Kjo idé lindi në Zvicër/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ/
Në një prej ditëve të shtatorit ne gazetarët e APES patëm një vizitë të jashtëzakonshme në Payerne, të organizuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme dhe Présence Suisse. U takuam me Bertrand Piccard, inventorin e avionit Solar Impulse dhe Solar Impulse 2 që fluturon me energji diellore dhe me bashkëpunëtorin e tij të ngushtë André Borschberg, të këtij projekti që përmban edhe fantazinë e Zhyl Vernit edhe të Steve Jobs. Solar Impulse 2 synon të frymëzojë botën, duke e ushqyer me diell – „Inspiring the world, powered by the sun“. A nuk është mrekullia vetë kjo idé ! Q ka lindur në Zvicër dhe ideatorët e saj janë zviceranë.
Dita jonë nisi me stressin kur ne gazetarët kemi për të mbuluar dhe treguar për diçka sensacionale, është pak të thuhet, diçka prej nga ku bota pret të nisë një rrugëtim të ri, jo më duke konsumuar burimet e vetvetes, duke ngrënë veten e saj, pasuri të cilat janë të pakthyeshme. Edhe për Bertrand Piccard dhe André Borschberg ishte ditë e veçantë sepse, ndërsa ne nxitonim duke pirë kafen e mëngjezit këtë 9 shtator për të kapur trenin e duhur, se përndryshe humbisnim takimin, André Borschberg bënte fluturimin e tij test me Solar Impulse 2, (test që Piccard e kaloi po shkëlqyshëm disa ditë më vonë) i cili përfundoi me sukses të plotë pikërisht posa ne kishim arritur në kuartierin kryesor, ku ndodhej edhe hangari dhe avioni me energji solare e shoqëruesja jonë na bëri me dije se pas pak dy pilotët do të ishin midis nesh.
Po cilët janë Bertrand Piccard dhe André Borschberg.
Bertrand Piccard vjen nga Familja Piccard e njohur në të gjithë botën për kapacitetet gjeniale nga ata që popullojnë botën e Silicon Valley. Ju e dini se gjithë truri i botës së përparuar është i vendosur në Silicon Valley, duke nisur nga Apple, Microsoft, Facebook, Google, Xerox, Yahoo. Familja Piccard bën përjashtim, sepse nuk është amerikane.
Gjyshi i Bertrand Piccard, Auguste Piccard, fizikan, ishte mik i Albert Einstein dhe Marie Curie, ai është shpikës i batiskafit dhe njeriu i parë që arriti në stratosferë.
I biri i tij dhe i jati i Bertrand, Jacques Piccard ishte njeriu i parë që, në vitin 1960, bashkë me eksploratorin dhe oqeanografin amerikan Don Walsh, me Batiskafin ‘Trieste’ preku fundin e Gropës Marian, me thellësi 10.916 metra, e cila gjendet midis vullkanëve nëntokësorë afër Japonisë, Filipineve dhe dhe Guinesë së re në Oqeanin Paqsor.
Njeriu i tretë në botë që ka arritur në fundin e kësaj grope është regjisori i Titanikut dhe Avatarit James Cameron në marsin e 2012.
Me këta njerëz të jashtëzakonshëm është rritur Bertrand Piccard. Prej të jatit ai është njohur: me Hermann Geiger, pilotin e akullnajave që zbriti i pari në Alpet e Zvicrës, i konsideruar hero kombëtar në konfederatën helvetike; me Charles Lindbergh, piloti i parë që kaloi oqeanin Atlantik më 1927 nga Garden City në New York’s Long Island në Le Bourget Field, Paris, Francë; apo me Wernher von Braun, shpikësin e raketave që më vonë do të ishte edhe drejtor i NASA-s.
Prandaj s’kishte mundësi tjetër Bertrand Piccard, veç të vijonte në gjurmët e tyre. E nisi rrugën si një mjek i botës së brendëshme njerëzore, u bë psikiatër i specializuar në hipnoterapi.
Më 1999 ai bashkë me britanikun Brian Jone bëri udhëtimin rreth botës me ballonën që mbante emrin Breitling Orbiter 3. Ata u nisën nga Zvicra dhe aterruan në Egjypt pas rreth 46 mijë kilometrash, fluturim që zgjati rreth 21 ditë. Por ky fluturim veç i nxiti fantazinë.
“Breitling Orbiter 3 ishte aventura e fundit aeronutike e shekullit XX, Solar Impuls do të jetë e para e shekullit XXI”, do të thoshte Piccard kur paraqiti projektin e tij më 2003. Sipas tij Solar Impuls është vijimësi e historisë të aviacionit nga Vëllezërit Wright, 100 vjet më pas, kësaj here duke shkruar një histori të re, me energji diellore.
Në një intervistë tek Corriere della Sera botuar këtë vit, Piccard do të tregojë se si i lindi ideja e Solar impuls: “Përpara pesëmbëdhjetë vitesh kur do të aterronim me ballonën Breitling, në fund të udhëtimit rreth botës, kishin mbetur vetëm 40 kile gaz propan nga 3700 që e furnizuam ditën e nisjes. E gjithë kjo ndërmarrje rrezikonte të dështonte sepse gati u mbarua gazi. Atëherë bëra një premtim se xhiron tjetër të botës,do ta bëja pa karburant. Dhe kështu lindi ideja e Solar Impuls.”
Piccard janë familje eksploratorësh, gjyshi ka shkuar në stratosferë, i jati në pikën më të thellë të oqeanit, kështu që Bertrand Piccard mbetet të bëjë një shpikje që t’i tejkalojë paraardhësit e tij.
Dhe nuk ka diçka më spektakolare dhe të hatashme se sfida Solar Impulse – dhe Solar Impulse 2, të cilën Piccard e ndan me bashkëpunëtorin e tij të ngushtë André Borschberg.
A mendoni pak se çfarë do të thotë kjo? A nuk vazhdojnë të mbeten shkak i luftrave të ndyra burimet e energjisë, varësia prej tyre, ndaj naftës dhe gazit, ndaj Arit të zi, vajit të gurit apo karburanteve. Këto janë burime të energjisë fosile, energji e pa rinovushme që jo vetëm ka një kosto të madhe, që jo vetëm ia shterojnë burimet natyrore globit, por shkaktojnë edhe tragjedi në ekosistem përmes skorieve radioaktive apo efektit i gas serra.
Solar Impuls e ndal shkatërrimin e botës, e ndërpret burimin e luftrave dhe i jep shans gjithë botës ta jetojë jetën si duhet!
Duke folur me ne gazetarët Piccard nënvizoi se projekti i tyre nuk është politik. Nuk është as i gjelbër – green – në anglisht – është – clean – tha ai – duke bërë një lojë rimash, domethënë është një projekt i pastër, për të përfituar energji në mënyrë të pastër e të pashterrëshme.
Projekti nisi në nëntorin e 2003. Shtypi i asaj kohe do të shkruante: “Pasi kalëroi erën, Piccard po kalëron diellin”. Por i besonin të gjithë. Sepse vinte prej një dinastie shpikësish. Bertrand e paraqiti projektin e tij në Universitetin Politikenik Federal të Lozanës – Ecole Polytechnique Fédérale de Lausanne (EPFL) – me emër shumë të famshëm në botë, të cilit shteti i Zvicrës i siguron një buxhet që shkon rreth 1 miliardë $. EPFL e quajti avionin e Piccard “laborator fluturues” dhe pranoi menjëherë të bënte një studim të fizibilitetit, drejtimi i të cilit iu besua André Borschberg, me profesion inxhinier dhe pilot i Swiss Air. Prej atij momenti, midis dy burrave Piccard e Borschberg u farkëtua një miqësi e fortë dhe ata vendosën të punonin së bashku. Dhe nuk janë ndarë prej asaj kohe, duke i kaluar të gjitha sfidat së bashku.Testi i parë i Solar Impulse u bë në dhjetor të 2009. Në prill të 2010 ishte fluturimi i parë. Në korrik 2010 fluturimi zgjati 26 orë natën dhe ditën. Më 13 maj fluturimi për herë të parë zgjati 13 orë nga Payerne në Bruksel, ku dy pilotët ishin ftuar nga BE. Në maj-qershor 2012 ishte fluturimi i parë interkontinental nga Payerne- Madrid- Rabat-një qytezë e Marokut dhe kthim. Më 2013 fluturimi i dytë interkontinental në SHBA, coast-to-coast nga njëri oqean tek tjetri në linjën San Francisco-Phoenix-Dallas-St.Luis –Washington D.C.-New York City. Ky fluturim u sponsorizua nga manjati amerikan Larry Page, një nga themeluesit e Google i mrekulluar nga shpikja e Piccard, sepse Piccard e kthen në realitet moton kryesore të jetës së tij: “Kur njerëzit thonë se kjo është e pamundur, kjo është ekzaktësisht arsyeja se përse ne përpiqemi ta bëjmë të pamundurën të mundur.”
Sfida dhe destinacioni i ri i tyre në vitin 2015 është fluturimi rreth botës. Ata do të fluturojnë me Solar Impulse 2, avion me një kabinë një vëndëshe. Ata do të fluturojnë pa një pikë kaburanti, si kanë vepruar deri më tash. Udhëtimi i tyre do të përshkojë 35 mijë kilometra, në një mision që do të zgjasë 5 muaj – nga marsi deri në gusht të 2015. Ata do të fluturojnë në lartësitë që shkojnë mbi 9000 metra me një avion i cili e ka krahhapjen rreth 72 metra, pak a shumë sa një Airbus A380, ama jo 500 ton, por vetëm 2300 kg, sa një veturë, me një shpejtësi që varion nga 35 deri140 km në orë, me një mesatare prej 70 km orë.
Solar Impulse përfaqëson ëndërrën e dy pilotëve, që janë eksplorimi, kërkimi shkencor dhe promovimi i vlerave njerëzore në raport me tokën dhe ambientin. Shfrytëzimi i energjisë diellore është e ardhmja e planetit tokë. Në vitet ’60 njeriu ëndërronte të shkonte në Hënë, sot sfida e shekullit dhe milenarit është në fushën e energjisë të pashterëshme, ashtu si edhe lufta kundër varfërisë dhe kërkimi në fushën e shkencës dhe mjeksisë.
Prandaj në fillim Solar Impulse dhe tani Solar Implulse 2 si sfida e milenarit ka partnerë, sponsorë dhe mbështetje. Partnerët kryesorë të Solar Impuls 2 janë firma me reputacion të padiskutushëm në rrang botëror që garantojnë suksesin, si SOLVAY, OMEGA, SCHINDLER, ABB. Pastaj ka partnerë zyrtarë si Bayer MaterialScience, Altran, Swisscom und Swiss Re, pastaj ka mbështetës institucione zyrtare si European Space Agency, EPFL, IATA,(International Air Transport Association), Dassault Aviation.
Kanë edhe një komitet patronazhi me personazhë të famshëm të botës si Buzz Aldrin, njëri prej Astronautëve të Apollo 11,Robert Swan që ka arritur i pari në të dy Polet, Sir Richard Branson, James Cameron, Princi Alberto II i Monte Karlos, Elie Wiesel , Al Gore, Paulo Coelho etj.etj.
Kanë përkrahës edhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB Ban Ki-Moon, i cili i priti të dy në Pallatin e Qelqtë në New York, më 9 korrik 2013, kur Solar Impuls ndërmori udhëtimin e dytë interkontinental, kësaj here në SHBA. Është shumë impresionuese deklarata e Ban Ki-Moon me këtë rast: “Është një ditë me diell sot në Kombet e Bashkuara. Shumë njerëz romantikë e lidhin diellin me poezinë dhe muzikën. Ndërsa mysafirët tanë sot këtu e shfrytëzuan fuqinë e diellit të fluturojnë nëpër qiej.”, shkruan në deklaratën e tij Sekretari i Përgjithshëm i OKB dhe më tutje midis të tjerave vazhdon: “Unë i uroj mirëseardhjen Solar Impulse në udhëtimin nga San Francisco në New York. Ndoshta Sekretari i Përgjithshëm i ardhshëm i OKB, ai ose ajo do të udhëtojë me një avion solar. Prandaj unë kam rastin e jashtëzakonshëm dhe nderin të takohem me dy pionierë kurajozë, Bertrand Piccard dhe André Borschberg, të cilët e bënë të mundur fluturimin e Solar Impulse. Unë u thashë atyre se ata janë si vëllezërit Wright, të cilët provuan se njeriu mund të fluturojë. ..Unë e vlerësoj kurajon e këtyre pionierëve, sepse suksesi i tyre do të jetë sukses i njerëzimit.”… “Pasi planetit tone i kanoset një rrezik serioz nga impakti i ndryshimeve klimaterike…Kam vizituar zonat e krizave nga klima të planetit tonë në Arktik dhe Antarktikë dhe prandaj kam lancuar dy vjet më pare inisiativën për Sustainable Energy for All – Energji e Qendrushme për të gjithë, (për të arritur akses në burimet natyrore universale, me qëllim përmirësimin në eficiencën e energjisë duke rritur energjinë e rinovushme – shënimi në parantezë është i autorëve të shkrimit). “Këtë qëllim ka edhe takimi i sotshëm, sepse këto përpjekje duhet t’i bëjnë bashkë dhe t’i bashkojnë partnerët nga qeveritë, shoqëria civile dhe sektori privat. Pasi arrihen tre objektiva: Së pari, sigurohen burime moderne të energjisë për 7 miliardë njerëz, të cilët në vitin 2030 do të bëhen 8 miliardë; së dyti, dyfishohet efiçensa e energjisë dhe së treti, dyfishohet energjia e rinovushme në plan global. Dhe Solar Impuls ka lidhje me këto objektiva lëshuar nga OKB”, nënvizon në deklaratën e tij Ban ki-Moon me rastin e takimit të tij me Bertrand Piccard dhe André Borschberg.
Nisur nga koha kur ka nisur projekti i Solar Impulse që është viti 2003 dhe iniciativa e Sekretarit të Përgjithëm që është 2010, mund të thuhet se Solar Impulse i ka paraprirë iniciativës ardhur nga OKB. Por kjo pak rëndësi ka. Ajo që duhet të thesohet është se Ban Ki-Moon është përkrahës dhe fans i Solar Impulse.
Bertrand Piccard dhe André Borschberg është shumë pak të thuash se janë ambasadorët e së ardhmes, se janë pionierë të inovacionit, se janë eksploratorë dhe gjigantë. Sepse ata janë duke inicuar një revolucion të paparë deri më sot.
E megjithatë bota sikur fle përpara hopit të tyre gjigand. Qendrat vendimmarrëse të botës bëjnë sikur nuk po e vënë re. Prandaj Bertrand Piccard dhe André Borschberg synojnë të tërheqin vemendjen e opinionit publik duke i treguar njerëzimit se burimi diellor është energjia e së nesërmes që mbron ekosistemin, planetin tokë dhe ne banorët e tij. Edhe takimi me ne gazetarët – këtë objektiv kishte.
Për mendimin tonë Bertrand Piccard dhe André Borschberg janë herojtë e kohës sonë. Prandaj interesi për ta dhe punën e tyre nga mediat është i jashtëzakonshëm. Në grupin tonë ishte një ekip nga ORF i Austrisë(që realizoi një intervistë ekskluzive), nga Bloomberg Television, një grup gazetarësh kinezë të vendosur në Gjenevë, midis tyre një gazetar shkencor nga agjencia e lajmeve Xinhua News Agency etj, që do të thotë se Solar Impuls 2 paraqet interes shumë të madh për Kinën. Kur kemi parasysh konsumin e naftës, i cili sipas statistikave është drastik. Vetëm SHBA sipas statistikave të 2011 konsumon rreth 20 mijë barile në ditë, ku Kina zë vendin e dytë me rreth 10 mije barile. Me këto përmasa të konsumit, që sa vjen e rritet, bota po shterohet krejt, ndërsa ambienti po ndyhet në në mënyrë të frikëshme duke e bërë planetin Tokë të pajetushëm.
«Me Solar Impuls dëshirojmë t’i bëjmë botës me dije se duhet ta reduktojë varësinë nga burimet e energjisë fosile, që janë nafta, qymyri, gazi. Teknologjia e pastër që ne përdorim në avionin tonë mund të përdoret në automjetet, sistemet e ngrohjes, ndriçimit duke e rritur efiçencën e tyre”, na thotë Bertrand Piccard.
Ai thotë të vërtetën. Solar Impuls 2 fluturon me bateri diellore, të cilat karikohen gjatë ditës, duke krijuar rezerva që fluturimi të jetë perpetual, pa patur nevojë që avioni të ndalojë e ulet diku për t’u furnizuar me karburant.
Se kur do të ndodh ndryshimi kjo është çështje kohe, që varet edhe nga mendësia e metropoleve të poltikës për t’i kushtuar vemendje një projekti që tani është realitet i prekshëm. Një gjë është e sigurt se emri i Bertrand Piccard dhe kolegut të tij një ditë do të rreshtohet pranë emrave të Henry Ford, Thomas Edison dhe Steve Jobs të cilët ndryshuan historinë përmes shpikjeve, shpikje që shkaktuan revolucion në tranformimin e botës dhe njerëzimit. Shpikja e Bertrand Piccard është po aq spektakolare, bile mund të thuhet më spektakolarja. Sepse dielli, ashtu si thotë Heraklitits, çdo ditë lind i ri dhe për Napolon Bonapartin si dhuruesi i jetës universale, Dielli ishte vetë Zoti.
PAPA YNË
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Nga mënyra si e pranoi ftesën për të vizituar vendin tonë, mua dhe jo vetëm mua Papa Françesku ma krijoi idenë se është ai është me prejardhje arbëreshe. Në Argjentinë ne kemi një komunitet arbëresh nga ka dalë edhe shkrimtari me famë botërore Ernesto Sabatto, autor i kryeveprave si “Mbi heronjtë dhe varrezat”, “Tuneli” e tjerë.
Edhe pse pritshmëria jonë nuk u vërtetua, pasi të dielën nuk e shpalli prejadhjen gjatë vizitës së tij në Shqipëri, unë parapëlqej të mbetem nga ata shqiptarë që nuk heqin dorë nga ideja fikse se Papa Françesku është papa ynë.
Është papa ynë, sepse Papa Françesku njihet botërisht si papa i të vuajturve, i të martirizuarve, i të papërkrahurve, i të pashpresëve. Rallë ndonjë vend tjetër, rrallë ndonjë komb tjetër, në të kaluarën dhe në të sotmen e vet, është mishërim i këtyre katër epiteteve sa vendi ynë, sa kombi ynë. Edhe shtegtimi i tij apostolik për tek Vendi i Shqiponjave, ishte një shtegtim ngushëllues, përkrahës, këshillues dhe nxitës. Papa Françesku iu kërkoi shqiponjave të plagosura apo shqiponjave ‘me krahë të thyera’, siç thoshte dikur Migjeni, t’i përtërijnë flatrat e tyre dhe të fluturojnë lart.
Papa Françesku iu bëri thirrje shqiptarëve, i bëri thirrje kombit shqiptar, i bëri thirrje shoqërisë shqiptare për lartësim, për mobilizim të energjive shpirtërore dhe fizike në mënyrë që të kryejë një hop të madh lartësues, të kryejë, pra një dalje, një shkëputje drejt shpresës. Ati i Shenjtë gjatë vizitës në Shqipëri, duke dalë shumë herë nga teksti, siç e vërejtën edhe reporterët dhe analistët e huaj, e përsëriti: Jeni populli me moshën më të re në Evropë!
Prandaj Papa iu drejtua brezit të ri shqiptar që të bëjë tashi, në kohën e shanseve dhe të shpresave, atë që nuk e bënë brezat e tjerë. Një rini pa plagët e trashëguara nga mijëvjeçarët, pa njollat e modave të sotme, do të ishte në gjendje të lartësonte jo vetëm veten, por edhe vendin, edhe kombin. Iu drejtua pikërisht asaj rinie, e cila, sipas sondazheve aktuale, në masën 95% i shikon shpresat tek emigrimi në vendet perëndimore.
Në këtë aspekt, si në shumë të tjera, Papa Françesku është papa i rinisë, ashtu si Papa Gjon Pali II. Në tri udhëtimet e tjera, në Argjentinë, Brazil dhe në Korenë e Jugut, Papa shënonte atje ditën e rinisë.
Duke ledhatuar shqiptarët në krenarinë e tyre, Papa Françesku, njëherësh ua kujtoi atyre plagët, të cilat janë sa të trashëguara edhe të fituara, sa të së kaluarës së pafat aq edhe të tranzicionit të mbrapshtë, aq edhe të anës së vrazhdë të globalizmit. Pikërisht në një kohë kur dikush në Shqipëri shkrryhet në Olimpet e pasurisë, ndërsa shumica absolute dergjet në kënetat dhe moçalet e varfërisë, Ati i Shenjtë dha mesazhin universal se “globalizimi i mallrave dhe i tregjeve duhet të shoqërohet me globalizimin e drejtësisë dhe të solidaritetit”.
Shqipëria është një vend që ka trashëguar nga e kaluara komuniste hendeqe të mëdha. Këto hendeqe të mëdha janë thelluar tejet frikshëm në periudhën e tranzicionit. Janë thelluar hendeqet në aspektin ndërklasor, në aspektin ndërideologjik, në aspektin ndërkrahinor etj. etj. Dhe janë krijuar plot hendeqe të tjera të reja.
Ngushtimi i këtyre hendeqeve, siç këshilloi Papa, bëhet duke shtrirë traditën tonë të harmonisë ndërfetare në të gjitha dimensionet e tjera të jetës sonë, duke krijuar shpresën, duke ngjallur shpresën e së ardhmes në vetë trojet tona, duke u ballafaquar me të kaluarën tonë, duke praktikuar ndjesën dhe faljen ndërmjet vëllezërve shqiptarë, duke u vëllazëruar, pra, nën shembulin e traditës së vëllezërimit dhe të harmonisë ndërfetare.
Papa Françesku e nënvizoi në mënyrë të veçantë rolin e diasporës në përparimin e Vendit të Shqiponjave, duke vlerësuar se një pjesë e shqiptarëve zgjodhi rrugën e emigracionit për ta ndihmuar vendin e tyre, ndërsa një pjesë tjetër vendosi të rrijë këtu për ta përparuar vendin e tyre.
Nëse në Korenë e Jugut Ati i Shenjtë bëri thirrje për bashkimin e dy Koreve, bashkimin e dy pjesëve të vendit, dy pjesëve të kombit, në Shqipëri bëri thirrje për bashkimin dhe vëllezërimin e shqiptarëve të të gjitha anëve dhe të të gjitha përkatësive nëpërmjet respektimit të idenitetit të secilit. Nuk mund të ketë respekt ndërmjet njerëzve, pa respektuar, së pari, identitetin e tjetrit, porositi Papa Fraçesku.
Me ardhjen e tij, siç e pamë, Ati i Shenjtë, i bashkoi të gjithë shqiptarët, në hapësirën e tyre në Ballkan dhe në diasporë.
Prania e Papës zgjoi emocione të mëdha tek të gjithë shqiptarët, në Atdhe dhe në botë. Por edhe Papa Françesku ishte i emocionuar gjatë gjithë kohës. Tek një natyrë e lexueshme siç është Ati i Shenjtë, kjo u vu re nga reporterët e huaj.
Gazetarët e huaj, në transmetimet e tyre të drejtpërdrejta, duke u ndaluar shpesh në faktin se kreu i Selisë së Shenjtë e zgjodhi pikërisht Shqipërinë, i zgjodhi pikërisht shqiptarët për shtegtimin e tij të parë apostolik në Evropë, jashtë Italisë, thanë se papa e konsideron Shqipërinë kështu si Porta e Evropës. Nga Porta e Evropës, theksuan ata, shtegtimin tjetër Papa do ta ketë në Strasburg, në qendër të Evropës. Pra, vendi ynë, kombi ynë, i postilirianëve, i shqiptarëve është Porta e Evropës, nuk është Evropë dhe Azi, nuk është Lindjen dhe Perëndim, nuk është edhe kështu, edhe ashtu, nuk është as kështu, as ashtu, siç është nënvizuar shpesh deri sot, pa vizion dhe pa mirëdashje – është Porta e Evropës, është çelësi dhe kyçi i Evropës, do të theksoja një tjetër togfjalësh që u përmend shpesh të dielën.
Katolikët shqiptarë, janë të vetmit katolikë të mbijetuar në gjithë Ballkanin e Bizantit dhe të post Bizantit. Vendi i Shqiponjave, trojet shqiptare në tërësinë e tyre, janë e vetmja hapësirë në Ballkan, ku krishterimi perëndimor i përballoi sfidat e të gjitha stuhive dhe rrebesheve, që nga shtegtimi i parë i Shën Palit në tokën tonë, diku nga vitit 46 i erës së re, deri në ditët tona. Ky është një dimension i qytetërimit, tejet i fuqishëm, i pandërprerë dy mijë vjet, që askush tjetër nuk e ka në juglindjen as në lindjen e kontinentit tonë.
Sigurisht, kjo ka ndikuar në mënyrë vendimtare që Papa Françesku, pa asnjë ngurim, ka marrë vendimin për të ardhur në Vendin e Shqiponjave. Kjo flet për një vëmendje të plotë të Vatikanit dhe të Perëndimit ndaj shqiptarëve, vëmendje e cila, nëse ne i shërbejmë këtij vizioni, në të ardhmen do të rritet në mënyrë vendimtare.
Në fjalimet e tij, Papa Françesku përmendi shpesh fjalë të Papës Gjon Pali II të shqiptuara 21 vjet më parë gjatë vizitës së 23 prillit 1993. Papa Gjon Pali II ishte papa ynë. Mendoj se Papa Françesku do ta zhvillojë dhe do ta realizojë vizionin që Papa Gjon Pali II kishte për ne. Edhe për këtë, unë prirem ta thërras edhe Papa Françeskun papa ynë.
TRI JOTË JETIKE TË KOSOVËS
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
1. JO ZGJEDHJEVE TË JASHTËZAKONSHME
Tashmë edhe vetë ndërkombëtarët e Kosovës, përkatësisht qeveritë të cilët ata i përfaqësojnë, janë bindur se Kosova nuk mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, Kosova nuk mund t’i ndërrojë zgjedhjet e 8 qershorit, të pranuara si të paqortueshme nga të gjithë faktorët e Kosovës dhe të gjithë faktorët e interesuar për Kosovën, me një palë zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat do të ishin pashmangshmërisht kontrasti i plotë i 8 qershorit, do të ishin në çdo sens krejtësisht të papranueshme.
Ata janë të bindur edhe se lojërat e PDK-së nuk mund të vazhdojnë gjatë dhe se koha e lënë atyre në përdorim që të arrijnë numrin e mjaftueshëm të vendeve në Kuvendin e ri të Kosovës për të qeverisur më tej, është në mbarim, po ashtu durimi i Kosovës do të ketë një mbarim.
Prandaj edhe faktorët e përmendur ndërkombëtarë janë gjithnjë e më të pajtueshëm për një front gjithnjë e më solid që do t’ia pamundësonte PDK-së lojën e mëtejshme. Kjo kupton konsolidimin e katërshes qeverisëse LDK-AAK-NISMA-VV. Në çdo ditë, çdo orë, çdo minutë që kalon shihet më e mundshme, më e domosdoshme dhe më jetike qeverisja e përbashkët e këtyre katër forcave politike, të cilat kanë të përbashkët vendimtare të tyre pikërisht largimin e PDK-së nga qeverisja dhe nxjerrjen e saj përfundimtare në opozitë.
Pasi kanë në duart e tyre vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese, katër forcat politike ish opozitare është urgjente të lëvizin drejt plotësimit të organeve drejtuese dhe përbërëse të Kuvendit të Kosovës, si dhe krijimit të institucioneve të reja që burojnë nga ky institucion sovran i shtetit republikë parlamentare të Kosovës.
Vendosmëria e PDK-së për të mbajtur pushtetin e bën të pashmangshme vendosmërinë e shumëfishtë të ish opozitës për t’ia pamundësuar asaj mbajtjen e mëtejshme të pushtetit.
2. JO ZGJEDHJEVE TË REJA SIÇ I DO THAÇI
Situata që ka krijuar PDK pas zgjedhjeve të 8 qershorit i ka dobësuar më tej institucionet në Kosovë, duke filluar që nga vota e Sovranit, që është institucioni themelor i çdo shteti demokratik apo me synime demokratike, i çdo vendi sovran me shtet ligjor apo që synon shtetin ligjor. Kjo shënon kulmin e veprimtarisë shumëvjeçare kundërinstitucionaliste të PDK-së dhe të Thaçit. Situata, prandaj, gjithsesi e mban të hapur parantezën e zhvillimit të zgjedhjeve të reja, ku votuesi, qytetari i Kosovës me të drejtë vote, sa më i pafrustruar, sa më i pafrikësuar të japë votën e tij sa më të pacënueshme nga makinacionet si ato që krijuan Presidentja e Republikës së Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, të cilët PDK-ja i ka shndërruar tashmë në dy joinstitucione.
Faktorët ndërkombëtarë e kanë theksuar gjithnjë se Kosova nuk mund të shkojë në zgjedhje të reja pa kryer një reformë zgjedhore sa më të plotë. Prandaj, një nga detyrat e ngutshme të institucioneve të reja do të jetë pikërisht kryerja e kësaj reforme, çka e bën komode vajtjen e Kosovës në zgjedhje të reja në mënyrë të natyrshme, në kohën, kushtet dhe rrethanat sa më optimale për vendin.
3. JO ZGJEDHJEVE TË REJA KUR I DO THAÇ
Nga pika e mësipërme del, pra, se zgjedhjet e reja, në asnjë mënyrë, nuk bën që të imponohen në asnjë rrethanë të tyre nga PDK dhe Thaçi. Do të ishte vërtet një fitore për këta faktorë dhe një humbje për Kosovën çdo përputhje dhe çdo pajtim me interesat e këtyre faktorëve në situatat e ardhshme vendimtare të Kosovës.
Ky kontekst do t’ia krijonte mundësinë e re PDK-së që të reformohet si një faktor institucionalist, në mënyrë që të luajë rolin e saj të opozitës konstruktive dhe të hapë perspektivën e saj konkuruese në çdo garë politike të ardhshme.
* * *
Pra, tri jotë jetike të Kosovës – jo zgjedhjeve të jashtëzakonshme, jo zgjedhjeve të reja si i do Thaçi, jo zgjedhjeve të reja kur i do Thaçi, janë rrugëzgjidhja e vetme e situatës absurde të krijuar, janë rrugëdalja e vetme nga qorrsokaku i këtyre muajve.
KOSOVA POST-TRAUMË
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Dua të përmend kryehere se nuk bëj pjesë në racën e atyre opinionbërësve që mëtojnë t’i kenë vënë pikat mbi i në shkrimet e tyre apo të atyre që mëtojnë të japin direktiva me këto shkrime politikës, diplomacisë, shoqërisë ose tjetërkujt.
E bëj këtë para se të nënvizoj që temën e post-traumës e kam trajtuar pareshtur (sistematikisht) në shkrimet e mia të dikurshme. Kam theksuar atëherë dhe e përsëris sot e në vazhdimësi dhe pafundësi se trauma që pësoi populli i Kosovës në vitet e luftës ishte nga më të pashembulltat në historinë e njerëzimit, e quajtur me të drejtë nga mediat botërore si traum biblike, pra e krahasueshme me tragjeditë më të rënda të njerëzimit ndër mijëvjeçarë.
Kështu kam ngulmuar se trauma do vetëtrajtuar nga populli i Kosovës, por, në radhë të parë, do trajtuar nga faktorët miq e aleatë dhe nga faktorët e saj që e udhëhoqën vendin dhe popullin në proceset e kohës. Në aspektin e trajtimit i kam mëshuar rëndësisë së veçantë të aftësisë integruese, pra përfshirëse dhe jopërjashtuese që ngërthen gjithmonë në vetvete populli i Kosovës dhe shoqëria e Kosovës.
Rastet e tilla, si individuale ashtu dhe kolektive i nënshtrohen një terapie shpirtërore tejet të vëmendshme dhe tejet të kujdesshme nga faktorët përkatës ndërkombëtarë dhe vendës. Përvojat shekullore, deri tek më të vonat, kanë treguar dhe kanë dëshmuar se traumat nuk shërohen me trauma ashtu si mund të shërohet zjarri me zjarr, të ftohtët me të ftohtë e tjerë. Pra, nënkuptohej që popullit të Kosovës t’i kurseheshin sa më shumë përballjet e reja të rënda në periudhën e tranzicionit drejt shtetit të saj të pavarur dhe sovran, drejt ndërtimit të institucioneve të demokracisë së saj perëndimore.
Kjo jo për gjë tjetër, fundja, përveçse për të shmangur mundësisht pasojat me dëme vështirë të ndreqshme, natyrisht edhe ato me rëndësi për imazhin e vendit. Kjo nuk mund të arrihej, natyrisht, duke i fshehur plagët, duke mos i prekur plagët dhe duke mos i prekur plagët, pra, në fund të mbramë, duke mos i trajtuar plagët. Lënia e tyre të mahisen, dihet, bën që ato të shpërthejnë diku e dikur në forma të vrazhda e të rënda, të pahijshme, deir edhe shëmtuese e tronditëse.
Ata që më së paku kanë pasur lidhje me sakrificat e popullit të Kosovës në vitet e konfliktit 1998-1999, në krye të një shekulli pushtimi nga më të egrit, i harruan këto sakrifica dhe mbi to vunë heroizmat e tyre individuale, në të vërtetë të paqena.
Me veprimet e mosveprimet e tyre, ata ia ngushtuan ose ia mbyllën perspektivën popullit nga vijnë. Përvojat kanë treguar, në mënyrë të pagabueshme, se, sa më të gjera e sa më të mëdha të jenë perspektivat, aq më shumë një popull, një vend, një shoqëri integrohet në të ardhmen, progresin, përparimin. Të njëjtat përvoja kanë treguar se ngushtimi i perspektivave, mbyllja e perspektivave vetëm sa e tundon një popull, një vend, një shoqëri drejt pashpresave, drejt regresit.
Vonesat e gjata drejt zyrtarizimit të pavarësisë, vazhdimi i tyre në rrugën e faktorizimit ndërkombëtar të Kosovës, natyrisht, nuk i shërbejnë aspak qartësimit të perspektivës. Kosova, absolutisht pa e merituar, mbetet i vetmi vend në Ballkan pa liberalizim të vizave, mbetet i vetmi vend në Ballkan pa afate të integrimit të saj në BE dhe në hapësirën veriatlantike, mbetet vend pa shtet funksional, pa institucione të plota të sigurisë, mbetet vend ku investuesi kryesor, ndonjëherë i vetëm, mbetet emigracioni saj.
Në këtë kontekst, është shumë i kuptueshëm alarmi i këtyre kohëve, sidomos i këtyre ditëve, për lajmet e fundit nga Siria, ku një shqiptar, kryen një akt makabër e publik, absolutisht të dënueshëm, absolutisht të papranueshëm, madje “në emër të Zotit”. Çdonjëri nga ne, si pjesëtar i kësaj shoqërie dhe këtij kombi, njeri i mediave apo jo, nuk do të kishte dashur kurrë që të vinte një ditë kur do të ndeshej me një rast të tillë. Ky është një deformim të cilin nuk do ta kishim dashur kurrë në qenien tonë. Ne tashmë po ndeshemi me të dhe na takon ta shikojmë e trajtojmë realisht, pa tabu dhe pa komplekse. Por, natyrisht, barrën më të madhe dhe përgjegjësinë e drejtpërdrejtë duhet ta marrin institucionet drejtuese të vendit, sidomos ato të sigurisë. Dhe Kosovës, popullit dhe shoqërisë, të mos i krijohen mbipesha të tepërta psikologjike.
Të mërkurën, në Prishtinë, komandanti i lartë i NATO-s, Philip Breedlove tha se radikalizmi është shqetësim për të gjitha vendet e NATO-s të cilat po punojnë së bashku për t’u përballur me këtë dukuri. Breedlove tha se përfshirja e qytetarëve të Kosovës në lëvizjet radikale në Siri dhe vende të tjera është shqetësuese dhe se ky është një shqetësim jo vetëm për Kosovën por edhe për të gjitha vendet e NATO-s, që radikalët që dalin nga zonat e konfliktit, radikalët që vijnë nga të gjitha vendet e NATO-s, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, të cilët stërviten dhe kthehen në vendet e tyre, janë problem për të gjithë. Ai tha se vendet e NATO-s po bashkëpunojnë në shumë fusha për të luftuar këtë çështje.
Deklaratën e Breedlove e solla edhe për të thënë se përgjithësimi i faktit, zgjerimi i fajit apo autorësisë, çorientimi dhe hutimi i opinionit, krijimi i dyshimeve e mosbesimeve ndaj aftësive imune të Kosovës, popullit dhe shoqërisë së saj kundër çdo negativiteti në trupin e tyre vetëm sa e gërricin plagën përkatëse, e cila luftohet vetëm duke u atrofizuar, frenuar dhe çrrënjosur dukurinë nga ka lindur. Përvoja e vendeve të tjera në këtë drejtim rritja e kapaciteteve të sigurisë kombëtare, funksionalizimi dhe fuqizimi i plotë i shtetit janë ndihmë e drejtpërdrejtë për Kosovën.
Pra, pa rënë në alarmizëm çmobilizues dhe fatalist, pa rënë në inflacion propagandistik, kërkohet nga ne përballja reale me problemin, duke ua bërë absolutisht të pamundur çdo veprimtari radikalëve që kthehen nga zonat e konfliktit, si dhe duke ua bërë absolutisht të pamundur çdo rekrutim të mëtejshëm. Për këtë kërkohet bashkëpunim i ngushtë i pareshtur e i shumëfishtë me të gjitha vendet e NATO-s. Në këtë mënyrë, jam absolutisht i sigurt se Kosova do ta përballojë me sukses të plotë edhe këtë sfidë, sikurse të gjitha sfidat e tjera, sado të rënda që kanë qenë.
BIJTË E ETËRVE ‘TË DJATHTË’
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Bilal Kola u emërua në krye të Institutit të ish të Përndjekurve Politikë, instancë e Qeverisë së Shqipërisë. Ky lajm më shërbeu si nxitës vendimtar për të shtjelluar këtu një ide timen shumë më të hershme.
Emri i të sapoemëruarit, siç ndodh rëndom tek ne, do të lakohej menjëherë së bashku me emrin e babait të tij, Kurt Kolës, ish i burgosur politik, eksponent i organizimeve të shtresës përkatëse në periudhën e tranzicionit, pra, të themi ‘i djathtë’.
Në Shqipërinë gjithnjë e më promiskuite është diçka e përditshme, si buka dhe si ajri, të thirren me tone fyese, përbuzëse, madje dhe urrejtëse përkatësitë familjare, farefisnore, krahinore, fetare e të tjera të njerëzve të njohur. Është diçka për të cilën ndiej neveri përditë e më shumë dhe nuk do të doja e nuk dua as në këtë rast të bie në ato pozita, pavarësisht shprehjeve tona se “dardha nën dardhë bie” apo “nga i miri del i keqi, nga i keqi del i miri”, sepse, edhe e para, edhe e dyta, sado në sense të ndryshme, shprehin paragjykim.
Kurt Kola, dihet sa është figurë kundërthënëse e tranzicionit në Shqipëri. Do të na mjaftonte dalja e tij për krah të majtës në atë që quhet Rebelimi i 1997 në kuadrin e “Forumit për Demokraci”. Ai mbahet mend edhe se i drejtori i parë i Institutit të ish të Përndjekurve Politikë, atëherë në kuadrin e Kryeministrisë, tashti në kuadrin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale. Periudha e tij, 1997-2005 mbahet mend si periudha kur nuk është bërë asgjë, pothuaj absolutisht asgjë për shtresën e ish të burgosurve dhe ish të përndjekurve politikë.
Mbahet mend gjithashtu se përfshirja e Kurt Kolës në lëvizjen e majtë dhe në qeverisjen e majtë aso kohe është interpretuar si renegate, pra braktisje e së djathtës dhe rënie në prehrin e së majtës.
Nga e gjithë kjo, megjithatë, nuk ia lejoj vetes të paragjykoj se Bilal Kola, i biri i tij, nuk ka për të bërë më të mirën e mundshme për shtresën e tij. E uroj, madje me gjithë zemër, të arrij suksese shembullore në detyrë. Dhe, për hir të tij, po bëj lëshim stilistik, duke sjellë biografinë (curriculm vitae) e publikuar nga enti emërues: “Bilal Kola ka lindur në internim në fshatin Plug të Lushnjës, ku ka jetuar deri në moshën 18 vjeçare. Në vitin 1998 ka përfunduar studimet e larta për Drejtësi në Universitetin South Bank, në Londër, dhe në vitin 2011 ka marrë titullin Doktor Shkencash nga Universiteti Ndërkombëtar Montgomery, SHBA. Gjithashtu, ai zotëron një Master në të Drejtën Ndërkombëtare Tregtare nga Universiteti Metropolitan i Londrës, si dhe një diplomë në të Drejtën Ndërkombëtare të Aviacionit. Kola ka një eksperiencë të gjatë 15-vjeçare si jurist në Shqipëri, Angli dhe Kanada, gjë që i ka shërbyer për mbrojtjen e kauzës së ish-të përndjekurve politikë, për të cilën ai është angazhuar prej vitesh. Aktualisht ai është administrator i studios “K&H Law Firm”, që ofron këshillim për disa shoqëri tregtare vendase dhe të huaja.”
Ndoshta nuk do të shikoja asgjë të keqe, madje vetëm të mirë, në këtë emërim, nëse lajmi nuk do të vijonte me “menjëherë pas largimit të Bedri Blloshmit”. Ky emër na e kujton një figurë, një familje, një mbiemër tejet të njohur për vuajtjet shembullore, përballjen dhe qëndresën shembullore ndaj komunizmit në Shqipëri. Le të jetë? Por çka më la mbresë të pashijshme ishte se largimi i Blloshmit u shoqërua me një fushatë përbaltëse, çka nuk i shpëton nga vetëpërbaltja as emëruesit dhe njëherësh shkarkuesit e tij përkatësisht në detyrë dhe nga detyra.
Kjo fushatë, me pjesëmarrje nga grupe interesi pranë qeverisë, si nga ato zyrtare edhe nga ato të segmenteve të ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, tregon bashkautorësi të qeverisë, në mos dirigjim prej saj.
Blloshmi, ndër të tjera, akuzohet se ka krijuar precedent, gjoja duke shkelur mbi gjakun e vëllait të pushkatuar, poetit Vilson Blloshmi, mbi idealet e djathta, për shkak se pranoi një post në një qeveri të majtë, në një qeveri të ish persekutorve të së djathtës. Zaten akuzohet nga ata që njëkohësisht vetëtrumbetohen bujshëm si ithtarë të precedentit të vërtetë.
Fakti është, siç përmenda më lart, se precedentin nuk e ka krijuar Blloshmi. Mund të them pa nguruar edhe se Blloshmi në pak muaj ka bërë shumë herë më tepër se Kola gjatë tetë viteve të tij në detyrë.
Fushata të kujton “Shtëpinë me Gjethe” të dikurshme. Dhe të vjen rëndë që në tranzicion gjithnjë e më shumë po iu dalin gjethe shtëpive në qendër të shtetit.
Duke u kthyer, sado vonë, drejtpërdrejt tek tema e shqetësimit tim, le të them se “bijtë e etërve të djathtë” vjen si stilemë e thënieve aq të shpeshta për “bijtë e etërve – të majtë”, “bijtë e etërve bllokistë”, “bijtë e etërve persekutorë” e tjerë, një demagogji që e ka shoqëruar gjatë gjithë këtij tranzicioni atë grupim klanor që ka folur në emër të së djathtës.
Me “bij të etërve të djathtë” dua të kuptoj të gjithë pasardhësit e ish të burgosurve politikë, ish të përndjekurve politikë, pasardhësit e pronarëve të ligjshëm, pasardhësit e antikomunistëve, pra bijtë, bijat, nipat dhe mbesat e atyre që Enver Hoxha dhe klika e tij i mundi para 70 vjetësh dhe që vazhdojnë të korrin frytet e hidhura të humbjes që pësuan etërit e tyre, gjyshërit e tyre, humbje e cila, mjerisht, ishte edhe humbje e kombit, madje humbje tejet e rëndë dhe tejet tragjike.
A e ka, pra, brezi i Bilal Kolës, i të gjithë atyre që lindën e u rritën në internime politike, gjithë atyre që u rritën me mbresat e sporteleve të burgjeve politike të etërve të tyre, vetëdijën e përkatësisë së djathtë dhe vetëdijën e domosdoshmërisë së djathtë për vendin e tyre dhe për shoqërinë e tyre. Dhe kjo vetëdijë a është e asaj shkalle që të çojë në një lëvizje të organizuar të djathtë. Nga kjo lind pyetja: a do të ketë ndonjëherë një alternativë të djathtë ndaj së majtës që sundon prej tre çerekë shekulli në Shqipëri.
E djathta shqiptare gjatë komunizmit i është nënshtruar një genocidi të gjithanshëm. Etërit e djathtë të mbijetuar, tranzicioni i gjeti të dërmuar sa dhe të hutuar e të çorientuar. Këtë e shfrytëzuan, e shfrytëzojnë dhe do ta shfrytëzojnë me pafytyrësi dy grupimet e mëdha klanore, pasuese të PPSH. Ata eksponentë të djathtë që arritën të përfshihen në nivele të larta të politikës apo të qeverisjes, kryesisht u detyruan të përfshihen në klanet dhe të shikojnë vetëm interesat e tyre të ngushta, pa çarë kokën më tej për shtresën e prejardhjes. Edhe ata pak bij e bija të etërve të djathtë, të përdorur në poste të ndryshme të larta, dëshmuan se janë shumë larg figurave të tilla si Pjetër Arbnori apo Azem Hajdari.
Tranzicioni shqiptar, ndër të tjera, ka dëshmuar se tek ne ekziston ndjeshëm elektorati i djathtë, ekziston ndjeshëm populli i djathtë, ekziston ndjeshëm kundërvënia perëndimore ndaj së majtës lindore që vazhdon në të dyja grupimet më të mëdha klanore. Por ata që erdhën dhe qëndruan në pushtet me këtë votë të djathtë nuk bënë asgjë për etërit, nuk bënë, nuk bëjnë dhe nuk do të bëjnë asgjë për bijtë e bijat, nipat e mbesat e etërve dhe gjyshërve të djathtë.
Nëse nuk krijohet kundërvënia e vetëdijësuar dhe e organizuar e “bijve të etërve të djathtë” ndaj së majtës lindore që sundon këto 70 vjet, atëherë e djathta jonë do të mbetet një utopi, një shpresë e rreme. Nëse ata “bij të etërve të djathtë” që kanë mbaruar e mbarojnë studimet në Perëndim apo edhe në universitetet shqiptare, nuk kujtohen për idealet e paraardhësve të tyre, atëherë politika dhe jeta shqiptare do të vazhdojnë të ecin mbi dy këmbë të majta, të veprojnë me katër gjymtyrë të majta, secila më lindore se tjetra, secila më joperëndimore se tjetra. Një çorodi më se tragjike, do të thoja.
- « Previous Page
- 1
- …
- 6
- 7
- 8
- 9
- 10
- …
- 14
- Next Page »