• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sfidat e kohabitacionit,test për demokracinë pluraliste

February 5, 2021 by dgreca

Pas tridhjetë viteve të pushtetit nga një parti, në Mal të Zi, në sajë të zgjedhjeve parlamentare(30 gusht 2020), në praktikë na u paraqitet dukuria e kohabitacionit e panjohur deri më tash, që paraqet test për demokracinë pluraliste në këtë mjedis, sepse presidenti i shtetit nuk është nga shumica parlamentare e cila udhëheq me qeverinë, duke qenë  çështje interesante  për një qeverisje të qendrueshme, pa turbulenca politike, por në favor të qytetarëve dhe të demokracisë pluraliste

Shkruan: Nail  Draga/

Nga miratimi i pluralizmit, në Mal të Zi një parti politike (DPS) për tridhjetë vite ka udhëhequr pushtetin, ku përveç me qeverinë kanë udhëhequr  edhe institucionin e presidentit, nga del se kemi pasur perseri  monizëm, ndonëse me kostumin  pluralist. Ndërsa pas zgjedhjeve parlamentare  (30 gusht 2020), me rastin e ndryshimit të pushtetit, ne këtë mjedis kemi të bëjmë me procesin e kohabitacionit, nga del se kemi të bëjmë subjekte të ndryshme politike dhe ideologjike, që duhet të bashkëqeverisin dukuri e panjohur deri më tash në këtë mjedis.

Kemi të bëjmë pikërisht me moment të ri, ku presidenti nuk do të ketë mundësi të kontrollojë qeverinë,  sepse nuk janë nga taborret e njëjta politike, nga del se do të kemi obstruksione dhe tensione në mes tyre. Dukuria e kohabitacionit nuk është e panjohur në vendet demokratike, ndërsa përjashtim bëjnë vendet autokratike, ku si të tilla në shumë aspekte janë edhe në pluralizëm. Nëse për shumë vende kjo dukuri është risi, nga vendet e regjionit shëmbull mund të shërbëjë Kroacia, ku kohabitacioni ka ndodhur shumë herë.

Presidenti në pozitë të dyfishtë

Në Mal të Zi, kryetari i partisë njëkohësisht është edhe kryetari i shtetit, nga del se kemi personin me pozitë të dyfishtë, që na kujton kohën e monizmit. Në rastin konkret ka qenë e udhës që  kryetari i partisë në momentin e zgjedhjes në pozitën e kryetarit të shtetit,  të lëshojë postin e partisë, sepse në sajë të pozitës së dyfishtë  iriton qytetarët nga del se kemi kryetarin partiak, e jo të gjithë qytetarëve. Madje, qytetarët të cilët nuk e kanë votuar kanë të drejtë të deklarohen se kemi të bëjmë me kryetarin e partisë që e ka kandiduar,  e jo i qytetarëve të vendit.

Kujtojmë me këtë rast  si shëmbull pozitiv Kroacinë ku presidenti  nuk mund të mbulojë të dyja pozitat, sepse duhet të veprojë si mbipartiak, duke qenë figurë unifikuese e të gjithë qytetarëve, andaj terhiqet nga pozita partiake.

Risi në skenën politike

Pasi në zgjedhjet e regullta parlamentare të 30 gushtit 2020, ish shumica parlamentare i humbi zgjedhjet presidenti i Malit të Zi M.Gjukanoviqi, duhet të pajtohet me realittein se  i ka humbur zgjedhjet dhe nuk e ka shumicën në parlament, andaj t’i përshtatet rrethanave shoqërore.

Në Mal të Zi  një muaj pas formimit të Qeverisë se re, kohabitacioni filloi të luhatet me rastin e refuzimit të presidentit të vendit për të nënshkruar një mori ligjesh të cilat i ka miratuar Kuvendi, pa opozitën, tre ditë para Vitit të Ri, ku me i rëndësishmi është ndryshimi i ligjit të lirive fetare.

Po ashtu presidenti ka refuzuar të nënshkruaj dekretin për tërheqien e shtatë ambasadorëve dhe nga Ministria e punëve të jashtme, duke  kërkuar sqarim në konstatimin e se ata kanë punuar kundër interesit të shtetit.  Po ashtu Gjukanoviqi nuk ka mbeshtetur as ndërrimet në gjeneralshtabin e Armatës së Malit të Zi.

Kemi të bëjmë me rastët e para të mospërputhjeve të pikëpamjeve të funksionimit të institucionëve të qeverisë, ku dukuria e kohabitacionit është ma së e domosdoshme.

Nuk ka dilemë se kemi të bëjmë me një situatë të re në Mal të Zi e panjohur deri më tash, sepse si kryetari i shtetit por dhe kryeministri kanë qenë nga e njëjta  parti,  ndërsa  në rrethana të reja të kohabitacionit, kemi të bëjmë me një praktikë të re, që duhet të jetë shkollë për demokracinë parlamentare, tash dhe në të ardhmën.

Pikërisht, duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me kohabitacionin si dukuri të re në skenën politike në Mal të Zi, ditë më parë janë mbajtur takime nga kryeministri dhe zyrtarë të lartë qeveritarë me presidentin e vendit z.Gjukanoviq, për të gjetur një modus vivendi, për të tejkaluar situatat e diskutueshme. Nga ai takim(presidenti-kryeministri-kryetari i parlamentit) opinioni është informuar se janë shqyrtuar çështje të cilat janë në favor të funksionimit të shtetit, institucioneve dhe zhvillimit të tyre, pa të cilin nuk ka përparim demokratik dhe ekonomik të vendit. Po ashtu është treguar gadishmëri se kemi të bëjmë me interesin e përbashkët kombëtar duke avancuar përgjegjësinë e përbashkët për nevojën e zhvillimit të metutjeshëm të Malit të Zi si shoqëri evropiane, standardit cilësor jetësor dhe lirinë e individit.

Ndërsa  ditë më pas nga ai takim presidenti Gjukanoviq, ka reflektuar duke nënshkruar ligjet e refuzuara, sepse ata janë votuar përseri në parlament me 20  janar,  nga del se një veprim të tillë e ka realizuar duke respektuar kushtetutën, sepse në të kundërtën ka rrezikuar që shumica parlamentare të inicojë procedurën  e shkarkimit të tij.

Presidenti me ingerenca të kufizuara

Andaj, mbetet të shohim në muajt në vazhdim se si do të jenë raportët Qeveri-Presidenti, a do të ketë mospajtime, tensione, obstruksione e fërkime politike si  rezultat i pa përvojës në rrethana të reja politike e shoqërore.

Përfundimisht presidenti duhet ta kuptoj pozitën e tij, se ka ingerenca të kufizuara, andaj si i tillë   nuk mund të jetë qeveri e dytë, e jo si më parë  qe ka pasur kontrollë absolute mbi qeverinë si dhe në terë Malin e Zi. Pikërisht në sajë të rrethanave  të reja  ai  duhet të eliminojë iluzionet e tilla autokratike, por duhet të jetë garant i kushtetutës, interesave të qytetarëve   në favor të demokracisë parlamentare.

Kohabitacioni lokal në Ulqin

Në lidhje me këtë çështje në  nivelin lokal duhet cekur se kohabitacioni  ka ndodhur në Ulqin, me rastin e zgjedhjeve lokale të mbajtura me 10 shtator 2006. Kemi të bëjmë me rastin e parë dhe të fundit, sepse kryetari i komunës është zgjedhur drejtpërdrejtë nga qytetarët, dhe  nuk ishte i shumicës parlamentare lokale.

Në sajë të raportëve shoqërore dhe politike në një situate të tillë shumica parlamentare, (Forca, LDMZ, PPD dhe BDSH) ka rrezikuar pozitën e kryetarit e ate pikërisht kur ka qenë në pyetje miratimi i buxhetit të komunës për vitin 2007. Ishte ky një kompromis i realizuar në momentin e fundit, por edhe paralajmërim se kjo gjendje nuk kishte perspektivë, sepse në mungesë të mbeshtetjës nga ana e shumicës në parlamentin lokal, në të ardhmën rrezikohej pozita e kryetarit, në sajë të mos funksionimit të kohabitacionit.

Pikërisht, duke parë situatën si mjaft turbulente dhe me pasoja në të ardhmën, opozita lokale (DPS-UDSH) arriti  të dekompozojnë skenën politike duke ia rrembyer shumicës parlamentare lokale tre këshilltarë nga PPD(maj 2007) duke i joshur me pozita udhëheqëse, duke u bërë shumicë parlamentare  deri në vitin 2010. Ishte ky rasti i parë dhe i fundit, sepse më pas u ndryshu ligji për qeverisje lokale,  duke rikthyer zgjedhjen e kryetarit, si më parë përmes votës së këshilltarëve nga  zgjedhjet lokale.

(Shkurt  2021)

Filed Under: Analiza Tagged With: Demokraci, Nail Draga, sfida, test

Presidenti Thaçi: Siguria kombëtare dhe mbrojta e të drejtave të njeriut, sfidë e përhershme

March 31, 2018 by dgreca

-Duke folur për deportimin e gjashtë shtetasve turq në Turqi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se vijat ndarëse ndërmjet çështjeve që janë trajtim i sigurisë kombëtare  dhe mbrojtës së të drejtave dhe lirive njerëzore është problematikë e përhershme edhe me shtetet më demokratike të botës/

-Kjo çfarë ka ndodhur është një rast i izoluar dhe nuk mund të përdoret nga askush për të akuzuar Kosovën për mosrespektim të Konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por diçka e tillë nuk do të lejojmë që të përsëritet kurrë/

-Askush nuk guxon të persekutohet, censurohet apo deportohet për shkak se ka një besim apo ideologji ndryshe nga dikush tjetër/

           1 Thaci Konf Shtypi2 Thaci Konf

 PRISHTINË, 31 Mars 2018- Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur sot një konferencë për media, në të cilin ka folur për situatën e sigurisë dhe zhvillimet e përgjithshme politike në vend.Duke folur për deportimin e gjashtë shtetasve turq në Turqi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se vijat ndarëse ndërmjet çështjeve që janë trajtim i sigurisë kombëtare  dhe mbrojtës së të drejtave dhe lirive njerëzore është problematikë e përhershme edhe me shtetet më demokratike të botës.“Kosova nuk mund të paraqet përjashtim në këtë aspekt, sepse aktivitetet terroriste dhe të spiunazhit në vendin tonë, ashtu sikur në vendet tjera demokratike bëhen në format më të sofistikuara të mundshme”, ka shtuar Presidenti.Ai po ashtu ka potencuar se situata e sigurisë në Republikën e Kosovës është e qetë, është stabile, ndonëse jemi në prag të festës së Pashkëve, janë marrë të gjitha masat përkatëse që edhe kjo festë të kaloi pa asnjë incident, pa asnjë problem dhe asnjë indikacion për ndonjë kërcënim nuk do të funksionoj në Republikën e Kosovës.

Kjo është deklarata e plotë e presidentit Thaçi:Ajo që dëshiroj të potencoj që në fillim është se situata e sigurisë në Republikën e Kosovës është e qetë, është stabile. Edhepse jemi në prag të festës së Pashkëve, kemi marrë të gjitha masat përkatëse që edhe kjo festë të kaloi pa asnjë incident, pa asnjë problem dhe asnjë indikacion për ndonjë kërcënim nuk do të funksionoj në Republikën e Kosovës.Kosova është shtet demokratik, i ndërtuar në përputhje me standardet më të larta demokratike të cilat mbi gjithçka tjetër respektojnë të drejtat individuale të çdo njeriu, pavarësisht përkatësisë etnike, besimit apo bindjeve  politike apo ideologjike. Ky parim i mishëruar në Kushtetutën dhe ligjet tona mbetet i patjetërsueshëm dhe është detyrë e institucioneve tona shtetërore që ta zbatojnë në praktikë.Si president i Republikës së Kosovës, jam i zhgënjyer dhe shpreh keqardhjen time të thellë për shkak se institucionet tona relevante, për arsye që mbetet të sqarohen deri në fund, duket se kanë dështuar të mbrojnë këto parime që ndërlidhen me të drejtat njerëzore të shtetasve të huaj që jetojnë dhe punojnë në vendin tonë.Unë jam i informuar dhe ende jam duke marrë sqarime shtesë nga organet kompetente lidhur me rastin dhe rrethanat në të cilat është kryer deportimi i gjashtë shtetasve me kombësi turke për në Turqi.Deri më tani kam pranuar një raport të hollësishëm i cili është dëgjuar edhe prej Kryeparlamentarit, Kryeministrit, Ministrit të jashtëm, dhe bartësve tjerë të institucioneve të Republikës së Kosovës  dhe liderëve të tjerë në Zyrën time në prani të partnerëve ndërkombëtarë.Pra, kemi pranuar një raport të hollësishëm nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës e cila në mënyrë të detajuar sqaron arsyet dhe procedurat që kanë dërguar deri te kërkesa e AKI-së drejtuar Departamentit kompetent në Ministrinë e Punëve të Brendshme për anulimin e lejeqëndrimit, respektivisht kërkesës për deportim.Sipas këtij raporti, arsye e vetme se përse këta shtetas me kombësi turke janë deportuar, ka të bëjë me veprimet e tyre të paligjshme në Kosovë, të cilat gjithnjë sipas AKI-së, kanë rrezikuar sigurinë kombëtare të Kosovës.Pra, arsye e vetme për deportim sipas AKI-së, është rrezikimi i sigurisë kombëtare, e ritheksoj gjithmonë sipas AKI-së.Sipas AKI-së, raste të njëjta të deporitmit të shtetasve të huaj të cilët kanë qenë të përfshirë në aktivitetet të cilat synojnë sigurinë kombëtare ka pasur edhe në të kaluarën, kuptohet duke respektuar procedurat në fuqi.Por, detajet dhe procedurat duhet të sqarohen nga AKI dhe Ministria e Punëve të Brendshme deri në fund, dhe në rast se ka pasur shkelje atëherë përgjegjësit duhet të japin llogari, kushdo që të jetë.Ndërsa  ne po flasim këtu, unë jam në dijeni se organet hetuese shtetërore janë duke trajtuar këtë rast dhe ne duhet të presim përfundimin e tyre.Përveç kësaj, jam në dijeni se edhe Avokati i Popullit ka filluar hetimet e pavarura dhe duhet t’i presim përfundimet që do të nxirren.Derisa krejt këto hetime nuk përfundojnë, ne duhet të kemi kujdes se si sillemi në raport me organet të cilat janë përgjegjëse për sigurinë tonë kombëtare.

 Vijat ndarëse ndërmjet çështjeve që janë trajtim i sigurisë kombëtare  dhe mbrojtës së të drejtave dhe lirive njerëzore është problematikë e përhershme edhe me shtetet më demokratike të botës.Kosova nuk mund të paraqet përjashtim në këtë aspekt, sepse aktivitetet terroriste dhe të spiunazhit në vendin tonë, ashtu sikur në vendet tjera demokratike bëhen në format më të sofistikuara të mundshme.Këtë nuk e them për të justifikuar ndonjë veprim antiligjor të organeve që ruajnë sigurinë kombëtare të Kosovës, mirëpo për të sqaruar se sa e vështirë është lufta kundër terrorizmit, fundamentalizmit, dhe parandalimit të aktiviteteve të spiunazhit në vendin tonë.Kjo çfarë ka ndodhur është një rast i izoluar dhe nuk mund të përdoret nga askush për të akuzuar Kosovën për mosrespektim të Konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por diçka e tillë nuk do të lejojmë që të përsëritet kurrë.Unë pres që hetimet nga organet kompetente të hedhin dritë për këtë rast dhe ftoj Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrje të AKI-së, që me urgjencë ta sqaroj këtë rast deri në fund.

Llogaridhënie duhet të ketë patjetër për të vërtetuar në rast se  ka pasur shkelje të ligjeve dhe procedurave në fuqi.Mirëpo ne duhet të kujdesemi që siguria jonë nacionale të jetë prioritet mbi prioritete. Në asnjë rrethanë në kurriz të mosrespektimit të të drejtave njerëzore në përputhje me konventat ndërkombëtare.Dua të siguroj qytetarët e Republikës së Kosovës, dhe të gjithë shtetasit e huaj që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, se Kosova do të mbrojë me çdo kusht vlerat e saj kushtetuese dhe të cilat mbi gjithçka tjetër i sigurojnë çdo individi që të shpreh pa frikë identitetin, besimin, kulturën, ideologjinë, mendimin dhe fjalën e lirë. Askush nuk guxon të persekutohet, censurohet apo deportohet për shkak se ka një besim apo ideologji ndryshe nga dikush tjetër./b.j/

Filed Under: Analiza Tagged With: Presidenti Thaçi, sfida, Siguria Kombetare, te drejtat e nejriut

Kosova, sfida të zhvillimit ekonomik

January 13, 2016 by dgreca

-Presidentja Jahjaga vizitoi Malishevën, Rahovecin, Suharekën, Shtimen dhe Lipjanin/
-Kryeministri Mustafa kërkoi eliminimin e problemeve të bizneseve që lidhen me energjinë elektrike/
PRISHTINË, 13 Janar 2016/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, të Odës Ekonomike Amerikane dhe të Odës Ekonomike Gjermane, vazhdoi sot vizitat në komunat e Kosovës, ku takoi kryetarët e komunave dhe drejtues të tjerë lokalë.
Në takime u diskutuan sfidat e zhvillimit ekonomik, përkrahja për bizneset dhe krijimi i lehtësirave për to, me theks të veçantë tërheqja e investimeve të huaja.
Gjatë takimeve me kryetarët e komunave, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomik Amerikane, Arian Zeka, dhe kryetari i Odës Ekonomike Gjermane, Albert Matoshi, shtruan problemet me të cilat përballen bizneset në përgjithësi, me theks të veçantë bizneset që përfaqësojnë këto oda.
Kryetarët e komunave, ai i Malishevës Ragip Begaj, i Rahovecit Idriz Vehapi, i Suharekës Sali Asllanaj, i Shtimes Naim Ismajli dhe ai i Lipjanit Imri Ahmeti paraqitën para Presidentes dhe drejtuesve të odave ekonomike përpjekjet që bën pushteti lokal për të bashkëpunuar dhe për të krijuar kushte për bizneset vendore dhe të huaja dhe problemet e sfidat që duhet tejkaluar në këtë fushë, për të krijuar kushte edhe më të favorshme për bizneset, sidomos krijimin e kushteve për investitorët e huaj. Ata paraqitën raste dhe praktika specifike të komunave të tyre dhe projekte konkrete, për të cilat kërkohet përkrahja edhe e institucioneve në nivel qendror.
MUSTAFA: PRIORITETI KRYESOR, ZHVILLIMI EKONOMIK
Prioriteti kryesor i qeverisë së Kosovës për këtë vit është zhvillimi ekonomik, theksoi sot kryeministri Isa Mustafa, ndërsa kërkoi përkushtim maksimal të të gjitha instancave në këtë rrugë, e cila do të krijojë mundësi për hapje të vende të reja të punës dhe zhvillim të vendit.
Ai i vuri theks të posaçëm avancimit të mëtejshëm të ambientit të të bërit biznes në Kosovë, ku rol të rëndësishëm kanë edhe Zyra e Rregullatorit dhe distributori i energjisë, KEDS.
Kryeministri Mustafa, ka pritur në takim me George Karagutoff, drejtor i Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) dhe Enver Halimin, kryesues i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ku janë trajtuar problemet e ngritura nga bizneset kosovare që kanë të bëjnë me aspektet operacionale e teknike të KEDS-it dhe çështjet e tarifave që ndërlidhen me ZRRE-në.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa, theksoi shqetësimet reale dhe vështirësitë me të cilat po përballen bizneset që lidhen me problemet me energjinë elektrike, kryesisht rreth instalimeve të reja që ndërmerren nga vet bizneset dhe tarifat për kyçje në energji elektrike.
Në takim, kryeministri Mustafa ishte i shoqëruar nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.
Gjatë takimit, u theksua edhe vërejtja e vazhdueshme e bizneseve lidhur me sistemin tarifor në vend, ku bizneset paguajnë tarifa të ndryshme për energjinë e njëjtë të konsumuar gjatë gjithë vitit.
Përfaqësuesit e KEDS-it shprehën qëndrimin e tyre se disa nga vërejtjet e mëparshme të bizneseve janë adresuar, por se mbetet në përgjegjësi të rregullatorit që të adresoj çështjet tarifore, maxigrafin dhe të ngjashme. /b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: kosova, sfida, të zhvillimit ekonomik

LUFTA KUNDER DHUNES NDAJ GRUAS, SFIDE E SHOQERISE DEMOKRATIKE

June 13, 2014 by dgreca

Opinion nga Raimonda MOISIU/
(Në Ditën Ndërkombëtare të Dhunës ndaj Gruas)/
Sfidat dhe në të njëjtën kohë potencialet e burimeve dhe marrëdhënieve njerëzore më të rëndësishme të jetës social-ekonomike –politike të një shoqërie demokratike kanë të bëjnë me statusin e grave, identifikimin e zbrazëtirave aktuale sociale, qytetare e intelektuale, si edhe mundësitë e mundshme në promovimin dhe pjesëmarrjen e tyre në jetën e përditshme, promovimin e barazisë gjinore, vëmendjen e duhur dhe mendimin e maturuar të shoqërisë civile me të gjitha atributet njerëzore e intelektuale. Promovimi i statusit human, qytetar, intelektual e njerëzor i grave ka një domethënie të rëndësishme për vetë vlerat dhe integritetin që gratë shqiptare kanë e duhet të zënë në shoqërinë demokratike. Dhuna ndaj grave është padyshim një nga pengesat më të mëdha, e cila parasëgjithash duhet të përballet me një shoqëri demokratike që paraqet themelet e zhvillimit të saj në parimet e lirisë, barazisë dhe sigurinë e qytetarëve të saj. Dhuna ndaj grave është forma më diskriminuese dhe shkelje e të drejtave të saj njerëzore. Dhuna ndaj tyre shkakton mjerim të pallogaritur, shkurton jetën dhe gra të panumërta që i gërryen dhimbja, ankthi, nën kërcënim e frikë për jetën e tyre, fëmijëve e të familjes. Dominanca e dhunës mashkullore dëmton familjet në të gjitha brezat, mjeron e varfëron komunitetin dhe përforcon forma të tjera të dhunës në shoqëri, kufizon rritjen ekonomike dhe minon zhvillimin. Shtrirja dhe shkalla e dhunës ndaj grave janë pasqyrimi i diskriminimit që gratë e vajzat shqiptare vazhdojnë të përballen. Shembuj të shumtë dhune patëm vitin që kaloi,-biles nga më të tmerrshmet. Madje, gjerësisht një pjesë e shoqërisë mendon se gratë janë pronë e burrit dhe për këtë arsye ai mund të bëjë me të cfarë të dojë, kur të dojë e si të dojë, dhe i njohin të drejtën burrit për të ndëshkuar, biles, edhe ta vrasë gruan e tij nëse ai konstaton se ajo nuk bindet apo ka shkelur kurorën. Kjo lloj situate nuk mund të tolerohet më kurrsesi. Dhe për këtë arsye duhet të organizohen fushata që synojnë luftën kundër dhunës ndaj grave të cilat janë prekur në mënyrën më mizore. Unë kam parë protesta të grave të shtresave e racave të ndryshme këtu në USA, me sytë e tyre të nxirë, më fytyrat e tyre të mavijosura nga keqtrajtimi deri në rrahje makabre, foto me varre të mbuluar nga lulet apo edhe me trupin me shënjat e djegura nga cigaret dhe të sfilitur nga përdhunimi. Qëllimi i kësaj forme të protestuari është jo vetëm për të treguar keqtrajtimin e dhunën ndaj grave, por edhe që të sensibilizojë shoqërinë për ekzistencën e kësaj sfide serioze, ndikimin e rritjes të vetëdijes qytetare dhe intelektuale, ndërgjegjësimin e problemit e kështu me radhë. Gra që sfidojnë në emër të Jetës e Njerëzores. Eksperiencat dhe përvojat e tyre janë inkurajuese për të kapërxyer pengesat dhe për të zbuluar se gjithcka është e mundur të arrihet e realizohet me mund e sakrifica, sfida që reflektojnë besimin në forcën e mëncurisë dhe shpirtit njerëzor të grave e vajzave, jo vetëm për të mbijetuar, por edhe për të ndryshuar jetën e tyre, – mesazhi që ato i dërgojnë botës e shoqërisë cdo ditë. Kjo duhet të jetë në qendër të shoqërisë. Çdo gjë është mëse e vërtetë, madje realiteti është shumë më i madh më ngjethës e i trishtuar, se sa duket, por është koha për të ndaluar dhe reflektuar. Sot shumica e njerëzve janë të vetëdijshëm ndaj objektivave të realitetit dhe për madhësinë e tyre, e dinë se ky është një problem serioz, por shumë gra sot janë ende viktima të raportit mes frikës dhe pasigurisë, se cfarë do të ndodhë më pas, si do të ngryset dita e gdhihet nata, çfarë do të ndodhë me fëmijët e tyre, se si do të ndihen, ku ato do të vazhdojnë të jenë të dyzuara me abuzuesin e tyre, ta falin apo jo, pa dashje apo me dashje, për të kuptuar apo jo. Gratë, këto viktima të dhunës e dinë fare mirë se çfarë i pret, por ato nuk mund të arrijnë të perceptojnë se çfarë mund të ndodhë, kur ato të marrin vendimin për të ndryshuar. Jemi të mendimit se dhuna ndaj grave në “vëndin e shqiponjave” është masiv, i përditëshëm, shumë fytyrësh, nga format më të zakonëshme dhe më të rëndat të dhunës ;që nga dhuna ndaj bashkëshortes, partneres, të trafikimit, prostitucionit të detyruar, shfrytëzimi i punës së tyre, përdhunimi, robërimi i grave e vajzave për të shlyer borxhet, dhuna fizike e seksuale ndaj prostitutave, abortet selektive, vrasja e foshnjave, nga keqbërës të mundëshëm, duke përfshirë bashkëshortët, partnerët, anëtarët e familjes, fqinjët, dhe njerëzit në pozita të pushtetit dhe ndikimit. Kjo dhunë është një amebë shumëkokëshe, sic është ta zemë mungesa e kulturës, e prezencës së letërsisë e poezisë. Për të qënë më të sinqertë ;Dhuna më e egër në vendin tonë është dhuna ndaj grave. Shumë meshkuj nuk e kuptojnë se qëndrimi i tyre i prapambetur e injorant ndaj grave mbjell urrejtjen, përbuzje e nënshtrim. A e keni vënë re se kur kapet në “flagrancë” një “prostitutë” nga policia, te kronika e zezë, shënohet me gërma sa më të mëdha e poshtëruese emri i femrës së gjorë e të mjerë, që ka nxjerrë trupin e saj në shitje, a thua se ka ndodhur cudia e padëgjuar ndonjëherë ;ajo ka bërë seks me mbitokësorët!!!! Ajo nuk i ka detyruar ata meshkuj që policia u ruan “nderin”, duke mos ia u përmendur emrin, por dhuna sociale, mjerimi, varfëria, kushtet ekonomike, kanë detyruar femrën e shkretë të shtrihen në krevatin e saj, kundrejt parave, të shfryjnë epshet e pjesës së tyre shtazore. Vendet me demokraci të zhvilluar dhe shoqëri përkatësisht të shëndosha demokratike janë duke i dhënë më shumë të drejta civile grave, duke i trajtuar ato të barabarta me burrat. Gratë shqiptare, të cilat kanë arritur të krijojnë staturën e tyre intelektuale dhe profesionale, një farë shëndrritje të jetës e karrierës së tyre, në jetën social-ekonomike dhe politike, qeveri, art, kulturë dhe media janë bërë jo pak të njohura tashmë në shoqërinë tonë. Është një risi jo e pranuar, por domosdoshmëri për të jetuar shkëlqimin e përditëshëm dhe siguruar të ardhmen e vetes e të fëmijëve. Në një ndryshim të shpejtë dhe rritjes së problemeve sociale, në dukje, kjo mjaftueshmëri nuk ka kuptim të qartë publik, i ndryshëm nga realitet e ashpra të grave dhe vajzave të tjera që jetojnë në këtë vend. Mjaftueshmëri vetjake e tyre është tejet kritike. Shpresat dhe aspiratat, pjesët e pranuara të jetës, janë të kufizura, ndërsa standartet e sotme flasin për më shumë vështirësi në luajtjen e roleve të gruas, nënës, të karrierës dhe përvoja e femrës është shumë më e gjerë në përgjithësi. Familja është interes, jo e interesit. Vlerat e familjes janë thelbësore për qënie morale dhe gratë në karrierë ndikojnë në gjeneratat e ardhëshme. Ky hap përpara në pavarësinë e grave erdhi në rritje por edhe nën kontrollin e tyre. Gratë shqiptare sot ende përballen me diskriminimin në formë të pabarazisë të të ardhurave, nocionin e profesionalizmit si femra, dhe fusha e ‘lojës” nuk është e të njëjtit nivel, por vemë re se paragjykimet gjinore janë institucionalizuar. Mirëpo lind pyetja dhe dilema?? Cfarë po ndodh me gratë e thjeshta punëtore apo shtëpiake që punojnë për familjet e fëmijët e tyre, rolet e tyre në familje e shoqëri, pështjellimi shpirtëror, përcmimi mashkullor, dhuna psikollogjike dhe fizike, që ushtrohet ndaj tyre, mes ndjenjës së nënshtrimit epshor seksual, shfrytëzimit seksual, turpit, të fajëshmes e të pafajshmes, rrahjes, masakrimit vrasës të tyre, së pari nga bashkëshortët dhe meshkujt e tjerë në familje e të jetës së tyre, dhe më pas nga dhuna shoqërore jashtë mureve të shtëpisë që riprodhohet në forma të ndryshme nga vetë qëndrimi maskilist i disa femrave në karrierë. Sado pushtet tu japë karriera kësaj kategorie, ato duhet të mbrojnë pikësëpari -vlerat femërore dhe të familjes. Natyrisht shoqëria civile shqiptare, shoqatat e grave, duhet të jenë gjithmonë aktive, të vazhdojnë të ushtrojnë ndikimin e tyre, të hyjnë në një fazë të re, të cilat të ofrojnë një pamje të ndryshme të këtij problemi social, që ende ndikon në një numër të madh të grave. Të bëjnë të njohur realitetin e ashpër, abuzimin fizik e mendor që ka kohë që ushtrohet vazhdimisht ndaj grave, për faktin e thjeshtë për të ankoruar vlerat patriarkale që përcaktojnë një marrëdhënie historikisht të pabarabartë të pushtetit mes burrave dhe grave, që ende ekzistojnë edhe sot në shekullin e 21-të. Të sensibilozojnë realitetin, të takohen me viktimat e dhunuara të krimit, të ofrojnë një perspektivë të re, qendra për kujdesin mendor e fizik të tyre, për t’i bërë ato të vetëdijshme për të ndryshuar jetën, në të mirë të vetes, fëmijëve dhe familjes. Shoqëria civile duhet të përcjellë mesazhin e rëndësishëm që ndryshimi është i mundur dhe se ende ka shpresë për ta sfiduar atë mizoren –Dhunë! Shoqëria para se të intensifikojë shkakun e dhunës dhe shkaqet e kriminalitetit, duhet të thyejë heshtjen, që të jetë më mirë e në gjendje për të parandaluar dhunën që në fillesën e saj, ose të paktën të jetë në pozicionin për ta ndëshkuar atë, me identifikimin e autorëve të dhunshëm, trajtimin e rehabilitimin e tyre nëpërmjet disiplinave akademike, duke përfshirë antropologji, biologji, kriminologji, psikiatri, punë sociale, dhe sociologji –teori të veçanta këto, që shpjegojnë më së miri fillimin dhe insistimin e sjelljeve të dhunshme. Në anën tjetër të spektrit të dhunës e krimit qëndrojnë “krenare” variablat si varfëria, pabarazia sociale, dhuna fizike, sociale e morale, diskriminimi dhe inferioriteti maskilist, injoranca dhe mosarsimimi, papunësia, imoraliteti, etj. Dhuna kundër grave nuk është as e pandryshueshme as e pashmangshme, mund të reduktohet me vullnet politik, social qytetar, intelektual, dhe burimet e nevojshme. Shoqëria të mos heshtë, por të identifikojë mënyrat për të mbyllur hendekun e kësaj heshtje e plage, mes detyrimeve morale, sociale, shtetërore, të drejtës për të qenë të lirë në një botë të lirë, ta sjellë në vëmendjen e publikut, të shoqatave të grave (jo qeveritare). Shteti të marrë përgjegjësitë e veta sipas normave dhe standardeve, me instrumentet politike të zbatimit, sensibilizimit dhe përpjekjet për të çrrënjosur dhunën kundër grave dhe krimin, duke e bërë prioritet kryesor e të rëndësishëm në nivel kombëtar. Ndërsa koha kalon, dita – ditës shikojmë një realitet të ri të krimit, një botë ku po lulëzon agresiviteti, urrejtja, hakmarrja, dhuna fizike, sociale, morale, dhuna mashkullore e shpeshtë dhe e pandalshme ndaj grave e vajzave, si përgjigje ndaj frustrimeve dhe anktheve, që mbushin jetën mes të përditshmes njerëzore. Në vend që ne duhet të kërkojmë arsyet e këtij realiteti të dhimbshme e të mjerë, në vend që të shqyrtojmë degradimin e dhunshëm të personave që janë pjesë e shoqërisë, përballemi me heshtjen e kësaj shoqërie, heshtje që nxit akoma më shumë dhunën. Heshtja ndaj këtij realiteti të trishtë e “të ftohtë” po ndrydh standardet e mirësjelljes, po kontribuon në mungesën e respektit për shenjtërinë e jetës njerëzore në të gjitha kushtet dhe fazat e saj. Si rezultat i heshtjes të shoqërisë, jeta e grave dhe vajzave të reja është bërë tejet dramatike. Para së gjithash unë sinqerisht dyshoj se burrat abuzivë e vrasës që ushtrojnë dhunë ndaj grave, të cilat përjetojnë forcën fizike të dominancës mashkullore, duke i rrahur e vrarë ato, janë “ekspertë” në të paturit e nevojave dhe plotësimin e tyre, që nënkupton; se ata janë edhe më vetë-tolerues, por që është tejet e rrezikshme, sepse kjo lloj race burrash kanë një problem të madh me veten, ata janë aq tepër egoistë, janë të dhunshëm në marrëdhëniet seksuale, privilegjin mashkull, abuzimin me alkoolin e lëndëve narkotike, stereotipe negative këto, që sjellin mungesë ndjeshmërie për viktimat e tyre. Dhuna ndaj grave nuk është rezultat i akteve individuale të rastit, sjelljes se pahijshme dhe brutale, por më tepër ajo është e rrënjosur thellë në marrëdhëniet strukturore të pabarazisë, anekdotike që konsiderohet kulturore ndërmjet grave dhe burrave, por e pranueshme në mungesë të standardeve të duhura për të drejtat e njeriut. Dhuna ndaj grave është fenomeni më i përhapur në të gjithë nivelet social-ekonomike të shoqërisë. Andaj në këto ditë ndërkombëtare të dhunës ndaj gruas le të bashkohemi të gjitha së bashku në forma e mënyra të ndryshme të japin kontributin tonë intelektual,qytetar, mendor e fizik, për të mbrojtur të drejtat tona, për ti thënë botës mashkullore dhe shoqërisë ndalni dhunën ndaj neve, mos na vrisni, se duke na vrarë ne- po vrisni vazhdimësinë e jetës, simbolin e paqes shpirtërore e njerëzore. Gratë e dhunuara psikollogjikisht dhe fizikisht, kanë nevojë për mbështetjen, përkrahjen dhe mobilizimin, për të krijuar marrëdhëniet me publikun, për të treguar rëndësinë e vlerave morale e familjare të tyre, të kombit, në edukimin, arësimimin, pjekurinë e mendimit, veprimit e sjelljes, entusiazmit e optimizmit, për t’ia arritur qëllimit në mënyrë serioze dhe pjesëmmarjen e tyre aktive në jetën social-ekonomike të vendit, në mënyrë praktike. Është e nevojshme dhe domosdoshmëri për të identifikuar, për të mbështetur, dhe për të përforcuar nismat civile, kombëtare e lokale që favorizojnë praninë dhe rolin e kërkesat e grave, pjesëmarrjen e tyre në jetën social-ekonomike-politike –kulturore, të zbutim shpirtrat, të ulim dorën që ngrihet ndaj grave, familjes, të kthjellojmë mendjen e të ruajmë vlerat e familjes e të shmangim anomalitetet, se vetëm kështu do të transformojmë shoqërinë. Dashuroni karakterin dhe idealin e saj njerëzor për jetën. Gruaja simbol i ardhmërisë, gruaja mban çelësin e “portës” së jetës, i rigjenerimit të brezave, gruaja shpresa e botës, natyra, imazhi, virtytet e tributet, kontributi i saj i çmuar, – janë sfidat dhe potenciali i saj njerëzor, vlera të shëndetshme e të mençura për familjen dhe shoqërinë.
Raimonda MOISIU
HARTFORD CT USA
Qershor 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: kunder grave, ndaj dhunes, Raimonda Moisiu, sfida

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT