Demontimi i saj i pamundur pa SHBA-në dhe aleatët evropianë/
Nga Azgan HAKLAJ/
Pushteti i krimit si një oktapod gjigand i ka shtrirë frikshëm tentakulat e tij në çdo hallkë të pushtetit e të shtetit.
Qeveria e ka bërë të veten devizën kriminale leniniste “I gjithë pushteti sovjetëve”, duke futur nën kontroll e paralizuar të gjitha institucionet legjitime Kushtetuese ,(drejtësinë, prokurorinë, parlamentin) ,ku vendos vetëm dhuna e kartonit e, së fundmi, fjalën e lirë të Opozitës, si treguesi më sinjifikativ , se pas qeverisjes së Rilindjes fshihet grupi më i rrezikshëm , përfaqësuesit më me emër të krimit e të mafies politike që ka njohur Europa pas Luftës së Dytë Botërore.
Në vitet 90, Italia zhvilloi një betejë në të cilën iu desh të përdorte edhe ushtrinë . Shteti Italian pati vullnet politik për ta bërë këtë betejë e për ta fituar atë.
Ndryshe nga rasti i fqinjit përtej detit ,ku kryeqyteti i mafies ishte Siçilia ,në Shqipëri kryeqyteti dhe rezistenca e mafies është “Selia e Qeverisë”.
Nga aty shpërndahen valët e frekuencat e zëdhënësve dhe arkitektëve të krimit politik –ekonomik e ordiner,të cilat mbulojnë jo vetëm territorrin e vendit tonë, por edhe të Ballkanit, Italisë, Spanjës, Gjermanisë, Holandës, etj ku tonelatat e drogës shpërndahen të sigurta nën kujdesin e ambasadorëve të Ramës e Tahirit.
Interpoli dhe qeveritë Europiane kanë dhënë prej vitesh alarmin për fuqinë e stërmadhe, brutalitetin dhe egërsinë me të cilën mafia shqiptare demonstron në betejën e saj për hapjen e rrugëve të reja dhe sigurimin e tregjeve.
Së fundmi ishte Gjermania ajo që dha alarmin “SOS“, duke paralajmëruar se në pak kohë mafia shqiptare do të ishte padronia e hashashit, heroinës, në vendet më të rëndësishme të BE-së.
Gjermania e kanceleres Merkel, me të cilën Rama pozonte me fodullëk e mburrje në Berlin e Bruksel, Gjermania, pra kolosi Europian, që ka investuar më së shumti për Shqipërinë, iu tregon shqiptarëve, se çfarë imazhi i jep vendit të tyre kryeministri dhe njëherësh kumbara i krimit e trafiqeve, z.Rama.
Harta e re elektorale u bë nga Rama ,& Co, me qëllimin kriminal për ta goditur Opozitën e bastionet e saj, për ta parcelizuar krimin e për ta bërë atë të padukshëm.
Krijimi i feudeve në Durrës ,Kavajë, Elbasan, Vlorë e në zona të tjera strategjike me modelet e Dakëve, Roshëve, Sejdinëve e Spahinjëve të tjerë, e ka bërë punën e policisë e të organeve të tjera ligjzbatuese të pamundur .Kjo jo vetëm për faktin se ai dhe ortakët e tij kanë investuar qindra miliona dollarë për ngritjen dhe funksionimin e infrastrukturës kolosale të mafies.Ka një arsye më të fortë se përse krimi bën ligjin në Shqipëri. Qeveria Rama i ka vënë në dispozicion çdo gjë, me pak fjalë, pushtetin e të gjitha resurset më të çmuara të vendit, portet, aeroportet, naftën e burimet minerale, energjitikën, rafineritë e përpunimit të heroinës e kokainës, e më në fund paprekshmerinë nga ligji, imunitetin parlamentar.
Në rast të bezdisjes e presionit të madh nga opinion publik, Opozita dhe mediat, qeveria ju organizon vetëarratisje spektakolare, në rastin më bujar, apo i vret në ditën për diell, kur prishin punë në pazaret e pista , me çmime konkurence , ashu siç ndodhi rëndomtë muajin e fundit, ku përgjaken çdo ditë trotuaret e qyteteve tona.
Ajo që publiku sheh dhe percepton përmes mediave të çensuruara është vetëm maja e ajzbergut të krimit, i cili në 5 vitet e Rilindjes së Ramës ka marrë përmasa të frikshme dhe është bërë zot dhe i plotfuqishëm i vendit tonë. Kjo për faktin se paraja e tij kolosale vlerësohet 4-4.5 miliardë euro në vit , kur buxheti i shtetit nuk i kalon 5 miliardët. Ky lumë parashë mund të përmbysë gjithçka që i del përpara: Zgjedhiet e lira , parlamentarizmin ,institucionet e Shtetit të së Drejtës ,e së fundmi sipërmarrjen e lirë dhe konkurencën si gurë themeli dhe bazë e sistemit demokratik.
Në dallim nga mafia ndërkombëtare ku lidhjet me pushtetin janë të fshehta dhe sporadike, në Shqiperi kapoja është në krye të vetë shtetit. Shqipëria është rasti sui-generis në Europë e përtej saj ,ku gjithë kupola e policisë së shtetit është përfshirë në veprimtari kriminale dhe ministritTahiri e padronit të saj të policisë nuk i hyn gjëmb në këmbë. Është kjo arsyeja që Opozita dhe qytetarët shqiptarë e kanë të pamundur t’i besojnë Reformës në Drejtësi, sepse janë mëse të bindur se qeveria ka bërë kapjen e saj, pra me pushtetin ka kapur shtetin.
Qevera do fillojë gjuetinë e shtrigave ndaj Opozitës , arrestimin e ndonjë drejtori tagra mbledhës të qeverisë së shkuar ,për të larë duart si Pons-Pilati.
Shqipëria sot s’ka vend për invenstitorë të huaj strategjikë e të fuqishëm. Qeveria e Krimit ka marrë me kohë masat për përzënien e tyre nga Shqipëria. Konçesionet kryesore dhe jetike për ekonominë shqiptare, Rama dhe ortakët e saj ua bëjnë dhuratë firmave fantazma të krijuara pak kohë më parë, si një hibrit i mafies qeveritare e asaj ndërkombëtare.
Partneriteti publik-privat, gjetja më e re e Ramës është as më shumë e as më pak ,veçse një valvul shkarkimi për të pastruar 1 miliard dollar të zhvatur nga plantacionet e kanabisit,trafiqet e taksat e shqiptarëve.Kërcënimi që iu bën kryeministri kryetarëve të bashkive për të ndjekur këtë model ose për të mos iu financuar asnjë projekt është embargoja që ai dhe kriminelët që i dhanë pushtetin, i bëjnë pushtetit legjitim, Shtetit të së Drejtës dhe vetë të ardhmes sonë të përbashkët europiane.
Pyetjes së analistëve se: “Ku janë rezultatet e Reformës në Drejtësi” dhe përse nuk arrestohen peshkaqenët e mëdhenj, Rama i zënë ngushtë iu përgjigj:”Shyqyr Zotit e kemi kaluar atë kohë, kur partia të fuste në burg”.
Shteti i Ramës që burgos pa mëshirë kryefamilljarë fukarenj pa asnjë punë, ndihmë sociale e përkujdesie për 2-3 mijë lekë drita , se ka për gjë të vjedhë 1 miliard euro çdo vit përmes evazionit fiskal dhe qindra milionë të tjera përmes taksave të larta, skemës mashtruese alla Beqia në shëndetësi apo mega skandalet me “Armon” dhe karburantet.
Mirë zotëri, partia e qeveria s’të fuskan në burg e s’duhet të të fusin në burg, po përse atëherë mbron Baronin e Drogës, ish ministrin tënd Tahirin, kur atë e akuzon Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe kërkon ta çojë përpara drejtësisë? Përse e ekstraduat në kundërshtim me ligjin ,dëshmitarin kryesor të bandës Habilaj, krijues e tutor i të cilës është pikërisht Tahiri juaj .
Oktapodi i krimit, i ideuar nga Rama , pasi gllabërojë bregdetin, fushat e naftës dhe gazin, rafineritë, zonat industriale, lagunat dhe zonat e mbrojtura, minierat dhe pasuritë e tjera, ai i ka zgjatur tentakulat deri në Alpet Shqiptare.
Banorët e Alpeve i kanë ruajtur me fanatizëm bukuritë natyrore, malet, lirinë e krenarinë e tyre. Përbuzja proverbiale e Ramës ndaj banorëve fisnikë që jetojnë prej shekujsh në këto bukuri përrallore apo “malokëve”, siç i quan ai, ka vetëm një sindromë: atë të kompleksit të inferioritetit, pasi i ka lënë pa asnjë investim , në mëshirë të fatit. Rama kërkon të pushtojë Alpet e bukura e banorët e tyre me hotele përbindësha.
Krijesat e Ramës janë projektuar me 5- yje , pa shpenzime, lekët i jep mafia e Rama i bën taksën zero. Pasi ngriti flamurin e mafias në kryeministri, Rama kërkon ta ngrejë atë në majat e Olimpit Shqiptar.
E theksova në kryerradhë se Shqipëria është një tokë e minuar nga krimi e korrupsioni i mafies. Me të njëjten simbolikë si nazistët u larguan nga Shqipëria apo falangat e Millosheviçit u larguan nga Kosova, kriminelët jenë kudo të njëjtë.
E keqia është bibla e besimit të tyre. Ata e parandiejnë fundin e vet sepse siç duket një shqisë siç duket më tepër se njerëzit normalë. Ky është avantazh për njerëzit monstër, sepse në ikje e sipër pronësojnë sentencën :-“ika unë u shoftë bota”duke shkaktuar dëme të mëdha.
Shqipërinë e kanë zaptuar në çdo skaj tentakulat e korrupsionit, e ka minuar krimi e mafia politike e nga ky rreth fatal mund ta çlirojë vetëm SHBA dhe aleatët e saj strategjikë, duke zbarkuar si dikur Aleatët në Normandi, për të çliruar nga fashizmi, Francën, atdheun e Iluminizmit, Lirisë, Barazise—Vllazërisë dhe për t’i hequr qafe Europës dhe Botës zgjedhën e fashizmit.
SHBA dhe Aleatët me strukturat e veta moderne dhe dedektivët e saj mund ta çlirojnë Shqipërinë nga mafia, për ta bërë më në fund një vend normal e të banueshëm për qytetarët e saj fisnikë, të cilët kanë 5 vjet që në turma të mëdha po largohen nga Atdheu i tyre i marrë peng si djalli nga temiani.