Nga Uran Butka/Para disa ditësh, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, vlerësoi me “Çmimin për arritje gjatë jetës” shqiptarin Muhamet Malo :“Me vlerësimin mirënjohës për korporatën për shqerbimin kombëtar dhe komunitar si edhe nderimin nga zyra e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, i nderuari Muhamet Malo merr çmimin e Presidentit për arritjet gjatë jetës për angazhimin e tij gjatë gjithë jetës për të ndërtuar një vend më të fuqishëm me anë të shërbimit komunitar”- Presidenti Barack Obama-2016/
Ky vlerësim i i lartë vjen nga Presidenti i vendit më të fuqishëm dhe më demokratik në botë, Barak Obama, i cili nderon veprimtarinë e një qytetari shqiptar, Muhamet Malo, gjë që është njëherësh dhe vlerësim e nder për Shqipërinë.Presidenti Obama çmon arritjet e z. Muhamet Malo gjatë jetës së tij në interesin Kombëtar, angazhimet e tij për të ndërtuar një vend më të fuqishëm dhe shërbimet vullnetare ndaj komunitetit. Tri vlera dhe tri fusha të rëndësishme të veprimtarisë së zotit Muhamet Malo.
I pari është interesi Kombëtar.
Muhameti është një atdhetar i spikatur. Ai rrjedh prej një familjeje patriote kolonjare nga Skorovoti. Nëna e tij vjen nga trungu i familjes Aliçka, që e ka burimin nga Frashëri. I ati, Seferi, atdhetar dhe burrë i mençur, e ushqeu të birin me idetë e Rilindësve, por edhe me traditat e shquara të Kolonjës, me këngët e Qani Ypit, të Sali Butkës e të Gani Butkës, që i këndonte me shpirt e me lotë në sy.
I mbrujtur me këto veti e ndjesi, Muhameti, si një biznesmen i suksesshëm, pronar dhe president i teleferikut të Tiranës “Dajti ekspres” dhe i kompanive “Euroloto” dhe “Telesport”, ndihmësoi fuqishëm financiarisht, së pari ato vepra e veprimtari të karakterit kombëtar e kulturor, siç janë: Festivali i filmit për të Drejtat e Njeriut, filmin dokumentar për Dr.Jani Bashon, albumet për Tiranën, Bylisin, shtatoren e Sali Butkës me rastin e 100-vjetorit të Republikës Shqiptare të Korçës, filmin e Hollivudit për periudhën e tranzicionit shqiptar, emisionet televizive: “Ethet e së premtes” në të gjitha edicionet, po ashtu ansamblet “Dardania” dhe “Jehona shqiptare”, spektaklet Mis Shqipëria etj, ndihmesën për vënien në skenë të dramës “Ali Pashë Tepelena”, si edhe botimet : “Pavarësia”, “Kosova e lirë”, “Gjuha shqipe-gjuhë kozmike”, “Prapaskenat e Konferencës së Londrës”, “Shqiptarët dhe grekët”, “Kush e vrau Amerikën”, “Ikja e madhe”, “Ditarët”, “Përmeti dhe pavarësia”, “Rëmbimi i Europës”, “Arkeologjia shqiptare”, “Dodona”, “Portrete njerëzorë” e dhjetra botime me përmbajtje kombëtare, por edhe në fusha të tjera.
Ai ka përballuar gjithë shpenzimet për ardhjen dhe akomodimin e familjes Mbretërore në Shqipëri, ndonëse nuk është monarkist apo legalist. Është thjesht shqiptar. Kur Mbretëresha Geraldina u sëmur rëndë, Muhameti mori përsipër gjithë shpenzimet dhe e nisi atë me çarter në Francë për t’u mjekuar në spitalin e nipit të saj në Paris, duke paguar 24.000 euro. Pra, atë që nuk e bëri djali i motrës së Mbretëreshës Geraldina, e bëri humanisti Muhamet Malo. Kur u kthye në Tiranë e shëruar Mbretëresha Geraldina, Mbreti Leka I, u përul dhe i puthi duart shpëtimtarit Muhamet Malo. Një gjë tepër e rrallë: Mbreti i puth dorën një shtetasi të devotshëm!
Ai ka sponsorizuar pa hesap kineastë, shkrimtarë, aktorë, gazetarë, botues, regjisorë, këngëtarë, studentë për projektet e tyre, sportistë të shquar e të tjerë, me përjashtimin tim, ngaqë nuk kam dashur dhe nuk kërkuar kurrë asgjë për botimet dhe veprimtaritë e mia.
Motoja e bamirësit Muhamet Malos është: “Pasuria shtohet, kur e ndan”.
Ndjeshmëria dhe kujdesi i mirëbërësit Malo është drejtuar dhe drejtohet kurdoherë ndaj njerëzve në nevojë: Ai ka ndihmuar dhe ndihmon Fondacionin e Autizmit, Institutin e Integrimit të fëmijëve Jetimë, si edhe çdo njeri, të njohur e të panjohur që ka një hall, që ka një nevojë dhe troket. Madje edhe lypësit, të cilët nuk i lë kurrë duarbosh. Bie fjala, kompletoi tërësisht shtëpinë e një njeriu në nevojë, Pëllumb Patrioti, që pati fatkeqësi familjare dhe nisi të lypte për të mbajtur fëmijët, ndërkohë që e hoqi nga rruga, e punësoi, duke i lidhur një rrogë mujore prej 30.000 lekësh të reja.
Ideja dhe prirja e Muhametit është puna. Ai thotë shpesh: “Vetëm puna të shpëton nga varfëria, ajo të jep dinjitet dhe shpresë. Vetëm puna e ndershme të bën të pasur dhe njëkohësisht të vlefshëm edhe për të tjerët, edhe për vendin tënd. Njeriu, ashtu siç kujdeset për familjen e vet, duhet të kujdeset edhe për komunitetin dhe shoqërinë, sepse kështu merr kuptim jeta jote, por edhe jeta e të tjerëve”.
Të paçmuara janë ndihmesat e Muhametit në fushë të shëndetit, për sponsorizime të konsiderueshme të operacioneve jashtë shtetit të njerëzve në nevojë. Le të përmendim zotërinjtë Arian Bakiri, Kastriot Fejzo, Viktor Babameto, Sotiraq Kule, që u operuan në Itali dhe të gjitha shpenzimet u mbuluan nga Z.Muhamet. Po ashtu u mbështet financiarisht edhe Blerina nga Pogradeci, për një ndërhyrje urgjente në kokë, Rexhep Çeliku për një ndërhyrje në mëlçi, Edi Taullau për një aksident e të tjerë.
E pyes: “ Ç’ndien, kur ndihmon një njeri, apo kur shpëton një jetë?” Ai shprehet me thjeshtësi: “Ndiej kënaqësinë më të madhe, që mund të ekzistojë brenda vetes sime. Atëherë jam vetvetja”.
Për Muhametin harmonia mes besimeve fetare dhe mirëshkuarja mes shqiptarëve me besime të ndryshme, është një nga vlerat e mëdha të kombit tonë. “I pari është shqiptarizmi , që lidhet me ekzistencën tonë si komb dhe si shtet, – thotë ai, – mandej kultura, pjesë e së cilës është edhe feja, që ka qënë gjithmonë e shkrirë me përkushtimin kombëtar shqiptar”.
Ndaj edhe Muhameti ka sponsorizuar për institucionet e kultit, veçanërisht për ngritjen e Odeonit të Kryegjyshatës Botërore të Bektashizmit.
Të pafundme janë sponsorizimet e tij sidomos në sport. Ai ka shpërblyer kampionët: në mundje, Elis Gurin, në shtangë Arkan Qerimin dhe Ilir Sulin etj, si edhe sportistët më të mirë të të gjitha kohërave. Madje, Medaljen e Meritës për 25 sportistët më të mirë, e shoqëroi me afërsisht nga 1000 euro për secilin prej tyre. Ndërkohë sponsorizoi ardhjen nga SHBA në tokën mëmë të trupit të Aleksandër Kongos, i arratisur nga Shqipëria në vitin 1987 dhe i vrarë në SHBA nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar.
Kur e pyes se cili është motivi që të shtyn të bëjë bamirësi, ai thotë çiltërsisht: “Për derisa Zoti ma ka dhënë dhuntinë për të bërë mirë dhe për të ndihmuar njerëzit në nevojë, unë kam ndihmuar dhe do të ndihmoj deri sa të kem jetë”.
Për kontributet e tij z.Muhamet Malo është vlerësuar nga institucione të rëndësishme shtetërore dhe private. Ndër dhjetra dekorime, mund të përmendim:
“Doktor Honoris Causa”- çmim për paqe, prosperitet dhe sporte, dhënë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) viti 2004.
Medalja “Për merita të veçanta civile” nga President ii Republikës Z.Bujar Nishani, viti 1916.
“Lidershipi më i mirë në biznes” dhënë nga Misioni Diplomatik i OKB në Shqipëri. Medalja “Përfaqësues dinjitoz i biznesit shqiptar për kontributin e shquar në ndihmë të njerëzve në nevojë”
Medalja “Mirënjohje për ndjeshmëri të thellë ndaj personave të verbër”
Medalja “Mirënjohje nga Lidhja e pensionistëve të Shqipërisë.
Medalje dhe mirënjohje për sportistët më të mirë të vitit, për sportistët me aftësi të kufizuar.
“Ambasador i Paqes” të Misionit Diplomatik për Shqipërinë.
Një shëmbull i bukur, që frymëzon dhe ndihmon në Shqipërinë tonë në nevojë.