• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kur ditët e kalendarit sfidohen nga shkrimtarët…

December 23, 2020 by dgreca

(Veprimtaria e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë gjatë vitit 2020)

Nga Adnan Mehmeti/
    Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë prej më se 100 anëtarësh të shpërndarë anembanë Shteteve të Bashkuara, me autorë që i përkasin krahinave të ndryshme në vendin amë, të brezave të ndryshëm, prirjeve të ndryshme letrare dhe gjinive të ndryshme, ka patur një vit të begatë. Në një kohë sfide të sëmundjes mbarëbotërore të Covid-19, nuk është ndalur ritmi i krijimit, i botimit, i prurjeve të  reja por edhe i kujtesës për ata që kanë ikur nga jeta. 

Pranime të reja në Shoqatë

     Kryesia e Shoqatës e mirëpret dhe e shpall “Anëtar Nderi” poetin disident Visar Zhiti, një nga shkrimtarët më të njohur bashkëkohorë të letrave në gjuhën shqipe, që lëvron poezinë, prozën, esenë, po kështu edhe gazetarinë dhe përkthimin. Ai tani jeton në atdheun tonë të dytë, në Amerikë, në shtetin Illinoi, dhe ndajmë ajrin, krijimtarinë dhe dëshirat me anëtarët e Shoqatës. 

     Gjithashtu, gjatë këtij viti pranuam 5 anëtarë të rinj në Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë: poetin Xhemal Gora dhe shkrimtarin Jani Plasa nga Masaçusets, poeten Ermira Mitre dhe sudiuesen e letërsisë doktoranten Arjeta Ferlushkaj nga Nju Xhërsi si dhe gazetarin dhe publicistin Frank Shkreli nga Nju Jorku. Shoqata i mirëpret duke iu uruar mirëseardhjen.


Botime të reja

     Gjatë këtij viti Gjekë Marinaj u botua në shumë gjuhë të huaja: “Confessions of the sea), (“Rrëfimet e detit”) përkthyer në gjuhën e shtetit aziatik Lao, “Humanizing Venus”, (“Humanizmi i Venusit”) në gjuhën bengale, “46 саҳифа”, (“Në faqen 46”) në gjuhën e uzbekistanit dhe “With Neruda on the Atlantic Shore” (“Me Nerudën në Brigjet e Atlantikut”) në gjuhën koreane. Gjithashtu ai fitoi shumë çmime letrare: çmimin Special KS International Literary Prize për vitin 2020, nga Korea Jugore, çmimin letrar Literatura Underground nga India, gazeta letrare më e njohur në Azi “Bota e Librit” ka nderuar me mirënjohjen “Poeti Bashkëkohor i Botës” që është titulli më i lartë që jep kjo gazetë për një poet apo shkrimtar botëror, etj. 

     Poeti Petraq Risto boton në Francë vëllimin poetik “L’homme avec “La fenêtre dans ses bras”, (“Njeriu me dritare në krah”); “Ospatul modern al lui Shakespeare”, (“Gostia moderne e Shekspirit”), poezi në rumanisht si dhe në shqip vëllimin poetik “Ankimi i Luciferrit”.

    Poetja Iliriana Sulkuqi vjen me dy vëllime poetike “Baciamoci alla parola”, (“Puthemi te fjala”), poezi italisht-shqip dhe “Words for tomorrow”, (“Fjalë për nesër”), poezi anglisht-shqip.

    Në Bukuresht, në gjuhën rumune botohet romani “Cortegiul fara de sfarsit”, (“Funeral i pafundmë”) i Visar Zhiti dhe përmbledhja me poezi “Si stelele iubesc”, (“Edhe yjet dashurojnë”) e Adnan Mehmetit.

    Ndërsa në anglisht botojnë: Sami Milloshi “The Wall Clock And Other Short Stories”, Carrie Hooper “Away from Home”, (poems) dhe Sabije Dervishi Veseli “Wrong Marriage”, (novel). Po ashtu botojnë: Adnan Mehmeti: “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (Autorë dhe vepra)”; Arjeta Ferlushkaj “The Old Bridge”, (ese dhe studime letrare); Besa Rexhepi:“Shpresë dhe dashuri”, (novelë); Besim Muhadri: “Esencat e mendimit letrar” (Kumtesa dhe studime) dhe “Shtjefën Gjeçovi dhe kanuni i Lekë Dukagjinit”, (studim); Bexhet Asani: “Flakadan dije dhe kulturë” (Qendra kulturore shqiptaro-amerikane Nju Xherzi, (monografi); Bora Balaj: “Heshtja”, (roman); Gjeto Turmalaj: “Meditime shqiptare në Amerikë”, (poezi); Jashar Esati:“Kohë e pamposhtur”, (roman); Namik Selmani: “Çamëria, bisk i ëndrrës”, (antologji poetike) dhe “Jehona e urtësisë dibrane”, (publicistikë dhe poezi);  Petraq Pali: “Tregime”, (tregime), “Hija e atij Tjetrit”, (novelë) dhe “Shtëpia në përrua”, (novelë); dhe Shpend Gjocaj: “E diela e fundit”, (poezi).

     Veçojmë edhe dy fituesit e konkursit letrat të revistës “Kuvendi” në Miçigan: Mëhill Velaj, kryetar i Shoqatës me çmimin letrar “Betim Muço” dhe Raimonda Moisiu, ish-kryetare e Shoqatës me çmimin letrar “Faik Konica”.

Udhëtimi i revistës letrare “Pena” 

     Fillimi i janarit 2020 nisi me promovimin e revistës letrare “Pena”, numri 7. Sipari i takimit u hap në Bostonin e Fan Nolit dhe Faik Konicës. U takuan anëtarët e Shoqatës që jetojnë dhe krijojnë në Boston dhe qytetet përrreth. Një takim shkrimtarësh mbresëlënës. Dhe ja, në muajin e fundit të këtij viti, vjen dhurata e përbashkët për lexuesit, numri më i ri i revistës letrare “Pena”. 

     Botimet e revistës letare “Pena” dhe botimi i librit: “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (Autorë dhe vepra)” janë një mision i dobishëm dhe i rëndësishëm për historikun e Shoqatës.

Një aktivitet mbështetjeje për shkrimtarin Agron Tufa

     Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, me datë 1 shkurt, 2020 në kolegjin e njohur “Monroe College” në Bronx, organizoi një aktivitet, si një akt mbështetjeje dhe solidariteti ndaj kolegut të tyre, poetit dhe shkrimtarit të njohur, Agron Tufa, i cili u detyrua të linte atdheun bashkë me familjen e tij.

Lamtumirë aristokrati i Shoqatës, Prof. Dr. Agron Fico!

     Gjatë këtij viti u nda nga jeta anëtari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Prof. Dr. Agron Fico. Është një humbje e madhe për Shoqatën tonë, për diasporën në Amerikë si dhe për kulturën shqiptare në përgjithësi. Ishte gjithmonë mjaft emocionuese ta kishe pranë Profesorin tonë të dashur. Ta dëgjoje tek fliste për rëndësinë e Shoqatës sonë. Jemi me fat dhe të nderuar që në librin e fundit “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (Autorë dhe vepra)” që sapo ka dalë nga qarkullimi anëtari ynë i nderuar, Prof. Dr. Agron Fico, prezantohet me shkrimin për profesorin Peter Prifti.

Kujtohet 30 vjetori i krijimtarisë letrare të Gjekë Marinaj

     Viti 2020 shënon 30 vjetorin e botimit të poezisë “Kuajt” të Gjekë Marinaj. Djaloshi 25-vjeçar nga Bajza e Kastratit të Shkodrës, në numrin 33 (1554) të gazetës letrare “Drita” më 19 gusht 1990, në rubrikën “Autorë të rinj” prezantohej me katër poezi “Mos më ik larg”, “Vonesa e motrës”, “Të paktën në ëndërr” dhe “Kuajt”. Poezia e fundit bëri bujë e poeti u bë i famshëm. Me këtë poezi kapërceu Atlantikun, për të jetuar në Shtetet e Bashkuara e për t’u përkthyer në shumë gjuhë të ndryshme të botës.

***

     Po ikën pak nga pak viti kalendarik. E ç’rëndësi kanë ditët kalendarike për një krijues?

     Për ne, ata nuk e humbin ritmin e jetës të krijimit. Të atij zëri të ngrohtë që të jep komuniteti i krijuesve. Urimi i zakonshëm i fundvitit bashkohet me atë të çdo dite që ka ritëm, që ka emocion, që ka modele njerëzore, që ka kujtesë të saj, që ka optimizëm për të ardhmen, që ka përkushtim. Më tepër se pasioni i botimit të një vepre letrare është obligimi ndaj gjuhës dhe kulturës sonë kombëtare.

     Vitet ikin, por arti i fjalës nuk hesht. Le të gdhendim me këto libra e me të tjerë që vijnë më pas, faqe të reja të të shkruarit shqip këtej Atlantikut. Mendoj se kështu afrohen, ndihmohen dhe bashkohen edhe më shumë shkrimtarët. Duke u njohur sa më shumë, dhe duke njohur krijimtarinë e njëri-tjetrit, ne njohim më mirë letërsinë shqipe që po krijohet në Amerikë.

     Të dashur anëtarë dhe lexues! Gëzuar festat e fundvitit!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: 2020, Adi Mehmeti, Shoqata e shkrimtareve

Muzeu i Shkronjëzimit Letrar Shqip në Amerikë

June 13, 2020 by dgreca

(Meditime duke lexuar librin më të ri të Adnan Memetit “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë–Autorë dhe vepra”)/

Një promovim i këtij libri  fare mirë mund të bëhej edhe objekt i punës dhe planifikimit të dy Ministrive të Diasporës në Tiranë e në Prishtinë/

Nga Namik Selmani/

Nëse do të bënim një test të kulturës së një kombi, mund të thonim një shprehje që ka sa vlerë emocionale, aq edhe mesazhiere “Më jep një muzeum, të të tregoj kulturën e një kombi”. Për Adnan Mehmeti që aktualisht është dhe President i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë” libri që na vë në duar këto ditë është një libër-suprizë “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë – Autorë dhe vepra”.
Besoj se kjo është më se e provuar nga ata që do ta marrin në duar. Tashmë nuk është një sekret i jetës së tij, i karakterit të tij, i personalitetit të tij krijues që është një kronikan artistik i rrallë, mbase edhe me një “Guines” shqiptar në Amerikë për udhëtimet që ai ka bërë dhe bën në shtetet e Amerikës. Një udhëtim disavjeçar që ai e ka gdhendur artistikisht edhe në librin e tij “Simfonia e udhëtimeve nëpër kontinent” dhe po përgatit vëllimin e tij të dytë me këtë temë. E le të vijmë te shprehja. Ai ka parë mjaft muzeume në Amerikë që mund ta quash veç mjaft emërtimeve edhe “Shteti i Muzeumeve”. “Më jepni një libër të tillë, të shoh shpirtin letrar të shkrimtarëve shqiptarë që e kanë lidhur jetën dhe shpirtin e tyre krijues me këtë vend”- do të thoja unë me plot zë dhe emocion.
…. Që nga viti 2001 pak nga pak po bëhen 20 vite nga kjo Shoqatë. Në këtë rrugë ai po realizon një mision mjaft të bukur, të rëndësishëm, të dobishëm. Libri i tij mund të quhet thjeshtë një “Enciklopedi artistike” apo dhe një “Muzeum Shkronjor Shqip” me njohjen që ai i bën mjaft profesionalisht gjithë letërsisë së shkruar në këtë shtet në 20 vitet e fundit.  E vlerat e një Muzeumi apo të këtij libri duken jo në atë të përditshme që jeton autori dhe libri, po edhe për të ardhmen. Jo në atë të vizitorëve që hyjnë e dalin në të, po shumë më tepër. Le t’i marrim një nga një vlerat e këtij libri mjaft të rëndësishëm që në këtë kohë është një risi edhe emocion për kulturën shqiptare të Diasporës, po edhe për Shqiptarinë.
1.Secili shkrimtar është paraqitur me një bibliografi të deritanishme të krijimtarisë letrare që njihet nga të gjithë autorët e lexuesit e shumtë në Amerikë. Bashkë me këtë bibliografi e shoqëruar edhe me një foto të secilit ka dhe një krijim përfaqësues.
Adnani i njeh kolegët e tij: Mjaft libra të tyre i ka dhe në bibliotekën personale. Në këtë listë më vjen mirë që është vlerësuar edhe krijimtaria ime sidomos e viteve të fundit. Botimi i disa librave të mia për Amerikën dhe botimi në anglisht “Biri i shquar i Çamërisë Adem Zer Teme” i cili u promovua edhe në Filadelfia, më ka shkrirë natyrshëm me këtë letërsi që lëvrohet këtu.

2.Vlera e dytë e librit është dhe paraqitja e veprave dhe kontributi edhe i atyre shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë të moshave të ndryshme që sot nuk jetojnë më. Të tillë janë: Rozi Theohari, Betim Muço, Dedë Elezaj, Marash Mali, Selaudin Velaj, Sotir Andoni, Valtër Lazari duke e mbyllur me jetën dhe aktivitetin letrar, gjuhësor e studimor të studiuesit të njohur Profesorit Agron Fico që u nda para disa ditëve nga jeta.
3.Gjeografia e autorëve të paraqitur këtu është e dyfishtë. Nëse do ta shihnim vendin ku zhvillohet ajo, Amerikën, gjeografia e tyre përmbledh gati të gjithë shtetet, duke nisur nga Nju Jorku, Masaçuset, Ohajo, Miçigan, Florida, Pensivalnia, Nju Xhërsi, Minesota, Konetika, Teksas, Virxhinia, etj. Pak nga pak ata janë bërë “ambasadorë” të kulturës së shkruar shqiptare në Amerikë. Kjo gjeografi gërshetohet edhe me larminë gjeografike prej nga vijnë shkrimtarët shqiptaro-amerikanë. Ata janë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi ose edhe ta ardhur këtu jo direct

nga këto troje, por nga vende të tjera. E këto hollësi janë mjaft të rëndësishme dhe mjaft orientuese për begatinë e tyre letrare. Aty gjen anëtarë nga të gjitha krahinat: nga Shkodra, Elbasani e Gjakova, Saranda, Tropoja  e  Prishtina, Vlora, Mati e Klina, Peja, Lezha e Struga, Presheva, Bujanoci e Korça, Përmeti, Tepelena e Kërçova, Gjirokastra, Prizreni e Tirana, Fieri e Malësia e Madhe, Himara, Tepelena e Dibra, Plava  e Çamëria.
5. Shumë herë në analiza apo informacione që japim për librat e rinj harrojmë me ose pa dashje edhe pjesën e tij teknike. Të gjithë autorët e kanë mjaft të natyrshme bisedën mes njëri-tjetrit për mënyrën e botimit, për faqosjen ose dezainjit, si do ta quanim teknkisht.
Le ta japim që në fillim informacionin se ai është botuar në Amerikë, në Nju Jork.  Duke parë cilësinë e krijimeve, lind edhe ideja që këta shkrimtarë apo dhe ata të Kanadasë  fare mirë me këtë mënyrë me këtë Shtëpi Botuese “Adriatic Press” mund të mënjanojmë atë traditë mjaft të hidhur e të vështirë të botimit të librave të këtyre autorëve në trojet shqiptare dhe të ardhjes së tyre me trasta e valixhe në Amerikë.
6. Duke i parë 103 shkrimtarët aktualë shqiptarë të Amerikës, mbase mund të ishte i hapur mendimi që kjo Shoqatë mund të zgjerohej edhe me Kanadanë si ndodh edhe me sportin. Kujtoj një fakt që në Boston bëhet një Ligë Futbolli me mjaft skuadra futbolli kanadaze. Edhe në Kanada ka prej shumë vitesh një numër mjaft të madh shkrimtarësh të brezave të ndryshëm që e lëvrojnë shqipen letrare me sa e sa vepra që shtohen nga viti në vit. Kjo mund të nxiste edhe hapjen e konkurseve letrarë të shumtë tematikë në Amerikë apo dhe në Kanada.
7.Shoqata ka edhe organin e saj letrar PENA që botohet një herë në vit, por që për numrin mjaft të madh të krijuesve dhe të veprave në rritje mbase duhen gjetur mundësitë organizative, financiare që periodiciteti i botimit të saj të ishte më i shpeshtë.
8. Libri në tërësinë e vet që nga përmbajtje ndërtimit dhe na atë teknike është një model mjaft i mirë dhe i artistëve të tingullit, të penelit, të daltës, të ekranit. Në Amerikë edhe këta artistë nuk janë të pakët dhe që nga dita në ditë shtohen. Me këtë libër ata mësojnë që të organizohen më mirë të krijojnë më zyrtarisht komunitetin e tyre artistik. Se është vërtet bukur që shkrimtarët kanë gati 20 vite me këtë komunitet e ata ende nuk e kanë zyrtarizuar ende. Mbase mund të kishte edhe një Shoqatë Krijuesësh të Shkrimtarëve dhe Artistëve. Këtë gjë do ta zgjidhe koha, po nuk mungojnë modelet e mira. Artet që zhvillohen në Amerikë nga shqiptarët e të gjithë trojeve duhet të shfaqen jo vetëm në të mirë të kombit tonë, por edhe për vetë shtetin amerikan që mund të quhet edhe bashkësi komunitetesh nga e gjithë bota.

. Përvoja mjaft e mirë që na jep ky libër na shtron një tjetër pyetje: “A ka patur letërsi të zhvilluar të shqiptarëve të ardhur në Amerikë që para mëse një shekulli? Padyshim po.  Kontributi i Fan Nolit, Faik Konicës, Kristo Floqit, Mihal Gramenos, etj është i njohur, po edhe i fragmentarizuar. Kjo Shoqatë mbase do të kishte në planin e vet të afërt e të largët të botimeve traditën letrare të këtyre autorëve. Kujtojmë se në Çikago për 20 vite me radhë kontriboi shkrimtari me origjinë çame Bilal Xhaferi që pati mjaft aktivitet letrar dhe botues.
9. Në një shtet si Amerika ku shërbimi postar është në një nivel përsosmërie  nuk është vështirë që libri mund të shpërndahet për secilin autor në një kohë të caktuar, por mendoj se duhet menduar që të bëhet një promovim të këtij libri në disa zona ku ka një numër të madh shkrimtarësh. Kjo mund të bëhet fare mirë në Nju Jork, në Boston, Çikago, Dallas, etj.
Ceremoni të tilla promovuese do ta forconin edhe më shumë Shoqatën dhe do të rrisnin bashkëpunimim konkret mes anëtarëve të saj.
Natyrisht një nga vlerat e librit është dhe përmbajtja e tij. Autori nuk është ndalur vetëm te aktiviteti i secilit anëtar në trojet e tij amtare dhe në SHBA me një bibliografi të pasur veprash të tyre. Si njohës mjaft i mirë i krijimtarisë së secilit dhe mik i tyre Adnan Mehmeti ka përzgjedhur vetëm nga një krijim përfaqësues të krijimtarisë së secilit. E për autorë të tillë që kanë në krijimtarinë tyre edhe tregimin, edhe romanin, edhe skenarin, edhe poezinë, ai ka zgjedhur më përfaqësuesin, duke krijuar kështu edhe një ansambël harmonie për tërë librin.
10. Një nga vlerat e mëdha të librit është gjuha letrare që ëshë përdorur në të. Një përdorim i përsosur i normës letrare të gjuhës shqipe është vlerë e madhe e librit. Mbase dikush mund ta quante këtë fakt të panevojshm, po ajo merr vlera të mëdha. Libri po botohet në Amerikë, në një farë mënyre larg Shqipërisë ku mund dhe duhet të ndëshkohesh për përdorimin jo të mirë të shqipes letrare. Po ndodh gati e kundërta. Nëse kjo vlera do i përkiste të gjithë librave të botuara në Shqipëri, Kosovë, do ishte e zakonshme. Përvoja e fituar në këto vite na ka bërë që themi me plot gojë, edhe pse me dhimbje se me dhjetra libra atje botohen me mjaft gabime. E kur e sheh këtë model të mirë të shrimit të shqipes në Nju Jork, në Amerikë, edhe falenderimi është më i madh.
11. Një risi për këtë libër është dhe botimi i tij teknik. Në faqen e parë të tij shohim se ai është botuar në Shtëpinë Botuese “Adriatik Press” me qendër në Nju Jork. Sa mirë! Ai është pasuri kulturore e dy kombeve. Është pasuria letrare që lëvrohet në Disporën amerikane, por edhe vlerë që jep Amerika për komunitetet e kombeve të tjerë. Tashmë dihet se Amerika është “Shtet i Komuniteteve”.
Mbase ka ardhur koha që botimet e mëvonshme të librave të shqiptarëve në Amerikë të botohen në këtë vend e të mos kërrusemi në peshën e valixheve me libra të botuara në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Preshevë, etj.
Zhvillimi konkurseve të ndryshëm tematikë ose të përvjetorëve të shkrimtarëve do t’i jepte edhe më shumë frymëmarrje jetës letrare shqipe në Amerikë. Libri është dhe një vlerë që duhet njohur edhe në truallin mëmë si një pasuri e Diasporës shqiptare dhe si një vazhdim i bukur i shkronjëzimit shqip në Botë. Një promovim i këtij libri tillë fare mirë mund të bëhej edhe objekt i punës dhe planifikimit të dy Ministrive të Diasporës në Tiranë e në Prishtinë
*****
Të gjithë librat e botuara në botë janë dekor i festave shkronjore të atyre që i kanë shkruar, që i kanë botuar, që i kanë redaktuar, që ia kanë promovuar. Po një libër i tillë që bashkon dy kontinente, është me dhjetra herë më festiv se librat individuale. Është enciklopedia më e madhe e botuar deri tani në trojet amtare. Më vjen mirë që jam pjesë e këtij libri. Dhe kjo nuk është vetëm emocion po dhe obligim për të bërë më shumë se duhet dhe me cilësi të lartë artistike. Është bashkëpunimi i krijuesve në drejtimin e vetë Adnan Mehmetit që kanë krijuar një sofër të madhe letrare duke përfshirë këtu edhe mjaft zonja shkrimtare e poete. Bibliografia e numrit prej 300 faqesh i jep librit dinjitet jo vetëm për Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, po mbarë letërsisë sonë kombëtare për dhjetra vite njëherësh. Në ditë korone ku lajmet e trishta dhe një mungesë objektive optimizmi, duket se na ngroh ky lajm i bukur. Është një festë që ka jehonën e vet të gëzuar edhe në Nju Jork, edhe në Uashington, edhe në Stamfordin e Adnanit, po edhe në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Ulqin, Tivar. Pa dyshim edhe atje ku ka shqiptarë në botë. Urime e udhë të mbarë këtij libri me vlere monumentale. Le ta promovojmë në mënyrat që na jep edhe koha sa më shumë këtë libër në vatrat shqipfolëse e shqipshkruese. Nuk ka rëndësi vetëm emri Adnan Mehmetit që ka bërë një sistemim (vetëm ata që bëjnë libra të tillë qoftë edhe me më pak faqe e besojnë këtë materjalisht). Vetë Adnani në parathënien e këtij libri shkruan: “Si stolisin qiellin yjet, ashtu dhe secili anëtar, dikush me më pak libra dikush edhe me më shumë libra, secili ka shkëlqimin dhe rëndësinë e vet”.
Që në ditët e para të publikimit të tij, libri ka patur e vazhdon të ketë jehonë të madhe te lexuesët e të gjithë trojeve, ndaj dhe një vlerësim më i thelluar i tij është më se i domosdoshëm për të gjithë. Një lexuesi të vëmendshëm të këtij libri do i ketë bërë përshtypje emri i Carrie Hooper.

Është një vajzë amerikane që ka mbaruar për kanto, por që ka mësuar shqipen e është sot ndër përkthyeset më të mira të Amerikës për shqipen. Është e adhuruar pas kulturës shqiptare dhe në një farë mënyre është: “Robert Elsie” në këtë vend. Është shpallur Anëtare Nderi e kësaj Shoqate. Emocioni i saj për shqipen tonë shprehet bukur në fjalën e saj: “O gjuha shqipe, muzika e fjalëve të tua e kënaq shpirtin tim! T’i flas fjalët e tua shprehëse gëzoj zemrën time. Përmes teje jam njohur me një popull trim, guximtar, i cili i ka mbijetuar shtypjen e sunduesve të huaj dhe djallëzinë e diktaturës. Tingëllofsh, o gjuhë e dashur në popullin tënd kudo që të ndodhet. Rrofsh përgjithmonë, o gjuhë shqipe!”
Është mbase mbyllja më e mirë uruese emocionuese e këtij libri
E së fundi, për këtë Muze të shkronjëzimit shqip na vjen Mirënjohja. E të gjithë jemi në këtë libër në të njëjtën kohë cicëronë, relike, frymë, e ardhme. Boston, qershor 2020/

Filed Under: LETERSI Tagged With: Adan Mehmeti, namik Selmani, Shoqata e shkrimtareve

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë mbushi 15 vjetë

November 15, 2016 by dgreca

*U shënua 15-vjetori i themelimit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë/
*Presidenti i Nderit, dhe themeluesi i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Dr. Gjekë Marinaj, ndau çmimet dhe çmimin e krijuar prej tij “Gjenima” të cilin ai ia dhurojë Dalan Luzajt/ 1-shkrimtaret
Beqir SINA – New York/*
BRONX NYC: Për herë të parë në historinë e disporës shqiptare, në Amerikën e Veriut, mbas 130 vjetve, prej kur erdhi shqiptari i parë, më 1886, në “Tokën e premtuar”, megjithse, ndër vite këtë kontinent e kaluan pena të forta, jetuan dhe punuan njerëz të medhenjë të letrave shqip, gjeni, ishin krijuesit e dy dekadave më parë, ata që u mblodhën bashkë dhe krijuan Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. 
2-marjan
Një grupim ky në fushën e letrave, të organizuar në një grupim të veçantë, të cilin e kanë quajtur “Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë” e krjiuar kjo, pikërisht 15 vite më parë nga Dr. Gjëkë Marinaj – i cili është poet, përkthyes, dhe kritik letrar shqiptaro-amerikan, në një nga universitetet amerikane në Dallas, Teksas.  
“Pesëmbëdhjetë vjet më parë, një i arratisur nga Shqipëria, në kohën e diktaturës, shkrimtari dhe poeti i mirënjohur, nga Shkodra, Gjekë Marinaj – themeloi në SHBA, të parën shoqatë të shkrimtarëve shqiptarë. Ishte kjo një ngjarje e rëndësishme, jo vetëm për shkrimtarët, por, edhe për gjithë bashkatdhetarët tanë. Ajo edhe formalisht na la të kuptojmë, se amaneti i shkrimtarëve të mëdhenjë patriot e atdhetar në diasporë, do të mbetej e gjallë, që gjuha dhe kultura jonë të mos harrohej”.1-adnan
Kjo shoqatë e njërzve të letrave, u krijua si nevojë e kohës që të promovojë krijimtarinë e djeshme dhe të sotme letrare në këtë vend të largët, dhe që është ëndrra e çdo shqiptari, një vend ky i bërë tashmë edhe shtëpia e dytë e shqiptarëve, që i ka dhënë letërsisë shqiptare, një fond të pasur vlerash që nga koha e Marin Barletit, Rilindjes Kombëtare e deri pas Luftës së Dytë Botërore, me Faik Konicën, Fan Nolin, Sotir Pecin, Arshi Pipa dhe Prof.Isuf Luzaj, Zef Oroshi, Qerim Panariti, Sotir Peci, Sotir Andonin, Josif e Vasil Pani, Peter Prifti, Kristaq Trebicka, Anthony Athanas, Baba Rexhep Bardhi, Peter Lucas, At’Arthur Liolini, Prof.dr.Selaudin Velaj, etj, e të tjerë..
1-monda
 Kjo shoqatë do të na kujtonte Shoqëritë dhe institucionet e para kulturore të bashkësisë shqiptaro-amerikane, që lindën në fillim të shekullit të njëzetë, në emigracionin shqiptarë në Amerikë, të cilat, zënë fill qysh më 28 prill 1912, shoqata këto që u bashkuan për të formuar Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra, me seli në Boston dhe tash në Nju Jork. 
    Në atë kohë ato vepruan si grup politik lobist, duke u vendos në shërbim të pavarësisë së Shqipërisë, e më pas si zë i interesave të Shqipërisë jashtë saj – duke ushtruar mjaft ndikim edhe brenda vetë Shqipërisë. 
    Ndër figurat kryesore që dhanë ndihmesë për të forcuar bashkësinë e shqiptarëve në Amerikën e Veriut në ato vite të para, dhe që ndezën “flakë” shpirtin e krijuesve shqiptarë, më pasë; ishin Faik bej Konica, Fan Noli, Sotir Peci , Kristo A. Dako  dhe Kostantin A. Çekrezi, Arshi Pipa, e të tjerë.
1-foto-grup
 “Krijimi i “Shoqatës e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë” lindi si një “ëndërr’ i ardhjes në Amerikë, të një numëri të madh të shkrimtarëve shqiptarë, pasi dihet se gjithkush nga ne e kishte ëndërr atë të ishte në atë kohë anëtar i “Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë”, në kohën e komunizmit, që ishte një lidhje për disa, por jo për të gjithë krijuesit”, u shpreh në fillim të këtij takimi, themeluesi i kësaj shoqate, i cili shtojë se :“ Se pa ju të gjithë – dhe pa krijimatarinë tuaj, natyrishtë, që nuk do të ishtë bërë e mundur edhe krijimi i kësaj shoqate” .
 Me këtë rast Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, u mblodh të shtunën, me 12 Nëntor, në një nga ambientet e biblotekes, së kolegjit “Monroe College” në qytetin e Bronx-it, të festojë 15 Vjetorin e krijimit të Shoqatës së Shkrimtarëve.
 Duke krijuar me këtë rast një ambient festiv të ngrohtë e dashamirës për botën e artit e të letërsisë, duke filluar me përshëndetjet, fjalimet për historikun, kumtesat, dhe deri tek nderimet dhe inkurajimet për krijuesit, si dhe emblema e SHSHSHA-së, pema simbolike me emrat e shkrimtarëve që binte në sy me pllakatin mikpritës: “Mirë se vini shkrimtarë dhe poetë të nderuar”! dhe me emblemën e “artë” si ajo e çmimit “Pena e artë” për letërsinë “SHSHSHA – 2001”  
  Kjo: “Mbasdite Festive Letraro-Artistike, në kuadër të vitit të 15-ë, të themelimit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, mblodhi së bashku disa dhjetëra krijues, shkrimtarë, poetë, gazetarë dhe publicistë, anëtarë të SHSHSHA-ë dhe artistë të komunitetit shqiptaro-amerikan.
 Ky përvjetor u konsiderua si unik, mbasi me këtë rast u bë edhe anëtarësimi i më shumë se dhjetë anëtarëve të rinj në Shoqatë.
 Aktiviteti u drejtua nga Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, poeti e publicisti Adnan Mehmeti dhe kreytarja e SHSHSHA shkrimtarja Raimonda Moisiu, shkrimtari Dalan Luzi dhe shkrimtari Vlashi Fili. Ndërsa, u moderua nga poeti i njohur Mëhill Velaj, i cili me rastin e fjalës së hapjes tha: “Të nderuar të pranishëm, mirë se keni ardhur në festën e krijuesve, shqiptarë në Amerikë! Ju falenderoj që jeni mbledhur nga të gjithë shtetet e Amerikës, dhe në një numër kaq të madh për të qenë pranë poezisë, pranë magjisë së krijimit, këtu në këtë tempull të dijes kolegjin “Monroe College”. Pra, për të festuar dhe për t’u ndjerë më pranë mëmëdheut, duke qenë të gjithë bashkë, si një ”ansambël” i njërëzve të artit! Që të festojmë sot 15 vjet të kësaj shoqate, të cilën e krijojë i madhi Dr. Gjekë Marinaj! Faleminderit – Gjekës, faleminderit të gjithë ju krijues dhe ju drejtues ndër vite, faleminderit President Adnan Mehmeti, që na mblodhët së bashku në këtë festë të njerëzve të letrave në SHBA – urime dhe suksese! ju dhe shoqatës ”
 Në “intermexo” të kësaj veprimtarie, me pathosin e tij, të talentuar, e ka përshëndetur 15-vjetorin të themelimit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-amerikanë, producenti Xhevat Limani, i cili është edhe aktori i parë profesionist ndër shqiptarët e Maqedonisë, i cili mbi tridhjetë vite punoi në Teatrin shqiptar në Shkup – Ai ka luajtur rreth 100 premiera teatrore dhe ka reprezentuar artin shqiptar  nëpër botë, dhe që është pritur me ovacione nga publiku dhe me vlerësime  kulminante nga kritika teatrore. Limani, tani jeton dhe vepron në New York, Chicago, Los Angeles, Prishtinë, Tiranë, Shkup e Strugë, dhe reprezenton me dinjitet artistik artin shqiptar nëpër botë.
 Gjithashtu, e mirëpritur me duartrokitje të ngrohta dhe u shoqërua duke kënduar këngën shumë të dashur “Moj e bukra More” edhe këngëtarja e re dhe e talentuar Era Balaj.
 Presidenti i kësaj shoqate Adnan Mehmeti, shkrimtar dhe poet nga Lugina e Preshevës, në këtë jubile kishte përgatitur kumtesën me titull: “Kur ka ditëlindjen një Shoqatë shkrimtarësh (Me rastin e 15-vjetorit të themelimit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë).
 Ditëlindjet e një shoqate janë si ditëlindjet e njerëzve. Janë të gëzuara që të lumturojnë, që të bëjnë të bëhesh edhe pak nostalgjik, të bëhesh edhe të mendosh për të ardhmen shumë më tepër se të tjerët.  Po kanë një dallim të madh: ato nuk kanë një ditë fundi po vetëm rritje, e koha që do të vijë do të bëhet gjykatëse e saj që ti, ne, të gjithë ata që jetojnë dhe nuk jetojnë, lëjnë gjurmë në Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, tha Presidenti Adnan Mehmeti.
“15 vjet! Nuk janë shumë në organizimin e një shoqate të një vendi, padyshim dhe të një grupimi, por ato vite që kanë kaluar na ka bërë që sot të kemi edhe më shumë përgjegjësi, për të kujtuar historikun e të kaluarës e për të hedhur sytë përpara atje ku mençuria njerëzore ka caktuar një të nesërme” tha ai.
Ndërkaq ai shtojë se :’Që në hapat e parë të emigracionit shqiptar ka qenë dëshira për t’u organizuar, për t’u bashkuar, për të kuvenduar. Të bashkosh shkrimtarët dhe artistët pa dyshim është mision.Është obligimi për gjuhën dhe letërsinë shqipe që frymon po kaq bukur edhe këtu, në Amerikën e madhe, në Amerikën e ëndrrave. E të gjitha këto, nuk nisin pa shpirtin e vullnetarizmit.
 Nderim për Dr.Gjekë Marinaj nismëtarin e Shoqatës, themeluesin dhe ish presidentin, që u  bë frymëzues i një lidhjeje, i një  bashkimi. Një lidhje e përhershme kjo e komunikimit të shkrimtarëve në një botë të hapur ku komunikojnë njerëz të mençur, njerëz të thjeshtë, të mirë, me profesione të ndyshme, me histori të suksesshme, por mbi të gjithë ata mbetën shkrimtarë. Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, për herë të parë, këtu në Amerikë, bëri të mundur që krijuesit të jenë së bashku, të komunikojnë, të lidhen dhe të njohin njëri-tjetrin”.
 
 Ndërkohë, presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, poeti dhe shkrimtari Preshevar, në SHBA, Adnan Mehmeti, përcolli me këtë rast edhe një falenderim për Shoqatën.
 
“Viti 2016 shënon zgjedhje të reja në kryesinë e Shoqatës së Shkrimtarëve, tha ai dhe vazhdojë se ne u urojmë suksese kryesisë së shoqatës, Raimonda Moisiu, që u rizgjodh në postin e kryetares, nënkryetarit Vlashi Fili dhe sekretares Dr. Yllka Filipi. Por sigurisht, ne e vlerësojmë edhe punën me sukses të kyetarëve të mëparshëm Naum Prift, Ramiz Gjini dhe Dalan Luzaj.
 Ne e vlerësojmë edhe punën e nëkryetarëve të Shoqatës në vite, Mëhill Velaj, Iliriana Sulkuqi,  Pal Ndrecaj, si dhe sekretarëve Dr. Yllka Filipi, Kozeta Zylo, Pierre Pandeli Simsia, Kostaq Duka, Petraq Pali, të ndjerës Rozi Theohari, Sami Milloshi dhe Luigj Çekaj. Sigurisht, pa përjashtim  edhe të secilit anëtarë të Shoqatës.”
 Ai permendi dhe rastin unik simbas tij atë që “Në prag të 15-vjetorit, tha Mehmeti, neve, vetëm këtë vit na u shtuan dhjetra anëtarë të rinj, por shumica me krijimtari shumë të pasur. Na u bashkuan shkrimtarë nga Ohajo (Feriz Ukshini dhe Jashar Esati), siç na u bashkuan anëtarë nga Pensilvania (Llazar Vero, Hatem Dervishaj, Hys Hasa, Ahmet Çollaku, Sotir Goxhaj, Hamdi Gjana) , nga Kalifornia Reshida Çobo), nga Ueskonsin, Teuta Osmani, nga Nju Xhërsi, Petraq Risto, Bexhet Asani, nga Nju Jorku, Idriz Çelaj, Shaban Demiraj dhe Kaltrina Hoti, nga Minesota, Safet Hyseni, nga Kenektiket, Bora Balaj,etj. Ne iu urojmë mirëseardhje në Shoqatën tonë”. 
 Njëkohësisht, presidenti i kësaj shoqate nuk la pa permendur dhe kujtuar  ata që nuk janë më në mesin e krijuesve shqiptarë në Amerikë. 
“Pas 15 viteve bashkëpunimi, e ndiejmë mungesën e atyre që u ndanë fizikisht nga ne, të atyre anëtarëve që nuk na dërgojnë email, apo që nuk na bëjnë like në FACEBOOK, të atyre anëtarëve që nuk e paguajnë kuotën vjetore…por sa herë na kujtohen vargjet e pavdekura kur të jesh mërzitur shumë, atëherë ne marrim librat e tyre duke i rilexuar për të satën herë, për të mbajtur një lidhje shpirtërore që nuk do të shkëputet asnjëherë. Ne, i përkujtojmë të gjithë ata që na mungojne sot. Gjatë këtyre 15 viteve, me dhimbje të thellë u kemi dhënë lamtumirën e fundit, anëtarëve të respektuar e të nderuar, Anton Kote, Sotir Andoni, Peter Prifti,Valtër Lazëri, Marash Mali, Rozi Theohari dhe Selaudin Velaj” tha Adnan Mehmeti, president i SHSHSHA.   
Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, tha Presidenti Adnan Mehmeti. gjithmonë ka përcjellur dhe vlerësuar krijimtarinë letrare të secilit anëtar. Profili i disa krijuesve është kthyer në frymëzim për shumicën prej nesh. Andaj, ne kemi akorduar disa çmime nga anëtarët e Shoqatës, apo të atyre që lidhen me historinë e shoqatës. Këto çmime do të ndahen në fund të aktivitetit të sotëm. 
Presidenti i Nderit, dhe krijuesi i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Dr. Gjekë Marinaj , ndau çmimet dhe çmimin e krijuar prej tij “Gjenima” të cilin ai ja dhurojë Dalan Luzajt.
 Çmimet e tjera i morën :
 Çmimi Arshi Pipa – Adnan Mehmeti
Çmimi Fan Noli – Raimonda Moisiu
Çmimi Isuf Luzaj- Luigj Çekaj
Çmimi Petër Prifti – Yllka Filipi
Çmimi Selaudin Velaj- Vlashi Fili
Çmimi Rozi Theohari- Albana M.Lifschin
Çmimi Prenk Gruda – Anton Çefa
Çmimi Valtër Lazëri- Veneta Çallpani
Çmimi Sotir Andoni – Mëhill Velaj
Çmimi Bilal Xhaferri- Kostaq Duka
Çmimi Sami Repishti- Rita Salihu
 Zonja e zotërinj. Motra e vëllezër, anëtarë të Sh.Sh.Sh.A.-së Gëzuar 15 Vjetorin e shoqatës, iu drejtua në fjalën e saj kryetarja e ri-zgjedhur e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, shkrimtarja dhe publicistja Raimonda Moisiu.
 Ajo tha se :” Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë lindi në sajë të devotshmërisë, forcës qytetare e intelektuale, kurajos e përkushtimit, të ritregojë e njohë historinë, ngjarjet themelore të saj, duke i njohur ato u japim rëndësinë e vërtetë marrëdhënieve universale, instikteve të tyre- mbështetur në idealet patriotike dhe atdhetare, vlerat kombëtare, kulturën, traditën e gjuhën, dëshmi këto e trashëgimisë së kozmopolitizmit që forcon shpirtin dhe sikush kultivon në vetvete atributet për të njehsuar pikën e origjinës të identitetit kombëtar të kombit nga vjen, në afinitet me kulturat e tjera në Amerikën multinacionale. Shumica e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë i përkasin Letërsisë Postkomuniste të Diasporës, ata ndajnë e tregojnë historinë nën efektin e karizmës, aureolës të rrënjëve historike dhe kulturësshqiptaro-amerikane, pohojnë të kaluarën e pararendësve, -elitës së shquar të Rilindjes Kombëtare në ekzil, nga Fan Noli e Faik Konica, Arshi Pipa dhe Prof.Isuf Luzaj, Zef Oroshi, Qerim Panariti, Sotir Peci, Josif e Vasil Pani, Peter Prifti, Kristaq Trebicka, Anthony Athanas, Baba Rexhep Bardhi, Peter Lucas, At’Arthur Liolini, Prof.dr.Selaudin Velaj, etj. 
 
Konfident në erudicionin dimensional qytetar, intelektual e krijues të tij, i pari që studio idenë për të formësuar e paralelizuar atë me idetë e të gjitha ngjarjeve, privilegjin për të qenë pjesë e historisë së popullit shqiptar në të dyja kahjet e Atlantikut, me idetë e parardhësve të atyre që shënuan fillimet e bashkësisë etnike të emigrantëve shqiptarë, me lindjen e gazetës “Dielli” e “Kombi”, themelimin e “Vatra”-ës dhe Rilindjes Kombëtare , ishte -Gjekë Marinaj -duke mundësuar kështu vazhdimësinë e integritetit të letrave shqipe me kurajon, forcën dhe mundin e shkrimtarëve të vjetër e të rinj, 
“-Pikën e Bashkimit të Letërsisë Postkomuniste të Diasporës Shqiptare”
 Kjo simbas Moisiut, ishte si një metaforë për të kuptuar të kaluarën interesante në kontekstin e trashëgimtarëve të atdhetarizmit eshqiptarisë, penës e dijes, për të përjetësuar vlerat dhe identietin kombëtar në mbarë botën shqiptaro-amerikane,-duke qartësuar të tashmën dhe hapur udhë të ardhmes. 
 Në fund të fjalës së saj kryetarja e SHSHSHA, Raimonda Mosiu tha se :” Sot Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë inkurajon e mbështet shkrimtarë, poetë dhe artistë, që identifikojnë Letërsinë Postkomuniste të Diasporës, i përkasin periudhës së shtrirjes kombëtare jashtë kufijve të atdheut dhe idealizmit, pasionit dhe shprehjes, të gjithë ata, që ejetojnë jetën me të vërtetat e saj. Letërsia Post-komuniste e Diasporës dhe SHSHSHA-së sjellin zbulimin e zërit të veçantë e veprave të Rilindjes, shpirtit shqiptar, shqiptaro-amerikan e krijues të letrave shqipe, ideve të artit si frymëzim shpirtëror, dimensionit estetik të natyrës, metaforës së rritjes, formimit fizik e intelektual, shprehin më së miri të vërtetën universale të artit ekspresiv për individin e shoqërinë. Në dashuri, në art, jetën social-ekonomike-politike njeriu është gjysma, gjysma tjetër është figura, vepra, mendimet dhe filozofia e tij. Jemi ne që bëjmë art e jetë, në një trup e mendje të vetme, në mbrojtje dhe integrimi të vlerave kombëtare, gjuhës shqipe, traditës, kulturës, letrave shqipe e historisë–mesazhin e dashurisë njerëzore, njehsojmë identitetin kombëtar shqiptar në formë e përmbajtje” .
 Në emër të Këshillit Drejtues si dhe të gjithë anëtarëve të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, nga Filadelfia, me urimet më të mira në këtë 15 Vjetor të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, përshëndeti shkrimtari Vlashi Fili.
 “15 vjet nuk janë shumë, por nuk janë edhe pak. Është sa mosha e një të riut, që ka lënë pas adoleshencën e tij dhe shikon para, drejt të ardhmes, me një pjekuri që vjen duke u rritur. Por shoqata dhe ju të dashur motra e vëllezër, që jeni mbledhur në kët jubile, e keni treguar veten qysh në fillim të krijimit të saj nga i nderuari dhe i respektuari, z. Gjeke Marinaj, se ajo e ka pjekurinë e saj dhe sheh para në një të ardhme të suksesshme. Në këta 15 vjet të jetës së saj, shoqata juaj, ka afirmuar veten me sukseset e saj të vazhdueshme, sepse në të kanë bërë pjesë emra tashmë të njohur në letërsinë shqipe, në prozë e në poezi, emra që po t’i radhitësh do të bëjnë një listë të gjatë, por ajo më e rëndësishmja janë veprat cilësore që ju keni krijuar dhe botuar. Me realizimin e këtyre botimeve Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, ka treguar se është një përfaqësuese e denjë e letërsisë shqipe, jo vetëm në Diasporën Shqiptare të Amerikës, apo edhe në Diasporën Shqiptare në Botë, por në të gjithë kuadrin letrar të shqiptarëve. Kjo sigurisht është arritur jo vetëm në sajë të drejtuesve qysh në hapat e para të jetës së saj e deri sot si zonjat e zotërinjtë Naum Prifti, Rozi Theohari, Merita Bajraktari McCormak, Petraq Janko Pali, Dr. Selaudin Velaj, Dalan Luzaj, Ramiz Gjini, Mëhill Velaj, Kostaq Duka, Këze Zylo, Piere Pandeli Simsia, Iliriana Sulkuqi, Fation Pajo, Teuta Shabani Toëler, Eleonora Gjoka Kosta, e deri tek ata të sotmit, z. Adnan Memeti, znj. Raimonda Moisiu dhe Dr. Yllka Filipi, por mbi të gjitha në saje të punës dhe daljes në dritë të shumë veprave cilësore letrare nga anëtarët, që të gjithë së bashku i keni dhënë emër kësaj shoqate.”.
 Këtë veprimtari : “Mbasdite Festive Letraro-Artistike”, e organizuar në kuadër të vitit të 15-ë, të themelimit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, e përshëndeti me një urim të ngrohtë, dhe refelktim e kritikë ndaj disa antërave të kësaj shoqate,  Pierre-Pandeli Simsia, një shkrimtar profilitik dhe autor i disa librave dhe i nderuar kohët e fundit me çmimin “Qytetar Nderi i Beratit”
 Me një urim dhe një poezi enkas për këtë 15 vjetor, erdhi poetja e njohur kosovare Rita Saliu, autore e disa librave, me poezi, e cila është mjaft aktive tnë të gjitha aktivitetet e komunitetit shqiptarë në SHBA, dhe një emër shumë simpatik së bashku me bashkëshortin e saj Adem Saliu.
 Përshëndetën, dhe diskutuan gjithashtu, Marian Cubi,  Dr, Adem Harxhi, skenografi Astrit Tota, etnografja dhe shkrimtarja Bora Bala, Dalan Luzaj,Gjekë Marinaj, Vlashi Fili, Hetem Dervishi,Luigj Çekaj,Llazar vero, Veneta Çallpani, Rita Saliu, Gjeto Turmalaj , e të tjerë.
 Një surprizë për të gjithë të pranishmit u bë nga Shoqata “Bijtë e Shqipes’” nga Filadelfia, e cila i dhuroi me rastin e 15- Vjetorit, të themelimit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, një punim dore të shqiponjës, gjë që krijoi efekt emocional për të gjithë të ftuarit në sallë e veçanërisht për themeluesin dhe drejtuesit, Marinaj, Mehmeti dhe Mosiu.
 Të ftuar nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë të gjithë të pranishmit bashkarisht shijuan koktejlin e përgatitur enkas për ta nga miku i librit Mhill Gjurraj.
* E dergoi per Diellin, Adnan Mehmeti

Filed Under: LETERSI Tagged With: 15 vjet, Beqir Sina, Shoqata e shkrimtareve, Shqiptrao-amerikane

NJOFTIM I SHOQATES SE SHKRIMTAREVE SHQIPTARO-AMERIKANE

May 6, 2015 by dgreca

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë organizon Audiencë me Shkrimtarin Gjeke Marinaj/
Do te flasin figura te njohura te letrave shqipe ne Diaspore, studiuese dhe kritike te krijimtarise se poetit dhe perkthyesi brilant te poetit te shquar amerikan Frederik Turner-it.
Eventin e drejton presidenti i SHSHSHA-e, Poeti e Publicisti Adnan Mehmeti, Sekretarja e SHSHSHA-se, shkrimtarja dhe studiesja Dr. Yllka Filipi, me moderim nga shkrimtari e poeti Mehill Velaj. Ftohen të marrin pjesë anëtarët e SHSHSHA-ë . Gjithashtu një ftesë speciale shkon edhe për ata shkrimtarë, poetë, publicistë, studiese, historiane, gazetare , krijuesë dhe dashamirës të artit e letërsisë që jetojnë, punojnë e shkruajnë në ekzil,
Ftohen figura të shquara të letrave shqipe dhe komunitetit shqiptaro-amerikan, t’i bashkohen këtij eventi të quajtur –Audiencë me Shkrimtarin Gjeke MARINAJ
Takimi zhvillohet Ditën e Diel, 7 qershor 2015, ne biblioteken Ferguson ne Stamford (ne Audotirium, ne katin e trete) Adresa: One Public Library Plaza Stamford CT 06904
Ora 1.15 hapja e deres
Takimi fillon ora 1.30 deri 3.30
Nga Kryesia e Shoqates se Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane
Presidenti Kryetare Sekretare
Adnan MEHMETI Raimonda MOISIU Dr.Yllka FILIPI

Filed Under: Komunitet Tagged With: Gjeke Marinaj, Raimonda Moisiu, Shoqata e shkrimtareve

SUEDI, SESION SHKENCOR I SHOQATES SE SHKRIMTAREVE SHQIPTAR

June 1, 2014 by dgreca

NË UDDEVALLA TË SUEDISË U MBAJT SESIONI I III SHKENCOR I SHOQATËS SË SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE SHQIPTAR NË SUEDI
– Një organzimin madhështor dhe me shumë përmbajtje/
Nga Sokol Demaku/
Në pranin e shumë bashkëkombasëve, miqëve suedez, mysafirëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Gjermania, Austria, Norvegjia e Finlanda në Uddevalla të Suedisë u mbajt Sesioni i tretë shkencor i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar në Suedi ”Papa Klementi i XI Albani”.
Një organzimin madhështor dhe me shumë përmbajtje nga Këshilli organziativ me në krye anëtarin e Krysisë së kësaj shoqate me vendbanim në këtë qytete, pedagogut, mësuesit dhe shkrimtarit të njohur Fetah Bahtiri, Sesioni tretë shkencor përmbushi ate cka ishte vu në realizim nga ana e Krysisë së shoqatës dhe se kjo është një realitet me të cilin shihet se kjo shoqatë është një ndër më aktivet në ruajtjen dhe kultivimine gjuhës, kulturës dhe traditës shqipe në mërgatë.
Këtë tubim madhështor të poetëve dhe shkrimtarëve të mërgatës sonë e nderuan me prezencën e tyre edhe Kryetari i komunës Uddevalla Rolf Sten, pastaj nënkryetari i kësaj komune Magnus Jakobsson, komunë e cila edhe ishte finansuese e mabjtjes së këtij sesioni. Ishte i pranishëm dhe pershendeti manifestimin miku i madh i shqiptarëve, mësuesi dhe humnaisti Anders Westman.
Sesionin prezentoi moderatorja mjaft sharmante dhe anëtare Krysisë së Shoqatës Saranda Iseni, e cila i dha fjalën Kryetarit të shoqatës Hysen Ibrahimit i cili shpalli të hapur punën e Sesionit të tretë shkencor të SHSHASH në Suedi. Në fillim Kryetari Ibrahim i përshendeti dhe u deshirpjë mirëseradhje mysafirëve nga Kosova Shani Hamitaga përfaqësuses i Ministrisë së Diasporës, Rrrahaman Paqarizi Kryetar i Bordit drejtues të RTK, Azem Bujupi, drejtor në Radio Kosova, nga Shqipëria Jaho Margjekaj, drejtor në Radio Tirana, Selajdin Skeja Kryetar i komunës së Strugës, Besim Xhelili përfaqësues i Shoqatës së shkrimtarëve shqiptar nga Austria, Hasan Qyqalla perfaqësues i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptar nga Gjermani, Hasim Hoti e atyre nga Finlanda dhe Ymeri Trena nga Norvegjia. Mirëseardhje të veqant iu deshiua nikoqirëve nga Komuna Uddevalla, krytarit dhe nënkryetarit të kesaj komuna e cila ishte edhe finansuese e mbajtjes së këtij sesioni.
Mbi punën dhe aktivitetin e shoqatës foli sekretari i shoqatës Osman Ahmetgjekaj, i cili në menyrë të detajuar prezentoj të arriturat e këtij asociacioni të shkrimtarëve këtu në Suedi, me cka sipas tij ata janë të kenaqur dhe flamurtar në Europë.
Mysafirët përshendeten sesion in duke ju deshirua këtyre penave entuziaste suksese edhe më të medha në të ardhmen dhe duke ftuar të njejtit që pas daljes në dritë të librit të tretë ”Thesari Kombëtar Shqiptar i mërgatës shqiptare në Suedi” që në vendet nga ata vinë të bëhet promovimi i Thesarit atje në menyrë madheshtore nën pëkujdesjne e tyre. Cka kjo kërkesë u pranua me dëshirë nga ana e anëtareve të kësaj shoqate.
U prezentuan libra të botuarë, punime artisitike, piktura si dhe revista e broshuara të publikuara nga ana e Shoqatës dhe anëtarëve të saj, cka ishte për lakmi. Ishte një prezentim i denjë i punës së paldhoshme të këtyre penave shumë frytëdhense në mërgatë për të rezentua dhe cua përpara ceshtjen e gjuhës, kulturës dhe traditës shiqpe në mërgatë. Eshtë për tu marrë lakmi një punë e tillë dhe të jetë shembull edhe për shoqatatë si motra në vendet tjera se si duhet punua dhe prezetnua gjuha dhe kultura jonë në mërgatë, dhe se besojmë me një bashkëpunim dhe kordinim të punëve mund të vehen në funksion edhe shoqtat tjera si motra në vendet e ndryshme Europiane dhe ato të jenë aktive në punëne e tyre.
Sipas organizatorëve të Sesionit u tha se ”Thesari Kombëtar i mërgatës Shqiptare në Suedi” është gati dhe se në qershor do dal inga shtypi ku edhe do bëhet promovimi tij në menyrë madheshtore në të gjitha trojet Shqiptare.

Filed Under: Mergata Tagged With: NË UDDEVALLA, Shoqata e shkrimtareve, Sokol Demaku, TË SUEDISË

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT