• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Filmat e Diktatures dhe Thashethemet e Piro Milkanit

April 2, 2017 by dgreca

Nga Thanas L. Gjika/ SHBA/
Piro Milkanin përpiqet të krijojë përshtypjen se është një nga regjisorët më të mirë të kinematografisë shqiptare, por nuk e ka arritur kurrë nivelin e dy regjisorëve që e ndihmuan në hapat e tij të parë për të mësuar në praktikë regjinë e filmit, pra nivelin e regjisorëve Gëzim Erebara dhe Kujtim Çashku. Në shkollën e Pragës ai mësoi vetëm për të xhiruar filma si operator, por edhe në këtë profesion nuk e arriti dot Ilia Tërpinin dhe Jonel Konomin, etj. Dobësitë e tij profesionale u shfaqën në gjithë filmat që krijoi. Mjafton të shikoni filmin “Trishtimi i zonjës Shnaider” të vitit 2008, i cili ka nivelin mesatar të një pune diplome studentësh. 
Disa vjet më parë, kur hartoi dokumentarin për jetën e Ismail Kadaresë i shkrova se ky film nuk i jepte vlerat e Ismail Kadaresë dhe se Dritëro Agolli në skenën e takimit me të duhej t’i thoshte jo vetëm: “Ismail ti ke qenë më i talentuari”, por duhej t’i kërkonte të falur për faktin se e kishte lënë vetëm në luftën që ai guxoi t’i bënte partisë për krijimin e çnjeriut. Pirua mu zemërua. E si të mos zemërohej, ai donte lavdërime, donte që unë ta vlerësoja si regjisorin më të mirë mbas Viktor Gjikës e Dhimitër Anagnostit. 
Unë e kam njohur Piron që në vitin 1951 kur ishim bashkë me pushime në kampin e pionierëve në Pogradec. Pasi u rritëm u bëmë shokë meqë isha vëllai i Viktorit, njeriut që ia kishte nevojën dhe që nuk ia kurseu kurrë ndihmën si koleg e shok. Mirëpo ai ka pritur prej meje lavdërime, kurse unë vetëm e kam respektuar si shokun e tim vëllai dhe nuk i kam bërë elozhe. Ja këtu qëndron mëkati im ndaj tij.
Kur ka ardhur disa herë këtu në Amerikë i jam vënë në dispozicion, e kam marrë e kam shëtitur me makinë, kam shkruar dhe në gazetë për të, por meqë nuk e kam lëvduar si regjisor është mërzitur. Kur kam shkuar unë në Shqipëri më ka lënë të zhgënjyer. Si njeri që e kisha trajtuar si mik të mirë këtu, më kot prita se mos më ftonte për drekë në ndonjë restorant, ose në shtëpi si kisha bërë unë. Ai përkundrazi, u tregua mosmirënjohës dhe shpifi ndaj meje. 
Kur erdhi këtu në Amerikë para pak vitesh, më tha se kishte sjellë një kopje të filmit “Nëntori i Dytë” të Viktorit dhe se donte të bënte një shfaqje të këtij filmi në Boston. Mirëpo ndodhi që unë disa ditë më parë kisha prerë biletat vajtje-ardhje për New York sepse kisha lajmëruar disa profesorë e miq të atjeshëm për takime pune. Prandaj i thashë se më vinte keq që nuk mund të vija në Boston, mbasi nuk mund t’i anuloja takimet e New Yorkut. 
Z. Piro kur kthye në Shqipëri përhapi një legjendë sikur këtu në Amerikë u bë copë për të popullarizuar veprën e Viktor Gjikës, por unë, në vend që të shkoja me të në Boston ia mbatha në N.Y. E fryu mbesën time, vajzën e Viktorit, si dhe shokët e tij me të tilla broçkulla.
Këtë poshtërsi e ngriti në nivel më të lartë mbas vdekjes së Dritëro Agollit, kur unë në shkrimin e lamtumirës për këtë poet ia qaja hallin si Dritëro Agollit, Ismail Kadaresë, Viktor Gjikës e krijuesve të tjerë të cilët duke jetuar në kohën e diktaturës u detyruan të bënin vepra të politizuara si ua kërkonte partia shtet. Por për fatin e mirë të letësisë e të artit shqiptar theksoja se ata arritën të krijonin dhe vepra të mira që do të mbeten në historinë e artit e të letësisë shqiptare. Pirua me vrap rifilloi nga intrigat, rifilloi të fryjë njerëzit se vëllai i Viktor Gjikës ka dalë e “po shan vëllain e MADH, të cilit po i dridhen kockat në varr”, se Thanasi qenka një “vllavrasës”, etj. Mirëpo njerëzit e dijnë se unë lashë punën dhe shkova i shërbeva Viktorit tre muajt e fundit të jetës së tij dhe se gjatë atyre muajve ia redaktova veprën me kujtime “Vit pas viti” që kishte përfunduar në dorëshkrim dhe ndihmova për botimin e saj.
Këto javët e fundit po e fryn problemin që ka ngritur z. Agron Tufa mbi vlerat e antivlerat e filmave shqiptarë të krijuar gjatë kohës së diktaturës. Për të alarmuar njerëzit po e paraqit kërkesën e z. Agron Tufa sikur ky po kërkon ndalimin e plotë të shfaqjes së gjithë filmave, ndonëse ky ka kërkuar që të ndalohen vetëm disa filma shumë të politizuar, kurse të tjerët të jepen në disa kanale TV të shoqëruar me një hyrje ku specialistët të shfaqin vlerësimin e tyre për vlerat e antivlerat e tyre dhe këto filma të kenë një shënjë lart, një logo, që të dallohen se janë krijime të kohës së diktaturës. 
Z. Piro e kupton se po të realizohet kërkesa e z. Tufa, filmat e tij si “Shembja e Idhujve”, etj, do mos shfaqen ose do të shfaqen shumë rallë dhe të ardhurat që ai merr nga shfaqja e filmave do të bien. Për fatin e keq të Piros, unë si studiues i letërsisë, u futa në këtë diskutim duke marrë anën e z. Tufa. Kështu, Pirua gjeti rastin të fryjë atë legjendën e “Vëllavrasësit të Viktor Gjikës” me qëllim që ai të dalë si mbrojtësi i Viktor Gjikës dhe i vlerave të kinematografisë shqiptare të realizmit socialist. Një furtunë në një kovë me ujë. Ngre një problem i cili do ta diskreditojë edhe më keq për mungesën e aftësive të tij si regjisor dhe për mungesën e moralit si njeri. I nxitën disa sambistë të internetit që të shkruajnë me pseudonime për të shkruar lavdërime për Piron dhe për të sulmuar me sharje bajate z. Agron Tufa e të gjithë ata që e përkrahin atë, ku bëj pjesë dhe unë. 
Ja ky është Piro Milkani që është marrë e merret me thurrje thashethemesh për të ngritur emrin dhe prestigjin e tij që të realizojë përfitime sa më shumë…

Filed Under: Komente Tagged With: dhe Thashethemet, e Piro Milkanit, Filmat e Diktatures, Thanas L Gjika

THEMBRA E AKILIT E Prof. PËLLUMB XHUFIT

March 4, 2017 by dgreca

2 Thanas-GjikaReplike nga Thanas L. Gjika/

Profesor Pëllumb Xhufi është një historian i mirëformuar, autor i disa veprave dhe i shumë artikujve dinjitozë për historinë e Shqipërisë Mesjetare dhe të para Rilindjes. Ai është një nga kuadrot e pakta të formuar brenda dhe jashtë shtetit gjatë kohës së diktaturës. Në vitin 1973 përfundoi studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës në Fakultetin Histori Filologji dega Histori dhe gjuhët klasike latinisht e greqisht. Për shkak të rezultateve të larta në mësime u emërua si punonjës shkencor në Institutin e Historisë së Akademisë së Shencave të Shqipërisë. Më tej për shkak të aftësive dhe të lidhjes martesore me vajzën e Profesor Luan Omarit, nip i Enver Hoxhës dhe sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave, u dërgua për plotësimin e studimeve në Universitetin e Romës ku kreu studime për histori dhe gjuhët klasike latinisht e greqisht. Në vitin 1991 iu dha bursa Humbold dhe u dërgua dy vjet në Gjermani për studime të thelluara në Universitetin e Këlnit. Ka punuar shumë vjet në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave dhe disa vjet në Ministrinë e Jashtme si funksionar ose ambasador i Shqipërisë në Romë. Me kontributin shkencor që ka sjellë në fushën e historisë, Pëllumb Xhufi meriton prej kohësh të jetë akademik, por nuk e ka këtë titull, sepse mesa duket ai nuk e synon.

Si shumë intelektualë të formuar gjatë kohës së partisë shtet, kohë kur ata shijuan shumë të mira, si studimet jashtë shtetit, zgjidhja e strehimit parakohe dhe me apartamente më të mira se kolegët e tjerë, etj; Pëllumb Xhufi e ka një dobësi, e ka Thembrën e Akilit në mendësinë e tij. Ashtu si profesori Arben Puto, poeti Dritëro Agolli dhe shumë artistë e shkencëtarë të tjerë edhe ky historian, ndonëse i aftë dhe i mirëformuar, e ndjen veten borxhli ndaj diktaturës e diktatorit dhe ruan për ta respekt të veçantë dhe nuk përpiqet të evoluojë mendimet e veta ndaj atij sistemi dhe atij diktatori. Në shkrimin e tij kushtuar Enver Hoxhës si komunist dhe nacionalist, botuar në Gazeta Express 3 janar 2016, Xhufi vlerëson zhvillimin e arsimit, të industrisë, bujqësisë, shëndetësisë, etj që arriti Shqipëria në kohën e tij, por nuk përmend dobësitë, gabimet dhe krimet e atij sistemi shoqëror e të diktatorit Hoxha. Në vend që t’i vlerësojë, i quan me përbuzje “lukuni” ata që kanë përmendur gjatë këtyre 26 vjetëve këto krime.

Unë e lexova këto ditë artikullin e Prof. Xhufit mbasi lexova replikën e Prof. Shinasi Ramës për të, e cila mu duk e paplotë. Politologu Rama ndalej në faktin se Enver Hoxha ishte një burrë shteti që punoi kundër kombëtarizmit dhe si i tillë i solli dëme të mëdha çështjes kombëtare dhe nacionalizmit shqiptar, por nuk ndalej në shpalosjen e krimeve të këtij pushtetari komunist.

Që nga viti 1992 e deri sot kam lexuar shkrime e studime të shumta prej Tomor Alikos, Pjetër Pepës, Uran Butkës, Lek Pervizit, Eugjen Merlikës, Mërgim Korçës, Sami Repishtit, Pëllumb Kullës, Visar Zhitit, Kastriot Dervishit, Agron Tufës, Muharrem Dezhgiut, Lazër dhe Jozef Radit e shumë të tjerëve për bëmat e partisë shtet dhe të diktatorit tonë. Kjo literaturë më ka ndihmuar t’i afrohem së vërtetës, pra të evoluoj mendësinë time të formuar gjatë viteve të diktaturës, kur politizimi i skajshëm më kishte penguar për t’u bërë një punonjës shkencorë i aftë. Kjo dobësi shfaqej në përpjekjen që arritjet e mia t’i përputhja me mësimet e partisë e të shokut Enver ashtu si bënin gjithë kolegët. Politizimi kishte krijuar tek unë dhe kolegët e mij, si dhe te shumica e studiuesve, shkrimtarëve dhe artistëve autocensurën që na topiste forcat krijuese. Politizimi ishte Thembra e Akilit në formimin tonë mendor.

Fitorja e pluralizmit në Shqipëri më 1991, botimi i një literature të re mbi konceptet demokraci, shoqëri e hapur, të drejtat e njeriut, etj ishin si shiringa shëruese për botëkuptimin tim dhe të shumë kolegëve. Politizimin, që ishte një dukuri e moralshme gjatë jetës nën diktaturë e konsideruam një dukuri të pamoralshme, një kornizë penguese. Fitorja e Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 1992 e përforcoi optimizmin dhe ecujen drejt çlirimit prej mendësisë vrastare. Këtë e dëshmon fakti se gjatë 22 vjetëve (1970-1992) kur punoja si studiues i punësuar prej shtetit në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë munda të hartoja e botoja vetëm disa dhjetra artikuj shkencorë e kumtesa dhe një studim monografik, kurse gjatë 16 vjetëve (2000-2016) në ShBA, krahas punës për të mbijetuar e përpjekjeve për të mësuar anglishten, arrita të shkruaj e botoj si studiues i lirë në gazetat Dielli, Illyria, etj shumë më tepër artikuj, tre studime monografike dhe dy përmbledhje me artikuj, ese, potrete, etj, të vlerësuar prej studiuesve seriozë brenda dhe jashtë Shqipërisë.

U ula për ta shkruar këtë artikull, si vijim e plotësim të replikës së Prof. Sh. Ramës, duke shpresuar se mund ta ndihmoj kolegun tim të vjetër, Prof. P. Xhufin, që dhe ai të luftojë për ta shëruar Thembrën e Akilit (politizimin) në mendësinë e tij dhe të japë ndihmesën e vet të vyer për vlerësimin sa më objektiv për kohën e diktaturës dhe për figurën e Enver Hoxhës, natyrisht larg sharjeve pa fakte, por edhe larg himnizimit dhe heroizimit.

* * *

E pranoj shprehjen e Prof. Xhufit me të cilën ai hap shkrimin e vet: “Të bësh një analizë pak a shumë të saktë e gjithëpërfshirëse të Enver Hoxhës është një mision i vështirë”, por nuk pranoj që ky mision është “i parakohshëm”, si e quan ai. Për rëndësinë që ka për botën shqiptare studimi dhe sqarimi i vlerave dhe kundërvlerave të pushtetarit Enver Hoxha dhe i sistemit të diktaturës komuniste që ai instaloi tek ne, ky mision duhet kryer sa më parë. Duhet kryer sa më parë sepse jemi shumë mbrapa vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore të cilat i kanë dënuar me kohë diktatorët e tyre dhe krimet e kohës së komunizmit. Për turpin tonë tek ne ka ende nostalgji për diktatorin si e ka treguar raporti i OSCE-së (OSBE-së) i vitit 2016.

Që edhe ne shqiptarët të ecim përpara si popuj të qytetëruar dhe të hyjmë me dinjitet në Bashkimin Europian na duhet të arrijmë pjekurinë politiko-shoqërore sipas së cilës t’i dënojmë gabimet dhe krimet që na janë bërë këto shekujt e fundit. Si ka theksuar Prof. Sami Repishti në një intervistë në Gazeta Shqiptare, duhen dënuar si dukuri “imorale dhe antinjerëzore” pushtimi osman, sundimi i të ashtuquarturve “pashallarë” shqiptarë që i shërbyen atij pushtimi, sundimi i latifondistëve (bejlerëve) shqiptarë që varfëroi fshatarin shqiptar, dhe i klikave sunduese para e pas Pavarësisë sonë të 28 Nëndorit 1912, që përpiqeshin të përjetësonin privilegjet që u favorizonin të huajt për shërbimet që u bënin. E mbi të gjitha këto dukuri, Profesor Repishti vendos Diktaturën e Proletariatit si dukurinë “më imorale dhe antinjerëzore”, si skllavërimin total të popullit shqiptar për 47 vjet.

Në mbështetje të mendimit të Prof. Repishtit kisha hasur vite më parë dhe disa mendime të ashpra kritike ndaj diktaturës së proletariatit në Shqipëri prej ish partizanësh e ish komunistësh të ndershëm si Zef Mala, Selfixhe Broja (Ciu), Viktor Stratobërda, etj të cilët ishin penduar thellë mbasi vuajtën vite burgu e internimi prej asaj diktature që ata kishin ndihmuar të instalohej në Shqipëri.   

Unë, duke qenë studiues i krijuar në inkubatorin e diktaturës së proletariatit, i njoh atij regjimi si dhe Prof. Xhufi disa merita për arritje në fushat e arsimit, mjekësisë, bujqësisë, industrisë, mineralogjisë, metalurgjisë, organizimit dhe përgatitjes së ushtrisë dhe policisë, si dhe në fushën e grumbullimit dhe studimit të gjuhës shqipe, stabilizimit të gjuhës letrare të përbashkët, zhvillimit të letërsisë dhe arteve, etj. Por në këto vlerësime unë nuk mund të le pa përmendur faktin se ka pasur shumë dhunë, shpenzime të tepërta, politizim të skajshëm shumë të dëmshëm, varfërim të fshatarëve e punëtorëve të cilët punonin në kushte të rënda dhe paguheshin me rroga minimale. Po ashtu nuk i anashkaloj dhe e dënoj dhunën e tepruar ndaj popullit për ta mbajtur gojën kyçur, mungesën e lirisë së lëvizjes brenda atdheut, izolimin e tmerrshëm të banorëve të Shqipërisë nga bota, etj, etj. Gjithashtu pas vitit 1992 e këtej unë përulem me respekt ndaj gjithë atyre që kanë shkruar e shkruajnë për vuajtjet e tyre nën diktaturë duke sjellë sejcili ndihmesën personale për sqarimin e së vërtetës së hidhur e vrastare që na ishte fshehur djallëzisht.

Midis studimeve të fundit për krimet e kryera prej Enver Hoxhës gjatë Luftës së Dytë Botërore, vlen të përmend këtu studimin e thukët të zotërinjve Agron Tufa dhe Çelo Hoxha, respektivisht drejtori dhe nëndrejtori i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Në këtë studim Enver Hoxha është cilësuar kriminel lufte mbështetur në vetë ligjislacionin e Qeverisë Shqiptare aprovuar në janar 1945, mbi të cilin vepruan gjithë gjykatat ushtarake komuniste, ku neni 14 e përkufizon kështu krimin e luftës: “Si kriminela lufte, qofshin shqiptarë ose të huaj, konsiderohen: Ata që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, eksekutuar ose ndihmuar në vepra kriminale, si vrasje, tortura, turpërim femrash, shpërngulje të detyrueshme popullsish, dërgim në fusha përqendrimi, dërgim popullsish në punë të detyrueshme, grabitje, djegie, vjedhje, shkatërrim, plaçkitje të pasunis shtetnore e private; ata që kanë qenë bashkëpunëtorë ose ndihmësa të aparatit terrorist dhe formacioneve terroriste t’okupatorit; ata që kanë urdhëruar dhe ndihmuar mobilizimin e popullit shqiptar për ushtrinë e armikut”. Këta autorë mbështetur në ky ligj kanë nxjerrë në dukje më shumë se 15 fakte kur Enver Hoxha ka urdhëruar, ose është vënë në dijeni për vrasje masive, plaçkitje pasurish pa shkak të fshatarëve e qytetarëve të ndryshëm dhe nuk i ka dënuar këto krime të kryera prej vartësve të tij. Të dhënat e nxjerra prej tyre në arkiva, dëshmojnë se Enver Hoxha “nuk ka qenë aspak një hero i Luftës Antifashiste” si vlerësohet nga disa avokatë të së Keqes dhe se gjatë Luftës Antifashiste “roli i tij nuk ka qenë aspak vendimtar”, prandaj nxjerrja në festimet e 29 Nëntorit 2013 tek Vorrezt e Dëshmorëve e potretit të tij dhe organizimi i sesioneve shkencore në Akademinë e Shkencave në përvjetorin e tij, konsiderohen me të drejtë akte të dënueshme në një kohë kur Shqipëria kërkon të hyjë në Bashkimin Europian.

Për ta ndihmuar kolegun timXhufi, listës së krimeve që kanë përmendur studiuesit Agron Tufa dhe Çelo Hoxha, të kryera prej Enver Hoxhës gjatë Luftës Antifashiste, unë po i shtoj dhe disa krime të tjera të kryera gjatë dhe mbas asaj lufte:

  1. Hedhja poshtë e Marrëveshjes së Mukjes, me shtytjen e Miladin Popoviçit, e cila ishte arritja më e rëndësishme pas Lidhjes së Prizrenit (1878) dhe Konferencës së Pezës (1942).
  2. Shpallja e Ballit Kombëtar më 10 shtator 1943 me shkresën sekrete të firmosur prej Shpatit (pseudonim i Enver Hoxhës) si organizatë tradhëtare dhe urdhëri për ta luftuar këtë organizatë e pjesëtarët e saj si armik, kur dihet se kjo organizatë ishte krijuar e kishte luftuar krahas forcave partizane kundër pushtuesve italianë dhe nuk kishte shpallur ndonjë vijë të re politike për bashkëpunim me pushtuesit e rinj gjermanë.
  3. Atentatet ndaj atdhetarëve e intelektualëve gjatë Luftës duke i shpallur armiq, pa asnjë akt gjyqësor.
  4. Vrasjet pas shpine të shumë partizanëve si Memo Meto, Mynyr Xhindi, Raqi Qirinxhi, etj që guxuan të shprehnin ndonjë mendim jo në përputhje me mendimet e komandantit ose komisarit të brigadës a të batalionit partizan.
  5. Sekuestrimi (grabitja) me dhunë në vitet 1945-1947 e më vonë i pasurive të pronarëve pa pasur ndonjë ligj të veçantë për këtë veprim.
  6. Vjedhja e thesarit të shtetit në shumën prej 320 ton e përbërë nga 43.816.682 copë monedha floriri, të cilat në tregun e numizmatikës kushtonin shumë miliarda dollarë më tepër sesa vlera e tyre si peshë floriri. Këtë grabitje të thesarit të shtetit e ka përmendur qytetari Nuri Mehmeti, një punonjës i Ministrisë së Punëve të Brendshme, në artikullin “Kur hidheshin themelet ekonomike të pushtetit popullor”, botuar në revisën “Në Shërbim të Popullit”, organ i Ministrisë së P.B. në rubrikën “40 vjet çlirim, rrugë lufte e fitoresh në Gusht 1984, f. 14-15. Këtë të dhënë e verifikoi komisioni i posaçëm i krijuar në vitet 1992-1993 prej deputetësh të Partisë Demokratike e Partisë Socialiste me kryetar Blerim Çelën. Po ky komision verifikoi dhe grabitjen e një shume tjetër prej 200 miljon dollarësh të përbërë prej 17.265 kilogram argjend të nxjerra nga thesari i shtetit për të mbuluar gjoja humbjet në kambizëm ndërkombëtar prej agjentit Dhimitër Gazhda në Greqi gjatë viteve 1988-1989.
  7. Politizimi i skajshëm i letërsisë, arteve dhe shkencave shoqërore, proces që futi në rrugë të gabuar studiuesit dhe krijuesit e viteve 1946-1991, të cilët me veprat e tyre të politizuara shtrembëruan të vërtetën historike, hymnizuan diktaturën dhe diktatorin dhe ndërdorën (manipuluan) popullin, pra e verbuan atë.
  8. Lufta e tepruar e klasave, dënimi pa gjyq, ose me gjyq të sajuar i gjithë atyre intelektualëve dhe klerikëve, që ishin formuar në Europë dhe shpalleshin armiq të pushtetit, pa bërë asnjë veprim kundërligjor.
  9. Internimi dhe mbajtja në internim me breza të familjeve të shpallura armiq pa bërë vepra armiqësore, etj.
  10. Keqtrajtimi, burgosja, internimi pa shkak i shqiptarëve që arratiseshin nga ish Jugosllavia për të shpëtuar nga përndjekja sërbe dhe vinin tek nëna Shqipëri, ku gjenin njerkën e pashpirt, e cila me anën e organeve të Sigurimit i torturonte si agjentë e spiunë të qeverisë jugosllave, etj.
  11. Shtytja për vetvrasje e Nako Spirut për t’i bërë qejfin Marshallit Tito. Shpallja armik dhe arrestimi, gjykimi e vrasja e Koçi Xoxes për t’i bërë qejfin baba Stalinit. Arrestimi, torturimi dhe vdekja në torturë e gjaneral Teme Sejkos për t’i treguar Nikita Hrushovit se kuadrot e formuar në Bashkimin Sovjetik tek të cilët Hrushovi mund të shpresonte ndonjë lëvizje për ta përmbysur Enver Hoxhën, ky do t’i mbyste si miza, etj.
  12. Vrasja natën, që u shpall vetvrasje, e Mehmet Shehut kryeministrit dhe arrestimi, torturimi dhe vrasja e Kadri Hazbiut, ministrit të P. B., bashkëpunëtorëve më të afërt në krimet e tij, me qëllim që t’ia linte të qetë pushtetin Ramiz Alisë dhe Nexhmie Hoxhës (që kjo ta sundonte Byronë Politike pa qenë anëtare e saj), etj.

Lidhur me interesimin e Enver Hoxhës për shqiptarët e Kosovës dhe për Kosovën, të cilin Pëllumb Xhufi e quan “thelb i çështjes kombëtare shqiptare në shek. XX”, dhe që e konsideron si punë e kryer me mençuri e nacionalizëm, duhet thënë troç se ky pushtetdashës i lindur e diktator i ardhshëm, duke qenë i shitur tek të dërguarit e Titos, luajti me fatin e Kosovës që gjatë Luftës Antifashiste. Këtë dukuri e ka vënë në dukje z. Sadik Elshani në një polemikë me Pëllumb Xhufin te gazeta Illyria NY 10 Janar 2016.

Ing. Mërgim Korça pas kërkimesh në Arkivin Qendror të Shtetit të R. Sh. ka sqaruar se Enver Hoxha pati tradhëtuar në vitet e para të pas luftë jo vetëm Kosovën, por dhe Shqipërinë. Në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKSh më 15 dhjetor 1947, në praninë e të dërguarit të Mareshallit Tito, Sava Zllatiç, Enver Hoxha deklaroi: “… tani që e likuiduam këtë pengesë (Nako Spirun – shënim sqarues i Mërgim Korçës), duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.) se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë Socializmin, PA U BASHKUAR ME JUGOSLLAVINË…” Deklaratë më antikombëtare e më antinacionaliste se kjo nuk mund të gjendet. Edhe heshtja 70-vjeçare ndaj kësaj deklarate përbën krim në vetvete.

Kurse mbas vitit 1966, kur vetë populli shqiptar i Jugosllavisë, sidomos ai i Kosovës u hodh hapur në luftë për të fituar të drejtat e tij, Enver Hoxha, për të mos u turpëruar nisi të tregojë interesim dhe të lozë kartën e një nacionalisti. Ai shkroi, ose nxiti disa punonjës për të shkruar e botuar disa artikuj në përkrahje të asaj levizjeje…

Studimi dhe sqarimi i arritjeve, dështimeve dhe krimeve të shtetarit Enver Hoxha dhe shtetit diktatorial që ai instaloi me bashkëpunëtorët e vet duhet kryer sa më parë përmes sesionesh shkencore me pjesëmarrje ndërkombëtar. Vlerësimi objektiv i këtij problemi do të ndihmojë në kthjellimin e shumë shqiptarëve që ende e admirojnë pa të drejtë diktatorin dhe diktaturën komuniste.

Mungesa e vlerësimeve shkencore objektive për figurën e Enver Hoxhës, mosdënimi i krimeve të komuniszmit, si dhe qeverisja e keqe e qeverive të tranzicionit derisot, kanë ndikuar dukshëm në krijimin e një nostalgjie për kohën e diktaturës dhe për vetë diktatorin. Kjo atmosferë social-psikilogjike, në mos dhe pare të marra nëndorë prej qarqeve antishqiptare, kanë shtyrë disa historianë, si dhe vetë kryeministrin tonë, Z. Edi Rama, që për të justifikuar bëmat e këtij diktatori, lëvdojnë Ali Pashë Tepelenën, një diktator më primitiv, të cilin guxojnë dhe e quajnë “shqiptar atdhetar” e “me gjenialitet”. Mirëpo Ali Pasha nuk e kishte idene e shtetit kombëtar shqiptar dhe nuk punoi për këtë ide. Në gati 40 vjet sundim ai punoi me psikologjinë e një pashai osman për interesat e tij si një besnik i sulltanit duke vrarë jo turq po shqiptarë, duke i shkatërruar fshatrat dhe krahinat e qëndresës antiosmane. Po të ushqente ide kombëtare ky pasha, pra po të synonte krijimin e një Shqipërie të lirë, ai do të kishte nxitur shkrimin e gjuhës shqipe, do të kishte hapur të paktën një shkollë fillore në shqip, do të kishte treguar sadopak interes për Gjergj Kastriotin Skenderbeun dhe flamurin e tij, do të kishte krijuar lidhje me Bushatllinjtë e Shkodrës për realizimin e asaj ideje. Nëse Ali Pasha do të kishte ushqyer ndonjë ide për krijimin e një Shqipërie të pavarur, atëhere Lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare do të kishte filluar në kohën e sundimit të tij dhe nuk kishte pse të vonohej dhe 50-60 vjet mbas vrasjes së tij.

Ali Pashë Tepelena dhe Enver Hoxha, pavarësisht se jetuan në kohë të ndryshme, kanë pasur karaktere të ngjashëm. Ishin të dy gjakatarë, mashtrues dhe adhurues të floririt. Ata sakrifikuan gjithçka për të arritur marrjen dhe mbajtjen e pushtetit, të cilin e shfrytëzuan kryesisht për interesat e tyre. Pushtetin e morrën me gjak dhe e mbajtën me gjak duke vrarë vetëm shqiptarë dhe asnjë pushtues të huaj. Kur iu dukej se dikush i pengonte ose i konkuronte në realizimin e synimeve të tyre, e zhduknin edhe po të ishte i afërm i familes, mik e bashkëpunëtor i tyre i vjetër. Dalloheshin për servilizëm ndaj eprorëve, Aliu me Sulltanin, Enveri me Miladin Popoviçin, Dushan Mugoshën, Titon, Stalinin e Mao Ce Dunin. Mbaheshin për njerëz me kulturë dhe silleshin mirë me të huajt që u vinin për vizita, por në fakt ishin pa shkollimin e duhur për postin që uzurpuan. Në fakt që të dy kishin aftësi aktoreske dhe të bënin për vete me aftësinë e të folurit dhe me pamjen e tyre të bukur fizike.

Me të drejtë analisti Mërgim Korça e ka quajtur Enver Hoxhën për periudhën 1944-1976 në marrëdheniet e tij me Jugosllavinë e Titos, me Bashkimin Sovjetik të Josif Visarionoviç Stalinit dhe me Kinën e Mao Ce dunit, kolaboracionist për interesa personale. Kolaboracionizmi i tij për periudhën dhjetravjeçare në kushte kur Shqipëria nuk ishte e pushtuar nga këmba e pushtuesit të huaj ishte shumë më i ulët se kolaboracionizmi 1 ose 2-vjeçar i atdhetarëve si Mustafa Merlika, Lef Nosi, Pater Anton Arapi me shokë, të cilët në kohën e pushtimit të huaj pranuan të bashkëpunonin me pushtuesit për të shpëtuar ato që mund të shpëtoheshin për të mirën e atdheut.

Vlerësimi i bëmave të Enver Hoxhës duhet bërë edhe duke pasur parasysh pasojat e sundimit të tij, si shkatërrimin e moralit tradicional shqiptar, shkatërrimin e besimit fetar me dhunë, krjimim e njeriut gënjeshtar që ndryshe mendonte e ndryshe shprehej / shkruante nga frika. Enver Hoxha ashtu si mësuesit e tij të Kremlinit, punoi fshehurazi dhe për ta përjetësuar sundimin e tij. Këtë e dëshmojnë jo vetëm vrasjet e ndryshme, vjedhjet e shumave marramendëse, por edhe puna e Ramiz Alisë për të realizuar trashëgimin e pushtetit dhe të pasurive të popullit prej kupolës komuniste dhe shërbëtorëve të saj besnikë. Për këtë arsye ky pasardhës i Enver Hoxhës zbatoi një variant të planit Katovica për vendin tonë mbas shkërmoqjes së diktaturës së proletariatit. Jo rastësisht mbas shkërmoqjes së diktaturës komuniste erdhën në pushtet ish komunistë dhe ish sigurimsa, shërbëtorë besnikë të ish kupolës komuniste dhe jo nacionalistë, kombëtaristë të përndjekur e të shpronësuar, që përbënin pjesën më të ndershme dhe më atdhetare të shoqërisë sonë.

Studiuesi Pëllumb Xhufi formimin e tij shkencor e ka fituar në saje të aftësive të veta individuale, kurse mundësitë që i dha partia shtet ishin të një rëndësie dorëdytë, prandaj nuk ka pse të ndjehet borxhli ndaj diktaturës e diktatorit. Kam bindjen se, pasi të njihet më nga afër me krimet e kryera gjatë Luftës Antifashiste dhe kohës së diktaturës, do të çlirohet prej politizimit, pra do ta shërojë dhe ai “Thembrën e Akilit”, për nderin e vet dhe të pasardhësve…

1-        Gjatë 26 vjetëve të punës në Institut botova studimin monografik Mihal Gramenoja publicist demokrat AKADEMIA E SHKENCAVE E RPSSh Tiranë 1980 277 f. Kurse gjatë viteve 2000-2016 kam botuar studimet Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re MEDAUR 2007, 504 f., Mihal Grameno jeta dhe vepra DDS Durrës, 2012, 505 f., Shën Pali punoi edhe në brigjet e Adriatikut OMSCA-1 Tiranë 2014, 505 f. dhe përmbledhjet Evoluimi ynë kërkon njohjen dhe dënimin e fajit DDS Durrës  2011, 308 f. dhe Mosdënimi i krimit është krim i ri OMSCA Tiranë 2016, 450 f.

2- Intervistë e Profesor Sami Repishtit për nostalgjinë e popullit shqiptar ndaj figurës së Enver Hoxhës, Gazeta Shqiptare, Tiranë 29 Dhjetor 2016.

3- Gazeta Zyrtare, Tiranë 23 janar 1945, nr 3-bis.

4- Agron Tufa, Çelo Hoxha 15 fakte pse Enver Hoxha është një kriminel lufte në faqja Postbllok

5- Ilir Bushi Enver Hoxha, komunisti tinzar që çoi floririn e Shqipërisë në bankat e Zvicrës, Agjensia e Lajmeve SOT, 14 prill 2012.

6- Mërgim Korça. Çështja Kolaboracionizëm e të tjera T’i Gjykojmë, Detroit MI. 2014, f. 16-61.

Filed Under: Komente Tagged With: pellumb xhufi, Replike, Thanas L Gjika

PËR PRESIDENTIN E RI TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

January 12, 2017 by dgreca

Nga Thanas L. Gjika/Boston/

VISA ZHITI, intelektual i shquar nga radhët e të përndjekurve, shkrimtar shumë i talentuar dhe demokrat i vërtetë, është rast ideal për t’u propozuar dhe zgjedhur President i Republikës së Shqipërisë në këtë kohë të rëndësishme për realizimin e reformës në drejtësi.

Zgjedhja e këtij peronaliteti shqiptar, që ngjan aq shumë me Vaclav Havelin e Republikës Çeke, do të krijojë një imazh tjetër për Shqipërinë në planin ndërkombëtar, kurse në plan kombëtar do të tregonte se partitë politike, sidomos PS-ja, janë emancipuar.

 

Filed Under: Komente Tagged With: President i Shqiperise, Thanas L Gjika, Visar Zhiti

ENVER HOXHA SI FIGURE ARTISTIKE NE VEPRA TE REALIZMIT SOCIALIST

December 4, 2016 by dgreca

1-thanas-gjikaNga Thanas L. Gjika/
Në vitet e diktaturës, partia shtet bënte presion të vijueshëm për të popullarizuar e hymnizuar Enver Hoxhën si një burrë të shquar shteti, politikan të madh, luftëtar e strateg të pashok, etj. Këtë presion ajo e bënte përmes artikuj gazetash, këngësh, librash me kujtime veteranësh, filmash dokumentarë, pllakatash, etj. Me porosi ose jo të udhëheqjes së partisë, Enver Hoxha u kthye në figurë artistike për të trumbetuar këto ide edhe në vepra letrare, në piktura, vepra monumentale skulpturore, etj. Të gjitha këto vepra i shërbenin diktaturës për të mashtruar popullin se gjoja udhëheqësi legjendar po e drejtonte vendin dhe popullin nga fitorja në fitore, kur në të vërtetë po ecej drejt një fundi të palavdishëm e të turpshëm. Këtë e dëshmoi kapitullimi i sistemit diktatorial njëpartiak me ekonomi të përqendruar dhe zëvendësimi tij me sistemin pluralidt me ekonomi të tregut të lirë.
Të tilla vepra artistike kishin kryesisht vlera propagandistike dhe shumë pak vlera artistike. Themi se kishin pak ose shumë pak vlera artistike, sepse ato ishin vepra të hartuara sipas metodës së realizmit socialist. Si të tilla autorët e tyre për t’i realizuar ato ishin udhëhequr nga parimi i partishmërisë komuniste, parim i cili kërkonte që pa tjetër vepra t’i shërbente politikës së partisë. Dhe si të tilla ato i shërbenin propagandës politike të partisë shtet, por jo artit të vërtetë. Veshja e tyre me art i bënte ato shumë më të dëmshme se veprat thjesht propagandistike, si ishin artikujt e gazetave, fjalimet e politikanëve, pllakatat, apo filmat dokumentarë.
Veprat me vlera të vërteta edukative artistike i përkasin artit të realizmit, art i cili e pasqyron jetën jo sipas parimeve /interesave të imponuara të kësaj ose asaj parti politike, por sipas parimit të tipizimit duke e pasqyruar jetën në përputhje me të vërtetën historike.
Ta hymnizoje Enver Hoxhën si një burrë të shquar shteti në një potret, si bëri piktori Zef Shoshi më 1974, pa pasur porosi nga familja Hoxha, madje pa e parë asnjëherë nga afër dhe pa e pasur as personin si model, ishte shprehje e frikës që kishte ngjallur ky diktator dhe partia e tij në mendjen e këtij artisti të talentuar. Themi ishte shprehje, ose më mirë pjellë e frikës, sepse në atë vit Zef Shoshi dhe gjithë intelektualët kishin dëgjuar për krimet që kishte urdhëruar Enver Hoxha dhe ishin kryer gjatë viteve 1943-1960 ndaj intelektualëve shqiptarë të formuar në botën Perëndimore, kundër klerit e sidomos atij katolik në vitet 1945-1967, kundër artistëve pjesëmarrës në festivalin e këngës së vitit 1973 dhe kundër disa komunistëve disi liberalë si Fadil Paçrami e Todi Lubonja, etj. Pra portreti i Enver Hoxhës krijuar prej piktorit Shoshi në vitin 1974, ndonëse duket si portret i realizuar bukur, është një vepër me vlera artistike negative propagandistike. Ai portret është krijuar nga halli, nga frika që vlonte në ndërgjegjen e autorit të saj se mos dënohej dhe ai si shumë artistë të tjerë. Vetë Zef Shoshi ka thënë në një intervistë se “ajo vepër është pjellë e kohës…, se ai dhe gjithë vepra e tij i përket kohës kur e ka krijuar”. E pikërisht kjo thënie duhet shpënë deri në fund me sinqeritet e guxim, pra duhet pranuar se në atë kohë klima krijuese ishte një klimë nënshtrimi ndaj rregullave të realizmit socialist e partishmërisë komuniste. Se po të doje në atë kohë të hartoje një portret të Enver Hoxhës nuk mund të bëje ndryshe vetëm se ta hymnizoje atë, pra shkurt duhej të bëheshe vegël e propagandës së partisë. Dhe të pranosh se ke shërbyer si vegël e asaj partie është një akt qytetar i guximshëm, por që nuk mjafton të ndalesh deri aty, por ta shpiesh deri në fund, deri tek dënimi i vetes për dëmin që i ke shkaktuar popullit tënd. 
Sot, kur metoda e realizmit socialist nuk përbën më një metodë krijuese, dhe kur kanë dalë në shesh edhe shumë krime të tjerë të Enver Hoxhës, piktori Zef Shoshi po t’i kthehet hartimit të portretit të Enver Hoxhës nuk mund të hartojë një portret të njëjtë hymnizues për atë person historik. Ai patjetër ka për të hartuar një portret shumë të ndryshëm nga portreti i vitit 1974, sepse tani piktori do të punojë i çliruar prej frikës dhe do të përdorë një kombinim tjetër ngjyrash përmes të cilave do të shprehë jo hymnizim, por kritikë ndaj figurës së këtij diktatori të egër e gjakatar. Portreti i vitit 1974 u krijua me qëllim që të shprehte idenë e gabuar: “ Enver Hoxha është një burrë shteti largpamës, që mendohet thellë para se të marrë vendimet e tij”. Kjo ide binte dhe bie ndesh me të vërtetën historike, sepse e vërteta historike tregoi se me luftën e tejskajshme të klasave, me izolimin e tepruar të Shqipërisë, me varfërimin e jetës së popullit, Enver Hoxha nuk ishte aspak një burrë shteti largpamës, që mendonte thellë para se të merrte vendimet. Pikërisht kjo na bën që portretin e Enver Hoxhës të vitit 1974, që u vlerësua me çmime në atë kohë si portret i bukur, do të mbetet thjesht si një vepër me vlera edukative negative si vepër e propagandës komuniste. Ajo u realizuar në kohën e mungesës së lirisë krijuese, e nxitur prej frikës dhe autocensurës së autorit dhe jo prej kërkesave të brendshme të një artisti të lirë. Në atë kohë ajo u pëlqye prej ish komunistëve dhe masave të gjera të droguara nga propaganda e partisë, kurse sot ajo mund të pëlqehet vetëm prej disa ish komunistëve që nuk u ka dalë ende droga komuniste, si dhe prej atyre personave të cilët i patën lyer duart me gjak dhe nuk duan të pranojnë krimet e tyre, duke u justifikuar se ai rregjim ishte përparimtar dhe ata kryenin detyrën ndaj partisë e komandantit. Ai portret dhe simotrat e tij e kanë vendin në skutat e studiove të autorëve të tyre, ose në bodrumet e Galerisë së Arteve. Ato nuk duhet të riprodhohen dhe nuk duhet të ribotohen në organe shtypi a në media. Riprodhimi e ribotimi i tyre në ditët tona ka pa tjetër një qëllim keqdashës ndaj ecurisë së mendësisë së popullit tonë drej Europës demokratike. Kurse mosdënimi i tyre prej vetë autorëve tregon se autorët nuk janë ndërgjegjësuar për krimin që kanë kryer dhe nuk duan të kuptojnë rëndësinë e katarsës që duhet të kryejnë si artistë shërbëtorë të propagandës vrastare të diktaturës komuniste. 
Të njëjtët vlerësime mund të shprehim edhe për veprat monumentale që krijuan skulptorët Kristaq Rama, Mumtaz Dhrami, Sali Shijaku e Shaban Hadëri për figurën e Enver Hoxhës si udhëheqës i shquar i partisë, pas vdekjes së tij. Këto vepra kanë pasur kryesisht vlera propagandistike dhe pak vlera artistike të mirëfillta, sepse duke u krijuar me porosi nga lart në kushte të mungesës së lirisë, ato, ashtu si dhe potretet e diktatorit, shprehën ide të gabuara në kundërshtim me të vërtetën historike për vlerat e vërteta të Enver Hoxhës si shtetar e politikan. Po të rikrijonin po ata piktorë e skulptorë portrete e monumente të rinj për të njëjtin person historik pasi u shkërmoq diktatura, kur u njohën më mirë krimet e atij sundimtari, asnjëri prej tyre nuk do të krijonte më portrete ose monumente të ngjashëm me ato që kishin krijuar në vitet e diktaturës. Enver Hoxha do të jepej dhe me të metat e karakterit të tij si person dhe si shtetar, sepse të krijosh sot në kushte lirie një portret ose një monument hymnizues për një diktator si ai, do të thotë të jesh një artist qesharak e regresiv.
Ndryshe qëndron puna me vepra të tjera të këtyre piktorëve dhe skulptorëve, ku janë vënë në qendër njerëz të thjeshtë, malësorë, bujq të fushës, luftëtarë të së kaluarës, personalitete si Ismail Qemali, Kostandin Kristoforidhi, etj. Në këto vepra figurat njerëzore janë krijuar në përputhje me vërtetësinë historike të kohës së cilës i përkasin heronjtë që janë vënë në qendër të tyre, pra ato vepra i përkasin artit realist. Trajtimi i temës së jetës shqiptare nga e kaluara ndihmonte krijuesit për të qenë më të shpenguar ndaj kërkesave të realizmit socialist, prandaj shkrimtarë, piktorë, skulptorë, kineastë etj shpesh herë iu drejtuan të tilla temave në vitet e vështira të diktaturës.
Përsa i pëket romanit “Dimri i vetmisë së Madhe” të Ismail Kadaresë, ku është vënë në qendër figura e Enver Hoxhës si udhëheqës i PPSh-së, kemi të bëjmë me një rast më të veçantë dhe kompleks . Kjo vepër ndonëse u hartua në kohën e mungesës së lirisë krijuese, madje si kemi dëgjuar, dhe me kërkesë të Nexhmie Hoxhës, përsëri aty ka nota kritike ndaj personalitetit historik të Enver Hoxhës. Vepra ka në qendër mbledhjen e 81 partive komuniste në Moskë, në nëntorin e vitit 1960, ku Enver Hoxha u ngrit kundër vijës politike të Nikita Hrushovit, drejtuesit të kampit socialist. Pavarësisht se ky guxim i Hoxhës e kishte burimin tek interesi i tij për të mbrojtur karrigen e vet, përsëri ishte një guxim i pajetuar midis drejtuesve të partive komuniste. Ky akt në fakt ngjallte shpresa për ardhmërinë e Shqipërisë, për ndaljen e procesit të rusifikimit të kulturës shqiptare, pra ishte një akt që duhej vlerësuar prej shqiptarëve për guximin. Dhe këtë vlerësim autori e bën me ndërgjegje. Më tej në skalitjen e Enver Hoxhës si burrë shteti, si udhëheqës i PPSh-së autori krahas notave hymnizuese ka dhe nota kritike. Kritikat e shprehura kundër punonjësve të Sigurimit të shtetit me në krye Ministrin e Brendshëm Koçi Xoxe duhen kuptuar dhe si nota kritike ndaj vetë drejtuesit të partisë, i cili në fakt drejtonte dhe komandonte dhe Ministrinë e Brendshme dhe Sigurimin e shtetit. Pikërisht kritikat e ashpra ndaj Sigurimit të shtetit dhe Koçi Xoxes, tregojnë se notat hymnizuese me të cilat përshkruhet Enver Hoxha në këtë vepër mund të merren dhe si një dëshirë e autorit për të shprehur idenë sesi duhej të ishte udhëheqësi i PPSh-së pas kësaj ngjarjeje të madhe. Në mbështetje të mendimit tonë janë dhe dy thënie që hasen në roman: “Në Socializëm konkurojnë të aftët me të paaftët, ku të aftët lodhen të parët” dhe “Ashtu si borgjezia prodhon proletariatin – varrmihësin e saj – diktatura e proletariatit prodhon inteligjencën, varrmihësen e saj”. Këto shprehje pavarrësisht se në gojën e kujt janë vënë, shprehnin mendime të subkoshiencës së autorit për karakterin e socializmit dhe ardhmërinë e tij të pasigurt si sistem shoqëror, mendime që lidhen përmes nëntekstit me të vërtetën historike ndaj sistemit socialist. Jo rastësisht autori u urdhërua që ta ripunonte këtë roman. Pra kjo vepër letrare edhe pse u krijua në kohën e mungesës së lirisë dhe me porosi nga lart, për shkak të talentit të fuqishëm dhe guximit qytetar të autorit, është larg së qeni një vepër propagandistike e kohës kushtuar diktatorit Enver Hoxha. Ajo renditet midis veprave të artit realist. Aty heroi qendror është krijuar jo thjesht sipas kërkesave të realizmit socialist, jo thjesht i himnizuar, por ndërthurrur dhe me kritika ndaj sistemit shoqëror dhe vetë heroit që kishte përgjegjësi për krijimin e atij sistemi.
Deri sot shkrimtarë të talentuar nga radhët e të dënuarve të ndërgjegjes si Visar Zhiti dhe disa studiues u kanë bërë thirrje krijuesve të ndryshëm që të njohin dëmin që i kanë shkaktuar shoqërisë me veprat e tyre propagandistike artistike dhe të dalin hapur me kritika ndaj atyre veprave, por këto thirrje nuk janë marrë si akte dashamirëse dhe janë lënë pa përgjigje e kanë kaluar pa u vlerësuar. 
Tani mendojmë se është radha e shkrimtarit Ismail Kadare, i cili më 1992 e hodhi i pari hapin drejt katarsës me skicën “Prometeu i pajtuar” ku pranoi me guxim qytetar se e meritonte epitetin “poet i oborrit”. Ai mund të ndihmojë e mund të dëgjohet më mirë prej kolegëve shkrimtarë e artistë për të kuptuar se është e pamjaftueshme të thuhet “vepra ime ishte pjellë e asaj kohe”, por të pranohet se veprat e tyre artistike propagandistike të realizmit socialist kryen një krim shoqëror që duhet dënuar. Duke qenë shkrimtari më i talentuar i kohës dhe me guxim qytetar më solid fjalët e tij mendojmë se do të zenë vend dhe ecuria drejt qytetërimit europian do të marrë formë të qartë. Ismail Kadareja me një vepër analitike mund të zbulojë procesin e dyzimit të krijuesve gjatë diktaturës. Ai mund të tregojë me kurajë se si frika, presioni për të jetuar e dëshira për të krijuar sajonin në ndërgjegjen e tyre një autocensurë që i pengonte të krijonin jashtë kërkesave propagandistike të partisë shtet. Një vepër e tillë analitike mbi laboratorin krijues të shkrimtarëve e artistëve të asaj kohe, do të jetë një ndihmë e pallogaritshme për të nxitur e ndihmuar krijuesit e tjerë të ecin me kurajë në rrugën e katarsës, akt që ka 25 vjet që pritet të kryhet për çlirimin e mendësisë së mjaft krijuesve nga vargojtë e ndryshkur të asaj partie mëkatare. 
Kjo vepër do t’i ndërgjegjësojë ish krijuesit e kohës së diktaturës dhe ata që kanë filluar të krijojnë mbas diktaturës sesa madhështor dhe hyjnor ka qenë akti i kundërshtimit të së keqes që kryen me pasoja flijimi poetë si Vilson Blloshmi, Genc Leka, Havzi Nelaj dhe ata që pësuan burgjet si Visar Zhiti me shokë e sot lihen mënjanë, kur meritojnë të kthehen në ikona të kombit tonë, sepse ata dëshmuan ashtu si thotë Franc Kafka “NUK KA ART TE MADH PA MORALIN DHE TE VERTETEN BRENDA”… 

Filed Under: Opinion Tagged With: figura e Enver Hoxhes, si figure artistike, Thanas L Gjika

VLERËSIMI I BALLISTËVE TË LUSHNJËS “MARTIRË TË DEMOKRACISË” ËSHTË I DREJTË

November 2, 2016 by dgreca

(Mendësia komuniste na pengon të ndëshkojmë si e sa duhet krimin komunist)/

1 Prof.-Asc.-Dr.-Thanas-L.-Gjika-220x292 (2)

Nga Thanas L. GJIKA, USTER/SHBA/

Në shtypin shqiptar në atdhe dhe në diasporë, si dhe në biseda të ndryshme më ka rënë rasti, të lexoj e të dëgjoj ish pushtetarë të diktaturës, ose bijtë e tyre, të cilët vijojnë të mbrojnë mentalitetin e vjetër komunist dhe ta quajnë kohën e diktaturës kohë e një qeverisje normale me disa gabime. Të tillë njerëz asnjëherë nuk shkruajnë e as e hapin bisedën të parët për të dënuar krimet e sistemit komunist dhe me shumë zor e pranojnë që ai sistem ishte një sistem i gabuar, se ai sistem ishte po aq i turpshëm sa dhe nazizmi e fashizmi dhe se krimet e tij duhen ndëshkuar po ashtu si u ndëshkuan krimet e nazi-fashizmit prej popujve që i përjetuan ato, gjermanëve dhe italianëve. Mirëpo mbas vitit 1991, kur në Shqipëri u pranua kapitullimi i sistemit diktatorial komunist, të tillë njerëz u përpoqën ta lenë në heshtje dënimin e krimeve të atij sistemi, t’i harrojnë poshtërsitë dhe krimet që kryen ata ose prindërit e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore (L2B) dhe gjatë diktaturës. Kurse, kur presidentët e republikës kanë marë mbas vitit 1992 ndonjë vendim që ua skërmit koret atyre plagëve dhe krimeve, hidhen përpjetë dhe aktivizohen në kor duke diskutuar me shkrim ose me gojë plot fyerje e sharje njësoj si në kohën e ditaturës, kur çdo ballist e nacionalist cilësohej thjesht tradhëtar e bashkëpunëtor me pushtuesin.E vërteta historike dihet se ballistët e nacionalistët kishin dalë malit e luftonin kundër pushtuesve fashistë italianë para se të mbahej Konferenca e Pezës më 16 shtator 1942, kur u krijua Fronti Nacional, ku bënin pjesë gjithë forcat luftarake pa dallim krahine, besimi dhe ideje. Kjo konferencë zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm Nacional të përbërë nga zotërinjtë Kamber Qafmolla kryetar, Mustafa Gjinishi sekretar, Ndoc Çoba, Myslim Peza, Abaz Kupi, Enver Hoxha dhe Ymer Dishnica. Pra katër ishin nacionalistë e tre komunistë.

Po ashtu dihet se më 1-3 gusht 1943 u mbajt Mbledhja e Mukjes, ku forcat balliste, nacionaliste e komuniste u ulën si të barabartë në tavolinë dhe zgjodhën Komitetin për Shpëtimin e Shqipërisë i cili përbëhej nga 24 vetë prej të cilëve dymbëdhjetë ishin përfaqësues të Ballit Kombëtar, gjashtë të Partisë Komuniste (PKSh) dhe gjashtë të forcave nacionaliste. Ky komitet formuloi Proklamatën e përbashkët për vijimin e luftës kundër pushtuesit italian dhe çdo pushtuesi tjetër që mund të vinte. Proklamata e këtij komiteti ishte kjo:

Popull shqiptar!

Po bëhen afro 5 vjet që Italia fashiste ka pushtue vendin tonë të shtrenjtë dhe po mbjell kudo zi e mjerim.Barbarizma ka arritur kulmin. Në këto kohë të fundit ka djegë e ka shkatërrue fshatra e qytete dhe me një etje të tërbueme ka vra e ka therë burra e gra, djem e vajza, pleq e të rinj dhe fëmi të vegjël shqiptar që ende thithin qumështin e nënës… Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, shprehje e gjallë e fuqive të kombit, paraqet këtë program:

  1. Luftë të përbashkët dhe të menjëhershme përbri aleatëve më të mëdhenj, Anglisë, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik si dhe popujve të shtypur kundra pushtuesit barbar.
  2. Luftë për një Shqipëri të pamvarme, luftë për zbatimin e parimit të njoftun botërisht e të garantuar nga Karta e Atllantikut të vetvendosjes së popujve për një Shqipëri etnike.
  3. Luftë për një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore.

Shqiptarë!

Nuk keni ç’të prisni ma. Armiku është akoma në vatrat tona.

Erdhi koha që të çohemi të gjithë të vegjël e të mëdhenj, burra e gra, intelektualë e patriotë qytetarë dhe katundarë dhe të rrokni armët për dëbimin sa më të shpejtë të pushtuesit të huaj nga toka e shenjtë shqiptare.

Ngrihuni të gjithë pra, betohuni rreth flamurit të Skënderbeut, bashkohuni rreth Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë dhe sulmoni në çdo vend e kënd, me armë e çdo mjet armikun pushtues, zgjidhni prangat e robërisë që i kini në duar afër 5 vjet dhe merrni gjakun e martirëve tanë që ditën të vdesin në fushën e nderit për lirinë e Shqipërisë. Dita e shpëtimit erdhi!

Jashtë armiku zaptues!

Rroftë Shqipëria e bashkueme në luftë kundër pushtuesit!

Rrofshin aleatët tanë të mëdhenj, Angli, Shtetet e Bashkueme e Bashkimi Sovjetik!

Rroftë Shqipëria e pavarme, demokratike popullore!

Të dërguarit e Partisë Komuniste ia shpunë Enver Hoxhës Proklamatën e Mbledhjes së Mukjes në Vithkuq të Korçës, ku ishin mbledhur forcat partizane për krijimin e Brigadës së Parë Sulmuese. Nesti Kërënxhi, njëri prej anëtarëve të delegacionit të PPSh-së, ka treguar se Enver Hoxha pasi e lexoi e pranoi dhe tha: “Mirë e keni bërë”. Mirëpo në atë kohë doli nga çadra e tij Miladin Popoviç, i cili u afrua dhe kërkoi ta lexonte vetë proklamatën. Pasi arriti te pika e dytë, ku përmendej e drejta për vetvendosjen e popujve dhe Shqipëria etnike, ai e grisi letrën dhe ia hodhi Enverit në fytyrë duke thirrur me inat: “Nanën Shqipnisë etnike! Enver mohoje sa më parë!”

Kështu u hodh poshtë marrëveshja e Mukjes, arritja më e rëndësishme e forcave të përbashkëta antifashiste. Enver Hoxha, si ushtar i bindur i Miladin Popoviçit, filloi nga veprimet për ta mohuar e hedhur poshtë marrëveshjen e Mukjes. Ai formuloi më 10 shtator 1943 dhe u dërgoi organizatave të partisë në bazë një shkresë sekrete ku urdhëronte që të shpallej Balli Kombëtar tradhëtar dhe bashkëpunëtor i pushtuesit, kur ushtarët e kësaj organizate nuk kishin kryer asnjë bashkëpunim me pushtuesin, por e kishin luftuar atë së bashku me partizanët.Grisja e Proklamatës së Mukjes prej Miladin Popoviçit duhet dënuar prej historiografisë sonë si ndërhyrje në punët e brendshme të ushtrisë Antifashiste Nacional Çlirimtare Shqiptare, kurse mohimi i Proklamatës së Mukjes nga ana e Enver Hoxhës duhet quajtur tradhëti kombëtare dhe duhet dënuar sa më rëndë. Ndërsa deri sot historiografia jonë e ka konsideruar thjesht si një nënshtrim ndaj emisarëve jugosllavë, pa gjykuar pasojat shkatërrimtare që solli ky vendim për të ardhmen e lëvizjes antifashiste të popullit tonë.Eshtë e kuptueshme se hedhja poshtë e marrëveshjes së Mukjes dhe urdhëresa sekrete e Shpatit (Enver Hoxhës) për t’ua kthyer ballistëve pushkët e partizanëve krijoi një gjendje çoroditëse ndaj forcave të Ballit Kombëtar, të cilat pas disa javësh filluan të ndodheshin edhe përballë pushkëve të pushtuesve të rinj, gjermanëve. Të ndodhur midis dy zjarresh, mjaft reparte të forcave balliste filluan të bashkëpunonin me pushtuesit gjermanë, sepse këta shprehën gadishmëri për të mos i asgjësuar. Kështu Balli Kombëtar nga një forcë ushtarake antifashiste që kishte luftuar disa vjet për çlrimin e vendit nga zgjedha fashiste, u kthye brenda muajve tetor-nëntor 1943 në një forcë bashkëpunëtore me pushtuesin e ri nazist, i cili për demogogji shpalli se nuk erdhi në Shqipëri si pushtues, por vetëm për të ruajtur hapur rrugët e lidhjes me forcat e veta të vendosura në Greqinë fqinje.

Ky gabim i rëndë nuk mund t’i falet Balli Kombëtar, i cili ishte krijuar si një organizatë patriotike prej elitës intelktuale shqiptare që ishte formuar në Europë e Amerikë, dhe që deri atëhere e kishte drejtuar me mençuri dhe kishte fituar simpati të madhe në popull, sidomos në krahinat e Shqipërisë së Jugut. Por duhet kuptuar se në këtë gabim historik forcat e Ballit Kombëtar nuk i shpuri dëshira e tyre, por pushka partizane. Ndryshimi që ndodhi në forcat partizane duke u kthyer ato nga forca që luftonin për liri në aleancë me forcat e Ballit Kombëtar, në forca që filluan të luftonin kundër pushtuesit, por dhe kundër aleatit të tyre, ishte tregues i pamohueshëm se PKSh-ja e shtyrë prej emisarëve të Partisë Komuniste Jugosllave, dha sinjalin e fillimit të luftës për marrjen e pushtetit si forcë e vetme politike, pra dhënies së luftës edhe tipare të luftës civile.

Në Mbledhjen e Mukjes ishte vendosur që problemi i pushtetit të vendosej mbas çlirimit të vendit përmes votës së lirë të popullit. mirepo emisarët e Titos e mësuan Enver Hoxhën se komunistët nuk duhej ta ndanin pushtetin me askënd. Me një fjalë Partia Komuniste Shqiptare përqafoi që në atë kohë idenë e sundimit të Shqipërisë së nesërme si forcë e vetme politike, ashtu si sundonte Partia Komuniste Bollshevike në Bashkimin Sovjetik, përmes diktaturës komuniste. Që nga muaji tetor 1943 edhe pse forcat partizane kërkonin e merrnin ndihma nga Anglo-amerikanët dhe flisnin se aleatët e jashtëm antifashistë ishin tre Anglia, Amerika dhe Bashkimi Sovjetik, në fakt drejtuesit e PKSh-së filluan me zë të ulët të ngrihej lart Bashkimi Sovjetik, të flisnin me lavëdërime për Stalinin dhe Titon, por jo edhe për Çurcillin dhe Rusveltin. Në situatën e re që krijoi PKSh-ja me propagandën e saj për ta paraqitur veten si e vetmja forcë që po luftonte pushtuesin e ri gjerman, Abaz Kupi u detyrua të tërhiqte forcat e tij prej Frontit Nacional Çlirimtar edhe të delte si forcë më vete me emrin Partia e Legalitetit. Kështu jugosllavët ia arritën qëllimit: i përçanë forcat e armatosura shqiptare antifashiste në tre grupe forcash që nuk mund të bashkëpunonin më midis tyre.

Luftëtarët e Ballit Kombëtar, në shumicën e tyre, duke qenë të ndikuar prej elitës drejtuese ishin njerëz me bindje antikomuniste. Kështu, lufta që u shpalli atyre Partia Komuniste e shoqëruar dhe me propagandën e saj pro Bashkimit Sovjetik, ua qartësoi ballistëve faktin se PKSh-ja ishte armik i papajtueshem i tyre dhe se lufta për marrjen e pushtetit për këtë parti ishte problemi themelor. Kjo situatë e prishi drejtpeshimin e shumë komandantëve të Ballit dhe i shtyu drejt gabimit fatal: bashkëpunimit me pushtuesit gjermanë.

Mirëpo duhet të pranojmë, se në rast se në gusht 1943 PKSh-ja nuk do ta kishte hedhur poshtë Proklamatën (marrëveshjen) e Mukjes dhe në shtator të atij viti nuk do ta kishte shpallur Ballin Kombëtar tradhëtar e armik, nuk do të kishte ndodhur përçarja midis forcave shqiptare antifashiste dhe do të ishte arritur çlirimi i vendit si rezultat i luftës së përbashkët të forcave balliste, komuniste dhe nacionaliste. Kurse çështja e llojit të pushtetit do të ishte vendosur prej popullit me anën e votimit të lirë, për krijimin e një Shqipërie të lirë popullore e demokratike, si ishte formuluar në pikën e tretë të Proklamatës së Mukjes. Një Shqipëri e tillë që do të drejtohej prej forcave pluraliste (demokratëve ballistë, nacionalistëve pro mbretit dhe komunistëve, nuk do të krijonte atë klimë që krijoi PKSh-ja si forcë e vetme në pushtet e cila instaloi diktaturën e ashpër komuniste.

Sot, pasi kemi përjetuar kapitullimin e sistemit njëpartiak të diktaturës së proletariatit, pasi në Europën Lindore janë dënuar krimet e komunizmit, pasi kemi parë se sa thellë e dënuan fashizmin dhe nazizmin Italia e Gjermania që solli si pasojë ecjen e tyre të shpejtë përpara, nuk duhet ta mohojmë vlerën heroike që ka pasur çdo person që ka kundërshtuar të bashkohej me një komandant si Mehmet Shehu, kur dihej se ai ishte një shërbëtor besnik i Dushan Mugoshës, këtij sërbi antishqiptar e kriminel, që punonte për realizimin e instalimit të një pushteti sa më të keq për popullin tonë dhe vasal të Jugosllavisë. Në atë kohë një djalosh partizan shikonte tek Mehmet Sheu udhëheqësin trim të Brigadës së Parë Sulmuese, kurse një ballist me bindje antikomuniste shikonte tek Mehmet Shehu një kriminel që ishte betuar për të përhapur yllin e kuq të komunizmit në të pesë kontinentet e botës. (Betimi që bënin para Dushan Mugoshës partizanët shqiptarë kur ky i projektonte për t’u bërë kuadro drejtues të ushtrisë partizane dhe të PKSh-së, ishte: “Betohem për yllin e kuq se do të zbatoj çdo urdhër që do të më jepet prej eprorëve të mij edhe sikur të më duhet të vras nënë e babë!”). Mehmet Shehu ia kishte bërë Dushan Mugoshës këtë betim që në vitin 1942, kur ky kishte shkuar për të rekrutuar kuadro në krahinën e Vlorës. Po ky Mehmet Shehu, kur i tha Tahir Kadareja, një nga kuadrot e Brigadës së Parë: “Mehmet ne po vrasim shumë shqiptarë dhe jo pushtues të huaj”, iu përgjigj: “Partisë sonë i mjafton një Shqipëri edhe me njëqindmijë banorë, mjafton që të jenë kokulur e të bindur”. Këto e shumë fakte të tjera tregojnë se Mehmet Shehu në marrëdhenie me pushtuesit italianë e gjermanë ishte një luftëtar trim, por në marëdhënie me popullin shqiptar ishte një zbatues besnik i urdhrave të Dushan Mugoshës dhe Enver Hoxhës, të cilët e shtynin vazhdimisht të kryente vrasje e krime, me qëllim që përmes terrorit të nënshtronte popullin shqiptar.

Të vijmë tani tek 65 ballistët e zonës së Lushnjës, shumë prej të cilëve deri në gusht 1943 kishin luftuar krah për krah me forcat partizane, kurse më 21 tetor mbas përpjekjes me këto forca u zunë rob prej partizanëve të Mehmet Shehut. Kur Mehmet Shehu u kërkoi këtyre robërve të hidheshin në anën e tij e të luftonin krahas forcave të tij, ata e kundërshtuan këtë kërkesë. Ata i thanë se donin të shkonin në shtëpitë e tyre dhe nuk donin të merrnin më pjesë në luftë. Mehmet Shehu dhe Dushan Mugosha që ndodhej prezent, i pushkatuan këta robër në kundërshtim me ligjin e luftës, sipas të cilit duhej të liheshin të lirë.

Para disa ditësh, Presidenti i Republikës i shpalli këta ish ballistë “Martirë të demokracisë”. Ky vlerësim shkaktoi diskutime të zjarrta midis opinionistëve dhe historianëve shqiptarë, disa e arsyetonin të drejtë vendimin e Presidentit, disa e quanin të padrejtë. Unë mendoj se z. Bujar Nishani, Presidenti i Republikës, ka pasur të drejtë. Them ka pasur të drejtë mbasi kundërshtimi i robërve ballistë ndaj kërkesës së Mehmet Shehut për t’u bashkuar me të, nuk duhet marrë thjesht si kundërshtim për të mos luftuar pushtuesin, por si kundërshtim ndaj bashkimit me Mehmet Shehun, i cili ishte i njohur si shërbëtor i Dushan Mugoshës, njeriut që kërkonte terror ndaj shqiptarëve. Përsa i përket çështjes se ata ishin apo nuk ishin për luftën çlirimtare, kjo ishte zgjidhur prej kohësh, kur shumica e tyre dhe sidomos komandantët e tyre kishin rëmbyer armët e kishin dalë malit si luftëtarë për lirinë e atdheut, ishin bërë anëtarë të Frontit Nacional që u formua në Konferencën e Pezës dhe kishin luftuar së bashku me forcat partizane deri në mes të gushtit 1943.

Vlerësimi i tyre si “Martirë të Demokracisë” është një mësim për të sotmen dhe të ardhmen e popullit shiptar. Ky vlerësim na mëson që mbas sodit të mos ketë më bindje të verbër e nënshtrim ndaj komandantëve të shitur tek të huajt, si ishte Mehmet Shehu që kreu trimëri në luftë kundër pushtuesve të huaj, por terror e krime ndaj popullit të vet, si vegël e Dushan Mogoshës dhe emisarëve të tjerë të PKJ-së. Na mëson se komandantë si Mehmet Shehu nuk i janë dashur dhe nuk i duhen ushtrisë sonë. Na tregon se kundërshtimi i së keqes që në fillimet e saj është akt heroik, shumë më i vlefshëm se kundërshtimi i saj kur ajo është përhapur e bërë sunduese. Na mëson se është e turpshme për ne të mos e dënojmë të keqen komuniste as sot pasi ajo na ka shtypur e përdhunuar më shumë se gjysëm shekulli dhe për më keq akoma, kur sistemi i saj ka kapitulluar me turp para 26 vjetësh.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Martire te Demokracise, Thanas L Gjika, Vleresimi i Ballisteve te Lushnjes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 15
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT