
Prishtinë, 31 maj 2021 – Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Matthew Palmer, si dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, vizituan Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, për të takuar dhe diskutuar me udhëheqësinë dhe kompanitë anëtare të organizatës.
Zëvendësndihmësi i Sekretarit Palmer tha se e kupton mirë rolin e Odave Amerikane përgjatë rajonit, dhe në këtë rast të Odës Amerikane në Kosovë, e cila ofron bazament solid për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Ai falënderoi Odën Amerikane për promovimin e partneritetit ekonomik ndërmjet dy vendeve, si në krijimin e mundësive për bizneset amerikane që të investojnë në Kosovë, ashtu edhe për bizneset nga Kosova që të investojnë në Shtetet e Bashkuara, duke shtuar se rrjeti i Odave Amerikane përgjatë tërë rajonit paraqet një kornizë pozitive, produktive dhe influencuese për ballafaqim me sfidat aktuale me të cilat përballet rajoni.
Palmer shprehu dëshirën të dëgjojë nga anëtarët e Odës Amerikane lidhur me klimën lokale të biznesit si dhe klimën rajonale të biznesit, aspekte këto që zënë vend me prioritet të lartë në agjendën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për promovim të integrimit ekonomik rajonal, për uljen e pengesave në integrimin ekonomik dhe në lëvizjen e njerëzve dhe kapitalit, duke i vlerësuar ato si një kornizë për integrimin e Kosovës në sistemin evropian, në mënyrë ideale si anëtare e Bashkimit Evropian, e që është edhe objektiv i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ardhmen e Kosovës. Ai po ashtu tha se një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është kyç për tërheqjen e më shumë investimeve amerikane dhe të tjera të huaja, si dhe për krijimin e vendeve aq shumë të nevojshme të punës për popullin e Kosovës dhe tërë rajonit.
Përfaqësuesit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë folën për rëndësinë e një dialogu më të fuqishëm ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe sektorit privat, por edhe për avancimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal, zhvillimin e kapaciteteve energjetike, si dhe trajnimin e fuqisë punëtore.






I dërguari i posaçëm për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s në Ministrinë Gjermane të Punëve të Jashtme, Dr. Christian Hellbach dhe Shefi i Departamentit të Ballkanit Perëndimor të Ministrisë Franceze të Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Thomas Bertin, do të jenë në Kosovë për një vizitë të përbashkët në 10 dhe 11 janar 2018.