Fotografi ku tregohet realiteti i trishtë dhe i varfër, i sistemit komunist në Shqipëri/
NEW YORK : Një fotreportazh – që po qarkullon këto ditë në rrjetin social Youtube – Facebook dhe Twitter, janë marrë nga një fotoreporter francez me 40 vjet eksperiencë, i quajtur Michel Setboun( www.setboun.com ), të cilat paraqesin një pjesë të atij realiteti i trishtë dhe i varfër, maskuar me propogandën e egër të regjimit komunist në Shqipëri
Fotot i përkasin dekadës së fundit – ditëve të fundit të mjerimit, skamjes, frikës dhe diktaturës dhe hsresës së”vdekur” që duken në syt dhe fytyrat e shqiptarëve të mërzitur me propogandë dhe me “barkun bosh”
Këto fotografi mund të duken sikur janë marrë nga periudha e disa vendeve, komuniste pas Luftës së Dytë Botërore, por në fakt janë bërë vetëm një dekadë më parë në Shqipërinë e “lulëzuar” ‘Fanarin e komunizmit” që ua plasi sytë botës në atë kohë.
Siç shihet në fotografitë e fotografit francez Setboun ato janë bër në prag të rrëzimit të komunizmit në Shqipëri.
Video me fotografit është e ndarë në disa pjesë që tregojnë aspekte të ndryshme të jetës në ato vite, dhe mbyllen me eksodin tragjik që kaloi Shqipëria në vitin 1990.
Ndërsa, muzika që shoqëron slide shown është kryesisht me kaba përmetare.
Video mbyllet me një fotografi të viteve ’90 me popullin në gëzim dhe me shpresa për të ardhmen duke u larguar nga “Shqipëria e lulëzuar”.
Ajo tregon rrugët me pluhur, të boshatisuara, parrullat propogandistike, qendrën e Tiranës ku duket vetëm një automjet, karrocat që përodreshin si mjete transporti, biçikletat, punët në koooperativa, raftet bosh të dyqaneve dhe radhët e gjata të njerëzve që prisnin për të marrë ushqime, të cilat ishin të zakonshme në periudhën e fundit, në prag të rrëzimit të sistemit komunist që kishte falimentuar.
I konsideruar si shteti më i fuqishëm në propogandën komuniste – duke e propoganduar edhe në botë sikur Shqipëria të ishte e lulëzuar – duke i kaluar edhe Amerikës në ato vite, për nga mirëqenja sociale, realiteti ishte krejt tjetër brenda Shqipërisë, e zhytyr e tëra në skamje, mjerim dhe frikë nga sigurimi i shtetit dhe policia.
Pamje të tilla, të cilat kanë qenë shumë herë më të rënda dhe dëshpëruese, natyrisht që nuk mund t’i harrojmë, të gjithë ne shqiptarët që i perjetuam ato vite dhe tani ua tregojmë atyre që “nuk duan të na besojnë’./Beqir SINA/
PS:Fotografite shihi ne websit: www.setboun.com
Reuters: Shqipëria, vendi tërheqës i Mesdheut
Në vitin 1984, kur Shqipëria ishte një shtet i izoluar komunist dhe në të njëjtën gjendje të mykur si Koreja e sotme e Veriut, një “Mercedes” ku ndodhej një zyrtar gjerman vizitoi Shqipërinë dhe u nis drejt majës së Llogarasë, me pamje nga gjiri i bregdetit të thyer Jonian të Shqipërisë.
Duke dalë nga makina e tij, Franz Josef Strauss, atëherë drejtues i Bavarisë dhe një prej zyrtarëve perëndimorë të rrallë që shkelte brenda Shqipërisë së Enver Hoxhës, ishte i goditur befas nga ajo që pa. “Kalifornia e Virgjër,” – vërejti ai.
Tri dekada më vonë, Gjiri i Porto Palermos, kështjella dhe ujërat e saj të thellë blu janë një nga tërheqjet kryesore turistike të vendit, të botuar në gazeta dhe në listat e para të faqeve të internetit në Europë, për ta vizituar atë, pa hezitim. Pasi u vendosën anije ushtarake dhe nëndetëse, Porto Palermo ishte e mbyllur për publikun nën regjimin e Hoxhës. Ajo u hap nja dy vjet pas rënies së komunizmit në vitin 1991 dhe Shqipëria filloi udhëtimin e saj të kapitalizmit.
Në ditët e sotme, gjiri merr sharm edhe prej izolimit, i vendosur vetëm nën një rrugë me dy korsi gjatë bregdetit dhe i fton të huajt të mësojnë sesi ai ishte i ndaluar dikur. Gjermanë, çekë dhe turistë hungarezë dalin dhe bëjnë banjë edhe lakuriq.
“Askush nuk i shqetëson ata, për asgjë,”- tha një kujdestar i gjirit, Klearko Koçi. Zona është e pasur me histori, mite dhe legjenda, dhe shtrohet në pjesën e një vijë bregdetare që zhduket në lartësitë që rriten, por ende e paprekur nga ato të tjerat. Vetëm poshtë rrugës, një shkëmb i vogël arrin tek një ishull shkëmbor i rrumbullakët, në mes të dy kepeve të përqafuar nga ujërat blu në të dyja anët. Në ishull ulet në kështjellë dhe besohet nga disa të jetë ndërtuar nga sunduesi osmano-shqiptar Ali Pasha në fillim të shekullit të 19-të, rrethuar me pemë dhe shkurre të ngjyrave të gjalla, të kundërta me blunë e thellë. – “Pamje më e mirë është ballkoni ku nusja e re e Aliut e përdorte për të kreh flokët e saj,” – thotë Koçi.
“Detarë! Lundroni anijet brenda gjirit ku nuk ka erë. U ndërtua nga gratë e Himarës të jetë e butë me miqtë dhe e ashpër me armiqtë. Unë i përkas Zotit të detit dhe tokës, Ali Pasha,”- deklaronte në një pllakë, që dikur qëndronte në portën e saj.
Informuar nga legjenda lokale dhe këngët, Koçi thotë se Pasha ndërtoi kështjellën mbi rrënojat e manastirit të Shën Nikollës. Studiuesit e huaj, megjithatë, thonë se struktura ishte fillimisht një fortesë veneciane përdorur për të mbrojtur rrugët tregtare.
Luani i Shën Markut të vërtetë, paraqitur në një pllakë nuk gjendet më, sepse është vjedhur në vitin 1997, kur Shqipëria u zhyt në anarki me rënien e skemave piramidale dhe vendi u bë i njohur si një “Perëndim i Egër” i Ballkanit. Por tani është anëtar i NATO-s dhe një kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në anën e ishullit, shtrati i detit mbart shenjat e peshkimit me eksploziv ku mblidhen midhje. E ndërtuar prej guri, kalaja lejon dritë përmes dritareve të vogla. Pasi kalojnë derën kryesore, vizitorët gjejnë rrugën e tyre në krye të saj, ose në ballkon nëpërmjet arkadës nga një sallë kryesore. Drejtimi nga Italia janë një shenjë e okupimit të saj gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Turisti anglez Danny Foster, duke e vizituar me familjen e tij, kërkoi të shihte se kush luftoi dhe pse, në një vend të tillë të qetë. – “Është udhëtim mbrapa në kohë,” – tha ai. – “Kurrë nuk kam prekur pikëpamje të tilla të bukura. Shumë tërheqëse.”
Në 1803, Ali Pasha ia ofroi kështjellën dhe portin British Royal Navy. Një dijetar britanik ka shkruar se ajo kishte deri në pesë topa atë kohë. Në një rrip të ngushtë toke që lidh kështjellën, dallohen kazermat e ushtrisë ende mbajnë parulla me bojë të kuqe të periudhës komuniste – “Rroftë miqësia shqiptaro-kineze” dhe “Rroftë Partia Komuniste e Kinës dhe shokut Mao Ce Dun”,- lexohen ende në muret e këtyre ndërtesave.
Pemë lisi në majën e një mali duken prapa gjirit. Pemë agave janë importuar nga Kina dhe janë mbjellë me sa duket për të shkurajuar erën me fundet e tyre të trasha. Hoxha ishte tejet i shqetësuar për mundësinë e një pushtimi të huaj.
Për fat të keq, Porto Palermo ka ende për të fituar kujdesin që meriton që të nxjerrë në pah thesaret e saj përtej tregimeve të pasionuara të një kujdestari të magjepsur nga gurët e tij, pemët dhe lulet. Zamir Dedej, kreu i një Organizate jo Qeveritare shqiptare, punon me World Wildlife për të mbrojtur zonën, kështu që ofron një të ardhme të qëndrueshme në turizëm. Ata vërejnë se nevojitet një operacion i dytë i rritjes së peshkut në gji, si një gjë të neveritshme sepse sekrecionet e tyre të ndotin atë. Auron Tare, kreu i një agjencie të sapo krijuar bregdetare, tha se Kalaja dhe një tunel nëntokësor kilometra i gjatë, ndërtuar në kohën e komunizmit, do të sigurojë tërheqjet kryesore të turistëve. “Qeveria shqiptare ka plane për të tërhequr turistë të shumtë deri gjirin e Porto Palermos, veçanërisht ata që vijnë me anije, jahte, apo për kënaqësi, të cilët vinin më parë deri këtu rrotull, por nuk ndalet,” tha Tare për Reuters. Qeveria ka mobilizuar ushtrinë dhe vullnetarë për të pastruar mbeturinat nga rrugët dhe plazhet. Në një plazh jugor këtë javë, një grup turistësh britanikë pastruar plazhin, ashtu si vendasit, për të kthyer bregdetit edhe më tërheqës se herë të tjera. Në Porto Palermo, pushuesi holandez, Agnes Kuijl, tha se familja e saj kishte ardhur duke udhëtuar në shtëpinë e tyre përmes Greqisë dhe kishte gjetur në dy vendet një eksperiencë të madhe. Të huaj të shumtë kanë me automjete që përdoren edhe si shtëpi dhe kanë ngritur kampe në Porto Palermo. Pushuesit përshtaten mirë me moton e re që Shqipëria ka përdorur për të promovuar veten në botë: “Shqipëria është e lirë”,- thotë Kuijl, teksa kjo moto lexohet në rrugët e bregdetit shqiptar.
SHQIPERIA: KOPSHTI SHKEMBOR I EVROPES JUGLINDORE
Nga Naum Prifti/
Vepra e Konicës ku duket më qartë erudicioni dhe personaliteti i tij si njohës i thellë i botës shqiptare, është pa dyshim “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore.”
E shkruar midis viteve 1936-1939, me kërkesën e botuesit Robert MacBridge, për të mbushur sadopak boshllëkun e ndjeshëm në literaturën angleze për këtë vend të panjohur të Evropës, ajo duhet të ishte një histori me karakter popullarizues. Në atë kohë Konica kishte arritur moshën 60-vjeçare dhe fakti se u mendua plot 11 ditë për t’iu ppërgjegjur pozitivisht kërkesës, tregon qartë se ishte i vetëdijshëm për mundin dhe rropatjet që kërkonte një vepër e tillë. Nëse e pranoi këtë barrë, nuk e shtyri as honorari, as lavdia, po vetëm dashuria për t’i shërbyer atdheut.
Nuk mund të thuhet se kjo është vepër historike e mirëfilltë, që nga Ilirët te Mbretëria e Zogut, madje as divulgative, për arsye se autori lë menjanë parimin bazë të historiografisë, kronologjinë. E shkrojtur në formë esesh, me qëllim që të ishte sa më tërheqëse, autori e fokuson vështrimin në një qerthull temash që synojnë të nxjerrin në pah identitetin në çdo fushë, që nga veshjet, gjuha, muzika, deri te vetitë morale dhe karakteri shqiptar, duke i lënë ngjarjet historike vetëm në sfond.
Vepra është një polemikë e hapur, dinjitoze, lojale, e argumentuar me fakte për të hedhur poshtë shpifjet e përhapura me zell shovinist nga “akademikë” dhe nga pseudodijetarë serbë e grekë, të cilët me një fushatë të organizuar qëllimisht prej më se një shekulli, ishin përpjekur ta demonizonin popullin shqiptar duke e paraqitur në sytë e Evropës si një tribu të egër nomade, pa histori, pa kulturë, pa asnjë veti qytetërimi.
Çdo lexues befasohet nga sasia e madhe e informacionit dhe e referencave që gjen në faqet e këtij libri me përmasa modeste. Nëse dikush do të ishte kureshtar të mësonte ç’kanë thënë të huajt për Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë njëzet shekujve, asgjëkundi nuk mund t’i gjejë në mënyrë më të përmbledhur e më koncize se sa aty dhe do t’i shtohej respekti akoma më tepër për autorin, sapo të mësonte se shumë prej tyre i ka zbuluar ai vetë si hulumtues i palodhur.
Konica ka neveri ndaj pasioneve nacionaliste, prandaj u lutet lexuesve ta falin dhe ta justifikojnë, poqese u krijohet një mbresë e tillë, e cila e ka burimin jo te pikëpamjet e tij, por nga që historia e Shqipërisë është trajtuar duke u mbështetur në dëshmitë subjektive të armiqve të saj. Kjo ndrojtje e shtyn Konicën të kërkojë ndihmën e referencave autoritative të personalitetevve të huaja, qofshin albanologë, historianë, dijetarë e udhëtarë, sepse kësisoj ruante më mirë këndvështrimin e një studiuesi serioz. Për Konicën, nacionalizmi dhe dashuria për atdheun ishin dy nocione krejt të kundërta. Dashuria për kombin, për traditat e vyera duket në çdo faqe.
Bukuria fizike e Shqipërisë me male në formë amfiteatri e me shkrepa ku ndërton folenë shqiponja, me lumenjtë që zbresin drejt detit me një oshëtimë të veçantë, sa atij i duken si persona të gjallë, e entusiazmon Konicën poet. Në shmë faqe hhasim një apoteozë të natyrës shqiptare në prozë, e cila nga bukuria artistike rivalizon me poemën e Naim Frashërit “Bagëti e Bujqësi”.
Natyrën dhe klimën, sidomos përbërjen malore ai i sheh në një korelacion të pandashëm me jetën, traditat, qëndresën, etikën dhe virtytet e shqiptarit. Ai thekson se malet kanë qenë mbrojtja më e mirë, fortesat natyrale kundër pushtimeve të huaja dhe asimilimit, ashtu sikurse kanë ndikuar edhe për një veçim konservator në organizimin shoqëror.
Madhështia e Konicës duket në trajtimin e pavarur të shumë subjekteve që analizon, duke mbajtur kurdoherë qëndrim realist dhe objektiv. Ai është aq i drejtë si shkencëtar dhe aq i ndershëm si qytetar, sa të mos mbyllë sytë as përpara veseve a të metave të bashkatdhetarëve të vet, shpesh duke gjetur edhe shkaqet burimore të këtyre dobësive, me qëllim që t’i bëjë më të ndërgjegjshëm e më të vetëdijshëm për kërkesat që shtronte koha.
Ndërmjet eseve të “Kopshtit Skëmbor”, Konica na ka mundësuar të shohim pikëpamjet e tij më thelbësore në fushën filozofike, historike, politike e gjuhësore.
Konica është përkrahës i zjarrtë i prejardhjes ilire të popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe me një rrjedhë vijimore historike, të turbulluar kohë mbas kohe nga pushtimet e huaja. Studimet e këtij gjysmë shëkulli në disiplina të ndryshme shkencore, arkeologji, toponomi, etimologji, brenda kufijve administrativë dhe ndër trevat etnike kanë ndihmuar që kjo tezë të fitojë gjithmonë e më shumë tërren shkencor. Konica i kundërvihet me ironi tezës sllave të mohimit të trojeve ilire të Kosovës dhe trevave të tjera. Ai shprehet: “Që shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve dhe flasin gjuhën e tyre, është pohuar shumë herë. Megjithatë për arsye thjesht politike dhe jo historike, ndonjëherë kjo e vërtetë është mohuar. Këtu nuk është fjala për vendbanimin e ilirëve. Megjithëse edhe kjo çështje është vënë në dyshim ndonjëherë, prapseprapë asnjë “shkencëtar” nuk ka shkuar aq larg sa të shpikë një teori për ndonjë kkataklizëm gjeologjik, që të ketë në det Ilirinë e vjetër dhe të ketë nxjerrë në dritë një tokë të re në vend të saj.” Konica hedh poshtë me argumentin shkencor spekulimet sllave rreth së ashtuquajturës “e drejtë historike” duke zbuluar rrënjët shkencore të shovinizmit sllavo-serb. Ai shprehet: “Fakti që shkencëtarët ishin të mendimit që shqiptarët si pasardhës të ilirëve kanë pasur dikur pjesën më të madhe të Evropës Juglindore, ishte diçka e padurueshme, si kripa në sy, për sllavët. Nëse shqiptarët kishin zënë dikur dhe kishin ende në zotërim toka të banuara sot prej sllavëve, do të thoshte se ata kishin të drejta zotërimi jo vetëm tokat e banuara vetëm nga shqiptarë, por edhe mbi ato toka ku popullsia shqiptare ishte e përzier me sllavët. Prandaj ishte me rëndësi të dorës së parë për sllavët e jugut që të ngjallnin dyshime për mendimin e shkencëtarëve se shqiptarët jannë pasardhësit e ilirëve dhe përpiqeshin ta rrëzonin krejt këtë mendim.” Botëkuptimin agresiv serb, Konica e stigmatizon shkurt e qartë: “Mënyra e të menduarit dhe metodat e veprimit të sllavëve janë një enigmë për popujt e tjerë…Po t’i hapësh derën e shtëpisë një serbi, të nesërmen s’e ka për gjë të të kërkojë gjysmën e saj si një e drejtë që i takon, kurse një ditë më vonë do të përpiqet t’u flakë përjashta dritares si një të huaj.”
Fakti që Konicën nuk mundi ta merrte përpara rryma raciste e supremacisë së racës ariane, e përhapur gjerësisht në vitet 30 nga ideologjia naziste, tregon pjekurinë dhe pavarësinë e tij intelektuale. Ai e kundron me dyshim këtë teori, ndërsa përkrah tezën racionale të dijetarëve seriozë, se në Evropë asnjë shtet nuk mund të pretendojë për pastërti të kulluar raciale, prandaj në vend të fjalës racë sugjeron termin “grup etnik”. Ai ishte i mendimit se shqiptarët formojnë një popullsi kompakte homogjene, që flet të njëjtën gjuhë nga njëri skaj i vendit te tjetri. Konica bën përpjekje t’i kategorizojë shqiptarët në dy tipa, në ezmerin e shkurtër me sy dhe flokë të errët dhe në tipin biond, i gjatë, me sy të çelët dhe flokë gështenjë, por ai me intuitën e dijetarit e ndjen dobësinë e tij në këtë fushë, prandaj pohon me sinqeritet: “ky përshkrim i shkurtër është i një vëzhguesi të kujdesshëm”, pra jo i një antropologu. Duke theksuar nevojën për një studim të gjithanshëm nga një specialist, ai përkrah tezën e antropologut gjerman Dr. Paul Treager se shqiptarët në tërësi janë një grup racial homogjen.
Konica pohon ekzistencën e disa minoriteteve në Shqipëri, duke sjellë të dhëna historike për origjinën e tyre, sado që i çek përkitazi. Për minoritetin grek të Dropullit, Konica thotë tekstualisht: “Ata nuk janë shqiptarë të greqizuar, siç mund të mendojë dikush, por janë grekë të ardhur nga Greqia në vitet e fundit të shekullit XVIII. U sollën aty si krahë pune nga shqiptarët që kishin prona si në Shqipëri të Jugut, ashtu edhe në Veri të Shqipërisë”, ndërsa tezën greke të Vorioepirit e quan një stisje të përçudnueshme të shovinizmit grek. Për minoritetin sllav, ai pohon se përbëhet nga jo më shumë se 2000 vetë, të ardhur nga Mali i Zi, si refugjatë politikë aty nga mesi i shek. XIX. Citojmë një paragraf: “megjithëse ardhja e tyre mbahet mend mirë nga pleqtë që ishin gjallë deri në fillim të shekullit tonë, serbët dhe malazeztë e përdorin pa pikë turpi praninë e tyre në Shkodër, si një pretekst para Fuqive të Mëdha që këto t’u japin jo vetëm qytetin e Shkodrës, por edhe gjithë krahinën që përfshihet nën këtë emër”. Pëe vllehët e Pindit, ku përfshihen edhe kucovlehët e Shqipërisë, rreth 20.000 vetë, por nga konteksti i librit nuk del e qartë, nëse kjo shifër përfshin vetëm vllehët nomadë, që jetonin vetëm me blegtori, apo edhe popullatën që ishte kthyer prej kohësh sedentare, sidomos në zonën e Korçës, të Pogradecit, Gramshit, Kavajës, Durrësit, Lushnjës dhe Fierit. Shumica e familjeve sedentare e humbën si gjuhën ashtu edhe zakonet, duke u shkrirë me popullsinë shqiptare sidomos nëpër qytete. Konica përmend edhe ciganët e Shqipërisë, duke sjellë të dhëna interesante, çka tregon se ai i kishte lexuar studimet e botuara për ta nga albanologët anglezë S. Mann dhe M. Hasluck.
Konica është studiuesi i parë që shpreh mendimin se shkrimet shqipe fillojnë së paku dy shekuj para Buzukut. Ai e argumenton këtë pohim me faktin se pa një traditë të gjatë, letërsia shqipe e mëvonshme nuk mund të ishte aq e konsoliduar. Ai përkrah mendimin e Shuflait se Shqipëria në kohën e mesjetës ishte më tepër një zgjatje kulturore dhe tregtare e Italisë, se sa një krahinë nën ndikimin e Bizantit, prandaj në kohën kur në Itali fillon shkrimi i italishtës popullore, në vend të latinishtës, kjo s’kishte si të mos gjente jehonë edhe në Shqipëri. Silogjizmi i Konicës duket bindës.
Pushtimin turk ai e sheh jo vetëm si ndërprerje të lidhjeve natyrore me Evropën dhe me kulturën e saj, por sipas tij e keqja më e madhe ngjau kur familjet fisnike, nga frika e reprezaljeve ose e kompromentimit i zhdukën të gjitha dorëshkrimet e çmuara që mbanin, të cilat do të ishin burime për kulturën dhe historinë.
Në vlerësimin e letërsisë artistike shqiptare, Konica tregohet më i gjerë e më tolerant se Noli, po jo më pak esksigjent, për shkak të etosit të tij artistik, prandaj nuk duhet të habitemi pse disa autorë të dëgjuar të Rilindjes nuk përmenden. Për Konicën, vendin e nderit, shkrimtar i parë i letërsisë së re, e zë Noli, kurse për kontributin e tij në lëvizjen letrare shprehet me modesti se nuk mund të thotë asgjë.
Konica ndofta ka dhënë shpjegimin më bindës dhe më të arsyeshëm për islamizimin e shqiptarëve. Konvertimi nis së pari me familjet feudale dhe aristokrate për t’u pasuar nga masat popullore, ne shek. e XVIII. “Ky kthim në masë, shprehet Konica, mund të shpjegohet me faktin se shqiptarët ishin identiteti më i vogël racial në mes popujsh armiq, sllavët nga njëra anë dhe grekët nga ana tjetër”. Ai e sheh konvertimin si një përpjekje për vetëruajtje dhe si rrugëzgjidhje për t’i shpëtuar trysnisë së dyfishtë, shtypjes politike turke dhe asaj fetare, kryesisht ortodokse sllavo-greke. Duke përqafuar fenë islame shqiptarët mbeteshin zotër në tokat e tyre dhe njëkohësisht fitonin një status më të favorshëm brenda Perandorisë.
Konica vëren se pjesa veriore, ndryshe Malësia, përmbledh vetëm një të dhjetën e popullsisë, prandaj Shqipëria nuk mund të gjykohet vetëm nga dukuritë e kësaj zone. Kjo vërejtje u drejtohej studiuesve të huaj, të cilët arrinin në përgjithësime të gabuara ose jo të sakta, kryesisht në sferën e strukturës shoqërore, duke njohur vetëm një zonë të veçantë.
Edhe pse pinjoll i një familjeje bejlerësh, Konica është i çliruar nga çdo lloj mburrjeje e kryelartësie, prandaj e gjykon dhe e vlerëson klasën e tij me sytë e një intelektuali perëndimor. Në shekujt e parë të pushtimit, vëren ai, shpesh bejlerët shërbyen si rrufepritës kundrejt furisë osmane, kurse në kohët e vona i humbën lidhjet me popullin, humbën burrërinë dhe pavarësinë, u bënë mjeshtër të intrigave dhe të dallavereve, duke shpërdoruar përfundimisht besimin. Zilitë e tmerrshme mes bejlerëve, të cilat inkurajoheshin edhe nga Sulltani, vëren ai, kanë penguar për shumë kohë unitetin kombëtar. Një farë gjallërimi patriotok ata e patën kur Turqia po merrte të tatëpjetën, por ai i quan të paaftë të kryenin drejtimin e shtetit të ri shqiptar. Lufta e tyre kryesore u karakterizua nga përpjekjet për të zënë poste zyrtare menjëherë ppas shpalljes së pavarësisë. Konica nuk mund t’ua falte bejlerëve mungesën e theksuar të horizontit kulturor, të cilën e kishte venë re nga afër në takimet dhe bisedat e zhvilluara.
Askush nuk ka spikatur më mirë se Konica karakteristikat e shqiptarit në të dy kahjet. Ndër vlerat pozitive, ai rendit: trimërinë, guximin, qendresën, energjinë, mikpritjen, dinjitetin, besën, dashurinë për vendin, e cila shtyn në plan të dytë dallimin mes besimeve fetare. “Flamuri etik i shqiptarit është besa e tij:, deklaron në mënyrë lapidare autori. Ndër anët negative ai vë në pah: kryelartësinë boshe, gjaknxetësinë, individualizmin, etjen për para dhe për t’u dukur, vetëbesimin e tepëruar, mungesën e frymës kolektive dhe të idealeve, duke theksuar se në një vend ku njeriu vdes për hiçmosgjë në grindje të kota, nuk ka shembuj të sakrificave për ideale të larta.
Analiza e tij sociologjike për ndryshimet midis shqiptarëve dhe popujve të tjerë të gadishullit janë sinjifikative. Përklundrejt apatisë turke, ai vë dinamizmin e shqiptarit, kundrejt dinakërisë sllave vendos humanizmin shqiptar. Në mënyrë gjeniale Konica ka vërejtur ndryshimin thelbësor midis botëkuptimit grek dhe shqiptar. “Shqiptarët dallojnë nga grekët, sepse lidhjet e kombësisë i ndjejnë më tepër se lidhjet e fesë. Për grekët mendjelehtë ‘feja ortodokse’ dhe ‘kombësia greke’ kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë dy terma që nuk dallohen nga njëra-tjetra”.
Këtë ngatërrim po e ndjejmë dhe sot e kësaj dite. Ortodoksët shqiptarë kanë më se një shekull që po u thonë grekëve se janë shqiptarë dhe se feja s’ka pse njësohet me kombësinë, por ata nuk duan të dëgjojnë nga ai vesh dhe nuk shqitën nga paragjykimet e vjetra, çka duket shkoqur në statistikat e stërsmadhuara të minoritetit grek në Shqipëri, ku futin edhe otodoksët shqiptarë. Po vallë a ka mundësi që ne të jemi minoritet në atdheun tonë?
Arsyen e pushtimeve të shumta nga të huajt Konica e gjen te mungesa e një qendrese të kombinuar dhe te koncepti se ideja e shtetit për shqiptarin nuk kalonte përtej caqeve të krahinës, ose përtej maleve ku banonte.
Së fundi dy fjalë për marrëdhëniet e Konicës me Zogun. Konica e respektonte sovranin si kryetar shteti, po ndërkohë kjo nuk e pengon të ketë vërejtje për politikën e tij, mënyrën si e qeveris vendin dhe për karaktrin. Kontradiktat e kanë burimin tek pikëpamjet e Konicës për modelin e sovranit. Si intelektual i rritur dhe i edukuar në Perëndim, ai do të dëshironte që Zogu t’i përqasej shembëlltyrës së monarkut të demokracive perëndimore. Zogu që e njihte vendin e tij shumë më mirë se Konica kishte plot arsye të vepronte ashtu si veproi. Gjithsesi ata bashkëpunuan gjatë për të mirën e kombit.
Konica meriton respektin tonë dhe të pasardhësve si njeri që i vuri jetën dhe dijenitë e tij në shërbim të atdheut. Me hulumtimet e tij dhe kulturën enciklopedike ai e pasuroi etnografinë dhe kulturën kombëtare duke i kthyer çka i përkiste historikisht, fustanellën dhe xhubletën, këngët polifonike dhe vallen pirrike dhe mbi të gjitha i jemi mirënjohës për simbolin e parë të kombit tonë, për Flamurin e Skenderbeut.(DIELLI-ARKIV)
Musa Vyshka
ODE PËR KONICËN
Kakorës kryeneç i trimërisë,
Përballë malesh fshehe plagën tënde
E ligjërove nëpër dhjetra vende
Që mos ia shuanin diellin Shqipërisë.
Kalorës fjalëplumb i burrërisë,
I bie pash më pash pa gjumë ferrit
E sulesh të ndalosh valën e vrerit
Mos ia helmojë gjakun Shqipërisë.
Kalorës kryeneç i trimërisë.(Dielli-Arkiv)
PDIU: GREQIA ARROGANTE; TE MOS NDERHYJE NE PUNET E BRENDSHME TE SHTETIT SHQIPTAR!
Deklarata e Ministrisë së Jashtme të Greqisë per ndarjen territoriale te Republikes se ishte një ndërhyrje e papranueshme në çështjet e brendshme të Shqipërisë me një arrogancë që nuk tremb më askënd. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet përshëndet përgjigjen dinjitoze të ministrit tonë të Jashtëm, z.
Ditmir Bushati. Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për t’u anëtarësuar në BE, ndaj shteti grek nuk mund të kërcënojë më Shqipërinë, sikurse ka bërë dy dekadat e fundit.
Presioni që vijohet nëpërmjet thirrjes në Athinë të Vangjel Dules nuk duhet të tolerohet. Z. Dule iu rezervua posti i nënkryetarit të Kuvendit, si një mundësi që të rriste peshën e përfaqësimit të
minoritetit grek në Shqipëri. Përkundër këtij shansi, ai tregon edhe një herë se tenton të luaj rolin e Kalit të Trojës në Tiranë, duke keqpërfaqësuar edhe atë pjesë të vogël të minoritetit që e voton.
Deri më tani, për shkak të madhështisë së kombit shqiptar, ne kemi pranuar krijimin e tri bashki artificiale me shumicë shtetas shqiptar të pakicave etnike. Greqia, jo vetëm që nuk njeh minoritetet, por në zonat minoritare ka krijuar mbiprefektura sui generis vetëm dhe vetëm për të pamundësuar zgjedhjen e minoritarëve në krye të njësive vendore. Këtë shembull negativ ne e refuzojmë.
SHQIPERIA,VEND I DENJE PER ANETARSIM NE BASHKIMIN EUROPIAN
Nga Sami Repishti*/
Ridgefield,CT.SHBA.- Sot, 24 qershor 2014, agjensite nderkombetare te lajmeve njoftojne se Ekzekutivi (Keshilli i Ministrave te Jashtem) i 28 vendeve anetare te Bashkimit Europian, vendosi unanimisht te jape per Shqiperine statusin e kandidatit per anetarsim ne Bashkimin Europian. Urime Shqiperi, urime!
Mbas pranimit ne NATO, qe siguron pavaresine dhe integritetin tokesor te atdheut tone, statusi i kandidatit sot, dhe ma vone anetarsimi i plote ne Bashkimin Europian, shenon hymjen e Shqiperise ne nji bote ku mbretnon paqa, shteti ligjor, demokracia, dhe ne nji perqindje te nalte edhe prosperiteti ekonomik e zhvillimi qytet nues i shoqenise shqiptare. Sukses i madh! Pergjegjsi akoma ma e madhe!
Bashkimi Europian (BE) ashte nji krijese politike e imponueme nga nevoja ekzistenciale: me pengue lufta te reja shkaterrimtare ne mes te shteteve fqinj.
Ideja e nji Europe te Bashkueme nuk ashte e re. Por ne vitin 1945, ajo u imponue si nji domosdoshmeni, “hic et nunc”, para se ciles mediokriteti arkaik heshti. Tue kalue neper nji proces te gjate por te kujdesshem, ne vitin 1951 u krijue CECA (konsorciumi franko-gjerman per qymyrin dhe çelikun) qe zgjidhi problemin qendror te landeve te para per nevoje lufte. Francezi Robert Schumann, fitimtar,i bani thirrje per bashkepunim gjermanit Konrad Adenauer, i mundun. Ishte ky nji hap qe nxori Gjermanine nga psikoza e disfates ushtarake, dhe e inkuadroi ate ne gjiun e Europes se lire. CECA ishte nji sukses i madh politik e ekonomik qe lidhi dy ish anmiqt e medhej europiane ne ndertimin e nji paqeje te qendrueshme ne Kontinent.
Rruga e gjate per formimin e BE-se kaloi me sukses faza te randesishme bashkepunimi dhe perparimi ekonomik e social qe forcuen themelet e demokracise ne Europen perendimore dhe, si rrjedhim, ushtruen nji influence vendimtare ne levizjet per liri qe u zhvilluen ne “Europen e grabitun” (M.Kundera) te perandorise sovjetike. Ne Berlin, ne Vroclav, ne Hungari, ne Prage, dhe ne Gdansk te Polonise, me levizjen Solidarnost, (1980) filluen te tronditen themelet e sovjeteve. Me 4 nandor 1989, rrezohet Muri i Berlinit, Gjermania ribashkohet (tetor 1990), dhe fillon ekzodi i pakontrollueshem i refugjateve anti-komuniste. “Europa e grabitun” kthehet ne gjiun e “Europes se Lire”!
Me vrasjen e Çausheskut, Rumani, edhe Shqiperia lekundet nga levizja heroike e studenteve tone (dhetor 1990) dhe pak muej ma vone diktatura komuniste 45 vjeçare rrezohet si nji keshtjelle prej karte nen peshen e deshtimit te mbrendshem politik, ekonomik e shoqenor. Gjate kesaj periudhe, asnji zhvillim europian nuk u “kuptue” nga komunistet shqiptare, kufoma te ngurrezueme qe nga viti 1945, tashma mase subjektesh robotike me mentalitetin e bindjes pa kondita ndaj PPSHse
Sot, Europa ashte e lire, e plote, demokratike, pa kufij-pengese dhe perballon te ardhmen me konfidence. Ligjet edhe rregulloret e ketij organizimi madheshtor jane te kodifikueme ne “acquis communautaire’-in voluminoz (me afer 85.000 faqe qe kerkojne te pakten dy vjet per nji lexim te kujdesshem…!)
***
“Europa” ka marre nji kuptim konkret ne Mesjeten e hereshme. Mbas dyndjeve barbare qe shkaterruen Perandorine Romake (476 AD),u ngrit ne Europe nji force e re, dinamike, me nji te ardhme premtuese: Krishtenimi. E prirun kah paqa dhe me predikim per dashuni per njeni tjetrin, besimi i ri rindertoi “shoqenine” europiane dhe “familjen” europiane. Tue denue dhunen e tue predikue faljen e fajit, krishtenimi zbuti atmosferen luftarake te fiseve barbare dhe krijoi premisat per nji shoqeni “te qytetnueme” Ai permbante ne vetevete cilesite e nji qytenimi qe u njoh si “christianitas”.
Manifestimi i plote i ketij qytetnimi u arrit ne vitin 800 A.D. me kunorezimin e Karlit te Madh (Charlemagne) ne Aachen, si Perandor i Perandorise se Shenjte Romake E ndertueme mbi baza morale, shenjtenimi i jetes se njeriut, denimi i dhunes dhe i poligamise, dhe mohimi i divorcit , Kisha Katolike Romane hodhi bazat e qendrueshme te shoqenise dhe te familjes europiane, berthame e qytetnimit te sotem perendimor.
Ky zhvillim ne drejtimin e duhun, me te gjitha peripecite, siguroi perparimin e Europes. Aty lindi dhe u zhvillue renaissance-a, humanizmi, iluminizmi francez, idete sociale …. . Ideja se “njeriu i lire” ashte vlera ma e madhe dominoi mendimin europian, dhe me te gjithe nacionalizmet, internacionalizmet dhe levizjet shkaterrimtare qe vorrosen “Europen e vjeter”, ne vitin 1945 . filloi ndermarrja historike e BE-se, e deshirueme nga te gjithe, dhe e perfundueme me Traktatin e Lisbones 13 dhetor 2007 (ratifikue 1 dhetor 2009).
Europa e sotme ashte nji Europe e lire, paqesore, demokratike dhe pa kufij pengese, nji Europe e vendosun me mbrojte e zhvillue ma tej te drejtat dhe lirite individuale te njeriut. Ajo qe mbetet akoma, ashte pranimi nga kombet e ndryshme me abdikue disa te drejta te sovranitetit kombetar ne favor te nji Europe politike ma te plote, super-nacionale, e formueme vullnetarisht me te drejta te barabarta. “Problemet qe Europa ka perballue ne keto pese vitet e fundit,- shkruente gazeta The New York Times me 22 maj 2014,- tregojne se nevoja per nji bashkim europian ashte sot edhe ma e madhe se asnjihere ma pare”.
Gjate te gjithe ketij itinerari europian me ngjarje te rendit te pare, Shqiperia jetoi e shkeputun me dhune nga forca te jashteme anmiqsore. Ne Mesjete, kryesisht nga invazioni ushtarak otoman qe shkaterroi vendin tone si ndeshkim per rezistencen shqiptare, dhe pengoi afrimin tone me Europe, deshira e madhe per kulture e perparim u ba e pamundeshme. Si rezultat, per afer pese shekujsh te gjate Turqia mbajti vendin tone si koloni ushtarake me rrjedhime negative per zhvillim, me shkeputje nga bota perendimore, dhe me reduktimin e Shqiperise ne nji krahine te humbun te Perandorise otomane, efektet e se ciles ndiehen akoma ne shoqenine tone sot te disorientueme.
Perseri, ne vitin 1945, nji kombinacion faktoresh negative, te mbrendshem dhe te jashtem, transformuen nji te ardhme premtuese ne nji katastrofe qe rrezikoi vete ekzistencen e vendit si pjese e shoqenise europiane. Komunizmi qe u vendos me dhune te skajshme ne Shqiperi, jo vetem qe trathetoi gjakun e deshmoreve te rame per lirine e atdheut, traditen tone kombetare per liri, por vrau pa meshire çdo perpjekje te mendjeve fisnike me qene pjese e Europes se qytetnueme. Vlerat kombetare te beses, mikpritjes, burrenise, nderit personal, dhe te pavaresise se individit ne shoqeni u zevendsuen nga nji sistem shtypes kriminal, i lindun nga genjeshtra, dhe i ushqyem me urrejtje, tratheti, spiunim, e dhune te skajshme…!
Ky zhvillim i mbrapshte ndoshta spjegon mungesen e nji “pranevere shqiptare” gjate 45 viteve te shtypjes komuniste, si dhe gjate zgjuemjes nga gjumi diktatorial. Kjo mungese tregon ekzistencen e te metave strukturale ne shoqenine tone civile. Ajo ma kryesorja ashte, per mendimin tim, humbja e frymes se bashkesise ne shoqeni, “empatia”, ne mes te qytetareve; si rrjedhim, ndjenja dhe bindja se grindjet dhe perballimet absurde qe torturuen Shqiperine qe nga dita e Pavaresise kombetare e deri sot … jane nji rruge-dalje! Ky trajtim “partisan” i problemeve publike, nuk perfaqson interesat legjitime te mbar popullit shqiptar.
Mashtrimi ne politike, nuk ashte politike; ai ashte mashtrim i thjeshte dhe ka rrjedhime. Poshtenimi i kundershtarit politik nuk ashte fitore; ashte shkaterrimi i gjysmes se kombit qe guxon me mendue ndryshej. Dhe kambengulja fanatike per mbajtje, ose rikthim, me çdo kusht ne pushtet ashte nji formule e destinueme me deshtue sepse ashte e gabueme ne teori dhe nuk ka te ardhme ne praktike. “Pushteti” ne politike ashte mjet, jo qellim si ne diktaturen e proletariatit. Qellimi i pushtetit ashte administrimi i vendit qe synon perparimin e sigurise se pergjitheshme , pa dallim, pa perjashtim, ashte ngritja e nivelit ekonomik e kulturor te popullsise, ashte forcimi i kohezionit social te shoqenise shqiptare, sot te fragmentueme.
Sepse, ne qofte se vuejtja e shqiptarit ne Kelmend nuk prek zemren e shqiptarit ne Konispol, koncepti i nji “kombi shqiptar” ashte thjesht nji iluzion, nji koncept abstrakt!
***
Agresioni rus ne Krime dhe Ukraine, dhe kercenimet kineze kundrejt fqinjve te vet jane shenja frikesuese se ideologjia komuniste nuk pranon disfaten e plote. Bota e Lire po ndergjegjsohet dhe shikon me shqetesim, e vendosmeni njikohesisht, kete zhvillim kercenues. Europa e Bashkueme ashte pjese thelbesore e Botes se Lire, bota ku shqiptaret aspirojne te anetarsohen. Jemi ne nji periudhe zhvillimi te multi-lateralizmit, para nji kerkese frantike per zgjidhje te perbashketa te problemeve te perbashketa. Bota e sigurise dhe stabilitetit qe u ndertue ne San Francisco me 1945, bota e OKB-se, kerkon nga çdo qeveri “reparimet” e nevojshme per evitimin e jo-stabilitetit dhe konfliktit shkaterrues. Koncepti i “qeverisjes” ne boten tone sot ashte nji sfide per çdo vend, pavaresisht nga madhesia, popullsia, niveli i zhvillimit e raportet me boten e jashteme.
Fashizmi u mund ne lufte; komunizmi deshtoi si sistem ekonomik e social i padrejte, “…nji çizme shtypse ne fetyren e njeriut,….e perhere!” (G.Orwell) Mbas katastrofes mbeti rishikimi i orientimit te ri: liberalizmi tradicional dhe adaptimi i tij kerkesave te demokracise. Gideon Rose e permbledh konsensin per kete orientim:” …pranimi i “shtetit” si asistence sociale, prirja per nji decentralizim te pushtetit, nji system i ekonomise se perzieme, dhe pluralizem politik”. Ky “orientim” kerkon nji bashkejetese te kapitalizmit me nji demokraci te mirefillte per masat e gjana popullore, nji situate ku klasat qe vuejne pse nuk kane za, ose perjashtohen nga procesi ekonomik prodhues, duhet te jene pjese perbase e sistemit. Sot, theksohet “pabarazia ekonomike” ne nji shoqeni ku “drejtori” paguhet 500 here ma shume se “punetori i thjeshte”, nji fenomen negativ qe jo vetem pakeson prodhimin ekonomik, por bren bazen e mbeshtetjes se qeverise nga “qytetaret” e vet qe perjetojne padrejtesine, e nuk gezojne pjesen qe u takon ne te miren e pergjithshme.
Na duhet nji “shtet providues” (etat proviseur) me nji system asistence sociale per te harruemit e shoqenise. Ky qendrim ashte thelbesor, sidomos ne ditet tona kur çdo forme e “socializmit” ashte demaskue nga eksperienca. Kete pergjegjsi, ne Europe, e mori persiper me sukses “demokracia kristiane” dhe institucionet shtetnore per perkujdesje.( Schumann-Adenauer-De Gasperi)
Ne nji periudhe pothuejse çmendurie mbas kapitalit, pavaresisht si grumullohet, tragjedia e jone moderne konsiston ne pa-aftesine tone me kuptue se ky orientim hedonist nuk sjelle lumtuni; ai permban ne vetevete tjetersimin e plote te individit nga bota ku jeton, perfundim kryesor i nji çmendurie kolektive.
Kemi nevoje per nji “bashkepunim vullnetar” nji prirje qe zhvillohet si refuzim i qendrimeve mbizotenuese, tanima te diskreditueme: vazhdimesi perballimesh, nenshtrim pa kondita, rivalizim te perhereshem; nji prirje qe synon bashkepunim te balancuem me kujdes.
Na shqiptaret kemi nevoje urgjente per nji rikthim sa ma te shpejte te lirise dhe dinjitetit te te gjithe qytetareve qe akoma frikesohen nga “dora” qeveritare dhe nga “grushti” i hijeve te zeza partiake qe kane zane per fyti vendin tone. Shqiperia duhet te shpetoje veten nga “vetja” e saj, para se te kerkoje ndihmen dhe bashkepunimin ne Europe, e te mos lejoje te cilesohet “shtet i falimentuem”,( pershtypje qe fitohet nga sjellja e deputeteve “partiake” ne Kuvend ), te mos cilesohet si nji vend qe damton ma shume nga qenia jashte BE se mbrenda saj. Ata qe mendojne se nen kontrollin e BE vendi i jone do te “riformohet” si nji shtet ligjor, ndoshta kane te drejte; por kjo zgjidhje jo-fatlume damton rande dinjitetin tone kombetar, dhe per shume kohe! Shqiperia nuk e meriton kete perçmim!
Shqiptaret kane nevoje per nji autoritet legjitim, nji shtet ligjor, nji administrate funksionale, me rregulla, dhe per kete qellim duhet te punojne te gjithe, tue ndertue institucione demokratike qe sherbejne si ndermjetese ne mes te “shtetit” dhe “qytetarit”. Ma konkretisht, perfaqsues i BE-se ne Shqiperi, Z. Clive Rudebold deklaroi ne Tirane: ”Kerkesat kryesore jane: zbatimi i ligjit, mbarevajtja ekonomike, institucione demokratike, dhe mbrojtja e te drejtave te njeriut. Lufta kunder korrupsionit dhe krimit te organizuem…”
Nuk pritet ndonji perfitim nga konfidenca e teprueme ne aftesite e nji “udheheqsi” ose te nji partie politike qe kerkon dominimin e plote te jetes se vendit. As pritet ndonji perfitim ne dobesimin, deri ne shumje, te kundershtarit qe mendon ndryshej. Nuk duhet perjashtue gjysma e popullsise. Sepse, e verteta dhe zgjidhja pozitive e problemit nuk jane gjithehere ne anen e shumices. Mendje te ndrituna shpesh here revoltohen. Duhet respektue mendimi i tyne, sepse zakonisht ata i largohen zgjedhjeve te thjeshta, e sidomos sloganeve partiake mashtruese. Bota e sotme ashte ma komplekse se kurdohere ma pare. Me kuptue kompleksitetin e saj, me zbulue sekretin e saj, me punue me sy e veshe te hapun para saj, jane kondita themelore per sukses.
Keshtu e shoh une Shqiperine time qe pritet te hyje ne Europe, e kerkon te perfitoje nga Europa. Europa ka nji te ardhme te ndritun, ne paqe dhe e plote. Na nuk mund te ndryshojme historine me ideologji te diskreditueme. Na duhet te jemi agjente pozitive te historise europiane, aktiviviste perkrahes te paqes e stabilitetit politik ne Europe, pjesemarres te marshit triumfues te njerezimit drejt lirise se plote te njeriut.
Per Boten mbar, Shqiperia ashte vetem nji “vend”; per ne, shqiptaret, ky “vend” ashte Bota mbar!
* City University of New York
- « Previous Page
- 1
- …
- 23
- 24
- 25
- 26
- 27
- …
- 31
- Next Page »