• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

U NDA NGA JETA VATRANI MIHALLAQ QELESHI NE USTER

December 25, 2019 by dgreca

U NDA NGA JETA VEPRIMTARI MIHALLAQ QELESHI/

Nga Thanas L. Gjika/ Më 22 dhjetor 2019 u nda nga jeta pa pritur, nga një atak në zemër, Mihallaq Thanas Qeleshi, pronari i Restorantit COFFEE MUG 286 Southbridge Auburn MA. Mihallaqi ishte një veprimtar i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikan në gjithë Central Massachussets. Ishte një nga atdhetarët më aktivë të qytetit Worceser MA. Midis ne të ardhurve pas vitit 1991 ai ishte Donatori më i madh i kishës “Fjetja e Shën Marisë”, anëtar aktiv i “Federatës Pan-Shqiptare Vatra” dhe abonent i gazetës “Dielli”, ndihmës i palodhur i Festivaleve Shqiptare që organizohen çdo dy vjet prej Kishës sonë, një biznesmen energjik dhe përkrahës i skuadrave të ndryshme të lodrave me dorë dhe të futbollit. Ai ishte qejfli i muzikës dhe këngëtar i serenatave korçare, njeri i muhabetit dhe përkrahës i çdo njeriu në nevojë.          

         Mihallaqi u lind më 31 gusht 1954 në një familje të lidhur ngushtë me Luftën Antifashiste, së cilës i kishte dhënë djalin e madh dëshmor, por që u keqtrajtua prej regjimit komunist. U keqtrajtua sespe babai i Mihallaqit, mësuesi Thanas Qeleshi ngriti zërin kundër shpalljes kulak të familjes më të mirë të fshatit ku ai shërbente si mësues. Pasi kreu dënimin e parë, babai i Mihallaqit bashkë me dy shokët e tij Engjëll Fidani dhe Dhimitër Zguro, të pakënaqur nga politika gënjeshtare e PPSH-së, krijuan celulën e një partie opozitare, të cilën e quajtën “Partia e Vërtetë Marksiste Leniniste”.

         Ky grup u kap dhe më 23 prill 1975 u dënua prej gjyqit special. Thanas Qeleshi dhe Dhimitër Zguro u dënuan me 25 vjet heqje lirie dhe mohim të dekoratave e medaljeve të dhëna më parë, kurse Engjëll Fidani me 24 vjet.  

         Pas arrestimit të dytë të Thanasit, bashkëshortja e tij Marika, pësoi një traumë psikike dhe e shtruan në spitalin psikiatrik të Elbasanit. Vajzën Katerina 14-vjeçe e shpunë të jetonte tek gjyshërit nga e ëma. Kurse Mihallaqi, student në Fakultetin e Mjekësisë pas dënimit të babait u përjashtua nga universiteti dhe u bë punëtor krahu. Shtëpia u shtetëzua. Dy fëmijët e Thanas Qeleshit, Mihallaqi dhe Katerina u shpallën “bij të armiqve të partisë e të shtetit”, prandaj gjithë jetën duhej të punonin vetëm punë krahu. Pas përjashtimit nga universiteti, Mihallaqi filloi punën te “Ndërmarja Shtetërore e Ndërtimit”, pastaj shkoi për të kryer shërbimin ushtarak në repartet e punës me lopatë në dorë. Mbas shërbimit ushtarak punoi në minierën e Rëhovës, në “Fabrikën e Pasurimit të Bakrit në Rubik”, më tej në “Fabrikën e Nikel-Silikatit” në afërsi të Korçës, etj. Në atë kohë, vetë babai, Thanasi, dërgoi një mesazh nga burgu me një të burgosur që u lirua: “Mihallaq dhe Katerina jam mirë, por ju mos ajdeni kurrë për të më takuar”.

         Në burgun e Ballshit ish-mësuesi Thanas Qeleshi dhe regjisori Viktor Stratobërda i konsumonin së bashku takimet e radhës, një herë në dy javë takoheshin te dhoma e takimit dhe këmbenin nga ndonjë bisedë të shkurtër duke treguar shakara për ato që u kishin ndodhur para burgimit ose nga jeta në burg. Këta dy të burgosur kishin arritur në konkluzionin: “Ne partizanët luftuam me vetmohim kundër diktaturave nazi-fashiste, por krijuam një diktaturë më të keqe se të parat”.

         Në shtator të vitit 1979 Mihallaqi u njoh nga afër gjatë një aksioni në bujqësi në fshatin Pulahë të Gorës me shoqen e motrës së tij, me Femie (Effi) Kulla, e cila punonte te “Ndërmarrja Lëkurë-Këpuca”. Nga shoqëria e sinqertë lindi dashuria e pastër. Pas kthimit në Korçë, dy të rinjtë u martuan megjithëse prindërit e vajzës nuk donin të bënin dhëndër djalin e një familjeje me biografi të keqe.

         Nga kjo martesë lindën dy vajza simpatike dhe të zgjuara: Mariola dhe Adelajda. Kurse Katerina mbas martesës me Agronin lindi një vajzë e një djalë: Eriolën dhe Sokolin.

         Mirëpo si Mihallaqi dhe Katerina me fëmijët e tyre u gjendën në kushte të vështira në Shqipëri gjatë ngjarjeve tragjike të vitit 1997, prandaj të dy familjet kërkuan strehim politik në SHBA duke qenë familje të përndjekura. Këtë status ato e fituan në vitin 1999 dhe u sistemuan në shtetin Massachusetts, ku filluan jetën e re. Me punë të ndershme dhe këmbëngulëse Mihallaqi dhe Effi mbrenda disa vitesh arritën të blejnë një shtëpi dhe të hapin restorantin COFFEE MUG ku shërbyen bashkë deri më 21 dhjetor çdo mëngjez e drekë për klientë të shumtë.

         Mihallaq Qeleshi u largua nga jeta në moshën 65 vjeçare, mbas 20 vjetësh nga ardhja në Amerikë duke jetuar si atdhetar trim e mik i shqiptarëve dhe amerikanëve të Central Massachussets. Ai la prapa bashkëshorten Effi me dy vajzat: Mariolën e martuar me z. Scot St. Jean të cilët kanë dy vajza të bukura e të shëndetshme, Jessica e Savanah; dhe Adelajdën e martuar me z. Jani Tego, të cilët kanë po ashtu dy vajza të bukura dhe të shëndetshme, Brielle dhe Allison.

         Gazetat e Amerikës kanë shkruar disa herë për familjen e Mihallaq Qeleshit, për të kaluarën e saj të vështirë në Shqipëri dhe për sukseset e këtushëm. Mihallaqi e ka nderuar komunitetin tonë shqiptaro-amerikan në shumë drejtime.

         Father Mark do të celebrojë një Trisai të Enjte në ora 6:00 PM.

         Lamtumira e fundit do t’i jepet te Kisha “Fjetja e Shën Mërisë” 535 Salisbury Str, Worcester MA të Premte më 27 dhjetor ora 10-10:45:00 AM, më tej kryhet ceremonia e varrimit tek Hope Cimetery. Dreka do të jepet në vijim tek ELBASHA Restorant 256 Park Ave. Worcester MA.

         I përjetshëm qoftë kujtimi i Mihallaq Qeleshit!

Filed Under: Opinion Tagged With: Mihallaq Qleshi, Thanas Gjika

JENI LARG NGA KATARSA

April 8, 2019 by dgreca

  • Përgjigje z-injve S. Braho e E. Caja ndaj sulmeve kundër personaliteteve V. Zhiti e A. Tufa-/

Nga Thanas GJIKA/\

Në gazetën “Dita” gjatë javës së parë të prillit u botuan dy shkrime që ngjallën shumë komente. Në njërin, z. Spartak Braho, deputeti aktual i Partisë Socialiste, ish prokuror në kohën e diktaturës komuniste, sulmoi z. Agron Tufa, drejtor aktual i “Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit”. Madje kërkoi mbylljen e këtij institutit dhe pushimin nga puna të drejtorit të tij. Tjetri, z. Edmond Caja, ish-polic në burgun e Qafë Barit e më vonë drejtor i përgjithshëm i burgjeve, sulmoi shkrimtarin e talentuar Visar Zhiti, ish i dënuar i ndërgjegjes në burgjet Saç e Qafë Bar, se në veprat e tij letrare dhe në intervista ka përmendur disa veprime kriminale të z. Caja, për të cilat ky ngul këmbë se nuk janë të vërteta dhe se ai ka bërë mjaft veprime në të mirë të të dënuarve…
Thjesht, kuptohet se edhe pas gati 30 vjet nga dështimi i sistemit të diktaturës së proletariatit shoqëria shqiptare po vjen vërdallë si miza pa kokë dhe nuk do të gjykojë si duhet atë sistem të gabuar. Ka ende njerëz, madje politikanë me pozita si z. Braho dhe të tjerë që kanë kurajon të quajnë të dëmshme punën e vështirë për zbulimin dhe dënimin e krimeve të komunizmit. Kurse z. Caja, që jeton në emigracion në botën e lirë prej shumë vitesh, vijon të justifikojë shërbimet që i bëri atij regjimi. Të tillë njerëz i quajnë gjë normale dënimet që u jepeshin njerëzve për disa fjalë ose poezi, ata kërkojnë si dikur që njerëzit të heshtin ndaj së keqes që u bëhej në jetën e përditëshme e sidomos nëpër burgje, në vend që ta denoncojnë të keqen që kryen ata vetë ose kolegët e tyre.
Për të ecur drejt shpëlarjes dhe çlirimit nga mendesia komuniste duhet që secili prej nesh, bashkë me zotërinjtë Braho, Caja e komentatorët që i mbojnë, të reflektojmë dhe të kuptojmë se cilit proces i kemi shërbyer: thellimit të luftës së klasave dhe izolimit të Shqipërisë, apo kemi ndihmuar për ecjen drejt lirisë duke u ndënjur larg këtyre kërkesave themelore të partisë shtet. Një analizë e sinqertë e bëmave tona, ose të prindërve tanë të asaj kohe do të na ndihmojë të ecim përpara si shoqëri dhe ta dënojmë veten për gabimet e krimet që bëmë me dashje ose pa dashje, të shtyrë nga frika, nga dëshira për karierë, etj.
Shkrimtari i talentuar Visar Zhiti, i cili për disa poezi jo konformiste u dënua dhe kaloi 10 vjet në burgjet Spaç e Qafë Bar, ka përshkruar përveç punës së mundimshme dhe sjelljes së ashpër të rojeve e policëve edhe gjendjen e rrethimit fizik dhe shpirtëtor të të burgosurve, duke aluduar për nëntë rrathët e Ferrit imagjinar të Dante Aligerit:
Rrethorja e parë e dukshme, e madhe e atij lumi-ferr, dallgët e tij të ngrira janë telat e lartë me gjemba…
Rrethorja e dytë… është e gjallë… Janë ushtarët e armatosur nëpër ato kullat e drunjta me automatikët në krahë, gati për zjarr.
Stiksi prej ujrash të tij ose antikënga e tretë. Lumi malor që rrjedh poshtë dhe përrenjtë e çartallosur që dalin nga galeritë.
Malet. Ç’ pengesë rraskapitëse. Të ndjekin hap pas hapi policët dhe qentë.
Populli. Po, po, populli im është rrethim edhe ky, rrethim gjallesash. Të ndalon populli, s’të lë, të kap… ah! S’ bën dot populli pa perënditë dhe sa më të rreme qofshin, aq më shumë u bindet…
Rrethimi i gjashtë, ose rrethi i gjashtë, a kreu i gjashtë i poemës. i vdekur si rrethimi i parë me tel me gjëmba. Rreth i madh sa gjithë vendi… një vijë gjaku. Kufiri i Republikës.
Rrethimi i shtatë është prej letre, mallkim… janë marrëveshjet shtetërore me vendet fqinjë. Ti arratisesh, ata të kthejnë.
Rrethi tjetër e tejkalon të parin, telin me gjëmba, është puna raskapitëse në galeri dhe uria nga ushqimi minimal. S’ ke fuqi për asgjë.
Rrethimi i pashikueshëm. Frika. Eshtë rrethim abstrakt, i asgjëkundshëm dhe i kudondodhur. Eshtë frika, për të cilën investohet aqe shumë, madje dhe importohet. Frikë nga e panjohura, nga e shkuara, nga e ardhmja, nga e tashmja, nga tjetri, nga puna, sa e rëndë, nga libri i ndaluar, nga burgu, nga arratia dhe së fundi frikë nga vetja, nga mendimet e tua… E mbajmë vetë ne burgun tonë, duke u nënshtruar, duke i bërë keq njëri tjetrit. Frika i mban banditët shtetërorë, i bashkon dhe i bën të fortë, vigjilentë.
Lumi i frikës vjen rrotull nesh nëntë herë, gjithë jetën. Ai është gjithërrethuesi.
Më i fortë se diktatura është miti i saj.
Këto rreshta tingëllojnë si vargje poetike, ku tipizohet në gjerësi e thellësi jeta shqiptare nën diktaturën komuniste për të burgosurit me nëntë rrathë të ferrit shqiptar, por dhe për vetë popullin, i cili jetonte gjithashtu i rrethuar prej disa rrathësh të të njëjtit ferr…
Pikërisht ngritjen në art të gjendjes së të burgosurve dhe të mbarë popullit shqiptar nën diktaurën komuniste nuk ua falin shumica e ish-shërbëtorëve të atij sistemi, të cilët herë pas here e sulmojnë Visar Zhitin në vend që ta përgëzojnë e t’i kërkojnë të falur atij dhe gjithë të dënuarve të ndërgjegjes që vuajtën burgjet e rënda të atij sistemi.
Edhe personalitetin tjetër, shkrimtarin dhe analistin e talentuar, z. Agron Tufa, i cili po bën një punë shumë të vështirë për njohjen e së vërtetës së asaj kohe, e sulmojnë ish-shërbëtorët e atij regjimi të gabuar, madje dhe e kanë kërcënuar jo thjesht si ish-prokurori Spartak Braho, etj.
Zotërinjve Spartak Braho dhe Edmond Caja, dua t’ju them se shoqëria jonë nuk mund të ecë përpara po të mos kryejë dënimin e krimeve të komunizmit. Dhe krim i kohës së diktaturës komuniste kanë qenë të gjitha punët që ndihmonin partinë shtet per ta shtrënguar lakun e rrethimit, për ta forcuar luftën e klasave, për ta varfëruar popullin duke shpallur kulak fshatarin më punëtor, duke prishur kisha e xhamia dhe duke dënuar priftërinj e hoxhallarë e besimtarë të pafajshëm, duke ia hequr fshatarit lopën, derrin, pulën nga shtëpia, si urdhëronte partia shtet, për ta varfëruar sa më shumë që të nënshtrohej më kollaj.
Edhe nëse ish-shërbëtorë të atij regjimi si ish-prokurori S. Braho e ish-polici e ish-drejtori i burgut të Qafë Barit E. Caja nuk duan të evoluojnë dhe të dënojnë bëmat e tyre të asaj kohe, do të vijë dita kur gjyqtarë të kualifikuar si dhe bijtë e nipërit e tyre të kthjelluar do të dijnë t’i dënojnë jo vetëm për pjesëmarrje në krimet dhe për justifikimet që u bëjnë atyre krimeve, por edhe për mosdënimin e krimeve dhe terrorit që panë me sytë e tyre gjatë shërbimit të devotshëm ndaj diktaturës. Këtë besim e kanë shprehur analistët Astrit Lulushi e Spartak Ngjela, si dhe Prof. Sami Repishti. Ky i funit shkroi për gjyqin që iu bë nazistit 93-vjeçar Oskar Gruening, i cili kishte punuar si llogaritar në kampin e Aushvicit (Auschwitz) më 1944. Ky nazist plak u dënua si pjesëmarrës në vrasje, sepse gjatë jetës së tij nga viti 1944 deri në ditën e gjyqit, nuk shprehu kurrë pendesë dhe dënim të krimit, por e justifikoi me fjalët ashtu ishte jeta në kampet e Nazizmit. Pra u dënua për mosdëshmimin e krimit që pa me sytë e tij edhe pse nuk kishte marrë pjesë vetë në shfarrosjen e viktimave. Këtë ai e bëri nga turpi, nga pesha e fajit, nga frika e dënimit, sqaron Repishti (Illyria, N.Y 10 prill 2015).
Dënimi i nazistit 93-vjeçar Oskar Gruening tregon se dënimi i krimeve të komunizmit, ndonëse po vonohet, nuk do të lihet pa u kryer, sepse ky proces është pjesë e katarsës dhe e ecjes së shoqërisë sonë drejt Europës së Bashkuar. Justifikimet e z. E. Caja dhe sulmet e z. S. Braja tregojnë se këta janë ende në ujrat e mendësisë komuniste dhe nuk kanë punuar për ndërgjegjësimin e tyre si qytetarë europianë, por vuajnë nga nostalgjia për regjimin diktatorial që u kishte dhënë koburen në brez dhe shkopin e dënimit në duar…

Filed Under: Analiza Tagged With: Thanas Gjika

PROMOVIM LIBRI NË U.SH. TË TETOVËS

March 19, 2019 by dgreca

-KRONIKE E VONUAR-
“Një letërsi kombëtare, një atdhe i vetëm”

  • OLYMPUS DIGITAL CAMERA
  • OLYMPUS DIGITAL CAMERA
  • OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Nga Muhamet Memeti/

Në një nga sallat e leksioneve të Universitetit Shtetëror të Tetovës, dega Gjuhë Letërsi Shqipe organizoi me nismën e Prof. Dr. Salajdin Saliut më 3 dhjetor 2018 promovimin e librit “Një letërsi kombëtare, një atdhe i vetëm” KUMI Tiranë 2018, 460 fq. të Prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika i cili jeton në SHBA që nga viti 1996. Morën pjesë studentë dhe pedagogë të letërsisë shqiptare, angleze e franceze si Prof. Ejup Ajdini, Salajdin Memeti,Fatmire Isaku,Fatmir Sulejmani,Arlind Farizi,Suzana Ejupi,etj…
Takimin e hapi zonjusha Adelina Xhaferi, studente e degës Gjuhë Letërsi viti i tretë, e cila prezantoi autorin dhe librin e tij dhe e falenderoi që ai zgjodhi U.Sh. të Tetovës për ta promovuar librin e tij të ri. Më tej ajo ia dha fjalën Prof. Ejup Ajdinit.
Prof. Ajdini në fjalën e tij parashtroi arritjet e studiuesit Thanas L. Gjika, ndihmesën e tij në fushën e studimeve shqiptare me botimin e dhjetra artikujve studimorë dhe të shtatë veprave. Midis tjerash ai përmendi monografitë “Mihal Grameno jeta dhe vepra” DDS Durrës, 2012, 506 fq. që është studimi i parë i plotë mbi jetën e veprën e këtij atdhetari të shquar të pushkës e penës dhe krijuesi të talentuar të gazetarisë, dramaturgjisë, novelistikës e poezisë së Rilindjes sonë e pas saj. Po ashtu ai përmendi biografinë “Shën Pali punoi dhe në brigjet e Adriatikut”, OMSCA-1 Tiranë, 507 fq. dhe dy përmbledhje me studime, artikuj, portrete e kujtime: “Evoluimi ynë kërkon njohjen dhe dënimin e fajit” DDS Durrës 2011, 308 fq. dhe “Mosdënimi i krimit është krim i ri” OMSCA-1 2016, 450 fq.

Prof. Dr. Ajdini u ndal te libri i ri për të cilin u organizua takimi. Ai vlerësoi parathënien që hap librin të hartuar prej Prof. Dr. Sadri Fetiut, ish-drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Studiuesi Fetiu nuk mundi të vinte në këtë promovim sepse ndodhej për vizitë të gjatë në Gjermani pranë vajzës.
Folësi e quajti studiuesin Gjika, një studiues të shquar në fushën e historisë së letërsisë dhe të kritkës letrare, ashtu si e ka quajtur dhe Prof. Fetiu. Ai vuri në dukje se shkrimet e zotit Gjika bien në sy krahas cilësisë dhe për shqetësimet e tij atdhetare mbarëkombëtare dhe për rrugën e zgjidhjes së problemit shqiptar përmes europianizimit të mendësisë sonë dhe të zhvillimit të letërsisë, kulturës, artit shqiptar si një i vetëm pavarësisht se ku zhvillohet: në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni a diasporë. Ai e përgëzoi autorin e librit dhe iu lut që të vijë përsëri në auditorët e USH të Tetovës me vepra të reja.
Më tej e mori fjalën Prof. Dr. Salajdin Memeti, i cili kishte ardhur posaçërisht nga Prishtina ku jeton prej shumë vjetësh me familjen e tij edhe pse ka lindur dhe është rritur në Tearce të Tetovës dhe pati punuar disa vjet si pedagog i letërsisë shqiptare për fëmijë në U.Sh. të Tetovës.
Prof. Salajdin Memeti, pasi vuri në dukje akribinë shkencore të studimeve të Prof. Gjikës që ndjehet si në këtë libër dhe në libra të tjerë të tij, u ndal dhe në disa aspekte të jetës e të karakterit të këtij studiuesi. Duke shfrytëzuar kujtimet e tij nga njohja me Thanas Gjikën që në vitin 1979, kur z. Memeti kishte shkuar me një grup studiuesish nga Kosova për kërkime arkivale e bibliografike në Tiranë pranë Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë së Akademisë së Shkencave. Thanasi, atëhere punonjës shkencor i atij instituti, e pati shoqëruar grupin e studiuesve të vajtur prej Kosovës dhe ishte miqësuar me Salajdinin, Abdyl Kadollin, Abdulla Zymberi, etj. Kjo miqësi vijoi dhe mbas vitit 1992 kur u ndërrua sistemi në Shqipëri dhe u hapën kufijtë.

Prof. Salajdini theksoi se atdhetarizmi dhe ndershmëria kanë qenë e kanë mbetur tipara dalluese të studiuesit Gjika, gjë që bie në sy edhe në shkrimet e mbledhura në këtë libër të ri, të ndarë sipas përmbajtjes dhe formës në artikuj, ese, portrete, kujtime, diskutime, letra, etj. Me të gjithë shkrimet, vuri në dukje folësi, autori përpiqet në rrugë të ndryshme, të ndihmojë lexuesin për të evoluar drejt njohjes së të vërtetës së djeshme e të sotme, për krijimin e një shoqërie tolerante që debaton me argumente dhe që pranon kritikat. Ai ka mundur të nxjerrë në pah vlerat më të mira të analistëve si Avokat Spartak Ngjela, gazetarëve të radios Zëri i Amerikës Astrit Lulushi e Frank Shkreli; të vleresojë qendresën dhe kontributin shkencor të studiuesve shkodranë që punuan gjatë viteve të diktaturës në institutet e Akademisë së Shkencave, urtësinë dhe karakterin shumë punëtor të gjuhëtarit Kolec Topalli, të albanologut Robert Elsie, të regjisorit Dhimitër Anagnosti, vlerat e shumta të shqipërimit me sfond enciklopedik të veprave homerike prej Ilia Ballaurit, arritjet e studiuesve të jetës e veprës së Faik Konicës si Fotaq Andrea, Jup Kastrati, Ilir Ikonomi, Agron Alibali, etj. Gjika ka vlerësuar dhe bemat e veprimtarëve të përndjekur si Myrteza Bajraktari nga Gostivari, Shpëtim Pollozhani nga Struga e Lazër Radi nga Prizreni, etj.
Duke qenë se studiuesi Gjika jeton e punon në qytetin Worcester MA të SHBA-ve, ai është përpjekur të sjellë dhe disa vlera të një vargu biznesmenësh e veprimtarësh që jetojnë në SHBA. Jeta dhe vepra e tyre është per t’u marrë shembull prej mërgimtarëve shqiptarë kudo ku ata jetojnë, por edhe prej shqiptarëve që jetojnë në Ballkanin Perëndimor, të cilët duhet t’i futen seriozisht punës dhe jo të synojnë emigracionin.
Me interes të veçantë, tha Prof. Memeti, më duken dhe mendimet e Prof. Gjikës lidhur me nevojën e evoluimit të mendësisë së artistëve, shkrimtarëve dhe studiuesve të cilët gjatë regjimit diktatorial i shërbyen politikës dhe ideologjisë së partisë shtet. Shumë pak prej tyre shfaqën papajtueshmëri dhe ranë nëpër burgje e kampe internimi. Shumica e krijuesve dhe studiuesve të asaj kohe duhet të pranojnë sot se nuk ishin aspak qytetarë të moralshëm dhe nuk duhet të përpiqen sot për ta paraqitur veten si të përndjekur dhe kundërshtarë të regjimit diktatorial…
Për shkak se disa kopje të librit të Prof. Gjikës u dërguan vetëm një javë para promovimit, studentët nuk patën mundësi që të lexonin shkrimet e librit, prandaj nuk pati diskutantë studentë.

Në fund foli dhe autori i librit, Prof. Thanas L. Gjika i cili theksoi se ndjehej i privilegjuar që ndodhej midis kolegëve dhe studentëve të U.Sh.Tetovë.
“Kam qenë disa herë në Tetovë në vitet 1994 e 1995, tha z. Gjika, dhe vërej se ka ndryshim të madh midis vajzave e djemve shqiptarë të Tetovës që pashë në ato vite dhe ju që po ju shoh sot. Atëhere, më vjen keq ta them, por sidomos vajzat kishin një paraqitje që dalloheshin mjaft prej vajzave maqedone. Ato ishin të veshura pa shumë kujdes, mbanin shami në kokë, kurse djemtë shkonin në klube plot tym ku kishte vetëm meshkuj. Aty ata pinin kafe, pije alkolike e duhan si në mejhanet e dikurshme të kohës së pushtimit asman. Sot ju studente dhe ju studentë të Tetovës nuk keni asnjë dallim nga vajzat e djemtë maqedonas e as nga vajzat e djemtë studentë të universiteteve të Tiranës, Prishtinës, Shkodrës, Korçës e qyteteve të tjerë të botës më të përparuar shqiptare. Edhe te klubi këtu karshi univeristetit pashë djem e vajza të veshur me gusto, që bisedonin e qiraseshin pa drojtje si në mbarë botën perëndimore. Për këtë ju përgëzoj sepse pikërisht ju do t’i jepni shoqërisë mbarëkombëtare shqiptare pamje të njëjtë dhe nivel të njëjtë kulturor e profesional. Kështu, duke krijuar një kulturë e letërsi kombëtare në një gjuhë të përbashkët letrare do të shkojmë drejt Europës së Bashkuar, si një popull i qytetëruar.

Bashkë me falenderimet, ju premtoj, e mbylli fjalën e tij Prof. Gjika, se do të vij përsëri në Tetovën e bukur e mikpritëse, madje me gjithë bashkëshorten dhe vajzën, poetet Julia dhe Ani Gjika, të cilat po punojnë për të hartuar e botuar libra të tyre të rinj.”
Në mbyllje mysafiri dhuroi me dedikim disa kopje të librit të tij për bibliotekën e U.SH. Tetovë, bibliotekën e qytetit, për disa kolegë dhe studentë, si dhe disa kopje per kolegët e Prishtines qe i mori per t’i shpene Prof. Dr. Salajdin Memeti.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Thanas Gjika

PËR NJË STRATEGJI TË PËRBASHKËT MBARËKOMBËTARE

January 11, 2019 by dgreca

Libri “Një Letërsi Kombëtare, Një Atdhe i Vetëm”, është një përmbledhje artiukujsh, vlerësime veprash, eseshë dhe monografishë kushtuar intelektualëve të pavarur shqiptarë, si dhe portrete, kujtime, diskutime dhe komente dhe letra të përzgjedhura nga autori, të botuara gjatë viteve të fundit në media të ndryshme shqiptare në Amerikë dhe anë e mbanë trojeve të Kombit shqiptar.  Janë këto shkrime, në një frymë mbarë kombëtare, ashtu siç sugjeron edhe titulli/
1-Frank-shkreli-NGA FRANK SHKRELI/
 Para nja tri javësh më ra në dorë libri më i fundit i autorit Prof. Asc. Dr. Thanas Gjika, “Një Letërsi Kombëtare, Një Atdhe i Vetëm”.  Para se të emigronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1996, Profesor Gjika, ka punuar si redaktor dhe gazetar në Radio Tirana dhe si studiues në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.  Përveç librit të fundit “Një Letërsi Kombëtare, Një Atdhe i Vetëm” – subjekt i të cilit është edhe ky shënim modest — i posa botuar në Tiranë — Prof. Gjika është edhe autor i disa librave të tjera dhe i një numri veprash shkencore, mjaft të vlerësuara nga eskpertë dhe specialistë shqiptarë dhe të huaj.  Por, përveç këtyre veprave shkencore, ndoshta autori njihet nga lexuesi më së miri dhe më shumë për publicistikën e tij aktuale, për artikujt, portretet dhe kumtesat, me të cilat ai është i pranishëm rregullisht në medien e shkruar në Shqipëri, në Kosovë dhe në komunitetin shqiptaro-amerikan.

Libri “Një Letërsi Kombëtare, Një Atdhe i Vetëm”, është një përmbledhje artiukujsh, vlerësime veprash, eseshë dhe monografishë kushtuar intelektualëve të pavarur shqiptarë, si dhe portrete, kujtime, diskutime dhe komente dhe letra të përzgjedhura nga autori, të botuara gjatë viteve të fundit në media të ndryshme shqiptare në Amerikë dhe anë e mbanë trojeve të Kombit shqiptar.  Janë këto shkrime, në një frymë mbarë kombëtare, ashtu siç sugjeron edhe titulli i librit.  Ndërsa shkruan se, “populli shqiptar është një nga popujt më të abuzuar të kontinentit evropian”, Profesor Thanas Gjika bën thirrje për një “Shqipëri të Vërtetë”, me “Një strategji Mbarëkombëtare”, ku të përfshiheshin gjithë trojet që banohen në shumicë nga shqiptarët.  Profesor Gjika e përshkruan si të favorshme për veprim, gjëndjen aktuale politike të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor — me dy shtete të pavarura, Shqipëria dhe Kosova, ndërsa faktorët e tjerë shqiptarë në Ballkan gëzojnë gjithashtu më shumë se përpara të drejta e liri, ndërkohë që shqiptarët kanë ende mbështetjen e aleatëve të fuqishëm perëndimorë, Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian.  Ai u bën thirrje, “Intelektualëve dhe politikanëve shqiptarë kudo që ata jetojnë: që të punojnë intensivisht për krijimin e një strategjie të përbashkët mbarëkombëtare: pra për një politikë, një letërsi dhe një kulturë kombëtare shqiptare.”  Krijimi i një politike të tillë mbarëkombëtare në fushën politike, kulturore dhe të letërsisë kombëtare do të çojë në një shtet kombëtar shqiptar, sipas tij, “Të Shqipërisë së vërtetë, ëndërra e rilindësve tanë, duke korrigjuar kështu padrejtësinë që kreu diplomacia eropiane në vitin 1913.”  Mjaft humbëm kohë, shprehet Profesor Gjika, duke thekësuar se të gjithë ata që nuk punojnë për një strategji të tillë mbarëkombëtare, janë në rrugë të gabuar, thekson autori.

Është e qartë dhe e natyrshme se në librin — në pjesën dërmuese të shkrimeve në librin, “Një Letërsi Kombëtare, Një Atdhe i Vetëm” — Profesor Gjika ka përzgjedhur artikujt dhe portretet me temat dhe subjektet që, kryesisht, përputhen me titullin e librit dhe me thirrjen e tij të pëgjithëshme për krijimin e një strategjie të përbashkët mbarë kombëtare, si një hap i domosdoshëm për krjimin eventual të një shteti shqiptar, për të gjithë shqiptarët që jetojnë në trojet e veta autoktone.  Autori e bën këtë thirrje, me një angazhim të plotë shpirtëror, “Për emancipimin e popullit të tij në frymën e demokracisë përendimore”, siç vlerëson edhe Profesor Dr. Sadri Fetiu në parathënien e librit të fundit të Profesor Thanas Gjikës.  Pasi jep një vlerësim mjaft interesant dhe të hollësishëm të një numri portretesh shqiptaro-amerikanësh dhe të tjerë përfaqsues me origjinë, pothuaj, nga të gjitha trojet shqiptare, si dhe artikujsh dhe kujtimesh të përfshirë në librin e sipërpërmendur, Profesor Dr. Sadri Fetiu shkruan për librin e Profesorit Gjika duke u shprehur:  “Kjo vepër është rezultat i një pune këmbëngulëse në studimin e çështjeve të parashtruara dhe do të shërbejë për zgjërimin e dijeve tona në fushën e letërsisë, të historisë, të kulturës shqiptare dhe do të japë ndihmesën e veçantë për demokratizimin dhe përparimin e jetës së shqiptarëve, duke synuar unitetin e tyre të plotë drejt realizimit të ëndrrës së rilindësve tanë dhe atë atdhetarëve të denjë të të gjitha kohëve: Për një Shqipëri të vërtetë, të lirë e sovrane, paqëdashëse dhe demokratike në të gjitha viset e saj, brenda dhe jashtë Siujdhesës Ballkanike”, përfundon vlerësimin e tij,  veprës së Dr. Thanas Gjikës, “Një Letërsi Kombëtare, Një Atdhe i Vetëm”, Prof. Dr. Sadri Fetiu nga Prishtina.

Në librin “Një Letërsi Kombëtare, Një Atdhe i Vetëm” nuk mungojnë as temat aktuale që kanë të bëjnë me zhvillimet politike kombëtare dhe ndërkombëtare të shqiptarëve.  Në shkrimin, “Për Diskutimin e Kufijve Kosovë-Serbi”, Dr. Thanasi shprehet se, “Ekzistenca e shtetit të Kosovës si shtet shqiptar i pavarur ishte një zgjidhje e përkohëshme…” dhe sugjeron se, “Zgjidhje më e mirë dhe paqësjellëse është bashkimi i Republikës së Shqipërisë me Republikën e Kosovës në një shtet dhe shkrirja e Maqedonisë midis Bullgarisë dhe Shqipërisë së bashkuar…zgjidhje të tjera janë afatshkurtëra”, shkruan Profesori i nderuar.   Ndërkaq, mbi një çështje tjetër aktuale, Profesor Thanas Gjika, në një letër të hapur drejtuar Hirësisë së tij Anastas Janullatos, udhëheqsit të Kishës Ortodokse në Shqipëri, i bën thirrje atij që të dënojë krimet, “që kreu ushtria e rregullt e shtetit grek kundër popullit shqiptar, si dhe përkujtimin e tyre me ceremoni meshësh të veçanta”, ka shkruar ai në letrën e hapur drejtuar udhëheqsit të Kishës Ortodokse në Shqipëri.  Njëkohsisht, Profesor Gjika i drejtohet atij me kërkesën, që “për disa dhjetëra mijëra shqiptarë të vrarë e të shpërngulur nga shtëpitë dhe tokat e tyre atërore…të ngrihen memoriale në kujtim të viktimave shqiptare që shkaktuan ushtarët e shtetit grek.” Profesor Thanas Gjika përfundon letrën duke u shprehur se “Miqësia midis Shqipërisë dhe Greqisë do të forcohet jo duke ndërtuar vorreza e memoriale në tokat shqiptare vetëm për disa ushtarë që ranë në luftën Italo-Greke jashtë kufirit të Greqisë më 1940, por duke ndërtuar edhe memoriale për viktimat që i shkaktoi popullit shqiptar ushtria greke, si ushtri e një qeverie shoviniste”.

Vepra përfundon me një vlerësim të librit të mëparshëm — të parafundit –të Profesor Thanasit, librit me titull: “Mosdënimi i Krimit është Krim i ri, nga Viktora Vllahu, ku citohet pedagogu Dr. Neli Naço të ketë thënë gjatë një promovimi në Korçë, se “Kur merr në dorë librin e Profesor Thanas Gjikës dhe lexon thënien proverbiale: Mosdënimi i krimit është një krim i ri, ke ndeshur edhe me kredon e cila ka qenë gjithmonë qëllimi kryesor i autorit.  Shpallja pra e një lloj humanizmi bashkohës që ai ka për qëllim ta shpallë dhe ta argumentojë përmes shkrimeve të tij.”

Kjo kredo mund të shpjegohet edhe si një shfaqje shprese e autorit, ndoshta edhe si mundësi e një përtëritjeje morale e shoqërore, sepse sipas vlerësimit të Dr, Naço-s, “Kjo kredo (e Dr. Thanas Gjikës) është një besim i palëkundur i autorit që ai e artikulon në shkrime të ndryshme, por ka bindje se kjo kredo është shumë e rëndësishme që atdheu të zhvilohet dhe të përparojë  nepërmjet një procesi  pastrimi shoqëror dhe politik.  Fshehja e krimit, sipas Profesorit, quhet krim dhe mungesa e dënimit, mundëson që të çojë në përsëritjen e tij.  Kur lexon shkrimet e tija, është e qartë se kjo kredo është pjesë e pandarë e pikpamjeve filozofike të Profesor Thanas Gjikës, ashtu siç i shpreh ai me vendosmëri e bindje, në shkrimet dhe komentet e tija.

 

Libri i Prof. Dr. Thanas Gjikës me portretet e të cilëve dhe materiale të tjera që pasqyrohen në vëllimin, “Një Letërsi Kombëtare, Një Atdhe i Vetëm”, është një punim me shumë vlerë, pasqyrues i jo vetëm mendimeve personale të autorëve dhe personaliteteve të përfshira aty, mbi çështje aktuale dhe historike të interesit kombëtar, por njëkohsisht paraqet edhe një pjesë të historisë  dhe të rrejdhave politike të Shqipërisë dhe të shqiptarëve: për sfidat dhe problemet, për aktualitetin politik dhe ekonomik, për mënyrat e qeverisjes, për lirinë dhe zhvillimet demokratike, si dhe hollësi të tjera nga bota shqiptare në përgjithësi, përfshirë diasporën.  Ky është një libër prej një njeriu dhe intelektuali kompetent, ku përfshihet sado pak një pjesë e historisë sonë kombëtare, e pasqyruar në publicistikë dhe e përmbledhur me shumë kujdes në këtë vëllim të veçant nga Profesor Thanas Gjika.  Me këtë vepër, ai na jep një kontribut të vlefshëm ndaj historisë dhe kulturës së përbashkët mbarëkombëtare shqiptare, një parakusht asgjëmangut ky që sipas Profesor Gjikës, është i doemodoshëm për unitetin kombëtar të gjithë shqiptarëve.  Për këtë, do t’i jemi gjithmonë mirënjohës Profesorit!

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Nje strategji e perbashket Kombetare, Thanas Gjika

Një letërsi kombëtare, një atdhe i vetëm

December 22, 2018 by dgreca

Libri “Një letërsi kombëtare, një atdhe i vetëm” nga profesor Thanas Gjika/

Libri Thanas

Nga Astrit Lulushi/

Nuk është kujtesa, por mungesa e saj që e bën jetën të hidhur. Sado e mbushur me vuajtje të ketë qënë e kaluara, nëse harrohet njeriu do të ndjejë boshllëk në zemër, jeta e tij do të jetë e mangët. Ajo që njeriu ka nevojë është ndryshimi i mendësisë. Me librin e tij, “Një letërsi kombëtare, një atdhe i vetëm”, profesor Thanas L. Gjika, u kujton shqiptarëve të ndryshojnë mendësinë për të ndryshuar për të mirë veten dhe vendin. Ai bën thirrje për hedhjen tej të mendësive të dëmshme nga të cilët shqiptarët gjithmonē kanë vuajtur. Janë këto mendësi që pengojnë unifikimin dhe modernizimin tonë, thotë Gjika. Autori e pranon mangësinë dhe deformimin e edukimit intelektual gjatë periudhës së diktaturës dhe u bën thirrje bijëve sot në pushtet të ish-udhëheqësve komunistë për kthjellimin e mendjes dhe mbajtjen e një qëndrimi kritik ndaj krimeve të prindërve të tyre.

Një tjetër aspekt që profesor Gjika trajton në librin e tij është ajo e diversantëve shqiptarë të dërguar nga SHBA-ja më 1950-1953 për përmbysjen e regjimit të Tiranës dhe jo për të kënaqur synimet territoriale të Greqisë dhe Jugosllavisë së asaj kohe. Misioni i diversantëve, thotë Gjika, u deformua nga propaganda komuniste, që i quajti ata kriminelë e tradhëtarë, dhe kjo krijoi shijen e keqe sa herë përmender fjala “diversant”.

Sipas prof. Gjikës,  gjatë shekullit XX, populli shqiptar ka humbur tre shanse për krijimin e Shqipërisë së vërtetë; më 1913, kur u vendosën kufijtë e Shqipërisë nga fuqitë evropiane, nën presionin e Rusisë cariste; gjatë L2B, kur emisarët komunistë jugosllavë vunë Enver Hoxhën në krye të PKSH-së dhe ushtrisë partizane dhe pas lufte në krye të shtetit shqiptar; dhe shansi i tretë i humbur zgjatet nga viti 1992 deri më 2018. Autori kritikon klasat politike shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, të cilat humbin kohën me grindje mesvedi dhe nuk punojnë për një strategji gjithëshqiptare që do të çonte në krijimin e një Shqipërie të vërtete, thotë zoti Gjika mes të tjerash në librin e tij “Një letërsi kombëtare, një atdhe i vetëm”, nga Shtëpia Botuese KUMI, Tiranë 2018.  I ndarë në 9 kapituj, që përfshihen në rreth 450 faqe, autori shpërndan artikuj, analiza, persiatje, portrete, diskutime e komente, letra, kujtime, një intermexo me shkrime, veç të tjerash,  nga jeta e komunitetit shqiptar të Worçesterit në Masaçusets, ku autori banon dhe kryeson degën e shoqatës Vatra. Libri mbyllet me një vështrim nga Viktora Vllahu mbi dy libra të rëndësishëm të Thanas Gjikës; “Mos dënimi i krimit është krim i ri” dhe “Shën Pali punoi dhe në brigjet e Adriatikut”.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Astrit Lulushi, një atdhe i vetëm, Një letërsi kombëtare, Thanas Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 11
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT