SHBA-Kosovë, konfirmim i miqësisë së përhershme
-Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump uron Kryeministrin Haradina/
-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj: Sot, pata nderin e veçantë të pranoj urim për festat e fundvitit nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Ky urim është edhe një konfirmim i miqësisë së përhershme të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës/
-Po ashtu, Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Rex Tillerson falënderon Kryeministrin Haradinaj për luftën kundër terrorizmit/
-Qeveria dhe populli i Kosovës do të jenë çdoherë krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës/
PRISHTINË, 10 Janar 2018-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë, Behlul Jashari/
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe bashkëshortja e tij, Anita Haradinaj, kanë pranuar telegram urimi me rastin e festave të fundvitit nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe bashkëshortja e tij, Melania Trump. Po ashtu, kryeministri Haradinaj, ka marrë telegram falënderimi nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, për mbështetjen e Kosovës në luftën kundër terrorizmit, bën të ditur njoftimi i sapodërguar nga Kryeministria kosovare.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shkruar në ‘facebook’:
Sot, pata nderin e veçantë të pranoj urim për festat e fundvitit nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Ky urim është edhe një konfirmim i miqësisë së përhershme të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Sot, po ashtu, kam pranuar telegram nga Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, në të cilin, ai më falënderon për mbështetjen personale, por edhe institucionale të shtetit të Kosovës në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit.Qeveria dhe populli i Kosovës do të jenë çdoherë krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
SHBA-Kosovë, kundër trafikimit me qenie njerëzore
-Ministri Sefaj priti në takim një delegacion nga ShBA. Ky takim u realizua pas vizitës dhjetëditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së delegacionit nga Kosova, të mundësuar nga Open World Leadership Program/
PRISHTINË, 9 Tetor 2017-Gazeta DIELLI/ Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Flamur Sefaj priti sot në takim njoftues një delegacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku temë bisedimi ishte lufta kundër trafikimit me qenie njerëzore.Ky takim u realizua pas vizitës dhjetëditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së delegacionit nga Kosova, të mundësuar nga Open World Leadership Program, që është një program i financuar nga ShBA, për mundësi të shkëmbimit të përvojave, nga temat e ndryshme të ndërlidhura me mbrojtje dhe siguri të nivelit shtetëror, si dhe të përfaqësuar nga delegacionet përkatëse nga e gjithë bota.
Me këtë rast, nga të dy palët u vlerësua se në Republikën e Kosovës është duke u luftuar me sukses trafikimi me qenie njerëzore, ku nga përfaqësuesit e këtij delegacioni amerikan u premtua se do të ketë përkrahje për Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Gjithashtu u diskutua për mundësinë e bashkëpunimit në mes të dy vendeve dhe shkëmbimi i përvojave me mundësinë e përkrahjes nga ana e delegacionit./b.j/
SHBA-Kosovë, vizitë e dekanëve nga Iowa
-Ministrja Hoxha takoi dekanët Wing dhe Ross nga Iowa, bashkëpunim në drejtim të edukimit të gjeneratave të reja në fushën e drejtësisë/
PRISHTINË, 19 Korrik 2017-Gazeta DIELLI/ Ministrja kosovare e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, sot, priti në takim dekanët e Universitetit të Iowa-s, ekspertë të së Drejtës dhe të drejtave të njeriut, znj. Adrien Katherine Wing dhe z. Christopher Rossi, dhe me këtë rast diskutoi për mundësinë e bashkëpunimit e partneritetit ndërmjet dyja shteteve edhe në fushën e drejtësisë. Ministrja Hoxha theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Iowa-s, duke përmendur takimet e deritashme të ndërsjella, me vështrim të veçantë në lëmin e drejtësisë. Ministrja theksoi nevojën për reforma në fakultetet juridike dhe nevojën për mbështetje nga Universitete të njohura siç është ai i Iowas, në mënyrë që të dalin juristë sa më të kualifikuar dhe të gatshëm për tregun e punës.Ministrja Hoxha falënderoi dekanët e pranishëm për gatishmërinë e tyre për të kontribuar në këtë drejtim. Znj. Wing dhe Z. Rossi, theksuan se do të ofrojnë përkrahjen e tyre në sjelljen e përvojave më të mira në Kosovë, duke avancuar bashkëpunimin në drejtim të edukimit të gjeneratave të reja në fushën e drejtësisë./b.j/
Kongresisti Steve King për thellimin e bashkëpunimit SHBA-Kosovë
-Në takim me Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, Kongresisti amerikan Steve King shprehu gatishmërinë e SHBA-së për ta vazhduar bashkëpunimin e plotë dhe të përkushtuar për Kosovën, me theks të veçantë për zhvillimin dhe avancimin e FSK-së si institucion për të cilin populli i Kosovës ka investuar shumë/
PRISHTINË, 12 Maj 2017-Gazeta DIELLI/ Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama priti në takim në Ministrinë për FSK, anëtarin e Kongresit të SHBA-ve, republikanin nga Ajova, zotëri Steve King. Në takimin e përbashkët të gjeneral Ramës dhe kongresistit King u bisedua për marrëdhëniet e mira ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, bashkëpunimin e mirë ndërshtetëror në mes të Kosovës dhe Ajovës dhe në veçanti për bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës dhe Ushtrisë amerikane në përgjithësi. Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, e njoftoi kongresistin King për zhvillimin dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës si dhe për progresin e saj në aspektin e nderveprueshmerisë me të gjithë partnerët, sipas standardeve të NATO-s.Gjithashtu, gjeneral Rama e njoftoi anëtarin e Kongresit Steve King edhe mbi planet strategjike për zhvillimin e Forcës së Kosovës, konkretisht mbi synimin e shtetit të Kosovës që FSK-ja të transformohet në Forcë të Armatosur, me mision dhe detyra të mbrojtjes së vendit.
Gjeneral Rama e siguroi kongresistin King se FSK-ja i ka bërë të gjitha përgatitjet, është plotësisht e gatshme për transformim, dhe pret vendimmarrjen politike të institucioneve më të larta të shtetit. Gjithashtu, gjeneral Rama ritheksoi qe i gjithë procesi i transformimi do të jetë transparent dhe në koordinim me partnerët strategjikë të Republikës së Kosovës. Nga ana e tij, kongresisti amerikan Steve King shprehu gatishmërinë e SHBA-së për ta vazhduar bashkëpunimin e plotë dhe të përkushtuar për Kosovën, me theks të veçantë për zhvillimin dhe avancimin e FSK-së si institucion për të cilin populli i Kosovës ka investuar shumë. Gjithashtu, kongresisti King shprehu përkushtimin për të lobuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Ajovës dhe Kosovës në të gjitha fushat me interes të përbashkët./b.j/