• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëri, më shumë se gjysma e grave, të dhunuara

December 4, 2014 by dgreca

Nga Zina Tosku/
Në Shqipëri, më shumë se gjysma e grave janë të dhunuara. Këtë e tregon studimi i kryer nga INSTAT “Femrat dhe meshkujt në Shqipëri, gjetjet kryesore”, të tetorit të këtij viti.
Sipas këtij studimi, rezulton se më shumë se 59% e grave dhe vajzave në Shqipëri kanë pësuar të paktën një herë gjatë jetës dhunë në familje. Ndërkohë, 53% e tyre kanë pohuar se dhunën e kanë pësuar gjatë vitit të fundit. Sipas studimit, me rritjen e moshës së grave ka një tendencë në zbritje të dhunës në familje ndaj tyre. Pra, nga 64% në grupmoshën 18-24 vjeç në 58% në grupmoshën 45-55 vjeç .
Kush përjeton dhunën, si viktima ose dëshmitarë, mësojëndërmjet të tjerave, të ketë frikë, ta evitojë dhunën ose të bëhen njëlloj të dhunshëm si dhunuesi.
Por, ajo që e bën të vështirë këtë fenomen është fakti se gratë e dhunuara shpesh herë nuk janë të gatshme të kërkojnë ndihmë dhe të flasin për dhunën.
Disa nga arsyet pse gratë nuk kanë kërkuar ndihmën e shërbimeve shëndetësore ose ligjore, ka qënë dhe fakti se duhet të paguanin për to.

Dhe për shumë gra të dhunuara, pagesa është një pengesë. Ndërkohë, studimi sjell një tjetër fakt intersant, sipas të cilit, gratë me arsim fillor ose të ulët kanë më shumë gjasa të kërkojnë ndihmë për dhunën në familje, në krahasim me gratë më të arsimuara.
Ndërkaq, sipas gjetjeve të tetorit 2014, femrat me arsim të lartë dhunohen më pak dhe dhuna është më e pranishme në zonat rurale krahasuar me ato urbane. Sa i përket rasteve të dhunës, bazuar mbi statistikat zyrtare të INSTAT, dhuna nis te manifestohet kryesisht gjatë vitit të dytë dhe të tretë të martesës.
Në vendin tonë dhuna në familje u shfaq si problem shqetësues në vitet `90, kur vendi po përjetonte ndryshime të mëdha politike dhe shoqërore. Ndonëse si fenomen dhuna në familje kishte ekzistuar shumë kohë përpara tranzicionit, rastet e dhunës në famije pësuan rritje të ndjeshme në vitet `90, në kohën kur familjet pësonin trysni si pasojë e tranzicionit.

Por, dhuna në familje ndaj grave nuk është dukuri e re në Shqipëri, por i ka rrënjët në traditat dhe zakonet patriarkale që prej kohësh i kanë dhënë formë shoqërisë sonë.
Prej vitit 1991, Qeveria Shqiptare ratifikoi një sërë konventash të rëndësishmë për parandalimin e dhunës në familje. Ndër to janë, Konventa e OKB-së për të Drejtat Civile dhe Politike 1991; Konventa e OKB-së për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore 1991; Konventa e OKB-së për të drejtat e fëmijëve 1992; Konventa e OKB-së kundër Torturës dhe Dënimeve ose trajtimeve të tjera mizore 1994; Konventa e OKB-së për eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj grave 1994; Konventa Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut 1996; Konventa Europiane për Parandalimin e Torturës dhe të Dënimeve 1996; Konventa Europiane për Parnadalimin dhe Luftën kundër dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje 2013.
Në vitin 1998, qeveria e Shqipërisë miratoi Kushtetutën e re, e cila promovon parimet e barazisë dhe mos diskriminimit, si dhe mbrojtjen e respektimin e dinjitetit njerëzor dhe të të drejtave e lirive të njeriut.
Deklarata e Kombeve të Bashkuara për Eleminimin e Dhunës ndaj Grave, e përkufizon atë si “çdo akt dhune me bazë gjinore që sjell ose ka gjasa të rezultojë në lëndime ose vuajtje fizike, seksuale ose psikologjike të grave përfshirë dhe kanosjet për akte të tilla, shtrëngime apo privime arbitrare të lirisë si në jetën publike ashtu dhe private”.
Dhuna në familje ndaj grave është një problem i përhapur global, që kapërcen kufijtë dhe ndodh në të gjitha kulturat dhe shoqëritë anembanë botës. Sipas një studimi të kryer në 35 vende të botës para vitit 1999, 10% deri në 69% e grave raportonin se ishin dhunuar fizikisht në një moment të jetës. Për të luftuar këtë fenomen, media ka një rol dhe peshë të rëndësishme në sensibilizimin e opinionit publik.

