-Shpallet aktgjykimi për rastin e Oliver Ivanoviçit/
Nga Behlul Jashari PRISHTINË, 22 Janar 2016/ Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, dje, një trup gjykues i përbërë nga gjyqtarë ndërkombëtarë e shpalli Oliver Ivanoviçin fajtor për kryerjen e veprës penale “Krime të luftës kundër popullatës civile.”
Gjykata vërtetoi se më 14 prill 1999, forcat serbe i larguan me forcë shumë familje shqiptare nga shtëpitë e tyre dhe i mblodhën jashtë në rrugë. Një grup i paramilitarëve/policëve e ndau dhe mori një grup të meshkujve nga ushtria derisa arritën tek pika e kontrollit të policisë/paramilitarëve. Oliver Ivanoviçi ishte pjesë e grupit të paramilitarëve/policisë të pranishëm në pikën e kontrollit. Ai mbante uniformë të kaltër dhe ishte i armatosur.
Pastaj, këta meshkuj u shoqëruan përmes kësaj pike të kontrollit. Katër meshkuj u vranë derisa ky operacion u ndal për shkak të ardhjes së një personi të uniformuar, i cili dha urdhër për t’u ndalur.
Oliver Ivanoviqi ishte në dijeni të operacionit për dëbimin dhe vrasjen e shqiptarëve. Atë ditë, ai me dashje u pajtua me këtë plan duke e ditur që si pasojë e kësaj do të ndodhnin vrasjet.
I akuzuari Oliver Ivanoviç, u dënua me 9 vjet burgim.
Në lidhje me ngjarjet e 3 shkurtit 2000, pika e dytë e aktakuzës, Gjykata i shpalli të pafajshëm të akuzuarit Oliver Ivanoviç, Dragolub Delibashiç, Nebojsha Vujaçiç, Ilija Vujaçiç dhe Aleksandar Lazoviç, prandaj i liroi ata nga të gjitha akuzat.
Të gjitha palët kanë të drejtë ankese.
Trupi gjykues vendosi që të vazhdohet masa e arrestit shtëpiak. Prokuroria mund të ankohet kundër këtij vendimi gjatë 24 orëve në vijim, njoftoi EULEX.
Në 28 janar 2014 EULEX njoftonte se, me kërkesë të një prokurori ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), në mëngjes një gjykatës ndërkombëtar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës ka urdhëruar një muaj paraburgim për Oliver Ivanoviçin, i cili dyshohet për krime lufte dhe vrasje të rëndë, bën të ditur EULEX në njoftimin e dërguar.
Me marrëveshje paraprake në mes të prokurorit ndërkombëtar të PSRK-së dhe përfaqësuesit ligjor të Oliver Ivanoviçit, një ditë më parë ai ishte paraqitur vullnetarisht në Stacionin Policor në Mitrovicën e Veriut. Pas intervistimit në cilësinë e të dyshuarit, me urdhër të prokurorit, Ivanoviç u arrestua dhe u dërgua para gjykatësit ndërkombëtar të Gjykatës Themelore të Mitrovicës, përfundointe njoftimi.
Oliver Ivanoviç është politikan i komunitetit serb në Kosovë, në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar ishte kandidat për kryetar të komunës së Mitrovicës Veriore, ndërsa kishte funksione të ndryshme. Ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës para shpalljes së pavarësisë .