• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZILIA DHE URREJTJA – TIPARE TË SHQIPTARËVE TË POLITIZUAR

October 12, 2020 by dgreca

ZILIA DHE URREJTJA – TIPARE TË SHQIPTARËVETË POLITIZUAR, DUHEN SHËRUAR SA MË SHPEJT-

Ese nga Thanas L. Gjika-Ne shqiptarët midis popujve europianë jemi dalluar për disa veti të mira të ngjizura gjatë shekujve si trimëria, guximi, mikpritja, mbajtja e fjalës së dhënë, mëshirimi i të dobëtit, dhënia e ndihmës ndaj atij që ka nevojë, dashuria për dije dhe liri, etj. Mishërimi i të tilla vetive bëri që gjatë shekujve të delnin prej popullit tonë burra trima si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Mic Sokoli, Çerçiz Topulli, dijetarë si Pjetër Bogdani, Sami Frashëri, Hoxhe Tahsini, shenjtorë si Shën Jeronimi, Papa Albani (Papa Clement i XI), Shën Nënë Tereza, etj. 

          Ndërkohë nuk duhet të lemë pa përmendur se këtyre vetive të mira gjatë shekujve XVIII-XX pushtuesit e huaj turq, qarqet shoviniste fqinjë dhe sundimi komunist u përpoqën dhe ia dolën të ngulitnin në ndërgjegjen e shumë shqiptarëve dhe disa karakteristika të këqia si zilia ndaj më të aftit e më të pasurit dhe urrejtja ndaj atij që nuk mendon si ne.

          Pushtuesit turq, për ta sunduar më kollaj popullin tonë, pasi e konvertuan gati 60-70 % në mysliman, u përpoqën të mbillnin urrejtjen midis shqiptarëve të besimeve të ndryshme. Propagandës për ngjallje të urrejtjes midis shqiptarëve me besime të ndryshme i shërbyen edhe propagandat shoviniste greke, serbe e malazaze pasi u krijuan këto shtete të pavarur para nesh. Rilindasit tanë iu kundërvunë këtyre propagandave antishqiptare dhe arritën të krijonin një farë mirëkuptimi midis shqiptarëve të të dy besimeve. Si pasojë u arrit në një shkallë të nevojshme uniteti i popullit, u kryen kryengritjet e mëdha të përbashkëta kundër pushtuesit aziatik derisa u shpall pavarësia e shtetit shqiptar. 

          Në Shqipërinë e cunguar, Shqipërinë Londineze, gjatë viteve të Mbretërisë martesa e Mbretit Zogu i I me princeshën e krishtere Geraldina Ponti ndikoi për fillimin e martesave midis shqiptarëve të rinj nga besime të ndryshme fetare dhe emërimin e fëmijëve të familjeve me origjinë myslimane me emra të ndryshëm me kuptim shqip dhe jo me emra tipikë myslimanë. Kjo prirje u forcua gjatë viteve pasardhës 1939-1990 dhe vijon edhe sot. 

          Mirëpo, ndërsa urrejtja fetare midis shqiptarëve të Shqipërisë Londineze gjatë sundimit të Partisë Komuniste / Partisë së Punës, u zbut dhe po kalonte drejt shuarjes, një tjetër urrejtje u ushqye prej partisë shtet, urrejtja klasore. Gjatë 47 viteve të sundimit të diktaturës komuniste partia shtet ushtroi në popullin shqiptar një dhunë e terror të ashpër për ta kthyer atë në popull plotësisht të nënshtruar dhe pa frymë kritike. Të tillë u bënë pjesa dërmuese e anëtarëve të Partisë Komuniste, që më vonë u quajt Partia e Punës dhe punonjësit e Ministrisë së Punëve të Brendëshme, bashkë me ata informatorë të Sigurimit, që hynin me dëshirën e tyre në atë shërbim. 

          Këta njerëz zakonisht ishin nga shtresat e varfra të popullit dhe e morën me qejf indoktrinimin që u serviri partia shtet përmes programeve mësimore në shkolla dhe propagandës me anën e shtypit, radio-televizionit, letërsisë, artit, etj. Këta shqiptarë të edukuar me mësimet e partisë mendonin se njerëzit e pasur e kishin vënë pasurinë jo me punë po thjesht duke shfrytëzuar populli, dhe se për interesat e tyre ekonomike e pasanikët e shisnin dhe atdheun. Kështu ngulitën në ndërgjegjen e tyre urrejtjen ndaj borgjezisë e mikroborgjezisë shqiptare. Ata harruan se këto shtresa kishin luajtur rolin kryesor për zgjimin dhe çlirimin kombëtar, për ngritjen kulturore dhe ekonomike të vendit, etj.

          Përmes luftës së klasave, urrejtjes ndaj të pasurve iu shtua dhe urrejtja ndaj atyre që mendonin ndryshe, të cilët partia shtet i shpallte “armiq të atdheut e të partisë” dhe i burgoste, ose i izolonte në fshatra internimi dhe e detyronte popullin të mos mbate lidhje me ta. Kështu te pjesa besnike e partisë shtet u mboll urrejtja ndaj atyre që partia i konsideronte kundërshtarë. Kjo urrejtje u bë pjesë e karakterit të këtyre njerëzve që nuk mendonin me kokën e vet, por ishin kthyer në robotë. 

          Shoqëria shqiptare u transformua në një shoqëri të sëmurë. Shqiptarët e atdheut mëmë vuanin si gjithë shqiptarët e tjerë dhe gjithë popujt e botës nga ndjenja e zilisë, e cila është një dobësi njerëzore që ka njeriu ndaj më të aftit e më të pasurit, por besnikëve dhe shërbëtorëve të partisë shtet iu shtua edhe ndjenja e urrejtjes klasore ndaj të pasurve dhe ndaj atyre që i shpallte partia shtet “armiq e tradhëtarë”. Ariti puna sa këta njerëz pa kërkuar sqarime e dokumente e urrenin një person ose familje menjëherë pasi e shpallte pushteti (diktatori, ose organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme) “armik e tradhëtar” edhe pse deri dje e kishin respektuar si qytetar e pushtetar të nderuar si e kishte respektuar vetë partia e pushteti. Nga frika pas kësaj psikologjie ecte dhe shumica e popullit.

          Fatkeqësisht bindja e verbër ndaj vendimeve të pushtetarëve, kjo mendësi e sëmurë nuk po luftohet as sot, sepse partitë kryesore politike PS-ja, PD-ja, LSI-ja PR-ja janë pjella të drejtpërdrejta të PPSh-së, që e kultivoi këtë sëmundje për ta përçarë e sunduar popullin më lehtë. Kjo mendësi e sëmurë që ka karakterizuar e karakterizon popullin tonë këto 76 vjet, ka dhe aspektin tjetër të saj, pasionin e tepruar të politikanëve për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit. Këto dy aspekte përbëjnë atë që mund ta quajmë enverizëm, sëmundje prej së cilës duhet të shërohemi sepse ndyshe nuk mund të ecim drejt Europës..

          Po të lexosh me vëmendje shtypin e Shqipërisë Londineze të bie në sy, sidomos te komentet e shkrimeve, një tifozllëk i sëmurë midis shkruesve ku manifestohen me partishmëri të zjarrtë urrejtja ndaj artikullshkruesve ose komentatorëve që mbështesin ide dhe mendime kundërshtare. Kjo partishmëri e zjarrtë është e zhvilluar te shumica e atyre shqiptarëve që kanë qenë aktivizuar me dëshirën e tyre si informatorë të Sigurimit, ose kanë qenë anëtarë besnikë të Partisë Komuniste / PPSh-së, e tani janë anëtarë ose simpatizantë të PS-së, PD-së, LSI-së, PR-së, etj. Këtë tipar negativ e manifestojnë edhe shumë bij të këtyre shqiptarëve, të cilët e kanë marrë drogën e enverizmit prej prindërve të tyre, ose ua ushqejnë interesat e sotme politike dhe ekonomike.

          Zgjedhjet e prillit 2021 po afrojnë. Populli shqiptar duhet të zgjohet nga droga komuniste. Ai e pa konkretisht gjatë viteve 1992-2020 se duke pasur në krye një klasë politike ku shumica kanë qenë komunistë e ish-sigurimsa si Skënder Gjinushi, Sali Berisha, Kastriot Islami, Gramoz Ruçi, etj, ose bij besnikë të baballarëve të tyre si Edi Rama me shokë, nuk e ndertoi dot demokracinë si estonezët, lituanezët, polakët, cekët, hungarezët, rumunët etj. Populli shqiptar i Shqipërisë nuk duhet të votojë më të tillë kandidatë për deputetë e pushtetarë. Edhe brenda partive politike duhet të kryhet një luftë për mënjanimin nga kryesitë e partive PS, LSI, PD, PR të elementëve të lidhur me PPSh-në dhe Sigurimin e vjetër të kohës së diktaturës. 

          Fatmirësisht shqiptarët e përtej kufirit shtetëror që jetojnë në Ballkanin Perëndimor nuk manifestojnë njësoj si ne zilinë ndaj më të diturit e më të pasurit dhe nuk urrejnë aq shumë ata që mendojnë ndryshe. Lufta për çlirimin nga këto vese të shqiptarëve të sëmurë nga droga komuniste, të cilët përbëjnë mbi 50 % të popullit shqiptar brenda Shqipërisë, duhet marrë seriozisht, sepse vetëm largimi nga ndërgjegja jonë e zilisë dhe urrejtjes për njëri tjetrin do të na forcojë si komb, do të na ndihmojë të shkojmë drejt Europës së Bashkuar dhe krijimit të shtetit kombëtar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Shqiptaret e Politizuar, Thanas L Gjika, urrejtja, Zilija

AKOMA I TREMBEN DHE E URREJNË GJERGJ KASTRIOTIN SKENDERBEUN!

July 16, 2016 by dgreca

NGA  KRISTO  ZHARKALLIU/ATHINE/

Para disa vitesh një intelektual grek deklaroi (dhe shkrojti)se Aleksandri i Madh nuk ishte  veçse një kriminel,  vrasës i popujve. Ai paraqiti në shkrimin e tij argumenta që në një rast tjetër edhe mund të diskutoheshin ose të krijonin  një  terren për t’u paraqitur kundërshtarët me tezat e tyre dhe ata që do ta përkrahnin të justifikonin mendimin e “intelektualit” anti aleksandër. Për çudi nuk ndodhi as u bë ndonjë debat në këtë drejtim: thjesht të gjithë u ngritën kundër mohuesit dhe akuzuesit të ish udhëheqësit maqedon duke e shpallur “tradhëtar” i kombit Helen. Askush  nuk i doli në mbrojtje, asnjë gazetë nuk pranoi të botonte më shkrime të tij-akoma dhe nga ato që nuk kishin lidhje me çështjen në fjalë- dhe ky “intelektual” që kishte krahasuar Lekën me Bonapartin dhe Hitlerin u zhduk nga faqia e dheut- nuk i u dëgjua më kurrë emri si studjues ose historian. Është më se e sigurtë se askush nuk ka guxuar as do të guxojë kurrë të “shajë” heronjtë e Greqisë-jo këta që lidhen drejt përdrejtë me ekzistencën e sotëm të Greqisë, por as të lashtësisë. Nuk mund të imagjinohet që një i huaj të guxojë të ofendojë figurat dhe ngjarjet e shënuara që ky popull i ka besuar si të shënjta. Akoma dhe ato që janë të sajuara dhe shtrrëmbëruar në mënyrë trrashanike.  P.sh. “shkolla e fshehtë” që gjoja bënin murgjit në kohën e sundimit turk,për të “shpëtuar gjuhën greke”. Të gjithë e dine-sidomos historianët – se kjo shkollë nuk ka ekzistuar dhe se është e sajuar nga kisha ortodokse për t’i dhënë asaj ngjyrën patriotike. Është e njohur historikisht se shkolla greke jo vetëm nuk u ndalua  gjatë sundimit ottoman, por u inkurajua që kjo shkollë t’u imponohej dhe popujve të tjerë ballkanaikë nëpërmjet besimit ortodoks që përfaqësohej zyrtarisht nga Patrikana e Stambollit. Megjithatë edhe sot e kësaj dite në shkollat greke u mësohet se …shkolla e fshehtë ka ekzistuar, madje kanë zbuluar dhe disa shpella ku murgjit gjoja u bënin mësim fëmijëve grekë në fshehtësi nga frika se mos zbuloheshin nga turqit! Me të drejtë është për t’u admiruar se sa “ fanatikë” janë grekët përsa i përket historisë. Edhe here të tjera e kam theksuar se shumë rrallë do të gjesh ngjarje negative por edhe kur këto paraqiten, gjithnjë gjejnë një justifikim që të mos njolloset patriotizmi i grekut. Një rast tjetër është lufta civile pasi kishte mbaruar khasapana e naziifashizmit. Greqia ishte vendi i vetëm në Europë që vazhdoi luftën vëllavrasëse deri në vitin 1949. Nga njëra anë ishin partizanët që drejtohehsin nga P. Komuniste dhe nga ana tjetët “nacionalistët’” që përkraheshin nga aleatët,kryesisht nga anglezët dhe më vonë nga amerikanët. Fituan nacionalistët. U mbajt një armiqësi rreth 25 vite. Edhe deri atëhere  thoshin se fajin e kishin aleatët se po të mos kishin ndërhyrë ata lufta civile nuk do të kishte shpërthyer. Pastaj erdhi pajtimi. Sot në Greqi konsiderohen veteran dhe luftëtarë të rezistencës të dy palët. Ekzekutimi ni udhëheqësve komunistë me në krye Nikos Bellojanis në vitin 1952,konsiderohet si një njollë e zezë në historinë greke nga  akoam dhe nga nacionalistët që aso kohe ishin në pushtet. Madje fajin për këtë u a hedhin amerrikanës-shi ambasadës amerikane- që në atë kohë  bashkë me pallatin mbretëror,urdhëruan pushkatimin e tyre  pa dijeninë e qeverisë Pllastira. Asakush nuk guxon sot ta quajë Bellojanin tradhëtar ose agjent i huaj. Kudo janë ngritur monumente përkujtimore si për nacionalistët ashtu dhe për komunistët. Në sheshin kryesor të Lamiës është ngritur statuja e kryepartizanit, Aris Vellohotis. Nga ana tjetër u morën masa që të silleshin në atdhe eshtrat e Zaharidhist, ish udhëheqës i komunistëve dhe të Ushtrisë Demokratike,(i cili kishte vdekur në ish Bashkimin Sovietik ku u internua nga Hrushovi si Stalinist) si u quajtën kryengritësit  antinacionalistë. Askush nuk guxon më të quajë tradhëtar njërin ose tjetrin….

Tani imagjnoni të vijë një turk në Greqi dhe të cilësojë Kollokotronin, Marko Boçarin, Bubulinën e shumë të tjerë që luftuan kundër pushtimit ottoman, terroristë! Merreni me mënd që një turk të vijë në Athinë dhe të deklarojë se ushtria greke në Azinë e vogël ishte një ushtri pushtuese të trevave turke…ose një turk të vinte në Selanik dhe të guxonte të thoshte se katedrali i Shën Sofisë nuk ka qënë askurrë në përbërjen e shtetit grek.  Jo vetëm do t’i dëbonin me shqelma por do të protestonin zyrtarisht tek qeveria trurke për “shtrrëmbërim” arbitrar të historisë…Por kemi dhe shëmbullin tipik të mosmarrëveshjeve Athinë- Shkup. A mund të besojë dikush se përsa kohë ky vend mban emrin ne pamerituar Maqedoni dhe përsa kohë konsideron Aleksandrin e Madh…”maqedon”(domethënë sllav),Greqia do të normalizojë marrëdhëniet me këtë vend …pa emër? Hidhni dhe një sy dhe politikës ndaj Shqipërisë. Sot këtu kemi një qeveri e majtë që pritej të ndryshonte nga e kaluara sepse kështu predikonte kur nuk ishte në pushtet. Keni pare ndonjë ndryshim? E kundërta ngjau me deklaratat e të dërguarit të SIRIZA në “kongresin” e pakicave greke në Tiranë. Ai jo vetëm vertetoi politikën e deritanishëm por u tregua më  “patriot”(që të mos themi arrogant) nga konservatorët e deridjeshëm. Shpalli zyrtarisht  qëndrimin grek ndaj Shqipërisë duke u a përplasur në fytyrë politikanëve shqiptarë ndër të cilëve dhe kryeministrit shqiptar, se pretendimet greke nuk janë harruar ose shuajtur,por hodhi poshtë dhe britmat e disa  “patriotëve shqiptarë” për kërkesat e tyre, ndaj Greqisë,duke i quajtur bashkëpunëtorë të nazifashizmit,(teori kjo që përkrahet përherë pas luftës)- dhe politikanët shqiptarë  nuk bënë zë por qëndruan në sallë si pula të lagura. Ç’ do të thotë kjo? Se një vend serioz ka politikë largpamëse, që nuk ndryshon sa here ndryshojnë partitë në pushtet. Në politikën e jashtme këtë Greqia e ka treguar përherë. Kurse Shqipëria? Si mund të krenohet Tirana për politikë të qëndrueshme dhe objektivat kombëtare ndaj fqinjëve në të ardhmen? Është me të vërtetë brengosëse politika  shqiptare e cila në fakt nuk ekziston për qëllimet dhe synimet e së ardhmes…

 

TURPI MË I MADH KOMBËTAR: SULMET KUNDËR GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT

Vitet e fundit, sidomos këto 25 vite demokraci është vënë re se kushdo që merr pushtetin në Tiranë ka politikën e tij, padronin e tij ndaj të cilit duhet të jetë ngahera i bindur, kokulur. Ajo që brengos më tepër nuk është përulja ndaj fuqive të mëdha -në shumë raste nuk mund të veprohet ndryshe- por qëndrimi i gjynjëzuar edhe ndaj fqinjëve, sidomos ndaj vendit që e mbajti Shqipërinë pesë shekuj në errësirë. Shqipëria-kombi shqiptar se nuk duhet harruar se tani kemi dy shtete shqiptare-ofendohet dhe poshtërohet përditë akoma dhe nga Mali i zi dhe nga…”Maqedonia” (Sërbia nuk hyn në hesap se ajo konsiderohet “armike” pastaj ka fuqi që peshon më shumë nga vendet e tjera ballkanike!) Por vetë kryeministrat shqiptarë të demokracisë shqiptare kanë bërë ç’ishte e mundur që vendi të poshtërohet duke u dhënë shkas armiqve dhe shovinistëve të shpifin kundër kombit të Arbërit.Fillimisht ishte akti i marrë të Sali Berishës i cili vrapoi t’u lutejn vendeve islamike që të bënin dhe Shqipërinë antare e tyre, duke pranuar zyrtarisht se shqiptarët na qënkeshin myslimanë. Ky  akt i pamenduar nga një politikan diletant i bëri dëm të madh “demokracisë” shqiptare dhe,kryesisht kombit shqiptar. Ndërsa më pare, në kohën e diktaturës akuzonin Shqipërinë për vend ateist,ku njerëzve u mohoheshin të drejtat e besimit fetar,papritur po na shfaqej si vend islamik! Ishte koha kur shovinistët kishin filluar propagandën e “ harkut islamik” kundër vendeve të krishtera në Ballkan që po koordinohej nga Turqia, nëpërmjet Trakës, Bosnjës, Kosovës dhe Shqipërisë dhe ky fare kryeministri u a jipte në  pjatë proven për propagandën e tyre,kur ishte koha që kishte filluar dhe shthurrja e ish Jugosllavisë dhe pritej dhe shkëputja e Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare në këtë ish federate. Por askush nuk vuri mend. Nisën vajtjeardhjet në Turqi-asgjë për të share- por kur Erdogani erdhi në Tiranë dhe në prani të kryeministrit tjetër Fatos Nano, deklaronte se Skënderbeu ishte terrorist askush nuk reagoi dhe  ish kryeministri Nano u kufizua të fërkonte mjekrrënsi pa të keq. Dhe papritur Erdogani na u bë “vëlla” e ndiente veten  si në shtëpinë e tij dhe në prani të kryeministrit tjetët, Rama, një vajzë shqiptare e veshur me  çitjane e perçe recitoi pjesë të kuranit gjë që bëri të lotohej …nga mallëngjimi turku Rexhep Erdogan

Sulmet kundër Gjergj Kastriotit Sknderbeut u bënë pothuajse masive. Prej kohësh në disa shkrime të mia  jam përpjekur të demaskoja ata kalemxhinj shqiptarë-sidomos kosovarë (Ç’turp! Prisnim nga kosovarët ndienjë patriotike më të madhe për arsye se sapo ishin çliruar nga dinasti sllav dhe kjo për shkak të sundimit të egër dhe të gjatë turk!) se mos e mblidhnin veten por jo. Turkoshakët vitet e fundit janë shtuar dhe, duke pasur demokraci, gjejnë terren kudo, si në shtyp ashtu dhe në mjetet elektronike të informacionit të sulmojnë në mënyrë të poshtër figurën më  heroike të kombit shqiptar. Shkrimet e tyre antikombëtare botohen në të gjitha gazetat shqiptare  si pa të keq dhe aty këtu gjendet ndonjë zë që i kundërshton. Në këtë kuadër po bëhen sulme të shumta dhe të koordinuara dhe kundër Akademikut të shquar, Rexhep Qosja. Teoria më e re dhe gjoja bindëse, e këtyre shërbëtorëve të Ankarasë, është se gjoja Skenderbeu vrau dhe maskroi myslimanët shqiptarë! Mendim më absurd se ky nuk mund të gjenin? Dihet se shqiptarëi u islamizuan pasi ishte shojtur lufta legjendare 24 vjeçare të Skënderbeut. Më pare shqiptarë ishin si të gjithë europjanët,të krishterë dhe ata shaqiptarë që ishin islamizuar para Gjergj Kastriotit ishin një numër i papërfillëshëm. Ku i gjeti pra Skënderbeu myslimanët shqiptarë që t’i maskronte ? Këtë nuk na e sqarojnë turkoshakët!

Rasti më i fundit ishte poshtërsia e një pseudohistorianit turk i cili, i ftuar, ma merr mëndja, nga historianët e Tiranës, ofendoi në mënyrë të poshtër  kujtimin e Heroit Legjendar, Gjergj Kastriotin atje mbi varrin e tij të shënjtë,në Lezhë! Si reaguan shqiptarët-historianët shqiptarë? Nuk bënë zë…veçse ditët e tjera “opinionistët” dhe “analistët” e shumtë u ankuan dhe u përpoqën t’i “faktonin” turkut arrogant, se nuk kishte të drejtë! Çdo vend që respekton veten, gjënë e pare që do të bënte ishte ta dëbonte këtë provokator islamist me shqelma, madje të protestonte dhe në forumet përkatëse turke. Por shqiptarët janë njerëz të…sjellëshëm dhe “mikpritës” akoma dhe për armiqtë e tyre të urryer. Por pse të shajmë turkun,ose turqit në përgjithësi kur vetë shqiptarët shkruajnë akoma më keq për Gjergj Kastriotin? Nuk ishte tharë boja e shkrimeve kundër turkut kur ja një shqiptar (nga Kosova?) i quajtur Olsi Jazexhi mbron tezat turke, madje ja kalon akoma dhe turkut duke share Skënderbeun!    Shkrimi i këtij “çirakut nostalgjues të sulltanit”,këtij turkoshakut të paturpëshëm, u botua në faqe të pare të gazetave shqiptare të Tiranës!!! Si është e mundur?pyetëm veten! (Kjo do të thotë liri shtypi ashtu si dikur.kur UÇK-ëja luftonte kundër sërbomëdhenjve, një gazetë tiranase që drejtohet nga disa “katolikë”kishte denoncuar, se në  Durrës kishte mbërritur një anije me armë për UÇK-në dhe nuk i hyri gjëmbi në këmbë? A nuk duhej të quhej tradhëti kombëtare kjo? Sigurisht në Shqipëri tradhëtarët ishin vetëm gjatë kohës së diktaturës,pas kësaj të gjithë na qënkan…patriotë dhe  demokratë!) Por fjalën e kishim për Gjergj Kastriotin. Figura e tij për çdo shqiptar duhet të jetë e shënjtë, e paprekëshme sepse është pranuar si e tillë në të gjithë Europën. Mua nuk më erdhi mire që Pirro Prifti mori përsipër të mbronte Skënderbeun nga sharllatanë të tillë si Olsi i mësipërm. Këta plehra nuk meritojnë t’u përgjigjesh se zhurmë rreth vetes kërkojnë, por thjesht t’i përbuzësh ashtu si duhen përbuzur dhe ata që botojnë dhe publikojnë shkrime të tilla antikombëtare.

GJERGJ Kastrioti nderohet në të gjitha vendet, akoma dhe në Greqi, kur hyn në muzeun historik të Greqisë së re, portretin e pare që takojmë është ai i Gjergjit tone, ashtu si është nderuar në Itali, Francë, Amerikë e kudo gjetkë. Poeti i madh amerikan Longfellow (si shumë shkrimtarë dhe poetë europjanë) ka shkrojtur një poemë madhështore për të. Madje në Muzeunn e Luftës të Vjenës stenda më  e vizituar e e respektuar është ajo ku ruhen shpata dhe përkrenorja e “Mbretit të Arbërisë” si shkruhet. Sulmet e disa “turkoshakëve islamistë” nuk mund ta errësojnë figurën e tij,përkundrazi e ngrejnë akoma më lart në ndërgjegjen dhe mëndjen e shqiptarëve dhe të huajve përparimtarë. Prandaj besoj se këtyre “bij sulltanësh” të kohëve të fundit u mjafton t’i përbuzim dhe t’u tregojmë rrugën që u takon: drejt Anadollit të tyre që ka perënduar…

KRISTO  ZHARKALLI.     Athinë 12 korrik 2016.

Filed Under: Opinion Tagged With: Gjergj Kastrioti, Kristo Zharakliu, urrejtja

“Ah, sikur!”… të mos ekzistonte kurrё urrejtja!

August 6, 2013 by dgreca

Skicëessé nga Drita LUSHI/

Aq shumë jemi të dhënë pas lodrave në vegjëli, sa, nëse na i marrin ato, vëllai, motra, apo dikush tjetër, egërsohemi, bërtasim dhe qajmë. Përplasim këmbët, lakohemi në dysh, e me fjalët që sapo kemi filluar të mësojmë, të shqiptuara me vështirësi, flasim gjuhën tonë inatçore fëmijërore.

Në koshiencën tonë fillformuar, ne  marrim inat  atë që na merr diçka, por s’dimë si ta shprehim me fjalën e duhur.

Kjo është ndoshta një tis, apo disa kristale  “urrejtjeje” të bardha, të transmetuara  në trurin tonë nga ngacmues  të jashtëm, në formën e sinjaleve të alarmit, të humbjes së diçkaje që duam, duke bërë që  të reagojmë  fort kundër personit që na cënoi “pronën” tonë. Reagimi ndodh më shume me lot sesa me fjalë.

Ndoshta, kjo ështe “urrejtja” e parë e pavetëdijshme.

Fillesat e saj, tashmë fëmija i ka të “stampuara” në memorie dhe vetëdijen e tij, e kjo do të bëjë që ai ta ketë të gatëshme, për t’a rizgjuar sa herë do t’i preket apo merret diçka, qoftё dhe nga njё njeri shumё i dashur.

Kjo ndodh qё në periudhen  kur ne shkojmë në kopёsht.

Moshatarët, që na marrin lodrat, na shtyjnë, na “shkulin flokët”, i shohim jo me  dëshirë, por me një ndjenjë perçmimi apo inati që mund të jetë një formë “urrejtje”, në shkallën fillestare, pa ditur se çfarë është kjo fjalë dhe ndjenjë në të vërtetë.

Gjithashtu në shkollë, jemi të rrethuar nga nxënës apo studentë  të ndryshëm, nga mësuses, diku të butë,e  diku më të rreptë.

Këtu fillon diferencimi  i nxënësve, apo i studentëve, me ose pa meritë.

Ne, reagojmë me anë të pakënaqësisë ndaj këtyre veprimeve, ndonjëherë duke parë shtrembër mësues/en/in,pedagogun  që na hyn në hak, e i jep më shume se sa i takon atij nxënësit  tjetër, vetëm se ai, ështe i biri i filanit, që ka një post, apo i atij biznesmenit që ka shumё para.

Pakënaqesia jonë lind në dy drejtime: ndaj mësuesit të padrejtë, dhe ndaj moshatarit, që vetëm pse fati i ka dhënë ca para, apo një prind me pozitë, ai duhet të marrë një vlerësim më të madh se sa i takon.

Në shkollë, veç edukimit, mësojmë vetvetiu dhe  pakënaqësinë që është hapi i parë për të na çuar drejt një ndjenjë te re: urrejtjes.

A ështe  urrejtja  ndjenjë?
Tek ndjenjat, fusim përgjithësisht  vetëm ato pozitive; si psh. Dashurinë, gëzimin, lumturinë, humanizmin, njerëzoren, etj.

Çdo  ndjenjë, lind në koshiencën tonë, pa na pyetur se kur dhe si.

Janё një sërë faktorësh të jashtëm, të cilët, me apo pa qëllim, ushtrojnë ndikimin e tyre mbi ne, duke bërë të lindë urrejtja,(meqë po flas për këtë ndjenjë, por kjo ndodh, me çfarëdo ndjenjë tjetër) për një person, për një dukuri, apo ngjarje të caktuar.

Nё jetё, ështe “këmbana” e zemrës  që na transmeton “alarmet” pozitive ose negative, në trurin tonë.Pёr njё kohё, duket sikur ata flenё aty.

Pastaj ne, si qenie me logjikë, mund t’i pranojmë këto sinjale e t’i përsosim, ti modifikojmë më tej, për mirë ose për keq, ose ti lëmë  statike, të paprekura, duke i vënë barrierë, dashurisë, urrejtjes, smirës, gëzimit etj.

Pra urrejtja, është ndjenjë, ashtu sikurse dashuria, pavarësisht se ecin në kahe të kundërta dhe shtyjnë njëra-tjetrën në pole të paarritёshme.

Po marr njё shembull.

U rritëm me një televizion, me një orar të reduktuar programesh prej katër orësh.

Uleshim para tij, që kur shfaqej sigla e hapjes,e ndiqnim çdo fjalë deri në përfundim.

E ne, në fillesat ku mezi arrinim të kuptonim, e në  frymën e të vetmit kanal viziv, mundoheshim të përfytyronim se si ishte jeta “mjerane” e vendeve kapitaliste e, na dhimbëseshin ata.

Megjithëse, sa herë më duhej (megjithse fëmijë) të rrija në rradhë të gjatë per një kg. mollë, apo të  prisja  Vitin e Ri për gjërat që mund t’i ëndërroja veç në gjumë, i cili më merrte në krahët e tij, duke më qetësuar shpirtin  e lodhur nga njё dëshirë e ngatërruar me urrejtje te pa kuptimtë.

Kë urrenim vallë?

Vetëm “ata”!

Kishim “halë në sy” vendet kapitaliste-revizioniste  për “degjenerimin” e tyre, sepse kështu mësonim nga ato që shihnim, dëgjonim dhe lexonim. Konturet  e Shqipërisë, “që më mirë pranonte të hante bar” na bënin të shihnim deri tek hapi ynë.

Eshtë e vërtetë që jeta, marrëdhëniet mes njerëzve, kontaktet e punës, përshirja në rrjedhën e përditëshme normale, na krijon shpesh pakënaqësi.

Por a duhet t’i hapim rrugën me vetëdije, drejt urrejtjes?

Tashmë maturë, duke ia njohur vetes, pikat e forta e të dobëta, e kemi më të lehtë, t’i vëmë një mburojё, urrejtjes që lind për gjëra të parëndësishme, e të rëndomta, e shpesh pa shkak.

Tashmë s’jemi më ata fëmijët naivë me koshiencë të fillfomuar, por ndërgjegjia jonë është e mirëformuar.

Pra, jemi të aftë të ndajmë se cilin kah duhet të ndjekim

Kur dikush të pushton vatanin,të merr lirinë, të vret, të plaçkit, jo vetëm urrehet, por edhe luftohet.

Liria shpirtërore, ështe po aq e shenjtë sa ajo fizike.

Vetëm këto  do t’i “justifikoja”, si urrejtje të ligjëshme, mbi tё cilat, gjithnjë duhet tё veprojё drejtёsia.

Por  s’mund kuptohet dhe të justifikohet grindja dhe urrejtja mes çifteve, të cilёt mund të përfundojnë në vrasje makabre, megjithëse jetojmë në shekullin e njëzet e një!!

Kjo ndodh, sepse mungon, fjala, komunikimi pse jo dhe përgatitja, shkollimi apo gjendja ekonomike.

Eshtë edukimi, ai që vlen më shumë se gjithshka.

E ky, fillimisht merret jo vetem në shkollë por edhe në një shoqëri të hapur, me media dhe masmedia, ku shembujt janë para syve tanë.

Populli i zgjuar thotë:“Shih rrushi, rrushin dhe piqet”.

Rrushi si frut, piqet atëherë kur i vjen koha, e jo se sheh vreshtin fqinjë.

Por ne humanëve, një shembull i mirë, do të na bënte më të mire,

e një shembull i keq, do të na bënte edhe më keq, pra, dhe më të këqinj njëkohësisht.

Është e vërtetë që secili ka mendt’ e veta.

Por sado qe te qendrojme brenda sferes se mendimeve tona, perseri ajo (sfera) e humbet lemueshmerine dhe rrumbullaktesine perfekte, nga kontakti me mjedisin qe e rrethon.

Pra, sa të mirë ose të këqinjё jemi, ndikon familja, shkolla dhe shoqëria. Këto, deri në njëfarë mase.

“Peshku qelbet nga koka”- thotë përsëri mençuria popullore.

Në fakt  peshku po u prish e u qelb, prishet e qelbet i gjithi.

Por koka,… ah koka!

Njerëzit e thjeshtë, e çdo person qe jeton i rrethuar nga ky intensitet jete, shtypi, mediash, apo reklamash nuk mund të kalojë indiferent, ndaj atyre, që këto të fundit servirin para nesh.

Sot, numri i televizioneve e radiove, rritet në porpocion me vitet.

Programet që ato transmetojnë nuk janë të reduktuara, as të redaktuara, e shpesh tё pakontrolluara fare.

Detyrohem shpesh, të  ndërroj kanalin e televizionit, sepse s’dua që ime bijë  të shohë si shahen dhe pështyhen parlamentarët, si rrihen me grushte, si flasin e replijkojnë me gjuhë rruge, që sjell veç urrejtje.

Gazetat, e shtypi i shkruar në faqet e para servirin vetëm lajme sensacionale të hiperbolizuara, vetëm e vetëm që shitja t’ju sigurojë rrogën gazetarëve …partiakё.

Ky është shembulli që merr një popull i tërë, nga ata që duhet të ishin virtytet shpresëdhënës, besues e inkurajues  i njerëzve.

Urrejta si ndjenjë, të shkatërron shpirtin, të prish qetësine, gjumin, gëzimin, lumturinë.

Urrejtja të bën të harrosh virtytin mё tё lartё njerёzor: dashurinë.

Pakënaqësitё e jetёs jam munduar t’i kaloj pa lënë gjurmë, e pa mbjellë urrejtje në shpirtin tim, apo të familjarëve dhe shoqërisë sime…

Televizion dhe gazeta, shoh dhe lexoj pak.

Per t’i “shpëtuar”kësaj rrapullnaje dhe çoroditjeje ku njeriu bëhet armik me tjetrin për hiç  gjë, futem në botën e fjalës së bukur, duke anashkaluar çdo hall, pakënaqësi apo problem te jetës.

Aty, harrohem brenda botës që jetoj, e lirë, e kёnaqur, dhe pa urryer.

Do ftoja në kёtë “harresё”, të gjithe ju, që nuk e doni urrejtjen.

Sepse, pa mendoni pak?

A ia vlen të urrejmë?

A do të na ndihmonte ajo, të zgjidhnim problemet, apo pakënaqësinë?

Përkundrazi, do të na çonte në shkatërrim e degradim njerëzor, do të na kthente në njerëz të vegjël.

Personalisht, e kam mbajtur dhe do ta mbaj larg këtë  “zonjë” me të zeza, sepse unë dua njё jetё me ngjyra.

Çfarëdo  të na kenë bërë, t’ju kenё bërë, mos e ujitni urrejtjen, qëndrojini larg, që të merrni frymë lirisht.

Gjuha e urrejtjes, ështe alfabeti që mësohet me lehtë, por që mezi harrohet, madje pasohet dhe nga egoizmi dhe hakmarrja.

Prandaj mos e merrni atë abetare.

Mos i mësoni as shkronjat e para, se truri njerëzor, ështe  i aftë të mësojë shumë  lehtë, aq më shumë kur si predikues e auditorë tё saj, janë politikanët, gazeta, e televizione.

Të rrish larg auditorëve të tillë, ështe gjëja më e mirë, për veten,por dhe per fëmijët  tanë.

E dini?

Se si më duket që po shkruaj për urrejtjen.

Nuk ndihem mirë, as rehat, madje po filloj të kem pak “frikë”!

 “Ah, sikur!”… të mos  ekzistonte kurrё urrejtja!

 

 

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Drita Lushi, urrejtja

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT