Nga Elida Buçpapaj*/
Jam duke krahasuar statistikat e zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 me zgjedhjet e 6 tetorit 2019, kur LDK e kishte projektuar Vjosa Osmanin në postin e kryeministres. Në këto zgjedhje VV mori rreth 220 mijë vota ose 26% , ndërsa LDK 206 mijë vota ose 25 %, me një diferencë shumë të vogël.
Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 Vjosa Osmani ishte votuar nga 176 mijë qytetarë të Kosovës duke patur një ndikim direkt në rezultatin e LDK-së që ishte vetëm një hap larg fitores.
Pra 176 mijë qytetarët që votuan Vjosa Osmanin tek LDK më 2019, e kanë rivotuar Listën Guxo të Vjosës tek VV në zgjedhjet e 2021.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit VV dhe Lista Guxo e Vjosa Osmanit u votuan nga 379 mijë qytetarë ose nga 48 % e atyre që morën pjesë në zgjedhje, ndërsa LDK nga rreth 100 mijë votues ose 13 %. Dmth VV, falë Listës Guxo të Vjosa Osmanit, fitoi 22 % më tepër se në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.
Nëse këto 22 % do t’i shtoheshin 13 % që ka fituar aktualisht do të përktheheshin me një fitore të qartë të LDK-së, por me një kusht – që kjo parti të hynte në zgjedhjet e 14 shkurtit pasi të kishte kryer katharsis të plotë përmes kongresit të jashtëzakonshëm duke e rikandiduar Vjosën, diçka që nuk ndodhi.
Elektorati i LDK-së hyri në zgjedhjet e 14 shkurtit i zhgënjyer shterrshëm nga të gjitha mashtrimet e lidërshipit të kësaj partie prej 2007 që arritën kulmin me rrëzimin e qeverisë Kurti ardhur në pushtet nga aleanca parazgjedhore LDK-VV si dhe lufta me stil thaçist kundër Vjosa Osmanit nga enturazhi i Isa Mustafës.
Po ju sjell një shembull.
Ju kujtohen sulmet prej rrugaçi të Driton Selmanajt, deputet i LDK-së, kundër Vjosa Osmanit në Parlamentin e Kosovës, kur LDK votoi për rrëzimin e qeverisë Kurti? Për ato sulme Isa Mustafa e gradoi Driton Selmanajn nënkryeministër të qeverisë ilegjitime të Avdullah Hotit, ndërsa elektorati i LDK-së e ndëshkoi Driton Selmanajn duke mos e votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit, sikur ka ndëshkuar shumë deputetë që nuk e respektuan votën e këtij elektorati.
Rrethi i ngushtë i Isa Mustafës ka mbetur kryesisht jashtë parlamentit, përveç Agim Veliut, ministër i Brendshëm, Arben Gashit dhe Armend Zemajt, figura të konsumuara bashkë me Abdullah Hotin. Nga rezultati i zgjedhjeve nuk ka asfare dyshim se nuk gëzojnë aspak simpatinë e elektoratit të LDK-së.
Elektorati i LDK-së votoi masivisht Listën Guxo të Vjosa Osmanit e cila i ka qendruar loyale premtimeve.
Humbja drastike e partisë së themeluar nga Rugova ishte rezultat i humbjes së besimit të elektoratit të LDK-së, që me fuqinë e votës shkaktoi revolucion, duke e detyruar gjithë kryesinë të japë dorëheqjen dhe ta çojë LDK-në drejt kongresit të jashtëzakonshëm.
Kongresi i jashtëzakonshëm do të duhet të jetë një reformim i plotë dhe çlirim i LDK-së nga mendësia dhe metodat autoritariste-uzurpuese të lidërshipit të vjetër drejt një partie me format europian, në gjurmët e themeluesit të saj, presidentit Ibrahim Rugova.
Treguesi i parë i reformimit të LDK-së do të jetë votimi që kjo parti do t’i bëjë Vjosa Osmanit si Presidente e Kosovës.
Nuk ka shans që Kosova të shkojë në një krizë të re numrash, sepse, nëse do të ndodhë që LDK-ja do të votojë kundër Vjosa Osmanit, atëhere në zgjedhjet e ardhëshme të jashtëzakonshme ky formacion politik do të shkojë drejt shkrirjes nën nivelin e AAK.
Votimi i Vjosa Osmanit si Presidente e Kosovës edhe nga grupi i deputetëve të LDK-së do të jetë shenja e parë se kjo parti i është kthyer pritshmërive të elektoratit të saj.
Elektorati i LDK-së ka një format shumë të përgjegjshëm që meriton nderim!
Ky elektorat e nxori jashtë loje klanin e zi të Isa Mustafës dhe të pararendësit, klan që e kishte marrë peng partinë e Rugovës prej 2007!
*VOAL