Nisur nga një hulumtim i bërë nga gazeta suedeze “Svenskadagbladet” dhe Fondacioni Exspo, në zgjedhjet për parlamentin evropian që do të mbahen me 25 maj, pra edhe dy javë të plota, partitë ekstremiste do të marrin mandate më shumë se asnjëherë më parë/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Partitë e krahut të majtë dhe të ekstremit të djathtë janë duke u zhvilluar si një forcë që në të ardhmen duhet të llogaritet në to. Sipas një hulumtimi të bërë nga gazeta autoritative suedeze “ Svenskadagbladet” dhe Fondacioni Exspo në zgjedhjet parlamentare të BE-së që do të mbahen kah fundi i këtij muaji, shihet se këta dy krah do të fitojnë mandate më shumë se asnjëherë më parë. Zaten, një sukses i tyre në rrugën e depërtimit të vendosjes së parlamentarizmit evropian shtrojnë edhe pyetjet: Kush janë ata? Çfarë kërkojnë ata? Cili është suksesi i tyre.
Pikërisht këto pyetje dhe shumë çështje të tjera që lidhen më këtë problematikë kishin shtyrë këtë medium dhe këtë Fondacion që t’i rrekën kësaj çështjeje apo më mirë me thënë këtij realiteti të hidhur, në mënyrë që të kuptohet më shumë ky fenomen politik shumë i diskutueshëm në kohën e sotme. Në faqen e hapur posaçërisht për këtë fenomen të përgatitur nga Exspo, përfshihet një përmbledhje e plotë dhe unike të të gjithë krahut të majtë dhe të krahut të djathtë populist si kandidatë për Parlamentin Europian. Në këtë faqe paraqitën të dhënat e rezultateve të zgjedhjeve në njëzet vjetët e fundit në mënyrë që të tregohet imazhi i populizmit të djathtë në BE dhe ekstremizmit të krahut të djathtë si një fenomen unifikues me gjithë kompleksitetin e saj të natyrshëm.
Partitë populiste të djathta janë ato që kombinojnë; ruajtjen e hegjemonitetit kulturor dhe etnik; Auktoritarizmi”- besimi në një shoqëri të organizuar në mënyrë rigoroze duke kërkuar ligjin dhe rendin për realizimin e synimeve të tyre; partitë që pohojnë se përfaqësojnë një popull të shtypur kundër një elite multikulturale. Këso partish sot veprojnë në disa shtete si për shembull “ Demokratët suedez”, Partia Popullore Daneze, Partia e Vërtetë Finlandeze, “ Definicioni politik shkencor CAS MUDDES i Holandës etj.
Përtej këtyre partive gjendet partia e krahut të djathtë ekstrem NPD- ja gjermane. Ata që përbëjnë këtë formacion politik janë palë të lidhura në shkallë të ndryshme me traditat fashiste të mendimit dhe të simbolizimit.
Fjala ekstremizëm është fjalë e hapur. E djathta në të këtë kontekst nuk thotë asgjë lidhur me politikat ekonomike të partive, të cilat në të shumtën e rasteve janë të orientuara në të majtë, por në vend të kësaj vizioni i tyre i vazhdueshëm synon ultra- konservatizmin e demokracisë, lirisë, respektimin e minoriteteve dhe idenë e barazisë njerëzore. Programi i këtyre partive ndryshon në shumë pika. Mirëpo, gjatë veprimtarisë së tyre ato përkujtojnë njëra- tjetrën. Ata të gjithë së bashku përfaqësojnë një forcë politike, që në shumicën e rasteve janë kundër projekteve të BE-së, i cili dëshiron për të kufizuar emigracionin në Europë nga shtetet tjera jashtë këtij unioni dhe shumë herë duke folur për të njëjtin problem me të njëjtin lloj të retorikës. Ata shkojnë në zgjedhje me një ëndërr të një Europe krejtësisht të ndryshme nga ajo siç BE është munduar të krijohet kësisoj çfarë është sot.
Mos do të jetë kjo një ëndërr e një fundi të Europës?
Dënimet me vdekje në Egjipt në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare
Një numër kaq i madh i të dënuarve me vdekje nuk është parë e as që ka ngjarë në këtë kohë moderne të funksionimit dhe aplikimit të së drejtës, theksojnë shumë organizata shtetërore e ndërkombëtare për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Procese të shumta gjyqësore dhe dënimi me vdekje i qindra pjesëtarëve të vëllazërisë myslimane nga gjyqësori në Egjipt pa dyshim se është në kundërshtim të plotë me të gjitha normat dhe ligjet pozitive të të gjitha shteteve, por edhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Dënimi i një numri kaq të madh të këtij grupacioni politik nuk është parë e as që ka ngjarë në këtë kohë moderne të funksionimit dhe aplikimit të së drejtës. Në këto procese gjyqësore u dënuan me vdekje edhe lider të lartë të vëllazërisë myslimane, të cilët më së shumti i ngarkonte akuza për vrasje.
Dënimet kapitale që janë dhënë nga “ drejtësia egjiptiane” nga të gjitha shtetet demokratike, ndër to edhe SHBA-të, pastaj nga organizatat e ndryshme për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, janë kundërshtuar me gjithë forcën dhe kanë kërkuar nga autoritet e këtij shteti që të ndërprejnë këtë valë të represionit të ashpër politik. Indinjata dhe mllefi i këtyre shteteve dhe organizatave është aq më i madh, në rend të parë, që të akuzuarve, tash të dënuarve, nuk iu dha mundësia për ta mbrojtur vetën, që flet edhe njëherë se këtu nuk bëhet fjalë për drejtësi, por për një fushatë të egër të këtij regjimi kundër pjesëtarëve të vëllazërisë myslimane. Nga të gjitha informacionet, reagimet dhe kundërshtimet e bëra deri me tani, proceset gjyqësore në këtë shtet shihen si një shkallëzim i qeverisë e mbështetur fuqishëm nga ushtria. Apo thënë më mirë, nga rrëzimi i presidentit Muhamad Mursi në korrikun e vitit të shkuar ushtria e këtij vendi shumë ashpër ka ndërhy për shpartallimin e kësaj lëvizjeje myslimane, e cila thellësisht është konzervative e jo revolucionare.
Të ballafaquar me ndjekje të vazhdueshme të policisë e ushtrisë egjiptiane liderët kryesor të kësaj lëvizjeje ose kanë ikur në ekzil ose janë të dënuar. Deri me tash janë vrarë mbi 1400 persona nga fillimi i dhunës të vitit të kaluar, shifra këto të publikuara nga Amnesty International. Vëllazëria myslimane konsiderohet si një organizatë terroriste, e cila sipas autoriteteve egjiptiane qëndron prapa një sërë sulmesh terroriste që po ndodhin në këtë vend. Megjithatë, siç duket, fryma e vëllazërisë myslimane nuk mund të shuhet edhe me metoda më të vrazhda që po përdorë regjimi i këtij shteti. Në të vërtetë, tash për tash është i pranishëm një grup i madh i të rinjve të cilët dëshirojnë të fillojnë një metodë tjetër të funksionimit dhe punës të kësaj lëvizjeje. Sa e sa herë është argumentuar se dhuna prodhon dhunë, por shembulli i këtyre të rinjve hedh në pah mençurinë e tyre se duhet përdorë metoda tjera për t’i ikur derdhjes së mëtejme të gjakut, dhunës, burgimit, dënimit etj.
Në fund vlen të theksohet se reagimin më të ashpër deri me tash e kanë bërë SHBA-të, organizata Human Watch Right, Amnesty International, Komisioni për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut i Kombeve të Bashkuara me seli në Gjenevë dhe shumë shtete e organizata tjera anëkënd rruzullit tokësor.
Putin politikani më i pasur në botë
Sipas gazetës suedeze “ Aftonbladet” pasuria e presidentit rus arrinë shumën mbi 200 miliardë dollarë. Pasuria e tij është aq mirë e fshehur sa që nuk mund të zbulohet me metoda tradicionale ligjore/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Geteborg 30 prill- Gazeta autoritative suedeze “ Aftonbladet”, duke u bazuar në burime të ndryshme botoi një artikull lidhur me personalitetin e e Kryetarit rus Putin, për të cilin thotë se është politikani më i pasur në botë. Vlera e pasurisë së tij arrinë mbi 200 miliardë dollarë.
Si arriti deri të kjo pasuri enorme
Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Rusia ishte një vend i lirë, mirëpo njerëzit e “ mëdhenjë” filluan të shtyhen me bërryla të mprehtë. Në të vërtetë, oligarkët, shumë prej tyre miqë të Putinit, rrëmbejnë pasuri të mëdha. Dhe vetë ishte Putini i cili pohon se Bashkimi Sovjetik “ ishte katastrofë e madhe gjeopolitike e kohëve moderne” duket se nuk kaloi keq. Sipas liderit të opozitës liberale, Boris Nentsov, Putini qendron mirë e rehat për më shumë se 200 miliardë dollarë. Një prej miqëve të Putinit, Gennady Timtjenko, objekt i sanksioneve nga SHBA-të, iu desh t’ia shes 43 për qind të aksioneve të Kompanis “ Gunvor”suedezit Torbjyrn Tornqvist, i cili edhe ishte njëherit edhe aksionar i kësaj kompanie. Kjo kompani e fuqishme, që merret me shitjen e vajit, druve dhe metaleve, gjatë vitit të kaluar kishte një qarkullim të përgjithshëm prej mbi 92 miliardë dollarë dhe se për këtë, siq thonë përfaqësuesit e “ Gunvor”, Putini nuk e mori edhe një lek të vetëm.. Megjithatë, sipas New York Tmes, Putini ka një interes të madh në “ Gunvor” si dhe qasje të madhe në asetet e kësaj kompanie. Përkundër kësaj, qeveria amerikane nuk e ka konsideruar si të arsyeshme për të ngrirë pasurinë e tij për shkak se ndoshta një vendim i tillë do të mund të shkaktonte “ përshkallëzim” të marrëdhënieve në mes të këtyre dy vendeve.
Putin hedh poshtë thashethemet
Gazeta “ Aftonbladet” më tej ndër të tjera thekson se sipas Departamentit të Kremlinit, Putin gjatë vitit të kaluar kishte fituar 102.000 dollarë apo thënë më mirë jo më tepër se një menagjer i mirë i paguar në një gazetë të madhe suedeze. Vetë Putin gjithmonë ka hedhur poshtë thashethemet për pasurin e tij. Presidenti rus edhe sa ishte Zëvendëskryetar i Shën Petersburgut gjithmonë e bër të sigurt faktin që edhe ai të marrë një “ copë byrek”. Pas luftës në Irak në vitin 2003 u gjetën dokumente që treguan transferime të mëdha për bashkëpunëtoret e ngusht të Putinit, shefit të tij të stafit dhe zyra e Presidentit.
Gary Kasparov, kampion legjendar i shahut, thët se pasuria e Putinit është aq mirë e fshehur sa që shumë vështirë është të zbulohet me metoda tradicionale ligjore. “ Unë jam i sigurt se ata do ta gjejnë, por me këtë rast duhet të thehen disa rregulla për të qenë i suksesshëm me të”, thotë ai. Kështu ndër të tjera thuhet në artikullin e kësaj gazete suedeze.
Sa është lënë ” pas dore” Siria nga fillimi i krizës në Ukrainë?
Numri i refugjatëve në Liban arrin shifrën prej mbi një milionë sirianë që përbënë një të pestën e numrit të përgjithshëm të këtij vendi.- Kushtet e strehimit janë jashtëzakonisht johumane, që as përafërsisht nuk i plotësojnë as kushtet higjienike e të mos flasim për ndonjë shtrat apo ushqim që është i pamjaftueshëm/
Nga XHAVIT ÇITAKU
Informacionet që arrijnë nga vendi i futur në luftë civile- Siria janë tronditëse dhe siç duket kjo gjendje nuk po ua tërheq vëmendjen në nivel të duhur perëndimit dhe shteteve tjera të fuqishme, të cilat këtë shtet e kanë lënë “pas dore” duke mos gjetur ndonjë zgjidhje bile të përkohshme nëse për asgjë tjetër, për hirë të atyre miliona njerëzve që tash e një kohë të gjatë jetojnë nën kërcënimin e armëve të kalibrave të ndryshëm e deri të ajo gjendje që ka raste kur vdesin edhe nga uria. Shkas për këtë sigurisht se është gjendja eksploduese në Ukrainë, e cila mund të këtë pasoja të rënda jo vetëm në rajon por edhe më gjerë. Ç’është e drejta, varësisht nga rëndësia dhe pesha që mund të këtë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar një rajon i krizës, perëndimi dhe SHBA-të është ajo forcë që vlerëson me këtë rast se përparësi duhet dhënë zgjidhjes së atij problemi dhe atë sa më shpejt që është e mundur në mënyrë që të pengohet përshkallëzimi i situatës. Këtë përparësi dhe fokus të interesimit tash për tash e ka Ukraina e ballafaquar me aneksimin e territorit të saj nga Rusia hegjemoniste, e cila ka pretendime territoriale edhe ndaj shteteve të tjera fqinje. Megjithatë, do theksuar se ka vend për një angazhim e aktivitet diplomatik, politik dhe humanitar edhe për Sirinë të kapluar nga flakët e luftës, për të cilën gjë tregojnë informacionet që arrijnë nga vendi i ngjarjes e sidomos brengos braktisja e vendit e një numri jashtëzakonisht të madh të sirianëve. Sipas të dhënave më të reja mbi një milionë refugjatë nga Siria kanë ikur dhe janë vendosur në Liban. Gjysma e tyre janë fëmijë. Ky numër kaq i madh i këtyre refugjatëve përbënë një të pestën e numrit të përgjithshëm që ka ky vend fqinjë i Sirisë. Gjendja e këtyre njerëzve me halle të mëdha është e mjerueshme sepse është e pamundur që të gjendet ndonjë strehim që do të mund të shtyhet një ditë në tjetrën. Në të vërtetë, në vendet ku ata janë të strehuar mbretëron një gjendje johumane. Ata janë të vendosur nëpër kthina e pjesë tjera të papërshtatshme që as përafërsisht nuk i plotësojnë as kushtet higjienike e të mos flitet për ndonjë shtrat apo ushqim të mjaftueshëm. Familjet me fëmijë të vegjël janë shumë të dëshpruara për shkak se përkundër përpjekjeve maksimale për të gjetur ndonjë banesë qoftë edhe njëdhomëshe, këtë nuk po e arrijnë dot, ngaqë kapacitet e Libanit janë shumë të kufizuara për t’u dalë ballë këtyre kërkesave enorme. Nga kjo gjendje alarmante në kampet e refugjatëve lexojmë edhe një lajm tjetër tmerrues që e kanë shënuar agjenci të ndryshme të lajmeve. Fjala është për një grua e cila tenton të bëj vetëvrasje duke ia futur vetës flakën në shenjë proteste për mos afrimin e ndihmës së nevojshme për burrin e saj shumë të sëmur. Po ashtu rrëfimi tjetër është edhe më tmerrues kur një familje shtatëanëtarëshe u mbyt në det në përpjekje për të ikur nga ajo gjendje katastrofale që mbretëron në Siri.
Libanezët po e bëjnë të pamundurën për t’iu dalë në ndihmë fqinjëve, por humbjet e mëdha në ekonomi në shumë prej një miliardë e 700 mijë dollarësh gjatë vitit të kaluar , që janë pasojë e kësaj situate lufte në Siri, është e pamundur që të ndihmohet më shumë kjo popullatë. Turistët nuk e vizitojnë më këtë shtet nga frika se mos po iu ndodh më e keqja, ndërsa investitorët e huaj as që shprehin ndonjë interesim për të ngrit farë objekti ekonomik në këtë vend.
Njerëzit në Siri vazhdojnë ta braktisin vendin dhe t’ ia mësyjnë shteteve në kontinente të ndryshme, ndërkaq, të dhënat më të reja të organizatave për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut bëjnë me dije se deri me tash mbi 150 mijë veta kanë humbur jetën, prej tyre mbi tetë mijë janë fëmijë. Lufta në këtë vend ka hyrë në vitin e saj të dytë të tragjedisë. Dhe gjatë kësaj kohe fëmijët sirianë nuk përjetuan diçka më të mirë pos këtij tmerri, ndaj edhe një gjeneratë e tërë do ta humb perspektivën nëse faktori ndërkombëtar nuk reagon fuqishëm. Është e palogjikshme që Libani të bart vetëm këtë barrë kaq të rëndë të kësaj katastrofe humanitare. Ndërgjegjja po peshon mbi “ kokën” e të gjithë atyre që mund të ndihmojnë këtë popull.
Dhe krejt në fund. Lexova edhe këtë: të shkruash për islamistët dhe terroristët, kjo shkon mirë, për shkakun se kjo në asnjë rrethanë nuk parashikon një luftë të përgjithshme botërore. Sigurisht se lufta civile në Siri nuk rrezikon paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar, por në këtë rast kemi të bëjmë, në rend të parë, me veprime e aktivitete humane që duhet të ndërmerren për të shpëtuar atë popullatë nga ai tmerr që nuk i dihet e as shihet fundi.
Filozofija e nacionalizmit mistik të Putinit
Veprimet e fundit por edhe ato të mëparshme të Putinit e kanë bërë shumë të kujdesshëm Kryetarin e SHBA-ve Barak Obama që të mos e thirrë Rusinë për t’iu bashkuar “ fuqisë rajonale” dhe kështu mund të konstatohet se këta burrështetas nuk janë partner të barabartë/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Samiti i mbajtur në Gjenevë në mënyrë të qartë dëshmoi përfshirjen e drejtpërdrejtë të Rusisë në territorin e Ukrainës dhe shi për këtë partnerët u pajtuan që të filloi plani i çarmatimit të grupeve të armatosura pro- ruse që i kanë zënë ndërtesat qeveritare në pjesën lindore të këtij vendi. Mirëpo, separatistët pro- rus nuk duan t’i ulin armët. Ndaj, shlirshëm mund të thuhet se situata në Ukrainë është serioze. Shumë serioze.
Tani pretendohet se lufta e ftohtë është rikthyer. Këtë term e kemi të njohur tash e njëzet vjet më parë. Rritje tensioni mes Rusisë e Perendimit mund të jetë një shenjë alarmante. Nga shumë debate që po zhvillohen lidhur me krizën e kapluar nga aneksimi i territorit ukrainas nga Rusia , vlen të përmendet ai që po zhvillohet nga intelektualët gjerman të cilët me të drejt pyesin nëse Gjermania është në të vërtetë shtet perëndimor apo lindor. Ç’është e drejta, për shumë njerëz në perëndim krahasimet e gjendjes aktuale janë në shpërpjesëtim me pretendimet se tani kemi të bëjmë me rikthimin e Luftës së Ftohtë sepse , nëse mund të thuhet kështu, konflikti i fundit i madh është “ “ fituar” nga perëndimi. Putini është ai që Luftën e Ftohtë e ktheu prapa, por në të njëjtën kohë edhe Rusinë e ktheu prapa. Sa mund të jenë të sakta pohimet se Putini “ mbanë mend shumë deri sa ishte punëtor i shërbimit sekret KGB, për poshtërimin rus gjatë kolapsit ekonomik, pastaj grabitjet oligarkike dhe zgjerimi i NATO-s deri në kufijtë e Rusisë që është një dimension që flet shumë për fillimin e kësaj krize. Dhe shtrohet pyetja se në këtë situatë të imponuar nga Rusia a mund të jenë si partner të barabartë kryetari i SHBA-ve Barak Obama dhe ai rus Vladimir Putin. Zatën, kjo është arsyeja kryesore pse Obama tregohet kaq i kujdesshëm për të thirrur Rusinë për “ fuqi rajonale. Pra, sillesh kah të sillesh Rusia nuk mund të jetë një partner i barabartë as i perëndimit e as i SHBA-ve.
Putin përpiqet me siguri të “gatuaj” diçka vet, por edhe të marrë diç edhe nga filozofët e vjetër rusë. Pra, filozofia e tij është nacionalizmi mistik i kohës kur Rusia ishte bashkësi e shpirtërave. Historiografia e komunizmit e mbërthen veprimin e Putinit dhe asesi një formë e nostalgjisë kombëtare si një ëndërr e një rusi që besonte në diçka. Fakt është se simitizmi i Putinit nuk është një histori e madhe e botës. Kjo, në të vërtetë, është një histori që ka të bëj me vetë Rusinë.
Prapë po i kthehemi Luftës së Ftohtë. Ka mbaruar ajo, apo është aktuale edhe tani. Mendoj se ajo ka mbaruar që moti dhe është “ fituar” nga perëndimi, sepse ajo çka shihet e po ndodh është diçka tjetër. Kuptohet, ideologjitë e perëndimit dhe lindjes janë diametralisht të kundërta, por lidhjet e tyre ekonomike janë të forta. Tash edhe Rusia edhe SHBA-të janë më të forta se sa ishin dikur, edhe moralisht edhe financiarisht. Historia në këtë rast nuk mund të përseritet. Kjo mund të jetë një “ triller spiunazhi”, por një “ triller spiunazhi” i formës së re.
Dhe krejt në fund. Mafiozët rusë dhe oligarkët mund të ndërhyjnë si “ djem e burra” të këqinj kudo e kurdo në territorin e tyre sepse kjo i takon natyrës së fuqisë dhe ideologjisë së pushtetit të tyre i përcjellë me karakterin e tyre të pastër të lakmisë. Është vështirë për të përshkruar më shumë dimensionin e mafiozëve rusë të goditur nga “ paratë” në shuma miliardësh. Sigurisht se në këtë punë është e përzier edhe qeveria e regjimit rus dhe për të çorientuar popullin nga kapitullimi ndaj kësaj strukture të rrezikshme, Putini zgjodhi aneksimin e Krimës, por ndoshta edhe pjesëve tjera të Ukrainës. Nuk është vetëm kjo. I ardhur në pushtet sipas dëshirës së tij me ndërrim funksionesh sikur të ishte pronë e tij, populli rus nuk e pëlqeu këtë dhe është e natyrshme se e dënon këtë me gjithë forcën. Thënë konkretisht, reputacioni i tij kishte rënë në pikën më të dobët dhe për ta ngritur atë u deshtë të aneksoj toka të huaja. Kësisoj kishte vepruar edhe Daçiqi me prangimin e dy policëve kufitar të Kosovës dhe arrestimit e dënimit me burgim të shumë qytetarëve të pafajshëm të Luginës së Preshevës. Kësaj i thonë politikë sllave. Caku qëllohet në taborin e huaj. Dhe siç dukët këto aktivitete çmendurake po “hutojnë” popullin për t’ua dhënë votën e për t’i përkrahur haptas. Edhe ky është një nacionalizem mistik sllav apo jo. Po ashtu edhe historiografi e komunizmit.