-Ministri i Jashtëm Pacolli vazhdon takimet me autoritetet e larta në Japoni, vizat japoneze për qytetarët e Kosovës do të jepen në Tiranë/
Tokio, 2 Mars 2018 – Gazeta DIELLI/ Si hap i parë i takimit të djeshëm midis dy ministrave të jashtëm të Japonisë dhe Kosovës, Taro Kono dhe Behgjet Pacolli në Tokio, menjëherë sot, ka mbërritur nota verbale japoneze me lajmin e mirë për qytetarët e Kosovës.Japonia pranoi menjëherë kërkesën e ministrit Pacolli, që vizat për kosovarët, që duan të udhëtojnë në Japoni, të jepen pranë Ambasadës së këtij vendi në Tiranë.Ky është një lehtësim i konsiderueshëm për shtetasit e Kosovës, duke patur parasysh se deri më tani, vizat për ta jepeshin në ambasadën e Japonisë në Vjenë.Gjatë takimit të djeshëm pala japoneze premtoi se do ta merrte parasysh kërkesën e shefit të diplomacisë së Kosovës për regjim pa viza, në rast se Bashkimi Europian do t’i heqë vizat për kosovarët në të ardhmen e afërt.
Ndërkohë, dita e dytë e vizitës së ministrit të jashtëm të Kosovës dhe numrit dy të qeverisë, shoqëruar nga ministri i zhvillimit ekonomik, Valdrin Lluka në Tokio, kishte në fokus bashkëpunimin ekonomik me Japoninë, njerin nga tre vendet më të zhvilluara ekonomike të botës dhe donatorët kryesorë në rrafsh botëror.Kështu dy ministrat patën takime me drejtuesit kryesorë të JICA, (Agjencia Japoneze e bashkëpunimit ndërkombëtar), dhe të JBIC (Banka Japoneze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar), përkatësisht me Kazuhiko Koshikawa dhe Tadashi MAEDA, ministrin e shtetit për financat, Kenichiro UENO, me Ministrin e ngarkuar për lojrat Tokio Olympic and Paralympic Games Shunichi SUZUKI.
Gjatë këtyre takimeve, ministri Pacolli ftoi investitorët japonezë të vinë në Kosovë në vendin e mundësive dhe lehtësive të mëdha për ndërmarrësit, afër tregut europian prej 500 milionësh.
“Na jeni gjendur në momentet më të vështira duke na ndihmuar. Sot ne duam që kompanitë japoneze në Kosovë të prodhojnë mallrat e tyre, në bashkëpunim me kosovarët”, tha z. Pacolli.Ai përsëriti gatishmërinë e qeverisë së Kosovës për themelimin e një zone të lirë ekonomike në dispozicion të ndërmarrësve japonezë. Ministri i jashtëm kërkoi ndihmë prej agjencive ndihmuese japoneze dhe Bankës kryesore të bashkëpunimit ndërkombëtar, asistencë për ngritjen e platformave agroushqimore, të shkollave profesionale cilësorë, etj. Bashkëbiseduesit e tij japonezë premtuan një nivel të ri bashkëpunimi me Kosovën dhe se do të punonin në drejtimet e sugjeruara nga z. Pacolli.Po ashtu gjatë paradites së sotme, në mjediset e Qendrës Meiji para një mjedisi ndërmarrësish të interesuar për Kosovën, ministri Lluka prezantoi lehtësitë ligjore, financiare, etj dhe ju përgjigj pyetjeve të tyre.Në mesditë, në praninë e autoriteteve të larta japoneze, miqve të Kosovës në institucionet e këtij vendi, zëvendësministrit të jashtëm Mori, mbi 20 ambasadorëve nga vende të ndryshme dhe që nuk e njohin Kosovën, u organizua një pritje me rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së vendit.Në pritje mbajtën fjalë rasti mysafirë të shquar, ministri i jashtëm Pacolli, ambasadori Leon Malazogu, etj./b.j/