VAÇE ZELA, IKONA E KËNGËS SHQIPTARE
ESSE NGA LUAN ÇIPI/
Vaçe Zela, u lind në qytetin e Lushnjës më 7 prill 1939, dhe vdiq më 6 shkurt 2014, në Bazel të Zvicrës.“Zëri i Artë i Shqipërisë”, “Ikona e Shenjtë e Këngës Shqiptare”, “Mbretëresha e Këngës Shqiptare”, “Ylli Polar që vërtitet i vetëm në Galaktikën e Këngës së Lehtë Shqiptare”, “Gjigantja e Skenës Shqiptare”. Këto janë vetëm disa nga epitetet për këtë simbol tashmë të kthyer në legjendë.Vaçe Zela është këngëtare shumë e njohur, ikona e paarritshme e skenës shqiptare, artiste popullore dhe këngëtare me famë botërore. Ajo, si këngëtare u zbulua rastësisht në moshë të re në qytetin e Lushnjë. Kishte një zë brilant, të ëmbël, tingëllues e me një timbër të veçantë kumbues, me diapazon të gjerë e intonacion perfekt. Këngët e saj popullore mbeten në vite, të kënduara dhe të preferuara nga publiku. Vaçe Zela mbetet Zëri i jashtëzakonshëm që mbushte me energji, shpresë dhe optimizëm skenat shqiptare edhe pse të pluhurosura e të grisura nga ngarkesat pushtuese e diktatoriale.Ajo, mori pjesë në të gjitha festivalet e muzikës në radio dhe më vonë në televizion, që prej organizimit të parë, në vitin 1962 dhe deri në vitin 1981, kur u largua nga skena si fituese e përhershme shumë vjeçare e çmimit të ekselencës.Vaçe Zela ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit në të cilin ka interpretuar shumë këngë pjesë e muzikës së filmave.Në ka një artist, që emri i tij në dekada të identifikohet me festivalet e këngës, pa asnjë dyshim, ai është emri i Vaçe Zelës. Ajo ishte dhe do mbetet këngëtarja më e madhe e muzikës sonë të lehtë. Vaçe Zela u rrit dhe u kurorëzua mbretëreshë e këngës shqiptare, për më se dy dekada rresht, duke korrur plot 12 çmime të para, një rekord i paarritur për të gjitha kohët.
Vaçe Zela është fituesja e parë e Festivalit të parë. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo lajmëroj se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Atëherë ishte një vajzë e re, vetëm 23 vjeç. “Kisha ndrojtje ta këndoja atë këngë. Kisha frikë ta këndoja, se isha e pamartuar dhe si mund t’i këndoja lindjes së fëmijës së parë?”, kujton këngëtarja nga festivali i parë.
Sot duket paradoksale, por Vaçen fillimisht kishte zëra që nuk donin ta pranonin në festival. Ishte frika se do bënte dallime të dukshme me këngëtarët e tjerë, dhe se duke kënduar do t’i zhvleftësonte.
Festivalet rrodhën njëri pas tjetrit, nga viti në vit dhe Vaçja ishte gjithnjë triumfuese me zërin e saj brilant, duke i spostuar me meritë të tjerët.
Këngët të bukura si “Djaloshi dhe shiu”, “Lemza”, “Sot jam 20 vjeç”, “Valsi i lumturisë”, “Mesnatë”, “Gjurmë të arta”, “Kënga e gjyshes”, “Të lumtur të dua”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “Gonxhe në pemën e lirisë”, “Shoqet tona ilegale”, etj, kanë ngelur në fondin e artë të muzikës dhe kanë hyrë në çdo familje shqiptare .
Fituese 12 herë e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, asaj iu dha titulli “Artist i Merituar” në vitin 1973 dhe “Artist i Popullit” në vitin 1977. Ka kënduar për herë të fundit në skenën e Festivalit të RTSH-së në vitin 1980 dhe u largua përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Është “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe u nderuar me Urdhrin “Nderi i Kombit Shqiptar” më 24 dhjetor 2002 nga ish-presidenti Alfred Moisiu, me motivacionin: “Për vlerat e rralla si artiste e shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.
Siç ka thënë edhe vetë këngëtarja, ajo “ka lindur në një familje ku kënga ishte ulur këmbëkryq në shpirtrat e të gjithëve”. Të parët që zbuluan talentin e Vaçes ishin mësuesit e shkollës 7-vjeçare të qytetit të Lushnjës. Ajo nuk ishte e talentuar vetëm në muzikë por kishte prirje edhe në pikturë e teatër.
Ishte dhjetë vjeç kur nisi të këndonte vetë të gjitha ato këngë myzeqare që kishte dëgjuar nëpër shtëpi nga e ëma dhe nga të gjithë pjesëtarët e tjerë të fisit, të cilët ishin amatorë të muzikës qytetare popullore myzeqare.
Në çezmën e një prej lagjeve të Lushnjës ajo do ti mahniste të tjerët me zërin e saj, ndërsa ajo vetë, këndonte krejt e lirë dhe e shkujdesur. Tregojnë bashkëkohorët, se Vaçja ishte nxënëse shkolle, atëherë kur veshi një fustan të bardhë nusërie të sajuar me dorë, e doli me të në një koncert shkolle. Shpejt ajo u bë artistja e vogël e qytetit myzeqar. Duke e parë talentin e lindur, të gjithë besonin se ajo do të bëhej një artiste e madhe, dhe as prindërit e saj nuk u përpoqën ta ndalnin Vaçen për ta shkëputur nga pasioni i saj. Kështu vajza u nis drejt Liceut Artistik të Tiranës, për të plotësuar dëshirën e saj të zjarrtë, po nuk qe e thënë. Ata, nuk ia dhanë të drejtën për t’u pranuar në atë shkollë. Më pas do t’i kthehej edhe një herë Tiranës, për të provuar shansin dhe nisi studimet në shkollën “Qemal Stafa”. Aty nisi të mësojë edhe kitarën, e cila më pas u bë pjesë e pandarë e jetës dhe e suksesit të saj.
Një mikja e Vaçes, Violeta Librazhdi, shoqe e shkollës dhe e gjithë jetës së këngëtares së madhe, ka botuar një libër të posaçëm, kushtuar këngëtares, ku shkruan: “Kujtoj ditët kur për herë të parë pashë Vaçen me një kitarë në duar, me të cilën ajo këndoi gjatë në dhomën e saj, këngë që nuk mundej t’i këndonte dot në skenë. Ishin këngë spanjolle, italiane e amerikane që i kishte mësuar “vjedhurazi” duke i dëgjuar me vëmendje në radiot. Pas dritares së shtëpisë ishin mbledhur me dhjetëra njerëz dhe dëgjonin vajzën që këndonte aq ëmbël. Vonë e kishin kuptuar se të tjerët ishin ngulur pas dritares. Ne nisëm të qeshnim, ndërsa njerëzit duartrokisnin pa pushim. Pak kohë pas këtij “koncerti” të thjeshtë, në rrugët e Tiranës do të ngjiteshin afishet “Këndon Vaçe Zela”…e kështu pas kësaj shfaqej çdo herë në skenat e Tiranës e jashtë saj”. Kjo kitarë, në momentin e duhur, ishte dhe një faktor suplementar, me të cilën ajo fitoi dhe të drejtën e studimit në degën e dramës, pa u larguar asnjëherë nga pasioni për këngën. Kitara e Vaçe Zelës zë një vend të veçantë edhe në studion e ish të përndjekurit politik Gëzim Çelës. Kësaj vegle muzikore, dëshmi e peripecive të shumta të kaluara në jetë, por dhe shpirtmadhësisë së këngëtares sonë të famshme Vaçe Zela, ish-i burgosuri politik , që e përdori në burg si dhuratë nga ajo,i ka kushtuar një tregim të titulluar “Kitara”, Kitara e varur në mur merr sërish jetë e bëhet e gjallë në duart e ish të burgosurit politik, të cilit tingujt e muzikës, i rikthejnë në mendje qindra kujtime të gëzuara apo të hidhura nga vendet e vuajtjes së dënimit, shokët e tij të burgjeve, por, mbi të gjitha, i kujtojnë solidaritetin njerëzor, e cila është një ndër pasuritë më të çmuara për çdokënd.
Vaçe Zela, pasi kish kënduar si amatore në Lushnje e Tiranë, e nisi karrierën e saj si këngëtare profesioniste fillimisht në Estradën e Ushtrisë, më pas, arriti kulmet e lavdisë, në atë të Shtetit dhe së fundmi në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. Këngët e bukura të vendlindjes gjetën te Vaçja një interpretuese të madhe. Kudo ku dha shfaqje, në qytete e fshatra, apo edhe jashtë shtetit, ajo u mirëprit për zërin e bukur dhe të veçantë e tepër melodioz. Jo më kot u quajt “Bilbili i Myzeqesë”, por shumë shpejt u bë bilbili i kombit, i gjithë Shqipërisë dhe Kosovës, sepse këndoi me të njëjtën dashuri e pasion këngën e të gjitha krahinave të vendit.
Në çdo sukses të bujshëm e të merituar që ka pasur Ansambli i Këngëve dhe Valleve popullore jashtë shtetit, nën drejtimin artistik të muzikantit e kompozitorit te madh, Tish Daija, si në Francë, Greqi, Itali, Turqi, Kinë, Zvicër e gjetkë, këngëtarja e shquar Vaçe Zela ishte faktor i rëndësishëm që gjithnjë e më shumë, bëri për vete një publik mjaft të gjerë dhe sidomos specialistët më të shquar të kohës. Shtypi i këtyre vendeve e ka vlerësuar mjaft lart, zërin e mrekullueshëm të këngëtares se madhe. Kalimi nga muzika popullore në muzikën e lehtë qe i natyrshëm për Vaçen dhe i domosdoshëm për kohën. Kjo, për zërin e saj të ëmbël, me diapazon të gjerë e timbër të veçantë ishte fare e lehtë, ndërsa për kohën dhe zhvillimin, ishte nje domosdoshmëri. Kështu repertori i saj u bë shumë i pasur dhe u zgjerua dukshëm, duke përfshirë me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë, si pjesë e muzikës së filmave.
Kjo karrierë e lavdishme, u ndërpre në vitin 1991, vit që shënon edhe ngjitjen e fundit në skenë për të, pikërisht në Zvicër, në një koncert për shqiptarët që jetonin atje.
Vaçe Zela, është konsideruar nga të gjithë brezat, si meteori qiellor i fatit që i ra për pjesë Shqipërisë. Atëherë kur Shqipëria kishte vetëm varfëri ekstreme dhe prapambetje, këngët e Vaçe Zelës i kënduan dritës dhe shpresës.
Ajo kishte repertor shumë të gjerë e të larmishëm si rrallë këngëtare të famshme në botë. Vaçe Zela kishte aftësi të jashtëzakonshme për ta përvetësuar dhe riprodhuar çdo melodi, qoftë edhe me njëherë të dëgjuar nga radioja. Ajo kishte aftësinë për ta bërë këngën të prekshme për çdo mjedis dhe arrinte të ruante besnikërinë ndaj nuancave origjinale fine, qofshin ato dhe nga tradita e popujve të tjerë.
Qenë këto vite kur njerëzit edhe pse në vështirësi ekonomike, nuk i diferenconin dot artistët e tyre, që ishin thuajse në një nivel jetese. Sipas rrëfimit të mikes së saj biografe: “këngëtaren, italianët e kërkonin ta blinin me shifra marramendëse, ndërkohë që shteti e trajtonte pa diferenca shpërblimi të theksuara e pa trajtimin special për një artiste të nivelit botëror. Po ajo, nuk pranoj të shkonte me ta, po preferoj të rinte pa kushte speciale, në shpërblim për mirënjohje, te populli i saj, qoftë dhe në varfëri e mjerim. Njerëzit e donin Vaçe Zelën. Afishet kudo reklamonin emrin e saj, ndërsa biletat shiteshin shpejt..
Është për t’u ndalur te viti 1993, kur këngëtari nga Kosova, Naim Krasniqi, do të këndonte në skenën e festivalit shqiptar të 32-të të këngës, një këngë kushtuar këngëtares së madhe. Kënga mbante titulli “Jetën ma dhurove” dhe vargjet e saj ishin vërtet emocionuese: Na fale shpirtin e njomë, këngën na fale/ Nga skena jehonte aj’ zá në fush’ e male/ Ooo Vaçe Zela k’saj toke të plaguar/Jetë i dhurove, e mbajte të zgjuar.” Që nga festivali i 19-të, kur këndoi dhe si përherë shkëlqeu dhe u vlerësua me çmimin e parë për këngën “Shoqet tona ilegale”, Vaçe Zela i kishte munguar skenës së festivale. Dhe publiku kishte mall për të, për praninë e saj. E ja tani, ajo sërish, pas 3 vjetësh, ndodhej në një sallë festivali, vërtet si spektatore, por ishte aty. U mallëngjye, nuk e priste t’i bëhej një nder i tillë. Një këngë kushtuar asaj. U mallëngjye edhe krejt publiku në sallë. Ovacionet për këngëtaren nuk pushonin. Ndërkohë që dridhërima zemre përjetonin miliona shqiptarë nëpër botë që ndiqnin nga ekranet festivalin e këngës. Prania e Vaçe Zelës në një festival, qoftë edhe me një këngë kushtuar asaj, kur ajo prej vitesh, që nga festivali i parë kishte qenë zonjë e festivaleve dhe këngës shqiptare, mjaftonte si fakt që shqiptarët ta ndienin edhe një herë praninë e “mbretëreshës”.
Rasti i fundit i pranisë së saj në atmosferën e festivalit ishte viti 1999. Festivali i 38-të i këngës. E ftuan nga Zvicra si kryetare e jurisë, ku jetonte prej vitesh dhe kurohej për sëmundjen e sa. Megjithëse mjekët e këshilluan të mos udhëtonte ajo nuk donte të humbiste emocionet e festivalit. Po aty e nderuan me çmimin “Mjeshtre e Madhe e Punës”.
Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mori emrin e saj.
Vaçe Zela është përfshirë në librin e 500 personaliteteve me më shumë influencë në botë, e vetmja shqiptare që mori këtë çmim nga Instituti i Biografive në Amerikë.
Në Paris është krahasuar me Edith Piaf, ndërsa në Itali me këngëtaren e madhe, Mina.
Çmimet në adresë të artistes janë të panumërta. “Artiste e merituar”, në vitin 1973, “Artiste e Popullit”, në 1977, “Mjeshtre e madhe e punës”, “Qytetare Nderi e Lushnjës”, deri te çmimi më i lartë, “Nderi Kombit”.
Këngët e saj këndohen vazhdimisht nga brezat e rinj të këngëtarëve, por janë të pakrahasueshëm gjithsesi me atë vokal, që vetëm Vaçe e kishte.
Artistja thoshte se ndihej mirë sa herë që në Shqipëri dikush kujtohet dhe vlerëson punën e saj. Ishte e emocionuar gjithmonë edhe pse në të shumtën e rasteve çmimet i janë dhënë në mungesë të saj.
Çmime të rëndësishme këngëtarja ka marrë edhe jashtë territorit të Shqipërisë. Vaçe Zela është nderuar me “Diskun e Artë” nga Amerika për “kontribut në shoqëri në vitin ‘97”, është zgjedhur “Gruaja e vitit ’97-’98” në Cambridge të Anglisë, “Mikrofoni i Artë” nga Ministria e Kulturës e Kosovës, etj.
I fundit çmim për Vaçe Zelën është “Çmimi i madh special për legjendën e këngës”, në 45-vjetorin e Festivalit në RTSH. Ky vlerësim iu bë këngëtares së njohur shqiptare në natën Gala, të organizuar në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit vetëm pak ditë përpara se të niste Festivali në Radio Televizion, i cili numëron një numër rekord prej 20 festivalesh. Çmimi i është akorduar këngëtares për kontributin e veçantë të dhënë për muzikën shqiptare dhe për pjesëmarrjet e veçanta qysh në vitet e para të organizimit të këtij festivali, në të cilin artistja ka rrëmbyer edhe mjaft çmime.
Me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut.
Vaçe Zela mbetet “zëri i jashtëzakonshëm” që mbushte me energji skenat shqiptare, duke u bërë idhulli i shumë brezave.
Vaçe Zela i dhuroi publikut shqiptar si edhe Historisë së Muzikës Shqiptare zërin e saj të artë. Një kulm që nuk do të shlyhet kurrë nga kujtesa artistike.
Që nga viti 2002 Vaçe Zela ka jetuar me burrin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor.
Një histori e bukur në jetën e Vaçes së Madhe është dhe historia e dashurisë, fejesës dhe martesës së saj, plot mirëkuptim e harmoni. Vaçe Zela u martuar me Pjetër Rodiqin dhe së bashku ata lindën vajzën e tyre te dashur e të mbarë, Irma. Lindja e vajzë e lumturoi edhe më shumë çiftin simpatik që pas këtaj e kaluan mbarë jetën mes përkushtimit ndaj këngës dhe familjes.
Kjo ka qenë jeta e artistes së madhe, një jetë e bukur dhe e mbushur me emocion, deri para 10 vitesh kur ajo do të sëmurej rëndë. Ishte nisur për të vizituar vajzën e saj Irma që jetonte në Zvicër, kur nuk është ndjerë mirë dhe pikërisht në këtë kohë u nis kalvari i saj i dhembjes. Dy operacione të njëpasnjëshëm, mjekime të përditshme, kohë e tërë e shkuar nëpër spitale, përmirësime apo kthime prapa.
Atje në Zvicër ajo jetoi për një kohë. Historinë se si doli në Bazel të Zvicrës këngëtarja e tregon në një libër.
Ishte Irma, i vetmi fëmijë i këngëtares, e para që vajti në Bazel dhe më pas morri atje edhe familjen. “Në qytetin Bazel të Zvicrës, në një banesë pesëdhomëshe, në katin e parë, qetë e dinjitetshëm, ajo luftoi sëmundjen për ta mbijetuar me jetën: larg këngës, larg skenës, që për të paraqiste vend të shenjtë, larg admiruesve të pasionuar pas zërit të saj, të cilëve sot u mungon figura e këngëtares, dhe larg, shumë larg, duartrokitjeve të pafund, e vetmja pasuri që i dhuroi populli” shkruan Sanije Gashi në librin “Ecje nëpër kujtesë” – derisa kujton Vaçen në vitin 2012-të.
Pjetri dhe Irma, bashkëshorti dhe vajza e saj, ishin njerëzit që i qëndruan pranë këngëtares, në momentet kur shëndeti i saj ishte dobësuar.
Vaçe Zela ndahet nga jeta në moshën 74–vjeçare pas një sëmundje të gjatë në Basel të Zvicrës. Me dëshirën e saj, artistja e madhe shqiptare Vaçe Zela u mbart e prehet në Atdhe.
Qeveria Shqiptare ndërmori të gjitha masat dhe e solli trupit të pajetë nga Bazeli i Zvicrës. Ajo u kujdes të kapërcente një mori procedurash burokratike, me të cilat do të ishte përballur çdo qytetar i thjeshtë. Po kështu, mori përsipër edhe shpenzimet e gjithë këtij procesi.
Pritja e parë këngëtares iu bë në Aeroportin e Prishtinës nga Autoritete kosovare, përfaqësues të Ministrisë së Kulturës dhe familjarë të saj, për t’u shoqëruar më pas për në Tiranë, ku ajo kishte kërkuar që të prehej.
Ministria e Kulturës, e cila organizoi ceremoninë mortore për nder të këngëtares Vaçe Zela, vendosi që homazhet për artisten të organizohen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku ajo ngriti karrierën e saj. Skena mori një pamje mortore, por ruajti skenografia e shfaqjes së momentit në baletin “Zhizel”.
Lamtumira dhe homazhet e fundit iu dha në varrezat e Sharrës, ku ajo prehet, përjetësisht me gjithë madhështinë e pavdekësisë së saj.
Kanë thënë për VAÇE ZELËN:
Dritero Agolli, shkrimtar : “Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë.”
Nexhmije Pagarusha, këngëtare : “Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se tek Vaçe Zela
.”Osman Mula, regjisor : ”Vaçe Zela ishte një këngëtare e madhe me zemër të madhe. Krijoi një botë të sajën. Ajo qëndroi me të dyja këmbët në tapetin e këngës shqiptare, si këngëtarja e krahasuar me një simfoni pambarim të së ardhmes. Vaçe Zela ishte një këngëtare e fuqishme, në vokalin e së cilës morën jetë shumë zhanre këngësh. Dhe në secilin syresh ajo dha maksimumin.”
Prof. Tish Daija, kompozitor : “Vaçe Zela ishte tepër skrupuloze. Përzgjedhjen e këngës e ngriti në kult, përtej të zakonshmes, në mënyrë që t’i jepte mundësi zërit dhe vetes për interpretime të shkëlqyera. Zërin, këngën si karakter ajo i shihte të lidhura ngushtë mes tyre. Vaçe Zela ka pasur një vokal të shkëlqyer. Ngjyrimet e zërit i ka përftuar në maksimum. I ka përdorur me inteligjencë të gjitha veçoritë e zërit, duke i vënë në veprim kur dhe si duhet, me vibrime të shkëlqyera. .. Me këngët që këndoi, popullore dhe të muzikës së lehtë, ajo krijoi stilin e vet, të cilin e imituan të tjerët me kalimin e kohës. Mbeti gjithmonë një këngëtare e veçantë.”
Gjokë Beci, poet: “Nëse ka përkthim togfjalëshi “KRENARI KOMBËTARE SHQIPTARE” ai pa dyshim do të ishte VAÇE ZELA.”
Avni Mula, kompozitor e këngëtar : “Vaçja kishte një inteligjencë natyrale. Ia ka bërë “hyzmetin” këngës në të gjitha vështrimet. Dhe, gjithmonë ia ka arritur qëllimit. Vaçja ishte edhe njeri i sakrificës. E vendosur në atë që kërkonte të bënte. Madje, ishte kurajoze, trime. Për këto cilësi çdo këngëtar duhet t’ia ketë zili. Në shpirt ishte thellësisht humane, demokrate në mendime. Edhe si njeri ishte e drejtë, e dashur. Me kontributin që i solli këngës shqiptare, Vaçja mbeti një artiste e madhe, një patriote e vërtetë”.”
Këngëtari Sherif Merdani Na mësoi si të dashurojmë këngën. Është një humbje aq e madhe sa nuk e krahasoj as me 100 politikanë. E kam njohur kur kam qenë në Lushnjë, këndonte në estradën e Lushnjës, me shokun tim u njoh që iu bë dhe bashkëshorti i saj. Ishte Mina e Shqipërisë. Një dhuratë nga Zoti.
Kompozitori Robert Radoja: Është humbje e madhe. Ndarja nga jeta e Vaçe Zelës është humbje e madhe. Ajo dha shembullin e papërsëritshëm. “Është e para që e ngriti në piedestal muzikën tonë të re. Është ndarje e madhe por njerëzit që bëjnë epoka kthehen në legjenda.
Agim Krajka kompozitor: Vaçe Zela është e pazëvendësueshme. “Vaçe Zela të emociononte, ishte një artiste në çdo qelizë të trupit të saj. Është humbje tmerrësisht e madhe, Ajo ishte e pazëvendësueshme, veçanërisht për gjeneratën tonë. Vaçe Zela kishte gjithçka i takonte këtij populli për ta pasur në kulturën e tij. Ajo, “ishte një vajzë jashtëzakonisht korrekte”.
Zijà Saraçi, kantautor : “Vaçja erdhi në skenën Shqiptare si një reze e lehtë, si një shi pranveror me të gjitha perkusionet e saj natyrore, ajo kaloi si një meteor mbi qiellin tonë, duke lënë pas një tis të hollë emocionesh të paharruara, emocione të cilat i dhanë ndriçimin e munguar shpirtrave. Ajo krijoi shkollën, iku dhe hipi në “Piedestal”, për të mbetur një legjendë e paharruar në kujtesën tonë kolektive…”
Limoz Dizdari, kompozitor: ”Kërkesat e Vaçes në rrafshin muzikor ishin estetikisht të pakontestueshme. Vaçja ishte një këngëtare me zë të veçantë. Kjo veçanti kishte të bënte me gjithë formimin e saj biologjik e intelektual. Shijet e saj të natyrshme, shumë të kultivuara, ishin të domosdoshme për ta bërë këngën estetikisht të arritur. Në rast se realizoheshin këto kërkesa, ti do të ishe i sigurt për suksesin e këngës. Në të kundërt, Vaçja nuk pranonte ta këndonte këngën.”
Nora Çashku, pedagoge e pianos : “Vaçe Zela ka qenë piedestal në skenë. Edhe si njeri, edhe si aktore. Vaçja ishte një zog në skenë. Ndokush mund ta ketë quajtur edhe të panënshtruar ose, në një farë mënyre, “rebele”. Falë talentit, ajo i është bindur zërit të brendshëm për të mos u nënshtruar kur ishte për t’i shkuar deri në fund fjalës në poezinë e këngës dhe ngjeshjes së frazës në melodinë e saj. Vaçe Zela ishte njeri i brishtë. Për mua ajo mbetet njeriu që solli emancipimin në skenë për shumë dekada. Fakti që nuk doli një e dytë mes shumë këngëtarëve, tregon që akoma s’është paraqitur në skenën tonë një talent i tillë.”
Prof. Zana Shuteriqi, muzikologe : “Nuk bëj pjesë midis atyre që e njohin Vaçe Zelën nga afër, por midis mijëra shqiptarëve të tjerë që u pushtuan prej saj gjatë një periudhe 40-vjeçare. Kjo njohje për së largu është ndër të paktat arsye përse Vaçja tek ne u shndërrua në një mit. Arsyet e tjera janë të shumta, cilësisht të rralla për një brez të tërë që dijshëm apo vetëdijshëm i realizon kërkesat e komunikimit ngjeshur pas trupit të një radioje. Vaçja mendoj se mishëronte në atë kohë përfytyrimin më konkret të asaj çka ne kërkonim si në eter. Këndoi gjithçka dhe kudo la vulën e një personaliteti të papërsëritshëm, që komunikoi me tërë arsenalin e mundshëm të ndjenjave, prej të cilave do të veçoja atë çka përbën thelbin e shpirtit të saj: dhimbjen njerëzore. Vaçja kështu hyri midis shqiptarëve me dhuntinë, me gjeninë e artistëve të mëdhenj, që kanë privilegjin të bëjnë epokë dhe që për këtë arsye janë të pazëvendësueshëm në identitetin e vet.”
Prof.Dr.Adriatik Kallulli, kritik letrar, shok klase : “Të njohësh nga afër artistët më të shquar të kombit tënd, është një rastësi që nuk u ndodh të gjithëve. Qenë vite kur vendi mezi e siguronte kafshatën e gojës dhe rrobën e varfër të trupit. Jeta kishte fare pak gëzime dhe një këngëtare e vërtetë në klasën tënde, ishte një pasuri njerëzore e madhe dhe e rrallë, një grimcë gëzimi që të falte shoqja jote, një shoqe fisnike dhe humane që vinte tek kënga shpirtin e saj të madh, një shoqe e veçantë që lëndohej për të gjitha plagët e atdheut dhe të njerëzve dhe intuitivisht e ndjente se melodia dhe tingujt mund të bëheshin një balsam për shpirtrat e shqetësuar. Artistja Vaçe, më së miri dëshmon atë që pat thënë Mikelanxhelo “Ruajeni atë zjarr që ndjeni brenda vetes, se ai jeni vetë ju.”
Ferdinand Deda, dirigjent : ”Ishte fat për ne njerëzit e artit, të kishim mes nesh një këngëtare si Vaçe Zela, për vokalin e saj të shkëlqyer në të gjitha komponentët. Kishte një forcë të madhe interpretative, që lidhej me shkallën e lartë të frymëzimit artistik. Përdorte një mjeshtëri të veçantë të kënduari, ku gjenin vend ngjyrime të shumta. Ishte njeri i thjeshtë dhe mjaft i dashur, por edhe e ashpër kur s’i përfilleshin kërkesat. Ishte tejkaluese në realizimin e qëllimit artistik për të çuar tek auditori pikërisht ato emocione që ngërthente kënga. Talenti, inteligjenca muzikore dhe intuita, kur unë drejtoja këngën e saj më krijonin një gjendje të tillë emocionale, sa nuk më vjen zor ta them, se më drithërohej trupi. Me Vaçen ishte kënaqësi të punoje.”
Leka Bungo, regjisor: “Vaçja për mua dhe për të gjithë, ka qenë një artiste që ka bërë epokë. Ka qenë e madhe që kur ishte e vogël. Një këngëtare e madhe dhe një aktore e zonja. Interpretimi i saj ka qenë kupola e interpretimit.”
Mimoza Ahmeti, shkrimtare: “Personalisht për mua Vaçe Zela është burim zanor ekspresional i natyrës. Kësaj i shtoj edhe interpretimin e dlirë shpirtëror të këngëtares. Edhe pas kaq vitesh, kur dëgjoj Vaçe Zelën, ndiej po atë kënaqësi të veçantë, të palëkundshme, që vetëm ajo dhe zëri i saj të shkakton.”
Prof.Dr.Fatmir Hysi: “Ajo mbetet një shenjë e qartë e identiteti dhe kulturës shqiptare të kohës dhe për dekada të tëra do të jetë një pikë e rëndësishme referimi për nivelet e larta të kësaj kulture.”
Luan Zhegu, kantautor: ”Vaçja ishte e lindur si talent. Me punë u bë një këngëtare e veçantë në llojin e vet, një zë brilant. Ajo shpalosi prirjen e saj në një kohë kur mungonin mjetet auditive moderne. Vaçja këndoi gjithmonë “dal vivo”. Kjo mënyrë e të kënduarit i jepte vokalit të saj një amplitudë të madhe. Ishte e vendosur në përzgjedhjen e këngëve, në kërkesat artistike. Madje e sertë dhe në konflikt me “drejtuesit”, sa herë që ata nuk e kuptonin. Kishte nuhatje të dukshme për skenën, si vend i shenjtë. Vetveten, shikuesit i kishte mbi të gjitha. Kjo bëri që vokali i Vaçe Zelës të lartësohej në përmasat që kërkoi.”
Shqipe Zani, pedagoge e kantos: “Zëri i saj, brenda një shtrirje prej një oktavë e gjysmë, arrinte të shprehte një larushi të pafund jonesh e frazash me të cilat ajo mbështillte, si me një tis të hollë fluid vokali, ide, mendime të pafund, kaq të prekshme për dëgjuesin. Vaçja punonte si qëndistari me fjalën, frazën, përputhjen mes tyre. Mund të them pa mëdyshje që Vaçja kishte një interpretim brilant.”
Pavlina Nikaj, këngëtare: “Vaçja kishte një vokal të përsosur, për rrjedhojë edhe një interpretim të veçantë, perfekt, të cilin e vishte me një botë të madhe emocionale. Në agjendën e saj kishte një repertor të pasur, madje të larmishëm, që mund t’ia kishte zili çdo këngëtar: këngë popullore, këngë të muzikës së lehtë; ka kënduar baladën, romancën, në fillimet saj edhe këngën e huaj. Dhe, në të gjitha këto është treguar një mjeshtre e vërtetë. Si njeri, Vaçja ishte e dashur, vlerësuese përkundrejt simotrave të saj këngëtare, të cilat i respektonte. Si këngëtare ajo arriti një kulm. Për të gjitha këto cilësi, unë, si këngëtare e kam adhuruar Vaçen.”
Visar Zhiti, poet: ”Lushnja ishte qyteti i të ardhurve, i të përndjekurve dhe i të internuarve. Po të parafrazonim Pol Elyarin, Lushnja u bë kryeqytet i dhimbjes. Në këtë mjedis të dhimbjes rritet edhe Vaçja. Ajo me zërin e saj sikur u dha zë… të pazëve ! Ishte mahnitëse. U bë Afërdita e këngës moderne shqiptare duke mos iu ndarë kurrë rrufetë e frikshme zeusiane. Zëri i saj mund të quhet pjesë e lirisë së munguar.”
Prof. Dr. Aleksandër Peçi, kompozitor: “E dashur Vaçe, u çmallëm shumë duke ju parë, duke ju dëgjuar, duke kënduar e duke folur në atë mënyrën tuaj mjaft të ëmbël dhe emocionuese që ju ka karakterizuar gjithmonë. Ju thatë se ju mban gjallë dashuria jonë, ne themi se na jep jetë zëri juaj magjik, i papërsëritshëm, gjithçka që ju i dhatë këtij vendi e këtij populli.”
Lirim Deda, poet: “Ne vërtetë jemi një vend, ku ka thesare të gjithfarëllojshme nën e mbitokësore, por më i çmuar dhe më i përveçëm është thesari ynë shpirtëror e kulturor. Përse u dashka që të mos udhëtojë nëpër shpirtrat e kombeve të tjerë një filigran i florinjtë mëmëdhetar si Vaçe Zela, që pashëmbëllsisht me askënd tjetër dëfton shqiptarizmin si më shqiptarja në këngë e melodi.”
Ardit Gjebrea, kantautor: “Filloi kënga dhe unë u gozhdova i shtangur në kolltukun e platesë së Operas, duke ndjekur madhështinë e interpretimit të artistes sonë të madhe. Në një moment kulminant të këngës ndjeva që trupin ma përshkuan mornica dhe ishte hera e parë, që më ndodhte një gjë e tillë. Isha i magjepsur dhe në fund të këngës duartrokisja me gjithë fuqitë e mia dhe trupi vazhdonte të drithërohej nga emocionet që më kishte ngjallur zëri dhe çdo lëvizje e saj. Nuk mund ta harroj kurrë atë emocion dhe mbaj mend edhe vendin ku isha ulur atë natë, ku provova një emocion si të isha në dashurinë time të parë.”
Liliana Çavolli, këngëtare: “Zëri dhe interpretimi i Vaçe Zelës pasqyrojnë shpirtin, fisnikërinë, madje mund të them edhe karakterin e popullit tonë. Vaçe Zela është një institucion më vete.”
Dr. Sytki Bushati, mjek, mik i familjes: “Vaçja sikur lindi për të bashkuar në këngë tokësoren me hyjnoren. Gjithçka në harmoni. Kjo është Vaçja për mua dhe për të gjithë ata që e kanë njohur. Nuk di pse më erdhën në kujtesë ato vargjet e poetit popullor shkodran: “Perëndia të goditi, kusur nuk të pat lanë.”
Rikard Ljarja, aktor e regjisor: “Vaçe Zelën e kam njohur në vitin 1961. Kemi qenë bashkëstudentë në shkollën për aktorë. Kemi qenë në një klasë. Vaçja ka qenë një tip i jashtëzakonshëm sepse ishte e formuar si artiste në atë moment që erdhi në kursin tonë. Kanë kaluar vite, vite, vite… Ajo nuk arriti të bëhej aktore sepse Zoti a natyra, i kishte dhënë një dhunti të jashtëzakonshme, një zë vërtet të jashtëzakonshëm. Po nuk është thjesht çështja e zërit. Vaçja kishte potencën fizike, mençurinë edhe zërin, dhe këto të gjitha i përdori në mënyrë të shkëlqyer dhe arriti të bëhej një figurë mbarëkombëtare e këngës. Ajo nuk ishte thjesht një këngëtare, vërtet nuk ishte thjesht këngëtare! Asaj i këndonte shpirti, i këndonte syri, floku, lëkura, gjestikulacioni. Ajo ishte gjithçka. Këto fenomene të natyrës lindin shumë rrallë. I qëlloi epoka e saj. Epoka e saj ka lënë gjurmë kaq të thella në kujtesën e gjithë shqiptarëve, të gjithë brezave, edhe të atyre që do vijnë më vonë. Unë do ta quaja fenomeni Vaçe Zela. Për shqiptarët kudo që janë ajo ishte “the voice“.
Inva Mula, këngtare: Kam pasur fat të të njoh që kur isha fare e vogël dhe dëgjoja në cep të dhomës krijimet e babait tim për ty. Ti, Va e dashur, ishe modeli im, ishe ëndrra ime dhe kështu vazhdoje të ishe gjithë jetën dhe për shumë artiste të tjerë. Të falënderoj dhe do të jem mirënjohëse, Diva jonë absolute.
Mirush Kabashi, aktor: “Gjithmonë më tingëllon zëri i saj me një këngë të huaj që titullohej “Esperanca”. Pikërisht, kjo shpresë që Vaçja nuk e sillte nëpërmes përmbajtjes së këngës, por nëpërmjet interpretimit të këngës, nëpërmjet asaj të veçante të këngës së saj, ishte ajo që e bënte atë fenomen, që e bënte aq të kërkuar, që do ta bëjë atë gjithmonë si një ndër yjet më të mëdha të artit tonë, sepse Vaçja gjatë gjithë karrierës së saj artistike ngjalli te njerëzit vetëm ndjenjën e shpresës, po ndjenjën e shpresës në një sistem diktatorial. Ky është një atribut që vetëm një artiste e madhe e përmasave të Vaçe Zelës mund ta ngjallte.”
Nirvana Pistulli, poete: “Vaçja është një idhull, është një emër që nuk harrohet, është një zë që nuk mund të zëvendësohet, është një melodi e përjetshme, është një lule plot dritë në një kohë të zymtë, ushqim për shpirtra të etur. Ajo nuk i përket vetvetes, ajo i përket gjithë kombit.”
Nexhat A. Agolli, shkrimtar, autor i monografisë “Vaçe Zela – magjia e këngës shqiptare”: “Vaçe Zela ishte një yllësi që ndriçoi mendjen muzikore shqiptare për afër dyzet vjet radhazi me zërin e saj të ngrohtë dhe të gjithëpushtetshëm. Dy zëra në kohë të ndryshme të fenomenit Vaçe: në të parën adoleshente dhe, në të dytën, madhore. Mes tyre një periudhë e gjatë, e shtrirë në kohë dhe në hapësirë mes dy caqeve nga ku nisi dhe arriti zenitin këngëtarja jonë e shquar. Një lëvizje drejtvizore, e ngjashme me të atë Tokës rreth vetes dhe Diellit, por me një trajektore më të gjatë, do të thoja kozmike. Në kufirin e kësaj trajektoreje ne përjetuam zërin e saj të mahnitshëm.”
Besnik Dizdari, gazetar: “Kur flet për Vaçe Zelën të del përpara një rrugë gjigante dhe vihesh në vështirësi për të gjetur fjalët e duhura, për të përmbledhur rrufeshëm një jetë të tillë. Unë them vetëm kaq: Brezi ynë u rrit me këngën e Vaçes. Në shpirtin tonë të trazuar zëri i saj i rrallë, melodia që buron prej tij, përshkohet si një lloj elektrizimi që sjell vetëm forcë. Është një forcë shpirtërore që blaton një lloj rinimi të pashpjegueshëm, që ishte krejt në kundërshtim me atë realitet! Është e çuditshme se si ndodhte, që edhe atëherë kur përmbajtja e këngës nuk sinkronizohej me zërin e magjishëm dhe me melodiozitetin që buronte prej tij, ne emocionoheshim deri në skaj. Çuditërisht ndjeheshim më të fortë dhe nostalgjia që falte zëri shndërrohej në një optimizëm që sa vështirë ishte ta gjeje në Shqipërinë e asokohe. Ky është shërbimi i madh atdhetar i Vaçe Zeles ndaj shqiptarëve. Në të vërtetë, Vaçja na fal humanizëm, të cilin ne nuk ia kthyem me kurrgjë më tepër përveç se me duartrokitjet që thonë se janë shumë për artistin. Ndoshta…”
Hasan Huta, poet: “Moj Vaçe Zela e pavdekshme. Je pjesë e shpirtit të këtij populli, por veçanërisht e imja si artist, si krijues. Nuk mund ta konceptoj personalitetin tim pa atë timbrin e zërit tënd që oshtinte në qiejt e kohës duke më bërë të identifikohesha me atë klithmë pothuajse hyjnore për të qenë edhe vetë pjesë e magjisë së artit. Ashtu si energjia kozmike që përshkon materien e ngurtë edhe zëri i shpirtit tënd e përshkonte tejembanë sistemin inert të kohës duke ndriçuar si një vetëtimë në qiellin e errët shpirtin e njeriut shqiptar. Të uroj nga zemra shëndet dhe ndërgjegjësim të të qenit e pavdekshme jo vetëm për kombin tonë por për zërin njerëzor në përgjithësi.”
Violeta Librazhdi, mësuese, shoqe fëmijërie, autore e librit biografik “E papërsëritshmja Vaçe Zela”: “Kënga e saj çante muret e Teatrit të Operas dhe Baletit, kaptonte rrufeshëm fusha, bregore e male dhe futej në çdo shtëpi shqiptari brenda e jashtë kufirit. Njerëzit e thjeshtë ndoshta nuk e dinë se sa çmime të para ka marrë Vaçja. Por ato dinë më shumë, dinë që Vaçe Zela është një bijë e denjë e popullit të saj, që kudo dhe kurdoherë ka në zemër e në mendje Shqipërinë e shqiptarët. E kjo është mjaft për ta. Prandaj ajo meriton ngrohtësinë, dashurinë dhe urimin e thënë thjesht: “Të këndoftë zemra, të lumtë goja o Vaçja jonë e shtrenjtë!” Kjo është arsyeja që ne, shoqet e shokët e saj, kur mblidhemi bashkë ndër festa edhe kur ajo s’është, ngremë një gotë për të dhe na duket fort e goditur sentenca e latinëve “Shkëlqen me mungesën e saj”
Për këtë jetëshkrim janë marrë të dhëna nga interneti: Wikipedie, Nexhat Agolli, Violeta Librazhdi, Sanie Gushi, Gëzim Çela, etj.
Tiranë, më 20.08. 2018
Vaçe Zela, valsi yne i lumturise
Me rastin e 3 vjetorit te ndarjes nga kjo bote te artistes sone te madhe, Vaçe Zela (7 prill, 1939 – 6 shkurt, 2014)/
Nga Sadik ELSHANI/*Sot, me 5 shkurt, 2017 iu dha lamtumira e fundit poetit, shkrimtarit, gazetarit, publiçistit, dramaturgut, skenaristit, njeriut, Dritero Agolli. Nena Shqiperi, “Hallemadhja jone shekullore” e futi ne gjirin e saj te ngrohte per ta mbajtur ne perjetesi. Ndersa tri vite me pare, me 5 shkurt te vitit 2014, na la Vaçe Zela, kengetarja, artistja jone e madhe. Edit Piafi yne u nda nga kjo bote per t’u ngritur ne qiellin e perjetesise prej nga eshte duke shendritur si nje yll qe nuk shuhet kurre. Eshte zeri i saj, Jane kenget e saj qe do ta mbajne ate gjithmone te gjalle ne mesin tone.
Vaçe Zela u lind me 7 prill te vitit 1939, te njejten dite kur Shqiperia u pushtua nga Italia fashiste. Atdheu u pushtua, humbi pavaresine, por po ne ate dite te veshtire, ai vend lindi Vaçe Zelen, e cila pak vite me vone do te behej krenaria, Nderi i Kombit. Kjo mund te jete vetem nje rastesi, por eshte me shume se nje rastesi, eshte nje metafore e ngadhnjimit te se bukures mbi te keqen. Ajo ishte nje dhurate per kombin tone.
Vaçe Zela ishte nje artiste e perkryer me plot kuptimin e fjales. Ajo nuk ishte interpretuese mekanike e kenges, ajo i jepte shpirt kenges me zerin e saj te vecante, melodioz e plot muzikalitet. Per arritjet e perkryera artistike, ajo ishte mjaft kembengulese dhe e vendosur. Siç tregonin, poeti Dritero Agolli dhe kompozitori Tish Daija, ajo kishte kerkesa te larta artistike si per tekstin, ashtu edhe per muziken – luftonte per çdo varg, luftonte per çdo note. Gjithmone do te mbetet model i persosmerise profesionale e artistike.
Si nje artiste e pashoqe ne hapesirat tona dhe si nje grua fisnike me vlera te larta njerezore, u be shembull, u be burim frymezimi per shume vajza te reja, artiste te ardhshme – ka qene percaktuese e fateve te jetes se tyre. Shume vajza te reja thonin se do te beheshin si Vaçe Zela dhe shume prinder u thonin vajzave te tyre: Te me behesh si Vaçe Zela. Ky eshte nje nga vleresimet me te larta qe mund t’i behen nje artisti.
Kenga e saj gjithmone sjell optimizem, hov rinor, te merr ne krahet e saj magjik e te shpie ne nje bote magjepse, t’i largon per nje çast hallet, brengat e jetes. Ja si shprehet per kete kengetari Sherif Merdani: “Ne jetuam ne nje Shqiperi qe lengonte, qe renkonte. Ku kengetari burgosej per kengen e tij, poeti pushkatohej per vepren e tij. Zoti nuk na i vrau shpresen, dergoi nje ze qe na i zbuti dhimbjen dhe na dha shprese, kjo ishte Vaçja.”
Vaçe Zela eshte vlere kombetare, eshte diamanti i kurores se muzikes se lehte shqiptare. Kenget e saj jane nje copez e shkelqyer, e arte e mozaikut te kultures sone kombetare. Me kenget e Vaçe Zeles shpirti i kombit tone eshte me i pasur, me fisnik. Kenget e saj jane per te gjitha brezat, te gjitha koherat – kenge qe pelqehen e kendohen ne te gjitha trevat shqiptare. Jo me kot ajo kishte lene amanetin, porosine e saj qe arkemorti me trupin e saj te zbriste ne aeroportin Prishtines e pastaj te vazhdonte per ne Tirane me makine, ashtu, mespermes Shqiperise, si kenga e saj qe jehonte ne gjithe Shqiperine Etnike.
Ajo u paraqit me plot sukses edhe ne skenat e huaja dhe me interpretimet e saj plot elegance, me zerin e saj te vecante ajo i magjepsi edhe artdashesit joshqiptare, shpalosi vlerat shpirterore te popullit tone para botes. Jane kenget e vendit tone, kenget e shpirtit tone.
Jeta e nje artisti, shkençetari, madje edhe e çdo njeriu, eshte vepra e tij. Njerezit jetojne me vepren e tyre, mbahen mend per vepren e tyre. Vaçe Zela krijoi nje art me vlera te veçanta artistike. Kenget e saj, zeri i saj i embel, i ngrohte, i veçante e plot muzikalitet do te jehoje nder vite e shekuj. Teksti i zgjedhur, muzika plot ritem, e rrjedhshme, interrpretimi me gjithe shpirt – keto jane kenget e Vaçe Zeles. Kenget e saj jane valsi i lumturise, optimizmit dhe krenarise se kombit tone. Kenget: “Valsi i lumturise”, Rrjedh ne kenge e ligjerime”, “Djaloshi dhe shiu”, “Kenget e vendit tim” e shume e shume te tjera, qe jane margaritare te muzikes sone, do te mbeten gjithmone me ne e do te kendohen gjithmone me shume dashuri, respekt e mirenjohje ndaj Vaçes. Ne skenen muzikore shqiptare ajo ishte dhe do te mbetet e vetme (unike), e paperseritshme, e pakrahasueshme, e paimitueshme, e paarritshme. Kengetare te reja, behuni me te mira se Vaçe Zela, por mos u mundoni ta imitoni ate! Ajo ishte dhe do te mbetet njeshi.
Gjate karrieres se saj te shkelqyer ajo u nderua me shume mirenjohje, çmime, urdhra e dekorata: Artiste e Merituar, Artiste e Popullit, Nderi i Kombit – e vetmja grua shqiptare qe u nderua me kete titull per se gjalli. Por çmimi me i larte e me domethenes per te dhe çdo artist te vertete, ishin duartrokitjet e zjarrta te publikut, adhurimi per zerin, kenget, artin e saj.
Tani ka tri vite qe ajo prehet e qete ne token shqiptare, ne zemrat e shqiptareve dhe te gjithe adhuruesve te muzikes, artit dhe vlerave te larta te bukurise njerezore!
Gjithmone ne zemrat tona!
Filadelfia, 5 shkurt, 2017
*Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.
Ema QAZIMI:Vaçe Zela mbetet idhulli im
INTERVISTA/ Flet këngëtarja e mirënjohur, “Mjeshtrja e Madhe e Punës”, Ema Qazimi/
*Në Festivalin e 8-të, kam kënduar së bashku me Vaçe Zelën/
*Kam marrë pjesë në rreth 4 000 shfaqje/
*Me vajzën time dikur kam eksperimentuar një duet tek “Kënga Magjike”/
*Studjova për aktore dhe pse ndoqa rrugën e këngës/
Nga Albert ZHOLI/
Ka vite të tëra pa u prononcuar në shtyp, njëkohësisht ishte hera e parë që këngëtaren e mirënjohur Ema Qazimi po e intervistoja. Kjo për vetë faktin se shumë kërkesave të gazetarëve ajo u përgjigjej me modesti “Tani skam asgjë për të thënë”. Ndërsa ditët e fundit, ajo për punën e bërë, për zërin e saj melodioz, për punën e saj të përkushtuar në Festivale, në një aktivitet të Institutit të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, ajo merr nga Presidenti i Republikës titullin e nderuar , “Mjeshtre e Madhe e Punës”. Ajo u ngjit në skenë për të marrë dekoratën e akorduar nga Presidenti Topi, me rastin e ditës së 20 Majit, plot emocion, duke u përkulur përpara qindra spektatorëve në TOB, ku ishte dhe trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, personalitete të artit, shkencës, sportit, biznesit. Ndërsa intervista me të ishte plot mbresa. Edhe në bisedë, ajo fliste qartë, pastër, bukur, sikur
këndonte. Herë pas here gjatë bisedës, në sytë e saj shihje lotë, që ajo mundohej ti fshihte, por më kot. Jeta e saj e mbushur me ngjarje, zëri i saj i fuqishëm ëndrrat e saj, dekorimi i fundit e ngacmonin, saqë ajo ish e detyruar të përpinte lotët. Emocionet që ajo përcillte në skenat shqiptare, tashmë s’duan koment. Zëri i saj diskutohet me endje mes kolegësh, por më shummë mes fansave të saj, të cilët shprehen hapur se, Ema Qazimi do të mbetet një ndër zërat më të spikatur të muzikës shqiptare..
Znj, Ema, ju para disa ditësh u dekoruat me titullin e lartë “Mjeshtre e Madhe e Punës”. Si u ndjetë në atë moment para Presidentit dhe një auditori të zgjedhur?
Isha shumë e emocionuar, pasi u ndodha para një fakti që ndodh shumë rrallë në jetë. Evenimete të tilla, dhe raste të tilla, ndodhin rrallë, shumë rrallë, jo vetëm në jetën e artistit, por edhe të personaliteteve të ndryshme. Ishte më shummë do të thoja një surprizë, një surprizë nga më të bukurat e jetës sime, pasi thuajse s’isha fare në dijeni. Isha e emocionuar se po vlerësohej puna ime, zëri im dhe më dukej vetja paksa borxhlije para atyre duartrokitjeve, përpara atyre autoriteteve, përpara Presidentit Bamir Topi. Pra më dukej se po vlerësohesha maksimalisht, kur njeriu ka ende për të dhënë, për të arritur përsosmërinë, apo idealen që mendohet por kurrë nuk preket.
Kjo do të thotë që ju s’ishit e përgatitur për këtë dekoratë?
Jo. S’isha e përgatitur, pasi kërkesën për dekorim e bëri z. Ilir Cumani, Kryetar i Institutit të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë. Ishte ideja e tij, për ndihmën modeste që kam dhënë unë për këtë shtresë të shoqërisë shqiptare, pasi një pjesë të jetës edhe unë e kam kaluar në shtëpinë e fëmijës “8 Nëntori”, në Tiranë. Unë e mora vesh momentin e fundit këtë dekorim. Jo për të qenë modeste, por është një vlerësim shumë i madh që më është dhënë, por nga ana tjetër, ky titull më vë para përgjegjësive të mëdha. Cdo gjë duhet justifikuar, për të parë para, për të dhënë më shumë për shoqërine, sidomos për fëmijët jetimë. Titulli i marrë më vë akoma përpara përgjegjësisë dhe e bëri akoma më komplekse këtë ditë për mua, pasi dekorata mu dha në prezencë të Presidentit, përpara një auditori shumë të zgjedhur, si trupi diplomatik i akredituar në Tiranë dhe shumë personalitete të artit, kulturës, shkencës, sportit, biznesit.
Ju keni marë pjesë në shumë aktivitete të Instituti të Integrimit të Fëmijëve Jetimë, çfarë ju lidh me këtë Institut?
Më lidhin shumë gjëra. Jo vetëm meazhi dhe misioni i këtij Instituti që ndihmon fëmijët jetimë, por lidhet dhe me fëmijërinë time. Unë një pjesë të fëmijërisë, 4 vjet i kam kaluar në Shtëpinë e Fëmijëve 8 Nëntori, sot “Zyber Hallulli”. Kam bërë 4 vjetët e shkollës fillore aty, duke qenë se familja ime kishte probleme sociale dhe ekonomike. Në jetimore unë kam qenë bashkë me 3 motrat e mia. Në klasën e 5 u shkëputa pasi doli një ligj, që në Shtëpitë e Fëmijës do të rrinin ata fëmijë që s’kishin asnjë prind, ndërsa ata që kishin një prind dhe të afërm, si hallë, dajo, teze, do të largoheshin. Unë kisha babanë, kisha gjyshen, kisha halla, kështu u largova. Ruaj mbresat më emocionale dhe të dhimbshme njëkoësisht, në ato 4 vjet. Kam një nostalgji për atë kohë, për atë jetë, ndjej emocione kur e kujtoj, aq emocione, saqë nuk i kam ndjerë as në skenë.
-Kur keni pasur në jetë, emocione të kësaj natyre?
-Janë të pakta. Kur jam martuar, kur kam lindur vajzën, dhe kur jam ngjitur për herë të parë në skenë.Edhe vajzës i kam folur për këto vite të fënijërisë sime, që ajo të njihej me këtë pjesë jete. Biles e kemi çuar me bashkshortin edhe në Shtëpinë e Fëmijës, kur ajo ishte e vogël. Doja që dhe ajo të dinte se ku kam kaluar një pjesë të fëminisë, kushtet, ambientin, etj… Unë doja që vajza ime të bëhej e ndjeshme ndaj këtij fenomeni, ndaj kësaj pjese të shoqërisë.
-Po kënga si lindi tek Ema, kush ishte zbuluesi i zërit tuaj?
Ishte një ditë e veçantë. Isha në klasë të pestë. Kisha ditlindjen. Mësuesi im kujdestar (na jepte muzikë), në Kamëz organizoi ditlindjen time, pasi unë s’kisha mundësi ta bëja, s’kisha mundësi ekonomike. Të gjithë shoqet dhe shokët e klasës ishin munduar të më sillnin diçka, që unë të ndihesha mirë. Dikush një laps, dikush një gomë, dikush një penë, dikush një fletore, ishin munduar të më sillni çaste gëzimi, duke menduar se isha vetëm, pa njerëzit e familjes siç ishin ata. Mbaj mend, se unë kisha qëndruar në cep të klasës e shikoja një lule që po kacavirrej në murin e dhomës. Isha tejet e emocionuar që ata po përpiqeshin të gjithë të më gëzonin, të më kënaqnin, të më hiqnin vetminë. Në fakt dhe pse isha jetime, ndjeja një lloj krenarie dhe në këto momente mora krahë dhe e ndjeja veten të barabartë, paçka se s’kisha mundësinë t’ju jepja një karamele shokëve të klasës.
S’dija si ti shpërbleja…Ja një moment…I pashë me radhë të gjithë, dhe papritur thashë: Unë do këndoj. Të gjithë në klasë shtangën. Heshtje..S’e besonin. Mësuesi Paulin Mikeli më pa fort në sy. Sytë e tij xixëlluan. Ai ishte mësues muzike dhe gëzimi për të do ishte i shumfishtë. Do këndoj këngën e nënës thashë. Heshtja u bë më e madhe. Do këndoja për nënën. Do këndoja për atë që se kisha. Për atë që më mungonte më shumë. Fillva të këndoj. Të gjithë më shihnin të habitur. Mësuesi më shumë se nxënësit. Fillova të lëviz dhe duart. Të kombinoja lëvizjet me muzikën. Teksti ishte shumë i dhimbshëm. Pra, po intrpretoja. S’kisha më emocione. E gjithë klasa më dukej se ishte në zemrën time. Këndoja lirshëm. Më dukej se isha vetëm me imazhin e nënës sime. Unë dhe ajo. Më dukej se s’isha në klasë…Kur mbarova, gjithë klasa filloi të duartrokasë fuqishëm. Vetëm nga
duartrokitjet erdha në vete. Athere pashë se isha në klasë.Që atë moment, mësuesi më aktivizoi me grupin e shkollës, por edhe me estardën amatore të Kamzës.
-Cfarë kujton nga aktivitetet e shkollës?
Kujtoj atë që kurrë nuk kam kënduar këngë për fëmijë, por këngë për të rritur. Për mua pikë referimi në këngë ishte Vaçe Zela. Ajo ishte dhe është idhulli im. E adhuroj. Ajo mbetet ende busull për mua në mënyrën e të kënduarit. At’here kishte pak radio, ndërsa televizione ku e ku më pak dhe kur më jepej rasti të dëgjoja Vaçen duke kënduar, merrja lapsin dhe një fletore dhe mundohesha të shkruaja tekstin. Mundohesha të kapja fjallët të plota, që, pastaj ti vendosja në gojën time. Pra, kam qenë shumë shumë e apasionuar pas këngës, shumë e gjallë, shumë çapkëne, impulsive dhe aktivitetet me trupën amatore të Kamzës shkoja dhe në turrne ku këndoja këngë të Vaçes. Dhe në këto turrne, kënga e nënës nuk m’u nda.
-Flitet se Ema ka shkelur skenën e Festivalit në Radio Televizion kur ka qenë shumë e re, ndoshta ndër më të rejat e të gjitha kohërave?
Po. Kam qenë shumë e re kur mora pjesë në Festivalin e RTSH-së. Isha në klasë të 8-të., pra 14 vjeç, kur mora pjesë në Festivalin e 8-të në RTSH. Dhe kush është çudia? Unë kam qenë dublante me idhullin tim, Vaçe Zelën. Athere një këngë këndohej nga dy këngëtarë. Atë që unë adhuroja arrita ta kisha në krah dhe ta dubloja. E kupton çfarë emocioni? Kënduam këngën “Ylli Partizan” me kompozim të Agim të Krajkës me të cilën zumë vend të dytë. Këndova dhe një këngë të dytë “Letër nënës” një kompozim i Avni Mulës. Pra që në Festivalin e parë u paraqita me dy këngë. Ishte viti 1968
-Kështu vazhdoi maratona e gjatë e Festivaleve të RTSH-së, ku ju nga viti në vit bëheshit më e pëlqyer?
Emocionet e para kaluan. Festivali i 8-të ishte Festivali i provës për mua. Pas atij festivali u rritën kërkesat për të më dhënë këngë, siç u rrit dhe përgjegjësia ime. Pas atij Festivali kam mmarrë 3 çmime të para, ndërsa në të gjitha festivalet e tjerë kam marrë çmime të dyta dhe të treta. Pra këngët që kam marrë çmim të parë:
Çmimi të parë “Gjurmë të arta””, “Buka e duarve tona”, kompozuar nga Kujtim Laro, “Këputa një gjethe Dafine” . Pastaj dua të them se kam marë pjesë në të gjitha koncertet e Majit, anketat muzikore, koncertet e Pranverës. Në vitin 1982 fillova punë në Estradën e Tiranës, pasi që në klasë të tetë kam kënduar në Esradë si e jashtme.
-Ju këndonit ndërsa studimet e larta i kryet për aktrim…Paksa e çuditshme?
Është e vërtetë…Unë studimet e larta i kam kryer për aktore, pranë Institutit të Arteve (sot Akademia e Arteve) ku pas studimeve kam punaur dy vjet në Teatrin Kombëtar ku kam luajtur role të ndryshme të rinjsh. Pastaj kam punuar 4 vjet në Radio Tirana si redaktore e programeve muzikore. Kisha programet e muzikës popullore që fillonin nga ora 5 e ëfjesit dhe mbaronin në 22-00.
-Aktivietet tuaja janë të shumta. A keni pasur të takoni udhëheqsit e asaj kohe?
Enver Hoxhën se kam takuar asnjëherë. Por pas mbarimit të Liceut Artistik për teori muzike, donin të më çonin në Estradën e Tiranës, pa bërë shkollën e lartë. M’u desh të takoja Manush Myftiun. I thashë që dua të vazhdoj studimet e larta. Estrada kishte nevojë shuë dhe donte patjetër të më merrte. Ai më priti shumë mirë. Menjëherë dha urdhër që të vazhdoja shkollën. Më vonë, i bëra një kërkesë ish-Kryeministit Mehmet Shehu që të më jepte bursë studimi, pasi familja ime nuk e përballonte dot mbulimin tim me shpenzime për shkollën e lartë. Ai më akordoi një bursë speciale, ku unë paguhesha dhe pse isha në Tiranë.
-A ke pas moment të vëvshtirë në skenë?
Skena është e magjisdhme. Unë kam pas emocione, por jo momente të ëvshtira. Kur dilja në skenë e zaptoja të gjithë sallën nga cepi në cep. I shihja të gjithë nga rreshti i parë tek i fundit dhe humbisja në këngë. Spektatorët dhe kënga shkriheshin të gjitha në një. Për mua skena mbetet shumë e magjishme. Emocionet e mia kanë qenë vetëm pozitive dhe se kam ndjerë veten keq. Do të thosha se vetëm në periudhën e seleksionimit të Festivalit, nuk kisha atë entusiazëm sa ditën që dilja në skenë.
-Shumë Festivalee në periudhën postkomuniste janë bërë me CD, jo live. Mendimi juaj për këtë mënyrë të kënduari?
-Këngëtari kurrë nuk mund të formohet nqs nuk këndon live. Ai s’mund të krijoj indetitetin e tij, karierën e tij, mburojën e tij, fansat e tij duke kënduar me CD (superpozim, pleibek) në skenë. Ne, brezi im, se njohim këtë lloj të kënduari, ndaj nuk di çtë them. Ne jemi formuar duke kënduar drejt në skenë. Këngëtari i vërtetë i takon skenëës së vërtetë.
-Shpesh shihen huazime në drejtim të muzikës së lehtë, mendimi juaj për këtë?
Eshtë një krizë në këtë drejtim. Të rinjtë që krijojnë sot kanë shumë hapësira, kanë shumë pika referimi, kanë shumë lidhje me botën, dëgjojnë shumë rryma. Dixhitalizimi dhe në muzikë ka bërë që të shihet shumë nga e huaja, të kopjojnë dhe të largohen nga lapsi, nga krijimtaria e vërtetë, të largohen nga pentagrami dhe të hedhin notën aty. Kjo ka sjellë njëfarë shpërndarje tek krijuesit, të mos shohin më shumë tek vetvetja, por tek ato që shohin si gjysëm të gatshme. Kjor sjell një rutinë dhe anashkalon individualitetet e reja në muzikë.
-Afërsisht 35 vjet në skenë shumë çmime, a keni ndonjë peng në jetë?
Kam këtë peng, që shumë nga aktivitetet tona janë të padokumentuara. Pra flas për këngëtarët e brezit tim. E them këtë sepse shumë herë ku kam kënduar me Estradën e Tiranës apo nëpër rrethe, nuk janë filmuar, nuk janë incizuar. Pra skam një arkiv timin që të shoh ato që kam realizuar në skenë përveç, Festivaleve. Është tragjike…Sepse në koncertet e ndryshme në rrethe ka qenë kontakti direkt me spektatorin e thjeshtë, duartrokitjet e tyre më emocionin. Unë kam marrë pjesë në rreth 4000 shfaqje.
-Vajza juaj a do ndjekë rrugën e nënës, pra rrugën e bukur të këngë?
Jo. Ajo ka ndjekur tjetër rrugë. Ka studiuar për piano, ka mbaruar masterin teori muzike, dhe tashmë punon në Zvicër. Dikur me të kam eksperimentuar. Ishte një ide e Ardit Gjebresë që ne të bënim një duet tek “Kënga Magjike”, Ishte një duet që u mirëprit, por vajza nuk donte të vazhdonte më tej se e ndjente që skishte atë që ajo kërkonte tek vetja. Të jesh fëmijë i një artisti është e vështirë të formosh shpejt personalitetin tënd të veçantë. Kjo sepse të ndjek hija e prindit dhe atë shohin si individ me vete dhe është e vështirë të formosh portretin tënd. Ndaj Eshela (majë mali në Dukagjin) zgjodhi rrugën e muzikës jo të këngës.
-Parë në këndvështrimin tuaj, femra shqiptare a e ka zënë pozicionin e duhur në jetë?
Femra shqiptare po bën shumë përpjekje. Eshtë shumë kurajoze, shumë vitale, me shumë përgjegjësira mbi vete, është shumë aktive, një femër që është për t’u patur zili. Ajo po fiton çdo ditë terren.
-Dmth që shoqëria shqiptare nuk është shoqëri maskiliste?
Femra tashmë po punon, studion, është në politikë, në administartë, kjo do të thotë që maskilizmi nuk ka më atë formën e tij standarte. Femra me punë po imponohet në jetë, shoqëri, familje.
-Po për politikën shqiptare postkomuniste, a ka ndonjë përkufizim apo mendim të veçantë Ema?
Nuk jam marrë dhe nuk mirrem me politikë. Ata që miren me këtë profesion të jenë po aq të përgjegjshëm sa këngëtarët për këngën.
-Sot në Shqipëri ka shumë këngëtarë dhe këngëtare. Eshtë në të mirë të këngës shqipatre ky numër?
Për mua po. Rritet konkurenca. Koha do bëj seleksionimet. Ata që do formojnë individualitetin e vet, do ti rezistojnë kohës dhe do veçohen. Skena e ndan shapin nga sheqeri.
-Megjithatë këngëtaret më të spiaktura dhe më të shumta janë të rreshtuara në këngën popullore. Pse?
Kënga popullore është më e kultivuar. Ka shumë eksperiencë. Kënga e muzikës së lehtë është kultivuar tashmë vonë. Festivali i parë i Këngës në RTSH është bërë në vitin 1961. Por dhe ajo po fiton terren. Bile shumë. Ka fansat e saj. Brezat do ta zhvillojnë më shumë në të ardhmen, duke ruajtur traditën që formoi Vaçe Zela dhe shumë këngëtarë të tjerë. Tashmë kjo këngë themelin e ka të fortë.
-Sot flitet shumë për bashkjetesën. A është Ema për një bashkjetesë para martese?
Vetë jam për një familje tradicionale. Më pëlqen martesa si nocion. Por brezi i ri ka shumë alternativa për jetën. Mund të them se bashkjetesa mund të quhet si fejesa që ka qenë traditë në familjet shqiptare.Eshte diçka e re për familjen shqiptare që dhe brezi im duhet ta pranojë. Por ajo që dua të them, nocioni martesë nuk ka për t’u zhdukur kurrë. Ajo formon familjen, qelizën bazë të shoqërisë në çdo sistem ekonomiko-shoqëror.
-Në kohën e lirë me se merret Ema, dëgjon muzikë, lexon gazeta apo libra?
Më shumë libra. Ndjek shumë dhe dokumentarët historic. Por lexoj dhe gazeta kur kanë artikuj intersant.
-Ushqimi i preferuar?
-Domatja (qesh).
-Si i kujtoni këngëtarët e brezit tuaj?
-Me shumë nostalgji. Kemi pas një shoqëri të shkëlqyer dhe i jepnim forcë njër-tjetrit. Kujtoj me mall dhe dashuri Vaçe Zelën, pastaj ata që kam kënduar vazhdimisht Luan Zhegun, Liljana Kondakçi, Irma Libohovën, Alida Hiskun, Kozma Dushin, Lindita Theodhorin, Myfarete Lazen dhe shumë të tjerë….Secili prej këtyre këngëtarëve kishte individualitetin e vet artistik, ngjyrat e veta të zërit, auditorin e vet, ne kemi dhënë shpirtin në çdo këngë.
ALO VAÇE!
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/ Midis 9:00 dhe 10:00, pak a shumë rreth kësaj kohe, kur mendoja se ajo e kishte kryer ritualin e mëngjesit dhe tash qëndronte e ulur përpara televizorit duke patur pranë telefonin, telekomandën dhe një orë të vogël, që i tregonte se kur duhej të merrte ilaçet, unë do ta merrja në telefon për t’i uruar ditën e lindjes. Sa niste muaji prill, gjëja e parë që mendoja ishte ditëlindja e Vaçes. Pushtimi nga Italia, lindja e princit trashëgimtar, ikja e Zogut – të gjitha vinin pas ose nuk vinin fare. Unë besoja se Zoti kishte bërë që Vaçja të jetonte afër nesh. Si për të na e lehtësuar peshën e mungesës së Atdheut. Prania e saj në Zvicër, edhe e zvogëluar prej sëmundjes në atë kolltukun e dhomës së miqve kur priste shqiptarë dhe ndiqte me vëmendje lajmet që vinin nga vendi i saj, përfaqësonte për mua 28 mijë kilometra katrorë të një Shqipërie europiane. Të një Shqipërie siç do të bëhet, ashtu siç e deshte zemra e Vaçes, të një Shqipërie që Zoti e ka vendosur në mes të të mirave. Kur kjo klasë politike që e ka lënë kockë e lëkurë atdheun tonë, të mos jetë më. Vaçe Zela simbolizonte Shqipërinë nuse, kur të bëhet si Zvicra e Ballkanit.
Rreth kësaj ore, midis 9:00 dhe 10:00 të paradites, si tani që po i shkruaj këto rradhë, në vend të telefonatës që do të bëja. Unë do t’i bija ziles dhe kur do t’i thosha „Alo, Vaçe“ – ajo nga ana tjetër do të më përgjigjej menjëherë „Elida“. Sepse e dinte shumë mirë që unë lumturohesha kur ajo ma njihte zërin menjëherë, kjo jo vetëm për shkak të veshit të saj të ndjeshëm muzikor. Por sepse midis nesh kishte një sintoni të bukur. Që unë e desha Vaçe Zelën, kjo nuk përbën ndonjë diçka të re sepse shqiptarët që deshën dhe e duan janë një oqean i madh, por sintonia jonë ishte e veçantë.
Sot provova t’i bie ziles me shpresë se mos më përgjigjej që nga parajsa. Këto janë gjëra që deri tani nuk kanë ndodhur. Por diçka është e sigurt se edhe prej parajse ajo rrezaton një diell dashurie për të na ngrohur e shkrirë ne shqiptarëve nga ngrica e përçudnimi.
Gjithë jetën më ka shoqëruar Vaçja. Me mrekullinë e zërit të saj jam rritur. Edhe kur dëgjoja fshehtas Beatles. Nuk vija ndonjë ndryshim midis tyre. Nuk e di nëse Beatles, John Lennon me shokë si do t’ja kishin dalë në Shqipërinë burg, ku këndonte Vaçja. Nëse do t’ia kishin thyer vargojtë diktaturës përmes këngës, ashtu si Vaçe Zela.
Tek Vaçja, Zoti i kishte dhuruar të gjitha bashkë. Ajo kishte zërin, talentin, zemrën, interpretimin, feminitetin. Ishte një artiste e kultivuar e cila i thyente të gjitha barrierat nën diktatin e një sistemi mizor. Si askush. Si asnjë.
Asnjëherë nuk pati lidhje me regjimin. Nëse do të kishte, regjimi do ta shpërblente ashtu si i ka shpërblyer të gjithë artistët dhe shkrimtarët që i pati shërbëtorë të bindur.
Vaçen diktatura e dënoi në mënyrën më kriminale të mundshme. Nuk mundi dot ta burgoste si i burgosi të tjerët. Sepse i friksohej Vaçes, dimensionit të saj gjigand. Atëherë gjeti mënyrën më tragjike. Duke ia hequr të drejtën e këngës. Duke e nxjerrë Vaçe Zelën në pension në moshën 45 vjeçare.
Ta nxirrje Vaçe Zelën në pension në moshën 45 vjeçare, t’i hiqje të drejtën e këngës, do të thotë që ta ekzekutoje me mënyrat më të përbindshme që përdorte diktatura. Si mund të ishte pushkatimi apo varja në litar.
Dhe më vjen keq, se mediat në Shqipëri vazhdojnë dhe e fshehin këtë fakt. Më vjen keq kur dëgjova në fjalët e lamturës që u thane për të, se Vaçe Zela iu largua vetë skenës si Greta Garbo! Kjo s’është e vërtetë. Vaçe Zelën e largoi nga skena diktatura. Sepse ajo ishte titane! Diktatura përpara saj dukej qesharake.
Sa nuk ishte sëmurë, gjatë qëndrimit të saj në Zvicër, kur ne të dyja flisnim bashkë dhe unë i referohesha kthimit të saj në skenë, ajo asnjëherë nuk më tha „jo“. Që do të thotë se ajo gjithnjë e mbante mendjen dhe shpirtin tek skena. E cila iu mohua nga diktatura dhe nga tmerret e tranzicionit. Sepse Vaçe Zela nuk do të largohej kurrë nga Shqipëria edhe fizikisht, ashtu si nuk u largua kurrë as mendërisht e shpirtërisht. Ajo vuante për të gjitha mbrapshtitë që i vuante Shqipëria dhe shqiptarët gjatë këtyre 23 viteve pasdiktaturë, kur shteti nuk kishte kohë për qytetarin, kulturën dhe artistët sepse ishte i përqendruar tek pangopësia për pushtet.
Kur ajo vdes, shteti e kujton Vaçe Zelën postmortum, kur shtanget nga pesha prej titaneje e Artistes, të cilën diktatura e largoi nga skena në prillin e vitit 1984 – plot 30 vjet më parë, ndërsa ajo vazhdon të qëndrojë në skenën e shpirtit të kombit që është i pavdekshëm. Sepse Vaçe Zela ishte një talenti i lirë dhe sovran, i pastër dhe i papërlyer. E kështu do të mbetet. Në përherësi.
Unë po i bie ziles së telefonit. Sinjali po bie pa pushim. Unë po pres mrekullinë që ajo pas telefonit të më përgjigjet « Elida ». Jam duke pritur që të paktën të më dërgojë një shenjë nga Parajsa. Padyshim që këtë shenjëz do ta marr.