• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vëllai i pengut- Reshat Agajt rrëfehet tek amerikanët: Sigurimi më ka mbajtë vëllanë peng

July 10, 2015 by dgreca

Nga Dalip Greca*/
…Kur mbaruan pyetjet dhe proçeset investigative të policisë greke, Asim Jakova e njoftoi Reshat Agajn se shpejt do të shkonin në Kampin e Lavrios, aty ku ishin mbledhur të gjithë të ikurit shqiptarë, bullgarë e jugosllavë. Para se të nisej për në kamp, në shtëpinë personale të Asimit, Reshati, Asimi dhe gjenerali amerikan Beck, kaluan plot gjashtë orë intervistë, me pyetje e përgjigje, të cilat i përkthente Asimi. Në këtë intervistë, ai shkruan në ditar se u hapi amerikanëve zemrën dhe zbrazi tërë tragjedinë e vet dhe të vëllait, Pertefit.
Kur kaloi në kampin e Lavrios, një ditë policët grekë e çuan në disa zyra të Misionit Amerikan, ku iu nënshtrua provës së makinës, që nxjerr gënjeshtrat në shesh (lie detector). Zhveshur nga brezi e lart, ata i lidhën për trupi disa fije të ndryshme teli, që ishin lidhur me këtë makinë, e cila dridhej sa herë që jepte përgjigjet e pyetjeve në shqip, po ose jo. Një teknik amerikan do të shqyrtonte pyetjet e përgjigjet dhe do të përcaktonte nga dridhjet e makinës, nëse ai kishte thënë të vërtetën, apo kishte fshehur ndonjë sekret. Asimi i tha më vonë se tekniku kishte thënë në raportin e tij se Reshati në pyetjet e para kishte fshehur të vërtetën dhe në pyetjet e tjera kishte thënë të vërtetën.
– Unë,- i tregoi Asimi më pas,- u zura me të, se jam i sigurtë se ti je një intelektual nga shtëpi fisnike dhe nuk je agjent komunist, i udhëzuar për të na mashtruar ne. Kam vënë firmën, duke i siguruar amerikanët me jetën time, që, në rast se ti je agjent komunist, unë të dënohem njësoj me ty.
Firmën personale të Asim Jakovës, ia konfirmoi më vonë kapiteni amerikan Johnson, që kryesonte zyrën për shqiptarët, kur Asimi nuk shërbente më aty, por ishte transferuar në një vend tjetër.
Çështja e Reshatit u mor në konsideratë të vecantë nga ana e amerikanëve nëpërmjet të gjitha kanaleve të tyre dhe e tërë ajo situatë iu raportua qendrës në Washington, sikurse ia tha atij në mirëbesim Asim Jakova. Kur zyra amerikane e Athinës u propozoi atyre të Washingtonit që ta përcillnin Reshatin në Itali dhe ta përdornin për kontakte me komunistët e misionit shqiptar në Romë, ata të Washingtonit iu përgjigjën kështu: Nuk kemi asnjë interes në shërbimet që mund të na sjellë Reshat Bajram Agaj. Ne jemi të interesuar vetëm të shpëtojmë jetën e Pertef Bajram Agajt!
Reshati shkruan në ditar: ”Ky telegram i ardhur nga Washingtoni, si më tha Asimi, bëri kaq shumë përshtypje në shpirtim tim, saqë kurrë në zemrën time s’kam pasur veçse ndjenjat më të larta të admirimit dhe mirënjohjes së thellë për popullin e vërtetë amerikan, për atë që mbron dhe ruan në shpirt traditat e shkëlqyera të këtij populli të ri, tradita njerëzimi, mëshire dhe lirie.
“Vëllezërit” e mi shqiptarë si Kadri Hazbiu me shokë kërkonin pa mëshirë e pa dhimbje, që unë të zhgrryhesha përdhe dhe të bëhesha vegla e tyre e ndyrë kundër të ikurve të mjerë, që luftonin kundër një regjimi, që ishte kokë e këmbë në shërbim të rusëve e sllavëve, ndërsa amerikanët e panjohur të përtejdetit ushqenin ndjenja shumë të larta njerzillëku dhe mëshire për mua dhe vëllanë tim. Mirënjohja ime për ta kalon çdo kufi dhe u jam mirënjohës përjetë. Drita dhe shpëtimi i Zotit u derdhtë mbi këtë komb e mbi këtë popull.”
Në shënimet e veta, Reshati nuk e harron ndihmën me të holla që dha për të Asim Jakova.Kur Asimi u largua për në Amerikë, ai e rekomandoi Reshatin tek Kapiten Johnson, një burrë nordik, i gjatë afro dy metra, nga Milwaukee. Gjatë luftës Johnson kishte kaluar katër vjet në malet e Hungarisë, në prapavijat gjermane dhe kish shpëtuar për mrekulli nga ndjekjet e Gestapos, në sajë të një kundëragjenti amerikan, që ishte në Budapest me gradën e majorit të ushtrisë gjermane. Historia e kapitenit Johnson ishte me të vërtetë një histori, që gati dukej legjendare. Duke kaluar nëpër Hungari, Kroaci dhe Itali, veshur si diplomat kroat, ai mundi të arrijë në vijat e ushtrisë amerikane në Itali. Dëshira e parë, që u shfaqi superiorëve pas gjashtë vitesh shërbimi dhe ndarjeje nga familja e tij, ishte, që të kishte mundësi të shkonte të shihte nënën e tij në Milëaukee. Komanda e lartë e kënaqi Kapitenin Johnson, duke i vënë në dispozicion një aeroplan të veçantë për të udhëtuar drejt nënës së tij.
Kapiteni Johnson njihte shumë gjuhë. Edhe italishten e fliste shumë mirë. Me këtë gjuhë komunikonte Reshati me të, se në këtë kohë anglishtja i çalonte. Me Kapiten Johsonin bisedonin vetëm punët e kampit dhe asnjëherë, megjithëse e dinte fare mirë, nuk ia zuri në gojë ngatërresat me komunistët e Tiranës. Në këtë kohë, pas ikjes së Miftar Spahiut, Reshati ishte bërë kryetari i Legalitetit në kamp dhe shpeshherë shkonte në Athinë në lidhje me problemet e kampit, mbasi në këtë kohë amerikanët kishin lëshuar fonde për t’u shpenzuar në favor të refugjatëve politikë dhe natyrisht ngjanin mosmarrëveshje se si do të ndaheshin këto fonde.
Kur Kapiteni Johnson merrej me punët e tjera, ai që kish të bënte me Reshatin ishte një djalë i ri shqiptaro-amerikan, lindur në Amerikë, që ai i njihte vetëm emrin Peter. Ai fliste një shqipe të bukur korçare.

“A u kthye Papa në Vatikan?”

Ishte janari i vitit 1952. Pas një qëndrimi prej një vit e gjysëm në Greqi, qendra vendosi që Reshatin të shkonte në Itali. Para se të nisej për në Romë, shqiptaro-amerikani Peter e mori nga kampi dhe e mbajti në një hotel të bukur në Pire për afro një javë. Çdo natë ai e ftonte për darkë, duke e çuar në restorantet e bukura të Pireut.
Nisja nga Athina u bë me anë të një avioni britanik. Në aeroport e përcolli Peter me makinën e tij. Kur ishin në mes të rrugës, Peter ndali makinën dhe kontrolloi imtësisht valixhen e Reshatit. Ishte hera e parë që Peter bënte detyrën, ashtu si e bëjnë agjentët e punëve të fshehta, se deri atëhere puna e tyre kishte shkuar në mirëbesim.Peter i mori me vete bllokun e shënimeve, një pare floriri, që ia kish dhënë bashkshortja Drita si kujtim dhe një bonde- me lireta italiane. Bondet dhe floriri i’u kthyen në Itali me anë të Gaqo Gogos, por blloku i shënimeve nuk iu kthye kurrë.
Kur Peter i dha pak dollarë dhe pasaportën dhe u përqafua me Reshatin, ky i tha këto fjalë në anglisht:
– Unë shkoj të punoj për Shqipërinë, për Amerikën dhe për Lirinë. Peter u kënaq shumë dhe, duke e përqafuar dhe një herë, u ndanë për të mos u takuar më.
Arriti në Romë në orët e para të mbrëmjes. Hipi në një autobus, duke i dhënë shoferit adresën që i kishte dhënë në Athinë Peter, në marrëveshje me zyrën e Romës. Kur arriti atje, u ndodh në një situatë të vështirë; adresa ishte fallso. I dëshpëruar zuri vend në një hotel aty afër.Kjo ishte e papritura e parë që i bënë zotërinjtë italianë dhe u dëshpërua shumë. Priste t’i vinte agjenti italian, zotni Marconi, i cili duhej t’i jepte parullën: “ A u kthye Papa në Vatikan, apo jo” dhe Reshati do t’i përgjigjej: “Po, u kthye”. Mirëpo askush nuk iu paraqit.Të nesërmen doli jashtë. Një zotni me trup mesatar i afrohet dhe i flet në emër. U habit dhe s’diti si të vepronte nga që priste parullën. Por ai, si e kanë zakon italianët, që çdo gjë e marrin me shaka, kur pa se Reshati po mendohej dhe mëdyshej, tha duke qeshur:
– Eja, eja këtu se e dimë që Papa erdhi në Vatikan.
Italiani e çoi në shtëpinë, që kishin zënë me qira për Reshatin. Pas pak ditësh në Romë u takua me Gani Tafilin. Ata të policisë u zemëruan, sepse duhej të kishte qëndruar akoma i padukur. Dalja e tij jashtë ishte me zarar, pasi në atë kohë aty kishte shumë shqiptarë rrotull. Italiani Markoni dhe shefat e tij nuk kishin aq besim tek Reshati.
Takimi me Abaz Kupin

Reshati po e ndjente se qëndrimi i tij në Romë, ku të gjithë shqiptarët silleshin kafeneve, krijonte thashetheme të pafundme për të dhe sigurisht fliteshin e çfliteshin fjalë sokaku sa të duash. Fjalët e ardhura nga Shqipëria nga Laze Bërdo dhe Ahmet Belushi, të cilët kishin thënë se nuk ishin pushkatuar të gjithë ata të procesit të Pertefit, kishin qarkulluar. Atëhere Komiteti i atjeshëm i Shqiptarëve ishte i plotë dhe merrej me punë subversive brenda në Shqipëri dhe dyshimet, natyrisht, ishin të mëdha. Kulmi i këtyre thashethemeve arriti, kur agjenti amerikan Lee, pranë Komitetit, i tha Abas Kupit se Reshati ishte i dërguar nga qeveria komuniste dhe se emri i tij i fshehtë qenkish Remo Giovannini. Kur shkoi tek Abazi, ky i tregoi Reshatit emrin të shkruar në një bllok. Iu përgjigj Abas agës aty për aty:
– “Unë nuk jam as tradhëtar i nacionalizmit shqiptar, as tradhëtar i Lëvizjes së Legalitetit, por, po pate durim, dua të fjalosem me ty sy më sy të të shpjegoj si është puna.U hoqa mënjanë me plakun e madh të maleve tona dhe ia kthjellova fill e për pe të gjithë tragjedinë time dhe të vëllait tim. Pasi më dëgjoi, më puthi, duke më thënë me zemër prindi:
– Ti më ke mua e mos e çaj kryet fare.”
Për aq kohë sa qëndroi në Romë dhe nëpër kampet e Italisë, sofra e Abas Kupit dhe porta e shtëpisë së tij qenë të hapura dhe mikpritëse për Reshatin.
Ai shkruan në ditar “Nga zemra e falenderoj shpirtin e tij. Zoti e ndjeftë atje, ku i treten eshtrat! Ndërsa kur i shpjegova Abas agës takimin e fundit me vëllanë dhe me oficerët e Sigurimit, Bazi lëshoi një psherëtimë të sinqertë dhe tha:I shkreti… “
Kaloi pothuaj tre muaj në Romë, pa i ndodhur asgjë. Reshati shkruan në ditar:”Unë isha vetëm një gozhdë e vetme në atë rrotë të madhe të shërbimeve të fshehta.”
Një ditë i shkon një polic dhe i thotë të paraqitej në policinë e Romës, se duhej të largohej nga ai qytet. Mori valixhen dhe shkoi në polici. Ata i thanë që, meqenëse s’kishte ku të shkonte, do ta fusnin në kampin e refugjatëve pa atdhe, në Fraschette, kamp i mbyllur për njerëz të dyshimtë dhe të rrezikshëm. Një polic e shoqëroi atë natë për në Frosinone, ku e ndalën në burgun e qytetit. Në Fraschette arriti të nesërmen. Në burg takoi qindra italianë e të huaj të çdo kombësie, mbetur rrugëve.
Të nesërmen e shoqëruan për në kampin e Fraschettës.Aty e kap një mërzi e thellë. Në ditar gjejmë këtë shënim:”Këtu mbaroi ekzistenca ime si individ i veçantë. Të gjithë ata që mbylleshin këtu thërriteshin me një numër e jo më me emër.Numuri im ishte 6339.Mbyllja imë këtu bëri përshtypje të keqe nga çdo anë dhe sigurisht shumë menduan se unë isha agjent komunist dhe i rrezikshëm, mbasi më mbyllën në këtë kamp, që s’kish liridalje, veçse me leje të veçantë.”
Në atë kohë, kushëriri i tij, Ago Agaj ishte në Egjipt. Ai u bë shumë merak dhe me anë të Mbretit Zog, u interesua që Reshati të bënte një lutje për t’u marrë në shërbim të shërbimit të lajmeve angleze B.B.C., meqenëse ata kërkonin një stenograf.I ktheu përgjigje se nuk e bënte dot më atë punë. Agoja nuk e dinte se Reshati s’mund të bënte asnjë lëvizje pa leje. Sidoqoftë, me anë të Ali Këlcyrës, Agoja i dërgoi nga Egjipti një palë rroba. Nga Roma, nga Partia e Legalitetit, i dërguan ca para që i shërbyen shumë për të shkuar në Fiuggi për kurën epastrimit të veshkave. Kur shkoi në këtë kamp, veshkat filluan t’i dhimbnin shumë dhe një ilaç që kishte marrë në Romë, s’i bëri efekt.
Dëshmitar për dhunën komuniste
Në kamp i vijnë një ditë të dërguar nga Abaz Kupi, Gani Tafili dhe Selim Damani, të cilët e vënë në dijeni se Komiteti Shqipëria e Lirë kishte kërkuar që Reshati të shkonte në Romë të demaskonte kampet e përqëndrim-internimit që kishte ngritur qeveria komuniste e Shqipërisë. Ata s’kishin ku gjenin tjetër njeri që të dëshmonte me saktësi dhunën komuniste.Reshati kishte kaluar nëpër ato kampe pune të detyruar.Ai kishte dalë gjallë nga kampi i Kënetës së Maliqit, nga vendi i skëterrës.Partia Agrare e Ballit Kombëtar kishte paraqitur Skënder Dumën, i cili kishte qenë i burgosur dhe kish punuar një vit në Kampin e Maliqit. Në fillim plani kish qenë që të dy të shkonin për të dëshmuar para Komitetit të veçantë të Organizatës të Kombeve të Bashkuara për shkeljen ose mohimin e të drejtave njerëzore me qendër në Gjenevë të Zvicrës, por, siç i spjeguan Selimi dhe Ganiu, qeveria e Zvicrës nuk e kish lejuar vajtjen e tyre atje, se nuk donte t’i shtonte telashe vetes, duke armiqsuar vendet e perdes së hekurt dhe veçanërisht Rusinë, e cila atëhere i delte zot Shqipërisë. Komiteti kish vendosur ta paraqiste Reshatin para një konference shtypi në Romë, ku do të merrte pjesë e gjithë kryesia e Komitetit Shqipëria e Lirë, me Hasan Dostin në krye, diplomatë të huaj me qendër në Romë dhe gazetarë italianë e të huaj. I tërë fjalimi i Reshatit do të bëhej në gjuhën italiane, që e njihte si gjuhën shqipe.
Në gazetën “Flamuri” , korrik-dhjetor 1952 , shkruhej:” Mandej z. Hasan Dosti paraqiti një burrë të ikur fushave të përqëndrimit të Shqipërisë së roberuar, z. Reshat Again, i cili përshkroi vuajtjet, torturat dhe varrosjet për së gjalli me një mënyrë rrënqethse. Gazetarët u interesuan shumë për këtë kontakt direkt me fakte e nejrëz që janë prova të rralla dhe të gjalla të barbarizmit komunist.(Marrë nga libri “Hasan Dosti, një jetë për çështjen shqiptare”, faqe 203).
Tregimi i Reshatit mbi Maliqin, sepse atje kishte kaluar gjashtë muajt më të frikshëm e më të tmerrshëm të jetës së vet, ishte përkthyer në italisht dhe ai duhej veçse ta lexonte. E morën një ditë para dëshmisë në Romë dhe, me urdhër të amerikanit Lee, që ishte përgjegjës pranë tij, duhej të ishte i veshur keq.
Dalja e Reshatit para personaliteteve, që ishin atje, me rrjedhshmërinë e gjuhës italiane, bëri një përshtypje të madhe dhe të nesërmen të gjitha gazetat e Romës,disa dhe me fotografinë e tij, dhanë lajmin e kësaj konference shtypi.Komiteti Shqipëria e Lirë nxorri në këtë rast një buletin special në tri gjuhë, shqip, anglisht e italisht, me tregimin dhe historinë e Reshatit.
Vite më vonë, kur Reshati ishte në Kanda, Senati Amerikan nxorri një broshurë të vogël mbi Shqipërinë dhe okupacionin e saj nga ana e komunizmit. Në këtë broshurë, dy faqet e fundit janë mbushur me tregimet e tij rreth kampit të punës së detyruar në Maliq dhe jetën e të burgosurve në atë kamp.
Jo shumë kohë më pas ai u transferua në kampin e Marcatellos, afër Napolit, ku ishin strehuar dhe shumë shqiptarë të tjerë.
Shkoi aty në gushtin e vitit 1953 dhe më 1 mars të 1954-ës u nis për në Kanada, në kontinentin e Amerikës së Veriut, në vendin e liqeneve dhe akujve.
Provokimi, letër nga vëllai dhe nisja për Kanda

Një ditë i dërguan një letër nga Milano me emrin e një njeriu fare të panjohur. Kur e hapi këtë letër, njohu shkrimin e Pertefit, vëllait peng. Ai shkruante se ishte mirë dhe besonte që edhe Reshati të ishte mirë. Sigurisht që kjo letër ishte diktuar nga ata të Sigurimit të Tiranës dhe i dërgohej nga Milano, që të mos zgjonte ndonjë dyshim, ose të çensurohej. Letra e qetësoi shumë se i dha lajmin se Pertefi ishte gjallë dhe se punët shkonin jo keq në lidhje me qëndrimin e tij jashtë dhe çdo gjë ishte në rregull.Mirëpo Reshati i gjorë nuke dinte se vëllai ishet pushkatuar që në vitin 1951!
Mbasi mori garancinë për të shkuar në Kanada, Reshati iu drejtua Ministrisë së Jashtme, që t’i lëshonte një dokument udhëtimi si refugjat për të udhëtuar drejt vendit të panjohur, ku do të ishte streha e tij e re. Roma e refuzoi kërkesën tij. Atëhere iu drejtua Ministrisë së Jashtme Greke në Athinë, aty ku ai doli për herë të parë dhe ata ia dërguan menjëherë dokumentin që kërkonte dhe kështu, pas vizitave të doktorëve dhe intervistës në Ambasadën e Kanadasë në Romë, u përgatit për t’u nisur në Kanada, më 31 Mars 1954, ku e priste Hekuran Shaska, që i kish dërguar garancinë.
U nis nga Napoli me vaporin “Vulcania” për në Halifax të Kanadasë bashkë me qindra italianë dhe me shokun tij, Zija Boriçi nga Shkodra. Kaluan 15 ditë lundrim të ashpër, të fuqishëm dhe të rreptë në mes të oqeanit, dallgët e të cilit e ngrinin dhe e ulnin tërë atë bina vapori si një varkë të vogël. Pas shumë mundimesh mbërrijnë në Kanada.

JETA E RE NË TORONTO TË KANADASË

Më 1 prill 1954, së bashku me shkodranin Borici, zbritën në Halifax, qyteti bregdetar i krahinës së Nova Scotia, ku u pritën prej njerëzve të Këshillit Botëror të Kishave, që ishin ndërmjetësit e ardhjes së tyre në Kanada. Ata i ndihmuan për të marrë trenin, që nisej për Toronto. Pas afro katër ditë udhëtim treni arriti në Toronto, ku i priti Hekuran Shaska dhe Veledin Capoj. I tërë vendi ish mbuluar me borë të madhe. Reshati u sëmur nga të ftohtit dhe qëndroi brenda një javë. Kishte kollë të fortë dhe ethe.Jeta ishte e vështirë, saqë kalonte shpesh në dëshpërim të thellë, ngaqë puna në këtë kohë nuk gjendej dhe gjuha angleze e tij ishte ende e pasigurtë.Provoi të punoi si pjatalarës dhe ndërroi shumë vende, ngaqë e nxirrnin nga puna për shkak se merrnin të tjerë më të rinj që ua bënin më mirë punën.U shkroi letër në të katër anët Jakovës e të tjerëve për të patur ndonjë ndihmë në gjetjen e ndonjë pune sipas profesionit, po asnjë ndihmë nuk i’u dha. Edhe aty ku filloi të punonte si pjatalarës dërguan një informator shqiptar, që ta vëzhgonte. Dukej se ishet i futur ngase ai u zhduk shpejt dhe kur e takoi më pas përpiqej t’i fshihej Reshatit.
shikonte se çfarë do të bënte e si do reagonte ndaj punës si pjatalarës.
Reshati pyet veten: “E kush e dërgoi atë? Kush e di! Sigurisht, shërbimet kanadeze të nxitura nga kushërinjtë e tyre të jugut. Këtë e kuptova mirë se, ai, që më vërente mua si punoja tek pjatat, iku të nesërmen dhe s’e pashë më të vinte. Më vonë këtë zotëri e njoha fare mirë. Ai ishte një farë vagabondi shkodran dhe, kur i zura njëherë në gojë restorantin e grekut, ku kish qenë të më vërente mua, nuk ia pati qejfi fare të bënte fjalë dhe e bëri veshin e shurdhër. Ai ishte një shqiptar që kishte shërbyer në shërbimet angleze në Greqi. Emrin nuk ia ze në gojë, se s’ka rëndësi.”
Vuajti shumë derisa gjeti punë të rregullt në Dominion Citrus, në verë të vitit 1955. Këtu u qetësua mjaft, se 13 vjet punoi në verë në St. Davids dhe në dimër në Toronto. Në St. Davids ishte edhe kryetar i zyrës, edhe arkëtar, pra ishte një zyrë ku një njeri i bën të gjitha. Atje ndjehej mirë se fshati ishte i bukur e me pemë tërë verën.
Në Toronto atëhere ishin mjaft shqiptarë të ikur si Reshati dhe aktivë në Lëvizjen Mbretërore të Legalitetit. Në atë kohë nxorrën disa numra të ndryshëm të një gazete lokale me emrin “Djalëria”, bashkëpunëtori kryesor i së cilës ishte Reshat Agaj.
Reshati u aktivizua në politikë, duke qenë një aktivist i gjallë në Partinë e Mbretit. Mirëpo duket se ishte penduar për këtë kohë të shpenzuar. Ai shkruan ”26 vjet të tërë …mendoj se aktivizimi në parti ka qenë një gabim shumë i madh, që më ka kushtuar shumë si financiarisht, si në nervat e shkatërruara dhe në kohën e humbur, duke bërë armiq ata që s’duhej të bëheshin, armiq se ishin edhe njerëzit e mi, edhe njerëz që më kanë bërë e u kam bërë mirë e jo keq. Përzierja e shqiptarit me politikën është një përzierje harame, një përzierje eksplozive e shumë e hidhur, se shqiptari nuk e kupton e nuk e praktikon politikën, veçse në funksion të egos së tij të tmerrshme dhe të individualizmit të tij ekstrem e pa asnjë farë principi njërëzor dhe moral. Duke parë këto vite të gjatë politike shqiptare në mërgim, nuk ngurroj të them se demokraci të vërtetë në Shqipëri nuk do të ketë dhe s’do të ketë kurrë. Vetëm nëqoftëse një ditë fuqia supreme e Krijuesit të Gjithësisë do të urdhërojë që të ndryshohet themelisht brumi i qënies së shqiptarit, brum i ashpër dhe i egër, brum i krijuar për ngatërresa, luftra pa princip, shpifje, kryeneçësi të pavend dhe të pa shkak. Në themel të individualitetit të shqiptarit, janë influencat e huaja greke, italiane dhe të tjera më të largëta, plus ndasitë fetare të kohës. Prej këndej na del një çorbë e tmerrshme nastradini, që vihet re më mirë se kudo në babiloninë e mërgatës së sotme shqiptare.”
***
* Autori e shkroi shkrimin kur ishte editor i sec Shqip në Gazetën Illyria në Nju Jork. Teki Gjonzeneli me bashkshorten, mbesën e Reshat Agaj-it, Filnlandën, (që jetojnë në Nju Xhersi), e bija e Pertef Agaj, i pushkatuar nga diktatura komuniste, ia besuan Ditarin e zverdhur nga koha gazetarit. Shkrimi u ndërtua nga Ditari i Reshat Agaj, i cili së bashku me 50 mijë dollarë ua kishte lënë amanet miqve tij në Kenosha, Wiscans, SHBA, që t’ia dërgonin familjes në Vlorë pas vdekjes së tij, por me kushtin-pasi të binte komunizmi. Pikërisht ky ditar, u kompjuterizua nga Dardanesha Andoni Gashi dhe u redaktua nga Dalip Greca. Ditari-Libër”Vëllai i pengut”, pati shumë sukses në Shqipëri dhe ka njohur deri tani tre botime dhe sërish ka kërkesa. Po ashtu me ditarin u ndërtuan disa dossierë, që u botuan në Gazetën Illyria dhe në gazetat e Tiranës. Reshat Agaj,i diplomua në Itali, një intelektual nacionalist, ishte viktimë e sistemit, por pati kurajo që ta denonconte atë tek amerikanët dhe nuk bashkëpunoi me Sigurimin e Shtetit, që i mbajti vëllanë peng,e më pas ia pushkatoi.Për disa kohë Reshat Agaj kreu detyrën e Kryeredaktorit të gazetës”Atdheu”. Ai bashkëpunoi me Gazetën Dielli, Gazetën “Shqiptari i Lirë” i komitetit Shqipëria e Lirë dhe gazeta të tjera antikomuniste në diasporë.Eshtrat e Reshat Agaj prehen ende në Detroit. Ashtu si shumë nacionalistë të tjerë dhe ai pret kthimin në Atdhe.

Filed Under: Histori Tagged With: pertef Agaj, Reshat Agaj, Sigurimi i Shtetit, Vellai i Pengut

Vëllai i pengut-ME PUNË TË DETYRUAR NË KENETEN E MALIQIT

February 12, 2014 by dgreca

Nga Dalip Greca*/

 Në burg Reshat Agaj përcolli shokët e qelisë që u dënuan me vdekje dhe në ditarin e tij ai jep hollësi se si Reshat Stërmasi para se të pushkatohej pa në ëndërr fundin e vet tragjik; të njëjtën gjë përjetoi edhe  Vasil Llazari. Ata, para pushkatimit ia treguan ëndërrat priftit Irine Banushit, i cili përpiqej që t’ua largonte parandjnjën.Ditari i Agajt sjell tablonë e dhimbjes dhe përballjen me ashpërsinë e diktaturës në ato vite. Një tjetër tablo dhune vjen nga kampet-burgje, ku të burgosurit shfrytëzoheshin dhe trajtoheshin si skllevër të mesjetës. Ai tregon se me 14 maj 1948 i njoftuan se do t’i dërgonin në atë që quhej këneta e vdekjes në Maliq të Korçës. Jo pak,por 400 të burgosur i nisën që në mëngjes herët drejt kënetës së vdekjes. Në çdo kamion ishin vendosur 15-20 të burgosur, bashkë me plaçkat e tyre dhe të gjithë ishin të lidhur në një zinxhir të gjatë që lidhte duart e tyre rreth e qark. Reshati shkruan se ka qenë një udhëtim skllevërish, me vuajtje dhe dhimbje të papërshkrueshme, se në çdo lëkundje të makinës, lëkundeshin dhe ata, për pasojë duart u shtërngoheshin dhe u bëheshin plagë nga  zinxhirët e trashë. Kur arritën atje pasdite vonë, gjetën dhe të burgosur të tjerë nga burgjet e Durrësit dhe Elbasanit, plot 2000 të burgosur, të strehuar në gjashtë baraka të gjata druri, mbuluar me llamarina dhe mushama të vjetra dhe brenda ishin dy radhë vende për fjetje, shtruar me dërrasa. Pikërisht aty kaloi plot gjashtë muaj të tmerrshëm, që nuk mundi t’i harronte derisa mbylli sytë në Kenosha e u varros në Detroit.

Reshati dëshmon se gjatë kohës që punoi atje pa vdekjen me sy. Aty vdiqën nga torturat, sëmundjet dhe mundimet supernjerëzore 135 shqiptarë të burgosur dhe u varrosën të gjithë në bregun para xhamisë së katundit Vloçisht, aty afër. Tetë vetë u vranë nga policët në mënyrë barbare , qoftë pse guxuan të bënin ndonjë kundërshtim të vogël, qoftë pse deshën policët për qef, t’u shtinin tmerrin të tjerëve me akte çnjerëzore dhe të frikshme.

Reshati dëshmon:” Para syve të mi u rrah sa dha shpirtin një tiranas që kish dhe djalin e tij të burgosur, të cilin e mbuluan, si të ishte një qen i ndotur, në rrugën që të çonte në kanal, atje në vendin e punës, në baltën e tmerrshme të Maliqit.”

Jeta në kampin-burg ishte llahtar. Zgjimi bëhej në orën katër të mëngjesit dhe brënda një ore, duhej të bëheshin gati dhe të viheshin në rresht, pasi të kishin marrë atë lugë çaj dhe bukën që iu jepej qysh në mëngjes e niseshin për t’u përballur me baltën dhe shkopinjët e policëve. Në fillim të kanalit ishte balta e tmerrshme e Maliqit plot me shushunja, që ngjiteshin nëpër këmbët e zbathura dhe ua pinin atë pikë gjak, që u kish mbetur. Çdo i burgosur duhej të mbushte normën e përditshme, që ishte tre metra kub dhe’ të gërmuar, për ta transportuar në anën e kanalit me karroca dore. Kjo ishte një normë me të vërtetë  çnjerëzore,po të merrej parasyshë dobsia trupore, rezistenca e ulët e trupave të tyre, ushqimi mizerabël, balta e ngjeshur prej shekujsh nën ujë, gjatësia e ditës së punës, që i kalonte 12 orët etj.

Ai kujton se kishte të burgosur që e hanin racionin e bukës 700 gramësh menjëherë në mëngjes, sapo e merrnin në dorë dhe e kalonin ditën me gjellën e drekës dhe të darkës pa bukë. Kish njerëz që, për një paketë duhan, e shisnin gjysmën e bukës dhe mbanin barkun zbrazur për ato të shkreta cigare dhe mbeteshin në rrugë, duke i shtyrë policët me dru prapa kurrizit, në mos më keq.Le ta shfletojmë ditarin:” Këtu kam parë me sytë e mi se uria e çon njeriun të bëhet një shtazë e vërtetë. Ai që nuk e njeh urinë, nuk e njeh fare jetën. Vuajtjet këtu arritën kulmin e durimit njerëzor dhe shumë njerëz, që ishin pak të kaluar në moshë, u enjtën aq shumë nga këmbët dhe fytyra, sa u bënë të panjohur e mezi njiheshin. Ënjtja, thonin doktorët, vinte nga mungesa e vitaminave. Në kamp kishim nja pesë doktorë që mbanin infermierinë në këmbë. Edhe ata ishin të burgosur me dënime të ndryshme. Kur policët vendosnin që njëri të shkonte në punë, sado të thonin doktorët se ai nuk ishte në gjendje, nga që ishte i sëmurë, ai do shkonte medoemos e, në vdiste rrugës, asnjeri nuk e çante kokën për të. Polici më i tmerrshëm i këtij kampi ishte një kurveleshas, vendosur me familjen e tij në Lushnje. Ai ishte një tigër i vërtetë, i pashpirt dhe pamëshirshëm. Një tjetër polic, që gati sa s’më vrau në vend mua, ishte Ali Gana, nga Tërbaçi i Vlorës, i cili kish patur familjen e tij më parë në Brusnjë, ku banonin kushërinjtë e mi dhe kishte një urrejtje të pashpjeguar kundër gjithë familjes Agaj. Një ditë me shi, kur ra bilbili për të ndaluar punën, unë u vonova vetëm pak çaste për t’u vënë në radhë, sepse po fshija baltën që më ish ngjitur për trupi. Aliu erdhi pas meje e më dha një grusht aq të fortë në hundë, sa më shkoi gjaku rrëke dhe, po të kisha lëshuar një zë sado të vogël ,apo ndonjë fjalë, ose, po të kisha bërë ndonjë gjest ankues, ai mbante dorën në kobure gati të ma hiqte. Fatmirësisht e durova këtë grusht me durimin e shenjtorit dhe nuk lëviza nga vendi.”

Më pas Reshati tregon edhe një rast tjetër, kur ai deshi që të mbushte paguren me ujin e kanalit, mbeti i fundit i kolonës, atëherë i shkon pranë polici, dhe e shtyu fort; e hodhi me kokë në fund të kanalit dhe koka iu fut në baltën e madhe, gati sa nuk i mori frymën.Në këtë kohë një polic që ishte në anën tjetër, se kolona e të burgosurve shoqërohej nga të dy anët e kanalit me dy rreshta të gjatë policësh të armatosur gjer në dhëmbë, i bërtiti policit që e shtyu, duke i thënë:- A t’i bie qenit, a t’ia marr shpirtin qenit?

Ai i dëgjonte qartë fjalët dhe orë e çast priste që t’i fishkëllente plumbi në trup, siç kishte ndodhur dhe me shumë të tjerë që e kishin pësuar.

Një tjetër polic i thirri:

– Ik përpjetë, ik përpjetë!

Dhe ai, i trullosur dhe pa mend siç ishte, u hodh përpjetë dhe nisi të vrapojë derisa zuri kolonën, që ishte disa hapa para tij, duke lënë në vend torbën dhe ato pak rraqe që mbante me vete, si tasin e gjellës dhe të tjera.

Ai shkruan në ditar se aq i tmerrshëm ishte terrori i asaj dite, saqë, kur e pa veten në pasqyrë të dielën pasuese, vuri re se, që nga mesi i ballit e deri prapa kokës, një vijë e bardhë ishte formuar në flokët e tij.I ishin zbardhë flokët nga tmerri, që përjetoi.

Kështu kaluan gjashtë muaj tmerri.Në ditar gjenë raste ekstreme dhune, gjenë të përshkruar tablonë mjerane të urisë, ku të burgosur me sy të errësuar nga të pangrënit, mbyllnin sytë dhe mblidhnin lëkurat e patateve që hidhnin në ujëra e zeza ata të guzhinës, të cilat i hanin si të babëzitur.

Një tjetër tmerr dhe mallkim për ata ishin morrat, që kishin mbuluar jo vetëm barakat, por edhe fushën e madhe midis barakave.

Rrahjet dhe dhuna ishin të zakonshme. Injoranca e policëve merrte jetë të pafajshme.Gjatë një kontrolli, Reshatit i gjetën një libër në gjuhën angleze, që ia kishte dhënë Viktor Dosti. Edhe pse i tha policit se libri vërtetë ishte në anglisht, por ai fliste për Englesin. Mirëpo polici s’dinte se ç’ishte Englesi dhe godiste pa pushim vetëm pse libri ishte në anglisht.Më 14 nëntor 1948 i kthyen në burgun e Tiranës, të lodhur e të raskapitur.

NJË MAJ 1949, lirimi nga burgu

Pas rënies së Koçi Xoxes dhe influencës jugosllave, qeveria bëri shumë lirime nga burgu në 1 majin e vitit 1949. Nga burgu u vjetër i Tiranës, ku qëndronte i mbyllur Reshati, atë ditë u liruan plot 250 vetë. Disa oficerë të Sigurimit rrinin te porta e burgut dhe u jepnin nga një deftesë për transportim për në vendet, ku seicili prej tyre do të shkonte pranë familjeve. Reshatit i qëlloi  numri 199 dhe priti, deri sa I erdhi radha. Me plaçat ngarkuar si Zhan Val Zhani i Viktor Hygosë, siç e përshkruan ai në romanin “Të mjerët”, doli jashtë i veshur me rrobat e vjetra personale. Bashkë me të ishin dhe Idriz Ruka, Kajtaz Abedini, që e akuzoi në gjyq, kur e arrestuan dhe Xhevit Mëhilli nga Dukati. Shkuan zunë një vend në një hotel të Tiranës për t’u nisur të nesërmen për në Vlorë.

Të nesërmen shkoi në Vlorë, e prtiti Ejup Zotaj, që ishte bërë drejtor i Spitalit të Vlorës, për arsye se e shoqja ishte kushërira e Hysni Kapos. Ai i dha kurajo duke i thënë se me siguri do ta merrnin sërish në punë si stenograf.

Tablo e zymtë mjerimi  

Të nesërmen shkoi në Drenie pranë familjes. Pertefi, i vëllai ishte i burgosur dhe nuk dihej asgjë më shumë. Refua, nëna e tij, motrat Zineti, Manua dhe Elizabeta, gruaja e tij Drita dhe kunata Erveheja me dy fëmijët e saj Fillandën dhe Astritin, që kish lindur më 1946-ën, kur ai ishte në burg, e pritën krahëhapur. I gjeti të gjithë shëndoshë e mirë, por të mjerët s’kishin bukë, se u ishte mbaruar misri. Nga e tërë bagëtia, që kishin pasë më parë, u kishin mbetur nja 10-12 dhen dhe një lopë e racës “Shkodra”, e cila ishte shumë e dashur për fëmijët se i mbante gjallë me qumështin e saj.Qeni Gumo, që mezi e mbanin lidhur me zinxhirë, kur Reshati ishte i lirë, tashti ish i sëmurë dhe kish rënë për të dhënë frymën e fundit. Çohej nganjëherë në këmbë dhe lëshonte për një çast atë zërin e tij, por përsëri binte në shtratin e tij, i bërë fare skelet. Të nesërmen Gumo ishte shtri përdhe dhe rreth e rreth të tërë fëmijët e qanë me lot. Gumo i shkretë ngordhi se s’kish ç’të hante dhe fëmijët hanin lakra të pjekura në furrë me një dorë miell poshtë dhe një dorë miell sipër, për t’i dhënë pamjen e byrekut dhe një dorë kripë. Ky ishte ushqimi i vetëm i familjes. Nënë Refoja, i bënte Reshatit nga një kulaç të vogël, të cilin ia jepte ta hante veçmas, kurse ata vetë rrethonin një sofër druri e hanin të gjithë njëherazi rreth tepsisë me lakra e petë misri.

Në një vakt, kur po hante, i shkoi pranë duke u hequr rëshqanthi pas murit Astriti i vogël, djali i Pertefit, që  ishte tre vjeç dhe e pyet:

– Çeço, ç’bën ti, ha bukë?

Reshati shkruan me pikëllim:”Unë kurrë s’do t’i harroj ato fjalë, sa të jem gjallë. Ai foshnjë i mjerë, i ushqyer keq e mos më keq, vështronte që unë po haja nga gjaku i tyre, se ata të gjithë hanin lakra. Buka m’u zu në fyt menjëherë dhe nuk pranova më të ha veç nga ata dhe i thashë nënës se doja të hanim të gjithë  bashkë, lakra ju e lakra unë.”

 PËRSËRI STENOGRAF NË TIRANË

Nuk vonoi dhe pas një jave e thirrën në Tiranë për punën që kishte patur më pare. Dukej se kjo ishte arritë me interesimin e Ejupit. Puna e tij e mëparshme në gazetën “Bashkimi” ishte pëlqyer si stenograf i mirë e i përpiktë, saqë kësaj here e morën në shërbim në gazetën “Zëri i Popullit”, gazeta e Partisë Komuniste, që drejtohej nga Fadil Paçrami, ish anëtar i Komitetit Qëndror të Partisë. Redaktor i lajmeve të jashtme, nga i cili varej Reshati, ishte Agron Frashëri, një ish i pasur prej Korçe. Ai ishte shumë i sjellshëm dhe sillej shumë mirë me të, kurse redaktorët e tjerë e shikonin me bisht të syrit dhe mundoheshin të mos shkëmbenin asnjë fjalë me të. Jo rrallë edhe e provokonin. Një herë,në mbledhjen e Këshillit të Sindikatës së gazetës, ku si nëpunës bënte pjesë edhe ai, u shtrua çeshtja e pranimit të tij si anëtar i sindikatës. Një vajzë u ngrit dhe e akuzoi duke thënë se nuk duhej të pranohej, sepse kishte qenë kapiten gjatë luftës civile, në shërbim të Ballit Kombëtar. Iu përgjigj se  kurrë nuk kishte qenë kapiten dhe në asnjë punë ushtarake dhe se ajo kishte informacione të gabuara.

Në atë kohë, ish miku dhe përkrahësi i tij, ish drejtori i gazetës “Bashkimi”, Petro Marko, qëndronte në burg dhe Reshati s’kishte më njeri që t’i thoshte një fjalë të mire për punën. E dinte gjithashtu edhe faktin se aty tolerohej vetëm për shkak të profesionit dhe për asnjë meritë tjetër. Agron Frashëri redaktori i lajmeve të jashtme e respektonte dhe i fliste gjithnjë me të butë dhe njerzillëk. Ai ishte nipi i Fazlli Frashërit, mikut të ngushtë të Mbretit Zog.

– Se çfarë e kishte hedhur Agronin në lëvizjen komuniste, duke qenë nga origjinë beu, është një punë interesante të dihej. Në kohën e lëvizjes komuniste, gjatë okupacionit italian dhe gjerman shumë djem të shtëpive të para dhe shumë fetarë u tërhoqën në këtë rrjedhë si ajo flutura pa mend, që vërtitet rreth llampës që do e djegë e do ta bëjë hi me flakën e saj, arsyeton Reshat Agaj në ditarin e tij.

Në kohën që punonte në Zërin e Popullit, gjyqet me rëndësi kundër “armiqve të popullit” kishin mbaruar dhe detyra e tij ishte të merrte shënimet e radiove të Athinës, Londrës, Moskës e Beogradit dhe veçanërisht komentet e ditës. Komenti i ditës i Radio Moskës ishte i domosdoshëm të merrej dhe të zbardhej tërësisht. Ai koment i bërë nga njerëz të rëndësishëm të Moskës, që dinin drejtimet e politikës ruse, u jepte dhe kolegëve të Shqipërisë ndihmën të kuptonin se nga frynte era.

DENIMI ME VDEKJE I VELLAIT, PERTEFIT

Në një gjyq ushtarak, që filloi në Vlorë, fshehur nga publiku në dhjetor të vitit 1949 e që vazhdoi dy muaj, u dënuan me vdekje vëllai i Reshatit, Pertefi dhe 12 të tjerë, midis të cilëve dhe Bego Gjonzeneli, Maliq Koshena, Hamdi Gjoni e të tjerë. Lajmi që u përhap shpejt në Vlorë e shqetësoi pa masë.Kujt t’i drejtohej për ndihmë?

Të nesërmen shkoi në shtëpi të Kadriut dhe i dha lajmin që ai e dinte fare mirë.

– E di, – i tha, – po ti, në emër të nënës tënde, duhet t’i bësh një lutje Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit, Siri Çarçanit, duke i thënë se ajo nuk ka ndihmë tjetër veç tij e mbase e merr lutjen parasysh.

Të nesërmen shkoi në Prokurori dhe paraqiti lutjen në emër të nënës Refo. Asnjë përgjigje.

Pas nja dy javësh shkoi prapë të takonte Kadriun, pasi kishte takuar më parë rastsisht Hysni Kapon, në një mbledhje të Frontit Demokratik, ku bënte detyrën e stenografit për gazetën. Hysniu ishte sjellë mirë, me fjalë të buta e të qeta,dhe si me çudi i tha:

– Nuk ma merrte mendja kurrë që Pertefi të bënte kaq gjëra kundër nesh; ai kishte marrë trakte në Gjirokastër, futur nën samarin e mushkës dhe i ka shpërndarë në Vlorë.

Reshati u përpoq që ta shfajsonte vëllain. I tha Hysniut se Pertefin e kanë marrë në qafë shokët e tij, por iu lut t’ia falnin jetën. Hysniu i premtoi që të mos bëhej merak për jetën e Pertefit se do të kujdesej ai vetë.

Pas një jave shkoi për të t’i kërkuar ndihmë sërish Kadriut, i cili e priti me këto fjalë:

– Ti Reshat dhe njerëzit e tu mendoni se unë e kam në dorë jetën e Pertefit? Po unë jam vetëm një oficer dhe, nëse vritem unë, ose pësoj ndonjë aksident, partia e ka hazër oficerin tjetër të më zerë këmbën. Për partinë një oficer më pak, ose një më shumë nuk ngre kandar. Ti duhet të dish se unë nuk mund të bëj asgjë për Pertefin, po nuk ndihmove ti vetë vëllan tënd.

I habitur me këto fjalë, Reshati e pyet se ç’mund të bënte më shumë për pushtetin.

Kadriu kishte vazhduar sulmin për të dalë tek plani që ata e kishin parapërgatitur:- Familja juaj, ka qenë e tëra kundër nesh dhe shtëpia jote, e dimë ne me prova dhe me fakte, ka strehuar edhe të arratisurin Lahe Nuro me shokë.

Reshati i tha se gjëra të tilla s’kishin për të ndodhur më.

Por Kadriu vazhdoi sulmin për të dalë atje ku synonte: – Po qe se Hatja, ose ndonjë tjetër miku yt, na ve në shteg Izet Vrezhon, ose ndonjë tjetër të arratisur që vjen nga Greqia, atëhere shpëtoi jeta e Pertefit. Ose në qoftë se ti i shkruan një letër Ago Agajt në Itali që të shërbejë për ne, dhe atëhere shpëton jeta e Pertefit.

I habitur nga propozimet, Reshati ia kthen aty për aty:- Letër Agos s’kam si t’i shkruaj, se s’ia di adresën dhe e dyta nuk e besoj që ai personalitet politik të ulet kaq shumë për të shpëtuar vëllanë tim.Po për propozimin e parë dua të vete në Amonicë, të takohem me xhaxha Haton dhe Hodon e t’i pyes nëse mund të bëjnë gjë në këtë drejtim.

Kadriu i tha se Ago dhe shokët e tij jetojnë keq e mos më keq në kampet e emigrantëve dhe, sa për letrën, dinin ata se si e ku t’ia dorezonin. Por, ngaqë Reshtai nuk pranoi,Kadriu i tha të shkonte në Drenie për të parë nëse mund të bënte gjë për propozimin e parë.

Shkoi në Drenie dhe takoi me dy njerëzit e tij më të afërt dhe më të besuar, xhaxhanë  Hate dhe kushëririn Hodo Mystehakun nga Mavrova, të cilëve u tregoi pa asnjë rezervë çdo bisedë, që kisha patur me Kadrinë. Të tre erdhën në një mendje për të bërë çmos që të shpëtonim jetën e Pertefit, pa rënë në tradhëti, ose duke u vënë në kontakt me ndonjë të arratisur dhe kështu t’i bënin ata të pushtetit që të besonin se këta po mundoheshin.

Edhe kur shkruante ditarin tridhjet vjet më pas, Reshatit, nuk i shkuleshin nga mendja fjalët e kushëririt:

– Ne duam ta shpëtojmë jetën e Pertefit, po nuk duam kurrsesi të futemi në tradhëti kombëtare, kur vendi ynë është mbytur në gjak kundër komunizmës dhe me mijëra nacionalistë janë vrarë nga duart e tyre. Ne duhet të bëjmë ç’është e mundur, pa rënë në tradhëti, se atëhere humbasim edhe Pertefin, edhe gjakun e kaq dëshmorëve.

Pas dhjetë ditësh u kthye në Tiranë dhe i tregoi Kadriut situatën në Vlorë. Pas asaj bisede Kadriu i bëri atë propozimin e papritur, ku ai do të ishte peng për vëllanë dhe vëllai peng për Reshatin.

Kadriu i tha:- Reshat, unë s’mund të të ndihmoj, po nuk na dhe ti ndonjë ndihmë nga ana jote për shpëtimin e jetës së Pertefit. Unë e kam kushëri Pertefin dhe më vjen keq ta vras me duar lidhur, sepse vdekja e tij nuk është e domosdoshme, që të shpëtojë pushteti i popullit. Jeta e tij nuk luan asnjë rol në këtë drejtim. Unë dua ta shpëtoj, po ti duhet të më ndihmosh me vetë përpjekjet e tua.

– Po ç’duhet të bëj?- ia ktheu Reshati.

Atëherë Kadriu ia tha hapur idenë e tij: -Ti duhet të arratisesh dhe të shkosh në mërgim jashtë shtetit, në Itali dhe të na shërbesh që andej. Vetëm atëherë shpëton jeta e Pertefit. Po mendohu, se kemi kohë të bisedojmë për këtë çeshtje.

Pas pak Kadriu shtoi se do të udhëtonte në Vlorë, ku pritej që të dënuarit me vdekje të ekzekutoheshin. Tha se do të takohej edhe me Pertefin.

Kur Kadri Hazbiu u kthye nga Vlora, pas dy ditëve Reshati shkoi në shtëpi dhe e pyeti se si shkonin punët e Vlorës.

Kadriu tha se – Ata të gjithë u ekzekutuan, me përjashtim të Pertefit. Në vend të tij, në gropën e caktuar për Pertefin, kishin future një kufomë kafshe. Ai shtoi se Pertefin e kishin marrë fshehurazi dhe e kishin sjellë në Tiranë dhe po e mbanin me një emër të rremë në një vend të fshehtë.

– Po pastaj? – e pyeti i habitur, çdo të ndodhë?

– Jeta e tij është në dorën tënde dhe ti do shkosh jashtë si i arratisur, do punosh për ne dhe kështu, kur të na shkruash informatat që do të kërkojmë ne, atëhere ai shpëton.Reshati iu lut, që të mos e vinte në këtë provë të rrezikshme se nuk mund ta bëntei. Karakteri i tij nuk ishte për punë të atilla.

– Kjo punë ka marrë fund,- i tha Kadriu. – Këtë plan e ka firmosur komandanti, Enver Hoxha, dhe ti do të shkosh jashtë në shërbimin tonë. Nesër mbrëma do të vish këtu, ku do të të ve në kontakt me oficerët që kanë në dorë punën tënde dhe me ta do bësh të gjitha përgatitjet për nisje dhe rregullimin e të gjitha punëve të tua.

I habitur dhe i tronditur nga kjo bisedë, nuk mundi të shtonte asgjë tjetër, por vetëm tha se, pa u takuar një herë me vëllanë,Pertefin, nuk dëshironte të largohej, sepse kushedi kur do të shiheshin.

-Po, – i tha Kadriu, – do të takohesh me Pertefin, kur të vijë koha.

I ngashëryer dhe disi i qetësuar nga ky premtim, u nda kësaj here me Kadri Hazbinë, kushëririn e tij, djalin e ri që dikur e kishte pasur në kujdes në Shkollën Tregtare, por që tashti së bashku me Mehmet Shehun ishin çifti më i rëndë në tërë vendin dhe para tyre dridheshin të mëdhenj e të vegjël.

Të nesërmen shkoi në shtëpinë e Kadri Hazbiut, sipas porosisë që i pat dhënë më parë dhe aty gjeti oficerin, që ish caktuar për ndërlidhje.Për çudinë e tij, aty pa Skënder Konicën, po atë oficer që, kur e arrestuan më 1946, e torturoi tmerrsisht dhe më pas i përgatiti procesin. Kur e pa Skënderin, bëri sikur u gëzua, e i shtërngoi dorën, duke i thënë derrit dajë, si i thonë në Labëri. Kadriu gjoja u  çudit se si ata e njihnim njëri-tjetrin. Ishte i bindur se ai i dinte punët fill e për pe.

Aty nuk biseduan shumë, veçse Kadriu i tha se Skënderi ishte këtej e tutje ndërlidhësi mes tyre. Porosia ishte e rreptë: Kushdo që nxjerr fjalën për këtë punë, e pret plumbi në kokë.

*( Fragmenti vjen nga një cikël artikujsh-dossier- që botova në vitin 2008 në gazetën Illyra dhe nw shtypin e Tiranës. Isha i pari që shfletoja ditarin e një nacionalisti,Reshat Agaj, që para se të ikte nga kjo botë ia kishte besuar ditarin e  vet një familjeje kërcovare, e cila e dorëzoi në Vlorë tek familja sapo u hap Shqipëria. Miku im, Teki Gjonzeneli dhe bashkëshortja e tij fisnike, e shumëvuajtura Finlanda, e bija e “pengut” të pushkatuar nga diktatura, Pertef Agaj, ma besuan ditarin, të cilin më vonë e ktheva në libër, me titullin e shumëgjetur nga vetë Finlanda”Vëllai i pengut”. Ditari ishte i zverdhur nga koha dhe u desh kohë e punë për ta kompjuterizuar, redaktuar e paraqitur për botim. Ditari mbetet një nga burimet e drejtëpërdrejta për tragjedinë shqiptare gjatë kohës së diktaturës komuniste, jo vetëm pse “vëllai i pengut” dëshmon mbi vujatjet e tij, të vëllait, familjes, shqiptarëve, sjell copëza nga jeta në hetuesitë e kohës, burgjeve, kampeve të shfarosjes, por ai jep edhe një tablo të jetës së Mërgimit. Për të gjitha këto vendosa që të përcjell në Dielli online disa nga dosierët që pata publikuar para se Ditari të kthehej në libër.( Vijon)

 

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, me pune te detyruar, ne Keneten e Maliqit, Vellai i Pengut

AKTAKUZE KUNDER SIGURIMIT TE SHTETIT KOMUNIST

April 12, 2013 by dgreca

Reshat Agaj: “Si me futen dhunueshem ne lojen e Sigurimit te Shtetit per te shpetuar vellaun, Petref Agaj, i denuar me vdekje)/

 Nga Prof. SAMI REPISHTI/

Ridgefield, CT.-Kohet e fundit, me ka ra ne dore libri autobiografik i te ndjerit Reshat Agaj, emigrant politik. Leximi i librit ashte i veshtire, tregimi rengjethes, dhe pershtypja e librit tek lexuesi ashte e pashlyeshme!

Ne thelb, kemi te bajme me nji tregim qe kalon kufinjte e se kuptueshmes, sado e rande te jete ajo. Kemi te bajme me stuhite djegese qe zune vend ne Shqiperi mbas vitit 1944, me diktaturen e proletariatit, me formen ma primitive, ma te eger, dhe ma shnjerezore te saj, me njerezit qe e filluen, e perdoren, dhe e ngriten terrorin e diktatures ne sistemin “legal’ te nji regjimi te paligjeshem, jo vetem ne aspektin legal, por edhe te ligjit moral ma elementar ted shoqenise se qytetnueme njerezore. Ashtu si ngjau ne Shqiperi, genjeshtra, urrejtja, terrori dhe vorfenia u treguen si kater kaloresit e Apokalipsit komunist ne vendin tone. Asgja nuk ishte e shenjte ne se nuk sherbente diktaturen dhe diktatorin: as jeta, as nderi i qytetarit, e sidomos as liria, e drejta natyrale e çdo qenie njerezore.

Çka mbetet? Nji rregjim anti-njerezor i vendosun dhe i mbajtun me dhune mbi nji popullsi qe nuk e pranon, por qe ashte denue nga huni e litari i perditeshem i krimineleve komuniste. Kjo stuhi shkaterroi familjen, fshatin, qytetin, te gjithe vendin ne emen te nji shoqenie te re dhe ndertimit te njeriut te ri. Si rrjedhim, doli nji shoqeni e shnjerezueme, dhe nji njeri pa asnji vlere, pa rranje dhe pa tradite , qe shembellente gjethet e pemeve te keputuna nga era e forte e qe verviten ne ajr, simbas rrymes se eres qe fryne. pa qene ne gjendje qe te pakten te biejne ne shesh, ku te pushojne gjumin e ambel te vdekjes qe i pret…!

Kete fat, kaq the thjeshte, kaq te natyrshem nuk e pati i ndjeri Reshat Agaj! Ai u detyrue me force “te shkeputej nga toka nene” dhe nga familja – ku vegjetonte nana ne mjerim , grueja shtatezane, vellau i denuem me vdekje, shtepia e braktisun nga burrat….!

Autobiografia e Reshat Agajt ashte nji akuze kunder nji tirani qe e futi ne kanalet e nendheshme te Sigurimit te Shtetit Shqiptar, ku vuejtja, torturat dhe vdekja konsumojne çdo dite viktimen e pafajshme -burra, gra, te rinj e te reja -fajtore sepse kerkojshin nji jete te lire, ne nji Shqiperi te lire!

Reshat Agaj kishte nji vella: Petref Agaj, i denuem me vdekje si anetar i organizates “Rilindja Kombetare”. Para ekzekutimit, Sigurimi i Shtetit ban edhe nji perpjekje ma shume me shfrytezue emnin e mire te vellaut, Reshat Agaj, per qellimet e veta aventureske. “Puno per ne, dhe vellaut i falet jeta!” (Te plote do ta lexoni ne Diellin e printuar)

Filed Under: Kulture Tagged With: Kujtimet e Reshat Agaj, Prof. Sami Repishti, recension, Vellai i Pengut

“Vëllai i pengut”, një libër i vlefshëm për të tria kohët

February 11, 2013 by dgreca

Nga Gëzim ZILJA/

Reshat Agaj ishte nga ata të paktët shqiptarë i viteve tridhjetë që pasi mbaroi studimet jashtë shtetit, u kthye në atdhe për të punuar e jetuar. Ishte një nga intelektualët e spikatur të asaj kohe jo vetëm në rrethin e Vlorës, por edhe më gjerë. Me shkollën e kryer jashtë shtetit e diplomën e ekonomistit, ai ndoshta do të bënte një jetë si gjithë njerëzit e kësaj bote të lidhur fort me familjen dhe tokën që e lindi. Por nuk qe e thënë. Në fund të jetës së tij ai shkroi kujtimet e veta si një amanet për njerëzit e afërt dhe të fisit të tij. Për librin është shkruar edhe më parë dhe në këto shënime të mia nuk dua të përsërisë ato që janë thënë por dua të diskutoj për disa aspekte të tjera të veprës. Po të qe për gjithë sa shkruan Reshat Agaj, nuk do të mjaftonin dy-tri fletë A4, por sigurisht një libër tjetër, ndoshta me më shumë faqe se ai i Reshatit. Në shtator të vitit të kaluar, doli në qarkullim ribotimi i librit “Vëllai i pengut”, i shkruar nga Reshat Agaj, i plotësuar dhe me komente nga shkrimtarë e personalitete të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në këtë libër me kujtime që autori e quan “radhor” tregohet jeta e tij e kaluar në vuajtje e tortura të pabesueshme, thjesht se u ndodh apo ishte në anën tjetër të barrikadës jo në atë të komunistëve. Ashtu si shkruan ish-Kryeministri i qeverisë së parë demokratike pas diktaturës Aleksandër Meksi: “Fajet e tij ishin dashuria për atdheun, dashuria për liri dhe drejtësi shoqërore.” Ndërsa vetë Reshat Agaj për librin e vet shprehet: “I shkruaj kujtimet e jetës sime, jo se janë të rëndësishme për historinë se unë jam njeri i thjeshtë pa ndonjë pozitë politike të lartë, por sepse ato janë të rëndësishme për njerëzit e fisit tim që do të vijnë pas meje. Këtë radhor dhe të tjerë radhor ua lë kujtim fëmijëve të mi”. Tridhjetë e dy vjet pasi ka mbaruar së shkruari kujtimet e veta, vërejmë se ato kanë vlerë jo vetëm për pasardhësit e fisit të tij, por për gjithë shoqërinë shqiptare, për të shkuarën, për të sotmen dhe për të ardhmen. Ne duhet të njohim historinë tonë, ne duhet të dimë nga vijmë dhe ku shkojnë, ne duhet të kuptojmë se ajo luftë vëllavrasëse dhe regjimi komunist dyzetvjeçar, e përçau dhe u përpoq të ngrinte si kult urrejtjen ndaj njeriut, duhet të kuptojmë se urrejtja të çon drejt greminave, shkatërrimit e vdekjes dhe se vetëm me dashuri mund të ndërtohet e të ngrihet një shoqëri ku njerëzit të ndihen të barabartë para ligjit. Ky është një nga mesazhet më të fuqishme që jep Reshat Agaj në kujtimet e tij.

Jo pak është shkruar këto njëzetë vjet për atë periudhë sidomos nga një grup i madh njerëzish që provuan burgjet dhe tmerret e tjera të diktaturës. Ne i lexojmë dhe kuptojmë (dhe ky është një mesazh tjetër i autorit) se për të jetuar në një botë më të mirë njerëzit duhet të punojnë me këmbëngulje, ndershmëri, vetëmohim e duke sakrifikuar. Ndryshe e keqja e zezë mund ta pllakosë sërish shoqërinë shqiptare ose progresi drejt një bote më të mirë do të shënohet me hapa breshke.

Ndoshta pak nga idealistët dhe atdhetarët e asaj kohe e kuptuan që në fillim se komunizmi sllav në Shqipëri, do të shkaktonte aq gjakderdhje, vuajtje dhe varfëri. Kur ajka e shoqërisë shqiptare do ta quaja, ai grup intelektualësh dhe luftëtarësh e kuptoi se çfarë përfaqësonte në të vërtetë komunizmi, e panë veten në burgje, në internime apo para togës së pushkatimit. Ndoshta Reshat Agës kurrë nuk ia merrte mendja se shokët e tij me të cilët ishte rritur si Kadri Hazbiu, Mehmet Shehu e Hysni Kapo do të shndërroheshin në kriminelë të atij kalibri sa të vrisnin pa iu dridhur qerpiku vëllezërit dhe të afërmit e tyre të pafajshëm në emër të idealit absurd komunist. Takimet e tij gjatë burgut me këta dy “shokë fëmijërie” janë të dhimbshme dhe tronditëse. Ja si thotë njeriu i mirë dhe patrioti Reshat Agaj në një takim me Mehmet Shehun shokun e dikurshëm të shkollës, që madje i kishte dedikuar edhe vargje ku shprehte dashurinë vëllazërore për Reshatin. Kjo ndodhte në vitin 1937. Dymbëdhjetë vjet më vonë Mehmet Shehu, tashmë njeri i rëndësishëm i diktaturës, takon autorin e librit në burg. Ka një dialog aty të riprodhuar me aq vërtetësi, ku del hapur humanizmi, trimëria dhe zgjuarsia e Reshat Agës dhe cinizmi, mashtrimi dhe padrejtësia kriminale e Mehmet Shehut. Zoti Agaj shkruan; Kur erdhi pranë meje (Mehmet Shehu. shën. im) që isha midis Xhelal Shaskës dhe Rrok Gerës u ndal, më njohu menjëherë dhe tha këto fjalë: “ E more Reshat, është mirë këtu ku je nashtinë? Ti deshe të sillje këtu, mua dhe miqtë e mi, por ne qemë më të zotët dhe të suallmë tyj këtu, bashkë me shokët e tu”. Unë i tretur dhe i rraskapitur u çudita kur dëgjova këto fjalë nga numri një i regjimit… E mora veten dhe i thashë: “Unë shoku Memet s’kam dashur të sjell asnjë njeri në burg e jo më tyj, që kemi qenë njëherë shokë të dashur.” Ky dialog me Mehmet Shehun dhe të tjerë me Kadri Hazbiun, tingëllojnë aq aktualë sot kur njerëz gjithfarësh ish-komunistë ish-sigurimsa dhe lloj-lloj qelbësirash, shkruajnë në shtyp e dalin në TV, duke dashur të rehabilitojnë këto figura gjakësorësh që vranë, izoluan e varfëruan popullin shqiptar për dyzet e pesë vjet me radhë. Reshati nuk pati fatin (vdiq më 1981) të shoh me sytë e vet si përfunduan udhëheqësit komunistë Shehu e Hazbiu. Ndoshta në ëndrrat e tij profetike Reshati ynë i dashur e ka parë fundin e tyre, edhe pse nuk na e thotë në kujtimet e veta.

Pas një endjeje të gjatë në perëndim dhe një eksperience të jashtëzakonshme Reshat Agaj, tashmë një burrë i pjekur, shkruan për komunizmin duke i bërë një analizë të shkëlqyer: “Që komunizmi është një sistem jete dhe një filozofi ekonomike që mbahet në këmbë vetëm me fuqinë e diktaturës dhe të shtypjes në çdo llojshmëri të shtetit komunist u provua katërcipërisht në këtë pasluftë. Ai s’ka asgjë të përbashkët me lirinë e individit dhe liritë që ai premton janë liri nën kërbaçin e partisë jo liri personale në kuptimin e gjerë të fjalës liri. Njeriu në këtë sistem është një vegël e pakuptimtë në makinën e madhe të partisë …” Por ai rrëfen e rrëfen dhe ne mësojmë jo vetëm për jetën e tij tragjike personale, por edhe për një brez të tërë njerëzish të shkëlqyer që diktatura internoi, burgosi, vrau madje i la dhe pa një varr. Me pak fjalë, por me një ngarkesë të madhe emocionale, z. Agaj na përshkruan fatin e intelektualëve që ndihmuan në tharjen e kënetës së Maliqit. Ai përmend disa nga ata që u dënuan në gjyqin e famshëm të Maliqit, veçanërisht figurën e inxhinier Kujtim Beqirit, diplomuar me Medalje të Artë në Vjenë, shokut dhe mikut të tij të ngushtë, qëndrimin e tij burrëror para bishave komuniste që e dënuan me varje në litar. Ja si përshkruan ai një ditë terrori në kënetën e Maliqit: “Aq i tmerrshëm ishte terrori i asaj dite saqë, kur e pashë veten në pasqyrë të dielën që erdhi, vura re se që nga mesi i ballit e deri prapa kokës një vijë e bardhë ishte formuar në flokët e kokës time. Këta flokë më ishin zbardhur në çast”

Kur lexon vuajtjet e të burgosurve që punonin në Kënetën e Maliqit, mendja të shkon te ferri. Pa shumë ngarkesa letrare, por me një gjuhë të rrjedhshme e të kuptueshme, me durim, deri në hollësi e me një vërtetësi që të çarmatos përshkruhet sesi rropateshin të burgosurit e pafajshëm në mes mushkonjave, shushunjave e morrave, nën kërbaçin e pushkët e policëve që në çdo çast nuk e kishin problem tua merrnin jetën me një plumb pas koke skllevërve të kënetës. Nëse ka një ferr, nëse ka pasur një Aushvic, Buhenvald e Treblinka ku njerëzit piqeshin në furra e mbyteshin në dhoma gazi, në Shqipëri ka pasur një kënetë Maliqi ( dhe jo vetëm kjo) ku njerëzit janë masakruar, janë varrosur të gjallë e të vdekur, në baltën e ujërat e ndenjura të asaj kënete. Faleminderit Reshat që nuk na lë të harrojmë se ç’është e çka bërë komunizmi shqiptar me ato që shkrove në atë radhorin tënd të çmuar.

Në kujtimet e Reshat Agës ne njihemi me një njeri të mirë patriot, të besës e të fjalës por edhe me një njeri të ndjeshëm të dashur që do e respekton familjen, fisin, vëllanë, gruan e fëmijën. Si një njeri i traditës shqiptare ai habitet dhe nuk është dakord me martesën e Leka Zogut me një grua të divorcuar e me fëmijë. Dhe i vjen keq. Por nga ana tjetër ngrihet deri në madhështi figura e gruas shqiptare. Ka disa gra të fisit të tij që ai përmend në librin e tij që të mahnitin me vlerat e sjelljet e tyre. Vetë gruaja e tij është një shembull i pabesueshëm I ndershmërisë dhe qëndresës. Vetëm njëzet e dy vjeçe, tremuajshe shtatzënë, pas arratisjes së burrit të vet ajo vuri shaminë e zezë në kokë, i vuri shpatullat familjes, rriti plot sakrifica dhe dinjitet vajzën e saj të vetme dhe nuk u martua kurrë. Pas 44-vjetësh, ajo “takoi” burrin e vet atje në SHBA, ku i vendosi një tufë lulesh mbi varr. Asnjëherë njeriu nuk e di sa i fortë është, do të thosha, derisa fati nuk e ka përballur me fatkeqësinë. Megjithatë, Reshat Agaj është optimist. Ja si shkruan ai që unë mendoj se është amaneti i tij i fundit: ”Unë besoj ngulmërisht, besoj në një ditë lirie për popullin e shumëvuajtur shqiptar dhe këtë besim të thellë ma kanë frymëzuar ëndrrat e mia të cilat unë i besoj thellësisht me tërë fuqinë e shpirtit të shumëvuajtur. Vetëm Zoti i jetës e di nëse unë do t’ia arrij kësaj dite ose jo”. Kjo të kujton një nga thëniet e poetit tonë kombëtar Naim Frashëri: “Që do të bëhet Shqipëria unë e di, po a do të arrij unë i varfëri të shoh gjë”. Po Shqipëria do të shtoja unë, i zgjat pambarimisht punët e mira, e i bën aq ngadalë sa që një jetë njeriu nuk mjafton.

Së fundmi, dua të përmend punën e kujdesshme e të palodhur të bashkëshortëve Finlanda Agaj-Gjonzeneli, Teki Gjonzeneli dhe fëmijëve të tyre për të na i dhënë këto kujtime në formën e një guri të çmuar. Gjaku nuk humbet, soji është soj, më thoshte im atë dikur. Në këtë rast kjo thënie e tij vërtetohet plotësisht.(kortezi REPUBLIKA)

Filed Under: Kronike Tagged With: Gezim Zilja, Vellai i Pengut

“VËLLAI I PENGUT” I RESHAT AGAJ PROMOVOHET NË VLORË

November 27, 2012 by dgreca

NGA GËZIM LLOJDIA/

 Ne kuadër  te 100 vjetorit te pavarësisë kombëtare në Universitetin “Pavarësia’ ”u promovua  libri me kujtime  :”Vëllai i  pengut “shkruar ,Reshat Agaj. Msc Gëzim Llojdia:Në parathënie të librit A.Meksi ka shkruar “Në këtë mozaik botimesh zë vend edhe ky vëllim me kujtime , apo siç e quan autori “Vëllai i pengut”, ditar i shkruar në Amerikë nga Reshat Agaj, një nga intelektualët më të njohur vlonjatë, që ndonëse njeri me moral dhe integritet të spikatur, regjimi komunist, qysh në fillim, e burgosi dhe e torturoi deri në skaj të ekzistencës. “Mëkatet” e tij ishin dashuria për atdheun, dashuria për liri dhe për drejtësi shoqërore. Mbasi e burgosën pa asnjë shkak, e torturuan në mënyrë të përbindshme si mijëra intelektualë të tjerë, veçanërisht në vitet e para të vendosjes së diktaturës sllavo-komuniste në Shqipëri, e detyruan të “arratiset” në perëndim, i kërkuan të bëjë të pamundurën; të spiunonte të arratisurit , disa prej të cilëve ishin të afërm të tij. Libri me kujtime i  Reshat Agaj mbetet I veçantë për llojin  e tij për publicistikën pak të rrahur n gjuhën shqipe në këtë .Kujtimet e Ismail Qemalit në gjuhën shqipe janë botuar jashtë Shqipërisë para 42 vitesh.Përkthyesi ishte Reshat Agaj nga Vlora,shkruan publicist  i njohur Dalip Greca, i cili ndërroi jetë në Kenosha të shtetit Ëiskons dhe u varros në Detroit më 1981. Botimi u realizua në Kanada nga Shtëpia Botuse Harmoni Printing Limited. Libri është luksoz, me kopertinë të fortë. Në ballinën me ngjyrë të kuqe është shtrirë një shqiponjë në futurim. Libri ka 275 faqe, që përbëjnë kujtimet dhe 52 faqe plus, ku përfshihet parathënia, shënimi i përkthyesit, albumi dhe kujtimet personale dhe familjare rreth Ismail Qemalit nga Sefa Vlora, që në kohën e përkthimit të “Kujtimeve” jetonte në Romë. Në faqen e parë është vendosur shënimi:Përktheu nga Anglishtja Reshat Agaj. Libri ka dhe një album nga jeta dhe aktiviteti i Ismail bej Qemalit, ku mbizotërojnë fotografi të aktit të shpalljes së pavarësisë. Përkthysi ua kushton librin: “Dëshmorëve të atdheut, dëshmorëve të flamurit; atyre që ranë në çdo vend dhe në çdo kohë për Shqipërinë e lirë dhe të pavarur, për Flamurin e shenjtë të Skënderbe Kastriotit dhe të Ismail Qemalit”.Ti marrësh dhe ti shfletosh me radhë kapitujt e këtij libri shfaq këta personazhe interesant. Kapitujt janë gurët e një fortese. Kujtimet  e këtij botimi janë të mrekullueshëm. Për nga mënyra e të shkruarit stilistik dhe gjuhësor mund të krahasohen me kujtimet e mjaftë intelektualëve që mërguan përtej detit..Ky libër është shkruar me sinqeritet dhe realizëm.Dy fjalë për mistikën e autorit. Duke qenë se kam studiuar deri në detaje një tarikat mistik ndër 12 perlat e burimeve hyjnore do të shprehesha se nga thëniet e Baba Rexhebit të teqesë së Detroitit  në botimin voluminoz  për misticistimën shqyrtohet dhe sillet rasti i  përhapjes së betashizmës në Labëri,ku agajt e Smokthinës kanë qenë myhib që është shkalla  e parë  e gradës në këtë tarikat mistik. Domethënë ata hynin në mejdan,aty s’hyn kushdo dhe dëgjon mësimet hyjnore si dhe të fshehtat e fuqisë hyjnore. Prandaj njerëzia e këtyre radhëve kanë orë shpirti,ora  e këtyre njerëzve është ora  e kuptimit të gjuhës së fjalëve të pathëna. Po të vini re më vëmendje autori flet për lajmëtarët  e fateve tonë të pathëna Reshat Agaj ka qene një ndër personalitete e kulturës tonë që pak I njohur për shkak të regjimit dhe mërgimit, por duhet thënë se  Reshat Agaj ky burrë i urtë  pak kush e di dhe e njehe që është përkthyesi i kujtimeve të Ismail Qemalit,në këtë kuptim etimologjia  e fjalës filozofi jepet dashuri për urtësinë. Njerëzit  e mëdhenj i përshkon urtësia .Një ndër këta është Reshat Agaj këtë e kumtojnë edhe shumë autorë që janë shprehur për librin me kujtime si Aleksandër Meksi,Qefalin Hamdia,Prof Nderim Kupi,historiana Nermin Vlora Falaski,Shkrimtari Petro Marko,Dalib Greca,apo Fahri Shaska,Finalanda Qamil Gjonzeneli,Dr Prenjo Imerja,Kastriot Frashëri, dhe të tjerë .Disa fjalë për botimin Ballina e kopertinës është realizuar nga piktori  Fejzo Lala.Redaktori i botimit të dytë është Kryeredaktori i gazetës “Dielli” Dalib Greca. Botohet nën kujdesin e familjes të vëllezërve Reshat dhe Petref Agaj me iniciativën e Finlanda Agaj e bija e Petref Agaj dhe bashkëshortit të saj Teki Gjonzeneli,Monika Gjonzeneli vajza e Teki dhe Finalndës tregoi edhe kësaj radhe dashurinë, e pakufishme për atdheun  e saj të lindjes Shqipërinë dhe krenarinë për historinë e të parëve të saj duke sponsorizuar botimin librit.

Teki Gjonzeneli cili sëbashku me bashkëshorten  Finlanda përgatitën  ,pajisën me shënime dhe u përkujdesën për botimin librit. Teki Gjonzeneli tha : Me brengën e pashuar në zemër, për të gjetur varrin e babait,me mendimin se çdo njeri reflekton për të kaluarën dhe të tashmen,20 vjet pas rënies së komunizmit po nxjerrim në dritë botimin e dytë të kujtimeve të xhaxhait tonë të paharruar Reshat Agaj që vdiq në Amerikën e largët zëmërdjegur për vendin dhe njerëzit e tij të afërm. Në prill të vitit 1950 komunistët e Vlorës „pushkatuan“ babanë tim, Petref Bajram Agaj. Pas një jave si kishin marrë lajmin, se Petrefi me shokë u vranë xhaxhai babait, Hatja, kishte vajtur në burg për të marrë rrobat e babit, si të gjithë atyre që i vrasin .Për të vërtetuar “veprën” e tyre Sigurimi i Shtetit ia dha rrobat e tij të shpuara me plumba dhe të spërkatura me gjak. Që nga ajo kohë dhe në vazhdim njerzit e familjes kërkuan kudo për të gjetur varrin e njeriut të tyre të dashur, por pa sukses. Me përmbysjen e diktaturës komuniste rifilluan kërkimet me shumë përkushtim, por edhe këto kërkime nuk patën sukses me gjithë preokupimin dhe seriozitetin që iu kushtoi qeveria e Partisë Demokratike kërkesave tona. Vëllai i Piro Xhezos, “pushkatuar” me babanë tim, Xhezo Iliazi, së bashku me bashkëshortin tim Teki Gjonzeneli u munduan shumë duke bërë edhe thirrje të hapura në shtypin e përditshëm, ata iu drejtuan me emër terroristëve komunist Aranit Çelës, Skënder Konicës dhe Jonus Mersinit, por komunistët heshtën duke provuar edhe një herë, shpirtin çnjerëzor dhe imoralitetin e tyre. Më 10 gusht 1990, bashkëshortët, Finlanda dhe Teki Gjonzeneli u larguan në Itali, me synim të mbërrinin në Amerikë, duke marrë me vete edhe një prokurë prej Astritit që të vepronin në emrin e tij.Sapo ata mbërritën në Amerikë, me numurin që kishte testamenti, morën në telefon Qefalin Hamdinë, në Çikago, që për fatin e tyre të mirë ai u përgjigj. Në vitin 1991, ky burrë fisnik erdhi në Vlorë për të takuar familjen e mikut të tij Reshat Agaj, duke i dorëzuar kujtimet e Reshatit, fotografi dhe sende të tjera personale, si dhe pjesën e parave që iu takonin sipas testamentit. Bashkëshortes së Reshatit që i kishte qëndruar besnike gjatë gjithë jetës sajë të zezë, i bëri garancinë për të shkuar në Amerikë e për të vizituar varrin e të shoqit.Në vitin 1992, vjen nga Amerika në Vlorë Teki Gjonzeneli dhe u njoh me kujtimet e Reshatit, si dhe për herë të parë mori vesh se përse ishte “arratisur”, jashtë shtetit Reshati dhe thekson se: “ Gjatëudhës së jetës u njoha me një vajzë me emrin e rrallë Finlanda, që më vonë pata fatin të bëhej shoqia ime e jetës.Kur hyra në familjen e tyre pashë se ajo trashëgonte virtytet e Ervehesë, nënës së saj, personifikim i gruas labe që ngrihet mbi vuajtjet dhe shtypjen e diktaturës komuniste. Hyrja në këtë familje më imponoi në angazhimin për të hedhur dritë mbi jetën plot peripeci e privacione të Reshat Agaj, xhaxhai i bashkëshortes sime.Vëllezërit Agaj, Reshati dhe Petrefi, iu përkushtuan një ideali të madh ati të lirisë, për këtë ideal ata vërtetësisht sakrifikuan gjithëçka dhe nuk u ndalën para asnjë pengese. Ndjehem i lumtur që po paraqes para botës shqiptare, me anën e këtij libri sakrificat e pafundme të tyre për lirinë e vendit tonë”.Në vitin 2009, familja ra dakort dhe kujtimet u botuan në VlorëBotimi parë u prit mirë. Na erdhën shume urime dhe falnderime të mirëpritura, nga shokë dhe miq të shumtë brënda dhe jashtë Shqipërisë. Libri u vlerësua edhe nga shtypi përditshëm në Shqipëri dhe në Amerikë.Por pavarësisht vlerësimeve, pati edhe vrejtje të cilat menduam t`i korigjojmë në botimin e dytë: Inkuadruam kujtimet në periudhën historike në të cilën ato u mbajtën dhe u zhvilluan ngjarjet, duke foluar për fisin e Agajve të Smokthinës, organizatën antikomuniste „Rilindja Kombëtare“, për të cilën u dënua me vdekje Petref Agaj dhe u nda nga atdheu vëllai tij Reshati. Plotësuam figurën dhe personalitetin e autorit të kujtimeve Reshat Agaj, duke botuar parathënien e përkthimit të kujtimeve të Ismail Qemalit dhe letërkëmbimin e pakët që ishte ruajtur nga familjarët. Jemi duke u interesuar për artikujt që Reshati ka botuar në shtypin e përditshëm dhe periodik në Amerikë.Pajisëm librin me shënimet e domosdoshme që të kuptohen e vlerësohen drejt faktet dhe ngjarjet e trajtuara në kujtime. Shënimet janë të Finlanda dhe Teki Gjonzenelit.

Fari Shaska, gazeta “Liria”, dt. 8. 5. 1996, f. 6,Dalip Greca, gazeta “Republika”, dt. 10. 1. 2010, f. 14-15, Kastriot Frashëri, gazeta “Republika”, dt. 2. 2. 2010, Enver Memishaj: gazeta “ 55 ”, dt. 29 – 30. 9. 2009, f.16-17,gazeta “Republika”,dt. 4 dhe 10.10. 2009, f. 14-15, gazeta “ 55 “, ribotim, dt. 23. 8. 2010, f. 16-17Gëzim Llojdia, gazeta “Republika”, dt. 17. 8. 2011 , f.16-17

Botuam dokumenta dhe fotografi.Kapitulli i I, i III, i IV dhe i V, janë shkruar nga përgatitësit elibrit: Finlanda dhe Teki Gjonzeneli Në këtë mënyrë, libri merr vlera historike dhe do të shërbejë sinjë dokument, dëshmi dhe një material më shumë për të njohur dhe denoncuar regjimin diktatorial komunist. Jemi duke punuar për të grumbulluar artikujt, intervistat dhe poezitë e tij të botuara në shtypin amerikan si dhe në gazetat “Dielli”, “Atdheu”, “Krahu i Shqiponjës”, “Djalëria”, “Shqiptarët e Argjentinës” etj, në të cilat ai shpalos idetë e tij demokratike,intelektin, atdhedashurinë etj.

Studiuesi Fahri Shaska do të rreferojë rreth përkthimit të kujtimeve të Ismail Qemalit nga Reshat Agaj

Shaska tha se në vitin në vitin 1996 kemi bërë  një tubim për veprën e përkthyesit të Ismail Qemalit,Reshat Agaj.Shaska më pas sqaroi rrethanat dhe kurthet e sigurimit të shtetit për vëllanë e Reshat Agës. Shpresim Kasaj,mësues dhe kryetar i shoqatës :”Armeni “ u përqendrua më tepër tek dhimbja e madhe që la regjimi te Agajt.Historiani Agim Ahmetaj solli të dhëna dhe fakte rreth fisit të dëgjuar Agaj të Smokthinës,qendrën,patriotizmin e tyre në luftëra dhe përpjkeje për lirir dhe pavarësi kombëtare.Ahmetaj tha se duhet vlerësuar roli i Shero agaj si dhe lidhjet e tyre me familjen madhe Vloraj. Në emër të fisit Agaj folën: Irfan Agaj,Astrit Agaj.

Studiuesi Fahri Shaska do të rreferojë rreth përkthimit të kujtimeve të Ismail Qemalit nga Reshat Agaj.Shaska tha se në vitin në vitin 1996 kemi bërë  një tubim për veprën e përkthyesit të Ismail Qemalit,Reshat Agaj.Shaska më pas sqaroi rrethanat dhe kurthet e sigurimit të shtetit për vëllanë e Reshat Agës. Shpresim Kasaj,mësues dhe kryetar i shoqatës :”Armeni “ u përqendrua më tepër tek dhimbja e madhe që la regjimi te Agajt.Historiani Agim Ahmetaj solli të dhëna dhe fakte rreth fisit të dëgjuar Agaj të Smokthinës,qendrën,patriotizmin e tyre në luftëra dhe përpjkeje për lirir dhe pavarësi kombëtare.Ahmetaj tha se duhet vlerësuar roli i Shero agaj si dhe lidhjet e tyre me familjen madhe Vloraj. Në emër të fisit Agaj folën: Irfan Agaj,Astrit Agaj.

 

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Gezim Llojdia, promovohet ne Vlore, Teki Gjonzeneli, Vellai i Pengut

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT