• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Apeli heq arrestin në shtëpi për ish Ministrin Tahirin

May 28, 2018 by dgreca

Në Shqipëri, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, vendosi sot pasdite të shfuqizojë masën e arrestit në shtëpi të dhënë dy javë më parë nga Gjykata e Shkallës së parë ndaj ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për të cilin Prokuroria ka ngritur akuzën për “Trafikim të narkotikëve, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Seanca e sotme u zhvillua pas ankimit të bërë si nga zoti Tahiri ashtu dhe nga Prokuroria e cila kërkoi arrestin me burg për ish ministrin. Maksim Haxhia, avokati i zotit Tahiri u shpreh i kënaqur me vendimin e sotëm, ndërsa deklaroi se Prokuroria sipas tij nuk kishte paraqitur asnjë provë të re që të mbështeste kërkesën e saj.

Seanca e sotme pati një interes të veçantë për shkak të komenteve të mbrëmshme të ambasadorit amerikan Donald Lu i cili deklaroi se “kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe rryshfete që u janë ofruar gjykatësve”. Ai i bëri “thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para. Askush nuk është mbi ligjin”, theksoi ambasadori amerikan.

Por përpara nisjes së seancës avokati Haxhia u shpreh mesazhi i ambasadorit amerikan “ishte shumë i rëndësishëm që gjykata të gjykojë në prova dhe ligj” duke shtuar se “nëse ndodh kështu Tahirit sot duhet t’i hiqet masa e arrestit në shtëpi”.

Hetimet ndaj ish ministrit të Brendshëm, nisën tetorin e shkuar, nën dyshimet se kishte lidhje me grupin e vëllezërve Habilaj, kushërinj të tij, të cilët ishin pjesë e një organizate italo-shqiptare e cila trafikonte marijuanë nga Shqipëria drejt Italisë. Hetimet u hapën menjëherë pasi autoritetet italiane goditën këtë organizatë në Catania, ndërsa në përgjimet e kryera, emri i tij përmendet disa herë në bisedat mes trafikantëve.

Prokuroria kërkoi me shpejtësi arrestimin e zotit Tahiri, por shumica e majtë, refuzoi kërkesën duke pretenduar se ajo nuk kishte paraqitur asnjë provë. Në fillim të muajit maj, zoti Tahiri dha dorëheqjen si deputet duke dorëzuar mandatin parlamentar, ndërsa deklaroi se dëshironte të hetohej e gjykohej si një qytetar i thjeshtë pa mburojë politike.( Sipas VOA)

Filed Under: Kronike Tagged With: Apeli, heq arrestimin ne shtepi, Saimir Tahiri

Tepsija e drogës, Saimiri, dhe vetë Naltgjatësia e tij!

October 22, 2017 by dgreca

2-enver-Bytyci-1

Nga Enver Bytyçi/

Saimir Tahiri është në tepsi. Ndërsa tepsia i përket kryeministrit Rama. Ai ideoi dhe jetësoi një tepsi, e cila servir hashash, kokainë, heroinë, kallashnikovë, gjithçka që trafikohet në paligjshmëri. Tepsija e drogës e zotit Rama u zgjerua prej sipërfaqes së një fshati në përmasat e 28 mijë kilometrave katërore, aq sa është sipërfaqja e Shqipërisë. Sot u zotua se nuk do të ketë më tepsi droge, duke konfirmuar se “kur Rama do, ka tepsi, kur tepsija mbushet I përze hisetarët e tjerë si Saimir Tahiri prej saj.Që kjo tepsi të rriste vlerën e saj duhej të pushtohej tregu i huaj. Sidomos ai perendimor. Përmasat e Shqipërisë ishin pak. Prandaj dhe tepsisë iu shtuan asetet e krijuara nga kultura e hashashit dhe tregu europian I drogërave të shumta, sidomos italian e grek. Për këtë qëllim u krijua rrjeti I transportit dhe shpërndarjes. Lidhjet familjare u bënë forma më e përhapur e veprimit të mafias. Habilajt e kishin lidhjen e shkurtër. Saimir Tahiri u bë mbrojtësi dhe bashkëpunëtori i tyre. Kur Dritan Zagani i denoncoi para më shumë se dy vitesh Habilajt, Saimiri në vend që të zbulonte lidhjet e mafies me krimin, burgosi denoncuesin. Tani thotë se nuk dinte gjë. Dhe vijon akoma ta denoncojë denoncuesin, në vend që të dënojë trafikantët e kriminelët. E keni dëgjuar të thotë ndonjë fjalë të egër kundër Habilajve, megjithëse ata e “tradhëtuan” bosin e tyre, ish-ministër të Brendshëm?!Tepsija është aty, e zbukuruar me diamantë e varëse të florinjta, me syze e orë të çmuara, me kostume mijëra dollarëshe, me shpërblime të majme milionëshe. Tepsia e drogës dhe hashashit mori përmasat e një shpelle, ku përfunduan dhejtra e qindramilionë dollarë të drogës së trafikuar nga Habilajt e jo vetëm Habilajt. Makina e shitur pa ndryshim pronësie e ish-ministrit të Brendshëm u shndërrua në burim të pashtershëm të aseteve që hidheshin në tepsi. U përdor për drogë dhe trafik, për maskë dhe fshehje të aktivitetit kriminal jo vetëm nga Habilajt, por edhe nga të tjera grupe kriminale. Emri i Saimir Tahirit i mbrojti të gjithë trafikantët në jug të Shqipërisë, në Vlorë e në Tepelenë.  Vetëm në Shkodër ai u përplas me Tom Doshin. Ndërkohë Tahiriu shfaq bujshëm me jelek antiplumb te parcelat e hashashit për të krijuar imazhin e “heroit” që lufton kundër hashashit. E ndërkaq, sa herë shfaqej në parcelat e drogës, skafi në emrin e tij nisej qetë-qetë për në Itali, kurse komisarët besnikë policë u bënë punëtorët e ngarkim-shkarkimit.

Saimir Tahiri ndërtoi autostradën e tregut të ri e të madh të drogës, krimit dhe kriminelëve në të gjithë Shqipërinë. Edi Rama vëzhgon tepsinë e florinjtë në duar dhe I gëzohet faktit që tashmë I vetëm dhe pa Saimirin mund ta zotërojë atë fuqishëm! Bosi i Habilajve nuk është vetëm Saimiri, është vetë Naltgjatësia e tij!

Nëse dhjetra komisarë policie dhe policë në të gjithë vendin janë bërë pjesë e trafiqeve kriminale, kjo është bërë sipas një projekti Edi Ramës, ndërsa Tahiri është thjesht një i emëruar si drejtor I këtij projekti. Ai nuk i hoqi brenda ditës 28 drejtorë dhe komisarë policie të kualifikuar dhe të aftë profesionalisht për shkak të qëllimeve të tij të mira, “për të bërë shtet”! . Ai i hoqi ata se nuk pati besim që të bashkëpunonte me tan ë krimin e drogëziit dhe kanabizimit të Shqipërisë! I konsideroi ata jo thjesht kundërshtarë politikë, por më së pari të papërshtatshëm për të bashkëpunuar me bandën e Saimirit në trafiqe e vepra kriminale. Ishte pra çeshtje besimi për bashkëpunim në krim dhe akte kriminale.

Saimir Tahiri duhet të përgjigjet. Por më e mira do të ishte të bashkëpunonte me Prokurorinë e t’ia dorëzonte drejtësisë edhe Edi Ramën, përfituesin më të madh të tepsisë së drogës. Ai nuk ka pse bën rolin e Domitrovit e të Qemal Stafës, nuk ka pse luan politikisht. Thjesht të dorëzojë dosjet e provat e implikimit të zotit Rama në drejtësi dhe vendi do të marrë një kthesë tjetër drejt zhvillimit e progresit të tij. Nëse ish-ministri i Brendshëm zgjodhi besnikët e tij, kryesisht tepelenas të tijët e të Ruçit, për kanabizimin dhe kriminalizimin e Shqipërisë, tashmë i ka shansin t’i bëjë shërbimin e fundit këtij vendi: Të dorëzojë Ramën në drejtësinë që duam! Ndryshe kryeministri do t’i zhvatë të gjitha asetet e tepsisë të vendosura aty nga kontributet e Saimir Tahirit!

Tirane, 22.10.2017

Filed Under: Politike Tagged With: Enver Bytyci, Saimir Tahiri, tepsia e Droges

Fundi i Pandëshkushmërisë në Shqipëri?

October 21, 2017 by dgreca

Saimir Tahiri vetëmbrohet: Përgjigjen nëse jam fajtor ose i pafajshëm ta japin institucionet/

Nga Ani Ruci-DW/ Këshilli i Mandateve vazhdon mbledhjen për t’i hequr ose jo mandatin e deputetit ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për të lejuar hetimin e tij korrupsion dhe trafik droge nga Shqipëria drejt Italisë.

Albanien Prozess ehemaliger Innenminister Saimir Tahiri (DW/A. Ruci)

Ish-ministri i Brendshëm dhe deputeti socialist, Saimir Tahiri tha të shtunën se “akuzat janë shpifje, nuk ka kryer asnjë vepër penale, nuk ka vrarë askënd dhe gjithҫka është politizuar nga opozita”. Në mbledhjen e parë të këtij Këshilli për këtë ҫështje, të zhvilluar të premten (20.10), ish-Ministri i Brendshëm, Tahiri mori pjesë së bashku me avokatin e tij, Artan Hajdari, Anëtar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Burime zyrtare nga Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve pohojnë për DW se në takimin e sotëm, Prokuroria e Krimeve të Rënda, paraqet prova të reja për të përligjur kërkesën e saj për të marrë autorizimin nga Parlamenti për arrestimin e Tahirit ose heqjen së lirisë. Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve po vazhdon mbledhjen e për t’i hequr ose jo mandatin e deputetit ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për të lejuar Prokurorinë e Krimeve të Rënda ta hetojë atë për korrupsion dhe trafik droge nga Shqipëria drejt Italisë.

Mazhoranca socialiste: Duam prova

Kuvendi Parlamenstrat in Tirana (DW / Aida Cama)

Provat që prokuroria paraqiti në takimin e djeshëm (20.10) të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve ishte një dosje prej 416 fletësh, që autoritetet italiane ia kanë vënë në dispozicion nga përgjimet telefonike të grupit kriminal të vëllezërve Habilaj, kushërinj të largët të ish- ministrit Tahiri. Deputetët socialistë, anëtarë të këtij këshilli nuk i konsideruan prova këtë material të publikuar prej ditësh në portale dhe në media për të përligjur autorizimin për arrestimin e Tahirit. “Po të kishin prova Saimir Tahitri do të arrestohej në flagrancë. Përgjimi është një mjet kërkimi, por jo prova” deklaroi Ulsi Manja, deputeti socialist anëtar i Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve.

Në takimin e djeshëm u paraqiten edhe disa përgjime të kryera prej Prokurorisë së Krimeve të Rënda në territorin e Shqipërisë, ku në asnjë rast nuk përmendej emri i ish-Ministrit të Brendshëm, Tahiri, por emrat e disa oficerëve të policisë. Por ndryshe nga deputetët socialistë, Prokurorët e krimeve të rënda dhe deputetët opozitarë në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve edhe sot vijuan t’i konsiderojnë prova përgjimet e autoriteteve italiane.

Vettingu dhe ҫështja Tahiri

Kërkesa e prokurorisë së Krimeve të Rënda për të  arrestuar Saimir Tahirin ka risjellë në vëmendje ҫështjen e kryerjes së Vettingut dhe pastrimit të drejtësisë nga gjykatës dhe prokurorë të politizuar apo të përfolur për korrupsion politik. Aleksandër Çipa, analist i pavarur në Tiranë, thotë për DW: “Vettingu nuk e ka bërë ende skanerin e prokurorëve dhe gjykatësve që pritet të hetojnë dhe gjykojnë Saimir Tahirin, nëse Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve merr sot vendimin politik për t’i hequr imunitetin e deputetit dhe hapur rrugë arrestimit të tij. Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llala i  ka mbaruar mandati dhe përveҫ kësaj është përfolur për korrupsion politik dhe dështimin për të hetuar dosje korrupsioni si ajo e ÇEZ,  ku implikohet djali i ish-kryeministrit Berisha. Prokurorët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda po kështu nuk kanë kaluar vettingun. Çështja po politizohet. Qytetarët presin të vërteten, presin Drejtësi nga Drejtësia. Përndryshe nuk do të ndryshojë asgjë në qerthullin e pandëshkueshmërisë së politikanëve të lartë, dukuri që është konsoliduar në dy dekadat e fundit me raste flagrante, skandaloze.” thotë Aleksandër Çipa.

Aleksander Cipa Medien Analyst (DW/A.Muka)

Fund i pandëshkueshmërisë së politikanëve të lartë dhe pazareve politike mes palëve 

Rastet flagrante emblematike të pazareve politike mes palëve në Shqipëri që kanë sjellë betonizimin e kulturës së pandëshkueshmërisë së politikanëve të lartë janë trazirat e vitit 1997, kur me shembjen e skemave piramidale vendi shkoi në prag të luftës civile, shteti dhe rendi publik u shembën, popullsia civile u armatos dhe bandat kriminale gjetën terren pjellor për të lulëzuar. Asnjë nga politikanët e lartë përgjegjës nuk u dënua.  Viti i mbrapshtë 1997 mbeti në errësirën e kompromisit mes palëve.

Kompromisi i 10 viteve më parë rezultoi fatal: ai i hapi rrugën mbylljes për arsye proceduriale të hetimeve për korrupsionin në Rrugën e Kombit, vrasjes së  4 qytetarëve në 21 janar 2011 apo kanabizimit të Shqipërisë në vitet e fundit. E djathta dhe e majta, që kanë kryer rotacionet politike në Shqipëri, me pazaret politike për interesa personale duket se kanë patur marrëveshje të heshtura për të mos ndëshkuar politikanët e lartë të secilës palë, kur ka qënë rasti për për korrupsion dhe shpërdorim të pushtetit. Marrëveshja pa fjalë mes dy palëve është vulosur nga një drejtësi e varur politikisht, e korruptuar dhe kompromentuar. Fillimi i fundit të pandëshkueshmërisë së politikanëve të lartë pritet në radhë të parë nga Drejtësia.

Bërja drejtësi ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, arrestimi i tij apo shpallja i pafajshëm do të ishte i pari rast në 27 vite demokraci në Shqipëri që ndaj një politikani të lartë të mos ndiqet tradita e deritanishme.

Filed Under: Analiza Tagged With: Fundi i Pandëshkushmërisë, ne Shqiperi, Saimir Tahiri

A DO TE JETE TAHIRI “PESHKU I MADH” NE RRJETEN E RILINDJES?

October 18, 2017 by dgreca

1 Tahiri SaimirSaimir Tahiri ka belbëzuar të Martën në konferencën e shtypit kur është ndjerë i braktisur nga të gjithë, e mbi të gjitha nga njeriu që e solli në politikë në vjeshtën e 12 vjetëve më parë, kryeministri Edi Rama.I është marrë goja teksa po kundërshtonte akuzat ndaj tij dhe sulmet tashmë frenetike nga të gjithë të mëdhenjtë e opozitës, që duket se kanë siguruar një “peshk të madh” për ta goditur e për ta përdorur politikisht.Po në fakt çdo të ndodhë me Saimir Tahirin politikisht, pas atij gjesti gati apokaliptik nga Prokurori i Përgjithshëm që refuzoi ta takojë, duke ndjellë kështu lajme të kobshme për ish-ministrin më jetëgjatë të rendit publik në Shqipëri?

Një fletë-arresti në fakt ndodhet në zyrën e Adriatik Llallës që prej një viti, jo për çështjen “Habilaj” por për të ashtuquajturën aferë të përgjimeve, ku Ilir Meta akuzoi Saimir Tahirin se po e përgjonte dhe se për këtë arsye i kërkonte Ramës çdo të martë shkarkimin e tij.Por edhe pse Saimir Tahiri sot nuk ka asnjë pushtet politik, një eskalim i situatës, pra një arrestim i tij do të kishte reperkursione destabilizuese në politikë.Pasi siç e tha edhe në deklaratën për shtyp, ai dinte shumë gjëra për persona që “i kam pasur përballë” dhe mund të hapë dosjet.

Edhe pse deputeti aktualisht me Kushtetutë nuk ka imunitet, një arrestim i tij merret vetëm me vendim parlamenti dhe në bazë të një procedurë të posaçme parlamentare, dhe e cila padyshim që do të ishte një kosto shumë e madhe për Edi Ramën.Ndërsa një hetim nga Prokuroria do ishte normal; një nisje e hetimit që edhe pse në dukje e disfavorizon Tahirin, realisht i jep atij një armë të madhe që mund t’ishfrytëzojë mirë nëpërmjet dosjeve që ka tërhequr nga Ministria e Brendshme.

Por, gjithsesi ish-ministri i Brendshëm është treguar të paktën naiv politikisht dhe si i tillë ka të gjitha gjasat për të shkatërruar përfundimisht karrierën e tij politike.

Në një intervistë në Top Story më shumë se një vit më parë, ai deklaroi se Habilajt nuk janë tregtarë droge dhe shpalli se nëse vërtetohet se ata janë kriminelë ai do të kërkonte ndjesë publike për shitjen e makinës.

Sot erdhi dita dhe Tahiri bëri një ndjesë publikë që ngjau me një vetëvrasje politike.

Nëse ai do të mbajë qëndrimin e sotëm, gjysëm sentimental dhe gjysëm parimor, padyshim që ish-ministri nuk ka gjë në vijë për arsye se batareja artilerike e opozitës mund ta fundosë plotësisht.

Por nëse Saimir Tahiri do të nisë të flasë atë që di, pra të tregojë gjithçka mbi përpalsjet që ka pasur, historinë e vërtetë të drogës dhe rritjes së trafikut, atëherë ka shumë gjasa që jo vetëm të shpëtojë fytyrën por edhe të ngjallet politikisht duke marrë revansh.

Tahiri, megjithëse i ngjante Qemal Stafës dhe drejtoi një fondacion me emrin e ish-kreut të Rinisë Komuniste, nuk hyri në PS si një protagonist që vinte nga aksioni.

Ai hyri nga dritarja që e futi Edi Rama, kur u bë kryetar i PS-së në vitin 2005. Dhe të parin politikan që pasardhësi i gjatë i shtatshkurtit Nano solli brenda në kryesi, ishte Saimir Tahiri, të cilin e emëroi zëdhënës të PS-së.

Nuk zgjati shumë dhe në zgjedhjet e 2009-s e kandidoi në qarkun e Tiranës, përkatësisht në kombinat, duke e emëruar dhe kryetar i PS-së së kryeqytetit.

Pikërisht në vitin 2009 nisi dhe karriera politike aktive e Saimir Tahirit, i cili në konferencat e shtypit dilte me shkumsa dhe dërrasë të zezë si në shkollë.

Një karrierë politike deklamative aq sa  akuzoi në parlament të birin dhe vajzën e kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha.

Dhe ky i fundit e arrestoi të atin e Tahirit për kontrabandë ilaçesh, kur ai ishte një farmacist normal si shumë e shumë farmacistë. Dukej hapur që ishte një sulm politik.

Por pasi PS erdhi në pushtet, Edi Rama i dha dikasterin më të vështirë në vend, pataten më të nxehtë, Ministrinë e Brendshme.

Ishte një detyrë që pati dy fytyra: lavdinë e Lazaratit e më pas kanabisin në pjesën tjetër të vendit; por edhe intriga pallati, përgjime, shërbime sekrete e mbi të gjitha një luftë të tmerrshme me Ilir Metën.

Saimir Tahiri u mor personalisht me policët, operacionet e gjithçka, duke marrë mbi supe edhe të mirat por edhe problemet e policisë që nuk i pranoi kurrë.

Në një farë mënyrë pranoi edhe dështimin por edhe lavdinë mbi vete.

Madje edhe drejtorët e Policisë nëpër qarqe që nuk i ndryshoi kurrë, i kishte si grup miqsh, si bord CEO-sh, me të cilët drekoi edhe kur Edi Rama i kërkoi largimin, duke publikuar edhe foton me ta.

Kreu i LSI-së e ka dashur të larguar Tahirin dhe e realizoi vetëm në fund, pasi Rama e ruajti si gur këmbimi kur Meta i kërkoi kokën e tij.

E përdori si fil, që u sakrifikua kur Edi Rama ishte i rrethuar nga të gjithë.

Dhe Tahiri synoi ta përdorë këtë kartë pas zgjedhjeve, kur ndaheshin postet. Rama e mbajti me shpresë se do t’i japë ndonjë dikaster, ndoshta drejtësinë, bujqësinë apo edhe zv.kryeministër.

Por ndryshe nga ç’i premtoi e la thatë, vetëm një deputet, madje edhe pa drejtuar ndonjë komision parlamentar.

Tani, siç e tha dhe vetë, është në një moment mjaft të vështirë, si politikan po e po, e padyshim si njeri. Si prindër i një fëmijë që është, ai e pati të pranishëm të birin disa herë në deklaratë, duke iu referuar në apologjinë e tij pikës më të ndjeshme: fëmijës.(tesheshi)

Filed Under: Politike Tagged With: ne rrjeten e Rilindjes, Peshku i made, Saimir Tahiri

Shqipëri-Serbi, Tahiri: Të angazhuar 2300 forca policie, bashkë për një festë të vlerave shqiptare

October 7, 2015 by dgreca

TIRANË, 7 Tetor/nga Arbi Fortuzi/-. Policia e Shtetit është e gjitha në gadishmëri të plotë për të ruajtur rendin dhe sigurinë gjatë ditës së sotme dhe të nesërme, kur dhe do të luhet sfida mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Në një konferencë për mediat, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri bëri të ditur masat e marra pë ndeshjen duke theksuar se “pikat kufitare janë në gatishmëri të plotë për të ndaluar hyrjen e personave të cilët rezultojnë me precedent”.

Tahiri tha se “bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit me partnerë rajonal e Europian ka qenë në nivel maksimal, për të përpiluar një listë të plotë emrash me personat problematik që nuk do të lejohen të hyjnë në vend gjatë kësaj kohe”. Ai shtoi gjithashtu se edhe për persona të tjerë problematikë  që ndodhen në Shqipëri, do të ndalohet prezenca e tyre fizikisht në dhe pranë stadiumit në Elbasan.

Tahiri apeloi që ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë duhet të jetë një festë për të gjithë e cila duhet të nxjerrë në pah qytetarinë që karakterizon vendin tonë.

“Ndeshja nesër duhet të jetë një provë e madhe për të gjithë ne, e jo vetëm për kuqezinjtë që do zbresin në fushë”, tha Tahiri, në fillim të deklaratës për shtyp.

Sipas tij, Policia e Shtetit dhe të gjitha institucionet janë të angazhuara që ndeshja e nesërme, të përjetohet si një festë për qytetarin dhe mbi të gjithë për kombëtaren tonë.

“Në këtë kuadër pikat kufitare kanë marrë masa për monitorimin e të gjithë shtetasve. Është shkëmbyer informacion me partnerë rajonal dhe Europian. Ashtu siç është shkëmbyer informacion me UEFA-n dhe FIFA-n për hartimin e listës me emra të personave problematik. Kjo listë është në dispozicion të policisë kufitare, për mos lejimin e hyrjes në vendin tonë dhe në rast se kanë hyrë më parë dhe janë në vend, për t’i mbatjur sa më larg stadiumit”, garantoi Tahiri.

Ministri i Brendshëm, bëri të ditur se “strukturat e anti-krimit dhe forcat RENEA janë të angazhuara në të gjithë vendin dhe veçanërisht në qytetet e Tiranës dhe Elbasan, për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë. Agjent civil do të jenë në ambientet ku do të ketë grupime tifozësh”.

Nga krahu tjetër, vijoi Tahiri, policia është tërësisht e angazhuar për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike në të gjithë vendin, por veçanërisht në të githa akset që të çojnë në “Elbasan Arena”.

“RENEA është e angazhuar që prej ditës së sotme në monitorimin e situatës në dy qytetet në fjalë, por jo vetëm, pasi “syri” i tyre do të vëzhgojë situatën në të gjithë vendin”, vijoi Ministri i Brendshëm, duke garantuar se këto struktura do të jenë në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme.

“Policia e Shtetit ka marrë masa maksimale. Garantimi i ndeshjes nesër do të mbulohet nga 2 300 forca policie të angazhuara në Tiranë e Elbasan dhe në gatishmëri të gjitha mjetet dhe infrastruktura që disponon Policia e Shtetit”, shtoi ai.

Sfida më e madhe, nënvizoi Tahiri, është angazhimi i të gjithë ne, të gjithë bashkë, për të treguar mikëpritje të denjë. Ndeshja e nesërme është thjesht një ndeshje futbolli, por ndeshja më e rëndësishme është ajo jashtë fushe, ku të gjithë qytetarët së bashku, duhet të nxjerrim në pah vlerat e vendit tonë, mikëpritjen dhe kulturën që na karakterizon, ku përmes së cilës kemi shkruar historinë tonë”, përfundoi Ministri Tahiri deklaratën e tij për mediat./

Filed Under: Interviste Tagged With: flet Ministri, Saimir Tahiri, Shqiperi-Serbi

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT