• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A kanë arsye të (mos)votojnë shqiptarët

October 12, 2013 by dgreca

Nga Gani QARRI/

E pabesueshme, por e vërtetë, ata të cilët për vite u mbajnë “ders” bashkëkombësve se janë çlirues dhe heronj,sot bëjnë fushatë të përbashkët zgjedhore me ish zaptuesin e vendit, duke kthyer edhe një herë, erën e rëndë të pushtimit serb në këto troje, i cili për mëse 100 vjet ua pati zënë frymën shqiptarëve, që kërkonin liri nga ky shtet okupues.

Politikanët e aktual, pozitë dhe opozitë, duhet të japin përgjegjësi edhe për nënshkrimin e marrëveshjeve të dëmshme,ndarjen e vendit dhe krijimin e entiteve të paqena autonome, deri më tani ,për të cilat negociohet pandërprerë, që nga viti 2011 e këtej me Serbinë, në dëm të Kosovës.

Përmbytja e vendit nga korrupsioni dhe krimi i organizuar,jo vetëm se ka tkurrur tej mase perspektivën e shqiptarëve edhe gati 6 vjet pas pavarësisë,si populli më i varfër në rajon,por ato edhe janë bërë profesionet më të lezetshme me të cilat autorët e tyre të devotshëm, krenohen dhe krijojnë pasuri e pushtet,pa u brengosur se qojnë shtetin e ri të Kosovës në Dështim.

Ndaj,shqiptarët kanë shumë arsye që të bojkotojnë zgjedhjet e 3 nëntorit dhe të mos votojnë për këtë kastë politikanësh,të cilët për vite me radhë, janë bërë shkaktarët kryesor të të gjitha të këqijave që përjeton Kosova dhe populli i saj.

Prijësit e këtij vendi,kush më pak e kush më tepër,jo vetëm se varfëruan skajshmërishtë popullin e tyre ,ngritën korrupsionin në kult jetese dhe vranë pa asnjë mëshirë perspektivën evropiane të shqiptarëve,por të gjithë bashkë edhe pranuan që më 19 Prill të këtij viti,në bisedimet e “suksesshme” ndërmjet Thaçit e Daçiqit,qysh atëherë të krijohej e ashtuquajtura “bashkësi etnike serbe”të cilën shumica e deputetëve në pushtet dhe opozitë, e miratuan  në Kuvend, ani-pse Serbia në këtë mënyrë,siguroi statusin autonom për Veriun dhe “Bashkësinë e Komunave Serbe, në Kosovë”

Kështu,ish shtetit okupues, duke parë dorëlirësin e pafund të prijësve aktual të vendit,si të asnjë shteti tjetër përreth nesh,lëshimet e bëra,megjithëse ishin shumë, nuk i mjaftuan,ndaj shfrytëzoi rastin të siguroj hise edhe në zgjedhjet e Kosovës,për çka me ftesën e baroneshës Eshton, siç jemi mësuar tanimë,me mënyrën tradicionale të organizimit, u mbajtën edhe bisedimet e 7 tetorit të këtij viti sipas diktatit serb,ndërmjet Thaçit dhe Daçiqit në Bruksel,të cilat nuk ishin asgjë tjetër përveçse dështimi i radhës,i qeverisë,opozitës dhe shtetit në përgjithësi,për të përfunduar edhe me një fiasko tjetër për vendin dhe goditje të rëndë për të ardhmen e shqiptarëve në këto troje.

Përveç hises që Serbia fitoi për bashkëmbajtjen e zgjedhjeve të Kosovës, ajo sipas marrëveshjes së fundit,(qoftë e fundit)do ta udhëheqë edhe fushatën zgjedhore të ish listës së përbashkët “Serbija” tani,të modifikuar si “Lista serbe” të cilën me pjesëmarrjen e tyre të drejtpërdrejtë në fshatra dhe qytete anë e mbanë vendit,nga Leposaviqi deri në Shtërpcë e Prizren,do ta mbështesin dhe përkrahin përfaqësuesit më të lartë shtetëror të Serbisë.

Gjithashtu,komplet qeveria serbe, duke filluar nga kryeministri Daçiq, zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiq, ministri i ashtuquajtur “për Kosovën” Aleksandër Vulin,ministra dhe zëvendministra të të gjitha dikastereve e deri te kryetari i Serbisë Tomisllav Nikoliq, ditët e ardhshme, do të vërshojnë vendin tonë në të gjitha anët, shëtitën lirshëm kudo dhe bëjnë fushatë të papenguar gjithandej,njëjtë si në Serbi, edhe në Kosovë.

Madje,të gjithë serbët të cilët e quajnë veten të “Kosovës” ani pse ata mund të jenë lindur e rritur në Serbi,dhe përpara mund të kenë qenë vetëm polic apo edhe ushtarak serb të ardhur nga Serbia për luftimin e “irredentistëve”në Kosovë, më 3 nëntor të këtij viti mund të votojnë me dokumente të Serbisë në zgjedhjet lokale të vendit tonë,por jo edhe mërgimtarët shqiptar.

Shifra e votuesve serb në Serbi, është fryrë deri në rreth dyzetmijë vetë, një pjesë e aplikacioneve false të të cilëve,në mungesë të dokumenteve valide, me të drejtë janë refuzuar nga KQZ,por që pas takimit të fundit në Bruksel ndërmjet Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiqit, të gjithë atyre pa përjashtim, u është bërë e mundur, të shtrojnë ankesa kundër vendimeve të KQZ-s.

