Veri Talushllari/
Ngjarje si Lufta e Kosovës 1998-1999 dhe Operacioni “Allied Force”, mars- qershor 1999 i Organizatës së Atllantikut Verior – NATO, kanë qënë e do të jenë objekt studimi e analizash të historianëve dhe studiuesve, pa përmendur shkrimtarët, piktorët, poetët, kineastët…Bibliotekës së librave kushtuar kësaj ngjarjeje epokale për popullin dhe kombin shqiptar, që e filloi shekullin e XX-të me krijimin e shtetit të parë dhe e mbylli me krijimin e shtetit të dytë në trojet e veta natyrale- edhe kështu jo të plota- i është shtuar libri “ LUFTA E KOSOVËS DHE NATO” nga Prof. Assoc.Dr., Kol (R) Gëzim Mustafaj.Libri është një studim i mirëfilltë shkencor, politiko-ushtarak, me një këndvështrim të gjerë të të gjithë faktorëve dhe aktorëve të kësaj Lufte. Por kjo nuk do të thotë se libri i drejtohet një audience të kufizuar. Përkundrazi, jo vetëm ushtarakët, por edhe lexuesi i gjerë gjen atë çfarë i intereson të dijë në faqet e librit.Lexuesit i jepet një vështrim i plotë i gjeografisë dhe toponimisë e topografisë së Kosovës.I historisë së saj e sidomos ngjarjeve që çuan fillimisht në rezistencën paqësore e më pas në ngritjen e strukturave të armatosura, më e lavdishmja e të cilave do të quhej UÇK. I shtypjes e represionit serb që do të kulmonte me vënien në jetë të planeve shekullore ogurzeza për genocid e spastrim etnik të teritorit të Kosovës. I ndarjes teritoriale dhe vendosjes së forcave ndërluftuese. Dhe informacione të tjera që e bëjnë librin tërheqës dhe të lexueshëm lehtë.Libri karakterizohet nga një nivel i lartë konceptimi dhe parashtrimi të materialit që analizon, duke bërë një kombinim shumë të mirë të analizave të situatës politike, veprimeve luftarake të palëve ndërluftuese dhe kronologjisë së ngjarjeve nëpërmjet një ditari të mbajtur me kulturë dhe nivel të lartë profesional, me përshkrime interesant dhe informacion të bollshëm.Niveli i lartë i analizës në libër buron edhe nga fakti që për të mbrojtur doktoraturën, teza e së cilës përbën bazamentin mbi të cilin është ngritur kjo analizë, autorit i është dashur të shfletojë, shfrytëzojë dhe përdorë një literaturë të gjerë e speciale, si dhe të mbështetet tek mendimi më i specializuar shqiptar dhe i huaj rreth kësaj ngjarjeje unike. Dhe kur them unike kam parasysh përfundimin e drejtë të autorit kur thotë: “Operacioni “Forca Aleate” …përfaqëson një luftë unike, e para dhe e vetmja që ka zhvilluar Aleanca Euroatlantike, luftë që tregon fuqinë dhe vendosmërinë e saj për dënimin e dhunës, terrorit shtetëror dhe genocidit…”Nëse do t’i hidhnim një vështrim strukturës dhe kapitujve të librit, do të thoshim se autori na ka dhënë një tekst të strukturuar mirë, konçiz dhe pa “ujëra” të tepërta.Pasi bën një përshkrim gjeo- politik të pozitës së Kosovës në ish Jugosllavi dhe më pas në atë që mbeti pas luftrave të fillimviteve ‘90, autori meret gjerësisht me organizimin e teatrit të luftës, përbërjen dhe vendosjen e forcave, duke na dhënë një pasqyrë të organizimit të UÇK-së dhe më pas vendosjen e saj në terren, si dhe organizimin dhe zonat e veprimit të njësive ushtarake, policore e paramilitare serbe.Kuptohet që “Lufta” është pjesa më e rëndësishme dhe më voluminoze e librit, të cilën autori e ndan në tre faza:-Faza e parë : nga fillimi i konfliktit deri në mesin e muajit gusht 1998, ku veprimet u përqëndruan në rajonin e Drenicës dhe në kufirin me Shqipërinë, Pejë- Prizren.-Faza e dytë: vjeshtë 1998-24 mars 1999, ku forcat serbe kryen veprime luftarake dhe spastrime sporadike në Drenicë, Rrafshin e Dukagjinit dhe Kosovën Qëndrore.-Faza e tretë, 24 mars – mesi i qershorit 1999, më e shkurtër në kohë por më e ashpra në veprime dhe luftime, që përkon me brutalitetin dhe krimet më monstruoze të serbëve, me dëbimin e 1.5 milion shqiptarëve nga trojet e tyre, me vrasjet, djegiet e shkatërrimet, por edhe me intensifikimin e veprimeve luftarake të UÇK-së dhe fushatën e goditjes ajrore të NATO-s, të quajtur “ Operation “Allied Force””.Po ja lemë lexuesit të hyjë në hollësitë dhe dinamikën e gjithë këtyre veprimeve. Por po shtojmë që Ditari i veprimeve luftarake, një dokument standart dhe shumë i rëndësishëm i dokumentacionit luftarak, do t’i japë lexuesit një pamje të gjallë të gjithë asaj çka ndodhi në Kosovë në ato kohra të tmerrshme por edhe heroike.Po i mbyllim këto shënime me bindjen se Kol.(R) Gëzim Mustafaj na ka dhënë në duar një material me vlerë dhe një dokument të rëndësishëm për një nga faqet më të ndritura të Historisë luftarake të popullit tonë.