• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Serbia, macja që kërkon të behet luan

November 6, 2014 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
Sipas mediave serbe një hulumtues gjerman Jyrgen Shpanut , duke kërkuar për historinë e gjermanëve nëpër Europë , i zbulon varret serbe nëpër Spanjë , Portugali dhe Bretanjë të cilat ishin mbi 3000 vjet prK. Pastaj vazhdohet që civilizimi njerëzor, shkrimet e vjetra asire, misire dhe haldeje i njef si përmendoret e para të saja që datojnë mbi 7000 vjet; Sipas studjuesve po aq e vjetër është historia e serbëve: “Serbët të parët para të gjithëve këndej pari , por ata ishin e dhe nismëtarët e kombeve sllave dha kombit grek.”
E shqiptarët të humbur në histori , si meteoritet ne galaksinë e pafundme as që e dijnë se bile në “ Ditarët e oborrit Mbretëror Kinez “ që mbahen në mënyrë të vazhdueshme e pa ndërprerje që 2000 vjet parK. “mbajnë në vete shënimet për serbët që jetonin në Sarmantinë aziatike dhe që populli serb kishte jetuar që nato kohëra prej Siberisë e gjer tek Venediku i Italisë. “ . Nëse shkohet edhe më largë atëherë shofim që “ një nga Franca Robet Siprian e paska gjetur teorinë e zhvillimit të serbëve nga iliro-serbët” dhe me këtë teori e spjegon shtrirjen e serbëve që nga Deti Baltik, ai i Zi e deri në Kaukaz tek Liqeni Kaspik “ Dhe ne shqiptarët jemi këndej pari sipas disave , që nga ardhja turkut ?

Por të vazhdojmë të “mahnitemi” me “lashtësinë” e këtij kombi fqinj të cilëve as që iu del kush përpara: ” Një rremb i Serbëve , që nëpërmjet Azisë së Vogël që 3000 vjet paraK kishte arrijtur në Ballkan qenkan instaluar rreth Rashkës së Vjetër dhe pastaj në tri hove , 1800,1 500 dhe 1400 vjet paraK. paskan pushtuar Kretën . aty i paskan mundur Kretasit dhe me ata së bashku e paskan lindur kombin e ri të grekëve apo helenëve. Sipas shënimeve serbe edhe emri i qytetit të Athinës dhe perëndeshës me të njejtin emër, nukqenka grek por se është serb.” Sa qesharake , thonë serbët :” ka shënime që flasin se vetë grekërit e quajnë vetën pellazg dhe se e flitshin një gjuhë”barbare “ dhe nuk e dinin që ata ishin vetë serbët “

Nëndanubi , “parahisorikisht ishte venlindja e serbëve”; këtë e dëshmon Milosh Millojeviqi (Милош Милојевић ) dhe shkruan:” Serbët që nag parahistoria kanë jetuar në tokat e tyre të sotme,që nga Italia apo Deti i Mesdheut e deri në Greqi, që nga Deti Adriatik e deri në Detin e Zi dh gjithëmonë e kanë pasur shenjtërinë e tyre, kishat e tyre , arqipeshvitë e tyre. kur ë shek.e 4-të pasK. ishte sulmi i hunëve në tokat e tyre atëherë ata u tërhoqën në Zveçan të Kosovës dhe bile që në atë kohë e ngritën Mitrovicën ( e Kosovës). “ Sipas Millojeviqit “ Kisha serbe është më vjetër se ajo e Romës dhe ajo e Bizantit”
Mbani në mend këtë , se çka shkruhet në mediat serbe :” Në librin “ Civilizimi e gjermanëve dhe i Vikingëve” botim i v.1976, me autor Patrick Louth (Zvicër) shkruhet se nja 2000 vjet para K. në vendet Skandinave kishin ardhur popujt eluginës së Nëndanubit .

Për shumë hulumtues , kjo gjithëmonë ka mbetur e pa sqaruar si ardhja e një një populli
“ misterioz”. Po nga Zvicra e kemi tjetrin Eugene Pittard i cili thot që ”ai popull misterioz” që u shpërngul në brigjet e Norvegjisë dhe Skotlandës ishin popull i racës dinarike, ishin trupgjatë dhe të bukur.. Sipas hulumtuesit Pittard ata kishin lëvizur nga Vendiku nëpërmes Europës Qendrore dhe Gjermanisë deri në Suedi dhe Norvegji , dhe rrembi tjetër nëpër kanalin Moreuz ishin vndosur në ishujt britanik. Të gjithë këta ishin serbët tonë , perfundojnë mediat serbe.” (Други Швајцарац Јуџин Питар (Eugene Pittard) каже да су ти “мистериозни” народи населили и обале Норвешке и Шкотске, а сматр Patrick Louth али су их припадницима динарске расе, били су високог стаса и лепи. По Питару кретали су се од Венеције, преко Централне Европе и Немачке, до Шведске и Норвешке, а друга грана прешла је мореуз Кале и настанила британска острва. Све су то били наши претци, Срби. )
Tani e kam një kërkesë për lexuesit : E njef kush këtë libër?
Se më “ata (serbët) e gjetën çelsin e leximit të shkrimeve etruske , dhe se etruskët ishin ata të Rashkës së sotit”. Për skeptikët po e lë në original :” Познато је да су Етрурци пре Латина живели у данашњој Италији и себе су називали Рашанима. Опште је прихваћено тумачење научника да реч Рас означава сој, расу, припадност племену које говори истим језиком. Ми данас знамо да су Рашани били житељи Немањине државе и још постоје рушевине града Рас. Према томе говорити о Етрурцима, значи говорити о Рашанима који су живели на подручју винчанске културе, северозападно од Прокупља. “

Se ç`më dhemb ,kur i lexoj mohuesit në të vërtetën shqiptare

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, macja që kërkon, Serbia, të behet luan

Serbia si zgjatim i Rusisë në zemër të Europës

November 2, 2014 by dgreca

Nga Sulejman GJANA*/
Vizita e tretë dhe sërish madhështore e Putinit në Serbi, në kuadër të 70 vjetorit të çlirimit të Beogradit nga Ushtria e Kuqe dhe tanket ruse, ishte sfida e hapur dhe fyese e Serbisë për Brukselin, ishte përgjigjia brutale për përqafimet dhe përkëdheljet e baroneshës Ashton për rioshët Daçiç e Vuçiç. Por mbi të gjitha ishte përgjigjia poshtëruese për aksionin diplomatik integrues të Serbisë në Europë, ndërmarrë prej shteteve anëtare të BE, në shumicë edhe anëtare të NATO-s. Shtete këto të angazhuara pothuajse totalisht (ndonëse shpesh pa dëshirë dhe me ngurrime prej interesash) në kushtëzimin e Rusisë me sanksione pas aneksimit prej saj të Krimesë, pas aksionit separatist në Ukrainën lindore dhe pas kërcënimeve ushtarake të saj për zgjerimin e konfliktit ukrainas.
Dhe përgjigjen më të mirë “shpërblyese” për dashurinë pa kundërshpërblim të europianëve ndaj serbëve, e dha presidenti Nikoliç kur i deklaroi Putinit në Pallatin e Bardhë: “Shumë gjëra ne serbët i kemi bërë në të kaluarën bashkë me ju, dhe do t’i bëjmë edhe në të ardhmen. Ne ju falënderojmë për mbështetjen tuaj kur ka qenë fjala për Kosovën, ndaj dhe Serbia e serbët do t’i mësojnë fëmijët e tyre ta duan fort Rusinë”.
Pasi theksoi se serbët presin ndihmën e Rusisë në bujqësi dhe energjetikë, por sidomos në industrinë petrokimike dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare në kushtet e sanksioneve, Nikoliç i deklaroi Putinit me emocion: “Rusia është një mbështetje e fuqishme për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, sidomos në lidhje me Kosovën dhe Metohinë”.
Ndërsa Putin u deklaroi miqve serbë se “Qëndrimi proserb i Rusisë është një pozicion parimor që nuk do të ndryshojë kurrë”, dhe se “Rusia është e angazhuar për problemin e Kosovës, përmes rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Si qokë për vizitën dhe pritjen madhështore, Putini kishte sjellë në Beograd një paketë financiare ndihmash prej 1.2 miliardë dollarësh dhe garancinë se “ndihmat humanitare ruse për vëllezërit e vuajtur e të kërcënuar serbë në Kosovë do të vazhdonin edhe në të ardhmen”.
Gjatë kësaj vizite, Serbia dhe Rusia nënshkruan disa marrëveshje dypalëshe tejet të rëndësishme, sikundër: Marrëveshja me Hekurudhat e Rusisë për rindërtimin e pjesëve veriore të hekurudhës në Serbi; Memorandumi për efikasitetin energjetik dhe furnizimin rus të Serbisë me energji elektrike; Marrëveshja për mbrojtjen e ndërsjelltë të informacionit të klasifikuar; dhe më në fund “qershia mbi tortë”, Marrëveshja për bashkëpunim ushtarak-teknik.
Dhe për të dëshmuar dashurinë personale e të serbëve për Rusinë, presidenti Nikoliç u rikujtoi me mburrje të pranishmëve të përzgjedhur për ceremoninë e pritjes, se në përgjigje të vizitës përkujtimore të 70 vjetorit të çlirimit rus të Beogradit, më 9 maj 2015, me ftesë të Putinit, ai do të merrte pjesë me gëzim të veçantë në ceremonitë moskovite për kremtimin e 70-vjetorit të fitores mbi fashizmin.
Vizita e fundit e Putinit në Beograd bëri bilancin e marrëdhënieve dypalëshe të shkëlqyera, por njëkohësisht ishte edhe kurorëzimi në fillimshekullin XXI i aksionit të pandalshëm e shekullor rus për ruajtjen e ndikimit mbi Serbinë dhe në zhvillimet ballkanike, sidomos në kushtet e ekspansionit rus drejt Lindjes dhe Juglindjes së Europës, si kundërpërgjigje ndaj ekspansionit të NATO dhe BE drejt Ballkanit Jugperëndimor dhe Lindjes së Europës.
Ishte pikërisht Putin ai që ripromovoi dhe intensifikoi aksionin total rus drejt Ballkanit dhe Serbisë, pas zbythjes prej një dekade që shoqëroi pushtetin e Jelcinit, të cilin “delfini” Putin e rrëzoi për paaftësi dhe rrezikim të objektivave politiko-ushtarakë ndërkombëtarë të Rusisë në kushtet e triumfit të Perëndimit mbi komunizmin dhe zhvillimeve gjepolitike pas Luftës së Ftohtë.
Parë në këtë mënyrë, Putini shkoi në Beograd për të korrur të mbjellat e dekadës së fundit, të cilat i futi në hambarin rus me ndihmën e çirakëve serbë, me presidentin Nikoliç në krye, të cilin e solli në fuqi në vitin 2012 pasi e mbajti dhe përgatiti gjatë në Moskë dhe e zbarkoi në Serbi me stafe dhe premtime të shumta ndihme ekonomike, si dhe me fushata të financuara e të përgatitura nga të dërguarit e Kremlinit në Beograd.
***
Pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë, ambasada ruse në Beograd u shndërrua në Mekë dhe Medinë të pelegrinëve ultranacionalistë serbë, të cilët përzgjidheshin dhe merrnin bekimin e Moskës për karrierë partiake e politike.
Natyrisht që ambasadorët e njëpasnjëshëm rusë nuk e humbnin asnjëherë rastin për t’u kujtuar serbëve se kishin mbështetjen e Rusisë, e cila, sipas tyre, do të përdorte veton dhe të gjitha mekanizmat bllokues në OKB dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë për të sabotuar pavarësimin, njohjen, anëtarësimin dhe integrimin e Kosovës. Betim të cilin Rusia e mbajti, teksa me mburrje theksonte pafundësisht se ishte ajo që, “në mbështetje të popullit dhe kombit vëlla serb, sabotoi sistematikisht të gjitha objektivat perëndimore për Kosovën, sidomos gjatë periudhës 2005-2008”.
Pohimi i ish ministrit të Jashtëm të Federatës Serbi-Mali i Zi, Vuk Drashkoviç, në vitin 2004, se “Elita jonë intelektuale dhe politike e ka të qartë se proceset integruese të Federatës në bashkësinë perëndimore (nënkupto NATO dhe BE), kanë rëndësi jetike për ardhmërinë tonë, ndaj ne duhet të angazhohemi dhe të punojmë me të gjitha forcat në këtë drejtim…”, alarmoi Rusinë dhe shënoi fillimin e fundosjes dhe përfundimit të karrierës së Drashkoviçit, krahas pakësimit gradual të peshës politike dhe rezultateve të mëtejme zgjedhore të partisë që Drashkoviç kryesonte.
Ky fund fatkeq ishte edhe pasojë e kundër-reagimit adekuat të politikës dhe elektoratit serb për çdo aktor dhe faktor politik properëndimor në Serbi, objektiv ky i arritur padyshim edhe me ndihmën dhe kontributin e Rusisë, që ka dorë në të gjitha zhvillimet politike në Serbi.
***
Kundërshtimi i zgjerimit të NATO-s në Lindje të Europës është vektori konstant politik dhe gjeostrategjik i Rusisë, që e konsideron këtë zgjerim si kërcënim ushtarak në kufijtë e saj.
Kur në prill të vitit 2008, në samitin e NATO-s të mbajtur në Bukuresht, SHBA-të propozuan ftesën e Aleancës për anëtarësim të Shqipërisë dhe Kroacisë, Rusia u nervozua dhe menjëherë planifikoi strategjinë për sabotimin me çdo kusht të zgjerimit të NATO-s me vendet tjera të Ballkanit ende të paanëtarësuara.
Natyrisht që në krye të listës së vendeve ballkanike që nuk duheshin anëtarësuar, Rusia vendosi aleaten strategjike, Serbinë, të cilën e përzgjodhi edhe si shtetin ballkanik që do të balanconte ushtarakisht armiqtë historikë, Shqipërinë dhe Kroacinë properëndimore.
Por nervozizmi rus kaloi parashikimet dhe u shndërrua në kërcënim, pas propozimit amerikan në këtë samit, që NATO të fillonte menjëherë procedurat për anëtarësimin në Aleancë të Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Me këtë rast presidenti Putin deklaroi: “Zgjerimin e NATO-s në kufijtë e Rusisë do ta konsiderojmë kërcënim për sigurinë e saj dhe do të ndërmarrim kundërmasat adekuate. Dhe e mbajti fjalën, teksa Gjeorgjinë e ndëshkoi duke e sulmuar ushtarakisht dhe duke e neutralizuar totalisht po atë vit, pra në vitin 2008, ndërsa Ukrainën e tmerroi dhe e ndëshkoi pas 6 vitesh, me pasojat e njohura të një konflikti që ende nuk dihet se kur do të përfundojë… Teksa më parë aneksoi Krimenë me peshë stërmadhe gjeostrategjike, ndërsa aktualisht ka marrë peng rajonet lindore të Ukrainës (gjithashtu me peshë të madhe gjeostrategjike dhe ekonomike) me ndihmën e separatistëve rusë të armatosur dhe drejtuar me telekomandë nga Rusia.
Strategjia e vendeve kryesore të NATO-s për të anëtarësuar njëkohësisht edhe në BE të gjitha vendet ish komuniste, sikundër Polonia, Rumania, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia, Hungarija, Çekia e Sllovakia, është dëshmi e qartë e faktit të pohuar, në vitin 2008, nga ish sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Japp de Hop Shefer, sipas të cilit “NATO dhe BE ecin sëbashku, dorë për dore”. Por pikërisht kjo strategji ka alaramuar Rusinë, që i konsideron të rrezikshme përpjekjet e NATO-s dhe BE për të integruar në këtë proces edhe Serbinë.
***
Në vitin 2010, kryetari i Komitetit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Dumës ruse, Kostantin Koshaçev, deklaroi: “Anëtarësimi i Serbisë në NATO nuk do të ishte tjetër veçse legjitimim i agresionit kriminal të vitit 1999 të NATO-s mbi Serbinë, por njëkohësisht do të ishte edhe riposhtërim i kombit dhe popullit serb, të cilit me këtë rast iu shkëput me dhunë Kosova, që është djepi ku lindi dhe u mëkua kombi serb. Këtë agresion, asokohe Rusia-aleate strategjike e Serbisë e kundërshtoi me forcë dhe e konsideroi si poshtërim i patolerueshëm”.
Para dy vitesh, pyetjes së mediave serbe se çfarë do të humbiste Serbia nëse do të anëtarësohej në NATO, ambasadori rus në NATO, Dmitri Rogozin, iu përgjigj, qartë dhe në mënyrë lakonike: “Duke patur parasysh se Kosova është pjesa thelbësore e sovranitetit kombëtar serb dhe djep i kombit serb, si dhe duke qenë se Serbia është një vend vëlla i Rusisë, jam i detyruar t’ju ndërmend se me anëtarësimin në NATO Serbia do ta humbte përfundimisht Kosovën, duke e vetëpranuar këtë akt dhe realitet”.
Ndërsa ambasadori rus në Serbi, Aleksandër Konuzin, e thelloi konceptin e kolegut të tij të atashuar në Bruksel, teksa deklaroi: “Ne rusët, të dashur vëllezër serbë, do ta respektojmë vendimin tuaj për të hyrë në NATO, por duhet ta dini se, duke u bërë pjesë e NATO-s, ju do të bëheni gjithashtu pjesë e një kërcënimi për sigurinë e Rusisë, çka do ju shndërronte automatikisht, nga një vend mik, në një vend armik”.
Kushtëzimin e njëanshëm politik të marrëdhënieve ruso-serbe, me moton “ose me Moskën, ose me Perëndimin”, Rusia po përpiqet ta shtrijë edhe në marrëdhëniet dypalëshe ekonomike, teksa nëpërmjet ambasadorit rus në Beograd, Konuzin, deklaroi para dy vitesh se “në qeverinë serbe ka ministra që janë pozicionuar hapur kundër firmave dhe kompanive ruse, dhe se firmat dhe kapitalet ruse trajtohen keq në Serbi, çka ne e konsiderojmë fyerje dhe kundërvënie…”.
Fakti që nga 28 vende anëtare të NATO-s, 24 vendet kryesore të saj e kanë njohur Kosovën, është përdorur dhe po përdoret vazhdimisht nga Rusia për të trembur dhe armiqësuar serbët me NATO-n.
Duke u kujtuar serbëve me ironi pikën 6 të kapitullit të titulluar “Qëllimet dhe parimet e zgjerimit”, të Traktatit të Aleancës Veri-Atlantike, në të cilën përcaktohet qartë dhe prerë se në NATO pranohen vetëm shtetet që i kanë zgjidhur përfundimisht, apo që ndodhen në vijim të proceseve të suksesshme të zgjidhjes paqësore të problemeve territoriale me fqinjët dhe të njohjes reciproke, ambasadori rus pranë NATO-s, Dmitri Rogozin, i kujtoi publikisht Beogradit në vitin 2011, se përpiqet më kot të anëtarësohet në NATO, nëse nuk njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe nëse nuk heq dorë nga humbja e sovranitetit mbi të.
Pavarësisht klishesë “miqësore” të Putinit se “Çfarë është e mirë dhe e leverdisshme për Serbinë, është e mirë dhe e pranueshme edhe për Rusinë”, deri më tash Moska ka dëshmuar se Rusia e kundërshton haptazi dhe me force hyrjen e Serbisë në NATO, pasi kjo hyrje do të thoshte humbje e një placdarme ushtarake me rëndësi jetike e në mes të Europës. Por Rusia tmerrohet gjithashtu edhe nga ndikimi veriatlantik dhe europian në vendimet e elitës politike serbe lidhur me integrimin e saj në NATO dhe BE.
Moska ndjek me vëmendje dhe kënaqësi përdorimin e “kartës ruse” nga partitë serbe në pushtet, sa kohë që ndjeshmëria dhe dashuria për Rusinë është e lartë në mbarë elektoratin serb.
Moska gjithashtu nuk e fsheh dot kënaqësinë kur, gjatë fushatave zgjedhore, gjatë debatit politik në parlament dhe në vendimmarrjet e detyrueshme lidhur me proceset integruese të Serbisë, vërehet qartë prirja e Beogradit për të qëndruar në dy karrige, duke u përpjekur ta mbajë mirë edhe me Lindjen, edhe me Perëndimin.
Madje gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale në Serbi në vitin 2012, kandidati radikal Nikoliç ofroi si premtimin më të fortë zgjedhor mundësinë e ndërtimit të bazave ushtarake ruse në Serbi dhe instalimin atje të testatave ruse me mbushje bërthamore, që do ta shndërronin Serbinë në fuqi kuazibërthamore në mes të Europës.
***
Aktualisht, në Perëndim dhe kudo ekziston një paqartësi e dukshme në lidhje me të ashtuquajturën “asnjëanësi ushtarake” të vetëshpallur të Serbisë, e shprehur si gjoja detyrim shtetëror, bazuar thjesht në një fjali të shkruar në tekstin e një rezolute parlamentare, para disa vitesh. Dhe kjo paqartësi rritet akoma më shumë kur vërehet mungesë vullneti politik tek mbarë klasa politike dhe shoqëria serbe, për të hapur një debat publik të njimendtë, debat ky që do të qartësonte se çfarë nënkuptohet me“asnjanësi” dhe cilat janë garancitë përkatëse!?
Askush më shumë se Rusia nuk ka interes për këtë paqartësi lidhur me “asnjëanësinë” serbe, sa kohë që shfrytëzohet maksimalisht urrejtja serbe për NATO-n dhe fushatën e saj të bombardimeve, që paraprinë ndërhyrjen ushtarake në Kosovë dhe shkëputjen e saj nga Serbia në vitin 1999.
Për ultranacionalistët dhe shumicën e serbëve, “anëtarësimi i Serbisë në NATO do të thotë jo vetëm dorëzim vullnetar i një pjese të identitetit dhe sovranitetit kombëtar, por edhe riposhtërim pas poshtërimit që NATO u bëri serbëve në vitin 1999 dhe vënie e ushtrisë nën komandën e një strukture ushtarake armiqësore”.
Mendimi që mbizotëron në qarqet intelektuale, në klasën politike, në shoqërinë civile dhe qendrat studimore strategjike serbe, është ai sipas të cilit Perëndimi duhet t’i japë dhe garantojë Serbisë një status special, si parakusht për anëtarësimin e saj në NATO dhe BE. Thënë ndryshe ata kërkojnë gjetjen e një lloj formule të “Anëtarësimit të kushtëzuar të Serbisë”, gjithmonë me kushtin e qartë që Serbia kurrë të mos detyrohet të marrë pjesë në veprime ushtarake të NATO-s kundër Rusisë, që kurrë të mos angazhohet në sanksione ekonomike kundër saj, kundër interesave të saj, apo të përfshihet në veprime të ngjashme në zonat e saj të influencës. Kushtëzim absurd ky që, kurrsesi, nuk mund të pranohet nga Perëndimi, e që mund të shërbejë në çdo kohë si pretekst… dhe për lojë me dy porta të Beogradit, midis Moskës dhe Brukselit.
Por deri kur të merret vendimi përfundimtar, si objektiv afatshkurtër dhe afatmesëm, Beogradi do të vazhdojë të bëjë rolin koketës që flirton me Perëndimin dhe fle me Lindjen. Dhe si kurtizane e vjetër 2 shekullore, do të zhvasë sa të mundet nga mëtonjësit, sidomos nga vendet e pasura perëndimore. Shembulli i kohës së Titos është tejet i freskët, teksa diktatori komunist u vetëshpall aleat i Perëndimit në Lindje, por që kurrë nuk e pranoi pluralizmin politik dhe demokracinë. Asokohe Beogradi kishte garant Çurçillin, sot ka garant Baroneshën Ashton.
Në fundore, kuptohet se Serbia ka dijtë gjithnjë të përdorë politikën dhe diplomacinë në shërbim të interesave të shtetit dhe kombit serb. Ndërsa për fat të keq, Shqipëria zyrtare vazhdon që prej 70 vitesh të përdorë këta instrumenta të rendësishëm, në shërbim të interesave të pushtetit dhe individëve çka cënon rëndë interesin e popullit dhe kombit shqiptar…
*Kryetar i PLL

Filed Under: Analiza Tagged With: Kryetar i PLL, ne zemer te Evropes, Serbia, si zgjatim i Rusise, Sulejman Gjana

SERBIA DUHET T’I JAPË QARKUT TË KUKËSIT RRETH NJË MILIARDË USD DAMSHPËRBLIME PËR LUFTËN

September 9, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
Kjo duhet të jetë çështje diplomatike, juridike e administrative e radhës edhe në takimin e pritshëm Rama-Vuçiç në këtë fundshtatori apo nëntor 2014
1. Agjensia Serbe e Lajmeve “Danas” ban me dije botnisht se në zyrën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka mbrri ftesa e homologut të tij serb, 45 vjeçarit Aleksandër Vuçiç, për një vizitë të pritshme në Beograd në kit’ shtator 2014. Prej nga viti 1947 do të jetë i pari kryeministër i Shqipërisë Londineze që shkon në Beograd. Kjo vizitë mund të shtyhet si dhe një herë tjetër apo deri pas formimit e betimit të Qeverisë së re në Kosovë. Ndoshta edhe pas 1 nëntorit kur fillanis zyrtarisht detyrën e tij Jean-Claude Juncker si President i Komisionit Europian dhe do të vijë në BE një “Ashton” tjetër. Sidoqoftë, kryesore është çka do të çojnë në tavolinën e bisedimeve e nënshkrimeve kryeministri shqiptar, Edi Rama.
Patjetër, “çanta diplomatike” e tij do të jetë mjaft e fryrë nga çështjet e problematikat e prejkohshme e të sotme ndërmjet dy vendeve tona ballkanike dhe (ar)mike. Gjithësesi mendoj se tashma ka ardhë ora e fundme kur të hapet sipari i bisedimeve dypalëshe për damshpërblimet e Serbisë ndaj Shqipërisë, përkatësisht ndaj Qarkut të Kukësit (Tropojë, Has, Kukës) për damet e shkaktueme gjatë e pas Luftës së Kosovës (1999).
2.Serbia e Millosheviçit përgjatë 79 ditëve të Luftës së Kosovës (mars-qershor 1999), përveçse përballjen me NATO-n, kishte edhe një tjetër “Luftë të (Pa)shpallur” me Shqipërinë Londineze.
Ushtria serbe në vitin 1999, e përqendruar edhe përgjatë 120 km të vijës kufitare Tropojë-Has-Kukës, ka gjuajt me 3.350 predha artilerie deri në 25 km në thellësi të territorit shqiptar sovran.
Serbia gjatë Luftës së Kosovës (1999) i minoi 102 zona në 39 fshatra të Qarkut të Kukësit: 14 në Tropojë, 14 në Has dhe 11 në Kukës.
Kjo zonë e minuar me mina antinjeri, antitank, municione të paplasura, etj. në tre rrethet e këtij Qarku përfshinte mbi 15 km2 apo, ndryshe, pothuaj sa tri herë sipërfaqja e ishullit gjeostrategjik të Sazanit në bregdetin e Vlorës.
3.Më 25 mars 1999, një ditë pas fillimit të Luftës së Kosovës, ndodhi aksidenti i parë i përgjakshëm në Qarkun verior të Kukësit, i shkaktuar nga ushtria serbe brenda kufirit të shtetit sovran të Shqipërisë.
Nëpër zona të minuara të Qarkut të Kukësit, në 79 ditë të kësaj lufte të madhe, u vranë 23 shqiptarë dhe u plagosën 68 të tjerë.
Nga gjuajtjet e artilerisë serbe në krejt Qarkun u dëmtuan 130 shtëpi, nja 1.000 objekte social-kulturore si shkolla, qëndra të komunave, kabina elektrike, etj., sistemi ujitës, infrastruktura rrugore, etj. Artileria e luftës e minat e hedhuna gjithandej u dëmtuan edhe 800 kokë gjedhë e njëthundrakë, 3.000 kokë bagëti të imta, 1.200 koshere bletësh, etj.
Këto ishin humbje të mëdha në ekonominë shqiptare e të këtyre tre rretheve Tropojë, Has, Kukës. Vetëm në sistemin ujitës shenjohen mbi 26 milionë USD.
4. Minat e hedhuna në fushëbeteja të luftnave, si në rastin e 39 fshatrave të brezit kufitar të Qarkut të Kukësit, janë “Luftë pas Lufte”.
Vetëm në 79 ditë të Luftës së Kosovës e pas saj, përgjatë vitit 1999, sipas të dhanave që i ka OKB e institucione të saj, pati 187 aksidente në mina. Në burime të tjera flitet për numër ma të lartë të aksidenteve të tilla. Sidoqoftë edhe viti 2000 pati shumë: 35 aksidente. Deri në vitin 2006, sipas të njëjtit burim të OKB-së, kemi 272 aksidente. Sigurisht janë edhe ma shumë, pasi kanë kalue plot 8 vite. Ka pasë edhe aksidente të tjera. Në ditën e parë të shtatorit 2014 në Krumë ndodhi një aksident tragjik me pasojë vdekjen. Të tjera aksidente priten të ndodhin në muaj e vitet e ardhshme. Shifra rritet çdo ditë. Ndoshta janë mbi 300 aksidente. Flitet edhe për mbi 60 të vdekur. Sidoqoftë priten saktësime në të ardhmen.
Nga 272 aksidente në Qarkun e Kukësit (1999-2006) numrin ma të madhe ka Tropoja: 133 prej tyre. Hasi ka 93 aksidente, ndërsa Kukësi 40 aksidente. Nga këto 272 aksidente (me listë emërore) i kemi 34 prej tyre me humbje jete: 14 Tropoja, 12 Hasi, 7 Kukësi dhe 1 nga Kosova.
Bota njeh 130 lloje minash. Serbia ka hedhur në Qarkun e Kukësit dhjetra prej tyre gjatë Luftës së Kosovës. Ato ishin edhe të formave të ndryshme si karamele, flutura, stilolapsa, etj. Sipas statistikave që kanë institucione të OKB-së del se nga 272 aksidente të ndodhura në vitet 1999-2006 janë 181 raste apo 67 për qind nga minat antinjeri të Serbisë. Kjo tregon se serbët kanë pasë qëllim kryesor të vetin vrasjen e shqiptarëve në anën tjetër të kufinit, në Qarkun e Kukësit të Shqipërisë Londineze. Vetëm 53 prej rasteve të aksidenteve apo 19 për qind e tyre kanë ardhë nga municionet e paplasura të lëshuara me artileri nga Serbia në rrethet Tropojë, Has, Kukës. Nga këto raste aksidentesh 72 prej tyre janë fëmijë.
Në këto aksidente janë plagosë e vrarë fëmijë, gra, të moshuar, barinj, fermerë, policë, ushtarakë, etj. Thuhet se një aksident kap shifrën mesatare rreth dy milionë USD për rast. Në koft se ecim sipas kësaj llogjike del se duhen shifra tejet të larta.
Minat kanë kosto të vogla në prodhim e të mëdha në dëmtime, për heqjen e tyre, etj. Një minë antinjeri për t’u prodhue kushton nga 3-30 USD, ndërsa për t’u heq nga toka ku është hedhur si në rastin e Serbisë në Qarkun e Kukësit, duhen 1.000 USD për një minë të vetme.
Serbia qyshse në vitin 1998 kur e minoi kufinin Shqipëri-Kosovë me fusha të minuara, grupe minash e mina të veçuara. Vetëm në 79 ditë të Luftës së Kosovës ka hedh me artileri 3.350 predha artilerie… Ushtria serbe nuk i dorëzoi asnjëherë hartat e fushave të minuara prej saj në Qarkun e Kukësit.
5. Shteti Shqiptar ka projektet e veta edhe në Qarkun e Kukësit, i ka llogaritë e veta për të saktësue damshpërblimet e Serbisë, janë strukturat përkatëse shtetërore për kryerjen e obligimeve të këtilla. Veçse duhet dit’ edhe kjo: në 15 vite kjo çështje është ngrit disa herë e nuk ka pasë rrugëzgjidhje astenjëherë.
Thuhet se damshpërblimi që ka për të dhanë Serbia për Qarkun e Kukësit, për tri rrethet Tropojë, Has e Kukës, shkon deri në një miliardë USD (rreth 1.000.000.000 USD). Sigurisht nuk janë pak. Këto rrethe janë në nevojë. Mjaft familje me të aksidentuar janë në kushte të varfërisë ekstreme.
Dihet se Qarku i Kukësit është ma i varfëri në të gjithë Shqipërinë Londineze e veçanarisht familjet që kanë pasë aksidente gjatë e pas Luftës së Kosovës, që iu kanë dëmtue pasuritë hipotekore, etj.Shqipëria Londineze, qoftë edhe me ndërmjetësi ndërkombëtare si Bashkimi Europian, etj., duhet të fillojnë bisedimet në Beograd e në Tiranë ose në Bruksel e gjetkë për damshpërblimin e Qarkut të Kukësit me rreth një miliardë USD. Tirana zyrtare, qyshse në takimin e parë Rama-Vuçiç duhet të ketë kushtet e saj ballore edhe në kit’ çështje tejet të madhe. Shqipëria Londineze duhet të ngrihet në lartësi diplomatike ndërshtetërore të Malit të Zi, që po iu vno kushte Kosovës e Hashim Thaçit tue e lidh njohjen e komunitetit malazez në Kosovë me vendosjen e selive të ambasadave të tyre në Podgoricë e Prishtinë dhe lejimin e Rrugës Deçan-Plavë, pas “demorkacionit” – vijës kufitare Mali i Zi- Kosovë, etj. Tjetër kusht i Shqipërisë ndaj Serbisë së Vuçiçit duhet të jetë bllokimi i hyrjes në Shqipëri të mallrave serbe (qoftë dorë e parë apo e dytë ose tretë në tregtimin e tyre), të cilat po e tejngopin e do ta groposin tregun shqiptar në Tiranë e Prishtinë.
Qeveria Shqiptare e Tiranës, kryeministri i saj Edi Rama, duhet t’i kërkojë Serbisë damshpërblimin me rreth një milionë USD dëmtime në njërëz e pasuri gjatë e pas Luftës së Kosovës. Tekefundja nuk ka randësi dhe aq të madhe shuma po akti shqiptar i Tiranës. Sot jemi të vonuar në këtë çështje. Nesër do të jemi të gjykuar nga historia e brezat tanë për mos kryerje të saj. Qarku i Kukësit pret damshpërblimin nga Serbia. Nëse nuk iu dha Çmimi Nobel ti jepet të paktën damshpërblimi që i takon prej mbi një dekadë, që e pret edhe nga Diplomacia e Drejtësia Ndërkombëtare e së parit nga Qeveria e vet.

Tiranë, 9 shtator 2014

Filed Under: Editorial Tagged With: 1 miliarde dollare, Ramiz Lushaj, Serbia, te demshperbleje Kukesin

Serbia: edhe-edhe, Kosova: as-as

February 5, 2014 by dgreca

Nga Albin Kurti/

Duke iu falenderuar dialogut me Thaçin në Bruksel, Serbia nuk po ka fare nevojë që të zgjedhë midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Ajo po avanson në të dy drejtimet: edhe në integrimet evropiane, edhe në Serbinë brenda Kosovës. I fitoi edhe negociatat për anëtarësim në BE, edhe Asociacionin e komuave me shumicë serbe. Negociatat e Serbisë në këto dy rrafshe sot, po bëhen pakrahasimisht më të suksesshme sesa luftërat e saj në dy fronte para dy dekadash.

Askujt në BE, sikurse edhe faktorëve të tjerë ndërkombëtarë, nuk i shkon fare mendja të bëjë sadopak trysni mbi Beogradin zyrtar për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, nuk mund të jetë ndryshe përderisa Thaçi negocion për Kosovën me Serbinë pa kushte për të. Negociatat me Serbinë gjersa ajo nuk e njeh dhe pranon pavarësinë e Kosovës përkthehen në mirëkuptim për këtë mosnjohje dhe mospranim të shtetit tonë. E këtillë është pasoja edhe kur i këtillë nuk ka qenë qëllimi.

Paralelisht me këtë, BE-ja don që kur të zgjerohet me shtete të reja anëtare ato t’i delegojnë asaj sovranitet. Kosova nuk ka sovranitet dhe s’ka se çfarë realisht t’i jep BE-së andaj ajo nuk na e ofron e nuk na e mundëson anëtarësimin. Serbia është sovrane dhe ajo me anëtarësimin në BE ka se çka i bart BE-së.

Dialogu Thaçi-Daçiq në Bruksel paraqet platformën nga e cila Serbisë i hiqen pengesat në shtegun e integrimeve evropiane drejt anëtarësimit të plotë në BE, ndërkaq Kosovës i shtohen pengesat në shtetndërtim duke ia rrudhur perspektivën për sovranitet e integritet territorial, për demokraci dhe drejtësi. Pra, jo vetëm që Serbia po përparon kah Brukseli, por përparimi i saj brenda Kosovës e zgjat rrugën e i zvogëlon gjasat për inkuadrimin e Kosovës në BE (që aktualisht ka mbetur e ngujuar te premtimi bajat për liberalizimin e vizave).

Në anën tjetër, Serbia nuk po ka nevojë as të zgjedhë midis BE-së dhe Rusisë. Ajo sërish po avanson në të dy drejtimet. Mjafton të shikohen takimet e vizitat e ndërsjellta midis krerëve shtetërorë serbë e rusë për ta marrur vesh këtë. Nga përmbledhja e lajmeve për vitin 2013, kuptojmë që kryetari i Serbisë, Nikoliq, i ka zhvilluar tri takime me udhëheqësit politikë të Rusisë. Së pari, dy takime me Putinin: më 24 maj 2013 në Sochi ku nënshkruan Deklaratën për Partneritet Strategjik dhe herën tjetër gjatë vizitës së tij dyditore në Rusi më 29 tetor 2013. (Nikoliq me 25 shkurt 2013 e dekoroi Putinin për “merita të jashtëzakonshme në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit dhe lidhjeve miqësore midis Republikës së Serbisë dhe Federatës Ruse” me urdhrin e Republikës së Serbisë me qafore.) Po ashtu, Nikoliq u takua edhe me Ministrin e Mbrojtjes së Rusisë, Sergei Shoigu, me 12 nëntor 2013 kur ai e vizitoi Beogradin. Gjatë vitit që lamë pas edhe kryeministri i Serbisë, Daçiq, ishte në një vizitë dyditore në Rusi kur me 10 prill pati takim me Putinin. Ndërkaq, zëvendëskryeministri serb, Vuçiq, u takua me ministrin rus të mbrojtjes, Shoigu, më 22 maj 2013, kur po merrte pjesë në konferencën ndërkombëtare për sigurinë evropiane në Moskë.

Serbia nuk ndodhet para zgjedhjes a mundësisë ose-ose por pas përzgjedhjes e zgjidhjes edhe-edhe, kurse Kosova ndodhet në pamundësinë problematike as-as. E, sërish, nuk ka mundur të jetë ndryshe…

Para koncesioneve që vijnë nga negociatat kemi koncesionin që u paraprin negociatave. Negociatat e Kosovës me Serbinë tashmë janë koncesion. Negociatat janë ura që lidh koncesionin themeltar të përgjithshëm që shënon fillimin e negociatave me fundin e urës që shënon koncesionet e panumërta të veçanta. Mirëpo, dialogu Thaçi-Daçiq nuk është aty për t’u përfunduar por për të mos përfunduar. Ky është një dialog që e do vetveten dhe jo marrëveshjen. Marrëveshja e mbyll dialogun, ajo i lidh palët si të ndara për t’i përforcuar ato si palë. Jo edhe në dialogun e Brukselit ku ne s’njihemi as nga pala tjetër e as nga ndërmjetësuesi. Ky dialog na lidh pa na trajtuar ndaras. Ky dialog sjell marrëveshje për të pasur edhe më shumë dialog, edhe më shumë marrëveshje, edhe më shumë dialog, edhe më shumë marrëveshje, edhe më shumë dialog…  Dialogu i keq sjell marrëveshje të këqija për edhe më shumë dialog të keq. Nuk mund të ketë gjëra të mira nga zbatimi i marrëveshjeve të këqija. Çfarëdo zgjidhjesh të arrira në orientime të gabuara janë të kota në rastin më të mirë dhe kundërproduktive përndryshe. Problemi i negociatave Thaçi-Daçiq nuk është thjesht rezultati i keq por premisa e padrejtë; pra, jo gabimet në negociata, por iluzionet për to.

Kundërshtimet e Thaçit (ndaj kërkesave të Serbisë) janë veçse në funksion të prodhimit të iluzioneve (te qytetarët e Kosovës). Gjithçka në Kosovën e Qeverisë bëhet për imazh. Kosova është kthyer në një shesh gjigant xhirimi, në një film set enorm, ku horizonti nuk është ende kufiri.

Të gjithë ata që thonë se ka edhe më keq, duhet t’iu tregojmë që është duke u bërë më keq.

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, kosova, Serbia

Katolikët shqiptar dhe Serbia !

January 16, 2014 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/E rikujtoj thënjen e Z.Edit Durham : “Nuk më befasonte që serbët e urrenin islamin por u ngrina kur e pashë që ata e urrenin edhe kishën tjetër të Krishterë. Nuk e pritja që katolikët shqiptarë ishin më shumë të urryer nga sllavët se sa myslimanët ( E.Durham, Londër 1920).

Këtë që dua ta trajtoj sot ,nuk është e panjohur as për ne si shqiptar e as për qarqet diplomatike të Europës.Shtypi botëror e di me saktësi qëllimin e serbëve dhe lojën e tyre  me shqiptarët e të dy konfesioneve : musliman dhe atij katolik.Kësaj rradhe nuk do të trajtoj qëndrimin  dhelpërak serb ndaj shqiptarëve ortodoks në mbarë tokat shqiptare të cilat mbetën nën okupimin serb.

Duke i lexuar kronikat e kohës dhe duke e bërë një analizë shumë të thjesht , arrijmë në përfundimin e njejtë se : “Rrezikun më të madh për KishënOrtodokse Serbe, e kjo do të thotë edhe për popullin serb, e paraqet Kisha Katolike në kufijtë tanë të rinj.( “(“Vesnik Srpske Crkve”) Ndarja e Shqipërisë pas 1913 -tës ishte një favor shumë i madh për Serbinë ,por edhe ajo ndarje dhe ai copëtim i tokava tona e donte një “marifet” të menaxhimit  në mënyrë që me sukses të kryhej kolonizimi i atyre tokave dhe përfundimisht të zhdukej shqiptari nga faqja e dheut. .“Rrezikun më të madh për KishënOrtodokse Serbe, e kjo do të thotë edhe për popullin serb, e paraqet Kisha Katolike në kufijtë tanë të rinj. Ky do të jetë një demon i cili nuk do të na lë të qetë dhe i cili në vazhdimësi do të jetë barrë edhepër shtetin edhe për popullin.Katolicizmi në këto anë është zgjëruar dhe, ç‘është më e keqja, është përhapur dhe ka lëshuar rrënjë… Të rralla janë vendbanimet në krahinat e reja ku katolicizmi nuk e ka kapur ndonjë shpirt serb (!) dhe nuk ka fituar ithtarë.” Priftëria katolike shqiptare dhe besimtarët e tyre janë fajtorë, sipas popit Bojoviq, për të gjitha mossukseset serbe “(“Vesnik Srpske Crkve”).

Këto janë thënjet e tyre  jo të mijat ¸por unë  iu besoj  shumë në qëllimet e tyre. Qëllimet e tyre janë ende të parealizuara në masën 100 %,Nëse.realizimi i tyre deri në vitet  1940-ta është kryer pa kufizim, pa dro dhe me dhunë , ai ende nuk është përfunduar. Ata sot kërkojnë mënyra  tjera për likuidimin e plotë të elementit katolik nga tokat shqiptare.

Dhuna dhe zbrazja e tokave me dhunë për momentin nuk është opcion falë rrethanave të reja në botë, por kërkohet dhe synohet bashkëpunim nga vetë ne shqiptarët në realizimin e zhdukjes totale të elementit katolik shqiptar.

Me 20 Mars 1913, gazeta “Reichpost” shkruante: Ne rrethin e Janjeves mbi 400 vjet nga sot, rreth 8000 Shqiptar Katolik, të ashtuquajtur Laraman apo Katolik te Fshehur, jetonin aty. .Kur mbërritën Serbet, me qindra nga këta Laraman deshtën që haptazi të deklarohen që janë Katolik. Kur përfaqësuesi i shtetit serb të instaluar rishtas dëgjoi për këtë, tha: “Ose mysliman ose Ortodoks. Jo katolik!”.

Po pse, ose musliman ose ortodoks ? Shumë e lehtë të kuptohet . Në momentin kur këto toka mbesin terësisht muslimane , janë dy mundësi : ose të bëhet Snxhaku i dytë i Novi Pazarit ose lehtësohet shpërngulja e tyre nëpër botën islame.. Çubrilloviqi në projektin e tij thoshte.” Pasi që shqiptarët të binden që i takojnë një bote tjetër asaj lindore , atherë  e kemi  më lehtë ´ta.Por kjo do kohë”

“Numër i panumëruar i Katolikëve ishin vrarë ne Ponoshec, nga dora e sllavit (rrethi i Gjakovës). Afër Zhurit (rrethi i Prizrenit), kryetari i fisit ishe vrarë e thërrmuar nga shteti, mu pse ishte Katolik. E njëjta gjë ndodhi edhe në Gjakovë në famullinë e Nikajve, kur mbi 70 Katolik u vranë nga malazezet”.( 20 03. 1913, gazeta “Reichpost”)

Po unë si shqiptar apo ti gjithashtu si shqiptar që rastësisht i kemi takuar besimit musliman , ne pranojmë që bashkëkombasit tonë shqiptar të fesë katolike t´i katandisim nëpër botë , dhe në këtë mënyrë të bëhëmi bashkëpjesëmarrës në çfarosjen e një pjeseje të madhe kombëtare , të jemi në vijën e Serbisë. ? Jo.Unë jo. Por as Ti ,jo!

Tek e fundit shqiptarët katolik  nuk janë një mallë tregtar, me të cilët ne mund të bëjmë tregti.!

Gazeta e kohës, “Neue Freie Press” me 20 Mars 1913 shkruan: “Me 7 Mars, soldateska e prirë nga një pop Ortodoks,në dhe rreth Gjakovës deshtë me forcë të konvertoj Popullatën katolike në besim Ortodoks. Mbi 300 vetë, gra, burra dhe fëmijë nën kërcënimin me vdekje duheshin të konvertoheshin. Popi Ortodoks iu tha: “Ose nënshkruani deklaratën se e keni pranuar fenë e vërtetë ose këta ushtarë të Zotit, do i dërgon shpirtrat e juaj në ferr”.

Te gjithë e nënshkruan përveç Patër Angjelit. rezultati ishte skena më trishtuese e paparë në atë shekull”( www.albanianhistory.net)

Serbia aspak nuk brengoset që sot nuk mund të përdorë të njejtën metodë si atë të viteve 1913 ,për pranimin e “ fesë së vërtetë “ (sllavo-ortodokse fxh), sepse po tenton në mënyra tjera të ralizon qëllimet e veta. Pse ne sot duhet të jemi “ altoparlanta” (zërritësa dhe zëdhënësa) të Serbisë?. E mëndojmë këtë ?

Me 1919 qeveria jugosllave “nënshkruante” çdo akt ndërkombëtar kundër diskriminimit. Të njetën e bënë edhe sot Por persekutimet ndaj katolikëve kosovarë vazhdonin. Në Shkup patriotin shqiptarë , të atin e nënës Terezë e helmuan serbët. Serbët e shihnin rrezikun në shqiptarët katolik se për ata mysliman ishin planet tjera. Me 1929 u vra At Shtjefen Gjeçovi një françeskan shumë i respektuar nga shqiptarët. Edhe pse K. Jereqek i përshkruante shqiptarët “popull i vjetër me kulturë qytetare; edhe pse organizimi qytetar ishte i rëndësishëm edhe për Ilirët; sllavët medoemos e bënin sllavizimin, e turqit turqizimin e shqiptarëve, herë ndaras e herë në bashkëpunim.Pra ?

Magazin für die Literatur des Auslandes ,1843 shkruan :“Serbët ishin armiqët e betuar të malësorëve katolik(…)serbët kishin një urrejtje shfrenuese ndaj katolikëve shqiptar.”

Ndërkaq një historian i shekullit XIX shkruante se ,serbët i urrenin shqiptarët katolik ,për dy arsye, e para se ata ishin pengesa e parë dhe e fundit e tyre në realizimin e politikave te tyre doktrinare-religjioze ne mbeshtetje te Rusisë dhe përkrahjen herë pas hershme te Turqisë, dhe se dyti se ata e sidomos kleri i tyre mesonte brezave te kaluaren  dhe mbanin trashegimin e saj ne origjinalitet. “
E unë pse të kam urrejtje shfrenuese ndaj dikujt që flet shqip, frymon shqip?
Ndërsa një kronist tjetër në vitin 1841 thotë “Në malet e larta të Gjakovës dhe Prizrenit jetojnë malësorët shqiptar katolik dhe dominojn ato pjesë… ndërsa serbët janë armiqët e betuar të tyre, dhe se shpesh armiqësia e tyre ka qenë e përgjakshme dhe shkatërrimtare.

” Vendbanime të arnautëve të besimit të krishterë në terenin serb në kohët e kaluara kishte kryesisht nëpër qytete si Prishtinë, Vidin., Novi Pazar,Krushevac,Prokuplje ,Nish dhe Çupri ( Acta Bulgariae polissimum ecclesiastica (Monumenta spectantia historiam Slavorum Meridionalium, vol. XXIII, 339).Në çdo shkrim të së kaluarës mund të hasësh në të njejten  urrejtje të serbëve ndaj elementit katolik shqiptar.

”Disa analistë të jashtëm presin konflikte të reja religjioze ndërshqiptare. Muajve të fundit mediat zhvillojnë një luftë të ashpër. Është krijuar një përshtypje sikur fetë të jenë kapur keq ndërmjet veti? (Xhemal Ahmeti)”

Çka po përgatitet ? Jemi ne të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm që diçka po përgatitet ?

”Thonë ose krijojnë përshtypjen sikur t’iu ketë ardhur koha të vendosin ndërmjet perëndimit apo orientit. Mirëpo kjo është një luftë me fantomë. As myslimanët e as katolikët (shumica) nuk jetojnë në hënë, por në Evropë. As njëra e as tjetra nuk e vënë në pikëpyetje rrugën evropiane të Kosovës. Muajve të fundit në Kosovë vërehet të ketë marrë turr një rrjet fanatikësh pseudoislamikë që punojnë për supranacionalizma të ndryshëm: saudit, turk, arab, iranian. Këta e bëjnë zhurmën suksesshëm sepse mediat reagojnë dhe bien në kurthin e agjendave të tyre. Bash këtyre ditëve në rrjetet sociale u hap tema e interdiskriminimit në Kosovë. Katolikët duket të mos jenë në gjendje të mirë. Këtë e dëshmon edhe migrimi i madh i tyre drejt Evropës, bëhet fjalë për të rinj e të reja me suksese të mahnitshme në shkencë, biznes jashtë Kosovës. Këtij diksriminimi duhet rënë në gjurmë; ai duhet të studiohet, analizohet dhe të ndërpritet menjëherë sepse dëmton Kosovën në aortë. ” ( Xhemal Ahmeti , studjues)

Politikanë dhe drejtues të kishës ortodokse serbe herë nën zë e herë haptazi mundohen ta quajnë Kosovën një shtet të tipit mysliman bilës një shtet të tipit fundamentalist dhe kur kisha katolike shqiptare nuk është gjendur në anën e tyre si falsifikatore e historisë dhe fakteve atëherë dhe ajo është kthyer në objekt sulmi dhe shpifjesh. Ky sulm dhe këto shpifje ashtu si dhe lufta e përhershme ndaj shqiptarëve është e hershme.(Gjon Marku)

Gjithnjë udhëheqësit shpirtëror e në mënyrë të veçantë klerikët katolik shpalleshin armiqtë më të mëdhenj të popullit serb jo rastësisht. Por Faik Konica në revistën e tij “Albania”  shkrunte :se katolikët shqiptar janë shkak që u mbajt gjallë gjer më sot kombësia jonë.

Përfundimisht të bindemi që Kisha serbe harton, shpif dhe përçanë. Boll mo!

 

Fahri Xharra

14 Janar 2014, Gjakovë

Filed Under: Featured Tagged With: Fahri Xharra, katoliket shqiptar, Serbia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT