24 ORË NGA BETEJA ME COVID-19/
- MEMORIAL PËR 83 PUNONJËSIT E MTA QË HUMBËN JETËN NGA KORONAVIRUSI/
- CUOMO: PROGRAM GJURMIMI TRESHTETËSH, SPONSËR MICHAEL BLOOMBERG/
- NEW YORKU DO T’I NGRIJË KUFOMAT E VIKTIMAVE/
- DE BLASION:NEW YORKU DO TA FESTOJË 4 KORRIKUN…EDHE ME FISHEKZJARRE, POR NDRYSHE NGA VITET E TJERË…/
Nga Dalip Greca
Pandemia globale e koronavirusit ka marrë deri tani më shumë se 183 mijë e 723 jetë njerëzore në të gjithë botën.Rreth 2 milion e 630 mijë njerëz në të gjithë globin janë diagnostikuar me COVID-19, sëmundje e shkaktuar nga virusi i ri që prek frymëmarrjen, sipas të dhënave nga Qendra Shkencore në Universitetin Johns Hopkins.Shifrat e vërteta besohet të jenë shumë më të larta për shkak të mungesës së testimit. Dyshohet se disa qeveri po fshehin të dhënat.
Që nga rastet e para që u zbuluan në Kinë (dhe që u raportuan shumë vonë), Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë bërë vendi me prekjen më të lartë, me më shumë se 845 mijë raste të diagnostikuara pozitive dhe të paktën 47 mijë e 430 të vdekur.
Gjermania është shteti europian që e ka menaxhuar më së miri këtë pandemi, duke patur vetëm 150 mijë të infektuar, rreth 112 mijë më pak se shteti i New Yorkut, ndërkohë që ka regjistruar vetëm 5 mijë e 250 jetë të humbura, me një rritje ditore prej 164 vdekje.
Italia që ka koston më të lartë nga shtetet e Bashkimit Europian për jetët e humbura, me mbi 25 mijë vdekje, ditët e fundit po tregon shenjat e ringritjes me vetëm 3 mijë e 370 të infektuar të rinj, ndërsa numri i viktimave ditore ka rënë nën 450. E njëjta situatë po shfaqet edhe në Spanjë, e cila ka regjistruar 208 mijë e 389 të infektuar dhe ka humbur 21 mijë 717 jetë njerëzore, rreth 370 pacientë më shumë se shteti i New Yorkut.
Mbretëria e Bashkuar ende nuk po e merr veten me më shumë se 760 vdekje ditore, me mbi 18 mijë viktima në total ndër 133 mijë të infektuar.
Në Shtetet e Bashuara të Amerikës analizat studimore shifrore tregojnë se prania e sëmundjeve të tjera përbëjnë shkaqet kryesore të humbjes së jetës. Në shifra gjendja sipas studimi të botuar të Mërkurën në “The Journal of the American Medical Association” paraqitet kështu: 57 për qind kanë vuajtë nga Hipertensioni,41 për qind nga Mbipesha, dhe 34 për qind nga Diabeti Tip 2.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se shkalla e vdekshmërisë tek meshkujt ishte më e lartë se te femrat dhe pacientët me diabet kishin më shumë gjasa të kishin marrë ventilim mekanik invaziv gjatë trajtimit në ICU ose të kishin sëmundje akute të veshkave.
Të dhënat u mblodhën nga studiuesit në Institutin për Kërkime Mjekësore në Feinstein dhe përfshinin analizën e 5.700 pacientëve të shtruar në spital ndërmjet 1 Marsit 2020 dhe 4 Prillit 2020, në Northwell Health, sistemi më i madh shëndetësor në shtetin e Nju Jork-ut.
Shumica e pacientëve në studim ishin meshkuj dhe mosha mesatare e të gjithë pacientëve të trajtuar ishte 63 vjeç. Rreth një e treta e të gjithë pacientëve (1.734) shfaqën ethe, 986 kishin një ritëm të lartë të frymëmarrjes dhe 1.584 pacientë morën oksigjen plotësues, sipas studimit.
MEMORIAL PËR 83 PUNONJËSIT E MTA QË HUMBËN JETËN NGA COVID-19
Do të ngrihet një memorial për punonjësit e tranzitit në New York City, të cilët kanë vdekur gjatë pandemisë së koronavirusit, tha Kryetari i Autoritetit të Transportit Metropolitan (MTA) dhe CEO Pat Foye.Në mbledhjen e bordit MTA, në mëngjesin e së së mërkurës, u raportua nga Foye se 83 punonjës kishin vdekur.Viktimat janë kryesisht meshkuj dhe shumë prej tyre kishin edhe probleme thelbsore me shëndetin.
“Kjo është një nga kohërat më sfiduese për MTA,” tha Foye.
Në të njëjtin mbledhje të bordit, Presidentja e Autoritetit të Tranzitit, Sarah Feinberg i kërkoi qytetit “të ndërmarrë hapa më agresivë” drejt ndihmës ndaj popullatës së pastrehë, të cilët kanë përdorur trenat për të fjetur.
“Ne jemi të irrituar nga çështja e rritjes së numrit të popullsisë së pastrehë në sistemin e MTA- tha Feinberg.
Fjala ishte për homeless-ët të cilët i kthejnë trenat dhe stacionet e Metros në vend-fjetje, duke u bërë shpërndarës të virusit.
Feinberg nuk detajoi se çfarë hapash duhet të ndërmarrë qyteti, por tha se veprimet duhet të jenë “më agresive”.
“Unë mendoj se të gjithë po humbasin durimin me këtë situatë,” tha Feinberg.
***
CUOMO: PROGRAM GJURMIMI TRESHTETËSH, SPONSËR MICHAEL BLOOMBERG
Guvernatori i New York, Andrew Cuomo, gjatë takimit të përditshëm, tha se përkundër një takimi “produktiv” që ai pati të martën me 21 Prill në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Donald Trump, si dhe një plani që po shkon përpara në shtetin që drejton, njujorkezët sërish janë larg fundit të betejës.
Ai komentoi se koha e përfundimit të betejës nuk do të jetë e shpejtë dhe nuk e fshehu faktin se “më shumë njerëz do të vdesin nëse ne nuk do të jemi të kujdesshëm”.
Cuomo u fokusua tek testimi dhe gjurmimi. Ai u zotua se me kapacitetin maksimal të shtetit dhe me mbështetjen e qeverisë Federale, ritmi i testimit do të rritet dhe në vend të 20 mijë testimeve që bëheshin në javë, tash do të bëhen 40 mijë. Patjetër duhet të arrijmë maksimumin, tha ai.
Sa i përket gjurmimit, guvernatori tha se shtetit do t’i duhej një “ushtri gjurmuese” për të ndjekur në mënyrë efektive kush ka qenë në kontakt të afërt me persona që janë testuar pozitivisht për virusin. Cuomo informoi se ai është duke punuar me Guvernatorin e Connecticut Ned Lamont dhe Guvernatorin e New Jersey, Phil Murphy për të zhvilluar një program gjurmimi tre-shtetesh.
Ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Michael Bloomberg ka shprehur vullnetin për të ndihmuar në zhvillimin e këtij programi, duke kontribuar me një fond prej $ 10 milion, sipas Cuomos. Programi është duke u punuar në partneritet me Johns Hopkins, shtoi ai.
Cuomo tha gjithashtu se qeveria vendore ende kanë nevojë për fonde shtetërore nga Uashingtoni. Ai komentoi faktin se Presidenti Trump pranoi të hiqte dorë nga ajo që quhet ndeshja shtetërore për FEMA. Cuomo tha se për shkak se Nju Jorku ka shumicën e rasteve të infeksionit dhe vdekjeve në SH.B.A, gjithashtu ka dhe koston më të lartë për FEMA dhe normalisht do të duhet të paguante çmimin më të lartë. Megjithatë Trump ka hequr dorë nga përplasja me shtetet dhe ka premtuar bashkëpunim.
Kryetari i bashkisë së NYC përshkruan planin për testimin dhe gjurmimin
Kryetari i Bashkisë së New York-ut Bill de Blasio përvijoi planin e tij për të sjellë qytetin në një fazë të re në përballjen me pandeminë.
Kryebashkiaku komentoi planin e testimit në mënyrë të tillë që të gjithë banorët të mund të testohen. Mudnësisht të realizojmë qindra, mijëra testime në ditë, tha ai.
De Blasio komentoi se së bashku me testimin, rëndësi merr gjurmimi, që do të pasojë testimin. Duhet të gjurmohen të gjithë individët që janë takuar me personin mbartës të koronavirusit.
Ai tha se një plan i tillë, do të marrë qindra mijëra njerëz, që do të punojnë në të, do të përfshijë më shumë testime, do të duhen më shumë pajisje mbrojtëse personale për personelin mjekësor dhe më shumë vendndodhjeje për testimet.
Natyrisht që për të realizuar këtë plan të De Blasios, do të duhet kohë. Ai tha se në muaji tjetër ky plan do të jetë funksional.
Kur u pyet se sa do të funksiononte një program si ky, de Blasio u përgjigj: “Ne duhet ta bëjmë atë. Ne duhet të gjejmë një mënyrë për ta bërë atë.”
Kryebashkiaku tha se qyteti që ai drejton po shënon përparime në betejën kund COVID-19.
Numri i pacientëve të pranuar në ICU në spitale zbriti nga 857 në 821 dhe përqindja e njerëzve që testuan pozitivë në të gjithë qytetin ra nga 35% në 33%.
Sidoqoftë, ai pranoi se numri i pacientëve të pranuar në spital, të dyshuar të COVID-19, u rrit nga 204 në 252.
Të martën, de Blasio njoftoi se shumë ngjarje kryesore në qytet, të planifikuara gjatë muajit qershor, përfshirë “Pride Parade” dhe “Puerto Rican Day Parade”, do të anullohen, por ai tha të mërkurën se New Yorku do ta festojë Ditën e 4 Korrikut, megjithëse do të duket ndryshe nga vitet e kaluara…..”Patjetër që do të ketë edhe fishekzjarrë”, tha ai.
NEW YORKU DO T’I NGRIJË KUFOMAT E VIKTIMAVE
Neë York City do t’i ngrijë kufomat e viktimave të COVID-19 në vend që t’i varrosë në ishullin Hart, që prej kohësh është përdorur si një vend varrosjeje për trupat e padeklaruar.
Masa e përkohshme për ngrirjen e trupave ka për qëllim do të zvogëlojë barrën për spitalet dhe shtëpitë e Funerale, të cilave po u mbarojnë hapësirat për shkak të numrit të madh të vdekjeve në qytet, ka deklaruar Zyra qendrore e Mjekësisë në New York City.
Ngrirja e kufomave nënkupton faktin se nuk do të ketë varrosje të përkohshme në ishullin Hart. Ngrirja e përkohshme u lejon familjeve më shumë kohë për përgatitjen e funeralit. Sidoqoftë, trupat që nuk mund të identifikohen ose nuk u del për zot një i afërt,do vazhdojnë të varrosen ende në ishullin Hart.
Zyra e Ekzaminimeve Kryesore Mjekësore, me ndihmën e Zyrës së Morgut të Forcave Ajrore, do të transferojë trupa nga pesë morgje të përkohshëm dhe 200 rimorkio frigoriferike që tani janë të parkuara jashtë spitaleve të qytetit, me kamionë frigoriferikë, do të vendosen në Brooklyn.
OBSH mbron veten në trajtimin e pandemisë
Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetit, mbrojti trajtimin e pandemisë së agjencisë që drejton, duke thënë se Agjensia paralajmëroi në kohën e duhur për Pandeminë.
Ghebreyesus është pyetur nëse OBSH duhej ta kishte deklaruar më parë pandeminë?. Ai u përgjigj se ditën kur OBSH-ja shpalli COVID-19 një Urgjencë të Shëndetit Publik në rang ndërkombëtar më 30 Janar – kishte vetëm 82 raste të diagnostikuara jashtë Kinës.
“Sigurisht që në Kinë kemi pasur më shumë raste, por jashtë Kinës kemi pasur vetëm 82 raste dhe shumica e këtyre rasteve ishin të kufizuara”, tha ai.
OBSH e shpalli shpërthimin e pandemisë në 11 mars, kur kishte 37,362 raste të konfirmuara jashtë Kinës, sipas Raportit të Situatës së WHO # 51.
Rreth dy javë para kësaj – kur rastet e konfirmuara jashtë Kinës ishin në 2,069 – Ghebreyesus u pyet nëse COVID-19 do të klasifikohej si një pandemi.
Atëherë ai u përgjigj: “Nga vlerësimi ynë, jo akoma!” Ai shtoi se ekzistonte mundësia që ai të arrinte një nivel të tillë, por “për momentin nuk jemi dëshmitarë të përhapjes globale të pakontrolluar të virusit”.
Në përgjigje të thirrjeve që ai duhet të jepte dorëheqjen, Ghebreyesus duket se nuk ka në plan ta bëjë këtë. “Ne punojmë ditë e natë dhe do të vazhdojmë të punojmë ditë e natë. Unë do të vazhdoj të punoj ditë e natë,” tha Ghebreyesus.
4 TIGRA DHE 3 LUANË JANË INFEKTUAR NË KOPSHTIN ZOOLOGJIK TË BRONKSIT
-Kujdes- Edhe macet kanë rezultuar Pozitive. Njëri prej punonjësve të stafit besohet se ka infektuar Gjashtë mace.-
Katër tigra të tjerë dhe tre luanë kanë testuar pozitivë për COVID-19 në kopshtin zoologjik Bronx në New York City, sipas një deklarate nga kopshti zoologjik.
Në fillim të prillit, kopshti zoologjik raportoi që një tigër me emrin Nadia ishte testuar pozitiv, duke e bërë atë kafshën e parë në kopshtin zoologjik që do të diagnostikohej. Në atë kohë, tre tigra dhe tre luanë kishin shfaqë simptoma, thanë nga kopshtit zoologjik.
Testimi pasues konfirmoi gjashtë mace, plus një tigër tjetër, që ishte kollitur,dhe se kishin rezultuar pozitivë për virusin.
Deklarata theksonte se asnjë prej leopardëve të kopshtit zoologjik, asnjë prej majmunëve, leopardve, puma dhe kafshëve të tjera nuk tregojnë shenja sëmundjeje. Besohet se macet ishin infektuar nga një anëtar i stafit, i cili ishte asimptomatik me virusin ose infektimi ka ndodhë përpara se ai të kishte simptoma.
Kopshti zoologjik njoftoi se, të gjitha macet që janë testuar pozitive, janë duke u përmirësuar dhe kollitja e tyre ka rënë.
DY MACE SHTEPIAKE KKANE REZULTUAR POZITIV
Dy mace në New York janë bërë kafshët e para shtëpiake në Shtetet e Bashkuara që u testuan pozitive për virusin, sipas dy agjencive qeveritare.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe Laboratori Kombëtar i Shërbimeve Veterinare të Departamentit të Bujqësisë e bëri njoftimin të Mërkurën.
Agjencitë thanë që macet jetonin në dy zona të ndara të shtetit.Të dy rastet u raportua të kenë sëmundje të lehta të frymëmarrjes dhe pritet të kenë një shërim të shpejtë dhe të plotë.
Njëra nga macet nuk jetonte në një familje të infektuar me COVID-19, kështu që virusi mund të jetë transmetuar nga një anëtar i familjes asimptomatik ose përmes kontaktit me një person të infektuar jashtë shtëpisë së tij, sipas agjencitë.
Pronari i maces së dytë rezultoi pozitiv për virusin, megjithatë një mace e dytë në po atë shtëpi nuk ka treguar shenja të sëmundjes.
CDC dhe USDA thanë që testimi rutinë i kafshëve nuk rekomandohet në këtë kohë. Agjensitë vunë re gjithashtu se nuk ka prova që kafshët shtëpiake të luajnë një rol në përhapjen e virusit në SH.B.A.