• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EDHE NJËHERË PËR SKAVICËN

February 2, 2022 by s p

Nga Dr. Adriatik Balla


Çfarë janë S-443 dhe S-485 dhe cilat janë fshatrat që fshihen nga harta?


Në vend të hyrjes


Kundër ndërtimit të Skavicës shprehen intelektualët, arkeologët, gazetarët, specialistët e çdo fushe, qytetarët e përgjegjshëm, thuajse i madh e i vogël. Pro tij shprehen dy-tre fshatarë të cilëve u kanë thënë se me ndërtimin e Skavicës mund të kultivojnë pafundësisht troftën (Salmo Trutta). “Peshq” të tillë që e hanë “karremin” ka në çdo vend, apo siç thotë populli “pyll pa derra s’ka”, por kulmi i ironisë arrin kur pushtetarët nuk dëgjojnë zërin e ajkës së mendimit dhe qytetarisë në Dibër. Si ka mundësi që asnjë krah politik në qarkun e Dibrës, në garë për zgjedhjet e prillit, nuk e përmend Skavicën?Në kohën e monizmit u bënë, për hir të së vërtetës, disa vepra të mira, përfshi këtu dhe hidrocentralet. Do të ishte ndërtuar edhe “Skavica”, sigurisht, por edhe pse i frikshëm ai sistem kishte, sidoqoftë, logjikën e peshores (sa fitojmë e sa humbasim). Kam folur me inxhinierë që kanë firmosur për hidrocentralet e tjerë dhe thonë që ky projekt u la për një kohë tjetër, sepse, nëse ndërtohej, më shumë kishte humbje se fitime. Tani që politikës po i shteron retorika e dalë boje prej 30 vjetësh (tranzicion ekzemplar me pasoja të rënda për shoqërinë), del dhe një herë në skenë “Skavica”. Dhe, siç ndodh zakonisht, pas këtyre projekteve fshihen plane korruptive e të errëta.
Disa të dhëna për hidrocentralet mbi lumin Drin dhe pikëpyetjet e Skavicës
Hidrocentrali i Vaut te Dejës, vënë në punë në nëntor 1971, ka 5 agregate dhe një fuqi 250 MW. Prodhimi vjetor i tij është 1.1 miliard kilovatorë (Pano N., “Pasuritë Ujore të Shqipërisë”, 2015).Hidrocentrali i Fierzës është vënë në shfrytëzim në nëntor 1978. Ka fuqi të vendosur prej 500 MW dhe punon me 4 agregate. Prodhimi vjetor i tij është 1.8 miliard kilovatorë (po aty).Hidrocentrali i Komanit filloi ndërtimin më 1979 dhe përfundoi më 1985. Ka fuqi të vendosur 600 MW dhe punon me 5 agregate. Prodhimi vjetor i energjisë është 2 miliard kilovator (po aty).Nuk ka të dhëna të sakta se sa do të jetë fuqia e hidrocentralit të Skavicës, sepse deri tani është ecur me supozime e hamendësime ordinere. E njëjta gjë vlen dhe për hidrocentralin e Ashtës, deri tani imagjinar. Hidrocentrali i Skavicës, për shumë arsye, nuk do të ketë prodhim që do të shpëtojë dhe zgjidhë përfundimisht çështjen e energjisë, prandaj këtu dalin disa përfundime e ngrihen disa pikëpyetje që kërkojnë sqarim.
1.Hidrocentrali, nëse ndërtohet, nuk do të ketë prodhim të mjaftueshëm të energjisë elektrike që të plotësojë përfundimisht nevojat e vendit, kjo është më se e sigurt.
2.Nuk ka argument të mjaftueshëm që do të shpëtojë Shkodrën dhe Lezhën nga përmbytja, të gjithë ata që i mëshojnë këtij fakti abuzojnë.
3.Nëse vihet në balancë përfitimi ekonomik midis produkteve bujqësore e blegtorale krahasuar me hidrocentralin, peshorja anon nga e para dhe këtë e ka vërtetuar edhe sistemi i kaluar dhe specialistët seriozë të atyre viteve.
4.Mund të fitohet një hidrocentral me jetëgjatësi 100, 200 ose 300-vjeçare, por përmbytet një histori mijëravjeçare.
5.Kryesorja: Si do të mund të shpërngulen mijëra familje, si do të kompensohet dëmi i tyre ekonomik, ku do të vendosen ata, çfarë pune do të bëjnë?
6.Kush do të përfitojë nga hidrocentrali? Sa prej këtyre përfitimeve shkojnë në interes të publikut?
7.Cilat do të jenë pasojat (efektet) anësore fiziko-gjeografike pas ndërtimit të Skavicës, në aspektin gjeologjik-hidrogjeologjik, gjeomorfologjik, klimatik, në florë dhe në faunë?
8.A është marrë parasysh mendimi i publikut? Nëse po, a ka pasur një referendum dhe cili ka qenë rezultati i tij?
9.Kush janë specialistët që kanë firmosur “pro”, si i kanë emrat, ku kanë punuar dhe çfarë botimesh paraprake kanë bërë ata për këtë çështje. Cili ka qenë argumenti i tyre?
10.Më mirë një Dibër pa hidrocentral, apo një Shqipëri pa Dibër? – Të jesh apo të mos jesh, kjo është çështja.
Çfarë janë S-443 dhe S-485?
Për ndërtimin e Skavicës po qarkullojnë lloj-lloj variantesh, njëri me kuotë më të ulët, i cili do të ishte krejtësisht katastrofë pasi nuk do të kishte rendimentin e kërkuar si dhe një kuotë të digës më të lartë që do të shkaktonte një katastrofë akoma më të madhe, një fatkeqësi kombëtare, pasi do ta zhdukte luginën e Drinit të Zi. S-443 ose h=443 m është kuota (izoipsi) e projektuar e digës së hidrocentralit në variantin e parë. Kjo kuotë e sjell liqenin që do të krijohet mbi urën e Topojanit. Pra e pushton edhe grykën e Hoteshit, që ndan pellgun e Dibrës në jug nga ai i Peshkopisë (Dibrës së Poshtme) në veri. Me këtë kuotë zhduket Dibra e Poshtme. Po S-485? h=485 është kuota (izoipsi) e projektuar për digën e Skavicës në variantin e dytë (sipas inxhinierëve partiakë pas 10 ose 15 vjetësh). Në këtë variant përmbytet komplet fusha e Gjoricës, aty ku është shkruar historia e Dibrës (kundër Hajredin Pashës), pra përmbytet edhe Dibra e Sipërme deri afër fshatit Bllatë.I pashë me kujdes hartat topografike, një për një, dhe u përpoqa të krijoj vetë izoipsin e liqenit të ardhshëm në variantin e parë dhe të dytë. Nëse zbatohet edhe varianti i dytë është një fatkeqësi e madhe kombëtare, sepse praktikisht i bie të zhbëhet Dibra, zemra e atdheut etnik.
Vendbanimet që zhduken nga harta
Ja disa prej fshatrave të njohur, të ndodhur pranë lumit Drini i Zi, që përmbyten nga “Skavica”(mos harrojmë se mbi këto kuota vihen në diskutim edhe shumë fshatra të tjerë që kanë tokën e bukës nën kuotën e digës, si dhe një brez 5-10 m lartësi mbi digë që bëhet i papërdorshëm):-Draj-Reç dhe Zall-Reç (340 m)-Zall-Dardhë (350-400 m)-Lugjaj-Shenlleshi-Zall-Kalis-Fushë-Cidhna (360-400 m), si dhe lagjet që shtrihen në anët e përrenjve Shtumbat, Blliçe, Laçaj etj.-Arrasi (370m)-Mustafe (disa lagje)-Kishaveci (390-500 m)-Kandri (Fusha e Thatë)-Vajmëdhenj dhe Kalaj-Disa lagje të Sinës (vendlindja e Kastriotëve), 450-500 m -Bresti i Poshtëm dhe Fushë-Kastrioti (450-550 m)-Kuben dhe Rreth-Kalaj-Fushë-Muhuri (400-500 m)-Fusha e Brezhdanit (400-420 m tek ish-stallat)-Katundi i Ri (430 m)-Një lagje e Selanit dhe një lagje e HoteshitMe S-485 dëmtohen edhe:-Gradeci dhe Kovashica (480 m)-Homeshi, Okshatina, Boçeva, Gjorica (450-550 m)-Izoipsi 500 m i afrohet fshatit Bllatë e Poshtme
D. Përfundimi: “Po” hidrocentraleve, “Jo” atij që varros Dibrën

Hidrocentralet janë gjë e mirë, energji e pastër, por ato ndërtohen atje ku logjika ekonomike është e shëndetshme. Të përmbytësh Dibrën ka pasoja të rënda.

1.Detyrohen të shpërngulen mijëra banorë (afro 20 mijë). Edhe sikur t’u ndërtohet gratis një qytet, shkohet në kolaps, pasi kjo popullatë nuk është e përgatitur (kualifikuar) për treg pune tjetër nga bujqësia dhe blegtoria, plus shërbimet që nevojiten kudo që t’i akomodosh.

2.Zhduken fshatra të tërë dhe krejt toka e tyre bujqësore dhe lugina e Drinit të Zi është nga më pjelloret e Shqipërisë. Një hidrocentral më shumë nuk është më mirë sesa një hambar më pak. Mos harroni, hidrocentralet kanë një jetëgjatësi të caktuar (sepse vjen një ditë e mbathen nga depozitimet), kurse fusha (lugina) është brez pas brezi.

3.Dëmtohet në mënyrë të pakthyeshme lidhja shpirtërore e banorëve me zonën.

4.Varroset historia e lavdishme e Dibrës, histori mijëravjeçare, ku spikat si “Olimpi”, Historia e Skënderbeut, heroit të vetëm kombëtar të shqiptarëve. Nuk ka Skënderbe pa Dibër e pa Dibër nuk ka Shqipëri.

5.Në luginën e Drinit të Zi, nuk do të oshëtijnë më këngët e Azis Ndreut, Qerim Sulës e shumë e shumë artistëve me nam të kësaj toke, por nën mjegullën që do të krijohet dhe nga thellësia e liqenit do të dëgjohet vetëm zëri i bretkosave. Shpata e Kastriotit do të zëvendësohet me kallamat buzë kënetës. Këtu vdes dhe mbyllet historia.
Në vend të mbylljes…
Që të mos dëgjojmë nesër bretkosat, duhet ta ngremë zërin sot, ndryshe “Skavica” e varros Dibrën. “Këshillat” se me ndërtimin e liqenit do të vijë jeta përrallore, me turizëm unik, peshkim fantastik dhe udhëtim biblik, janë përralla që nuk i hanë as budallenjtë.
P.s. Ky status shpreh mendimin tim personal, të bazuar në disa fakte. Mund të jetë një gjykim emocional, por nxitimi për të bërë projekte pa i analizuar mirë dhe pa marrë mendimin e banorëve është, në pikëpamjen time, abuziv.

Filed Under: Opinion Tagged With: adriatik balla, Skavica

NDAL DORËS QË PO MBYT DIBRËN…

January 11, 2016 by dgreca

* Qeveritarët flasin për digën por askush nuk flet se si do t’i lëvizin varret e njerëzve tanë…/
(Nga fjala e një kryetari fisi në Namibi i cili për të mbrojt trojet, kulturën, varret e të parëve të tyre nga “diga” e ngriti zërin deri në Stokholm, Londër, Paris, Romë…)/
*Para se të ndërtohet një shtëpi e vetme në botën e qytetëruar në vendin ku hapen themelet zbresin të parët arkeologët të cilët mbajnë përgjegjësi për ato dhjetëra metra katrorë ndërtim…
Nga Abdurahim Ashiku-Athine/
Ndërsa Shqipëria notonte në ujërat e rrebeshit të 6 janarit, gazetat si në një kob njoftonin për skenarë të zinj për heqjen nga harta gjeografike e Shqipërisë të luginës së Drinit të Zi, mbytjen e Dibrës nga gjoli i Skavicës.
Nuk do të zbres në “rrënjë” të projektit të ndërtimit të Skavicës këtu e më se tre dekada më parë. Qeveria e asaj kohe nuk e bëri edhe pse ishte në gjendje (si në rastin e Ulzës, Fierzës, Banjës…) të krijonte një “Dibër të Re” në ultësirat bregdetare, nga Velipoja në Ksamil.
Nuk e bëri as Nano që deshi të sillte për ndërtim një firmë italiane, as Berisha që si dr. Ing. bëri ndryshime në projekt për të shpëtuar disa bërraka në fshatrat shqiptare nën Maqedoni…
Po bën zë për ndërtimRama me miratimin (pa zë e figurë) të deputetëve të Dibrës dhe ministrit të financave të cilëve dibranët ia dhanë votën për premtimin se do të ndërtonin Rrugën e Arbërit dhe do ta mbronin Dibrën.
Skavica, alias mbytja e Dibrës, ka dalë kohët e fundit në “qiell të hapur”edhe pse dyert e blinduara të shtetit mbahen për të sigurta.
Kohë më parë, kur gjysma e qeverisë ishte në Pekin “krye marrëveshje” ishte ndërtimi nga ana e një konsorciumi kinez i hidrocentralit tepër të përfolur të Skavicës. …Një ditë pas nënshkrimit të “Memorandumit të Bashkëpunimit” midis Ministrisë së Energjitikës dhe kompanisë Power China, ministri Damian Gjiknuri deklaroi se ka pasur një diskutim shumë intensiv për hidrocentralin e Skavicës…por që nuk u konkretizua me marrëveshje…
Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri do ta harronte shpejt këtë duke thënë se ndërtimi i kësaj vepre; “nuk u konkretizuan në marrëveshje…”
Më 27 dhjetor 2015ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj deklaroi se do të jetë kompania turke Suzer&NurolGroup, ajo që ka marrë përsipër ndërtimin e veprës në fjalë.
Pas kësaj vjen një lajm tjetër, me emër e mbiemër tjetër “Katundi i Ri”
…Qeveria shqiptare i ka akorduar më 23 dhjetor 2015 një bashkimi kompanish turke, “SuzerGroup” dhe “NurolHolding”, një bonus në masën 8 pikë për ndërtimin e një koncesioni të quajtur Katundi i Ri. (Për këtë do të shkruajmë më vonë)
Një konglomerat vendimesh e njoftimesh që dibrani i thjeshtë që do t’i mbytet toka, varret e të parëve, historia, kultura, gjithçka, hap sytë dhe tund kokën pa kuptuar asgjë.
Shteti i diktaturës ia merrte tokën shqiptarit pa e pyetur sepse tokën, me kushtetutë e kishte shpallur “pronë shtetërore”. Shteti i demokracisë ndonëse e ka shpallur pronën “të shenjtë” hesht.
Në Nenin 23 të Kushtetutës shkruhet…
“E drejta e informimit është e garantuar”.
Në Nenin 41 shkruhet…
“Ligji mund të parashikojë shpronësime ose kufizime në ushtrimin e së drejtës së pronës vetëm për interesa publikë”.
“Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë”.
Në zbatim të Kushtetutës, përpara se Qeveria të merrte vendimin ( Fletore Zyrtare 7 janar 2015) duhet të bisedonte me popullin e Dibrës, me pronarët e Luginës së Drinit të Zi deri në hollësi.
Por për çfarë duhet të bisedohet në Dibër, me pronarë të ligjshëm të tokës por edhe me “pronarë” të historisë, kulturës vlerash të mëdha arkeologjike, gjeologjike, religjioze e të tjera që lidhen me hidrocentralin e Skavicës. Shtetarët e shohin vetëm tek drita që “sjell” duke lënë mënjanë “errësirën që mbjell”.
I kemi shtruar (një grup intelektualësh) problemet për “errësirën që mbjell” Skavica në një sërë shkrimesh një pjesë e madhe përmbledhur në librin “PO DIBRËS! JO SKAVICËS!, botuar në vitin 2010. Kanë kaluar më se gjashtë vjet dhe askush nuk është ulur me popullin e Dibrës, me historianët, arkeologët, gjeologët, krijuesit etj. të diskutojë qoftë edhe një orë të vetme për problemet që lidhen me HEC-in e Skavicës. Nuk e kanë bërë dje, nuk po e bëjnë as sot. Luginën e Drinit të Zi e ka mbuluar mjegulla natyrore ashtu siç ka mbuluar errësira transparencën shtetërore.
Në këto shënime do të merrem me ministrat e qeverisë Rama;DamianGjiknuri dhe Arben Ahmetaj me emër të plotë dhe me deputetët e Dibrës, të majtë e të djathtë, pa zë e pa figurë.
Nuk e di se çfarë profesioni qytetar kanë “Dy Ministrat” përndryshe do t’ju flisja më drejtpërdrejt. Nuk e di edhe nga janë dhe çfarë interesash i çojnë në Skavicë duke u rrëmbyer në mënyrën më të turpshme banorëve të Dibrës jo vetëm tokën por edhe historinë e kulturën.
E dini ju të nderuar ministra se sa tokë, nga toka më pjellore e Dibrës përmbytet dhe sa banorë do të enden si çifuti në shkretëtirë për një copë truall për jetën e tyre dhe të pasardhësve të tyre?
E dini ju se 18 beteja fituese (nga 24 gjithsej) të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut përfundojnë në fund të “liqenit të vogël“?
E dini ju se Kastrioti ku është vërtetuar tashmë historikisht se lindi dhe u rrit Gjergji i Gjon Dibranit-Kastriotit përfundon nën ujë?
E dini ju se beteja e parë historike e shqiptarëve të bashkuar kundër perandorisë otomane, Torviolli mbytet?
E dini ju se para se të ndërtohet një shtëpi e vetme në botën e qytetëruar në vendin ku hapen themelet zbresin të parët arkeologët të cilët mbajnë përgjegjësi për ato dhjetëra metra katrorë ndërtim?
Dibra zotërinj, me ndonjë përjashtim të rrallë si Kalaja e Grazhdanit, nuk e ka parë kazmën dhe furçën e arkeologut për shkaqe të asaj që qeveritë e djeshme dhe të sotme e kanë parë siç shihet lopa nga gjinjtë dhe jo nga goja?
E dini sa krom ka dalë nga nëntoka e Dibrës dhe ku kanë shkuar të ardhurat në flori nga eksportimi i tij, kur Dibra është treva më e sakatuar në rrugë kryesore e rurale ?
Në historinë e shekullit të kaluar njihen dy dyndje të mëdha të Dibranëve, dy shpërngulje do të thosha apoliptike të dhunshme nga trojet e tyre.
E para ishte ajo e vitit 1913 kur fuqitë e mëdha e prenë Shqipërinë si berr mes për mes kurrizit dhe ata u vendosën (qytetarët e Dibrës së Madhe) në Tiranë ku edhe sot ka një lagje nga më të mëdhatë që quhet “Mëhalla e dibranëve“
E dyta ishte ajo e viteve nëntëdhjetë kur dibranët si e gjithë Verilindja dhe Veriu, si pasojë shuarjes së të gjitha punëve dhe e mohimit (edhe sot e kësaj dite) të pyllit si pronë e tyre shekullore që i ka mbajtur me bukë dhe me strehë përballë asimilimeve historike, ikën pa e kthyer kokën pas, me nga një gjysmë IFA ngarkuar me anje dërrasash me të cilat ngritën barakat në rrethinat e Tiranës dhe të Durrësit…
Megjithatë Dibra ende mbijeton. Këtë mbijetesë të saj ju doni ta shuani.
Doni të mbytni varret e të parëve, varret e luftëtarëve që ranë në beteja heroike me serbin për ta pasur Luginën e Drinit të Zi shqiptare.
Doni të shuani historinë, kulturën, traditat gjithçka me vlerë të madhe kombëtare që ka krijuar kjo krahinë në “qendrën gjeografike të shqiptarëve“.
E dini se ku është “qendra gjeografike shqiptare“, “Verduni shqiptar“ zotërinj ministra? Në qoftë se nuk e dini gjeni një hartë shqiptarësh autoktonë në trojet e tyre shekullore dhe bëni matjet. Matjet do të çojnë në Dibër…
Nuk e di zotërinj ministra në se e keni lexuar referatin “Shpërngulja e arnautëve“ të shovinistit të tërbuar serb VasoÇubriloviq, platformën e tij për t’i shkulur shqiptarët nga trojet e tyre shekullore. Lexoje zotëri, sidomos atë pjesën ku programohet dëbimi i 40 mijë familjeve shqiptare (dyqind mijë vetë), pjesë e cila më ngjan me shpërnguljen dibranëve sot nga trojet e tyre në Luginën e Drinit të Zi.
Dua të ju pyes zotërinj si do ta administronte shteti shqiptar shpërnguljen e 40 apo 60 mijë dibranëve që llogaritet tu përmbytet gjithçka?
Sa do tu paguhet atyre në odisenë e ikjes nga vendlindja?
Sa do të vlerësohet toka e tyre, shtëpitë dhe katanditë?
Po të vlerësohej me çmimin e tregut të tokës që në Dibër është 80 – 100 lekë për metër katror, paratë që ata do të merrnin nuk do të mjaftonin me mbush një kamion me anie e dërrasa e jo për të blerë tokë e ngritur shtëpi.
Të përmbyturit nga liqeni i Fierzës ka kohë që bërtasin dhe kush nuk i dëgjon.
Gërdeci ku ndodhi një krim i shëmtuar me përgjegjës shtetin është treguesi më i qartë se pushteti dhe shteti në Shqipëri janë në koma.
Dua të ju pyes zotërinj a do të pranonin banorët e ultësirës bregdetare shqiptare që nga Velipoja në Ksamil që në tokën që morën produkt i bonifikimit me djersën e gjakun e minatorëve të kromit të lëshonin nga një apo dy dynymë truall për vendosjen e familjeve dibrane?
Mund të vazhdoj gjatë të nderuar ministra me pyetje e argumente.
Në qoftë se i lexoni këto radhë të nderuar ministra shkoni një javë në Dibër ose më e pakta merrni kontakt me historianin dhe kryetarin e nderit të shoqatës “Për Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi“ zotin Ali Hoxha, me historianin Përnezha e Murra, me arkeologun dr. Adem Bunguri, me… dhe intelektualë të tjerë. Ata do t’ju japin argumente të gjëra që do tua ndryshojnë mendimin.
Në qoftë se jeni inxhinierë hidroelektrikë, atëherë do të ju rekomandoja të merrnit kontakt me ata specialistë që para tridhjetë vjetësh argumentuan se vetëm me ngritjen e hidrocentraleve të vegjël mbi kanalet ujitëse prodhimi vjetor i energjisë elektrike shkonte nga 16 milionë kilovat/orë në 220 milionë kilovat/orë energji elektrike në vit, aq sa e tërë Dibra të ngrohej e gatuante me energji elektrike.
Do të ju rekomandoja edhe një gjë tjetër. Merrni ata që studiuan Skavicën dhe i çoni në tërë degëzimet e Drinit të Zi: në Mallë, Veleshicë, Setë, Gramë, Murrë, Okshtun etj. Ngrini me ta “diga“ me mjete ndërtuese vendore, llogarisni sasinë e ujit dhe prodhimin e energjisë elektrike…Jam i sigurt se sasia e ujit dhe prodhimi i energjisë elektrike në hapësirën në fjalë do të ishte më e madhe nga sa argumentoni ju me ndërtimin e Skavicës…
Nga disa lajme zyrtare mësohet se vetëm në hapësirën ujëmbledhëse të zonës Klenjë, Ostren, Okshtun janë dhënë këto kohë leje ndërtimi për hidrocentrale të vegjël prodhimi i të cilëve bashkërisht llogaritet mbi 150 milionë kilovat/orë.
Po ju them edhe një gjë zotërinj. Po të ngrihet një digë hidrocentrali mbi Setë, pak më lart se hidrocentrali ekzistues, do të formohej një liqen pasqyra ujore e të cilit do të shkonte deri në Gurë Lurë. Do të lundrohej nëpër të me gondola për të vazhduar më tej me teleferik drejt Liqenit të Luleve dhe Fushës së Pelave…
Turistët do të lexonin, duke parë trasenë e kanalit të Setës nëpër shkëmbinjtë e Gjalicës, një fletë të shkruar nga ndërtuesit dibranë me një heroizëm të pashoq.
Skavicae vdes përgjithmonë turizmin dibran, atë që lidhet me malet dhe me luginën e bukur të saj …
Edhe një pyetje të “fundit“ të nderuar ministra. Sikur pellgu i lartë i lumit Devoll, prurjet mesatare të të cilit janë shumë pranë me ato të Drinit të Zi dhe lartësia mbi nivelin e detit dyfish me atë të Luginës së Drinit të Zi, të mendohej si një rezervuar i madh dhe hidrocentral (me të njëjtin funksion si të Skavicës), të përmbytej e tërë zona nga Maliqi deri në Bilisht me të tëra vlerat e veta parahistorike (Kultura e Maliqit) dhe historike dhe kjo do të bëhej “falas“ nga ndonjë kompani italiane, greke, turke, amerikane etj., etj. si do të reagonit? Do të bënit thirrje që të mos ndërtohet rezervuari dhe hidrocentralet që do të vinin njeri pas tjetrit në atë rënie prej rreth 800 metro mbi nivelin e detit? Unë nuk do ta pranoja një gjë të tillë edhe pse mua nuk më prek asnjë lloj interesi ashtu siç nuk më prek edhe ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës.
Ju thashë disa, pa folur për të tjerat, të cilat po ua lë ju t’i thoni.
Mos kërkoni ta mbysni Dibrën zotërinj ministranë interes të një firme turke e cila donë të ngulë thonjtë në tokën e një prej trevave më në zë në historinë e popullit shqiptar, duke e zhbë atë. Paraardhësit e tyre turqit osmanlinj nuk e mposhtën dot Dibrën edhe me tradhtarë të tipit Hamza Kastrioti e Ballaban Pasha. Mos u bëni bashkëpunëtorë dhe kobure të shkatërrimit…
Shkoni në Dibër, uluni në odën dibrane duke mos harruar të merrni me vete tre gjëra:
NJË METËR, NJË KUNJ THANE TË MPREHUR NGA TË DY ANËT DHE NJË KANDAR

Filed Under: Opinion Tagged With: Abdurrahim Ashiku, NDAL DORËS, QË PO MBYT DIBRËN..., Skavica

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT