Me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së Prof.Dr. Rexhep Krasniqit, në Kosovë botohet libri “Prof.Dr. Rexhep Krasniqi-Një jetë në shërbim të Shqipërisë Etnike”/
Nga BESIM MUHADRI/
Në vend të parathënies së librit/
Më 12 shkurt bëhen njëzet vjet nga ikja në përjetësi e profesorit, intelektualit, atdhetarit, politikanit dhe luftëtarit të paepur të çështjes kombëtare shqiptare, prof. dr. Rexhep Krasniqit (28 shtator 1906 – 12 shkurt 1999). Njëzet vjet nga ikja në përjetësi e njërit prej figurave më të shquara të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili tërë mundin, dijen dhe gjithçka kishte nga vetja e dha për Shqiptarinë në përgjithësi dhe, për çështjen e Kosovës, në veçanti. Njeriu që tërë jetën punoi dhe luftoi për një Shqipëri natyrale, për një Shqipëri etnike. Njeriu i cili kurrë nuk e ndali luftën kundër së keqes që kishte pllakosur Shqipërinë dhe shqiptarët, si ata që jetonin brenda kufijve të Shqipërisë londineze, ashtu edhe ata që jetonin në trojet e veta etnike e që kishin ngelur padrejtësisht brenda së ashtuquajturës Jugosllavi, të cilët i ishin nënshtruar dhunës, represionit, shtypjes së egër komuniste dhe serbo-sllave, deri në përmasa asimilimi dhe shfarosjeje.
Njëzet vjet nga vdekja e prof. dr. Rexhep Krasniqit, i cili këtu e pothuajse një shekull më parë kishte filluar veprimtarinë e tij intelektuale e atdhetare.
Kush ishte Rexhep Krasniqi?
I lindur më 28 shtator të vitit 1906 në Gjakovë, nga babë Musli Qerimi i Margegajve të Malësisë së Gjakovës dhe nënë Gjyla nga Gjakova, Rexhep Krasniqi kaloi një jetë tepër të rëndë dhe shumë të dhimbshme, sepse që në moshën 8 vjeçe mbeti jetim, pa të dy prindërit. Duke parë një fëmijë tepër të zgjuar, por edhe në një gjendje tepër të vështirë, atdhetari dhe arsimdashësi, Bajram Curri, ose siç do ta quajë Noli ynë i madh, Tribuni i vegjëlisë, personalisht atë do ta adoptojë si bir shpirti. Ai edhe do ta shoqërojë për herë të parë me rastin e regjistrimit në shkollë në Vjenë. Sipas informacioneve që kemi, i vëllai i Rexhepit, Imeri, bashkë me kushërinjtë e tij, të bijtë e Niman Sylës, ishin familje e njohur dhe mbështetës të Bajram Currit, ndërkaq Kulla e Maxhun Nimanit ishte jataku kryesor i Bajram Currit në Malësi të Gjakovës. Ata kishin edhe relata të vjetra fisnore[1].
Në qytetin e lindjes, në Gjakovë, ai mbaroi 4 vjet të shkollës fillore dhe dy vitet e fundit në Shkodër. Shkollën e Mesme e kreu në “Theresianum” të Vjenës (Austri), e cila ishte një ndër shkollat më të njohura të Evropës Qendrore. Më 1934 merr titullin e Doktorit të Shkencave, me temën “Kongresi i Berlinit e Verilindja e Shqipërisë”, ndërsa për relator kishte prof. dr. Carl Patsch-in, kryetar i Institutit të Ballkanologjisë pranë Universitetit të Vjenës, albanolog dhe historian i mirënjohur.
Pas përfundimit të studimeve, dr. Krasniqi kthehet në atdhe dhe fillon punën si profesor i historisë dhe i gjeografisë në shkollën qytetëse të Gjirokastrës, ku më vonë emërohet edhe si zëvendësdrejtor. Më 1939, ai emërohet Drejtor i Arsimit dhe më vonë Inspektor Epror pranë po asaj Ministrie. Më 1941, ishte Komisar i Lartë i shkollave shqipe në Kosovë si dhe drejtor i Gjimnazit të gjuhës shqipe në Prishtinë. Më 1943, merr pjesë në qeverinë e Mehdi Frashërit si Ministër i Arsimit.
Në vitin 1943 zgjidhet Kryetar i Kuvendit Kombëtar (Parlamentit), ku për të parën herë morën pjesë përfaqësuesit e viseve që padrejtësisht u lanë jashtë trungut amë, përkatësisht nën sundimin e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë (trevat e verilindjes shqiptare). Në këtë Kuvend, shpallet bashkimi me shtetin shqiptar i tokave të zaptuara si dhe pavarësia e neutraliteti i Shqipërisë përkundrejt fuqive luftuese.
Dr. Krasniqi u zgjodh dy herë Nënkryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit që drejtohej nga Musa Shehu e Xhafer Deva.
Me ardhjen e komunizmit në fuqi, Rexhep Krasniqi u detyrua të largohej nga atdheu e, së bashku me grupin kosovar të Lidhjes së Prizrenit, mori rrugët e mërgimit. Qëndroi për një kohë të shkurtër në Siri dhe, prej andej, emigroi në Australi. Aty kah fundi i vitit 1956, thirret prej Ministrisë së Jashtme Amerikane për të marrë pjesë në riorganizimin e formimit të Komitetit “Shqipëria e Lirë” me qendër në Nju Jork dhe zgjidhet Kryetar i Komitetit, të cilin e drejtoi për 35 vjet rresht, deri në rënien e regjimit komunist në Shqipëri.
Prof. dr. Rexhep Krasniqi vdiq më 12 shkurt të vitit 1999, në Nju Jork, pasi që arriti të shihte rënien e komunizmit në Shqipëri, fillimin dhe vazhdimin e luftës për çlirimin e Kosovës dhe “me bindjen e patundur se Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do ta mbronte edhe me gjak vijën e kuqe që i vuri Serbisë”[2].
“Kongresi i Berlinit dhe Shqipëria Verilindore” apo trajtimi i temës së gllabërimit të tokave shqiptare nga Fuqitë e Mëdha
Siç u përmend edhe më lart, Rexhep Krasniqi në vitin 1934, në Vjenë, mbrojti doktoratën e tij, me tezën “Kongresi i Berlinit dhe Verilindja e Shqipnisë”, ndërsa për relator kishte prof. dr. Carl Patsch-in, kryetar i Institutit të Ballkanologjisë pranë Universitetit të Vjenës. Teza e doktoraturës së Rexhep Krasniqit, është punimi i parë i përmasave shkencore, i trajtimit të temës së gllabërimit të tokave shqiptare nga Fuqitë e Mëdha dhe dhënies “peshqesh” shteteve përreth Shqipërisë, si Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Kongresi i Berlinit, në këtë punim, në vizionin e Rexhep Krasniqit na del si një nga padrejtësitë dhe tradhtitë më të mëdha që i janë bërë popullit shqiptar, duke e ndarë padrejtësisht dhe duke e sjellë deri në zgrip të ekzistimit të tij.
Punimi i Krasniqit është i ndarë në dy pjesë dhe në katër kapituj. Në kapitullin e parë të pjesës së parë ai trajton temën e prejardhjes (zanafillën) dhe shtrirjes së popullit shqiptar në Siujdhesën Ballkanike si dhe zhvillimin e kësaj popullate brenda hapësirës së vet historike. Pastaj, temën e Kongresit të Berlinit dhe pasojat e këtij Kongresi për Verilindjen e Shqipërisë; Temën e vrasjes së Mehmet Ali Pashës në Gjakovë me përmasa tragjike, pushtimin e Podgoricës, Shpuzës e Zhabliakut nga ana e Malit të Zi; Temën e shpërthimit të konfliktit për marrjen e Plavës dhe Gucisë si dhe të përfundimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe aspektin e zhvillimit të kombit shqiptar brenda hapësirës së vet historike, për ta përmbyllur këtë kapitull me çështjen e kufirit etnografik të Kombit Shqiptar në Verilindje.
Në Kapitullin II Krasniqi trajton temën e luftërave për lirinë e popujve kristianë të Ballkanit, ku shpërfaq arsyet e shpërthimit të këtyre luftërave dhe zhvillimin e tyre, duke trajtuar me këtë rast edhe problemin bullgar, grek etj.
Në Kapitulli III, flet për zhvillimin dhe përparimin kulturor e kombëtar të shqiptarëve si dhe përpjekjet e sllavizmit; për arsyet e vonesës së zhvillimit të idesë kombëtare të popullit shqiptar; për rrjedhimet e menjëhershme të ngjarjeve para luftës Ruso-Turke; për shpërthimin e luftës Ruso-Turke etj.
Në pjesën e dytë të punimit të Rexhep Krasniqit, përkatësisht në kapitullin e katërt që është edhe i fundit i tërë punimit, autori duke elaboruar Kongresin e Berlinit si një ngjarje të përmasave politike evropiane e botërore në përgjithësi dhe, Shqipërinë Verilindore në veçanti, ai elaboron me mjaft përpikëri dhe këndvështrim shkencor ngjarjet e ndodhura para formimit të Lidhjes Shqiptare, pastaj krijimin e kësaj Lidhjeje, udhëzimet dhe vendimet e kësaj Lidhjeje etj., që janë mjaft me interes jo vetëm për kohën kur u shkruan ato, por edhe për vendin ku u shkruan dhe në gjuhën në të cilën u shkrua kjo temë.
Lexuesi, edhe pas gati një shekulli të shkrimit të kësaj teme doktorature, e ka me interes që ta lexojë dhe të informohet me konceptimin intelektual dhe kombëtar të autorit, atëherë relativisht të ri në lidhje me të gjitha ato ngjarje dhe rrethana, politike e shoqërore, nëpër të cilat kishte kaluar populli shqiptar si dhe pasojat e vendimeve të shteteve të fuqishme të botës, të cilat përveç që punuan në dëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve, ato sollën ose thelluan edhe më shumë problemin shqiptar në Ballkan, problem që mbeti i pazgjidhur sot e asaj dite.
Punimi në fjalë i dr. Rexhep Krasniqit pati dy botime: një në Nju Jork në vitin 1998, derisa ishte gjallë autori, ndërsa tjetri në Tiranë në vitin 2007, pra pas vdekjes së autorit. Me rastin e promovimit të botimit të Tiranës, historianët e vlerësuan lart kontributin e Krasniqit, ndërsa botimin e saj në Tiranë, pas kaq shumë vitesh të mbrojtjes së saj në Vjenë e cilësuan si një ndihmesë të njohjes së një periudhe shumë të rëndësishme, siç ishte ajo e zhvillimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare pas gjysmës, përkatësisht të pjesës së tretë dhe të fundit të shekullit XIX:
“Risjellja e kësaj vepre përpara publikut shqiptar, i ndihmon njohjes së një periudhe shumë të rëndësishme, asaj të lëvizjes kombëtare shqiptare, të nacionalizmit shqiptar, pra shekullit 19, kohë kur nacionalizmi shqiptar lindi, u zhvillua, kur pati edhe zhvillime të tjera kulmore si Lidhja Shqiptare e Prizrenit” – do të shprehej në mes të tjerash historiani Ferid Duka. Ndërsa historiani Beqir Meta, duke shprehur konsideratat më të mëdha për kontributin e Krasniqit në fushën e shkencës dhe atë politik në favor të atdheut dhe kombit që e bëjnë atë një figurë të nderuar e të respektuar, në mes të tjerash thotë se: “Dr. Krasniqi e provoi veten që ishte një njeri brilant si në fushën e shkencës ashtu edhe në fushën e kontributeve politike në favor të atdheut dhe të kombit të tij. Pikërisht, për këto dy kontribute të mëdha që nuk mund të ndahen nga njëra-tjetra, por janë pjesë e njëra-tjetrës, ai mbetet një figurë e nderuar dhe e respektuar për gjithë brezat e shqiptarëve të sotëm”[3].
Siç shohim, gjatë leximit të punimeve të tij si dhe të aktivitetit të tij kombëtar, me këtë temë, Krasniqi do të merret në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa puna dhe aktiviteti i tij rreth çështjes së pazgjidhur shqiptare, do të jenë mision deri në fund të jetës së tij që do ta realizojë përmes Komitetit “Shqipëria e Lirë”, një organizatë e themeluar në vitin 1949, me kryetar Mithat Frashërin, ndërsa nga viti 1957 këtë Komitet derisa mbylli aktivitetin e vet më 1992, e udhëhoqi Rexhep Krasniqi. Mirëpo, këtu nuk përfundon aktiviteti dhe angazhimi i Krasniqit për zgjidhjen e çështjes shqiptare, e në mënyrë të veçantë të çështjes së Kosovës, për internacionalizimin e së cilës çështje ndër qarqet diplomatike amerikane roli i Krasniqit është i pakontestueshëm dhe i pamohueshëm. Ai është roli i një misionari të palodhur, i cili tërë dijen dhe mundin e shkriu për një Shqipëri të natyrshme dhe normale, ndërkaq çështja e Kosovës, aty ku shtypeshin të drejtat njerëzore dhe kombëtare të një populli të tërë, do të jetë prioritet i të gjitha prioriteteve të këtij kolosi të atdhetarizmit shqiptar.
Shkrime me interes të profesor Krasniqit, në librin që po e sjellim para lexuesit, përveç “Kongresi i Berlinit dhe Shqipëria Verilindore”, janë edhe: “Ngjarje vendimtare historike në Shqipëri dhe në Kosovë 1916-1920 – Kujtime personale”,“Skënderbeu dhe kontributi i popullit shqiptar në mbrojtje të Evropës”, pastaj “Zhvillimi arsimor dhe popullsia shqiptare në Jugosllavi” dhe shkrimi i fundit është ai me titull “Një vështrim i shkurtër historik i robërimit komunist”. Ndërkaq, ky libër do të ishte i mangët sikur në të të mos përfshiheshin shkrimet biografike dhe analitike të Idriz Lamajt në lidhje me personalitetin e profesor Krasniqit. Po ashtu, në këtë libër sjellim edhe dy shkrime të historianëve nga Kosova, Nuridin Ahmetit e Shpend Avdiut si dhe ai i Hamdi V. Thaçit që janë punime të prezantuara në Konferenca Shkencore, të mbajtura në Prishtinë dhe Shkup dhe të botuara po ashtu në revistat shkencore “Gjurmime albanologjike” të IAP-së (Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe “Scupi”, një revistë po ashtu shkencore e ITSHKSH-së (Instituti i Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve, Shkup).
Kur jemi te shkrimi ose studimi historik “Ngjarje vendimtare historike në Shqipëri dhe në Kosovë 1916-1920”, përmes kujtimeve personale dhe autentike autori shkruan me shumë besnikëri për këtë periudhë historike katërvjeçare dramatike të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar në përgjithësi, në të cilën flet për gjendjen e asaj kohe në Shqipëri dhe Kosovë, për politikën hegjemoniste të Fuqive të Mëdha dhe të shteteve fqinje të Shqipërisë që rrezikuan shtetin shqiptar, për Kosovën, e cila për të dytën herë bëhet pre e kësaj hegjemonie, duke mbetur jashtë trungut të shtetit të sapoformuar shqiptar, për shkeljen e të gjitha të drejtave kombëtare të shqiptarëve të Kosovës etj.
Po ashtu, profesor Krasniqi në këtë shkrim flet edhe për rrethanat politike, shoqërore dhe ekonomike që e përcollën shtetin shqiptar, i cili me gjithë pengesat dhe hegjemoninë po shkonte drejt ringjalljes dhe konstituimit të tij, për Kongresin e Lushnjës si një nga aktet më të rëndësishme dhe më serioze të riorganizimit dhe forcimit të themeleve të shtetit shqiptar etj.
Zbërthimi i figurës së Skënderbeut dhe historia pesëshekullore e Shqipërisë
Pa dyshim se një ndër studimet më serioze, pas atij të tezës së doktoraturës, është studimi me titull “Skënderbeu dhe kontributi i popullit shqiptar në mbrojtje të Evropës”, ku përveç analizës së figurës së fatosit shqiptar, Skënderbeut, ai vë në pah edhe kontributin e popullit shqiptar në mbrojtje të Evropës. Në këtë studim, me premisa të fuqishme shkencore, ai jep informacione për tokën, popullsinë, gjuhën dhe letërsinë shqipe. Pastaj, flet për etnogjenezën ilire të shqiptarëve, ndërkaq në pjesën e tretë të këtij studimi i qaset periudhës, siç do ta quajë ai heroike atë të invadimit turk dhe të luftës së Skënderbeut në mbrojtje jo vetëm të tokave shqiptare, por edhe të vlerave të civilizimit evropian.
Ai flet po ashtu edhe për familjen Kastrioti, gjenezën e kësaj familjeje, për Shqipërinë nën udhëheqjen e Skënderbeut, për luftërat e Skënderbeut, aleancat, për martesën, për vdekjen dhe natyrisht edhe për personalitetin e Skënderbeut. Studimin e thellon dhe e pasuron edhe me të dhëna për kohën e pasvdekjes së Skënderbeut, pra për kohën e sundimit osman, për të përshkuar një periudhë pesëshekullore deri në kohën e pavarësisë së Shqipërisë. Shikuar në tërësi, studimi në fjalë, i shkruar nga një penë e rëndësishme, është një material i rëndësishëm për historinë e Shqipërisë dhe i pajisur me argumente shkencore.
Gjendja e arsimit shqip dhe i shtypja koloniale serbe e jugosllave ndaj shqiptarëve të Kosovës
Në shkrimin analitik “Zhvillimi arsimor dhe popullsia shqiptare në Jugosllavi”, i botuar te “Shejzat” e Koliqit, me të cilin kishte bashkëpunuar që në kohën kur Koliqi ishte ministër i Arsimit dhe në bashkëpunim me të kishin sjellë edhe 200 mësues në Kosovë. Në këtë shkrim të publikuar në nr. 1 të vitit 1974 të kësaj reviste, një vit para se të vdiste Koliqi, profesor Krasniqi, përveç që jep informacione të sakta për gjendjen e mjerë të arsimit të shqiptarëve që kishin mbetur padrejtësisht nën Jugosllavi, dalin në pah edhe akte të tjera të shtypjes koloniale të Serbisë dhe të Jugosllavisë ndaj shqiptarëve, të cilët “kishin mbetur në mëshirën e sunduesve të Beligradit, të burokracisë dhe të xhandarit gjysmanalfabet të tyre”.
Te “Një vështrim i shkurtër historik i robërimit komunist”, autori ka si qëllim kryesor të paraqitë në formë të përmbledhur një pasqyrë të qartë dhe objektive gjendjen e atëhershme të popujve të robëruar dhe të shtypur nga regjimet e instaluara komuniste të asaj kohe në shtetet e tyre, regjime të cilat nuk kishin ardhur në fuqi në asnjë vend në mbështetje të vullnetit të lirë të popujve. Partitë komuniste në vendet, si: Estonia, Lituania, Letonia, Polonia, Hungaria, Bullgaria, Çekosllovakia dhe Shqipëria, sipas Krasniqit “kishin imponuar sistemin e tyre me akte të drejtpërdrejta ose të tërthorta agresioni, duke përdorur forcën, terrorin dhe frikën, me komplote të shëmtuara kriminale”.
Shkrime me interes, të cilat edhe thellojnë informacionin në lidhje me personalitetin e Rexhep Krasniqit, janë pa dyshim ato të Idriz Lamajt, njërit prej miqve dhe njohësve më të mirë të jetës dhe të veprimtarisë së Krasniqit, pastaj shkrimet analitike dhe studimore të Nuridin Ahmetit, Shpend Avdiut dhe Hamdi Thaçit, të cilat ndonëse mbështeten fort në të dhënat që ofron Lamaj, megjithatë janë me interes, sepse sadopak mundohen të japin kontribut në ndriçimin e figurës së profesor Krasniqit, të pastudiuar e të pahulumtuar sa e si duhet, sado që një figurë me vlera të pakontestueshme intelektuale e kombëtare.
Shikuar në përgjithësi, përmes këtij libri, i pari i këtij lloji në Kosovë që shpërfaq kontributin e profesor Rexhep Krasniqit, qoftë përmes shkrimeve të tij, qoftë edhe përmes atyre shkrimeve të pakta për të, është një kontribut modest për të hapur rrugë në ndriçimin e kësaj figure të rëndësishme kombëtare, të etiketuar e të anashkaluar padrejtësisht për pesëdhjetë vjet të sundimit komunist, qoftë në Shqipëri, qoftë në Jugosllavi, pavarësisht se ai, bashkë me Xhafer Devën, një tjetër personalitet i diskutueshëm dhe po ashtu i etiketuar “ishin dy burra të shtetit etnik shqiptar që ndërkombëtarizuan çështjen e Kosovës pranë diplomacisë amerikane më mirë dhe me më kompetencë se askush tjetër, duke i shërbyer me nder e dinjitetshëm kauzës kombëtare dhe përpjekjeve për realizimin e Shqipërisë etnike. Ata vdiqën me bindje të plotë se një ditë jo të largët do të realizohet shteti i lirë etnik shqiptar”, do të thoshte Idriz Lamaj, ish-gazetar i njohur i Zërit të Amerikës dhe njëherësh mik i ngushtë i të dyve për një periudhë të gjatë kohore dhe që për profesor Krasniqin u kujdes deri në momentet e fundit të jetës, të cilin edhe e varrosi pranë varrezave të tij familjare në Nju Jork. Duhet përkujtuar opinionit se Idriz Lamajt, si profesor Krasniqi, ashtu edhe Xhafer Deva ia besuan dhe ia lanë tërë arkivat e tyre personalë që përmbajnë dokumente të shumta të jetës dhe veprimtarisë së këtyre dy figurave tashmë të njohura të historisë sonë dhe po u shikuan me kujdes, do të ofronin dëshmi të rëndësishme për historinë më të rë të popullit shqiptar.
[1]Për jetën dhe veprimtarinë e prof. dr. Rexhep Krasniqit u referohemi shënimeve të Idriz Lamajt, gazetar dhe publicist i njohur, i cili një kohë të gjatë punoi te Zëri i Amerikës, ndërsa Rexhep Krasniqit i qëndroi pranë me vite të tëra. Meqenëse, Rexhepi në Amerikë nuk kishte askënd tjetër të familjes (sepse nuk krijoi kurrë familje), Idriz Lamaj atë edhe e varrosi në varrezat familjare në Nju Jork, ndërsa tani posedon tërë arkivin personal të Rexhep Krasniqit.
[2]Idriz Lamaj, “Përpjekjet e Xhafer Devës dhe të Rexhep Krasniqit për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”,https://www.ballikombetar.info/.
[3]https://www.zeriamerikes.com– Dr. Rexhep Krasniqi “Kongresi i Berlinit dhe Verilindja e Shqipnisë”. Feb 26, 2010.