• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË VËSHTRIM GJITHËPËRFSHIRËS I EMIGRACIONIT SHQIPTARO-AMERIKAN

August 23, 2021 by s p

Nga Veri Talushllari/

Më në fund mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e gjen veten në faqet e një botimi voluminoz, shkencor e gjithëpërfshirës, në kohë dhe në hapësirë. Një botim që e pasuron shumë bibliografinë e kësaj mërgate. Sepse të shkruash për legjendat e shkuara, ngjarje, vënde, njerëz…kërkon guxim, mes të tjerash. Por të shkruash për legjendat e gjalla,që zhvillohen para syve të tu, oh, kërkohen shumë, shumë gjëra. Guxim po e po, vullnet, dije, informacion, mëndje e hapur, talent, pastaj punë, punë,punë… 15 vite punë ju deshën studiuesit Shefqet Saliu të na japë në mbi 770 faqe, librin “Mërgata Legjendare e Amerikës”.

Dhe tani ne kemi në dorë një Legjendë Shqiptare, një tregim i parë nga shumë kënde për një prej pasurive më të çmuara të Kombit tonë: Mërgatës Amerikane. Kur e përcaktova autorin si “studiues”, ndoshta u tregova i padrejtë, apo pjesërisht i saktë. Pasi do të duhej të thosha “historiani”, “shkrimtari”, “gjeografi”, “staticieni”, e mbase do të duhet të shtoj edhe qytetari,prindi, gjyshi…  Sepse në këtë libër do të gjeni një përshkrim të Mërgatës Shqiptare të Amerikës të parë nga shumë kënde, dhe autori ka përdorur me mjeshtëri një arsenal të tërë  armësh ( po të flasim me gjuhën e profesionit bazë të autorit të librit, i cili, sikurse dhe autori i këtij shkrimi, vjen nga bota ushtarake), por sigurisht flasim për armët krijuese letrare, stilistike, figurative. Libri hapet me një pjesëz nga shënimet e Faik Konicës ku ai thotë një të vërtetë të dhimbshme, që kushdo që fati  e bëri mërgimtar e di dhe e ka në shpirt:” Duhet të jesh jashtë Shqipërisë, e të jesh larg, për të kuptuar se ç’forcë e ç’ bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: “Shqipëri!” E pastaj lexuesi i hyn një rrugëtimi të gjatë, por jo të lodhshëm, nga ka kaluar dhe vazhdon të ecë komuniteti shqiptar- amerikan. Që nga fillimet. Nga shqiptari i parë i dokumentuar, Koli (Nikolla) Kristofori,(1884), por që edhe ai pati paraardhës dikë që pasi shkeli në Amerikë, iku në Argjentinë, madje para tyre ka qënë për pak kohë edhe Anastas Kullurjoti, e akoma para tij arvanitas e arbëreshë që nga fillimet e 1800s, e deri në ditët tona, 2020.( Autori shkruan madje edhe për COVID-19 dhe kontributin e mjekëve, farmacistëve dhe shkencëtarëve shqiptaro-amerikanë në luftën ndaj kësaj pandemie). Lexuesi, nëpërmjet këtij libri, -një nga përpjekjet më serioze dhe më të plota të jetëshkrimit të emigracionit shqiptar në Amerikë-, do ta njohë mërgatën dhe vendin ku ajo jeton e zhvillohet, siç thashë,  nga shumë kënde. Autori përshkruan Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kombin amerikan, qytetet dhe shtetet, rajonet dhe terrenin, përshkruan vende dhe ngjarje, personalitete politikë e historikë, njerëz të artit e të kulturës, veprimtarë shoqërorë e shkencëtarë, duke bërë një gërshetim mjeshtëror të aspekteve nga më të ndryshmet të të shkuarës dhe të sotmes së këtij vendi. E në këtë gjerësi vështrimi e përshkrimi, spjegohet e analizohet, tregohet dhe ekspozohet në të gjitha dimensionet Mërgata Shqiptare, historia dhe lavdia, shtrirja në kohë dhe hapësirë, emrat e mëdhenj dhe njerëzit e thjeshtë, çfarë i morën e çfarë i dhanë Atdheut të parë, tokës shqipare,çfarë i morën dhe i dhanë atdheut të dytë, SHBAve, kontributin për lartësimin e kombit shqiptar dhe krijimin në hapësirën e 100 viteve të dy shteteve shqiptare, historinë dhe rolin e shtypit dhe medias, të krijuesve dhe veprimtarëve shoqërorë, politikë, letrarë, artistikë, biznesmenëve, të shoqatave dhe organizatave atdhetare. Aty do të gjeni Nolin dhe Konicën, Belushët dhe Dua Lipën, Vatrën dhe Diellin, Illyrinë dhe Bijtë e Shqipes, nolistët dhe zogistët, Thomas Stefanin dhe Enver Hoxhën, partizanët dhe ballistët, të majtë e të djathtë, gjyshërit dhe nipat e mbesat, sukseset dhe dështimet për ruajtjen e gjuhës, grindjet,marveshjet e mosmarveshjet, UÇKnë dhe dëshmorët e saj, dollarët dhe ndihmat e tjera…Gjithçka që kjo Mërgatë ka bërë për rritjen e vet dhe kujdesin për Nënën!
Një libër voluminoz, me vështrimin në mbi 150 vjet të shtrirë në tre shekuj, me një galeri pafund ngjarjesh e personazhesh, datash e vendesh, autori, me një shkathtësi të admirueshme, e ka bërë të lexueshëm lehtë. Ai kalon nga një situatë në tjetrën me lehtësi, aty spjegon historinë, e dy paragrafe më tutje një bisedë me mbesat, aty “ vizaton” avenjutë dhe stritet e Nju Jorkut, aty tregon kontributin e “x” dege të Vatrës dhe kush dha më shumë në fushatën e 3 qershorit 1917 “ Jepni për Nënën!” nën ritmin e vargjeve të Nolit “Mbahu Nëno, mos ki frikë/ Se ke djemtë në Amerikë!”. Vargje që për çudi edhe pas 100 e më vitesh, tingëllojnë bukur, ndihen aktualë, ngjallin emocion, dhe në raste kur Atdheu ka patur nevojë, le të quhet Shqipëri a Kosovë, MV a MZ, mjaft që bukës i thuhet bukë e ujit ujë, bijtë e bijat e Nënës kanë hapur zemrat dhe portofolet. Le të ishte 1917 apo 1999, e rastet më të fundit janë duke u zhvilluar para syve tanë me ndihmat për tërmetin e 2019s dhe pandeminë, për të cilat autori jep informacion të gjerë.
Autori, me këmbëngulje dhe pasion, e ka hedhur vështrimin jo vetëm në komunitetet e mëdha të shqiptarëve, që gjenden në Bregun Lindor, në Nju Jork a Boston, Detroid a Filadelfia, Nju Xhersi a Konektikat, por në çdo shtet të SHBAve, deri në Alaskë e Hawaiin e largët. Ai përshkruan festat dhe ditët e zakonshme, punën dhe pushimet, gjendjen dhe problemet e shoqatave dhe organizatave, jetën familjare dhe shoqërore, liderët dhe yjet, heronjtë dhe shkencëtarët, librat dhe mediat…Asnjë aspekt i jetës nuk i shpëton. Pra një libër i plotë, shumë informativ dhe i shkruar bukur, me kulturë, dije dhe pasion. Shefqet Saliu kështu na ka bërë ne, pjestarëve të Mërgatës Amerikane, të ardhur në kohë e nga treva të ndryshme, në moshë e për arsye gjithashtu të ndryshme, të gjejmë veten tonë në faqet e librit. Çdo pjestar i këtij komuniteti, le të jetë i moshuar a fëmijë shkolle, doktor shkencash a mirëmbajtës ndërtese, biznesmen a aktor filmash, është aty dhe duhet ta lexojë këtë libër. Një libër që i bën nder dhe vërtet e pasuron bibliotekën e çdo shtëpie shqiptari në Amerikë. Dhe në Trojet Shqiptare, sigurisht.

