*Është e pakuptueshme reagimi i shpejt i bllokut opozitar të inatit se nuk dëshirojnë të marrin pjesë në zgjidhjen e ngërcit politik të propozuar nga PDK, që i bie se ata këtë pat pozicion e pelqejnë apo thënë më mirë se liderët e e tyre po frikohen se po i humbin ato “poste” që vetë i zgjodhen pa e pyetur askënd/
Opinion nga XHAVIT ÇITAKU/
Sado që njeriu mundohet të mbetët indiferent karshi ndonjë ngjarjeje, ndodhie apo procesi të rëndësishëm, kjo gjë nganjëherë është e pamundshme. Si mund të mbetesh indiferent, sidomos, pas zgjedhjeve nacionale që u mbajtën kohë më parë në vendin tonë kur me ato makinacione të liderëve “ tanë” po shihet ashiqare se ata nuk janë të interesuar të punojnë për miletin, por thjesht për vete dhe interesin e tyre personal. Bie fjala, koalicioni pas zgjedhor del para opinionit me një marifet që rrallë kush e dëgjon në një shtet demokratik, që po shtiremi se edhe ne kemi instaluar një sistem të tillë. Thonë se nuk duan të bëjnë koalicion me partinë fituese. A janë në vete këta politikanë të deklarohen kësisoj, apo e marrin vesh se çka po thonë e si tingëllon kjo në masën e gjerë popullore. Nuk duan të bashkëpunojnë me një parti dhe liderin e saj që fituan zgjedhjet, thjesht, për shkak të xhelozisë politike e shndërruar në urrejtje të skajshme. Të mos bashkëpunosh me partinë fituese do të thotë të mos bashkëpunosh me qindra mijëra qytetarë të vendit që i besuan asaj partie dhe liderit të saj. Ta injorosh këtë subjekt politik dhe atë masë të gjerë që ia dha votën PDK-së, është më shumë se një ligështi, është një frikë, është e bezdisshme, e tmerrshme , e pakuptimtë, e patolerueshme, e pakripë, apo më mirë më thënë shumë e padrejtë. Ç’është e drejta, liderët këtyre tri partive mund edhe të refuzojnë bashkëpunimin me PDK-në dhe para opinionit të thonë se programet e tyre po përputhen më së shumti, që nuk është e vërtetë, dhe kësisoj inatet e xhelozia të mbetën brenda shpirtit të tyre të nxirë e jo të dilet ashtu hapur se cili është qëllimi parësor i tyre.
Me inate e revanshizëm nuk ndërtohet e udhëhiqet shteti
Nuk duhet të jetë njeriu aq i mençur sa për të kuptuar se koalicioni i subjekteve politike bëhet në bazë të një afrie programesh që kanë dhe vullnetit të shprehur për të vazhduar së bashku qeverisjen eventuale të vendit. Nuk ka asgjë të keqe që edhe pas zgjedhjeve na u formua ky koalicion i inatit edhe pse aspak parimor. Mirëpo forma, mënyra dhe deklarimet e liderëve të këtyre tri partive politike nuk janë aspak korrekte, në rend të parë, se bashkimi i tyre është bërë kryesisht e për shkaqe xhelozie, hakmarrëse e revanshizëm me pretendimin kryesor që të pengohet formimi i qeverisë Thaçi3. Ky nuk është sinqeritet e punë e ndershme dhe të tregojnë para botës se në çfarë niveli të ulët kanë rënë.
Subjektet politike gjatë fushatës zgjedhore shpalosnin programet e tyre zhvillimore për çdo sektor të jetës dhe të punës dhe është elektorati ai i cili më pas ia jep votën asaj force politike që ofron zhvillim më të hovshëm, sidomos, ekonomik. Po ashtu, elektorati hedh vota edhe në subjektin, lideri i të cilit është më i besueshëm dhe që ofron garancione se shumë punë të rëndësishme do të kryhen brenda mandatit qeverisës, siç ishte rasti me liderin e PDK-së. Mirëpo, blloku opozitar i krijuar pas zgjedhjeve të gjitha premtimet e dhëna gjatë fushatës elektorale i kanë hudhur pas shpine dhe hëpërhë program i tyre i vetëm është të mos e shohin të ulur në ulësen e Kryeministrit Hashim Thaçin për të tretën herë. Sa i duhen popullit këto sjellje lakmitare që po i bëjnë liderët e këtyre tri parti politike duke e quajtur vetën fitues të zgjedhjeve, ndërsa në anën tjetër që të trija nuk i kanë numrat për të krijuar qeveri , përkatësisht se LDK, AAK dhe Nisma kanë vetëm dhjet vende më shumë në Parlamentin e ardhshëm se PDK e vetme. Në anën tjetër, të tre këta lider të koalicionit nuk kanë marrë vota më shumë së lideri i PDK-së Thaçi. Demokracia nuk mund të ndërtohet me këtë ashpërsi të urrejtjes ndërmjet vete që do të ndikon shumë negativisht edhe në raportet ndërnjërzore për të cilën do të duhej kohë e gjatë deri sa ato do të vihen në binarë të shëndosh. Liderët shkojnë e vijnë por pasojat që ata i lënë pas veti janë tejet të dëmshme për shoqërinë. Së këndejmi, qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm që në rastet tjera të mendojnë mirë se kujt do t’ia hedhin votën e të mos na përsëritën këso lojrash të papara politike që në masë të madhe po ia prishin imazhin vendit tonë të bukur e të dashur. Duhet të mbajnë mend se kush po i realizon fjalët e premtimet e kush po mashtron e po tregon haptas se nuk di të qeverisë dhe nuk është i interesuar për prosperitetin e popullit dhe të vendit. Të tillët tashmë u identifikuan dhe Ti Sovran ndëshkoi, ndëshkoi ashtu siç dinë Ti, rrëzoj për toke, merrja fytyrën këtyre grykësve, këtyre karrieristëve që mendojnë vetëm për vete e jo për zhvillimin dhe hapjen e perspektivës për gjeneratat e tashme dhe të ardhshme. Sepse me inati e revanshizëm nuk ndërtohet e udhëhiqet shteti.
Isa po mundohet pa sukses ta imitoj liderin historik Dr. Ibrahim Rugovën
Fjala dhe premtimi i dhënë para opinionit ka peshë të madhe dhe ato me çdo kusht, madje, edhe duke sakrifikuar shumëçka duhet të realizohen sepse Besa e Fjala janë tipare që e kanë karakterizuar me shekuj shqiptarin. Posaçërisht premtimet duhet t’i realizoj politikani, përkatësisht liderët e partive politike, në rend të parë, për shkak se elektorati voton për program e për ato synime zhvillimore që ata i paraqesin para tyre. Dihet mirëfilli se edhe pse shumë “ ëndrra” të planifikuara nuk mund të gjejnë zbatim praktik ngaqë ato zakonisht janë tepër të stërmadhuara, prapëseprapë disa nga ato disi i “ gëlltit” opinioni , mirëpo ato premtime të thjeshta por që kanë domethënie në karakterin dhe moralin e një lideri gjithsesi duhet të zbatohen pa kurrfarë mëdyshje. Megjithatë, është për të ardhur keq se kjo nuk qëndron dhe nuk përfillet pothuajse aspak nga disa politikan tanë, të cilët, sidomos, pasi të marrin votat e elektoratit veprojnë krye në vete dhe në mënyrë cinike e duke e injoruar votuesin arsyetohen se u deshtë të veprohet kësisoj së ndryshe nuk u bë. Shembullin më eklatant të devijimit dhe të mashtrimit të votuesit e bëri Isa Mustafa, i cili, ndër të tjera, pati premtuar fuqishëm se nëse nuk do të fitoj zgjedhjet do të jap dorëheqje. Ai faktikisht jo që nuk e bëri këtë punë të obliguar, së paku morale,përkundrazi, u deklarua se nuk largohet nga pozita e kryetarit me arsyetim se ka punë tjera më të rëndësishme. Vërtetë ai kishte pasur punë më të madhe, por jo për miletin e shtetin, por për vete dhe karrierën e tij politike. Në kundërshtim me çdo vendim të Kryesisë dhe të Këshillit të Përgjithshëm, Isa Mustafa arriti që me një marrëveshje të ngutshme ta rehatoj vetën dhe t’ia siguroj vetës postin e “ Kryeparlamentarit” me synim që pas dy vjetëve të bëhet edhe “ President” i vendit. Nuk është aspak më i padhembshëm edhe mashtrimi tjetër që bën ky karrierist i pangopur për pushtet kur pa fije turpi “ dorëzon” postin e “Kryeministrit” një partie tjetër që ka tri herë më pak vota se subjekti i tij politik. Ç’është e drejta, gjatë gjithë fushatës parazgjedhore e zgjedhore ky “ personalitet” i skenës politike shqiptare në Kosovë me pompozitet kishte deklaruar se LDK ka lidh marrëveshje me elektoratin se ky subjekt politik do të qeverisë me vendin dhe me ngulm dhe shumë i sigurt kishte thënë e premtuar se posti i njeriut të parë të qeverisë është i panegociushëm . Mirëpo, lakmia dhe në anën tjetër edhe frika se anëtarësia do të kërkojnë llogari ndaj tij, Isa Mustafa me një shpejtësi “ marramendëse” bëri koalicion me dy parti të tjera dhe pa një pa dy “ Rambos” i tha se ju mund ta bëni këtë. Pra, lideri i LDK-së në mënyrë të njëanshme prishi marrëveshjen me popullin për interesa të tij personale. “ Kapitulloj” vetëm pak orë pasi mori vesh se kishte humbur në zgjedhje. Të marrë të drejtoj qeverinë lideri i një partie që mezi mori mbi nëntë për qind të votave, kjo është e pafalshme për LDK-në, përkatësisht për ata që ishin nismëtar të lëshimit pe në këtë nivel kaq të ulët, por lirisht mund të thuhet edhe përbuzës karshi elektoratit. Me këtë akt të papjekur politikisht të liderit Isa Mustafa u dëshmua se ai nuk di të qeverisë dhe nuk do të marrë përgjegjësi për zhvillimin e vendit. Me këtë veprim të ngutshëm me apo pa vetëdije LDK ka pësuar dëme të pariparueshme dhe kjo do të shihet në zgjedhjet e ardhshme edhe lokale por edhe nacionale që siç po shihet nuk do të vonohen. Me një fjalë, elektorati nuk ka për obligim të votoj për ata që nuk dinë të qeverisin, për ata që nuk kanë haber se si duhet të zhvillohet vendi dhe për ata që mashtrojnë me premtime dhe veprojnë kundër atyre premtimeve që vetë i thonë. Sikur ka harruar Isa Mustafa që ai ka titullin e akademikut dhe se sa ka peshë të madhe fjala e dhënë para elektoratit dhe simpatizuesve të subjektit të tij politik. Në fakt, Isa Mustafa, edhe pse humbës i madh, me një mendjelehtësi të pashpjegueshme po mundohet me çdo çmim të imitoj ish-Presidentin e vendit dhe të LDK-së Dr. Ibrahim Rugovën, i cili me autoritetin e madh që kishte në popull ishte fiksuar pas postit të Kryetarit të shtetit të Republikës së Kosovës. Këtë ai nuk mund ta bëj kurrë me shkakun se nuk mund ti afrohet as edhe deri tek ” zogu i këmbës” këtij personaliteti të shquar,sic thotë një fjalë popullore, por edhe nga shkaku se Isa Mustafa kaherë ishte larguar nga rruga e rugovizmit, nga koha kur ia kishte bllokuar zhvillimin dhe kryerjen e punëve me stopimin e derdhjes së mjeteve të trepëqindshit të diasporës për presidencën. Ndaj edhe është e cuditshme se si arriti që tash të drejtoj këtë parti apo ndoshta rrethi i tij i ngusht janë të interesuar që ” sahat e para” ta shkatërrojnë këtë subjekt politik. Cirku politik paszgjedhor medoemos po i shtërngon masën e gjerë popullore që politikanët t’i quajnë “ rrenacak”.
PDK ofron tejkalimin e ngërcit politik- lakmitarët për pushtet refuzojnë
Se si do të përfundoi ky cirk politik mbetët të shihet, por mendoj se duhet të mbretëron logjika e arsyes të secili subjekt politik dhe të mos lejohet të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilën gjë më së paku e dëshiron qytetari i Kosovës, por dhe Bashkimi Evropian. Është për tu përshëndetur gatishmeria e PDK-së për tejkalimin e ngërcit politik duke propozuar një qeverisje gjithëprëfshirëse me të cilën do të krijohej një stabilitet afagjatë dhe realizimi me sukses i shumë synimeve që shkojnë në favor të popullit dhe për popullin. Mirëpo, fatkeqësisht, pa menduar fare për pasojat lakmitarët për pushtet reaguan shumë shpejt duke refuzuar një gjë të tillë. Në fakt, përfaqësuesi i LDK-së Ismet Beqiri, që treguan haptas se nuk dinë të qeverisin me vendin, deklaroi se nuk janë të interesuar të bashkëpunojnë me partinë fituese, që i bie se ky subjekt politik nuk dëshiron të marrë pjesë në tejkalimin e kësaj situate jashtëzakonisht të pakëndshme në të cilën gjendet vendi. Në të njëjtat valë të bllokimit të arritjes së ndonjë marrëveshjeje eventuale ishte edhe pëfaqësuesi i AAK-së Ahmet Isufi sigurisht nga frika se cdo fillim i ndonjë dialogu posti i Kryeministrit as që do të bëhej fjalë ti besohet kësaj partie, ngase nuk e meriton bazuar në rezultatin e zgjedhjeve. Sille kah të sillesh tani “topi” gjendet posacërisht në duart e LDK-së e cila duhet të lëviz nga pat pozicioni dhe të marrë pjesë aktive në tejkalimin e ngërcit politik, i cili në momentin aktual po shkakton dëme të mëdha në jetën e përditshme.
Presioni ndaj institucioneve të pavarura dëshmon nivelin e liderëve politik
*Sikur është shkruar që Isa Mustafa të mos arrijë të ulët në ndonjë nga vendet udhëheqëse të vendit.- Deklaratat e Haradinajt tregojnë qartë se në cfarë niveli është kap[aciteti i tij intelektual si ” jurist” i pasluftës, sidomos kur thotë se Gjykata Kushtetuese po vendos me dy kute/
Opinion nga XHAVIT CITAKU/
Blloku opozitar i inatit po vazhdon lojërat dhe cirkun pas zgjedhor që pa dyshim se do të jetë njëri ndër shfrenimet më të paskrupullta të të eturit për pushtet që njeh aktualiteti i jonë politik nga fillimi i demokracisë në gjithë hapësiren shqiptare. C^është edhe më keq, në vend që liderët e këtij blloku të jenë shembull se si duhet të respektohen, normat, ligjet e posacërisht Kushtetuta, ata e bëjnë të kundërten duke paralajmëruar anarki që nuk do t^i dihet fundi. Thënë konkretisht, Gjykata Kushtetuese pezulloj vendimet e marra të 17 korrikut në Parlamentin e Kosovës dhe lideri i LDK-së Isa Mustafa u detyrua që t^i baj ” qaklat” e të shkoj në shtëpi pa pikë turpi. Në cdo demokraci të zhvilluar po të ndodhte një pezullim i tillë për shkak të shkeljeve të rregullorës së organit më të lartë legjislativ edhe atë me vetëdije të plot, liderët do të jepnin dorëheqje. Ndërkaq, udhëheqësit e këtyre subjekteve politike jo vetëm që nuk e kanë ndërmend të largohen nga këto poste, por nga lakmia e madhe për pushtet po bëjnë presion të pandërprerë në Gjykatën Kushtetuese si një institucion i pavarur e kredibil me të vetmin qëllim që të nxjerret vendim në favor të tyre.
Haradinaj në mënyrë paushalle vlerëson vendimin e Kushtetueses
Se sa të vërbuar pë pushtet janë disa nga këta liderë dëshmon edhe deklarata dhe vlerësimi paushal i Ramush Haradinajt rreth vendimeve të nxjerra të Kushtetueses duke e treguar kapacitetin e tij të ulët të dijes si një ” jurist” i pasluftës. Me një fjalë, ai dëshiron të barazoj vendimin e pezullimit të të gjithë asaj që ndodhi me 17 korrik në Parlamentin e Kosovës me atë të rastit të Behxhet Pacollit. Asnjë organ i drejtësisë në asnjë rast nuk nxjerr vendim të njëjtë, por gjithëcka bazohet sipas ngjarjeve dhe proceseve të zhvilluara si dhe të peshës që ka në momentin aktual. Edhe Gjykata Kushtetuese duke u nisur nga parimi se janë vërejtur shkelje të rregullorës së Kuvendit dhe nga bindja e lirë se mund të prodhohen pasoja të dëmshme nga ndonjë vendim i marrë nga ato vendime ” ilegale” që eventualisht do të merreshin, mori atë vendim që për momentin ishte më i drejti. Së këndejmi, Haradinaj jo që nuk ka të drejtë të deklaron se ky institucion i pavarur po punon me dy kute, por nuk do të duhej ta këtë guximin që të dalë para opinionit me thënie kuturru aq më parë kur ai po synon të bëhet ” Kryeminister”. Dhe me të drejt mund të themi se në mozaikun e filozofisë së ndërtimit të demokracisë dhe të shtetit njërez të tillë me veprime e deklarata të tilla i sjellin dëme të pariparueshme të të gjitha proceseve dhe të stabilitetit afatgjatë në vendin tonë. Ndërkaq, në anën tjetër lideri i AAK-së aq ndihet krenar që nga blloku opozitar i inatit është propozuar pë të parin e Qeverisë sa që ka harruar se këtë nuk e deshi elektorati, i cili e ndëshkoi rëndë duke e renditur partinë e tij në vendin e katërt.
Isa Mustafa po e shkatërron LDK-në
Nga humbja që pësoi në zgjedhjet lokale, pastaj në këto të fundit nacionale dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e vendimeve të marra në Mbledhjen Konstituive të Parlamentit të Kosovës sikur na qenka e shkruar që Isa Mustafa të mos arrijë të zgjidhet në postin që ia ka mësye, post ky që nuk i ishte premtuar elektoratit. Me dukët e cuditshme që anëtarësia e LDK-së rri duarkryq dhe nuk reagon karshi këtyre veprimeve të liderit të saj që janë në kundërshtim të plot me ato që u janë premtuar gjatë fushatës zgjedhore. Ndoshta elektorati, anëtarësia dhe simpatizuesit e këtij subjekti politik janë lodhur me këto lojra e lakmi për pushtet, por, megjithatë, një gjë e tillë nuk mund të tolerohet e të shkatërrohet ky organizem politik që dikur ishte emër i përvecem në skenen tonë politike. Anëresisë së gjerë do të duhej ti kujtohet se Isa Mustafa kishte deklaruar me pompozitet se kishte lidhur marrëveshje me elektoratin se pos tjerash posti i Kryeministrit është i panegociushem, marrëveshje kjo që u shkel njëanshëm nga ai. Nga grupe të caktuara mund të dëgjosh se LDK nuk ishte fituese në zgjedhjet nacionale, që është e vërtetë, por në bllokun opozitar paszgjedhor ky subjekt ka 30 deputet apo dy herë më shumë se AAK dhe Nisma ndaj si parti e parë do të duhej të mbante postin e Kryeministrit. Fjala e dhënë para opinionit sidomos e një akademiku do të duhej të realizohej në praktik parasegjithash dorëheqja në rast të humbjes së LDK-së, por kjo gjë në asnjë moment nuk po i lë përshtypje këtij lideri dhe tash me duar në xhepa ” larickohet” dhe vazhdon së bashku me mbështetësit e tij të hartoj skenar të ndryshem pas cdo dështimi që po pëson.
VV-ja është lënë pak anash
Nga momenti kur blloku opozitar i inatit pati përkrahje nga minoritet sic po duket në të parë VV-ja disi është lënë anash me faktin se sic po deklarojnë përfaqësuesit e saj ky subjekt politik ende nuk është ftuar nga inatcoret pë të vazhduar dialogun e filluar. Megjithatë, do theksuar se nëse eventualisht nuk do të dialogohet me VV-në as Parlamenti e as Qeveria nuk do të kenë jetë të gjatë sidomos kur të kihet parasysh pozicioni i deputetëve të listës ” srpska”. Apo ndoshta blloku opozitar po pret që VV-ja ta lut bllokun opozitar që ta thërras në takimet që i organizon, gjë që nuk do të ndodh kurrë. Kur po flasim rreth këtij subjekti politik disi me ka lënë përshtypje mos reagimi i Rexhep Selimit në këtë skenar politik që po zhvillohet pas zgjedhjeve. Në të vërtetë, pas kalimit të tij nga PDK në AAK këtë të fundit e lëshoi me arsyen se nuk dëshiron të jetë ” aleat” i LDK-së, ndëkaq tash nuk i dëgjohet zëri. Ndoshta, më më shumë dëshirë e sfidon bashkëvendasin dhe bashkëluftetarin se sa të tjerët. Kështu e kemi ne.
Mocioni nuk parashihet me rregulloren e Kuvendit
Pa futur në detajet e ecurisë se punimeve të Mbledhjes Konstituive të Parlamentit të Kosovës, deputetët do të duhej ta dinin se rregullorja e këtij organi legjislativ nuk parasheh mocion për shkarkimin e Kryesueses se Kuvendit. Është tjetër cështje që shpesh po dëgjohet se ishin numrat që vendosen në përfundimin asisoj të asaj mbledhjeje inauguruese, mirëpo pavarësisht nga kjo rregullorja nuk bënë të shkelet nga askush e aq më pak nga zgjedhësit e popullit. Po ashtu as Kryesia e vjetër e Kuvendit të Kosovës nuk kanë kompetencë që të marrin vendim për përaktimin e grupit më të madh parlamentar, por vetëm të pëgadisë rendin e ditës sipas reziultateve të zgjedhjeve.
Mësues, gazetar, luftëtar, i burgosur politik
Tri dekada në shërbim të arsimit e edukimit të brezave të rinj.-Në ditët e para të organizimit të luftës në Rekën e Keqe, Jahë Sadria ishte në grupin e parë që solli arme nga Shqipëria Amë.- U arrestua dhe u burgos nga policia serbe dhe përkundër një terrori të paparë që u shkarkua mbi trupin e këtij personaliteti të pendës e të pushkës ai nuk u thye për asnjë moment/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Vdekja është e ftohtë. Po aq e ftohtë sa edhe dheu që pamëshirshëm mbulon kufomën. Vdekja është e frikshme, e tmerrshme, e dhimbshme… E dhimbshme, shumë e dhimbshme ishte edhe vdekja e këtoditëshme e Jahë Sadriut nga Ponosheci i Gjakovës. Lajmi për vdekjen e këtij njeriu në moshën 57 vjeçare jehoj pikëllueshem në zemrat e gjithë popullatës se Rekës së Keqe, Komunës së Gjakovës dhe të të gjithë atyre që e njohën në shumë pjesë të Republikës së Kosovës, por edhe në Shqipërinë nënë. Se sa shumë ishte i vlerësuar dhe sa shumë kishin lënë gjurmë veprat e tij, dëshmoi pjesëmarrja e mijëra qytetarëve në varrimin e këtij personaliteti. Fshati Ponoshec ishte tërësisht i bllokuar nga ato turma të mëdha që kishin ardhë në këtë fshat për t’ia dhënë lamtumirën e fundit Jahë Sadriut. Dhe me të drejtë kishte pyetur një kalimtar i rastit që kishte ardhur për të kryer një punë në këtë fshat se mos ndoshta paska vdekur “ Presidenti”. Po kush ishte në të vërtetë Jahë Sadriu?
Arsimi i gjeneratave të reja prioritet i prioriteteve
Jahë Sadriu lindi në vitin 1957 në Fshatin Ponoshec të Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në fshat, gjimnazin në Gjakovë, ndërsa Fakultetin- Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Prishtinë. Duke ndier nevojën për kuadro të reja e kualitative, Jahë Sadriu pa i përfunduar provimet e fundit të fakultetit nisi punën në shkollën e fshatit duke dhënë një kontribut të madh në edukimin e fëmijëve jo vetëm të këtij Ponoshecit por edhe të fshatrave përreth. Duke u shquar për një organizim të mirë në procesin mësimor ai arrin që të bëhet edhe drejtor i kësaj shkolle, në mandatin e të cilit u korrën suksese të jashtëzakonshme jo vetëm në mësimdhënie, por edhe në aktivitete tjera të lira shkollore. Një kohë të gjatë këtë arsimdashës e brengoste dhe e shqetësonte shumë mos vazhdimi i shkollimit të mesëm të vajzave të kësaj pjese të Komunës së Gjakovës për shkak të kushteve të vështira ekonomike, por edhe për shkak të largësisë për të udhëtuar deri në qendrën komunale. Shi për këtë, ai mori iniciativën për të hapur paralelet e gjimnazit në Ponoshec, iniciativë kjo që u realizua shumë shpejt. Këtë fazë të shkollimit në Rekë të Keqe e udhëhoqi me sukses deri sa u pensionua para kohe për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore. Tri dekada me ditar në dorë përhapi dituri, edukoi e arsimoi aq shumë gjenerata. Nxënësit e tij të dikurshëm, shumë sish, kanë arritur të fitojnë edhe grada të larta shkencore në shumë lëmi e të mos flasim për të tjerë që kanë diplomuar në fakultetin juridik, ekonomik, të mjekësisë, teknik, filozofik etj. Afërsia me nxënësit e kishte bërë që ai të jetë i dashur e i respektuar nga ata, por edhe nga kolegët, prindërit dhe nga të gjithë ata me të cilët takohej. Në çdo tubim, ndeje dhe takim me njerëz të ndryshëm linte një përshtypje të një njeriu të mençur, të një njeriu që fjala e tij kishte peshë, që fjala e tij dëgjohej me vëmendje. Puna aktiviteti dhe angazhimi i pashoq që bëri në fushën e arsimit është një shembull që pa dyshim duhet ta ndjekin edhe kolegët e tij të tashëm e të ardhshëm. Për punën e tij të dobishme që kishte dhënë në fushën e arsimit Jahë Sadriu u dekorua me mirënjohje e dekorata nga institucione shkollore.
.
Kushtrimit për çlirimin e tokës dardane iu përgjigjë në ditët e para të luftës
Zullumi serb mbi popullatën shqiptare sa vinte e shtohej. Aksionet e shpeshta ndëshkuese policore- ushtarake lënin pasoja të rënda në çdo familje shqiptare. Pos që torturonin njerëz të pafajshëm dhe arrestonin për ditë djem e vajza, falangat serbe filluan edhe të vrasin qytetarë të pafajshëm. Populli nuk kishte kah t’ia mbante. Ishte kjo tokë dardane stërgjyshore dhe këtë ose duhet mbrojtur ose duhet nënshtruar atij okupatori barbar. Jo kjo nuk do të lejohej asesi nga burrat e këtij trualli sepse ata mjaft duruan këta fashist, këtë farë të keqe që erdhi nga Karpatet dhe që po terrorizojnë çdo fshat e qytet. Kushtrimi për t’i dalë zot atdheut trokiste në ndërgjegjen e secilit shqiptar.
Dhe Jahë Sadriu ishte ndër të parët që iu bashkua celulave të para të fshatit, të cilat filluan mobilizimin e luftëtarëve si dhe armatosjen e të gjithë atyre që ishin përcaktuar për të çliruar Kosovën me pushkë në dorë. Gjashtëdhjetë automatikët e parë që arritën nga Shqipëria ishin vendosur në shtëpinë e Jahës. Se sa ishte i përcjellur qysh më herët ky njeri i brymosur me ideale patriotike, dëshmon fakti se vetëm fati e deshi që ato armë të largohen nga shtëpia vetëm një orë para se të vinin forca të mëdha policore dhe paramilitare serbe që e rrethuan këtë shtëpi e bastisen dhe pasi nuk gjetën asgjë pa një pa dy ia futën flakën dhe e dogjën me themel. Nisur nga fakti se dritarët e informacionit në Kosovë ishin të mbyllura për shqiptarët, shokët e luftës e lutën Jahë Sadriun që të filloi luftën me pendë në dorë, përkatësisht që të vazhdoi dërgimin e lajmeve për zërin e Amerikës. Edhe pse i rrezikuar në çdo hap se ai mund të arrestohet Jaha me shkrimet e tij kishte tmerruar armikun, i cili kishte aktivizuar aparatin e tij për ta zënë e arrestuar këtë njeri shumë të rrezikshëm për ta. Nuk kaloi kohë e gjatë dhe Jahë Sadriu u kap nga sigurimi serb vetëm pesë minuta pasi e kishte dërguar një informatë për Zërin e Amerikës ku bënte fjalë për tmerrin që po shkakton okupatori serb në fshatrat e Rekës së Keqe. Kjo ndodhi me 24 prill 1998. Nga kjo ditë e deri me lirimin e tij dy vjet pasi Kosova fitoi lirinë Jahë Sadriu kishte përjetuar tërë arsenalin e tmerreve të torturës që di t’i përdorë një regjim sikurse që ishte ai fashist serb. E kishin rrahur deri sa ishte alivanosur, pastaj i kanë hedhur ujë për të ardhur pak në vete dhe për të vazhduar sërish me goditjet e tyre të pamëshirshme me shqelma, grushta, shkopinjë druri e gome. As natën e as ditën nuk e kishin lënë që të bëj më shumë se dy orë gjumë, duke kërkuar nga ai që të tregoj se me cilët ushtarak të SHBA-ve ishte në kontakt deri në ditën e burgosjes. Këto maltretime e veprime çnjerëzore Jahë Sadriu i përjetoj një kohë në Gjakovë, pastaj në Prizren, Pejë si dhe në Burgun e Dubravës. Në Dubravë sikuse edhe të burgosurit tjerë shqiptarë përjetoj egërsinë e policëve serb pas bombardimit të NATO-së, që ia bëri pavioneve të këtij institucioni që në atë kohë ishte shndërruar në grumbullimin e shqiptarëve nga të gjitha anët e Kosovës për të shërbyer, në rend të parë, si mburojë e caqeve të Aleancës Veriatlantike e më pastaj për të shprazur tërë urrejtjen patologjike që kanë kundër shqiptarëve. I plagosur në bark, Jahë Sadriu kishte parë me sytë e tij kasaphanën që kishte krijuar policia serbe duke vrarë e plagosur qindra njerëz të robëruar. Punëtorët e sigurimit i kishin thënë se ai kurrë nuk do të lirohet nga burgu deri sa atyre t’iu mbushet mendja për ta vrarë. Dhuna e shfrenuar çetnike nuk mundën në asnjë moment të thejnë shpirtërisht këtë njeri me zemër të madhe.
Jahë Sadriu nga ne u nda vetëm fizikisht sepse vepra e tij e madhe do të mbetët e pranishme për jetë e mot.
Pse Thaçi e jo Isa?
Opinion Nga XHAVIT ÇITAKU/
“ Kur thehet qerrja, rrugë gjenden sa të duash”, thotë një fjalë popullore. Edhe me rastin e përfundimit të zgjedhjeve nacionale në Republikën e Kosovës dhe të fitores së PDK-së mund të gjenden lloj-lloj arsyetimesh se përse ndodhi kjo e jo ndryshe. Sado që kishte një optimizëm të madh në taborin e opozitës dhe jo vetëm të saj se kësaj radhe do të ndodhin ndryshime, sovrani votoi ndryshe dhe si parti e parë doli ajo e Thaçit. Po përse fitorja e PDK-së erdhi në shprehje edhe kësaj radhe? Mendoj se, në rend të parë, LDK gaboi rëndë duke e nominuar për Kryeminister Isa Mustafën i cili humbi në zgjedhjet lokale dhe atë Kryeqendrën e Kosovës, në të cilën që nga paslufta fitorja e kësaj partie ishte e padiskutueshme. Dhe të garon për kreun e qeverisë një personalitet që i humbi zgjedhjet lokale, kjo është një gjë paradoksale. Barrën e përgjegjësisë për këtë rezultat të pafavorshëm sigurisht se e mbajnë të gjithë ata që e sollën në krye të LDK Isa Mustafën dhe që e përkrahen që në një fitore eventuale ai të zgjedhet Kryeministër. S’do mend se edhe lakmia e liderit të LDK-së për të qenë në krye të qeverisë së ardhshme e bëri të vetën.
Fushat e vakët e LDK-së
Sipas analistëve lideri i PDK-së Hashim Thaçi nga shkurti i këtij viti nisi një fushatë të suksesshme dhe lirisht mund të thuhet të kulturuar dhe përfundimisht bindëse me faktin, që siç duket, në taborin e tij kishte edhe këshilltarë ndërkombëtar. Në mënyrë të qetë vizitoi biznese, fshatra e qytete, u takua me qytetarë në rrugë e rrugica në mbarë Kosovën, ofroi programin e tij “ bombastik” të misionit të ri dhe nuk i linin përshtypje kritikat, ofendimet, sharjet që vinin nga kundërshtarët politik dhe vartësve të tyre. Në këtë luftë për të bërë ndryshime, ishin futur edhe shumë gazeta e portale, që dorën në zemër, kanë ndikuar që fitorja e PDK-së të mbetët në këtë nivel çfarë është n ë këtë moment. Pra, po të mos ishte kjo propagandë aq shumë e sinkronizuar nga këto media dhe portale, por edhe të disa dështimeve që ishin të pranishme gjatë qeverisjes, PDK do kishte shënuar suksese më të mëdha në shkallë vendi. Isa Mustafa gjatë fushatës nuk ofroi alternativa bindëse , por vetëm sa i përcillte premtimet që i bënte kundërshtari kryesor politik i tij Hashim Thaçi. Në të vërtetë, derisa, për shembull, Thaçi premtonte 200 mijë vende të reja pune, duke u mbështetur në “ Fondin e Punësimit”, Mustafa premtonte 120 mijë por pa e arsyetuar konkretisht se si do të realizohet ai premtim që është vital për popullin e Kosovës. LDK dhe lideri i saj, po ashtu, shumë kohë shpenzuan edhe në kritika për një qeverisje të dobët të udhëhequr nga PDK, që siç dukët, tashmë votuesit janë bërë imun ndaj këtij fenomeni që është bërë rutinë e çdo partie politike. LDK-në nuk e ndihmuan as prurjet, jo edhe cilësore, por as ndihma që erdhi nga Gjermania e Donika Gërvalles. Sille kah të sillesh, fajtor për humbjen e LDK-së është vetë lideri i saj Isa Mustafa dhe nëse i përmbahet fjalës se në rast humbjeje do të jap dorëheqje atëherë mbetët që LDK të gjej një lider që do të mund të vërtetë ta freskoj këtë parti me kuadro kredibile që do të dinë ta udhëheqin dhe të korrin suksese në të ardhmen. Kjo garnitur politike rreth kësaj partie nuk premton më asgjë, ndaj edhe duhet të shkoj së bashku me liderin e saj, duke përjashtuar disa personalitete me perspektivë që i ka në mesin e saj.
Pse vetëvendosja duhet gjithsesi të mbetët në opozitë?
Një sukses të konsiderueshëm në këto zgjedhje pa dyshim se e arriti “ Vetëvendosja”, e cila duke u kalitur në procesin politik jo edhe aq të gjatë, arriti që të dyfishoj numrin e votave dhe të numrit të delegatëve në Kuvendin e Kosovës. Kjo parti dhe lideri i saj Albin Kurti në masë të madhe ndryshuan mënyrën e të vepruarit, përkatësisht nga protestat e nëpër rrugë zgjodhën kundërshtimin e tyre nëpërmjet institucioneve shtetërore, por edhe në bisedë të drejtpërdrejtë me qytetarin. Fushata ishte mjaft e koordinuar dhe me programin e saj mjaft të pasur i binden votuesit se edhe kjo parti është alternativë që mund të bëj ndryshime edhe në aspektin nacional, edhe ekonomik, kulturor, sportiv etj. Mendoj se në të gjitha kalkulimet për formimit të qeverisë, Vetëvendosja duhet të mbetët në opozitë për shkak se asnjë parti as ajo fituese, por edhe LDK nuk mund të i shmangën bisedimeve me Beogradin, ndërkaq në anën tjetër kjo parti që nga fillimi ishte kundër këtyre bisedimeve, por edhe marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sukses mund të quhet edhe hyrja e Nismës në parlament por kjo nuk i përmbushi synimet për më shumë ulëse në Kuvendin e ardhshëm. Kjo mund të hyj në çfarëdo koalicioni të mundshëm se edhe ashtu nuk do të këtë ndonjë perspektiv në të ardhshmen. Për “ gjynah mbeti AKR përkundër një programi mjaft ambicioz ekonomik që pati.
Lideri i “ Demokratëve suedez” pengohet të mbaj tubime
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Geteborg, 14 maj- Mediat suedeze bëjnë me dije se grupi i “ Demokratëve suedez” që kishin ardhur në sheshin e qytetit të Karlstadit për të mbajtur një takim në kuadër të zgjedhjeve parlamentare evropiane është penguar ta bëj një gjë të tillë nga kundërdemonstruesit dhe kësisoj lideri i saj Jimmie Okesson kishte mundur të flasë vetëm herë pas here. Ishte një çrregullim i ndjeshëm në sheshin e këtij qyteti dhe shi për këtë janë arrestuar 15 persona, njofton policia.
Ishte planifikuar që lideri i kësaj partie të flasë deri kah ora 22, mirëpo protestues të shumtë që kishin dalë në sheshin e këtij qyteti e kishin ndërpre me fishkëllima e britma të zëshme dhe ishte e pamundur që ai të vazhdoi fjalimin e tij.
“ Deri në ora 22 kishim leje që të vazhdojmë aktivitetin tonë, mirëpo ne u dashtë ta braktisim Karlstadin pa pasur sukses të përfundojmë tubimin e planifikuar. Këtë e bëmë pa dëshirën ton” ,tha lideri Jimmie Okesson. Sipas policisë në këtë shesh kishin dalë 300- 400 protestues qëllimi i të cilëve ishte që ta shqetësojnë liderin e “ Demokratëve suedez” për të mos mbajt takim në Karlstad.
Kjo është dita e dytë radhazi që Jimmie Okesson pengohet të mbaj takim me anëtarët dhe simpatizuesit e partisë së tij. Pardje ai u pengua të mbaj takim në qytetin e Geteborgut. Partia e “ Demokratëve suedez” iu përket krahut të partive ekstremiste, ndaj sa herë që ajo tenton të mbaj tubime has në pengesa të tilla. Nganjëherë ndodh që të këtë edhe konfrontime mes dy grupeve kundërshtare, ku përdorën gurë e gjëra të tjera të forta, por edhe mjete të tjera që shkaktojnë plagosje serioze.
- « Previous Page
- 1
- …
- 10
- 11
- 12
- 13
- 14
- 15
- Next Page »