Nga Shefqet Kërcelli/
Midis festimeve të organizuara në nëntorin e këtij viti në kryeqytet dhe qytetet kryesore të vendit, si ato zyrtare ashtu dhe nga shoqata të ndryshme atdhetaro-kulturore, ku shqiptarët në mënyra të ndryshme shfaqën gëzimin e kënaqësinë për këto festa të rëndësishme, më ra në sy një gjetje origjinale e Bibliotekës Kombëtare, e cila kishte sjellë dicka të re në festimet e atyre ditëve. Në një ambient të vogël, në hyrje të Bibliotekës, ndryshe Këndi i Kulturës Amerikane, ishin ekspozuar disa libra, gazeta, dokumente dhe fotografi, të cilat deri tani ishin në fondin rezervë të Bibliotekës kryesore të vendit, me një titull të vecantë, “Shqipëria në Luftë, 1939-1944”. Duke shpjeguar qëllimin e kësaj ekspozite, organizatorët në një mesazh të tyre sqaronin se kjo ekspozitë i kushtohet teatrit kompleks të luftës në territorin shqiptar gjatë Luftës së II-të Botërore. Tashmë pas 70 vjetësh, shqyrtimi dhe studimi i saj na nxit në një rikthim modern e bashkëkohor të dokumentit arkivor, rikthim tek dëshmia e përjetimit, tek imagjinarja kolektive, tek rindërtimi retrospektiv, debati konceptual e deri tek domosdoshmëria e përhershme e rishkrimit. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë bëhet pjesë e këtij refleksioni, përmes një përzgjedhje cilësore nga fondi i cmuar i historianëve evropianë, anglezë dhe amerikanë, kontributi i të cilëve paraqitet për herë të parë në publikun shqiptar, duke tërhequr vëmendjen mbi qasjen dokumentare të trajtimit të Shqipërisë në Luftën e II-Botërore….Pikërisht nga këto pamje në dukje të vogla ngrihet dhe dëshmia e madhe e Luftës, lufta dhe fëmijët, lufta dhe letërsia, lufta dhë dëshmimi, lufta dhe imazhi, por dhe lufta e imazheve, e simboleve dhe ideve, vijnë në këtë ekspozitë duke na ftuar ta ripërjetojmë këtë moment tragjik të historisë, i cili vijon të bashkëveprojë në mënyrë të pashmangshme me të tashmen tonë…e mbyllnin njoftimin organizatorët. Kështu nga data 27 deri 4 dhjetor, kërshëria shtyu mjaft shqiptarë e të huaj ta vizitonin këtë kënd modest. Në hyrje të ekspozitës zinte vend shtypi i shkruar i 7 prillit 1939, si. psh “Gazeta e Korcës”, 7 prill 1939, që për kryeartikull kishte shkrimin e zotit Mehdi Frashëri, “Ajo që po i ngjet sot Shqipërisë, nesër mund tu ngjasë të tjerëve”, ku i bëhet thirje diplomacive perëndimore dhe fqinjëve të reflektojnë mbi këtë pushtim të paralajmëruar të Shqipërisë nga fashistët. Nga ana tjetër “Gazeta Shqiptare” e 9 prillit 1939, e jep me nota pozitive këtë pushtim, se si trupat italiane hyjnë në Shqipëri dhe Konti Ciano merr pjesë në manifestimet popullore për Ducen dhe Italinë Fashiste, etj. Krahas botimeve të kohës në shqip, si “Shqipëria e Re”, e Këshillit e Regjencës fashiste, të binin në sy dhe mjaft botime të ushtarakëve dhe diplomatëve italianë të kohës, si “Ditari” i Kontit Ciano, “Italia dhe Shqipëria” të Alessandro Rosellit, “Të vërtetat dhe gënjeshtrat mbi ekspeditën në Shqipëri”, A.Trizzione, “Një luftë e gjatë”, e Franco Benantit, “Politika e Shqipërisë në Itali”, Francesko Jakomoni, “Komanda e lartë”, Ugo Cavallero, “Qëndresa e ushtarëve italianë në Shqipëri”, Massimo Coltrinari, etj. Botime këto të ngelura nga ajo kohë, ose të dhuruara. Paralel me këto botime kishte foto të asaj kohe. Në vijim ishin ekspozuar kujtime të Hebrenjve të shpëtuar në Shqipëri, si “Shpëtimi në Shqipëri”, Harvey Sarner, “Në sajë të Shqipërisë, rrëfime për vete”, Johana Jutta Neumann, “Prania historike dhe shpëtimi i hebrenjve gjatë luftës”, e Naim Zotos, botime të autorëve rusë, anglezë, gjermanë, amerikanë, etj. me të cilat në një masë të madhe opinioni shqiptar e më gjerë është njohur më parë. Natyrisht vend të vecantë në këtë ekspozitë zinin dhe mjaft autorë, studjues dhe historianë amerikanë, të cilët më parë nuk kanë pasur shansin të paraqiteshin në asnjë vend apo cep të këtyre ekspozimeve, të bërë mbi 60 vjet, nga historianë, studjues e shërbëtorë besnikë të regjimit. Pamvarësisht teprisë me masat e sigurisë, mendoj që ishte një hap i mirë i Bibliotekës Kombëtare sjellja në vëmendjen e qytetarëve dhe studjuesve e këtyre botimeve. Unë do sugjeroja që gradualisht personeli i kësaj biblioteke mund të bëjë dhe dixhitalizimin e këtyre botimeve, ashtu si Univeristeti i Harwardit ka bërë me dhjetra botime në anglisht për Shqipërinë. Kjo do ja lehtësonte punën studjuesve të ndryshëm, por dhe studentëve të historisë. Gjithsesi kjo është temë më vete, sepse ajo që më bëri përshtypje në këtë ekspozitë, ishte publikimi i një foto të 28 nëntorit 1944, festimi i ditës së clirimit në Tiranë, ku në sfondin kryesor ishte flamuri amerikan dhe aleatëve, krahas me atë shqiptar. Kjo ishte dhe ngasja ime për ta vizituar këtë kënd. Për mëse 6 dekada shqiptarët në librat e tyre të historisë, në shkrime për luftën, revista, studime historike, me mijëra faqe, kanë parë një foto të burgosur, të retushuar, një imazh të përmbysur, ku flamuri i aleatit kryesor të shqiptarëve, SHBA-ve, nuk ekziston. Breza të tërë janë gënjyer, mashtruar, hipnotizuar e margjinilizuar, me këtë fotografi, ku propaganda e sistemit monist me qëllimi e ka manipuluar kontributin e ushtarakëve të SHBA gjatë Luftës së II-Botërore dhe më pas. Studjues dhe historianë të kollarisur e kanë shkruar dhe pranuar në heshtje këtë fakt, dhe tani dalin e flasin për histori. Mbi c’moral? Është koha për refleksion në radhë të parë të këtyre njerzve që u bënë shërbëtorë të bindur të sistemit, vetëm për hatër të titujve, gradave, honorareve e shpërblimeve pa fund. Nuk jam për asnjë lloj ekstremizmi, por për atë realen, të vërtetën, e cila vonon por nuk harron, ku nqs njëra palë është glorifikuar, tjetra është injoruar. Vërtet ka rjedhur shumë ujë i ndotur për historinë e këtij vendi, por asnjëherë s’është vonë, tashmë është koha dhe momenti, që nëpërmjet burimeve historike e dokumenteve të shumta, të vendosim gjërat në vendin e duhur. Ti cojmë ato në burimin e tyre, duke i hequr retushimet e spekullimet periodike. Le të kemi mirësinë dhe durimin që brezave pasardhës ti lemë një histori të kulluar, si kroi i burimit. Psh. duhet sqaruar, si dhe sa kanë ndikuar ndihmat e aleatëve anglezë dhe amerikanë, në organizimin e rezistencës antifashiste dhe krijimin e formacioneve partizane. Dikujt mbase mund ti duket i vogël asgjësimi i një depo armatimi, municioni, i një depo karburanti në atë kohë, por në planet operacionale në terren, vecmas në nivelin taktik, ndikimi i tyre ishte i madh. Mendoje, sa i kushtonte mbartja e një arke municioni nazistëve nga nga Mynihu në Durrës, ndërkohë që Rajhut të III-të i duheshin fishekët në frontin e Lindjes e Perëndimit?! E pra, këto duhen rivlerësuar e llogaritur nga specialistët, studjuesit dhe historianët ushtarakë. Pikërisht në ndihmë të kësaj pune, na vjen dhe kjo foto e thjeshtë e pafajshme, e cila bart një të vërtetë e përmbajtje të madhe, të retushuar qëllimisht për 6 dekada mbas asaj dite nëntori, ku fotoreporteri Costa na solli në celuloid këtë foto historike. Një fotografi që përcjell një lajm e ngjarje të madhe dhe njëherazi, të ngjall kureshtje, gëzim por dhe pikëllim. Blici i aparatit fotografik të zotit Costa na ka sjellë një foto historike, një tablo me një dimesion të shtuar në kohë dhe hapësirë. Fotografi Costa ka humbur në thellësinë e viteve, por na ka lënë një fotografi që flet me gjuhën e qytetarëve shqiptarë, partizanëve, ushtarakëve aleatë. Nderim dhe respekt për kët fotograf brilant! Natyrisht, fatet e personazheve të kësaj fotografie nuk dihen, dikush mund të kenë vdekur, dikush është me thinja, dikush rrugëve të harresës, por ata janë memorizuar në histori nëpërmjet kësaj foto, nëpërmjet gjurmëve të saj. Në horizont shndrit flamuri shqiptar, i SHBA dhe aleatëve të tjerë. Kështu fotografia rrëfen duke u shndruar në kujtim, përjetim, histori, ajo nuk është memece, lëviz e këshëllon…Por, duke depërtuar në gjuhën e fotos, duke bashkëbiseduar me të, sepse dhe ajo ka gjuhë, ajo na zgjon ndjenjën e kthimit të kohës dhe qartazi na bën një thirje për realitetin e tanishëm:-o shqiptarë, mos retushoni më, mos fshini dokumenta, foto, tapi, dosje, se ajo është historia juaj, është mishi dhe kocka juaj, me të mirat e të këqijat e veta! Ndyshe do të ndjeheni të braktisur në honet e errësirës!
Durrës, Festohet 102 vjetori i ngritjes së flamurit nga patriotët durrsakë
Nga Shefqet KERCELLI/Durres/
Paraditen e datës 26 nëntor 2014, qindra qytetarë durrsakë të moshave të ndryshme, ishin mbledhur në një shesh të përgatitur enkas midis murit juglindor të Amfiteatrit dhe Xhamisë së qytetit, për të festuar 102 vjetorin e ngritjes së flamurit kombëtar në qytetit bregdetar të Durrësit. Këtë ceremoni simbolike, që është kthyer në ritual të përvitshëm, e nderuan me pjesmarrjen e tyre patriotë durrsakë dhe familjarë të tyre, veteranë, ishushtarakë dhe ushtarakë aktivë, detarë të qytetit, përfaqësues të pushtetit qëndror e vendor, nxënës shkollash, media durrsake, etj. Fillimisht nën tingujt e hymnit tonë kombëtar të ekzekutuar me mjeshtëri nga banda e qytetit të Durrësit u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit nga kryetari i bashkisë zoti Vangjush Dako dhe n/oficerja e Forcës Detare, Jonida Murataj, e cila u shoqërua me duartrokitje nga të pranishmit. Më pas përshëndeti kryebashkiaku Dako, i cili theksoi se:-102 vjet më pare, patriotët durrsakë vendosën të ngrenë flamurin kombëtar dhe të shpallin ndarjen nga perandoria osmane. Kjo është ngjarja më e rëndësishme historike e këtij qyteti, në gjithë shekullin e XX-të, e në vijim. Jam i nderuar dhe i prekur, të përsëris sot, 102 vjet më pas, me solemnitet dhe përgjegjësi, aktin historik që kreu Kryetari i parë i Bashkisë së Durrësit, Hafiz Ali Podgorica, duke ngritur flamurin shqiptar më 26 nëntor 1912!….Nderim dhe respekt për jetën dhe veprën e këtyre patriotëve! Në fakt sipas dokumentave të kohës, në Durrës, patriotët e shquar, Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, bënë përpjekjen e parë për ngritjen e Flamurit të Shqipërisë, por rrethanat ishin të disfavorëshme. Në këtë kohë pushtuesit sërbë ishin pranë portave të qytetit, me synimin për të pasur skelën e tyre në Adriatik, ndërsa populli kishte rrokur armët dhe po bënte qëndresë të fortë. Ismail Qemali dhe patriotët e tjerë mbrritën në Durrës nga Triestja, me anijen “Taurus” më 21 nëntor 1912, dhe sipas porosisë të tij, në më pak se pesë ditë qytetaria durrsake ngriti flamurin kuq e zi të pavarësisë. Kjo ndodhi më 26 nëntor 1912, kur patriotët dhe qytetaria durrsake shpalli pavarësinë dhe zgjodhi delegatët e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, para se një pushtues të zvëndësohej nga një tjetër. Sot përkujtohet me respekt vepra e Hafiz Ali Podgoricës, Kryetarit të I-rë të Bashkisë në Durrës dhe patriotëve durrsakë, Akostin Serreqi, Sotir Vevecka, Sulejman Kadiu, Marie Kaculini, etj. Gazeta e asja kohe, “Lirija e Shqipërisë “ lajmëronte se në telegramin e ardhur nga Durrësi, u deklarua autonomia e Shqipërisë dhe flamuri shqiptar u ngrit mbi “Konak të Durrësit”….Ndërkohë në këtë ditë të shënuar u vlerësua dhe vepra e delegatëve durrsakë në Kuvendin e Vlorës, Dom Nikollë Kacorri, Abaz Celkupa, Mustafa Hanxhiu dhe Jahja Ballhysa, të cilët ishin pjesmarrës të nënshkrimit të dokumentit historik të Shpalljes së Pavarësisë. Nuk ngeli jashtë vëmendjes në këtë ditë historike, kontributi i detarëve, kapidanëve dhe tregtarëve durrsakë që rrihnin detrat. Ata ishin bazë e fuqishme për mbështetjen e lëvizjes patriotike në qytetin e Durrësit, sepse nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta që siguronin me patriotët rilindas në Selanik, Stamboll, Kajro, Batum, Bari, Brindizi, Trieste, etj. mundësonin sjelljen e literaturës patriotike dhe shpesh herë dhe armë kundër pushtuesve. Mbas urimit për 26 nëntorin, festën më të madhe të qytetarisë durrsake, pjesmarrësit vizituan një ekspozitë me vepra arti kushtuar shpalljes së pavarësisë dhe luftës kundër pushtuesve nazifashistë.
Shefqet Kërcelli
Literatura:-Antologji e Detarisë Shqiptare, Vëllimi i I-rë, faqe 108,109,110.
Institucionalizohet Qendra Informative e Arsimit Amerikan në Shqipëri (EDUSA-UMB)
Eduacation USA Advising Center in Albania/
Shkruan: Shefqet Kërcelli/
Ka disa kohë që në Shqipëri ka filluar aktivitetin një qendër e re, por tepër e rëndësishme dhe domethënëse për gjeneratën e re shqiptare, kjo është Qendra Informative e Arësimit Amerikan në Shqipëri. Tashmë ajo i është bashkuar rrjetit më të madh informativ në botë me 170 qendra, ku miliona studentë nga vende të ndryshme marrin informacion të përditshëm e të hollësishëm mbi mënyrën e aplikimit dhe të shkollimit në kolegjet dhe universitet e SHBA. Këto zyra të shtrira ane e kënd globit mbështeten fuqimisht nga Zyra për Edukim dhe Cështje Kulturore e Departamentit të Shtetit Amerikan. Personeli i këtyre qëndrave ka përvojën dhe kualifikimin e duhur për programet e studimit në universitetet e SHBA, përfshi atë Bachelor dhe Master. Këta konsulentë vullnetarë i orientojnë dhe qartësojne aplikantët, që të hedhin hapat e duhur në këtë proces jetik, ku më të rëndësishmit janë pesë: 1 Shqyrto alternativën më të mirë për arsimim, 2-Përfundo dokumentacionin për aplikim, 3-financo studimet, duke aplikuar per burse, 4-apliko për vizë studentore, {I-20}, 5- mbas miratimit përgatit udhëtimin për në SHBA. Pikërisht njohjen dhe zbatimin e këtyre hapave të rëndësishëm jetësorë për brezin e ri të shqiptarëve ka marrë përsipër Qendra Informative e Arësimit të SHBA në Shqipëri, e mbështetur fuqimisht nga Ambasada e SHBA në Tiranë. Është fakt që shqiptarët ëndrën amerikane e kanë shoqëruar me një dëshirë të kahershme për tu arësimuar atje. Aktualisht, nuk ka një statistikë të saktë, por nga një studim i imi për këtë cështje, të rinjtë shqiptaro-amerikane dhe ata në trojet shqiptare, që kanë studjuar në universitet e SHBA, janë mbi 15 mijë. Një numur relativisht i mirë në raport me popullsinë tonë, por dhe një aset i madh për kombin shqiptar. Pikërisht për ti ardhur në ndihmë dëshirës e mundësive së të rinjve shqiptarë që duan të studjojnë në SHBA, [EDUSA-UMB) sjell informacion falas për cilindo të interesuar. Qendra është ngritur pranë universitetit “Marin Barleti” në Tiranë dhe disponon libra përgatitorë për testimin e gjuhës angleze, TOEFL, PEARSON si dhe libra për testimin e njohurive në ACT, GRE, LSAT, SAT, GMAT, të shoqëruar me CD përkatëse. Gjithashtu qendra ka një bibliotekë të pasur me libra dhe CD, për degë dhe fusha të ndryshme të arësimit. Në inventarin aktual ka rreth 300 libra të fushave të ndryshme si, Inxhinjeri, Arkitekturë, Bilogji, Mjekësi, Farmaci, Mardhënie Ndërkombëtare, Drejtësi, Ekonomi, Telekomunikacion, Psikologji, Punë sociale, Sport, etj. Ndërkohë konsulentët pranë qendrës i ndihmojnë të interesuarit në formulimin dhe hartimin e Curriculum Vitae, letrës së motivimit, letrave të rekomandimit, esseve, mbështetjes financiare, etj. Pamvarësisht periudhës së shkurtër kohore, opinioni shqiptar ka filluar të njihet me veprimtarinë e kësaj qëndre. Ndërkohë ishte një surprisë e këndshme për cdo dashamirës të arësimimit në SHBA, kur gjatë ditëve të panairit të librit, (12-16 nentor2014), në katin e dytë të pallatit të kongreseve, në një eksponat të vecantë u pa konkretisht se si funksionon dhe cfarë afron për shqiptarët, Qendra Informative e Arësimit të SHBA në Shqipëri. Për mua si botues dhe vizitor i cdo panairi libri, kjo ishte një risi dhe gjetje e mirë. Pamvarësisht pozicionit, përpos morisë së librave, këndi sillte rreze drite dhe shprese për të rinjtë shqiptarë, ndaj ishte eksponati më i vizituar. Kërshëria dhe interesi i qyteravë ishte në maksimum, ndaj askush se anashkalonte. Në ditën e hapjes së panairit, më datën 12 Nëntor,(EDUSA-UMB) hapi siparin e aktiviteteve me moton “Tirana Book FAIR” dhe “Explore the Unknown”. Në një ambient të vogël, të thjeshtë, por të dizenjuar mirë, zonjusha Jonida Lamaj, konsulente e arësimimit në këtë Qendër u shpjegoi një audience të përbërë nga studentë të anglishtes, Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, mundësitë që të afron Qendra në përzgjedhjen e institucionit më të përshtatshëm për arsimim, njohjen me kriteret e pranimit për fusha të ndryshme studimi, orientim për testet ,TOEFL, GREE, GMAT, SAT, GED, ACT, Testim të gjuhës angleze, PEARSON test of English, Mbështetje financiare dhe mundësi bursimi, informim mbi jetën sociale dhe kulturore në USA, etj. E diplomuar për drejtësi në SHBA, zj.Lamaj, në vijim me elekuencën e vet i shpjegoi studentët elbasanas për 5 hapat që duhen ndërmarë për të studjuar në SHBA, -shqyrto alterantivën më të mirë, përfundo dokumentacionin për aplikim, financo studimet, apliko për vizë studentore, dhe në fund përgatit udhëtimin për në SHBA. Por, rëndësinë këtij prezantimi të mrekullueshëm ja shtoi pjesmarrja e zv/ambasadorit të SHBA në Tiranë, zotit Henry Jarnet, i cili me qetësi solli përvojën e tij për edukimin dhe arësimimin në SHBA. Ndjehem i lumtur që bëhem pjesë e një aktivitetit të tillë, theksoi zoti Jarnet. Ngritja e kësaj qendre është një mundësi për edukimin e gjeneratës shqiptare. Është një shans për informim, dialog dhe bashkëpunim. Sigurisht që arësimimi në SHBA kërkon punë e përpjekje të vazhdueshme, nivel të lartë të gjuhës angleze, njohuri të legjislacionit dhe historisë së SHBA, njohuri shkencore, etj. Në vijim zoti Jarnet ndau me studentët eksperiencën e tij personale gjatë arësimimit në SHBA dhe ju përgjigj pyetjeve të studentëve dhe disa mësueseve të anglishtes, për cështje të interesuara në këtë fushë. Në fund Shkëlqesia e Tij theksoi mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës së SHBA për realizimin me sukses të misionit e projekteve të kësaj qëndre historike, si një mundësi e mirë për të ardhmen e arësimimit të shqiptarëve. Prezenca e zv/ambasadorit të SHBA ja shtoi vlerat dhe qëllimin fisnik aktivitetit të datës 12 nëntor, pamvarësisht mungesës së mediave. Personalisht u ndjeva i entusiazmuar dhe e quajta veten me fat që mora pjesë në atë aktivitet. I urova personelit të qendrës dhe pjesmarrësve suksese e mbarësi, dhe sa më shumë të rinj shqiptarë në auditoret e universiteteve të SHBA. Por ndërkohë që ndiqja këtë aktivitet mëndja më shkoi tek përpjekjet 15 vjecare që kemi bërë si familje për arësimimin e fëmijëve tanë në SHBA. Është investimi më i mirë që mund të bëjë cdo familje shqiptare dhe kudo në botë. Nqs do të formosh një fëmijë të bëhet zot i vetes dhe i aftë për jetën , puno dhe sakrifiko familjarisht që biri ose bija jote të shkollohet në një universitet të SHBA. Nuk ka prind në Shqipëri që mos ja dojë të mirën fëmijës së vet. Sigurisht që pjesë e kësaj dëshire është arësimimi në një shkollë më të mirë. Si familje ndjehemi të lumtur që mbas përpjekjeve shumëvjecare arritëm ti arsimojmë fëmijët në univeristete të SHBA, kemi ngritur flamurin shqiptar në pesë universitete të SHBA. Na kushtoi shumë mund, djersë e para, por tashmë ndihemi krenarë për ate ckemi arritur. Falenderojmë të gjithë miqtë tanë që na ndihmuan financiarisht në këtë ndërmarje të vështirë. Por ishte investimi ynë më i mirë si prindër. Ndërkohë vullnetarisht kemi ndihmuar mbi 30 të rinj e të reja nga Durrësi, Kavaja dhe Tirana për të aplikuar në universitete të ndryshme në SHBA. Këtë vit pata fatin të marr pjesë në disa ceremoni diplomimi në universitete të SHBA, kryesisht në Pittsburgh. Ndaj përzemërsisht i urojmë Qendrës të Informimit për arësimin në SHBA, suksese në punën e saj. Është dallëndyshja më e mirë për të rinjtë shqiptarë dhe mbi të gjitha do i shërbeje më së miri forcimit të miqësisë midis dy vendeve tona. E kush mund ta bëjë më mirë këtë se sa bijtë e shqipes të arsimuar në USA? Akush tjetër! Ndërkohë për qendrën vullnetarisht do afroj guidat e disa universiteteve dhe filmimet vetiake për kampuset e tyre. Nga kjo dashamirësi dua ti jap miqesisht dhe disa mendime qendrës për mbarëvajtjen e punës së saj.-Qendra gradualisht duhet të kthehet në qendër bashkimi për të gjithë studentëve shqiptarë që kanë studjuar në SHBA, shqiptaro-amerikanë ose shqiptarë. Ka shumë shoqata studentore të shqiptarëve në SHBA, por kjo do jetë mëma e tyre. Pikërisht këta studentë me përvojën e tyre do i shërbejnë vullnetarisht EDUSA-UMB-së dhe bashkëkombësave të tyre. Ka mjaft studentë shqiptarë që po shkëlqejnë në SHBA, por janë të panjohur në Shqipëri ca prej neglizhencës së tyre, ca prej mosvëmendjes nga ana e mediave tona;-Kordinim të përhershëm me Ministrinë e Arësimit, Ministrinë e Punëve Sociale e Rinisë. Mjaft reforma të ndërmara aktualisht në këto ministri favorizojnë bashkëpunimin me qendren, sidomos ato në arësimin e mesëm dhe profesional. Vendi ka nevojë më tepër për shkencat inxhinjerike dhe të natyrës, Këtu të rinjtë shqiptarë do kenë më shumë akses. Të ketë evidencë të saktë për prirjet e të rinjve.–Të shfrytëzohet përvoja e deritanishme e dhjetra familjeve shqiptare për arësimim në SHBA, se historia e kësaj cështje nuk fillon me ngritjen e kësaj qendre. Me qindra shqiptarë i kanë bërë këto punë deri tani personalisht, pa ndihmën e askujt, duke përdorur rrjetet online.-Ka mjaft universitete në Shqipëri që vetdeklarohen si amerikanë, por nuk dimë rezultatin e tyre!? Opinioni nuk di kurrikulat dhe stafin pedagogjik, psh sa prej tyre kanë mbaruar në SHBA? Se ne shqiptarët për cdo gje kemi qef ti biem gjoksit Të krijohen lidhje me administratorët e universiteteve kryesore në SHBA si dhe me kordinatorët që ka cdo universitet amerikan me studentët ndërkombëtarë.-shpesh administratat e universiteteve të SHBA, abdeton mundësi për studentët e huaj, ato duhen kapur në kohë, Janë kyci i lidhjve.- Mund të krijohen lidhje më të gjitha shoqatat shqiptaro-amerikane, se ato kanë informacion dhe shpesh kanë bërë sponsorizim studentash.-Të mbahen lidhje me qendrën e biznesit Amerikano-Shqiptar në vendin tonë e të tërhiqen mendime për nevojat që ka tregu i punës ke ne, po ashtu me qendrën e Shërbimit kombëtar të punësimit në MInistrinë e cështjeve sociale, punësimit e Rinisë. –të mbahen lidhje me Kompanitë kryesore të huaja dhe ato shqiptare. Lidhje specifike me të gjitha qëndrat arsimore të arësimit të mesëm e të lartë, ku të evidentojë më të mirët.-Në fund të fundit, cdo student që diplomohet në SHBA, pamvarësisht rezultatit, anglishten e di më mirë se kudo. Po të shikojmë dokumentacionin e kompanive ka gabime trashanike në shqip e jo më në anglisht!? –Problematika që do ndeshet qendra është e shumtë dhe e ndërlikuar. Ndaj personeli i saj duhet të ketë njerëz të aftë, të përkushtuar e që janë diplomuar në SHBA. Ka forma dhe mënyra të ndryshme për të afruar të rinjtë që duan të arsimohen në SHBA. Qendra as mos personifikohet, as burokraci, as mëndjemadhësi, preference apo protogonizëm sic e kemi ne shqiptarët. Puna në heshtje del vetvetiu. Kështu qendra do afrojë dhe shqiparët e suksesshëm, të vlerësuar në qarqet akademike të SHBA apo personalitete atje. Personeli i qendrës mbi të gjitha duhet të sqarojnë mendërisht cdo shqiptar, cdo të thotë të studjosh në SHBA. Mentaliteti është kryesori! Shumica e të rinjve tanë janë të paqartë për profesionin, objektivin e tyre jetësor, dhe kush universitet ja siguron më mirë edukimin për këtë objektiv. Nga kjo po vuan shoqëria shqiptare në cdo fushë. Cdo i ri shqiptar që do studjojë në SHBA, duhet të kuptojë që duhet mund, aftësi, sakrificë, zbatim ligji! E para. Anglishtja në nivelin ekxelent plus, SAT ose GREE. Që në leksionin e parë, duhet ta kapësh, kolegët i ke të huaj, amerikanë, evropianë, rusë, kinezë, indianë, askush nuk ka kohë të merret me ty. Mos prit të resh presorin me nonjë 50 $, se fluturon direkt!. Spi ujë ryshfeti! Haroje o student shqiptar! As mos të shkojë ndër mend! Atje kultivohen disiplina të avancuara, novacione. kërkime, llogjika, të cilat duan angazhim, punë e vullnet. kërkesë të fortë ndaj vetes. Trashëgëmia mendore e sistemit monist dhe e tranzicionit na ka kultivuar marrjen e një diplome e cila në shumicën e rasteve nuk vlen, co një cop karton në shtëpi, që stë hyn në punë. Në mjaft raste ato të mbushin mendjen, por jo kuletën. Ka ardhur koha që shqiptarët mos e gënjejnë veten, nuk ka kohë e para për të humbur. Nqs shteti shqiptar prêt investime nga kompani serioze, kërkohet kontigjent i kualifikuar në nivelin më të lartë. Niveli dhe kreditet e universiteteve tona lenë për të dëshëruar.- një nga problemet kryesore të arësimimit të studentëve është ana finaciare. Ka mjaft universitete në SHBA, që në bazë të pikëve të TOFL-it, SAT-it apo GRE japin një sasi burse. Kjo është anë pozitive e tyre krahas nivelit akademik e përgatitjes për jetën. Pjesën tjetër studenti duhet ta plotësojë vetë. Natyrisht të afrohen dhe mundësi punësimi në kampus, apo kredi studentore, por duhet të gjesh personin garant në SHBA. Tek ne ka familje që kanë para, por si mëson fëmija, ka që i mëson, por ska para. Ka dhe biznesmenë filantropë që ndihmojnë. Mendoj se familjet e mesme shqiptare e përballojnë studimin në SHBA, Por ka dhe nga ata që kur shohin se fëmija ju mëson, shesin dhe shtëpinë!? Tjetër është kur studenti merr bursë nga shteti shqiptar, nga fondi i ekselencës për universitete të kredituara në 10-she, ku shumica janë amerikane, por duhet te zbatosh ligjin e shtetit, të kthehesh të punosh në vend! se ato jane paratë e taksapaguesve shqiptarë. Duhet tu thuhet të gjithëve, kur studjon me paratë e taksapaguesve shqiptarë duhet tja kthesh investimin, ka ligj për këtë. Të rinjve duhet tu shpjegohen dhe vështirësitë, nuk është fushë me lule studimi në SHBA. Secili që i hyn privatisht kësaj rruge duhet ti bëjë hesapet mirë. Në vizitën time në SHBA pashë disa universitete, mora pjesë në ceremoni përurimi, dëgjova dhe disa gjëra që smë pëlqyen. Kishte disa studentë me vizë studentore që kishin marrë rrugë të keqe. Amerika është aftësi, dije dhe ligj. Kush si ka këto mos i hyjë atij muhabeti. Dëshirat janë dëshira, universitetet në SHBA ti afrojnë disa mundësi, por bazë je vetë pastaj. Shqiptaro-Amerikanët e njohin mirë këtë problem, pamvarësisht se kanë mjaft lehtësira Miku im Bashkim Gjiza në New York, më sqaroi se si për të arsimuar vajzën e tij Elona, punoi 6 vjet me dy turne bashkë me gruan. Kështu punonin të gjithë shqiptarët që donin shkollimin e fëmijëve. Amerika sot ka universitetet më të mira në botë, këtë se mohon askush. Madje duke vazhduar argumentin, sot Amerika është Universiteti i Botës. Pata fatin të vizitoj universitetin “Carnegie Mellon”, filmimet e te cilit do ja dhuroj qendres sone. “Carnegie” është tempull i shkencës dhe novacionit në botë. Ai renditet i pari në shkencat inxhinjerike sepse, në ato shoqërore është Harwardi. Mjaft shpikës, novatorë e nobelistë kanë studjuar këtu. Midis tyre dhe Bill Gajtsi. Në shenjë respekti zoti Gajtsi kishte sponsorizuar tre godina kryesore të universitetit dhe në dy godina ruheshin serverat e kompanive kryesore në botë. Mbi 15 mijë studentë nga gjithë bota studjonin këtu. –Në hyrje të universitetit është një shtyllë rreth 15 m e lartë ku ngjiten disa studentë. Kjo shtyllë simbolizon vështirësinë e arritjes së dijes. Nuk është kollaj ti ngjitesh një shtylle betoni vetëm me ato qe të ka dhënë natyra. Kjo është simbolika e një universiteti amerikan. Por, ai ose ajo që arrin ti ngjitet, e ka të ardhmen të sigurt pastaj. Ajo që më bëri përshtypje ishte administratorja e Universitetit Zonja Dena Haritos, një grua tepër fisnike. Asnjë shqiptar nuk e di këtë fakt, që zonja Haritos sponsorizoi studimet e shqiptares Jona Cale, në këtë universitet, e jo pak, por fiks 120 mijë $. Nuk mund ta lija pa përmendur këtë akt fisnik të kësaj amerikane të madhe. Natyrisht kjo është rastësi dhe fat për zonjushën Jona Cale. Ka dhe universitete që afrojnë bursa, por këto duhen kërkuar, madje dhe amerikanë që i njohin shqiptarët e mirë e të urtë, kur shohin përpjekjet që bën për tu arësimuar. afrojnë dicka. Afër universitetit “Carnegie” janë dhe zyrat qëndrore të kompanisë Google. Kjo kompani dhe kompani të tjera kryesore zgjedhin personelin inxhinjerik nga universitetet më të mirë në SHBA. Kuptohet që këtu flasim për High Level. Lum kush e kap! Gjatë kohës së qëndrimit në SHBA, vizitova mjaft universitete, muzeume dhe vepra arti në Pittsburgh. Do të ishte mirë që dikush nga zyrtarët tanë të vizitonte universitetin e dijes dhe novacionit “Carnegie Mellon”, Zyrat e Kompanisë “Google”, ku mund të nëshkruante marrëveshje me interes për të rinjtë tanë dhe Shqipërinë. Do e ndihmoja sinqerisht. Pse jo të vizitojë dhe muzeun më të madh të natyrës në botë, ku të verë dhe një copë mineral nga Shqipëria. Më erdhi keq që në këtë muzeum kishte eksponate të tëra mineralesh nga gjithë bota, madje nga Ballkani e Kosova, kurse ne që i kemi me shumicë, nuk kishim një ekzemplar!? Në rastin më të parë do e coj, bashkë me shume materiale të ushtarakëve tanë paqeruajtës, ku për herë të parë po ngre një kënd të bashkëpunimit ushtarak shqiptaro-amerikan në muzeumin “Soldiers&Sailors” të këtij qyteti. Dhe këto vullnetarisht. E theksoj këtë term se të gjithë ata që do ndihmojnë aktivitetin normal të EDUSA-UMB, do e bëjnë këtë vullnetarisht. Kjo është pjesë e mentalitetit që ne duhet të kemi për punë të tilla dhe duhet të mësohemi si shqiptarë. Së fundmi theksoj se arësimimi në shkollat e SHBA është përgjegjsi personale, familjare, ligjore, morale, por dhe kombëtare. Nuk ka ambasadorë e diplomatë më të mirë të Shqiptarëve kudo në botë se sa studentët, medjendriturit tanë! Këtë mos e harrojmë. Është investimi më i mirë për cdo familje e popull. Ndërsa Qëndrës sonë informative të arësimit Amerikan në Shqipëri ti urojmë mbarësi e suksese në këtë mijëvjecar të ri! Sa më shumë të rinj shqiptarë në universitetet e SHBA. Le të tregojmë vlerat më të mira përbashkuese e botkuptimore ne Shqiptarët, për ta bërë qendrën më të mirë në botë.
Një memorial në Tiranë për Ushtarakët Amerikanë që kontribuan në clirimin e Shqipërisë gjatë Luftës së II-të Botërore
Nga Shefqet Kërcelli/
Kjo është një kërkesë e Komitetit të Veteranëve Shqiptaro-Amerikanë në SHBA, të cilët ka shumëa vite që po punojnë për të zbardhur kontributin e panjohur të ushtarakëve amerikanë që dhanë jetën gjatë Luftës së II-Botërore Gjatë këtyre 20 viteve të fundit ka dhjetra botime që nëpërmjet fakteve, dokumenteve, ngjarjeve, filmimeve të kohës, kujtimeve të ushtarakëve pjesmarrës, etj. evidentojnë rolin e pazvëndësueshëm të dhjetra ushtarakëve amerikanë në clirimin e Shqipërisë. Në vijim të këtyre përpjekjeve, gjatë këtij viti, Komiteti i Veteranëve Shqiptaro-Amerikane me qendër në Boston zhvilloi nje aktivitet të rëndësishëm në qytetin e Korcës. Për hir të koherencës e rëndësisë që ka si aktivitet në këtë 70 vjetor të clirimit të vendit, po e risjell në vëmendje të lexuesve. Më 8 maj 2014 në një nga rrugët kryesore të qytetit të Korcës, përbri poliklinikës, u zhvillua ceremonia e përurimit të memorialit kushtuar 25 ushtarakëve të SHBA, pjesë e regjimentit OSS, (Zyra e Shërbimeve Strategjike), shumica me origjinë shqiptare, {Komanda Aleate në Bari}.Këta ushtarakë me veprimet e tyre në front dhe prapavijë të nazifashistëve lehtësuan veprimet e brigadave partizane e nacionaliste gjatë aksioneve të tyre jo vetëm në Shqipëri, por gjithë Ballkanin. Gjatë kësaj ceremonie tepër mbresëlënëse për qytetarët e Korcës dhe gjithë shqiptarët, Ambasadori Arvizu u shpreh se, ndjehem i përulur dhe i privilegjuar që përfaqësoj SHBA në këtë ceremoni të inagurimit të këtij memoriali… Ne sot i detyrohemi me mirënjohje të thellë atyre që kanë luftuar, atyre që luftuan dhe mbijetuan dhe veçanërisht atyre që dhanë jetën e tyre në luftë…Njerëzit që ne nderojmë sot kanë pasur prejardhje të ndryshme, por kishin një gjë të përbashkët, ishin burra dhe gra që punuan për paqen, me shpresën për të nxjerrë lirinë në dritë. Sot ne qëndrojmë së bashku, amerikanë dhe shqiptarë si aleatë të NATO-s, si miq, e vëllezër për të përkujtuar e nderuar sakrificën dhe kujtimin e atyre që luftuan trimërisht në emër të lirisë. Të sigurohemi që ky memorial do të qëndrojë si një kujtesë për brezat që do të vijnë, për atë sakrificë dhe miqësi të përhershme mes popullit shqiptar dhe popullit amerikan….Ndërkohë Zoti Ronald Nasson, Kryetari i shoqatës së Veteranëve Shqiptaro-Amerikanë, theksoi se, Sot nderohen sakrificat e bijve të shqiponjave…Njerëzit në Shqipëri do të mbajnë mend për një kohë të gjatë ushtarët amerikanë të OSS që erdhën nga qelli e nga deti për të ndihmuar Shqipërinë në kohë krize.. Ish ushtaraku dhe shkrimtari i njohur Peter Lucas kërkoi një nderim dhe vlerësim të mëtejshëm të sakrifices e veprës së këtyre ushtarëve. Kjo është një ditë vërtet e madhe për mua, një ditë e madhe për këta ushtarë trima që luftuan fashizmin bashkë me shqiptarët. Ti falenderojmë qytetarët korçarë që kanë ardhur këtu për të pritur këta ushtarë trima… Theksoj se, librin e z.Peter Lukas për Operacionet e OSS gjatë Luftës e kanë bërë pjesë të bibliotekës shumë shqiptarë. Ishpresidenti Alfred Moisiu, pjesmarrës në këtë përurim kërkoi nderimin e kontributit të këtyre ushtarëve, kontribut që pak njihet në Shqipëri, sepse regjimi komunist e fshehu qëllimisht.. Gjatë kohës së monizmit, psh. vihej në dukje kontributi i sovjetikëve të cilët përfaqësoheshin vetëm nga dy persona në Helmës, në mesin e 1944 të, cilët nuk dhanë asnjë kontribut në luftë. Roli i tyre ishte zbulim në interes të Ushtrisë së Kuqe dhe mbështetës për marrjen e pushtetit nga Partia Komuniste pas luftës. Këto janë faktet”, tha Moisiu. Në vijim Ai theksoi se pa SHBA, kombi shqiptar nuk do të ishte sot në këto pozita. Ndoshta ne nuk do të ishim sot këtu nëse më 1919 presidenti Uillson nuk do t’iu vinte fre kryqëzatës për copëtimin e Shqipërisë, ashtu si 90 vjet më vonë, në vitin 1999 presidenti Klinton do të udhëhiqte përpjekjet e NATO-s për t’i dhënë lirinë gjysmës tjetër të këtij kombi. Dhe në këto 23 vite të tranzicionit kanë qenë amerikanët që kanë qenë më pranë kombit shqiptar. Prandaj shqiptarët thonë se e kemi për zemër Amerikën”, u shpreh ish-presidenti Moisiu. në këtë ceremoni. Gjatë kontakteve të mija me zotin Ronald Nasson, ai më ka shprehur idenë se një memorial përkujtimor për kontributin e ushtarakëve amerikanë duhet ngritur dhe në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë, sepse i takon, ashtu sic është ngritur dhe për ushtarakët e vendeve të tjera. Për kontributin dhe simbolikën që përcjell aktiviteti i ushtarakëve të SHBA gjatë Luftës së II-Botërore , patjetër që një memorial i tillë i bën nder Tiranës dhe Shqipërisë Nga sa kam studjuar si ishushtarak, operacionet e OSS kanë qëne tëpër efektive e racionalë, dhe në konceptin operativ-taktik kanë ndikuar direkt në suksesin e betejave të njësive e formacioneve antinaziste, jo vetëm në Shqipëri por dhe në Ballkan.{Nuk dua të bëj analogji e të heq paralele, por opinion ushtarak ose jo, është në gjëndje të vlerësojë sot rolin e operacioneve ajrore te ushtrisë amerikane kundër ISIS, në dobi të forcave tokësore}. Nazistët nuk luftoheshin vetëm me pushkë..Ka ardhur koha të vemë pikën mbi “i” në këtë 70 vjetor, ti japim Cezarit atë që i takon! Deri në v.1946, sa ja kishte nevojën regjimi komunist nuk i ndau alaetët, pamvarësisht perferencës sllave. Për hir të së vërtetës kemi ngritur buste e përmendore me meritë e pa meritë, vend e pavend, e jo për këta djem të përtej oqeanit, vepra e të cilëve është e pastër në dritë të diellit. Për këtë duhet që dikush në Shqipëri në rrugë institucionale, ta marrë insiativën, me qëllim vënien e drejtësisë historike në vend. Argumentat janë bindës e skanë nevojë për komente. Sigurisht që në përgatitjen e anës dokumentare e memorialit duhet një bashkërendim i Shoqatave të Veteranëve të Luftës Antifashiste, Veteranëve Ushtarakë, Komitetit të Veteranëve Shqiptaro-Amerikanë, Komisionit pranë Qeverisë për festimet e 70 vjetorit të clirimit dhe Këshillit Bashkiak e Bashkisë të Tiranës. Mund të shfrytëzohet praktika që u përdor nga pushteti vendor e qëndror i Korcës.. Memoriali, natyrisht duhet të ketë përmasa më të mëdha se ai i ngritur në këtë qytet. Më gëzoi një fakt. Gjatë një vizite që bëra në qytetin e Korcës këto ditë e pashë dhe gjendjen e memorialit. Ishte mjaft domethënëse sjellja e qytetarëve të këtushëm, ashtu si mbanin pastër qytetin, mbanin pastër dhe memorialin. Madje kishte disa qytetarë që kujdeseshin për të. Si ishushtarak u ndjeva mirë për këtë akt fisnik e human të banorëve të këtij qyteti .Kjo tregon se tashmë memorialin dhe simbolikën që ai bart, qytetarët korcarë e kanë bërë pjesë të natyrshme të qytetit, në sinkron me objektet e tjera historiko-muzealë të Korcës.
Vështrim rreth tre vëllimeve të librit “Antologji e Detarisë Shqiptare”
Nga Kapiten Selim Allajbeu/ ish komandant i Bazës Detare Shëngjin/
Pa pretenduar për ato cka do të them më poshtë rreth 3 vëllimeve të “Antologjisë së Detarisë Shqiptare”, duke mos e konsideruar veten kompetent në këtë drejtim, le ta quaj dicka dashamirëse dhe në formën e një promovimi shoqëror. “Antologjia e Detarisë Shqiptare” është një libër me vlera që i kushtohet jo vetëm atyre që shërbyen në det gjatë gjithë kohërave të dashuruar me detin, por gjeografia e kësaj dashurie përfshin gjithë trevat shqiptare, nga Ulqini në Himarë e Prevezë, nga Gjakova në Tepelenë, nga Shkodra në Ohër, nga Skrapari në Kukës, nga Vlora në Shijak, Kavajë e Tiranë, nga Fieri në Mirditë, nga Shëngjini në Sarandë, të gjithë trevat shqiptare që kanë lindur bij të detit, ku pa dyshim kryqendra mbetet Durrësi. Mendoj se për herë të parë kemi një përpjekje serioze për ta trajtuar këtë çështje në format të plotë, me kuadër historik të qartë e vijimësi, në çdo vit, shekull, periudhë historike dhe epokë. Është fakt që në historinë e popullit tonë trajtimi i kësaj teme ka qenë i cunguar, është shkruar pak, me përjashtim të ndonjë dokumenti ose përshtypje të udhëtarëve të huaj, pra, ka pasur një boshllëk të pajustifikuar përballë realitetit që afron populli ynë me tradita të lashta detarie, të evidentuar dhe nga studjues, historianë, etnografë e detarë të huaj. Këtë boshllëk e ka plotësuar zoti Shefqet, nëpërmjet një punë të thellë studimore e shkencore, bazuar në dokumente, arkiva, tregime, ngjarje, gojëdhëna, biseda, intervista, prozë, vepra artistike, enciklopedi dhe botime të huaja. Ai ka lundruar me mijëra milje në cdo cep e port të globit ku kanë kaluar detarët tanë, ka dëgjuar me mijëra histori, gëzime, kënaqësira, dhimbje, halle e hidhërime, një botë e pafund, shpirtëra të trazuar që i përjetuan vetëm këta njerëz trima e të guximshëm. Ka lexuar, dokumentuar e dëgjuar shumë ngjarje e ndodhira nëpërmjet bisedave, studimeve e hulumtimeve, duke i qëndruar afër, duke regjistruar me qindra orë biseda të lira, dëshmi personale, tregime e foto për shokët e ekuipazhin e anijes, emocione e episode të veçanta autentike. Libri është mbështetur mbi bazë dokumentare autentike, në sajë të vullnetit e këmbënguljes për të vjelur e qëmtuar çdo dokument brenda e jashtë vendit. Dokumentacioni i pasur e bën shumë bindës e realist. Ai e fut lexuesin në rrjedhën e ngjarjeve në Detin Adriatik e Jon, për më shumë se 3 mijë vjet, sjell argumenta, shtron teza e analiza që dëshmojnë se populli shqiptar ka një traditë të spikatur detarie që nga lashtësia. Libri ka vlera të veçanta në rrëfimin e hapur të mjaft dokumentave, dëshmive, fotove, të vërtetave historike, me të cilat opinioni ynë në masën 80% njihet për herë të parë. Ai sjell ndryshimet e thella, zhvillimin që kanë pësuar mjetet detare, teknika dhe teknologjia e tyre në varësi të zhvillimit ekonomik, tradita, profesioni i detarit, mënyrat e orientimit, përfitimit nga përvoja e vendeve të tjera, bashkëpunimi, transporti detar dhe tregëtia brenda e jashtë vendit, mbështetur në statistika të institucioneve detare vëndase dhe të huaja. “Antologjia e Detarisë Shqiptare” është trajtuar nën frymën e ideve të rilindasve tanë, pa dallim feje, krahine dhe ideje, jashtë partive, ideologjive, politikave, hatëreve, interesave vetiake, pra, vetëm kuq e zi, duke ndjekur parimet e studimit shkencor të historisë, me sens racional e pranë së vërtetës, shkuarjes deri në fund të problemeve, pa e shkëputur lexuesin nga përshkrimi i domosdoshëm i ngjarjeve me rëndësi në Historinë e Popullit Shqiptar, të gërshetuar me interesat e fqinjëve, aktorëve kryesorë e rivaliteteve në Jon e Adriatik, pikat strategjike dhe interesat e fuqive të ndryshme, që janë shfaqur dukshëm sipas situatave. Autori është përpjekur të bëjë një sintezë të traditës sonë detare, ta paraqesë atë në mënyre sa më objektive e të paanshme, me të mirat e të këqijat e veta, të pashkëputur nga Historia e Popullit Shqiptar, për ta bërë atë të marrë tiparet e një botimi origjinal. Sigurisht në këtë ndërmarrje të vështirë, në këtë punë për detarët, brezat, popullin tonë, zoti Shefqet ka pasur plot miq, intelektualë, detarë, kolegë, qytetarë e dashamirës, të gatshëm për të bashkëpunuar. Natyrisht, nuk ka gjë më të bukur se sa të lundrosh ne shtigjet e kujtesës së detarëve, nuk ka gjë më argëtuese e shlodhëse sesa të jetosh mes shokëve dhe kujtimeve për detin. Detarët tanë janë pjesë e një familje të madhe të lidhur përjetësisht me detin, pjesë e të së cilës është dhe zoti Shefqet Kërcelli. Ai u është gjendur pranë për dekada të tëra detarëve, tashmë në lundrimin e tij në detin e kujtimeve, duke ndjekur me kujdes proklladkën e kujtesës së tyre. Doza e sinqeritetit, pastërtia e rreshtave dhe stili konciz e bëjnë autorin të vecantë në mënyrën se si shkruan. E bëjnë të besueshëm dhe komunikues për ato që pasqyron në tregime të jetuara, shoqëruar me album fotografish, me humorin dhe shijen e kripës, që karakterizon detarët, por duke i dhënë dicka nga vetja, duke i përsosur artistikisht mendimet e shprehura. Këta burra të moshuar dhe të rinj, që e lidhën jetën me detin, me një pasion të admirueshëm e të pashkëputur në aktivitetin e tyre shumëvjecar e kthyen anijen në shtëpinë e tyre të dytë. Pra, detarët janë ata që përjetojnë dy dashuri, njëra është për detin dhe tjetra për familjen, të ndryshme nga njëra-tjetra. S’është e lehtë të jetosh në detin me dallgë të trazuara e furtune ku jeta dylufton me vdekjen, ku malli dhe dashuria për familjen është e madhe dhe ti je në distancë prej dhjetra, qindra e mijëra miljesh, larg saj. Për ta anija është shtëpia e dytë. Të punosh e jetosh në det është tepër e vështirë. I parë nga bregu, vecanërisht në verë, në kohë plazhi, deti është mjaft tërheqës e romantik, por është krejt ndryshe deti i trazuar e me dallgë të fuqishme në kohë fortunali sic e quajnë detarët, aq më tepër të luftosh me dallgët në thellësi të oqeanit. Pikërisht këtu qëndron krenaria e detarëve në përballimin e lundrimeve të gjata dhe me det të trazuar. Puna e detarit nuk ka orar zyrtar, ajo nuk fillon në orën 08.00 dhe nuk mbaron në orën 16.00, ajo zgjat me orë, me ditë, javë e muaj të tërë. Kujtojmë lundrimet e gjata për në portet e Polonisë, Gjermanisë, Suedisë, Hollandës, Kubës e Kinës, me një mesatare kohëzgjatje deri në 2.5 muaj. S’është e lehtë të kalosh varrin e anijeve, Gjirin e Biskajës, apo të lundrosh në oqeanin Atlantik, Indian e Paqësorin e Largët. Kujtojmë këtu lundrimin më të gjatë deri më sot nga anijet shqiptare, viti ‘93-‘94, atë të vaporit “Tirana”, me kapiten Alfred Semini, lundrim që zgjati 1 vit e katër muaj, ku u kalua për herë të parë kanali i Panamasë nga një anije me flamur shqiptar. Kujtojmë rrugët e shumta të Kinës e Kubës shoqëruar me vështirësitë e lundrimit, shpesh herë me stuhi e tajfune, por përgatitja dhe guximi i kapitenëve të talentuar si Haxhi Shehu, Teodor Muka, Rrok Nikaj, Qemal Hate, Resmi Shametaj, Viron Sadiraj, Pandeli Golemi, e shumë e shumë breza kapitenësh,{të cilët jepen gjerësisht në libër}, triumfuan mbi vështirësitë. Për detarin nisja dihet, kurse kthimi varet nga shumë faktorë si, gatishmëria teknike e anijes, aftësitë e ekuipazhit, kushtet e motit, gjendja e detit dhe oqeanit në zona të caktuara, në kohë e stinë të ndryshme, etj. Do përmend vetëm dy episode tragjike të përshkuara në libër, mekaniku i anijes “Vlora” Hysen Xhixho, i bleu pajën e dasmës vajzës së vet dhe kthehet pranë familjes pas tre muajsh, por ndërkohë vajza e tij kishte ndruar jetë. A ka gjë më të dhimshme e tragjike se kjo!? Apo ngjarja me anijen “Vlora” ku kapiteni i saj Qemal Sharkiqi, që vuante nga pankreasi vdiq në moshën 40 vjecare. Trupin e të ndjerit e sollën me avion nga Spanja, ndërsa ekuipazhi me anijen kthehet i trishtuar në atdhe. Ka me dhjetra raste në libër ku detarët mbasi ktheheshin në atdhe krahas gëzimeve mësonin lajme të hidhura për vdekjen e prindërve, familjarëve ose të afërmëve të tyre. …Sipas zakonit të ulqinakëve detarët përcilleshin me buqeta me lule dhe priteshin po me buqeta me lule…Detari s’duhet të bëjë kompromis më detyrën e tij, se nga një nënvletësim ose lëshim i vogël varet jeta e gjithë ekuipazhit dhe fati i mjetit lundrues. Në libër përshkruhet me nota trishtuese mbytja e vaporit “Mati” në një kohë të keqe e fortunal në portin e Konstancës, Rumani. Fatmirësisht detarët shpëtuan falë përgatitjes së tyre detare e fizike, sakrificave të mëdha që ata bënë, por vdekjen e panë me sy. Në pjesën e tretë të librit “Antologji e detarisë Shqiptare më bëri përshtypje një fakt:-mjaft detarë shqiptarë kanë dashur të emigrojnë në SHBA. Ka pasur një dëshirë të kahershme të tyre për të emigruar në SHBA. Kjo fillon me ”Titanikun”, ku në ekuipazhin e tij kishte dhe shqiptarë. Kjo dëshirë është përcjellë përgjatë një shekulli dhe aktualisht. Mjaft prej tyre kanë provuar dhe arratisjet në regjimin monist. Pra, detarët tanë kanë qenë sqimëtarë në përzgjedhjen e vendit të duhur për emigrim, për arësye të ndryshme, ku më kryesorja është se ata kanë parë vendet e tjera…ka shumë ngjarje të përshkruara në libër në lidhje me këtë fenomen. P.sh. Ish oficeri i Flotës Detare Tregëtare, Neki Seferi, që ka lundruar për shumë vite në anijen “Vlora”, vitet e fundit të jetës dëshëron ti mbyllë si qytetar i SHBA. Në prill të vitit 2012, kapiteni 79 vjecar bëri ndërhyrje kirurgjikale në zemër në spitalin e Jackonvillit, ku mundësitë për të jetuar ishin 50% me 50%. Nekiu dhe familja e tij ishin transferuar në SHBA disa vite më parë. Ai kishtë një dëshirë të madhe për tu bërë qytetar i SHBA, dhe kjo ëndër ju realizua pak ditë pas ndërhyrjes kirurgjikale në spital, ku zyrtarët e emigracionit shkuan në dhomën e tij dhe i dhanë dokumentet përkatëse…Por ka dhe një fakt domethënës në pjesën e trëtë të librit:-më 15 mars 1991, u nënshkrua dokumenti për rivendosjen e mardhënieve diplomatike amerikano-shqiptare, pas një ndërprerje gjysëm shekullore. Në këtë ngjarje historike për popullin shqiptar, dokumentin e firmosën IshMinistri i Punëve të Jashtëme z.Muhamed Kapllani dhe ndihmës sekretari i shtetit i SHBA, zoti Raymond G.H. Seitz. Por, pak njerëz në Shqipëri e dinë se zoti Muhamed Kapllani në rininë e tij është arsimuar si oficer lundrues në Odesë? Më pas ai vazhdoi studimet dhe karrierën e tij si diplomat i shquar i vendit tonë. Ndoshta z.Muhamed Kapllani, mund të ishte bërë një lundërtar i mirë. Gjithsesi ai lundroi në rrugën e diplomacisë, duke i kthyer shqiptarëve ëndrën e këputur në mes. Kështu në “Antologji” lexuesi nga faqja në faqe, nga kapitulli në kapitull, nga pjesa në pjesë njihet me ngjarje, fakte, episode e tregime të panjohura më parë…Natyrisht nuk është e lehtë të përfshish në tre vëllime jetën e stuhishme e plot sakrifica të detarëve në vite, aq më tepër kur duhet ta japësh atë në mjedisin dhe kohën e vet. Dhe nuk është rastësi që këtë gjë arriti ta bëjë me shumë kujdes, përkushtim, vullnet e dashuri, autori i tre përmbledhjeve të titulluara “Antologji e Detarisë Shqiptare”, zoti Shefqet Kërcelli, i cili tashmë është bërë miku më i afërt dhe më i dashur i detarëve. Si i tillë meriton respektin dhe mirënjohjen më të thellë. Miku i detarëve dhe prozatori Devolli në bashkëjetësën e tyre të gjatë këndojnë këngët e detit, të bindur se udhëtimi i Shefqetit nëpër kanalet e kujtesës së detarëve nuk do të ndalet në të ardhmen. Tashmë ai është në moshën dhe pjekurinë e duhur, me energji të pashtershme dhe i kompletuar për të na dhënë studime të tilla me vlera historiko-shkencore për kombin shqiptar.
LETER PER AUTORIN E LIBRIT
I nderuar zoti Shefqet!
Jeta e detarit është sa e thjeshtë po dhe aq komplekse në të njëjtën kohë. Ajo ka një rezultante progresiste me prirje nga e vërteta, nga sinqeriteti, nga dashuria vëllazërore, me një bazë të shëndoshë të humanizmit aktiv. Vetëm në mjedisin detar mishërohet parimi,-“Një për të gjithë, të gjithë për një”, që në gjuhën e matematikës quhet Lemë,{ska nevojë për vërtetim}. Kujtojmë këtu se cmund të ndodhte nga gabimi i një pjesëtari të ekuipazhit në nëndetëse, nga gabimi i pjestarëve të zhytësave{polumbarëve}, po ashtu dhe në anijet e transportit, prandaj kërkohet përgatitje e lartë, përgjegjësi e përkushtim, humanizëm nga secili në detyrën e vet. Dhe detarët mbeten detarë, nuk janë qaramanë, por nuk janë as mburravecë nga ata që rrahin gjoksin. Ballin dhe gjoksin e detarit e rrahin erërat dhe stuhitë që lënë rrudha në ballin e detarit, në ndërgjegjen dhe kujtesën e tyre. Tek ata spikat kurajua dhe burrëria, guximi dhe qëndrueshmëria, ata dinë ta shohin vdekjen në sy pa u ankuar. Detarët janë njerëz me dinjitet, ata kanë shpirt fisnik, janë njerëz me zemër të madhe, të ciltër e bujarë. Fisnikëria e detarëve nuk njeh kufij!…Lum kush bëhet mik i detarëve! Për këto cilësi dhe vlera të detarëve nuk do mjaftonin vëllime të tëra, ndaj është nder dhe detyrë fisnike për cdo njeri të ndershëm të shkruajë e plotësojë biografinë e detarëve, prandaj bashkohem me thirjen tuaj drejtuar cilitdo, që dëshëron të bashkëpunojë në këtë drejtim. Si detar e poet, tashmë mund t’ju drejtohem,- I dashur miku im! Të shkruash është gjëja më e vështirë në jetë, sepse lypset vullnet, durim, përkushtim, karakter i fortë dhe i qëndrueshëm. Ti këto cilësi i ke. Karakteri nuk është produkt bankar, por produkt i zemrës dhe shpirtit të njeriut që merr përgjegjësi të mëdha mbi veten. Unë të përgëzoj sepse ke krijuar profilin tënd, ke gjetur rrugën e integritetit tënd, ke gjetur dashamirësit dhe bashkëpunëtorët e tu, që do i kesh pranë kurdoherë. Ah! se harrova. Nuk më harrohet 25 gushti i 2012, kur Profesori i Historisë të Universitetit të Prishtinës, i cili ishte me pushime në Shëngjin, rastësisht mbasi u njoh me vëllimin e parë të Antologjisë më tha:-kush është ky person? Ky e meriton titullin hero, për këtë punë që ka bërë! Natyrisht unë i sqarova kush jeni. S’ta them këtë që të rritet mëndja. Ne detarët presim përsëri vepra të reja nga ju. Ndaj nga unë dhe detarët e Shëngjinit ke urimet më të sinqerta në lundrimin tënd historik bashkë me detarët shqiptarë!
Kapiten Selim Allajbeu,
Ishkomandant i Bazës Ushtarako-Detare Shëngjin.
Shkrimëtar dhe poet.
Shëngjin 17 tetor 2014