• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Herman D. Berstein, urëlidhëse mes SHBA-së e Shqipërisë

July 12, 2013 by dgreca

Nga Prof. Dr. Uran ASLLANI/

Duke filluar nga 28 korriku 1922, kur për herë të parë filluan marrëdhëniet diplomatike midis SHBA-së dhe Shqipërisë, me Maxwell Blackun, në ofiqin e komisarit, më pas me ministrat fuqiplotë Grant Smithin, po brenda atij viti, duke vazhduar më tej me Charles C. Hart, Herman Bernstein, Post Wheeler dhe së fundi me Hugh Gladney Grant, më filoshqiptari ka rezultuar të ishte Herman David Bernstein.Në almanakun e diplomatëve amerikanë për Herman D. Bernstein shkruhet: shkrimtar izraelit amerikan, korrespondent dhe reporter amerikan, editor gazetash amerikane dhe angleze, diplomat amerikan, ministër fuqiplotë në Shqipëri, përkthyes nga rusishtja.Diplomati amerikan me prejardhje izraelite nga Rusia kishte lindur në fshatin kolonësh gjermanë Neustadt Scherwindt (Vladislavor) të Donit, më 21 shtator 1876. Në vitin 1893, në moshën 17-vjeçare emigroi në SHBA, tek i ungji, që ishte një botues i njohur gazetash.Pas mbarimit të studimeve në SHBA, në vitin 1900 bëhet gazetar dhe bashkëpunoi me disa gazeta amerikane të kohës, si “The New York Evening Post”, “The Nation”, “The Indipendence” dhe “Ainslee’s Magazine”. Nga viti 1908 e deri në vitin 1912 ai ishte gazetar i “New York Times”, por personalisht ai themeloi dhe botoi edhe gazetat dhe revistat “New London Day”, “The Jewish Tribune”, “Jewish Daily Bulletin”.Me fillimin e Luftës I Botërore, në vitin 1915 vjen ne Evrope, si korrespondent i gazetës “New York Herald”, për të vrojtuar dhe raportuar mbi gjendjen e çifuteve në zonat e luftimeve.Në vitin 1917 botoi korrespondencën e Carit rus me Kaiser Wilhemin, në formë telegramesh të shumta, në rubrikën “Willy Nicky” e “Celebrities of our Time”, që më vonë i boton si libër me parathënien e ish-presidentit Theodhor Roosevelt. Në vitin 1921 botoi librat “History of a Lie”dhe “The Protocols of the Elders of Zion”. H. Bernstein njihet edhe si nga përkthyesit më të njohur të Cehovit, Tolstoit, Andrejevit dhe Gorkit. Njëkohësisht ai entuziazmohet nga veprimet e bolshevikëve, të cilët, fillimisht, kishin udhëheqës politike e shtetërore izraelite, ishin kundër pogromeve e të tjera persekutimesh. Me këtë bindje merr pjesë në fushatën prosovjetike në shtypin amerikan. Në vitet 1919-1920, si gazetar merr pjesë në stafin e Presidentit W. Wilson, në Konferencën e Paqes në Paris, ku në miqësi të ngushtë me filoshqiptarët e njohur si kolonelin, këshilltar i Presidentit Charles House, senatorin Walter Evans Edge, diplomatët Charles R. Crane, Fred Williams, profesorët Paul Monroe, dr. Telford Ericksonin diplomati Herman Bernstein vepron si një shqiptar i vërtetë.Herman Berstein ka shërbyer si ministër fuqiplotë SHBA në Tiranë, nga 11 marsi i vitit 1930 deri në 15 shtator 1933. Duke njohur qëndrimin proshqiptar të këtij diplomati pritja që i është bërë tij ka qenë e veçantë.Bashkangjitur me artikullin po botojmë një fotografi origjinale e marsit 1930. Në atë foto gjenden të vendosur nëpër shkallët e Legatës, gjithë personeli amerikan dhe shqiptar i përfaqësisë diplomatike, duke filluar nga ministri H. Bernstein, bashkëshortja Evelinë, sekretari Holmes, shqiptarët Loni Adhami, bashkëshortja e tij Melpomeni e tij. Në këtë foto janë pothuaj të gjithë personalitetet shqiptare të kohës, duke filluar nga ministrat shqiptarë Rauf Fico, Xhafer Ypi, Xhafer Vila, Hiqmet Delvina, Dhimitër Berati, Fuad Asllani etj.Gjatë kohës së shërbimit në Tiranë, ai u përpoq dhe arriti të tërhiqte interesin e gazetarëve dhe shkencëtarëve amerikanë. Këta si turistë vizituan Shqipërinë, madje disa prej tyre edhe dy-tre herë dhe me mbresat më të mira shkruajnë një seri artikujsh shumë dobiprurës. Të tillë ishin dr. David Fairchild, botanist dhe funksionar i Departamentit të Bujqësisë, që në fund të qershorit të vitit 1930, së bashku me miq të tij vizitojnë Shqipërinë mbështesin dhe shtojnë rekomandime të dobishme për zhvillimin e bujqësisë, arsimit bujqësor dhe fshatit shqiptar.Po në atë periudhë vijnë në Shqipëri, të ftuar nga H. Berstein edhe personalitete shtetërore, si nënsekretari i shtetit për financat, Ogden J. Mills së bashku me një grup specialistësh financiarë. Edhe ky grup dha këshilla të vlefshme ekonomike-financiare për shtetin shqiptar.Për ta bërë edhe më interesante Shqipërinë dhe traditat e saj, ministri amerikan solli në Shqipëri, në korrik 1930, edhe muzikologen dhe kompozitoren e njohur amerikane, mis Stela Cushing. Kjo e fundit mblodhi dhe koleksionoi shumë këngë, rapsodi dhe balada popullore. Njëkohësisht me mis Cushingun, shkrimtaret e publicistët e njohura amerikane May Mott dhe Ethel Watts vizituan çdo skutë të Shqipërisë Veriore dhe të asaj jugore edhe kur u kthyen në SHBA botuan një seri artikujsh dhe reportazhesh në gazetat e Bostonit.Disa muaj me vonë, H. Berstein solli në Shqipëri edhe gazetarët Floyd Gibbons dhe William McNutt të gazetave të Çikagos dhe Bostonit. Veprimtaria e Bersteinit në Shqipëri është komplekse, por pjesa më e rëndësishme, më kuptimplotë e saj është ajo që lidhet me kontributin e tij, themelor, për ngritjen dhe fillimin e punës të Institutit Amerikano-Shqiptar Bujqësor të Kavajës.Përpjekjet e mikut të madh të shqiptarëve dr. Telford Eriksonit për të hapur dhe mbarëvajtur një shkollë vajzash dhe djemsh në Kavajë arritën që ta realizonin vetëm për tri vite pune. Ndërprerja e veprimtarisë së saj u shkaktua nga mungesa e fondeve amerikane të Bostonit dhe nga pamundësia e mbështetjes financiare shtetërore.Në vazhdim të kësaj veprimtarie u tentua të ngrihej një institucion arsimor nga S. Irwingu, por edhe ky projekt u neglizhua për shkak të Krizës Ekonomike Botërore. Ndaj për shkak të nevojës së madhe për një arsimim bujqësor të rinisë shqiptare në këtë nismë u angazhua edhe vetë ministri fuqiplotë Herman Bernstein. Ai kërkoi ndihmën e një shoqate mirëbërëse amerikane, që kishte emrin Fondacioni i Lindjes së Afërme (The Near East Foundation), që gjatë 14 viteve kishte kryer veprimtari mirëbërëse në Siri, Palestinë, Egjipt, Turqi dhe në Armeni, duke mbajtur financiarisht 17 kolegje arsimore, kryesisht në fushën e bujqësisë. Fondacioni i Lindjes se Afërme, qysh në vitin 1927, ishin të mirinformuara për nevojat emergjente të popullit shqiptar, nga një studim që kishte kryer specialist i bujqësisë dr. Luther C. Fray.Më 1shtator 1930, vijnë në Shqipëri dr. James L. Barton, nënpresidenti NEF, shoqëruar nga dr. Barclay Acheson dhe më 2 shtator takojnë Kryeministrin Pandeli Evangjelin, së bashku me ta ishte ta ishin H. Bernstein, dr. Archer dhe sekretari i Legates, mr. Holmes. Bisedimet përfunduan me sukses. Një ditë më vonë, më datën 3 shtator në qeveri miratohet projekti i posaçëm i Institutit Shqiptaro-Amerikan, ndërsa nga parlamenti miratimi do të bëhej disa ditë më vonë, më 15 shtator.Një rol të madh në gatishmërinë e fondacionit për të ngritur shkollën në Shqipëri ka lozur dr. James L. Barton ose siç njihej plaku i mirë. Tek ndihma e tij u mbështet ministri amerikan, dr. J. Barton kishte qenë lidhur me problemet shqiptare qysh në vitin 1914, kur si mik i G. Fred Willamsit kishte themeluar organizatën filantropike “Albanian Relief Society”, me qëllimin e vetëm grumbullimin e ndihmave për muhaxhirët e Vlorës dhe dërgimin e tyre me një vapor në Shqipëri.Më 18 tetor 1930, përurohet fillimi i ndërtimit të Shkollës së Vajzave ku do të mësonin deri 100 vajza, ndërsa disa ditë më vonë, më 29 tetor, përurohet edhe ndërtimi i Shkollës Bujqësore Amerikane, për 100 djem. Me atë rast lexohet mesazhi i Mbretit Zog dhe mbahen fjalime nga James Barton, Hilë Mosi dhe H. Berstein;Për ndërtimin e këtyre shkollave u investuan 50000 dollarë, nga të cilat qeveria shqiptare pagoi 33%, ndërsa pjesa tjetër u përballua nga Near East Foundation si edhe nga grupi filantrop dr. Harold Marshall. Ndërkohë që ndërtimet në Kavajë vazhdonin, edhe procesi mësimor si edhe praktikat mësimore nuk u ndërprenë asnjëherë, Herman Berstein vazhdonte veprimtarinë njohëse dhe vlerësuese të gjendjes së Shqipërisë dhe qyteteve të saj. Ai filloi vizitat në qytetet kryesore shqiptare. Më 10 gusht 1931 i shoqëruar nga Mehmed Konica, vizitoi Korçën, ku mbeti shumë i kënaqur për arritjet e qytetit në arsim, kulturë dhe atdhetarizmin që kishin shfaqur. Këto kënaqësi i shprehu me telegramin e falënderimit dërguar prefektit Abedin Nepravishta. Aty nga fundi i gushtit dhe gjatë shtatorit ai vizitoi edhe Shkodrën, Vlorën e deri në Gjirokastër, duke u mahnitur me mikpritjen shqiptare dhe me natyrën e mrekullueshme të Shqipërisë.Në 12 shtator të vitit 1931, gazeta frënge “Le Temps” njoftonte se Herman Bernstein ishte zgjedhur një nga të tetë anëtarët e Akademisë Ndërkombëtare Diplomatike, përkrah Kryeministrit indian Khan Bahaduri, ministrave fuqiplotë gjermanë Von Wesendonk dhe Renwer, belgut Jansen, marokenit Ben Chabrit etj.Më 22 shkurt 1932, u mbush 200-vjetorin i lindjes së George Washingtonit dhe me këtë rast Legata Amerikane bëri një pritje, ku morën pjesë personalitetet shqiptare, po ashtu edhe përfaqësitë diplomatike evropiane. Me atë rast Eqerem Libohova lexoi telegramin e urimit të dërguar nga Mbreti Zog, Presidentit amerikan Hoover. Pas tij Herman Bernstein mbajti një fjalim të cilin po e citojmë më poshtë, me disa shkurtime:

“Sot populli amerikan feston 200-vjetorin e lindjes se George Washingtonit. Emri dhe vepra e tij e pavdekshme nderohen në shumë shtete jo vetëm në SHBA, por edhe prej të tjerësh, të cilët e dinë dhe e çmojnë punën e kryemjeshtrit të indipendencës s’Amerikës.Ne nuk e adhurojmë Washingtonin si një i shenjtë pa të meta njerëzore, as nuk e lavdërojmë vetëm si një hero viktorios në fushën e tij militare, sepse megjithëqë ai kishte një ushtri të vogël dhe të organizuar keq, që i mungonin ushqimet, municionet dhe uniformat, ai shpesh kthente humbjet e tija militare në fitore të përfundshme……… Besonte fort në fuqinë e së drejtës. E kontrollonte mjeshtërinë e udhëheqjes pa u diktuar. E drejta e çështjes së popullit dhe drejtësia e hidhërimeve të tij i kishin hyrë në shpirt……. Dhe kur ngadhënjimi i independencës kombëtare u realizua, vetëm prej mendshmërisë se madhe të tij. Dhe atëherë kur periudha e ndërtimit të lirisë së porsalindur kish mbaruar dhe Washingtoni u zgjodh i pari President i Shteteve të Bashkuara, bashkëpunoi me shokët e tij dhe bashkë me ta të ndërtonte urtësisht dhe ndërgjegjësisht godinën që i thonë Amerikë…

…Ishin kohëra kur Washingtoni u vu nën një mësymje politike të pajustifikuara dhe mizore, ashtu si u vunë Presidentit Linkoln, ashtu sikurse tani Presidenti Hoover… Dinjiteti i tij dhe ndjenja e përgjegjësisë në ofiq të lartë, besnikëria e tij dhe kuptimi i nevojave të popullit dhe shpresave të kombit, dija e tij profetike në të trajtuarit të politikes së Amerikës në marrëdhëniet e saj me kombet e tjera, të gjitha këto e përshenjtëruan Washingtonin në zemrat e popullit amerikan për gjithmonë….

…Është privilegji im që këtu në Shqipëri te celebroj këtë rast historik, populli i së cilës ka vuajtur dhe është munduar aq shumë përpara se të fitonte independencën e tij dhe heroi kombëtar i të cilëve, Skënderbeu, ishte një personalitet nga më të mëdhenjtë e botës, si prijës burrash ashtu si edhe kampion i independencës së popullit të tij.Shumë shqiptarë, të cilët emigruan në SHBA, janë bërë pjesë dhe ngastër e Amerikës, por ata e kane mbajtur dashurinë e tyre të thellë për vendin e tyre të lindjes dhe kanë ndihmuar si moralisht, po ashtu edhe materialisht për të mbrojtur dhe përparuar independencën e Shqipërisë. Ka një lidhje të fortë miqësie midis kombeve tona. Në shumë e shumë raste kam dëgjuar gjithkund nga qarqe të ndryshme të Shqipërisë shfaqjet e kthjellëta të falënderimit dhe të mirënjohjes së thellë të popullit shqiptar ndaj SHBA-së për shërbimet e saj për çështjet e independencës dhe ruajtjes territoriale të Shqipërisë.Për të përkujtuar këtë 200-vjetor të ditëlindjes të G. Washingtonit kam nderin, që këtu në tokën e Legatës Amerikane, këtu në Shqipëri, të mbjell farat e drurëve të mbjellë nga G. Washingtoni në kopshtin e tij, në Mount Vernon”. Në 5 prill 1932 Mbreti Zog priti në audiencë ministrin fuqiplotë Herman D. Berstein, si edhe Barclay Acheson; Harold B. Allée; Laird Archer Scarsdale; Joseph Beach Bangor, të cilët i falënderoi përzemërsisht.Në fund të prillit 1932, H. Bernsteini shkoi në SHBA, ku qëndroi rreth një muaj, ndërkohë që atë e zëvendësoi si Charge d’afaire, sekretari Charles A. Bay. Gjatë vizitës së tij në SHBA ai i bëri shërbime të mëdha Shqipërisë. Mbi të gjitha më i rëndësishmi ishte takimi i tij me Presidentin Taft, të cilin e informoi për punët dhe problemet e Shqipërisë, duke nxjerrë në pah se përpjekjet e qeverisë dhe popullit shqiptar dalëngadalë po jepnin frutet e tyre. Në bankete të ndryshme të shtruara për nder te tij, duke filluar nga ai Faik Konicës e të tjerë të shtruara nga miqtë e shqiptarëve, ai pati mundësinë që përveç miqve të njohur e të vjetër të Shqipërisë, bisedoi dhe bëri një prezantim dinjitoz të Shqipërisë dhe shqiptarëve miqve të rinj, siç ishin koloneli House, ish-ambasadorët Henry Morgenthau, Norman Hodgood, Frank Polk, gjykatësit Johan Goldstein, Shotwell etj.Më 22 qershor 1932 bëhet përurimi i ndërtesës se djemve, ku morën pjesë përveç amerikanëve të Shkollës Bujqësore e të fondacionit, edhe ministri i Arsimit Hilë Mosi, si edhe ministri fuqiplotë amerikan, H. Berstein.I pari e mori fjalën ministri i Arsimit Hilë Mosi, i cili lëvdoi nismën shumë të dobishme të shoqërisë amerikane NEF për përkrahjen që ajo i jepte zhvillimit të arsimit ne Shqipëri. Pastaj, ministri amerikan mbajti një fjalim përshëndetës, i cili në fillim lexoi mesazhin që kishte marrë nga Mbreti Zog dhe i dorëzoi shkollës flamurin kombëtar prej mëndafshi, dhuratë të tij.Më tej, vijoi duke e quajtur privilegj pjesëmarrjen në ceremoni dhe e ndiente veten të lumtur që merrte pjesë në atë ngjarje. Më tej, ai foli shkurt për rëndësinë e veçantë të përmbajtjes mësimore praktike të shkollës.E mbylli përshëndetjen, duke theksuar interesimin e amerikanëve për të ndihmuar.Sipas traditës amerikane, në themele u vu një arkë me zhavorr dhe përmbi të një kuti bakri ku u vendosën dokumentet kryesore të ngritjes së institucionit.Bashkangjitur po botojmë një fotografi, të nxjerrë me këtë rast, ku janë (nga e majta në të djathtë) Ralph Harold Allen, drejtor i arsimimit NEF; Laird Archer Scarsdale, nëndrejtor NEF; Sander Saraçi, ministër i Botores; Reshad Asllani, nëndrejtor i shkollës; Herman Bernstein, ministri fuqiplotë amerikan; Barcelay Acheson, sekretar NEF; zonja Bernstein, Joseph W. Beach, drejtori i përgjithshëm dhe Mehdi Frashëri, kryetari i Këshillit të Shtetit.Gjate periudhës kësaj periudhe u lidhën dhe u ratifikuan dy traktate dypalëshe, të cilat edhe sot e kësaj dite janë në fuqi. Ata ishin traktati “Mbi natyralizimin e qytetarëve” si edhe ai i “Ekstradimit”. Herman Bernstein u largua nga Shqipëria në 15 shtator 1933, por para largimit të tij, Mbreti Zog e dekoroi ministrin amerikan me dekoratën më të lartë shqiptare, “Kumandar i Urdhrit të Skënderbeut”. Dy vitet e fundit ai i kaloi i sëmurë dhe në 17 korrik të vitit 1935, vdiq në moshën 59-vjeçare.

 

Filed Under: Histori Tagged With: ambasadori, Amerike, Herman D Berstein, shqiperi, urelidhes

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit

May 4, 2013 by dgreca

Gazetarët në Kosovë, të kërcënuar/ Ne Shqiperi pa mbrojtje ligjore e pa pagesa dinjitoze /
Sot është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, një datë e caktuar nga Kombet e Bashkuara për të mbështetur lirinë e shprehjes.
Sekretari i Shtetit John Kerry e shfrytëzoi këtë ditë për t’i bërë thirrje qeverive në mbarë botën të krijojnë një mjedis ku gazetarët të mund të veprojnë lirisht, të pavarur dhe pa frikë. Zoti Kerry bëri thirrje përmes një deklarate, që të lirohen të gjithë gazetarët e burgosur, kudo qofshin ata.
Sekretari i Shtetit tha se në shumë vende ata që përpiqen të ushtrojnë lirinë e tyre të shprehjes përballen me shtypjen dhe kërcënimet, që nga aktakuza, e deri tek burgosja, apo vdekja.
Në fillim të javës organizata Freedom House publikoi raportin e vet global për lirinë e shtypit gjatë vitit të kaluar, ku thuhej se ka patur një rënie të lirisë së shtypit në shkallë botërore.
Gazetarët shqiptarë pa mbrojtje ligjore e pa pagesa dinjitoze
Unioni i Gazetarëve zhvilloi një tubim proteste përpara parlamentit, duke kërkuar nga deputetët të miratojnë ligje për rregullimin dhe kontrollin e tregut mediatik
Dita botërore e lirisë së shtypit i gjeti edhe këtë vit gazetarët shqiptarë pa mbrojtje ligjore dhe pa pagesa dinjitoze. Pagesat periodike të tyre vonohen prej disa muajsh. Unioni i Gazetarëve zhvilloi një tubim proteste përpara parlamentit, duke kërkuar nga deputetët të miratojnë ligje për rregullimin dhe kontrollin e tregut mediatik.
Dita e lirisë së shtypit në Kosovë
Në ditën ndërkombëtare të lirisë së shtypit, në Kosovë janë organizuar disa veprimtari në të cilat përfaqësuesit e mediave shfaqën shqetësimin e tyre për përkeqësimin e shkallës së lirisë së tyre. Të mërkurën, organizata Freedom House publikoi raportin vjetor për lirinë e medieve në botë, ku sivjet është konstatuar rënie në shumicën e vendeve, përfshirë edhe Kosovën, që edhe këtë vit është radhitur në mesin e vendeve me liri të pjesëshme, në vendin e 102-të.
Gazetarët në Kosovë, të kërcënuar
Nga Arton Konushevci
Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shprehjes, Qeveria, sistemi i drejtësisë, autoritetet e rendit dhe disa biznese, kanë qenë në thumb të kritikave nga gazetarët kosovarë se po ndikojnë në lirinë mediave.
Në një debat të organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuar (UNDP), u tha se gazetarët në vend vazhdojnë të përballen me sfida e probleme të mëdha derisa e ushtrojnë profesionin e tyre.
Kryetarja e Bordit të Asociacionit të Gazetareve Profesionistë, Liridona Lluka, tha se profesioni i gazetarisë në Kosovë është bërë i vështirë për t’u ushtruar nga kërcënimet. Por, sipas saj, pavarësisht problemeve gazetarët nuk do të ndalen për t’i informuar drejt qytetarët.
“Ne edhe sot, kur Kosova përballet me sfidat e tranzicionit dhe integrimit, jemi mësuar të ballafaqohemi me pengesa e sfida, që nuk janë të pakta, në përpjekje për të mos na lejuar të nxjerrim në pah parregullsitë”, tha Lluka.
Për vështirësitë, kërcënimet dhe problemet e gazetareve, foli gazetarja Arbana Xharra, nga gazeta e përditshme “Zëri”.
“Trysnitë ndaj gazetarëve janë në vazhdimësi e në rritje. Vetëm në ditët e fundit kemi kërcënime dhe skandale që kanë ndodhur me gazetarët e me punën e tyre në terren. E, këto kërcënime janë të formave të ndryshme. Fatkeqësisht prej atyre klasike, të përcjelljeve të gazetarëve, të kërcënimeve përmes telefonit dhe formave të tjera dhe presioneve që po bëhen përmes gjykatave dhe padive, që është edhe presion psikologjik, pra tentimi që të mbyllet goja”, u shpreh Xharra, duke kritikuar ekzekutivin e vendit për mosprani të ndonjë përfaqësuesi në debat.
Gazetari i Radio Televizionit të Kosovës, Gëzim Bimbashi, i cili ishte sulmuar në fund të muajit të kaluar brutalisht gjatë raportimit të një proteste të serbëve në sheshin “Shumadija” në pjesën veriore të Mitrovicës, tha se gazetarët në Kosovë, në shumë media nuk kanë përkrahjen e duhur nga organet kompetente.
Ai tha, po ashtu, se në shumë media, gazetarët nuk kanë as kontrata pune.
Ka shumë gazetarë që punojnë pa kontrata pune dhe kjo vazhdon të mbetet pika më dobët dhe më e vështirë për mediat qendrore që ende i shfrytëzojnë gazetarët si të ishin raste sociale
“Ka shumë gazetarë që punojnë pa kontrata pune dhe kjo vazhdon të mbetet pika më dobët dhe më e vështirë për mediat qendrore që ende i shfrytëzojnë gazetarët si të ishin raste sociale”, theksoi Bimbashi.
Një gjendje jo të mirë të lirisë së mediave në Kosovë, e ka raportuar organizata ndërkombëtare “Freedom House” në raportin e fundit të saj. Në raport është thënë se mediat në Kosovë vazhdojnë të jenë pjesërisht të lira.
Megjithatë, përfaqësuesi i UNDP-së, Mytaher Hasakuka, tha se me gjithë problemet ekzistuese, në profesionin e gazetarisë në vend ka përparim.
“Problemet në Kosovë janë evidente, por unë besoj se ka një përparim. Vetë fakti që në vitit 2012, gazetarët u bashkuan në kundërshtimin e neneve 37 dhe 38 të ligjit të Kodit Penal, tregon që ka filluar organizimi i gazetarëve në Kosovë”, tha Haskuka.
Ai, po ashtu theksoi se mediat e lira kontribuojnë në rritjen e transparencës llogaridhënëse, qeverisjes së mirë, zhvillimit ekonomik dhe sundimit të ligjit.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Prokurorisë së Shtetit, thanë se prokuroritë e vendit janë të gatshme të bashkëpunojnë nga afër me gazetarët.
“Mund t’ju shprehim gatishmërinë tonë se në punën tonë do të kemi prioritet kërcënimet e gazetarëve, e këto në kohët e fundit nuk janë të pakta, për të cilat me kohë do të informohet opinioni për procedurat dhe që rastet të procedohen sa më shpejt”, u shpreh Haxhi Dërguti, prokuror.
Ndryshe, me rastin e 3 Majit Ditës Botërore të Shtypit, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se “të drejtat themelore të njeriut, që përfshijnë edhe lirinë e shprehjes, janë të mishëruara dhe të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, dhe ato duhet të gjejnë zbatim të plotë në shoqërinë tonë”.
Në një komunikatë për media nga Presidenca thuhet se “megjithatë, është shqetësues fakti se mediat në Kosovë, vlerësohen të jenë pjesërisht të lira, gazetarët vlerësojnë të jenë të kërcënuar dhe nën presion. Është e papranueshme që në Kosovën që po e ndërtojmë të pengohet puna e mediave dhe të pamundësohet liria e tyre. Presioni, shantazhi dhe kërcënimet ndaj tyre janë të papranueshme dhe të patolerueshme. Shteti i Kosovës është shtet ligjor ku rendi dhe sundimi i ligjit janë parimet bazë të ndërtimit të tij”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Presidencës.
Në Ditën Botërore të Shtypit, thuhet në fund të komunikatës, “inkurajojmë mediat dhe gazetarët që të vazhdojnë punën e tyre, duke forcuar etikën dhe profesionalizmin e tyre”.(Kortezi Zeri i Amerikes & Evropa e Lire)

Filed Under: Kulture Tagged With: dita e lirise se medias, Kosove, shqiperi

GJËNDJA E TË DREJTAVE TË NJERIUT NË BOTË

April 23, 2013 by dgreca

Korrupsioni, problem kryesor në Shqipëri dhe në Kosovë /

Nga Frank Shkreli/

Të Premtën që kaloi, Departmenti Amerikan i Shtetit (DASH) botoi raportin vjetor mbi gjëndjen e të drejtave të njeriut në çdo vend të botës. Në parathënien e raportit, Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri thotë se raporti dokumenton rrugën, shpeshëherë të vështirë të zbatimit të të drejtave të njeriut, duke theksuar se megjithëse “është bërë përparim i dukshëm në disa vende, në një numër tepër të madh vendesh, qeveritë nuk ndajnë vizionin e “Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut”, për një botë ku njerëzit jetojnë, të lire, me dinjitet dhe me të drejta të barabarta”, duke shtuar se raporti i këtij viti, në terësi, e bën të qartë se shumë prej sfidave më të rëndësishme të politikës së jashtme amerikane, sipas tij — në thelb — kanë të bëjnë, “me përpjekjet e pamohueshme dhe universale të njerëzve për liri dhe dinjitet.”  Në parathënien e tij të raportit mbi të Drejtat e Njeriut në botë, Zoti Kerri thotë se “në ato vende ku mohohen liritë dhe të drejtat bazë të njeriut, është shumë më e lehtë që të zënë rrënjë influencat negative, të cilat kërcënojnë jo vetëm  stabilitetin ndërkombëtar por edhe sigurimin tonë kombëtar.” Në raportin dërguar Kongresit amerikan, Zoti Kerri shkruan se “qeveritë dhe vendet që respektojnë të drejtat e njeriut janë më paqësore dhe më të begatshme, ato janë fqinjë më të mirë, aleatë më të fortë dhe partnerë më të mirë ekonomikë.   Sekretari i Shtetit Kerri tha gjithashtu se “Shtetet e Bashkuara përkrahin popujt dhe qeveritë që dëshirojnë he që mbështesin lirinë dhe demokracinë për veten dhe për të tjerët, duke pasur parasyshë përvojën tonë se puna drejtë një bashkimi më të përfeksionuar — të një demokracie të vazhdueshme dhe të qendrueshme edhe në vendin tonë — nuk do të marrë fund kurrë.”   Kryediplomati amerikan tha me këtë rast, se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të flasin qartë dhe në mënyrë të përcaktuar në mbështetje të barazisë dhe dinjitetit bazë për të gjithë njerëzit kudo.”

Në raportin vjetor  të  DASH thuhet se nga Irani e deri në Venezuelë është shënuar shumë pak përparim në avancimin e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës. Raporti nënvijon edhe vështirsitë me të cilat përballen organizatat jo qeveritare – të cilat raporti i cilëson si një burim i pazëvendsueshëm për vitalitetin e një shoqërie të lirë dhe demokratike –si dhe aktivistë të shoqërisë civile dhe gazetarët,  duke nënvijuar se viti i kaluar ishte viti më vdekje-prurës për gazetarët ç’prej vitit 1997, dhe thotë se numëri i gazetarëve të burgosur është katërfishuar ç’prej vitit 2011.  Sipas raportit, shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut po regjistrohen në vendet e përfshira në të ashtuquajturën lëvizje e ”pranverës arabe”.  Raporti i DASH është kritik gjithashtu edhe ndaj Turqisë, vendi i cili sipas raportit, ka numërin më të madh të gazetarve të burgosur.  Kritikave të rënda për shkeljen e të drejtave të njeriut nuk u ikën as vendet si Rusia, Kina, Irani,  dhe Siria.

Raporti mbi të drejtat e njeriut,–si për çdo vend tjetër në botë — përfshinë komente edhe mbi gjëndjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe në Kosovë.  Në përmbledhjen e raportit të publikuar për vitin 2012, DASH nënvijon se plaga e korrupsionit ka përfshirë të gjitha degët e qeverisë, përfshirë edhe sistemin gjyqësor. Raporti flet për ndarjet e theksuara në linja partiake para zgjedhjeve të këtij viti, kritikon konsolidimin e pushtetit nga partia në fuqi dhe fletz edhe për probleme të tjra në fushën e të drejtave të njeriut. Raporti flet gjithashtu edhe e për (mos) ndëshkimet e zyrtarëve të akuzuar për abuzime duke thënë se ndëshkimet ishin të rralla dhe jo të vazhdueshme. Në raport thuhet se “në përgjithësi, shumë zyrtarë qeveritarë dhe politikanë, si dhe gjykatës, gëzojnë imunitet nga ndjekja ligjore dhe ata që kanë interesa të mëdha biznesi, shpesh janë në gjëndje tu ikin ndëshkimeve”. Raporti thotë se ka patur raste ku “zyrtarë të nivelit të ulët janë ndëshkuar për abuzime, por shton se ndërkohë, “zyrtarë të qeverisë që qaartazi ishin të implikuar në abuzime, u transferuan nga një një post në një tjetër, pa pësuar ndonjë ndëshkim.”

Në një reagim ndaj raportit të DASH mbi gjeëndjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, Zyra e Avokatit të Popullit në Tiranë e vlerësoi këtë raport duke thënë në një deklaratë për shtyp se, “Në konstatojmë se Raporti i Departamentit të Shtetit është një vlerësim dhe analizë e thelluar dhe e vërtetë e gjendjes së të drejtave të njeriut në vendin tonë dhe se në te gjëjnë pasqyrim të gjitha problematikat dhe shqetësimet e ngritura edhe nga institucioni ynë si gjëndja e minoritetit rom dhe atij egjiptian, problemet e personave me aftësi të kufizuar, gjakmarrja dhe pasojat e saj, gjëndja e të drejtave të njeriut në vendet e kufizimit të lirisë, të drejtat e komunitetit LGBT, dhuna në familje dhe veçanërisht ajo ndaj grave”, thuhet në deklaratën e Avokatit të Popullit të Shqipërisë.

Mbi gëjndjen e drejtave të njeriut në Kosovë, raporti flet për problemet më të rëndësishme të të drejtave të njeriut në atë vend, përfshirë ngritjen e bllokimit të rrugëve në pjesën veriore të vendit nga ekstremistët serbë të Kosovës, kufizimin e të drejtave bazë të njeriut, përfshirë lirinë e lëvizjes dhe transportin e mallërave.  Në raport thuhet se “ekstremistët serbë ushtruan gjithashtu dhunë dhe kërcënime kundër kundërshtarëve të tyre në vend dhe ndaj forcave ndërkombëtare të sigurisë gjatë vitit 2012.”

Raporti i DASH mbi të drejtat e njeriut nënvijon se edhe në Kosovë, korrupsioni është problem serioz, duke thënë se disa nga problemet kryesore në fushën e të drejtave të njeriut në atë vend janë, “korrupsioni, favorizimet në burgje, mbajtja për një kohë të gjatë nën arrest para gjyqit, mungesa e efikasitetit juridik, kërcënimi i medias nga zyrtarët publikë dhe elementët kriminalë, përparimi i pamjaftueshëm në kthimin e personave të çvendosur në shtëpitë e tyre, korrupsioni në qarqet qeveritare, trafikimi i njerëzve dhe puna e fëmijëve në sektorin informal.” Në raport thuhet se qeveria mori masa për të gjykuar dhe ndëshkuar disa nga zyrtarët që kanë kryer abuzime ….. por shumë prej zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion i kanë shpëtuar ndëshkimit ligjor, thekson Raporti i Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut për vitin 2012.

Në lidhje me Maqedoninë, raporti i DASH thekson si problemim më kritik dështimin e qeverisë për të respektuar plotësisht ligjin, duke përmendur dështimin e ndjekjes ligjore të procedurave parlamentare, ndërhyrjen në punët e gjyqësorit, si edhe nivelin shqetsues të korrupsionit në radhët e qeverisë dhe mos ndëshkimin e policisë për sjellje anti-ligjore.   Raporti përmend gjithashtu tensionet ekzistuese midis komunitetit shqiptar dhe atij maqedon, si një prej shqetsimeve kryesore të respektimit të të drejtave të njeriut në atë vend.  Raporti vjetor i DASH mbi të Drejtat e Njeriut mbulon të drejtat e njeriut të njohura ndërkombtarisht – dmth, të drejtat individuale, civile, politike dhe ato të puntorëve – siç janë përcaktuar në Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut, si dhe në amrrëveshje të tjera ndërkombëtare. Raporti përgatitet për çdo vit, si një kërkesë e bazuar në legjislacionin e Kongresit amerikan, për të gjitha vendet që marrin ndihma amerikane si dhe për vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara.  Është këjo një praktikë që ka filluar zyrtarizimin e saj nga fillimi i viteve 1970, për të folur haptazi për zbatimin ose jo të standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Në dokumentin e vitit 2010 mbi Strategjinë e Sigurimit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara thuhet se ne e “konsiderojmë si një parim themelor të interesave tona kombëtare mbështetjen e paqës anë e mbanë botës – një bote në të cilën jo vetëm shtetet por edhe individët të gëzojnë të drejtat themelore që ata meritojnë.”  Prandaj, ky raport tha Sekretari Kerri, “dërgon një mesazh tepër të qartë se të gjitha qeveritë kanë përgjegjësi për të mbështetur dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut”.  Njëkohësisht, raporti sipas ndihmës sekretares së shtetit për demokraci dhe të drejta të njeriut, Uzra Zeya, “shërben edhe si një gur themel faktesh mbi të cilin dhe në bazë të cilit përcaktojmë politikat tona”, ndaj vendeve të ndryshme të botës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Kosove, ne bote, shqiperi, te drejtat e Njeriut

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12

Artikujt e fundit

  • Xhevat Kallajxhiu, kontributi patriotik e publicistik nga “Zëri i Amerikës” te gazeta “Dielli”  
  • Në veriun e Mitrovicës para 23 viteve serbët vranë e dëbuan shqiptarët
  • Boshnjakët dhe shqiptarët kërkojnë reciprocitet të të drejtave
  • Maya Angelou mbretëresha e poezizë zezake 
  • SHQIPTARO-AMERIKANËT SHËNOJNË 1-VJETORIN E VARRIMIT TË SENATORIT BOB DOLE
  • New Proposal on School Meals Includes First Limits on Added Sugars
  • Nga Dante Aligieri dhe piktori i famshëm italian Mariotto Albertinelli tek djali i Drenicës përndjekur nga genocidi serb
  • SHQIP NË ASPROPIRGO – ATHINË
  • 15 VJETORI I PAVARËSISË SË KOSOVËS NË NEW YORK
  • Emri im nuk është Marjuana!
  • PIKËPYETJE…
  • William McKinley, Presidenti i 25-të i ShBA
  • Kosova’s 15th Anniversary of Independence Celebration
  • PAL ËNGJËLLI, KRYEIPESHKËV I DURRËSIT I SHKRUAN GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEUT – PRINCIT TË EPIROTËVE PËR FILLIMIN E LUFTËS KUNDËR SULLTANIT OSMAN – MEHMETIT TË II-TË
  • In Memoriam Presidenti Woodrow Wilson

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT