NGJARJE TRONDITËSE QË NDODHIN VETËM NË NJË SISTEM KANIBALËSH, SIÇ ISHTE KOMUNIZMI/
NGA HASAN KOSTRECI/ Lexova para disa ditësh deklarata dhe deponime për ngjarje të ndodhura gjatë diktaturës, qe rrëfen se komunizmi nuk ishte vetëm i egër dhe mizor, por edhe kafshëror. Ështe fjala për përdhunimet e kryera nga mjaft ish zyrtarë të asaj kohe si hetuesa, drejtora kampesh, drejtora burgjesh, kryetarë degash e deri përfaqësues të ministrisë së brëndëshme. Gjeste këto, të cilat të bëjnë të mendosh për nivelin e ulët dhe ordiner të atyre që na kanë drejtuar, por kur di që të njëjtën gjë bënë edhe “çlirimtarët” e ushtrisë së kuqe ruse me vajzat dhe gratë gjermane, kur hynë mbas kapitullimit të nazizmit në Berlin, nxjerr si konkluzion se kjo lloj fare është njësoj kudo që ndodhet dhe nuk ka moral, por kur t’i bën këto i huaji, është gjysma e keqes, por shqiptari shqiptarit, është shumë më e rëndë.
Ky fenomen, sepse më kujton diçka që më ka ndodhur kur isha i ri, i cili jo edhe aq prej tronditjes që pësova, se sa për një tjetër arësye, të cilën po e rrëfej; Po udhëtoja një mbrëmje në një zonë të thellë fshati, kur pa dashur u ndesha me një stan bagëtish. Një qen i madh sa një ujk më ndjeu dhe mbasi lehu vetëm njëherë, m’u versul, m’u hodh përsipër e më rrëzoi. U rrukullisa sëbashku me të dhe kur qëndrova, pashë që ai qe fare pranë meje, por nuk më preku dhe më mbajti ashtu pa lëvizur deri sa erdhi bariu.
“Po të ishte qen rrugësh, më tha një fshatar, do të kishte xhallavitur e shqyer nga rrobat, ndërsa qeni i stanit, është ndryshe, sepse ka një lloj fisnikërie”.
Edhe në botën shtazore, mendova, paska dallime dhe jo të gjitha kafshët qënkan njësoj. Por sa kohë i është dashur atij bariut për tä krijuar atë qen rracë, ndërsa komunizmi bëri të kundërtën, sepse dhe “njeriun e ri”, që krijoi, e bëri më të keq nga vetja.
Por e çutitëshme është, se si ka mundësi që ky lloj kontigjent të hipi një ditë aq lart sa të kapi edhe pushtetin? Për dikë që e ka provuar, përgjigja është e thjeshtë dhe nuk ka vështirësi për ta kuptur, ndërsa për një tjetër, i cili e njeh komunizmin vetëm në teori dhe për aq sa ka lexuar, është ndryshe, sepse kjo ideollogji është aq e maskuar dhe e sofistikuar, sa viktima nga ajo mund të ketë kurdoherë, bile edhe në kohën e sotme dhe jo vetëm në vënde të varfëra e të pa stabilizuara, siç është Shqipëria, por edhe në ato nga më të konsoliduarat dhe demokratiket në botë. Programet e saj janë tërheqëse dhe nuk gabojnë vetëm një naiv e i pa shkollë, por edhe një idealist, edhe një të pa suksesëshëm që ka dështuar në jetë, por kur në këto grupime heterogjene, hyn e penetron edhe mashtruesi, edhe gënjashtari, bile dhe terroristi, të cilët si të djallëzuar, pak e nga pakë arrijnë e dalin në krye, kjo turrmë atëhere merr drejtim tjetër dhe bëhet e rrezikëshme. Rast tipik është përsëri vëndi ynë. Komunizmin populli shqiptar nuk e njihte, por e përqafuan, sepse ai fillimisht u paraqit si baba e si nënë. Po dyshonin më vonë, kur nisi të tregohet me ta indiferent dhe të sillej si njerkë, po kur nga fundi u egërsua dhe u transformua në kuçedër sa nisi të hajë e të kollofitë edhe ata vetë, iu kundërvunë dhe në nëntëdhjetën kujtuan se e vranë. Por shtatë dekada e ca që ajo jetoi, kishte pjellë e përhapur në të gjithë vëndin aq shumë nga këlyshët e vet, sa edhe demokracinë nisën që ta shkatërrojnë, prandaj rreziku prej tyre është tepër serioz dhe neqoftëse edhe me ndihmën e ndërkombëtarëve, të cilët të alarmuar kanë ardhur dhe janë aktualishtsht prezent, s’do mundim dot që t’i zhdukim, kam frikë se përfundimin do kemi mjaft keq!