Filed Under: LETERSI Tagged With: mergata, Shefqet Saliu, Veri Talushllari

Mërgatë legjendare

December 21, 2020 by dgreca

Nga Qemal SAKAJEVA*/

Para se të kishte mërgatë shqiptare në Amerikë, pati emigrim të hatashëm arbëror në Kalabri, pas vdekjes së Skënderbeut, – janë Arbëreshët. 

Para se të mbërrinte shqiptari i parë në SHBA, kishin shkuar me mijëra në Greqi, -janë Arvanitasit. 

Para se të bëhej e pandërprerë udha e shqiptarëve për në Amerikë, nuk u ndal kurrë – ndërsa pat nisur herët – mërgimi i shqiptarëve në Turqi, por i menjëhershëm dhe masiv ishte sidomos pas spastrimit etnik serb të Kosovës veriore, të fshatrave të Nishit dhe nga Toplica, gjatë viteve 1878- 1880, – ishin Arnautët. 

Kësisoj, edhe në shekullin e 20-të e më vonë, vijoi pa u ndalur në tri periudha të gjata: që nga fundi i shekullit të 19-të e deri në vitin 1945 të shekullit të 20-të, emigrim në SHBA ishte përgjithësisht ekonomik, por pati edhe emigrim domethënës të karakterit politik. 

Pas vitit 1945, sistemi komunist e ndaloi emigrimin me ligj, mirëpo nuk u ndërpre dot krejtësisht. Në rreth gjysmë shekulli kohë, përpjekjet për të ikur nga vendi nëpërmjet arratisjeve ishin me sakrifica të jashtëzakonshme, dhe të gjitha për arsye politike, në mospajtim me regjimin, në shumë raste me përfundime tejet tragjike: të vrarë te gardhi i klonit në kufi; të kapur e të burgosur gjatë; apo si mësuesi dhe poeti Havzi Nela, i arratisur në Jugosllavi, të cilin shteti jugosllav e ktheu dhe ai u dënua me varje në litar mu në mes të qytetit të Kukësit dhe mu në fund të ekzistencës së sistemit, enkas për të përcjellë terror. 

Qysh nga vitet 1990 dhe më vonë, përmasat e emigrimit masiv janë të paimagjinueshme, madje edhe në kohën e shkrimit e të botimit të librit “Mërgata legjendare e Amerikës”, të autorit Shefqet Saliu, numri i shqiptarëve që kanë aplikuar lotarinë amerikane, arriti të rrokë shifra të frikshme: sipas informacioneve të botuara e të transmetuara në media numri i tyre vetëm në një vit arriti në 285 000 – 300 000 vetë! 

 Pikërisht në këto kohëra më rastisi të lexoja librin voluminoz “Mërgata legjendare e Amerikës”, të Shefqet Saliut. Dhe, duke parë se vajza e tij është në SHBA, si dhe dy mbesat e tij të vogla amerikano-shqiptare, – se një degë e kanë nga Shqipëria, – kujtova se shtysë për të shkruar këtë libër të vështirë duhet të ishin edhe të tre këta individë: vajza e dy mbesat, si dhe qenia e tij rezident atje për rreth 20 vite. Por kur ia shpreha autorit këtë pikëpamje, Shefqeti më largoi nga e sotmja dhe të vërtetën e vërviti thellë në kohë, madje përtej një shekulli duke thënë: “Jo, unë jam përmetar dhe në familjen time kurrë nuk është pushuar së biseduari për kurbetin. Gjysma e pjesëtarëve të trungut të familjes time kanë emigruar që në vitin 1914, nën trysninë e luftës pushtuese greke”. 

Të shkruash për mërgatën legjendare të shqiptarëve në SHBA është ndërmarrje tejet e vështirë. Për t’iu futur kësaj punë, të cilës nuk i delet lehtë në krye, Shefqeti ka pasur disa faktorë ndihmues. 

Së pari, ai është autor i disa librave, më i veçanti i tyre “Hulumtime për Luginën e Sipërme të Përmetit (Rrëza dhe Shqeria). 

Së dyti, me emigracion familjar e shqiptar të pandërprerë që nga viti 1914, të shkruarit e këtij libri është si në thënien “Ku dhemb dhëmbi vete gjuha”. 

Së treti, vajza, sidomos miqtë e tij amerikanë, i kanë krijuar mundësinë e udhëtimeve nëpër SHBA, në këtë shtet sa një kontinent. Dhe, për habi, përmes përpjekjeve për informim në të gjitha mënyrat, nga libra, arkiva, muzeume, gazeta, revista, shoqata, veprimtari, interesimi plot kërshëri për të mësuar e njohur edhe hollësi e imtësi, personazhe të jashtëzakonshëm si Fan Noli, dijetarë të tjerë e patriotë të mëdhenj të mërgimit të hershëm shqiptar deri të sotmit, ai ndeshi në një fakt të panjohur jo vetëm për të: mërgimtarë shqiptarë në Amerikë gjenden thuajse në të gjitha shtetet e SHBA-së, deri në ishullin e ngrohtë Hawai’i në Oqeanin Paqësor e në shtetin e Alaskës së akullt, që shqiptari mesdhetar do ta karakterizonte si vend me gjysmëviti terr e gjysmëviti me diell që nuk perëndon. 

Sidomos në vitet ’90-të – pas rrëzimit të sistemit komunist në Shqipëri dhe nga Kosova gjatë luftës në vitin 1999 – emigracioni shqiptar është bërë shumë i madh, mjaft veprues e ndikues, ai është plotësuar me individë në mënyrë masive nga të gjitha trojet shqiptare. Gazetarja e njohur amerikane Stacy Sullivan ka botuar librin “Nëna mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë”  (edhe në gjuhën shqipe, përkthyer nga Etleva Sakajeva), një titull i nxjerrë nga formulimi i famshëm i Fan Nolit për diasporën shqiptare, por edhe i fushatës nën emërtimin “Jepni për Nënën” (viti 1917), në të cilin shkruan se si mërgimtarët nga Kosova në SHBA kryen një vepër historike e heroike duke marrë pjesë me dollarë, me armatim dhe si luftëtarë trima për çlirimin e Kosovës. 

Libri shtjellon formimin e këtij emigracioni duke u nisur nga vajtësi i parë në SHBA, vështirësitë dhe përpjekjet për t’u organizuar përmes shoqatash, hapjes së shkollave shqipe, ngritjen e kishës ortodokse, pastaj të kishës katolike, xhamisë së myslimanëve dhe teqesë së bektashinjve shqiptarë, integrimit të mërgimtarëve në jetën amerikane, pjesëmarrjes në luftëra në radhët e ushtrisë së SHBA, ndërtimit të bizneseve, studimeve në universitete, dhe ia arritën: janë të panumërt mërgimtarët shqiptarë të suksesshëm në Amerikën e madhe, si dijetarë të shquar, astronautë zbritur në Hënë, mjek nobelist, biznesmenë të suksesshëm, inxhinierë të njohur dhe artistë me famë botërore.

Por, ndaj mërgatës, autori nuk mban vetëm qëndrim brohoritës. Nëse ndikimi i shqiptaro-amerikanëve ka qenë i jashtëzakonshëm për fatet e atdheut – sidomos mbrojtjes së Shqipërisë nga copëtimi, si dhe çlirimi e pavarësia e Kosovës, – së brendshmi edhe kjo mërgatë vuan dukuri të atdheut: atje vijon ndarja e ballafaqimi për çështje të politikës historike dhe të ditës, gjë që i dobëson shoqatat, mjaft individë i mbanë larg tyre dhe veç njëri-tjetrit. 

Megjithkëtë, mërgata shqiptaro-amerikane është legjendare për disa arsye: Ajo është e madhe numerikisht. Ka shoqata me ndikim të veçantë si Vatra historike. Janë edukuar individë dhe personalitete të fuqishëm e mjaft ndikues dhe këta i përkasin këtij vendi – Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Me këto faktorë, kjo mërgatë ka mundur të bëjë shumë për çështjen shqiptare në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, gjë që nuk kanë arritur ta bëjnë mërgimtarët në shumë vende europiane, sepse politikat e atyre shteteve janë pa ndikim botëror, dhe mërgimtarët shqiptarë pa ndikimin e duhur në politikën e shteteve ku gjenden. 

 “Mërgata legjendare e Amerikës” , i autorit Shefqet Saliu, të fut në botën e kësaj mërgate duke e vështruar atë nga brenda përmes sistemit  kapilar në territorin e Shteteve të Bashkuara, organizimit në shoqata të panumërta dhe përfshirjes të individëve me personalitet të lartë; shërbehet mjaft informacion; sillen plot rrethana; jepen deri hollësi që paraqesin interes; dhe në mbyllje një shtjellim me pretendime, ku e gjen veten secila familje dhe çdo individ, për arsyen e njohur , ngaqë Shqipëria tashmë është vend tipik emigrantësh në shkallë botërore: s’ka rëndësi se ku janë mërgimtarët shqiptarë, në SHBA, në Kanada, në Australi, në shtete të Europës Perëndimore, apo në çdo vend tjetër të planetit, por sepse – siç thuhet jo krejt me humor – ata i gjenë edhe te eskimezët. 

* U botua ne Tirane libri “Mergata legjendare e Amerikes” me autor Shefqet Saliu dhe redaktor letrar Qemal Sakajeva.

Filed Under: Histori Tagged With: Mërgatë legjendare, Qemal Sakajeva, Shefqet Saliu

Artikujt e fundit

  • AMBASADOR BLERIM REKA VIZITON VATRËN TË MËRKURËN NË ORËN 2 PM
  • PROF.DR. ZYMER NEZIRI LIGJËRATË NË VATËR TË ENJTEN MË 30 MARS ORA 6.30 PM
  • “Fëmijët shqiptarë të Kosovës – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë 1981 – 1999”
  • BOKSIERI SHQIPTAR KRISTIAN PRENGA — NJË MOMENT KRENARIE PËR TË GJITHË SHQIPTARËT KUDO
  • Dashuri dhe vdekje – Fati tragjik i prindërve të Karl Thopias
  • Kryeministri Kurti: Masakra ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë
  • Kosovë-Homazhe te Memoriali në Izbicë
  • Kryetari Glauk Konjufca takoi Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, Gabriel Escobar
  • DR. ELONA SHEHI, A STORY OF SUCCESS AND INSPIRATION IN NEW YORK
  • Albania
  • 1 Prill “Bashkë për Drejtësi”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
  • Kryeministri Kurti përkujtoi 40 të vrarët në masakrën e lagjes “Dardania” në Pejë
  • JA PËRSE PUTINI NA KËRCËNON TË GJITHËVE NE
  • KUJTESA HISTORIKE NGA FRANK SHKRELI
  • What We Need Is Albanians of Fan Noli’s Stature, What We Have are the Words of his “Albumi”

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT