Shkruan:MSc.Eraldo MEÇALLA/
Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare/
ÇFARË ËSHTË DIPLOMACIA?/
Diplomacia përbën “shtyllën kurrizore” të shtetit dhe kombit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Bazuar tek fjalori i Oxfordit, diplomacia konceptohet si menaxhimi i marrëdhënieve ndërkombëtare me anë të negociatave. Ndërsa diplomati brtitanik Ernest Mason Satow në librin “A Guide to Diplomatic Practice”, e përkufizon diplomacinë si: “Aplikimin e inteligjencës dhe taktit, në zhvillimin e marrëdhënieve zyrtare ndërmjet qeverive të shteteve të pavarura”. Përkufizimi më i pranuar mbi diplomacinë është: Diplomacia është arti ose praktika e realizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare nëpërmjet negociatave, traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Metoda me të cilën këto marrëdhënie ndreqen dhe menaxhohen nga diplomatët pra Ambasadorët dhe të Ngarkuarit me Punë, cilësohet si puna ose zehja e një diplomati. Në këtë kuptim diplomacia është instrumenti themelor në zbatimin dhe përfaqësimin e shtetit në politikën e jashtme, kjo realizohet nga diplomati i cili përfaqëson shtetin dërgues dhe zbaton politikën e jashtme në shtetit e akredituar. Diplomati britanik dhe teoricienti Sir Harold Nicolson, deklaron: “Diplomacia nuk është shpikje e as kalim kohe për ndonjë sistem politik të veçantë, por është element thelbësor në çdo marrëdhënie të arsyeshme ndërmjet njerëzve me njerëzit dhe kombeve me kombet”.Cila është origjina e fjalës diplomaci ? Në aspektin historik fjala “diplomaci” vjen nga greqishtja e vjetër, që nënkupton një dokument me dy fletë, këtë koncept e morën dhe e zhvilluan romakët e vjetër, e cila mori formën e një leje pra dokument udhëtimi metalik i hollë i palosur në dy fletë. Kjo leje evoloi dhe u quajt “Diploma”, më vonë me ruajtjen, shpjegimin dhe arkivimin e këtyre dokumenteve vijmë në shekullin e 17-të, ku quhet “Res Diplomatica” dhe më pas në futjen e termit në diplomaci që nënkupton traktate dhe marrëveshje të ndryshme që nënshkruhen ndërmjet shteteve. Termin “Diplomaci” për herë të parë e ka përdorur në vitin 1796, Edmund Buke në Britaninë e Madhe. Ku dhe kur lindi diplomacia ? Diplomacia ka pasur një rrugëtim të gjatë historik si teori dhe praktikë që lidhet me thellësinë e shekujve e me shtetet antikë si Kina, Roma e vjetër, Greqia e lashtë. Vetë diplomacia ka lindur nga lufta, nevoja për paqe, komunikim, kompromis për çështje jetike si territoret dhe uji në komunitetet primitive parashtetërore. Ndërsa formën e saj më të qartë dhe të konsoliduar ajo e merr me krijimin e qytet-shteteve Greke, konkretisht në vitin 432 para erës së re që mund të quhet edhe si lindja e diplomacisë. Në këtë periudhë Sparta përveç luftës, përdori diplomacinë dhe krijoi aleancën e parë të quajtur “Liga e Peloponezit”, lindi lidhja shtet me shtet, bisedimi, komunikimi dhe përpjekja për ngritjen e një sitemi diplomatik. Në këtë kohë kishim edhe përfaqësuesit e parë diplomatik në Greqi në formën e lajmëtarit, negociatorit dhe konsullit që ishin: 1.) Angeles – Prezbys. 2.) Keryx. 3.) Proxenos. Zhvillimi historik i diplomacisë erdhi nga “Greqia e Lashtë”, “Roma e Vjetër” ndërsa në mesjetë kontributi erdhi nga “Perandoria Bizantine”, vazhdoi në mesjetën e vonë me “Rilindjen Europiane” që lidhet drejtëpërsëdrejti me Italinë, Fierencën dhe Milanon. Në këtë kohë lindi edhe termi “Ambasador” dhe u bë dërgimi i ambasadorit të parë nga Duka i Milanos në vitin 1455, sigurisht u zhvillua edhe teoria dhe praktika e diplomacise nga Nicolo Machiavelli i cili në vitin 1515 shkroi “Princin” dhe njihet për shprehjen “qëllimi justifikon mjetin”. Në fund të shekullit të 16 dhe fillim të shekullit 17, filloi etape e re për diplomacinë me kontributin e Francës së Luigjit 13-të dhe me Cardinalin Richalieu që njihet si sinonimi i “Raison d’etat” (Arsyeja Shtetërore). Richalieu për herë të parë krijoi institucionin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe pas Francës u krijua në Britanine e Madhe dhe SHBA. Në gjysmën e shekullit të 17 në vitin 1648 në “Kongresin e Vestfalisë” përfundoi edhe lufta 30-të vjeçare dhe u shënua fillimi i “Diplomacisë Klasike Europiane”, e cila vendosi funksionin e misionit diplomatik të përhershëm. Në vitin 1789, Franca përjetoi “Revolucionin Francez” i cili ishte në kundërshtim me parimet e “Kongresit të Vestfalisë”, ndryshimet për diplomacinë vazhduan në vitin 1850 me “Kongresin e Vjenës”, Aleancën e Shenjtë, Koncertin e Europës të cilët u përpoqën për krijimin e Rendit të Ri Europian. Shekulli i 19 ishte i qetë, por kjo mori fund me fillimin e Luftës së I-rë Botërore në vitin 1914, këtu “Diplomacia Klasike” njeh lulëzimin e saj më të madhë dhe njihet si Diplomacia e Vjetër, Tradicionale ose e Oborreve. Etapat kryesore të zhvillimit të diplomacisë janë: 1.) Diplomacia klasike nga viti 1648 me Kongresi i Vestfalisë deri në Luftën e I-rë Botërore. 2.) Diplomacia Moderne nga mbarimi i Luftës së I-rë Botërore në vitin 1918, vazhdon me Luftën e II-të Botërore në vitet 1939 – 1945 deri në fillimin e viteve 1980 – 1990 , pra me përfundimin e Luftës së Ftohtë. 3.) Diplomacia Postmoderne filloi pas vitit 1990, pikërisht me “Rendin e Ri Ndërkombëtar”. Ligji ndërkombëtar për kodifikimin e së drejtës moderne diplomatike dhe për mbrojtjen e diplomatëve u sanksionua përfundimisht në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike e vitit 1961 dha në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore në vitin 1963. Aty përcaktohen marrëdhëniet diplomatike ndërmjet shteteve, specifikohen priviligjet dhe imunitetet e diplomatëve dhe misionit diplomatik që të jenë të lirë në ushtrimin e profesionit. Qartësisht kjo konventë është guri themelor për diplomacinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Tre janë kategoritë e Krerëve të Misioneve Diplomatike sipas studiuesit Ralph G. Feltham në librin “Diplomacia”, si më poshtë: 1.) Ambasadorë, nuncë apostolike krerë të tjerë misionesh në rang të njëjtë. 2.) Të dërguar, ministra të jashtëzakonshëm dhe ministra fuqiplotë. 3.) Ministra resident. 4.) I ngarkuar me punë. Këto kategori të mësipërme janë përcaktuar që nga Kongresi i Vjenës, i cili themeloi shërbimin diplomatik. Në bazë të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike e vitit 1961, këto janë funksionet e diplomatit: 1.) Përfaqësimi i shtetit dërgues në shtetin pritës. 2.) Mbrojtja në shtetin pritës e interesave të shtetit dërgues dhe e shtetasve të tij, brënda kufijve të lejuar nga e drejta ndërkombëtare. 3.) Negocimi me qeveritë e shtetit pritës. 4.) Informimi me të gjitha mjetet e ligjshme për kushtet dhe zhvillimet në shtetin pritës dhe raportimi lidhur me ato të qeverisë së shtetit dërgues. 5.) Nxitja e marrëdhënieve miqësore ndërmjet shtetit dërgues dhe shtetit pritës, si dhe zhvillimi i marrëdhënieve të tyre ekonomike, kulturore dhe shkencore. Aparati i posacëm shtetëror për zbatimin e diplomacisë përfshinë Politikën e Jashtme të shtetit, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Shërbimet Diplomatike dhe Shërbimet Konsullore. Format dhe llojet e diplomacisë kanë evoluar, por disa nga më të rëndësishmet janë këto: 1.) Diplomacia Klasike. 2.) Diplomacia Moderne. 3.) Diplomacia Postmoderne. 4.) Diplomacia Tradicionale. 5.) Diplomacia e Fshehtë. 6.) Diplomacia e Hapur. 7.) Diplomacia Dypalëshe.8.) Diplomacia Shumëpalëshe. 9.) Diplomacia e Samiteve. 10.) Diplomacia Bërthamore.11.) Diplomacia Ushtarake dhe e Mbrojtjes. 12.) Diplomacia Parlamentare. 13.) Diplomacia Ekonomike. 13.) Diplomacia Kulturore. 14.) Diplomacia Personale. 15.) Diplomacia Tranzitore. 16.) Diplomacia Shtërnguese. 17.) Diplomacia e Qetë. 18.) Diplomacia Zyrtare. 19.) Diplomaci Publike. 20.) Diplomaci Qytetare. Diplomati amerikan Leon B. Poullada, bënë këtë klasifikim të funksioneve të diplomacisë: 1.) Menaxhimi i konfliktit. 2.) Zgjidhja e problemeve. 3.) Ndërveprimi ndër-kulturor për një gamë të gjërë çështjesh. 4.) Negocimi dhe marrëveshja. 5.) Menaxhimi i programit dhe i vendimeve të politikës së jashtme të një shteti tjetër. Sudiuesit Hans J. Morgenthau në librin “Politika ndërmjet Kombeve” i vitit 2008, përcakton tre funksione bazë të diplomatit për qeverinë e tij përgjatë shërbimit diplomatik: 1.) Funksioni Simbolik. 2.) Funksioni Ligjor. 3.) Funksioni Politik.
Diplomati është personi që emërohet nga shteti dërgues për të përfaqësuar dhe zbatuar Politikën e Jashtme në shtetin e akredituar me mision diplomatik. Këtu përfshihen Shtetet, Organizatat Ndërkombëtare, Institucionet Ndërkombëtare, Organizatat Rajonale, Organizatat Jo-Qeveritatare dhe Organizatat e Mbrojtjes dhe Sigurisë. Për shkak të rëndësisë së detyrës diplomati duhet të posedojë dhe zotërojë njohuri shumëdimensionale në këto drejtime:1.) Njohuri eksperti për gjeografinë, historinë, kulturën, institucionet, politikën, ekonominë, demografinë, burimet njerëzore, bujqësinë, financën, industrinë. 2.) Aftësi profesionale intelektuale për analizë, raportim, bisedim, negocim, përfaqësim, drejtim misioni, komunikim, prezantim në televizione dhe gjuhën e huaj përgjatë zbatimit të politikës së jashtme. 3.) Cilësi vetjake i sjellshëm, i qetë, i përshtatshëm, kurioz, i shkathët, kërkohen cilësi dhe njohuri të rralla për të qënë një diplomat i përkryer. Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike e vitit 1961, e përcakton në këtë mënyrë përbërjen e personelit të misionit diplomatik: 1.) Kreu i misionit. 2.) Pjesëtarët e misionit. 3.) Pjesëtarët e personelit të misionit. 4.) Pjesëtarët e personelit diplomatik. 5.) Agjenti diplomatik. 6.) Pjesëtar i personelit adminisrativ dhe teknik. 7.) Pjesëtar i personelit të shërbimit. 8.) Punonjës privat.
Së fundi, mendimtarët e mëdhenj si Nicolo Machiavelli, Francesco Gurcciardini, Hugo Grotius, Cardinal Richalieu, Abraham de Wicquefort, Ernest Mason Satow, Sir Harold Nicolson dhe Henry Kissinger kanë lënë një ndikim të rëndësisë epokale për zhvillimin e diplomacisë, secili kontriboi në konceptimin teorik dhe praktik të diplomacisë. Sidoqoftë diplomacia është përshtatur, përshtatet dhe do të përshtatet me të gjitha zhvillimet dhe të papriturat që rezervon e ardhmja e marrëdhënieve ndërkombëtare. Siguria dhe paqja ndërkombëtare bazohen fortë tek diplomacia sepse me anë të diplomacisë mund të forcohet sistemi ndërkombëtar, e drejta ndërkombëtare dhe respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në të gjithë globin. E ardhmja e diplomacisë është Diplomacia Globale, Diplomacia Kolektive, Diplomacia e Samiteve, Diplomacia Publike gjithmonë me hapin e kohës, sepse siç shprehet Hans J. Morgenthau: “Diplomacia është truri i pushtetit shtetëror”.
MERGATA-VENDLINDJA:Fund epokës së mërgatës pa shtet
Veseli: Mërgata të ndjejë se shteti i Kosovës është pranë saj. Mërgata nuk u ndal kurrë së punuari për atdheun tonë të dashur, gjurmët e duarve të saj janë dëshmi e përjetshme në historinë e çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës/
Ne Foto:Kryeparlamentari kosovar Veseli ne takimin me rreth 200 mërgimtarë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 22 Korrik 2015/ I japim fund epokës së mërgatës pa shtet, tha sot kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në një pritje të veçantë në ditën e dytë të aktivitetit “Bashkatdhetarët në Kuvend”.
Në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit, kryeparlamentari kosovar Veseli takoi rreth 200 mërgimtarë, duke atribuar atyre edhe meritën pse Kuvendi i Republikës së Kosovës sot bart këtë emër. Duke e konsideruar ditën e sotme të veçantë për të, kryetari Veseli tha se këto ditë vere janë të veçanta edhe për atdheun, kur ai ripërtërihet dhe rizbulon lidhjen e tij të fuqishme me bijtë dhe bijat e tij, që jetojnë dhe punojnë gjithandej botës.
“Në 20 vitet e fundit atdheu ynë ka kaluar nëpër ngjarje të mëdha historike. Roli i mërgatës sonë në këto ngjarje ka qenë i jashtëzakonshëm. Kosova nuk do të mbijetonte pa mbështetjen tuaj të nderuar bashkatdhetarë”, u shpreh Veseli.
Në vitet ‘90 të shekullit të kaluar, kur regjimi i atëhershëm serb e dëboi gjithë popullin tonë nga sistemi institucional, shtoi kryetari Veseli, me mundin e bashkatdhetarëve Kosova ngriti sistemi e mbijetesës dhe rezistencës ndaj këtij regjimi.
“Dhe kur nisi lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ju të nderuar bashkatdhetarë, ishit të parët që ju përgjigjët thirrjes së atdheut. Brenda një kohe të shkurtër e gjithë mërgata jonë u kthye në një logjistikë të fuqishme të luftës çlirimtare, një logjistikë që edhe shtetet më të organizuara do ta kishin zili. Mijëra djem lanë familjet e tyre, shkollat dhe vendet e punës nëpër shtetet perëndimore dhe u rreshtuan në njësitet e UÇK-së. Shumë prej tyre ranë dëshmorë, shumë humbën gjymtyrët e tyre. Ata sakrifikuan fatin e tyre individual për të mbrojtur dhe çliruar atdheun. Ne do të përkulemi përjetë para veprës dhe kujtimit të tyre”, theksoi kryetari i Kuvendit.
Kryeparlamentari Veseli tha se mërgata nuk u ndal kurrë së punuari për atdheun e dashur dhe se, gjurmët e duarve të saj janë dëshmi e përjetshme në historinë e çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.
Duke e konsideruar zhvillimin ekonomik si njërën nga sfidat kryesore të ditëve të sotme, kryetari Veseli tha se shteti ynë nuk mund të ecë përpara pa ndryshuar gjendja ekonomike, ndërsa stabiliteti makro-ekonomik ende varet në masë të konsiderueshme nga kontributi i drejtpërdrejtë i mërgimtarëve.
“Në anën tjetër, shërbimet që shteti duhet t’i kryej ndaj jush ende nuk janë në nivelin e duhur. Shpeshëherë kjo ndodhë për shkak të burimeve të kufizuara, por edhe për shkak të neglizhencës burokratike”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës
“Duhet dhënë fund epokës së mërgatës pa shtet. Mërgata jonë duhet të ndjejë se shteti i Kosovës është pranë saj, pranë halleve dhe nevojave të saj. Kjo nuk është vetëm borxhi historik që ky shtet ka ndaj mërgatës, por edhe një investim në të tashmen dhe të ardhmen e atdheut tonë”, u shpreh kryeparlamentari Veseli.
Në vazhdim, morën fjalën bashkatdhetarë nga shtete të ndryshme, të cilët falënderuan kryetarin Veseli që hapi dyert e Kuvendit për ta, duke u dhënë mundësinë të shohin nga afër mjediset e legjislativit të vendit.
Në emër të komunitetit shqiptar në Itali, përfaqësuesi i këtij komuniteti, Xhafer Berisha, kryeparlamentarit Veseli i ndau mirënjohje.
EKONOMI- NJE PROJEKT ME VLERA TE SHUMFISHTA
*Nëse do të gjejnë përkrahjen e shtetit, problemi i fermerëve të Korçës do të jetë i zgjidhur përfundimisht./
*Prodhimi i maltove për birrë sjell kultivimin e shumë bimëve dhe shitje të garantuar të tyre. Një sipërmarrës vendas ose i huaj do t’i jepte jetë projektit/
Shkruajne:Ing. Engjell Sina & Specialist Demir Arëza*/
Gjatë 25 viteve të fundit jeta e fermerit korçar nuk ka qenë e lehtë. Ata asnjëherë nuk kanë qenë të orientuar çfarë duhet të mbjellin dhe çfarë kërkohet në tregun vendas dhe të huaj. Mbi të gjitha nuk kanë qenë konkurues. Shpesh herë prodhimet e tyre kanë mbetur pa shitur dhe dëmi ekonomik për ta ka qenë i madh. E njëjta gjë ka vijuar për vite të tëra me radhë. Janë hedhur ide të ndryshme si mund të dilet nga kjo situatë por deri më sot përmirësimet nuk kanë qenë ato që priteshin. Jo rrallë herë është menduar për rindërtimin e fabrikës së sheqerit, por investitorët e huaj pasi shohin gjendjen e fabrikës nga afër, ikin ashtu siç vijnë dhe nuk duken më. Pas çdo ikje të tyre e ardhmja e fermerit bëhet edhe më e pashpresë, mirëpo e vërteta nuk paska qenka kështu.
Studimi
Nga studimi që kemi realizuar rezulton se prodhimtaria e fermerit në qarkun e Korçës i ka të gjitha mundësitë për të qenë e suksesshme dhe me të ardhura të garantuara nga shitja e prodhimeve të tyre. Studimi bën fjalë për një punësim të përhershëm në përmasa të mëdha të fermerëve të Korçës. Aktualisht këtë gjë e bazojmë te fabrika e malterisë, ndërtuar në Sovjan të Korçës dhe te fabrika e alkoolit në Maliq, ndërsa më pas edhe te ngritja e fabrikës së sheqerit nga vetë biznesmenët vendas, pasi kjo fabrikë do të bëhet vetiu e nevojshme dhe do të tërheqë vëmendjen e investitorëve. Ne jemi të gatshëm të ndihmojnë për realizimin e këtij projekti madhor deri në implementimin e plotë të tij. Studimi, siç e theksuam edhe më sipër, pretendon punësimin masiv të fërmerëve që merren me bujqësi si dhe të atyre që kanë për aktivitet blegtorinë, pse jo edhe një punësim prej disa qindra vetash në fabrikat që do të përpunojnë prodhimet e ardhura nga fermerët. Pra, bëhet fjalë për një nga projektet më të sigurta të prezantuar deri më sot
Çfarë do të prodhohet
Sigurisht, si në çdo projekt madhor, fillimi është i vështirë, por jo në këtë rast. Nga ana jonë është përllogaritur me detaje gjithçka: çfarë bimësh do të kultivohen, sa do të jetë sasia e prodhimit, kush do të jetë blerësi, pse tregu do të jetë i garantuar etj. Studimi në fjalë synon prodhimin e maltos për prodhimin e birrës dhe maltos aktive, prodhimin e mushtit nga patatja, prodhimin e alkoolit, prodhimin e niseshtesë etj, si dhe të një sërë produkteve të tjera që mund të përdoren më sukses në blegtori për vetë vlerat ushqyse që kanë dhe çmimet e leverdisshme. Gjithsesi, le të ndalemi edhe një çast te prodhimi i maltove. Për prodhimin e tyre kërkohet kultivimi i shumë bimëve bujqësore, ose më konkretisht, fermerëve të Korçës do t’u kërkohen sasi të tilla prodhimi, si: 6.600 ton patate industriale në vit; 6.600 ton panxhar sheqeri në vit; 3000 ton elb polistik ose grurë në vit; 9.600 ton elb dyfletësh në vit etj. Gjithashtu, kërkohen sasi të të konsierueshme frutash, si: rrush, mollë, kumbulla, dardhë, boçe pishe, ftonj etj. Pa u thelluar në detaje teknike, për informacion, mund të sjellim një shembull të tillë: nga sasia prej 9.600 ton elb në fund të procesit sigurohet një masë prej rreth 7.488 ton malto në depozitë (sillozet) e gatshme për t’u tregtuar. Përfundimi: nga 128.2 kg elb distik dyfletësh përfitohen 100 kg malto për birrë.
Mato aktive
Së dyti, do të realizohet prodhimi i maltos aktive që do të përdoret në fabrikën e alkoolit në Maliq gjatë përpunimit të patates dhe panxharit të sheqerit për prodhimin e distilateve alkoolike 70%, me reflektim dhe aromatizim të produktit. Në malterinë e Sovjanit do të përpunohen 3.000 ton në vit elb polistik apo ekuivalenti në grurë duke kaluar në të gjitha ciklet e procesit dhe do të përdoret direkt siç del nga procesi. Krejt sasia e kërkuar nga linja e alkoolit do të jetë 2.640 ton në vit malto aktive. Siç e thamë edhe më sipër, fillimisht gjithçka do të bazohet te dy fabrikat: e malterisë në Sovjan dhe e alkoolit në Maliq. Hapi i parë i këtij projekti do të jetë nënshkrimii një marrëveshjeje me pronarët e dy fabrikave, të cilët do të jenë blerësit e prodhimeve të fermerëve të Korçës.
Prodhim mushtit nga patatja
Gjithashtu në studimin tashmë të përfunduar, kemi parashikuar edhe prodhimin e mushtit nga patatja. Kjo linjë e studiuar si në stadin laboratorik ashtu edhe në provat pilot, shoqërohet detyrimisht me skemën e projektit teknologjik për prodhimin e mushtit në stadin industrial me përmasa të mëdha në listën e makinerive dhe pajisjeve të domosdoshme për ecurinë e linjës së prodhimit. Në kompleksin për rikonstruksionin e pajisjeve të fabrikës së niseshtesë në Maliq do të përpunohen rreth 42 ton patate në ditë në bashkëveprim me rreth 4.2 ton malto aktive në ditë. Nga kjo skemë, duke përpunuar rreth 42 ton patate dhe 4.2 ton malto aktive do të prodhohen rreth 42.000 litra musht maltose në 24 orë, njëkohësisht do të veçohen si bërsi rreth 40 ton me lagështirë. Gjithashtu kemi marrë parasysh edhe mundësinë e eksportimit. Për këtë arsye, do të përgatiten kampionaturat për përdorim brenda dhe jashtë vendit. Këto do të realizohen nga prova e parë teknologjike që do të realizohet me përmasa të mëdha dhe pasi të jenë rezultatet, krahas ndërtimit të frabrikës së sheqerit në Maliq të bëhet e mundur të funksionojë dhe ky kompleks (malteria Sovjan dhe fabrika e alkoolit Maliq), shumë afër njëra- tjetrës, e cila vuan vetëm për organizimin e aktivitetit dhe sigurisht me një shtytje dhe kujdes shtetëror. Ky do të ishte një rast i mirë dhe i shpejtë për punësim konkret dhe të vazhdueshëm në përmasa të mëdha të fërnërëve
Për blegtorinë
Pra, siç e theksuam edhe më sipër, nga prodhimi i 4.2 ton malto, veçohen edhe 40 ton bërsi me lagështirë. Kjo bërsi është shumë e përshtatshme si ushqim për bagëtitë, veçanërisht për lopët dhe derrat. Fermerët në këtë zonë do te kenë nevojë për bërsi sepse ato janë të përpunuara, me to krijohen receptura të ndryshme përzjerjeje, gjithashtu krijohet mundësia e ndërtimit të stallave të mëdha me shumë lverdi. Përveç prodhimeve të lartpërmendura, nga proceset teknologjike veçohen 16.500 ton në vit bërsi me lagështi që përbëjnë një ushqim ideal për të gjitha llojet e bagëtive. Ndërtimi i stallave të mëdha pranë objekteve të pasura me ujë të bollshëm, shërbimi do të ishte një aktivitet shumëfitimprurës në të cilën investimet nuk do të shkonin kot. Në atmosferë lirohet gaz karbonik, një gaz biologjik i cili për nevoja të ekonomisë mund të disiplinohet dhe të shfytëzohet duke u mbushur nëpër bombula me gaz ushqimor
Punësime në fabrika
Përveç punësimeve në bujqësi edhe punësimi në fabrikë do të jetë i ndjeshëm pasi do të punësohen me qindra persona. ku është e nevojshme të kryhen një numër i madh procesesh. Sjellja e lëndës së parë, e patates industriale dhe e maltos aktive sipas kërkesave teknologjike do të realizohet me makina. Kjo lëndë, patatja, do të depozitohet në kavaleta pastaj në bunkerin operativ të fabrikës. Para se të përdoret patatja industriale, fillimisht ajo ka nevojë për procesin e pastrimit nga dherat. Kjo do të realizohet me anë të larjes me ujë në lavatriçe që do të vendoset për ketë qëllim. Patatja para se të hyjë në këto procese ka nevojë të cpëzohet, mundësisht sa më imët, gjithashtu me makinerinë e përzjerjes dhe pompës së llumit realizohet më së miri homogjenizimi i tre komponentëve të ngarkesës. Patate –malto dhe tretësirë me ph të caktuar. Procesi teknologjik garanton kalimin e plotë të amidonit në maltozë. Përfundimisht në baterinë e pompave të fuqishme do të dërgohet në linja respektive të prodhimit të mushtit të frekuentur, nga i cili prodhohet alkool 95 gradë. Prodhimi ditor do të jetë musht parafermentimit 42.000 litra dhe bërsi me lagështirë 40.000 kg
Prodhimi i distilave alkoolike
Prodhimi i distilave alkoolike me 70% alkool në përbërje, i aromatizuar sipas llojit të frutit dhe kerkesës së tregut. Kjo do të realizohet në fabrikën e akloolit në Maliq, pajisjet e se cilës janë në gatishmëri të plotë. Aktiviteti i saj do të jetë ky: ditë pune efektive në fabrikë 300; prodhimi ditor 8000 litra aklool 100%, i konvertuar në distilat alkoolike me 70%, në volum alkool gjithsej 11.400 litra dhe i aromatizuar me frutin përkatës, si: rrush, mollë, kumbulla, dardhë, boçe pishe, ftua etj. Sasia vjetore e prodhimit të alkoolit 70% si distilat i aromatizuar 340.000 litra. Ky prodhim vjetor ka nevojë që sektori i bujqësisë të sigurojë prodhimet bujqësore të sipërshënuara. Distilati alkoolik me 70% alkool në përbërje do t’i nënshtrohet një analize të plotë fiziko-kimike dhe organoleptike
Realizimi i projektit
Për realizimin e këtij projekti madhor na duhet të organizojmë një grup projektimi për një periudhë tre mujore për të kryer projektin e plotë të rikonstruksionit të ish-fabrikës së niseshtesë në Maliq, e cila do të përshtatet për prodhimin e mushtit në formë maltose të parafermentuar. Kjo është lënda e parë për prodhimin e alkoolit etilik 95 gradë, shumë cilësore, konform normave të Bashkimit Europian, ai plotëson të gjitha normat organo-leptike dhe kimike. Me këtë iniciativë praktike lind domosdoshëmria e sigurimit të lëndës së parë përpunuese të patates industriale në vend. Kjo kombinohet me malton aktive të elbit ose të grurit, e cila prodhohet nga vetë fabrika ose mund të sigurohet nga malteria në Sovjan ose në formën ALFA dhe BETA. Atëherë, përfundimisht mund të themi, nëse do të gjejnë përkrahjen e shtetit, problemi i fermerëve të Korçës do të jetë i zgjidhur përfundimisht.
* Ne Foto:Ing. Engjell SINA