Në anën tjetër nga rreth gjysmë milioni votues-shtetas të Republikës së Kosovës me të drejtë vote,sa ka në diasporë, KQZ, ka regjistruar vetëm 1800 sish, duke u mohuar pa asnjë sqarim pothuajse të gjithë mërgimtarëve shqiptar të drejtën e votimit, pa asnjë mundësi ankese për pjesëmarrjen në zgjedhjet e 3 nëntorit të këtij viti.

Sidoqoftë, pa harruar qëndrimet e papërgjegjësi të politikanëve aktual, athua si i`a kanë qitur terezinë shqiptarët të cilët jetojnë në Kosovë, ta pranojnë dhe lejojnë ndërhyrjen e një vendi tjetër në zgjedhjet e tyre,sidomos të një shteti të pa rehatshëm fqinj si Serbia,që jo vetëm se refuzon ta pranojë pavarësinë, por ajo ka edhe pretendime territoriale ndaj vendit tonë e cila edhe me kushtetutë,ende e konsideron Kosovën si pjesë të saj?!…

Mjerisht, shqiptarët,e udhëhequr nga politikan të tillë, nuk kanë çka të zgjedhin as çfarë të lënë,ngase mu këta prijës janë vet problemi i këtij vendi. Ndaj,si shumicë ,shqiptarët duhet ta pyesin veten se a është e udhës,që ata të marrin pjesë në këto zgjedhje, vetëm sa për ta legjitimuar ngrehinën autonome serbe në Kosovë?!…

A duhet të dalin fare në zgjedhje,kur ata në të  vërtetë nuk kanë as për kënd të votojnë?.. cilët janë ata emra që edhe pas gjithë këtyre të këqijave të grumbulluara, ende meritojnë votën e tyre,kur për fatin e keq të shqiptarëve, cilado parti apo kandidat që mund të vijë në pushtet nga politikanët aktual,për ta është mëse e sigurt se nuk do bëhet asgjë më mirë.

Ndaj edhe po nuk votuan fare, për shqiptarët më zi- më nuk ka se ku të shkojë, përveç se mund të shpëtojnë nga një kurth dhe tradhti e madhe kombëtare, si aprovimi me votën e tyre, i një ngrehine autonome serbe në Kosovë, e cila pas këtyre zgjedhjeve edhe do të legalizohet ndërkombëtarisht dhe nuk mund të zhbëhet më kurrë.

Kështu,duke parë rreziqet që qojnë edhe në ndarjen e sigurt të vendit me këto votime, pa asnjë dobi për shumicën,dhe shumë të dhimbshme për dhjetëra mijë-të dëbuarit shqiptar me dhunë nga pjesa veriore, të cilët nuk do të guxojnë më asnjëherë të kthehen në ato anë, me të drejtë lind pyetja-përse duhet dalë patjetër në zgjedhje,apo vetëm për realizimin e planeve të Serbisë në Kosovë.

Por edhe përkundër të gjithave,nëse ju megjithatë vërtetë vendosni të dilni në zgjedhje,ju lutem mendoni vetëm pak,para se të votoni,se a janë këta njerëzit e duhur që mund të ndryshojnë diçka për të mirën tuaj,dhe para së gjithash, a keni kujt t`ia epni votën, kënd dhe çka të zgjidhni or shqiptar të dashur,ngase të pakt duhet të jenë ata udhëheqës dhe shtete në botë, nëse edhe mund të ketë të tillë, të cilët çliruan vendin me ndihmën ndërkombëtare,por pas pak vitesh u penduan dhe rikthyen pushtuesin në atdheun e tyre, me vullnetin e vet, siç ndodhë tani me mbretërit kosovar.

Gani Qarri, Cyrih, Tetor 2013

 

Filed Under: Opinion Tagged With: arsye, Gani Qarri, shqiptaret, votim

POPULLI SHQIPTAR NUK KA BËRË KURRFARË MËKATI NË BASHKËSINË NDËRKOMBËTARE, QË TË JETË I DËNUAR TË JETOJË I NDARË

October 2, 2013 by dgreca

Shkruan: Isuf B. Bajrami/

“Shteti më së shumti është shtet në gjendje lufte. Shteti monist është shtet në shkallën më të lartë, sepse është shtet në luftë me nënshtetasit e vet!”- – Makiaveli/

Për aparatin shtetëror monist nuk janë të rëndësishëm njerëzit, sepse për të është i rëndësishëm sistemi i sundimit, për të s’është e rëndësishme jeta, sepse për të është e rëndësishme ideologjia.Serbia “shtet” që nuk mund të jetë i stabilizuar, sepse nuk është i siguruar me lirinë e nënshtetasve të vet. Ai është “shtet” i ndjekjeve ideologjike, politike dhe policore, i burgjeve, i kampeve dhe i pushkatimeve, i masakrave dhe dëbimeve masovike.”Shtet” që filozofi politike ka dhunën, metodë – manipulimin e rezultat – frikën e përgjithshme të qytetarëve.

“Shtet” që në emër të “demokracisë” mbrohet prej mendimeve të qytetarëve: që me kundërshtarët e vet politikë flet nëpër grykën e pushkës që prej mendimit të lirë dhe prej kritikës, mbrohet si prej armikut.”Shtet” që nuk donë të kuptojë se ligjet dhe normat shtetërore dhe shoqërore, teoritë politike, letrare dhe artistike, njësoj, janë sot që të mund të tejkalohen nesër prej ligjesh, normash, teorish më të reja, prandaj edhe më tëdrejta; është që thotë se gjatë historisë çdo gjë ka ndryshuar, por vetë mendon se është i pandryshueshëm dhe i përjetshëm.”Shtet” që kudo dhe kurdo e krijon dhe e kërkon të njëjtën, njëjtësinë, që, për këto arsye, le shkretëtirë në shpirtin e njerëzve. Pasojë e kësaj filozofie politike është kriza e rëndë shpirtërore dhe morale që përjetojmë sot dhe që përjetojnë të gjithë nesër. Është domosdoshmëri psikologjike dhe historike dalja prej këtij pellgu – diktaturë dhe prej këtij “shteti” – kamp.Të gjithë këto janë një e djeshme, por një e djeshme që i sjellë përvojë të hidhur të sotmes dhe të nesërmes.

Po jetojmë në një kohë historike kur vendoset për fatin e këtij trolli, të çlirohet apo të mos çlirohet?!

Gjendemi në udhëkryq historik: ta kemi fatin e rëndë të gjertanishëm, apo të kemi fat më të mirë.

Brezat e sotëm janë të tendosur mendërisht, fizikisht dhe moralisht: po përpiqen që ta ndërrojnë gjendjen e trashëguar aq të hidhur.

Çështja shqiptare është ndërkombëtarizuar, por nuk guxojmë të harrojmë se ndërkombëtarizimi nuk është bërë drejt.

Brezat e sotëm po bëjnë shumë, por kush e sheh realisht gjendjen në të cilën jemi.

Po jetojmë në kohën kur në hapësirat e perandorive të fundit në kontinentin evropian po krijohen shtete të reja kombëtare. Ngjarjet ecin me një ritëm të shpejtuar, por nuk munden të mos vërehen se ne ecim me vonesa, me turr dhe improvizime, kurse para institucioneve dhe forumeve ndërkombëtare dalim si grup etnik e jo si Komb.

Çështjen shqiptare nuk e kemi shtruar si çështje të pozitës së Kombit shqiptar në tërësi, në Ballkan, prej zgjidhjes të së cilës varet se do të ketë, a jo rend drejtësie, humanizmi dhe paqe në Ballkan.

Është një kohë, ku si pasojë e shpërbërjes së Jugosllavisë titiste, bëhet rikomponimi politik dhe shtetëror i Ballkanit,e neve krijimi i shteteve të reja kombëtare në hapësirën e ish Jugosllavisë titiste, na zë pa e vendosur se çka duhet të kërkojmë.

Po krijohet një rend i ri botëror, i cili i ka disa parime të cilave u përmbahet, e ne nuk e dimë qartë se cili mund të jetë vendi ynë në atë rend.

Vendoset për ardhmërinë e gjysmës së Kombit shqiptar, e kjo më në fund, domethënë për ardhmërinë e krejt Kombit shqiptar.

Ne, megjithatë, ballafaqohemi me disa vështirësi të brendshme në jetën politike dhe morale me të cilat janë ballafaquar edhe paraardhësit tanë.

Ne jemi i vetmi Komb në kontinentin evropian, që mbi gjysma e popullit dhe territorit është nën sovranitet të huaj.

Në qoftë se deri dje synohej për mbrojtjen e tërësisë së tokave shqiptare, sot duhet të synohet bashkimi i popullit të ndarë.

Kjo është një rrugë e drejtë, drejt idealit shtetëror, domethënë drejt bashkimit, për popullin shqiptar më në fund është rrugë drejt mundësisë, që të jetë i barabartë me popujt e tjerë ballkanikë dhe evropianë, është rrugë drejt përparimit, mirëqenies dhe lumturisë.

E them kështu sepse duke synuar barazinë e popullit shqiptar me popujt e tjerë ballkanikë, synohet rend e drejtësi, humanizëm e paqe në Ballkan.

Vend i Lekës, 27 shtator 2013

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Isuf Bajrami, mekati, shqiptaret, te denuar, te jetojne et dnare

Malin e Zi e bëmë ne shqiptarët.Pse?

September 12, 2013 by dgreca

Foto: Albania 1926,C.Otokar/

”Ky popull asht bash ai populli i vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë. I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rrenjeve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundershtueshëm i tokave të veta.(Gjergj Fishta)”/

Shkruan Fahri XHARRA/

” Për gjatë kohërave antike në tokat e Balkanit perëndimor kanë jetuar fiset ilire. Në Malin e Zi të sotëm dhe në veriun e Shqipërisë ,jetonin Labeatët. Ata e kishin formuar qytetin e Shkodrës ,qytet i cili në shek . e tretë para Krishtit ishte kryeqyteti i shtetit Ilir, me Mbretin Agron në krye. Sjellja e tij prej kusari nëpër Adriatik ( preteks i sulmit fxh) , i solli dy luftëra me Romakët (229-228 prK ,dhe 219 prK.) të cilat u udhëhoqën  nga Teuta dhe nga të cilët u mundën , ku dhe Mbretëresha u tërhoqë në Risan  duke e pranuar paqën me Romakët .( Византолошки институт САНУ (Божидар Ферјанчић), „Византијски извори за историју народа Југославије (II том)“ (фототипско издање оригинала из 1957), Београд 2007 ISBN 978-86-83883-08-0 )(Instituti bizantologjik ,Beograd)

Sipas të dhënava dhe artefakteve të mëshefura me qëllime të caktuara ,e të cilat po dalin në shesh përditë e më tepër ,ne ishim ata që e mbollëm qytetërimin. Ne ishim ata që Evropës ia dham Evropën. Por, neve pushtuesit na mbollën mosbesim ,përçarje,grindje, frikë, pakënaqësi ,dyshim. Na e mbillnin vëllavrasjen. Na mbillnin kob e zi. Pushtuesit e mbollën vdekjen.Ishimgjithmonë në gjendje “mbill e mos korr”. Ku mbjellnim nuk korrnim, nuk kishim mundësi t`i zënim këmbët në tokat tona se duhej gjithëmonë t`i mbledhnim plaçkat e të iknim Duhej të iknim t`i shpëtonim masakrave, vdekjës,duhej shpëtuar diçka e kjo diçka është kjo që jemi sot .

“Deri ne historinë më të re në Mal të Zi ,shqiptarët dhe malaziasit ishin ne marrëdhënje shumë miqësore. Prishja dhe urrejtja ndërveti ,a u bë kur malazezët filluan te “sllavizohen” apo kur shqiptarët filluan ta kalojnë në Islam? Gjithashtu vëllazërija shqiptare “malisore” a janë në fis me ato malaziase,dhe disa në të vërtetë a janë Shqipëtar të shndërruar në malazias apo e kundërta.? E lëxova këtë pyetje me mjaft kujdes. Pyetje që nuk është vështirë t`i përgjigjesh, por duhet një qasje serioze e sinqertë dhe gjakftoftë.

Por , le të kthehemi në të kaluarën e largët kur këndej pari nuk kishte as serb e as turk.”Shqiptarët janë pasardhësit e drejtpërdrejtë dhe si të këtillë janë autoktonë që nga kohët e lashta , ku jetojnë edhe sot e kësaj dite në trojet e tyre në Shqipëri , Kosovë , në Maqedoni , Mal të Zi , në Serbi dhe Greqi e gjetiu (Dr. Skënder Riza). Në asnjë dokument nuk ka shënime për ekzistimin e Serbëve në këto troje , në ato kohë . Duke bërë fjalë për banorët e pronave të Manastirit të Deçanit , Manastirit të Graçanicës, Patrikanën e Pejës etj, prona këto që shtriheshin në një territor shumë të gjerë, siç e tregon “Bulla e Artë” e mbretit Stefan Deçan(1330) Dr. Rizaj do t`na konstatojë se aty kishte vetëm shqiptarë.

Kështu kuptojmë se popullata e Kosovës së sotme dhe qeveritarët e saj Nemanasit-Nimanasit-Nemaniqët, të gjithë ishin ilirë tribullë (tribalë, fis pellazgë-ilir), njëherë katolikë e pastaj nga Milutini e këndej Shkizmatik (shqiptarë ortodoks ) dhe se do të jetë plotësisht e natyrshme që edhe kishat dhe manastiret e këtij ambienti gjeografik si institucionet e shenjta fetare të kësaj popullate shqiptare dhe të sundimtarëve të saj të jenë ndërtuar nga ata dhe ato atyre u takojnë.

Kur Stefan Nimani e pushtoi Malesinë (Doclean shek 11-të) ai shkruante se i ka shkatërruar të gjitha qytetet bregdetare . .. por “ ai kishte asgjësuar edhe monumentet Latine duke ia vuar zjarrin kishave lokale katolike dhe dhe librave gjindeshin në to.” Ju kujtohet Shasi Ilir i 365 kishave.? E kisha cekur Zonjën Edith Durham ( Some tribal Laws and Customs of the Balkans ,Londë,1928) shkruante se gjatë qëndrimit të saj në këtë pjesë te Ballkanit( Shqipëri dhe Mal të Zi f.xh.) gjatë vitit 1913 ( pra shek 20) ,nuk ishte e lejuar që vajzat e Drekaloviqëve të martohen me djemt e Kastratëve “ se janë të një gjaku”. Por për këte më vonë.

Rreth vitit 1054 u bë ndarja e madhe shkizmike e Kishës së Lindjes si rezultat i mospajtimit në mes lindjes e perëndimit. Shqiptarët që iu bashkëngjitën shkizmit (shki,shka,shkja,shkije) më lehtë e patën të përvetësohen nga kisha e tyre ortodokse,.Pra në atë kohë kishte shka-shqiptar otodoks ende i pa sllavizuar dhe serb-kurrkushi i ardhur. Stefan Nemana, Nimani, Nemaniqi, kishte lindur afër Podgoricës, ku nuk kishte priftë ortodoks dhe u pagëzua me ritët perëndimore katolike.

Nga fisi Nimanaj i Gashëve rrjedhë Stefan Nemanja,Mbret i Shqiptarëve Serbëve Vllehve dhe Grekëve pra i Bizantit.,Stefani ishte kusheri i par i princit Shqiptar Dhimitërit që njihet si themelues i derës së Dukagjinasëve.Stefani është i varrosur në Manastirin Hilendar ne Greqi në mali Atos, dhe ne varr eshtë epitafi me shkronja greke si Stefan Nimani e jo Nemanja.

Por të këthehemi në temë, si ndodhi që “Malesia” të bëhet “MaliZi”, pra ne shqiptarët të bëjmë Malin e Zi ? . Shkrimi do të jetë i fragmentuar ,që të mos i ngjan një studimi të mirëfilltë historik por të jetë më tepër një nxitje për historianët dhe gjuhëtarët tonë të mundohen sa më shumë të na i “kthejnë” bijtë e shqipërisë në gjiun e saj.

Kush janë Berishajt? Berishajt i takojnë grupit të fiseve Puka ,dhe jane të parët ne vendin e tyre në jug të fisit Krasniqi dhe Shala . Sipas Gjermanit Franc Baron Nopça (Franz Baron Nopcsa, Das Katolische Nordalbaniens, Budapest 1907) , ,shenjat e parë të fisit Berisha,mund të gjinden që prej 1270. Nga këta Berishajt ,lindin -shqiptarët ortodoks(shkijet) Drekaloviq , Kuqi, dhe Gruda.

I pari nga shkijet ishte Ndreu . Drekaloviqët ishi të afërm e dhe me Kastratët Fisi malesias Vasojeviq (pra shkije- shqiptarë ortodoks) ,ishin nga fisi Ilir Kelmendi. Shenimet tregojnë që edhe gjuhëtari serb Vuk Karaxhiq ishte malesias me prejardhje. Por edhe Dinastia e Koagjorgjeviqëve e më sakt edhe mbreti Petar Karagjorjeviq ishte me prejardhje shqiptare, pra malesias.

Është i njohur Mark Milani Popoviqi, armiku dhe asgjësuesi më i madh i qenjës shqiptare në Malesi. (MaliZi). Që ai shkrunte për sllavët ,na është e njihur,por më pak dihet që ai i kishte dy gjuhë amtare: serbisht dhe arbanisht. Si është e mundur që ai thoshte që gjuha mëmë e tij ishte Arbanishtja? Sepse a i dinte rrënjët e tija dhe të fisit të vet E dinte shumë mirë që në fisin Kuq ishin përzier gjaku sllav dhe ai arbanas. Në këtë përzierje dhe në këtë farefisni të fiseve arbanase dhe malesiase ka qenë e ruajtur tradita e gjallë e martesave .

Shkijet e Vrrakës ( Shqiptarët ortodoks të Vrrakës) jane vetëm se arbanas dhe malesias të përzier ndërveti e që nuk kanë aspak lidhje me serbët. Rol tjetër asimilues të arbanasve të malesisë kishte edheTurku. Me ndërrimin e fesë në sanxhakun e Novi Pazarit shqiptarët e humbën edhe gjuhën: Ndërkaq, te “Kamus-ul alam” (1889-1898), enciklopedia e parë në Turqi, , Sami Frashëri shkruan se në këtë sanxhak “në përgjithësi popullsia është shqiptare. Vetëm një pjesë e popullsisë së kazave të Gucisë e Beranës flasin sllavisht, por dinë edhe shqip( dinë shqip se ishin shqiptarë f.xh.) dhe nuk dallohen nga shqiptarët për nga doket e zakonet”. Pra në veshje ,doke dhe zakone ishte ishin të njejtë. Pra?

Por si flitej në atë kohë kur zyrtarisht pranohet se gjuha Malaziase (cërnogorski jezik ) zyrtarizohet pas gjysmës se parë të shek 19-të.? Sigurisht që shqip.

Humbja në gjiun sllav ishte ishte e pakthyeshme si humbja në gjiun turk e grek.Por kur jemi te Malesia të cekim edhe këto ndërrime të fiseve nga e folmëja shqipe në atë sllavishte : Gjuka –Gjukiq ,Gjukanoviq ; Boja – Bojoviq,Bojiq ;Bojku- Bojkoviq, ; Gashi- Gashiq,Gashanin ; Berisha- Berishiq; Burri- Buriq ; Shoshi- Shoshkiq; Shala-Shaliq , Shalanin, Shalunoviq; ( E njohur në një fshat të Plavës ku jetonin të tri palët: si shqiptar shala, si boshnjak Shalunin ,dhe si malazez Shaliq) ; Gjurka – Gjurkoviq,; Gjoka- Gjokiq ,Gjokonoviq ; Gjeli – Gjeloviq ,Gjeliq ; Gruaja – grujiq ,Gruda- Grudiq , Zogu –Zogoviq, Balaj- Baliq ,Baloviq” peshku- Peshkoviq ; Lulaj- Luliq,Luloviq; Nikqi- Nikqiq; Brala- Braliq;Daci- Daciq , Dashi- Dashiq; Bardhi- Bardiq ,Preni- Preniq ; Kola- Koliq. etj etj etj.

PoVasojeviqet ( Vasa), Bjellopavliqet ( Palabardhë) , Drekalloviqët ( Ndrekajt) ?

Njëri shkruante në një rast: Pa më thuaj oj Shqipëri kur do i mbledhësh bijtë e tu në gjiun tënd ? Qëllimi i shkrimit nuk ishte t`i mbledhim në gji (Pse,Jo?) ,të gjithë ata që për arsye të ndryshme e zvogluan numrin tonë ,por të tregohet për vazhdimësinë shekullore asimilimit të tyre.

((Burimet serbe  qeshën me të ashtuquajturit ” akademikë dë Dukles ”(sipas serbëve) që po mundohen ta këthejnë popullin e Malit të Zi në ” parafillimet e tyre historike” që malazezët nuk janë serb por as sllav. Në këtë tollovi ata shkojnë aq largë sa i kërkojnë ”rrënjët ”e tyre tek Ilirët, dhe si të tillë po biejnë nën ndikimin e shkrimeve të fretërve ”ustash kroat katolik” ( sipas serbëve)

” Kush janë Malaziasit e sotëm: rezultatet e hulumtimeve po  i vërtetojnë tezat e analitikëve të më herëshëm që shumica e banorëve të sotëm të Malit të Zi janë vendas të zgjoit ,të cilët e morrën gjuhë sllave mu ashtu si  thoshte akademiku  i CANU-s( Akadedemia e shkencave të Malit të Zi) Petar  Vlahoviç në studimin e tij antropologjinë fizike te malazezëve.

” Është  e mundur që të gjithë serbët e Serbisë të cilët e bartin haplogrupin E1b1b- ardhacak nga fiset  e Vasojeviqëve dhe Kuqëve të Malit të Zi. Shqiptarët kryesisht e bartin haplogrupin E1b1b (Autor: Miroslav Ćosović)”
„American Journal of Physical Anthropology”.(20.01.2010)  ( Shumë interesante është se shumë institucione shtetrore serbe si dhe sherbimi informativ serb BIA e kanë financuar projektin ,duke menduar që rezultatet e kodit gjenetik të serbëve dhe malazezëve të dalin të njejta dhe që pastaj të flitet për një popull dhe një kulturë) . Studimi tregon që mbi 50 % e banorëve të sotëm të Malit të Zi janë  me prejardhje ilire apo  shqiptare dhe se perzierja me sllav është shumë e vogël . (Autor: Miroslav Ćosović, www.onlinelibrary.wiley.com/doi/10.1002/ajpa.21235/suppinfo))

E pse ata në shumë raste ishin armiqtë tanë shumë të rrezikshëm dhe çfarosës ,fajet janë të spjegueshme. Se shqiptarët janë “ ushqyesit “ më të mëdhenj të fqinjëve tanë ,kjo është e dokumentuar. Se shqiptarët janë edhe formues të shtetit të fqinjëve ,kjo është më së e vërtetë. Në rrethin tonë fqinjësor që ngaMaliiZi,Serbia dhe Greqia shqiptari ishte faktori kryesor shtetformues. Në kohën e largët disa shekuj apo disa dekadash ne jemi ata që në mënyrë direkte apo indirekte i formuam këto shtete. Kushndikoi që shqiptari të mohon vetveten dhe të vihet në krye të formimit të shteteve fqinj? Si dhe pse u zhvilluan rrethanat që shqiptari të bëhet edhe vrasës i vëllezërve të vet edhe pushtues i tokave të veta nën flamurin e tjetër kujt? Na e mbillnin vëllavrasjen. Na mbillnin kob e zi.

Pyetjes se kur shqiptarët u bën malazias, kur malesoret u sllavizuan ,apo kur u islamizuan ? ,iu kisha përgjegjur se kjo ka ndodhur në vazhdimësi gjatë shekujve , ndër shtypjen e furtunave historike. Pra ka te bëjë edhe me atë, aresyeja e ndarjës se kishes,.sepse ne nje moment historik, gjatë kohes se ‘çlirimtarëve’ otoman, popullata jonë ortodokse , i ka pasur vetem dy mundesi: te mbetet ortodoks, dhe te sllavizohet, ose te islamizohet, ‘turqizohet’ , qe kinse te shpetoj nga sllavizimi..

Pra ,shkak i ndarjës edhe më të madhe të shqiptarëve otodoks- shkijeve të tokave tona në Mal të Zi, Maqedoni ,Sërbi dhe Kosovë nga trungu shqiptarë ka qenë edhe politika favorizuese e Turkut që i ka bër sllavëve nën presionin Rus ,për zhdukjen e elementit katolik shqiptar .Pra si e thashë edhe më lartë ,nuk mbetej gjë tjetër për ne ose sllav ose muhamedanë. Ishim gjithmonë në gjendje “mbill e mos korr”.

Por mos të na duket qudi se miliona shqiptarë ortodoks të Malit të Zi ,Serbisë ,Maqedonisë dhe Greqisë e humben kombin për shkak të fesë ; sepse e njejta gjë ndodhi edhe me miliona shqiptarë musliman që për shkak të fesë e harruan shqiptarinë; Sanxhaku i Novi Pazarit dhe shqiptarët e Turqisë.

Studimi hulumtues i botuar në „American Journal of Physical Anthropology” tregon  se balkani ( pellazgët fxh) e “ ka lozur rolin kryesor në popullimin e Europës pas ” kohës së madhe të akullit ” , dhe  që nga ky nënqiell  u kryen migrime të mëdha.

Fahri Xharra

10.09.2013

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, Malin e Zi e beme ne, pse, shqiptaret

Shqiptaret dhe Albania e Kaukazit

August 25, 2013 by dgreca

Shkruan : Aleksander Meksi/

Në këto 100 vjetët e fundit kur historia shumë shpesh është në shërbim të politikave afatshkurtër, ajo është keqpërdorur sidomos në Ballkan, ku interesat e shteteve të krijuara më përpara nëpërkëmbin ato të popujve fqinj. Nuk kursehen në këtë betejë, gjithnjë të humbur pa e nisur, për të përdorur “teza”e “argumente historike”, për të ngritur teori dhe rivendikime territoriale në dëm të të tjerëve.

Një teze e tillë është ajo mbi ardhjen e shqiptarëve nga Kaukazi, diku nga shekujt X-XI meqenë se athere përmendemi për herë të parë me emrin albanoi-arbanoi në trojet e sotme në burimet bizantine. Përgjithësisht historiografia shqiptare dhe jo vetëm ajo, e ka refuzuar këtë pseudoteori në mënyrë intuitive pa i hyrë në brendësi të dhënave historike që lidhen me albanët e Kaukazit. Për ne, me të drejtë ka mjaftuar teza e prejardhjes ilire dhe autoktonia e shqiptarëve, vazhdimësia e gjuhës dhe të qenit e saj indoeuropiane, që vërtetohet nga shumë disiplina.

Pavarësisht nga sa shprehëm më sipër na u duk me interes të hetojmë kush janë albanët e Kaukazit, ku jetonte ajo popullsi, pra ku shtrihej shteti i tyre, çfarë thotë historia për ta,gjuhën e tyre dhe cili ishte fati historik i tyre.

Përmendja e parë e tyre është në betejën e Gaugamelës në vitin 331 para Krishtit kur ata u reshtuan së bashku me persët kundër ushtrisë së Aleksandrit të Madh. Ata përmenden si një popull pranë Armenisë dhe Iberisë (Gjeorgjia), pra si një entitet politik i rëndësishëm i rajonit të Kaukazit. Për ta ka përmendje të vazhdueshme ndër burimet greke dhe romake por dhe ato armene, bizantine, arabe nga shekulli i I-rë deri tek shekulli i VIII-të e më vonë. E megjithatë për këtë popull njihen pak gjëra. Ka pak dëshmi gjuhësore, pak të dhëna arkeologjike (Mingeçam-Azerbajxhan). Në se kanë patur një leteraturë ajo sot është e humbur, kanë mbijetuar vetëm alfabeti dhe pak mbishkrime të fragmentuara e që presin zbërthimin.

Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit janë kryer mjaftë studime për këto probleme dhe në përgjithësi për historinë e gjuhët e popujve antikë të rajonit të Kaukazit, të nxitura edhe nga probleme territoriale ndërmjet shteteve të krijuara rishtas pas viteve ’90. Po kështu ndërkohë janë botuar në disa gjuhë burimet historike si dhe janë studiuar ato në mënyrë krahasuese dhe të përbashkët . Po ashtu nuk mungojnë monografitë për historinë e vjetër të popujve të Kaukazit dhe po aq për albanët.

“Çuditërisht” në të gjitha botimet e burimeve dhe studimet për rajonin, dhe në mënyrë të veçantë në ato për albanët dhe Albaninë e Kaukazit, askush, dmth. as dhe një studiues nuk merret dhe as nuk i ka shkuar në mendje që të gjejë lidhje ndërmjet tyre dhe shqiptarëve, sepse ato as që ekzistojnë. Albanët e Kaukazit, si një popullsi dhe shtet pëmenden gjithnjë krahas armenëve dhe iberëve (gjeorgjianët) me emra të ndryshme sipas gjuhës së burimeve : greqisht-alvania; latinisht-albania; armenisht-aluank; gjeorgjianshe-rani; siriane-aran; medo-persisht-ar(r)an; arabisht-arran. Eshtë me interes e dhëna e Stefan Bizantinit i cili thotë se ata janë arianoi, me sa duket termi fillestar aran, prej nga nën influencën e armenishtes kemi alvan-aluan prej nga rrjedh greqishtja alvanoi.

Për gjuhët e popujve të Kaukazit Straboni thotë se në qytetin tregtar Dioskuride (Suhumi i sotëm) fliteshin 70 gjuhë sepse aq tribu bënin tregëti aty, shifër që tjerë e shpien në 300 e më tej akoma udhëtari arab al-Masudi thotë se janë aq shumë popuj që vetëm zoti mund ti numëroj. Për albanët Straboni (Libri XI,4) na tregon se kanë një mbret por që janë 26 grupe etnike me gjuhën e vet secili, dhe se ata nxjerrin nën armë 60000 këmbësorë dhe 22000 kalorësa (me kaq përballën Pompeun). Sot aty fliten gjuhët indoeuropiane, altaike, semitike e kaukaziane (me shumë nëngrupe, një prej të cilëve gjuhët lezge). Për gjuhën e albanëve kemi alfabetin me 52 shkronja, pak mbishkrime, emrat e muajve, fjalë jo armene në historitë e herëshme të armenëve (shek. VII-X), nga të cilat rezultojnë elementë të gjuhës me studimin e të cilave gjehen lidhje me atë të Gargark-ve, duke e futur kështu në grupin e gjuhëve lezge dhe i gjehen lidhje me gjuhën e sotme të etnisë Udi që banon sot në dy fshatra: Vartashen dhe Nidzh, jo shumë larg vendbanimit ku janë bërë gërmimet arkeologjike të sipërpërmendura dhe janë gjetur mbishkrimet e gjuhës albane.

Ndër dëshmitë e vjetra kemi “Historinë e Armenëve” të Moise Khoren-it ku përmenden faktet e njohura për Aluan – Alvank, si dhe që në kohën e perandorit Theodos (fundi i shek. IV), Mesrop Mashtoc shkon tek Iberët dhe ju krijoi shkrimin, pastaj tek Alvanët pranë mbretit të tyre Arsralen dhe peshkopit Jeremia ku me ndihmën e përkthyesit Beniamin krijoj për ta shkronjat për këtë gjuhë të Gargarat’si, guturale, të ashpër, barbare, të ngjirur. Të njëjtat të dhëna jep dhe historiani i shekullit VII Movses Kalankatuaci, në veprën e tij “Historia e Aluank”, shkruar në shekullin VII dhe vazhduar në shekullin X nga Movses Daskuranci (mundet kryeprifti i Aluank).

Përsa i përket territorit të fiseve të ndryshme (në antikitet ishin 26) që përbëjnë albanët (aluank) ai shtrihej sipas të dhënave të shumicës të burimeve historike nga shpati jugor i pjesës lindore të vargmalit Kaukaz deri në lumin Kurr që derdhej në detin Kaspik duke patur në jug (në territoret në krahun e djathtë të lumit) Armeninë dhe në perëndim Iberinë. Gjatë shekujve shteti i tyre ka patur shtrirje edhe më të madhe, duke u përfshirë në territore të Armenisë dhe të tjera. Sot këto territore gjeografike bëjnë pjesë në Azerbaixhan.

Së fundi duhet të flasim për fatin historik të Aluanëve (Albanëve të Kaukazit). Ata dalin që në fillim si një etni e rëndësishme në rajon dhe si një bashkëbisedues i rëndësishëm për romakët, të cilët kuptuan aspektin më karakterizues të tyre si njerëz të kufirit ndërmjet sub-Kaukazisë dhe nomadëve të veriut (Hunët dhe Skithët), çka kontribuoi për dhënien e një rëndësie vendit të albanëve, në kontaktet e perëndimit me vendasit. Këto kontakte filluan me grekët dhe vazhduan me Romën, Bizantin dhe persët, që ndërkohë zvogëlonin vendin e Albanëve (Aluanve) në rajon, për t’u pasuar me arabët, me të cilët merr fund pavarësia e tyre që shënon dhe fillimin e një procesi ende të paqart për studiuesit, atë të çthurjes dhe tjetërsimit kulturalo-etnik që do t’i zhduki ata si komb nga hapësira e Kaukazit dhe nga skena e Historisë. Persët e sidomos arabët krijuan njësi administrative më të mëdha në të cilat albanët me gjithë rolin parësor të tyre nuk qenë në gjendje të afirmohen si komb përtej territorit fillestar të tyre. Në këtë mënyrë shtrirja e nocionit gjeopolitik Aluan-Alban nuk u pasua me mbijetesë në kushtet e pranisë së presionit apo shtytjes ideologjike-kulturore arabe.

Nga kjo tablo kuptohet se nuk ekziston as lidhja më e vogël ndërmjet shqiptarëve (albanitë-arvanitë) me aluanët (albanët e Kaukazit). Lidhja e tyre ka qënë dhe mbetet e sajuar apo e kërkuar dhe keqdashëse. Aq më tepër kjo, përderisa as dhe një, përsërim këtë, studiues i Aluanëve dhe i popujve të Kaukazit, gjatë më shumë se një shekulli nuk i ka shkuar në mendje për një lidhje të tille sepse realisht ajo absolutisht nuk ka ekszistuar.

Filed Under: Featured Tagged With: albania e kaukazit, aleksander meksi, shqiptaret

Pse shqiptarët nuk revoltohen?

August 7, 2013 by dgreca

Shkruan: Faik KRASNIQI/

S’duhet harruar se shqiptarët ambientohen shumë shpejt me kushtet e mizërisë (fatkeqësisht) dhe, jo vetëm që s’u bie ndërmend të protestojnë, por as që mundohen të organizohen për të ndryshuar kushtet aty ku punojnë e jetojnë. Për mendimin tim, konstatimi i asaj të vërtete sot nuk është më i mjaftueshëm, ose më saktë nuk duhet të jetë.

Duhet vazhduar më tutje.

Çfarë duhet bërë?

Çfarë duhet bërë që ato nëna të thonë:

– Përse u dashka ta paguaj unë mungesën e energjisë së shtetit duke u sakrifikuar unë kurban…?

– Përse të rri jashtë orarit?

– Përse kam punuar gjithë jetën e jetës e akoma s’kam aq para sa të blej as ilaçet e mia?

– Përse…?

E ato i thonë të gjitha këto. Bile para pronarit i cili vë buzën në gaz, duke bërë ecejaket e tij po në këmbë, duke shtuar: “Edhe unë në punë jam rropatur si ju. E kini të lehtë t’jua rris pagën, po llogaritë e mia s’më dalin as mua …”!

E ato i thonë ato ankesa me zë. Nuk i thanë në rrugë? I ndanë me një të panjohur aty, ashtu siç i ndanë me sa të njohur e të panjohur çdo ditë.

Prandaj, unë si individ, nuk u mallëngjeva (mallëngjyer- ngashëryer (në fjalor), ndërsa mallëngjej- e prek thellë në zemër dikë duke i ngjallur një ndjenjë dhembshurie, keqardhje a mëshirë).

Mendoj, nëse një fjalë do ta përshkonte sado pak atë që mund të kem ndjerë e ndjej akoma, ka qenë dhe është fjala revoltë.

Në fjalorin tim jepet ky përkufizim:

Revoltë – zemërim ose ndjenjë pakënaqësie që shfaqet ose shprehet me forcë kundër dikujt a diçkaje. P.sh. revolta e shkrimtarit.

Tani e gjitha varet tek fjala “forcë”. Çfarë të nënkuptojmë me atë? Si e shpreha unë vallë atë “forcë”? A zgjodha rrugën e duhur? Apo thjesht u mjaftova me një justifikim: “Ja timen e bëra, për vete”! Me të drejtë pyetja do të ishte: Po çfarë bëre aman?

Përse ta shpreh me fjalë atë “revoltë” që u krijua brenda në shtypshkronjë? A thua se dua të mos humbasë diçka? A thua se dua të liroj vetveten nga gracka e diçkaje? A arritën fjalët ta shprehnin tamam “forcën” e revoltës?

Nëse po, ç’ndryshim të ketë? Vallë ku ta shohim tani atë forcë revolte të ndarë copa-copa në zemrat e disa individëve shqiptarë që jetojnë në katër cepat e botës e që janë mbledhur në një ekran kompjuteri për të bashkëndarë… Çfarë? A u bashkënda forca e revoltës?

Le të supozojmë për një moment sikur fjalët arritën të komunikojnë atë çfarë fshihej pas tyre; atë gjënë tejet të rëndë që e tërheqin akoma zvarrë në drejtime të ndryshme, të ngatërrueshme, anonime, joshëse, dykuptimëshe etj. Çfarë do të bëjmë atëherë ne me atë forcë?

Një përgjigje duket sikur imponon vetveten: Duhet shkuar më tutje! Shoqëria shqiptare nuk është memece. Po ta dëgjosh me vëmendje, aty zien revolta, e përderisa aty brenda zien revolta (e përderisa ne presim revoltën) do të thotë që jemi në rrugë të mbarë.

Por, në perëndim, ka domosdo një potencial “fuqie” që tregohet më i padurueshëm e më kërkues ndaj asaj “shoqërie shqiptare” me të cilin akoma identifikohet disi, diku… Ka gjithashtu mjetet për të mos i lënë fjalët të palosen mbi njëra-tjetrën e të kthehen vetëm në psherëtima…

Bashkimi i këtij potenciali të jashtëm me atë të brendshëm do të bëjë patjetër që forca e revoltës të shprehet në mënyrë më konstruktive, më frytdhënëse…

(Autori është publicist dhe redaktor në gazetën e përditshme ”Lajm”)

Filed Under: Komente Tagged With: faik Krasniqi, Pese nuk revoltohen, shqiptaret

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT