• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHBA, 14 milionë $ Shqipërisë për paqen dhe sigurinë

March 31, 2016 by dgreca

Çdo vit, Shtetet e Bashkuara mbështesin me ndihma rreth 100 shtete në botë, që shkon miliarda dollarë. Sipas statistikave të bëra publike nga qeveria amerikane, këto iniciativa bëhen për të mbështetur paqen, sigurinë, zhvillimin ekonomik në botë dhe ndihmë humanitare gjatë kohëve të krizës. Administrata Obama i ka kërkuar Kongresit që për vitin 2017 të alokojë në total në mbarë botën 33.9 miliardë dollarë, me një rënie të lehtë të buxhetit, krahasuar me vitin 2016 që ishte 37.9 miliardë dollarë. Për Shqipërinë është parashikuar një fond ndihme prej rreth 14 milionë dollarësh, të cilat do alokohen për çështje të paqes dhe sigurisë, si dhe për garantimin e të drejtave njerëzore, demokracisë dhe qeverisjes. Duke parë historikun e viteve të mëparshme është shënuar një ulje e fondit (gjatë 2015 kishim 14.096 milionë dollarë; dhe në 2014-n 16.8 milionë dollarë). Një tjetër element që bie në sy është që për fondin e 2017, në ndryshim nga të gjithë vitet e mëparshme, nuk përfshihet arsyeja e zhvillimit ekonomik për ndihmesën e dhënë. Pjesa më e madhe e ndihmës jepet për shtetet e Lindjes së Mesme, por edhe ato në Afrikë dhe Amerikën Latine. {Sh.K}

Filed Under: Komente Tagged With: 14 milionë $ Shqipërisë, dhe sigurinë, për paqen, SHBA

SHBA-TC Kosova e Re iu prezantohet kompanive botërore

December 10, 2015 by dgreca

-Të gjitha kompanive i është prezantuar projekti i Termocentralit Kosova e Re dhe fazat e ardhshme të tij, pas shpalljes ofertues i preferuar kompaninë amerikane Contour Global në cilësinë e investitorit dhe operuesit të projektit/
10 dhjetor 2015/Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci së bashku me ekipin e Njësisë për Implementimin e Projektit  Termocentrali ‘Kosova e Re’ dhe këshilltarët strategjikë nga IFC po merr pjesë ekspozitën më të madhe në botë për industrinë e energjisë “POWER – GEN” që mbahet në SHBA, ku prezantohen zhvillimet e fundit të teknologjisë, me theks të veçantë në zgjidhje të reja dhe inovative për të ardhmen e këtij sektori. Në këtë ekspozitë po marrin pjesë rreth 1400 kompani dhe më shumë se 22 mijë pjesëmarrës.Në margjinat e kësaj vizite, delegacioni i udhëhequr nga ministri Stavileci ka takuar dhe kanë biseduar me përfaqësuesit e kompanive me renome botërore siç janë: GE, Mitsubishi Hitachi, Siemens, Doosan, Babcock & Wilcox, Toshiba, Foster Wheeler, Bechtel etj.
Të gjitha kompanive i është prezantuar projekti i Termocentralit Kosova e Re dhe fazat e ardhshme të tij, pas shpalljes ofertues i preferuar kompaninë amerikane Contour Global në cilësinë e investitorit dhe operuesit të projektit.
Kompanitë e lartpërmendura kanë shprehur interesimin dhe gatishmërinë e tyre për të qenë pjesë e procesit të ndërtimit, duke ofruar zgjidhjet më të mira teknologjike që kanë në posedim, e që u prezantuan edhe gjatë kësaj ngjarjeje.
Ndryshe, involvimi i këtyre investitorëve potencialë  në projektet e vendit do të hapte një kapitull të ri në zhvillimin e fushës së energjisë, por edhe të fushave të tjera me interes të madh për ekonominë e Kosovës./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Kosova e Re, SHBA

Kerry: Përkushtim i fuqishëm i SHBA-ve për Republikën e pavarur të Kosovës

December 2, 2015 by dgreca

-Mos u gaboni, theksoi Sekretari amerikan Kerry, ne nuk do të mbështesnim asnjë marrëveshje, e cila do ta kërcënonte sovranitetin, sigurinë apo pavarësinë e Kosovës/

Nga Behlul Jashari/  PRISHTINË, 2 Dhjetor 2015/ Në emër të Presidentit Obama, ju sjell përshëndetjet e tij dhe përkushtimin e fuqishëm dhe të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Republikën e pavarur të Kosovës, tha sot në Prishtinë Serkretari amerikan i Shtetit John Kerry në konferencën për shtyp ku foli edhe kryeministri kosovar Isa Mustafa, pas takimit.

“Po i shoh gjithë këto shenja, flamuj. E pash edhe posterin, i cili dukej aq fuqishëm, aq impresiv. Dhe, po ashtu, Gardën e Nderit kur erdha, dhe me të vërtetë është shenjë e miqësisë dhe respektit, dashurisë për vendin tonë. Prandaj, jam shumë mirënjohës për gjithë këto gjeste. Dëshiroj t’iu falënderoj edhe në emër të të gjithë atyre në Shtetet e Bashkuara të cilët e kanë për zemër Kosovën, dhe për të gjithë atë udhëtim të përbashkët që e kanë bërë, një udhëtim të rëndësishëm në të cilin kemi respekt dhe dashuri të ndërsjellë”, theksoi Sekretari amerikan Kerry.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu në Prishtinë, dhe ju kërkoj ndjesë paraprakisht të gjithëve për këtë vizitë të shkurtër, pasi që Kosova meriton një vizitë më të gjatë nga Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, dhe do ta ketë një të tillë. Ju premtoj se do të kthehem kur të kem pak më shumë kohë.Por, mendova se është e rëndësishme, meqenëse jam duke shkuar në Beograd, dhe do të takohem me kryeministrin e Serbisë, i cili është pjesë e dialogut, dhe dëshirova që të flas me të dy palët e dialogut.

Mendova se është me të vërtetë e rëndësishme që të vija këtu, të sigurohem që Kosova e kupton se ne kemi respekt dhe jemi të përkushtuar për këtë proces. Për këtë arsye, në emër të Presidentit Obama, ju sjell përshëndetjet e tij dhe përkushtimin e fuqishëm dhe të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Republikën e pavarur të Kosovës”, tha Sekretari Kerry.

Siç e tha edhe kryeministri, vijoi ai, sapo e përfunduam një takim shumë produktiv, gjatë kësaj kohe që e patëm, së bashku me zëvendëskryeministrin Thaçi dhe me zëvendëskryeministrin Stojanoviç, folëm për një varg çështjesh, çështje ekonomike, të sigurisë, të tranzicionit, të demokracisë, të sfidave në Kuvend, si dhe folëm edhe për mundësitë.

“E dimë se ka një popullatë të re këtu, nën moshën 30 vjeç. Ndoshta 60 për qind e popullatës është nën moshën 30 vjeç, dhe njerëzve ju duhen vende pune dhe kanë nevojë për vende pune. Dhe unë jam këtu që të them që edhe kryeministri dhe zëvendëskryeministrat janë në rrugë të duhur për t’i dhënë ato mundësi.

Nevojitet pakëz durim, punë, dhe natyrisht këto duhet të ndodhin. Por fakti qëndron se ka mundësi të shumta për kosovarët, për njerëzit e këtij rajoni, dhe ka shumë mënyra që kombet tona t’i përmbushim ato mundësi, nëse punojmë bashkërisht”, tha Sekretari amerikan i Shtetit.

Siç e përmendëm pasdite sot, vijoi ai, Kosova me të vërtetë ka arritur përparim të fuqishëm në rrugën e integrimeve të plota euroatlantike.

“Dhe nënshkrimi i kohëve të fundit i Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, paraqet një hap të rëndësishëm në këtë drejtim. Këto të arritura janë rezultate të drejtpërdrejta të gatishmërisë së Kosovës për të bërë progres në dialogun e lehtësuar nga BE-ja me Serbinë.

Dhe jemi të vetëdijshëm që Marrëveshjet që Kosova ka nënshkruar, nuk janë të lehta, kanë qenë vendime të vështira politike. E kuptojmë këtë. Por aftësia për të marrë vendime të zorshme, që janë të nevojshme për të mirën e vendit, quhet lidership”, u shpreh Sekretari amerikan i Shtetit.

Dhe, vijoi Kerry, unë jam këtu sot, për t’iu përcjell respektin e Presidentit Obama dhe të popullit amerikan për lidershipin që po i bënë të gjitha këto zgjidhje.

“Shtetet e Bashkuara janë shumë të kënaqura që udhëheqësit e Kosovës e kanë treguar gatishmërinë dhe qëndrueshmërinë e tyre, për t’i bërë gjërat, të ndryshojnë gjërat, gjatë dialogut me Serbinë. Ne i mbështesim këto përpjekje”, tha ai.

Mos u gaboni, theksoi Sekretari amerikan Kerry, ne nuk do të mbështesnim asnjë marrëveshje, e cila do ta kërcënonte sovranitetin, sigurinë apo pavarësinë e Kosovës.

“Kemi investuar tepër shumë, ne vetë, së bashku, në të ardhmen e Kosovës, për ta vënë në rrezik.

Për këtë arsye jam shumë i lumtur që kemi një numër të të rinjve këtu, që janë një shembull i shkëlqyer i investimit tonë të përbashkët për të ardhmen tuaj.

14 nga më shumë se 1000 gra dhe burra që kanë marrë pjesë në programe të ndryshme të shkëmbimit, mes Kosovës dhe SHBA-së, janë këtu sot. Dhe do ta kem rastin që t’i përshëndes, pasi të përfundoj këtë fjalim”, tha ai.

Por, vijoi Kerry, në mesin e këtyre të diplomuarve, siç janë për shembull Sali Shoshi, i cili ka marrë pjesë në njërën prej programeve për udhëheqësi, tash është i përkushtuar për ruajtjen e trashëgimisë së pasur multietnike kulturore të Kosovës. Kjo është puna e tij. Këtë e ka zgjedhur ai vetë. Dhe Saliu është duke udhëhequr përpjekjet për restaurimin e Kalasë së Prizrenit, projekt i cili është i financuar nga Ambasada Amerikane dhe Qeveria e Kosovës.

Një anëtare tjetër është Nora Latifi, e cila pasi ka marrë pjesë në programin tonë të Fulbright-it, tash punon tek Instituti GAP, njëra prej organizatave më me ndikim që promovon zhvillimin ekonomik të këtij vendi.

Shtetet e Bashkuara nuk do të mund të jenë më të lumtura, se sa kur shohin aq shumë gra dhe burra, sikurse Saliu dhe Nora, që përvojën e tyre në vendin tonë, e përdorin për ndërtimin e një Kosove më të fuqishme dhe më me prosperitet”, tha Kerry.

Dhe, vijoi Sekretari amerikan i Shtetit, për ta siguruar Kosovën me prosperitet dhe më të sigurt, nevojitet punë e madhe, punë e mundimshme.

“Kosovarët kanë arritur shumë në vitet e fundit, por nevojitet edhe më shumë përkushtim nga ana e të gjithë qytetarëve për sundimin e ligjit, për lirinë e shprehjes, dhe të drejtën për protesta paqësore, të cilat janë të drejta fondamentale për çdo demokraci. Por dhuna është e papranueshme. Kuvendi i Kosovës duhet të jetë vendi ku ka debat domethënës për politikat publike, ku njerëzit mund të dëgjojnë njëri-tjetrin në paqe, pa marrë parasysh sa e kundërshton idenë, ose ke një ide tjetër vetë”, theksoi Kerry

Liria e shprehjes, vijoi ai, do të thotë se njerëzit kanë të drejta ta thonë atë që e mendojnë, edhe nëse nuk ju pëlqen juve. Por kjo pastaj sjell ide tjera, përpjekje të reja për të ndihmuar që të gjendet një mes i përbashkët. Dhe gjetja e këtij mesi të përbashkët është shumë i rëndësishëm.

“Për shembull, senatori McCain dhe unë vijmë nga dy parti të ndryshme. Të dy kemi qenë kandidatë për president nga dy parti të ndryshme, me dy prapavija të ndryshme. Por kemi gjetur rrugën e përbashkët për të punuar bashkë, që ta hedhim prapa luftën e Vietnamit, në mënyrë që të kemi marrëdhënie të plota diplomatike me këtë vend me të cilin kemi qenë në luftë. Prandaj, ne e kuptojmë për çfarë jeni duke u munduar, që ta lini luftën prapa dhe të shkoni drejt së ardhmes”, u shpreh më tej Sekretari Amerikan i Shtetit.

Por, vijoi ai, më lejoni të qartësoj: debati duhet të bëhet në demokraci, në veçanti në Kuvend, që duhet të jetë tempull i demokracisë, vend i respektit.  Nuk është vend ku duhet të hidhet gaz lotsjellës, apo edhe të bëhen kërcënime.

“Të gjitha partitë duhet të dënojnë përdorimin e dhunës në jetën publike, dhe t’i përkushtohen angazhimit në mënyrë paqësore dhe konstruktive, për t’i zgjidhur dallimet e tyre për interesin e vendit.

Prandaj, një e ardhme demokratike për Kosovën kërkon që çdo qytetar të trajtohet në mënyrë të drejtë, pa marrë parasysh qëndrimet e tij apo të saj, sa i përket çështjeve të ndryshme, apo edhe pozitës së tyre në jetë, pa marrë parasysh etninë, gjininë, apo orientimin seksual”, tha Kerry.

Kjo, vijoi ai, po ashtu kërkon që Kosova të përmbush zotimin për themelimin e Gjykatës Speciale, në mënyrë që të zgjidhen të gjitha ato pohimet e viteve të konfliktit, njëherë e përgjithmonë, dhe që kombet vetë të pajtohen.

“Kërkon, po ashtu, që udhëheqësit kosovarë ta kundërshtojnë korrupsionin dhe të insistojnë që të gjitha rastet korruptive të hetohen dhe kushdo që gjendet fajtor duke abuzuar me besimin e publikut, të dal para drejtësisë”, tha Sekretari amerikan i Shtetit.

Shtetet e Bashkuara, theksoi ai, do t’i qëndrojnë Kosovës përkrah në të gjitha këto përpjekje, dhe që nga koha e pavarësisë së Kosovës, jam krenar që mund të them se kombi im ka investuar pothuajse një miliard dollarë në ndihma të ndryshme për Kosovën, në qeverisje, demokraci, paqe, zhvillimin ekonomik, në sundimin e ligjit, apo ndihma humanitare apo ndihma të tjera.

“Kemi punuar ngushtë me Kosovën për adresimin e çështjes së ekstremizmit të dhunshëm dhe të terrorizmit, dhe të luftëtarëve që kthehen nga Siria, nga fronti DAESH. Dëshiroj që të them se Kosova ka vënë një shembull të fuqishëm në rajon, duke arrestuar disa njerëz të profilit të lartë, dhe duke miratuar ligje të fuqishme, dhe siç ia përmenda edhe vetë kryeministrit më herët, pjesëmarrja e Kosovës në Samitin e Presidentit Obama në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Kosova po jep një shembull të fuqishëm me arrestime të profilit të lartë dhe me legjislacion edhe më të fuqishëm”, tha Kerry.

Por, vijoi ai, natyrisht, më duhet që ta them se nevojitet që të punohet edhe më shumë, nga të gjithë ne. 

“Sapo u ktheva nga një takim në Bruksel me NATO-n, ku folëm gjerë e gjatë për mënyrat se si duhet të mundohemi edhe më shumë, të punojmë edhe më shumë, për shkatërrimin e ISIS-it. Jemi të përkushtuar për ta realizuar këtë gjë”, theksoi Kerry.

Më vjen mirë, vijoi ai, që e kemi ritheksuar rëndësinë e një dere të hapur për në NATO, me ftesën për pranimin e Malit të Zi, fqinjit tuaj.

“Duhet që të punojmë bashkë për të luftuar premtimet false të ISIS-it, dhe premtimeve false për lavdi që ekstremistët përdorin për të joshur të rinjtë, në një jetë e cila nuk çon askund. Është një rrugë qorre”, tha Sekretari amerikan i Shtetit.

Ai theksoi se, me Kosovën e drejtuar kah Evropa, me një infrastrukturë më të mirë dhe me një sistem më të fuqishëm të drejtësisë, atëherë Kosova do të tërheq më shumë investime të huaja. 

“Njerëzit që i kanë paratë dëshirojnë të dinë se ku po i dërgojnë ato para, dhe dëshirojnë që të kenë besim në sistemin e drejtësisë, besim në kontrata, dhe se çfarëdo ndryshime në to, do të zgjidhen në mënyrë të drejtë, dhe nëse investojnë para, atëherë do të kenë rastin më të mirë për të bërë para, duke krijuar vende të punës, duke ndarë prosperitetin e tyre me ata që i fitojnë ato vende pune.

Pra, partneriteti i ri me kompaninë amerikane, e cila quhet ‘Contour Global’, për zëvendësimin e Termocentralit ‘Kosova A’, me një termocentral më të pastër “Kosova C”, është një shembull i rëndësishëm se çfarë mund të bëjmë bashkë”, tha Kerry.

Folëm, vijoi ai, edhe për shembuj të tjerë, si gjëra që mund t’i bëjmë për të inkurajuar rritjen e bizneseve të vogla dhe zhvillimin e tyre.

“Shtetet e Bashkuara gjithmonë janë në favor të zgjidhjeve të reja për energji të ripërtëritshme  dhe të ripërdorueshme. Për këtë, kemi qenë në Paris duke negociuar. Dhe unë do të kthehem sërish në Paris për të vazhduar negociatat në ditët në vijim, sepse kjo është një prej prioriteteve dhe objektivave më të rëndësishme strategjike që i kemi në botë tash.

Duke i përmbushur nevojat e menjëhershme të Kosovës për energji elektrike, ne besojmë se ‘Kosova C’, me bashkëpunimin tonë, do të prodhoj shumë më pak ndotje, dhe 30 për qind më pak emetim të gazit që aktualisht prodhon ‘Kosova A’. Kështu që Kosova do të jap kontributin e saj në luftën globale të të gjitha kombeve që janë të përkushtuara për t’u marrë me çështjen e ndryshimeve klimatike”, tha Sekretari amerikan i Shtetit.

Por, përveç kësaj, vijoi Kerry, vijnë edhe punët e reja, të cilat janë të teknologjisë së lartë. Të gjithë ata që kanë shkuar për t’u edukuar jashtë, këta të rinjtë do të tërhiqen që të kthehen dhe të ndihmojnë në rritjen dhe forcimin e Kosovës në një vend stabil, demokratik dhe multietnik.

“Kjo është pikërisht e ardhmja që e meritoni, dhe e di që është e ardhmja për të cilën Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që të punojnë me juve, që ta përmbushni. Prandaj, më lejoni që t’iu them në fund, se nga Prishtina do të shkoj në takimin ministror të OSBE-së në Beograd, dhe e mirëpres një ditë kur Kosova do të jetë po ashtu aty, si anëtare e plotë dhe e barabartë”, theksoi Kerry.

Duke iu drejtuar kryeministrit të Kosovës, Mustafa, Sekretari amerikan i Shtetit, Kerry, u shpreh:

“Edhe njëherë ju faleminderit shumë juve dhe zëvendëskryeministrave për mikpritjen tepër bujare dhe të ngrohtë.

Më e rëndësishme se sa ardhja ime këtu, është partneriteti që e kemi për të ecur përpara.

Jemi shumë krenarë për gjithë atë që e kemi arritur, dhe shpresojmë se do të vazhdojmë të punojmë së bashku me ju që të kemi tregime edhe më të mira në të ardhmen, në ditët dhe vitet në vijim. Faleminderit shumë”.

FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT ISA MUSTAFA PAS TAKIMIT ME SEKRETARIN AMERIKAN, JOHN KERRY:

Sot patëm nderin e veçantë ta takojmë sekretarin shtetëror  të Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. John Kerry. E njoftova sekretarin Kerry për situatën aktuale politike në vend dhe për prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës. E falënderova, po ashtu, sekretarin Kerry, Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullin amerikan për përkrahjen dhe ndihmën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dhe po ia japin Kosovës.

Kjo ndihmë ka qenë shumë e madhe në të gjitha fazat. Ka qenë shumë e rëndësishme në shlyerjen e borxhit të jashtëm të Kosovës që e kishte trashëguar Kosova që më parë, në fazën emergjente të ndërtimit të pasluftës, në programet dhe projektet që Agjencioni Amerikan për Zhvillim Ndërkombëtar-USAID i ka zhvilluar në Kosovë, në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe të qeverisjes së mirë, në sektorin e edukimit, mbështetjen Policisë së Kosovës, në prezencën e trupave të KFOR-it, në përkrahjen e institucioneve të sundimit të ligjit, në trajtimin dhe asistencën substanciale të FSK-së, si dhe për kujdesin që populli dhe Qeveria Amerikane treguan për qytetarët tanë, të cilët gjatë luftës u strehuan dhe u përkujdesën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I nderuari sekretar Kerry. Qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës e vlerësojnë lartë përkrahjen e SHBA-ve për lirinë dhe pavarësinë tonë. Të gjithë ne jemi të përkushtuar për miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe për ndërtimin e vlerave demokratike, duke marrë shembull vendin tuaj.

Ne ndjejmë mirënjohje, por edhe përgjegjësi të thellë për gjithë atë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë dhe po bëjnë për Kosovën.

Po punojmë me prioritet për zhvillimin ekonomik të vendit, për stabilitet politik, për politika të fqinjësisë së mirë me vendet në regjion, dhe për integrime euroatlantike.

Po vazhdojmë dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve dhe për të integruar popullatën serbe në jetën politike dhe në jetën ekonomike të vendit.

Krahas kësaj, po punojmë edhe për integrimin e të gjitha komuniteteve tjera. Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve, është vend multietnik, dhe këtë ne e konsiderojmë si pasuri dhe si vlerë të vendit tonë.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim ne presim edhe liberalizimin e vizave si hap tjetër nga Bashkimi Evropian.

Edhe përkundër veprimeve të dhunshme të opozitës për të kundërshtuar themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi, Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur që të vazhdoj dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, kurse marrëveshjet mbeten që të argumentohen nga organet e pavarura, siç është Gjykata Kushtetuese dhe komisionet profesionale.

Qeveria, po ashtu, është e gatshme të dialogojë me opozitën për të gjitha çështjet, mirëpo nuk e pranon dhunën si instrument të politikës.

Kosova e mirëpret ftesën e NATO-s për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, dhe konsiderojmë se ky është një hap i paqes dhe i sigurisë në regjion.

Jemi të vendosur të luftojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha institucionet qeveritare, në agjencionet e pavarura, dhe ndërmarrjet publike. Do të mbështesim shtyllën e drejtësisë që të jetë më efikase në këtë luftë dhe do të punojmë të adaptojmë prokurimin publik për të evituar korrupsionin dhe të kalojmë në prokurim elektronik, që nga viti i ardhshëm.

Qeveria e Republikës së Kosovës tani po punon në projektin e ndërtimit të “Kosovës se Re” me kompaninë amerikane “Contour Global”, me të cilën po krijohen kushte që të kemi energji të mjaftueshme. Po krijojmë kushte të mira, po ashtu, për tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe sidomos jemi të interesuar që këto investime t’i tërheqim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe po ashtu të kemi bashkëpunim në nivelin e arsimit të lartë, për çfarë ju falënderoj për përkrahjen e deritanishme, sidomos përmes Fondacionit “Fulbright”.

Kosova ka arritur të jetë kandidate për asistencë në MCC dhe për herë të parë ka arritur që të përmbush këto kritere që janë vënë, e që janë kritere mjaft të forta dhe domethënëse. Andaj shpresojmë se do të gjejmë përkrahjen e fondeve të cilat do të ndihmojnë një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe do të ndihmojnë po ashtu në forcimin e shtetit ligjor.

Ne vlerësojmë lartë rolin e SHBA-ve në luftë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizimit, dhe do të jemi aleat i juaji në këtë betejë shumë të rëndësishme, jo vetëm për regjionin, por për botën.

Kosova, po ashtu, është e përkushtuar të ndërtojë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, marrëdhënie të paqes dhe marrëdhënie të stabilitetit në rajon.

Ne vlerësojmë lartë përkrahjen tuaj në ndërtimin e marrëdhënieve të ngushta me NATO-n, në anëtarësimin në organizata regjionale dhe ndërkombëtare, dhe në rritjen e numrit të vendeve të cilat e pranojnë pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Unë dëshiroj t’ju falënderojë shumë për nderin që na keni bërë me ardhjen tuaj në vendin tonë dhe po ashtu, dëshiroj që të falënderoj edhe qytetarët dhe popullin amerikan për gjithë këtë përkrahje që na kanë dhënë.

Filed Under: Komente Tagged With: Kosove, Perkushtim i fuqishem, Sekretari Kerry, SHBA

SHBA, forca speciale në Irak kundër Shtetit Islamik

December 2, 2015 by dgreca

Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë forca të specializuara në Irak me synimin për të rritur presionin ndaj militantëve të Shtetit Islamik, sigurisht duke ndihmuar Irakun, ndërkohë që do të kenë mundësi të kryejnë edhe operacione të njëanshme edhe në Siri. Lajmi është bërë i ditur nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter, gjatë kësaj të marte, i cili ka folur gjatë një mbledhjeje të Komitetit të Shërbimeve të Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve, në Uashington. “Në bashkëpunim të plotë me qeverinë e Irakut, ne do të dërgojmë një ekspeditë të specializuar forcash shënjestruese, për të ndihmuar forcat irakene dhe ato kurde, të njohur si ‘Peshmerga’, ndërkohë që gjatë këtij misioni do të mund të kryejnë bastisje, të çlirojnë pengje, të mbledhin të dhëna për agjencitë e kundërzbulimit, si dhe të kapin krerët e ISIS”, tha Carter.
Shteti Islamik ka zaptuar territore të mëdha në Irak dhe Siri gjatë verës së vitit 2014. Një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe me pjesëmarrjen e 65 vendeve të tjera ka zhvilluar një fushatë sulmesh ajrore kundër xhihadistëve në të dy shtetet, Irak e Siri.

Filed Under: Rajon Tagged With: Forca speciale, në Irak, SHBA

Voal – Zëri i Shqiptarëve mbështet Deklaratën e Federatës Panshqiptare Vatra në SHBA

November 24, 2015 by dgreca

Voal – Zëri i Shqiptarëve mbështet fuqishëm Deklaratën e Federatës Panshqiptare Vatra në SHBA, që vjen nga vendi të cilit Kosova i dedikon çlirimin dhe lirinë, rreth situatës dramatike në Kosovë, duke e konsideruar me vlerë historike, e cila me urtësi dhe largpamësi, mban një qëndrim mbi palët politike, në të mirë të popullit të Kosovës, meqë, në fund të fundit, partitë politike në Kosovë përfaqësojnë votën e elektoratit. Sikur thekson Federata Panshqiptare Vatra, edhe Voal është kundër kthimit të Kuvendit të Kosovës në një arenë të dalur jashtëkontrollit, në opozitë të plotë me traditën shqiptare, ku drejtësia vendoset përmes urtësisë, dhe peshorja anon nga e mira e përbashkët. Po ashtu Voal është kundër maxhorancës së krijuar si rezultat interesash klienteliste dhe jo frut i demokracisë free and fair. Voal shpreh qëndrimin konform deklaratës së Vatrës se „koalicioni qeveritar nuk i shpëton përgjegjësisë për situatën e krijueme që asht shkak i një dëshprimi shpërthyes. Korrupsioni i përhapun deri në rrethet ma të nalta qeveritare e parlamentare, zyrtarët e zgjedhun a të emnuem pasunohen “mbrenda natës”si me u pikë parja prej qiellit, ndërsa populli vorfnohet gjithnjë e ma tepër, papunësia rritet, rinija mbetet rrugëvet pa shpresë për të ardhmen dhe mija familjesh lëshojnë trojet e marrin arratinë“. Edhe Voal si Vatra „nuk mund të pajtohemi me metodat e dhunës me prirje anarkike të opozitës, që janë të papranueshme në nji shoqni të civilizueme, të dënueshme si antidemokratike dhe, në anë tjetër, komprometojnë randë kauzën të cilës don t’i dalë zot, sado kauzë e drejtë të jetë ajo.“ Voal pajtohet plotësisht me Deklaratën e Vatrës në lidhje me dy marrëveshjet që ka bërë qeverija e Kosovës me Serbinë për “Zajednica”-n dhe me Malin e Zi për përcaktimin e vijës kufitare. Fillimisht opozita të tërhiqet e me durim të presë vendimin që vjen prej Gjykatës Kushtetuese, ndërsa nga ana e saj Gjykata Kushtetuese të mos e zvarrisë vendimin. Për të gjetur një konsensus mbarë popullor, ne jemi plotësisht dakord me qëndrimin e Vatrës në deklaratën e 18 Nëntorit 2015 i shprehur në dy pika: „Së pari, duhet të merret vendim dhe të organizohet sa ma shpejt një referendum për marrëveshjet, për të cilat populli duhet të informohet në mënyrë shumë të qartë dhe t’i kuptojë mirë, kështu që ai, sovrani, në kushte të qeta sigurije, të vendosi në se i pranon ose i shtyn ato për negociata të reja. Së dyti, të shqyrtohet me seriozitet mundësia e shkuemjes në zgjedhje të parakohshme.” Vetëm kështu, do të veprohet në të mirë të interesit të popullit e të shtetit të Kosovës, do t’i jepet fund skenave të anarkisë dhe kaosit, si dhe do të ndalet papërgjegjshmëria e palëve. Të mos harrojmë se partitë në Kosovë duhet të jenë zëdhënëse të popullit të Kosovës dhe jo si deri tash që populli i Kosovës është kthyer në shërbëtor i partive politike.

Filed Under: Analiza Tagged With: ederata Panshqiptare, Referendum mbarëpopullor, SHBA, situata Kosovë, Vatra, VOAL, zgjedhjet e parakohëshme

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 22
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT