• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Biblioteka e tabakëve, orakulli i famshëm i Shkodrës

October 5, 2017 by dgreca

shkodraNGA VEPROR HASANI/ 

Një shekull më parë, ndoshta dhe më herët akoma, në të hyrë të Shkodrës, jo larg Xhamisë së Plumbit, gjendej një bibliotekë me libra të shumtë e dorëshkrime të rralla, të lidhura bukur, me kapakë të trashë dhe zbukurime prej ari. Krijuesi i bibliotekës u shndërrua në orakull. Pas kësaj  biblioteka nisi të vizitohej edhe nga  njerëz që vinin nga vende të largëta të botës. Dëshironin të dinin si do të ishte e fati i tyre. E pyesnin orakullin për gjithçka, që nga çështjet familjare, punët e tregtisë, luftrat dhe paqen e deri te vdekja e mbretërve. Parashikimet e orakullit ishin gjithnjë të sakta, ndaj të gjithë e shihnin me adhurim, vendas dhe të huaj. Biblioteka ishte selia e tij, prej aty, ai i jepte përgjigje misterit.Biblioteka ndodhej në një nga lagjet më të vjetra të Shkodrës, në lagjen e Tabakëve. Biblioteka u krijua prej myftiut të tabakëve të Shkodrës. Udha që të çonte te biblioteka quhej “Udha e Myftiut”. Emri i myftiut nuk u përmend më që nga vendosja e diktaturës, por këngët që iu kënduan këtij njeriu të madh e të ditur, ishin të shumta. Thuhet se ato këngë këndohen ende edhe sot e kësaj dite. Ka të tjerë që mbajnë mend edhe parashikimet e famshme të tij. Te biblioteka e myftiut vinin njerëz nga veriu dhe jugu; mbretërit dhe qeveritë dërgonin emisarë për të mësuar mbi fatin e vendit të tyre. Vizitat bëheshin më të shpeshta sa herë që bota e gjente veten në udhëkryqe. Ata që për arsye të ndryshme, nuk kishin mundësi të udhëtonin, dërgonin letra; edhe përgjigjjen me letër e merrnin. Myftiu ulej e shkruante fatin e njerëzve dhe të botës që nuk po gjente qetësi që nga krijimi i saj.
Për myftinitë bibliotekat dhe arkivat ishin gjëja më e parësore e tyre. Shembujt janë të shumtë: “Myfttnija e Beratit ka patur një arkiv të moçëm në turqisht, ku gjendeshin gjithë aktet e gjykatores së shenjtë (Sherie), regjistrat kadastrale të moçëm dhe shumë sendet të tjera me interes për historinë e atij qyteti, si edhe dorëshkrime të ndryshme në arabisht e persisht dhe koleksione kuranesh.” (“Hylli i dritës” 1938, nr. 6. 290).

Të tilla biblioteka kanë patur edhe myftinitë e qyteteve të tjera, mirëpo Shkodra shkëlqeu me orakullin e saj. Frekuentues të rregullt të bibliotekës së myftiut të tabakëve të Shkodrës u bënë edhe gjermanët. Nuk kishte turist gjerman që të vinte në Shkodër dhe të mos kthehej te selia e orakullit. Pyesin për gjithçka, ndoshta përpiqeshin të kuptonin ku qëndronte zotësia e këtij njeriu kaq të famshëm e të njohur në shumë vende të botës. Sipas dr. Filip Fishtës, gjermanët, pasi njiheshin me  Xhaminë e Plumbit, vizitonin edhe bibliotekën. Madje, Fishta porosiste të shkruhej çdo gjë që ndodhte apo  kishte ndodhur në bibliotekën e myftiut, pasi bëhej fjalë për ngjarje që dilnin mbi kohën, ishin të jashtëzakonshme.Dimë që për këtë bibliotekë ka shkruar edhe dr. Taullah Shkreli, profesor i liceut shtetëror të Shkodrës. Sipas Shkrelit, në bibliotekë gjendeshin dorëshkrime shqipe, të shkruara me alfabetin e vjetër turqisht, por ajo që dimë për momentin është shumë pak.

Emri i myftiut të tabakëve të Shkodrës u bë i njohur edhe në rangjet më të larta të Perandorisë: Ja çfarë shkruan dr. Filip Fishta në një artikull të revistës “Përpjkejka Shqiptare”: “Stambolli i drejtohej për këshilla Mvftisë së Tabakëvet sa herë që e shifte nevojën në lidhje me çashtje problematike që i paraqiteshin n’interpretimn e sa problemave me besimtarët. Populli i jonë ende sot e kujton ëmnin e Myftisë së Tabakëvet, vdekë para nji shekulli. Populli i qytetit të Shkodrës shton se, i pyetun ky myfti, “u epete fetfa”  shumë çështjeve të shumllojshme”.(Përpjekja shqiptare 1939, nr 25-27, f. 64)

Filip Fishta jep edhe një informacion tjetër: “Shtëpia ku ndodhet kjo Bibliothekë, asht nji nga ato tipiket në qytetin e Shkodrës: me oborr të madh para shtëpisë ; nji shtëpi e vjetër dykatëshe. Pranë çardakut dhe odës së miqve, ndodhej dhoma tjetër e librave.” Aty Fishta u njoh për herë të parë me bibliotekë e famshme: botimet dhe dorëshkrimet zinin tri faqet e mureve. Ishte e vështirë që në pak kohë të krijoje një ide të qartë çfarë vlerash ruheshin në atë shtëpi, por edhe një shikim i vetëm të emociononte me gjërat e rralla që gjendeshin aty. “Librat e shtypun si edhe dorëshkrimet, gjithsejt afër tri mij blejsh, – shkruan Fishta, – ishin të mbajtun përgjithsisht mirë, gati të gjithë të lidhun në kartuç. Disa nga dorëshkrimet ishin shkruem prej nji kaligrafie t’ushtruem, që i kujtonin njeriut  disa nga dorëshkrimet e bibliothekave të mëdha t’Europës Perëndimore.”

Megjithatë, të njihesh me një bibliotekë të vërtetë, nuk mjaftojnë orët, duhen vite. Babai i shkrimtarir Evlia Celebiut ndenji 7 vjet në bibliotekën e familjes Vlora për t’u njohur me botimet e dorëshkrimet e asaj biblioteke, dhe përsëri nuk e dimë nëse ia doli dot mbanë. Vetë shkrimtari Evlia Çelebiu, shkruan se me 1072 (alla turka) ka banuar në fshatin Mekat (pranë Vlorës) në çifIigun e Isuf Beut edhe ka shkuar kohën në bibliotekën e tij shumë të çmuar, në të clën punoi shtatë vjet rresht edhe i ati i Evlia Çelebiut.(Hylli i dritës 1938, nr, 4. f. 162 -166)

Por biblioteka e myftiut të tabakëve të Shkodrës mund të ketë qenë më e frekuentuara, ajo kishte mysafirë të përhershëm edhe nga tregtarët vendas. Ata dëshironin të dinin si do të ishte tregu, pas një ngjarjeje të bujshme, pas një kërcënimi që ishte shfaqur në horizont apo kur botën e prisnin të papritura. Lef Nosi, koleksionisti i njohur, mes dokumenteve të shumta, ruante edhe një letër të Myftinisë së Tabakëve drejtuar Myftisë së Elbasanit në lidhje me këshillat që do t’u jepeshin tregtarëve të vendit për atë mot, gjë që na tregon se Myftinia e Shkodrës kish fituar emër të madh.Përshkrimin e librave të biblitekës së myftiut e gjejmë sërish te Filip Fishta: “Ndonji herë  në fletën e parë apo gjatë tekstit ndër fletët e ndryshme, si asht zakon ndër dorëshkrimet e vjetra vrehet nga nji punim vizatimi me ngjyra: arabeskime shumëllojësh mbi një shesh ari. Këto lloje dorëshkrimesh edhe nga pikëpamja e artit të vizatimit duhet të tërheqin vërejtjen tonë: duhet t’i ruajmë me kujdesin ma të madh edhe të mos i lëshojmë ndër duart e fëmijve” Pavarësisht nga porositë e Fishtës, ajo bibliotekë e famshme nuk ekziston më.(Prof Filip Fishta, “Përpjekja shqiptare” 1939, nr 25-27, f. 64).

Filed Under: Histori Tagged With: Biblioteka e tabakëve, i famshëm i Shkodrës, orakulli, Vepror Hasani

Histori- Vajzat e Korçës frekuentuan edhe shkollën amerikane

September 7, 2017 by dgreca

Histori- Vajzat e Korçës frekuentuan edhe shkollën amerikane
1 shkolla-vashave

Nga Vepror Hasani/ Vajzat myslimane të  qytetit të Korçës frekuentuan shkollën amerikane të vashave që nga dita e parë e çeljes së saj në Korçë, më 23 tetor 1891. E vlerësonin arsimin; me shkollën ishin të familjarizuara prej shekujsh. Korça pati medrese për vajza dhe djem që nga viti 1496. Shkollimi ishte falas; dhuratë e themeluesit të qytetit të Korçës Iljaz bej Mirahori. Nuk nguruan të përfitonin as nga mësimdhënia amerikane. Në shkollën amerikane të vashave mësohej gjuha shqipe: shkronjëtorja, (alfabeti) këndimi, të shkruarit (bukurshkrimi), truptregonja e njeriut (anatomia), botëshkronja (histori e botës), dheshkronja (gjeografia), kafshëshkronja, (zoologja), bimëshkronja (biologjia)  histori e shenjtëruar, (histori e feve), këndimi i ungjillit, fjalëlidhja, punëdore (qepje, qëndisje, thurje me shtizaj), vjersha, këngë, valle, dialogje etj. Provimet jepeshin në fund të qershorit, ku merrnin pjesë qeveritarë dhe prindër. Fillimisht shkolla u vendos në një shtëpi të vogël, të zotit Grigor Eliadhe Frashëri, afër Shën Gjergjit. Në muajt e parë pati vetëm tri nxënëse. Më pas, në shtator të vitit 1892, shkolla u vendos në shtëpinë e blerë prej zonjës Dako (Sevasti Qiriazi), pranë vendit të quajtur “Çezmat e Arave”. Ndërtesa ishte dy katëshe, e bukur, me gjashtë dritare, plot dritë, me oborr të gjerë dhe sallon të madh në katin e dytë. Gjatë vitit shkollor 1897-1898 u mendua edhe për një konvikt për vajzat që mund të vinin nga fshatrat, që do të thotë se edhe vajzat e fshatit nuk pengoheshin për shkollimin e tyre. Medreseja e Iljaz bej Mirahorit kishte ndriçuar mendjet e njerëzve të këtij rajoni. Konvikti u çel në vitin 1900-1901.

II- Në shkollën amerikane mësohej edhe gjuha angleze. Prindërit e vajzave e shihnin me interes mësimin e kësaj gjuhe; nuk kishin asnjë droje nga gjuhët e huaja, përveç gjuhëve që kishin për qëllim zëvëndësimin e gjuhës shqipe. Banorët e Korçës kërkuan që të mësohej edhe gjuha gjermane, në shenjë nderimi për studiuesin e gjuhës shqipe Johann George von Hahn. Në shtypin e kohës shkruhej: “Mësojmë se te shkolla shqipe në Korçë do të kllasin (do të vënë) mësimin e gjuhës gjermane. Kjo e re na gëzon fort sepse, sa kjo gjuhë s’ka më të nevojshme për ne Shqiptarët. Si fare mirë e dini, më e bukura dhe më e vjetra bibël për shqiptarët, “Albanesische Studien”, është shkruar në këtë gjuhë (gjermanisht). Hahni, i pari shkaktor i ngjalljes së gjuhës, literaturës dhe kombit tonë, ndenji tridhjetë vjet në Shqipëri. Ishte konsull i Oshtrisë (Austrisë) në Janinë; po aq i pëlqente Shqipëria, sa kur deshën ta ndërrojnë, hoqi dorë nga puna e tij. Vate më të katër anët e Shqipërisë, dhe tërë dialektet tona i fliste me një të math qërim (pastërti). Përveç Hahnit, albanologët Ksilhandër, Franc Bopp, Pott, dhe shumë të tjerë, si Dieffenbach, Harff, Otto Blau, Miklosich kanë shkruar kryepunërat e tyre në gjuhën gjermane. Sot për sot, kemi të madhin Gustav Meyer, profesor të Universitetit të Gracit (n’Oshtri), të cilat bibla (të tij) kanë hedhur një dritë aq të shkëlqyer në errësirat e gjuhës shqipe; z. Jan Urban Jarnik, profesor i Universitetit të Pragës (Oshtri), që njeh aq mirë gegnishten; z. Pisko, një prej konsujve të Oshtrisë në Shqipëri, cili punon fort bukur gjuhën shqipe. Të gjithë këta zotërinj kanë shkruar punërat e tyre në gjuhën gjermane, si dhe Z. Pedersen, një i ri albanolog…”. (Gazeta “Albania”, v.1897, nr. 6, f. 91)

III- Shkolla amerikane e vashave ishte mësonjëtore e gjuhës shqipe, ndaj të gjithë e dinin që ajo do të pengohej me të gjitha mënyrat. Agjentët “përhapën fjalë nëpër qytet se prindërit myslimanë që do të dërgonin fëmijët në këtë shkollë do të internoheshin menjëherë nga autoritetet qeveritare”. (Hysni Myzuri, “Shkollat e para kombëtare shqipe”, Tiranë 1973, f 101).

Kjo thashethemnajë la gjurmët e veta, por nuk pati efektin e pritshëm; gjithkush e dinte që leja për çeljen e mësonjëtores së vashave ishte dhënë nga vetë sulltani; mbyllja e saj prej qeveritarëve lokalë apo të vilajetit të Manastirit, nuk do të ishte e mundur; arsye për internimin e myslimanëve nuk kishte. Vajzat myslimane vijuan frekuentimin e shkollës ashtu si më parë. Numri i tyre përgjithësisht ishte më i madh se i vajzave ortodokse. Në një prej artikujve të shtypit të kohës thuhet: “Dyzet e pesë vasha ka ndë shkollë, edhe kjo shkollë mbahet nga një Shoqëri amerikane që quhet “American Board”, e cila shoqëri ka shumë shkolla të tjera ndë Turqi, edhe e cila çdo kombi i hap shkolla më gjuhë të tij.  Në këtë shkollë zunë venë të bijat e shtëpive më të mbëdha të Korçës, e më shumë ndër shqiptarët myslimanë. Drejtoresha e shkollës është Zonjëza Sevastie D. Qirias; mësonjëtoria e dytë është Zonjëza Fanke Efthim; mësonjëtoria e tretë Zonjëza Poliksena Tespoti”. (Gazeta “Albania” viti 1900, nr. 3, f. 68).

IV-Mësonjësja që çeli shkollën amerikane të vashave ishte Sevasti Qiriazi nga fshati Peras i Kolonjës, e cila kishte emigruar bashkë me familjen kur ishte 4-5 vjeçe; fillimisht në Tërnovë e më pas në Manastir, ku studioi në shkollën plotore amerikane dhe më pas në kolegjin amerikan të vajzave në Stamboll. Shkollimin e përfundoi në qershor të vitit 1891. Naim Frashëri, atë kohë punonjës në Ministrinë e Arsimit, ndërsa regjistroi diplomën saj, uroi zonjn Sevasti me keto fjalë: “ Ju uroj për diplomën që keni marrë. Keni dalë faqe-bardhe e si shqiptare na keni nderuar. Por jeta e juaj fillon sod. Shkoni në Shqipëni e atje n’atë vend të dashtur e të bekuar, përhapni rrezet e Arsimit, të kulturës e dashurisë ndaj Atdheut.” (Foleja kombëtare, v.1931, f. 48, fjala e mbajtur nga Lazër Çetta)

Shkolla u regjistrua në emër të Gjerasim Qiriazit, (vëllai i Sevastisë), përfaqësues i “Shoqërisë Biblike” britanike në Stamboll për Maqedoninë dhe Shqipërinë. (Gjerasimi nuk e pati jetën të gjatë, pasi më 4 janar 1894, kur ishte 32 vjeç, u helmua nga njerëzit e kishës). Shkolla amerikane e vashave ndiqej edhe nga vajzat ortodokse, por dhespotët nuk e dëshironin këtë shkollë ku mësohej shqip, nën pretekstin se ishte shkollë protestante dhe kish për qëllim prishjen e fesë ortodokse: “U fol shumë se gjoja shkolla e re synonte t’u prishte fenë ortodokse shqiptarëve, se, duke frekuentuar atë shkollë, vajzat do të bëheshin protestante, se rruga e shkollës shqipe dhe gjuha e përdorur në të ishte në kundërshtim me parimet fetare dhe me mësimet e Krishtit etj, etj. (Hysni Myzuri, “Shkollat e para kombëtare shqipe”, Tiranë 1973, f 101).

V-Mëmëdhetarët u përpoqën të sqaronin njerëzit se shkolla amerikane nuk kishte për qëllim prishjen e fesë ortodokse: “Si e di gjithë bota, Korça ka një shkollë protestante shqipe për çupat. Qëllimi i kësaj shkolle nuk është të përhapë protestantimin, po dritën e dijes dhe të lëvrimit. Provën e kësaj e kemi në këtë, që edhe muhamedanë, edhe orthodhoksë kanë dërguar bijat e tyre të mësojnë në këtë shkollë. Nga tjatër anë, vetëm drejtoresha e shkollës, zonjëza Sevastie Qiriasi, një nga më të mentshmet e më të diturat shqiptare, është protestante; të tjerat,- mjeshtëresha shkolle – janë të gjitha, besoj, orthodhokse.  …Tani, mësojmë se kleri i grekut përpiqet të ndalojë edhe çupat orthodhokse, jo me mjete të drejta “by fair means” si thonë Englezët) – se atëherë do t’i jepnim klerit grek arsye, duke qenë që cilido duhet të jetë i lirë të mprojë ato që i duken atij të vërteta – po me mjete të paudha, me mënyra që u kanë hije më tepër hajdutëve se njerëzve që lipset të kenë për armë vetëm lutjen edhe fjalën e Perëndisë. …Dhespoti bashkë me këshillonjësit e tij kanë dërguar letra ndëpër Shqiptarët që kanë fëmijë (çupa) ndë shkollë shqip që ndodhet në Korçë, duke shkruar se lipset t’i nxjerrin, se po të mos i nxjerrin do ta pësojnë. Në të tjera fjalë, kanë për të dërguar edhe ndë Korçë andarët. …Po me forcë s’ mundin ta mbyllin këtë shkollë, se atëhërë kanë të bëjnë me Englinë… Këtu Shqiptarët janë ndezur shumë nga kjo e ngjare dhe po të mbaj dhespoti këtë udhë që ka marrë, nuk di ndë do të shpëtojë i shëndoshë” (Gazeta “Albania”, viti 1905, nr. 9, f. 179)

Ja një prej letrave kërcënuese për shkishërim, që u përmendën me lart:

I ndershëm z, Pandel V. Durmish

Në Bukuresht

Me qenë se i tërë komuniteti ynë si dhe e shenjta Mitropoli dëshiron t’i heqë ato disa të paka vajza të cilat venë në shkollën Protestante të këtushme, e cila dihet prej çdokujt, ka qëllim të keq të tërheqë vajzat e vogla dhe të pafaj prej orthdodhoksisë, domethënë fenë e atërve dhe paraatërve t’onë edhe t’i kllasë në tjetër fe, prandaj ne si edhe gjithë qytetarët e këtushëmë, muarrëm vendimin që të çkishërojmë ç’do familje e cila dërgon fëmijët e saj në shkollën Protestante. Lavdi perëndisë, familjet të cilat dërgonin fëmijët në këtë shkollë, duk’e bashkëndjehur fajin e tyre të math e duke kuptuar se me të vërtetë do të gjendeshin në rrezik të math po të vazhdonin të mësojnë fëmijët e tyre në të këtilla shkolla, nisnë njëra pas tjetrës edhe i hoqnë, ashtu që në pak kohë me perëndinë, do të jemi në gjendjen e kënaqshme të mos mbetet asnjë; për këtë shkak i hoqnë fëmijët e tyre nga shkolla Protestante edhe i suallë këto në shkollat t’ona.

Me qenë se edhe kunati i juaj z. Mihal S. Mele nuk e pat hequr bijën e tija më të madhe edhe mbesën t’uaj Aleksandrën, andaj e gjetëm me udhë të ju shkruajmë edhe të ju lutemi që t’a heqë të bijën nga shkolla Protestante, sepse do tëjetë e shtrënguar e shenjta Mitropoli t’a çkishërojë familjen e të kunatit t’uaj, punë që nuk na pëlqen, e këto përfundojmë

Kryetari

O.Koritsas Fotios

V.i.V

(Fjalë përqark vulës: Dhimogjerondia orthodhoksu eliniqis qinotitos Koritsas)

Dhimogjerondia

(Vazhdojnë nënshkrimet e Dhimogjerondëve).

 (Foleja kombëtare v.1931, f. 52-53, fjala e mbajtur nga Asdreni)

VI- “Këtu Shqiptarët janë ndezur shumë nga kjo e ngjare dhe po të mbaj dhespoti këtë udhë që ka marrë, nuk di ndë do të shpëtojë i shëndoshë”, thuhet në artikullin që përmendëm më sipër. Shqiptarët ndiheshin të lodhur nga mohimi i gjuhës së tyre. Shpërthimi i revoltës së tyre kish dhënë shenja që 25 vjet më parë. Nuk do të tolerohej më si më parë. Më mirë se gjithçka tjetër këtë gjë e tregon një ngjarje e Devollit:

“Në Devoll flitet, përveç gjuhës shqip, edhe një bullgarishte e përzier. Por nja 25 vjet më parë, bullgarishtja mbretëronte në ato vise: në shtëpi, në rrugë, a në treg, njerëzia përdoronin më shumë sllavishten se shqipen. Andaj, nja 50 fshatra u mbluadhë një dlitë dhe bënë be (u betuan), që atëherë e tutje t’u mësonin djemëve vetëm gjuhën e mëmëdheut. Zunë edhe vetë të mos sjellin kurrë mbi buzë fjalë shqehnisht, (bullgarisht), edhe botën të mos e lëshojnë (lejojnë) të mërgonjë (harrojë) shipen. U ndodh një ditë një lopçar, i cili, duke shkuar në mëngjes përpara shtëpive për të mbledhur lopët, briti (thirri) bullgarisht: “Kravite, kravite!”, domethenë: “Lopët, lopët!” Atë hop u-rrethua thua prej trimash të lidhur, të cilët e benë me jataganë thela-thela trupin e lopçarit…”  (Gazeta “Albania”, 1898, nr. 2, f. 29)
            Për mësimin e gjuhës shqipe nuk kishte më kthim prapa.

Numri i nxënëseve në shkollën e vashave sipas viteve, për 22 vjet me radhë 1891-1913 ishte:

Gjithsej studiuanë 1.107 vajza myslimane e të krishtera.

1891-92 – 27 nxënëse

1892-93 – 50

1893-94 – 36

1894-95 – 35

1895-96 – 39

1896-97 – 42

1897-98 – 51

1898-99 – 44

1899-1900 – 46

1900-1901 – 47

1901-1902 – 49

1902-1903 – 33

1903-1904 – 42

1904-1905 – 19

1905-1906 – 87

1906-1907 – 61

1907-1908 – 32

1908-1909 – 81

1909-1910 – 51

1910-1911 – 54

1911-1912 – 52

1912-1913 – 50 nxënëse

Internati i kësaj shkolle u çel për të parën herë në Korçë më 1900 tue pas 5 nxnënëse, të cilat paguanin 6 lira turku për vitin shkollor

(Foleja Kombetare, v 1931, f. 94)

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: edhe shkollën amerikane, frekuentuan, Histori- Vajzat e Korçës, Vepror Hasani

EDITH DURHAM DHE PREMTIMI I PAMBAJTUR I SHQIPTAREVE

August 9, 2017 by dgreca

brenga-e-ballkanit-edith-durham

Kalemi i florinjtë i Edit Durhamit, premtim i pambajtur i shqiptarëve/

Edit Durham

Nga Vepror Hasani/Miss Edit Durham do të mbetet gjatë në kujtesën e shqiptarëve, ndoshta përjetësisht. Nuk ka asnjë arsye për t’u harruar. Mbetet mikja më e mirë e tyre. Me shqiptarët u njoh së pari, gjatë një udhëtimit që pati në gusht të vitit 1901 në Mal të Zi (Ulqin, Tivar, Shpuzë etj), e prej andej në qytetin e Shkodrës. Më pas u kthye në vendin e saj, ku qëndroi shtrirë  për një kohë të gjatë, sepse ishte e sëmurë, por sapo e ndjente veten mirë, ngrihej nga shtrati e nisej drejt shqiptarëve.

Kjo ishte dhe arsyeja që në vitin 1914 shqiptarët vendosën t’i bënin zonjës së nderuar, Edit Durham, një dhuratë të veçantë; një kalem të artë, më të bukurin që mund të gjendej në dyqanet e Europës, pse jo edhe të Amerikës. Çmimi i kalemit, sado i shtrenjtë që të ishte, nuk përbënte shqetësim. Për Miss Durhamin do të kontribuonin gjithë shqiptarët. Dhe këtë gjë e bënin me gjithë shpirt; ndiheshin të nderuar. Problem ishin vetëm ushtritë e huaja që hynin e dilnin si në një tokë pa zot, ku vrisnin, prisnin dhe digjnin çfarëdo që u delte përpara. Nuk ishte kohë e përshtatshme për dhurata, por shqiptarët dëshironin ta bënin këtë gjë sa më parë të ishte e mundur; e kishin me gjithë zemër.

Iniciativa për dhuratën e artë lindi në qytetin e Elbasanit. Nuk qe rastësi, Edit Durham, si me të gjithë shqiptarët, edhe me banorët e Elbasanit, pati miqësi të vërtetë.

Në prill të vitit 1910, kur Mis Durham u kthye sërish në Shkodër, e gatshme për të njohur nga afër jetën ballkanike, qëndroi për tetë ditë edhe në qytetin e Elbasanit, ku takoi shumë njerëz, skicoi portretet e tyre, mblodhi fjalë të urta, këngë të vjetra popullore dhe mori pjesë edhe në një dasmë. Nusja i pëlqeu shumë Durhamit, saqë brenda një kohe të shkurtër i bëri një portret me bojra uji. Nusja që pozoi para Edith Durhamit, lindi një djalë që i vunë emrin Aleks Buda. (Atje ku shkelte zonja e nderuar, lindte mirësia).

Piktura e nuses së Elbasanit ruhet në Institutin Mbretëror të Antropologjisë në Londër, sepse siç dihet, Edit Durham ishte piktore e talentuar. Studimet e para i kreu në Kolegjin e Bedfordit, e më pas për shkak të pasionit për pikturën, u regjistrua në Akademinë Mbretërore të Arteve. Që në moshë të re hapi disa ekspozita në Akademinë Mbretërore dhe në Institutin Mbretëror të Pikturave me bojëra uji. Disa prej tyre ndodhen në Institutin Mbretëror Antropologjik.

Iniciativa e Elbasanit për blerjen e kalemit të artë, u bë e njohur te gazeta“Perlindja e Shqipëniës” prej z. Mit’hat Frashëri nëpërmjet një letre, dërguar redaksisë, ku shkruhej:

“Zoti Drejtor i gazetës “Përlindja e Shqipëniës”, Vlonë.

Lutemi të botoni këto të paka radhë: këtu n’ Elbasan filluam të mbledhim ndihmë nga një metelik (10 para, 5 qindarka) për njeri: duamë të blejmë një kalem të florinjtë që t’ia dhurojmë zonjës Edith Durham si kujtim për shërbimet fisnike që i ka bërë kombit tënë, me shkrimet dhe botimet e saj. Për të rrëfyer këtë mirënjohje të kombit tënë, kemi dashur që edhe ndihma të jetë e popullit, dhe nga ky shkak s’marrim me tepër se 10 para për njeri. Në komisionin që u formua për këtë nënëshkrim (ndihmë) janë zotërinjtë  G. Cilka, Dr. Rushdi beu, Taq Buda dhe unë (Mit’hat Frashëri).

Ndihmat (çek, bankënotë, ose timbra poste të Shqipërisë), bashkë me emrat e ndihmëtorëve, çohen n’ adresë: Taqi Buda, spicer, Elbasan.

Pritni, u lutem, të falat e mija me nder

Midhat Frashëri

Elbasan, 7/20 janar 1914”.

(Perlindja e Shqipëniës 1914, nr. 6, e shtunë 18/31 kallënduer, f. 2)

Botimi i lajmit në gazetë entuziazmoi të gjithë shqiptarët. Më në fund po mbërrinte dita e shumëpritur për t’i shprehur mirënjohejen zonjës së nderuar me një dhuratë simbolike, por që vlente sa gjithë zemrat e shqiptarëve.

Ja çfarë shkruhet te parathënia e librit “Brenga e Ballkanit”:“Kontributi i Edith Durhamit në jetën politike të Shqipërisë në dy dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX, duke qenë dhe objekt dhe subjekt i ngjarjeve, ka rëndësi, sepse, duke u botuar në kryeqytetet më të mëdha të Evropës, do të shërbente, siç edhe shërbeu, si një material burimor dokumentar i klasit të parë për lëxuesin masiv, studiuesit dhe shkencëtarët. është i njohur guximi qytetar i Mis Durhamit në denoncimin e Trajktatit të fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915. Në këtë traktat me indiferencën dhe mospërfilljen e Fuqive të Mëdha mbi tryezën e operacionit vihen shtete e kombe të vogla, të cilave si Shqipëria e cungohen kufijtë për të kënaqur oreksin e fqinjve shovinistë. Telegrami përshëndetës që i dërgoi Edith Durhami Fan Nolit me rastin e pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, ngriti peshë zemrat e shqiptarëve për mbrojtjen e fateve të atdheut”
Zonja Edit Durham njihte nga afër pothuajse të gjitha viset e Shqipërisë. Çdo tmerr që pa me sytë e saj, ia rrëfeu botës mbarë. Kështu shkruhej edhe në gazetën “Albania”:

“Shqipëria e gjykuar prej një zonje inglize, që flet më tepër se pesë gjuhë dhe ka parë shumë – shumë vende, ka udhëtuar gjashtë herë në Ballkan. Herën e fundit, udhëtoi nga Monastiri në Shkodër duke shkuar nga Korça, Kolonja, Leskoviku, Përmeti, Tepeleni, Vlora, Berati, Elbasani, Durrësi, Kruja, Oroshi, pa emëruar viset e vogla. Foli me shumë veta, vështroi teqera bektashinjësh, monastire kallojerësh orthodhoksë, famulli priftinjësh katolikë. Edhe ç’pa, ç’vuri re, ç’kuptoi e ç’mendoi, na i thotë në një libër prej 330 faqesh që doli tani shpejt në London”. (Gazeta Albania 1905, nr 1. f 11)

Edit Durahm, gjendej pranë shqiptarëve, sa herë që ata kishin nevojë për të:

“Një lajm zyrtar na dëfton se një çetë albanofilësh i paraqitën qeverisë angleze një protestë kundër veprimit të Serbisë në Shqipëri. Letra është nënshkruar prej më shumë se 25 vetash, ndër të cilët gjendet edhe nënshkrimi i të palodhshmes albanofile. M. E. Durham”. (Hylli i dritës 1921, nr 8. F. 372)

Më 1918, Miss Durham u zgjodh sekretare nderi e Shoqatës Angli-Shqipëri, që kishte si kryetar  Obrej Herbertin. J. Suire, analist i shquar i problemeve ndërkombëtare, që është marrë me problemet e Shqipërisë, shkruan:

Lidhja e Kombeve e njohu Shqipërinë edhe në saj të përpjekjeve të kësaj shoqate.”

(J. Suire, Albania – The Rise of kingdom, Londër 1929, fq 281).

Dhe shqiptarët i nderojnë miqtë:

“Këta mprojtës, këta shkrimtarë të ndritshëm, ka detyrë  Atdheu t’i quajë përherë “Miqt’ e Shqypnisë”. Me nderim e simpati do të përmendë emrin e Bopp-it, Hahn-it, Meequard-it, Mayer-it, A Herbert-it, Becker-it, Miss Edith Durham-it, etj., etj.

(Hylli i dritës 1922, nr, 3, f.128).

Ndaj edhe kur nëna e zonjës Durham, u nda nga jeta, shqiptarët i shprehën pa vonuar dhimbjen e tyre të thellë:

“Na vjen keq që  Zonjëza Edith Durham humbi t’ëmën tani shpejt. Marrim lirinë t’i dërgojmë ngushëllime n’emër të së Përkohëshmes si edhe të shumë Shqiptarëve”.

(Gazeta Albania 1906, nr 1, f.5)

Për të gjitha këto, gjithkush priste që blerja e kalemit të artë të ndodhte sa më shpejt. Për çfarë kishte ndodhur, shpjegimet erdhën sërish nga gazeta “Përlindja e Shqipërisë”:

“Z. Midhat Frashërt na dha këto spiegime mbi kalemin e florinjtë që do t’i epetë së dëgjuarës filoshqiptare, Zonjës Edith Durham, dhe për të cilën po mblidhen nga një dhjetësh për njeri.

– Kalemin e porositëm në Amerikë, një kalem të florinjtë që mban mellanin (myreqepin) brënda; do të kustojë afro 1500 grosh dhe në të do të jetë shkruarë: “Zonjës Edith Durham, Shqipëtarët mirënjohës, 1914″.

Gjer më sot, këtu në Vlorë, janë mbledhun 670 dhjetësh, me anë të gazetës “Përlindja e Shqipërisë” të zotërinjëve Cilka, oficer Xhavidit, La Bimbli, Xa Hysejn etj.

Nga Fieri na erthnë 122 dhjetëshe, në Elbasan gjer ditën që dola, d-m-th, dy javë më parë ishin mbledhur 720 dhjetëshe.

Po e shihni se duhen akoma shumë metelikë që të mbushet shuma. Është nevojë që në çdo qytet, si Shkodër, Berat, Durrës etj, etj, si edhe kolonitë shqipëtare t’Amerikës, të Rumanisë, Egjiptit, Bullgarisë, Turqisë, të përpiqenë pak. E kemi thënë se çdo dërgim të hollash duhet të ketë dhe listën e ndihmëtarëve. Adresa për ndihmat është:  Z. Taqi Buda, spicer, Elbasan”.

(Perlindja e Shqipëniës 1914, nr.19, e mërkurë 5/18 mars)

Pra, duhej edhe pak kohë deri sa të plotësohej shuma e duhur që zonja e nderuar, Edit Durham, të merrte dhuratën e artë. Fatkeqësisht të hollat e nevojshme nuk u mblodhën dot kurrë. Ushtritë e huaja vijonin të hynin në Shqipëri me zjarr dhe hekur, ndërsa banorët braktisnin vendbanimet e tyre…

Nuk kemi asnjë informacion që kalemi i artë të jetë blerë. Dhe nëse ka ndodhur kështu, ky është një premtimi i pambajtur i shqiptarëve; u ndodhi kështu, sepse për vite të tera me radhë ekzistenca e Shqipërisë ishte në pikëpyetje, as vetë shqiptarët nuk e dinin çfarë do të ndodhte me ta…

E megjithatë…  është një premtim i pambajtur.

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Edith durhami, i shqiptareve, premtimi i pambajtur, Vepror Hasani

Biblioteka e Korçës 500-vjeçare, por jo e vetmja

May 27, 2017 by dgreca

Nga Vepror Hasani/

Biblioteka Baholli ElbasanShkolla e parë në Shqipëri për vajza dhe djem u ndërtua në Korçë 500 vjet më parë nga themeluesi i saj, Iljaz bej Mirahori. Në testamentin e tij thuhet: “ngriti e ndërtoi pastaj… një shkollë të bukur e të hijshme. Pastaj caktoi këtë si vakëf për gjithë ata djem dhe vajza myslimane që vazhdojnë të mësojnë këndimin e Kuranit e të studiojnë dituri të tjera”. (Pjesë nga dekreti perandorak, kthimi i pronave të Mirahorit në vakëfe).

Me qenë se për shkollën e vajzave dhe të djemve kemi shkruar kohë më parë, nuk po zgjatemi më shumë. Kësaj radhe do të ndalemi te biblioteka e xhamisë së Korçës. Sipas Mytevelinjve, pasardhës të Mirahorëve, xhild-hanet (bibliotekat) ishin, zakonisht, pjesë e xhamive, ku përveç librave të fesë, mbaheshin edhe librat më të mirë të kohës. Një bibliotekë të tillë e kishte edhe Xhamia e Madhe e Korçës, e cila u vinte në ndihmë edhe vajzave dhe djemve të shkollës.

Që xhamia e Korçës e kishte një bibliotekë nuk mund të vihet në dyshim. Francezi August Dozon gjatë vizitës së tij në Korçë më 1874, ndër të tjera i shkruante qeverisë së tij: “Po bëhen përgatitje për të ngritur një tipografi ku do të bëhen botime të autorëve klasikë”, gjë që tregon se banorët e qytetit të Korçës ishin të familarizuar prej shekujsh me librin.

Fill pas botimit të gazetës “Albania” të Faik Konicës, mjaft banorë të qytetit të Korçës u bënë abonentë të kësaj gazete:

“Ky vit është i bekuar ndër gjithë të tjerët për kombin shqiptar. Fara që mbuallëm dy vjet më parë zuri të sjellë pemët e saj. Më të katër anët shohim fletore, bibla të reja, shoqëri kombiare që po krehen (krijohen). …Albania hyn tani pothuajse lirshëm në Shqipëri. Në Korçë gjer në fund të gushtit Albania këndohej në kafenetë…” (Gazeta “Albania” 1898, nr 10, f. 153)

Në vitin 1908, Sami bej Pojani, botoi në Korçë gazetën “Korça”, të parën gazetë shqiptare në Shqipëri dhe ngriti shtypshkronjën për shypjen e gazetave, revistave, librave etj.

Dëshmi të shkruara për ekzistencën e bibliotekave të xhamive, teqeve, medreseve, familjeve të mëdha myslimane, kanë mbërritur deri në ditët e sotme, gjë që tregon se biblioteka 500-vjeçare e Xhamisë së Korçës nuk ishte e vetmja. Po renditim disa prej tyre:

Bibliotekat e Beratit

“Myftinia e Beratit ka patur një arkiv të moçëm në gjuhën turke ku gjendeshin gjithë aktet e Gjykatores së Shenjtë (sherie), regjistrat kadastralë të moçmë dhe shumë sende të tjera interesante për historine e qytetit, dorëshkrime të ndryshme në arabisht e persisht dhe koleksione kuranesh.” (“Hylli i dritës” 1938, nr. 6. f. 290)

“Teqeja e të mirit Sheh Hasanit ka patur shumë libra e dorëshkrime në gjuhët orientale (arabisht, persisht dhe turqisht), dhe dokumente të tjera që nga librat, dhe dorëshkrimet, dhe kishte shumë dokumente prej atyre që ishin të vlefeshme për historinë e qytetit dhe të kombit tonë – fatkeqësisht kjo bibliotekë u dogj e gjitha në kohë të kryengritjes së rebelëve në vitin 1914. Thuhet se aty gjendej edhe dorëshkrimi i shkruar shqip me gërma arabe i Nesim bej Përmetit që bën fjalë historia e literaturës shqipe.” (“Hylli i dritës” 1938, nr. 6. f 290)

“Jo larg qytetit të Beratit gjendet fshati ose lagjja e Velabishtit, ku edhe sot shihen gërmadha palletesh, xhamie dhe teqeje si edhe varre (tyrbe). Këtu banonte Ismail Pasha, biri i Mahmud Pashës, njeri studioz që kishte krijuar në pallatin e tij një bibliotekë fort të pasur, veçanërisht në vepra arabe, perse dhe turke, po, me vrasjen e Ismail Pashës në vitin 1771 u grabit dhe u dogj edhe biblioteka e tij, për arsye se ky ishte deklaruar e dënuar prej sulltanit të atëhershëm dy herë fermanli.” (“Hylli i dritës” 1938, nr. 6. f. 290)

Ndërsa Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri) rrëfen për bibliotekat familjare që gjendeshin ngado nëpër Shqipëri:

“Në Berat, më 1913 kisha parë te z. Sulo Resuli një dorëshkrim shqip (me shkronja turke), të vjershave të Sylejman Ramazanit, vjershëtor i dëgjuar në ato anë, beratas, jetuar një qind – një qind e pesë vjet më parë. …Në Berat prapë mbahen dhe ruhen dorëshkrime të tjera të vjershëtorëve Hasan i Zyko Kamberi dhe Nesim-it; dhe unë vetë kam mes librave të mi dy dorëshkrime të vjershave të Hasanit Zyko Kamberit, tërë në shkronja turqisht, njëri prej të cilëve të paktën një qindvjeç i vjetër. Dy libra fetarë në vjersha, të shkruara në Frashër prej Dalip dhe Shahin beut, këndohen dhe sot në teqetë e bektashinjve…” (“Diturija” 1909, nr. 2, f. 22)

Biblioteka Baholli e Elbasanit

Më tej gazeta “Hylli i dritës” na njeh me bibliotekën Baholli të Elbasanit. Kjo bibliotekë u themelua prej Nazif Bahollit në shenjë nderimi për birin e tij liceist, Qemal Baholli, i cili u nda nga jeta në qytetin e Korçës më 1 dhjetor 1929, kur ishte maturant. Familja Baholli me origjinë nga Dibra, kishte ardhur në Elbasan në vitet 1900. Ndërtimi i bibliotekës nisi në vitin 1931, përfundoi më 1935, ndërsa Bashkisë iu dorëzua po atë vit, më 23 korrik. (Referuar gazetës “Hylli i dritës” 1938, nr. 9, f. 480)

Sipas Wikipedias: “Sot biblioteka “Qemal Baholli” me 200.000 libra, koleksione dhe periodikë në gjuhë shqipe dhe të huaja, shquhet jo vetëm për veprat e rralla, koleksionet e fondit të periodikut të periudhës para Luftës II Botërore, por dhe ndër bibliotekat më të pasura të vendit për nga pasuria që zotëron”.

Biblioteka e Vlorajve

Sipas rrëfimeve të Eqerem bej Vlorës, bibloteka e tyre ka qenë mjaft e hershme, ngrihej pranë sarajeve, por edhe sarajet edhe biblioteka u grabitën pak vite më vonë nga dalja e Sulejman Pashës kundër Vlorës dhe vrasjes së Ali Beut më 1741. Për bibliotekën e familjes Vlora dëshmon edhe shkrimtari turk Evlia Çelebiu, ku jo vetëm ai por edhe babai i tij e kishin vizitur këtë bibliotekë:

“Shkrimtari Turk Evlia Çelebiu shkruan se me 1072 (alla Turka) ka banuar në fshatin Mekat (pranë VIorës) në çifIigun e Isuf Beut edhe ka shkuar kohën në Bibliotekën e tij shumë të çmueshme, në të clën pat punuar shtat vjet rresht edhe i ati i Evlia Çelebiut. (“Hylli i dritës” 1938, nr. 4, f. 162 -166)

Gjithnjë sipas gazetës së përmendur më sipër, Biblioteka u ringrit pranë sarajeve prej Ismail Pashës, i mbiquajturi Velabishti, bir i Mahmud Pashës, edhe më e pasur nga ç’kishte qenë, por pas vrasjes së tij më 1771, biblioteka u grabit sërish dhe iu vu zjarri. U ndërtua sërish, por në vitin 1814, biblioteka me vlerë 1.800.000 fr. ari, e përmendur edhe nga Pouquevill te libri i tij “Voyage en Albanie”, u grabit prej Ali Pashë Tepelenës. Megjithatë, biblioteka u ndërtua sërish e sërish.

Më 1832, Beqir beu u detyrua të shkoi në Misir. Për këtë arsye la peng, te Kojevina në Korfus orendi të shtrenjta dhe shumë libra me një vlerë prej 192.000 franga ari. Me vdekjen e Beqir beut, pasardhësit e tij u vendosën në Vlorë më 1849, por mallin e lënë peng, nuk e morën dot. Familja e Kojevinës u bë ndër më të pasurat e Korfuzit.

Kjo ishte dhe arsyeja pse bibliotekat grabiteshin herë pas herë, sepse ato çmoheshin shumë për vlerën e tyre, ose mund të liheshin peng, gjë që sot duket sikur nuk e kanë më atë vlerësim. Të vetmit që dogjën edhe librat edhe ndërtesat e bibliotekave ishin andartët grekë të vitit 1914.

Por familja Vlora nuk bënte dot pa bibliotekë. Mahmund beu, i ati i Ismail Qemal beut, vetë ismail Qemali, por edhe biri i tij, Ismail beu ishin të dashuruar pas librave: Në bibliotekën e tyre gjendeshin libra në gjuhën greke, latine dhe italiane, librat e Dantes dhe të Petrarkës, por edhe kjo bibliotekë u zhduk.

“Biblioteka që ka sot familja Vlora është vepër e diplomatit plak Syrja Beut dhe e të birit Eqrem bej Vlorës. Syrja beu ka filluar mbledhjen e librave rreth vitit 1875 dhe kanë vazhduar pareshtur gjer më sot. Në vitin 1914 kjo bibliotek kishte 14.600 volume, po mjerisht në gusht të atij viti, për t’i shpëtuare nga djegia ose nga grabitja e rebelve, të cilët në atë kohë kishin djegure edhe bibliotekën e teqesë së Sheh Hasanit në Berat, që ka patur libra dhe dorshkrime shumë për historin e vendit tonë, i shtynë të gjithë librat në një bimcë (bodrum) ku u prishën ose u kalbën.
Sot (viti 1938), kjo bibliotek zotnon 8.700 volume të ndryshme në gjuhët arabisht, turqisht, gjermanisht frëngjisht, italisht, gerqisht dhe shqip, të cilat janë edhe gjuhët që njeh mire i nderuari deputet i Vlorës.

Në Bibliotekë kanë edhe dorëshkrime në arabisht dhe në gjuhë të tjera që kanë të bëjnë me rilindjen shqiptare, të cilat do të botohen për së afërmi në një libër që ka shkruar i ati, Syrja beu nën titullin “Kujtime dhe fytyra nga koha e rilindjes s’ Atdheut t’onë prej vitit 1908-1923″ në gjuhën turke”.

Biblioteka përmban: një koleksion me 138 kurane të shkruara me dorë, të mbledhura në Stamboll, Misir, Persi, Indi, Marok etj; një koleksion mjaft i pasur albanologjie dhe balkanologjie; koleksion armësh të vjetra, 230 copë, mbledhur në Shqipëri; koleksion tabakash 620 copë (sever, saks, çiu, vieux, vienne, çeshmir, bylbyl etj); një koleksion statujash të veçanta të Pojanit, Bylisit, Amandias, Orikumit dhe të Avlonës e shumë të tjera. (Hylli I dritës 1938, nr, 4. f. 162 -166)

Biblioteka Frashëri

Biblioteka “Frashëri” u krijua nga Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri) që nga rinia e tij e hershme; ishte më e pasura në Shqipëri. Në vitin 1938 kishte 18.000 volume të ndryshme në gjuhët frëngjisht, gjermanisht, anglisht, italisht, greqishte, turqisht, shqip etj, 200 dorëshkrime të ndryshme disa prej të cilave të albanologëve të njohur, koleksione gazetash, revistash; shumë dokumente historike etj; libra që flisnin për Gjergj Kastriotin dhe Ali Pashë Tepelenën dhe një koleksion pikturash të historisë së Ali Pashës; ikona byzantine, relike të çmuara të familjes Frashëri, sahatin e motrës së Ali Pashës që ishte martuar në Libohovë, dy sahate bakri me kapak të Ali Pashës me stemën e Satrapit, dy sahatë të tjera gati si të parat që kanë qenë të ministrit të Oborrit të Ali pashë Tepelenës, frerin e kalit të Ali pashës dhe një koleksion tjetër monedhash të gjendura në vise të ndryshme të Shqipërisë. Dhe shumë gjëra të tjera që nuk mundemi t’i përshkruajmë dot, – shkruan gazetari, – se na kaloi koha duke parë librat e shumtë të biblotekës së tij ku vërejtëm edhe shumë libra që dikur bënin pjesë në librat e bibliotekave të Arhidukës Ferdinand t’Austrisë, të Mbretit Kostandin të Greqisë, dhe në mos gabohem dhe të Napolon Bonopartit, të sulltanëve e të Mahmud Pashë Shkodrës. (Referuar “Hylli i Dritës” 1940, nr.1, f. 61)

Vijimi i traditës

Tradita e bibliotekave të xhamive, teqeve, medreseve, vijoi ashtu si më parë. Krijimi i bibliotekës së Medresesë së Përgjithshmë është një shembull i tillë.

Kryesia e Medresesë së Përgjithshme themeloi këtë institut si seminar për klerikët e religjionit muhamedan në Shqipëri, e pajisi me bibliotekë dhe i dha emrin “Biblioteka e Medresesë së Përgjithshme.”. Kjo bib1iotekë u themelua në vitin 1932. Veç librave të botuara nga Këshilli i Lartë i komitetit muhamedan, koleksioneve të revistës “Zani i naltë” dhe libravet të ndryshëm të botuar prej klerikëve muhamedanë, biblioteka ka edhe 1000 copë libra të tjerë në gjuhët arabike, persiane, engleze, franceze, ku shumë prej tyre janë dhuratë e shoqërive të studentëve muhamedanë të Hindisë, Egjiptit e gjetke. Kjo bib1iotekë pasurohet dita-ditës me vepra të ndryshme të qëllimit që ndjek dhe shërben shumë për profesorët, studentët, kleriket dhe për çdo njeri tjetër që dëshiron të studiojë. (Referuar “Hylli i dritës” 1940, nr. 2, f. 53)

Filed Under: Opinion Tagged With: Biblioteka e Korçës 500-vjeçare, por jo e vetmja, Vepror Hasani

Kompozitori Abaz Hajro, “babai” i serenatave Korçare

May 12, 2017 by dgreca

1 abaz Hajro

Nga Vepror Hasani/I pari ishte Ibrahimi. E qante violinën. Kur e dëgjonin nëpër dasma nuk mbetej njeri pa lotuar. Pas tij erdhi i bri, Hajroja, edhe ai mësoj ta bënte violinën të qante. “Të qarën e Hajros”, e interpretojnë edhe violinistët e sotëm, por dy shpirtra nuk janë kurrë njëlloj. Hajroja pati tre djem: Demkën, Rushanin dhe Shefkën. Dy të parët mësuan violinën, kurse Shefka llahutën. Vëllezërit i dhanë dimension tjetër artit të të qarit. Shpirtin e gjysh Ibrahimit dhe të Hajros, e bashkuan me shpirtrat e tyre; u bënë tre breza bashkë. Virtuoziteti i tre vëllezërve magjepsi banorët e Korçës. Prej Rushanit dhe Shefkës lindën muzikantë të talentuar, kurse Demka la pas 5 djem dhe 2 vajza: Danin, Sulejmanin, Bidon, Abazin, Sazanin, Adivien dhe Xhevrien. Që të gjithë të lindur për muzikë. Një armatë e tërë muzikantësh. Por ne do t’ju tregojmë për fisarmonicistin e famshëm, kompozitorin, dirigjentin, drejtuesin e Orkestrës së Estradës Profesioniste të Korçës, muzikantin e Orkestrës Simfonike dhe “babain” e serenatave korçare, Abaz Hajro.

Abazi ishte njeri i çuditshëm. Gjithnjë i menduar kur dilte mëngjeseve prej shtëpie, kur ecte në rrugë, kur vinte në studio, kur ulej në tavolinë e ngrihej prej saj, kur hynte në lokal e dilte prej andej. (Abazit i pëlqente edhe të pinte). Ata që e njohën nga afër, i njohën edhe trishtimin që sytë e tij nuk e fshihnin dot. Pse ndodhte kështu? Çfarë e mundonte kompozitorin Abaz Hajro? Fal qëmtimit që i ka bërë jetës së tij gazetarja Shirma Minga, sot njohim misterin e të menduarit të tij të përhershëm. Të fshehtën e misterit të Abazit e zbulojnë kujtimet e aktores dhe këngëtares së mirënjohur, Dhimitra Mele, e cila tashmë nuk jeton më: “Abazi ishte një kompozitor i mrekullueshëm dhe një ekzekutues gjithashtu shumë i mrekullueshëm. Kishte aftësira të veçanta. Gjithnjë e shihja të menduar: Abaz, pse rri kështu? – e pyeta një herë. Po mendoj për diçka  të re që dua ta kompozoj… m’u përgjigj.” (Shirma Minga, “Gishti  i tij rridhte mjaltë”)

Misteri i Abazit ndriçohet më tej prej muzikantit Viktor Çani. Abazi kishte aftësi të kompozonte pa instrument, kudo që ndodhej: “…Për Abazin ruaj kujtime shumë të mira. … shquhej për aftësitë e tij. Nëse të tjerët donin orë të tëra të studionin, Abazi i thithte në pak kohë dhe jepte rezultate.… Ishte i zoti në instrument, luante “a prima vista” – “me një të parë”. …Kishte aftësi të veçanta në kompozicion. Kompozonte pa instrument, rrinte në tavolinë dhe shkruante…” (Shirma Minga, “Gishti  i tij rridhte mjaltë”)

“Pjesën tjetër të së vërtetës e gjejmë te rrëfimet e  Vasil Ballaurit: “Abazi ishte intelektual, ishte artist, ishte fisnik. Ai kish një botë shpirtërore me thellësi të tillë që mund të matej vetëm kur kompozonte meloditë e tij me vargjet e Alfred de Musesë, kish shpirtin e revoltës së heshtur, dufin e së cilës e nxori gjithë jetën ose duke lëshuar lot anës syve kur pushtonte gjithë pasion fisarmonikën ose duke pirë. Unë të paktën personalisht, Abazin nuk do ta harroj.” (Vasil Ballauri, “Një dritare në historinë e muzikës së Korçës”, f. 61)

Këngëtari Nystret Frashëri rrëfen muzikën hyjnore të Abaz Hajros, e cila la të mahnitur banorët e Shkodrës. Ishte koha kur bëheshin olimpiada teatrore. Regjisori Dhimitër Orgocka kishte vënë në skenë dramën “Shtëpia në Bulevard” të Fadil Paçramit. Pjesë të saj ishin ilustruar me muzikën e Abaz Hajros. Ishin në Shkodër për konkurim kombëtar:

“Pas shfaqjes një grup njerëzish më pyetën:  Ç’ishte ajo muzikë që dukej sikur binte nga qielli? Unë iu përgjigja: autori i saj është Abaz Hajro!” (Shirma Minga, “Gishti  i tij rridhte mjaltë”)  

Ashtu siç e shkruante krijmtarinë e tij, pa instrument, ashtu e arkivonte edhe në kujtesën e tij, për ta nxjerrë prej andej kur i duhej, pavarësisht nga koha kur ishte shkruar. Një histori të tillë rrëfen Agron Pojani:“Ishim në Vlorë. Abaz Hajro kishte harruar në shtëpi partiturën e operetës “Agimi”. U kujtua vetëm pak çaste më parë se të luante operetën. Po tani? Kjo ishte pyetja e tij dhe e të gjithve ne. Mbetëm të hutuar. Ai luajti pa partiturë. Gjithçka kishte qenë e fiksuar në shpirtin e tij. Na mahniti të gjithëve!” (Referuar kujtimeve të Agron Pojanit, valltar)

Prej këngëve të Abaz Hajros drithëroheshin gjithë këngëtarët. Ishte virtuoziteti i tij që emociononte si këngëtarët me përvojë ashtu edhte këngëtarët e vegjël. Kompozimet e tij ishin njerëzore, të kapshme, të pëlyeshme, emocionuese, të paharrueshme, sikur vinin prej qiellit. Në festivalet e fëmijve çonte këngët të mrekullueshme. Jorgjeta Lalazi rrëfen fëmijërinë e vet si këngëtare:

“Kënga më bënte të drithërohesha e gjitha. Kisha nisur të këndoja që kur isha në klasë të parë. Kisha marrë pjesë në të gjitha festivalet e fëmijve dhe çdo vit isha vlerësuar me çmime. Këndoja me shoqen time Alma Subashi, me Astrit Koçibellin, me Afërdita Laçin, me Arsen Buzalin, me Ilir Qafzezin etj. Tasi Poda ishte udhëheqës artistik, Abaz Hajro dirigjonte, kompozonte dhe luante në fisarmonikë.” (V. Hasani “Solistja e grupit ”Nostalgjia”, Jorgjeta Lalazi: Ju rrefej jetën time”)

Abaz Hajros i duhej të mendonte për këngët e muzikës së lehtë, për këngët popullore, për këngëtarët e Estradës së qytetit, për  kupletet, paroditë, pantonimat etj:

“Me krijimin e Estradës së Ushtaritë e cila ishte e dyta që u hap në Shqipëri pas asaj të Tiranës, Spanja u aktivizua duke kënduar këngë popullore e të muzikës së lehtë. Në vitin 1960, në Estradën profesioniste të qytetit të Korçës, ajo doli si soliste kryesore me këngë të kompozuara nga Abaz Ajro dhe kompozitorë të tjerë…” (Raimonda Moisiu, “Tingulli i zemrës e ka emrin serenatë”)

Abaz Hajro njihte çdo dashuri të qytetit, çdo dhimbje dhe brengë, çdo pikë loti të rrënë prej syrit. Njerëzit i kërkonin që loti i padukshëm i tyre të bëhej serenatë, dhe ai ulej dhe kompozonte. Këngëtarja Spanja rrëfen:“Abaz Hajro ua u gjente “telat” serenatave. Këto ishin tamam serenata, si përshembull “Sofati”. Kjo serenatë lindi për dy të dashuruar që “takoheshin” vetëm me sy, se vajza rrinte te sofati duke qëndisur:

Shkoj përditë rrugës sate si më parë,

por më parë të kisha ty,

sot kam mall.

Kjo serenatë më dukej sikur më këndohej mua, më ngjiti mua!(Qesh).

Serenata tjetër e Abaz Ajros:“Ti më erdhe në netët e qeta”. Po iu them lidhjen time, sekretin e shpirtit dhe sinqeritetin e zemrës që mbartte kjo serenatë. Jeta ka çaste të bukura, çaste mërzitje e gëzimi, veçmas kur je e dashuruar. Isha vetëm 19 vjeçe dhe isha nën “ethet” e dashurisë së parë. Isha e trishtuar dhe melankolike, po bënim provat e Estradës. Më pyet Aleko Skali, dirigjenti: -Çfarë ke? Dy pika loti rrëshqitën nga sytë e mij. Vetëm kaq ishte dialogu, që solli tekstin e serenatës, që përmenda më lart”. (Rajmonda Moisiu, “Spanja Pipa, artistja që theu tabutë”)

Edhe kënga e mëposhtme u kompozua prej Hajros në pragun e një viti të ri, kur jashtë dëbora shtrohej si qilim, kur bota festonte, por dikush e vetmuar rrinte në shtëpi…I këndohet trishtimit që ndoshta ngandonjëherë vjen edhe pa arsye, por ndoshta edhe nga diçka që duhet mbajtur e fshehtë, edhe pse brenga të mundon:

“Sonte festë ka e gjithë bota,

botë moj gjithmonë paç gëzim,

verë e kuqe derdhet nëpër gota,

bora jashtë shtrohet si qilim.

Të gjitha shoqet në gostira vanë

vetëm unë sonte nuk festoj,

trimin e zemrës, që s’e kam pranë,

me mendime do ta shoqëroj…”.

Kështu u krijua edhe kënga tjetër ku dhimbja dhe dashuria, ndarja dhe malli rrinë bashkë, por ti nuk ia thua dot askujt; vetëm kënga të çliron shpirtin:

Ti më erdhe në netët e qeta,

në krahët e mia si demon,

më dehe me puthjet e fshehta,

si ëndrra që vjen edhe shkon…

Fisarmonika e Abaz Hajros nuk heshti asnjë çast; ajo ishte atje ku ishte dhimbja dhe trishtimi i njerëzve. Vasil Ballauri sjell një panoramë më të plotë të përpjekjeve të Abaz Hajros:

“Për rreth 25 vjet (a më tepër), në dekadat e vështira të viteve 60 e 70, në botën e vërtetë shpirtërore të rinisë, botë kjo që shfaqej fshehurazi e trazuar prej melodive e këngëve gjatë mbrëmjeve të dikurshme të vallëzimit, një rol qendror në qytetin e Korçës luajti fisarmonika e papërsëritshme e rrëqethse, vajtuese dhe sidomos virtuoze e Abaz Hajros.” (V. Ballauri, “Një dritare në historinë e muzikës së Korçës”, f. 61)

Abaz Hajro mbajti gjallë serenatat e Korçës edhe në vitet e komunizmit, kur këto këngë nuk i shihnin me sy të mirë. Kështu shprehet muzikologia Mikaela Minga:

“Nuk janë kënduar me lehtësinë e viteve të para apo kohës së lulëzimit, por në Korçë serenatat janë kënduar gjithmonë. Krahas saj ka pasur edhe autorë që kanë krijuar këngë të cilat ndonse nuk këndoheshin në skenë u bënë shumë të njohura. Ndër ta shumë të rëndësishëm për t’u përmendur janë kompozitori dhe fisarmonicisti Abaz Hajro, apo autori i vargjeve Aleko Skali” (Ani Jaupaj, “Si u ruajtën serenatat korcare”)

Kontributin e Abaz Hajros për ruajtjen e serenatës Korçare e vë në dukje edhe Spanja Pipa:

“Serenatat nuk janë kënduar në skenë në atë kohë, më duhet të theksoj se kompozitori dhe fisarmonicisti i shquar korcar Abaz Hajro ua gjente “telat” serenatave. Ato ishin tamam serenata…” (Rajmonda Moisiu, “Rrëfehet Spanja Pipa me serenatën ndër buzë”)

Krijimtaria e Hajros është gjallë edhe sot e kësaj dite. Ende këndohen serenatat e tij. Ai ishte pjesëmarrës i përhershëm në  koncerte e festivale, krijues i këngëve qytetare të Korçës; pjestar i Orkestrës Simfonike me dirigjent Kristo Konon. Drejtues i Orkestrës së Estradës Profesionistë të Korçës që nga viti 1956. La pas më shumë se 100 këngë e melodi. Lindi më 25 mars 1930 dhe u nda nga jeta në 6 shtator 1996. (V. Hasani, “Sazexhinjtë e Korçës në dasmën e mbretit Zog”)

Kurse këngëtari Gaqo Prifti thotë:“Mjafton të dëgjosh vetëm këngët e tij dhe do të kuptosh sa i madh ishte dhe çfarë botë të gjerë shpirtërore kishte.” (Shirma Mnga, “Gishti i tij rridhte mjaltë”)

Në shenjë nderimi ndaj vepër së Abaz Hajros, prej disa vitesh, ai ka bustin e tij në lagjen ku lindi dhe jetoi, por shumëkush mendon se Hajro nuk ishte krijuesi i nj lagjeje por kompozitori që i këndoi me pasion Korçës, ndaj busti i tij duhet të jetë në qendër të qytetit. Kështu mendon edhe skulptori Bujar Sula, i intervistuar nga gazetari Tonin Froku, i cili thotë se Abazi i dha jetën Korçës:

“Abazi ishte ikona, e serenatës korçare, këngët që ka bërë Abazi janë të pavdekshme, janë korniza të mrekullueshme për kengën. Abazit i takon të jetë në qendër të qytetit. Këngët e Abazit i këndojnë korçarët e mirëfilltë, njerëz me kulturë, njerëz me horizont. Ishte i jashtëzakonshëm. Ai i dha jetën Korçës…” (Tonin Froku, “Ku duhet të vendoset busti i Abaz Hajros”)

Dalja në skenë e kompozitorit të famshëm Abaz Hajro nuk ishte e rastësishme, Korça ka patur shoqëri muzikore që nga vitet 1670, dhe më parë, por kjo e vërtetë është lënë në heshtje. Na ndiqni fundjavën që vjen, do të mësoni më shumë për shoqëritë e para muzikore të Korçës, për këngëtarin Muço që i këndonte Ali Pashë Tepelenës dhe për shumë sazexhinj të tjerë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Abaz Hajro, babai i sernatave, korcare, Vepror Hasani

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT