-Kryeministri Mustafa: Fryma e Raportit të Progresit 2015, lajmëtare e procesit integrues/
-Përfaqësues special i BE-së, Samuel Zhbogar, ka dorëzuar Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2015/
Prishtinë, 11 nëntor 2015/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur sot në takim shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë/përfaqësues special i BE-së, Samuel Zhbogar, i cili i ka dorëzuar Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2015.
Kryeministri Mustafa ka falënderuar zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe shtetet anëtare për qasjen konstruktive në raport me Kosovën, duke theksuar se fryma e Raportit të Progresit për Kosovën është lajmëtare e intensifikimit të procesit të integrimit të Kosovës në BE.
Për kryeministrin Mustafa, Raporti i Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, i cili këtë vit vjen pas Nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), është paralajmërues se brenda një periudhe shumë të shkurtër Kosovës dhe qytetarëve të saj do t’u mundësohet lëvizja e lirë në zonën Schengen nëpërmjet liberalizimit të vizave.
Kryeministri Mustafa ka theksuar se këto dy procese tashmë kanë konsoliduar dhe formësuar fuqimisht axhendën evropiane të Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe institucionet tjera të shtetit tonë, jam i bindur se do ta lexojnë me kujdes përmbajtjen e Raportit të Progresit për Kosovën për vitin 2015. Si kryeministër, garantoj se çdo germë e këtij raporti do të lexohet drejt dhe me vëmendjen e duhur. Ne kemi punuar për të pasur një Raport të mirë të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën. Koalicioni qeverisës ka funksionuar në mënyrën më të mirë dhe kjo edhe në të ardhmen ofron siguri se do të implementojmë të gjitha rekomandimet e BE-së. Por, natyrisht e dimë që na mbetet ende punë për të kryer reformat e përafrimit me standardet e BE-së”, ka theksuar kryeministri Mustafa.
Kryeministri Mustafa, poashtu, tha se Kosova do të fokusohet në përmbushjen e obligimeve të veta për reformë në sundimin e ligjit, duke ndërmarrë hapa konkretë në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, në reformën ekonomike dhe në reformën e administratës publike.
“Këto shtylla do të jenë prioritet i qeverisë që unë drejtoj. Natyrisht, qeveria pret bashkëpunim nga institucionet tjera, institucionet e pavarura dhe sidomos nga opozita, e cila ka rolin e vet të rëndësishëm në procesin e përmbushjes së reformave që i mundësojnë vendit integrimet evropiane”, ka theksuar Mustafa./b.j/
Kosova në nëntor 2015 plotëson tërësisht kriteret për liberalizim të vizave
-Sot u mbajt mbledhja e qeverisë, për nesër është ftuar seanca e Kuvendit të Kosovës, i cili që nga fillimi i sesionit vjeshtor mbahet i bllokuar nga opozita/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 7 Tetor 2015/.-Në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, sot, kryeministri Isa Mustafa tha se është paralajmëruar se së shpejti do të ndodh nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim dhe se në momentin kur jepet vlerësimi se janë plotësuar të gjitha kushtet teknike do të merret vendimi politik për caktimin e datës për liberalizim të vizave. “Mund t’iu them se sipas vlerësimeve tona, por edhe të komisionit i cili e ka bërë vlerësimin, ne kemi plotësuar plotësisht 87 kritere prej 95 sa janë. Kanë mbetur 8 të cilat i kemi plotësuar gati në shumicën prej tyre, por kanë mbetur që të përplotësohen krejtësisht”, theksoi kreu i qeverisë së Kosovës.
Kryeministri Mustafa theksoi angazhimet e qeverisë që deri në 30 nëntor 2015 Kosova t’i përfundojë tërësisht të gjitha kriteret që shtrohen sa i përket liberalizimit të vizave.
“Unë ju garantoj që do të punohet shumë për këtë, dhe do të arrijmë që gjatë kësaj periudhe të mos ketë asnjë vërejtje sa i përket edhe këtyre çështjeve që kanë mbetur, që më tepër janë çështje teknike, të cilat do t’i realizojmë dhe do t’i adresojmë së shpejti. Unë jam i bindur që nuk ka mandej asnjë arsyetim që Bashkimi Evropian, përkatësisht institucionet e BE-së, të mos reflektojnë në datën e liberalizimit të vizave për Kosovën”, u shpreh Mustafa në mbledhjen e qeverisë që e drejton.
Kjo ishte mbledhja e 52-të e qeverisë së zgjedhur në Kuvendin e Kosovës para 10 mujash, në 9 dhjetor 2014, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit. Aktualisht, qeveria e Kosovës është e përballur me “aksione simbolike” e edhe peticion të opozitës.
Ndërsa, Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e kësaj jave, të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, ku për herë të dytë nuk mori pjesë opozita, ka ftuar për nesër seancë plenare të Kuvendit, gjatë të cilës do të shqyrtohen pika të papërfunduara nga mbledhjet e kaluara,të pamundësuara e ndërprera nga opozita.
Por, opozita e bashkuar e tre subjekteve politike, LVV, AAK e Nisma, me gjithësej 31 deputetë në Parlamentin 120 anëtarësh, ka paralajmëruar se do vazhdojë me bllokimin e seancave plenare dhe me këtë qëllim do shkojnë edhe nesër në Kuvend.
Në kundërshtim të katër marrëveshjeve me Serbinë të 25 gushtit dhe të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, opozita në Kuvendin e Kosovës ka bllokuar seancat plenare duke pamundësuar mbajtjen e tyre që nga fillimi i sesionit vjeshtor, ndërsa po bojkoton mbledhjet e Kryesisë me shefat e prupeve parlamentare edhe mbledhjet e komisioneve parlamentare.
Raportimi i qeverisë së Kosovës lidhur me katër marrëveshjet e arritura në Bruksel më 25 gusht 2015 ishte në axhendë në seancat e 17 e 22 shtatorit. Në seancën e parë nuk ishin të pranishëm raportuesit dhe koalicioni qeverisës kërkoi shtyrje, ndërsa në të dytën që u shpall e mbyllur pas disa ndërprerjeve e pa u zhvilluar pati edhe gjuajtje vezësh nga opozita drejt kryeministrit sapo ai nisi raportimin. Edhe rivazhdimi i seancës së parë të sesionit vjeshtor, të enjten, në 1 tetor, u pamundësua nga protesta e opozitës, edhepse nuk ishte në axhendë raportimi i qeverisë për marrëveshjet. Në këtë situatë, seanca e Kuvendit të Kosovës, e radhitur si e treta e sesionit vjeshtor, që ishte në axhendë të mbahej të premtën, është anuluar.
Opozita e bashkuar në Kosovë ka bërë të ditur se ka mbledhur më shumë se 160 mijë nënshkrime në peticionin ku kërkohet që “qeveria të tërheqë menjëherë nënshkrimin nga katër marrëveshjet me Serbinë të datës 25 gusht 2015 si dhe nga marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi”.
Lëvizja Vetëvendosje dje njoftonte se, kryeministri Isa Mustafa “është gjuajtur me vezë nga aktivistët në Podujevë”. “Policia ka arrestuar dhunshëm dy aktivistë të Lëvizjes”, shtohej më tej.
Kryeministri Mustafa mori pjesë dje në manifestimin tradicional “Dita e Mjedrës”, organizuar nga Komuna e Podujevës në bashkëpunim me Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe shoqatën “Mjedra e Llapit”.
Duke iu referuar nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim që pritet të ndodhë së shpejti, kryeministri Mustafa, tha se me këtë marrëveshje sektori i bujqësisë, do të hyjë në një fazë të re të zhvillimit dhe të avancimit, duke kërkuar nga fermerët e Podujevës por edhe të Kosovës, të përgatiten për tregun e Bashkimit Evropian dhe të përgatiten për prodhime moderne dhe konkurruese.
Berisha:Vizat drejt rikthimit pas eksodit
Tirane, 9 Korrik- Ish-kryeministri Sali Berisha ka ngritur dy çështje të rëndësishme në Kuvend sipas tij, kultivimi i lëndëve narkotike dhe eksodi i shqiptarëve në muajt e fundit.
Berisha tha se “qeveria jep shifra të falsifikuara për zbulimin dhe asgjësimin e kanabisit. Janë 1 milionë rrënjë të kultivuara. Elementë të së majtës, nxisin masivisht mbjelljen e kanabisit, – theksoi deputeti demokrat. – U bë një operacion që u përshëndet nga të gjitha palët, por Shqipëria është zhytur në kanabis. Më i fuqishmi në PS pas Edi Ramës, Koço Kokëdhima, vazhdon të bëjë fushatë për legalizimin e kanabisit, duke qenë avokat i mbjelljes së saj. Sot kanabisi mbillet kudo në shumë zona malore. Siç e keni nisur do ta bëni Shqipërinë si Jemeni”.
Ndërsa mbi eksodin masiv të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Europian, Berisha tha se po u vazhdua me këto ritme, do të rikthehet regjimi i vizave: “Po ecim drejt ndëshkimit. Një vend kandidat që kërkon azil politik, nuk i jepet integrimi në BE. Të merren masa kundër eksodit. Po të vazhdohet kështu, do rikthehet regjimi i vizave. Eksodet janë të lidhura me qeverisjen e keqe. Sipas studimeve, 60% e të rinjve largohen nga vendi”, – shtoi Berisha.
Kosova pret rekomandime pozitive për liberalizimin e vizave
Kosova pret rekomandime pozitive nga Komisioni Evropian në lidhje me kriteret e përcaktuara për liberalizmin e vizave Schengen për qytetarët e Kosovës.
Ministria për Integrime Evropian në qevrerinë e Kosovës ka përmbyllur tashmë raportin e dytë ku përfshihet përmbushja e kritereve evropiane të përcaktuara nga misioni vlerësues i Bashkimit Evropian.
Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në këtë dokument janë përfshirë aspektet teknike dhe pakot ligjore të domosdoshme për këtë proces.
Tani, Çollaku pret që Bashkimi Evropian t’i ndërmarrë veprimet e veta, ku ndër të tjera përfshihet dërgimi i një misioni të ri vlerësues në Kosovë.
“Pastaj, bazuar në të gjeturat e këtij misioni vlerësues do të bëhet një raport tjetër nga ana e Komisionit Evropian, i cili do të shqyrtohet nga Komisioni Evropian dhe normalisht nga shtetet anëtare dhe më pastaj do të shohim se cilët do të jenë hapat pasues”.
“Ne presim që misioni vlerësues i Bashkimit Evropian të bëjë një vlerësim korrekt, meritor të punës që është bërë në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave dhe bazuar mbi këtë meritë ne pastaj të marrim edhe një rekomandim pozitiv nga ana e Komisionit Evropian”, ka thënë Çollaku.
Ministri Çollaku pret që procedurat që do të aplikojë Brukseli për këtë rast, të përmbyllen deri në fund të këtij viti.
Megjithatë, zyrtarë të Bashkimit Evropian, përveç kritereve teknike në shumë raste kanë përmendur edhe çështje tjera që ndërlidhen me reformat në administratë apo edhe me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Shefi i sektorit të politikës, ekonomisë dhe integrimit evropian në Zyrën e Bashkimin Evropian, Thomas Gnocchi ka thënë se Kosova po hyn në fazën përfundimtare sa i përket liberalizimit të vizave, por sipas tij, kriza gjashtëmujore politike si dhe ajo e migrimit ilegal kanë ndikuar shumë negativisht, sa i përket udhëtimit të kosovarëve në vendet e BE-së pa viza.
“Para së gjithash është paragrafi numër tre, rendi publik ligjor dhe siguria, ku ka më së shumti rekomandime, e të cilat mendoj se ndërlidhen me adresimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë Gnocchi.
Por, ministri Bekim Çollaku, thotë në anën tjetër se reformat apo edhe çështjet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit nuk mund të përmbyllen me përmbushjen e kritereve teknike për liberalizim të vizave, ngase ato do të vazhdojnë tutje si një angazhim i përhershëm ngjashëm me shtetet tjera.
“Çështjet tjera që ndërlidhen me reformat dhe me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë çështje që nuk përmbyllen me procesin e liberalizimit të vizave. Ato janë çështje permanente që do ta përcjellin Kosovën jo vetëm deri në momentin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, mirëpo edhe më tutje”, ka theksuar ministri Çollaku.
“Është bërë punë e madhe në ndërmarrjen e reformave të ndryshme si në drejtësi, administratë publike, në ekonomi e sektor të ndryshëm, por këto reforma nuk kanë përfunduar. Ato janë duke vazhduar dhe do të vazhdojnë në të ardhmen. E njëjta gjë mund të thuhet edhe në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit’, ka thënë Çollaku.
Pritjet e institucioneve të Kosovës janë që nga mesi i vitit 2016 qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë pa viza nëpër vendet e Bashkimit Evropian.
Ndërkaq në rast se Brukseli vendos kritere shtesë, atëherë kjo besohet se do ta shtynte këtë proces dhe këtë pritje për të paktën edhe një vit tjetër.(Zijadin GASHI)