Media, sipas Këshillit të Europës “luan një rol të rëndësishëm në formimin e qëndrimeve dhe vlerave të individëve si dhe shërben si një instrument i dobishëm për ndryshimet sociale”.
Duke u bazuar në vlerat universale të familjes, Organizata e Kombeve të Bashkuara e përkufizon dhunën në familje si një akt që rezulton në heqjen arbitrare të lirisë.
Dhuna në familje është një nga format e krimeve më pak të raportuara dhe zakonisht konsiderohet si një çështje private, si rrjedhojë nuk dihen me saktësi përmasat dhe frekuenca e fenomenit. Megjithatë, studimet e kryera tregojnë se dhuna në familje, sidomos ajo ndaj grave dhe vajzave, është rritur gjatë periudhës së tranzicionit.
Vështirësia e grumbullimit të informacionit mbi dhunën në familje vjen dhe si pasojë e gjendjes ekonomike të viktimave, të cilat në shumë prej rasteve janë të varfra.
Në Konferencën e Katërt Botërore të Pekinit e mbajtur në shtator 1995, dhuna në familje u përkufizua si “një problem mbarëbotëror dhe që duhet trajtuar si i tillë.” Po në këtë konferencë është theksuar se “dhuna ndaj gruas përbën dhunim të të drejtave njerëzore, si dhe një pengesë në arritjen e barazisë, zhvillimit dhe paqes”.
Në Deklaratën “Kundër Dhunës ndaj Gruas”, bërë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, është dhënë përkufizimi i parë zyrtar, në të cilin thuhet se “dhuna ndaj gruas në familje do të konsiderohet çdo akt i bazuar në përkatësinë gjinore që rezulton në, ose mund të rezultojë, në lëndime fizike, seksuale apo psikologjike, ose që shkakton vuajtje tek gratë, duke përfshirë edhe kërcënime për akte të tilla, detyrimin apo privimin arbitrar të lirisë, pavarësisht nëse këto ndodhin në publik apo në jetën private”.
Në 24 nëntor të këtij viti, ministri i Mireqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, nisi fushatën sensibilizuese 16-ditore kundra dhunës me bazë gjinore. Sipas tij, këtë vit janë raportuar 3000 raste dhune dhe janë dhënë 1800 urdhër mbrojtjeje, ndërkohe që janë rritur raportimet me 30% të rasteve të dhunës. Ministri Veliaj ka kërkuar nga djemtë dhe burrat që t’i bashkohen kësaj fushate sensibilizuese pasi “trimëria” e tyre duhet të bejë që të dalin kundra traditës, pra të dhunimit të grave e vajzave.
Në vitin 2005, OBSH në një studim te gjere për dhunën ndaj grave në familje, tregoi se 13% deri në 61% e grave kanë pësuar dhunë fizike. Ndërkohë, në vitin 2013, OBSH kreu një analizë mbi 155 studime të kryera në vende të ndryshme të botës dhe konstatoi se 30% deri në 37% e grave kanë përjetuar dhunë

Filed Under: Analiza Tagged With: më shumë se gjysma e grave, shqiperi, të dhunuara

Shqipëri, festohet 102 vjetori i pavarësisë

November 28, 2014 by dgreca

Në Shqipëri sot u festua 102 vjetori I Pavarësisë së vendit. Krerët më të lartë të shtetit ishin në Vlorë, qyteti ku u shpall Pavarësia më 28 nëntor të vitit 1912.
Presidenti Bujar Nishani, kryetari i parlamentit Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama morën pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit. Mijëra qytetarë, nga qyteti i Vlorës e nga zona të tjera të vendit si dhe nga Kosova e Maqedonia ishin mbledhur në Sheshin e Flamurit.
Këtë herë simboli kombëtar shqiptar u ngrit nga dy sportistët Romela Begaj dhe Daniel Godelli, falë të cilëve, vetëm pak javë më parë, flamuri i Shqipërisë u valëvit në kampionatin botëror të peshëngritjes ku ata u shpallën fitues.
Përveç himnit kombëtar, në ceremoni nuk pati deklarata nga asnjëri prej drejtuesve të Shtetit të cilët vijuan më pas të ndarë me aktivitete të tjera.
Kreu i opozitës Lulzim Basha bëri pasdite homazhe pranë bustit të Ismail Qemalit në Tiranë, ndërsa më herët gjatë ditës ai kishte bërë homazhe edhe pranë bustit të Adem Jasharit në kryeqytet si dhe në varrezat e Dëshmorëve për 70 vjetorin e çlirimit nga nazifashizmi.
Demokratët vazhdojnë të njohin si festën e çlirimit 28 Nëntorin dhe jo datën zyrtare të 29 Nëntorit.

Filed Under: Featured Tagged With: festohet 102, shqiperi, vjetori i pavarësisë

Vizita e Papa Françeskut në Shqipëri u nderua edhe në mërgatën shqiptare!

September 24, 2014 by dgreca

Nga Asllan DIBRANI/ Shtutgard/
Në Shqipëri ka bërë jehonë vizita e Papa Françeskut në mediat ndërkombëtare. Thuajse secila gazetë prestigjiozeve botërore e kanë raportuar dhe komentuar në mënyra të ndryshme.
Reportazhe, artikuj dhe komente mediale e përshkruan itinerarin e ceremonisë të kreut të Vatikanit dhe shton se kjo vizitë shihet si një mbështetje për përpjekjet e Shqipërisë për t’u rreshtuar dhe afruar me Perëndimin, dhe integrimin e saj si pjesë e Bashkimit Evropian.
Me një vëmendje të veçantë për këtë vizitë historike të Papa Françeskut në Tiranë, u prononcuar edhe disa media televiziv drejtpërsëdrejti siç ishin Televizioni “Rai 1” italian “SNN” amerikan etj, duke pasqyruar ardhjen e Atit të Shenjtë në Shqipëri . Këtë takim historik dhe me vlera prestigjioze kombëtare e përcollën të gjitha mediat shqiptare kudo që janë . Takimet presidenciale dhe qeveritare ja shtuan vlerën këtij takimi ,nga e cila botërisht u pa mikpritja dhe traditat shqiptare për miqtë e vet.
Takime të ngjashme u bënë edhe në mërgatën shqiptare në shumë shtete , po veçojmë takimin në kishën shqiptare të Shtutgardit , pasi që ishte edhe ditë e diele . Këtu u koordinuar mesha javore , po edhe takim kushtuar Papa Françeskut në Tiranë. Këtu çdo të diele takohen m e qindra besimtar , po edhe kësaj here ishte e ngjashme , me një numër të madh njerëzish. Pati edhe disa qe u vonuan për ceremoninë e meshës nga se ishin përqendruar pran ekraneve televizive në përcjelljen e vizitës së Papës në Shqipëri qe u transmetonte drejtpërsëdrejti ky takim.
Pamje e publikut për nder të vizitës së Papa Françeskut në Tiranë që u shënuar edhe si ditë historike në mbare popullin shqiptar !
Kisha katolike shqiptare në Stutgart ishte përgatitur për ketë festë. Ajo e kishte zbukuruar në mënyrë të veçantë këtë të kremte me një portret te madh të Papa Françeskut. Zoti Marijan Lorenci, famullitari i misionit katolik në Stutgar përshkrua shumë bukur këtë takim në Shqipëri të Papës ,ndër te tjera theksoj se është një nder i madh për ne shqiptaret , për Shqipërinë tonë , për Kosovën tonë dhe për kombin tonë , një vizitë e shenjtë në vendin e shenjte të Nënë Terezës Shqipërinë e dashur .
i vazhdoi dhe tha se edhe ne si komunitet shqiptar në Gjermani e ndiejmë një privilegj për këtë takim aq madhështor, qe i behet një vizitë popullit tonë të vogël nga një njeri i madh . Populli ynë dha, nga vetja vlera si Nënë Terezën , Skënderbeun, Ibrahim Rugovën dhe Ismail Kadarenë, me çka do krenohemi ne shqiptarët për gjithmonë . Meshën e kësaj dite e shoqëruan edhe dy pagëzime për dy fëmije të lindur në Shtutgard. Ata u pagëzuan nga At Lorenci i mbështetur në librin e parë në gjuhen shqipe të “Mesharit” me thënien “Unë po të pagëzoj në emër të Atit, e të Birit e të Shpirtit të Shenjt”.
Kultura jonë ka filluar nga Shën Jeronimi e këndej, shqipja e shkruar dëshmohet vetëm në shekullin XV, në kohën e Gjergj Kastriotit, ku edhe shprehet fuqishëm një identitet shqiptar përpara vetvetes dhe përpara botës.

Filed Under: Mergata Tagged With: Asllani Dibrani, shqiperi, Shtutgard, VIZITA E PAPËS

URIME, SHQIPËRI!

June 24, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Ministrat e Jashtëm të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian (BE) vendosën t’i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Ky është një vendim i rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejtë antarësimit të plotë eventual të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo, sigurisht, nuk do të jetë një rrugë e lehtë siç vihet në dukje edhe në njoftimin e BE-ës, pasi Shqipëria, sipas Këshillit të Bashkimit Europian gjithnjë ka nevojë për reforma në administratën qeveritare dhe në gjyqësorin, për luftën e vazhdueshme kundër korrupsionit, dhe për marrjen e masave kundër trafikut të qenieve njerëzore. Dhe mbi të gjitha, theksohet si faktor i rëndësishëm, në mos jetësor, dialogu me opozitën dhe zhvillimi normal i diskursit politik midis palëve.
Megjithëse Shqipëria mund të jetë ende larg nga antarësimi i plotë i saj në BE-ën, vendimi i sotëm pasqyron në sytë e Europës, përparimin e bërë deri tani si dhe vullnetin e Shqipërisë për të bërë edhe më shumë progres në këtë drejtim dhe në fushën e reformave të nevojshme, të cilat kërkohen nga të gjitha vendet që aspirojnë antarësimin në BE. Megjithëkëtë, Shqipëria meriton urimet tona për këtë hap të rëndësishëm drejtë Europës – aty ky e ka vendin, rreth sofrës së përbashkët me kombet e tjera europiane. Urimet tona të gjithëve, qeverisë së tanishme dhe qeverisë së mëparshme, pasi progresi i bërë dhe i njohur nga BE-ja në dhënjen e statusit-kandidat që u njoftua të martën, është një përfundim i një pune të gjatë dhe është meritë e të gjithëve, dhe jo vetëm e palëve politike, por e të gjithë shqiptarëve, përfshirë edhe shoqërinë civile dhe institucionet e tjera shtetërore dhe jo qeveritare. Pasi jemi në atmosferën e botërorit, nuk vërejmë së në ndeshjet për çmimin e madh të botës në futboll të ketë vetëm një lojtar që të dalë fitues kundër një skuadre të tërë. Burri i mirë me shokë shumë, thotë një fjalë e vjetër. Prandaj, edhe arritjet e deritanishme të Shqipërisë drejtë BE-së janë merita dhe përfundim i kontributeve që kanë dhënë të gjithë gjatë viteve në këtë drejtim e të cilat rezultuan, në njoftimin pozitiv të BE-së për dhënjen e statusit kandidat Shqipërisë.
Është e natyrshme që njëra ose tjetra palë politike të përpiqet të marrë kredinë për këtë arritje. Por fakti është se ky vendim i Europës, as nuk ishte marrë dje dhe as nuk do të angazhohej Europa që të vazhdonte për të mbështetur Shqipërinë në përpjekjet drejtë antarësimit të plotë të saj në BE, po të besonte se progresi i bërë deri tani të jetë vetëm meritë e njërës ose tjetrës palë. Në të vërtetë, Shqipëria nuk mund të shkojë drejtë e Europës e përçarë dhe as nuk do të pranohet si e tillë nga Europa. Edhe në njoftimin e djeshëm, BE-ja theksoi si gjithëherë më parë, dialogun politik midis palëve si një faktor i rëndësishëm, duke e ngritur atë në të njëjtin nivel me luftën kundër korrupsionit dhe me reformat në administratën qeveritare dhe në gjyqësor – duke nënvijuar se dialogu i qëndrueshëm politik është jetësor për konsolidimin dhe vazhdimin e reformave. Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë që klasa politike e Shqipërisë të jetë e bashkuar me mendime dhe në qëllimet e objektivave të interesave kombëtare të shqiptarëve. Antarësimi i plotë dhe sa më i shpejtë i Shqipërisë në Bashkimin Europian është në interesin e kombit shqiptar, drejtë të cilit duhet të punojnë të gjithë, pa marrë parasyshë animet ose interesat politike.
Besoj se asnjë shqiptar, kudo qofshim të përhapur nepër botë dhe në trojet e veta në Ballkan, nuk mund të fshehi kënaqësinë dhe gëzimin për vendimin njëzëri të njoftuar dje nga Ministrat e Jashtëm të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, duke aprovuar raportin e Komisionit Europian për t’i dhënë Shqipërisë statusin kandidat. Është ky një hap i madh për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar dhe si i tillë edhe duhet të velërsohet. Është një vendim që vërteton parimet, qytetërimin dhe kulturën e kombit shqiptar si pjesë dhe në përputhje të plotë me vlerat europiane. Është ky një vendim gjithashtu i cili përputhet plotësisht me synimet dhe objektivat e Gjergj Kastriotit-Skënderbe dhe të Rilindasve të kombit, të cilët treguan rrugën që duhet të ndjekë kombi shqiptar për tu ulur në të njëjtën tavolinë me kombet europiane, me nder, me përgjegjësi dhe privilegje të barabarta, me vendet më të përparuara të botës.
Uroj që ky moment në historinë e kombit shqiptar të shënojë perëndimin e politikave të errëta dhe të fatkeqsive kombëtare të së kaluarës dhe njëkohsisht edhe të dëshmojë fillimin e një hovi të pranverave të reja për kombin shqiptar, si pjesë përbërse dhe e pandarë e një Europe në paqë, të lirë e demokratike, por pa u larguar dhe pa u xhveshur kurrë nga traditat dhe kultura e shëndosh stërgjyshore e shqiptarizmës. Drejtë Europës, me virtytet shqiptare!

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, shqiperi, urime

15-vjetori i eksodit kosovar – Shqipëria dhe Kosova me dimension të ri bashkëpunimi

April 16, 2014 by dgreca

KUKES- 15-vjetori i eksodit të mijëra familjeve kosovare të larguara nga vendi për shkak të luftës që shpërtheu në Kosovë në vitin 1999 u përkujtua sot me një sërë aktivitetesh në qytetin e Kukësit. Me këtë rast në Pallatin e Kulturës së qytetit po mbahet konferenca ”Nga eksodi tek partneriteti strategjik”, me pjesëmarrjen e delegacioneve qeveritare të Shqipërisë dhe Kosovës. Punimet e konferencës nisën me një dokumentar, si një reflektim mbi atë që ndodhi me eksodin 15 vjet më parë.
Në fjalën hapëse në konferencë, ministri i jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati tha se 15 vjet më parë një milion shqiptarë u detyruan të linin atdheun, nën kërcënënimin e dhunës dhe gjenodit, nga aparati shtetëror i Serbisë.
“Në ato kohëra të errëta kur rajoni përjetonte pasojat katastrofike të politikave shoviniste të dhunës, kur dukej se gjithçka ishte humbur, shpirti i shqiptarit nuk u përkul, por përkundrazi, i tregoi botës çdo të thotë mikpritje e vëllazërim, dhe mbi të gjitha tregoi se ç’do të thotë të kesh shpirt human”, tha ministri Bushati.
Ai nënvizoi se të gjithë u prekën nga eksodi, një dhimbje me përmasa kombëtare e ndërkombëtare, ku të gjithë kontribuan për lehtësimin e saj, sipas mënyrës dhe mundësisë. ”Sot ne jemi mbledhur nga të gjitha trevat shqiptare për të konfirmuar vlerat tona europiane dhe për të shprehur mirënjohjen tonë të thellë ndaj partnerit tonë strategjik SHBA-së, NATO-s dhe BE-së, pasi nga ndërhyrja e tyre në mënyrë të sinkronizuar u ndal spastrimi etnik, duke krijuar shtratin dhe kushtet e nevojshme për orientimin euroatlantik të rajonit tonë”, tha ministri i jashtëm shqiptar.
Bushati nënvizoi se pas 15 vitesh, më 11 janar të këtij viti, dy vendet i dhanë udhë projekteve të përbashkëta. “Forma e re e bashkëpunimit, e institucionalizuar në Prizren është jetike për ne, stabilizuese për rajonin dhe të ardhmen tonë euroatlantike”, theksoi ai. Një nga hapat e bashkëpunimit mes dy vendeve ai veçoi marrëveshjen e interkonjeksionit, që lidhet me ndërtimin e ‘autostradës energjitike’ me Shqipërisë dhe Kosovës, por dhe marrëveshjet për tregtinë dypalëshe, në fushën e politikës së jashtme, në kulturë, arsim, etj.
Po ashtu, Bushati nënvizoi se qeveritë e dy vendeve po punojnë që të përputhin vizionin e tyre në bashkëpunimin gjithëpërfshirës rajonal, si një parakusht në proceset integruese euroatlantike.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, e konsideroi konferencën kushtuar 15-vjetorit të eksodit kosovar, si ‘një pikëtakim i dy qeverive dhe i dy elitave politike, intelektuale e kulturore të dy vendeve”. Por, mbi të gjitha, tha ai ky moment “është një pikëtakim i fatit dhe i të ardhmes sonë të përbashkët”.
“Para 15 vitesh, kur qytetarët e Kosovës ishin para asgjësimit fizik nga regjimi serb ishte Kukësi dhe kuksianët, por dhe të gjitha qytetet e Shqipërisë, çdo familje shqiptare, që pranoi, strehoi dhe hapi dyert e bujarisë. Sot jemi këtu të falenderojmë Kukësin e kukësianët, por dhe çdo qytet e qytetar të Shqipërisë për mikpritjen vëllazërore në vitin 199″, tha ministri Hoxhaj.
Por, vijoi ai, sot jemi këtu që të falenderojmë shtetin shqiptar për mbështetjne e tij në luftën tonë për liri e pavarësi, si dhe për mbështjen dhe ndihmën në ndërtimin e Kosovës europiane”.

Thaçi: Sot kombi shqiptar jo vetëm më i bashkuar, por edhe më i sigurtë

“Sot kombi shqiptar është jo vetëm më i bashkuar, por edhe më i sigurt”, deklaroi të mërkurën në Kukës kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Gjatë fjalës së tij në konferencën “Nga eksodi tek partneriteti strategjik”, që u zhvillua në Pallatin e Kulturës së qytetit të Kukësit me pjesëmarrjen e delegacioneve qeveritare të Shqipërisë dhe Kosovës, kryeministri Thaçi shprehu falenderimet dhe mirënjohjen për gjithë popullin shqiptar që mirëpriti vëllezërit dhe motrat kosovare në eksodin e vitit ’99.
“Jemi këtu për të nderuar dhe shprehur mirënjohjen e thellë të banorëve të Kukësit dhe gjithë shqiptarëve kudo jetojnë, për mikpritjen e jashtëzakonshme që treguan ndaj kosovarëve të dëbuar . Në emër të popullit të Kosovës unë ju them sërish faleminderit që na u gjetët si askush tjetër në ato ditë të vështira”, u shpreh Thaçi.
Ai tha se “në të njëjtën kohë falenderoj edhe njeriun, i cili në atë kohë udhëhoqi qeverinë e Republikës së Shqipërisë, kryeministrin e prapavijës së luftës së Kosovës , kryeministrin e Shqipërisë në atë kohë, Pandeli Majko”.
Një dekadë e gjysëm më parë, vijoi Thaçi, qindra mijëra civilë të pafajshëm të Kosovës që u dëbuan në mënyrë mizore gjetën strehim e ngrohtësi tek vëllezërit e motrat në Republikën e Shqipërisë.
“Kjo ndihmë bëri të mundur që këta civilë ta përballonin me dinjitet dramën që pësuan. Pamjet e familjeve kuksiane që ndanë me të sapoardhurit edhe kafshatën e fundit të bukës janë një dëshmi e paharrueshme e fisnikërisë së këtij populli. Eksodi ishte një sprovë e madhe për gjithë kombin tonë dhe që të gjithë e kaluam me sukses pa stuhi duke demonstrurar solidaritet të pakrahasueshëm dhe një unitet kombëtar të fuqishëm”, theksoi Thaçi.
Kryeministri kosovar nënvizoi se “Republika e Shqipërisë pak ditë më parë festoi 5 vjetorin e anëtarësimit në NATO dhe shpresojmë se shumë shpejt do ta marrë statusin e merituar të vendit kandidat në BE . Po ashtu Kosova sapo ka filluar krijimin e Forcave të Armatosura, ka fituar statusin e vëzhguesit në asmablenë e parlamentare të NATO-s dhe është e vendosur për të ndërmarrë me shpejtësi reformat e duhura për të arritur standardet e nevojitura për t’u bërë pjesë e aleancës veri- atlantike”.
Kreu i qeverisë kosovare shprehu gjithashtu ngushëllimet më të ngrohta për familjet e shumta të atyre që humbën njerëzit e dashur gjatë atij eksodi, të cilëve tha ai u gjendemi afër në përkujtimin e të afërmve të tyre.
Duke folur për arritjet e Kosovës në këto 15 vite pas luftës, Thaçi tha se “ky është një moment i rëndësishëm për të bërë një reflektim në arritjet e Kosovës në këto 15 vite. Pas eksodit ne ia dolëm të fitonim lirinë, falë gjakut të ushtarëve të UÇK-së , mundimit dhe durimit të popullit tonë dhe mbështetjes së aleatëve tanë perëndimorë. Falenderim i veçantë për SHBA-të, vendet e BE-së dhe NATO-n “.
“Në pak vite kohë shteti i Kosovës përmbylli me sukses procesin intensiv të shtet ndërtimit, ne po ashtu kemi nisur një udhëtim të sigurtë drejt integrimit euroatlanitk. Jemi krenarë sot të themi se Kosova gjendet e gatshme dhe i ka të gjitha potencialet për t’i bërë ballë sifidës së re të madhe që ka përpara asaj të zhvillimit ekonomik. Kosova sot është një shtet model përsa i përket respektimit të të drejtave te njeriut, është faktor stabiliteti dhe sigurie në rajon dhe shumë shpejt ka për të qenë partnere dhe kontribuese në nismat e ndryshme humanitare dhe ndërkombëtare”, tha Thaçi.
Kryeministri Thaçi nënvizoi se “politikat genocidale dhe pastrimi etnik që iu bë popullit tonë nuk ishin thjesht krime ndaj kombit tonë, por ishin krime kundër mbarë njerëzimit, kjo ishte arsyeja se pse e gjithë bota që beson në të drejtat themelore të njeriut u solidarizua me kauzën tonë dhe na ka mbështetur në të gjitha etapat e sipërmendura.
“Duke kujtuar edhe krimet e tjera ndaj popullit tonë ne nuk duam të kultivojmë urrejtjen, por duam të bëjmë të qartë të vërtetën historike. Prandaj në këtë ditë theksojmë qartë se populli ka qenë në rrugën e duhur dhe të drejtë, se lufta jonë ishte e drejtë, çlirimtare, e ndershme dhe legjitime dhe askush nuk mund ta njollosë”, tha Thaçi. Kryeministri kosovar u shpreh gjithashtu se “i jam mirënjohës qeverisë së kryeministrit Rama dhe gjithë zyrtarëve që janë angazhuar për organizimn e këtij aktiviteti dhe që kanë bërë të mundur që kjo ditë të përkujtohet ashtu siç e meriton.

Rama: Ne sot do t’i mbijetojmë paqes në Rajon për të fituar mirëqënien

Dy qeveritë shqiptare, e Shqipërisë dhe Kosovës, përkujtojnë sot në një ceremoni të organizuar në qytetin e Kukësit, 15-vjetorin e eksodit të shqiptarëve të Kosovës, në kulmin e konfliktit të armatosur të vitit 1999.
Reshjet e shiut e borës dhe temperaturat krejt të pazakonta për këtë stinë, nuk u bënë dot pengesë për dy kabinetet qeveritare, por as për mijëra qytetarë nga dy anët e kufirit, të bëhën pjesë e përkujtimores së një prej ngjarjeve më të dhimbshme në historinë e Kombit Shqiptar.
Në përfundim të ceremonisë u zhvillua konferenca“Nga eksodi te partneriteti strategjik”, e cila u hap me shfaqjen e një mini-dokumentari, me temë luftën e Kosovës, dramat që prodhoi, ndër to dhe dëbimi i shqiptarëve nga trojet e tyre.
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama në fjalën e rastit vuri në dukje ndryshimin esktrem mes realitetit të 15 viteve më parë në dy anët e kufirit Shqipëri-Kosovë dhe atij aktual.
“Kur e sheh me sytë e të sotmes të shkuarën e 15 viteve më parë, duket sikur ka kalur një jetë e tërë. Në njërën anë të kufirit në Shqipëri një vend i brishtë i dalë nga një rrënim ekonomik si ai i vitit’97-ës me me një qeveri në krye të së cilës ishtë një djalë 30 vjeçar dhe nga ana tjetër e kufirit, Kosova në errësirën e një diktature gjithnjë e më barbare në një përpjekje të zgjatur në kohë e sakrifica, që shtrihej nga rezistenca paqësore e Ibrahim Rugovës tek fillimet e Luftës Clirimtare të Kosovës”, kujtoi ai.vijon.
Sipas Ramës, ishte aleanca e madhe ndërshqiptare, solidariteti mes tyre dhe humanizmi që i karakterizon, ç’ka bënë që Kombi ynë ta përballojë këtë dramë. Ai veçoi kontributin e kryeministrit të asaj kohe, Pandeli Majko.
Por Kryeministri i Shqipërisë nuk harroi të shprehte mirënjohjen edhe për paraardhësin e tij në krye të qeverisë, Sali Berisha dhe Partinë Demokratike, si pjesë e kontributit të përbashkët, për atë që siç tha ai, tashmë quhet çështja e shqiptarëve.
“Nëse e kthejmë në çështje politikë, ndasitë i krijojmë krejt lehtësisht, por ne fatmirësisht nuk ndahemi tek çështja e madhe, e cila deri dje mbante emrin çështja e Kosovës, por që sot natyrshëm mban emrin, çështja e shqiptarëve”, theksoi Rama.
Mirënjohja e Ramës për mbështetjen ndaj çështjes shqiptare dhe kontributin e SHBA-së për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, erdhi edhe për Presidentët e Amerikës, Xhorxh Bush e Bill Klinton dhe për Aleancën Euroatlantike, të NATO-s.
Rama vlerësoi më tej si shumë të rëndësishëm faktin që “vetëm 15 vjet pas luftës së Kosovës, 100 vjetori i Luftës së Parë Botërore e gjen Ballkanin në paqe, e gjen këtë zonë të lindur dhe gjithmonë të shkuar përpara në jetën e vet përmes konfliktit dhe luftrave, në kushtet kur fryn një erë krejtësisht e re, kur nuk janë më konfliktete dhe luftrat, por paqja dhe bashkëpunimi që shtyn të gjithë drejt njëri-tjetrit”.
Ndërsa e solli këtë argument si detajin më të bukur të takimit me Kancelaren Merkel, pak ditë më parë në Berlin, Rama tha se “për askënd nuk ishte e imagjinueshme të ndodhte që në 100-vjetorin e Luftës së Parë Botërore dhe vetëm pak vite nga lufta që përjetuan në lëkurën e tyre qindra mijëra qytetarë të Kosovës, Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë të gjenden së bashku në Londër, jo për të diskutuar ndarje territoresh apo marrëveshje armëpushimi, por për të diskutuar se çfarë do të bëhet me paqen, një paqe që në bindjen time është shumë e madhe për shpatullat e brishta të secilit prej vendeve të rajonit tonë, çka do të thotë që kërkon më shumë Europën në Rajon, që kërkon më shumë bashkëveprim mes nesh, për të kapërcyer ato pengesa që të vetëm nuk mundemi t’i kapërcejmë. Kjo është një kohë e re që do të bëjë të gjithë të reflektojnë për të ardhmen e Rajonit dhe për kohën që nuk pret për integrimin mes veti dhe me Europën e Bashkuar”, vlerësoi kreu i Ekzekutivit.< ![endif]-->
Kosovës, tashmë në proces të pandalshëm. Ai veçoi ndër të tjera unifikimin e sistemit arsimor, ku siç tha ai, “çdo shqiptar, ku do ku ka lindur, në Prishtinë apo Tiranë, në Gjakovë apo Tropojë, në Pejë apo Sarandë, do të kënë një shkollë”.
Në planin ekonomik, ai foli për intensifikim të marrëdhënjeve të ndërsjellta të sipërmarrjes, ku hodhi idenë për krijimin e Dhomës Kombëtare të Tregtisë. “Nëse FIFA na pengon të kemi Kombëtaren tonë të futbollit, akush nuk na pengon të kemi Dhomën tonë Kombëtare të Tregtisë”, tha Kryeministri, ndërsa premtoi se kjo ide do të kthehet në realitet brenda pak muajsh

Filed Under: Rajon Tagged With: 15 vjetori, Kukes, shqiperi, Thaci-Rama

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT