• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SUDANI DREJT NJOHJES SË KOSOVËS

May 18, 2017 by dgreca

-Ministrja Edita Tahiri në takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Sudanit, Ibrahim Ahmed Ghandour: Shteti i Kosovës ka lindur si rezultat i angazhimit shekullor të popullit të saj për liri dhe pavarësi, e cila mori mbështetjen e fuqishme të partnerëve ndërkombëtarë në krye me SHBA-të/

1 sudani

-Ministri i Jashtëm Ghandour tha se Sudani është duke e shqyrtuar me seriozitet vendimin për njohjen e shtetit të Kosovës dhe se në këtë drejtim mund t’ju jap sinjale pozitive/

Gjenevë, 18 maj 2017-Gazeta DIELLI/

Ministrja për Dialog e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, sot në Gjenevë ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Sudanit, Ibrahim Ahmed Ghandour, me ç’rast ka kërkuar njohjen e shtetit të Kosovës nga Sudani.

Ministrja Tahiri ka theksuar se pavarësia e Kosovës dhe progresi që është bërë në zhvillimin e shtetit dhe integrimet euro-atlantike janë argumente të qëndrueshme dhe bindëse që Sudani ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ajo më tutje theksoi se pavarësia e Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare duke qenë se edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka vërtetuar ligjshmërinë e deklaratës së pavarësisë së Kosovës. “Shteti i Kosovës është njëri nga shtatë shtetet e reja që janë krijuar pas procesit të zhbërjes së ish-Jugosllavisë, ku secila prej tyre ishin njësi federale që më pas janë bërë shtete të pavarura dhe sovrane”, ka theksuar ministrja Tahiri, duke shtuar se shteti i Kosovës ka lindur si rezultat i angazhimit shekullor të popullit të saj për liri dhe pavarësi, e cila mori mbështetjen e fuqishme të partnerëve ndërkombëtarë në krye me SHBA-të. Ajo tha se në këto nëntë vite të shtetësisë së saj, Kosova është një nga shtetet që më së shumti i ka kontribuar paqes, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë në rajonin, duke ndihmuar përshpejtimin e integrimeve euro-atlantike të gjithë shteteve në rajon. Ministrja Tahiri përmendi progresin e gjithmbarshëm duke thënë se shteti i Kosovës ka bërë hapa kolosal në shtetndërtimin e saj duke e forcuar sovranitetin, ndërtimin e institucioneve demokratike, duke ndërmarrë reforma të rëndësishme në fushat me interes të veçantë dhe duke zbatuar projekte kyçe infrastrukturore.

Në planin ndërkombëtar, ministrja Tahiri tha se Kosova përherë e më shumë është duke e fuqizuar subjektivitetin e saj ndërkombëtar dhe avancuar agjendën euroatlantike. Ajo shtoi se tashmë  kemi hyrë në rrugën zyrtare të integrimit evropian pasi që kemi nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim Asociim me Bashkimin Evropian, si dhe kemi vendosur edhe lidhjet zyrtare me NATO-n. Ajo gjithashtu potencoi se deri tani më shumë se gjysma e vendeve anëtare të OKB-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, gjithsejtë 114 vende dhe me ketë rast theksoi rëndësinë që ka edhe njohja e Kosovës nga ana e Sudanit duke bërë me dije se më shumë se gjysma e vendeve të Afrikës kanë njohur Kosovën ndërkohë që aleatët e Sudanit siç janë Egjipti dhe Turqia kanë njohur po ashtu Kosovën.

Nga ana e tij, ministri Ghandour shprehu kënaqësinë për këtë takim me ministren Tahiri duke thënë se vendi i tij përcjellë me vëmendje të veçantë përparimet dhe i vlerëson lartë arritjet e Kosovës si dhe pjekurinë politike që po e dëshmon Kosova si faktor paqeje e stabiliteti në rajon. Ministri i Jashtëm Ghandour tha se Sudani është duke e shqyrtuar me seriozitet vendimin për njohjen e shtetit të Kosovës dhe se në këtë drejtim mund t’ju jap sinjale pozitive.  “Shteti i Sudanit në periudha të rëndësishme ka dhënë ndihmë të konsiderueshme humanitare për Kosovën. Sudani i mbështetë proceset integruese të Kosovës dhe vendi i tij ka qenë një nga shtetet që ka votuar pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO”, theksoi Ministri Ghandour, duke shtuar se kontaktet në mes të dy qeverive tona duhet të vazhdojnë dhe se sigurojë që vendimi i duhur për Kosovën do të merret së shpejti.

Në këtë takim ishte prezent edhe ambasadori i Sudanit në OKB në Gjenevë, Mustafa Osman Ismail, të cilin ministrja Tahiri e takoi në janar të këtij viti dhe me të cilin u dakorduan për këtë takim me ministrin e të Punëve të Jashtme të Sudanit, Ibrahim Ahmed Ghandour, që u zhvillua sot në Gjenevë. Në këtë takim ministrja Tahiri shoqërohej nga këshilltari kryesor politik i saj Dren Zeka./b.j/

 

Filed Under: Kronike Tagged With: drejt njohjes, Ministrja Edita Tahiri, se Kosoves, Sudani

“Bijtë e Shqipes” në Filadelfia festuan 9 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

February 23, 2017 by dgreca

01Nga Sadik Elshani/4 folsiQë nga përvjetori i parë, shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, me dashuri e madhështi, gjithmonë e feston ngjarjen e madhe të historisë sonë kombëtare: Shpalljen e Pavarësisë së Kosovësë. Kështu ndodhi edhe të shtunën më 18 shkurt. Në godinën e Shoqatës u mblodhën shumë bashkatdhetarë për ta festuar këtë ditë të madhe për Kosovën dhe gjithë kombin tonë. Mjediset e shoqatës ishin zbukuruar për këtë festë të madhe, jehonte muzika e bukur shqiptare me motive atdhetare. Gëzimi e krenaria shprehej në fytyrat e qeshura të 0203të gjithë pjesëmarrësvene këtë veprimtari, nga të gjitha trojet tona etnike. Kemi për çka të gëzohemi, sepse pas vuajtjeve shekullore nën thundrën e Serbisë, pas përpjekjeve mbinjerëzore dhe një lufte të pandërprerë 100 vjeçare, shqiptarët e Kosovës ngadhnjyen, dolën fitimtarë dhe më 17 Shkurt të vitit 2008, Kosova u shpall shtet i pavarur, shtet i njohur nga fuqitë më të mëdha dhe nga demokracitë më të përparuara të botës. Është ky një kurorëzim i suksesshëm i angazhimeve dhe luftërave të brezave të tërë të shqiptarëve, përpjekjeve dhe sakrificave të intelektualëve dhe të gjitha forcave përparimtare e atdhetare, luftës heroike të UÇK-së, punës së madhe të diasporës shqiptare të Amerikës dhe Europës dhe ndihmës vendimtare që na dhanë miqtë tanë, sidomos ShBA-të dhe aleanca e NATO-s – një bashkëveprim i bashkërenduar mirë i faktorit vendor dhe atij ndërkombëtar.06Veprimtarinë e hapi kryetari i shoqatës, zoti Tajar Domi, icili u deshiroi të pranishmëve mirëseardhjen, duke iu uruar atyre këtë ngjarje të rëndësishme të historisë sonë kombëtare – ngjarjen e dytë më të madhe të kombit shqiptar, pas shpalljes se pavarësisë  së Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912.  Pastaj ai vazhdoi me një pasqyrë të ngjarjeve dhe përpjekjeve të disa figurave qëndrore, duke filluar nga Periudha e Lidhjes së Prizrenit e gjer në ditët tona: Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Isa Boletini, Idriz Seferi, Shote dhe Azem Galica, Shaban Polluzha, Ibrahim Rugova, Adem Jashari e shumë të tjerë. Në vazhdim ai ceku disa të arritura të Kosovës në fushën e sportit, kulturës, bujqësisë dhe ekonomisë dhe shprehu dëshirën që udhëheqësit e Kosovës me punë të përkushtuar ta çojnë vendin përpara drejt integrimeve perëndimore, organizatave botërore, përfshirë edhe anëtarësimin në OKB.07

Referatin kryesor të veprimtarisë me titull : “UÇK – Roli i saj ne çlirimin e Kosovës”  e mbajti zoti Petrit Zanaj, ish kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe ish pjesëtar i Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Siç tregon edhe vetë tituli, ai kryesisht u përqëndrua në rolin e UÇK-se për çlirimin e Kosovës. “Që në fillim do të theksoja se për ushtarakët aktivë e profesionistë, pjesëmarrës në luftën për çlirimin e Kosovës, UÇK-ja dhe roli i saj në Luftën Çlirimtare janë të shënjta, jo vetëm si simbol, por veçanërisht edhe si produkt në çështjen kombëtare në tërësi dhe atë kosovare në veçanti”, theksoi ai. Pastaj ai bëri një përshkrim të organizimit dhe taktikave ushtarake të UÇK-së si një organizim ushtarak, masovizimin e saj për një periudhë shumë të shkurtër kohore, dukuri e paparë gjer atëherë në hapësirat tona, madje edhe në botë. UÇK-ja kishte një përparësi, epërsi mbi forcat armike, sepse ajo po luftonte në vendin e saj, ata e njihnin mirë terrenin, prandaj, pjesëtarët e UÇK-së e kishin lart moralin luftarak, ishin më të motivuar për të luftuar për Kosovën dhe gëzonin përkrahjen, mbështetjen e popullit të Kosovës dhe figurave më të njohura intelektuale të kombit tonë. Edhe Petriti, duke analizuar faktorët dhe teoritë e ndryshme për çlirimin e Kosovës erdh në përfundim se: “Kosova u çlirua nëpërmjet veprimeve të bashkërenduara luftarake të forcave të NATO-s, kryesisht ato ajrore, me forcat e UÇK-së që luftonin në terren, nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”Veprimtaria pastaj mori formen e nje bashkëbisedimi ku shume bashkatdhetarë shprehen ndjenjat dhe mendimet e tyre për këtë ngjarje të madhe kombëtare. Zoti Maliq Arifaj, veprimtar veteran i çështjes shqiptare dhe asaj kosovare në diasporën e Amerikës, foli me emocione për mbështetjen, solidarizimin, mikpritjen që populli shqiptar u ofroi vëllezërve te tyre nga Kosova. Lumni Shurdhiqi tregoi sesi i kishte përjetuar fillimin e bombardimeve të NATO-s dhe më vonë hyrjen e tyre në Kosovën e lirë. Ai vlerësoi figurën e Dr. Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit si dy shtyllat kryesore të pavarësisë së Kosovës. Zonja Suzana Vangjeli përcolli mesazhin e madh të popullit të Kosovës për liri e pavarësi. Pastaj ajo recitoi disa vargje nga poema e fuqishme e Mitrush Kutelit, “Poem Kosovar”: “Jam shqiptar e kosovar…”. Zoti Abedin Teme theksoi përkrahjen e vëllezërve çamë për vëllezërit e tyre kosovarë, si dhe angazhimin e shqiptarëve të Çamërisë ne Lidhjen e Prizrenit. Ndërsa në luftën e fundit, shumë familje kosovare ishin vendosur në Vlorë, ku ai jetonte atëherë. Po ashtu, zoti Hamdi Gjana, nga Kukësi, foli për gjendjen e atyre ditëve në qytetin e Kukësit, ku me dhjetëra mijëra shqiptarë nga Kosova ishin vendosur në atë qytet, për t’u shpërngulur më vonë në vendbanimet tjera në të katër anët e Shqipërisë. Madje edhe ai vetë kishte strehuar disa familje në apartamentin e tij të vogël. Zoti Bujar Çela foli për përvojën e tij si pjesëtar i Forcave të Armatosura te Shqipërisë, misionin e tij paqëruajtës ne Bosnje dhe kontaktet që kishte patur me kuadrot ushtarake të Kosovës, entuziazmin dhe përkushtimin e tyre për mbrojtjen e Kosovës. Ai kishte thurur edhe disa vargje për këtë rast, të cilët i lexoi para të pranishmëve. Sadik Elshani, ish kryetar i shoqates “Bijte e Shqipes”, njeheresh edhe thurës i këtyre rreshtave, u kujtoi të pranishmëve se përpjekjet për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës kishin filluar qysh atë ditë kur fuqitë e mëdha me vendimet e Konferencës së Londrës, padrejtësisht e ndanë Kosovën dhe krahinat e tjera shqiptare nga Dheu Mëmë. Këto përpjekje ishin këmbëngulëse dhe të vazhdueshme, të pandërprera, duke shfrytëzuar të gjitha format dhe të gjitha mjetet kryengritëse. Pastaj ai përmendi edhe disa ngjarje të rëndësishme nga historia e Kosovës, sidomos periudhën pas vitit 1966, kur ministri famëkeq i Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, Aleksandër Rankoviq, u shporr nga skena politike. Pas vitit 1968 e këndej filloi një ringjallje kulturore, arsimore, atdhetare në Kosovë që kulmoi me themelimin e Universitetit të Prishtinës, hapjen e shumë shkollave të mesme, botimet e shumta, etj. Historia sado e lavdishme, është histori, tani duhet të përqëndrohemi që të ndërtojmë një shtet modern me institucione funkcionale demokratike. Dhe për këtë është i nevojshëm angazhimi i të gjithëvë, sidomos atyre që janë në pozita udhëheqëse, theksoi ai. Udhëheqësit e shtetit, organeve shtetërore dhe partive politike duhet të heqin dorë nga zënkat e ulëta, fyerjet, sharjet dhe akuzat e ndërsjella dhe t’u rreken me seriozitet e përkushtim çështjeve madhore të kombit tonë. Përvoja jonë historike me Serbinë dhe ngjarjet e kohëve të fundit janë dëshmi se provokimet, intrigat, kërcënimet, ëndrrat e tyre për Kosovën nuk pushojnë kurrë.Pas këtyre diskutimeve, veprimtaria vazhdoi me një program artistik të pasur, të përgatitur me disa video me recitime e muzikë të zgjedhur me tematikë, përmbajtje atdhetare që u pëlqyen nga të gjithë të pranishmit. Me këtë rast, sipas traditës së shoqatës sonë, u shtrua një koktej i pasur me pije e ushqime të shijshme – si për festë. Në kekun e stolisur me flamurin e Kosovës shkruhej: “Gëzuar 9 Vjetorin Kosovë”! Atmosfera ishte mjaft e gëzueshme, ngazëllyese, kënga dhe vallja vazhduan gjer në orët e vona të mbrëmjes. Të gjithë e kishin në mendje përvjetorin e ardhshëm, 10 vjetorin, dhe që tani kanë filluar përgatitjet për ta festuar këtë ngjarje ashtu si është më mirë e me madhështi. Në këtë ditë të shenjtë për Kosovën dhe gjithë kombin tonë, shtetit të dytë shqiptar i urojmë mbarësi e përjetësi. Gëzuar!

 

 

 

Filadelfia, 22 Shkurt, 2017

Filed Under: Emigracion Tagged With: 9 vjetorin e Pavaresise, bijte e shqipes, në Filadelfia festuan, Sadik Elshani, se Kosoves

“KIRUG” I RUGOVES, KUNDËR QEVERISË PËR KOMISIONIN E MATJES SË SIPËRFAQES

January 28, 2017 by dgreca

KLUBI  I INTELEKTUALËVE   RUGOVAS”KIRUG”-PROKLAMATE/

1 Kirurgu

Kryesia   e Klubit të Intelektualëve Rugovas “ KIRUG”, në takimin e punës të mbajtur në Prishtinë në datën 23  janar 2017, filluar nga ora 13:00, në përbërje  nga Prof dr Riza Smaka, Prof dr Mujë Rugova, Prof dr Ali B. Muriqi, Prof dr Zymer Neziri,  Prof dr Shemsedin Dreshaj,Prof dr Hysen Lajqi, Prof dr Jeton Kelmendi , Prof dr Azem Lajqi, pas  diskutimit, njëzerit miratoi këtë:

PROKLAMATË

Klubi   i Intelektualëve Rugovas ( KIRUG), e  mbështet fuqishëm  dhe e vlerëson të drejtë, konsistent dhe konsekuent   qendrimin    parimor  të Forumit të  Intelektualëve Rugovas ( FIR) tok me përfaqësuesë të subjekteve politike   dhe  të  qytetarëve të Rekës,  Rugovës dhe Pogurit ,të  miratuar  në takimin e datës 22 janar 2017, të mbajtur në Pejë  , me të cilin, është refuzuar me indinjatë marrja  pjesë  edhe e  përfaqësuesve të  qytetarëve të Rekës, Rugovës dhe Pogurit në Komisionin Qeveritar  për Matjen e Sipërfaqes së Kosovës!

FIR-i , edhe sipas   vlerësimit të KIRUG-ut ,  ka konkluduar drejtë se temë aktuale dhe akute kontestuese është  via kufitare ndërmjet Kosovës dhe  Malit të Zi,  por, jo edhe  matja   e sipërfaqes së vendit tonë , ndryshe, e planifikuar për të lehtësuar   procesin e ratifikimit të Marrëveshjes  për Demarkacionin e  Kufirit  të Kosovës dhe Malit të Zi,

  • matja e territorit të vendit , nuk do të duhej as nuk do të mund të bëhej   drejtë as realisht  para se të   demarkohej kufiri  ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi  në  përputhje me delimitacionin   e të njëjtit nga  viti 1945 , sipas të cilit, linja kufitare , nga atëherë ( Acqiured Right)  ka konsistuar  nga Qafa e Çakorrit – Mokrat- Hajla- Kulla !,çfarë do rezultati nga matja e tashme e  sipërfaqes së Kosovës , kurrsesi  nuk do të mund të shërbente si pretekst justifikues për  ratifikimin e  Marrëveshjes për  Demarkacionin e Kufirit Kosovar – Malazez ,  paradoksalisht të sponsoruar fuqishëm nga Qeveria e Kosovës , me të cilën, propozohet  devijim negativ  dhe i dëmshëm  i vijes kufitare të  fituar historikisht (Acquired Right) e të njohur me  dokumentet kushtetutare ligjore   dhe zyrtare të Kosovës, Sërbisë, Malit të Zi, YU II si dhe me dokumente  juridike ndërkombëtare!,
  • Qeveria e Kosovës ,duke e  shpërfillur  kufirin kosovar – malazez   historik  , sipas së drejtës së fituar  , të  delimituar e të  sanksionuar nga viti 1945 në linjen Qafë e Çakorrit –  Mokra- Hajle- Kullë, deri tani asnjëherë të  modifikuar në procedurë legale, nga shkaqe që vetëm ajo  mund t’i  dijë ( sic) ,  gjithnjë, makijavelisht dhe  paskrupulla shtetërore, synon  të ratifikojë  Marrëveshjen për Demarkacionin e Kufirit Kosovar – Malazez  edhe pse është në dëmin e integritetit territorial të vendit për hiq më pak se 82 km2  ndaj ,
  • kundershtohet fuqishëm dhe  me indinjatë,  matja  aktuale e territorit të  Kosovës para fiksimit  përfundimtar dhe  të drejtë të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi të bazuar (jo vetëm në të dhënat kadastrale sekondare e suplementare ) në faktorët gjeografikë, ekonomikë, historikë, etnikë , në dokumentet zyrtare të Kosovës, Malit të Zi, Sërbisë dhe  YU II si dhe në aktet ndërkombëtare me të cilat  kufinjët administrativë ndërmjet njësife federative të YU II, janë pranuar për    linja kufitare ndërshtetërore pra edhe kufiri i  Kosovës dhe Malit të ZI  në linjën Qafë e Çakorrit – Mokra – Hajlë – Kullë!

Aktualisht ,Qeveria e Kosovës , në këto ditë , ka formuar Komisionin Qeveritar për Matjen e Sipërfaqes së Kosovës ,në  të cilin do të emëroheshin  edhe përfaqësues të zonave kufitare kosovare – malazeze të Rekës, Rugovës dhe Pogurit! Pikërisht ,Qeveria   e Kosovës, edhe në  këtë mënyrë, paradoksalisht ,orvatet për të krijuar pretekste inkonsistente  për ratifikimin  imediat të  Marrëveshjes për Demarkacionin  e Kufirit të Kosovës dhe Malit të Zi, edhe pse, e njëjta  është  tërësisht  e gabuar dhe  e dëmshme për integritetin territorial të   vendit tonë, për hiq më pak se, 82 km 2!

Ndryshe, çështja   kontestuese ndërmjet  Qeverisë së Kosovës ,në një anë dhe, opozitës parlamentare, sëpakut 210 000 qytetartëve peticionistë kundërshtues të Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit të Kosovës dhe Malit të Zi , të shumë intelektualëve kundershtarë të   demarkacionit   në  fjalë ,të  manifestuar   nëpërmjet një numrit evident të  eseve, analizave kritike , artikujve  profesionalë , studimeve shkencore dhe , sëpakut ,dy librave të recensionuara e të publikuara  si dhe të  disa   tubimeve gjithëpopullore protestuese, në anën tjetër, nuk i referohet sipërfaqes së vendit, por , linjës kufitare   deviante , të gabuar, të dëmshme e të bazuar vetëm në  të dhëna sekondare , suplementare kadastrale problematike të propozuar nga Komisioni Shtetëror i  Kosovës për Demarkacionin  e Kufirit të Kosovës dhe Malit të Zi, të  cilen , iracionalisht dhe  paradoksalisht e  mbështet Qeveria e Kosovës!

Komisioni Shtetëror i Republikës së Kosovës për Demarkacionin e Kufirit të Kosëvës me Malin e Zi , gjatë  negociatave me  Komisionin për Demarkacionin e Malit të ZI, ka  bërë dështime qenësore në  disfavorin  e integritetit territorial të   Republikës së Kosovës , nga se,   një ,në vend të  negocimit bilateral kosovar – malazez  të mbeshtetur në  valorizimin  e  faktorëve  primarë    natyrorë (të determinuar nga  konfiguracioni   i  terrenit  ,siç janë   majat,  kreshtat, qafat,  ujëndarjet e ujërëniet, vargmalet ), gjeografikë,   gjeostrategjikë, historikë,  etnikë të balansuar,   ekonomikë, pronësorë , ka praktikuar vetëm kadastrin ( sic) ,ndryshe,  komponentën e karakterit sekondar, subsidiar  si dhe, dy , në vend të  demarkacionit  kufitar kosovar- malazez sipas  delimitacionit të bërë në shkurtin e vitit 1945, të pandryshuar asnjëherë , Komisioni  Shtetëror për Demarkacionin e Kufirit Kosovar – Malazez,  jashtë mandatit të caktuar nga Kuvendi, ka aplikuar  ridelimitacion madje  të  gabuar, të  emërtuar “demarkacion” e ,për të qenë edhe më keq, panevojshem e me asgjë të justifikuar  të dëmshëm për integritetin territorial të  vendit tonë  ( Sikundër dihet e me asgjë nuk  mohohet,  Komisioni për Demarkacionin ishte i autorizuar  për   ridelimitacion kufitar   kosovar- malazez, por, përkundrazi , nga Kuvendi i RK-së, ishte i mandatuar  qe , në bazë delimitacionit  egzistues nga  viti 1945 ,   të  aplikojë  demarkacionin nëpërmjet rektifikacioneve të balansuara  në terren!

Seandejmi , KIRUG-u   kërkon nga Qeveria e Kosovës që ,  në vend të aplikimit të matjes “sa për matje”  të  sipërfaqes së Kosovës  para fiksimit  përfundimtar e të drejtë të kufinjëve shtetëror  ,  të ndryshojë  qendrimin e deritashëm për ratifikimin e pakusht të Marrëveshjes për Demarkacionin, ashtu që , vendoshmërisht  të   angazhohet për  demarkacionin  kufitar të vendit tonë konform me delimitacionin e  kufinjëve administrativë të njësive federative të   ex YU II ( 1945- 92)   përkatësisht të   kufirit të Kosovës dhe Malit të   Zi ( Qafë e Çakorrit –  Mokra – Hajle – Kullë)  ,i cili  nga viti 1945 nuk ka ndryshuar asnjëherë dhe si i tillë  është i  konfirmuar  me dokumente kushtetutare të  YU II, Kosovës, Sërbisë, Malit të Zi si dhe me akte relevante   politike dhe  juridike ndërkombëtare!

KIRUG-u edhe në këtë rast  prononcohet për  demarkacion ndërkufitar të vendit tonë me Malin e Zi por  të bazuar në delimitacionin e vitit 1945 ( të cilin, koincidentalisht, kryesisht , e kanë   disajnuar vetë malazezët  në krye me Millovan Gjillasin, Milladin Popoviqin,  Svetozar Vukmanoviq Tempo-n …), i cili, si i tillë, figuron edhe në hartat zyrtare të   Kosovës ,Malit të Zi, Sërbisë, YU II si dhe në  në tekstet dhe publikimet  shkollore, universitare dhe  shkencore , në enciklopeditë bashkëkohore të shteteve në fjalë si dhe të shteteve tjera.

Ndryshe,  KIRG-u , për shtetin Mali Zi , edhe  këtu shprehë mirënjohje  për pranimin e vendit tonë për shtet të pavaruar e  sovran   dhe , është i  përcaktuar   fuqishëm për  krijim dhe kultivim të marrëdhënieve fqinjësore të mira e të qendrueshme ndërmjet tij dhe vendit tonë!

KIRG-u , nga shkaqe politike e pragmatike , duke e abstraktuar dimensionin e faktorin historik   para vitit 1945,   angazhohet dhe thekson se :

  • kufiri Kosovar – Malazez duhet të demarkohet dhe të sanksionohet konform me delimitacionin e të njëjtit në vitin 1945 ,në linjen  Qafë e Çakorrit- Mokra – Hajlë – Kullë,kufiri i tillë do të mbetej i pakontestuar dhe si i tillë i qendrueshëm dhe do të krijonte parakushte të volitshme për  kultivim të raporteve  shoqërore, ekonomike, politike, kulturore, shkencore reciproke të  dobishme ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe se matja eventuale e sipërfaqes para  fiksimit të drejtë dhe përfundimtar të kufirit , në këtë rast, ndërmjet  Kosovës dhe malit të Zi, do t’ishte iracionale, e panevosjme dhe e dëmshme për aq sa do të  shfrytëzohej  si pretekst  lehtësues pro ratifikimit të  demarkacionit të versionit qeveritar të dëmshëm për  integritetin territorial të vendit tonë!

 

Kryetari i KIRUG-ut                                      SEKRETARI I KIRUG-ut

 

Prof dr Riza SMAKA                                        Prof dr Jeton KELEMENDI

Filed Under: Analiza Tagged With: KIRURG, Kudner Komisionit, per matjen e siperfaes, se Kosoves

A njohin në Prishtinë dhe në Tiranë projektin serb të ndarjes së Kosovës?!

January 11, 2017 by dgreca

1-enver-bytyci-1Shkruan: Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi/

1-ok-haradinaj-arrestArrestimi i Ramush Haradinajt për një urdhër absurd e të vjetëruar të Serbisë është pjesë e një skeme, të cilën e luan me shumë zotësi e shkathtësi diplomatike e politike Beogradi. Ndërkohë që në mos ka gjetur bashkëpunëtorë në Tiranë e në Prishtinë, kryeqyteti serb përfiton nga inferioriteti shqiptar, nga deliri ynë, nga pasioni anadollak për konflikt të brendshëm dhe nga tamahu për ta përdorur pushtetin në funksion të parasë e të pasurisë. Shihni çfarë ndodh: Pas arrestimit të Haradinajt presidentit serb, Tomislav Nikoliç, i ndalohet hyrja në Kosovë. Thonë se gozhta del me goxhdë, por edhe rraset thellë me çekiç. Është e paprovuar nëse po nxjerrim gozhdën me gozhdë apo po shtyjmë gozhdën me çekiç në trupin tonë. Ata që fërkojnë duart për vendimin që Nikoliç të mos shkelte në Shterpcë janë entuziastë se po nxjerrin gozhdën e fletëarrestimeve serbe nga trupi ynë. Ndërsa të lumturuarit në Beograd, kundërshtarët e Nikoliç ose jo, besojnë se kanë në dorë çekiçin dhe se i mëshojnë gozhdës, jo vetëm për të përshkuar mishin tonë, por edhe kockën tonë nacionale kolektive . Nikoliç, i zemëruar foli në Krishtlindjet ortodokse të ritit sllav për “forcën” e Serbisë dhe për kufijtë e sjelljes së Prishtinës. Në këto kufij ai paralajmëron institucionet e Kosovës sa i përket pavarësisë, duke kujtuar se “Të mos mendohet që Kosova do ta realizojë pavarësinë” dhe duke paralajmëruar se “Serbia është e fortë dhe se Kosova duhet ta njohë forcën e Serbisë”!!! Ndërkaq kreu i Kishës Orthodokse të Serbisë, Irinej, deklaroi se “Kosova është Gologota dhe Jeruzalemi i Serbisë” dhe se “Sa kohë të ketë mbi tokë serbë, Kosova do të jetë tokë serbe, shiprti i Serbisë”. Të dy, Nikoliç dhe Irinej, qenë pranë njëri-tjetrit kur bënë këto deklarata. Dukej si një orkestrim force përballë asaj që në Prishtinë u përjetua si “fitore” ndalimi i presidentit të Serbisë për të kremtuar pashkët në Shtërpcë të Kosovës. Kjo sjellje e njeriut me pushtet politik dhe atij me pushtet shpirtëror në Serbi i ngjan një pamjeje, pasojat e së cilës i njohim në periudhën e sundimit të Milosheviçit. Por a është kjo gjithë panorama e vërtetë e sjelles së Serbisë kundrejt Kosovës, institucioneve të saj dhe shtetësisë së saj?! Sigurisht që jo. Shumica e udhëheqësve të Serbisë ndërsa heshtin, veprojnë me një shkathtësi diplomatike e politike të jashtëzakonshme. Vuçiç nxori Milorad Dodikun që të shpaloste idenë dhe platformën e ndarjes së Kosovës. Ai u shpreh pas arrestimit të Haradinajt se “Katër komunat e Veriut të Kosovës i duhen bashkëngjitur Serbisë”, duke nënkuptuar që pas kësaj shqiptarët le të bashkohen në një shtet të vetin. Më tej, Nikoliç nuk u lejua të shkonte në Shterpcë, por Gjuriç, pavarësisht ndalimit të tij për të hyrë në territorin e Kosovës, nuk ndalet asnjëherë të vizitojë veriun e Mitrovicës dhe t’u cicërojë serbëve të atyre katër komunave që përmendi Dodik për refuzimin e institucioneve të Kosovës dhe ruajten e lidhjeve institucionale me Beogradin. Në Tiranë politikanët, qeveritarët tanë, u besojnë deklaratave jo zyrtare, informale në tallavatë politike me mandolinën e Daçiç-it ministër i Jashtëm, sipas të cilit “këta politikanët e moderuar në Beograd e njohin faktin që Kosovën e kanë të humbur”, por që “shqiptarët duhet të mirëkuptohen për pamundësinë e zgjidhjes përfundimtare të konfliktit midis Prishtinës dhe Beogradit” për shkak të sentimentit nacionalist të kombit serb. Pasi i vinë në gjumë me të tilla ninulla politikën dhe diplomacinë tonë që mburret për vepra të mëdha filloi të ndërtohet muri ndarës midis shqiptarëve dhe serbëve. Po ku? Aty ku rrjedh lumi i Ibrit, në mes të qytetit të Mitrovicës, aty ku katër komunat e planifikuara të mos kenë më asnjë kontakt fizik me Kosovën dhe institucionet e saj. Kreu i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, paska qenë në dijeni të ndërtimit të një muri 80 cm të lartë, dmth se muri ndarës po ndërtohet me pëlqimin e palës shqiptare. U prit shkarkimi i tij prej detyrës së kryetarit të komunës së Mitrovicës, por kjo nuk ndodhi. Përkundrazi Vetëvendosja i shkoi menjëherë në ndihmë dhe iu bë patericë zotit Bahtiri, duke zevendësuar LDK-në në qeverisjen lokale të Mitrovicës së Jugut dhe duke ia mundësuar shumicën në kuvendin komynal zotit kryetar të komunës. Muri u harrua edhe pse hedh shtat në ditë ngricash gjatë bregut verior të Ibrit. U harrua, sepse nuk mundën të hapin gojë as presidenti e as kryeministri i Kosovës. Ndërsa këta të Tiranës sonë “të kuqe”, të cilët në Beograd përdorin formula nacionaliste të rrejshme, heshtën gjithashtu. Muri i Mitrovicës ishte një test. Po aq sa është një test arrestimi i Ramush Haradinajt, i cili qe i vetmi që deklaroi se “Tokën e Kosovës askush nuk mund ta shesë apo ta falë”. Nëse Haradinaj lirohet nga arresti serbo-francez, ka shumë shanse që Kosova të marrë një rrugë zhvillimi të re për zgjidhjen e konfliktit me Serbinë sa i përket veriut të Mitrovicës. Nëse ekstradohet në Beograd, ka shumë shanse që Kosova dhe rajoni të destabilizohen. I vetmi autoritet në Kosovë që mobilizon atdhetarisht shqiptarët kundër padrejtësisë e në mbrojtje të territorit të Kosovës duket se është Ramush Haradinaj. Si me prezencën ose joprezencën e tij, ai do të përcaktojë me shumë gjasë të ardhmen e saj e të shtetësisë së saj në të gjithë territorin. Sido që të jetë është ende heret të hamendësohet gjithçka. Por nuk ka asnjë dyshim se arrestimi i tij ka të bëjë me projektin e ndarjes së Kosovës. Nuk ka të bëjë me propagandën e Nikoliç apo të Irinejt, për gjoja moslejimin e pavarësisë së Kosovës. Një Kosovë e pavarur apo e bashkuar me Shqipërinë pa veriun e saj është tashmë projekti i vetëm I Serbisë dhe të gjitha lëvizjet politike të Beogradit shkojnë drejt realizimit të këtij projekti. Se Beogradi ka në projekt ndarjen e Kosovës, këtë e kanë dëshmuar liderët politikë në Beograd. Psh. Ivica Daçiç thoshte para tri vitesh se “Ne nuk na intereson se në sa shtete jetojnë shqiptarët, ne na interesojnë serbët”, çka do të thotë se në Beograd janë pajtuar që me ndarjen e Mitrovicës të lejohet bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Ka “nacionalistë” këtu në Tiranë, të cilët e mbështesin këtë formulë serbe. Lëvizjet dhe qëndrimet që mbajnë disa politikanë në Kosovë më japin përshtypjen se pranojnë një zgjidhje si kjo të asaj që quhet konflikt midis Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa qeveria e Tiranës është gjithashtu e gatshme të punojë bashkë me Beogradin për një skenar të tillë. Gatishmëria e qeverisë së Tiranës për kompromisë territorial me Beogradin mund të joshet me mbështetjen nga ndonjë vend europian për të qëndruar në pushtet sa më gjatë. Nuk duhet patur asnjë dilemë, për atë nëse këtë formulë e kanë biseduar zoti Rama dhe zoti Vuçiç ndërmjet tyre. Nuk ka asnjë dilemë, se kjo formulë është transmetuar edhe në Prishtinë nga të dy liderët në garë për lidership në Ballkan. Për këtë shkak arësyetimi shkon deri aty sa të besohet fakti që arrestimi i Haradinajt është një pjesë e skemës së një projekti të madh, ridefinimit të kufijve të Kosovës e të shqiptarëve me Serbinë, dmth, përpjekja për t’i falur Serbisë pasuritë më të mëdha të Kosovës e të Ballkanit. Në dobi të këtij projekti janë realizuar të gjitha mikroskemat e këtyre viteve të fundit. Beogradi ka mundur të bindë shumë politikanë dhe shtete në Perendim, se ajo “nuk mund të fyhet”. Ministra të jashtëm të vendeve të BE-së i kemi dëgjuar të thonë se “Ne duhet t’ia ruajmë fytyrën Serbisë”, gjë që përkthehet në një paketë lëshimesh që i duhen bërë dhe faktikisht i janë bërë asaj. Pastaj nxitën përmirësimin e klimës midis Tiranës dhe Beogradit. Me Berishën duket se e kishin të pamundur ta bënin këtë dhe sollën zotin Rama si partner entuziast të bashkim-vëllazërimit midis shqiptarëve e serbëve. Aq shumë u lidhën bashkë dy qeveritë e dy kryeministrat e dy vendeve përkatëse, sa tashmë nuk kishte asnjë dyshim për dakortësinë e palëve në planet e reja dhe rindërtimin e gjeopolitikës në rajon. Ndërsa nga viti 2013 e këtëj vazhdoi i ashtuquajturi dialog midis Prishtinës dhe Beogradit, një dialog që nuk solli ndonjë perspektivë për Kosovën, përkundrazi bllokoi njohjet e shtetësisë së saj, bllokoi zgjidhjet për shtrirjen e sovranitetit të Prishtinës në veri të Mitrovicës, bllokoi iniciativat kushtetuese për shtetndërtim dhe qasje konstruktive në këtë drejtim, i hapi rrugë rikthimit të Beogradit në Kosovë dhe imponimit nga ana e tij të politikave shoviniste kundër shqiptarëve. I gjithë ky diversion i Beogradit në Kosovë është pasojë e bashkëpunimit të boshtit Tiranë – Prishtinë – Beograd, bashkëpunim që i dha Serbisë kredite në aspektin ndërkombëtar, duke forcuar kështu pozicionin e saj politik e diplomatic. Në këtë lojë bashkëpunimi qeveria serbe mori mbështetjen ndërkombëtare si një “qeveri e moderuar dhe konstruktive në rajon”. Dmth atë cilësi që e mbartën Shqipëria dhe shqiptarët nga viti 1990 e këtej, tashmë e transferuam me kontributin tonë e pa të drejtë te kundërshtari më i vendosur i yni, te politika dhe qeveria e Serbisë. Edhe pse këtë qeveri e drejtojnë tre ish-ministra të Milosheviçit, ata tashmë shihen si viktima, ndërsa shqiptarët si problem i rajonit. Dhe kjo falë kontributeve të Tiranës dhe Prishtinës. Ndërkaq Beogradi përfitoi njëkohësisht nga euforia jonë, nga vetëmburrjet tona, nga vetëmashtrimet tona që na i ushqeu me ose pa djallëzi lidershipi ynë politik e qeverisës, sidomos në Tiranë, por nganjëherë edhe në Prishtinë. Edhe në rastin e Haradinajt apo të ndërtimit të murit nuk munguan notat patetike folklorike të statuseve në Tëiter apo FB me plot mburrje e me pak profesionalizëm. Aq të paditur e të painformuar qenë ministrant tanë sa Sajmir Tahiri në letrën e tij drejtuar Europolit e Interpolit thoshte se “Ramush Hajradinaj u arrestua në aeroportin e Parisit”. Por asnjë fjalë për atë se çfarë duhet bërë dhe si duhet zgjidhur konflikti! Asnjë shenjë lëndimi për palën që i shkakton këto konflikte, murëndërtuesit e urdhërdhënësit e arrestimeve të paligjshme e të padrejta, asnjë kritikë për Beogradin dhe lidershipin politik të tij?! Nga viktima të terrorit serb në Kosovë shqiptarët po kthehen gradualisht në sytë e botës së qytetëruar si problem i Ballkanit. Sigurisht që në Beograd e kanë një plan veprimi për këtë lloj diversioni kundër nesh, maje edhe në Moskë dhe kryeqytete të tjera të Ballkanit. Por gjithashtu ne shqiptarëve, nën frymëzimin e politikës, na pëlqen të shesim p…rdhë edhe atëherë kur dështojmë. Nuk na pëlqen e vërteta kur dështojmë dhe tundim flamurin e fitores me tepri kur arrijmë ndonjë sukses të rastit. Mungesë kulture, maturie dhe mençurie! Beogradi ia ka arritur që politika shqiptare të merret me veten e jo me problemet e shtetit e të shtetësisë. Grindjet dhe konfliktet politike në Tiranë dhe në Prishtinë janë të shkallës më të lartë të mundëshme e si të tilla ato ndihëmojnë ose së paku lehtësojnë në maksimum implementimin e skemës së Serbisë për ndarjen e Kosovës. Ne nuk kemi parë deri tani ndonjë program politik e më të gjerë se politik, kombëtar, për t’iu kundërvënë strategjisë së ndarjes së territorit. Parlamentet shqiptare zihen e depatojnë për gjithçka, por jo edhe për rrezikun e copëtimit të territorit. Në takimet e shumta midis lidershipit shqiptar të Prishtinës e Tiranës apo me lidershipin e Beogradit është folur për gjithçka, po asnjëherë për të demantuar projektin e Beogradit për ndarjen e Kosovës. Në mediat shqiptare kjo temë gati është eleminuar nga elaborimi i saj për shkak të ndikimit të politikave të ditës dhe përparësisë që kanë grindjet e konfliktet politike ndërpartiake. Të qenit partizan i një partie është lehtësi e jashtëzakonshme për Serbinë dhe politikën e saj antishqiptare. Militantët partiakë mëkohën ideologjikisht me interesat e partive dhe jo me interesat e kombit e të atdheut. Ndërkaq politika shqiptare si gjithnjë e adresoi kritikën e saj të Bashkimi Europian, në vend që të shohë vetëveten dhe operacionet serbe për një ndarje tjetër të territorit shqiptar. Të korruptuar deri në kockë, të papërgjegjshëm për interesat vendit e të kombit që përfaqësojnë, politikanët shqiptarë e kanë shumë më vështirë të bisedojnë sinqerisht me njëri-tjetrin, sesa me politikanët e Serbisë. Kështu ka ndodhur gjithmonë me politikën tonë, në kohën e Pashiqit, të Rankoviçit, të Milosheviçit, Tadiçit e sot të Vuçiçit!!! Paradoks tipik shqiptar i sponsorizuar prej Serbisë dhe armiqve të tjerë të shqiptarëve, por jo prej Europës, të cilën politika zyrtare e ka kaq inat! Përkundrazi, europianët dhe amerikanët kanë dhënë porosi të qartë që politika shqiptare të “vendosë interesat kombëtare mbi interesat parciale e personale”. Por është e vetmja këshillë, që këtyre tanëve nuk iu pëlqen. Të zhytur në korrupsion dhe në një garë të ethshme pasurimi për të fituar ose për të zgjatur jetën në pushtet, politika jonë në Tiranë dhe në Prishtinë nuk e ka mendjen te atdheu e te kombi, as te rreziku i ndarjes së Kosovës. Ne shqiptarët nuk e kemi konfliktin me Europën, aq me pak më Amerikën, e kemi me veten! Kur ta kuptojmë këtë, do të fillojmë të bëhemi shtet e komb i civilizuar dhe i merituar, krenar dhe dinjitoz. Prandaj ne duhet të kemi projektet tona në përballje me projektet shkatërruese të Serbisë kundër nesh, para së gjithash për të mbrojtur territoret tona. Historikisht konflikti ynë me Serbinë është zhvilluar si konflikt për territore dhe për këtë arësye ne duhet t’i përgjigjemi dialogut me Beogradin vetëm atëherë kur të jepen garanci se qeveritë serbe kanë hequr dorë nga pretendimet për territore shqiptare. Megjithëse kushtetuta serbe e rivendikon territorin shqiptar, ne bëhemi patericë e përpjekjeve të Beogradit për të na zhvatur pasuritë e territoret tona. Aktualish Serbia ka nevojë të ngutet në projektin e ndarjes së Kosovës. Presioni ndaj saj për të dakortësuar pranimin e Kosovës në OKB është një nga arësyet e ngutjes serbe. Angjela Merkel e bëri përsëri të ditur se Serbia nuk mund të pranohet në BE pa rënë dakord për anëtarësimin e Kosovës në OKB. Ky presion është i mjaftueshëm që Beogradi të nxitojë me skenarin e ndarjes së veriut të Mitrovicës dhe miniskenarët e trazimit të ujërave në Kosovë, qofshin këto dhe në formën e një testi, për të provuar sa të vendosur jemi në rrugën tonë të lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit. Ndërkaq lidershipi shqiptar e kërkon kokrrën në filxhanin e gabuar, i hakërrehet Europës. Këtë e bëri në rastin e Haradinajt zoti Rama dhe e përsëriti dje ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Kurse zoti Meta beson se e zgjidhë problemin e Haradinajt me një letër që do t’ia drejtojë kryetares së parlamentit të Serbisë. Naivitet ose jo, kjo është sikur të besosh se kryetarja serbe e parlamentit të ketë marrë teseren e LSI-së. Dhe më së fundi, do të duhet të vijmë tek një konstatim i trishtueshëm: Ambasadorja gjermane në Prishtinë tha para pak ditësh se “Kosova po i humbet miqtë e saj”! Kur thuhet Kosova, do të thotë që shqiptarët po i humbasin miqtë që fituan në fundin e shekullit të kaluar. Kjo do të thotë se miqtë tanë po i fitojnë kundërshtarët tanë, në rastin konkret Serbia. Edhe pse e drejta është në anën tonë, edhe pse Serbia është e akuzuar për krime lufte kundër shqiptarëve, edhe pse në Beograd thuren skenarë antiperendimorë dhe ftohet Rusia të jetë partner strategjik i Serbisë, përsëri ajo fiton terren në raportet e saj me Perendimin dhe në këtë masë Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët humbasin besimin e Perendimit. T’i falemi Zotit që u bëmë anëtarë të NATO-s në një kohë tjetër, se në ditët e sotme do të ishin vështirësuar aq shumë proceset, sa të vihej në diskutim edhe kjo. Po pse shqiptarët po i humbasin miqtë e tyre në Perendim? 1. Një artikull i të hënës së shkuar në revistën prestigjioze gjermane “Der Spiegel” mbyllej duke përmendur orientimin pro Erdogan të qeverisë shqiptare, duke vënë shenjën e barazimit me përgjegjësitë e Beogradit për orientimin e tij prorus. Nuk është kjo një kritikë e thjeshtë gjeopolitike ose gjeostrategjike, sepse askush nuk prêt që shqiptarët dhe turqit të shihen si armiq midis tyre. Kjo është një kambanë sepse po bashkëpunojnë dy oligarkitë e të dy vendeve dhe se ky bashkëpunim nuk ka të bëjë me vlerat perendimore të sistemit demokratik, të cilin ne duam ta ndërtojmë. 2. Korrupsioni është problem madhor te elitat politike dhe lidershipi ynë, si në Tiranë edhe në Prishtinë. Korrupsoni ka prodhuar krim e bashkëpunim me krimin, derisa është inkriminuar edhe parlamenti. Kjo ka bërë që drejtimi i shtetit në të dy vendet tona të orientohet nga sistemi autoritar e oligarkik i qeverisjes, një sinjal ky i rrezikshëm për fatet e Kosovës dhe tërësisë së saj territoriale. Të korruptuarit në Prishtinë e në Tiranë kanë menduar se duke u afruar me Beogradin, pa marrë parasysh dëmet që u shkaktohen shqiptarëve, do të mund të fitojnë heshtjen e Perendimit sa i përket parave të pista r pasurive të paligjshme që elita politike menaxhon. Ndërsa mbushja e parlamenteve tona me deputetë kriminelë e të korruptuar në palcë, është një sinjal i qartë për perendimin, se “me shqiptarët është vështirë të merresh”. Mjafton ky përceptim që t’i largosh miqtë e shqiptarëve nga mbështetja për interesat tona. 3. Perendimi ka bërë vazhdimisht thirrje për bashkëpunim të faktorit politik shqiptar, ndërkohë që ne e transferojmë sherrin tonë të brendshëm në Bruksel, Uashington, Berlin, apo Vjenë. Kjo sjellje adoleshentësh është e mjaftueshme që të humbasim besimin te partnerët tanë perendimorë. 4. Dhe sikur të mos mjaftonin këto, nuk hezitojmë të sulmojmë me kritika të ashpra Bashkimin Europian e në mënyrë të tërthortë edhe SHBA-të. Për të mos folur për mosmirënjohjen që na karakterizon sa i përket kontributeve që ka dhënë NATO e Perendimi për lirinë, pavarësinë e demokracinë te shqiptarët?! Kjo mosmirënjohje është e dukshme, e prekshme dhe vjen për shkak të egoizmit të shfrenuar, në radhë të parë të politikës, por edhe të qytetarëve shqiptarë. Tiranë, më 10.01.2017

Filed Under: Opinion Tagged With: A njohin në Prishtinë dhe në Tiranë projektin serb, se Kosoves, të ndarjes

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës

August 10, 2016 by dgreca

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës vendosi që seanca për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e kufirit Kosovë-Mali i Zi të mbahet më 1 shtator ora 10:00. /

Kryesia e Kuvendit të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt ku ishin të pranishëm anëtarët e Kryesisë dhe shefat e Grupeve Parlamentare nga pozita dhe opozita.

Sipas rendit të ditës dhe pas diskutimeve pro dhe kundër projektligjit të marrëveshjes ndërkombëtare për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, Kryesia vendosi që seanca e radhës të mbahet më 1 shtator në ora 10:00.

Pas mbledhjes së Kryesisë, kryeparlamentari Kadri Veseli tha në konferencë për media se partitë politike duhet të marrin përgjegjësi dhe mos të luajnë me emocione të qytetarëve për padrejtësitë historike që u janë bërë ndër vite.

Kryetari i Kuvendit theksoi se Kryesia e partisë që ai drejton ka marrë vendim unanim që ta mbështesë marrëveshjen për shënjimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Më tutje, Veseli shtoi se vendimi për këtë çështje duhet të merret në Kuvendin e Kosovës.

Ai tha se pavarësisht përpjekjeve të partive politike për të ngritur kauza të paqëndrueshme nga emocionet e qytetarëve nga zona të caktuara, nga procesi i marrëveshjes për shënjimin e kufirit dhe nga Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk do të përfitojë askush politikisht.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: e Kryesisë së Kuvendit, Nga mbledhja, se Kosoves, të Republikës

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT