• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

URAN BUTKA, “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

January 16, 2017 by dgreca

Beti butka

Presidenti Bujar Nishani, dekoron Uran Butkën, me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Motivacioni: “Për veprimtarinë e paçmueshme kushtuar studimit, hulumtimit dhe trajtimit skrupuloz të çështjes kombëtare shqiptare” Dekorimi i z. Uran Butka, drejtor i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo” nga Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani, me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin:”Për veprimtarinë e paçmueshme kushtuar studimit, hulumtimit dhe trajtimit skrupuloz të çështjes kombëtare shqiptare, shpalosur përmes botimit të veprave madhore, të cilat pasqyruan, ndriçuan dhe rehabilituan shumë figura kombëtare, si dhe për kontributin e vyer profesional e njerëzor dhënë në zhvillimet demokratike në Shqipëri pas shembjes së diktaturës”.

1-ok-uran-butkaBeti butka1 Dekorohet Uran butka

URAN SAFET BUTKA

Lindur në Tiranë, 2 dhjetor 1938. Nga një familje atdhetare dhe intelektuale e shquar, nipi i patriotit Sali Butka dhe i biri i martirit Safet Butka. I internuar me gjithë familje nga regjimi komunist në vitin 1945 në kampin e përqendrimit të Krujës, rrethuar me tela me gjemba. Mësues, në disa rrethe të vendit, kur kishin nevojë për arsimtarë. Në vitin 1961 kreu studimet me korespondencë në Universitetin e Tiranës, fakulteti Histori-Filologji. U pushua nga puna si mësues për motive politike dhe provoi punët më të vështira fizike. Në vitin 1976 u internua sërish nga Tirana me gjithë familje në Shoqëria Kulturore “Jehona e Shkodrës”, shtron sofren tradicionale shkodrane Sofra e një qyteti bujar “Shoqëria Kulturore “Jehona e Shkodrës” në bashkëpunim me Radio Televizionin Shqiptar dhe Star Plus Televizion, organizoi spektaklin tradicional të fundvitit “Sofra Shkodrane”, me pjesëmarrjen e këngëtarëve dhe humoristëve më të shquar shkodranë” Tropojë dhe mandej në Martanesh për njëmbëdhjetë vjet (1976-1987). U kthye në prag të ndryshimit. Mori pjesë aktive në Lëvizjen Demokratike të viteve ’90 dhe në rrëzimin e diktaturës. Drejtues i Shoqatës Kombëtare të të përndjekurve politikë të Shqipërisë. Kryeredaktor i gazetës “Liria”, duke filluar nga viti 1991 e në vazhdim. Nëndrejtor i gjimnazit “Ismail Qemali” Tiranë, 1991-1992. Anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike dhe i Këshillit të saj Kombëtar. Deputet aktiv i PD në Parlamentin Shqiptar në dy legjislatura: 1992-1996 dhe 1996-1997. Kryetar i Komisionit parlamentar të Mediave dhe të Kulturës në të dy legjislacionet. Kryetar i Komitetit për vlerësimin e figurave kombëtare, 1992-1997. Gjatë kësaj periudhe ka promovuar në studime më vete personalitete të rëndësishme të historisë dhe të kulturës shqiptare si Faik Konica, Mid’hat Frashëri, Hasan Prishtina, Hysni Lepenica, Skender Muço, Mustafa Gjinishi, Llazar Fundo, Sejfulla Maleshova, Gani Kryeziu, Muharrem Bajraktari,,Musine Kokalari, Sabiha Kasimati, Bilal Xhaferri, Marie Shllaku, Selman Riza, Shefqet Beja, Mirash Ivanaj, Shaban Polluzha, Drita Kosturi, Xhelal Koprencka, Avzi Nela e dhjetra të tjerë, si edhe ka zberthyer historikisht figura kriminale si Haxhi Qamili, Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Shefqet Peçi, Dushan Mugosha, Miladin Popoviç, Milosheviç etj. Prej vitit 1997 e në vazhdim është marrë kryesisht me punë studimore-shkencore kryesisht në fushë të historisë kombëtare, publicistikës, letërsisë, dhe kinematografisë. Ka botuar në organet e shtypit shqiptar dhe revista shkencore me qindra artikuj studimorë për ngjarje historike madhore kombëtare të tjetërsuara nga regjimi komunist dhe historiografia komuniste. Po ashtu ka botuar një varg veprash historike si “Ringjallje”, “Mukja-shans i bashkimit”,, “Gjeniu i Kombit”, “Kthimi i Mid’hat Frashërit”,“Elita shqiptare”, “Lufta civile 1943-1945”, “Bombë në Ambasadën Sovjetike”, “Masakra e Tivarit”, “”Lufta e Drenicës”, “Kryengritja e Malësisë së Madhe”, “Kryengritja e Postribës”, “Krimet e komunizmit në Shqipëri”, “Kristo Kirka”, “Dritëhije të historisë”, “E djathta dhe e Majta në luftë” etj, si edhe polemika historike me studiues e historianë në shtyp dhe TV. Në fushë te letersisë ka botuar: Permbledhjet me tregime e novela:“Vdekja e bardhë”, “Humbja nuk është mbarimi”, “Në shtëpinë tonë”. “Dora e shtetit”, “Më në fund të lirë” dhe romani “Miti i Haxhi Qamilit”. Mbi 25 botime. Po ashtu, skenarë filmash dokumentarë: “Kryengritja e Postribës”, “Kryengritja e Malësisë së Madhe”, “Dy poetët martirë, Genc Leka e Vilson Blloshmi””, Lëvizja Kryeziu”, “Ventotene”, Mid’hat Frashëri”, “Martirët”, “Mallakastra siç ka qenë, “Kryengritja e Dibrës, 1913”,“Baba Kamber Prishta- martir i kombit”, etj. Aktualisht: Drejtor i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skendo”, Tiranë. Tituj shtetërorë vlerësimi: “Mësues i Merituar” 1993, “Mjeshtër i Madh” 2011, “Penda e Argjendtë” 2013 dhe “Kalorës i Urdhrit të Skenderbeut” 2016.

Filed Under: Featured Tagged With: “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, dekoron, presidenti Nishani, Uran Butka

SALI BUTKA DHE VETVQEVERIMI I KORÇËS

December 12, 2016 by dgreca

1-ceta-e-sali-butkesKONTRIBUTI I  SALI BUTKËS  NË SHPALLJEN DHE MBROJTJEN E  VETEQEVERIMIT  SHQIPTAR  TË  QARKUT TË KORÇËS /1-ok-uran-butka-300x225

NGA URAN BUTKA*

Shpallja e vetëqeverimit të qarkut të Korçës më 10 dhjetor 1916, kishte shkakësi  historike rrezikun e aneksimit të tij nga Greqia, para Luftës së Parë Botërore, gjatë dhe pas saj. Këtë tezë dua të argumentoj në kumtesën time.1-republika-autonome1

Siç dihet, përgjatë Luftës Ballkanike të vitit 1912 dhe më pas, qarku i Korçës dhe i Gjirokastrës u pushtuan nga ushtria greke, e cila vendosi një regjim ushtarak, që bashkë me andartët dhe bandat kriminale të sjella nga Kreta dhe “batalionet e shenjta”, kryen genocid ndaj popullsisë shqiptare në vitet 1913-14, siç janë masakrat e përgjakshme në fshatrat kufitare të Kolonjës e të Leskovikut, ajo e fshatrave të Kosinjës në Përmet, ku u therën 75 shqiptarë, mes tyre 27 fëmijë, ploja e Panaritit, 10 korrik 1914, ku u masakruan 374 njerëz të pafajshëm si edhe  shpërnguljet e dhunshme të popullsisë të trevave të Kolonjës, Korçës, Devollit, Përmetit,  Skraparit, Gjirokastrës drejt bregdetit, sidomos në krahinën e Vlorës. Bilanci it ë vrarëve dhe të masakruarve arriti në 7000 frymë, 192 fshatra të djegur, mëse 100.000 njerëz të shpërngulur me dhunë nga vatrat e tyre , nga të cilët 4000 vdiqën nga uria dhe tifoja, përveçse shkatërrimeve të mëdha materiale, djegiet e shtëpive, rrëmbimin e bagëtive e të pasurive.1-kartmonedhat

Një pjesë e këtyre barbarive janë paraqitur nga prifti ortodoks shqiptar Papa Kosta Tomorri Leusa, në librin “Barbaritë greke në Shqipëri”, botuar në vitin 1917, pikërisht në ditët e Vetqeverimit shqiptar të Korçës.

Përpos pushtimit ushtarak, në Korçë u vendos edhe regjimi civil grek, në krye të të cilit qëndronte qeveritari Argjiropulos. Greqia nuk hiqte dorë nga përpjekja për të aneksuar jugun e Shqipërisë të ashtuquajtur Vorio- Epir, në kundërshtim edhe me vendimet e Konferencës së Londrës të 29 korrikut 1913 dhe protokollin e Firences për përcaktimin e kufijve jugorë.

Fuqitë e Mëdha, në notën e 31 janarit 1914 drejtuar qeverisë greke, kërkonin largimin e ushtrisë greke nga Korça e Gjirokastra, si kompensim i dhënies së Greqisë të ishujve të detit Egje. Nën presionin ndërkombëtar, qeveria greke, më në fund pranoi të largonte ushtritë nga qarku i Korçës, duke përfunduar evakuimin më 1 mars 1914. Më 2 mars hynë në Korçë forcat e gjindarmërisë shqiptare me oficerët hollandezë në krye. Në Korçë u vendos një administratë shqiptare nën vartësinë e KNK dhe një korpus vullnetarësh shqiptarë nën komandën e Themistokli Germenjit.1-themistokli-germenji

Pikërisht në këtë kohë nisi dredhia e politikës  greke për ta marrë kalanë nga brenda. Më 2 mars 1914, ditën që forcat shqiptare hynë në Korçë, u shpall në Gjirokastër e ashtuquajtura “Autonomi e Vorio-Epirit” nga Zografos, ish-ministër i Jashtëm i Greqisë, i cili krijoi edhe një qeveri të përkohshme kukull, ku merrnin pjesë edhe ish-funksionarë të lartë dhe peshkopë grekë. Për të mbështetur Zografon zbarkuan në Sarandë bandat e ardhura nga Gjiriti si edhe u kontigjentet vendase të rekrutuara te Ierollohitët. [1] Disa ditë më pas, majori i ushtrisë greke Spiro Milo shpalli “autonominë e Himarës”, që përfshinte 7 fshatra të banuara historikisht nga shqiptarët .Autoritetet civile greke dhe ushtarake greke, të mbështetur edhe nga Kisha greke në Korçë, aktivizuan andartët dhe banditë të sjellë nga Greqia, që zëvendësuan ushtrinë e rregullt greke dhe organizuan një kryengritje brenda në Korçë, duke e kombinuar me mësymjen nga jashtë, për t’i treguar botës se atje ishte Greqi dhe se popullsia e Korçës donte bashkimin me Greqinë. Kështu u organizua puçi i 2 prillit 1914. Skenari ishte ky: një kryengritje nga ushtarët grekë, të veshur civilë si edhe të andartëve, të fshehur në Mitropoli, në  spital si të sëmurë, nëpër shtëpi e gjetkë dhe të ierollohitëve vendas (elementët grekomanë). Peshkopi grek Germanos u ra kambanave të kushtrimit, si edhe njoftoi  ushtrinë greke, që të ndërhynte për të “shpëtuar” vëllezërit në Korçë, pra një kombinim i puçit nga brenda me ndëryrjen ushtarake nga jashtë. Puçistët e armatosur dolëm në mesnatë nga vendet ku ishin fshehur, atyre u erdhën edhe andartët që ishin vendosur në Devoll dhe bashkërisht pushtuan ndërtesat publike, si edhe hyrjet në qytet. Lufta më e rreptë u zhvillua në prefekturë. Forcat e xhandarmërisë shqiptare të komanduara nga oficeri  hollandez G.Sneller, korpusi i vullnetarëve të Korçës i komanduar prej  Themistokli Gërmenjit dhe forcat vullnetare të Kajo Babjenit nga Gora si edhe të batalionit të Kolonjës të komanduar nga Gani Butka, bashkë me kapitenin amerikan Spenser, i thyen kryengritësit pas katër ditësh luftimesh dhe arrestuan peshkopin Germanos e krerë të tjerë të puçit, që i dërguan në Elbasan.

Profesor Simonard, në librin “Sprovë mbi Pavarësinë e Shqipërisë”, shënonte: “Ngjarjet që do të pasojnë dhe që janë rrjedhojë e këtyre dredhive dhe të atyre që kemi përmendur më parë, në të vërtetë duhet të konsiderohen si kryengritje të rreme, jo të rrënjosur në ndjenjën e thellë popullore: por grekët ditën ta vërtisnin aq mirë versionin e rezistencës spontane, sa që problemi u kthye përmbys” [2]

Ndërkohë ushtria e rregullt greke kishte kaluar kufirin nga ana e Leskovikut dhe ishte nisur për në Korçë. Përpjekja e parë e përgjakshme u bë në Qafën e Badrit. Atje luftoi trimërisht Qani Ypi me një çetë kolonjarësh. U vranë të gjithë, bashkë me komandant Qani Ypin. Atëherë Sali Butka dha kushtrimin. U mblodhën 350 vullnetarë. Me të u bashkuan edhe luftëtarët e Devollit me në krye Hasan Bitinckën, si edhe luftëtarët e Pogradecit me Jasshar bej Starovën dhe çetarët e Shaban Blloshmit. Erdhën në ndihmë edhe luftëtarët e Taborit të Strugës me Demir Aliun në krye.  Çetat e shtuara të Sali Butkës zhvilluan luftime në qafën e Qarrit, në Shtikë dhe në Butkë në datat 19, 20 dhe 21 prill 1914 , duke i penguar ushtarët e Greqisë të shkonin në Korçë. Ja ç’shkruant gazeta “Koha” e datës 3 maj 1914: “Në luftërat e Shtikës dhe të Butkës  më 19, 20 e 21 prill, kur grekët bënë më të mëdhatë yryshe, që të thyenin krahun e mëngjër të ushtrisë shqiptare, kapedan Saliu me të birin e tij, Ganinë dhe me shokët e tij, iu kundërshtua armikut kaq burrërisht dhe luftoi me aq mjeshtëri e trimëri, sa armiku e uli kokën përpara armëve të shqiptarit , i la vendet që kish zaptuar , u thye dhe u çakërdis, duke lënë në fushën e luftës më tepër se 150 të vrarë”.[3]

Por beteja më e madhe u bë në Nikolicë, mes Kolonjës e Devollit. Sali Buka zuri vijën e frontit Qafë e Kazanit- Arrëz- Nikolicë- Ushtria greke, e mbështetur edhe nga andartët, mësynë këtë herë me 2000 ushtarë të pajisur edhe me artileri, nën komandën e kapiten Vardhës për të pushtuar Korçën. Grekërit u thyen dhe u hodhën matanë kufirit. Në këtë betejë, u vranë mëse 200 ushtarë grekë, si edhe ranë mjaft luftëtarë shqiptarë, mes tyre edhe ladorishtarët Bajram Coma dhe Demisha Hoxha nga Tabor i Strugës, që i kanë ende varret në Nikolicë, si edhe u zu rob Hasan Bitincka, që u internua në në një kamp përqëndrimi në rrethinat e Selanikut. Në luftë e sipër, Sali Butka u plagos në syrin e majtë, që ia prishi dritën për jetë.

Gazeta “Koha” shkruante: “Po në luftën e Nikolicës, më 24 prill, ku grekët me 2000 ushtarë kishin ndezur dyfek, kapedan Saliu me trimat e tij, u sul mbi krahun e armikut dhe luftoi me kaq trimëri, sa ai u mund liksht dhe i çakërdisur e i përndarë, u hoq 6 orë matanë sinorit , duke lënë  më tepër se 200 të vrarë në fushën e luftës.

Në këtë betejë që ka hyrë në histori, u plagos në syrin e majtë edhe Sali Butka, i cili pas luftës u tha luftëtarëve: “Mos u dëshpëroni, o vëllezër, se edhe me një sy nuk do të më shpëtojë asnjë armik i Shqipërisë”.[4]

Më 24 prill 1914 Fuqitë e Mëdha e njoftuan Venizellosin se ishin të gatshme t´u bënin lëshime ”vorio-epirotëve” dhe se mund të pranonin rishikimin e kufirit greko-shqiptar në favor të Greqisë. E ndodhur nën një presion të gjithanshëm, qeveria shqiptare e Vidit u detyrua, më 5 maj, t´ia besonte KNK zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-grek. Bisedimet ndërmjet KNK dhe përfaqësuesve ”vorio-epirotë” u mbajtën në Korfuz dhe përfunduan me nënshkrimin e  ”Protokollit të Korfuzit”. Në këtë protokoll parashikohej që dy prefekturat në jug të Shqipërisë, ajo e Korçës dhe e Gjirokastrës, ndonëse formalisht do të bënin pjesë në shtetin shqiptar, do të kishin një administratë më vete, autonome, organizimi i së cilës i lihej në dorë Këshillit Ndërkombëtar të Kontrollit. Gjithashtu edhe kërkesën e Spiro Milos për t´i njohur autonominë krahinës së Himarës, në një zonë që shtrihej në 14 fshatra të bregdetit të Jonit. Protokolli i Korfuzit ishte plotësisht në kundërshtim me Statutin Organik të Shqipërisë dhe shkelte hapur sovranitetin e shtetit shqiptar.

Ndërkohë nisi rebelimi Rebelimi haxhiqamilist, maj 1914 , që solli luftë të brendshme dhe anarki. Largimi i Princ Vidit nga Shqipëria më 3 shtator 1914 dhe fillimi i Luftës së Parë Botërore, e kthyen Shqipërinë në shesh lufte të fuqive ballkanike dhe europiane. Nga kjo situatë përfitoi qeveria greke për të depërtuar ushtrinë e saj në Shqipëri dhe në fund të vitit 1914 Korça dhe Gjirokastra ishin të pushtuara prej saj. Ushtritë serbe arritën deri në Durrës. Ndërkohë, Shqipëria Veriore dhe Qëndrore ishin pushtuar nga Austriakët, që pasi kishin thyer serbët, kishin përparuar deri në afërsi të Korçës. Italianët kishin zënë vend në qarkun e Gjirokstrës dhe në një pjesë të Kolonjës, si edhe në ishullin e Sazanit e në Vlorë. Fuqitë e Antantës, për të tërhequr Greqinë në anën e tyre, i premtuan Venizellosit sovranitetin mbi Shqipërinë e Jugut, në këmbim të pjesëmarrjes së saj të menjëhershëm në konfliktin botëror. Greqisë iu shtuan orekset shoviniste dhe kërkoi, jo më autonominë e “Vorio-Epirit, por aneksimin e Shqipërisë jugore. Këto orekse dhe kërkesa u shfaqën në Traktatin e fshehtë të Londrës të vitit 1915.

Ndërkohë që lufta botërore vijonte në Frontin Perëndimor dhe atë Lindor, Aleatët hapën Frontin Ballkanik nën komandën e gjeneral Sarrej me qendër në Selanik. Në tetor 1916, Regjimenti i parë i kalorësisë së lehtë të Afrikës, i komanduar nga nënkoloneli de Burnazel, pushtoi ushtarakisht kazanë e Korçës.

Kur ushtria franceze u shtri në këtë krahinë, u ndodh përballë një lëvizje të gjerë të armatosur shqiptare, që luftonte për dëbimin nga krahina e pushtuesve grekë, synimet aneksioniste të të cilëve ishin të njohura . Forcat patriotike të qarkut të Korçës reaguan dhe e rrethuan qytetin: çetat e Sali Butkës, që bashkëpunonin me austriakët prej Kamenicë gjer në teqenë e Melçanit dhe fuqitë e Themistokli Gërmenjit, me mbështetjen bullgaro-maqedonase, nga Podgoria deri në Melçan. Të dy komandantët bënë marrëveshje për ta shtrënguar ushtarakisht Korçën. Teqeja e Melçanit me baba Zylfon do të ishte qendër e përbashkët.

Me ardhjen e forcave franceze, këta i larguan grekët kostandinistë, si kundërshtarë të Antantës dhe vendin e tyre e zunë venizelistët, që shpejtuan të vinin në Korçë nga Selaniku, ku e kishte ngritur qeverinë Venizeloja, nën mbrojtjen e fuqive ushtarake të Antantës.

Nga forcat kombëtare shqiptare u përdor strategjia e marrëveshjes me Francezët, nëpërmjet Themistokliut, por edhe e shtrëngimit ushtarak, nëpërmjet forcave të Sali Butkës. Sali Butka i dërgoi autoritetit ushtarak në Korçë, kolonelit Burnazel këto kërkesa:

1)Të ngrihet flamuri shqiptar në Korçë. 2) Të çelen shkollat kombiare shqip në Korçë dhe të mbyllen shkollat greke. 3) Ushtria franceze të dalë nga qyteti i Korçës dhe të qëndrojë në Debojë, te kazermat.[5]

Në këto rrethana të pafavorshme strategjike e ushtarake për francezët, gjeneral Sarrej dërgoi në Korçë  kolonelin Dekuan me dy batalione këmbësorie dhe skuadrone kalorësie dhe një bateri artilerie, me udhëzime të qarta: “Gjenerali nuk do në Korçë s grekë të asnjë lloji, as italianë, as esatistë “ [6]

Më 23 nëntor 1916, koloneli largoi nga Korça  qeveritarin grek Argjiropolos me gjithë shpurën e tij dhe shpërndau  bandat e së andartëve. Dekuan e çmoi ndjenjën kombëtare shqiptare në Korçë, që sipas tij “okupacioni grek ka mundur të mos e lërë të marrë frymë, por nuk ka mundur ta mbysë” [7].

Më 24 nëntor, Themistokliu u paraqit tek autoritetet  franceze dhe u takua me kolonelin Dekuan. Janë të famshme falët e Themistokliut: “Unë jam një patriot shqiptar. Nuk kam asnjë shkak armiqësie kundër francezëve. Nuk kam qenë kurrë kundër jush, por me ata që më dukej se garantonin lirinë e atdheut tim. Unë grekët i shikoj si armiqtë tanë më të mëdhenj. Kam marrë armët  për t’i luftuar. Tash që autoritetet franceze larguan nga Korça përfaqësuesin e qeverisë greke, nuk kam më asnjë arsye për të qëndruar në mal. Vinj pra tek ju si një njeri plotësisht lojal, Kimëni në dispozicion. Nuk kërkoj gjë tjetër veçse t’ju ndihmonj e të vë në shërbimin tuaj influencën time mbi popullsitë” [8]

Edhe nga këto fjalë atdhetare të Themistokliut, del qartë se rreziku kryesor për qarkun e Korçës ishte ai grek.

Më 25 nëntor 1916, Themistokliu iu drejtua popullit të Korçës  me një thirrje: ”Komandari dhe qeveritari i Francës në Korçë e njohin Korçën për vent të Shqipërisë e të gjitha të drejtat e kombit shqiptar dhe u zotua për një marrëveshje me shqiptarët për qeverimin dhe sigurimin e  këtij vendi” [9]

Faktori popull, pra faktori patriotik dhe  qytetar korçar, ishte vendimtar  drejtpërdrejt, por edhe nëpërmjet përfaqësuesve të tij, si Petro Harizi, i cili dëshmon: “Populli bën një mbledhje në Kazino, ku një shumicë e madhe e popullit vendos që të akceptohen konditat e Sali Butkës: dmth. të ngrihet flamuri shqiptar dhe të çelen shkollat shqipe” [10].

Kjo gjë vërtetohet edhe nga konstatimet, por edhe dokumentet e sjella nga doktori i shkencave juridike në Francë, N. Kotta, që ka studiuar me themel dokumentat franceze: “Po ashtu, edhe popullata e braktisur e Korçës iu drejtua komandantit francez, të cilit i shprehu dëshirën të ishte e lirë dhe i kërkoi që krahina e Korçës, e ndarë si pasojë e luftës nga pjesa tjetër e Shqipërisë, të shpallej si republikë autonome shqiptare nën mbrojtjen franceze, duke pritur bashkimin e saj me Shqipërinë”. [11]

Koloneli Dekuan e i vlerësonte kështu forcat patriotike shqiptare: “Në perëndim të Korçës, bandat austro-shqiptare  të Sali Butkës. Tërësia e bandave të Sali Butkës kishte forcën e disa batalioneve franceze. Në veri të Korçës, bandat bullgaro-shqiptare të Themistokliut kishte forcën numerike të një batalioni francez.

I rrethuar nga forcat luftarake shqiptare, koloneli francez bëri përçapje për të kontaktuar me komandantët shqiptarë.

“Dekuani dërgoi një komision prej qytetarësh korçarë tek Sali Butka, që ja të falet dhe të merret vesh me francezët, ja të largohet nga qarku i Korçës.”[12] – shkruan historiani i Krahinës vetëqeverisëse të Korçës, Petro Harizi.

“Autoritetet ushtarake franceze, duke parë kundërshtimet e mëdha që u bënë nga ana e popullit shqiptar të Korçës kondra sjelljeve armikësore të Venizellistëve, duke parë edhe protestimet, që bënin shqiptarët e jashtëm, duke kuptuar që tërë populli i Korçës dëshironte një ndryshim të plotë të qeverisë me një vëtëqeveri shqiptare dhe me gjuhën zyrtare të vendit, duke parë që edhe pjesa tjetër e Shqipërisë e pushtuar prej armikëve të Antantit vetëqeveriseshe nga shqiptarët nën Austriakët e Bullgarët, u mejtuan dhe shfaqën dëshirën, që të merreshin vesh me shqiptarët.” [13]

Koloneli Dekuan dërgoi  tek Sali Butka një delegacion ushtarak me në krye major Masjet, bashkë me një dërgatë të qytetarisë së Korçës. Bisedimet qenë të suksesshme.

Kërkesat e Sali Butkës, datë 3 dhjetor 1916:

  1. Vetëqeverimi i kazasë së Korçës do të përmbledhë provizorisht Bilishtin, Kolonjën, Oparin dhe Gorën, gjersa të çlirohen krahinat e tjera.
  2. Flamuri zyrtar do të jetë flamuri i Skënderbeut me shqiponjën dykrenare.
  3. Gjuha zyrtare do të jetë shqipja.
  4. Do të formohet një komision prej pesë patriotësh i zgjedhur nga luftëtarë të lëvizjes kombëtare. Komisioni do të përmbushë detyrat e një qeverie me të drejtë të bëjë ligje, të emërojë e të pushojë nëpunës, të ndryshojë e të rregulojë çdo gjë që sheh të dobishme e të arsyeshme.
  5. Administrata do të përbëhet nga elementë patriotë të sprovuar.
  6. Gjykatoret do të veprojnë në gjuhën shqipe dhe me personel të aftë për plotësimin e detyrës.
  7. Arsimi do të jetë krejt shqiptar, me baza të shëndosha kombëtare.
  8. Të mbyllen gjithë shkollat propagandistike greke
  9. Postat dhe telegrafat do të varen nga administrate shqiptare
  10. Të formohet një polici për të mbajtur qetësinë e qytetit.
  11. Të formohet një gjindarmëri shqiptare me komandantë shqiptarë për të mbrojtur vendin.
  12. Komanda franceze detyrohet të mbrojë vetëqeverimin e kazasë së Korçës nga çdo kërcënim
  13. Qeveria franceze merr detyrimin moral të përkrahë të drejtat e Shqipërisë dhe veçanërisht të Kazasë së Korçës në konferencën që do të mblidhet, kur të mbarojë lufta.[14]

Koloneli Dekon i pranon në librin e tij “Gjashtë muaj histori të Shqipërisë” propozimet e Sali Butkës dhe kthesën rrëkëllyese që bënë propozimet e tij në drejtimin e shpalljes së Vetëqeverimit shqiptar të Korçës.

“Me përjashtimin e ca agjitatorëve, asnjeri në Korçë nuk dëshironte kthimin e regjimit grek. Secili dëshironte jo vetëm mbajtjen e statu quo-s, por edhe zhvillimin e saj në drejtimin nacionalist shqiptar. Ky evolucion do të kishte mundur të bëhej shkallë-shkallë, sikur një përçapje personale e Sali Butkës, i cili nga teqeja e Melçanit vëzhgonte dhe ndiente edhe vetë aspiratat e bashkatdhetarëve të vet, të mos kishte ardhur e shkaktuar rrëkëllyerjen e përshpejtuar të ngjarjeve. Në mbrëmjen e 3 dhjetorit, mora nga ai një letër, në të cilën ai më shpallte se ishte krejt i disponuar të linte armët, në qoftë se komanda proklamonte pavarësinë e Kazasë së Korçës, nën mbrojtjen ushtarake të Francës. Kuptohet vetiu se unë nuk isha kompetent për të marrë vendimin, që dëshironte Sali Butka, por ishte detyra ime të studioja në mënyrë sa më të plotë çështjen e t’i jepja Gjeneralit Kryekomandues të gjithë elementet e vendimit që do të mirrte në këtë mes” [15]

Koloneli Dekuan i shqyrtoi  kërkesat e Sali Butkës nga pikëpamja ushtarake , dmth shqyrtoi pasojat  që pranimi ose refuzimi i propozimeve të Sali Butkës do të kishte mbi operacionet e ushtrive aleate në Lindje. Ai ia drejtoi çështjen, bashkë me arsyetimin e tij,  kryekomandantit Sarrej në Selanik dhe mori prej tij përgjigje pozitive, që miratonte pikëpamjet e Dekuan-it. Menjëherë thirri Themistoklinë dhe i kumtoi dy telegramet nga Selaniku.[16]

Koloneli jep një vlerësim të lartë dhe prekës për Themoistokliun: ”Kënaqësia e tij qe nga më të thellat. Edhe me të vërtetë , ai shihte të realizuar ëndrrën e tij, pavarësinë e vendit të tij, e ai do të ishte farkëtari kryesor i kësaj ngjarjeje historike”  [17]

Komandanti ushtarak Dekuan i ktheu përgjigje pozitive, Sali Butkës:

 

“Zotit Sali Butka

Komandant i Luftëtarëve Vullnetarë Shqiptarë, Melçan

Sipas instruksioneve të marra nga Kryekomandanti i Ushtrive Aleate të Lindjes, Gjenerali Sarrej, kam nderin të vë në dijeninë tuaj se komanda aleate e sheh me sy të mirë dhe e çmon lëvizjen tuaj patriotike për të drejtat e popullit shqiptar për liri dhe indipendencë. Gjithashtu, mori parasysh dëshirat e shfaqura në letrën tuaj të datës 3 të këtij, të cilat i gjeti të arsyeshme dhe jam i autorizuar t’ju komunikoj pëlqimin dhe aprovimin, si vijon:

– Autonomia shqiptare e Kazasë së Korçës, brenda juridiksionit  të okupacionit francez dhe brenda kufijve të caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër.

– Flamuri zyrtar i Kazasë së Korçës do të jetë flamuri i Skënderbeut me shqiponjën dykrenare.

– Gjuha zyrtare do te jetë shqipja, por korespondenca me autoritetet franceze do të bëhet në gjuhën frëngjisht.

– Do të formohet një këshillë qeveritare me kompetenca të gjera. Të gjitha vendimet do të aprovohen nga një i deleguar i Komandës Franceze, i cili do të quhet delegat këshilltar.

– Mbyllja e të gjitha shkollave të huaja.

– Do të formohet një polici shqiptare  për shërbimet e qytetit dhe një gjindarmëri nën komandën e oficerëve shqiptarë.

– Do të formohet një gjindarmëri lëvizëse nën komandën e një oficeri madhor francez, e cila do të bashkëpunojë me repartet ushtarake franceze në luftimet eventuale kundra armiqve.

– Të gjitha degët e administratës  do të përbëhen nga elementi autokton shqiptar, i emëruar nga këshilla qeveritare me aprovimin e këshilltarit delegat.

– Komanda ushtarake aleate merr detyrimin që të mbrojë autonominë e kazasë së Korçës nga çdo rrezik që mund ta kërcënojë.

U mor gjithashtu parasysh dëshira juaj që i përket mbrojtjes së të drejtave të Shqipërisë në Konferencën e ardhshme të Paqes, të cilën komandanti ia referoi qeverisë , pasi nuk dependon nga kompetencat e tij.

Pranoni, zoti Komandant shprehjet e konsideratës sime më të shquar.

Me urdhër të Kryekomandantit të Ushtrive Aleate të Lindjes,

Kolonel Dekuan

Komandant i Qarkut të Korçës” [18]

Sali Butka u gëzua nga plotësimi i konditave të propozuara: “Zoti major,- i shkruan majorit Masjet,- jam shumë i kënaqur nga përgjigja e zotit gjeneral dhe ju lutem t’i shkruani për mirënjohjen time të thellë, bashkë me urimet e mia për fitoren e fuqive aleate. Gjithashtu, ju lutem t’i bëni nderime zotit kolonel dh eta siguroni mbi besnikërinë time. Qysh sot jam shpirtërisht i bashkuar me ju dhe pres rastin e volitshëm të vihem plotësisht në radhët tuaja”[19]

Megjithatë, Sali Butka nuk shkoi në Korçë, qëndroi ende në krye të luftëtarëve, për t’iu gjendur Korçës dhe Themistokliut, në çdo rrethanë, por edhe për të bërë të njëjtat përçapje kombëtare tek autoritetet italiane të pushtimit. Dihet, që Kolonja ishte nën okupacionin Italian.

Koloneli Dekuan e vlerëson kështu:” Sali Butka, i vënë në dijeni të ngjarjeve, më ka njoftuar se ai po merrte anën tonë. Nëpërmjet mandatarësh të Këshillit të Administratës, tratativa të reja u zhvilluan  për të caktuar  masat ushtarake që duheshin marrë me qëllim që ai të mund të shkëputej  nga austriakët. Në fakt, ky kryetar trupash nuk ardhi. Do të mësoja më vonë se ai do të bënte tek autoritetet ushtarake italiane, përçapje të ngjashme me ato që pat bërë në tetor 1916, tek komanda franceze. Sa për mua, unë atë nuk e kam parë kurrë. A i ka shkelur ai me dashje zotimet e tij, apo nuk ka mundur t’i mbajë? Mbetëm i bindur se alternativa e dytë i përgjigjet së vërtetës. Sali Butka iu bë i dyshimtë austriakëve, të cilët ia nënshtruan një mbikqyrjeje të rreptë dhe ia morën familjen  peng. Sido qoftë, gjatë gjithë kohës , ai do të më preokupojë. Përkundrazi, sekretari i tij Petraq Katro, në vonoi të vinte tek ne, kam arsye të mira për të besuar se ai ka bërë përpjekje lojale për të ndihmuar veprimin e komandës lokale franceze”. [20]

Koloneli Dekuan së bashku me shtatmadhorinë e tij dhe Themistoliun punuan gjithë natën dhe hartuan dokumentin e shpalljes të vetëqëverimit të kazasë së Korçës, që, sipas Dekuan-it, do të përbënte në një farë mënyre “Statusin themeltar të Shtetit autonom të Korçës” [21]

Në Protokollin e datës 10 dhjetor 1916, sanksionohet: “Sipas dëshirës së popullit shqiptar, të cilën e rrëfeu me anë të përfaqësonjësve të tij, Kazaja e Korçës, bashkë më qarqet e Bilishtit, Oparit dhe Gorës, formojnë krahinën vetëqeveritare të Korçës për t’u qeverisur prej qeveritarëve shqiptarë, nënë mbrojtjen e komandës së ushtrisë Franceze”.[22]

Kazanë do ta qeveriste një komision prej 14 shqiptarësh, 7 të krishterë dhe 7 myslimanë, gjuha zyrtare do të ishte gjuha shqipe, flamuri shqiptar i Skënderbeut, me një kordhele tringjyrësh të Francës. Themistokli Gërmenji u emërua shef i Policisë, ndërsa Petro Harizi u zgjodh sekretar i Përgjithshëm i Këshillit qeveritar.

Dekuani e përshkruan kështu momentin kur u shpall publikisht Protokolli: “Themistokliu doli në ballkon, iu drejtua popullit me një fjalim dhe, në mes brohoritjesh, shpalosi flamurin e Skënderbeut, kravatuar me ngjyrat franceze, në vendin ku ditë më parë valonte flamuri grek”[23].

Ky ishte një akt historik tejet i rëndësishëm në historinë e Korçës dhe të Shqipërisë, sepse afirmonte karakterin etnik shqiptar të krahinës së Korçës dhe administrimin e saj nga shqiptarët, ishte një marrëveshje me përmbajtje politike dhe ushtarake e arritur mbi baza pariteti dhe interesi të ndërsjelltë, por me vlera kombëtare për ne, jo vetëm për në atë moment, por edhe më vonë gjatë përballjeve në Konferencën e Paqes, që Korça t’i mbetej përfundimisht Shqipërisë. Edhe vetë francezët ishin të interesuar për  një marrëveshje të tillë. “Për të shpëtuar nga rreziku i komprometimit të gjendjes sonë në Korçë , ne duhet të bënim diçka, që popullsia shqiptare të lidhej me ne në mënyrë të pakundërshtueshme dhe përfundimtare”- shkruante Dekuan.[24]

Po ashtu edhe gjeneral Sarrej i telegrafonte Ministrisë së punëve të Jashtme të Francës në mars 1917: ”Korça deshi të ishte e pavarur  dhe e tillë u bë. Qysh atëherë në këtë krahinë mbretëron qetësia”[25]

Në  këtë arritje historike ndihmuan edhe patriotët e shquar te Korçës e të Kolonjës si Petro Harizi, Petraq Katro, Dr.Mborja, Qamil Panariti, Emrullah Boshanji etj.

Mirëpo, në mesin e vitit 1917, ndryshuan disi ekuilibrat ndërkombëtare si edhe zhvillimet e Luftës së Parë. Franca gjithnjë e më shumë po anonte nga Serbia e Greqia, gjë që e treguan edhe traktatet që u nënshkruan  prej saj në dëm të Shqipërisë, si   Traktati i fshehtë i Londrës 1915 dhe të tjerët më vonë. Franca iu kundërvu brendisë politike të Protokollit, meqenëse ajo binte në kundërshtim me interesat greke dhe orientimet politike progreke të qeverisë së Parisit. Kjo gjë ndikoi edhe tek qëndrimet dhe zhvillimet ushtarake në Korçë. Kthimi në pushtet i Venizellosit, që futi Greqinë anën e Antantës, qershor 1917, për të cilën ishin përpjekur me kohë qarqet politike të Francës e më gjerë, e ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve në Korçë.

Kolonel Dekuan-in e larguan nga Korça, si përgjegjës për nënshkrimin e protokollit të 10 dhjetorit.

U arrestua nga shërbimi sekret francez  themeluesi dhe udhëheqësi i Krahinës autonome shqiptare të Korçës, Th. Gërnenji dhe u dërgua në Selanik, ku u nxorr përpara një gjyqi ushtarak dhe u dënua me vdekje, me akuza të sajuara e të pavërtetuara si “agjent” i Fuqive Qëndrore më 9 nëntor 1917. Edhe vete Dekuani e vë në dyshim këtë vendim: “Rishikimi i procesit të Themistokliut në Shqipëri dëshirohet nxehtësisht në Shqipëri. Edhe unë jam njëri nga ata”. [26]

Dhe kështu ndodhi, më pas ai vendim u abrogua.

Pas pushkatimit të Th. Gërnmenjit, u abrogua më 16 shkurt 1918 edhe protokolli i 10 dhjetorit, që ishte një goditje për forcat atdhetare shqiptare dhe çështjen tonë kombëtare, ndonëse Korça mbeti njëlloj shqiptare, ku valëvitej sërish flamuri shqiptar. Por rreziku i aneksimit të saj nga Greqia, jo vetëm mbeti, por edhe u shtua në mbarim të luftës. Qeveria greke kërkoi në Konferencën e Paqes në Paris aneksimin e Korçës dhe Gjirokastrës, me tezën e vjetëruar se shqiptarët e ortodoksë të këtyre zonave ë ndienin vetën si grekë, se atje ekzistonin shkollat greke dhe se ushtria greke e i kishte “çliruar” këto krahina gjatë Luftës ballkanike nga sundimi otoman.[27] Në fakt i kishte pushtuar. Po ashtu kërcënuese ishin edhe pretendimet e Italisë për një protektorat Italian mbi Shqipërinë dhe sovranitetin mbi Vlorën. Kulmi i këtyre kërkesave shoviniste arriti me nënshkrimin e traktatit Tittoni –Venizelos më  29 korrik 1919, për ndarjen e Shqipërisë ndërmjet Italisë dhe Greqisë, si edhe për të përkrahur pretendimet e njëri-tjetrit në Konferencën e Paqes. Këto marrëveshje gjetën mbështetje edhe nga Franca.

Qeveria greke po përgatitej të pushtonte ushtarakisht Korçën, sapo ta linin atë francezët. Kryeministri i Francës, Klemanso u tregua i gatshëm t’ua bënte këtë blatim  dhe kryekomandanti i fuqive aleate, gjenerali Fransua d’Esperay u tregua i gatshëm t’ua lëshonte Korçën forcave greke. Popullsia se Korçës dhe e rretheve të saj u trondit nga ky rrezik. Justin Godart konstatonte: “25 gusht 1919. Qarkullon lajmi se grekët do të pushtojnë Korçën. 30 gusht 1919. Në tërë vendin mbretëron llahtari. Afro 180-200 familje kanë braktisur Korçën, për të mos u gjendur nën thundrën e grekëve. Të gjorët njerëz që duan vetëm të rrojnë të lirë e në paqe në shtëpitë e tyre” [28]

Megjithatë, forcat patriotike të Korçës  u mobilizuan për mbrojtje. Në Korçë u formua një komision patriotësh prej 14 qytetarësh, i cili iu drejtua Sali Butkës me një thirrje, nëpërmjet Baba Ramadanit, kryetar i Komisionit për shpëtimin e Korçës që e emëronte atë si komandant të përgjithshëm të operacioneve luftarake.[29] Plaku i Butkës, u nis drejt Korçës nga Skrapari për në Korçë me 800 luftëtarë të Skraparit, Kolonjës, Dangëllisë, Oparit, forca të cilat u shtuan me luftëtarë nga Korça, duke arritur në 1500 vetë në Gjergjevicë, ku u vendos shtabi i luftëtarëve.       Komandanti francez i gjindarmërisë së Korçës, kapiteni Langre, i raportoi kryekomandantit të përgjithshëm në Selanik më 7 shtator 1919 mbi përgatitjet për t’ia dorëzuar Korçën ushtrisë greke, si edhe e informon:

”Sali Butka ka vendosur të ndërhyjë sapo grekët të hyjnë në zonën e asnjanësisë… Influenca e Sali Butkë, që është zot i pakundërshtueshëm i tërë krahinës deri në Shkumbin, shtrihet bile shumë më larg dhe është në gjendje të grumbullojë rreth 30.000 njerëz, duke iu drejtuar popullsisë së jugut deri në Vlorë…Atyre do t’u shtohen vullnetarët të ardhur kohët e fundit nga Amerika. Më në fund do të arrihej bashkimi midis dy grupeve të mëdha toskë e gegë. Të gjithë njerëzit e Elbasanit do të ndërhyjnë në favor të Korçës.” [30]

Nga Gjergjevica Sali Butka i dërgonte më 12 shtator 1919 komandantit të forcave franceze ultimatumin:

ULTIMATUM

Në emër të popullit shqiptar,

Sali Butka, komandant i trupave vullnetare të Lidhjes së Shqipërisë Lindore.

Zotit kryekomandant të forcave Franceze në kufijtë shqiptarë.

Në Korçë.

“Komandant,

Në padijeni të popullit francez, në padijeninë e komisionit të lartë të Konferencës së Paqes dhe kundra vullnetit tonë, diplomacia juaj, e gënjyer nga fjalët lajkatare të disa diplomatëve grekë, shqiptoi dënimin me vdekje të popullit shqiptar, duke i dorëzuar Greqisë qytetin e Korçës dhe rrethet e saj dhe ky veprim arbitrar e kriminal është pranuar me gjakftohtësi nga Franca, mbrojtësa e kombeve të shtypur, mbrojtësja e të dobëtve! Kjo Francë, për të cilën shqiptarët e Korçës dhe të rretheve të saj kanë luftuar, kanë derdhur gjakun e tyre dhe kanë fituar, u thotë sot shqiptarëve: ne do të ndihmojmë grekët që ata të vijnë qetësisht tek ju, në vatrat tuaja në Korçë, ju mos kundërshtoni, t’i lini t’ju mbysin, ne do të bëjmë sehir!

Në shpalljen e këtij lajmi të trishtueshëm, një numër i madh nacionalistësh shqiptarë kanë ardhur dhe kanë hyrë në radhët tona, nën flamurin tonë.

Shpërngulja më e madhe e popullatës tonë fatkeqe ka filluar. Familje të tëra shqiptare, pa mjete dhe të uritura, u detyruan të largohen me shpejtësi nëpër male, që t’u shmangen barbarizmave të hordhive greke, të cilat ju po i prisni.

Të shtyrë deri në ekstrem dhe duke mos mundur të durojmë më të tilla poshtërime, ne e shohim veten të detyruar t’ju paralajmërojmë të na dorëzoni qytetin e Korçës dhe rrethet e saj brenda 48 orëve, që ndjekin nga dorëzimi i këtij ultimatumi.

Duke parë se deri më sot, drejtuesit francezë të Korçës janë sjellë në mënyrë atërore karshi nesh, ne u detyrohemi atyre mirënjohje, për këtë arsye nuk do të shtiem asnjë pushkë kundra tyre. Gjithashtu nuk dëshirojmë as edhe një gjakderdhje. Megjithëkëtë, në qoftë se qyteti i Korçës dhe qarku i saj nuk do të na dorëzohen neve miqësisht dhe në rast se Shtatmadhoria Franceze ju urdhëron të na sulmoni, jo vetëm do të mbrohemi, por edhe do të sakrifikohemi deri në pikën e fundit të gjakut shqiptar për çlirimin e tokës së shenjtë të atdheut tonë të dashur, të shitur poshtërsisht nga diplomacia franceze armiqve tanë grekër.

Gjergjevicë, më 12 shtator 1919

Kryekomandanti i Trupave Vullnetare të Lidhjes së Shqipërisë Lindore

Sali Butka”[31]

Komandanti  francez i Korçës njoftoi kryekomandantin në Selanik, kryekomandanti njoftoi Parisin, Parisi sërish Selanikun dhe Selaniku komandën franceze në Korçë, e cila lajmëroi Sali Butkën në Gjergjevicë, se komanda franceze në Korçë kishte marrë urdhër të mos ua dorëzonte Korçën ushtrive greke. Korça do t’u dorëzohej forcave shqiptare.[32]

Kjo ishte një arritje e madhe e forcave kombëtare shqiptare, veçanërisht e qarkut të Korçës.

* (Kumtesë në 100-vjetorin e shpalljes së Vetëqeverimit shqiptar të Korçës)

Korçë, 9.12.2016

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

[1] A.Mouset , L’Albanie devant l’Europe, Paris 1930

[2] A Simonard “ Essai sur l’indipendance de l’Albanie”, f.241-243

[3] Gazeta “Koha” 3 maj 1914

[4] Po aty

[5] Petro Harizi, Histori kronologjike e Qarkut të Korçës, 1919

[6] Gjeneral Dekuan “Gjashtë muaj Histori të Shqipërisë”.

[7] Po aty

[8]”Po aty

[9] Historia e Shqipërisë , volum III, v.2007

[10] Petro Harizi, Historia kronografike e Korçës.

[11] Nuçi Kotta, Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë.

[12] P.Harizi, vepër e cituar

[13] Petro Harizi, po aty

[14] Historia e Shqipërisë, Tiranë 1994 dhe P.Katro

[15] Gjeneral Dekuan, Gjashtë muaj Histori të Shqipërisë

[16] Po aty

[17] Po aty

[18] Petraq Katro, Jeta dhe veprimtaria patriotike e Sali Butkës, dorëshkrim qe ruhet ne familjen Katro, Korçë

[19] P.Katro, po aty

[20] Dekuan, vepër e cituar.

[21] Po aty

[22] Protokolli I 10 dhjetorit 1916, ( P.Harizi, Historia kronografike e qarkut të Korçës. 1919)

[23] Dekuan, vepër e cituar

[24] Po aty

[25] Historia e popullit shqiptar III, Tiranë 2007

[26] Dekuan, veper e cituar

[27] N Kotta, Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë, 1946

[28] J Godart, L’Albanie en 1921, Paris.

[29] P.Katro, veper e cituar

[30] Dokumente franceze. Raport i kapiten Langre, 7 shtator 1919.

[31] P.Katro, veper e cituar

[32] Po aty

Filed Under: Histori Tagged With: roli i Sali Butkes, Uran Butka, Veteqevrimi i korces

DËSHMORË, APO KOLABORACIONISTË ?

November 28, 2016 by dgreca

A duhet të jenë Skënder Muço, Yzeir Ismaili dhe Zako Mezini dëshmorë të Atdheut dhe të nderohen  si të tillë, apo duhet të mbeten ende si kolaboracionistë?/

Butka

Nga Uran Butka/

Të trondit dhe të habit fakti, që në çdo përvjetor të çlirimit nderohen e përkujtohen vetëm brigada të Ushtrisë NÇ, ngjarje dhe luftëtarë e dëshmorë të Luftës Nacionalçlirimtare, bëhen homazhe institucionale dhe vendosen kurora dhe shkruhet vetëm për ata, por nuk përmendet asnjë luftë e faktorëve të tjerë antifashistë  apo  dëshmorët e tyre, Edhe pse kanë kaluar mëse 70 vjet nga ajo kohë lufte dhe mbi dy dekada kohë paqeje e reflektimi, përsëri mbahen po ato koncepte, vlerësime  dhe qëndrime politike dhe historiografike për luftën antifashiste, përjashtohen e baltosen si armiq, tradhtarë e kolaborcionistë faktorët e tjerë antifashistë, si edhe luftëtarët e dëshmorët nacionalistë, që luftuan dhe ranë për lirinë. Këtë punë bëjnë edhe historianët  e studiuesit e ideologjizuar e të politizuar, që i fryjnë avazit dhe urrejtjes së vjetër.Madje, çuditwrisht nuk përkujtohen as luftëtarët antifashistë të majtë, si Ymer Dëshnica, Mustafa Gjinishi, Llazar Fundo, Shefqet Beja, Gjergj Kokoshi,  Riza Dani e shumë të tjerë, që ishin pjesë e Luftës NÇ dhe luftuan për një Shqipëri të lirë dhe demokratike, ndryshe nga E.Hoxha dhe klika e tij terroriste, që luftonte vetëm për pushtet dhe që i asgjësoi ata.Nuk mund të arrihet pajtimi kombëtar, paqja e brendshme dhe uniteti kombëtar, pa të vërtetën historike dhe drejtësinë. Nga e drejta për çdonjërin, tek paqja për të gjithë.

Ekujlibri shpirtëror, për të cilën kemi aq shumë nevojë, kërkon doemos edhe rivlerësimin objektiv të historisë dhe drejtpeshim të politikës.

Një shëmbull që do të sjell, për të konfirmuar këtë shqetësim të gjerë kombëtar, njëherësh edhe si një debat historik dhe politik, është nacionalisti Skënder Muço

Lindi në Tragjas të Vlorës në vitin 1904. I ati, Dauti, luftëtar i Pavarësisë dhe daja, Alem Tragjasi, pjesëmarrës në ngritjen e flamurit më 192 dhe në luftën e Vlorës më 1920, lanë gjurmë te Skënderi i vogël. Shkollën e ulët e kreu në Shënmitër në Korone të Kalabrisë, ndërsa fakultetin e drejtësisë në Universitetin e Bolonjës – “Skënder Muço punon shumë në Itali për çështjen shqiptare” – shkruante  Halim Xhexho Tërbaçi.  U kthye në atdhe dhe punoi si avokat. U arrestua më 1932 si pjesëtar i organizatës politike “Lëvizja e Vlorës” dhe u dënua me vdekje. Falë presionit të opinionit publik dhe vetëmbrojtjes së shkëlqyer, iu fal jeta. Megjithatë mbeti kundërshtar i Zogut dhe i monarkisë. Më 7 prill 1939 mori pjesë në demonstratat antifashiste organizuar në Vlorë kundër pushtimit italian. Më pas mori pjesë në rezistencën shqiptare në anën e Ballit Kombëtar, duke qënë anëtar i KQ. Thirrjes për bashkim pa dallim feje, ideje e krahine iu përgjigj pozitivisht dhe mori pjesë në Konferencën e Pezës si person, me mendime të ndryshme nga E.Hoxha. Ishte anëtar i delegacionit të Ballit Kombëtar në Konferencën e Mukjes dhe ndihmësoi na arritjen e marrëveshjes historike të Mukjes ndërmjet Ballit Kombëtar dhe Nacionalçlirimtares. Në fund të nëntorit 1942 Hysni Lepenica dhe Skënder Muço formuan çetën e parë nacionaliste të Vlorës me emrin “Shqiponja”,. Në krye të saj ai mori pjesë në shumë luftra kundër pushtuesve fashisteë e nazistë, siç në Gjorm, Dukat,  Qafën e Dushkut, Logara, Grehot,  Selenicë, Greshicë, Drashovicë, etj.

Skëder Muço ishte misionar i bashkimit. Ai ka marrë pjesë në disa takime në rrethin e Vlorës me përfaqësuesit e Nacionalçlirimtares. Frymëzoi  e drejtoi disa beteja të përbashkëta  kundër pushtuesve. Më datën 9 shtator 1943 çeta “Shqiponja” hyri në Gjirokastrën e çliruar. Po botojmë me këtë rast letrën e Skënder Muços drejtuar komandës (shtabit) të forcave partizane në Cepunë, afër Gjirokastrës.

Shqipëri e lirë, datë 12.9.1943

Organizatës Nacionalçlirimtare

Cepunë

  1. Gjirokastra është në duart tona. Kemi mbetur të rezervuar për të marrë vendime të rëndësishme në lidhje me situatën që u krijua, sepse kemi pritur bashkëpunimin tuaj. Përsa i përket luftës, këtë e vazhdojmë dhe do ta vazhdojmë përderisa të lirohet krejtësisht vendi ynë. Aq e vërtetë është, sa edhe pardje kemi pasur një ndeshje më armë më fuqitë gjermane në të cilën kanë mbetur të vrarë tre gjermanë dhe një i plagosur. Nga ana jonë mbeti vetëm një i plagosur.
  2. Kundër okupatorit italian ne jemi hedhur në luftë me kohë dhe është kot të bëjmë sot polemika të parëndësishme. Të gjitha forcat tona kanë marrë urdhër që t’u bien gjermanëve.
  3. Qëndrimi armiqësor kundra okupatorit konstatohet veçse me vepra; në këtë çështje jemi kategorikë dhe e dimë se, duke vepruar kështu, mbrojmë interesat e Atdheut.
  4. Duhet të dini se ne kemi shpirtin e drejtësisë shumë të lartë, nuk pranojmë të na bëhen akuza si organizatë; kush të ketë kryer krime, ka për të dhënë llogari. Porsa i përket tradhtarit Nexho Bejleri dhe të tjerëve si ky, kjo është çështje e brendshme e Partisë, megjithatë këta janë ndëshkuar si të tillë dhe do marrin ç’ka meritojnë.
  5. Askush nuk ju ka mohuar të drejtën që kini luftuar për atdheun e përbashkët dhe ftesa që iu bë nga ana jonë (më 11.9.1943) ka kuptimin e saj në këtë drejtim. Veçanërisht nga kjo ne kemi hyrë në marrëveshje me organizatën tuaj në Mukje dhe jo me ndonjë parti tjetër. Nëse organizatës suaj i është atribuuar ndonjë frymë tjetër politike, nuk është faji ynë. Megjithatë, posa na u njoftua që bëni luftë për të çliruar atdheun e përbashkët, muarmë kaq dhe u kënaqëm. Me organizatën tuaj kemi pasur bisedime gjithmonë dhe dëshirojmë që së këndejmi t’i bëjmë gjërat edhe më të mira.
  6. Shqipëria është një nga shtetet që njihen si aleatë dhe aleanca jonë me kombet e mëdhenj – Amerikë, Angli, Bashkimi Sovjetik – është një fat për Shqipërinë. Ne njohëm me kënaqësi aleancën me demokracive dhe dëshirojmë që veprimet tona politike të marrin nisjen e tyre në harmoni më politikën që do të vazhdojnë Aleatët tanë të mëdhenj.
  7. Koha ngut, presim të marrin nisjen e tyre në harmoni me politikën që do të vazhdojnë Aleatët tanë të mëdhenj. Koha ngut, presim të marrim kontakt sa më parë me ju.

Rroftë Shqipëria!

Për organizatën e Ballit Kombëtar

Avokat Skënder Muço (AQSH, F.222 d.6. v1943)

Skënder Muço në thelb ishte një socialdemokrat perëndimor. Bashkë më Musine Kokalarin  themeluan  Partinë Socialdemokrate shqiptare dhe botuan në disa  numra edhe gazetën “Zëri i Lirisë”, organ i kësaj partie, si një alternativë e Ballit Kombëtar, që kishte një program socialdemokrat (Dekalogu).

Skënder Muço  ishte koordinator i Ballit Kombëtar me Aleatët e mëdhenj Antifashistë, sidomos me misionin anglez të Anton Ruejlit dhe me misionin amerikan të Togerit amerikan Tomas. Në një letër të Nako Spirut drejtuar E.Hoxhës dhe M.Popoviçit më 9 prill 1944, shkruhet: “Skëndër Muçon e kërkojnë gjermanët, pse në Dukat mban njerëzit e tij anglezë”(AQSH f.14 d.9 v.1944). Oficeri amerikan Tomas thotë se S.Muço ka ndihmuar dy oficerë anglezë dhe për këtë arsye e kanë pushkatuar gjermanët. (AQSH, F.14 d.16 v.1944)

Më 10 gusht 1944, kur nacionalistët Skënder Muço, Yzeir Ismaili dhe Zako Mezini po ktheheshin për në Vlorë, pas takimit me misionin  britanik, u kapën nga gjermanët, që i kërkonin vend më vend dhe, në mesnatën e 10 gushtit 1944, i pushkatuan në fshatin Bubullimë të Lushnjës.

A duhet të jenë Skënder Muço, Yzeir Ismaili dhe Zako Mezini dëshmorë Atdheut dhe të nderohen  si të tillë, apo duhet të mbeten ende si kolaboracionistë?

Filed Under: Politike Tagged With: apo, DËSHMORË, KOLABORACIONISTË ?, Uran Butka

ATDHETARI DHE HUMANISTI MUHAMET MALO

October 9, 2016 by dgreca

 

????????????????????????????????????
Muhamet MALO

1-uran-butko

Nga Uran Butka/Para disa ditësh, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, vlerësoi me “Çmimin për arritje gjatë jetës” shqiptarin Muhamet Malo :“Me vlerësimin mirënjohës për korporatën për shqerbimin kombëtar dhe komunitar si edhe nderimin nga zyra e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, i nderuari Muhamet Malo merr çmimin e Presidentit për arritjet gjatë jetës për angazhimin e tij gjatë gjithë jetës për të ndërtuar një vend më të fuqishëm me anë të shërbimit komunitar”- Presidenti Barack Obama-2016/

Ky vlerësim i i lartë vjen nga Presidenti i vendit më të fuqishëm dhe më demokratik në botë, Barak Obama, i cili nderon veprimtarinë e një qytetari shqiptar, Muhamet Malo, gjë që është njëherësh dhe vlerësim e nder për Shqipërinë.Presidenti Obama çmon arritjet e z. Muhamet Malo gjatë jetës së tij në interesin Kombëtar, angazhimet e tij për të ndërtuar një vend më të fuqishëm dhe shërbimet vullnetare ndaj komunitetit. Tri vlera dhe tri fusha të rëndësishme të veprimtarisë së zotit Muhamet Malo.

I pari është interesi Kombëtar.

Muhameti është një atdhetar i spikatur. Ai rrjedh prej një familjeje patriote kolonjare nga Skorovoti. Nëna e tij vjen nga trungu i familjes Aliçka, që e ka burimin nga Frashëri. I ati, Seferi, atdhetar dhe burrë i mençur, e ushqeu të birin me idetë e Rilindësve, por edhe me traditat e shquara të Kolonjës, me këngët e Qani Ypit, të Sali Butkës e të Gani Butkës, që i këndonte me shpirt e me lotë në sy.

I mbrujtur me këto veti e ndjesi, Muhameti, si një biznesmen i suksesshëm, pronar dhe president i teleferikut të Tiranës “Dajti ekspres” dhe i kompanive “Euroloto” dhe “Telesport”, ndihmësoi fuqishëm financiarisht, së pari ato vepra e veprimtari të karakterit kombëtar e kulturor, siç janë: Festivali i filmit për të Drejtat e Njeriut, filmin dokumentar për Dr.Jani Bashon, albumet për Tiranën, Bylisin, shtatoren e Sali Butkës me rastin e 100-vjetorit të Republikës Shqiptare të Korçës, filmin e Hollivudit për periudhën e tranzicionit shqiptar, emisionet televizive: “Ethet e së premtes” në të gjitha edicionet, po ashtu ansamblet “Dardania” dhe “Jehona shqiptare”, spektaklet Mis Shqipëria etj, ndihmesën për vënien në skenë të dramës “Ali Pashë Tepelena”, si edhe botimet : “Pavarësia”, “Kosova e lirë”, “Gjuha shqipe-gjuhë kozmike”, “Prapaskenat e Konferencës së Londrës”, “Shqiptarët dhe grekët”, “Kush e vrau Amerikën”, “Ikja e madhe”, “Ditarët”, “Përmeti dhe pavarësia”, “Rëmbimi i Europës”, “Arkeologjia shqiptare”, “Dodona”, “Portrete njerëzorë” e dhjetra botime me përmbajtje kombëtare, por edhe në fusha të tjera.

Ai ka përballuar gjithë shpenzimet për ardhjen dhe akomodimin e familjes Mbretërore në Shqipëri, ndonëse nuk është monarkist apo legalist. Është thjesht shqiptar. Kur Mbretëresha Geraldina u sëmur rëndë, Muhameti mori përsipër gjithë shpenzimet dhe e nisi atë me çarter në Francë për t’u mjekuar në spitalin e nipit të saj në Paris, duke paguar 24.000 euro. Pra, atë që nuk e bëri  djali i motrës së Mbretëreshës Geraldina, e bëri humanisti Muhamet Malo. Kur u kthye në Tiranë e shëruar Mbretëresha Geraldina, Mbreti Leka I, u përul dhe i puthi duart shpëtimtarit Muhamet Malo. Një gjë tepër e rrallë: Mbreti i puth dorën një shtetasi të devotshëm!

Ai ka sponsorizuar pa hesap kineastë, shkrimtarë, aktorë, gazetarë, botues, regjisorë, këngëtarë, studentë për projektet e tyre, sportistë të shquar e të tjerë, me përjashtimin tim, ngaqë nuk kam dashur dhe nuk kërkuar kurrë asgjë për botimet dhe veprimtaritë e mia.

Motoja e bamirësit Muhamet Malos është: “Pasuria shtohet, kur e ndan”.

Ndjeshmëria dhe kujdesi i mirëbërësit Malo është drejtuar dhe drejtohet kurdoherë ndaj njerëzve në nevojë: Ai ka ndihmuar dhe ndihmon Fondacionin e Autizmit, Institutin e Integrimit të fëmijëve Jetimë, si edhe çdo njeri, të njohur e të panjohur që ka një hall, që ka një nevojë dhe troket. Madje edhe lypësit, të cilët nuk i lë kurrë duarbosh. Bie fjala, kompletoi tërësisht shtëpinë e një njeriu në nevojë, Pëllumb Patrioti, që pati fatkeqësi familjare dhe nisi të lypte për të mbajtur fëmijët, ndërkohë që e hoqi nga rruga, e punësoi, duke i lidhur një rrogë mujore prej 30.000 lekësh të reja.

Ideja dhe prirja e Muhametit është puna. Ai thotë shpesh: “Vetëm puna të shpëton nga varfëria, ajo të jep dinjitet dhe shpresë. Vetëm puna e ndershme të bën të pasur dhe njëkohësisht të vlefshëm edhe për të tjerët, edhe për vendin tënd. Njeriu, ashtu siç kujdeset  për familjen e vet, duhet të kujdeset  edhe për komunitetin dhe shoqërinë, sepse kështu merr kuptim jeta jote, por edhe jeta e të tjerëve”.

Të paçmuara janë ndihmesat e Muhametit në fushë të shëndetit, për sponsorizime të konsiderueshme të operacioneve jashtë shtetit të njerëzve në nevojë. Le të përmendim zotërinjtë Arian Bakiri, Kastriot Fejzo, Viktor Babameto, Sotiraq Kule, që u operuan  në Itali dhe të gjitha shpenzimet u mbuluan nga Z.Muhamet. Po ashtu u mbështet financiarisht edhe Blerina nga Pogradeci, për një ndërhyrje urgjente në kokë, Rexhep Çeliku për një ndërhyrje në mëlçi, Edi Taullau për një aksident   e të tjerë.

E pyes: “ Ç’ndien, kur ndihmon një njeri, apo kur shpëton një jetë?” Ai shprehet me thjeshtësi: “Ndiej kënaqësinë më të madhe, që mund të ekzistojë brenda vetes sime. Atëherë jam vetvetja”.

Për Muhametin harmonia mes besimeve fetare dhe mirëshkuarja mes shqiptarëve me besime të ndryshme, është një nga vlerat e mëdha të kombit tonë. “I pari është shqiptarizmi , që lidhet me ekzistencën tonë si komb dhe si shtet, – thotë ai, – mandej  kultura, pjesë e së cilës është edhe feja, që ka qënë gjithmonë e shkrirë me përkushtimin kombëtar shqiptar”.

Ndaj edhe Muhameti ka sponsorizuar për institucionet e kultit, veçanërisht për ngritjen e Odeonit të Kryegjyshatës Botërore të Bektashizmit.

Të pafundme janë sponsorizimet e tij sidomos në sport. Ai ka shpërblyer kampionët: në mundje, Elis Gurin, në shtangë Arkan Qerimin dhe Ilir Sulin etj, si edhe sportistët më të mirë të të gjitha kohërave. Madje, Medaljen e Meritës për 25 sportistët më të mirë, e shoqëroi me afërsisht nga 1000 euro për secilin prej tyre. Ndërkohë sponsorizoi ardhjen nga SHBA në tokën mëmë të trupit të Aleksandër Kongos, i arratisur nga Shqipëria në vitin 1987 dhe i vrarë në SHBA nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar.

Kur e pyes se cili  është motivi që të shtyn të bëjë bamirësi, ai thotë çiltërsisht: “Për derisa Zoti ma ka dhënë dhuntinë për të bërë mirë dhe për të ndihmuar njerëzit në nevojë, unë kam ndihmuar dhe do të ndihmoj deri sa të kem jetë”.

Për kontributet e tij z.Muhamet Malo është vlerësuar nga institucione të rëndësishme shtetërore dhe private. Ndër dhjetra dekorime, mund të përmendim:

“Doktor Honoris Causa”- çmim për paqe, prosperitet dhe sporte, dhënë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) viti 2004.

Medalja “Për merita të veçanta civile” nga President ii Republikës Z.Bujar Nishani, viti 1916.

“Lidershipi më i mirë në biznes” dhënë nga Misioni Diplomatik i OKB në Shqipëri.          Medalja “Përfaqësues dinjitoz i biznesit shqiptar për kontributin e shquar në ndihmë të njerëzve në nevojë”

Medalja “Mirënjohje për ndjeshmëri të thellë ndaj personave të verbër”

Medalja “Mirënjohje nga Lidhja e pensionistëve të Shqipërisë.

Medalje dhe mirënjohje për sportistët më të mirë të vitit, për sportistët me aftësi të kufizuar.

“Ambasador i Paqes”  të Misionit Diplomatik  për Shqipërinë.

Një shëmbull i bukur, që frymëzon dhe ndihmon në Shqipërinë tonë  në nevojë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Humanisti, Muhamet Malo, Uran Butka

DËSHMORËT E GREHOTIT

September 22, 2016 by dgreca

NGA URAN BUTKA/

Data e 14 shtatorit 1943, është një ditë e shënuar në historinë e Luftës Antifashiste të popullit tonë, kur ranë në luftën për çlirim nga pushtuesit italianë 37 luftëtarë nacionalistë të Ballit Kombëtar me në krye komandantin Hysni Lepenica. Kjo ditë e vlerësuar si Dita e Dëshmorëve nacionalistë, dëshmon për pjesëmarrjen, kontributin dhe flijimin e forcave nacionaliste në luftën kundër pushtuesve nazifashistë, një luftë e mohuar dhe e tjetërsuar nga regjimi komunist dhe historiografia komuniste, por që është vlerësuar me  shpalljen Dëshmorë të Atdheut të 37 komandantëve dhe luftëtarëve ballistë të rënë për atdhe, me rastin e 50 vjetorit të vrasjes së tyre në Grehot.

Grehoti është vatra ku ndeshet lufta për liri me intrigën e pushtuesve fashistë, shqiptarizmi me pabesinë komuniste, e vërteta me falsifikimin gjysmëshekullor.

Lufta dhe sakrifica e martirëve të Grehotit lidhet në radhë të parë me emrin e Hysni lepenicës, këtij burri të madh të Shqipërisë.

I ushqyer me patriotizëm në familjen Lepenica dhe në trevën e Lumit të Vlorës, i frymëzuar nga idetë e Rilindasve dhe në mënyrë të veçantë nga mëmëdhetarizmi i arbëreshëve të Shën Mitër koronës, ku ai kreu shkollën për mësues, djaloshi Lepenica eci në udhën e tyre, sidomos të xhaxhait atdhetar Ahmet Lepenica, por, në kohë të tjera, shkeli edhe në rrugë të reja. Ndonëse u pushua nga puna si mësues prej autoriteteve pushtuese italiane, ai nuk e ndali hovin patriotik. Mori pjesë në Luftën për çlirimin e Vlorës të vitit 1920, mandej, pas krijimit dhe njohjes së shtetit shqiptar, shërbeu si oficer i gjindarmarisë shqiptare në Vlorë e Gjirokastër. Demokrat i spikatur, bashkëpunoi me Avni Rustemin në shoqërinë “Bashkimi”. Vrasja e Avni Rustemit e vendosi Lepenicën në mesin e forcave kryengritëse të qershorit 1924. Ai mbështeti qeverinë demokratike të Nolit dhe, pas ”Triumfit të Legalitetit” të dhjetorit 1924, ai emigroi nga Shqipëria. I amnistuar, u kthye në vitin 1927 dhe së bashku me Hasan Dostin, Skënder Muçon, Bilal Golemin etj veproi në organizatën e fshehtë kundërmonarkiste “Lëvizja e Vlorës” e cila u dekonspirua dhe veprimtarët e saj republikanë u arrestuan dhe u dënuan me vdekje: Hysni Lepenica, Muharrem Hamzaraj, Qazim Kokoshi, Skënder Muço,Beqir Sulo, Murat Tërbaçi, Tare Libohova. Protestat bënë që vendimi me vdekje t’u kthehej në burgim të përjetshëm.

H.Lepenica mbeti në burg deri në vitin 1938. I priti me armë në dorë pushtuesit italianë në Vlorë më 7 prill 1939 dhe organizoi qëndresën dhe demonstratat antiitaliane në qarkun e Vlorës. Në Himarë organizoi vrasjen e togerit Italian Moreti dhe u hodh në ilegalitet.

Abaz Ermenji shkruante: “Unë, Safet Butka dhe Hysni Lepenica krijuan në vitin 1942 çetat e para të Ballit Kombëtar kundër pushtimit Italian”

H.Lepenica formoi çetën nacionaliste Shqiponja” në qarkune Vlorës, një nga çetat e para antifashiste në Shqipëri. Komisari i saj politik ishte avokat Skëndër Muço, bashkëpuntori më i ngushtë i Lepenicës dhe anëtar i KQ të Ballit Kombëtar.

Kulmi i veprimtarive luftarake të Hysni Lepenicës është beteja e Gjormit, 30 dhjetor 1942-2 janar 1943 kundër italianëve, ku morën pjesë1600 luftëtarë nga Mesapliku, Sevasteri, Dukati, Gjormi etj, si edhe çeta partizane “Plakë” e Vlorës me komandant Neki Ymeraj, që përballuan sulmin e ushtrisë italiane prej mëse 2000 ushtarësh të komanduar nga koloneli Franko Klementi, në kuadrin e një operacioni spastrimi, në të cilin merrnin pjesë përkrah pushtuesve italianë edhe forcat mercenare kolaboracioniste të Halil Alisë dhe Selim Kaloshit, me urdhër të kryeministrit Mustafa Kruja nr.107/5 dat 17.12 1942.

Në këtë betejë, që vazhdoi pesë ditë, u vra edhe komandanti italian Klementi me rreth 180 ushtarë italianë, ndërsa ranë në fushën e luftës 6 luftëtarë dhe 4 të plagosur nga të dy grupimet kryesore të rezistencës antifashiste shqiptare.

Kjo betejë e përbashkët, e komanduar nga Hysni Lepenica, u tjetërsua nga politika dhe historiografia komuniste. Në dhjetë faqet që ajo zë në botimin “Historia e Luftës NÇ” e vitit 1975, nuk përmendet farë emri i Hysni Lepenicës, si edhe i forcave luftarake të Ballit Kombëtar. Aty thuhet shprehimisht: “Një qëndresë të tillë u përpoqën ta sabotonin H.Lepenica  dhe S.Muço me shokë, ndërsa veprimet luftarake i drejtonin drejtpërdrejt shokët Hysni Kapo dhe Mehmet Shehu”.

Ky falsifikim u rrëzua nga dokumentët që u gjendën në Arkivin e Shtetit dhe që u botuan prej meje në vitin 1993.

H.Lepenica dhe S.Muco, jo vetëm në këtë betejë të përbashkët kundër italianëve, por edhe përgjatë vitit 1943 u përpoqën të bashkëpunonin me forcat partizane, ata negociuan me drejtuesit e lëvizjes NÇ dhe bënë edhe marrëveshje për luftë të përbashkët kundër pushtuesve si në Shkozë, Dushkarak, Mesaplik, Gjorm etj, ndonëse drejtuesit komuniste se E.Hoxha, H Kapo, M.Shehu i sabotuan dhe i shkelën këto marrëveshje.

  1. Lepenica dhe Skënder Muço morën pjesë si delegatë të Ballit Kombëtar në Kuvendin e Mukjes, 2-4 gusht 1943 dhe nënshkruan marrëveshjen me delegatët e Nacionalçlirimtares për një luftë të përbashkët antifashiste nën drejtimin e Komitetin për Shpëtimin e Shqipërisë si edhe për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe etnike. Fjala e H. Lepenicës ne këtë kuvend kombëtar është lapidare: “ Ne delegatët e ballit Kombëtar kemi ardhur vetëm për të gjetur rrugët dhe për të arritur një bashkëpunim me frontin N. Ç në luftë kundër okupatorëve. Po pyes: ç’na ndan në? A mos vallë, përveç qëllimit të përbashkët na pengojnë emrat që mbajmë? A nuk kuptohet që front N. Ç, i përkthyer në shqip do të thotë Ball Kombëtar? Atëherë kur është kështu, ç’na mbetet për të rënë dakord që të bashkohemi në këtë luftë?”

Në  Mukje, H. Lepenica u emërua komandat i përgjithshëm i fuqive të Ballit Kombëtar për Jugun. Më 9 shtator H. Lepenica dhe S. Muço, në krye të çetës “Shqiponja” hynë në Gjirokastër, liruan të gjithë të burgosurit dhe iu drejtuan me një letër shtabit N. Ç. në Cepunë, duke i ftuar drejtusit  e tij, që edhe ata të vinin në Gjirokastër dhe ta qeverisnin bashkërisht qytetin:

\

“ Ju njoftojmë se Gjirokastra është në duart e shqiptarëve. Qysh pardje kemi kërkuar  të viheshim në kontakt  me ju për të bashkëpunuar dhe kordinuar veprimet. Ju ftojmë që sa më parë të delegoni përfaqësuesit tuaj për këtë qëllim. Çasti është kritik, nuk lypset t’i shmangemi detyrës që na imponojnë rrethanat e luftës kundër okupatorit të ri, intereasat e larta  të kombit dhe ato të demokravcisë shqiptare. Në qoftë se nuk i përgjigjeni kësaj thirrjeje të sinqertë nga ana jonë, me hovin që imponohet nga rasti, na duket se merrni një përgjegjsi të rëndë përpara popullit.

Me prurësin presim një përgjigje të shpejtë.

Komandanti i Përgjithshëm i Fuqive të B.K të Jugut

Hysni Lepenica

Anëtari i Këshillit të Qendrës së BK

Av. Skënder Muço “

 

Kjo letër dëshmon për tolerancën dhe dialogun dhe bashkëpunimin që kërkonte të arrinte H.Lepenicca me përfaqësuesit e Frontit Nacionalçlirimtar në luftën për çlirim, Por udhëheqësit komunistë me në krye Bedri Spahiun iu përgjigjen negativisht thirrjes për bashkëpunim, ndërsa Enver Hoxha, në Qarkoren që i drejtonte Komitetit Krahinor te Partise Komuniste të Gjirokastrës jep urdhrin që të mos e ndajnë pushtetin me nacionalistët, por t’u vënë pushkët atyre. Kështu filloi edhe lufta civile në Gjirokastër, Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë, luftë e brendshme vëllavrasëse, e urdhëruar nga Partia Komuniste dhe E.Hoxha dhe e nxitur nga emisarët jugosllavë.

Fundi i veprimtarisë atdhetare dhe luftarake të Hysni Lepenicës është lufta e Grehotit. Çetat e Ballit Kombëtar të komanduara nga Hysni Lepenica u goditën papritur nga ushtarët italianë në Grehot më 14 shtator 1943, tek kishin shkuar për të marrë në dorëzim armët dhe për t’i përcjellë italianët e kapitulluar të Divizionit “Peruxhia” në Gjirokastër deri në bregdet, sipas marrëveshjes, që kishin arritur më parë. Atje ranë në pritë dhe u vranë duke luftuar 36 luftëtarë ballistë me gjithë komandantin e tyre Hysni Lepenica. Nxitje për këtë masakër u bënë edhe krerët e LNÇ Bedri Spahiu, Shefqet Peçi etj, që ndodheshin në zyrën e gjeneralit italian të divizionit “Peruxhia” në kazermat e Grehotit.Komanda italiane hapi zjarr pa asnjë paralajmërim në drejtim të Hysni Lepenicës dhe forcave të tij, sipas skenarit të krerëve komunistë.

Në Grehotin e pambrojtur, kryekomandanti H.Lepenica dhe luftëtarët e tij luftuan trimërisht dhe ranë dëshmorë për Shqipërinë , ndër ta: Sefer Imeraj, Hasan Xhaferri, Nano Gjoni,i biri i tij, Hasan Gjoni, Mehmet Koka, Izet Ruka, Shazivar Karabina, Abaz Dauti, Neki Mahmutaj,Sherif Buhuci, Bilal Bilaj, Ali Sheme, Agim Cane, Agim Selfo, Hamza Tola, Ibrahim Graca  e të tjerë.

Filed Under: Opinion Tagged With: deshmoret, E GREHOTIT, Uran Butka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 14
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT