës dhe të lagjes së Kombinatit si edhe dhjetëra protestues të tjerë ndezëm një zjarr të madh duke grisur dhe djegur me mijëra libra të diktatorit që ndodheshin në Librarinë e madhe “Flora” në mes të kryeqytetit. Kjo ishte si hakmarrje e popullit të kryeqytetit ndaj diktatorit Hoxha, që në vitin 1967 urdhëroi djegien e librave fetarë në formë publike. Ishte Jezu Krishti ai që më dha mua këtë ide për djegien e librave dhe rrëzimin e monumentit të diktatorit, që unë ta thosha në fund të gjyqit tim hapur para popullit: “Jeta tregoi se kush beson te Zoti dhe i lutet Atij për të mirën e popullit, Zoti, në të ardhmen, ia plotëson dëshirën”. Pra, edhe Zoti plotësoi dëshirën time që i kërkova më 28 gusht të vitit 1976, në gjyqin tim. Këtë gjë e vërtetojnë edhe dokumentet gjyqësore të gjyqit ndaj meje, dokumente të cilat janë në Arkivin Qendror të Shtetit. Unë isha tepër i gëzuar dhe i lumtur sepse populli i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë ishte protagonisti kryesor për rrëzimin e monumentit të Diktatorit, të simboleve komuniste si dhe të djegies së mijëra librave të tij. Krahas djegies së mijëra librave, protestuesit rreth orës 12.00 hoqën edhe parullën e madhe 50 metra të gjatë ku shkruhej: “Lavdi Partisë së Punës së Shqipërisë” nga tarraca e Pallatit të Kulturës, që ishte dhe godina më e madhe kulturore e Tiranës në atë kohë. Një ditë më parë, në çastin e rrëzimit të monumentit të E. Hoxhës në sheshin kryesor të Tiranës, agjencitë dhe stacionet e radiove dhe televizive të vendeve të botës dhanë njoftimin për këtë ngjarje tepër të rëndësishme që simbolizoi përmbysjen e diktaturës në vendin më të egër komunist të Evropës dhe shënoi fitoren e Demokracisë në vendin tonë.

KAMBANA E DEMOKRACISË GJËMOI DHE U DËGJUA NË ÇDO SKAJ TË SHQIPËRISË

Unë isha tepër i gëzuar sepse para popullit tonë u hap rruga që çdo qytetar i saj të gëzojë jetën, lumturinë, arsimimin dhe të drejtat e tij siç çdo qytetar europian. Gjithashtu porta e Evropës u hap për popullin tonë, të cilën e kishte mbyllur për 47 vite diktatori Hoxha dhe regjimi i urryer komunist. Kambana e Demokracisë gjëmoi dhe u dëgjua në çdo skaj të Shqipërisë. Tani ishim qytetarë të Shqipërisë dhe të Evropës. Shqiponja dykrenore shqiptare fluturonte e lirë në çdo skaj të kontinentit europian. Feja dhe funksionimi i objekteve fetare u vendos përsëri. Tani populli shqiptar i lutej Zotit që t’i bekonte ata për një jetë të re, pa vuajtje dhe plot gëzim. Në ditët në vazhdim, gjatë natës, Policia Komuniste arrestoi me dhjetëra protestues. Unë dhe shokët e mi ato ditë u detyruam të fshiheshim. Gjithashtu, unë i shkurtova shumë flokët, ndryshova veshje, mbaja syze të errëta që të mos njihesha nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit. Lëvizjet demokratike që ndodhën në vendet ish-komuniste të Evropës e goditën rëndë sistemin komunist. Në këto vende brenda një kohe të shkurtër fitoi demokracia dhe u përmbys komunizmi. Populli demokrat i Shqipërisë, me veprimet e tij tepër të guximshme, në këtë ditë, më të shënuarën e Demokracisë, ia preu kokën gjarprit komunist, i cili kishte helmuar shpirtin e tij me ideologjinë marksiste – leniniste. Prandaj, i takon këtij populli, si protagonisti kryesor i kësaj revolte, të emërtojë dhe ta festojë me madhështi këtë ditë të shënuar si dhe të demaskojë nostalgjikët e fundit të Komunizmit, që janë bërë pengesa kryesore për ecjen përpara të Demokracisë në Shqipëri dhe anëtarësimin e vendit tonë me të drejta të plota në Bashkimin Europian. Kjo të kujton shprehjen e famshme të Napoleon Bonapartit: “Mos u përballni me popullin, por bashkohuni me të, sepse do jeni gjithmonë të fituar”. Fjalimin që mbajta në gjyqin tim dikur, se çfarë do të ndodhte në Shqipëri pas vdekjes së diktatorit, populli i Tiranës e realizoi me sukses duke e quajtur dhe duke bërtitur për diktatorin komunist: “Enver – Hitler”! “E hoqëm, e hoqëm, e hoqëm qelbësirën!” “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, “Poshtë Komunizmi” “Liri – Demokraci”etj.

STUDENTËT E GREVËS SË URISË

Kontribut mjaft të madh në këtë ditë të shënuar dha Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, i cili organizoi Grevën e Përgjithshme në Tiranë. Kjo grevë bëri që të gjithë punonjesit e Kryeqytetit u grumbulluan në Qytetin Studenti. Bazuar në informacionet e mediave dhe të Sigurimit të Shtetit si dhe të popullit të Kryeqytetit bashkë me mua, atë ditë dhanë një kontribut të madh edhe qytetarët protestues dhe studentët e Grevës së Urisë si: Rajmonda Bulku, Gëzim Kalaja, Eqerem Kavaja, Blendi Gonxhe, Fiqiri Xibri, Gëzim Shima, Sami Karriqi, Hajredin Fratari, Lulzim Brahja, Skënder Topi, Fatmir Merkoçi, Artur Zadrima, Petro Luarasi, Ardian Heta, Astrit Hatellari, Gjovalin Çokani, Albert Risilia, Agron Spaho dhe vëllai i tij Besniku, Ridvan Peshkëpia, Arben Lika, Shinasi Rama, Blendi Fevziu, Edvin Shvarc, Mesila Doda, Kujtim Çashku, Neritan Ceka, Ilirjan Abazi, Arjan Manahasa, Gëzim Vojka, Kreshnik Ndreu, Ferdinand Temali, Met Ibrahimi, Merita Bejo , Ahmet Kalaja, Ilir Dizdari, Durim Hoxha, Naim Qyqja, Hajrije Hasani, Gani Lami, Xhemal Zhuri, Sulo Jaupaj, Sanije Vojka, Lida Bezhani, Hygert Borova, Vera Rada, Lindita Hamiti, Liljana Llapaj, Pranvera Bodinaku etj., sepse ne shmangëm gjakderdhjen e madhe në popull dhe rrëzuam monumentin e diktatorit si dhe simbolet e tjera të komunizmit. Një kontribut të madh në pasqyrimin e këtyre ngjarjeve dhanë edhe operatorët e Televizionit Bujar Kore, Fatmir Çepani, Agim Buxheli dhe gazetarja Tefta Radi si dhe fotoreporterët Armando Babani,Gani Xhengo, Ali Begeja, Kujtim Çashku, Roland Tasho, Lulzim Lika dhe Besim Fusha. Shumica e këtyre qytetarëve protestues të mësipërm janë nga shtresa e ish-të persekutuarve politikë të Kryeqytetit. Në ato ditë Policia dhe Sigurimi i Shtetit arrestoi me dhjetëra protestues, të cilët u dënuan nga gjykatat komuniste. Populli ka respekt të madh për këta qytetarë të nderuar për kontributin e tyre në atë ditë të shënuar të Demokracisë. Pothuajse të gjithë këta protestues dhe punonjës të mediave janë dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me urdhra e medalje. Veprimet e mia të guximshme gjatë ditëve të 20 dhe 21 Shkurtit të vitit 1991 ishin si një hakmarrje ndaj diktatorit dhe regjimit komunist. Greva e Urisë së minatorëve të Minierës së Valiasit më 16 Maj të vitit 1991 si dhe Greva e përgjithshme kombëtare e ish-të dënuarve politikë më 30 Shtator të vitit 1991 i dha përsëri një goditje të rëndë diktaturës komuniste, e cila ishte në grahmat e fundit të saj. Monumenti i Stalinit u hoq në Tiranë më vonë nga Qeveria. Më parë ishte hequr edhe monumenti i Leninit.

Filed Under: Featured Tagged With: 30 vjet, diktatori, rrezimi i monumentit, Saimir Maloku, Sokol Paja

Një Rrëfim i fuqishëm kundër regjimit komunist

October 1, 2020 by dgreca

Rreth librit “Si mbijetova në ferrin komunist” të Saimir Reshit Malokut–Tiranë 2020-Shkruan Bardhyl SELIMI*-

Bardhyl Selimi(majtas) dhe Saimir Maloku-

Pas vitit 1990, kur u bë e mundur Fjala e Lirë edhe në Shqipëri, u shkruajt pa drojë për të kaluarën komuniste të vendit, që zgjati gati 47 vjet. Sidomos me interes ishin kujtimet e atyre që e vuajtën në kurrizin e vet tmerrin e dhunës së shtetit totalitar enverist. Shumë prej tyre, për fat, ishin me kulturë dhe me mendje të kthjellët, kështu që rrëfimet e tyre ndikonin më fuqishëm në njohjen e të vërtetës së hidhur të së kaluarës komuniste.

Më kanë bërë përshtypje të thellë librat e zotërinjve Zhiti, Tase, Ҫela, Lubonja, Ngjela, Pllumi, etj. Shumë dëshmi të gjalla janë pasqyruar edhe në botimet e Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit në Shqipëri.

Në këtë varg veprash të tilla vjen edhe libri vëllimor i zotit Saimir Maloku, të cilin, për fat, e kam njohur nga afër, pasi është edhe djalë i hallës sonë, Fatime Maloku (Mezini).

Saimiri është vetëm një vit më i ri se unë. Në shtëpinë e tij shkoja shpesh, pasi ajo ndodhej pranë qendrës së Tiranës, në një rrugicë të zonës, që thirret prej vitesh si “Tregu i Ҫamëve”, Ajo është një shtëpi e vjetër tiranase përdhese, me oborr të vogël, por që dallonte nga pastërtia dhe lulet e shumënumurta brenda saj. Babai i Saimirit, Reshit Maloku, ka qenë shok klase i dajës tonë, Mustafa Halil Gjeraku, te Shkolla Teknike Amerikane në kohën e Mbretërisë Shqiptare, e cila shkollë futi në arsimin shqiptar prakticitetin dhe dobishmërinë dhe e ngriti nivelin shkencor të tij. Mjerisht, shumë nga ata që e kryen atë shkollë të madhe u përndoqën mizorisht nga regjimi komunist.

Saimiri mësoi shumë nga i ati, nga kultura e tij, ndonëse vijoi shkollat ushtarake bashkë të vëllanë më të madh, Agimin dhe u bë oficer radiondërlidhjeje. Por ai studioi me zell dhe u shqua në të gjitha ciklet e edukimit, sidomos në studimet universitare në Fakultetin e Inxhinierisë Elektronike. Aty ai u diplomua si inxhinier elektronik me rezultatet më të larta në mësime në atë kohë. Njohuritë e tij Saimiri, menjëherë, i vinte në jetë, në repartin ushtarak ku shërbente, por edhe në shtëpi. Mbi të gjitha, Saimiri i shpëtoi “indoktrinimit” me ideologjinë komuniste, sepse, falë rrëfimeve të babait për botën dhe atyre që dëgjonte në stacionet radiofonike dhe televizive të huaja perëndimore, u njoh me të vërtetën e madhe e të thjeshtë, sipas të cilës, bota ishte shumë më e madhe, më e larmishme, më interesante se ajo ku i kishte mbyllur shqiptarët regjimi enverist. Ky ishte një guxim i jashtëzakonshëm që i karakterizonte njerëz të tillë me shpirt të lirë si Saimiri!

Që në fëmijëri, Saimiri mblidhte dhe shkëmbente pulla postare. Këto pulla ishin një dritare për të parë botën e jashtëme. Nisi korrespondencën me filatelistë të huaj. Kjo korrespondence, deri në fillim të viteve 60, ishte mjaft e përhapur te të rinjtë. Edhe unë veproja kështu. Madje atëhere, kur Shqipëria ishte ende pjesë e Bllokut Socialist, korrespondenca me bashkëmoshatarët nga ky Bllok Socialist sugjerohej nga vetë zyrat e Komiteteve të Rinisë nëpër qytete. Sigurisht, gjuha që përdorej ishte rusishtja e mësuar në shkollat e Shqipërisë që nga mosha 11 vjeç. Pranë shtëpisë së Saimirit ishte një godinë e madhe katërkatëshe ku më vonë aty u bë selia e Ambasadës së Turqisë. Gjatë viteve 1950-1960 aty banonin shumë familje të këshilltarëve ushtarakë sovjetikë. Kjo gjë e ndihmoi Saimirin ta mësonte shpejt gjuhën ruse nga fëmijtë e vegjël të këtyre familjeve të mësipërme.

Por Saimiri kish mësuar nga i ati edhe anglishten. Kështu që, krejt natyrshëm, ai mund të fliste edhe me anglishtfolës. Në vitet e rinisë së tij, këta të fundit mund të ishin vetëm miq të Partisë dhe shtetit tonë komunist. Me këta Saimiri nisi të flasë dhe të korrespondojë pa i shkuar mendja kurrë të bëhej vegël e ndonjë shërbimi të fshehtë armiqësor. Këta miq të huaj apo turista kryesisht britanikë, e ndihmuan atë për të siguruar ilaçet që mungonin për mjekimin e të atit të paralizuar, në vitin 1968.

Ai nuk e mori vesh, që në fillim, se kishte ngjallur dyshime në punonjësit e Sigurimit të Shtetit, të cilët madje kishin hapur një dosje hetimore me përpunim aktiv 2A si agjenta të mundëshëm të Zbulimit Britanik, për të dhe të atin, sikurse kishin bërë me qindra mijë qytetarë të tjerë. Kjo dosje ishte më e rëndësishme për Sigurimin e Shtetit se bëhej fjalë për një oficer radiondërlidhjeje!

Edukata familiare e Saimirit ishte e shëndoshë, atdhetare, por jo dogmatike. Në shtëpinë e tij dëgjohej vazhdimisht muzikë, popullore dhe e huaj. Kjo për arsye se në vitin 1968 babait të Saimirit iu mundësua që të kish një aparat televizori për ndihmesën e tij të madhe në rindërtimin e Shqipërisë dhe në Sportin e Qitjes. Në atë kohë, shtëpia e Saimir Malokut u bë një qendër e fshehtë e kulturës perëndimore. Sepse aty, pothuaj çdo natë, vinin me dhjetëra qytetarë për të parë emisione italiane dhe jugosllave, si Festivalin Italian të San Remos, ndeshje ndërkombëtare sportive, etj. Në korrik të vitit 1970 Saimiri shpiku një pajisje të vogël elektronike televizive që më vonë u quajt “kanoçe”. Kjo pajisje mundësonte që të shiheshin lirshëm kanalet televizive të huaja. Edhe unë kam dëgjuar atëhere muzikë atje dhe kam parë filma të huaj të bukur që nuk shfaqeshin në ekranet e kinemave dhe televizionit shqiptar. Sepse Saimiri duarartë kishte ndërtuar antena dhe kishte shtuar pajisje të përshtatshme për të marrë dhe përforcuar sinjalet televizive dhe radiofonike. Thjesht për kulturë më të plotë qytetare dhe rinore.

Por si mund të lejonte regjimi i atëhershëm një “herezi” të tillë?! Fakte për veprimtari armiqësore ndaj shtetit dhe Partisë nuk kishin, atëhere o burra t’i sajojmë atij, nëpërmjet kallëzimeve të rreme të informatorëve të fshehtë që hynin e dilnin si “miq” familiarë në shtëpinë e Saimirit. Këtu nisi drama e madhe personale dhe familiare e Saimirit.

Sidoqoftë, Saimiri vijoi të shërbejë aty ku e caktuan, me zell dhe ndershmëri, gjithnjë duke besuar se është i pafajshëm. Por qëlloi edhe një kohë e vështirë, kohë e fushatave spastruese, që përsëriteshin periodikisht, si dikur në ish Bashkimin Sovjetik dhe në Kinë, ashtu edhe në këtë Shqipërinë tonë të vogël por të mbërthyer nga një diktaturë e egër. Qëlloi mesi i vitit 1976! Ishin arrestuar, dënuar, pushkatuar osë burgosur me qindra ushtarakë të lartë dhe të ulët, po ashtu nëpunës të lartë civilë, familjet e të cilëve i internuan në fshatrat më të largëta të vendit tonë. Kishe frikë të shkoje edhe në mbledhjet e përgjithshme të kolektivave, sepse papritur mund të bëheshe viktima e radhës.

Me 3 maj të vitit 1976, Kryeministri kriminel i Shqipërisë, Mehmet Shehu, dha urdhër për arrestimin e Saimir Malokut duke vënë me dorën e tij shënimin: “Të arrestohet! Është armik i poshtër!”

Me 13 maj të po atij viti, para qindra ushtarakëve dhe të tjerëve militantë ekstremistë komunistë, në një sallë shumë të madhe kinemaje dhe mbledhjesh të reapartit ushtarak në Burrel, e arrestuan Saimirin dhe e futën menjëherë në një qeli paraburgimi të nëndheshme të godinës se Policisë. Më mirë të thuash e futën në kështjellën e Ifnit të Marsejës ku mbyllën me pabesi Edmond Dantesin, heroin e njohur nga romani “Konti i Montekristos” i Dumas. Pa dritë, pa ajrim, në lagështi, veshur lehtë, Saimiri përjetoi një tmerr të vërtetë. Shtoi këtu hetuesinë e zgjatur, gjyqin farsë, ku turmat me tru të shpëlarë nga ideologjia sunduese e tregonin me gisht atë si “armik i poshtër, si kriminel i rrezikshëm”, kërkonin varjen apo pushkatimin. Skena të tilla kanë qenë të zakonshme në gjyqet politike që nga 1945 në Shqipërinë komuniste.

Nuk mjaftoi dënimi shumëvjeçar, por me urdhër nga lart, Saimirin nuk e dërguan në burgjet politike sikurse ishte rregulli, por e mbajtën ende edhe për rreth shtatë muaj në atë qeli skëterrë. E trajtuan si një kafshë të egër, në të cilën njeriu u shndërrua nga kushtet e skajshme të vështira (uri, pisllëk, ngricë, veçim i plotë, pa asnjë lidhje me familjen, pa të drejtë ankimi në organet e drejtësisë).

Policia, si ndëshkim, kishte ndaluar ndihmat ushqimore dhe teshat nga familja. Seancat e shumta të hetuesisë fillonin në mes të natës dhe vazhdonin afër gjashtë orë. Ato shoqëroheshin me tortura fizike dhe psikologjike plot fyerje dhe kërcënime.

Një mrekulli ishte që Saimiri nuk vdiq, pasi humbi gjysmën e peshës trupore, shtatë dhembë, shikimin normal, ndjesitë dhe pjesërisht aftësitë mendore.

Kjo bëhej pasi qëllimi kriminal i Sigurimit ishte që Saimirin së bashku me të atin e paralizuar, pasi ta arrestonte këtë të fundit, ta dënonte me vdekje si “agjentë të mundëshëm të Shërbimeve Sekrete Britanike”.

Plani tjetër i fshehtë i Policisë ishte që Saimiri të vdiste në qelinë e nëndheshme për shkak të kushteve çnjerëzore të jetesës. Por Saimiri, falë sinjalizimit të fshehtë nga një punonjës dashamirës i Policisë, e alarmoi tërë personelin aty. Atëhere kur Saimiri ishte në prag të vdekjes mizore, ia lejuan takimin me familjen

Edhe mjekët me qytetari nuk lejuan që Reshiti, që ecte me karrocë invalidi, të arrestohej.

Por, o Zot, e ëma. Fatimja dhe xhaxhai, Shaban Maloku, që e shoqëronte atë, nuk e njohën fare Saimirin. Ai u dukej si njeri i shpellave, por jo i fuqishëm si këta të fundit, përkundrazi i skeletosur, i mbuluar me lesh në fytyrë e krye, pa dhëmbë, mezi qendronte në këmbë, me erë që kundërmonte nga papastërtia. Kjo vërteton më së miri planin famëkeq të Sigurimit të Shtetit, sepse një hetues në dhomën e hetimit i tha Saimirit, pasi u arrestua: “Na trego, o armik i poshtër veprimtarinë tënde agjenturore si spiun i Perëndimit. Ne, fytyrën tënde prej ëngjëlli do ta shndërrojmë në fytyrën e Djallit, që as familja jotr të mos të njohë!”

Me shumë vështirësi u muar vesh e vërteta. Familja kërkoi që i biri të shkonte në burg për të vijuar dënimin atje. O Zot, burgu dukej shumë herë më i mirë se ajo qeli danteske!

Në Burgun e famshëm të Burrelit Saimiri gjeti profesorë, priftërinj, njerëz me kulture, që kishin mbijetuar edhe ata. Mësoi shumë prej tyre. Edhe në Burgun e Ballshit pak më vonë, ndenji disa muaj. Kurse në Burgun- kamp të Spaçit, që është cilësuar si nga më të tmerrshmit në Europë, Saimiri punoi në minierë por edhe ndihmoi me profesionin e vet që jeta e të burgosurve të shijonte pakëz ëmbëlsi, duke dëgjuar këngë që lëshonin altoparlantët e ndrequr nga Saimiri ose filma nga televizorët që mirëmbante inxhinieri ynë.

Punoi Saimiri vite të tëra deri sa, pas më shumë se tetë vitesh, një amnisti e vitit 1985 e përfshiu edhe atë. U kthye në shtëpi, u çmall me të atin i cili kish pritur me kaq shumë shpresë, i plotësoi atij dëshirën për t’u martuar. Pak pas martesës, i ati ndërroi jetë më 6 tetor të vitit 1986. Saimiri punoi në ndërmarrjen e riparim-shërbimeve elektroteknike me kategorinë e parë, dmth me pagën minimale, (atëhere 420 lekë) duke pritur të ndodhte shndërrimi politik edhe në Shqipëri.

Ditën e 20 shkurtit të vitit 1991 atë e gjejmë në Sheshin Skënderbej, në krye të protestuesve që kërkonin rrëzimin e monumentit të diktatorit Hoxha. Në janar të vitit 1991 Saimiri krijoi Shoqatën e parë të të përndjekurve politikë të Rrugës së Kavajës dhe të shumë rrugëve bashkuese me të dhe vijoi të shërbejë në profesionin e vet, pavarësisht se i ofruan poste në aparatin shtetëror.

Përcolli me interesim zhvillimet politike të vendit, ku mjerisht ish përndjekësit, ish komunistët ekstremistë, si dhe pinjollët e tyre vijonin të shijonin një jetë pa u trazuar, pa ndjerë përgjegjësi morale dhe juridike për krimet e kryera nga ata. Zhgënjimi popullor bëri që mbi 1.2 milionë shqiptarë, ndër ta shumica demokratë, ta braktisnin Shqipërinë për një jetë më të mirë jashtë saj. Qeveritë pluraliste nuk arritën ta bëjnë dekomunistizmin e vendit, përkundrazi ato, me aparatin shtetëror dhe median vetëm përhapnin në forma të rafinuara idenë se socializmi ka qenë një rend më i mirë shoqëror, duke ndikuar fuqishëm në rininë, që nuk e ka përjetuar atë regjim fizikisht.

Për të penguar sado pak këtë revansh të ish komunistëve të veshur me tesha të reja socialiste Saimiri mendoi të shkruante këtë liber, ku janë jo vetëm kujtimet e tij personale por edhe ato të bashkëvuajtësve të tij. Duke pasur parasysh personalitetin e Saimirit, si intelektual dhe profesionist me dije të shumta dhe i lirë nga paragjykimet, dogmat, partishmëritë, sigurisht që do prisnim që libri të pasqyronte shumë fakte të jetës në Shqipëri në të kaluarën komuniste, të përcillte shumë kumte (mesaxhe) të rëndësishme për të sotmen dhe të ardhmen.

Në librin e tij Saimiri tregon si arriti të mbijejojë në ferrin komunist për afër 200 ditë në qelinë e nëndheshme të paraburgimit. Ai mbajti lart moralin e tij duke iu lutur Zotit ditë e natë para një kryqi të madh që ai bëri duke gërvishtur murin e qelisë me anën e shtatë dhëmbëve që i ranë nga sëmundja e rëndë e Skorbutit. Gjithashtu ai këndonte apo kërcente muzikën e Legjendave të Rrok end Rollit të viteve 1960-1970.

Më poshtë kam shkëputur disa fragmente nga ky libër.

f.133

Historia gjithmonë do ta kujtojë këtë periudhe dhimbjeje të tmerrshme dhe alarmante që mbolli komunizmi në Shqipëri. Ҫfarë kohe e pabesueshme, tepër tronditëse dhe vëllavrasëse! Kohë kur burri ndahej nga familja dhe pushkatohej edhe pa gjyq….Vëllai spiunonte vëllain, gruaja mohonte burrin dhe komshinjtë denonconin dhe survejonin njëri tjetrin; miku kthehej në armik dhe në informator të Sigurimit të Shtetit. Gjithçka mund të prisje nga kushdo, kudo që të shkoje, në punë, në zyrë, në shkollë, në ushtri etj. Pabesia kishte errësuar sytë dhe mendjet e njerëzve. Të gjithë spiunonin për të mbijetuar.

f. 145

Të shumtë ishin ata qytetarë të cilëve u mohoheshin të drejtat më elementare si e drejta e fjalës, e jetës, e mendimit, e votës, e besimit, e pasurisë, e lëvizjes së lirë dhe e ndërgjegjes etj.

Në mëhallën ku banoja, shkalla e persekutimit komunist ishte mjaft e lartë. Në afro 50 shtëpi pranë shtëpisë sime, kishte 23 të burgosur apo të pushkatuar të tjerë për motive politike si:

Seit Shabani, Profi Ҫoka, Eqerem Mëniku, Muharrem Ferhati, Xhafer Vila, Abdul;a Mëniku, Theodhor Ҫoka, Bujar Bakalli, Kol Sheshi, Ali Bakiu, Qazim Turtulli, Ilia Naçi, Tefik Dashi, Pashko Brahimaj, Muhamet Dashi, Bujar Kokoli, Masar Mëniku, Zyber Naçi, Piro Agohiti, Petro Marqidhi, Adrian Kokoli, Abdyl Selenica e të tjerë.

f. 154

Kushtet e jetesës sime në qelinë e nëndheshme ishin të tmerrshme dhe çnjerëzore, Unë nuk kisha as dyshek, as jorgan, as jastëk, as çarçafë, as peshqir, as rroba, as tesha të tjera për t’u ndërruar, as sapun, as furçe dhëmbësh dhe as shapka këmbësh, as çorape, Brenda qelisë sime unë kisha një gjysmë batanije leshi tepër të vjetër, të hollë e të pistë si dhe një pagur plastik për të pirë ujë apo për të urinuar në të ditën ose natën, sepse derën e qelisë gardianët e policisë nuk e hapnin në të tilla raste të nevojave personale.

f. 157

Një të burgosuri politik hetuesi i tij i kishte thënë: Saimiri, po të mos e pranojë akuzën si agjent i Perëndimit, përveç elektroshokut do t’i fusim korrent në prapanicë dhe do ta çojmë atë në Tiranë në dhomat speciale të torturave me ftohje dhe ngrohje të menjëhershme, duke e zhveshur lakuriq për një kohë të gjatë si dhe pasojat shëndetsore do jenë shkatërruese.

f. 183

Mehmet Shehu ishte kryeministri më ekstremist dhe më i rrezikshëm komunist. Ai gjatë Luftës së Dytë Botërore, si komandant i Brigadës së Parë Partizane urdhëroi pushkatimin e afro 140 robërve italianë, të cilët ishin dorëzuar vetë në njisitet partizane pas kapitullimit të Italisë Fashiste. Këtë urdhër ky njeri i poshtër dhe gjakatar e dha sepse donte që t’u merrte robërve italianë rrobat e tyre të trasha dimërore dhe këpucët. Kjo ka ndodhur, sikurse më kanë treguar disa fshatarë të vjetër të zonës së Martaneshit, pranë vendit të quajtur Guri i Muzhaqit, kur unë punoja në atë zonë gjatë viteve 1967-1969.

Krimineli Shehu urdhëroi që trupat e robërve italianë të vendoseshin në një gropë të madhe dhe të mbuloheshin me gurë dhe me drutë e mbeturinat e gjetheve. Me këtë veprim kriminal, Mehmet Shehu shkeli në mënyrë flagrante Konventën Ndërkombëtare të Robërve të Luftës.

Gjithashtu ai vrau me dorën e tij 70 civilë të pafajshëm të Lushnjës në të njëjtën kohë, duke i akuzuar si bashkëpunëtorë të gjermanëve. Në kujtimet e shumë partizanëve tregohet se Mehmet Shehu ka vrarë dhe ka therrur me dhjetëra robër të tjerë italianë në vende të ndryshme të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

f. 215

Sipas mendimit tim, diktatura komuniste dhe naziste ishin si vëlla e motër me njëri tjetrin për sa u përket krimeve më mizore ndaj njerëzimit.

f. 216

Gjykata ishte një institucion formal që zbatonte vendimet e Partisë Komuniste dhe të diktatorit Hoxha.

f. 221

Hitleri edukoi rininë gjermane me ideologjinë naziste dhe me ndjenjën dhe imazhin e luftës. Po ashtu, dhe diktatori Hoxha bëri të njëjtën gjë duke edukuar popullin dhe rininë shqiptare me ideologjinë komuniste dhe me imazhin e luftës.

f.229

Deri më sot, asnjë persekutor apo oficer i Sigurimit të Shtetit nuk është dënuar në Shqipëri për krime çnjerëzore të kësaj natyre.

f.237

Për mua dhe popullin tone, komunizmi shqiptar ishte një sistem shoqëror tepër i mallkuar dhe i kamufluar i shekullit të kaluar në historinë njerëzore.

f. 239

Nuk e imagjinoja dot në jetë që të lindja i lirë, ndërsa pjesën më kryesore të jetës sime dhe pasuniversitare ta kaloja i lidhur me pranga metalike si i burgosur politik. Kalova çaste tepër të tmerrshme dhe vuajtje të jashtëzakonshme për gati 200 ditë në qelinë time të nëndheshme, sa vdekja për mua do të ishte një çlirim shpirtëror. Isha në kufijtë e fundit të jetës dhe të shëndetit fizik dhe mendor, ashtu si një njeri mjaft i sëmurë në agoninë e vdekjes. Më qante shpirti im i sfilitur dhe mjaft i dërrmuar nga këto vuajtje të panumurta, duke derdhur lotë të shumtë nga sytë e mij të zgurdulluar. Me mjaft vështirësi dhe duke u dridhur, arrija të thosha fjalën e artë dhe tepër hyjnore: Të lutem, o Zot, shpëtomë se po vdes!:

f. 255

Përderisa ish oficerë të Sigurimit të Shtetit kanë kryer krime penale ndaj popullit, ata duhej të ndëshkoheshin penalisht në kohën e demokracisë për krime të pandëshkuara. Ndërsa gratë e këtyre ish oficerëve të mësipërm privatizuan dyqanet shtetërore më të mira të kryeqytetit dhe sot marrin qira dhe fitime të majme.

Për të mbuluar krimet e tyre, persekutorët tanë me anë të pinjollëve dhe nostalgjikëve të komunizmit po shfaqin dhe transmetojnë nëpër shumë stacione televizive me dhjetëra dokumentarë të komunizmit dhe, me leje nga Qeveria Socialiste, këto gjashtë vitet e fundit, në mënyrë të plotë dhe pa i demaskuar apo censuruar ato, ku lavdërohet diktatori dhe regjimi komunist, ku fyhen rëndë SHBA dhe Britania e Madhe, tregohet si kapeshin agjentët anglo-amerikanë dhe si denoheshin ata dhe klerikët e nderuar, si u hoq feja, shfaqet kulti i individit i diktatorit Stalin dhe miqësia sovjeto-shqiptare, vizita e kryeministrit Ҫu En Lai në Shqipëri dhe miqësia e madhe shqiptaro-kineze, kongreset e Partisë Komuniste, si shembeshin kisha e xhamia, sesi populli brohoriste dhe përshëndeste diktatorin Hoxha në manifestimet e 1 Majit apo nëpër stadiume, miqësia shqiptaro-jugosllave dhe takimet e Enver Hoxhës me Titon, edukimi i rinisë në aksione dhe në zbore ushtarake, duke qëlluar nëpër tabela qitjeje ku ishin vendosur portretet e presidentëve të SHBA, BS, etj

f. 257

Vendet perëndimore nuk duhet të heshtin, sepse po dëmtohet rëndë imazhi i demokracisë dhe brezi i ri po infektohet me idetë komuniste. Këto dokumentarë televizivë kanë irrituar dhe zemëruar shumë shtresën e të persekutuarve politikë. Kjo i ka nxitur enveristët e komunizmit të dalin e të thërrasin në rrugë për ish udhëheqësin e tyre Enver Hoxha, duke mbajtur në duar me dhjetëra portrete të tij.

f. 276

Në burgun e Spaçit të burgosurit politikë ishin “skllevër të shtetit komunist”, të cilët detyroheshin të punonin me pagesë tepër të ulët, sa një e dhjeta e punëtorëve të lirë dhe me tre turne. … Burgu – kamp i Spaçit të kujtonte gulagët rusë ose kampet e punës së detyruar në Siberi, gjatë kohës së diktatorit komunist Stalin.

f. 278

Në burgun e Spaçit punonte edhe Sami Dangëllia. Ai kish lindur në vitin 1926, u fut në burg nga Partia Komuniste sapo u çlirua vendi dhe vuajti dënimin deri më 23 prill 1987, pra 43 vjet! Ky është një rast i paprecedent në vendet ish komuniste të Europës Lindorë dhe të Ballkanit.

f. 289

Diktatori Hoxha dhe Partia Komuniste si themel të shtetit të tyre kriminal kishin vënë kufomat dhe eshtrat e mijëra vetëve të pafajshëm, duke e spërkatur me gjakun e tyre. Gjithashtu ata u shkatërruan lumturinë dhe burgosën me mijëra veta, internuan 50 mijë familje në fshatrat më të këqia dhe moçalore. Të gjithë këta u 12

trajtuan sikur të ishin skllevër apo kafshë me pretekstin se do edukoheshin nëpërmjet punës.

f.297

Ishte mjaft e habitshme se në të gjitha qytetet e Shqipërisë qytetarët blinin dhe hanin bukë gruri. Ndërsa familjet e fshatarëve ishin të detyruara të hanin vetëm bukë misri.

Gjatë librit zoti Saimir Maloku shpreh zhgënjimin e vet përse ende nuk është ngritur Memoriali në kujtim të viktimave të komunizmit në Shqipëri dhe përse 20 Shkurti, dita e rrëzimit të monumentit të diktatorit Hoxha, nuk është shpalluar nga asnjë qeveri pluraliste si ditë kombëtare, simbol i rënies së komunizmit.

Ky libër ka vlera të mëdha historike dhe edukative për Njerëzimin dhe kryesisht për brezat e rinj dhe të ardhmen në botë, në mënyrë që fara e Komunizmit të mos rikthehet sërish. Prandaj ky libër duhet të përkthehet në gjuhë të huaja, si diçka e çmuar për Njerëzimin. Ai është mirëpritur nga populli shqiptar dhe Trupi Diplomatik Perëndimor në Tiranë.

Konspektoi Bardhyl Adem Selimi, 29 shtator 2020

Filed Under: Politike Tagged With: Bardhyl Selimi, ferri Komunist, Mbijetesa ne ferrin komunist, Saimir Maloku

LIBRI”SI MBIJETOVA NË FERRIN KOMUNIST”, NË BIBLIOTEKËN E VATRËS

August 26, 2020 by dgreca

Sot, e Mërkurë 26 gusht 2020, gazetari Sokol Paja, dhuroi për bibliotekën e Vatrës librin e autorit Saimir Maloku”How I Survived in the Comunist Hell”- The confessions  of a former polical prisioner  accused with his father of being together as potential agents of the British Intelligence Services- ”Si Mbijetova në  Ferrin Komunist”- Rrëfimet e një ish-të burgosuri politik i akuzuar së bashku me babanë e tij edhe se agjentë të mundshëm të Shërbimeve Sekrete Britanike). Libri është dhuratë nga autori, botim”ERMAL”, Tiranë 2020.

Në shenjë falenderimi, po ripublikojmë shkrimin e gazetarit të Diellit Sokol Paja.

***

Saimir Maloku, një rrëfim për tmerrin dhe ferrin komunist

NGA SOKOL PAJA-DIELLI

“Të arrestohet menjëherë. Është armik i poshtër”. Ky shënim i Mehmet Shehut në kartelën personale në degën e Sigurimit të Shtetit, do ti ndryshonte jetën përgjithmonë tragjikisht Saimir Malokut dhe familjes së tij. Nga ky shënim i kryeministrit komunist do të fillonte një kalvar vuajtjesh e persekutimi i pashëmbullt. Saimir Maloku sot përbën një dëshmi të gjallë të vuajtjes dhe mbijetesës në ferrin komunist shqiptar. Maloku me ekzistencën dhe tregimin e ferrit të tij, përpiqet të na rrëfejë e dëshmojë  mizorinë e komunizmit, pashpirthmërinë, ligësinë, çmendurinë, paligjshmërinë e sistemit, torturën e dhunën dhe mbi të gjitha ashpërsinë e egersinë deri në kafshëri të sistemit komuniste që tmerroi shqiptarët për 50 vjet. Saimir Maloku u akuzua prej regjimit komunist si spiun i 17 vendeve kapitaliste dhe agjent i anglezëve në veçanti. Me profesion inxhinjer elektronik në ushtri, Saimir Maloku u përndoq, u hetua, u shantazhua nga 120 spiunë dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe 9 hetues të regjimit. Saimir Maloku vuajti 9 vjet në burgjet më të egra dhe më të frikshme të diktaturës. Përveç dënimit, Maloku familjarisht vuajti po kaq vite survejim, gjurmim, përgjime dhe inskenime nga Sigurimi i Shtetit, bisha e tmerrshme që mbante në këmbë diktaturën staliniste nëpërmjet frikës, panikut, përndjekjes, dhunës, arrestimeve dhe tmerrit që ajo shkaktonte ngado.  Pas gjyqit të fals, Saimir Maloku u mbajt për 200 ditë nën tokë, nën ujë e baltë i fshehur prej komunistëve, në një kohë që familja e kërkonte në të gjitha burgjet e Shqipërisë. 

Fatin e keq të Saimir Malokut e patën shumë shqiptarë të cilët edhe për 1 fjalë goje të pathënë dhe dy dëshmitare të sajuar, dergjeshin burgjeve e kampeve të punës me 10 vite në birucat e frikshme të regjimit diktatorial.  Saimir Maloku u burgos për 9 vite nga ish-Sigurimi i Shtetit nën akuzën e agjitacionit dhe propagandës për shkak të shpikjes së një pajisjeje Kanoçe që shërbente si antenë televizioni për të parë stacione të huaja për të cilat komunizmi i ndalonte rreptësisht. Në komunizëm duhej parë dhe ndjekur vetëm ato që thoshte partia e punës. Çdo tentativë tjetër të dërgonte direkt në burg. Nëse nuk i bindeshe partisë, ishe armiku më i poshtër i klasës dhe pushtetit, partisë e popullit. Komunizmi kontrollonte gjithçka e çdo gjë deri edhe te shijet e njerëzve. Gjithçka që nuk mirtohej nga partia-shtet shpallej e ndaluar, e rrezikshme dhe e dënueshme. 

Pjesën kryesore të dënimit politik Saimiri e kaloi në kampin politik të minierës së Spaçit dhe më pas të Burrelit e Ballshit. Drama e Saimir Malokut nuk mbaron këtu: për të njëjtin “krim” i arrestojnë dhe të atin Reshit Maloku por Sigurimi i Shtetit e anulloi dënimin me burg për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore pasi Reshiti ishte i paralizuar dhe në pamundësi lëvizje. Absurdi në familjen Maloku qëndron në faktin se u terrerizua e gjithë familja dhe se i ati edhe pse kishte 2 vite që kishte vdekur, prapë se prapë ndiqej nga Sigurimi i regjimit komunist me dosje speciale.  Komunizmi u shëndërrua në një një mallkim që të ndiqte edhe në varr. Për një krim që nuk e kishte kryer asnjëherë, Saimir Maloku u gjend në një gjyq komunist teatral pa flet akuzë, pa familjarë të pranishëm, pa avokat dhe ndërsa torturohej pak para fillimit të gjyqit i thuhej të firmoste dhe të pranonte çfarëdo ishte shtruar në dokumentat gjyqësorë se ndryshe do vritej ai dhe do i zhdukej familja. Mes vuajtes mizore, prapë se prapë Saimir Maloku qëndroi duke mos u dorëzuar asnjëherë. Me orë të tëra Saimiri u mbajt i lidhur këmbësh e duarsh. Qëndroi me orë të gjata i lidhur teksa goditej mizorisht prej hetuesve. Maloku nuk pranoi akuzën dhe për këtë fakt hetuesit e rrahën barbarisht duke i thyer nofullën, dhëmbët, gjymtyrët dhe gjaku më shpërtheu gjithndej- rrëfen Saimir Maloku në librin e tij. Katër ishin gjërat më të dhimbshme e më të tmerrshme në burgjet komuniste sipas Saimir Malokut: dhuna, tortura, uria dhe shkëputja më familjen. Mes dhimbjesh dhe vuajtjesh, Saimir Maloku tregon se lehtësim prej Zotit, mes tmerrit komunist, në burg kishim disa nga priftërinjtë dhe klerikët më të mëdhenj të Kishës Katolike të cilët ishin profesorët tanë, baballarët tanë që na drejtonin, orjentonin e këshillonin sesi të silleshim në burg dhe të ruheshim nga provokimet e Sigurimit në burgje, miniera, galeri e kampet e punës së detyruar. Bashkëvuajtës të Saimir Malokut ishin Dom Simon Jubani, At Zef Pllumi, Imzot Frano Ilia, Dom Ndoc Sahatçija, Kardinal Ernest Simoni, Kardinal Mikel Koliqi, Dom Nikollë Mazreku etj. Dëshmi persekutimi në ferrin komunist si e Saimir Malokut e shumë shqiptarëve që vuajtën padrejtësishtm janë pasyrë e errët e tmerrin dictatorial. Nxjerrja në dritë e kësaj errësirë makabre është një çlirim jo vetëm për shpirtin e atyre që vdiqën por edhe të atyre që qëndruan heroikisht si Saimir Maloku e mijëra bashkëvuajtës të kohës.(Dielli, 21 Maj 2020)

Filed Under: Histori Tagged With: Biblioteka e Vatres, Ferrin Komunist, Saimir Maloku

SAIMIR MALOKU, NJË SHEMBULL I RRALLË NË KUNDËRVËNIEN NDAJ DIKTATURËS KOMUNISTE

August 24, 2020 by dgreca

(Rreth librit me kujtime “Si mbijetova në Ferrin komunist”) /

NGA SHPENDI TOPOLLAJ/

I lexova me trishtim kujtimet e shokut tim të mrekullueshëm në vitet e shkollës të mesme “Skënderbej” dhe atë të Oficerëve, Saimir Maloku, dhe gjëja e parë që më doli parasysh ishte ajo shprehja e Friedrich Nietzsches se “Të jetuarit është vuajtje, të mbijetuarit është gjetja e një kuptimi për vuajtjet”. Libri i tij voluminoz “Si mbijetova në Ferrin komunist”, botim i EMAL, viti 2020, me ato të vërteta rrëqethëse, jo vetëm që të trondit, por edhe synon të gjejë kuptimin e vuajtjeve trupore e shpirtërore të njeriut të ndershëm gjatë luftës për mbijetesë. Si i tillë, pra, për nga forca e argumentit dhe llogjika e të arsyetuarit rreth asaj që ngjau në Shqipëri, ai do të mbesë si një monument demaskimi për padrejtësitë dhe barbaritë e një sistemi despotik që sundoi mbi vendin tonë për mbi katër dekada. Kështu që trishtimit e tronditjes, ja zë vendin urrejtja ndaj atyre që sapo morën frenat e pushtetit në dorë, deklaruan pa ju dridhur qerpiku se do ushtronin diktaturën. Por pati një koincidencë mjaft domethënëse, pasi në kohën që shfletoja librin e shokut tim, një stacion televiziv, jepte historinë e botanistit të madh rus Nikollaj Ivanoviç Vavilovit i cili së bashku me ekipin e tij të shkencëtarëve patriotë, ruajtën me pedantizëm në “Svalbard” farat e bimëve për mbarështim, gjatë rrethimit të egër që ushtria e Vermahtit i bëri qytetit të tyre. Ata pranuan të vdisnin nga uria dhe të mos preknin asnjë kokërr nga ato drithra, pasuri perspektive e popullit të tyre. E megjithatë, Vavilovin, në moshën 54 vjeçare, vetëm pse kishte shfaqur kundërshti mendimesh me Trofim Denisoviç Lisenkon, që kishte përkrahjen e vetë Stalinit, policia e fshehtë e arrestoi dhe e torturoi në 400 seanca që bënin plot 1.700 orë hetime çnjerëzore. Koha tregoi se ai, dhe jo Kryetari i përkëdhelur i Akademisë së Shkencave kishte të drejtë. Çfarë ngjashmërie me Vavilovët tanë, se i tillë shkencëtar i radioteknikës dhe humanist ishte edhe Saimir Maloku. Saimiri vinte nga një prej familjeve më të shkëlqyera të kryeqytetit; babai i tij Reshiti, i njohur anë e kënd vendit për kontribute në ndërtime veprash të vështira, por edhe si Mjeshtër i Merituar i Sportit të Qitjes, ku ishte kampion, rekordmen dhe trajnier i ekipit kombëtar, gëzonte reputacionin e njeriut të kulturuar dhe të thjeshtë, kurse vëllai i madh, Agimi, një djalë mjaft simpatik dhe përherë i qeshur, ishte gjithashtu skënderbegas në maturë. Zgjuarsia, edukata qytetare dhe dashuria për shokët u lexohej të dyve në fytyrë. Në çdo shkollë që shkoi Saimiri, deri edhe në Universitetin Shtetëror për inxhinieri elektrike, fotografia e tij qëndronte në Tabelën e Nderit, pasi ai nuk njihte notë tjerër veç atyre maksimale. Ne të gjithë lexonim literaturë artistike, por Saimiri kishte dhe një pasion tjetër, atë të ndërtimit të radiove. Duke parë talentin e rrallë të tij dhe vullnetin e jashtëzakonshëm, ai fitoi dhe mbështetjen e trupës së mësuesve dhe oficerëve tanë. Natyrisht që në fillim të viteve 60 – të mungesat ishin të shumta, por një zot e dinte se nga i gjente Saimiri gjithë ato vegla e pjesë radiosh. Aq i aftë dhe i papërtuar ishte ai në këtë fushë, sa me të konsultoheshin dhe e thërrisnin për t`i ndihmuar edhe kapter Bezhani e Rexhepi, kino operatorët dhe përgjegjësit e teknikës radiofonike. I tillë kishte qenë në shkollën tonë vetëm një: austriaku, robi i luftës që quhej Karlo. Ne, nga ana jonë, Saimirit i thoshim se do të bëhej si Aleksandër Popovi që na kishin thënë se kishte shpikur radion, por ai na kundërshtonte duke shpjeguar se ai kishte studiuar vetëm valët elektromagnetike, kurse radion e kishte shpikur një italian, Gulielmo Markoni, i cili para gjysmë shekulli për valët e tij Herc, kishte fituar edhe çmimin “Nobel”. Dhe shtonte, se atij nuk i zihet emri me gojë se ishte fashist, por meritë ka pasur edhe Faradei, Tesla, Edisoni, edhe ky Popovi juaj me shokë. Por Saimiri, edhe për të kërcyer Rock and Roll në pushimin e gjatë me Maks Ruvinën, Bardh Kazazin, Tigër Godon, Ylli Dudushin me shokë, gjente kohë, duke i rënë me pëllëmbë në vend të xhazit, katedrës, por edhe për të ndihmuar ata që në mësime ishin më të dobët. Ai i donte shokët dhe nuk bënte dallime mes tyre. Por ja, pikërisht ky njeri me shumë kulturë duhej përndjekur, poshtëruar, torturuar, burgosur e mundësisht edhe vrarë nga të betuarit servilë të partisë, nga ata që e urrenin kulturën. Duke qëndruar në llahtarin e burgjeve komuniste, Saimiri, pa dhe njohu shumë. Ai, fare mirë mund të shkruante për plot të burgosur si Pjetër Arbnori, At Zef  Pllumi, Uran Kalakulla, Fatos Lubonja, Spartak Ngjela, Hajredin Fratari, Burhan Kalaja, Gëzim Çela, Hafiz Sabri Koçi, Adem Allçi, Sazan Hadëri, Dhori Gërnjoti e plot të tjerë që burrërisht i qëndruan diktaturës, duke na dhënë kështu një enciklopedi, por ai është mjaftuar kryesisht tek ato që i ngjanë vetë atij, pra, te padrejtësitë, intrigat, shpifjet, fyerjet, rrahjet, izolimi në biruca për muaj me radhë, dramat shpirtërore, kërcënimet për jetën e tij dhe të familjes, vuajtjet nga uria, të pa larët, të ftohtit, lagështia, depersonalizimi, linçimi publik, sëmundjet e deri shpërfytyrimi, sa i bërë kockë e lëkurë, pra tjetër njeri, nuk e njohu as nëna e tij. Dhe këto mjaftojnë, për të treguar fytyrën kriminale të atij sistemi, që arriti t`i hedhë trutë e gomarit shumicës nga ne dhe që fatkeqsisht, ende sot e kësaj dite, ka nga ata që e kujtojnë me mall. Në këtë këndvështrim, kujtimet e Saimiri Malokut, përsëri do të mbeten një enciklopedi e gjendjeve emocionale njerëzore, kur mbi të bijen rrufetë e padrejtësisë komuniste. Se lexuesit do të gjejnë në to, çudirat që ndodhin kur dikush bije në situata të ngjashme dhe që ky autor nuk ja uron askujt. Natyra njerëzore është një pus i pafund, ku po të futesh në të, do të ndeshësh gëzime e hidhërime, qeshje e lot, forcë e dobësi, thyerje e qëndresë, nënshtrim e revoltë, por lum ai që kur del prej tij, ka arritur të mbetet përsëri Njeri. Vetë Saimiri, duke folur për këtë, shprehet: “Vuajtjet e mëdha në qeli më mësuan të luftoja për jetën. Lëndimet nga torturat më mësuan të mos dorëzohesha, ndërsa dhimbjet që ndieja në trup më mësuan të isha i fortë. Prona më e madhe e njeriut është dinjiteti njerëzor”. Dhe Saimiri e ruajti trimërisht këtë dinjitet. E arriti këtë pasi ai ndoqi besnikërisht thënien e famshme të Shakespeares se “Frikacakët vdesin shumë herë para vdekjes së tyre, ndërsa guximtarët e provojnë shijen e vdekjes një herë të vetme”. Po përse kishte vajtur puna deri këtu? Babai i tij, Reshiti kishte studiuar në shkollën teknike të Harry Fulcit dhe kjo qe e mjaftueshme që rreth tij të mos ndahej hija e dyshimit. Puna që kishte bërë me aq përkushtim në interes të vendit, nuk kishte fare rëndësi. Pastaj, ai paskej shoqëruar disa turistë anglezë në Thethin turistik aty nga viti 1936, por edhe sikur t`i kishte shoqëruar ata në kohën e ilirëve, përsëri do i vihej një pikëpyetje e madhe. Kur ishte paralizuar, një anglez, mik partie i dërgonte ilaçe që këtu nuk gjendeshin. Por kush u besonte miqve, kur vetë Enveri nuk i zuri besë kunatit të tij, duke i futur një plumb pas koke, siç bëri me të gjithë bashkëpunëtorët, shumë nga të cilët ishin edhe Heronj të Populllit. Vetë Saimiri, merrej me koleksionime pullash, dhe për t`i shkëmbyer dërgonte letra në 17 shtete. Po sikur, me kod të fshehtë të çonte tek armiku sekretet tona të mëdha? Pastaj, ai na mësonka edhe gjuhë të huaja. E përse do t`i shërbejnë, veçse për agjenturë. Ka shpikur edhe një kanoçe për të parë stacionet e huaja televizive. Ne vërtetë e kemi marrë nga ai nga një të tillë, por ai po ja shpërndan kujtdo, duke futur kështu ideologjinë borgjezo – revizioniste. Apo nuk shkon derë më derë për t`ua rregulluar njerëzve çfarëdo, aparatet televizivë, pa pyetur fare për biografitë e tyre. Sikur të mos mjaftonte ajo që shtëpinë e tyre e kishte bërë si vatër kulture, ku mbidheshin gjithë rinia dhe shihnin deri në mesnatë, filma, koncerte e sporte perëndimore. Edhe në veshje ai na del si gagarel, me ca këmishë plot lule e ngjyra për të përhapur ideologjinë e huaj. Se edhe për të llapur, nuk i rri goja rehat, duke thënë ashtu si pa dashje se në vendet kapitaliste jetohet shumë më mirë se te ne. Po a e hamë ne atë. Partia jonë dhe Komandanti i treguan vendit Beqir Ballukut që ishte ministër i Mbrojtjes e jo një oficeri të thjeshtë të ndërlidhjes në Burrel, ku aq pranë është dhe ai burgu i llahtarshëm. Ti vemë hekurat njëherë, se na favorizon edhe situata politike, ku po kërkohet që t`i fshijmë me fshesë të hekurt e pa mëshirë armiqtë, se pastaj e bëjmë ne që t`i pranojë të gjitha si Çeçua. Dhe kështu nisi ndjekja, nga jo pak, por nga 120 oficerë sigurimi, përpilimi i atyre dosjeve të inkuizicionit 2 B e 2 A dhe më 13 maj 1976 arrestimi i tij. 200 ditë në birucën e nëndheshme të Degës së Punëve të Brendëshme të Burrelit, ku kishte punë me lloj – lloj katilash e xhahilash dhe sikur të mos mjaftonin këta edhe me pisllëkun, zhulin, tartabiqet, mungesën absolute të higjienës dhe ajrimit, të ftohtin e llahtarshëm që s`kishte ç`ti bënte ajo gjysmë batania si leckë e ndotur dhe asnjë kontakt me prindërit e vëllezërit e tij. Po ç`mund të bënte një njeri i shndërruar në skelet, veçse t`i lutej Zotit dhe … ju s`do ta besoni, të këndonte këngët e ndaluara dhe të vallzonte, edhe pse e dinte se do ta merrnin për të çmendur. Kishte qenë pasioni i tij i hershëm kjo lloj muzike e cila kishte forcë ringjallëse. Se ishte ashtu sikurse thosh ai Nitçja, se pa muzikë, jeta do të ishte një gabim. Pastaj ajo muzikë shoqërohej me fjalë frymëzuese, ndaj dhe konti Leon Tolstoi e shihte si gjuha e shkruar e emocionit. Përfytyroni një fantazmë që si hije, vjen rrotull një qelie të nëndheshme, që nuk ja gjen shokun për ta krahasuar as edhe te fantazia aq e zhvilluar e mitologjisë. Schopenhaueri me atë mendjen e tij të fuqishme kishte thënë dikur: “Një njeri mund të jetë vetja vetëm për aq kohë sa ai është i vetëm; dhe nëse ai nuk e do vetminë, ai nuk do ta dojë as lirinë; sepse vetëm atëherë kur ai është i vetëm, ai është vërtetë i lirë”. Duke parë se hetuesit djallëzisht, dosjen e tij donin ta bashkonin me atë të babait, duke krijuar kështu grupin armiqësor që do përmbyste pushtetin popullor, për të përligjur dënimin me vdekje, ai vendos të rezistojë, se në vetminë e tij ndihej i lirë për të folur, duke e kthyer kështu gjyqin ndaj tij në një aktakuzë për regjimin mizor dhe duke demaskuar vetë Enver Hoxhën dhe politikën e tij të mbrapshtë prej Neroni. Kurrë ata qindra të pranishëm, nuk kishin dëgjuar të flitej kështu për partinë dhe udhëheqën e “pagabueshëm”. Ndaj ulërinin, talleshin, pështynin dhe qëllonin me shkelma e vezë të prishura në drejtim të tij. Kurse ai, duke mbajtur me njërën dorë pantallonat pa rrip, me frikën se mos i binin, pasi edhe mbathje nuk kishte veshur, kishte guximin të deklaronte: “Këta krimba janë udhëheqësit kryesor të saj si Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu. Enver Hoxha, duke pushkatuar Beqir Ballukun dhe shokët e tij, me arrestimet, burgimet dhe internimet masive që ka bërë, populli në të ardhmen pas vdekjes së tij, do ta quajë atë diktator të Shqipërisë si Stalini dhe ashtu siç ia bënë diktatorit komunist sovjetik do t`ia bëjnë edhe atij duke ia djegur trupin, veprat si dhe do të rrëzojnë dhe do të shkatërrojnë të gjitha monumentet e tij.” Fjalë profetike apo jo, dhe sidomos të padëgjuara ndonjëherë, para këtij tribuni të vegjëlisë. Dhe ndodhi ashtu siç kishte parashikuar ai. Pikërisht Saimir Maloku, pas atyre vuajtjeve barbare, tani i liruar nga burgu më 20 shkurt të vitit 1991, ku ndodhesha edhe unë, i printe turmës për rrëzimin e monumentit të diktatorit shqiptar dhe për të djegur te dyqani “Flora” veprat e tij të pështira. Kushdo i njeh kontributet e Saimir Malokut për shpëtimin e jatës së dhjetra qytetarëve të aksidentuar apo të sëmurë, ç`ka flet qartë për vlerat e tij të mëdha humane. Por kushdo duhet ta dijë se mbi të gjitha ai mbetet një atdhetar i devotshëm dhe i kulluar me prirje të hershme evropianiste. Nuk do ta harroj kurrë, ditën e Lumturimit të Madre Terezës, kur pas audiencës që i kishte dhënë familjarisht Papa Vojtila në Vatikan, e pashë atë, duke katalizuar entuziazmin dhe krenarinë e të gjithë shqiptarëve të pranishëm në shesh, duke i nxitur ata që të bënin fotografi me flamurin tonë kombëtar që e mbante një bukuroshe. O Zot, thosha me vete, këtë shqiptar të madh e dënonte diktatura si dikur Prometeun. Dhe Saimiri, anën e tij njerëzore e atdhetare vazhdon ta ruajë të paprekur, edhe në këto kujtime, ku predikon vetëm vëllazërim, jo hakmarrje dhe ku nuk përmend asnjë xhelat me emër, vetëm duke shpresuar se ndonjë ditë dikush do t`i kërkojë atij dhe bashkëvuajtësve të tij të pafaj, ndjesë. Kam parë se edhe Nelson Mandelës, rojet dhe ata që e dënuan, i kërkuan falje dhe ai vetëm buzëqeshte. Por në Shqipëri kjo qenka mjaft e vështirë. Ndofta se te ne, pra në mes të Evropës, krimet ndaj të burgosurve politikë kanë qenë edhe më të këqia se ndaj Mandelës në Bashkimin Jugafrikan. Ja ç`thotë vetë ai për këtë: “…diktatori Enver Hoxha shpiku dhe i la si trashëgimi këtij populli para vdekjes së tij operën e famshme “Komunizmi shqiptar”, ku ai ishte “kompozitori dhe dirigjenti kryesor i saj”. Me rrëzimin e monumentit të diktatorit komunist më 20 shkurt 1991 muzika e kësaj opere famëkeqe komuniste ndaloi.” Por, për çudi, nostalgjikët vazhdojnë t`i bijen të njëjtit avaz, nga po ai pentagram i nxirë nga koha, pasi duam apo nuk duam, janë po ata që e pështynin Saimirin me shokë duke brohoritur në kor: “Vdekje armiqve të partisë”, janë ata që nxitonin t`i bashkoheshin me gëzim forcave militare që rrethonin, arrestonin, plagosnin dhe vrisnin ata tre djemtë që patën guximin të shpërthenin burgun mesjetar të Burrelit. Të vjen keq që shoqëria jonë, për hir të luftës politike dhe etjes për pushtet është kaq e çorientuar, dhe që ndihma e të huajve për dënimin e bëmave të komunizmit, thuajse nuk ndihet fare. Na dhimbset e ardhmja e Atdheut në familjen evropiane, se Saimir Maloku me nderimet që i janë bërë, mbetet ai që të porsa lindur, vajzat e lagjes e quajtën SA I MIR. Por në qoftë se ai ngre zërin, këtë e bën, se nuk harron asnjëherë mësuesen tonë të letrërsisë, Gjylizare Çiçon që duke cituar Victor Hygoin thosh: “Ngjitur me të drejtat e Njeriut, fare pranë tyre, janë të Drejtat e Shpirtit”. 

Filed Under: Analiza Tagged With: ferri Komunist, Saimir Maloku, Shpend Topallaj

Saimir Maloku, një rrëfim për tmerrin dhe ferrin komunist

May 21, 2020 by dgreca

Nga Sokol PAJA/*

 “Të arrestohet menjëherë. Është armik i poshtër”. Ky shënim i Mehmet Shehut në kartelën personale në degën e Sigurimit të Shtetit, do ti ndryshonte jetën përgjithmonë tragjikisht Saimir Malokut dhe familjes së tij. Nga ky shënim i kryeministrit komunist do të fillonte një kalvar vuajtjesh e persekutimi i pashëmbullt.

Saimir Maloku sot përbën një dëshmi të gjallë të vuajtjes dhe mbijetesës në ferrin komunist shqiptar. Maloku me ekzistencën dhe tregimin e ferrit të tij, përpiqet të na rrëfejë e dëshmojë  mizorinë e komunizmit, pashpirthmërinë, ligësinë, çmendurinë, paligjshmërinë e sistemit, torturën e dhunën dhe mbi të gjitha ashpërsinë e egersinë deri në kafshëri të sistemit komuniste që tmerroi shqiptarët për 50 vjet. Saimir Maloku u akuzua prej regjimit komunist si spiun i 17 vendeve kapitaliste dhe agjent i anglezëve në veçanti. Me profesion inxhinjer elektronik në ushtri, Saimir Maloku u përndoq, u hetua, u shantazhua nga 120 spiunë dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe 9 hetues të regjimit. Saimir Maloku vuajti 9 vjet në burgjet më të egra dhe më të frikshme të diktaturës. Përveç dënimit, Maloku familjarisht vuajti po kaq vite survejim, gjurmim, përgjime dhe inskenime nga Sigurimi i Shtetit, bisha e tmerrshme që mbante në këmbë diktaturën staliniste nëpërmjet frikës, panikut, përndjekjes, dhunës, arrestimeve dhe tmerrit që ajo shkaktonte ngado.  Pas gjyqit të fals, Saimir Maloku u mbajt për 200 ditë nën tokë, nën ujë e baltë i fshehur prej komunistëve, në një kohë që familja e kërkonte në të gjitha burgjet e Shqipërisë. 

Fatin e keq të Saimir Malokut e patën shumë shqiptarë të cilët edhe për 1 fjalë goje të pathënë dhe dy dëshmitare të sajuar, dergjeshin burgjeve e kampeve të punës me 10 vite në birucat e frikshme të regjimit diktatorial.  Saimir Maloku u burgos për 9 vite nga ish-Sigurimi i Shtetit nën akuzën e agjitacionit dhe propagandës për shkak të shpikjes së një pajisjeje Kanoçe që shërbente si antenë televizioni për të parë stacione të huaja për të cilat komunizmi i ndalonte rreptësisht. Në komunizëm duhej parë dhe ndjekur vetëm ato që thoshte partia e punës. Çdo tentativë tjetër të dërgonte direkt në burg. Nëse nuk i bindeshe partisë, ishe armiku më i poshtër i klasës dhe pushtetit, partisë e popullit. Komunizmi kontrollonte gjithçka e çdo gjë deri edhe te shijet e njerëzve. Gjithçka që nuk mirtohej nga partia-shtet shpallej e ndaluar, e rrezikshme dhe e dënueshme. 

Pjesën kryesore të dënimit politik Saimiri e kaloi në kampin politik të minierës së Spaçit dhe më pas të Burrelit e Ballshit. Drama e Saimir Malokut nuk mbaron këtu: për të njëjtin “krim” i arrestojnë dhe të atin Reshit Maloku por Sigurimi i Shtetit e anulloi dënimin me burg për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore pasi Reshiti ishte i paralizuar dhe në pamundësi lëvizje. Absurdi në familjen Maloku qëndron në faktin se u terrerizua e gjithë familja dhe se i ati edhe pse kishte 2 vite që kishte vdekur, prapë se prapë ndiqej nga Sigurimi i regjimit komunist me dosje speciale.  Komunizmi u shëndërrua në një një mallkim që të ndiqte edhe në varr. Për një krim që nuk e kishte kryer asnjëherë, Saimir Maloku u gjend në një gjyq komunist teatral pa flet akuzë, pa familjarë të pranishëm, pa avokat dhe ndërsa torturohej pak para fillimit të gjyqit i thuhej të firmoste dhe të pranonte çfarëdo ishte shtruar në dokumentat gjyqësorë se ndryshe do vritej ai dhe do i zhdukej familja. Mes vuajtes mizore, prapë se prapë Saimir Maloku qëndroi duke mos u dorëzuar asnjëherë. Me orë të tëra Saimiri u mbajt i lidhur këmbësh e duarsh. Qëndroi me orë të gjata i lidhur teksa goditej mizorisht prej hetuesve. Maloku nuk pranoi akuzën dhe për këtë fakt hetuesit e rrahën barbarisht duke i thyer nofullën, dhëmbët, gjymtyrët dhe gjaku më shpërtheu gjithndej- rrëfen Saimir Maloku në librin e tij. Katër ishin gjërat më të dhimbshme e më të tmerrshme në burgjet komuniste sipas Saimir Malokut: dhuna, tortura, uria dhe shkëputja më familjen. Mes dhimbjesh dhe vuajtjesh, Saimir Maloku tregon se lehtësim prej Zotit, mes tmerrit komunist, në burg kishim disa nga priftërinjtë dhe klerikët më të mëdhenj të Kishës Katolike të cilët ishin profesorët tanë, baballarët tanë që na drejtonin, orjentonin e këshillonin sesi të silleshim në burg dhe të ruheshim nga provokimet e Sigurimit në burgje, miniera, galeri e kampet e punës së detyruar. Bashkëvuajtës të Saimir Malokut ishin Dom Simon Jubani, At Zef Pllumi, Imzot Frano Ilia, Dom Ndoc Sahatçija, Kardinal Ernest Simoni, Kardinal Mikel Koliqi, Dom Nikollë Mazreku etj. Dëshmi persekutimi në ferrin komunist si e Saimir Malokut e shumë shqiptarëve që vuajtën padrejtësishtm janë pasyrë e errët e tmerrin dictatorial. Nxjerrja në dritë e kësaj errësirë makabre është një çlirim jo vetëm për shpirtin e atyre që vdiqën por edhe të atyre që qëndruan heroikisht si Saimir Maloku e mijëra bashkëvuajtës të kohës.

*Per me shume fotografi shihni ne Facebook dielli vatra

Filed Under: Featured Tagged With: Ferri komunista, mbijetesa, Saimir Maloku, Sokol Paja

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT