Libri “Një letërsi kombëtare, një atdhe i vetëm” nga profesor Thanas Gjika/
Nga Astrit Lulushi/
Nuk është kujtesa, por mungesa e saj që e bën jetën të hidhur. Sado e mbushur me vuajtje të ketë qënë e kaluara, nëse harrohet njeriu do të ndjejë boshllëk në zemër, jeta e tij do të jetë e mangët. Ajo që njeriu ka nevojë është ndryshimi i mendësisë. Me librin e tij, “Një letërsi kombëtare, një atdhe i vetëm”, profesor Thanas L. Gjika, u kujton shqiptarëve të ndryshojnë mendësinë për të ndryshuar për të mirë veten dhe vendin. Ai bën thirrje për hedhjen tej të mendësive të dëmshme nga të cilët shqiptarët gjithmonē kanë vuajtur. Janë këto mendësi që pengojnë unifikimin dhe modernizimin tonë, thotë Gjika. Autori e pranon mangësinë dhe deformimin e edukimit intelektual gjatë periudhës së diktaturës dhe u bën thirrje bijëve sot në pushtet të ish-udhëheqësve komunistë për kthjellimin e mendjes dhe mbajtjen e një qëndrimi kritik ndaj krimeve të prindërve të tyre.
Një tjetër aspekt që profesor Gjika trajton në librin e tij është ajo e diversantëve shqiptarë të dërguar nga SHBA-ja më 1950-1953 për përmbysjen e regjimit të Tiranës dhe jo për të kënaqur synimet territoriale të Greqisë dhe Jugosllavisë së asaj kohe. Misioni i diversantëve, thotë Gjika, u deformua nga propaganda komuniste, që i quajti ata kriminelë e tradhëtarë, dhe kjo krijoi shijen e keqe sa herë përmender fjala “diversant”.
Sipas prof. Gjikës, gjatë shekullit XX, populli shqiptar ka humbur tre shanse për krijimin e Shqipërisë së vërtetë; më 1913, kur u vendosën kufijtë e Shqipërisë nga fuqitë evropiane, nën presionin e Rusisë cariste; gjatë L2B, kur emisarët komunistë jugosllavë vunë Enver Hoxhën në krye të PKSH-së dhe ushtrisë partizane dhe pas lufte në krye të shtetit shqiptar; dhe shansi i tretë i humbur zgjatet nga viti 1992 deri më 2018. Autori kritikon klasat politike shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, të cilat humbin kohën me grindje mesvedi dhe nuk punojnë për një strategji gjithëshqiptare që do të çonte në krijimin e një Shqipërie të vërtete, thotë zoti Gjika mes të tjerash në librin e tij “Një letërsi kombëtare, një atdhe i vetëm”, nga Shtëpia Botuese KUMI, Tiranë 2018. I ndarë në 9 kapituj, që përfshihen në rreth 450 faqe, autori shpërndan artikuj, analiza, persiatje, portrete, diskutime e komente, letra, kujtime, një intermexo me shkrime, veç të tjerash, nga jeta e komunitetit shqiptar të Worçesterit në Masaçusets, ku autori banon dhe kryeson degën e shoqatës Vatra. Libri mbyllet me një vështrim nga Viktora Vllahu mbi dy libra të rëndësishëm të Thanas Gjikës; “Mos dënimi i krimit është krim i ri” dhe “Shën Pali punoi dhe në brigjet e Adriatikut”.