• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Odat ekonomike të Kosovës dhe Serbisë me grup punues për marrëveshjen e Uashingtonit

September 22, 2020 by dgreca

–Grenell: Marrëveshja do të krijojë vende të reja pune–

Odat ekonomike të Kosovës dhe Serbisë janë pajtuar që të krijojnë një grup punues, që do të ndihmojë qeveritë e të dyja shteteve për të zbatuar projektet e marrëveshjes së Uashingtonit nga 4 shtatori, si dhe të ofrojë mbështetje për zbatimin e projekteve të infrastrukturës, energjisë dhe krijimit të vendeve të punës.

Në rezidencën e ambasadorit amerikan në Beograd, Anthony Godfrey, të martën u mbajt takimi i përfaqësuesve të odave ekonomike të Kosovës dhe Serbisë me delegacionin të Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit të Shteteve të Bashkuara.

Në takim kanë marrë pjesë drejtori i Korporatës, Adam Boelher, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell , ambasadori Godfrey, përfaqësuesit e odave të Kosovës dhe Serbisë, Berat Rukiqi, përkatësisht Marko Çadezh si dhe kryetari i Odës amerikane në Serbi, Zoran Petroviq.

Boehler: Normalizimi ekonomik do të thotë investim

Kryeshefi ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA, Adam Boehler, tha se Kosova dhe Serbia me marrëveshjen për normalizim ekonomik, kanë “të mirën e popullit dhe jo politikës”.

“Dua të shpreh mirënjohjen për Prishtinë dhe Beogradin që kanë vendosur në të mirën e popullit dhe jo politikë sepse në fund të fundit, normalizimi ekonomik do të thotë investim. Kjo nuk është një situatë kur një vend humb e një tjetër fiton”, tha Boehler.

Pas takimit, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se marrëveshja e arritur në Uashington më 4 shtator për normalizim ekonomik, është marrëveshje e rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë si dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Temat politike nuk kanë dhënë investime dhe hapje të vendeve të reja të punës. Ajo që do të bëjmë ne është të fokusohemi në prioritetet e projekteve të ekonomisë dhe shumë të tjera”, tha Rukiqi.

Ndërkaq, kreu i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh tha se do të dëshmohet se marrëveshja e arritur në Shtëpinë e Bardhë, ka sjellë stabilitet në rajon.

“Tash kemi një ekip të përbashkët për të mbështetur projektet dhe për të dhënë ekspertizë qeverive tona që të zbatojnë projektet”, tha Çadezh.

Grenell: Marrëveshja do të krijojë vende të reja pune

Ndërkaq, i dërguari i presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell, tha se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vendosi në rend të parë çështjet ekonomike, sa i përket Kosovës dhe Serbisë.

“Ne nuk do të ishim këtu po të mos ishte presidenti Donald Trump, i cili besoi se mund të bëhej diçka ndryshe dhe që beson se ekonomika duhet të jetë në rend të parë”, tha Grenell duke shtuar se shteti nuk krijon vende pune, por sektori privat.

“Ajo që kemi bërë në Uashington është e mrekullueshme, por nuk është e gjitha, ne duam që ju të na mbani përgjegjës dhe ajo që është në letër duhet të kthehet në punë”, shtoi Grenell.

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Anthony Godfrey, e përshkroi vizitën e delegacionit amerikan si një sinjal të fuqisë së marrëveshjes së Uashingtonit, duke shtuar se ata tani kanë arritur një marrëveshje të re që “do të përmirësojë tregtinë, komunikimet dhe përmirësojë standardet e jetesës së njerëzve në rajon”.

Delegacioni amerikan ka arritur në Beograd në orët e vona të së hënës.

Presidenca serbe ka paralajmëruar se Boelher dhe Grenell do të takohen me presidentin dhe kryeministren serbe, për të nënshkruar deklaratën e përbashkët për bashkëpunim ekonomik.

Një dokument të tillë, zyrtarët amerikanë kanë nënshkruar të hënën edhe me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.

“Marrëveshja që kemi nënshkruar sot (21 shtator) ka qenë zotim për të përshpejtuar investimet në Kosovë. Ne kemi qenë duke punuar në përgatitjet për mundësitë e asaj që ndodhi disa javë më parë. Kemi punuar me ambasadën tonë, me ambasadorin tonë dhe kemi projekte në vlerë deri në 1 miliard dollar. Aty përfshihet Autostrada e Paqes, hekurudha, gazi i lëngshëm natyror. Kemi biseduar edhe për mundësinë e investimit në një resort të skijimit. Po ashtu do të ofrojmë mbështetje direkte për bizneset e vogla dhe të mesme”, ka thënë Boehler në Prishtinë.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Kosove, Odat ekonomike, Serbi

ZGJEDHJET PARLAMENTARE NË REPUBLIKËN E SËRBISË, NË VITIN 2020

June 22, 2020 by dgreca

Nga Gjokë Dabaj/
U dha lajmi që, për parlamentin e ardhshëm të Republikës së Sërbisë, votuan edhe sërbët që jetojnë në Republikën e Kosovës. Duke votuar për parlamentin e Republikës së Sërbisë, këta sërbë e pohuan me votën e tyre se janë banorë të ardhur në Republikën e Kosovës. Ata vërtetuan kështu se janë imigrantë në Republikën e Kosovës dhe, si të tillë, doemos kanë të drejtë të votojnë për atdheun e tyre, në të cilin edhe mund të kthehen një ditë.
Vetë emri i tyre sërbë (srbin) dëshmon që ata janë me prejardhje nga Sërbia. Ashtu si vetë emri malazias (Crnogorac) pohon se ata janë të ardhur nga Mali i Zi.
Tani unë nuk e di: A kanë votuar për parlamentin e Republikës së Sërbisë sërbët e Segedit në Republikën e Hungarisë, sërbët e Timishuarës në Republikën e Rumanisë, ata pak sërbë që jetojnë në Republikën e Maqedonisë Veriore, ata që e quajnë veten sërbë në Malin e Zi të sotmin, ata boshnjakë pravosllavë që e quajnë veten sërbë në Republikën e Bosnjë-Hercegovinës?
Veç kësaj, unë nuk e di: A kanë votuar sot për parlamentin e Republikës së Sërbisë sërbët që jetojnë në Gjermani, në Zvicër, në Francë, në Skandinavi, në SHBA, në Kanada? Nëse po, atëherë s’ka asgjë të keqe që edhe sërbët në Republikën e Kosovës votuan si popullsi e ardhur, e cila atdheun e vet e ka në Republikën e Sërbisë.
Aq më tepër kur të gjithë e dimë që ka edhe shqiptarë të cilët kandidojnë për t’u votuar në disa vende të Evropës, si edhe në SHBA e Kanada. Jo vetëm në Evropën Perendimore e në SHBA, por edhe në Republikën e Greqisë dhe në Republikën e Turqisë, ka shumë shqiptarë që kandidojnë në parlamentet përkatës dhe kjo, pa dyshim, është gjë e mirë. Sigurisht, nëse deklarohen si shqiptarë e jo të jenë shqiptarë e të deklarohen turq apo grekë. Në këtë pikë, shqiptarët dhe arvanitët që jetojnë në Republikën e Greqisë, si dhe shqiptarët që jetojnë në Republikën e Turqisë, duhet të marrin shembull prej sërbëvet, të cilët kam përshtypjen se asnjëherë nuk regjistrohen si shqiptarë dhe rrallëherë si rumunë, hungarezë, suedezë, gjermanë.
Me këtë rast duhet bërë edhe një dallim midis shqiptarëvet të Anamoravës, që sot kanë votuar për kandidatët e vet në parlamentin e Republikës së Sërbisë dhe sërbëvet, banorë aktualë të Republikës së Kosovës, që gjithashtu votuan për atë parlament. Sërbët e Republikës së Kosovës janë të ardhur, janë imigrantë, siç e thashë dhe siç edhe ata vetë e dinë, kurse shqiptarët e Anamoravës janë vendës, trashëgues historikë të iliro-dardanëvet, prej mija vjetësh në Anamoravë. Mjafton të përmendim vetëm kaq: As Konstantini i Madh, as Justiniani i Madh, që janë perandorë ilirë, nuk kanë qenë të ardhur në këto anë, por ishin vendës. Ndërsa Nemanjiqtë, filluar nga Stefan Nemanja deri te Car Dushan Sillni, që të gjithë kanë qenë pushtues të tokavet tona.
Së fundi, duhet të shënojmë këtu edhe një dedukcion tjetër: Nëse sot nuk kanë votuar për parlamentin e ri të Republikës së Sërbisë, përveç sërbëvet që jetojnë si imigrantë në Republikën e Kosovës, edhe sërbët (apo ata që e quajnë veten sërbë për shkak të përkatësisë fetare pravosllave), në Seged, në Timishuarë, në Republikën e Bosnjë-Hercegovinës, në Republikën e Malit të Zi, në Evropën Perendimore, në SHBA dhe në Kanada, atëherë është shumë keq për kombin sërb. Është shumë keq, madje s’ka ku të vejë më keq, për Sërbinë dhe për kombin sërb, sepse, duke e konsideruar Republikën e Kosovës si “pjesë të Sërbisë”, udhëheqja sërbe, e dirigjuar prej një kaste kallugjerësh mjekërroshë, të dehur, sarhoshë e xurxull gjithë jetën, po e çon kombin sërb drejt një vetëhumbjeje katastrofale.
Askush nuk do të mund ta ruajë Sërbinë nga një asgjësim total, nëse do t’i hyjë aventurës për të zgjatur thonjtë mbi cilëndo pjesë të Republikës së Kosovës, le më mbi krejt këtë shtet, i cili është ndërtuar mbi gjakun dhe eshtrat e qindra mijë shqiptarëvet!
Sërbët duhet ta dinë se nuk është më, as gjysma e dytë e shekullit XIX, as gjysma e parë e shekullit XX! Sërbët duhet ta dinë që, ky vit i zgjedhjevet të tyre, është viti 2020!

21-22 qershor 2020.         

Filed Under: Analiza Tagged With: Serbi, zgjedhjet Parlamentare

SHBA-ja pret rinisje të shpejtë të dialogut, qëllimi final njohja e plotë

June 8, 2020 by dgreca

Me reciprocitetin e larguar në fundjavë dhe me fushatën aktive të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës, synohet t’u jepet intensitet veprimeve në rinisjen e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje finale. Por mbetet e paqartë se kush do ta ndërmjetësojë rikthimin e palëve në tryezë- Brukseli apo Washingtoni.

Pavarësisht veprimeve të Serbisë dhe deklaratave kundër Kosovës, për Shtetet e Bashkuara njohja e plotë është ajo që duhet synuar në fazën përfundimtare të dialogut, ka shkruar sot gazeta”Koha” ne Kosove.

Gazeta ka pyetur në zyrën e Richard Grenellit, që është emisar i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, nëse është duke u përgatitur mbajtja e ndonjë takimi dhe kohën kur mund të ndodhë kjo, por kanë sugjeruar që për këtë të pyetet Ambasada e këtij shteti në Prishtinë. Në përgjigjen e Ambasadës amerikane të dielën nuk kanë saktësuar ndonjë datë, vetëm kanë thënë se presin që dialogu të rinisë sa më shpejt. Po ashtu, kanë treguar se cili është interesi më i mirë për të dyja palët.

“Ne e mirëpresim vendimin e Qeverisë për heqjen e të gjitha masave të ndërmarra kundër Serbisë dhe tani presim që dialogu të rifillojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Njohja e plotë është në interesin më të mirë të Kosovës dhe të rajonit, për të siguruar kështu stabilitet dhe përparim ekonomik”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane dërguar gazetës.

Shtetet e Bashkuara, që janë përfshirë aktivisht në dialog, e kanë lënë në dorën e Kosovës dhe të Serbisë që të arrijnë zgjidhjen që duan. Me ndërmjetësimin e emisarit të presidentit Trump, ambasadorit Richard Grenell, deri tani janë nënshkruar edhe disa marrëveshje që prekin linja hekurudhore dhe ajrore.

Edhe njohësi i çështjes së Ballkanit, Daniel Serwer, ka parashikuar ndezje të motorëve në funksion të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje të shpejtë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Filed Under: Kronike Tagged With: rinisja e dialogut, Serbi

“Bashkim doganor”, ide e Vuçiqit e rrezikshme për Kosovën

April 8, 2017 by dgreca

Nga Bekim Bislimi/Ideja për një bashkim doganor dhe treg të përbashkët të Ballkanit perëndimor, nuk i konvenon Kosovës, bazuar në rrethanat aktuale politike dhe ekonomike të saj, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve ekonomike -politike dhe integruese të vendit.

Ideja për bashkim doganor, të cilën e ka favorizuar kryeministri dhe presidenti i sapozgjedhur i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka hasur në mbështetjen edhe të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. 

Ndërkaq, në Samitin e Sarajevës, që është mbajtur muajin e kaluar, është propozuar një treg i përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv i Institutit “Riinvest”, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se propozimi për një union doganor të vendeve të Ballkanit perëndimor, buron nga ideja e Serbisë, e cila, sipas tij, ka tendencë për ta shtruar një kontroll dhe ndikim më të madhe ekonomik në rajon dhe me këtë kontroll, të unifikojë edhe hyrjet doganore të vendeve anëtare.

“Bëhet fjalë për influencë të Serbisë në ekonomitë rajonale dhe natyrisht, Kosova nuk ka një interes të tillë që të ketë një ndikim të Serbisë në këtë rajon, gjithmonë për tu ushqyer pretendimet e Serbisë për status neutral ndaj integrimeve evropiane dhe ndaj influencës ruse në rajon”. 

“Pra, për ne nuk ka kurrfarë përfitimi, përveç se ndikim politik në rritje të Serbisë në rajon. Mungesa e përfitimeve dhe rrjedhimisht, paqartësia e një unioni të tillë e bëjnë këtë projekt tërësisht të parëndësishëm për Kosovën. Do të ishte mirë që Kosova të fliste edhe me Shqipërinë që t’i bindte ata për mosdhënie të përkrahjes, sepse përkrahja fillestare e Shqipërisë është e pakuptimtë dhe e pashpjegueshme në këtë moment”.

Por, Emrush Ujkani, profesor i të Drejtës Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk duhet t’i frikësohet ideve të tilla, sikurse një bashkim doganor ose treg i përbashkët i Ballkanit perëndimor.

Sipas tij, Kosova nuk ka nevojë ta marrë primatin në kundërshtimin e kësaj ideje, por ajo duhet t’i sqarojë vërejtjet dhe t’i realizojë kërkesat e saj, para se një projekt i tillë eventualisht edhe të jetësohet. Ai thekson se Kosova duhet ta ndërtojë dhe ta fuqizojë sovranitetin e saj në çfarëdo kompozicioni.

“Kosova vazhdon të ketë pengesa të ndryshme nga Serbia, duke i diskriminuar edhe mallrat, produktet që prodhohen në Kosovë. Pastaj, Ksoova dhe qytetarët e saj nuk kanë assesi mundësi të lëvizin lirshëm në bosnjë e Hercegovinë. Kosova është vendi i vetëm që nuk e ka mundësinë që qytetarët e saj të lëvizin lirshëm edhe në zonën Schengen. Mendoj që Kosova, mbi bazën e këtyre tri gjërave, duhet ta ngritë zërin dhe kur këto tri gjëra të sqarohen në njëfarë forme, atëherë, natyrisht që do të ishte e gatshme për ta mbështetur. Kosova nuk ka arsye t’i frikësohet, madje as ta ngritë flamurin për ta kundërshtuar diçka të tillë”.

Në anën tjetër, kryeministri serb Vuçiq, në një intervistë dhënë portalit “Politico” ka theksuar se bashkimi doganor dhe tregu i përbashkët do të nënkutonte “ një ish-Jugosllavi plus me Shqipërinë”.

“Kjo është ide politike pa rrezikimin e sovranitetit të atyre shteteve. Do t’i ngritë ekonomitë tona. Neve na nevojitet norma e rritjes prej katër deri pesë për qind në vit dhe jo tre. Kjo nuk mjafton”, ka thënë Vuçiq.

Por, Abdixhiku vlerëson se ideja e Vuçiqit është pikërisht për një Jugosllavi të re.

“Në princip princip do të duhej të dukej si një Jugosllavi e re, pra me përjashtim të Kroacisë dhe Sllovenisë dhe me futjen e Shqipërisë. Si e tillë, kjo ide, për Kosovën është e padobishme, sepse integrimet ekonomike i kemi të përmbyllura me marrëveshjen e CEFTA-s dhe asnjë hap tjetër, në unione doganore të këtij formati, nuk i konvenon Kosovës. në të vërtetë, Kosovës nuk i konvenon asnjë bashkim ose union tjetër që nuk ka ngjyrime të Bashkimit Evropian”.

Megjithatë, synimet që dalin nga deklaratat e Vuçiqit, profesor Ujkani, i quan të rrezikshme për Kosovën.

“Ne e dimë që në kuadër të ruajtjes së sovranitetit të secilit shtet, ai mendon që ta ruaj sovranitetin e vet edhe mbi Kosovën. Prandaj, janë këto dilema që duhet të hiqen përfundimisht. Kosova duhet dhe ka arsye që ta trajtojë drejt Serbinë, si një fqinjë të vetin, por, assesi nuk guxojmë të hyjmë në aventura të tilla, në të cilat Serbia provon një Jugosllavi, ta themi, ekonomike me shtetet e tjera, madje duke përfshirë edhe Shqipërinë, e që në emër të kësaj synon edhe ruajtjen e sovranitetit mbi Kosovën. Kjo nuk guxon të ndodhë”.

Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës tashmë ka shprehur qëndrimin kundër projektit të bazuar mbi idenë e Vuçiqit. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kohë më parë, në rrjetin social Facebook, pati shkruar se “Republika e Kosovës e konsideron të paqëlluar çdo lloj Unioni Doganor apo Tregu të përbashkët rajonal, i cili risjellë në opinion reminishenca të së kaluarës, të cilat janë në interes të të gjitha vendeve”.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Bashkim Doganor, kosova, Serbi, Vuciq

Kosova, pikëkalime të përhershme të IBM-së në kufi me Serbinë

February 16, 2017 by dgreca

-Para 9 viteve, më pak se një muaj pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës në 9 mars nisi të vendoste mbishkrimet me identitetin e ri në kufirin me Republikën e Serbisë. Solemnisht, së pari, u zbulua tabela me mbishkrimin “Republika e Kosovës – Mirë se vini” në pikën kufitare Kosovë-Serbi në Merdare/

-04

-Presidenti Thaçi: Kosova e përkushtuar që të lëvizet pa pengesa në rajon/ MERDARE, 16 Shkurt 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në prag  të ditës së 9 vjetorit të pavarësisë, sot sapo u zhvillua ceremonia e vënies së gurthemelit të ndërtimit të pikëkalimit të përhershëm kufitar të IBM-së në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Merdare.“Kosova gjatë gjithë këtyre viteve gjithmonë ka qenë e përkushtuar për dialog, për fqinjësi të mirë, për bashkjëpunim në shërbim të gjithë qytetarëve, në shërbim të zhvillimit dhe paqes në rajon”, tha presidenti i Republikës, Hashim Thaçi në fillim të ceremonisë, ku  morën pjesë edhe kryeministri Isa Mustafa dhe Shefja e Zyrës së BE-së/Përfaqësuesja Speciale e BE-së, Nataliya Apostolova.“E vlerësoj lart vënien e gurthemelit të vendkalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, ky është një rezultat i drejtpërdrejtë i dialogut që kemi zhvilluar një kohë të gjatë, që nuk ka qenë i lehtë por po jep rezultate shumë të mira”, tha kryeministri Mustafa.Zyra e BE-së në Kosovë ka deklaruar se, në përputhje me marrëveshjen e dialogut mbi Menaxhimin e Integruar Kufitar (IBM), do të financojë tre pika kalimi kufitare permanente në mes të Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht në Merdare, Mutivodë dhe Bërnjak, me një vlerë prej 9.42 milione euro.Ceremonia e vënies së gurthemelit sot në pikën e parë kufitare është organizuar nga Zyra e BE-së/Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së në Kosovë së bashku me Ministrinë për Dialog.

Ministria ka deklaruar se, ky është i pari nga gjashtë pikëkalimet kufitare të përhershme të IBM-së që do të ndërtohen në kuadër të projektit të gjerë të Menaxhimit të Integruar të Kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë, i paraparë më marrëveshjen e arritur në kuadër të dialogut të Brukselit.Para 9 viteve, më pak se një muaj pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës në 9 mars nisi të vendoste mbishkrimet me identitetin e ri në kufirin me Republikën e Serbisë. Solemnisht, së pari, u zbulua tabela me mbishkrimin “Republika e Kosovës – Mirë se vini” në pikën kufitare Kosovë-Serbi në Merdare.

m-01

PRESIDENTI THAÇI: KOSOVA E PËRKUSHTUAR QË TË LËVIZET PA PENGESA NË RAJON

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, bashkë me kryeministrin Mustafa, ministren Tahiri dhe shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, sot kanë vendosur gurthemelin e pikës së re të kalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.Presidenti Thaçi ka thënë se ky pikëkalim është vetëm një nga gjashtë pikëkalimet kufitare të përhershme të Menaxhimit të Integruar të Kufirit, të cilat do të ndërtohen në kuadër të projektit të gjerë në mes të Kosovës dhe Serbisë.“Në këtë mënyrë, ne jo vetëm që po i përmbushim standardet evropiane, por po ua zvogëlojmë hapësirën edhe dukurive të ekonomisë joformale”, u shpreh presidenti Thaçi.Gjatë gjithë këtyre viteve, presidentit Thaçi tha se Kosova ka qenë gjithmonë e përkushtuar për dialog, për fqinjësi të mirë, për bashkëpunim në shërbim të qytetarëve, në shërbim të zhvillimit dhe paqes në rajon.“Institucionet e Kosovës kanë qenë dhe mbesin të përkushtuara për lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Jo vetëm brenda Kosovës, por edhe me shtetet fqinje, si në këtë rast me Serbinë”, ka thënë ai.Vënia e këtij gurthemeli në Merdarë, për ndërtimin e pikës së kalimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi theksoi se është edhe një dëshmi tjetër e rrugës së duhur që kemi ndjekur përmes dialogimit.“Ndoqëm rrugën e bashkëpunimit dhe dialogimit për të mirën e qytetarëve, rrugën e ndërtimit të urave dhe vendkalimeve të reja”, u shpreh presidenti Thaçi.Ai ka thënë se Kosova gjithmonë e ka respektuar lirinë e lëvizjes së njerëzve, automjeteve dhe mallrave.Për këtë qëllim, presidenti Thaçi theksoi se janë arritur marrëveshje që mundësojnë edhe kalimin e kufirit vetëm me letërnjoftime, që të gjithë qytetarët e rajonit të lëvizin pa pengesa.“Këto kanale të reja të kalimit të qytetarëve tanë, shqiptarë e serbë, por edhe të bashkatdhetarëve tanë, po krijohen falë marrëveshjeve në kuadër të dialogut në Bruksel”, u shpreh presidenti Thaçi.Kreu i shtetit e falënderoj Zyrën e Bashkimin Evropian në Kosovë për mbështetjen financiare dhe UNOPS-in, si partner implementues të BE-së, si dhe Ministren e Dialogut, Edita Tahiri, për punën e bërë.Me dialog dhe bashkëpunim, presidenti Thaçi tha se çdoherë e më shumë po e forcojmë identitetin tonë, sovranitetin, por edhe subjektivitetin shtetëror.Ai theksoi se dialogu dhe bashkëpunimi janë rrugë e vetme përpara për tërë Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri Mustafa: Do të vazhdojmë që përmes dialogut të zgjidhim problemet me fqinj

unnamed (2)Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka marrë sot pjesë në ceremoninë e vënies së gurëthemelit të ndërtimit të pikëkalimit të përhershëm kufitar në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Merdare.Me këtë rast, kryeministri Mustafa theksoi se kjo është një e arritur e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në mes të dy shteteve fqinje, Kosovës dhe Serbisë.Kryeministri Mustafa po ashtu ka vlerësuar se ndonëse dialogu nuk ishte gjithmonë i lehtë, rezultatet e arritura dëshmojnë se vetëm përmes dialogut zgjidhen të gjitha problemet me shtetet fqinje. “Unë e vlerësoj lart sot vënien e gurëthemelit të vendkalimit kufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Vlerësoj se ky është një rezultat i drejtpërdrejt i dialogut që ne kemi zhvilluar për një afat të gjatë, që nuk ka qenë i lehtë, por po jep rezultate shumë të mira, dhe është një dëshmi që ne duhet të vazhdojmë që përmes dialogut të zgjidhim të gjitha problemet tona me fqinj. Unë dëshiroj kësaj radhe të falënderoj Bashkimin Evropian për mbështetjen e këtij projekti dhe t’ju uroj shumë suksese” tha kryeministri Mustafa.Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, e arritur në kuadër të dialogut të Brukselit, parasheh ndërtimin edhe të pesë pikëkalimeve tjera kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Fjala e ministres për Dialog Edita Tahiri me rastin e vënies së gurthemelit të pikëkalimit kufitar në Merdarë

unnamed (3)

Prishtinë, 16 shkurt 2017/ ,/Menaxhimi i kufijve sipas standardeve evropiane demonstron përkushtimin e shtetit tonë për integrime evropiane dhe euroatlantike. Republika e Kosovës është ndër shtetet e para të rajonit e cila ka vendosur dhe zbaton politikat e menaxhimit të integruar të kufijve, si një model i avancuar i kontrollit të kufijve, në mbrojtje të sovranitetit shtetëror dhe për një lëvizje më të lirë për njerëzit, idetë dhe mallrat. Ne po konsolidojmë standardet evropiane në fushën e kontrollit kufitar me gjithë shtetet fqinje, për të rritur sigurinë, paqen dhe stabilitetin në rajon dhe Evropë. Por edhe më shumë, ne po ndërtojmë vlera shtetërore, të qëndrueshme dhe moderne. Ne po bëjmë progres për të jetësuar vizionin tonë euroatlantik, prandaj presim mbështetjen e merituar për të përshpejtuar integrimin e Kosovës në BE, NATO, OKB dhe institucione tjera relevante.

Vënia e gurthemelit për ndërtimin e pikëkalimit të përhershëm kufitar këtu në Merdarë, është dhurata jonë për ditëlindjen e nëntë të shtetit tonë të ri. Ky është një gur më shumë në themelet e shtetit, sovranitetit dhe prosperitetit.Ky është rezultat i dialogut të për fqinjësi të mirë dhe paqe që po e zhvillojmë në Bruksel. Është rezultat i Marrëveshjes së IBM-it me të cilën vendosëm kufijtë ndërshtetëror mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjes së fuqishme të SHBA-ve.

Që nga viti 2011 kur e kemi arritur këtë marrëveshje, autoritetet shtetërore kufitare të Republikës së Kosovës dhe të Serbisë kanë rritur bashkëpunimin me qëllim të kontrollit sa më të mirë të kufirit, duke përmirësuar dukshëm lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe automjeteve si dhe duke detektuar dhe penguar dukuritë negative kufitare, në dobi të dyja shteteve.Me këtë rast dëshiroj të falënderoj Bashkimin Evropian për mbështetjen e projekteve për ndërtesat e përhershme kufitare përfshirë dhe financimin e tyre, për gjashtë pikëkalimet kufitare.Projekti i PKK në Merdarë është më i madhi prandaj e kemi nisur të parin. Ky PKK ka rëndësi madhore për infrastrukturën dhe konektivitetin rajonal të shtetit tonë, duke marrë parasysh autostradat dhe korridoret rrugore rajonale që kalojnë përmes tij. Duke marrë parasysh sukseset tona në ndërtimin e infrastrukturës së rrugëve dhe autostradave, infrastruktura moderne e pikëkalimit kufitar në Merdarë që po e fillojmë sot është edhe një sukses i madh i Qeverisë së Kosovës.Bashkëpunimi mes Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe UNOPS-it si partner implementues i përzgjedhur nga BE ka qenë i shkëlqyeshëm për realizimin e projektit, dhe i tillë do të vazhdoj edhe në fazat e ndërtimit. Ne po punojmë intensivisht për vënien e gurthemelit edhe në dy pikat tjera kufitare ku Kosova është shtet mikpritës, Bërnjak dhe Mutivodë, ndërsa për tre të tjera do të jetë pala e Serbisë.Dua ta bëj një falënderim të veçantë për Grupin punues qeveritar për IBM, gjithë anëtarëve të saj, Bordit të projektit të përbërë nga Ministria e Dialogut, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Policia e Kosovës, Dogana e Kosovës, AVUK, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX-i.Në fund dua ta ndaj me ju një storie nga negociatat e IBM-it në Bruksel. Unë kam pasur një kolonel të nderuar në delegacion, por të cilin e shpalla gjeneral në grupin punës, në emër të reciprocitetit me palën tjetër. Ai është kolonel Guda. Që nga ajo ditë është gjenerali im.Urime të gjithëve. Urime 9 vjetori i Pavarësisë së Kosovës!

Ju faleminderit!

 

 

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, kosova, pikekalimi e perhershme, Serbi

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT