• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJURMËT E PASHLYERA NË KOHË TË ATDHETARIT-MARTIR, KRISTO KIRKA

January 24, 2014 by dgreca

INTERVISTË E EDITORIT TE DIELLIT ME HISTORIANIN DHE SHKRIMTARIN URAN BUTKA/

(Me rastin e dhënies së çmimit kombëtar “Penda e argjendtë” për veprën eseistike “Kristo Kirka”)/

Pyetje: Si u ndje shkrimtari Uran Butka për fitimin e trofeut kombëtar “Penda e argjendtë” për librin  “Kristo Kirka”?

Përgjigje: natyrisht, u ndjeva mirë. Një vlerësim për figurën e atdhetarit-martir Kristo Kirka dhe njëherësh, për vatranët e shquar, që u përpoqën e u sakrifikuan për atdheun; një homazh për ta, një vemendje për mosharrim; gjithashtu ishte edhe një vlerësim për punën time.

Pyetje: Gjatë hulumtimeve për figurën  e Kristo Kirkës, çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje?

Përgjigje: Gjurmët. Gjurmët e pashlyeshme nga koha, qoftë edhe ajo e largët. Këto gjurmë mbresëlënëse të Kristo Kirkës i kam gjetur jo vetëm në dokumentet   në arkivat e Shqipërisë dhe në arkivat e huaja, në shtypin e  kohës, sidomos në gazetën “Dielli”, në rekordet e Vatrës, në bisedimet parlamentare, në letërkëmbimin me personalitetet e botës shqiptare, në reliket personale etj. por edhe në literaturën e botuar, në kujtesën e kombit, sidomos të familjes Kirka, veçanërisht në përjetimet e të birit, Niko Kirkës. Gjatë kërkimeve për gjurmët e Kristo Kirkës, gjeta gjurmë edhe të figurave të tjera të shquara kombëtare, për të cilat nuk është shkruar aspak, ose shumë pak. Kjo është e dhimbshme, sepse harresa dhe heshtja janë ato lëngata, që na kanë dëmtuar më shumë si komb e si shtet. Ne kemi  vlera ende të paevidentuara e të pavlerësuara. Madje edhe me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, fatkeqësisht u rikujtuan vetëm pak figura të njohura si ajo e Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Ahmet Zogut e ndonjë tjetri, ndërsa personalitetet e tjerë madhorë të historisë sonë mbetën në hije, veçanërisht ato të Aqif Pashë Elbasanit, Vehbi Dibrës,  Syrja bej Vlorës, Mid’hat Frashërit, Nikollë Kaçorrit, , Sali Butkës, Sotir Pecit, Mehmet Konicës, Mirash Ivanajt, Kristo Dakos, motrave Qiriazi, Kristo Floqit, Çekrezit etj. Ndërkohë figura të tjera të rëndësishme kombëtarë të fushave të ndryshme as që u zunë në gojë, për mosdashje apo për injorancën e pushtetarëve tanë.

Pyetje:  Janë edhe një sërë vatranësh që u ndëshkuan nga komunizmi për patriotizmin e tyre si Aqif Permeti, Bahri Omari, Kristo Kirka, Kolë Tromara, Kolë Rrodhja, Aqile Tasi,  Ali Kuçi e shumë të tjerë, por ende ata janë të mbuluar nga pluhuri i harresës. Mendimi juaj?(Lexoje të plotë në Diellin e printuar)

Filed Under: Featured Tagged With: gjurmet e pashlyra, Kristo Kirka, Uran Butka

Emigrimi në SHBA

January 6, 2014 by dgreca

Nga Uran Butka*/

Mërgimi  i shqiptarëve në Amerikë kishte nisur në fund të shek.XIX, ndërsa në shek.XX Amerika u bë vendi kryesor dhe më i lakmueshëm i emigracionit shqiptar.Dallohen tri etapa të emigracionit shqiptar drejt Amerikës: e para fillon nga fundi i shek.XIX dhe mbaron në vitin 1920, me rikrijimin e shtetit të pavarur shqiptar; etapa e dytë përfshin periudhën midis dy luftërave botërore dhe etapa e tretë  përfshin periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Periudha  e parë e këtij emigrimi ngërthen vitet 1892-1920, kohë e ndryshimeve të mëdha politike e kombëtare në Ballkan dhe në Shqipëri. Ajo ka si tipar kryesor  fluksin në përmasa të konsiderueshme të emigracionit shqiptar në Amerikë, përmirësimin e tij ekonomik, fillimin dhe zhvillimin e një lëvizjeje të fuqishme kombëtare në mbështetje të pavarësisë, shtetit  shqiptar dhe mbrojtjes  së integritetit territorial e kombëtar të Shqipërisë të rrezikuar nga pushtuesit fqinjë, por edhe nga pazarllëqet dhe interesat e Fuqive të Mëdha.[1]

Edhe pse kishte shkuar më parë ndonjë shqiptar i vetmuar, viti 1894 shënon vajtjen  në SHBA të  një grupi prej 17 korçarësh, me udhërrëfyes Kol Kristoforin, duke  formuar  bërthamën e diasporës shqiptare në Amerikë.[2]

Motivi parësor i shqiptarëve që emigronin nga vendi i tyre, ishte ai ekonomik.

Gjendja ekonomike e Shqipërisë në fillimet e shek.XX ishte e shkatërruar plotësisht. Ende nën pushtimin e të “sëmurit të Bosforit”, ajo vuante, veç të tjerash, edhe nga një krizë e rëndë ekonomike e pashpresë, e shkaktuar nga regjimi feudal otoman, prapambetja e gjithanshme, rrënimi total i bujqësisë dhe  taksat  e papërballueshme.

Krahas emigrantëve ekonomikë, u shfaqën edhe emigrantët politikë, që gradualisht përbënin numrin më të madh ndër ata. Faktori politik ka luajtur një rol të rëndësishëm për emigrimin shqiptar drejt Amerikës. Madje, sipas burimeve të ndryshme, ky faktor ka rolin kryesor. Shpërthimi i kryengritjeve shqiptare antiosmane, trazirat e shpeshta brenda Perandorisë Turke dhe kriza e saj e thellë politike, luftërat e vazhdueshme, sidomos  Lufta italo-turke, shpërthimi i luftërave ballkanike, por edhe i mynxyrave të brendshme, shkelja e Shqipërisë nga ushtritë e huaja, pasiguria e jetës e të tjera kanë qenë  faktorët kryesorë që shkaktuan një valë të madhe emigracioni nga Shqipëria, kryesisht nga Shqipëria e jugut drejt SHBA. Ndër ta, duhet veçuar pushtimi i Shqipërisë së jugut nga ushtria greke në prag të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, masakrat dhe terrori që  bënë  gjatë këtij pushtimi.[3]

Gazeta “Kombi” e Sotir Pecit, shkruante: “Nuk jemi më tepër se 50 e ca, që ne, duke marrë shembuj të tjerët, erdhëm këtu në Amerikë, e cila pas pakë do të jetë vendi, që do të ketë më shumë shqiptarë” [4]

Emigrantët e parë shqiptarë u vendosën në qytetin e madh të Bostonit, por  u përhapën edhe në qytetet e tjerë të shtetit Massachusetts. Mandej, për arsye pune,  u përndanë edhe  në shtetet e New York-ut, Pennsylvani-së, Michigan-it, Missour-it, Ohio-s  etj.  Qendër e rëndësishme e emigrantëve shqiptarë u bë New England, që përfshinte shtetet: Maine, New Hampshire, Massachusetts, Rhode Island dhe Connecticut.[5]

Emigantët shqiptarë u punësuan kryesisht në fabrikat e tekstileve, të këpucëve dhe industrinë e rëndë, por një pjesë e tyre u mor me tregti e biznes të vogël. Sipas gazetës “Kombi”, shqiptarët ishin shpërndarë në 12 qytete amerikane dhe kishin hapur 6 restorante, tri furra buke, një berberhanë etj. Në faqet e kësaj gazete botoheshin reklamat për hotel-restorant “Skënderbeg”, hotel “Korça”, hotel “Albania”, restorant “Tomorri”, hotel “Ali Pasha” dhe biznese të tjerë.

Megjithatë, mendoj se emigrimi për shkaqe politike ka qënë determinant, sepse gjatë kësaj periudhe ( 1900-1920) në hapësirën shqiptare ndodhën ngjarje të rëndësishme politike, siç ishte lufta e armatosur për çlirim kombëtar, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, zaptimi i vendit  nga ushtritë greke e serbo-malazeze, që bënë masakra të padëgjuara, mandej pushtimi nga ushtritë italiane, austriake dhe franceze përgjatë Luftës së Parë Botërore, kryengritja antikombëtare e Haxhi Qamilit dhe rrëzimi i shtetit shqiptar, kthimi i Shqipërisë në një shesh lufte dhe interesash politike të forcave ndërluftuese ballkanike dhe europiane etj. Të gjitha këto situata kombëtare, por edhe mjaft ngjarje të rënda  lokale, e tronditën dhe e rrezikuan seriozisht jetën, qenien dhe ekzistencën shqiptare në trojet e tyre etnike, ndaj një pjesë e popullsisë shqiptare u largua nga Shqipëria për në vendet e tjera, kryesisht në  Turqi, Misir, Rumani, Bullgari, ku ekzistonin kolonitë e mëparshme të emigracionit shqiptar, por, më së shumti, në Amerikë, ku u mundësohej punësimi dhe jetesa.

Studiuesi J.S. Roucek, i njohur për hulumtimin e emigracionit shqiptar dhe jugosllav në Amerikë, thotë se refugjatët politikë përbënin shumicën  e emigracionit shqiptar në SHBA.[6]

Ky fakt bëri që edhe veprimtaria e tij kryesore të ishte politike, e lidhur ngushtë me fatin e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.

Kjo periudhë e parë përkon edhe me migrimin dhe veprimtarinë e Kristo Kirkës në SHBA, refugjat për motive politike, por që u bë një nga veprimtarët më të shquar të çështjes sonë kombëtare.

Ai është një nga të parët shqiptarë që shkeli në Tokën e Re, më 28 qershor 1904,   kur sapo ishin bërë përçapjet dhe ishin hedhur hapat e parë të lëvizjes kombëtare shqiptare nga  atdhetari dhe intelektuali i shquar  Petro Nini Luarasi, i cili kishte ardhur në Amerikë  në maj të vitit 1904, gati dy muaj më parë se Kristoja. Petro Nini Luarasi, ish-mësuesi i shkollave të para shqipe në Kolonjë dhe në Korçë, por edhe mësuesi i parë i Kristos, rilindësi që Patriarkana Greke e kishte shkishëruar e mallkuar, e vijonte veprimtarinë patriotike dhe arsimore mes shqiptarëve edhe në Amerikë. Ai themeloi në vitin 1905 në Buffalo dhe dhe Jamestown të New-Yorkut shoqëritë e para shqiptare “Pellazgu” dhe  “Mall’i Mëmëdheut”. Këto shoqëri  patriotike e arsimore mblodhën mjaft shqiptarë jo vetëm në Buffalo dhe Jamestown, por edhe më gjerë dhe u bënë  vatrat  e para të  rëndësishme të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA.

Gazeta “Kombi” shkruante: “Qëllimi i shoqërisë me qendër në Buffalo, themeluar prej intelektualëve të vërtetë, është të mbjellë vëllazërinë, dashurinë, bashkimin, duke përhapur udhën e qytetërimit me anën e librave, që do të shtypë”.[7]

Petro Luarasi, si një rilindës, e kishte kuptuar me kohë se bashkimi, organizimi  dhe mbrothësimi i shqiptarëve mund të bëhej me anë të dijes, ndaj ai u bë pishtar i saj. “Ai ishte një librari me dy këmbë, me xhepat mbushur plot me pamflete, revista e gazeta. Petron mund ta krahasojmë me Shën Janin, sepse përgatiti udhën e Lëvizjes Kombëtare për ata që ardhën pas tij” –shkruante Konstandin Demo.[8]

Ndërsa Fan Noli e quante Petro Ninin – të parin pionier të lëvizjes kombëtare në Amerikë.[9]

Shoqëria “Mall’i Mëmëdheut” bëri thirrjen e parë për t’u bashkuar gjithë shqiptarët në një shoqëri të përbashkët.

Kristoja gjeti te Petro Nini  mikun e vjetër të familjes Kirka. Kur ishte mësues i shqipes në shkollën shqipe të Korçës, Petroja vinte shpesh në shtëpinë e Dhimitrit, ku bisedonin për hallet e kazasë së Korçës, pengesat për gjuhën e shkollat shqipe, propagandën turke e greke si edhe për përpjekjen atdhetare shqiptare brenda e jashtë Shqipërisë. Kristoja i vogël nuk merrte pjesë në këto kuvendime, por dëgjonte nga prindët fjalë të mira për mësues Petron dhe i rritej dashuria për atë. Por ja që e solli fati që ata të dy, të ndodheshin në të njëjtën kohë në Amerikë dhe të  bashkëpunonin si veprimtarë kombëtarë, madje, kur Petroja u kthye në Shqipëri, veprën e tij e vijoi Kristoja, i cili përfaqësoi edhe shoqërinë “Mall’i mëmëdheut” në përpjekjet për themelimin e “Vatrës”.

Kristoja i ri u vendos në qytezën e Natick-ut, afër Bostonit, ku kishte disa  emigrantë shqiptarë  nga treva e tij. Si gjithë të tjerët, bënte punë krahu për gjashtë ditët e javës, ndërsa të dielave  shkonte  në Buffalo  dhe  bashkëpunonte  me Petro Ninin në shoqatën “Mall’i Mëmëdheut”, por edhe Petroja vinte shpesh në Natick, ku banonte Kristoja dhe mjaft miq të Petros.

“Banonim së bashku, në grupe deri në dhjetë veta, në banesa që i quanim “konakë”. Gatuanim e hanim së bashku dhe secili paguante pjesën e vet, në mënyrë të barabartë. Kështu, kursenim më shumë para, që t’ua dërgonim familjeve në Shqipëri. Njëri zgjidhej kryetar i konakut dhe ai caktonte detyrat për të tjerët, siç ishte përgatitja e ushqimit, larja e enëve, pastrimi e të tjera. Në kësi rastesh, kur ishim tok, nuk mungonte as muhabeti e as humori. Një herë, kur unë isha kryetar konaku, mbasi u caktova të gjithëve detyrat, hidhet Ndrekoja dhe më thotë:

– Po ti, Taqi, ç’do të bësh, se nuk i vure vetes asnjë punë!

– Unë do të pres e do të përcjell miqtë, kur të na vijnë, se jam i pari i fshatit! – qesha unë.

Po më e bukura ndodhi me Vasil Dardharin. Meqenëse ai punonte gjatë gjithë natës për të shpërndarë qumështin me karrocë nëpër shtëpitë e klientëve, e lamë të lirë nga çdo detyrë në konak, në mënyrë që ai të mund flinte gjatë ditës. Por vumë re që Vasili, sa kthehej nga puna në sabah,  në vend që të flinte, dilte jashtë për të shëtitur. Një ditë shokët e pyetën:

– More Vaso, si ia bën ti pa vënë gjumë në sy?

– Fle unë, fle, – u përgjigj qetë-qetë Vasili.

– E kur fle, zotrote? Ne këtu jemi…

– Fle gjatë natës, kur punoj.

– Si?!

– Po, fle që çke me të, kur kuajt ecin në rrugë dhe ndalen vetë para shtëpisë, ku do të lë shishet e qumështit. Janë mësuar tashmë, se i njëjti avaz është. Atëherë zgjohem, lë shishet te porta dhe hip përsëri në karrocë. Hya! Kuajt nisen dhe unë ia këpus gjumit prapë.

U shkulëm së qeshuri.

Megjithëse puna ishte e rëndë dhe  lodheshim shumë, e përballonim bashkërisht. Kur ndonjëri sëmurej apo nuk ishte në gjendje pune, e ndihmonim ne të tjerët. Por, mbi të gjitha, ishte mësimi në gjuhën shqipe, sepse një pjesë nuk dinte shkrim e këndim. Çdo të diel, mua më takonte të bëja dy orë mësim në gjuhën tonë. Dhe e bëja me shpirt. Ishte kënaqësi e madhe për mua, kur ata që s’kishin pasur mundësi të shkolloheshin  në Shqipëri, tani u shkruanin letra familjarëve të tyre në gjuhën e mëmës dhe merrnin letra prej tyre”. [10]

Kristoja e  nisi përpjekjen me propagandimin e shoqërisë “Mall’i Mëmëdheut” , që u bë një nga organizatat më të fuqishme, ku u mbështet më vonë themelimi i Federatës “Vatra”. Ideja dhe përpjekja e Kristos në atë kohë përmblidhej tek fjala shqipe, tek lëvrimi i gjuhës shqipe tek emigrantët shqiptarë. Ai mendonte se nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe të lëvruar do të shkohej tek ndërgjegjësimi kombëtar dhe mbrojtja e të drejtave kombëtare. Një njeri pa identitet kombëtar është një hiçgjë, u thoshte ai bashkëkombasve, pjesa më e madhe e të cilëve ishin të pashkolluar.

Në këtë kohë Kirka mendonte dhe vepronte si një rilindës. Pema e Rilindjes ishte shqiptarizmi apo nacionalizmi i ndritur shqiptar, ithtar i të cilit ishte dhe mbeti Kristo Kirka.

“Ideja e nacionalizmit lindi, së pari, në mendjen e disa shqiptarëve inteligjentë dhe me ndjenja të larta, – shkruante Kirka. – Të parët e idesë nacionaliste na çfaqen Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri dhe, më parë, Naum Vithkuqari, që filloi të përpiqej për të gjallur kombësinë shqiptare, pikë së pari me krijimin e shkronjave e të librave shqip, me përhapjen e gjuhës letrare dhe bashkë me këto, dijenitë njerëzore midis shqiptarëve. Ideja e nacionalizmës rrjedh nga një dëshirë, që çfaqet te njeriu për të lartësuar mendërisht, moralisht, estetikisht dhe teknikisht popullin prej ku ka dalë. Kjo ndjenjë me të vërtetë është e shenjtë, sepse përbën një vetmohim në përkrahjen e interesave kolektive të kombit” [11]

Gjatë viteve 1904-1906 në SHBA, veçanërisht në Boston, pati një valë të fuqishme emigracioni  jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga kolonitë shqiptare në Egjipt, Europë etj. Ndër ta edhe mjaft figura të shquara të mendimit e të lëvizjes kombëtare, si Sotir Peci (1905), Fan Noli (1906), të cilët i dhanë shtysë, motiv dhe vlera veprimtarisë patriotike të shqiptarëve atje.

Në muajin qershor 1906, Sotir Peci botoi në Boston gazetën e parë në Amerikë, me emrin “Kombi”. Platforma politike e kësaj gazete ishte e njëjtë me programin politik të lëvizjes kombëtare në Shqipëri, e cila në atë kohë kërkonte një Shqipëri autonome në kufijtë e katër vilajeteve, në kornizë të Perandorisë Osmane, lejimin e hapjes së shkollave shqipe, krijimin e një administrate shqiptare, përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare etj.

Fan Noli bashkëpunoi ngushtë me Pecin dhe të dy bashkë, ndonëse në kushte të vështira ekonomike, nxorën një gazetë bashkëkohore dhe shumë të dobishme për bashkimin dhe emancipimin e shqiptarëve. 

Edhe Kristo Kirka ndihmoi në financimin  dhe përhapjen e gazetës “Kombi” tek shqiptarët e Boston-it dhe të Natick-ut. Ishte një moment kritik, kur gazeta e vetme dhe e dashur e shqiptarëve ndodhej përpara një falimentimi, sepse brenda një viti ajo hyri në një borxh prej 485 dollarësh të asaj kohe. Kjo gjendje e vështirë i detyroi Sotir Pecin dhe Nolin të shkonin në Natick, njëra nga qendrat kryesore të atdhetarizmit shqiptar dhe të kërkonin ndihmë për gazetën. Këtu ata gjetën atdhetarë të flaktë, si Kristo Kirkën, Andrea Panin, Kol Tromarën, Ilo Tromarën, Sotir Nokën e të tjerë, të cilët e shlyen së bashku të gjithë borxhin e gazetës dhe ndihmësuan që ajo të vazhdonte botimin. [12]

Kështu, Kristo Kirka  u lidh ngushtë me kauzën kombëtare, sidomos me shtypin shqiptar  dhe u bë një nga organizatorët  e drejtuesit  kryesorë të gazetarisë  shqiptare në SHBA.

Atëbotë, Kirka ishte ende i ri, plot energji, besim në vete dhe në çështjen kombëtare. Dhe, jo vetëm që merr pjesë në çdo veprimtari, por bëhet krah i Petro Luarasit, Fan Nolit, Sotir Pecit.

Djaloshi që kishte lënë Korçën, po binte në sy për shpirtin atdhetar dhe energjitë e pakursyera. Ai shpejt fitoi besimin e lëvizjes patriotike shqiptare në SHBA.[13]

Në kujtesën e tij djaloshare mbeti i pashlyer tubimi i 1 janarit 1907  në Jamestown, organizuar nga shoqëria “Mall’i Mëmëdheut”, me rastin e ardhjes së Bajo Topullit në Amerikë, si përfaqësues i Komitetit të fshehtë të Manastirit. Në këtë mbledhje, ku merrnin pjesë edhe mjaft shqiptarë që nuk ishin anëtarë të shoqërisë, ligjëroi aktivisti i njohur i saj, Thanas Floqi, si edhe mysafiri nga Shqipëria, Bajoja, i cili foli për çetat e para kryengritëse të lirisë në Shqipëri.[14]

Po ashtu, mbresë të madhe i la mitingu i madh që u organizua nga shoqëria “Mall’i Mëmëdheut” në Boston,  për të nderuar kujtimin e dëshmorit të kombit, Spiro Vani Kosturi dhe për të protestuar kundër vrasjes së tij nga shovinistët grekë në Selanik, ku kishte shkuar të siguronte armë për kryengritësit e lirisë. Kristoja e kishte njohur Spiron në Korçë, ishin pothuaj moshatarë dhe miq familjarë. Spiroja ishte atdhetar i çartur, i ngjante të atit, Vanit, që s’kursente gjë për Shqipërinë. Në këtë miting shqiptarët mbanin në duar flamuj shqiptarë dhe amerikanë dhe mbajtën fjalime të zjarrta Petro Luarasi, Fan Noli, Sotir Peci e të tjerë.[15]

Kështu, Kristoja i ri u fut dalëngadalë në rrjedhën kombëtare, si edhe në veprimtaritë e lira shoqërore të shqiptarëve në Shtetet e  Bashkuara të Amerikës. Këtë liri dhe këtë ndjesi nuk e kishte provuar kurrë më parë, ndaj edhe ishte aq i çlirët, i hedhur dhe optimist.

Qazim Prodani, një nacionalist i shquar kolonjar, shkruante në gazetën “Besa”:

“Kirka popullor dhe shumë i dashur, rrallë bëhej mik me lehtësi, rrallë lidhte shoqëri menjëherë. Sepse rrallë gjente te njerëzit atë kuptim që ai i jepte kauzës shqiptare, detyrës së shqiptarit; atë shpirt vetmohimi dhe guximi, që e priu tërë jetën si ushtar lirie në mërgim dhe në atdhe.  Dhe një ditë me qiell të ngrysur, plot me re të zeza që mbulonin horizontin e Ballkanëve, djaloshi Kristo, pa i dirsur mustaqja, por q’e ndiente veten burrë, burrë shqiptar, merr rrugën e gjatë drejt Botës së Re. Nuk vete në kurbet të fitojë para, nuk e lë Shqipërinë për ta harruar. Jo, vete të punojë, të përpiqet, të luftojë për lirinë e Shqipërisë. Kërkon të shohë në Korçën e tij, në Shqipërinë katërvilajetëshe, të valojë flamuri me dy krerë, flamuri kuq e zi dhe asnjë tjetër.  Kristoja nuk ndjente dashuri më të madhe  në shpirt sesa dashuria për mëmëdhenë, ashtu si e thërriste ai në atë kohë. Dhe kësaj dashurije, iu kushtua tërësisht, sa i ri e plak, në luftë e në paqe, në Shqipëri e në dhe të huaj. Mëmëdheu ishte kulti i Kristos dhe kombi e shqiptarizmi – feja e tij, besimi i shpirtit fisnik, që qëndronte n’atë trup të pastër, i pastër si dëbora e Gramozit!”. [16]

Në jetën e Kristo Kirkës së ri, ka luajtur një rol të veçantë njohja, miqësia dhe bashkëpunimi me Fan Nolin. Noli, pasi arriti në New York (maj 1906), shkoi në Buffalo, ku ishte ngritur shoqëria “Mall’ i Mëmëdheut”. Ai u vendos në këtë qytet për të ndihmuar në punët patriotike të shoqërisë dhe për ta kthyer atë në një vatër për të gjithë shqiptarët. Në Buffalo Noli filloi punë në një punishte tanini  dhe banonte në një konak ku flinin nëntë shqiptarë. Por miqësia me ta, sidomos bashkëpunimi me Petro Ninin, e bënin të përballonte çdo vështirësi.

Në Buffalo u njoh edhe me Kristo Kirkën, i cili vinte atje në fundjavë për të marrë pjesë në veprimtaritë e shoqërisë “Mall’ i Mëmëdheut”. Kristoja e pëlqeu mendjen e ndritur të Nolit, kulturën e pazakontë dhe atdhetarinë e palëkundur të Nolit. Ata u bënë miq dhe e vazhduan miqësinë e bashkëpunimin gjithë jetën.

Me nismën e  Fan Nolit, në fillim të vitit 1907, u themelua shoqëria “Besa-Besën”, e cila synonte të mblidhte rreth saj  shqiptarët e  New-England-it, por edhe më gjerë. Në krye të kësaj shoqërie u zgjodh Fan  Noli, kryetar dhe Gerri Adams, nënkryetar. Në janar dhe shkurt të vitit 1907 u formuan shoqëritë “Koha” ( New York) dhe “Lidhja” ( Saint Louis). [17] Faksimile 4

Shoqëria “Besa-Besën” kishte në programin e saj politik mbështetjen e  të drejtave kombëtare të shqiptarëve dhe në atë kulturor, hapjen e shkollave shqipe në Shqipëri, botimin dhe përhapjen e literaturës shqipe, që do të propagandonte idetë e lirisë dhe të përparimit, po ashtu edhe organizimin e shqiptarëve të Amerikës në një lob të fuqishëm në ndihmesë të kombit .  Kjo shoqëri caktoi si festë të saj Shën Gjergjin, për nder të heroit tonë kombëtar dhe kjo ditë do të kremtohej  nga të gjithë shqiptarët, ortodoksë e myslimanë.

Të parët që e përkrahën formimin e shoqërisë Besa-Besën” dhe që krijuan menjëherë degën e kësaj shoqërie në Natick, ishin shqiptarët atdhetarë të këtij qyteti të vogël, por me kontribute të mëdha në çështjen kombëtare. Në Natick, tashmë ishin shtuar emigrantët shqiptarë. Kristoja u bë shpirti i tyre. Në mbledhjen themeluese të degës së shoqërisë “Besa-Besën” në  Natick, mori pjesë edhe Fan Noli, me cilësinë e kryetarit të shoqërisë, si edhe disa personalitete amerikane, që përkrahnin çështjen shqiptare. Pasi u miratua nga pjesëmarrësit kanunorja e shoqërisë, u bënë zgjedhjet e pleqësisë së kësaj dege dhe u zgjodh kryetar Ilo Tromara.[18]

Kjo përpjekje kombëtare bëhej edhe më e domosdoshme, sepse  propaganda greke, agjentët dhe intrigat  e saj gëlonin, jo vetëm në Shqipëri, por e kishin shtrirë veprimtarinë antishqiptare edhe në SHBA, në qarqet politike të saj, madje edhe ndërmjet emigrantëve shqiptarë, për t’i përçarë  apo për t’i bërë për vete me të gjitha mënyrat e mjetet. Veçanërisht, nëpërmjet kishës greke.

Themelimi i shoqërive të para shqiptare si edhe veprimtaria e tyre kombëtare, nuk shikohej me sy të mirë prej qarqeve politike greke. Ato i shqetësonte fakti që shqiptarët ortodoksë të Amerikës, të cilët grekët i konsideronin si grekë të Epirit, jo vetëm që ndjeheshin etnikisht dhe kombëtarisht shqiptarë, por qëndronin në radhët e para të lëvizjes për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar. Edhe individë apo grupe të caktuara nga emigrantët ortodoksë shqiptarë, që fillimisht ishin nën ndikimin e propagandës greke, po shkëputeshin prej këtij ndikimi.  Përjashtim bënin këtu grekomanët, të cilët, në bashkëpunim me rrethe të caktuara greke, vijuan veprimtarinë e vet sabotuese  ndaj lëvizjes patriotike shqiptare.[19]

Madje, për të neutralizuar idetë dhe veprimtaritë kombëtare shqiptare, emigrantët politikë ekstremistë grekë krijuan në SHBA sillogjet e tyre antishqiptare, si “Ipiro Alvanikos Sillogos” në New York apo “Vëllazëria Epiriote” në Worcester, ku bashkoheshin edhe elementë grekomanë, si edhe kisha greke.

Kristo Kirka, iu kundërvu politikës së sillogjeve “vorio-epirote”, që propagandonin edhe në SHBA se çdo i krishterë ortodoks është grek. Përkundrazi, ai vetë, por edhe shqiptarët e tjerë ortodoksë, si: Petro Nini Luarasi, Fan Noli, Sotir Peci, Kristo Floqi, Kristo Dako, Thanas Floqi, Sotir Mikeli,  Llambi Bimbli, Vangjo Miller, G.Gjoleka, At Naum Cere, Kol Rodhe  e shumë të tjerë ishin gurët e themelit të kombësisë shqiptare në Amerikë. Sikundër të parët e tyre rilindës ortodoksë: Kristoforidhi, Veqilharxhi, Vaso Pasha, Vreto, Mitko, De Rada, Koto Hoxhi e të tjerë,  vunë themelet e shqiptarizmës e të shtetit kombëtar shqiptar.

Kristo Kirka rrëfen:

“Aq e madhe qe propaganda greke kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë, sa që, përveç atyre misionarëve të “Megaloidesë” që vepronin në Amerikë, dërgoheshin edhe të tjerë here pas here nga Athina. Një herë, u bënë lajmërime se një profesor i Universitetit të Athinës do të mbante një konferencë në Boston për të ashtuquajturin “Vorio-Epir”. Disa nga ne, shqiptarët e Natick-ut, vendosëm që të shkonim në atë konferencë. Grupi ynë shkoi në sallën e konferencës një orë përpara fillimit dhe zuri vend në radhët e para.  Organizatorët u shqetësuan, por nuk na nxirrnin dot jashtë. Profesori Ricos   mbajti një ligjëratë të gjatë për historinë e Greqisë dhe askush nuk e trazoi. Por, kur hyri në temë dhe nisi të “argumentonte” me fjalë të rreme se “Vorio-Epiri” është grek, se çdo ortodoks në Shqipëri është grek, unë nuk durova dot, u ngrita më këmbë dhe e ndërpreva, duke i folur në gjuhën greke, të cilën e kisha mësuar  në gjimnazin grek të Korçës. “Unë jam ortodoks dhe, siç e dëgjon, flas mirë greqisht. Por nuk jam grek, jam shqiptar i kulluar dhe e kam për nder që jam i tillë. Kështu janë edhe ortodoksët e tjerë shqiptarë, përveç atyre që i gënjeni apo i paguani ju. Unë jam nga Korça, që ju e quani Vorio-Epir, po në Korçë nuk ka asnjë grek për be. Bile edhe Follorina, Kosturi, Konica, Janina dhe gjithë Çamëria, që ju i kini zaptuar padrejtësisht, janë shqiptare. Ti gënjen, nuk je historian i vërtetë, je falsifikator i historisë!”  Grekët që ishin në sallë, m’u vërsulën, por kërcyen shqiptarët që kishin ardhur me mua dhe filloi një përleshje e paparë ndonjëherë. Krisën grushtet dhe karriket. Konferenca u prish. Mua më rrethuan shokët dhe më nxorrën përjashta. Kur erdhi policia, ne ishim larguar. Ngjarja bëri bujë dhe shkruan gazetat amerikane, shkroi gjatë  edhe gazeta jonë “Kombi”. Kjo ngjarje bëri përshtypje edhe tek shqiptarët e Amerikës, që filluan të na mbështesnin dhe të afroheshin me ne, sepse u bindën se e drejta ishte me ne, por kjo e drejtë fitohej po të bashkoheshim dhe të organizoheshim. Na  u afrua edhe një arbëresh i Greqisë, me llagapin Greims, që e bëra mik. Sa herë që binte fjala për veprimtarinë time dhe përplasjen me grekët, më jepte të drejtë. Ai rrëfente sesi ishin asimiluar arvanitasit në Greqi me anë të dhunës, propagandës helene, kishës greke, ndërrimit të emrave dhe mohimit të çdo të drejte kombëtare, përfshirë edhe mohimin e shkollimit në gjuhën shqipe. “Po të thuash në Greqi që jam arvanitas,  ose të flasësh shqip, të shpërngulin nga trojet, të marrin pasurinë  dhe të degdisin në Anadoll”, – më thoshte miku im. “Ja, unë nuk di shqip, as fëmijët e mi nuk dinë”. Kur mori vesh ngjarjen me profesorin grek, erdhi e më përgëzoi. U ulëm të pinim kafetë dhe ai më tregoi se ishte zënë me grekët, duke mbajtur anën tonë.

– Është thirrja e gjakut, – tha dhe më përqafoi.

– Ore Kosta, i thashë, ti mbiemrin e ke Greims, të amerikanizuar. Si e ke pasur në Greqi?

– Ngremutis, – m’u përgjigj.

Unë mbeta me buzë në gaz. Ai dyshoi dhe më pyeti:

– Ç’kuptim ka në gjuhën shqipe?

U përpoqa t’i shpjegoja, sipas mëndjes sime, që ky emër përbëhej nga dy fjalë: ngre dhe mut, si  dhe kuptimin e tyre. Ai nuk u fye, përkundrazi u gjallërua, sytë filluan t’i shkëlqenin dhe ma ktheu:

-Tamam. Gjyshi im ishte nga një fshat arvanitas në rrethinat e Athinës. Banorët ishin bujq të mirë, merreshin sidomos me kopshtari. Kam dëgjuar që i quanin barbaçë.

– Ndoshta kjo shpjegohet me fjalët “bar” dhe “bahçe”, meqenëse ishin bahçevanë.

– Nuk e di, tha Kosta, por di që tim gjysh, Kosta quhej, e thërrisnin “Ngremutis” në fshat, se ngrinte pleh me qerre dhe e çonte në kopshtet e fshatarëve. Tani e kuptoj nga e ka origjinën llagapi im shqiptar. S’e kam për turp, përkundrazi.

Më bëri përshtypje ky ngazëllim i tij. Ky rrënjëshkulur, ky Kosta Greims, tashmë shtetas amerikan, që jeton në lobin grek, mallëngjehet e gëzohet kur e kupton dhe e ndjen plotësisht se është shqiptar, se ajo shtytje e brendshme i vjen nga shtresat më të thella të ndërgjegjes, se ajo klithmë e brendshme është thirrja e gjakut arbëresh, gjakut jo të shprishur! A ka gjë më tronditëse, por edhe më të madhërishme?” [20]

Nga këto rrëfime mëmëdhetare, por edhe psikologjike, kuptojmë që Kristoja kishte një dell prej shkrimtari, por që, për rrethanat e jetës, nuk e kishte zhvilluar. Këtë prirje të tij  e vëmë re edhe në shkrimet  botuar në shtypin e kohës, në letëkëmbimet, sidomos në kujtimet e tij.

Me përpjekjen dhe mbështetjen e Kristo Kirkës, veprimtari  tjetër i shquar në fushën e arsimit shqiptar, Kristo Dako, çeli në fillim të qershorit 1908 një shkollë në Natick, për t’u mësuar bashkëkombasve gjuhën shqipe dhe dijen, por edhe anglishten, që u duhej shqiptarëve për t’u integruar në shoqërinë amerikane.

  • Marrë nga libri i Uran Butkës”Kristo Kirka”, i cili fitoi në Dhjetor 2013 “Penda e argjëndt” nga Minsitria e Arsimit dhe Kulturës

 



[1] Beqir Meta Federata panshqiptare “Vatra”, 2002

[2] Kostandin  Demo, The Albanians in Amerika, Boston Mass 1960

[3] B. Meta,Federata Panshqiptare “Vatra”, Tiranë 2002

[4] Gazeta “Kombi” 30 qershor 1906

[5] J.S.Roucek, The Albanian and Yugoslav immigrants in Amerika,  1937-1938.

[6] Po aty

[7] Gazeta Kombi, korrik 1906

[8] The Albanians in Amerika, Boston Mass, 1960

[9] A. Uçi,Petro Nini Luarasi, Tiranë 2011

[10] N.Kirka. Për mëmëdhenë.

[11] Gazeta “Fjala e Korçës” Konferenca e K.Kirkës.

[12] K.Demo, vepër e cituar, f.60

[13] D. Greca, Gazeta “Albania”, 3 maj 2000

[14] Gazeta “Kombi”, janar 1907

[15] Sipas K. Demo, vepër e cituar dhe kujtimeve të K.Kirkës

[16]  Gazeta “Besa, nr.25, shtator 1955.

[17] K.Demo, vepër e cituar

[18] Gazeta “Kombi” 1906, nr.18

[19] V.Duka, Shqiptarët në rrjedhat e Shek.XX

[20] N.Kirka, Për mëmëdhenë.

Filed Under: ESSE, Histori Tagged With: emigrimi ne SHBA, Kristo Kirka, Uran Butka

Nihat Bakalli, vazhdues i veprës së Mid’hat Frashërit

July 26, 2013 by dgreca

Nga Uran BUTKA/       

Si i arratisur politik, Nihati, fillimisht u lejua të ndiqte studimet e larta për albanologji, e mandej për drejtësi në Universitetin e Beogradit. Por, për veprimtari kombëtare shqiptare, tok me mjaft shqiptarë të arratisur në Jugosllavi si Anton Çeta, Hasan Kaleshi, Abullah Zajmi, Ali Alia, Agim Vicrri, Murat Isaku, Elez Ndreu, Skënder Kastrati, Zyhdi Baja etj, Nihati u burgos nga UDB-ja dhe u dërgua në kampin e përqendrimit të Gerovës, ku vuajti jashtëzakonisht bashkë me të burgosurit e tjerë nga Shqipëria e Kosova

 Nihat Bakalli ka marrë pjesë në të gjitha tubimet dhe demonstratat e Ballit Kombëtar dhe të Lidhjes Kosovare në SHBA dhe Europë, përpara institucioneve ndërkombëtare për çështjen shqipare, por edhe për të protestuar për krimet e qeverisë komuniste të Enver Hoxhës që po e mbyste popullin shqiptar dhe po e mbyllte krejtësisht Shqipërinë.

Nihat Bakalli është një përfaqësues i shquar i nacionalizmit shqiptar, veprimtar dhe kryetar i Ballit Kombëtar për Diasporën, vazhdues i denjë i veprës së Mid’hat Frashërit, intelektual i spikatur, qëndrestar antikomunist, demokrat i gjysmës së dytë të shekullit XX dhe i ditëve tona.

U lind në Shkodër më 12 janar të vitit 1931, në një familje patriote dhe qytetare shkodrane. I ati, i përndershmi hafiz Ymer Bakalli, që kishte studiuar për teologji dhe psikologji në Turqi, ishte një patriot i njohur, pjesëmarrës në luftën e Koplikut dhe në mbrojtje të Shkodrës në vitet 1918-’20 kundër pushtuesve serbo-malazes. Antizogist i burgosur, pjesëtar i opozitës demokratike të viteve ’30, antifashist dhe antikomunist i vendosur, ai e urrente më së shumti komunizmin, që prishi fe dhe atdhe. U burgos dhe u internua në kampin famëkeq të Tepelenës nga regjimi kriminal i Enver Hoxhës.

Nihati i mori mësimet fillore dhe të mesme në qytetin e lindjes. Qysh nxënës, mori pjesë në lëvizjen studentore antikomuniste në vitet 1947-1948 në Shkodër, bashkë me Bardhosh Danin, Mark Cacajn, Ibrahim Dërgutin, Hilmi Hoxhën, Ferid Myftiun etj., duke bërë propagandë antikomuniste dhe protesta. Nihati kujton në librin e tij me kujtime “Nga një vit në tjetrin”: “Në këtë grup, veprimi më i madh ka qenë kur unë dhe Bardhoshi kemi shkruar një parrullë antikomuniste në një faqe të murit të gjimnazit: “Poshtë komunizmi! Jashtë rebelët”! Për t’iu shmangur regjimit të egër, u ndamë u organizuam në grupe të vogla prej tre vetësh, ndërsa mbledhjet i bënim në shtëpinë time…”

Por, grushti i egër i pushtetit ra mbi studentët: Bardhosh Dani, Ibrahim Dërguti dhe Mark Cacaj u vranë gjatë orvajtjes për t’u arratisur, ndërsa Ethem Bakalli, Ahmet Bushati, Mërgim Dani, Viktor Luka dhe Njazi Uruçi u burgosën. Nihati dhe Zyhdi Baja u arratisën në vitin 1950 nga Shqipëria, për t’i shpëtuar arrestimit.

Si i arratisur politik, Nihati, fillimisht u lejua të ndiqte studimet e larta për albanologji, e mandej për drejtësi në Universitetin e Beogradit. Por, për veprimtari kombëtare shqiptare, tok me mjaft shqiptarë të arratisur në Jugosllavi si Anton Çeta, Hasan Kaleshi, Abullah Zajmi, Ali Alia, Agim Vicrri, Murat Isaku, Elez Ndreu, Skënder Kastrati, Zyhdi Baja etj, Nihati u burgos nga UDB-ja dhe u dërgua në kampin e përqendrimit të Gerovës, ku vuajti jashtëzakonisht bashkë me të burgosurit e tjerë nga Shqipëria e Kosova.

Nihati u arratis nga kampi i përqendrimit dhe kaloi në Trieste, në kampin e “Santa Bara”, mandej në Strasburg, për të vazhduar studimet universitare për drejtësi, si student në Kolegjin “Evropa e Lirë”. Nga Franca u transferua në Romë, ku u bashkua me refugjatët e vjetër të Ballit Kombëtar: Vasil Andoni, Sekretar i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar, Zef Pali, Dom Zef Shestani, etj., me të cilët bashkëpunoi ngushtë. Në Romë, punonte dega e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, ku Nihati dha kontributin e tij, sidomos në kapërcimin e mosmarrëveshjeve midis grupimeve politike të djathta. Ndërkohë, vazhdoi studimet universitare për drejtësi, të cilat i përfundoi në Neë York të SHBA, ku emigroi si shumica e shqiptarëve të mërguar nga Shqipëria. Atje vijoi përpjekjen e Ballit Kombëtar për një Shqipëri të lirë, etnike dhe demokratike, të integruar në botën e lirë Perëndimore.

U zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar në Diasporë në Kongresin VII në Detroit dhe bashkëpunoi me udhëheqësit kryesorë historikë të nacionalizmit shqiptar: Vasil Andonin, Abaz Ermenjin, Hasan Dostin, Zef Palin, Sulejman Meçon, Qazim Prodanin, Jani Dilon etj.

Si publicist, bashkëpunoi me fletoret “Flamuri” dhe “Besa”, si edhe me revistat “Albania” dhe “Shërbestari i Shqipërisë”, ku botoi një sërë arikujsh me vlerë kombëtare . Ka mbajtur për mëse 30 vjet, si drejtor dhe si folës, radion e Ballit Kombëtar “Zëri i Shqiptarëve të Lirë”, prej vitit 1965 e deri në vitin 1993, kohë në të cilën u përmbys diktatura komuniste në Shqipëri. Radioja “Zëri i shqiptarëve të lirë” ka mbajtur gjallë frymën e shqiptarizmës, ka mbrojtur çështjen shqiptare në botë, ka demaskuar regjimin gjakatar të Enver Hoxhës dhe ka mbështetur çdo lëvizje që zhvillohej nga Balli Kombëtar dhe Lidhja Kosovare në SHBA dhe Europë. Nihat Bakalli drejtoi radion dhe kumtoi idetë e lirisë, të nacionalizmit shqiptar e të antikomunizmit, pa iu lodhur dhe pa iu trembur kërcënimeve të armiqve të kombit e të Shqipërisë. Në mënyrë të veçantë, Nihat Bakalli dhe radioja e tij, kanë mbrojtur dhe ndërkombtarizuar çështjen e Kosovës,, luftën e saj për çlirim dhe bashkim me Shqipërinë, sipas parimeve të pavdekshme të Shqipërisë Etnike të të madhit Mit’hat Frashëri.

Nihat Bakalli ka marrë pjesë në të gjitha tubimet dhe demonstratat e Ballit Kombëtar dhe të Lidhjes Kosovare në SHBA dhe Europë, përpara institucioneve ndërkombëtare për çështjen shqipare, por edhe për të protestuar për krimet e qeverisë komuniste të Enver Hoxhës që po e mbyste popullin shqiptar dhe po e mbyllte krejtësisht Shqipërinë. Ja ç’thotë ai në librin “Nga një vit në tjetrin”: Mund të përmend Konferencën shkencore kushtuar 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Skënderbeut, si edhe tubimin e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” më 1978. Seancën e parë e drejtoi dr. Ramazan Turdiu, seancën e dytë, dr.Nihat Bakalli… Për këtë është shkruar e botuar një libër i posaçëm… Mund të zë në gojë edhe dy kuvende, njëri kushtuar Lëvizjes Studentore kosovare më 1981, tjetri Kryengritjes Antikomuniste të Malësisë së Madhe, prirë nga patrioti e luftëtari i lirisë, Preng Cali…”

I zgjedhur kryetar i Komitetit të Ballit Kombëtar për Diasporën, Nihat Bakalli, luftoi edhe më tepër për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri e Kosovë, si edhe për të siguruar ndihmën e madhe të SHBA për Shqipërinë dhe për çlirimin e Kosovës, po ashtu edhe për të ndihmuar Ballin Kombëtar në Shqipëri, bashkimin e tij, veçanërisht Partinë e Ballit Kombëtar Demokrat, për të pasur një përfaqësim të denjë dhe aktiv në politikën e sotme shqiptare. Ndërkohë, ai ka mbështetur përpjekjet e të djathtës shqiptare, të partive të traditës nacionaliste dhe ka vlerësuar arritjet e Shqipërisë demokratike, por ka kritikuar edhe gabimet e politikës shqiptare në tranzicion, sidomos ato që kanë të bëjnë me çështjen tonë kombëtare dhe integrimin euro-atlantik.Nihat Bakalli ka trajtuar e promovuar historikisht, por edhe në librin e tij “Nga një vit në tjetrin”, një sërë figurash madhore të Ballit Kombëtar si Mid’hat Frashëri, Vasil Andoni, Abaz Ermenji, Zef Pali, Sulejman Meço, Halil Maçi, Luan Gashi, Dom Zef Shestani, Jani Dilo, Hafiz Jusuf Azemi, Dr. Vasil Dhimitraj, Martin Camaj, Arshi Pipa etj, si edhe ngjarje të rëndësishme kombëtare e politike.Le të shënojmë këtu disa rreshta nga shkrimi i Nihat Bakallit për Zef Palin, një nga figurat e shquara të Ballit Kombëtar: “Udhëheqësit tanë, që nuk i kemi ma në mesin tonë, udhëheqës të kalibrit të Mid’hat Frashërit, të Zef Palit, Hysni Lepenicës, Safet Butkës, Skënder Muços, vëllezërve Kazazi, Haki Tahës, Preng Calit, Mark Sadikut, e të vargut të gjatë të Dëshmorëve e të punëtorëve të Lirisë, këta udhëheqës, pra, na e kanë lanë amanet se, në qoftë se kemi një pikë gjaku shqiptar në dej, në qoftë se nuk duam të shkrihemi e të mbarojmë në harresë, në qoftë se na dhimbset kombi i shtypun e i coptuem, atëherë le ta sjellim kokën kah historia dhe le të kundrojmë aty sesa ka vuejtë kombi ynë nga kamba e të huajve”.Në SHBA, ka punuar në Bankën amerikane, i specializuar në lidhjet bankare ndërkombëtare, deri në qershor të vitit 1996, kur doli në pension.Është nderuar me titullin “Qytetar nderi i qytetit të Shkodrës”.(Dielli-Arkiv)

Filed Under: Komente Tagged With: Mit'hat Frasheri, Nihat Bakalli, Uran Butka

Edukimi i brezave përmes mendimit të Mid’hat Frashërit

July 25, 2013 by dgreca

Nga Uran BUTKA/

Mid’hat Frashëri, ka qenë dhe është edukator jo vetëm i një kohe apo i një brezi të caktuar, por edukator prore i një kombi të tërë.

Së pari, gjithë vepra e tij madhore është njëherësh edhe edukuese, madje këtë karakter ajo e ka parësor. Ajo edukon ndjenjat dhe tiparet njerëzore më të mira si dashurinë e përpjekjen për atdheun, lirinë, gjuhën shqipe, librin, humanizmin, fisnikërinë, trimërinë, solidaritetin, dëshirën e merakun për punën, për të vërtetën, sinqeritetin, thjeshtësinë, altruizmin, shërbestarinë, këmbënguljen, tolerancën, respektin reciprok, indipendencën, durimin e të tjera.Qysh në moshën 17 vjeç gjejmë të shprehur tek ai mendimin filozofik për identitetin shqiptar, boshti ku mbështillet e mbahet universi dhe qenia shqiptare. “Qe një koh’ e vjetër, kur shqiptarët besonin e u faleshin yjevet, diellit, hënës, drurëve, shkëmbinjëvet. Që ahere shqiptarët quheshin: shqipëtarë.

Pastaj zunë të besonin që çdo gjë në jetë ka një perëndi…Këta njerëz prapë quheshin: shqipëtarë

Shqipëtarët ishin të tërë të krishterë, gjersa erdhi turku; pas kësaj, disa u bënë muhamedanë… Shqipëtarë të krishterë a muhamedanë, hapni sytë, jemi vëllezër!

Feja është ndrruar, por kurdoherë kemi qenë shqiptarë dhe ashtu duhet të jemi”.

E para, për M.Fashërun: të qenët shqiptar. E dyta: të qenët komb.

Sipas mendimit të tij, nuk mund të jetë një komb i lirë dhe i përparuar, pa qenë i ditur dhe i ndërgjegjësuar.

Ideja e lirisë te Mid’hat Frashëri i ri merr një kuptim e trajtim, që nuk ka ndryshim nga formulimi i sotmë. “Liria është që të mos të të trazojë njeri ty dhe ti të mos trazosh të tjerët”, shkruan ai. Sipas tij, meqë jeta dhe siguria e secilit është e lidhur me fatin e jetën e atyre që së bashku formojnë kombin, atëherë, së pari, liria e çdonjërit sigurohet nga liria e gjithë kombit, së dyti, liria e çdonjërit mbaron atje ku trazohet liria e tjetrit.

Në moshën 18-vjeçare, Mid’hat Frashëri përktheu nga frëngjishtja dhe botoi në shqip “Gyjom Telli” të Lamartinit. Pse pikërisht zgjodhi këtë vepër për ta shqipëruar? Edhe kjo nuk është e rastit. Mit’hati e adhuronte Lamartinin si poet. Por veprën e tij “Gyjom Tell” e zgjodhi ta përkthente në gjuhën e shqiptarëve, sepse këta kishin nevojë për modele liberatorësh si Teli, ngaqë ishin ende nën robërinë e Turqisë. Kjo dëshmon për shpirtin liridashës të djaloshit Mid’hat Frashëri, i cili u bë qysh në rini zëdhënës i ndërgjegjes dhe i veprimit kombëtar shqiptar. “Shqipëtarë, – bën thirrje ai më 1899, – të kemi bashkim, të duam njëri-tjetrin, të zgjohemi, të punojmë me vullnet dhe ahere do të jemi të lirë, të lumtur dhe fatbardhë. Përndryshe, do të humbasim si komb.

Rritur në një mjedis kulturor e qytetar, midis njerëzve më të shquar e më të ditur të kohës, por edhe midis librave, Mid’hati u lidh më shumë se me njerëzit, me librat, që u bënë miqtë e tij më të mirë e të përhershëm. Dëshira e pakufishme për librin që u kthye në një dashuri e në një kujdes atëror si edhe në një përpjekje e në një sakrificë për të qëmtuar e mbledhur këtë pasuri të paçmuar të mendjes njerëzore e mandej për t’ua lënë trashëgim brezave që vijnë, e ka fillesën që në fëmijërinë e Mid’hatit. Ishte 17-vjeç kur themeloi bibliotekën e tij personale me emrin “Lumo Skëndo” (1897); atë e pasuroi dhe e rriti çdo ditë të jetës së tij. Kur shkroi “Testamentin” (1929), ai la trashëgim kulturës shqiptare (Institutit Albanologjik) rreth 40.000 vëllime, nga të cilët pjesa më e madhe ruhet dhe shërbehet në Bibliotekën Kombëtare, përfshirë edhe autorët e vjetër të letërsisë shqipe.

Mid’hati vijoi përpjekjet rilindase për ndriçim mendor e shpirtëror të shqiptarëve si kusht i domosdoshëm i çlirimit dhe i rrojtjes së pavarur të tyre. Në themel të këtyre, M.Frashëri vendos gjuhën shqipe. Motivi i tij në këtë kohë bëhet “Gjuha është rrojtja a vdekja e kombit”. Gjuha jonë është e bukur, e pasur, është shprehje e qenies sonë, e ekzistencës sonë. Sipas M.Frashërit lufta për gjuhën është një formë tjetër e luftës për të rrojtur.

Nuk është rastësi që M.Frashëri ishte kryetar i Kongresit të Manastirit, alfabetit të gjuhës shqipe. Këtë hap të parë për të njësuar alfabetin, – mendon Mid’hat Frashëri, – duhet ta pasojmë me akte të tjerë qytetarie, për t’u bërë vërtet një popull i kulturuar dhe një komb i civilizuar. Një nga këto akte themelore është të shkruarit, të botuarit dhe të përhapurit e librave shqip, sidomos të përdorurit e tyre në shkollat e para shqipe.

Lumo Skendo nuk është vetëm i fjalës, por edhe i veprës rilindëse. Ai i përvishet vetë kësaj pune themeltare. Harton dhe boton tekste për shkollat shqipe, libra diturakë, gazeta e revista kulturore.

“Programi dhe qëllimi ynë është që ta bëjmë një revistë të dobishme, pak a shumë për të gjithë këndonjësit, për nxënësit, studentët, mësonjësit, si dhe për amatorët e këndimit dhe të nxanit, të japim një landë të këndshme për një ushqim moral për çdo intelektual” – thotë Lumo Skendo për angazhimet e revistës “Diturija”.

Lumo Skendo e shikon shpresën e shpëtimit dhe të përparimit të Shqipërisë e të kombit tek qytetaria, që vjen nga puna, nga kamja, nga dituria, nga kultura. “Po e shohim se tani fuqi e njeriut më s’është vetëm te fuqi e grushtit, si në kohë të shkuara, po te qytetarija… Armët e sotme s’janë sëpata dhe kopaçeja, po qytetarija, puna, dituritë, begatija”

Qytetarinë e formon përparimi ekonomik i vendit, përmirësimi i kushteve të jetës, begatia, mentaliteti më i përparuar, psikologjia dhe qëndrimi qytetar larg individualizmit primitiv, si edhe virtytet e tjera.

Mid’hati, si filozof, e koncepton kombin si një bashkësi gjaku, gjuhe dhe territori, por edhe si një konstitucion shpirtëror. Vullneti e përpjekjet e përbashkëta, trimëria e therorizmi, vijnë pas ndërgjegjësimit shpirtëror, ndriçimit kulturor e formësimit moral të një populli. “Mos pandehni se me trimëri mund të bëjmë ndonjë punë të madhe. Trimëria e shqiptarëve nuk e shpëtoi dot as Nishin, as Vranjën, as Leskovecnë, që i rrëmbeu Serbia, as Tivarin e Ulqinin që i gllabëroi Mali i Zi, as Çamërinë që e mori Greqia. Shqiptarit aq sa i duhet buka, i duhet dituria e nacionalizma. Për të rrojtur si komb, duhet të luftojmë për t’u bërë e për t’u njohur si komb”.

Këtë tezë ai e zhvilloi plotësisht më pas, kur u shtrua problemi i mëvetësimit të shtetit shqiptar. Ai shndërrohet në një Adam Smith të Shqipërisë. Mit’hati i kuptonte kohët e reja që do të vinin dhe u paraprinte atyre si profet. “Adam Smithi ka të drejtë, thotë ai, që kamja është të punuarit. Por të punuarit është jo vetëm kamja, por edhe shpëtimi, përparimi dhe fatbardhësia e shqiptarit dhe e Shqipërisë, shton Mid’hat Frashëri.

Mid’hati bëhet formuluesi dhe misionari i frymës dhe i lëvizjes së shqiptarizmit që kish lindur si forcë shpirtërore dhe ideore në kohën e Rilindjes “Shqiptarizma filloi të bëhet një farë feje, një besim, jo individual, si me thanë i posaçmë për çdo fis, por një fe e përbashkët, një fe e vetme, ose më mirë akoma feja vetë: njerëz që s’kishin parë kurrë shoku-shokun, të panjohur dhe të padëgjuar gjer dje, gjenin një lithkë dhe një vëllazërim në fenë dhe në besimin e ri, zbulonin se ishin adaptë, më mirë të themi, vëllezër, në kuptimin që ka në disa shoqëri fetaro-politiko-shoqërore…” Që kjo lëvizje të lëshonte rrënjë, të ngjizej e të bëhej dominante, duhej kohë, duheshin përpjekje të mëdha të të gjithëve. Mid’hati iu përvesh kësaj pune gjigante.

“Një komb që ka shpresën të fortë dhe që ka vullnet për të ecur përpara, është i zoti që të sigurojë rrojtjen e tij kombëtare dhe politike të pavarur.”

Këto ide dhe të tjera, janë shprehje e mendimit më të përparuar shqiptar, por edhe europian, që mbart figura madhore e Mid’hat Frashërit. Ai i kuptonte kohët e reja që po vinin dhe u paraprinte atyre si profet.

Protagonist i shpalljes së indipendencës dhe ministër i disa qeverive të periudhës së Pavarësisë, ai u përpoq për themelimin e një shteti shqiptar sipas principeve perëndimore. Me gjithë turbullirat e luftërat që ndodhën, M. Frashëri qysh në fillim të shekullit që shkoi, shtroi dhe mbrojti tezën se shqiptarët janë të aftë të bëjnë shtet. “Duhet vullnet për bashkimin e tyre përpara rrezikut çbërjes së identitetit kombëtar, duhet ndërgjegjësim, punë dhe qytetari”, thotë M. Frashëri. “Një komb, një vend në skaj të Europës moderne, përbën një anakronizmë, një kundërshtim me të”, shkruan ai. “Duhet të na mbushet mendja se një Shqipëri gjysmë e qytetëruar, gjysmë në dritë e gjysmë në errësirë, nuk rron dot dhe shumë kohë… Qytetërimi vjen nga zhvillimi politik, ekonomik, arsimor e kulturor në një Shqipëri të lirë e demokratike.

M.Frashëri priret nga një përpjekje titanike për një jetë mendore të re, për një jetë politike të re, për një jetë shoqërore të re, për një jetë kulturore dhe arsimore të re, për një jetë kombëtare të re, për një horizont të ri”.

Qysh në vitin 1912, ai formulon e mbron tezën se, shpëtimi i Shqipërisë do t’i vijë me anë të vetes sonë. “Më duket se çdo gjë ndreqet, kur të ndreqemi ne vetë. Çdo të lige i priten krahët, kur të ndreqim të metat tona, çdo të keqeje të huaj i priten këmbët kur të bëhemi ne të zotët të mbrojmë të drejtat tona… Atëherë do ta bëjmë botën të na respektojë e ndikojë”. Si njeri me kulturë dhe principe demokratike, Frashëri mendon se, vendet e varfëra dhe larg qytetërimit duhet të përfitojnë nga përparimi ekonomik dhe qytetërimi europian. Por, ai është për të marrë anët pozitive, shembullin e mirë e të përshtatshëm për Shqipërinë, dhe jo për një nënshtrim të verbër. “Disa i kthejnë sytë nga perëndon dielli, jo për të parë një dritë të re, po një errësirë të bukur!”- shkruan ai në mënyrë të figurshme.

Mid’hati është për një zhvillim kapitalist të natyrshëm, me evolucion dhe në mënyrë demokratike, me përsosje të vazhdueshme, për një shtet me karakter shoqnor, siç shprehet ai. Është kundër revolucionit, përmbysjes me armë, kundër rrëmbimit e shtetëzimit të pasurive Ai shprehet kategorikisht kundër sistemit komunist të Rusisë, ku njerëzit kanë gjetur vdekjen dhe shpërbërjen. Zhvillimet në Shqipëri i lidh me rendin demokratik, ku “drejtimi dhe rregulli vijnë nga zbatimi dhe respektimi i ligjit, përkundër anarkisë dhe arbitraritetit”. “Para së gjithash e quaj të nevojshme t’ju them se do të ishte gabim të mendohet që ka një lëvizje bolshevike në Shqipëri, i shkruan ai konsullit Iden të Anglisë. Është një mendësi e mjerueshme të ngatërrosh liberalizmin, demokracinë dhe dëshirën për ndarjen e tokave, me sistemin e sovjetëve. Shqiptari është shumë konservator për t’u bërë bolshevik e leninist”. Mid’hati është për një sistem demokratik të përafërt me atë të Anglisë, ku “pronarët dhe bujqit bashkëpunojnë për fitimin e përbashkët”.

Ai është për një politikë të urtë dhe ekuilibriste të qendrës, larg ekstremizmit të marrë dhe larg konservatorizmit të verbër: “Në këtë degë të jetës shoqërore problemi më i rëndë do të ishte të mbajturit e një mase të urtë, pa dashur njeriu të bjerë marrëzisht në aparencat e një ekstremizme të marrë, as edhe ta lëshojë veten e tij në mefshtësinë patologjike të një konservatorizme të verbër, përtace dhe egoiste”, shkruan ai.

“Për mua ka vetëm një mënyrë, që të normalizohet gjendja në Shqipëri: mbajtja e lidhjeve me lëvizjen demokratike”, i shkruan po në atë kohë Idenit.

Mid’hati është për një shtet ligjor, për drejtimin nga institucionet që të mos mblidhet pushteti në një dorë të vetme. “A nuk besoni se duhet të përpiqemi të krijojmë një frymë rregulli dhe solidariteti, të shpëtojmë brezin tonë dhe kombin, përkurdoherë nga nihilizma dhe bolshevizma marlet, të meta që mjerisht i pëlqejnë karakterit tonë të ashpër?” – i drejtohet ai Kostë Çekrezit në SHBA, dhjetor 1925.

Duke shtjelluar teorinë për shtetin e së drejtës dhe marrëdhëniet e tij me individin, M.Frashëri, si europian, është për respektimin e ligjit në një vend të lirë. “Shqiptarin e prishi mosbindja dhe jo bindja, shkruan ai. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit”. Ai kërkon që, shqiptari të çlirohet nga “të qepurit pas qeverisë”, të bëhet sa më i pavarur, së pari, moralisht dhe ekonomikisht. …Përparimi i një kombi varet nga përmirësimi dhe naltësimi i çdo individi, që formon këtë komb”, shkruan ai. Pra, individin, individualizmën, sistemin e vlerave, ai e vë në themel të përparimit. Indipendenca morale dhe ekonomike e individit është e lidhur me rrojtjen politike të një kombi të lirë. Por, ai si idealist objektiv i mëshon më tepër vlerave, sidomos të inteligjencës, elitës, që udhëheq. “Në më thënçin arkimedët e rinj se pika e mbështetjes është paraja, do të përgjigjem: jo vetëm pika e mbështetjes, por edhe maniveli që mund ta kthejë botën, s’është veç inteligjencia”, shkruan ai.

Mid’hati që e njihte jetën politike të Shqipërisë dhe të Europës, madje prej andej u këshillon deputetëve shqiptarë një politikë të urtë ekuilibriste të qendrës, e cila i shërben më mirë Shqipërisë, pa ekstremizma të marra dhe pa konservatorizma të verbëta. “Në Parlament kombi do të bëjë stërvitjen e tij politike, gjithë duke shfaqur zotësinë për një edukatë të tillë. Provim i vështirë, pa dyshim, sadoqë kuvendet, pleqësitë, gjyqet kanë qenë prej institucioneve më të vjetra të vendit. Në këtë degë të jetës shoqërore, problemi më i rëndë është të mbajturit e një mase të urtë, pa dashur njeriu të bjerë marrëzisht në aparencat tërheqëse të një ekstremizme të marrë, as edhe ta lëshojë veten e tij në mefshtësinë patologjike të një konservatorizme të verbër, përtace dhe egoiste”.

Mid’hati gjakon për tolerancën, mirëkuptimin dhe dialogun, si mjete demokratike e humane. Ai është kundër mendësisë dhe praktikës totalitare që kundërshtari politik të konsiderohet armik dhe të luftohet si i tillë për t’u eliminuar siç ndodhi me fashizmin dhe komunizmin gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe me sistemin komunist të pasluftës. Për çështje madhore, siç ishin ato të luftës çlirimtare apo të zgjedhjeve politike, M.Frashëri inicion dhe bën kompromisin si një mundësi apo një zgjidhje e mundshme. Shembull i qartë për këtë është Kuvendi i Mukjes, ku u arrit një marrëveshje me përmasa kombëtare ndërmjet Ballit Kombëtar dhe Frontit Nacionalçlirimtar, mbi bazën e tolerancës e të kompromisit për një luftë të përbashkët kundër pushtuesve, për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe etnike.

Së dyti, vepra e Mid’hat Frashërit dhe vlera edukative e saj, përputhen plotësisht me jetën dhe moralin e tij personal. Do të sjell vetëm një shembull.

Mid’hat Frashëri dha dorëheqjen nga qeveria e Ismail Qemalit më 30 mars 1913, duke themeluar kështu institucionin e dorëheqjes në shtetin shqiptar. Ai shkoi në Elbasan, këtë radhë, në detyrën e thjeshtë, por të shenjtë të mësuesit të shkollës fillore (1913-1914), duke dhënë shembullin e shërbestarit. Nga ky moment u lidh ngushtë me mësuesinë, e nderoi atë dhe figurën e arsimtarit. “Edhe tani kam bindjen, i shkruan ai një mësuesi elbasanas, se karriera e mësuesisë është ajo, nuk them vetëm më e mira, por edhe më kënaqësiprurësja. Eshtë një detyrë modeste, pa bujë, fort e lodhshme, por që të jep një prehje shpirti, se çdo ditë, çdo muaj, çdo mot shohim me sytë tanë pemën që po rritim me aqë mundime”.

Më 20 janar 1914, Mid’hati u bën thirrje qytetarëve mësimdashës të Elbasanit, që, në shenjë mirënjohjeje për shërbimet që i ka bërë kombit shqiptar, miss Edith Durhamit, t’i blinin një stilograf të florinjtë. Që të kishte përfaqësim sa më të gjerë kjo shenjë nderimi, Mid’hat Frashëri kishte menduar që çdo atdhetar do të paguante veçse 5 qindarka, kështu të blihej me ndihmën e sa më shumë shqiptarëve. Kështu, ai edukonte solidaritetin dhe demokracinë e gjerë. Këtë stilograf prej ari ia dhuroi miss Durhamit, një përfaqësi e qytetit të Elbasanit, e përbërë nga Mid’hat Frashëri, Gligor Cilka, Dr.Ruzhdi Beu dhe Taqi Buda, kur ajo zbriti në Vlorë në muajin gusht, 1914. Mid’hati ishte kujdesur që edhe mbishkrimi i dhuratës të ishte sa më përfaqësues: “Zonjës Edith Durham, shqiptarët mirënjohës, 1914”. Kështu M.Frashëri vlerësonte dhe edukonte mirënjënjojtjen e respektin.

Së treti, duke u nisur nga hulumtimet e studimet e mirëfillta pedagogjike, Mid’hati është edhe një edukator profesionist.

Ai shkruan një sërë punimesh të mirëfillta pedagogjike, ndër të cilët studimi “Për të formuar karakterin”.

Karakterin e një individi apo të një populli Mid’hati e kushtëzon me rrethanat historike, shpirtërore, morale, kulturore dhe mjedisi gjeografik e mënyra e jetesës. Ndryshimin e karakterit (përmirësimin) e lidh me ndryshimin e këtyre kushteve që rrjedhin nga idetë e reja. Elita e një kombi, thotë ai, këtë detyrë parësore ka: Të formojë një opinion tjetër më të përparuar që të bëhet një hap përpara në qytetari dhe në formim të karakterit. Edukata e familjes dhe e shoqërisë, si edhe arsimimi, kultura, janë mjetet më të forta të formësimit të karakterit. Mid’hat Frashëri është idhtar i teorisë së mirësimit, si rrjedhojë më së shumti i ndryshimit të ideve, opinioneve, njëmendësive.

Qysh formohet karakteri? – pyet retorikisht Lumo Skëndo dhe përgjigjet: “Për të formuar karakterin, duhet, më parë se çdo gjë, të dimë të mirat dhe të metat e subjektit tonë, të djalit, të gruas, të burrit ose të popullit. Karakteri formohet me të shtuar të mirat, me të ushqyer virtytet, duke zmadhuar cilësitë dhe, nga ana tjetër, duke pakësuar, lehtësuar dhe zhdukur të metat… Është ajo vepër e përmirësimit, seleksionit moral…Vetëm vullneti i gjatë, mund që të sigurojë seleksionin, të arrijë qëllimin e mirësimit dhe të naltësimit”.

Lumo Skëndo e shtron kështu problemin:

A është karakteri çështje race, trashëgimie, temperamenti, rrjedhur prej klimës, vendit, mënyrës së jetesës, apo mpleksje e faktorëve moralë që dependojnë prej vullnetit dhe dëshirës sonë? A kemi ne në dorë të ndryshojmë gjë, të japim një shtytkë sipas nevojave tona, të ndërtojmë e të mirësojmë apo duhet të deklarohemi robër të mundur përpara fuqive të verbëta, përpara fatit, të pafuqishëm për të ndrequr dhe për të shëruar?

Dhe jep këtë zgjidhje:

Nëse pranojmë pikpamjen e dytë, në qoftë se bindemi që çdo send është i kotë dhe që s’duhet të përpiqemi për mirësim, atëherë nuk na mbetet tjetër, veçse të kryqëzojmë krahët përpara fatalitetit të mortjes. Duhet të pranojmë teorinë e mirësimit të njeriut, veprimin e vullnetit, të kushtëzimeve morale, efektin jo vetëm të përmirësimit të individit, por, edhe më tepër akoma, të shoqërisë, mbi forcën e ideve transformuese. Atëherë mund të mendojmë se si të ndryshojmë kushtet, qysh të krijojmë konditat e mira, qysh të bëjmë që të lindin shtytkat dhe veprimet mirëbërëse, për ta bërë natyrën njerëzore të jetë më e dobishme, pra, për veten e saj, që të jetë në harmoni me nevojat e jetës.

Sipas Lumo Skëndos, shqiptari ka shumë virtyte, po ka dhe shumë të meta. Ai zbërthen virtytet, por ndalet edhe tek të metat, si: karakteri i ashpër, kryelartësia (vetëkapërdisja, mosdurimi i kritikës), mosrespektimi i ligjit (pak i dhënë pas anarkisë), mospëlqimi i të punuarit, rendja pas nëpunësllëkut, sedra e madhe, kotësia etj. “Mjerisht, gjejmë shpeshherë te shqiptari edhe një kotësi të marrë: fryhet si misëroku me erë, dhe në ruzullim nuk sheh veçse vetëhen e tij…. Veçse Lumo Skëndo është për një ambicie që e çon përpara individin dhe kombin dhe jo për ambicionin që është motër e vëlla me kotësinë. “Kemi nevojë që të zgjojmë ambicion kombiar, një lidhkë solidariteti për çdo send që i takon kombit, racës, Shqipërisë. Këtë ndjenjë mund ta ngjallim, duke e bindur nxënësin se, vetëm duke u nderuar kombi, duke u lëvduar Shqipëria, duke qenë me famë dhe me zë të mirë çdo send që i përket Arbërisë, vetëm atëherë edhe çdo shqiptar, çdo njeri mund që të jetë i lëvduar dhe i nderuar si person; me një fjalë, duhet, që të vërë në shërbim të Shqipërisë gjithë ambicionin dhe aktivitetin e tij, që të marrë edhe vetë pjesën më të madhe dhe më të pëlqyer”. Ai i sheh zakonet, të mira apo të liga, të krijuara historikisht, por edhe rastësisht, të ngulitura në kanune, por edhe në opinione të rastit. “Zakonet, adetet, mënyrat e rrojtjes trashëgohen dhe respektohen vullnetarisht, jo me pahir, po me dashje. Thonë, se zakoni është më i fortë se ligji: Ligji inspirohet me fuqi. Kurse zakoni pranohet, duke dashur, shpesh herë edhe duke qenë i keq, i pakëndshëm dhe pa asnjë dobi për atë që i bindet. Pse, pra, i shtrohemi një tiranie dhe nuk na shkon mendja që të përndërkrehemi, ta rrëzojmë poshtë? Cila është fuqia që na shtrëngon? Duhet të dimë mekanizmin e zakonit, qysh lind dhe si vepron, që të mundim të jemi të zotër ta ndryshojmë, ta mirësojmë ose të krijojmë një të ri.

Filozofi Frashëri është idhtar i teorisë se, mirësimi apo ndryshimi i karakterit dhe i zakoneve, si rrjedhim edhe i marrëdhënieve shoqërore, vijnë nga ndryshimi i ideve, opinioneve, njëmendësive. Çdo ndryshim, sipas Lumo Skëndos, qoftë në jetën politike, ekonomike, shoqërore e morale, paraprihet e induktohet nga idetë, mendimet, opinionet e reja, progresive apo regresive. “Njëmendësia mund të nxjerrë në shesh një gjë të mirë, si edhe një gjë të dëmshme, thotë ai. Edhe në punën e bujkut, në atë të blegtorit që kërkon përmirësimin e racës, edhe në atë të politikanit apo edukatorit që kërkon mirësimin e njeriut, vetëm idetë e reja, sjellin ndryshime. Pa mendim, asgjë nuk lëviz përpara. Është fjala këtu për teorinë e ndryshimit ose të mirësimit, siç e quan Lumo Skëndo. Sa për ndikimin e ambientit, të kushteve materiale tek njeriu, apo shoqëria, ai nuk e mohon aspak këtë. Për shembull, kur flet për temperamentin e ashpër apo karakterin individualist të malësorit tonë, Lumo Skëndo e lidh këtë edhe me kushtet gjeografike të Shqipërisë dhe të mjedisit tepër të veçuar e të ashpër ku ai rron. “Mbase kjo është një e metë e rrjedhur prej çukave dhe maleve të Shqipërisë, – thotë Mid’hat Frashëri. Po, kushtet materiale kanë të bëjnë më tepër me konservimin, me qëndrueshmërinë e sendeve e të fenomeneve. Ato na mbajnë verbërisht robër të tyre. Kështu, për të zmbrapsur individualizmin primitiv të malësorëve, mendon Lumo Skëndo, duhet t’i mësojmë njerëzit të vijnë në pjekje me shoku-shokun për të zhvilluar cilësitë e shoqërimit dhe të solidaritetit. Kjo sigurohet me idetë e reja të lëvizjes së lirë të njerëzve, por edhe të ndryshimit të kushteve materiale, qoftë edhe ato gjeografike (mbledhjes së shtëpive të shpërndara në qendra të përbashkëta banimi, ndërtimi i infrastrukturës lëvizëse etj.)

Kushtet materiale që ndikojnë në formimin e karakterit, ai i përmbledh në faktorin “kohë”: “Pa ndihmën e kohës dhe të këmbënguljes, asgjë nuk bëhet në këtë botë”, shkruan ai.

Ndryshe nga rilindësit dhe mjaft bashkëkohës, Mid’hati jo vetëm zbulon plagët, diagnostikon sëmundjet, por edhe gjen ilaçin, shpëtimin, zgjidhjen.

Sipas M.Frashërit zhvillimi ekonomiko-social sjell zgjerimin e lirive dhe ndryshimin e karakterit e të zakoneve, por ai parapëlqen të qëndrojë në planet psikologjiko-moralë, për të dhënë rolin transformues të ideve në shoqëri. Po kjo është njëra anë e medaljes, – mendon Lumo Skëndo, ndofta po aq e rëndësishme, është plazmimi i tyre, mbruajtja e njerëzve, sidomos e të rinjve me ide të reja, përpjekjet e tyre për t’i vënë në jetë ato. Në këtë rrafsh, rol ka puna e intelektualit, veçanërisht puna e mësuesve, si mëkonjësit e diturisë, e të resë, e përparimit. “Për edukimin moral të popullit tonë, rolin kryesor e ka mësuesi, thotë Lumo Skendo. Detyra e tij është nga më të rëndat, por edhe ajo më e shenjta. Është një detyrë pa shkëlqim, pa kënaqësi materiale: gazin e ka në prehjen morale që ndjen mësonjësi, duke parë çdo mot djemt’ e vegjël që rriten dhe hyjnë në tufë të njerëzisë”. Misioni i tij është të mbjellë tek ndërgjegja e çdo nxënësi farët e ideve përmirësuese, ideve të reja që do të ndryshojnë jetën.

Detyra e edukatorit duhet të plotësohet me detyrën e çdo shqiptari, sidomos të brezave që vijnë:

“Për miqësinë që kemi bashkë, i dashuri im mik, tani dua prej teje një therori të vogël: të më shogrosh pesë minuta, çdo mbrëmje, pa të zënë gjumi. Dua që në këto pesë minuta të bësh një pyetje me vetëhen, të bësh një hetim në shpirt dhe zemrën tënde: Ç’të mirë bëre? Ç’të keqe punove? Kërko, rrëmo, shiko dhe vër re: do të gjesh edhe të mirat, edhe të metat. Përpiqu të shtosh të parat dhe të pakësosh të fundit, për kënaqësinë tënde, jo nga frika e ndokujt, as nga ndonjë shtrëngim, sprovo këtë ushtrim dhe, besomë mua, do të jetë një fuqi për frymën tënde. Pastaj, bëj këtë therori edhe në një shkallë më të gjerë: pyet vetëhen tënde, ç’të mirë i prure kombit dhe Shqipërisë, me ç’mënyrë u bëre i dobishëm për ta, nga ç’rasje dite të fitosh dhe cilat rasje të tjera të shpëtuan prej dore? Ç’dëm munde t’i prapsësh shoqërisë dhe ç’fitim u bëre i zoti t’i sjellësh? Ç’nder dhe ç’lumturi përpjekja jote u pruri vëllezërve që të rrethojnë dhe tokës që të ka ushqyer.

Pesë minuta për vetëhen tënde dhe pesë minuta të tjera për Shqipërinë, dëgjomë mua, nuk janë një therori e madhe”.

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: edukator per Kombin, Mit'hat Frasheri, Uran Butka

Familjet e mëdha që u goditën nga komunizmi

July 15, 2013 by dgreca

Vetëm Gjyqin Special i Tiranës më 1 mars deri në 13 prill 1945, gjykoi në 31 seanca 60 intelektualë nacionalistë nga familje të shquara properëndimore/

Shkruan: Uran BUTKA/

Regjimi totalitar godiste në thelb kulturën dhe artin e vërtetë, për të krijuar një kulturë e një art tendencioz të ideologjizuar, që t’i ngrinte himn pashallarëve të kuq, siç ndodhi me veprat klasore të socrealizmit.

Familja Pipa, një nga familjet më të kulturuara e më antikonformiste të Shqipërisë, u ndëshkua sepse nuk u bë palë me regjimin komunist. Mustafa Pipa, jurist i njohur, ishte anëtar i Gjykatës së Diktimit, kur kjo gjykatë qe e pavarur, në kohën e Zogut.

Myzafer Pipa, i biri, i lauruar për drejtësi në Padova, shkëlqeu si kampion i kulturës (drejtoi revistën kulturore “Fryma”), i patriotizmit (si antifashist, u internua nga fashistët në Ventotene dhe nga nazistët në kampin e Prishtinës) dhe sidomos i drejtësisë sublime. Ai mbrojti me guxim të paparë nacionalistët, demokratët dhe klerikët e pafajshëm që u dënuan nga gjyqet ushtarake në vitet 1945-46, duke iu kundërvënë publikisht Koçi Xoxes, Aranit Çelës, etj, por u arrestua dhe u torturua duke përdorur ndaj tij metoda barbare, si hekurin e skuqur në zjarr, me të cilin ia shponin trupin gjer në kockë, derisa vdiq në tortura. Vëllai i tij, Arshi Pipa, që ishte doktoruar për filozofi në Firence, pedagog në shkollat e mesme të Tiranës e Durrësit, nuk u pajtua me regjimin stalinist dhe kulturën konformiste soc.realiste. Ai u arrestua për lidhje me lëvizjen e Postribës dhe u burgos në burgjet e kampet e shfarosjes si në Burrel, Vloçisht etj., që i ka përshkruar në veprën “Libri i burgut”. Në vitin 1957, u arratis nga Shqipëria. profesor i filozofisë dhe letërsisë në disa nga universitetet më të njohur të Amerikës, Arshi Pipa, u shqua për krijimtarinë dhe studimet e tij shkencore në fushë të kritikës letrare, gjuhës e letërsisë shqiptare e botërore, të politikës, sociologjisë, publicistikës etj. Edhe pse larg vendit të tij, ai shikohej nga regjimi komunist si një armik i rrezikshëm, madje dhe kryeministri i Shqipërisë, Mehmet Shehu, u eliminua, sepse, sipas akuzës së Enver Hoxhës, “bëri krushqi me mbesën e Arshi Pipës!”

Procesi i verbër i hakmarrjes primitive, i asgjësimit dhe tjetërsimit, në radhë të parë funksionoi ndaj familjeve të shquara fisnike dhe borgjeze, që mbështetën dhe u inkuadruan në radhët e Ballit Kombëtar, Legalitetit, apo Krerëve të Veriut.

Familjet e mëdha Lepenica, Muço, Dosti, Golemi, Ermenji, Quku, Hekali, Fratari, Cfiri, Bushati, Cakrani, Pali, Petrela e shumë të tjera, u ndëshkuan sepse ishin lidhur me Ballin Kombëtar; familjet Kupi, Çoba, Luli, Allamani, Mena, etj sepse ishin me legalitetin e kështu me radhë. Bie fjala, kreu i familjes Kazazi, Halit Kazazi, nacionalist dhe antikomunist, u pushkatua pa gjyq nga terroristët komunistë. Jup Kazazi, i lauruar për shkenca politike në Itali, dha dorëheqjen si ministër i fashizmit dhe luftoi kundër italianëve në betejën e Reçit, gusht 1943. Lider i rezistencës antikomuniste të Postribës, ai u vetëvra, i rrethuar në vitin 1946, për të mos rënë në duart e pushtetarëve komunistë. Bashkë me të u vra edhe i vëllai, Seit Kazazi, edhe ky i diplomuar për drejtësi, ish-komandant i batalionit ballist “Besnik Çano”, që luftoi në Kosovë, ku ra dëshmor edhe luftëtari i këtij batalioni, Hamit Troplini. Vëllezërit e tjerë, Zenel e Hamid Kazazi, u dënuan me burgime të rënda. S’mjaftoi me kaq, komunistët pushkatuan pa gjyq xhaxhain e tyre, Abdulla Kazazin dhe dajën, Rifat Koplikun. Rasim Kazazi vdiq nga torturat në qeli. Kushërinjtë Sabri, Bektesh dhe Bexhet Kazazi u dergjën burgjeve. Gjithë farefisi Kazazi u persekutua, u shpronësua, fëmijët u privuan nga shkollat.

Këtë fat tragjik pësuan edhe familjet që nuk pranuan të inkuadroheshin në Frontin NÇ, që s’ishte tjetër veçse PK e maskuar. Familja e Muharrem Bajraktarit, ndonëse nuk pranoi të futej në Frontin komunist, luftoi edhe kundër italianëve, edhe kundër gjermanëve, edhe kundër komunistëve. Por pësoi fat tragjik. Vetë Muharrem Bajraktari, pasi rezistoi me armë deri në vitin 1946, u arratis nga Shqipëria, ndërsa i vëllai, Bajrami, i plagosur në përpjekje, u burgos dhe u pushkatua. Familja Kryeziu e Gjakovës, me Gani, Hasan e Said Kryeziun, bashkëpunoi me Lëvizjen NÇ pa u kyçur në Front. Por u godit dhe u asgjësua nga Forcat NÇ të Shqipërisë dhe njëkohësisht nga Forcat NÇ të Kosovës, kur kryezinjtë luftonin kundër gjermanëve për të çliruar Gjakovën. Nga fisi i dëgjuar Gashi i Tropojës, u shqua sidomos Ramë Muja, që formoi një nga çetat e para antifashiste në Shqipëri, por komunistët i shkaktuan tri vdekje njëherësh: e helmuan me anë të një gruaje, mandej të vdekur e çuan në një pritë dhe e qëlluan me armë, për të treguar se e vranë në përpjekje e jo me pabesi, mandej e varën në litar në Tropojën e vjetër.

E njëjta gjë ndodhi edhe me familjet e mëdha luftarake të Preng Calit nga Kelmendi, Mehmet Ali Bajraktarit nga Hasi, Ymer Bardhoshit nga Puka, Ndue Palit nga Dukagjini, Llazar Fundos nga Korça e të tjera familje që ndihmuan dhe derdhën gjakun e bijve të tyre në luftën patriotike kundër pushtuesve serbë, italianë dhe gjermanë, por që nuk u bashkuan me frontin komunist, sipas parullës totalitare: “O me ne, o kundër nesh”. Komunizmi i pushkatoi, i burgosi, i internoi krerët e shquar të këtyre familjeve të vjetra shqiptare, që kishin mbrojtur brez pas brezi trojet amtare dhe lirinë, ndërsa gratë e fëmijët i internoi në kampet e Tepelenës, Vloçishtit etj.

Dhe, nëse nuk i kurseu këto familje atdhetare dhe antifashiste, regjimi u tregua i pamëshirshëm kundrejt familjeve të atyre personave, që kishin bashkëpunuar me italianët apo me gjermanët, si Shefqet Vërlaci, Gjon Markagjoni, Mustafa Kruja, Kolë Bib Miraka, Halil Alia, Hysni Dema, Prenk Previzi, Vizhdan Risilia, Kadri Cakranit etj. Natyrisht, kolaboracionizmi është i dënueshëm moralisht e ligjërisht në çdo kohë, por përgjegjësia është personale. Mirëpo komunizmi e përgjithësoi këtë si fenomen dhe për një person damkosi e ndëshkoi brez pas brezi një familje me gjithë fëmijët e pafajshëm, persekutoi e njollosi një fis, një krahinë, një organizatë apo një parti, madje edhe Kosovën, për kolaboracionizëm. Kjo politikë antinjerëzore dhe antikombëtare i shërbente pushtetit të pakufizuar të komunistëve shqiptarë, por edhe interesave jugosllave në Shqipëri e Kosovë.

Kulmi i veprimtarive te ethshme të pushtetit komunist për të asgjësuar të djathtën shqiptare, ku bënin pjesë edhe familjet fisnike, ishte krijimi dhe funksionimi qysh në fund të
vitit 1944 dhe në vazhdim, i gjyqeve ushtarake, përvojë ruso-jugosllave.

Vetëm Gjyqin Special i Tiranës më 1 mars deri në 13 prill 1945, gjykoi në 31 seanca 60 intelektualë nacionalistë nga familje të shquara properëndimore.

Mbas luftës u eliminuan gradualisht edhe ato pak familje fisnike që ishin bashkuar me Frontin NÇ, duke kujtuar që luftonin për një Shqipëri demokratike. Një pjesë e mirë e tyre u integruan në grupimet opozitare demokratike, për shkak të mendimit ndryshe, por edhe si reagim kundër vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri. Po opozitë nuk u lejua, sepse ata që vepronin jashtë Frontit NÇ konsideroheshin armiq dhe asgjësoheshin menjëherë. Deputeti Gjergj Kokoshi, i lauruar doktor në universitetin e Parisit, atdhetar dhe demokrat i madh, që kishte vënë gjithçka për Luftën NÇ, ministër i parë i Arsimit pas luftës, duke deklaruar se “atje ku nuk ka pluralizëm, nuk ka demokraci”, përfundoi i vdekur në burgun e Burrelit, ndërsa 37 personalitete opozitare nga familje të mëdha, si Suat Asllani, Sami Qeribashi, Qenan Dibra, Musine Kokalari etj., u pushkatuan dhe u burgosën. Musineja, nga familja e shquar Kokalari, e para shkrimtare shqiptare, intelektuale me kulturë e vizion të gjerë demokratik, e diplomuar në Perëndim për Artet, themeluese e Partisë Socialdemokrate (tetor 1943), botuese e gazetës “Zëri i Lirisë”, deklaronte në gjyq:

“Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por unë në burg nuk duhet të jem. Unë jam nxënësja e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen…”.

Këtë fat pësoi edhe “Grupi opozitar i deputetëve”, që i pati fillimet në shkurt të vitit 1945.

“Regjimi i sotëm i Shqipërisë është një regjim totalitar dhe nuk është i përshtatshëm për vendin tonë për këtë arsye. Unë mendoj se Shqipërisë do t’i ishte përshtatur një regjim në formën e demokracisë perëndimore”, – deklaronte në gjyq Shefqet Beja, të cilin komunistët e varrën në litar.

Sheh Karbunara, atdhetar dhe klerik me kulturë, firmëtar i Pavarësisë, organizator dhe delegat në Kongresin e Lushnjës, mbështetës i luftës antifashiste dhe deputet opozitar, u pushkatua bashkë me të birin Hysenin dhe familja iu persekutua. U ekzekutua edhe intelektuali i shquar, shkencëtari dhe deputeti Selaudin Toto, themeluesi i Institutit të Shkencave në Shqipëri, përkthyes i Edit Durhamit.

Lufta e klasave njihte rritje dhe suksese të llahtarshme. Makineria e shtetit punonte me gjak. Shpikeshin armiq, agjentë anglo-amerikanë, sabotatorë. U varën në litar inxhinierët Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri, nga familje të shquara të Vlorës, po ashtu u varën në litar inxhinierët e mirënjohur Sulo Klosi dhe Riza Alizoti nga familje me histori.

Ata pinjollë të familjeve të njohura, që mbetën gjallë nga genocidi i viteve të para të Pasluftës, u asgjësuan gjatë gjithë periudhës së socializmit. Kulmi i këtij holokausti është masakra me pretekstin e bombës në ambasadën sovjetike.U pushkatuan pa gjyq e pa faj intelektualë që s’kishin lidhje me këtë incident, si Sabiha Kasimati, një nga gratë më të shquara të Shqipërisë, e para shkencëtare shqiptare, Pjerrin Guraziu, Jonuz Kaceli që e vranë në hetuesi, Zyhdi Herri, Manush Peshkëpia, Reiz Selfo dhe Tefik Shehu nga Gjakova, Anton Delhysa nga Prizreni, Mehmet Shkupi, Gafur e Myftar Jegeni dhe Haki Kodra nga Dibra e Madhe e të tjerë dhe u groposën në mesnatë të lidhur me tela me gjemba në një gropë të përbashkët afër Urës së Beshirit.

Po ndalem paksa në familjen Jegeni, e cila ka dhënë kontribute në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në kuvendet e Dibrës dhe në luftën për mbrojtjen e trojeve shqiptare me Shaqir beg Jegenin, Tefik beg Jegenin dhe Riza beg Jegenin. Nga kjo familje, më pas dolën edhe dy figura të shquara, Gafur dhe Myftar Jegeni, akademikë me studime të kryera në Itali, ushtarakë të ushtrisë kombëtare, që luftuan më 7 prill 1939 kundër pushtimit fashist, Gafurri në Vlorë dhe Myftari në Durrës me Abaz Kupin. Pas luftës, u tërhoqën në jetën private, sepse nuk donin t’i shërbenin regjimit komunist. I arrestuan të dy dhe i pushkatuan pa gjyq në vitin 1951 bashkë me 22 intelektualë të tjerë dhe familjet e tyre i internuan për 40 vjet. Absurditeti i persekutimit komunist ishte që, veç familjeve të tyre, u internuan edhe gjithë familjet e tjera të fisit Jegeni, falë zellit të dhëndrit të tyre, Haxhi Lleshit. Në vitin 1976, Presidenti i Republikës Haxhi Lleshi internoi në Mollas edhe gruan e tij Haxhire Lleshin (Jegenin) pas 40 vjetësh martese, bashkë me të birin Rushitin, si edhe vëllezërit e kushërinjtë e gruas së tij, duke dhënë kështu shembullin tipik stalinist sesi duhej bërë lufta e klasave në Shqipëri!

Familjeve të mëdha ua morën jetën, dinjitetin, por edhe pronat që i sekuestruan e shtetëzuan në mënyrë të paligjshme, madje edhe vilat e shtëpitë, ku u vendosën pashallërët e kuq. Ishte një faqe e turpshme dhe e llahtarshme vuajtja dhe poshtërimi nëpër burgjet komuniste, mjafton të kujtojmë Burrelin, ku mbaruan tragjikisht burrat më të shquar të kombit; Spaçin, ku shpërtheu revolta më e madhe e të burgosurve politikë, nga të cilët u pushkatuan katër martirët: Zefi, Dervish Bejko, Hajri Pashaj, nga familje të njohura, si dhe u ridënuan qindra të tjerë; Vloçishtin (le të kujtojmë vetëflijimin e përgjakshëm të Sulejman Vuçiternës dhe murosjen e të pafuqishmëve në argjinaturën e kanalit e të burgosurve), kampin e Tepelenës (s’më hiqet nga mendja, këmisha e arrnosur e Gencit, djalit të Muharrem Bajraktarit. Ishim në një klasë në Tepelenë, ai vinte në shkollë në kulmin e dimrit këmbëzbathur, me llastika komardareje dhe vetëm me një këmishë gjithë arna në shtat, e qepur me fijet e flokëve të nënës së tij) dhe burgjet e tjerë, ku u aplikuan torturat më të paligjshme dhe ku humbën jetën në punë skllavëruese shumë persona nga familjet e mëdha, që as sot nuk u dihen varret. Në burgje aplikoheshin ridënimet “për agjitacion e propagandë”(!), në mënyrë që të dënuarit nga këto familje të mos dilnin të gjallë. Xhelal Koprencka, nga familja e shquar Koprencka, u ridënua pesë herë dhe në fund u pushkatua. Aplikoheshin rreth 12 lloj tortura çnjerëzore. Myzafer Pipës i çponin trupin me hekur të skuqur deri sa hekuri prekte kockën, gjersa vdiq, ndërsa Drita Kosturit i ranë dhëmbët dhe flokët nga përdorimi i elektroshokut e të tjera krime monstruoze.

Lufta e përbindshme e klasave goditi veçanërisht familjet e shquara të damkosura si reaksionare. Urrejtja klasore ndaj tyre dhe brezave të tyre krejt të pafajshëm, mori përmasat e tërbimit të ujqërve, siç shprehet Mid’hat Frashëri. Ndëshkohej çdo lidhje, qoftë edhe dashurore ndërmjet të rinjve me përkatësi të ndryshme klasore. Rasti më tipik, por edhe më i bujshëm, ishte qëndrimi ndaj vetë kryeministrit Mehmet Shehu, kur djali i tij u fejua me një vajzë nga familja e shquar Turdiu. Jo vetëm që u prish dhunshëm kjo lidhje, por kryeministri e pagoi me vetëvrasje ose vrasje, ndërsa e shoqja e tij u mbyll në burg dhe vdiq atje nga torturat. Një mësim për të gjithë të tjerët!

Fëmijët e familjeve të mëdha u privuan nga shkollat e larta, nga nëpunësitë, nga arti, madje edhe sporti, nga ushtria e rregullt, veçse në reparte pune. Kujtoni ata të talentuar nga shtresa jonë që sapo shkëlqenin nëpër shkollat e mesme, që për një gjest, për një fjalë apo për një varg, madje edhe për hiçgjë, përjashtoheshin nga shkollat ose burgoseshin, si Bilal Xhaferri, Pjetër Arbnori, Visar Zhiti, Sherif Merdani, Maks Velo e qindra të tjerë, duke përfunduar me poetët e Bërzeshtës, Vilson Blloshmi e Genc Lekën që u pushkatuan për disa vargje lirikë në vitet ’70, si dhe mësuesin e poetin e internuar Avzi Nelaj, që diktatura me firmën e Ramiz Alisë e vari ne litar në ditët që po jepte shpirt. Po nuk u kënaq me aq, e groposi vertikalisht në një gropë të thellë dhe sipër kufomës nguli një shtyllë betoni të tensionit të lartë, që të mos i gjendej as nishani!

Regjimi komunist vuri në punë edhe pseudoshkencën, si në gjithë vendet e Perandorisë të së Keqes. U mohua roli i trashëgimisë, i geneve, i traditës, u hoq nga shkollat lënda e gjenetikës dhe u goditën për vdekje familjet fisnike e trashëgimtarët e tyre, për t’i hapur rrugë kastës së njerëzve të nënshtruar, sejmenë e xhahilë. Në vend të evolucionit të natyrshëm, u ngrit në kult revolucioni i dhunshëm, në vend të arësyes u ngrit gijotina, në vend të qytetarisë u vendos bindja e verbër.

Dr. Mentor Petrela, një nga pinjollët e familjeve të shquara të Tiranës, më thoshte se një shkencëtar amerikan, duke studiuar ADN-në e Carit të Rusisë, të ekzekutuar nga bolshevikët, konkludoi se rusit të sotëm do t’i duheshin rreth 150 vjet për të arritur tek niveli i ADN-së së Carit. Goditja e lustrimi që iu bë trurit të kombit tonë nga komunizmi, si edhe ndërprerja e panatyrshme gjysmëshekullore e geneve, sollën një dëm të pallogaritshëm në qenien dhe jetën shqiptare, jo vetëm në atë kohë, por edhe sot. Këtë e dëshmon më së miri tranzicioni i mundimshëm dhe me trauma i këtyre viteve të demokracisë, ku kanë dominuar mendësi e mendje jofisnike e joqytetare, idolatri e idhuj të rremë, të ardhur nga asgjëja.

Arsyeja është se u shkatërrua nga komunizmi sistemi i vlerave morale e qytetare të përpunuara nëpër shekuj dhe nuk është ngritur një sistem vlerash, mbi të cilat funksionon jeta dhe qytetërimi i sotëm. Jemi në një krizë ekzistenciale të vlerave, që i duhen individit dhe shoqërisë sonë për të qenë kohezive, e shëndetshme dhe e ekuilibruar brenda vetes dhe e integruar jashtë saj. Sistemi i vlerave humane orienton dhe shëndosh jetën individuale dhe shoqërore, ndihmon njeriun shqiptar që të bëhet fisnik e qytetar dhe mbron shoqërinë nga destruksioni i sotëm moral e shpirtëror. Sepse po shkohet kuturu, drejt një shkretëtire morale, ku po dominon arbitrariteti, shthurrja morale, abuzimi me pushtetin, përfitimi i paligjshëm dhe rasputinizmi. Deformimi moral i jetës së sotme shqiptare vjen nga goditja e braktisja që iu bë sistemit tradicional të vlerave njerëzore, por edhe nga mospërpjekja e sotme për të bërë të mundur gradualisht një sistem të përbashkët vlerash që kanë të bëjnë me humanizmin, identitetin shqiptar, respektin e ndërsjelltë, solidaritetin, tolerancën, altruizmin, etikën morale, bashkëpunimin, konkurencën e ndershme, korrektësinë kundrejt shtetit të së drejtës etj., veti aq të spikatura të personaliteteve dhe familjeve të mëdha.

Filed Under: Analiza Tagged With: familjet e medha, Uran Butka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT