• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MANIFESTIM POETIK NË VLORË

September 23, 2017 by dgreca

23 SHTATORI-MANIFESTIM POETIK NË VLORË PËR NJË BOTË POZITIVISHT NDRYSHE/unnamednga Albert HABAZAJ/4 vloreManifestimi poetik “100000 poetët e botës për ndryshim“ i LNPSHA “PEGASI” Albania- Biblioteka “Nermin Falasci”e Universitetit “Ismail  Qemali “/2 VloreOrganizatorë: Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “PEGASI” ALBANIA, SHOQATA E SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE “PETRO MARKO” VLORË/

Në mjediset e Bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë u zhvillua Manifestimi poetik me një ekspozè me librat e autorëve pjesëmarrës në manifestim, të cilët paraqitën në këtë ekspozitë librat e tyre me objekt: humanizmin njerëzor, paqen universale, përpjekjen e Luftës kundër Luftës, respektimin e të drejtës dhe mirëqenien njerëzore, duke respektuar politika ekonomike ndryshe, për të luftuar varfërinë e tejskajshme, shmangie të krizës ekonomike dhe ekologjike, luftë kundër plagëve të rënda shoqërore, drogës, prostitucionit, trafikimit të qenieve njerëzore, për pasurimin e botës shpirtërore, se bëhemi më të mirë ,më të bukur, më të dobishëm. Mirrnin pjesë poetë të këyre shoqërive letraro-artistike nga Vlora, Himara, Fieri, Mallakastra, Tirana, Gjirokastra, Kosova e Çamëria. Pas regjistrimit në librin e apelimit, kur krijuesit po shikonin veprat e ekspozuara, Grupi “10 shqiponjat e Tërbaçit”, dekoruar me urdhërin “Naim Frashëri” përshëndeti aktivitetin me këngën lirike “Lulja e malit të Çikës”. Fjala hyrëse e manifestimit: “Poetët dhe artistët manifestojnë poetikisht dhe artistikisht sot për një botë pozitivisht ndryshe“ u mbajt nga Albert Habazaj, poet, studiues,  kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë,  koordinator i LNPSHA “PEGASI” Albania për Vlorën, që u përkthye në anglisht nga Aleksandra Shabani. Ky Manifestim fjalëpaqetor u realizua për synimin madhor: “Kontribut në ndryshimin pozitiv të Botës”. Sivjet, në vitin e shtatë të këtij Manifestimi Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë bashkëpunon harmonishëm me Pegasin Internacional ALBANIA me të vetmin objektiv humano-letrar: “Për një frymëmarrje ndryshe në Letërsi dhe Art”. Dhe Vlora ka Fatos Arapin, poetin ndryshe, model për çdo krijues shqiptar dhe europian, se si dhe sa ta lartëson shpirtin, emrin dhe dinjitetin krijimi. Në kuadrin e 30 shtatorit 2017, Ditës së Ndryshimit, në këtë Manifestim poetik të Ndryshimit, shfaqi idetë e mundësitë e konceptimit të ndryshimit dhe nisjen për realizim, Presidenti i LNPSHA”PEGASI” ALBANIA, Kristaq F. Shabani, poet, shkrimtar, studiues, estet, i cili në thelb u shpreh: “Ne shprehim besim se arkitekturimi i ardhmërisë bëhet vetëm nga njerëz të mençur, liderë, të cilët dinë të prijnë dhe të zbatojnë politikën e re të duhur për të ndryshuar në kahjen e duhur pozitive këtë gjendje të amullt të sotme të Botës. Ne pegaistët, kudo ku ndodhemi në 81 shtete të Botës,atje ku shtrihet hapësirisht Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve , Shkrimtarëve dhe Artistëve “PEGASI” ABANIA përkrahim të gjitha masat pozitive, që ndërmerrren sot në Shqipëri, në favor të progresit të saj dhe i stimulojmë ato me paraqitjen e tyre reale në pasurinë tonë kreative”.Thelbin e Parë “Naiviteti të vërtit…, përqëndrimi dhe nisiativa të zjarrmon…“ e mbajti Laureta Petoshati , poete, përkthyese, gazetare. Veprimtaria kishte objektiv ndryshimin dhe vërtet shumë gjëra në takim u bënë ndryshe nga program në funksion të strukturësm, idesë së madhe poetike e qytetare. Fatma Jasimi, në emër të talenteve të reja pruri një poezi të sajën, që e interpretoi vetë, të shoqëruar me muzikë. Na vuri bukur në mendim se ne flasim për të rinjtë, por nuk flasim me të rinjtë. Takimi pati befasira, supriza. Pa patur më të voglin parainformacion, poeti i talententuar vlonjat Xhemil LATO, u vlerësua me diplomën: “NDERI I SHOQATËS SË SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE “PETRO MARKO”. U kap në befasi… Befasi e bukur, poetike, e kaltër, emocionuese. Po kështu i bukur dhe befasues qe propozimi i merituar për shkrimtaren, gazetaren dhe botuesen me dinjitet Enrieta Sina. Përshëndetën shkrimtari dhe kritiku Eqerem Canaj, sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” dhe në vijim krijuesja Nexhi Hasanaj, ardhur enkas nga Anglia. Përsëri Grupi “10 shqiponjat e Tërbaçit” me një këngë polifonike për humanisten Nermin Vlora Falaschi. Në vijim poeti kosovar Rrustem Geci pruri emocione të fuqishme me një poezi për Çamërinë, si dhe me idetë dhe me mesazhet e kumtimit të tij. Liriku Hiqmet Mehmetaj, i mirënjohuri Çlirim Hoxha, fabulisti Luto Memokondi, poeti dhe publicisti i talentuar Theodhori Proko, gazetarët poetë Vangjel Sako e Anila Sula Ahmataj, mësuesi dhe poeti i Dhërmiut Foto Bixhili, poeti lirik Eduard Frakulla, shkrimtarët Astrit Hajdini, Remzi Gjika, Kujtim Lapa, Luan Nazëraj, Serjan Caca, si dhe miqtë e ardhur dhanë idetë dhe mesazhet e tyre për një botë më të mirë. Ëngjël Shametaj, Tetem Alushaj, Vladimir Lulaj, tër tre ardhur nga Fieri, si dhe Ilir Berisha nga Prishtina kumtuan për dritëpërhapjen progresiste në shoqërinë ku dhe ne jetojmë, sepse nuk mund të krijojmë n akuarium, të shkëputur nga shoqëria dhe symbyllur ndaj realitetit. Çdo autor pjesëmarrë intrepretoi një poezi të tij. Në fund të këtij takimi, që vërtet nuk donim të mbaronte, krijuesve iu dha nga një Çertifikatë e thjeshtë pjesëmarrjeje në këtë veprimtari domethënëse. Mbresa shumë të mira la grupi i polifonisë femërore  “10 shqiponjat e Tërbaçit” me një këngë të mrekullueshme për Kosovën. Respekt për artistet popullore vullnetare, nëna me fëmijë e halle, që kontribuojnë me solidaritet të plotë për përmirësimin e shoqërisëm me këngën e tyre, me shpirtin  e tyre, me shembullin e tyre.

Në fund të takimit DEKLARATA UNIVERSALE E MANIFESTIMIT POETIK “100.000 POETËT E BOTËS PËR NDRYSHIM” E LNPSHA “PEGASI” ALBANIA, lexohet nga Alma Feruni, poete, anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë e LNPSHA “PEGASI” Albania:Ne, poetët, shkrimtarët dhe artistët pegasianë dhe të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë, të mbledhur sot më datën 23 Shtator  2017, në një manifestim të madh poetik me një program të detajuar, nëpërmjet formave dhe trajtave të larmishme të fjalës së lirë dhe idesë për një botë ndryshe, mundësojmë: SENSIBILIZIMIN E OPINIONIT PUBLIK, INTELEKTUALËT, HISTORIANËT, ARTISTËT PËR NJË ECJE TË DUHUR PROGRESIVE TË ZHVILLIMIT TË VENDIT NË DREJTIM SHUMËPLANËSH. Këtë ditë shtatori e konsiderojmë “Dita e Ndryshimit” dhe kjo ditë po kthehet tashmë në një ditë, ku poetët, shkrimtarët  dhe artistët po ngrënë zërin e tyre për ndryshim, duke e bashkuar zërin tonë me zërin e poetëve , artistëve të mbi 120 vendeve të Botës…
Ne,  qysh në fillesë,  në vitin 2011, në  këtë manifestim ishim pjësëmarrës dhe iniciues, përkrahëm realisht dhe praktikisht poetët dhe artistët e botës në një “aksion” poetiko-artistik, duke dhënë kontributin tonë madhor me pikësynim: NDRYSHIMIN.
Manifestimi, në këtë përmasë, është një formë e re shprehëse, ku përndriten mendimet dhe pushtetet vendore, qendrore duhet të marrin në konsideratë mendimin poetik dhe artistik të avancuar dhe t’i konsiderojnë krijuesit e vendit si ideues, produktorë idesh dhe protagonistë në përshpejtimin e zhvillimit të vendit në drejtim shumëplanësh.
Ne kemi konstatuar në përditshmërinë, në vitet, që kalojnë se, Bota është futur në një krizë të rëndë ekonomike me pasoja të rënda në jetën njerëzore, rënie të nivelit jetik, deri në ekstremitete të milionave njerëzve, që kanë varfëri ekstreme, si rrjedhojë e prezencës korruptive dhe politikave jo efiçente, që ndiqen, në favor të disave dhe jo shumicës, e cila shihet me syrin e njerkës, gjoja, duke e stimuluar dhe impulsuar me formatin demokratik; mosdhënie parësi inteligjencës, inteligjentes dhe erudivitetit, profesionalizmit, duke mëshuar e impulsuar militantizmin, përdorimin e nepotizmit, nëpërkëmbjes të kreaturës të brezave të mëparshëm dhe nënvleftësimit të tyre; shkollimit me metoda të theksuara korruptive në shkollat ekzistuese të të gjithë rangjeve e deri në marrje diplomash false; akaparim të pasurive nga persona pa të drejtë, pronësimit dhe krijimit të “feudëve të tokave” , nëpërmjet përfitimit të paligjshëm, e realizuar po nëpërmjet ligjeve dhe vendimeve të ligjëruara vetë për përftesë; “pushtimit”, shitjes anormale dhe nxjerrjes në ankand të pasurive dhe vlerave kombëtare, shpërdorimit të tyre, shitje të këtyre pronave njerëzve, të cilët nuk janë të devotshëm dhe perspektivë; ngrirje e akullzim të inteligjencës, mendimit shkencor akademik dhe mos këshillimit me të, për të ecur në rrugën progresive të qartë… Kjo është një praktikë-fenomen i përbotshëm. Ndaj në këtë kontekst, duke parë dhe shpërdorime të mejdisit, amoralitetit dhe moshyrjes së vendit në BE, ëndërr e kahershme e shqiptarëve, të cilët po tronditen nga ky tranzicion i stërgjatë, pasi hyrja e vendit në të do të rrisë kontrollin e “peripecive” negative, ndërmorëm këtë manifestim poetik, duke protestuar me formë poetike dhe artistike paqshëm e duke dhënë shembull në drejtim të protestimit.. Ky është mendimi i përparuar poetik , i thellë, paqësisht dhe fjalësisht i demonstruar.

Gjithashtu, duke parë se është ulur “efekti” i paqes universale, rritja e diskriminimit dhe tensionimit, bota vuan, 1000000 Poetët dhe Artistët e Botës manifestojnë poetikisht, paqësisht për të treguar rrugën e ndirçuar, pasi ata janë profetët e avancuar të saj, parashikuesit “horoskopikë “ të së ardhmes.
Përse manifestuam me kreaturën tonë të larmishme dhe e kthyem manifestimin tonë në një shembull, sesi mund të shkëmbehen idetë:

  1. Për një vend që t’i shfrytëzohen në të mirë të popullsisë së tij të gjitha potencialet dhe burimet që posedon.
  2. Për një politikë dhe diplomaci aktive barazie në formatin demokratik dhe duke vënë në krye njerëz të ditur, të përzgjedhur, në të gjitha fushat
    3. Për një një sistem demokratik real në përmbajtje dhe jo në formë.
    4. Për dëgjimin e zërit intelektual, zërit të lirë demonstrues në kreaturë, media e tjerë, duke i dhënë parësi këtij mendimi aktiv dhe të thelluar që veç gjeneron ardhmërinë dhe ndryshimin.
  3. Për përvetësimin elemenetëve për një paqe universale njerëzore (poetët dhe artistët, në këtë kontekst e kanë treguar veten se çfarë mund të bëjnë).
    6. Për rritjen e frymës së dashurisë ndaj njeriut dhe për të ninimizuar efektin eliminimit të tij të kundërligjshëm, nëpërmjet luftrave të drejtpërdrejta dhe të ftohta, duke e konsideruar njeriun një qenie, që ka të drejtë ta jetojë jetën pa privacione, kërcënime, dhunë dhe me një nivel jetik të mirë, duke respektuar të gjitha të drejtat e tij njerëzore e universale.
  4. Për një humanizëm dhe vëllazërim universal normativ në përmbajtje dhe në formë.
    8. Për minimizim të produkteve negative të sistemit: drogimin, prostitucionin, shitjen dhe kremastimin e mishit të bardhë, nëpërkëmbjen e normave më elementare të të drejtave të njeriut.
  5. Për krijimin e raporteve të drejta njerëzore dhe për respektimin e gjinive, duke çmontuar elementët tabu, regresivë…
  6. Për krijimin dhe pasurimin e platformave të organizmit, drejtimit dhe realizimit, duke respektuar të drejtave e shteteve, paçka nga madhësia e tyre territoriale dhe popullsia.
  7. Ne shprehim besim se arkitekturimi i ardhmërisë bëhet vetëm nga njerëz të mençur, liderë, të cilët dinë të prijnë dhe të zbatojnë politikën e re të duhur për të ndryshuar në kahjen e duhur pozitive këtë gjendje të amullt të sotme të Botës.
    Ne pegaistët, kudo ku ndodhemi në 81 shtete të Botës,atje ku shtrihet hapësirisht Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve , Shkrimtarëve dhe Artistëve “PEGASI” ABANIA përkrahim të gjitha masat pozitive, që ndërmerrren sot në Shqipëri, në favor të progresit të saj dhe i stimulojmë ato me paraqitjen e tyre reale në pasurinë tonë kreative.

Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pegasi“ Albania  dhe  SHOQATA E SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE “PETRO MARKO” VLORË përkrah, inicion, mbështet çdo lëvizje përmastive, e cila ka synim zhvillimin, ndryshimin dhe lidhet me ardhmërinë e ëndërruar.
Grupi përgjegjës i veprimtarisë:

Albert Habazaj

Enrieta Sina

Laureta Petoshati

Aleksandra Shabani

Elda Dilo

Alma Feruni

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, manifested poetik, Vlore

VLORE, KUJTO E NDERO DJEMTE ATDHETARE! ABDYL SHARRA KUJTIM BEQIRI

June 20, 2017 by dgreca

1 Kujtim beqiri                                     Ne Foto: Kujtim Beqiri/1 Abdyl Sharra

Ne foto: ABDYL SHARRA/

Nga Agim Xh. Dëshnica/

Në këto ditë fushate, kur më 25 qershor, do të votohet për Republikën e Re, kujtimet na kthejnë mbrapsht, në 2 Dhjetorin e votimeve 1945 dhe dramave tragjike që zgjatën pothuaj gjysëm shekulli. Historia dëshmon, se pasi krismat e Luftës së Dytë Botërore heshtën, kudo u kryhen punime për rindërtimin e qyteteve, porteve, urave, rrugëve dhe hekurudhave. Përparimi i shkencës e teknikës, i dha shtytje të fuqishme zhvillmit të industrisë, bujqësisë e blegtorisë. Autostradat zhvlerësuan hekurudhat, transporti ajror lundrimin detar. Mbrojtja e natyrës e mirëmbajtja e monumenteve të kultures në botë, sidomos në perëndim, u shoqëruan me lulëzimin e turizmit, një prej degëve më të fuqishme të ekonomisë. Si rrjedhojë e tërë këtyre punëve mirëqenia ekonomike e kulturore u ngrit edhe më lartë. Në këtë përparim veproi fuqishëm ndihma e SHBA.

Në vendin tonë, të rreshtuar në krahun e gabuar, më 28 nëntor 1944, u fol për “fitoren e popullit”, por pushteti, me gjakun e atdhetarëve liridashës, ra në duart e një kaste të rrezikshme. Në zgjedhjet e vitit 1945, “Fronti Demokratik”- u përball me një opozitë krejtësisht të pafuqishme, me vota të manipuluara nga komunistët.

Në kohën, kur bijtë e familjeve fisnike, studentë të shkëlqyer në universitetet e Europës, u kthyhen në atdhe si mjek, veterinerë, agronomë, punuan në institucionet përkatëse, ndërsa inxhinerë, si Abdyl Sharra e Kujtim Beqiri, morën përsipër drejtimin e punimeve për rindërtimin e urave dhe porteve të dëmtuara. Por zhvillim i ngjarjeve politike. ndryshoi drejtimin në kah të kundërt. Komandantët e komisarët, shumica pa shkollë, të zbritur nga malet, u sulen drejt pushetit me gjyqe pa ligje, kundër “kolaboracionistëve”-firmatarë të pavarësisë- intelektualë të shkencës, letërsisë e kulturës.

Pas votimeve të 2 dhjetorit, më 11 janar 1946, u shpall me brohori Republika Popullore me një parti. Ky akt i pabesë kundër demokrakracisë, u shoqërua me skenare gjyqesh në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Korçë etj. Një ndër ta ishte gjyqi i “grupit opozitar”, ku bënte pjesë shkrimtarja e parë shqipare Musine Kokalari. Më pas u vijua me “grupin e sabotatorëve”, “agjentë të amerikanëve”, e inxhinerëve, Abdyl Sharra e Kujtim Beqiri nga Vlora, tok me ekipin teknik, për tharjen e kënetës së Maliqit, për panxharin e Fabrikës së sheqerit, kur populli vuante nga mungesa e bukës. Aso kohe ndihma me ushqime falas nga UNRA, u shit me racion. Mallrat e tregtarëve të shpronësuar, iu dërguan Beogradit të uritur. Një sjellje e tillë bujarie, shkaktoi mungesën e frikshme të mallrave të nevojshme për qytetarët. Kjo krizë rëndoi mbi shpatullat e fshatarëve që punonin e prodhonin më shumë. Për habi ata njerëz të ndershëm e punëtorë, u quajtën ”kulak” “armiq të pushetit”. Ata skllevër në tokën e tyre, duhej t’i dorëzonin shtetit prodhime më tepër se detyrimi i caktuar. Në qytete u shfaqen dukuri të tjera të panjohura deri atëhere, cilësimi sabotator, borgjez e reaksionar.

Gjyqi i “sabotatorve”, ishte edhe një veprim dinak, për të mbuluar mashtrimin e madh, e një viti më parë, për votime të lira. Ndryshe nga premtimet, u krijua një qeveri e dhunshme, me partinë komuniste të fshehur nën disa maska: e “Frontit”, e “punës”, me anëtarë komunistë. Në skena kinemash e teatrosh, e fshehur pas perdes Front, Partia Komuniste drejtoi gjyqe pa ligje, pa fakte me sajesa hetuesish, prokurorësh kriminelë e gjyqtarësh, pa shkollën përkatëse. Vendimet ishin të neshkruar qysh më parë nga dora e diktatorit. Sipas kryetarit kukull të gjyqit, shumica e “sabotatorëve”, nxënës të shkollës teknike, paskëshin qenë “agjentë.të Fulcit.” Të gjithë inxhinerët, u arrestuan, në punë e sipër, në ditën e gjashtë të nëntorit 1946. Pas dy ditësh dolën në gjyq. Vendimi u dha dy javë më vonë dhe u ekzekutua në mbarim të katër ditëve në Kampin e Maliqit: Me atë gjyq, diktatori E. Hoxha synoi gjetiu, prishjen e marrëdhënieve me SHBA dhe Anglinë. Pesë ditë pas procesit gjyqësor kundërligjor, misionet amerikane dhe engleze në shenjë proteste u larguan nga Shqipëria. Veprimi i drejtë diplomatik amerikan dhe englez, u përdor nga “drejtësia e partisë” para popullit të paditur, si provë tjetër “sabotimi”. Kjo ngjarje e rëndë, e ndau vendin tonë nga dy shtetet më të pasur në botë, SHBA dhe Britania e Madhe.

Edhe pse kanë kaluar shumë vite emri Maliq seç ka diçka të zymtë, të ngjashëm me Matahuzenin e shfarosjes së njerëzve pa emër në hi e pluhur, siç ndodhi me te burgosurit e vrarë me plumb apo zhytur nën baltë, nga oficerët sadistë gjatë punimeve për hapjen e kanalit kullues për tharjen e kënetës.

Ç’thonë të vërtetat e historisë përmes dijetarëve të fushave te ndryshme studimore?

Dikur këneta e Maliqit ishte liqen i pastër përqark me pyll, një nga mbrekullitë e natyrës, ku gjallëronin shpend, kafshë e peshq gjithëfarësh,. Sipas zbulimeve arkeologjike, atje ndodhej një vendbanim i lashtë, tashmë i zhdukur. Edhë në kohët e reja aty pranë bleronte Pylli i Fazanëve. Në zona livadhesh e drurësh, në ajër e tokë, mbi e nën ujë, endeshin peshq, shpend e kafshë të egra. Kush qe ai, që nënshkroi vendimin shkretan për prishjen e asajë parajse të natyrës mbi tokë. Kush qe ai i krisur, që kërkoi të prishej ajo bukuri pjellore e ish-kënetës së Maliqit? Një fjalë e urtë e thotë: “ Vetëm atëherë kur

druri i fundit të jetë prerë, atëherë kur lumi i fundit të jetë helmuar, atëherë kur peshku i fundit të jetë zënë, vetëm atëherë do të kuptojmë që paraja nuk mund të hahet.”

Dijetarët vendas e të huaj, për vlerat e saj turistike këshillonin të mos prekej. Në shumicën e vendeve mendojnë se dëmtmi i natyrës së gjallë të trashëguar prej shekujsh, ngjan me tufanet e shkretimit të botës. Por Qeveria e aftë vetëm për vrasje, kërkoi me këmbëngulje tharrjen e plotë të kënetës. Veçse ajo nuk qe e zonja të financonte projektin e inxhinererëve të paharruar vlonjatë Abdyl Sharra e Kujtim Beqiri, me të cilin sigurohej mbrojtja përfundimtare e fushës së Maliqit, duke ndërtuar prita të fuqishme betoni mbi grykëderdhjen e Devollit për përballimin e prurjeve të shumta në sezonin e shirave apo nga shkrirja e borës në male. Për atë projekt dijetarësh, nuk vlenin, as parrullat revolucionare, as kërcënimet, duheshin para e jo fjalë në erë. Ndaj projektet e mendimet e inxhinereve nuk u miratuan. Diktatori donte gjak, jeta njerëzish, për sheqer të kuq, në një kohë, kur Shqipëria vuante nga mungesa e bukës e cila vazhdoi edhe pasi stalinisti I betuar. u marros e iku nga kjo botë.

Edhe pas hapjes së kanalit, Këneta e Maliqit, herë thahet, herë përmbytet. E megjithatë me akuzën e “sabotimit”, meqë këneta nuk u përurua më 1 maj, duhej të vdisnin njerëz të pafajshëm. Një gjyq i tillë për nga barbaria, nuk ishte parë ndonjëherë në historinë e drejtësisë. Proçesi gjyqësor, i duhej pushtetit të dhunshëm, të fshihte të vërtetat për tharjen kënetës. Kundër çdo arsyetimi teknik, ishte vendosur që “vepra e madhe” të kryhej me punën e krahut e mijëra të burgosurve skllevër brenda tetë muajve. Por me mjete të tilla, si kazma, lopata, e tokmaku, qe krejt i pamundur mbarimi në kohën e caktuar verberisht. Sipas logjikës prej të marri, duhej të dënohej me varje në litar, me pushkatim e me burg “grupi i sabotatorëve.” Në akuzën mashtruese u rreshtuan si fakte “sabotimi”, fajet e vetë qeverisë: mungesa e maqinerive, e motorave, e çizmeve, e ujit, e ushqimit për punëtorët e burgosur që u dergjën të sëmurë në barakat e kampit të rrethuar me tela me gjemba, me kullat e rojave me mitrolozë.

Kush ishte ky “grup sabotatorësh?

Dy inxhinerët projektues e drejtues të punimeve, Abdyl Sharra 35 vjeç i diplomuar në Fakultetin e inxhinerisë së ndertimit i në Romë; me medalje ari. pasardhës i familjes princërore të Gjergj Arianitit, nip në Vrana-jt e Kaninës. i dënuar barbarisht me varje në litar; Kujtim Beqiri, 32 vjeç, me medalje ari , Ylli i Universitetit të Inxhinerisë së Vjenës. Edhe sot foto e tij duket në muret e Universitetit. I kthyer nga studimet për t’i shërbyer vendit të vet. humbi jetën në moshë të re, i dënuar me varje, dy here në litar, deri sa dha shpirt si shenjt, në prani të prokurorit gjakatar Haznedari. Fjala e tij e fundit jehon përjetsisht:” “Fajin tonë do ta tregojë historia. Të rrojë Shqipëria! Të rrojë flamuri!”

Në ekipin zbatues të punimeve, bënin pjesë inxhineri Vasil Mano me bashkëshorten Zyraka, Mirush Përmeti 34 vjeç, nga familje fisnike, prind i dy fëmijëve të mitur dhe italiani, dashamirës i Shqipërisë, Eugenio Scaturo i ndershëm në punën e vet. Të katër u dënuan me pushkatim, Tregojnë se Scaturo vetëm në çastin, kur u ndodh para grykave të pushkëve, kuptoi se po e vrisnin.

Inxhineret e huaj që erdhën në mbarim të tragjedisë, u mahnitën nga projekti i përkryer, i inxhinereve Abdyl Sharra e Kujtim Beqiri dhe nga punimet, në një kohë aq të shkurtër se bashku me vartësit e tyre dhe punëtorët- skllevër të burgosur, për tharjen e kënetës. Por tronditja e përzier me habi, qe edhe më e thellë, kur u thanë se ishin dënuar me varje në litar si “sabotatorë!” Nuk mjaftuan këto mjerime, por duhej të botohesh romani “Këneta”, nga shkrimtari F. Gjata.. Pastaj Kino-Studio “Shqipëria e Re”, me filmin e zi. pasuroi arkivin me kundëtvlera.

Por ç’ngjau më pas? Pas përmbytjeve në stinën e shirave punimet për tharjen e kënetës vazhduan pafundesisht. Mijëra të burgosur, midis tyre poetë e shkrimtarë, si Mitrush Kuteli, Vexhi Buharaja, Arshi Pipa, me mjete mesjetare u sfilitën nëpër baltra përgjatë kanalit të nëmur.

Në vitin 1959, u fol përsëri për tharjen e kënetës. Kush ishte “sabotatori” këtë herë? Dhe shi papritur e pakujtuar në kohët e reja, u zbulua një dokument arkivor.

“VENDIM n. 388 16-11-1959

Mbi tharjen e plotë të kënetës së Maliqit me rjedhje të lirë.-Byroja Politike e Komiteti Qendror të PPSh në mbledhjen e saj të dates 16.11. 1959, mbasi mori në shqyrtim propozimin e Kryesisë së Këshllit të Ministrave mbi tharjen e plotë të kënetë së Maliqit me rjedhje të lirë”, duke marrë parasysh leverdinë ekonomike që ka kryerja e kësaj vepre, mbasi sipas studimeve të bëra, do të përfitohen 1.300 ha tokë e re dhe do të përmirësohen rreth 4.000 toka të tjera, si dhe do të sigurohet kullimi më i mire i vendeve më të ulta të fushës,

VENDOSI

Të bëhet tharja e plotë e kënetës së Maliqit me rrjedhë të lirë,sipas projekti të hartuar nga organizata projektuese sovjetike “ Giprovod- hoz.” Punimet për këtë vepër do të fillojnë në vitin1960.

Sekretari i Parë i Komitetit Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë

Enver Hoxha  ( Firma dhe vula me draper e çekan.)”

Dhe poetesha e frymëzuar nga këto vendime këndonte: Parti e vendit tim Në mal përmbi këto male E ngritëm Shqipërinë, Plot dritë e sotmja jonë, Më të bukura ditët vijnë Dhe dora shtrëngon dorën Dhe bëhet grusht i fortë, Të gjithë rreth Partisë Rreth shokut Enver.

* * *

Pas vitit 1990, kritizerët u sulen me shkrime kundër tranzicionit. Pra çfarë ndodh me ta? Gjatë fushatës për pushtetin qendror më 2013, në Maliq u pa gazetarja e Top-Chenellit e njohur për intervistat me “kuadrot” e një kohe të mbrapsht. E shoqëruar nga kameramanët, ajo ecte më këmbë me mikrofon në dorë përbri një kamioni. Tërë shfaqja zhvillohej para kënetës së përmbytur nga rreshjet e fuqishme dhe nga dalja e Devollit nga shtrati. Nga larg kamioni kishte pamjen e një karuseli, cirku shetitës. Nga afër u pa qartë, se të gjithë ishin veprimtarë të P.S, gra e burra me faqet buçko, veshur për bukuri, hipur në karroceri teksa fyenin pa turp flamurin e PD, të varur prapa kabinës së kamionit, që endej udhës para kënetës. Në atë orgji fjalamanësh,që shitireshin si fshatarë varfanjak, dëgjoheshin ankesat e mësuara qysh më parë: “Po vdesim për

bukë, me se të rrojmë, paratë në bankë na u mbaruan, nga Greqia nuk na dërgojnë asgjë. Vdiqëm, po vdesim. Në kohën e Enverit ishim më mirë, tani jemi argatë në tokat e të tjerëve.Qeveria ndihmon vetëm fshatarët e Shkodrës së përmbytur. Po ne përse na ka harruar? Ah! Ferma e panxharit! Ah! Moj Fabrika e sheqerit me ato oxhaqet përpjetë, më e madhja në Ballkan!” Nga mënyra sesi flisnin, merrej vesh, se të gjithë ishin humoristë ose shakaxhinj e karagjozë të Top-Chenell-it. Ndërkohë dëgjoheshin, edhe zëra njerëzor, që kujtonin e flisnin thjeshtë për të vërtetën: ”Me gjakun e burrave, grave e fëmijve të pafajshëm, u mbajt gjallë diktatura e pangopur, që shkatërroi natyrën mbi e nën tokë. Gjithçka i takonte asaj, kurse sot këta pushta enveristë me kënetën e vdekjes, na tregojnë sa i mirë qe panxhari rus, sa i ëmbël ishte sheqeri, sa i përpjetë oxhaku i zi i fabrikës. Ai sheqer që dilte andej seç kishte një ngjyrë si të purpurt, njësoj sikur merrte me vete gjakun e inxhinerëve të pafajshëm të varur në litar apo të pushkatuar tok me të burgosurit, që dhanë shpirt, të harruar në llucë. Fatkeqësi, krim, dhimbje, mallkim!” Por për ironi të fatit, shohim herë pas here, tek krenohen buzëgaz para potretit të diktatorit, kryetarët e PS, LSI, PDS, Rama, Meta e Milo.

Inxhineret e paharruar, Abdyl Shara e Kujtim Beqiri janë nderuar me titullin Martirë të Demokracisë, veçse për çudi në Fjalorin Enciklopedik të Akademisë së Shkencave, emri i tyre i nderuar mungon. Megjithatë, të gjithë janë Nderi i Kombit.

Vlorë e Pavarësisë, në këto ditë fushate, kujto djemtë e tu atdhetarë, inxhinerët e talentuar Abdyl Sharra, Kujtim Beqiri dhe gjithë viktimat e Kampit të Maliqit.

Shqipëri, në këto ditë fushate zgjedhore, ndero emrat e veprat e tyre në shërbim të atdheut, Të gjithë në votime. për të ardhmen e sigurtë, më të qetë e më të mirë. Votoni, për ndërtimin e motorit të fuqishëm, të ekonomisë shqiptare, sipas shembullit amerikan. Amerika është me ne! Votoni për PD, Republikën e Re!

 

Filed Under: Histori Tagged With: Agim Deshnica, KUJTO E NDERO DJEMTE ATDHETARE! ABDYL, SHARRA KUJTIM BEQIRI, Vlore

Vlorë, homazhe për 97-vjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit

January 25, 2016 by dgreca

U përkujtua dje 97-vjetori i vdekjes së Ismail Qemalit, burrit të urtë vlonjat që më 28 nëntor 1912, bashkë me patriotë të tjerë shpallën pavarësinë e Shqipërisë në qytetin e Vlorës. Në kuadër të kësaj dite të shënuar për mbarë vendin e në veçanti për qytetin e Vlorës, kryebashkiaku Dritan Leli zhvilloi homazhet e rastit tek varri i Ismail Qemalit. Pas homazheve, kryebashkiaku Leli zhvilloi një vizitë në ambientet e muzeut “Pavarësia”, ku u prit nga drejtori i këtij institucioni, Istref Dobi, i cili përveçse e njohu kryebashkiakun me situatën aktuale të infrastrukturës së muzeut, bëri prezent edhe një herë rëndësinë e figurës së Ismail Qemalit në rrjedhën historike të kombit tonë. Leli ritheksoi kontributin e paçmuar të kësaj figure historike që shenjoi me heroizmin e tij formësimin e shtetit të parë shqiptar. Më 28 Nëntor të vitit 1912 Shqipëria shpalli pavarësinë dhe Ismail Qemali ishte kryeministri i parë i Shqipërisë. Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali. Njohja ndërkombëtare e pavarësisë si dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë u bë pas një viti në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, vendim i së cilës qe shpallja e Principatës shqiptare sovrane nga Perandoria Osmane nën mbikëqyrjen e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe lënia e gjysmës së territoreve të shtetit të porsaformuar jashtë kufijve të tij administrativë.

Filed Under: Kronike Tagged With: homazhe, për 97-vjetorin e vdekjes, së Ismail Qemalit, Vlore

KULTURA FETARE BEKTASHIANE NË KRAHINËN E VLORËS

October 31, 2015 by dgreca

Nga Prof. Dr. Bardhosh GAÇE & MSc. Albert HABAZAJ/
Kultura fetare bektashiane, si doktrinë dhe praktikim i saj në disa krahina të vendit tonë, është një syth për etnologjinë religjonale dhe antropologjinë fetare
Vlora, ashtu si vise të tjera të Shqipërisë, krahas ortodoksisë, myslimanizmit dhe katolicizmit, është vatër e ndezur dhe e dashur e bektashizmit shqiptar. Dëshmitë më të hershme të doktrinës bektashiane flasin vetë dhe ato e kanë zanafillën në Mesjetë, me teqenë bektashiane të Sinan Pashës në Kaninë, teqenë zëmadhe të Smokthinës, teqenë e Kuzum Babait, Kurorën e Malit mbi Sevaster e me vatra të tjera të gjalla.
Udhëheqësi i kombit shqiptar, bektashiani Ismail Qemal Vlora, në kujtimet e tij të botuara në Londër, na mëson se udhëri bektashian fetar i bektashizmës, ka qenë i përhapur në trevën e Vlorës qysh në shek. XV, ndër pinjollët paraardhës të tij. Teqeja, e themeluar në fshatin Kaninë nga Sinan Pasha, i biri i Gjergj Aranitit, katragjysh i Ismail bej Qemal Vlorës, ka qenë një nga qendrat e mëdha të kulturës fetare bektashiane. Fakti që në kohët e mëpastajme kjo teqe kishte rreth 7200 libra në shumë gjuhë të botës, tregon, se ajo ka lozur një rol të madh në jetën shpirtërore të banorëve të kësaj treve.
Gjurmët e fillimeve të bektashizmit në Vlorë ndeshen edhe sot, sipas rrëfimeve, gojëdhënave e rrënojave të objekteve të kultit, si në Sevaster, Smokthinë, Brataj, Kuç, Kaninë, Drashovicë e gjetkë.
Një nga faktorët e përhapjes së bektashizmit në rrethinat e Vlorës ka qenë se në radhët e jeniçerëve, ku kryenin shërbimin ushtarak banorët e këtij vendi, kishte mjaft vlonjatë, të cilët kur ktheheshin nga ky shërbim, u bënë përhapës të bektashizmit dhe ngritjes së objekteve të kultit.
Emri i ndritur i haxhi Bektash Veliut, në shekujt e mëpasëm, u bë mjaft i përhapur, me një lutje rituale që ende thuhet edhe sot ndër banorët e Labërisë: “Për haxhi Bektash, për atë diell e për atë dhè!”. Kulti shpirtëror i haxhi Bektashit është rrënjosur aq thellë saqë në malin e Çipinit (Këndrevicës), në pozicionin midis dy kreshtave ku lind dielli, në shekujt e kaluar, banorët shkonin dhe bënin kurbane çdo fillim të muajit gusht, duke iu drejtuar qiellit me fjalët brilante që thamë, si lutje rituale. Kulti i haxhi Bektash Veliut ka qenë i përhapur edhe në malin e Shashicës, sidomos në ritualin e shtimit të blegtorisë, pjellorisë së tokës e ruajtjes nga fatkeqësistë e natyrës. Sipas studiuesve të etnologjisë kulturore dhe fetare, blegtorët e Shashicës shpesh thoshnin: “Bagëtia do të na vejë mirë me ndihmën e haxhi Bektash Veliut”, ose : “Kemi shpresë tek haxhi Bektash Veliu”.
Një nga qendrat e mëdha të përhapjes së bektashizmit ka qenë Kuzum Babai, kjo fortesë natyrore e përrallore, që i rri Vlorës si kurorë mistike e mrekullueshme. Siç e përshkruajnë mjaft studiues të huaj si Evlia Çelebi (1611 – rreth 1684), rreth 400 vjet më parë, si dhe studiues të tjerë si Ëilliam Martin Leake [Uiljam Martin Lik] (1777 – 1860), Sir Henry Holland, (1788 – 1873), François Charles Hugues Laurent Pouqueville [Pukvil] (1770 – 1838); etj., Kuzum Babai, ky vend i shenjtë, mbart mbi vete një legjendë të rrallë. Shenjtori, për të besuar se ishte i dërguari i haxhi Bektash Veliut, në vendin e quajtur Budak [Vlorë] preu kokën e tij dhe me të në dorë u ngrit në majën e një kodre, duke u thënë turmës që e ndiqte pas: “Ky vend është vendi im i shenjtëruar, që ju të besoni tek haxhi Bektash Veliu”. Teqeja mbi Vlorë e ka ushqimin e besimit shpirtëror nga Ballëm Babai (Sejjid Ali Sulltan, është ky emër i Kuzum Babait (Quzum Baba). Teqeja e Kuzum Babait mendohet se daton rreth viteve 1600 dhe pati lulëzim sidomos në shek. XVII. Në dokumentetet e kohës thuhet se një nga paraardhësit e familjes Vlora, që kishte ndërtuar tyrben e Kaninës, investoi në këtë vend dhe ndërtoi godinat (teqetë e Kaninës) rreth viteve 1786, [frymën e parë e ka në vitin 1411 nga Sinan Pasha].
Vlen ta theksojmë faktin se bektashizmi i Vlorës ka lozur një rol të madh në përhapjen e ndjenjës kombëtare. Konflikti me parimet e Perandorisë Osmane bëri që në vitin 1828 teqetë dhe bektashinjtë e Vlorës të mos pajtohen me reformat centralizuese të perandorisë së vjetër. Ky qëndrim shkaktoi prishjen e rreth 13 teqeve, dëbimin dhe internimet e bektashinjve, si dhe shfarosjen në masë të besimtarëve.
Në vijim të kësaj veprimtarie në shërbim të interesave kombëtare shqiptare, siç njoftojnë konsujt e Austrisë dhe Italisë në qytetin e Vlorës, në verën e vitit 1878, babai i teqesë së Kuzum Babait në Vlorë dha një lutje, në fjalët e së cilës thuhet se kishte parë një ëndërr, sikur një fat i bardhë fluturonte në qiellin e Shqipërisë, që shpëtimin e saj nga mizoritë e Portës së Lartë, e shikonte nga Austro – Hungaria dhe vendet e tjera të botës moderne. Kjo lutje tronditi Portën e Lartë, gjë që vërtetohet me disa raporte që nënshkruan këta konsuj, të cilët nënvizojnë fermanët e lëshuara nga sulltani, që kërkonte me çdo kusht shpjegime të mëtejshme. Është koha kur sapo kishte shpërthyer Lidhja Shqiptare e Prizrenit (LSHP), kur fati i vilajeteve shqiptare diskutohej në Konferencën e Berlinit (13 qershor – 13 korrik 1878) dhe kështu fatthënia e babait të teqesë së Kuzum Babait të Vlorës, vuri në lëvizje qeveritarët e Stambollit. Ky mendim përforcohej edhe më qartë, kur në dokumentet e kohës mësojmë se disa nga bektashinjtë e teqeve në Vlorë, Tepelenë, Berat e gjetkë u përfshinë në veprimtarinë e LSHP. Në filim të shek. XX, një veprimtari të gjerë ka lozur në Vlorë edhe baba Sali Beqiri i Tepelenës. Në historiografinë shqiptare ka ende monumente që duhet të ndriçohen edhe më mirë. P.sh., pas ngritjes së Flamurit dhe Shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912, ky flamur u bekua nga At Moçka (ortodoks), Haxhi Muhameti (mysliman), Dom Nikoll Kaçorri (katolik) si dhe nga babai i teqesë së Vlorë (bektashi).
Një nga meritat e mëdha në Vlorë është dëshmia e harmonisë fetare, bashkëpunimi e mirëkuptimi midis feve dhe besimtarëve që i praktikojnë këto doktrina e besime. Po përmend disa shembuj të ngjarë: Kur at Moli erdhi në Vlorë, në vitin 1912 nga Amerika, në kishën e Shën Todrit të këtij qyteti, u bë një pritje e madhe, ku fjalën e parë përshëndetëse e mbajti i pari i teqesë së Kuzum Babait. Në ndërtimin e kishës së Shën Todrit, krahas tregtarëve dhe dashamirësve të tjerë, teqeja e Kuzum Babait dha 25 franga për ndërtimin e saj, po ashtu edhe mjaft besimtarë bektashinj sipas mundësive. Një shembull i gjallë në kujtimin e njerëzve është edhe drama e muhaxhirëve në ullishtet e Vlorës në vitet 1914 – 1915. Teqeja e Kuzum Babait strehoi 1260 muhaxhirë, të cilët ishin përzënë nga vatrat e tyre prej shovenë grekë me zjarr e hekur në viset jugore të vendit; mjekoi e ushqeu dhe 1500 të tjerë. Në epopenë termopiliane të Njëzetës luftuan të tërë bashkë: myslimanë, ortodoksë e katolikë, burra e gra për çlirimin e Vlorës dhe të krahinave shqiptare të pushtuara nga Perandoria e Re Apenine. Vlen të dimë se më 17 Janar 1921 bektashinjtë shqiptarë organizuan në Teqenë e Prishtës (Skrapar) Kongresin I Bektashian, ku varf Ali Prishta shpalli autoqefalinë e Klerit Bektashian Shqiptar (pavarësinë fetare nga Ankaraja) dhe shkëputi varësinë prej Kryetarit Suprem të Ankarasë. Toleranca fetare ka qenë një nga shembujt e gjallë, e cila është manifestuar edhe në gjithë jetën shoqërore të qytetit. Për Kongresin e Dytë Bektashian, që u zhvillua në Teqenë Hajdarie të Gjirokastrës, më 9 korrik 1924 na kanë rënë në dorë dokumente arkivore me vlerë. Këtu në Vlorë, në arkivin e Ibrahim Shytit gjendet një dokument i nënshkruar nga baba Ali Tomorri. Ky dokument është nën titullin: “Kuvendi i bektashinjve” dhe në të shkruhet: “Kuvendi i bektashinjve u mbodh në Gjirokastër, mori fund me vendime që të bëhen reforma në dogmën bektashiane. Reformat do të bëhen si do koha e sotme përparimtare, si e do interesi kombëtar dhe e lejon feja muhamedane, e cila në themel e në parim është një fe njerëzore…”. Në këtë letër që baba Ali Tomorri e ka shkruar nga Tepelena, më 12 korrik 1924, vë në dukje se ky kuvend zgjeroi statusin e tij. Delegat i Vlorës në kuvendin e bektashinjve shqiptarë, veç babait të teqesë së Kuzum Babait, ishte edhe intelektuali Ibrahim Xhindi. Kongresi i Dytë Bektashian vendosi që predikimi fetar të bëhej në gjuhën shqipe, në gjuhën e Biblilave, me gjuhën e Naimit. Kongresi hartoi e miratoi Statutin, ku u përcaktuan parimet themelore dhe drejtimet kryesore të veprimtarisë dhe të organizimit të bashkësisë bektashiane në Shqipëri. Statuti u botua këtu, në Vlorë me titull “Statuti i Komunitetit Bektashian”. Autoqefalia, përdorimi i gjuhës shqipe në ritet fetare dhe në veprimtarinë e besimtarëve të këtij sekti, e forcuan Bashkësinë Bektashiane në Shqipëri, shëndoshën edukimin shpirtëror, moral e mbi të gjitha atdhetar të besimtarëve sipas devizës: “PA ATDHE NUK KA FE”, ku rol të fuqishëm patën veprat e Naimit të Madh. Për Vlorën tonë, vlen të kujtojmë se, në vitin 1930, një kontribut të rëndësishëm për kulturën e fesë bektashiane dhanë poeti kombëtar Ali Asllani (1884 – 1964) si dhe Murat Vlora, të cilët përkthyen disa nga pjesët e literaturës bektashiane më në zë. Krahas copëzave për jetën e haxhi Bektash Veliut përkthyer nga Murat Vlora, Ali Asllani përktheu dhe përhapi vjershërimin e poetit të madh Jonuz Emre. Këtë gjë e kishte bërë më parë edhe poeti i madh popullor Mato Hasani nga Brati, që rrojti një shekull me këngë e me luftë për liri (1866 – 1966) e që këndonte shpesh këngët e poetit kombëtar të Turqisë Jonuz Emre [Yunus Emre (1240? – 1320)], i cili kishte shumë popullaritet për kohën. Në krijimtarinë e tij, Xha Matua pati ndikim nga ky poeti madh i kohës, por asnjë varg për këngë nuk kopjoi nga ai. Në këto tradita bektashiane, veproi edhe dede Ahmet Myftar Dede (dede Ahmet Myftari, 1916 – 1980), i cili, që në vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe më pas, gjallëroi edhe më shumë teqenë e Kuzum Babait dhe gjithë vatrat e bektashizmit në Vlorë. Ai ishte në ballë të besimtarëve në ndërtimin e rrugëve, shtëpive e shkollave të djegura e të shkatërruara nga lufta e përbindshme.
Edhe sot e kësaj dite, banorët e Vlorës thonë se pylli i bukur i bregdetit (te ish “Soda”), Ura e Drashovicës, rruga e Llakatundit etj., i përkushtohen atij. Në kohët e sotme, këtë traditë donte të vazhdonte edhe baba Bajrami, i cili edhe pse s’është me ne fizikisht, rron në shpirtin dhe zemrat e besimtarëve. Veprimtaria e gjyshatës bektashiane të Vlorës, me qendër në teqenë e Kuzum Baba Sulltanit, këto vitet e fundit njeh një përparim dhe përhapje të gjerë. Janë vite që mund të quhen me plot gojën si vite të rimbëkëmbjes, të ringritjes së institucioneve fetare, të organizimit të komunitetit bektashian, deri në njësinë më të vogël; janë vite që pranë institucioneve fetare grupohen jo vetëm myhibët e moshatarët, por edhe shumë të rinj e të reja si dhe shumë intelektualë të fushave të ndryshme të ekonomisë. Kështu që këto institucione bektashiane rikthyen shpresën dhe besimin e dhunuar në kohën e diktaturës. Po ç’duhet të dimë për bektashizmin më tepër, jo thjesht për kulturë fetare, por sidomos për vlerat humanitare që shpërndan në komunitet kjo doktrinë me pamje dhe lëndë demokratike? Bektashizmi është urdhër i rëndësishëm sufist i fesë islame, i përhapur gjerësisht në Anadoll e në Ballkan të Europës Juglindore, veçanërisht ndër Shqiptarët. Emrin e ka marrë nga themeluesi Haxhi Bektash Aliu, lindur në Persi (Irani i sotëm) më 1249 dhe vdekur në Turqi më 1344. Bektashianët e moderuan fenë mëmë konservatore dhe risia e tyre u pranua, u përhap dhe u praktikua sidomos në rajonin e Europës Juglindore. Ata u shfaqën si panteistë, u shquan për respektimin dhe përdorimin e parimeve të tilla humane dhe liberale si tolerance, mirëkuptimi, dashuria dhe vëllazëria midis njerëzve, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare. Themeluesi i tyre, Haxhi Bektashi paraqitej si pasardhës i Aliut, dhëndrit të Muhametit, prandaj dhe ndjekësit e tij e adhurojnë në të njëjtën masë si Muhametin, ashtu edhe Aliun. Kryegjyshata, e cila qysh nga viti 1937 e ka selinë në Tiranë (Shqipëri), vepron me 6 gjyshata: e Krujës me qendër Teqenë e Shememi Babait në Fushë Krujë; e Elbasanit me qendër Teqenë e Baba Xhemalit; e Korçës me qendër Teqenë e Turanit; e Beratit me qendër Teqenë e Tahir Babait (në Prishtë, Skrapar); e Gjirokastrës me qendër Teqenë e Zallit dhe e Vlorës me qendër teqenë e Kuzum Baba Sulltanit.
Duke vlerësuar teqenë e Kuzum Baba Sulltanit si qendër kryesore për krahinat e Vlorës, Mallakastrës e Fierit, u arrit edhe ngritja e turbes Kuzum Baba (prill 1998), si një objekt kulti i një rëndësie të veçantë. Pas realizimit të ndërtimit të teqesë, sipas kërkesave, u vunë në veprimtari të plotë organizmat e gjyshatës me synimin për ringritjen, restaurimin e tyrbes dhe teqeve që mbulon Gjyshata e Vlorës, siç kemi shembujt e ringritjes së tyrbeve në Vlorë, në Drizar, Kapaj, Hambaraj, në Kurorën e Malit Sevaster, etj. Traditën më të ndritur të besimtarëve bektashianë e mban të ndezur me dritë kulture, me zjarr kombëtar, me uratën e dashurisë njerëzore dhe me mirësi hyjnore Kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore, baba Mondi, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, udhëheqës shqiptar fetar dhe udhëheqës botëror (Kryegjysh) i bektashizmit. Baba Mondi pastë jetë të gjatë e të ndritshme, besimtarët e dashamirësit uratën e tij të bardhë!
Vlorë, e shtunë, 31. 10. 2015

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, KULTURA FETARE BEKTASHIANE, Prof. Dr. Bardhosh Gace, Vlore

MESAZH PER VATREN NGA DUKATI I VLORES

November 28, 2014 by dgreca

Zoterinj te VATRES Populli Shqipetar feston sot kudo ne mbare boten diten e flamurit. Me ne fund u permbys komunizmi, por ne demokraci nuk jemi ende, sepse shqiperine e drejtojne po komunistet ose bijt e tyre. U permbys komunizmi, por token nuk ja kthyen te zotit Pronarit, por e ndane komunisteshe “sipas frymeve te sejciles familje kooperativiste”. DMTH sa here qe ndrohen qeverite populli duhet te ndryshoje pronen?. Per kete aresye Populli ne Shqiperi eshte ne konflikt te pergjakshem e te perhershem deri me sot jane vrare mbi 8000 njeres per pronen dhe dihet qe vrasjet do vazhdojne.Toka kudo faktikisht eshte me konflikt sepse jane dy pronare qe i dalin zot, pronari qe e ka trasheguar nga te paret e tij dhe pronari i ri qe fabrikoi kjo pseudodemokraci.Ne keto kushte as nuk mund te mendohet per investitore te huaj e as vendas. Prandaj lind nevoja o sot o kurre per mbeshtetje nga Komuniteti i Shqipetareve kudo ne bote, por vecanerisht Shqipetareve te SHBA-se, vecanerisht te VATRES , qe te kontribuojne ne zgjidhjen e ketij ngerci, sepse mjafton nje fjale e thene nga DASH qe cdo gje te shkoje ne vendin e saj dhe ne Shqiperi te vendoset Demokraciae vertete dhe te mbyllen rruget e korrupsionit dhe kleptokracise.Urimet me te mira per shqipetaret e VATRES dhe kudo qe jane. Me respekt
Seri Allushi , perfaqesues i 800 familjeve te fshatit Dukat qe nuk iu jane kthyer pronat.
seriallushi@yahoo.com

Filed Under: Vatra Tagged With: i Vlorës, MESAZH PER VATREN, NGA DUKATI, Vlore

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT