• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TREPÇA, MBROJTJE KOSOVËS

February 20, 2019 by dgreca

-Veprimtari në e Stanterg në 30 vjetorin e grevës së madhe të minatorëve të Trepçës në mbrojtje të Kosovës. Kryeministri Ramush Haradinaj: Mënyra më e mirë për ta shpërblyer sakrificën e atëhershme të minatorëve, luanëve të nëntokës tonë, është kthimi i Trepçës në burim jete/

1 Flet ramushi1 greva1 Mitrovica

-Greva  e urisë e 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28  shkurt 1989, ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë, rezistencë e fuqishme kundër rrënimit të dhunëshëm dhe kundërkushtetues të autonomisë që me Kushtetutën e vitit 1974 kishte Kosova, e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët, u pasua me demonstratat gjithëpopullore/

-Sa Ari e Argjend prodhonte Trepça – gjiganti i ekonomisë së Kosovës/

-Si u arrestova pse botova në gazetën tradicionale e historike Rilindja shkrimet për grevën e minatorëve të Trepçës në mbrojtje të Kosovës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari*

STANTËRG-MITROVICË, 20 Shkurt 2019/ Në minierën e Stantergut të Mitrovicës u mbajt sot manifestimi i 30 vjetorit të grevës së madhe të minatorëve të Trepçës të vitit 1989 në mbrojtje të Kosovës.

“Mënyra më e mirë për ta shpërblyer sakrificën e atëhershme të minatorëve, luanëve të nëntokës tonë, është kthimi i Trepçës në burim jete”, u shpreh  kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në minierën e Stantërgut.

Ai shtoi se, ne sot nuk kemi ardhur këtu vetëm ta kujtojmë atë sakrificë të atëhershme, por kemi ardhë ta konfirmojmë se atëherë e kemi ditur se çfarë duam, e po ashtu e dimë edhe sot.

“Kemi pasur vështirësi e do të kemi, por më besoni se jemi në të drejtën tonë dhe nuk do të ndalemi të punojmë me secilin, qoftë pozitë apo opozitë, veri apo jug. Do të punojmë me secilin për rikthimin e Trepçës, pra sot minatorët i uroj për statutin e Trepçës dhe urime për Trepçën kompani sipas ligjit të Kosovës”,  tha Haradinaj.

Tani, shtoi ai, menaxhmenti dhe të gjithë që marrin vendime për Trepçën duhet ta diskutojnë një plan veprimi se si do të veprojnë dhe do t’i qasen asaj.

Kryeministrit Haradinaj iu nda një mirënjohje nga kryetari i Sindikatës së Trepçës, Shyqyri Sadiku.

Menaxheri i ndërmarrjes Trepça, Xhevdet Tahiri, duke kujtuar grevën e para 30 vitesh, tha se kjo ishte një rezistencë gjithëkombëtare, pasi aty u bashkua mbarë populli shqiptar duke apeluar që kjo sakrificë e bërë në të kaluarën sot duhet të shërbejë për unifikim në drejtim të arritjes së objektivave zhvillimore ne ndërmarrjen Trepça.

Në Trepçë, për tetë ditë me radhë, aq sa kishte zgjatur greva e urisë,  tradicionalisht zhvillohen veprimtari përkujtimi dhe vlerësimi të “Javës së Minatorëve”.

Greva  e urisë e 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28  shkurt 1989, ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë, rezistencë e fuqishme kundër rrënimit të dhunëshëm dhe kundërkushtetues të autonomisë që me Kushtetutën e vitit 1974 kishte Kosova si element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën shtatë shtete.

Greva minatorëve, e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët,  u pasua me demonstratat gjithëpopullore të po para 30 vjetëve, në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Në këto rrethana tragjike terrori, Serbia në Kuvendin e saj në 28 mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova.

Trepça, pasuri e madhe shumëmiliardëshe e Kosovës, me minera plumbi, zingu, argjendi e ari, ka pasur mëse 22 mijë punëtorë deri në vitin 1990, kur administrata e dhunshme e instaluar nga Beogradi dëboi shqiptarët nga puna.

Përfundimi i luftës para gati 20 viteve, në qershorin 1999, Trepçën e gjeti me shkatërrime të mëdha nga shfrytëzimi kolonial dhe në Kosovën e lirë nisën përpjekjet për rimëkëmbje.

Brenda 45 viteve, nga  viti 1945 deri në 1990, në Trepçë janë prodhuar gjithësej 10.710 kg ari i pastërtisë së lartë. Mesatarja ishte 238 kg ari për një vit, sipas të dhënave të ekspertëve, njohësve të gjigandit ekonomik të Kosovës. Edhe 113 tonë argjend të pastër brenda një viti është një nga të dhënat e prodhimit në Trepçë në atë kohë.

Gjiganti ekonomik Trepça në 2019-tën u bë me Statut të ri. Në 3 shkurt Propozim-Statuti i Shoqërisë Aksionare Trepça Sh.A. u procedua Kuvendin 120 anëtarësh dhe kaloi me 80 vota pro, pasi i propozuar nga Bordi Mbikëqyrës është miratuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës në 25 janar. Versionin e ri të Projekt-Statutit Qeveria e dërgoi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, i cili në 8 tetor 2016 ka shqyrtuar edhe për herë të dytë dhe ka miratuar Ligjin për Trepçën.

 Statuti i Trepçës përcakton themeluesit e shoqërisë aksionare, aksionet e tyre, veprimtarinë, strukturën organizative, kapitalin themeltar, menaxhimin, afarizmin dhe të gjitha çështjet organizative që lidhen me kompaninë.

Emërtimi i shoqërisë aksionare është Trepça Sh.A dhe selia është në Parkun Industrial të Mitrovicës.

Miratimi Statusit të Shoqërisë Aksionare Trepça Sh.A. mundëson zbatimin e Ligjit për Trepçën dhe versioni i ri është në pajtueshmëri të plotë nga të gjithë akterët që ndikohen nga kjo kompani, është theksuar në mbledhjen e Qeverisë dhe në seancën e Kuvendit të Kosovës.

 ***

SHËNIM I SOTËM, 20 SHKURT 2019: SI U ARRESTOVA PSE BOTOVA NË GAZETËN TRADICIONALE E HISTORIKE RILINDJA SHKRIMET PËR GREVËN E MINATORËVE TË TREPÇËS NË MBROJTJE TË KOSOVËS

Në kohën e grevës së minatorëve të Trepçës në shkurt 1989, para 30 viteve, isha redaktor – shef i deskut (për ngjarjet e ditës) në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja. Thuaja gjithë gazetën e mbushnim me raportimet e gjera të ekipeve speciale të gazetarëve e të korrespondentëve për grevën e minatorëve e kërkesat e tyre në mbrojtje të Kosovës, për liri e demokraci, për përkrahjen gjithëpopullore.

Pas grevës kishte arrestime, së pari arrestuan gazetarin e redaktorin shumëvjeçar të Rilindjes, Zenun Çelaj, i cili gjatë gjithë kohës së grevës ka raporuar në krye të ekipit nga miniera e Trepçës në Stantërg…

Mua më arrestuan pse si redaktor i gazetës Rilindja kam botuar shkrimet për grevën, kërkesat e minatorëve e përkrahjen.

Ishte ditë e diel, 17 janar 1993. Shkova në Pallatin Rilindja në zyrat e gazetës, nuk bëja asnjë ditë pushim për raportimet për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë, nga telexi, e vetmja lidhje e mundëshme në atë kohë nga Kosova në Shqipëri…Kur sapo dola, derisa po ecja fill vetëm një rrugice të afërt nëpër lagjen e Pejton të Prishtinës, policët serbë që kishin dalë në pritë më rrëmbyen, arrestuan… “Kaherë të kërkojmë…”, më thanë. Kishte kohë të gjatë që nuk u përgjigjesha ftesave të gjykatës serbe.

Gazeta e rezistencës “Bujku”, e datës 19 janar 1993, me titullin “U arrestua gazetari i ‘Rilindjes’ Behlul Jashari”, ka shkruar  se veprimtari i njohur i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut “avokati Bajram Kelmendi kuptoi se klienti i tij u mor në polici lidhur me një proces gjyqësor që zgjat që nga viti 1989 e që ka të bëjë me shkrimet e ‘Rilindjes’ në shkurt të atij viti për grevën e njohur të minatorëve të ‘Trepçës’”.

Gazeta shkruante se pasi më kishin mbajtur “deri dje në orën 8 të mëngjesit në një qeli të ftohtë” më dërguan në Gjykatën Komunale, e cila më liroi pasi “gjyqi caktoi seancën gjyqësore për 29 janar”.

“Protestë e gazetarëve të ‘Rilindjes’” ishte titulli tjetër i gazetës, e ku theksohej se protestohej kundër arrestimit tim dhe “përgjithësisht kundër respresionit të pushtetit serb ndaj gazetarëve dhe informimit shqiptar” dhe shprehej zotimi se “edhe në këto kushte të rënda do të vazhdojnë misionin”…

Kujtoj sot se kur më dërguan me pranga policia serbe, në Gjykatë pash se në mbështetje për lirimin tim bashkë me avokatin e veprimtarin për të drejtat e liritë njerëzore Bajram Kelmendi, të cilin me dy bijtë e tij në mars 1999 në Prishtinë  forcat serbe i rrëmbyn në shtëpi dhe i ekzekutuan, ishte edhe shkrimtari i njohur shqiptar Azem Shkreli. I kujtoj edhe sot e gjithmonë me shumë vlerësim e respekt.

me shume fotografi gjeni ne faqen e re te Gazetes Dielli( Dielli Gazeta Newspaper

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, MBROJTJE KOSOVËS, Trepca

KOSOVË-KUVENDI PËR BUXHETIN 2019, “TREPÇËN”…

February 2, 2019 by dgreca

-Kuvendi i Kosovës në seancë për Buxhetin e Shtetit 2019, “Trepçën” dhe 7 pika tjera në axhendë/
-Para fillimit të seancës së Kuvendit, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka marrë vendim dhe ka liruar nga detyra ministrin Nenad Rikalo të Listës Serbe/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 2 Shkurt 2019/ Buxheti i Shtetit 2019 dhe Statuti i gjigantit ekonomik “Trepça” janë dy nga nëntë pikat e axhendës së seancës së sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, të dytës këtë vit – të sesionit pranveror, e cila nisi me më shumë se një orë vonesë, ndërsa ishte e ftuar për në orën 10:00.
Projektligji mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019 është sot në  shqyrtim të dytë, pasi u debatua gjatë dy ditëve, në 6 e 7 nëntor dhe miratua në parim në 21 dhjetor 2018 me votat e 62 deputetëve të pranishëm të Kuvendit 120 anëtarësh. Deputetët e dy partive opozitare, LDK e LVV, nuk ishin të pranishëm në procesin e votimit.
Në Buxhetin e Shtetit të Kosovës të vitit 2019 të hyrat e përgjithshme pritet të jenë 2 miliardë e 370 milionë euro, ndërsa shpenzimet në vlerë 2 miliardë e 365 milionë.
Në debatin në Kuvend, ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2019 do të sigurojë një rritje ekonomike prej 4.7%, ndërsa theksoi se projektligji i propozuar është hartuar në bashkëpunim të plotë me FMN-në.
Por, sipas deklaratave nga opozita me paralajmërime votimi kundër, rritja ekonomike e paraparë në projektligj paraqet dështimin e zhvillimit ekonomik të vendit. Sipas opozitës, qeveria në fillim të mandatit të saj rritjen ekonomike e proklamonte deri në 10%.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e miratimit në 26 tetor 2018 ka theksuar se, Projektligji parasheh një rritje të konsiderueshme të të hyrave buxhetore që reflekton qëndrueshmërinë dhe stabilitetin ekonomik të vendit.
Gjatë prezantimit të Projektligjit, poashtu, është theksuar se përgatitjet e propozimit të Buxhetit për vitin 2019 janë zhvilluar në pajtim me legjislacionin dhe janë në përputhje me të gjithë parametrat financiarë dhe ekonomikë të Kosovës.
Në Projektligj parashihet rritje e pensioneve bazë prej 20 përqind si dhe atyre të kontributdhënësve prej 15 përqind, kurse do të rritet buxheti për prioritetet e qeverisë për vitin 2019, siç janë mbrojtja, rendi, shëndetësia, arsimi dhe mjedisi.
Miratimi i Buxhetit 2019 në Kuvendin e Kosovës ka vonesa në pritje të sigurimit të votave. Për krahasim, Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018, i cili parashihte të hyra të përgjithshme 1 miliard e 829 milionë euro, ndërsa shpenzime 2 miliardë e 82 milionë, është shqyrtuar për herë të dytë dhe mratuar në 22 dhjetor 2017.
Shkaku i voneses në miratimin e Buxhetit të Shtetit 2019, sot në axhendën e Kuvendit është edhe shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zgjatjen e ndarjeve buxhetore për muajin shkurt të vitit 2019, të përcaktuar me Ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018.
Propozim-Statuti i Shoqërisë Aksionare “Trepça” Sh.A. është sot në axhendën e Kuvendit, pasi i propozuar nga Bordi Mbikëqyrës është miratuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës në 25 janar 2019. Versionin e ri të Projekt-Statutit Qeveria e dërgoi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, i cili në 8 tetor 2016 ka shqyrtuar edhe për herë të dytë dhe ka miratuar Ligjin për “Trepçën”.
 Statuti i “Trepçës” përcakton themeluesit e shoqërisë aksionare, aksionet e tyre, veprimtarinë, strukturën organizative, kapitalin themeltar, menaxhimin, afarizmin dhe të gjitha çështjet organizative që lidhen me kompaninë.
Emërtimi i shoqërisë aksionare është “Trepça” Sh.A dhe selia është në Parkun Industrial të Mitrovicës.
Miratimi Statusit të Shoqërisë Aksionare “Trepça” Sh.A. do të mundësojë zbatimin e Ligjit për Trepçën dhe versioni i ri është në pajtueshmëri të plotë nga të gjithë akterët që ndikohen nga kjo kompani, është theksuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
Në axhendën e seancës së Kuvendit sot janë edhe: Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura;  Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për zyrtarët publikë; Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për pagat në sektorin publik; Shqyrtimi i parë i Projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetërorë të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë; Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike; Propozimi për formimin e Komisionit Ad Hoc  për përpilimin e Kodit për rregullimin dhe menaxhimin e fushës së pensioneve dhe beneficioneve nga sigurimi social.
Kuvendi i Kosovës në 30 janar nisi sesionin pranveror me seancën plenare të parë në vitin 2019 me 30 pika në axhendë, derisa ditëve të kaluara kishte disa takime të komisioneve parlamentare.
“Shqyrtimi i parë i Projektligjit për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë në institucionet publike dhe të të zgjedhurve”, ishte një nga pikat e axhendës.
Në 31 dhjetor Kuvendi i Republikës së Kosovës njoftonte përmbylljen e sesionit vjeshtor të punimeve.
“Konform Rregullores së Kuvendit, sesioni pranveror fillon të hënën e tretë të muajit janar, përkatësisht më 21 janar 2019”, theksonte njoftimi.
Përbërja aktuale e Kuvendit të Kosovës 120 anëtarësh ka dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017, ndërsa seanca konstituive me zgjedhjen e kryeparlamentarit me 61 vota dhe Kryesisë është mbajtur në 7 shtator, e në 9 shtator është zgjedhur me 62 vota Qeveria e re.
KOSOVË-LIROHET NGA DETYRA MINISTRI RIKALO I LISTËS SERBE
PRISHTINË, 2 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj bën të ditur se, sot ka marrë vendim dhe ka liruar nga detyra Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo.
“Z. Rikalo i shprehi falënderim për bashkëpunim gjatë kohës sa ishte aktiv si ministër në Qeverinë e Kosovës.
Në proceset politike para vetes, do të respektoj angazhimin e secilit. Ministri Rikalo ishte ministër i respektuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Bashkëpunimi me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve dhe përfaqësuesit e komunitetit serb, do të vazhdon palëkundur”, shprehet Haradinaj.
Shkarkimi i Rikalos, një nga 3 ministrat e Listës Serbe në Qeverinë e Kosovës, një prej të cilëve edhe zëvendëskryeministër, e që ka gati një vit që nuk marrin pjesë në mbledhjet e Qeverisë, është një nga pesë kushtet e partisë opozitare PSD të 12 deputëtëve të ndarë nga VV për votimin sot në Kuvend të Buxhetit të Shtetit 2019.

Filed Under: Kronike Tagged With: Buxheti 2019, Kuvendi i kosoves, Trepca

Kosovë-“Trepça”, pas Ligjit edhe me Statut dhe….Sa Ar e Argjend prodhonte Trepça?

January 27, 2019 by dgreca

-Qeveria e Kosovës-miraton Projekt-Statutin e Shoqërisë Aksionare “Trepça” dhe e dërgon në Kuvend/

1-vesh-trepca1 trepcatrepca-minetrepca-21 Haradinaj-Trepce-20.09.2017_4 Trepca-101 Pallati

 – Para kabinetit qeveritar është prezantuar ideja për zhvillimin e Projektit  “Ndërtimi i Kompleksit Qeveritar (Rezidencave)” në Prishtinë/

– Speciale- Sa Ar e Argjend prodhonte Trepça

-Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës edhe Pallati Rilindja, 18 katësh në qendër të Prishtinës, u shpronësua e rinovua dhe u shndërrua në ndërtesë qeveritare.  Në 23 Tetor 2018 Qeveria e Kosovës mori vendimin ­ për kryerjen e pagesës për shpronësimin/ 

-Punëtorët e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja presin që në 2019-tën Qeveria të bëjë pagesën për shpronësim dhe të realizojnë të drejtën e ligjëshme për 20 përqindëshin. Dhe Gazeta Rilindja të ridalë e privatizuar, duke pasur edhe shembullin e gazetave tjera në rajon që kishin status të njejtë si ndërmarrje shoqërore e që vazhdojnë të dalin të privatizuara/  

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 25 Janar 2019/ Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj, në mbledhjen e sotme të 86-të, miratoi Projekt-Statutin e Shoqërisë Aksionare “Trepça”, i propozuar nga Bordi Mbikëqyrës. Versioni i ri i Projekt-Statutit dërgohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, i cili në 8 Tetor 2016 ka shqyrtuar edhe për herë të dytë dhe ka miratuar Ligjin për “Trepçën”.

Statuti përcakton themeluesit e shoqërisë aksionare, aksionet e tyre, veprimtarinë, strukturën organizative, kapitalin themeltar, menaxhimin, afarizmin dhe të gjitha çështjet organizative që lidhen me kompaninë.

Emërtimi i shoqërisë aksionare është “Trepça” Sh.A dhe selia e saj është në Parkun Industrial të Mitrovicës.

Miratimi Statusit të Shoqërisë Aksionare “Trepça” Sh.A. do të mundësojë zbatimin e Ligjit për Trepçën dhe versioni i miratuar sot është në pajtueshmëri të plotë nga të gjithë akterët që ndikohen nga kjo kompani, u theksua në mbledhjen e Qeverisë.

Poashtu,  Qeveri miratoi Strategjinë shtetërore kundër krimit të organizuar me planin e veprimit 2018-2022.

Strategjia është hartuar bazuar në vlerësimet e brendshme vjetore të zbatimit të strategjisë së kaluar 2012-2017. Janë përdorur edhe vlerësimet e jashtme siç janë raportet e Departamentit të Shtetit Amerikan, raportet e EUROPOL-it për Krimin e Organizuar dhe trendët në BE, raportet e Komisionit Evropian dhe dokumente tjera.

Qeveria në mbledhjen e sotme miratoi edhe Raportin e punës të vitit 2018 dhe Planin e Veprimit të Koordinatorit nacional për Kulturë, Rini dhe Sport për vitin 2019, të prezantuar nga koordinatori Rexhep Hoti.

Raporti paraqet të përmbledhura aktivitetet e zhvilluara gjatë vitit 2018, ndërsa Plani i Veprimit për vitin 2019 adreson  disa problematika që ndërlidhen me kapacitetin e mësim nxënies për metodat e avancuara për të komunikuar me njohurit për rininë. Programi Nacional për Rininë mbështetet në tre lloje të aktiviteteve: Garat për dituri; Garat për kreativitet kulturor dhe mendim kritik; dhe Garat në sport. Kjo do të realizohet e mbështetur në dy parime themelore: në parimin e gjithë përfshirjes; dhe në parimin e vijueshmërisë.

Aktualisht në Kosovë janë rreth 370 mijë nxënës (rreth 340 mijë në nivelin fillor dhe të mesëm) dhe rreth 110 mijë studentë. Me Programin Nacional për Rininë synohet zhvillimi aftësive të tyre me aktivitete të përditshme garuese.

Programi pritet të ndikojë pozitivisht në ngritjen e cilësisë së mësim nxënies, do të identifikojë talentet e reja dhe do të ofrojë përkujdesen e nevojshëm për ta.

Në mbledhjen e sotme Qeveria e Kosovës miratoi edhe Strategjinë shtetërore kundër krimit të organizuar me planin e veprimit 2018-2022.

Strategjia është hartuar duke u bazuar në vlerësimet e brendshme vjetore të zbatimit të strategjisë së kaluar 2012-2017.

Janë përdorur edhe vlerësimet e jashtme siç janë raportet e Departamentit të Shtetit Amerikan, raportet e EUROPOL-it për Krimin e Organizuar dhe trendët në BE, raportet e Komisionit Evropian dhe dokumente tjera.

Para kabinetit qeveritar është prezantuar ideja për zhvillimin e Projektit  “Ndërtimi i Kompleksit Qeveritar (Rezidencave)” në Prishtinë. Sipas projektit të prezantuar, Qeveria në bashkëpunim me investitorë të ndryshëm mund të zbatojë një projekt që parashihet të finalizohet brenda 7 vjetëve, nga i cili Qeveria dhe institucionet tjera të Kosovës do të fitonin më shumë se 1 milion metra katrorë për akomodimin e tyre.

Kryeministri Haradinaj theksoi se kjo ide do të shërbejë për një nxitje më të fuqishme që të realizojë objektivat e saj për akomodim të të gjitha institucioneve në objekte publike.

Para afër një viti, në 13 Prill 2018, Qeverita e Kosovës, miratoi vendimin për shpalljen me interes të veçantë publik të pronave të paluajtshme, të cilat do të preken nga realizimi i Projektit “Ndërtimi i Kompleksit Rezidencial Qeveritar” në zonat kadastrale të Prishtinës dhe Graçanicës.

Ndërtimi i Kompleksit Qeveritar që parashihej të bëhet në lagjen “Prishtina e Re” në periferi të kryeqytetit, në lokalitetin Hajvli ishte ide e para 11 viteve, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008.

Në prill 2008, në një mbledhje të Qeverisë së Kosovës paralajmërohej se  shteti i ri do të bëhet me objekte të reja qeveritare, ndërkohë që disa ministri ishin të vendosura nëpër shtëpi private në mungesë të ndërtesave publike.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës edhe Pallati Rilindja, 18 katësh në qendër të Prishtinës, u shpronësua e rinovua dhe u shndërrua në ndërtesë qeveritare.

Në 23 Tetor 2018 Qeveria e Kosovës mori vendimin ­ për kryerjen e pagesës për shpronësimin e Ndërtesës së ish-Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja – Pallatit Rilindja.

“Punëtorët e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja presin që në 2019-tën Qeveria të bëjë pagesën për shpronësim dhe të realizojnë të drejtën e ligjëshme për 20 përqindëshin, se tepër shumë gjatë presin të drejtën – 17 vjet nga dëbimi i dhunëshëm, i padrejtë e i kundërligjshëm nga adminisrata e UNMIK-ut në 21 Shkurt 2002 nga Pallati Rilindja, ku pastaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka 10 vjet që janë vendosur disa ministri të Qeverisë së Shtetit të Kosovës”, theksohet në një deklaratë.

Gazeta Rilindja, e përditshmja e parë shqiptare në Kosovë, e cila ka nisë të dalë para 74 viteve, në 12 Shkurt 1945 në Prizren, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, edhe në një ridalje simbolike protestuese në prag të Vitit 2019 ka kërkuar e paralajmëruar të ridalë e privatizuar, duke pasur edhe shembullin e gazetave tjera në rajon që kishin status të njejtë si ndërmarrje shoqërore, e që vazhdojnë të dalin të privatizuara…

Gazeta historike Rilindja nuk u ndal edhe kur u mbyll, nuk është ndalur edhe kur ishte ndaluar në kohë okupimi e  të luftës për liri e pavarësi të Kosovës.

Pas luftës, pas mbylljes – dëbimit që i bëri administrata e UNMIK nga shtëpia e saj, në ngjarje historike të lirisë e pavarësisë Rilindja vazhdoi të jetë histori e Kosovës duke dalë me numra specialë e të jashtëzakonshëm, edhe protestues, të kohëpakohshëm.

Numri i parë i pas dëbimit –  i jashtëzakonshëm i gazetës Rilindja ka dalë në 5 Mars 2002 me raportime për zgjedhjen e presidentit e qeverisë në seancën e një dite më parë të Kuvendit të Kosovës të zgjedhjeve të para në liri.

Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 Dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË.

***

Dielli-Arkiv- Speciale- Sa Ar e Argjend prodhonte Trepça

-Dhe historiku i gjigandit ekonomik të Kosovës

-Çka raportoja para 20 viteve, në 9 tetor 1996, dhe para 19 viteve, në 16 shtator 1997,  për arin, Trepçën  e thëngjillin e pasurive nëntokësore të Kosovës dhe shfrytëzimin kolonial të tyre/

– SPECIALE – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 15 Tetor 2016/ Brenda 45 viteve, nga  viti 1945 deri në 1990, në Trepçë janë prodhuar gjithsej 10.710 kg ari i pastërtisë së lartë. Mesatarja ishte 238 kg ari për një vit, sipas të dhënave të ekspertëve, njohësve të gjigandit ekonomik të Kosovës. Edhe 113 tonë argjend të pastër brenda një viti është një nga të dhënat e prodhimit në Trepçë në atë kohë.

Në faqen zyrtare të Ndërmarrjes Trepça shkruan:

HISTORIKU

Miniera Trepça në Stantërg i përket qytetit të Mitrovicës. Mitrovica është pa dyshim ndër qytetet më të rëndësishme jo vetëm në Kosovë por edhe në gjithë Gadishullin Ballkanik e më gjerë, për nga pasuritë minerare. Shtrihet në fushën aluviale të lumenjve: Ibër, Sitnicë dhe Lushtë ,si dhe në shpatet e kodrave që e rrethojnë. Mitrovica  gjendet në lartësinë mbidetare 508 – 510 m dhe ka pozitë të mirë gjeografike.

Vendi ynë është i begatë me pasuri natyrore, veçanërisht është i njohur për mineralizimet e Pb – Zn – Ag, për të cilat dihet që nga kohërat e lashta.

Që atëherë, pasuritë e Kosovës shfrytëzoheshin nga paraardhësit tanë ilirët, më pas nga bizantinët, sasët, turqit dhe së fundi nga okupatori serb. Që në kohërat e lashta është ditur për vendburimet polimetalore të sulfureve të Pb, Zn, Ag, Au, në Kosovë. Këtë e kanë vërtetuar zbulimet e shumë punimeve të vjetra minerare: galeri, puse, vegla të punës, që janë përdorur në kohëra të ndryshme gjatë shfrytëzimit të mineralizimeve të këtij lloji, si dhe mbetjet nga shkrirja e tyre. Disa nga vendburimet sulfure (Trepça në Stantërg, Belo Brdo, Cërnac, Përroi i ngjyrosur – Artanë), edhe sot pas luftës së fundit në Kosovë (1998/99), gjenden në shfrytëzim. Ndërkaq vendburimet si: Hajvalia, Badovci dhe Kishnica janë të zhytura në ujë dhe kanë mbetur pa kurrfarë mbikëqyrje edhe pse para luftës (periudha 1988/99), ishin prodhues të rëndësishëm të xehes së Pb, Zn dhe Ag etj.

Për herë të parë në literaturë emri Trepca përmendet më 1303, në dokumentet që ruhen në arkivin e Dubrovnikut (Republika e Kroacisë), si dhe në arkivat osmane në vecanti për rajonin e Artanës.

Për zhvillimin e xehetarisë në territorin ku gjenden minierat e Trepçës, dihet qysh në kohën ilire e romake, e që vazhdon deri në Mesjetë. Ndërkaq, më vonë zhvillimin më të vrullshëm xehetaria e arrin në shekullin e XIII.

Hulumtimet e para gjeologjike filluan në vitin 1924, atëherë kur gjeologët anglez filluan kërkimet gjeologjike për mineralizimet polimetalore sulfure të Pb – Zn, në suaza të fushës xeherore të Trepçës në Stantërg. Më vonë saktësisht në vitin 1926, në Londër formohet një shoqëri aksionare e njohur me emrin Trepca Mines Limited e cila merr me koncesion shfrytëzimin e këtij vendburimi për 50 vjet.

Në vitin 1930, fillon prodhimi provues i mineralizimeve sulfure të Pb – Zn në këtë vendburim. Gjatë luftës së dytë botërore gjermanët e mbajnë minierën e Trepçës në Stantërg në gjendje pune, por me një nivel të zvogëluar të prodhimit. Ndërsa nga vitin 1945 e këndej, deri më 1990, miniera ka punuar pa ndërprerë, me një kapacitet mesatar të prodhimit rreth 600 000 ton në vit. Gjatë kësaj periudhe në shfrytëzim ishin këto minera: Stantërg, Cërnac, Belo Brdë, Koporiq dhe Zhuta Perlla – Albanik (ish Leposaviq); Kishnica, Hajvalia, Badovci dhe Përroi i Ngjyrosur – Artanë. Bazuar në statistikën e prodhimit miniera e Trepçës në Stantërg, nga viti 1930 deri në vitin 2000, ka pasur këtë ecuri të prodhimit.

Ndërkaq, pas luftës, gjatë periudhës 2000 – 2004, miniera nuk ka prodhuar, por ka qenë në permanizim, hulumtim dhe përgatitje të punishteve për prodhim. Kështu në vitin 2005 miniera ka filluar me prodhimin e xehes së Pb dhe Zn me kapacitet minimal.

Suksesi më i madh i kombinatit të Trepçës u arrit në vitin 1983, atëherë kur Trepça eksportoi mallra me vlerë prej 103 milion dollarë, duke u radhitur në vetin e 5 të eksportuesve në ish Jugosllavi. Për 58 vjet të punës prodhuese, kombinati i Trepçës ka prodhuar 33 milion ton xeheror me përmbajtje mesatare 9% (Pb dhe Zn), apo rreth 3 milion ton metal (Pb dhe Zn).

Përveç kësaj në metalurgjinë e Trepçës dhe fabrikën e pasurimit, në kohëzgjatje të ndryshme, janë prodhuar këto sasi të metaleve të çmueshme:

argjend (Ag)

ar (Au)

bismut (Bi)

kadmium (Cd)

Në periudhën dhjetë vjeçare: 1975 – 1985, prodhimi mesatar vjetor në kombinat ka qenë:

plumb i rafinuar

zink elektrolitic

argjend i pastër

ar

bismut

kadmium

pirit dhe pirrotinë

acid sulfurik

Vendburimi polimetalor i Pb, Zn, Ag dhe Au në Stantërg, është ndër vendburimet polimetalore më të njohura në Evropë, për nga madhësia dhe më atraktivi nga shumë llojshmëria e mineraleve dhe bukuritë kristalore që ka ky vendburim. Bazuar nga bukuritë mahnitëse të kristaleve ka ekzistuar ideja e themelimit të muzeut të kristaleve në Stantërg. Kështu, në vitin 1964 u themelua Muzeu i Kristaleve të Trepçës në Stantërg. Në atë kohë kishin filluar grumbullimet e para të mineraleve dhe më pas, vendosja e tyre në muze. Fillimisht numri i nxjerrur i kristaleve ishte i vogël, mirëpo me kalimin e kohës ky numër erdhi duke u rritur deri në ditët e sotme. Numri i kristaleve të nxjerruar nga vendburimi Trepça është i madh dhe vështirë të dihet numri i saktë i tyre. Mirëpo, në fondin e muzeut të kristaleve Trepça, aktualisht gjenden të ekspozuara 1560 eksponante.

DY RAPORTIME, PARA 20 E 19 VITEVE

Dy raportime që kam bërë në Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë (ATSH-ATA), njëri para 20 viteve, në 9 tetor 1996, dhe tjetri para 19 viteve, në 16 shtator 1997,  për arin, Trepçën  e thëngjillin e pasurive nëntokësore të Kosovës dhe shfrytëzimin kolonial të tyre:

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1996/96-10-09.ata.html

[16] KOSOVA WANTS ITS GOLD FROM FORMER YUGOSLAV RESOURCES

PRISTINA, OCT 9 (ATA)- By B.Jashari, Kosova is asking its own gold from the former Yugoslav resources, in the context of its right to inherit assets of the federation, where it had an equal status with six other federal units.

Last week President of the Republic of Kosova, Dr. Ibrahim Rugova, asked Switzerland to block in its own banks the gold reserves of former Yugoslavia, until Kosova’s right to inheritance is accepted.

The gold reserves of former Yugoslavia continue to be a state secret but Albanian experts say that approximately it can be estimated as Kosova’s share. Figures what Trepce’s output can be or has been in a year are very well known.

According to a scientific analysis on Kosova’s resources, academician Minir Dushi has jumped to the conclusion that some 686 kg of gold and 204 tons of silver can be turned out in one year by “Trepce”.

Former director of “Trepce”, Aziz Abrashi, has admitted that in cases of “low productivuty”, Trepce’s annual output was 270 kg of gold and 113 tons of silver, of great purity.

According to experts and witnesses the whole gold extracted from the Kosova mines whose quantity has always been kept secret during the whole existence of former Yugoslavia, has been taken and sent to Belgrade, to the state’s treasury, under a tight surveillance.

The return of gold, which is an unalienable asset of Kosova, is an important segment of former Yugoslavia’s inheritance. But without Kosova there can be no inheritance, and for this correct approach, the state and political leadership of Kosova demands and expects internationally backing as well as support from the former Yugoslav republics. p.pa/jz/lm/Z/

Albanian Telegraphic Agency

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1997/97-09-16.ata.html

[05] BELGRADE AIMS TO INTENSIFY EXPLOITATION OF KOSOVA RESOURCES

PRISHTINE, SEPT 16 (ATA)-Discovery and intensive exploitation of coal resources of Kosova is at the centre of a study undertaken by the Mineral-Metallurgical Faculty of Belgrade, for the supply of the whole energy system in rump Yugoslavia.

The project envisages the construction of nine heat-power stations, with a 2 800 Megawatt capacity, which will be added to the seven heat-power-station block set up earlier, with a 1.500 Megawatt capacity.

According to the above project there are 20 billion tonnes of coal reserves, which would be enough for a 1 500 year period. B.J. P.Ta/pas/lm/sh/

NJË SHKRIM SOT I SHTYPIT TË KOSOVËS, KRYETITULL E KRYEARTIKULL BALLINE:

“Trepça” hyn në qorrsokak/

Tri njësitë thelbësore të “Trepçës” – minierat me flotacion në Stan Tërg, minierat me flotacion në Kizhnicë dhe Artanë dhe minierat me flotacion në Leposaviq – rrezikojnë të shkojnë në likuidim nga 2 nëntori, në rast se deri atëherë Gjykata Kushtetuese nuk e nxjerr verdiktin përkitazi me kontestin e ngritur nga deputetët e Listës Serbe ose nuk vendos për masë të jashtëzakonshme.

Kjo për shkak se ligji me të cilin ato njësi janë transformuar në shoqëri aksionare, nuk mund të hyjë në fuqi pa e dhënë verdiktin final Kushtetuesja, shkruan sot Koha Ditore.

Ligji është miratuar në fund të javës së shkuar dhe e bën Qeverinë pronare të 80 për qind të aksioneve në këto miniera e flotacione.

Por, një ditë më parë, atë e kanë bërë lëndë të Kushtetueses deputetët e Listës Serbe, të cilët kanë kundërshtuar ligjin si për përmbajtjen, ashtu edhe për procedurën nëpërmjet së cilës është miratuar.

Shkaku i kësaj, ligji nuk do të hyjë në fuqi brenda afatit të rregullt kushtetues.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Behlul Jashari, me statut, Trepca

Asetët e Trepçës shihen edhe në Çikago

October 14, 2017 by dgreca

Si shihet atdheu nga larg/
1 Pirite
Nga Skender KARAÇICA/
Se Trepça në ish-Jugsollavi ka qenë ,,pasaporta,,më e mirë për garantimin dhe sigurinë e investimeve kapitale nga vendet e botës(Banka Botërore)e kemi parë edhe në Çikago të Amerikës në një kompani të njohur,që edhe sot e kësaj dite në hyrjen e ndërtesës shihen fotografitë e kohës për Trepçën e Kosovës.Këtë ngjarje e kemi parë me rastin e aktiviteteve që zhvilloj SHSHA në rrafshin ekonomik dhe përgatitjet për organizimin e Konferencës Ekonomike për Investime në Kosovë,e cila u mbajt në organizim të Odës Ekonomike Izrael-Amerikë në Çikago me praninë e delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës me ish presidenten Atifete Jahjaga në vitin 2015.
1 Xeroret
Trepça është gjiganti ekonomik i resursve të Kosovës,që dikur në ish-Jugosllavi ka qenë garanti kryesor për marrjen e kredive nga banka botërore dhe institucionet tjera të investimeve për ish-Jugosllavinë.Trepça ishte aset i Kosovës dhe jo i Serbisë,kjo ishte e rregulluar me ligjet e kohës.Trepça dhe pasuritë e saj u bënë,,pronë,, e Serbisë në kohën kur Serbia dhe Sllobodan Millosheviq kishin vënë ligjet me diskriminuese në ekonominë e Kosovës dhe asgjësimin e shqiptarëve me skenarët e njohur vrastar,,Toka e djegur,,.
Kronikat e kohës tregojnë se asetët e Trepçës janë bërë pjesë e zhvillimit të vendeve të ish-Jugosllavisë deri në Rusi dhe me këtë synim grabitjeje të këtij aseti të njohur në botë,Serbia
po planifikon përmes dialogut në Bruksel,që këtë aset dhe pasuritë e Trepçës të vendos për nevojat e veta strategjike në rrafshin teknologjik për ekonominë e vet.
Do të ishte mirë që qeveria e Kosovës në dialogun me Serbinë të ketë në tavolinën e këtyre takimeve në Bruksel,
që asetët e saj nëpër vendet e ish-Jugosllavisë deri në Rusi të mbyllën dhe të njëjtat të bëhen pjesë e shtetit të Kosovës bashkë me gjigantin ekonomik të Trepçës.
Çikago, 14 tetor 2017

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Cikago, Skender Karacica, Trepca

Vakuumi institucional fut Trepçën në krizë

August 29, 2017 by dgreca

Për afër një vit që nga miratimi i Ligjit për Trepçën, autoritetet në Kosovë nuk kanë arritur të bëjnë as edhe një hap para, për siç është synuar, rimëkëmbjen dhe zhvillimin e kombinatit Trepça.

Mitrovica

Kombinati Trepça, llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi. Por, në vitet e fundit kaloi në fazën e mbijetesës dhe nga mbi 20 mijë punëtorë sa kishe në të kaluarën, Trepça numëron aktualisht rreth 1,400 punëtorë.

I gjithë procesi që do të duhej të kalonte kombinati Trepça pas miratimit të Ligjit në tetor të vitit të kaluar dhe t’i hapej rruga e zhvillimit, ka mbetur peng i problemeve politike.

Aktualisht, siç thonë përfaqësues të Trepçës, gjithçka që ndërlidhet me Trepçën ka mbetur e ngrirë deri në formimin e institucioneve të reja të Kosovës të dala pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Drejtori i Trepçës, Ahmet Tmava, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë se kombinati Trepça po përballet me vështirësi të mëdha të funksionimit e të cilët po sjellin jo pak probleme.

“Për fat të keq Ligji nuk është bërë funksional dhe funksionalizimi është vështirësuar tej mase, pasi që aktualisht as nuk jemi si një ndërmarrje shoqërore në Agjencinë Kosovare të Privatizimit e as në Qeveri dhe kjo po sjell telashe. Institucionet shtetërore duhet t’i kryejnë obligimet edhe pse faktet po falsin të kundërtën”.

“Çështja e funksionalizimit të Ligjit është dashur të përfundojë qysh moti, por ne po bëjmë përpjekje maksimale që këtë periudhë të tranzicionit ta tejkalojnë pa telashe serioze”, thekson Tmava.

Çdo vonesë që po bëhet në çështjen e Trepçës, shton Tmava është e dhimbshme, pasi që zhvillimi i Trepçës kishte mundësuar hapje të vendeve të reja të punës, rritje të prodhimi dhe të shihet interesi në shfrytëzimin e resursit.

Në anën tjetër, Shyqyri Sadiku, kryetar i sindikatës së Trepçës, gjendjen në këtë ndërmarrje e paraqet mjaft shqetësuese.

Ai në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se ndërmarrja po shkon drejt falimentimit.

“Kemi ngecur kemi rënie të prodhimit. Nëse e krahasojmë me vitin paraprak, në gjashtë mujorin e parë kemi 6 mijë tonë më pak të prodhimit të xehes. Trepça nuk është duke u menaxhuar si duhet. Ka vakum institucional, janë duke u neglizhuar punët, nuk ka prodhim të mirë. Punëtorët kanë pritur që po formohen institucionet e reja të Kosovës, nëse kjo gjendje vazhdon, Trepça shkon drejt falimentimit”, thotë Sadiku.

Ndërkohë, Sadiku shton se edhe kushtet në të cilët po punojnë punëtorët e Trepçës janë nën nivelin e duhur.

“Kushtet për punëtorët janë të rënda, ata po përballen me probleme të ndryshme, probleme të veçanta janë kushtet e ambientit, mikroklimës”, thekson Sadiku.

Ndërkohë, drejtori ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka thotë për Radion Evropa e Lirë se kriza politike afekton ndërmarrjen Trepça dhe pamundëson zbatimin e dispozitave të Ligjit mbi Trepçën.

“Është e nevojshme që Kosova të ketë institucione funksionale qeveritare që mund të marrin vendime dhe të shtyjnë përpara ristrukturimin e ndërmarrjes Trepça. Pavarësisht rolit që Qeveria duhet të ketë për Trepçën, ajo çfarë OEAK ka potencuar është e rëndësishme përfshirjen e kapitalit privat në ndërmarrjen Trepça, pasi që kjo në një masë do të reduktonte rolin që vetë shteti ka në drejtimin dhe menaxhimin në një ndërmarrje të tillë strategjike për zhvillimin ekonomik të vendit”, thotë Zeka.

Në kohën kur ishte miratuar Ligji për Trepçën, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës ishin shprehur të gatshëm që të përfundohet sa më shpejt çdo procedurë e nevojshme që të fillohet me zbatimin e këtij Ligji.

Ata ishin shprehur optimistë se me miratimin e Ligjit për Trepçën, kësaj kompanie do t’i kthehet nami që ka pasur në të kaluarën.

Trepça, sot, brenda Kosovës, përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve.

Por, një pjesë e madhe e këtyre kapaciteteve janë të degraduara, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes ose mungesës së investimeve, e madje edhe keqshfrytëzimit në të kaluarën.(Luljeta Krasniqi)

Filed Under: Ekonomi Tagged With: kosovo, ne krize, Trepca

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT