• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Populizmi”, nji hap në rrugën drejt “fashizmit”

May 30, 2018 by dgreca

1-Repishti-300x212 Nga  Sami Repishti, Ph.D./

Në nji Editorial “Cili ashtë problemi i Europës?“(The N. Y.Times 22 maj 2018) nobelisti në ekonomi, Profesor Paul Krugman, i Universitetit Princeton, shkruente:  ”Në se ju duhet me identifikue nji vend dhe nji kohë ku dhe kur andrrat tona humanitare – vizioni i nji shoqënie që ofron jetë me dinjitet për të gjithë anëtarët e saj- u plotësuen aq shumë, ky vend dhe kjo kohë pa dyshim do të ishin Kontinenti Europian dhe gjashtë dekadat e mbas L2B. Ka qenë nji nga mrekullitë e historisë: nji kontinent, që njohu shkatërrime masive të cilat sollën diktaturat, gjenocidin, dhe konfliktet ushtarake, u tranformue në nji model të demokracisë, dhe të properitetit ekonomik të shpërndamë me zemërgjanësi”.

Europa filloi reformat shoqënore që në shekullin 19. Në Britaninë e Madhe. legjislacioni për klasën punëtore, në Francë me arsimin e përgjithshëm cilësor, në Gjermani me sigurimet shëndetsore që në vitin 1881 nga kancelari Bismarck, e të tjera. Europa e re e tronditun nga luftat e vazhdueshme përforcoi pozitat e kujdesit shëndetsor për popullsinë që pruni zgjatjen e jetës, pakësimin e vorfënisë, rritjen e pagave në nivele njerëzore, dhe pruni paqën, stabilitetin (80 vjet Europë pa luftë!) bashkëpunimin dhe mbrojtjen kolektive, në mes tjerash.

Sot, kjo “mrekulli e historisë” kërcënohet seriozisht nga “forcat e errëta”, jo liberale që lindën nga keqësimi i gjendjes ekonomike europiane, dhe u ashpërsuen nga efekti negativ i konservatizmit politik në SHBA, me presidentin D.J.Trump.

Gabimet e së kaluemes krijuen konditat e sotme. Në Europë, vendimi për krijimin e “euro-s” si monedhë europiane e përbashket, pruni nji atmosferë euforike, të shoqënueme nga shpenzime të pajustifikueshme që ndihmuen shumë në zhvillimin ekonomik të disa vendeve, krahas me korrupsionin. Koncentrimi i pushtetit ekonomik europian në Bruxelles, shkaktoi dobësimin e politikës financiare të pavarun të shteteve anëtare. Kur kriza ekonomike filloi të përhapej, shumë shtete nuk ishin në gjendje me përballue nevojën e marrjes së masave qeveritare të nevojshme, sepse vendimet merreshin me aprovimin e organeve të Bruxelles-it. Shtete si Italia, Spanja, Portugali, Greqia u gjetën në nji pozitë të vështirë ndaj kërkesave për nji politikë austeriteti, dhe u banë viktima të nji krize që damtoi randë jetën e tyne të përditëshme dhe perspektivat për nji zhvillim ma të tejshëm në të ardhmen. Papunësia u rrit, dhe bashkë me atë pakënaqsia e masava në nevojë ndihme qeveritare që nuk mund të vinte. Disa vende, si Islanda dhe Polonia që nuk pranuen euron si monedhë, u gjetën në nji situatë ma të mirë për rindërtimin e ekonomisë, sepse tue çvlerësue monedhën, u rritën eksportet dhe krijuen fonde që ndihmuen rindërtimin.

Ramja ekonomike, dhe papunësia e krijueme ngjallën moskënaqsinë e përgjithëshme popullore, dhe në atmosferën e re rezultoi fitorja politike e së djathtës ekstreme me frymë anti-europiane: në Itali (me fitoren e lëvizjes “cinque stelle”) në Poloni, ku Partia Ligjë e Drejtësi –PiS- ka mbushë gjykatat, neglizhue mediat publike dhe pothuejse monopolizue administratën me anëtarë të Partisë, dhe në Hungari ku kryeministri V.Orban shfrytëzon shoqëninë civile dhe abuzon fondet e shtetit dhe të BE me pasunue oligarkët që e përkrahin, dhe ku marshi i forcave të errëta rrezikon rrëshqitjen në “fashizëm”. Në Rumani udhëheqsit kanë dobësue ligjët kundër korrupsionit që rrezikon me i gëlltitë.

Në qarqet intelektuale europiane u krijue dyshimi se varja e ekonomive lokale nga qendra europiane në Bruxelles mund të ishte “shkaku” e jo “sherimi” i problemeve që ballafaqojmë! Në raste të vendeve ku historia peshon randë –si ishte rasti i Britanisë së Madhe, “perandoria botënore”,- nënshtrimi ndaj “zyrtarëve të Bruxelles-it” ishte nji përulje që shkaktoi pakënaqësi të thellë. Kjo spjegon daljen nga Bashkimi Europian i Britanisë së Madhe, i njohun si fenomeni “Brexit”. Si rrjedhim, thyhet uniteti europian, dhe shkelën disa nga vlerat morale të B.E. kryesisht emigracioni ekonomik i lirë dhe solidariteti me refugjatët që ikin nga vdekja…!

Europa përballohet me “forcat e zeza” që rezistojnë demokracinë. Hapi i parë ashtë krijimi de facto, i hapët ose i mshehun, i qeverive që dominohen nga nji parti e vetme politike. Cinikët në vende të ndryshme flisnin për këte zhvillim thellësisht të padëshirueshëm. “Tashti që Europa e Lindjes u çlirue nga ideologjia e huej politike, komunizmi, ka mundësi të kthehet në rrugën që ka nderperë, ne fashizëm”. Edhe në SHBA –shkruen nobelisti Krugman- “sot praktikisht sundohemi nga nji parti politike që ka shumë pak respekt për normat demokratike, ose sundimin e ligjit!”. Kjo gjendje quhet “populizëm” (në SHBA edhe “trampizëm”) – premtime të pa sprovueme për zgjidhjen e problemeve serioze, premtime me zgjidhë hallet e popullit të thjeshtë, shoqënue edhe me kufizimin e të drejtave qytetare të garantueme me kushtetutën – qendrime që përfundojnë në neo-fashizëm. Ata u mundësuen nga diskreditimi i nji elite politike, dhe nga dalja e vrullëshme në skenë e “hijeve të zeza”. Ky zhvillim frikëson!

******

‘Fashizmi”, përshkruhet nga Profesor N.O’Sullivan si“….nji doktrinë që kombinon ‘nacionalizmin’ etnik me pikëpamjen totalitariste, se shteti duhet të kontrollojë të gjithë aspektet e jetës shoqënore. Fashizmi kundërshton ‘liberalizmin’, lirinë personale, dhe ngulë kambë që plotësimi i dëshirave tona duhet t’i nënshtrohet (kërkesave) të shtetit, e jo e kundërta – ose (kërkesave të komunizmit) identitetit klasor dhe aspiratave që kërcënojnë unitetin e shtetit….Autoritetet politike e kulturale asimilohen dhe identikohen me ‘vullnetin kombëtar’, i cili artikulohet nga nji “udhëheqës’ (Duce!) kombëtar që koncepton detyrën e vet si nji mision me pengue degradimin kombëtar.” (“Fascism”, London,1983)

Preokupimi i jonë i madh dhe zhvillimet politike që dëshmojmë shkaktohen nga fakti se në opinionin e gjanë të botës demokratike nuk mund të injorojmë “stuhinë” që grumullohet për rreth nesh. Parasiti “fashist” sot paraqitet nepërmjet nji kërcënimi që nuk e kemi pa që nga vitet e mbas L2B. Lista e zhvillimeve shqetësuese ashtë e gjatë: përpjekjet e njimbasnjishme të partive në fuqi me grabitë autoritetin shtetnor, në Hungari, Poloni, Filipine, Turqi, vende aleate të SHBA-se.

Por edhe në SHBA fryma e urrejtjes, që zakonisht shkatërron të gjithë ata që e ushqejnë, zhvillohet vazhdimisht, me rezultate që mund të tregohen si katastrofike. Lëvizja nativiste e Presidentit Trump “America first!” ashtë në të vertetë nji kërcënim serioz për paqën në botë, dhe infrastrukturën ndërkombëtare të bashkëpunimit dhe mbrojtjes kolektive.

Në Federatën Ruse despotizmi i Presidentit Putin lulëzon. Rezultatet e shumëta i shohim në okupacionin e Krimesë, infiltrimin e “rebelëve” rusë në Ukrainë, nxitjen dhe përkrahjen e kriminelit Asad në Siri, dhe sidomos në ndërhymjen brutale të vitit 2016 në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, nji lëkundje e fortë politike që vazhdon pa ndërpremje edhe sot. Shtypi ndërkombëtar thekson tashti edhe presionin rus në gadishullin ballkanik në përpjekjet e veta me zevendsue tërheqjen strategjike të SHBA-së nga ky gadishull.

Sot, SHBA janë ba objekt kritikash të hapuna për shkeljen e të drejtave të njeriut me ligjët e reja të emigracionit, dhe anulimin e njianëshëm të marrëveshjeve të arrituna ma parë, për “politizimin” e veprimeve qeveritare pa asnji shqetësim për damin e madh që i bahet shoqënisë- veçanërisht rinisë- amerikane. Me ushqimin e “mitit” të invincibilitetit amerikan shpenzohen miliarda dollarë për armatimet dhe kërcënimet që rrezikojnë konfliktin e qellimshëm ose aksidental.

Në ballafaqim me këte “rrezik” publiku përparimtar amerikan përdorë mbrojtjen e së vërtetës, shtypin e lirë si mbrojtës të popullsisë, forcimin e parimit që asnjeri –tue përfshi edhe vetë presidentin- nuk ashtë përmbi ligjin; dhe, me shumë randësi, kërkon nga çdo qytetar amerikan “pjesëmarrjen’ në procesin demokratik pa u dekurajue, sidomos pjesëmarrjen në votimet lokale dhe kombëtare.

Ky qendrim përjashton aksionin e dhunëshëm!

Sot, në SHBA populli amerikan tregon pjekuninë e vet politike, dhe konfirmon besimin në të ardhmen demokratike të këtij vendi. Amerika ashtë nji vend ku populli, me origjinët ma të ndryshme, punon së bashku për të mirën e përgjithëshme, për mbrojtjen e të drejtave për të gjithë, dhe për sigurimin e lirisë dhe drejtësisë për të gjithë. Ky ashtë “the American exceptionalism”, shpesh i keqinterpretuem, por nji model për të gjithë popujt e botës që andrrojnë nji jetë të lirë dhe me dinjitet, për të gjithë ata që kundërshtojnë sundimin e nji partie ose të nji njeriu të vetëm që mashtron i mbështjellun me rrobe demokratike…!

*****

Zhvillimet politike në Europë- kryesisht në Hungari e Poloni – kanë prodhue dy sisteme hibride. Në dy shtetet nuk ka polici sekrete. Qarkullimi i qytetarëve ashtë i lirë. Kapitali i huej hynë në të dy vendet. Por as Hungaria as Polonia nuk mund të quhen “vende demokratike”, sepse demokracia e tyne ashtë “illiberale”, pa frymën e lirisë. Dora e udhëheqësve politikë, ashtë e randë nga qendrimi ultra-konservativ i partive politike në fuqi. Ky zhvillim u ba i mundun në dy vende që u dalluen për qendrimin e tyne heroik kundër diktaturës së kuqe, me sakrifica të mëdha. Pa dyshim, nji ironi e historisë që do të mbetet si shembull i mundësive të pakufizueme që paraqiten në jetën politike të vendeve tona- edhe në Shqipëri! Ky zhvillim politik tregon se edhe në Shqipëri “…po humbasim zakonin- ndoshta edhe aftësinë- me ba dallimin në mes të realitetit dhe zbrazëtisë. Ky ashtë faktori që vështirson shumë rimbëkamjen” me citue nji shprehje të Masha Gessen.

Sot, në vendin tonë, PD-ja që përfaqsoi kundërshtimin popullor ndaj PPSH-së në fillim dhe ndaj PS ma vonë, dhe premtoi nji Shqipëri me “liri dhe demokraci”, nji “Shqipëri si e gjithë Europa” ashtë reduktue në nji grup “politikanësh” qellim-mirë ndoshta, por pa eksperiencë, pa sensin e përgjegjsisë, e pa aftë me dalë nga “dara socialiste” që e mban të gozhdueme në vend…në karriket e Kuvendit, nji minoritet aty ku vendimet merren nga “shumica” pa respekt për pakicën dhe fjalën e saj; dhe akoma ma keq, pa bindjen se “politika ashtë në esencë kompromis”, dhe se vendimet merren me debate të nderëshme dhe argumentime profesionale nga të dy palët. Ndërsa PS ka humbë vlerën e saj “socialiste” e komprometueme randë me “pasunimin” e saj nga elementë neo-komunistë që gëzojnë mbështetjen e plotë të PS.

Grindjet e vazhdueshme, zhurmëmëdha e pa substancë, kanë krijue nji kakofoni që nuk shërben asnjenën palë. Probleme serioze për jetën e vendit si korrupsioni që nga koka deri në kambë, zhvillimi i shfrenuem i drogës dhe efektet katastrofale të saj për familjen shqiptare, papunësia dërmuese sidomos në zonat malore të vendit dhe vorfënia masive (qe ajo krijon!) ramja e prestigjit tonë kombëtar, udhëheqës që nuk frymëzojnë as lejojnë me shpresue për nji përmirësim të mirëfilltë të gjendjes, dhe dekurajimi i masave do të krijojnë konditat e nevojshme për nji reagim –kam frikë!- violent, dhe daljen në skenë të “hijeve të zeza, ose të kuqe” me mendimet  e qellimet e tyne, të zeza ose të kuqe, si këmishat e zemrat e tyne, të zeza ose të kuqe…..!

Dhe kjo ashtë krejtësisht e mundun, sepse “elita politike” që ashtë krijue në vendin tonë ashtë diskreditue randë si entitet politik pa program e pa vullnet. “Jepi popullit punë, dhe shpresë!” përfundonte këto ditë ish KM i Britanisë së Madhe, Tony Blair. Ai shtonte: ”Organizoni aksione të përbashkëta për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta; fraksionalizmi në politikë ashte i destinuem me dështue”.

Sot ma shumë se kurrë, në Shqipëri duhet përjashtue zemrimi që shpesh sjellë diversiteti i mendimit; sot, ma shumë se kurrë na duhen përgjigje që kërkohen për pyetjet e shumëta nga të katër anët e vendit. Premtime që nuk mund të mbahen për zgjidhjen e shqetësimeve të popullit të thjeshtë, krijojnë probleme edhe ma të mëdha, ndoshta zgjidhje të përkohëshme, por përfundojnë pa përjashtim në nji zemrim popullor kundër “elitave” të vendit. Trazina shoqënore nuk duhet të kenë vend në Shqiperi.

Konflikti në mes të vlerave tradicionale të demokracisë liberale perendimore, dhe forcave të reja të autoritarizmit, mostolerancës dhe nacionalizmit etnik, ashtë sot sfida e madhe botnore.

Ne shqiptarët, mesazhi i Presidentit francez E. Macron na ngrohë, sidomos në këto ditë  kur shpresohet se hymja e Shqipërisë në Bashkimin Europian po afrohet. Le ta presim me krahë hapët.:

“Nuk dëshiroj me qenë pjesë e breznisë që flen me sy hapun e që ka harrue të kaluemen e vet. Unë dëshiroj me qenë pjesëtar i breznisë që ka vendosë me mbrojtë me fuqi demokracinë…Po! Ashtë e vertetë se këto janë ditë të vështira, por demokracia europiane ashtë shansi i jonë ma i mirë.”

Europa ashtë shtëpia e jonë! Bashkimi Europian ashtë, simbas udhëheqësve shqiptarë, “…instrumenti i vetëm me modernizue dhe me rindërtue shtetet dhe institucionet”, deklaronte kryministri Rama. Kush tjetër njeh ma mirë problemet tona se ata që as ndërtuen shtetin as institucionet tona që akoma sot nuk funksionojnë?

Por para se të hyjmë në Bashkimin Europian, duhet të edukojmë “europianët shqiptarë” me mendue e me veprue si europianët e Schuman-it në Europë.

Filed Under: Histori Tagged With: Europa, Ph.D, Populizmi, Sami repishti, shqiptaret

Qoftë bekue emni i Gjergj Kastriotit, Skenderbeu, për jetë të jetëve!

May 11, 2018 by dgreca

Nga Sami Repishti, Ph.D./*

Graduate Center,  C.U.N.Y- 6 maj 2018/ E ndiej vehten të privilegjuem me përshëndetë këte Tubim për lavdinë e Herojt tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, me rastin e ditëlindjes. Më lejoni të kujtoj nji shkrim, afër dy shekuj ma parë, nga Princesha shqiptare Elena Gjika, e njohun si Dora D’Istria, me banim në Rumani:

  “ Mund të dukej se shqiptarët të vendosun prej nji kohe shumë të gjatë në bregun tjetër të Adriatikut (ashtë fjala për Arbëreshët tonë në Itali) nuk do të kishin ruajtur veçse një kujtim të vagëlluar për bëmat e Herojt të Krujës. Po s’është kështu, dhe fjalët që thuhen mbi mosmirënjohjen e popujve nuk mund t’u zbatohen këtyre shqiptarëve. Në qoftë se pushtuesët e huaj nuk lejojnë të ngrihet një monument Kastriotit të Madh në vendin e tij të lindjes…. emrin e Herojt vazhdojnë ta bekojnë dhe kujtimin e tij do ta lavdërojnë për sa kohë të rrahë edhe një zemër shqiptare në të dy gadishujt” (e Ballkanit dhe Italik)(1)

  Në këte pozitë dhe në këte moment historik jemi na sot në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, dhe emnin e tij do ta bekojmë dhe  do ta lavdërojmë deri sa te rrahë edhe nji zemër e vetme shqiptare në këte vend.

   Qoftë bekue emni i Gjergj Kastriotit, Skenderbeu, për jetë të jetëve!

   Sot, tekstet e historisë sonë kombëtare na përforcojnë se “kujtimi i Skenderbeut jetoi jo vetëm në zemrën e popullit që e lindi. Ai pati nji shtrirje që kalonte kufijtë e Gadishullit të Ballkanit, kishte nji rendësi europiane. Skenderbeu i bëri të gjitha kohërat të flisnin për te”.(2)

   Homeri, poeti i Greqisë antike, e përcaktoi fjalën “hero” nji njeri që ka nji forcë të mbinatyrëshme, guxim të jashtëzakonshëm, dhe nji aftësi që favorizohet nga perenditë; dhe ky epitet e ban atë të përjetëshëm. Në këte sallë që mban emnin e shenjtores “Nana Tereza” na bekojmë dhe lavdërojmë sot emnin e Skenderbeut, siç ban nji komb i qytetnuem, të krishtenë e myslimanë, pa dallim. Sot, Shqipëria ashtë i vetmi vend në botë me popullsinë në shumicë myslimane që respekton nji hero kombëtar të krishtenë. (Prof. Stavro Skendi). Kështu vepron nji komb i qytetnuem!

   Por “heroj” duhet të jap nji kuptim emnit tij, duhet të luftojë për nji kauzë ose nji ide. “Ka shumë pak vend për herojt e luftave që kërkojnë pushtet, që ndryshojnë kufijtë, etj …” (3)  Heroj Skenderbeu luftoi të huejin e paftuem, dhe mbrojti lirinë e jetën e nji popullsie që dëshironte nji jetë në paqë. Luftëtari i madh ishte mik i paqës. Dhe për këte ai admirohet dhe adhurohet nga të gjithë shqiptarët pa dallim!. Kështu tregon historia!

    Pyetja themelore: “ç’ashtë historia”? duhet të shoqënohet me pyetje konsekutive: ashtë nji kronikë, nji “tregim interpretues”, përshkrim ngjarjesh të thjeshta apo evenimente që kërkojnë analiza politike, studimin e orientimeve ekonomike, traditave kulturore, ideologjive konfliktuoze dhe ndryshimeve të institucioneve të vendit. Kështu duhet qasë edhe studimi i epokës kastriotiane. Kjo ashtë edhe përshtypja e ime sa herë që lexoj shkrime në shtypin e botime shqiptare, kur ashtë fjala per ri-interpretim të ngjarjeve historike të së kaluemes sonë, akoma të pazbulueme. Vendi i jonë ka nevojë për “dritë”, me ndriçue sa ma shumë të jetë e mundun botën e errësinës që e ka mbulue shekuj me rradhë.

   “Nga kaosi, drita krijon nji botë!” (Thomas Carlyle) Ka mjaft kaos në fushën e historiografëve shqiptarë sot në vendin tonë. Dhe kjo për arsye të “vlerave” të historianëve tonë: perspektivat e tyne të ndryshme për arsye të ndryshimeve, mosha sidomos për ata që kënduen bashkë me Neronin shqiptar kur Shqipëria digjej flakë, dhe vrulli rinor për ata që vuejtën, u lindën dhe u rritën në vuejtje dhe dëshmuen përfundimin tragjik të prindëve në atë Shqipëri të mjerë që, unë pa dëshirë, e quej “republika e vuejtjes”.

   Klasa shoqënore që ndau vendin tonë në dy kategori me zjarrin përvlues të “luftës së klasave”, shprehja ma barbare e sistemit ma anti-njerëzor të shekullit njizet: -“diktatura e proletaratit”, dhe efektet e së cilës, e konceptet ideologjike të saj ndiehen akoma sot në vendin tonë të indoktrinuem pa sherim:

– botëkuptimi personal i “historianëve” që përqafojnë orientimin pro-perendimor si nji paevitueshmëni historike për Shqipërinë, dhe të tjerëve që shohin në këte orientim vazhdimin e përherëshëm të diktaturës së kuqe.

– logjika e “historianit”, përzgjedhjet, përjashtimet, sistemimi, tregon prirjen e gjykimit të tij me paraqitë si “të vertetë” atë që i pëlqen.

***

Pak kohë ma parë, unë shkruejshe sa vijon:“…Mbas vdekjes së Skenderbeut, Traktati i vitit 1479 në mes të Venedikut dhe Turqisë njohu pushtimin e Shqipërisë. Dritarja e “Botës së Perendimit’ u mbyll për Shqipërinë pikërisht në nji kohë kur fryma jetëdhanëse e Renesances dhe idetë fisnike të Humanizmit po krijojshin nji Europë të re me nji etje gargantueske për njohuni të  reja, për hapësina dhe nji botë të re, me nji zhvillim të lirë, të pakufizuem të shpirtit kërkues, e thellësisht njerëzor. Pavarësisht nga faktori fetar – që mbetet gjithmonë nji çeshtje krejtësisht intime për çdo ndërgjegje personale- okupacioni otoman ka nxjerrë Shqipërinë nga historia e kontinentit europian, dhe e ka denue atë të jetë nji krahinë e harrueme mbrenda nji perandorie të mbyllun, me kulturë të kundërt nga ajo e Europës, që po rilindte në Perendim…”

  Ajo që deshta me thanë ashtë se epoka e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastritoti-Skenderbeu, bashkë me lavdinë e rezistencës heroike kundër agresionit otoman ka përmbajtë në vehte edhe nji dëshirë, nxitje e mbrendshme, e papërmbajtun, logjike ose instinktive, me u orientue plotësisht, qoftë edhe me sakrificën e jetës, kah bota perendimore – natyrisht, në atë kohë Krishtenimi Perendimor, me epiqendër Vatikanin. Ky orientim i ndjemë thellësisht nga luftarët shqiptarë, që nga Skenderbeu deri tek ushtari i thjeshtë që e ndoqi udhëheqsin për 25 vjet me rradhë, parashikonte triumfin e luftës së ndërmarrun si nji kryqëzatë që luftonte jo vetëm për mbrojtjen e Shqipërisë, por edhe kundër “besimit të ri”, kundër orientimit kah shoqënia otomane, rivale e Perendimit.

    Shqipëria nuk ka njohë atë kohë entuziasmin e Renaissance-s dhe frymën e Humanizmit që transformuen Europën Mesjetare. Por Shqipëria, përmes përvojës tragjike që solli invazioni otoman, mori nji qendrim kambëngulës kundër tij, dhe interpretoi ardhjen e Perendimorëve në vendin tonë si nji dorë shpëtimtare. Krishtënimi Perendimor ka qenë, në ato kohëna, zemra e muskujt e Europës, me pozitën superiore të Papës së Romës. Në Shqipëri krishtënimi perendimor ka qenë nji agjent historik thelbësor, sidomos mbas ardhjes së Anzhuinëve në vendin tonë, në vitin 1272. Ashtë shumë e vështirë, ndoshta e pamundun, me përfundue se nji ndermarrje e këtill epike, si ajo e herojt tonë kombëtar, Skenderbeu, mund të fillonte e të mbahej nga nji udhëheqës jo-katolik.

  Ashtë nji detyrë e historianit të sotëm në Shqipëri, që për arsye objektiviteti duhet të përqendrohet në shkrimin e “monografive”, tue lanë punën e hartimit të historisë sonë për ditë ma të vona, dhe nga grupe ekspertësh të çdo epoke, të shliruem nga “elementët infektues”. Shpresa e jonë mbetet në sallat e Instituteteve të Historisë së Shqipërisë, Kosovës dhe Tetovës, dhe qendrave të jashtëme të studimeve shqiptare, si dhe degëve të tyne sekondare, të dedikuemë në profesionin e nderuem të historisë.

***

Shenime:

1)Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë. Historia e Popullit Shqiptar, v. I (Botimet Toena: Tiranë, 2000) f. 492

2) REVISTA SATURDAY REVIEW,  New York, datë: 13.IX.1862

3) Trollope – Cleaverings XXIII – 1866. Quoted by The Oxford English Dictionary, 1989,   2nd Edition, v. VII, f. 171

4) “Parathanje”. Ardian Ndreca. Kur Skenderbeu nuk ashtë “Historia e Skenderbeut”(Onufri:Tiranë, 2009)  

  • Pershendetja qe Prof. Sami Repishti dergoi me 6 maj 2018 ne Akademine perkujtimore me rastin e 613 vetorit te Lindjes se Heroit Kombetar Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Pershendetja u lexua nga Tonin Mirakaj.

 

Filed Under: Politike Tagged With: 613 Vjetori, Lindja e Skenderbeut, pershendetje, Sami repishti

TRAGJEDIA E “MENDJEVE TE MBYLLUNA”

April 18, 2018 by dgreca

1-Repishti-300x212

Shkruan: Sami Repishti , Ph.D.*/

Në kujtimet e tia, historiani i ndjerë Arben Puto, tregon se gjatë demonstratave studenteske të 8 dhetorit 1990, në nji vizitë tek e motra, Nefo Myftiu, bashkëshorte e kriminelit Manush Myftiu, -ish-kryetar i Komisionit për Internimet e familjarëve të personave të arratisun, kryesisht fëmijë, gra e pleq,- ajo e priti me britma histerike:”More Arben, ku të vemi tani? I kemi duart e lyera me gjak!”

Vëllau bani perpjekje me e qetësue, se nuk do të ngjante nji e keqe me ndryshimin e gjendjes. Dhe ashtu doli! Asnji pjesëtar, përsëris asnji, nga anëtarët e familjeve të ish-udhëheqësve komunistë në Shqipëri, nuk u arrestue, burgos, torturue, internue, dënue e natyrisht as pushkatue. As edhe familja e diktatorit E.Hoxha. Shembull qytetnimi të njimendtë, dhe unë, i persekutuemi, jam kryenalt!

Në Shqipëri, ky parim themelor i së drejtës civile,(vetëm “personi” që kryen krimin ashtë përgjegjës për krimin), nuk respektohej. Në vendin tonë, komunistët kishin zgjedhë “të drejtën zakonore” që konsideronte “anmik” të gjithë familjen, dhe fisin e “fajtorit”. Nji tjetër “udhëheqës”, mesjetari Haxhi Lleshi, edhe ai ish-kryetar i Komisionit për internimet, e përcaktonte: “internohen të gjithë ata që kanë ngranë në nji sofër me fajtorin”. Kështu veprohej në Shqipëri në fund të shekullit njizetë. E pabesueshme!

“Shembulli i qytetnimit të njimendtë” jepej mbas nji periudhe 45 vjeçare të diktaturës së proletariatit në vendin tonë: ma shumë se 7.000 shqiptarë, burra e gra, të pushkatuem me gjyq e pa gjyq, dhjetëra mijëra të burgosun e të torturuem, dhe ma shumë se 50.000 të internuem, kryesisht fëmijë, gra e pleq, mjaft prej tyne për nji periudhë 45 vjeçare! Nji bilanc i pabesueshëm për nji vend të vogël si Shqipëria e jonë. Shprehja e frikës së zonjës Nefo vjen nga nji personë që ka qenë plotësisht në dijeni të krimeve të bame në Shqipëri nga rregjimi komunist. Si bashkëshorte e kriminelit, ajo ka pa dhe ndigjue ma shumë se të tjerët. Ajo e dinte se nuk ka pasë lagje qyteti, as fshat të rretheve e malësive tona ku te mos kishte nji ose ma shumë të vramë, arrestuem, torturuem, burgosun, internuem ose te shpronësuem me dhunë, kur “partizanët” zbriten nga mali dhe u vendosën me terror në shtëpitë e “reaksionarëve”. Shprehja e zonjës Nefo ishte shprehja e frikës së përsëritjes së ngjarjeve të viteve 1944 dhe 1945. Për hir të frymës njerëzore që ushqejshin ish të persekutuemët, ajo katarofë nuk u përsërit. Nji fitore e madhe morale për shqiptarët!

Heshtja që i mbuloi këto krime, ka qenë nji fyemje kriminale, vrasje e dytë për viktimët, nji qendrim i pandershëm i “udhëheqësve” të vendit, pabesueshmënisht jo-koshientë të seriozitetit të katastrofës së pësueme, të plagëve të hapuna, të familjeve të sakatueme për jetë…. e për qindëra mijëra jetësh njerëzore të damtueme pa shpresë shërimi. Akoma sot, këto viktima të terrorit të kuq nuk besojnë atë që shohin e ndigjojnë rreth e rrotull tyne. Kur e paprituna kalon kufijtë e arsyes normale, bota hynë në fushën e absurdit, ku gjithçka ashtë e mundun.…edhe heshtja që vret e që mbulon krimin komunist. Ky ashtë absurdi që përballojmë sot në Shqipëri! e gjendjes së sotme në Shqipërinë tonë ai shkruen:

Në edicionin e ditës 11 prill, gazeta Panorama botoi opinionin  e nji mendje të ndritun, atë të Dom Gjergj Metës, i Ipeshkvisë së Mirditës. Tue trajtue “absurditetin”..

”Po! Ai sistem ishte kriminal, anti-shqiptar e anti-njerëzor. Nuk duan të dorëzohen qoftë ata që ishin protagonistë , në administratë apo në propagandë, e qoftë pasardhësit e tyne biologjikë e ideologjikë. Deri tani, një njeri kam hasur që ka qenë i qartë, i vendosur, fisnikërisht njeri me një sens përgjegjsie për t’u admiruar, e ky është Bashkim Shehu”. (Shenim: djali i kryekriminelit Mehmet Shehu-SR). Ai shton:

”Me vetëdije apo pa vetëdije, shohim nji përpjekje për krijimin e një nenstarti të ri, në të cilin idetë komuniste të vlerësohen përsëri e të kenë mundësi të ri-propozohen edhe politikisht”.

Nji gjykim i matun dhe korrekt i këtill më kujtoi esejen e filozofit françez Bernard Henry-Levy:“Të mbetun në kohën e errësinës”. Ai shkruen:

”Unë jam i bindun se me kolapsin e kështjellit komunist pothuej kudo në botë, në disa raste kemi pasë edhe efektin anësor e të papritun me shlye gjurmët e krimeve të tia, bile disa shenja të dukshëm të deshtimit tij, që kanë lejue disa persona me rifillue andrrimet për nji komunizëm të papërlyem, të pakomprometuem nga krimet, dhe të lumtun!”. Në anormalitetin e gjendjes sonë, a ka mundësi të përjetojmë nji paturpësi të këtill?

Fatkeqsisht po! Sidomos me polemikat e këtyne kohëve të fundit. Për shumë shqiptarë që mendojnë dhe për shumë shqiptarë që kanë vuejtë randë nga krimet komuniste kjo ashtë nji tragjedi. Por, njikohësisht, kjo ashtë nji tragjedi sidomos edhe për elementë me përgatitje intelektuale por “mendje-mbyllun” (“close-minded”) që, tue mohue të kaluemen terroriste, “ri-andrrojnë” nji komunizëm të pafaj dhe të lumtun. Dhe ky fenomen ashtë shqetësues, me tone tragjike personale dhe kombëtare që rrjedh nga “pika e dobët” në formimin e andrruesve, shkaktare e tragjedisë së tyne të paevitueshme.

Tragjedia, shprehjet e saja, u çƒaqen që në ditët e para të qytetnimit, Teorikisht, Aristoteli na mëson se ajo provokon terrorin dhe mëshirën. Mëshira lindë nga fatkeqsia e pameritueme e viktimës. Dinjiteti i viktimës rritet nga fisnikëria e kauzës që ai mbron me rrezikun e jetës, qoftë ai  qytetar i thjeshtë, qoftë si masë popullore që ngren kokën.

Fisnikëria e kauzës na shërben si mësim i historisë, si nji shembull moraliteti suprem, si nji shpalosje e psikologjisë sonë që na udhëheq, dhe si fortësi e karakterit me ndjekë pa u lëkund imperativët e kauzës. Nji fisnikëri të këtill e kemi përjetue gjatë ditëve të pushtimit të huej, në vitet e Luftës së Dytë Botënore, në vitet kur rezistenca naltësonte shpirtin tonë të luftës për çlirim, në luftën kundër të huejit dhe kundër shnjerëzimit që kërcënonte personalitetet tona. Kështu u krijue nji përkrahje e plotë e luftës çlirimtare nga zgjedha e të huejit me të gjitha zhvillimet tragjike që ajo luftë solli në vendin tonë, e që na pranuem me mendje të hapun e zemër të përgatitun për flijim.

Kanë qenë ditet e lavdishme që premtuen të nesërmet plotë kangë, “bukë e paqë edhe liri!” e që realiteti komunist i mohoi mbas “çlirimit”, tue i zevendsue me vajin, dnesën e ulurimën e viktimës së pafajshme, dhe urrejtjen e përpunueme me shkencë. Shumë shqiptarë të ndershëm ranë viktimë e kësaj kurthe monstruoze dhe e ndertesës së re që i mbështjelli pa asnji mëshirë!

Tragjedia ashtë edhe ma e randë për ata që janë të arsimuem, për ata që mendojnë si qenie të pavaruna, për ata “që dialogojnë me elementë që tejkalojnë forcat e tyne”. Në luftën e tyne të mbrendshme, ata përfundojnë ose me nënshtrimin tue pranue logjiken që jepet, dhe aksionin që imponohet, për hir të nji jete me konforte, ose në nji konflikt të mbrendshëm me njohë vetëveten, e që përfundon “me nji dashuni për botën, e zbulimin e nji farë harmonie në mes vetes dhe botës për rreth”(Jacques Morel) Ose me nji akt revoltues që i jep aksionit tonin e nevojshëm tragjik që merr përpjekja me u afirmue në momentin me nji akt të veçantë, që shpesh herë ka karakter dëshprimi. Tragjedia e përgjithëshme përvehtësohet nga heroj individ që pranon konfliktin e mbrendshëm, që krijon situatën kur ai ndërgjegjsohet me dhimbje për fatin ose fatalitetin që e pret, e natyrën e saj.  Ashtë fryma e rezistencës kundër së keqes që na imponohet e nuk pranohet. Me marrjen e nji aksioni që e shkatërron, qytetari rezistues kryen aktin ma sublim të jetës: luftën kundër fatit dhe siguron, qoftë edhe për nji minut, lirinë e tij absolute. Qenie e lirë!

Kjo ashtë madhështia e shqiptarëve dhe shqiptareve që ngritën kokën në rezistencën kundër të huejit që i vrau gjatë pushtimit të vendit tonë, dhe ma vonë, e shqiptarëve dhe shqiptareve që ngritën kokën kunder diktaturës së proletariatit që i dërmoi pa mëshirë!

*****

Nji ndryshim i shpejtë nga nji botë e mbyllun në nji shoqëni të hapun nuk mund të kalonte pa rrjedhime negative, njena nga të cilat ashtë fenomeni i “mendjeve të mbylluna” në kallepin ideologjik ku ata u formuen dhe pranuen pa rezistencë. Kjo kategori ashtë, për vetë qendrimin e tyne, i nji natyre ”konservative” pavarësisht se nominalisht ata kanë jetue nen “socializëm” ide teorikisht përparimtare me rezultate shgënjyese. Ky negativitet shihet në qendrimet e tyne në kulturë, art, letërsi e tjera. Ata  frikësohen nga spontaneiteti ose ndryshimi i botës së tyne.

Personat “me mendje të mbylluna” mund të jenë si rezultat i nji sistemi politik të veçantë që i prodhon ata ose përforcon tek ata ideologjinë e vet, siç ashtë rasti i jonë “komunist”. Nga nji herë kjo rrjedh edhe nga nji situatë traumatike në jetë; si rrjedhim, ata izolojnë vehten nga emocionet, afeksionet e  tjera.

Për ma tepër, ata mendojnë ngushtësisht në “kategori” që nuk mund të hapen (e bardhë ose e zezë!) gjatë procesit të mendimit tyne. (P.sh. të gjithë ata që ishin “ballistë” ose ‘”zogistë” dje, ose “komunistë” sot, janë njerëz të këqij”. “Të gjithë ata që nuk binden, duhen ndeshkue” e tjera) Psikologët mendojnë se “mendjet e mbylluna” nuk shërohen lehtë,  sepse ata mendojnë që kanë të drejtë kur çfaqin nji mendim, nji qendrim,  nji ide,  nji përceptim etj.

Por, ata duhet të ekspozohen me ndihmën e personave që kanë qenë viktima të nji rregjimi të veçantë politik; ata duhet të ndigjojnë rregullisht historitë e njerëzve që kanë vuejtë. (Ky sistem quhet “hypothesis of contact” -hipoteza e kontaktit”). Ky ashtë nji sugjerim për shërimin e tyne, tue i ndihmue ata të vijnë në kontakt me realitetin. Megjithate, dyshohet në se ata kanë mundësi të “shërohen plotësisht”.

Pak ditë ma parë, unë tregova në këte fletore dy raste ekstreme torturash shnjerëzore. Qellimi? Me ndihmue “mendjet e mbylluna” të ri-konsiderojnë pozicionin e tyne. Sot do të shtoj dy raste tjera, të njohuna ma shumë:

1)Në muejin tetor 1946, oficerët e Sigurimit Kolonel Vaskë Koleci dhe Majori Zoi Themeli, torturuen avokatin shkodran, të ndjerin Myzafer Pipa, me hekur te skuqun në zjarr të vendosun në shtyllën kurrizore. Zyrtarisht, “ai u vra sepse tentoi arratisjen”. Në vitin 1949, i pyetun nga Gjykatësi, Kolonel Koleci tha se ka marrë udhëzime nga Koçi Xoxe. I pyetun “trockisti” Koçi Xoxe, deklaroi se ka pasë “udhëzime nga Komandanti”…!

2)Mbas  dënimit me vdekje të ish Admiralit Teme Sejko, (1961) u dhanë udhëzime të torturohet përsëri me qellim që të nxirrnin të reja nga ai. Tre oficerë, kryekrimineli Nevzat Haznedari, nji nga torturuesët ma të frikëshëm në Shqipëri, tregon se e morën viktimën (ishin tre shokë), e shpunë në nji shtëpi afër Shijakut, porositën disa shkopij të fortë, dhe e vranë fare. Për të qenë të sigurtë se ka vdekë, shkruente ai në shtypin shqiptar te mbas 1991-it, ‘morëm nji kazëm dhe dërmuem kafkën e tij’.

Përsëri, unë tregoj këto shembuj me ndihmue “mendjet e

mbylluna” me ardhë në kontakt me realitetin.

*****

Në fund të L2B, Gjenerali D. Eisenhower, kryekomandant i forcave aleate në kontinentin europian, detyroi forcat ushtarake amerikane, dhe autoritetet lokale gjermane, si dhe popullsinë e vendit me vizitue kampet e përqendrimit, dhe me deshmue egërsinë e pabesueshme naziste; për ushtarët amerikanë me pa dhe me u njoftue me natyrën e anmikut nazist kundër të cilit ata luftojshin. Efekti ka qenë i fortë dhe i pa harrueshëm.

Përse jo edhe në Shqipëri? Le të zbulohen zonat e shumëta të krimeve komuniste:qendra torture, ekzekutime, varreza, kampe internimi, faltore të shkaterrueme e klerikë të vramë, e pronarë të pafajshëm e të shpronësuem padrejtësisht me dhunë, djegje librash e biblioteka të shkatërrueme…. e  le të deklarohen ata “objekte shenjte” për popullsinë në përgjithësi, veçanërisht për nxanësit e shkollave. Le të bahen objekte pelegrinazhi e reflektimi, e sidomos reflektimi…. për të gjithë! Na do të zbulojshim shembujt ma fisnikë të historisë shqiptare, dhe të karakterit sublim të shqiptarit që guxoi të luftojë deri në sakrificë të huejin pushtues, dhe shqiptarin shtypës të pamëshirëshëm, shembullin ma të ulët e ma të urrejtun të shoqënisë shqiptare….!

Le të organizojmë nji fushatë për mbledhjen, koleksionimin, klasifikimin, dhe ma në fund paraqitjen publike të të gjitha krimeve komuniste, të çdo natyre qofshin ata, si dokumentacion të domosdoshëm me shkrue ndershmënisht historinë e trishtë të 45 vjetëve të terrorit komunist në vendin tonë. E mirë ose jo e mirë, ajo ashtë historia e jonë, dhe duhet ta pranojmë. Ata që paguen me çmimin ma të naltë rezistencën e tyne, e kerkojnë! Dekomunizimin shoqënia shqiptare e kerkon; breznia e re në shkollët tona, e kerkon; dhe tekstet tona presin momentin kur ata të plotësojnë këte mision. Nji veprimtari e këtill ashtë nji imperativ kategorik!

Nji përpjekje e organizueme, nga Qeveria dhe organizatat jo-qeveritare me identifikue vendet, me ndihmue, me këshillue dhe me dhanë burime financiare –shtëpi, punë, pensione etj.- dhe sidomos me krijue mundësitë për arsim- kryesisht arsimin e naltë- për viktimët e familjet e tyne të harrueme, për të gjithë ata që dhanë çdo gja për vendin e popullin e tyne, ashtë nji imperativ kategorik

Kështu, qellimi i arsimit progresiv ka mundësi të ketë suksesin e pritun, vumjen e theksit në nxitjen e kuriozitetit tonë për ngritjen e zemërmirësisë sonë të mbrendshme, dhe përjashtimin e  mbrapshtisë së ideologjive totalitare.

Në “Botën e Lirë”, tregu i ideve ashtë i gjanë, dhe eventualisht zgjidhen ato që janë ma të “mira”, në shërbim të njerëzimit pa dallim, pa përjashtim, nji sistem që na sjellë në mendje “darwinizmin” dhe zgjedhjen e “ma të përshtatëshmes”. Por, në nji treg ideshë të këtilla, eksperienca na mëson se fashizmi, nazismi, komunizmi, militarizmi japonez dhe “-izmat” tjera me karakter totalitar, – siç ishte ‘enverizmi’ në Shqipëri, -forma ma e mbrapshtë e “humanizmit” marksist- nuk kanë vend.

Ka ardhë koha edhe për ne me ba hapin e madh kualifikativ, me u ba “zot të vetëvetes”, me fillue tranzicionin tonë nga faza fëminore dhe logjika e saj, në atë të burrënimit me sensin e plotë të përgjegjsisë personale; me arrijtë fazën e jetës kur kërkohet zotënimi i plotë i pasioneve të errëta, dhe tentimeve satanike, efektet e të cilave shqiptarët i njohin shumë mirë. Ka ardhë koha “me qetësue bishën që kemi përmbrenda”. Le të bajmë përpjekje me rindertue modelin e karakterit të njeriut shqiptar, me nji kulturë që inkurajon identifikimin e “të metave tona”. Kjo ashtë rruga ma e mirë me evitue tragjedi të reja në vendin tonë martir.

Identifikimi i “të metave tona” ashte hapi i parë; hapi i dytë, ashtë identifikimi i “pikave të përbashkëta, dhe bashkëpunimi me të gjithë”.

Kështu mund të arrihet “pjekunia e shoqënisë shqiptare”!

——————————————————————————-

* ish i burgosun politik (1946-56)

Filed Under: Politike Tagged With: mendjet e mbylluna, Sami repishti, tragjedia

“MARSHOJME PER JETET TONA”-RINI KOSHIENTE AMERIKANE

March 30, 2018 by dgreca

1-Repishti-300x212

 Shkruan:Prof. Sami Repishti/

       “Në se ata vazhdojnë me na injorue, me pretendue se na ndigjojnë,  atëherë  na do të ndërmarrim aksione aty ku duhet. Do të ndermarrim aksione çdo ditë dhe në çdo mënyrë derisa ata të mos jenë në gjendje me na injorue përsëri.” Studenti Delany Tarr (24.III.2018)

******

Data 24 mars 2018 do mbetet në kujtesën e miljona njerëzve mbrenda dhe jashtë Amerikës, si nji ditë shprese për të ardhmen, nji përpjekje madhështore me transformue të kaluemen tragjike dhe anti-njerëzore që prodhoi kaq shumë vuejtje e vdekje sidomos për të rinjtë e të rejat e shkollave të mesme amerikane. Rinia kërkon nji jetë të re, nji jetë pa frikë, nji jetë që premton, nji jetë që plotëson aspiratat e tyne për nji të ardhme të lirë dhe dinjitoze. Miljona të rinj e të reja në ma shumë se 800 qytete të botës ngritën zanin e protestës, dhe të zemrimit të papërmbajtun për vrasjet masive të studentëve në bankët e shkollave, dhe për letargjinë e pashërueshme të klasës politike të vendeve të ndryshme; ata betohen se do ta ndryshojnë këte gjendje kryesisht me forcën e votës së lirë. Po, me vota; jo me pushkë!

Përpjestimet e demonstratës së 24 marsit 2018 kaluen edhe para-shikimet ma optimiste. Besohet ma shumë se nji miljonë qytetarë dolën në rrugët e 836 qyteteve të botës me demonstrue shqetësimin. Vetëm në Ëashington DC kishte disa qindëra mijëra demonstrues, Studentë, të rinj e të reja punëtore, prindë, senatorë, deputetë, personalitete politike nga të gjitha shtetet amerikane…nji masë amorfe por e lidhun ngushtë nga nji ideal i përbashkët: kontrolloni shitë-blerjen e armëve; ndaloni përdorimin e armëve jashtë zonave të kufizueme; përforconi me ligjë vendimet e marruna dhe krijoni nji atmosferë ku të rinjtë dhe të rejat mos të kenë frikë nga vdekja e pushkëve të palejueshme. Kurrë ma! Kurrë ma! Ata fituen betejën e mjeteve të informimit në të gjithë  Amerikën..…dhe ma përtej!

Strategjia u tregue me organizimin e demonstrative në 387 zona elektorale, (nga 435) aty ku deputetët janë përkrahës të mbatjes së armëve, nji sinjal se në nandorin e këtij viti ata mund të humbin zgjedhjet, me që nuk do të kenë votat e popullsisë ashtu si ma parë. Fitore me evolucion!

Akte emocionale rinore? Jo! Ky ashtë akti i ndërgjegjsimit të nji breznie të re që rritet e pjekun, dhe që na mbushë me shpresë…! “Marshojmë për jetët tona”, “Jemi kundër dhunës”, “Jo dhunës me armë”, “Mos na vrisni”, “Jemi bijtë dhe bijat tuej”etj. Arsyeja e këtij manifestimi ishte nevoja ekzistenciale, literalisht, për nji protestë masive kundër armëve në përgjithësi dhe kundër armëve të masakrave masive të përdoruna nga të rinjtë me probleme mendore . Rasti i fundit ashtë ai i gjimnazit Stoneman Douglas, në Parkland, Florida, ku me 14 shkurt 2018 nji ish student me probleme mendore, i armatosun deri në dhambë, hyni në klasët e shkollës, gjatë orës së mësimit dhe vrau 17 studentë e plagosi 14 të tjerë, të gjithë nën moshën 18 vjeçare (si dhe tre mësues).

Terrori në Parkland, Fl. tronditi opinionin publik amerikan –dhe ma gjanë. Skenat e ekspozueme në ekranet televizive ngjallën nji neveri për aktin, sigurisht për aktorin kriminel, por edhe për klasën politike, sidomos kongresmenët amerikanë që ishin ndihmue financiarisht nga organizata NRA (National Rife Association) lobi shumë i fuqishëm për armatimin e popullsisë, i cili influencoi shumë edhe opinionin e reagimin e Kongresmenëve dhe Presidentit Trump. Ata refuzojnë me kalue nji akt legjislativ për kontrollin, blemjen e armëve, gjendjen mendore të blerësit, dhe për armët automatike për vrasje masive.

Ky  fenomen negativ, i panjohun ma parë në Amerikë –vrasja masive e studentëve në klasë!- ashtë përsëritë me rezultate shkatërruese. Në gjimnazin Columbine, dhe në shkollën fillore Sandy Hooks (Neëton,CT) studentë me probleme mendore, të paisun me armë automatike për vrasje masive vranë duzina të rinjsh e fëmij. Në Sandy Hooks, 27 fëmij -5, 6 dhe 7 vjeçarë- bashkë me mësuesen e tyne u masakruen pa mëshirë në klasën ku studjojshin e këndojshin plot gaz.. Autoritetet zyrtare nuk lejuen pamjen e trupave të shkatërruem nga plumbat: skena të papërshkrueshme…! Trupat e njomë ishin damtue aq shumë dhe aq barbarisht sa që nuk u lejue fotografimi i tyne.

Ish Presidenti Barack Obama vizitoi shkollën. Përpjekjet e tia dhe ata të prindëve të viktimave me kalue legjislacionin që pengon blemjen e armëve u sabotuen nga Kongresi. “Politika” pengoi këte inisiativë të domosdoshme. Kjo ashtë baza e zemrimit gjithëpopullor dhe e protestës.

Demonstrata e 24 marsit 2018, dallohet nga ato të maparëshme për numrin e madh të pjesëmarrësve, në mbar botën, për shumicën e të rinjëve dhe të rejave, dhe për inisiativën me kërkue me kambëngulje deri në sukses ndryshimin e ligjit mbi mbajtjen e armëve. Për mbrojtjen e kauzës së tyne të drejtë ata do të përdorin  forcën e “votës së lirë”, me  synim të ndryshimit të Kongresit, dhe mbushjen e tij me personalitete koshiente të problemit. Para nandorit 2018, dhjetëra mijëra të rinjë e të reja do të arrijnë moshën 18 vjeçare dhe të drejtën e votës. Me nji fushatë të organizueme mirë ata kanë mundësi me shkaktue humbjen në zgjedhje të elementit fanatik dhe të pandërgjegjshëm. Kjo ashtë gjuha që kuptohet mirë nga politikanët e ditës! Grupe prindësh të organizuem me mbrojtë fëmijtë e tyne, ente fetare, grupe për të drejtat e njeriut, dhe arsimtarë koshientë përkrahin këte inisiativë, këshillojnë, dhe punojnë me vetëmohim për suksesin e të rinjëve…!

Miljona amerikanë dhe nga bota e jashtëme dëshmuen shkallën e  zemrimit të rinisë amerikane nga fjalimet e njimbasnjishme të studentëve shpirtënisht të plagosun dhe nga lotët që derdheshin nga pjesëmarrësit në demonstratë…..shokë klase, prindë të viktimave, dhe njerëz të thjeshtë të dermuem nga dhimbja e humbjeve të jetëve njerëzore gjatë mësimit në klasat e shkollës ku vazhdojshin studimet  në përgatitje për jetën që ata andrrojshin. Skenat e televizionit për shikuesët ishin zemër-thyese.  Forcohet shpresa që frymëzon! E fitorja!

Nga Parisi, shkrimtarja amerikane, Pamela Druckerman, shkruente: “Amerikanët janë gjithmonë nji popull plot shpresë….Shpresa ashtë nji shprehje  e optimizmit amerikan që ashtë ende i besueshëm ashtu si e shohim sot tek studentët e gjimnazit në Parkland, Fl. Ashtë taktik, kambëngulës¨, nji optimizëm i  qartë si kristali, si në traditën e Dr.Martin Luther King Jr. Ky optimizëm rrjedh nga fakti se kupton që diçka ashtë e gabueme në mënyrë të tmerrshme. Dhe, se ashtë në anën ma të mirë të traditës amerikane që kjo rini –dhe të tjerë si ajo- nuk kufizohet vetëm me vajtimin. Ata janë të vendosun me veprue e me fitue!”.

Demonstratat e 24 marsit do të kalojë në hisotri si nji hap i madh në procesin e pjekunisë politike të rinisë studenteske amerikane. Ajo ditë do të kujtohet si nji rebelim i breznisë së re kundër insensitivitetit shtetnor, nji rebelim që do të vazhdojë deri në thymjen e këtij fenomeni qeveritar.

Zakonisht, në mendojmë se institucionet arsimore janë qendra edukimi të rinisë jo vetëm me vlerat humaniste dhe njohunitë shkencore, por ndoshta edhe ma me randësi, si kështjella të argumentit të lirë, debatit të qytetnuem dhe frymës së hulumtimit . Demonstrata e 24  marsit ka qenë e vështirë me u organizue dhe me u zhvillue pa asnji incident, asnji arrestim, asnji përpasje me organet e rendit publik; ajo ka qenë model i lëvizjes masive paqësore, nji shembull për të gjithë rininë e botës mbar, sidomos për rininë e vendeve ku demokracia ashtë “frikë” dhe jo “çlirim”.

Ajo do të kalojë në histori si nji ngjarje që do të bajë Amerikën nji vend edhe ma të mirë për popullsinë e saj. Studentja 17 vjeçare Emma Gonzalez, deklaroi:” Ka ardhë koha ma ba diçka. Na do të jemi rinia që do të lexoni në librat e historisë. jo sepse na  do të jemi nji tjetër statistikë e masakrave masive në Amerikë që ju do të lexoni në librat e historis . Jo! Sepse na do të jemi viktimët e fundit të vrasjeve masive!” Studenti 18 vjeçar Adam Allaut III shtoi:” Na po planifikojmë nji lëvizje kombëtare!” Zemrim, e shpresë!

Prindi Chuck Muir shpërthente:” Vajza e djai i im nuk shkojnë në klasë sot me nxanë; ata demonstrojnë me dhanë nji mësim për të rritunit, nji mësim ma të randësishëm: jeta e studentëve vlen shumë, dhe armët janë problemi i jonë!”

“Të rritunit, ashtë mendimi i pergjithëshëm, duhet të kujdesen për fëmijtë; jo vetëm me ë mbrojtë nga rreziku, por edhe me i bindë se janë të mbrojtun nga rreziku. Shkollat janë nji zgjatje e dorës mbrojtëse ashtu siç janë shtëpitë e banimit, faltoret e institutionet që ushqehen nga kujdesia” shkruente The NYTimes e 14 marsit 2018.

*****************

Kohët e fundit kam ndjekë me interesim dhe shpresë lëvizjet popullore- kryesisht studenteske në Sllovakinë e vogël pesë miljonëshe. Ashtë breznia e mbas 1989-ës tashti e rritun, e pjekun dhe koshiente që me demonstrata detyruen Kryministrin Fico me dhanë dorëheqje sepse konsiderohej symbol i korrupsionit dhe qendrimeve anti-demokratike. “Ne jemi rritë, dhe kjo ashtë përpjekja e jonë. Prindët tonë luftuen për lirinë tonë, dhe na u detyrohemi me fitue betejen kundër korrupsionit’” deklaroi nji pjemarrës i demonstratave. Fjalë shprese, kumbonë kushtrimi për veprim…e mobilizim!

Në nji pjesë të Europës, ku shumë qytetarë kanë humbë shpresën në demokraci, Sllovakia paraqitet si nji shebull frymëzues për kundërshtim të udhëheqësve të bindun se vetëm “grushti i hekurt” ka sukses. Ashtu mendohet sot ne Hungarinë e V.Orban-it, në Poloninë e Kazincki-t, dhe në shumë mendje të smura në disa vende ish-komuniste. Mjafton me mbushë strukturën shtetnore me kronizëm, me shpërba institucionet demokratike,(“destructuring the Administrative establishment” shkruente Steven Bannon, ideologu i Trumpizmit) dhe promovimin e vlerave që ata mendojnë se janë vlera me traditë “kombëtare” dhe “prendimore”…nji ndasi ne mes “ne” dhe “të tjerët”, për definicion inferiorë. Prandej, ne Sllovaki, populli kërkon nji angazhim për mbrojtjen e vlerave demokratike të Perendimit “demokracinë liberale”, dhe sundimin e ligjit: drejtësi e liri për të gjithë.

Populizmi që ngren kokën në Europë ashtë nji hap  drejt fashizmit!

Nji qendrim i këtill kërkon pastrimin e trupit qeveritar nga elementë që vejnë interesin personal ose partiak mbi ate publik per vetë-pasunimin e jo pasunimin e jetës së popullit me nji të ardhme ma teë mirë. Me qendrimin e tyne në mbrojtje të “sundimit të ligjit” sllovakët i japin Europës Lindore nji shembull të naltë, se ndryshimet e mëdha kryehen edhe me “evolucion” e jo vetëm me “revolucion” e që shkatërrojnë demokracinë. Demokraci nuk do të thotë se politikanët nuk janë të korruptuem. Demokraci ashtë kur na kuptojmë se kur ministri plaçëkitë pasuninë e popullit, jemi të deëtyruem me veprue simbas ligjit” deklaronte Jan Duda, president i Sllovakisë. (Nji shembull: para pak ditësh u arrestue ish Presidenti  Koresë së Jugut për korrupsion. Ky ashtë i katërti president i Koresë së Jugut që arrestohet per korrupsion që nga viti 1980.  Kjo ashtë demokracia!)

Në Shqipëri, rinia ka krijue nji identitet te lavdishëm sidomos që nga viti 1939, i pushtimit italian fashist të Shqipërisë. Ky qendrim i rinisë shqiotare ashtë ba nji traditë që nderon ne dhe breznitë e ardhme. Mbas viteve të L2B dhe ardhjes se diktarurës së kuqe komuniste, mijëra të rinj e të reja shqiptare u ngritën me kundërshtue vendosjen e pamëshirë të diktaturës së proletariatit dhe përfundun para skuadrave të ekzekutimit ose në burgjet e errta të komunizmit. Shqiptari vau shqiptarin pa mëshirë, por i vrami as vdiq as u harrue. Ai frymezoi brezninë e  re me shpirtin e rezistencës kundër diktaturës. Në momentin e përshtatshëm, kur diktatura po jepte shpirt, rinia shqiptare, krysisht studenteske, u ngrit me 8 dhetor 1990 dhe shkroi epopenë ma të lavdishme të viteve të fundit. Studentët u ngritën, rrezikuen shumë –mos harroni Deshmoet e 2 prillit ne Shkodër- dhe hapi rrugën për nji jetë të re për të gjithë, me parullën historike: “Liri,Demokraci! Edhe ne si e gjithë Europa”. Ishte parulla e çlirimit dhe çelsi i së ardhmes demokratike. Për këte ne do të jemi përjetë mirënjohës.Roli i rinis sonë ashtë sot me  ruejtë me besnikëri vlerat e fitueme me gjak dëshmorësh. A do të jetë kjo rini në gjendje me plotësue misionin e shenjtë që u besohet?

Unë jam optimist; fryma revolucionare e të rinjëve nuk shuhet shpejt!

Filed Under: Opinion Tagged With: “MARSHOJME PER JETET TONA”-RINI, KOSHIENTE AMERIKANE, Sami repishti

NJI BOTE E RE E PREMTUESE NA PRET: LE TA PERQAFOJME!

February 16, 2018 by dgreca

Me rastin e 10 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës/

48-repishti-300x212

  Nga   Sami Repishti, Ph.D.*/

Ridgefield,CT. Me 17 shkurt 2018, miljona shqiptarë dhe miq të Kosovës shqiptare festojnë me krenari fitoren e madhe, fryt i sakrificave mbinjerëzore të popullit shqiptar kosovar: Pavarësinë e Republikës së Kosovës! Vëllazën, motra shqiptare kudo që banoni: Gëzuar pavarësia e Republikës së Kosovës!

Në atë tokë të djegun nga agresionet e vazhdueshme; për atë popull të vramë e të sakatuem për ma shumë se nji shekull pa mëshirë, lindi liria e meritueme, u fitue pavarësia e dëshirueme me afshin e zemrës dhe me gjakun e parzmës kosovare: sot, nesër e për të gjithë jetën e jetëve!

I lirë je o vëlla kosovar, e lirë je o motër kosovare –të pavarun, krejt të pavarun, në sherbim të vullnetit të sovranit, popullit kosovar pa dallim, pa përjashtim. -i vrami, i sakatuemi e i coptuemi popull kosovar që sot ngren kokën, falënderon qiellin e përkëdhelë tokën me dashuninë e nji prindi për votrën e tij dhe të parëve të tij, me shekuj e mileniume pa ndërpremje. Gëzohu Kosova shqiptare! E meriton!

*****

Historia e Kosovës ashtë nji tragjedi e shkrueme me gjak, ashtë “nji lum gjaku” i derdhun pa shkak, …. gjak viktimësh të  pa faj!   Që nga fillimi i konfliktit të pafund shqiptaro-serb, 1877-78, shqiptarët e Kosovës kanë qenë viktima ma e persekutueme në Ballkan. Ushtritë e organizueme serbe e malazeze zhvilluen masakra sidomos në Kosovë dhe në Shqipërinë Veriore- skena terrori të papamë. Masakrat serbo-malazeze shoqënoheshin nga nji propagandë intensive për dehumanizimin e shqiptarëve, propagandë e shoqënueme nga thirrje histerike në emën të nji kryqëzate kundër “turqeve” (Çdo ‘mysliman’ quhej ‘turk’ nga serbët). Për dyzetë vjet me rradhë (1878-1918) shqiptarët u ndoqën sistematikisht, u poshtënuen nga kjo propagandë shnjerëzuese e cila i konsideronte “…krijesa të egra që kalojnë natën në pemë tue lidhë bishtin e tyne në degët e drujve.” (KM serb Vladan Gjeorgjeviq). Gazetari serb përparimtar, Dimitrije Tucoviq, shkruente:” ‘Të drejtat historike’ të Serbisë (mbi Kosovën,SR) shkuen edhe ma larg; ata ‘të drejta’ kërkojshin nji Kosovë pa shqiptarë…” Oficeri serb dhe deshmitar okular, Kosta Novakoviq, zbulonte: ”Ekziston dokumentacioni që konfirmon se vetëm gjatë vitit 1912, shqiptarët e masakruem nga ushtria serbo malazeze arrinë shifrën 12.777”.

Me 31 dhetor 1912, The N.Y.Times, me titullin “Nji lum gjaku” raportonte:

”…në marshimin e saj në tokët shqiptare, ushtria serbe nuk u ndal në sulmin e saj mbi popullsinë  shqiptare e pa armë dhe pa mbrojtje, mbi pleq dhe mbi gra, mbi fëmijë dhe mbi foshnje të posalinduna. Oficerët serbë, të dehun nga fitoret e tyne (mbi Turqit,SR) deklarojshin se mjeti ma efektiv për paqësimin e Shqipërisë do të ishte asgjasimi total i myslimanëve shqiptarë. Urdhëni i ditës u adoptue në heshtje nga ushtria serbe e okupacionit, dhe u zbatue plotësisht …..”

“Ka pasë njikohësisht edhe krematoriume barbare ku qindëra gra e fëmijë shqiptarë u dogjën për së gjalli…Përsëri, u provue se nji lëvizje rebele popullore, qoftë edhe nga fiset ma primitive ashtë gjithmonë ma shumë njerëzore se praktika e nji ushtrie të organizueme, të cilën shtetet moderne shfrytëzojnë me shtypë rebelimin” .(D.Tucoviq).  Shovinistët serb kanë qenë “Nazistë”.… avant la lettre!

Fondacioni amerikan Carnegie konfirmon:

“….Shtëpi dhe fshate të tana janë  reduktue në shkrum e hi, popullsia e pa armatosun dhe e pafajshme shqiptare ikën en masse, dhunë dhe akte të papërshkrueshme, grabitje, brutalitete të çdo lloji- të tilla kanë qenë mjetet që u përdoren, dhe që përdoren akoma, nga ushtarakët serbo-malazez, me nji qellim të caktuem: me ndryshue karakterin etnik të kësaj krahine, të banueme eksluzivisht nga shqiptarët”.(Report.Carnegie Endowment for Internat. Peace, Washington, DC. 1914)

Kjo valë terrori nuk pushoi mbas mbarimit të L1B; me nji përjashtim. Jehona e krimeve serbo-malazeze tërhoqi vrejtjen e qeverive amerikane dhe britanike. Ndërsa në Paris (Francë) qeveria serbe reklamonte toka tjera shqiptare përtej kufinjve të Kosoves–me premtimin e “misionit qytetnues“(sic!)- në Kosovë vazhdohej pa ndërpremje asgjasimi i popullsisë shqiptare. Me 18 prill 1919, Sekretari i Shtetit amerikan, i shkruente kolegut tij në London, Lord A.J.Balfour:  “…Ambasada britanike në Washington ka informue Departmentin e Shtetit në lidhje me akuzat e masakrimit të shqiptarëve në Mal të Zi. ‘Gusia, Plava, Peja, Gjakova, Pozhuri dhe Rozhaja kanë qenë skena të terrorizmit dhe të vrasjeve nga ana e ushtrisë serbe dhe agjentëve serbë, qellimi i të cilëve duket se ka qenë çfarosja (“the extermination”) e popullsisë shqiptare në atë krahinë. Sinqerisht i jueji,

Robert Lansing” (The Paris Peace Conference,1919,vol.XII, 184.018/3)

Ma vonë, gjatë rregjimit monarkist jugosllav (1918-1941), shqiptarët e Kosovës nuk u lejuen me hapë shkolla ose qendra kulturore të çdo lloji; as sherbimet mjeksore e sanitare. Të vorfënuem ekonomikisht, deshprimi i popullsisë arriti kulmin. Vetëm gjatë viteve 1938-41, rreth 400.000 kosovarë, të uritun e të persekutuem emigruen në Turqi në kerkim të nji jete të sigurtë. Diskriminimi dhe persekutimi synojshin me largue popullsinë vendëse dhe me vendosë “kolonët serbë e malazez”. Tokët e shqiptarëve u zaptuen. Bagëtia u sekuestrue ose u ther sistematikisht, taksat u rritën jashtë çdo mundësie për pagesë; dhe akoma ma keq, shqiptarët u banë “free game” (gjuejtje e lirë) për policinë lokale dhe repartet ushtarake, spjegon Milovan Djilas. Ai shton:

”Ligji ra në dorë të matrapazve ma të pa fëtyrë dhe të paskrupulltë të njohun nga të gjithë në të gjithë Jugosllavinë…i gjithë llumi i shoqënisë serbe ekzistonte në trupin administrativ. Ata që dëshirojshin me u pasunue shpejt, mbushën kuadrot e administratës në Sanxhak, Kosovë, dhe Maqedon!”(Memoirs of a revolutionary)

Deputetët shqiptarë në Parlamentin e Jugosllavisë –Nazif Gafurri, Ramë Bllaca, dhe Sherif Voca,- u vranë ….! Akademia Serbe e Letërsisë dhe Arteve përgatiti dy Memorandume (1937 dhe 1944) nga shovinisti Vaso Çubrilovic, dhe nji të tretë nga diplomati serb Ivo Andriq (1941) tue përshkrue metodat ma efektive për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova.

Në prill 1941, me kolapsin e plotë të ish-Jugosllavisë, Italia fashiste dhe Gjermania naziste pushtuen Kosovën. Nji administratë lokale u ngrit në kambë. Shkolla shqipe u hapen në shumë vende, spitalet filluen me funksionue. Me mijëra vullnetarë ofruen sherbimet e tyne ndertesës së re shtetnore. Për të paren herë në historinë e Kosovës banorët e vendit filluen me pranue barren e detyrës si qytetarë të lirë; ata merrshin në duert e tyne fatin e tyne, në vendin e tyne.

Paralel me këte përpjekje për krijimin e nji administrate vendëse kosovare, nji grup të rijsh kosovarë me tendenca komuniste, dhe të nënshtruem ndaj udhëheqsit jugosllav J.B.Tito, filloi nji rezistencë të armatosun kundër nazistëve. Për forcimin e pozitave të tyne politike, në fund të vitit 1943, grupi pro-komunist mbajti nji Konferencë në katundin Bujan (Shqipëri) dhe vendosi me avancue kërkesen e tyne për nji “bashkim me Shqipërinë” nji anatemë për të gjithë jugosllavët e të gjitha rrymave.  Ngjarjet që ndoqën gjetën këte grup si të vetmin trashëgimtar të pushtetit në Kosovë..…për pak kohë! Parimet e Deklarueme të Konferencës së Yaltës (1945) për Europën e Çlirueme nuk u respektuen nga rregjimi i ri jugosllav.”Të drejtat e të gjithë popujve me zgjedhë formën e qeverisë nen të cilën ata dëshirojnë me jetue…” nuk u përfill. Para nji situate të këtill, lufta e kosovarëve mori nji formë e dimension të ri: lufta për të drejtat demokratike, zgjedhje të lira, në rradhë të parë…. Kjo nuk ngjau edhe për faktin se Shqipëria, atdheu nanë, përqafoi nji qendrim servilizmi ideologjik e politik të neveritshëm ndaj pushtuesve jugosllavë. Kerkesës së Presidentit Roosevelt të shqyrtohet e ardhmja e Shqipërisë, kryeministri britanik, Winston Churchill u përgjegj:

”Unë mendoj se duhet të insistojmë mbi Greqinë dhe jo mbi Shqipërinë, sepse Enver Hoxha ashte nji sherbëtor besnik i komunistëve jugosllavë; prandej, nuk jemi në gjendje me ndërmarrë nji hap në këte drejtim pa dijeninë e Titos”. (Zeri- Prishtinë, 9 shkurt 1991, f.6))

Në Nandor 1944, forcat komuniste të Marshalit Tito pushtuen me forcë Kosovën që rezistoj me guxim të madh në nji luftë që nuk mund të fitohej. Ushtrimi i dhunës së fortë që komunistët jugosllavë përdorën në Kosovë shkaktoi nji kryengritje të armatosun që zgjati afër 6 muej. Rreth 30.000 shqiptarë moren malet të vendosun me mbrojtë premtimet e bame në kohën e luftës: për vetëvendosje mbas disfatës naziste. Besohet se numri i të vramëve shqiptarë arriti  30-40.000 për vitet 1944-48.

Në këto kondita terrori u vendos që Kosova të mbetet njisi autonome “pjesë përbamëse e Republikës Popullore të Serbisë”(Prizren, korrik 1945). Ka arsye me besue që kjo “autonomi” që shgënjeu shqiptarët, ka qenë bërthama e shtetit të ardhëm të Kosovës.

Që nga fillimi deri në ditën e çlirimit të Kosovës nga zgjedha serbe (qershor, 1999) ballafaqimi në mes të dy palëve të kundërta mori përpjestime përherë rritëse me rritjen e represionit serb e jugosllav, “… që përdorën masa ekstreme, që në shumë raste ndryshuen shumë pak nga masat e përdoruna prej autoriteteve te okupatorit gjatë luftës”. (Paul Shoup) Këto metoda represive u banë publike veçanërisht mbas demaskimit të kriminelit serb A. Rankoviq(1966), shef i policisë sekrete serbe.

Që nga ajo datë, shpresat dhe aspiratat e ushqyeme nga shqiptarët kosovarë filluen me marrë nji formë ma të konkretizueme dhe treguen veten me demonstrata dhe aktivitete të hapta kundërshtare, në kerkim të nji identiteti politik të pranueshëm e të njohun, eventualisht me pavarësi nga zgjedha serbe…. megjithëse akoma si njësi me të drejta të barabarta në Federatën Jugosllave. (Kushtetuta e vitit 1974) Demonstrata popullore dhe studenteske treguen se situata po keqësohej shpejt, dhe se zgjidhjet pjesore të problemit kishin konsumue kohën e tyne. Rruga ishte tashma e hapun për nji rezistencë që kërkonte pavarësinë e plotë të Kosovës.

Kjo lëvizje për pavarësi të plotë u drejtue me dinjitet e guxim nga klasa intelektuale e Kosovës, me nji udhëheqës paqësor e kambëngulës, Dr. Ibrahim Rugova, apostull i rezistencës aktive e paqësore, ma vonë President i Republikës së Kosovës (1992)-(Unë pata fatin e madh me e njohë dhe me bashkëpunue). Krahas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe “Qeveria kosovare e përkohëshme në emigrim”-Dr.Bujar Bukoshi kryeministër- mbushën mungesën e madhe të nji strukture shtetnore të “shtetit” në lindje…!

Në vitin 1995, përfundoj Konferenca e Dayton-it (SHBA) për zgjidhjen e problemit të Bosnje-Herzegovinës. “Problemi kosovar” u anashkalue, me rezultate katastrofike për shqiptarët. Lindi nevoja për nji rezistencë ma të fortë, qoftë edhe me mjete jo-paqësore, që të bindin bashkësinë ndërkombëtare se “problemi kosovar” duhet të trajtohet menjiherë dhe seriozisht. Në Kosovë, doli në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), kryesisht e rinisë, e cila ngjalli nji entuziasëm të ri mbrenda dhe jashtë Kosovës. Me zhvillimin e ngjarjeve, aksioneve ushtarake, dhe nji fushate të fortë propagandistike nga të dy palët e rezistencës kosovare, sidomos në SHBA dhe Europë, “problemi kosovar” zuni vend në tryezat diplomatike. Në Kosovë, vrasja barbare e 51 anëtarëve të familjes Adem Jashari (Prekaz, Mars, 1998)- symbol i rezistences se armatosun,- dhe ofensiva serbe që detyroi ma shumë se nji miljon kosovarë me u arratisë në vendet fqinje, kryesisht në Shqipëri, krijoi nji atmosferë urgjente për zgjidhjen e problemit.

Serbët sulmuen katundin Reçak dhe “masakruen” mizorisht 45 fshatarë (njeni 12 vjeçar!). Gjendja e krijueme detyroj Fuqitë e Mëdha me ndërhye. Në Rambouillet (Francë) Sekretarja e Shtetit, M.Albright dhe ambasador R. Holbrooke organizuen nji Konferencë për shqiptarët dhe serbët, pa rezultate të dukshme. Megjithate, kosovarët formuen nji qeveri koalicioni nën drejtimin e Hashim Thaçit, udhëheqës politik i UÇK-së. Kosovarët u kthyen përsëri në Paris (15 mars 1999) mbasi u pranue formula se “vullneti i popullit” don të thotë “referendum” praktikisht pavarësi për shumicën dërmuese shqiptare të Kosovës.

Nji tentativë e fundit për nji zgjidhje të problemit u ba në mars 1999, pak ditë para bombardimit të NATO-s. Gjenerali amerikan Wesley Clark, komandant i forcave të NATO-s gjatë nji vizite në Beograd me bindë Presidentin serb Millosheviq të hiqte dorë nga persekutimi i kosovarëve, pati këte dialog:

-“Milosheviq: Gjeneral, përse kujdesoheni kaq shumë për shqiptarët? Na e lini neve këte problem….Na dijmë si ta zgjidhim. E kemi ba edhe ma pare .

-Gjen. Clark; Si mendoni ju me e zgjidhë, z. President?

-Milosheviq; Na i vrasim të gjithë…!

-Gjen. Clark: Z. President, ashtë pikërisht kjo që na nuk do të lejojmë…”

(Nga kujtimet e Gjen. Wesley Clark)

Serbët refuzuen pjesëmarrjen në bisedime. NATO filloi bombardimin 78 ditor deri në disfatën serbe. Gjatë këtyne 78 ditëve :

“…paramilitarët serbë shumica e të cilëve ishin persona të liruem nga burgu me konditë që të sherbejshin në ushtri, u lëshuen rreth e rrotull Kosovës tue vra, grabitë, dhunue dhe djegë shtëpitë e boshatisuna…. Nji nga pikësynimet e Milosheviqit duket se ka qenë dëbimi i sa ma shumë shqiptarëve kosovarë që të ishte e mundun” (Tim Judah)

Bombardimi i NATO-s u ndal me 10 qershor 1999, dhe trupat e NATO-s hynë në Kosovë. Kosovarët u kthyen në vatrat e shkrumueme. Numri i viktimave civile kosovare tejkalon shifrën 12.000! Ma shumë se 2.000 femna shqiptare u dhunuen….!

“Ata kurrë mos u harrojshin/Në kangë e në valle por u këndojshin!” (A.Gj.Fishta)

Jashtë Kosovës, shqiptarët pa dallim u mobilizuen dhe ndermorën inisiativën me paraqitë “problemin kosovar” para Botës së Lirë dhe diplomacisë ndërkombëtare, kryesisht amerikane. Kongresi amerikan kaloi shumë Rezoluta me thirrje për ndalimin e terrorit në Kosovë. Ambasadori W.E.Ryerson e vlerësoi këte veprimtari të diasporës shqiptare në Amerikë si vijon:

”….Pa dyshim, krediti për çlirimin e Kosovës ashtë i Sekretares M. Albright për sensin e saj me njohë të drejtën, dhe për aftësinë e saj me bindë bosin (Presidentin Clinton SR) dhe kolegët e saj me veprue, e jo vetëm me fërkue duert. Megjithate, ajo nuk do të kishte dalë fituese sikur ju, dhe të tjerët si ju, të mos kishin punue me durim për edukimin e publikut amerikan, dhe ma me randësi, me edukue udhëheqsit tonë politik, mbi seriozitetin e problemit që krijohej nga shtypja serbe e shqiptarëve (në Kosovë). Ju keni të drejtë me qenë kryenaltë për sukseset e jueja . Ju nuk e kryet këte sherbim vetëm, por unë dyshoj se pa përpjekjet e jueja të gjata udhëheqsit politikë amerikanë do të kishin veprue ashtu si vepruen.”

(Letter. Ryerson to Repishti, 5 shtator 2001)

Narrativa e jonë ka pasë tre boshte kryesore: a) dokumentimin e krimeve serbe në Kosovë me saktësi e hollësi, b) kërkesën urgjente që këto krime të ndalohen, dhe c) pavarësinë e Kosovës si nji domosdoshmëni historike. Puna e jonë u kunorëzue me sukses!

Nji proces i gjatë i mbarështrimit dhe ringjalljes ekonomike të strukturës kosovare me ndihmën e UNMIK-ut filloi në Kosovë, me hjedhjen e hapave të parë të shtetit/protektorat i OKB-së të Kosovës. Me 17 shkurt 2008, “protektorati” mbaroi dhe u shpall zyrtarisht Republika e Kosovës, shtet i lirë, i pavarun dhe demokratik, sot i njohun nga 115 shtete të botës.

******

Ashtë nji ironi e hidhun e historisë së popullit kosovar: çdo herë që serbët kanë paraqitë “zgjidhje” për problemin kosovar, ata kanë përdorë të njajtin ”ilaç”: “çfarosjen fizike të shqiptarëve në Kosovë”, shprehje që na kujton holokostin e Luftës 2 Botënore, dhe krematoriumet. Nji mendje normale nuk ashtë në gjendje me konceptue, e nji zemër njerëzore nuk ashtë në gjendje me perballue…e ndoshta as me falë këte qendrim kaq anti-njerëzor! E megjithate, vetëm pak ditë ma parë, ministri serb i mbrojtjes deklaroi se Serbia ka blerë raketa që arrijnë ”edhe cepin ma të largët të Kosovës” Çfarosje? Përsëri cfarosje? Ky ashtë sot trashëgimi i tmerrshëm historik i Kosovës. Kjo ashtë panorama që përballojnë sot kosovarët!

Vitet e fundit mbas pavarësisë (2008-2018) kanë qenë vite të vështira për ndërtimin e shtetit të ri. Pa eksperiencë në qeverisje, pa kuadro të nevojshme për administrimin e vendit, pa të ardhuna të mjaftueshme me përballue nevojët e shoqënisë kosovare, udhëheqja kosovare ka ra viktimë e ndasive partiake, bindjeve politike të ndryshme, dhe frymës agresive të elementit “luftarak”. Rezultati ka qenë mbrapambetja e Kosovës në fushën politike, ekonomike, arsimore e kulturore, dhe  smundja e korrupsionit të pafre…kapitalizëm pa mend me fluturim në defrime!

Shoqënia kosovare jeton sot me mungesa të mëdha, dhe funksionon në nji atmosferë të padëshirueshme. Me gjithë të metat objektive që pengojnë zhvillimin, ashtë përshtypja e përgjithëshme se “fajtori” kryesor ashtë faktori “njeri”, dhe se shqiptarët në Kosovë nuk kanë gjetë akoma rrugën e duhun e vullnetin e fortë me tejkalue apelin ideologjik, për hir të interesave kombëtare, sidomos atë të bashkimit shpirtënor sot, e politik nesër …… Nji qendrim i këtill ashtë veçanërisht i theksuem në ditët e krizave politike të njimbasnjishme që Kosova kalon me dame të pallogaritëshme për vendin. Në këto momente, grindjet ideologjike janë krejtësisht të dorës së fundit, dhe nji luks që nuk i nevojitet Kosovës …..varrezë e mijërave dhe shtëpi e vorfnueme e dy miljonë qytetarëve.

Ashtë përshtypja e përgjithëshme se Kosova duhet të krijojë nji identitet kolektiv gjithëkosovar (jo krahinor!), nji besim të përbashkët për të ardhmen, nji bindje që synon bashkimin e të gjitha forcave të vendit. Ideja e bashkësisë ka peshën e vet magjike. Nji identitet i këtill duhet të jetë modern, përtej vlerave tradicionale, diçka e re dhe e ndryshme. Ashtë nji thymje me të kaluemen e ngushtë patriarkale, diçka inteligjente dhe krijimtare, qoftë edhe vlerë e marrun nga kulturat tjera.

Synimi i demokracisë liberale në shoqëninë kosovare duhet të jetë “ndihma” për popullin që kerkon kontrollin e jetës së individit nga individi vetë, e mbrojtjes së tij kundër efekteve të kolektivizimit absorbues. Ky fuqizim individual ashtë versioni modern i pavarësisë. Struktura shtetnore ekziston vetëm e vetëm me mundësue potencialin maksimal të pjestarëve të shoqënisë.  Asgja ma shumë!

Ashtë përshtypja e përgjithëshme se demonizimi i kundërshtarit në Kosovë ashtë anti-demokratik, elementi ma damtues i shoqënisë kosovare. Na duhet nji Kosovë që ndërton të ardhmen e lirë nga hijet e zeza të së kaluemes tragjike.(sous peine de mort!)

Unë mendoj se përparimi i “shtetit” dhe “shoqënisë” kosovare do të vijë vetëm kur çdo qytetar kosovar do të dëshiroj të ardhmen e fëmijve të vet ma shumë se urrejtjen për kundërshtarin…. Dhe këte ditë e uroj me gjithë shpirt.

Dhe jam përsëri optimist! Nji botë premtuese pret popullin e Kosovës; le ta përqafojmë!

———————————————————————————————————–

* Dekorue, nga Presidenti Rugova, me “Medaljen e Artë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit” (2003). Bashkëthemelues dhe presidenti i parë i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (1996-98)

Filed Under: Opinion Tagged With: LE TA PERQAFOJME!, NJI BOTE E RE E PREMTUESE NA PRET:, Sami repishti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 20
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT