• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mergata ne Suedi- SHSHKSH “ Papa Klementi i XI Albani”, Sesion Shkencor në Universitetin e Lundit

May 29, 2016 by dgreca

                                          Aktivitete në shërbim të kombit dhe atdheut/

Mbajtja e sesionit të pestë shkencor në ambientet e Universitetit të Lundit është një nder i madh jo vetëm për shoqatën e shkrimtarëve, por edhe për vendin tonë, Republikën e Kosovës, aq më shumë kur kihet parasysh fakti se ky tempull i dijes dhe shkencës së shpejti kremton 350 vjetorin e punës

Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/

Në ambientet e Universitetit të Lundit të Suedisë sot u mbajt sesioni shkencor i pesti me radhë i organizuar nga SHSHKSH “ Papa Klementi i XI Albani”, në të cilin u trajtuan tema të rëndësishme lidhur me aktivitetin shumëvjeçar të zhvilluar të mërgatës shqiptare në këtë vend skandinav si dhe të një pune të madhe që po bëjnë krijuesit e këtij asosacioni në botimin e librave të shumtë të zhanreve të ndryshme si dhe në fusha të  tjera të rëndësishme të artit e kulturës, në të cilat tashmë ata kanë bërë emër. Pos krijuesve të shumtë që erdhën nga vende të ndryshme evropiane, në këtë eveniment mori pjesë edhe Frederik Shyberg, prorektor dhe dekan i fakultetit Ekonomik,  nënkryetari i Komunës së Lundit , Holger Radner , Naim Mehmeti, ambasador i Maqedonisë në Mbretërinë e Danimarkës, Besnik Camaj, nënkryetar i Lidhjes së krijuesve Shqiptarë për Mërgatë, krijues dhe profesor i inxhinierisë kompjuterike në Universitetin e Cyrihut të Zvirës.   Emërues i përbashkët i të gjitha temave të shtjelluara në këtë eveniment ishte se mërgata shqiptare është një thesar i çmuar i qytetërimit të kombit shqiptar, e cila me mençuri, me shkathtësi të mendjes dhe me një freski të shpirtit diti aq mirë që të lartësoj aq bukur kulturën, historinë e traditat shqiptare edhe në dhe të huaj. Thënë konkretisht, komuniteti shqiptar jo vetëm në skandinavi, por edhe gjithandej i vendosur në të gjitha kontinentet  ishte jashtëzakonisht mirë i organizuar dhe dha kontribut të madh në sensibilizimin e situatës së rëndë në kohën e okupimit klasik nga Serbia, në grumbullimin e mjeteve në Fondin e Trepërqindshit, mbajtjen e familjeve në Kosovë, në shërimin e të sëmurëve dhe zgjidhjes së shumë vështirësive në të cilat gjendej populli i Kosovës dhe së fundi edhe me pushkë në dorë luftoi për çlirimin definitiv të Dardanisë. I gjithë ky sukses i mërgatës shqiptare në Suedi, sot po kurorëzohet  me dy numra të rinj të librit i titulluar “ Thesari Kombëtar i mërgatës shqiptare” në Suedi”. Sesionin e pestë shkencor në emër të Kryseisë dhe kryetarit Hysen Ibrahimi, e shpalli të hapur Prof. Osman Ahmetgjerkaj, kurse e drejtoj këtë sesion me sukses znj. Saranda Iséni.

         Përkrahja e ndihma e popullit suedez për komunitetin shqiptar është e madhe

Një fjalë rasti me këtë rast e mbajti  Hysen Ibrahimi, kryetar i kësaj shoqate, i cili ndër të tjera foli rreth punës së madhe që po bënë ky asosacion në fushën e krijimtarisë dhe në mbledhjen e materialeve rreth aktivitetit e punës së madhe atdhetare, kulturore, humanitare që ka bërë komuniteti shqiptar vite me radhë, aktivitet ky që po përmblidhet në librat të titulluar “ Thesari Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”. Më pas ai shtoi se njeriu krijues është dëshmia më e mirë i prezentimit të kulturës së një kombi dhe më të drejt mund të thuhet e konstatohet se libri i parë identifikues është fjalori, ndaj edhe mund të themi se libri i parë indentifikues i shqiptarëve të Suedisë është ” Thesari Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”. Dhe me të drejt mund të thuhet se çdo faqe e këtij libri është biografi, që dëshmon se shqiptarët me origjinë Ilire janë populli ndër më të vjetrit në Evropë dhe si të tillë ata u pritën shumë mirë nga populli mik suedez. Në të vërtetë, tha në vazhdim Hysen Ibrahimi suedezët iu siguruan kulm mbi kokë komunitetit shqiptar, hapi shkollat në gjuhën shqipe,, ndihmoi shumë në pavarsinë e Kosovës duke e ndihmuar edhe materialisht, sikundër edhe hapi dritarët e informacionit nga mediat e këtushme për sensibilizimin e situatës së rëndë që mbretëronte në vendin tonë, gjithnjë lejoj mbajtjen e protestave, ka mundësuar punësimin e mijëra shqiptarëve, hapi rrugën për shkollim në shkolla të larta e fakultete, ndërsa në vitin 2008 Suedia ishte ndër vendet e para që pranoj pavarësinë e Kosovës. Në fund ai tha se Shoqata e jonë propozon popullit mik të Suedisë t’i ndahet çmimi nobel për paqë, mikëpritje, tolerancë  dhe respektim të të drejtave të njeriiut.

Naim Mehmeti, ambasador nga Maqedonia në Mbretërinë e e Danimarkës, lavdëroi përkrahjen e mbështetjen në të gjitha format që shteti suedez i dha komunitetit të këtushëm shqiptar dhe ndihmës së pakursyer materiale sidomos për Kosovën.

                                 Lundi qendër terheqëse shkencore në Evropën Juglindore

Nënkryetari i Komunës së Lundit, Holger Radner, fjalimin e tij e filloi me një urti të vjetër shqiptare: Pullat i rrinë mirë xhaketës së vjetër duke e ndërlidhur këtë me qytetin e e vjetër të Lundit , i cili është gati për të marrë një hap të ri, ku do të jetë shumë i rëndësishëm qepja e një pulle ari në aspektin zhvillimor në mënyrë që të mbetët një qendër terheqëse shkencore në Evropën juglindore, ku do të investohen rreth 25 miliardë korona suedeze. Andaj dua të them se ky qytet do të këtë nevojë si kurrë më parë për këto pulla ari dhe aty jeni edhe ju të dashur pjesëmarrës të këtij evenimenti. Kultura, arti dhe letërsia janë gjerat më të çmuara që ne kemi ngaqë nëpërmjet tyre i kmei marrë çelësat e dyerve për të tashmën dhe të ardhmen. Në jetojmë në një kohë të trazuar, por Suedia sikundër edheShqipëria dhe shqiptarët kanë bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe në fusha të tjera. Ne duhet të kujdesimi dhe të ushqejmë përvojat e brezave të mëparshëm dhe të shkojm me hapa të sigurt përpara. Ai foli edhe fjal miradije për Shoqatën e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptar në Suedi duke konstatuar se me veprimtarinë e saj ajo po mban gjallë kulturën dhe historinë shqiptare. Dhe frymëzimi më i mirë për këtë mision të rëndësishëm që keni marrë është edhe emri i shoqatës ” Papa Klementi i XI Albani. Ai zbriti historin si një Papë i shkolluar, mbrojtës i artit dhe i shkencës, promotor i bibliotekave dhe ruajtës i arkitekturës romake, përfundoi ai. Ndërkaq, Frederik Shyberg, prorektor dhe dekan i Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Lundit  foli rreth historikut të këtij tempulli dhe punës së suksesshme në fushën shkencore- kërkimore. Pos tjerash ai shtoi se për shkak të një konkurence të madhe në botë, në këtë universitet  vijnë për çdo vit mijëra bashkëpunëtor për të punuar në projektet ë përbashkëta në fusha të ndryshme të shkencës dhe të dijes. Ai permendi edhe një koleg të tij shqiptar që punojnë së bashku dhe nga njëherë edhe ai e ndien vetën shqiptar. Po ashtu, edhe në projektin e madh investiv, që kap shumën e 25 miliardëve, është i angazhuar edhe një ekspert shqiptar. Fjalë miradije tha edhe për student të komunitetit shqiptar që studijojnë në degë të ndryshme.

                               Librat “ Thesari Kombëtar…” vlerësohen si një enciklopedi

Prof.Fetah Bahtiri, Nënkryetar i shoqatës, beri një rikapitullim të përmbajtjes së librave numër pesë e gjashtë. Ai me këtë rast shtoi: Duke lexuar dhe përpunuar materialet që janë të përfshira në Thesarin kombëtar të mërgatës shqiptare në Suedi numër 5 dhe 6, vërej se, sikur edhe në numrat e mëparshëm, edhe në këta dy numra fjala është për një synopsë të aktivitetit dhe veprimtarisë së bashkatdhetarëve tanë në mërgatën shqiptare, e në këtë rast me theks të veçantë në Suedi në shërbim të atdheut. Them kështu për arsye se para njëzet e pesë vjetësh, për shembull, të pakët kanë qenë suedezët që kanë pasur njohuri se ku ndodhet Kosova, e edhe më të pakët kanë qenë ata që kanë pasur dijeni për problemet e Kosovës së okupuar dhe të sunduar nga Serbia.

Por, ndodhi mrekullia! Ndodhi një Vis major. Vis major ishte ardhja e shqiptarëve të shkolluar, të aftë, të përkushtuar që t´i shërbejnë atdheut dhe popullit të vet dhe sa shqiptarë erdhën në trojet suedeze, gati po aq ambasadorë të Kosovës u ndodhën dhe vepruan këtu, duke falënderuar në radhë të parë mirëkuptimit të shtetit demokratik suedezdhe popullit të tij. Ne iu përvishëm punës vrullshëm dhe Suedia e kuptoi shpejt të vërtetën për Kosovën. Shi, tani për këtë veprimtari intelektualërt shqiptarë, anëtarë dhe joanëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi po shkruajnë e po shkruajnë shumë libra dhe dokumentarë duke ndriçuar ngjarjet dhe të vërtetat. Mbi të gjitha qëndron libri Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi, të cilin shumë kritikë letrarë, historianë, doktorë shkencash, akademikë nuk kanë ngurruar ta quajnë enciklopedi.

Kur e nisëm këtë punë në vitin 2011 ne e kemi pas paraparë që t´i nxjerrim 10 numra me materiale e dokumente të ndryshme nga kjo veprimtari. Ja! E kaluam gjysmën e rrugës! Gjer më tani i kemi botuar katër numra dhe, që në fillim të qershorit do të dalin nga shtypi edhe dy numra – numri 5 dhe numri 6. Secili numër më i pasur se tjetri, secili numër më i mirë se i mëparshmi!…

Kësaj radhe në mbi njëmijë faqet e Thesarit… numër 5 dhe 6 ka shumë materiale nga rrugëtimi i veprimtarëve drejt çlirimit dhe lirisë së plotë të Kosovës.

Dua t´i përmend dhe të ndalem pakëz vetëm në dy shkrime: një fragment nga libri im ”Ambasadorët dhe Shërbëtorët” me titullin

”DEMONSTRANTËT TAKOHEN ME KRYEMINISTRIN E SUEDISË, GÖRAN PERSSON.

ÇKA I THANË ATIJ? KËRKOHET NDËRHYRJA E NATO-S EDHE ME TRUPA TOKËSORE”

Fjala është për një demonstratë të madhe të shqiptarëve në qytetin Uddevalla, e cila u mbajtë më 25 mars 1998 kur demonstrantët me këmbëngulje e detyruan Kryeministrin e Suedisë të takohet me ne me ç´rast atij iu dorëzua një letër shumë domethënëse për gjendjen në Kosovë, me kërkesat e shqiptarëve për veprimet të cilat duhej t´i ndërmerrte qeveria suedeze. Letra jepet në original.

Me qenë se në Thesarët kombëtar dëshirojmë ta përfshijmë e tërë gjeografinë shqiptare, kësaj radhe e kemi një shkrim interesant për Kalanë e Ulqinit, për historikun e saj, për mbrojtjen e saj nga dy familje shqitare në kohën moderne kur me këmbëngulësinë e këtyre dy familjeve, Kalaja e Ulqinit nuk u tjetërsua dhe mbeti ashtu si kishte qenë gjatë historisë. Shkrimi është i ilustruar edhe me fotografi të cilat flasin shumë. Kështu, pra, pas përfshirjes së shumë vendeve, krahinave, shteteve, i erdhi radha edhe Malit të Zi që të jetë i pranishëm në Thesarët tanë.

Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi është duke prodhuar shkrimtarë të rinj, krijues të rinj, artistë të rinj! Në Thesarët tanë mund të hasni shkrime të suksesshme edhe nga shumë autorë të cilët janë frymëzuar e ndihmuar nga Shoqata dhe kanë arritur suksese. Kemi disa shkrimtarë që veprimtarinë e shkruarjes së librave e kanë filluar si anëtarë të Shoqatës dhe pastaj kanë dalur edhe me tituj librash në prozë dhe në poezi. Në numrat 5 dhe 6 të Thesarit kombëtar hasim shkrimtarë të rinj që për herë të parë dalin me krijimet e tyre artistike.

Pra, mund të nënvizoj se Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi është duke e kryer misionin e vet në mënyrë të përkyer. Dhe e tëra kjo duke iu falënderuar shtetit suedez i cili na jep mundësi dhe na ndihmon në zhvillimin e veprimtarisë sonë.

Çdo sesion është arritje e madhe e shoqatës

Viron Kona, krijues nga Shqipëria dhe anëtar nderi i kësaj shoqate,ishte i emocionuar që ky sesion po mbahet në palestrën e Universitetit të Lundit  dhe se, jo thjeshtë se çdo sesion shkencor është një arritje e madhe e shoqatës, por edhe sepse ky sesion shkencor mbahet në Lund, njëri ndër qytetet më të vjetër të Suedisë, me një histori mbresëlënëse 1000 vjeçare, qytet ku mbajt në 1658, Traktati i Roskilde, apo kur në 4 dhjetor 1676 u zhvillua Beteja e Lundit; qytet me një Katedrale të ndërtuar rreth 1000 vjet më parë, me një universitet të themeluar në vitin 1666, e ku sot studiojnë mbi 40.000 studentë të cilët përbëjnë edhe më shumë se një të tretën e popullsisë; qytet pretendent për t`u bërë një nga kryeqytetet kulturore të Evropës.

Me këtë rast, edhe unë, si anëtar nderi i shoqatës kam kënaqësinë t`ju përgëzoj juve për organizimin e sesionit shkencor në këtë qytet historik dhe kulturor, por veçmas znj. Saranda Iseni, mikeshën dhe zonjën e nderuar dhe të respektuar të shoqatës sonë, besoj edhe të të gjithë mërgatës shqiptare. Kontributi i saj është vijim i tërë asaj pune të shkëlqyer kulturore e  atdhetare, të përkushtimit të saj të plotë në shërbim të punëve dhe detyrave të shoqatës.

Gjithashtu, një urim të veçantë kam për Këshilli Organizativ, që do të angazhohet me organizimin e zhvillimin e këtij sesioni të rëndësishëm shkencor. Aq më tepër që ky sesion do të mundësoj edhe botimin e  veprës tjetër të ndritur  “Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare” 5.

Ndërkaq, përpjekja juaj për organizimin e sesionit të pestë Shkencor në Lund, përkon edhe me vizitën në qytetin  Universitar të Lundit në tetor të këtij viti 2016, të Papa Françeskut, figurë e ndritur botërore, por edhe vazhdues i madh i punëve të përndritshme të Papës dhe shqiptarit të madh Papa Klementi XI Albani, emrin e të cilit ka nderin ta mbajë shoqata jonë.

              Si u arritë që të mbahet ky sesion në ambientet e këtij tempulli shkencor!

Të arrishë të organizosh një tubim të tillë në ambientët e këtij tempulli shkencor është një nder i madh jo vetëm për këtë asosacion, por edhe për vendin tonë, Republikën e Kosovës. Kontribut të jashtëzakonshëm në këtë drejtim dha Saranda Iseni, nënkryetare e shoqatës dhe ish-studente e shkëlqyer e këtij Universiteti, e cila është bërë një juriste e njohur dhe një pedagoge e respektuar në Shkollën e Lartë Teknike në qytetin e Malmos. Po ashtu, edhe informacionet që i kishte udhëheqja e universitetit rreth punës së suksesshme që po zhvillon Shoqata e Krijuesve Shqiptar në Suedi sidomos rreth integrimit të komunitetit vshqiptar në shoqërinë suedeze dhe nxitjes së të rinjve shqiptar për të studijuar në shkolla të larta e fakultete, ishte vendimtare që këtu të lejohet të mbahet ky eveniment me rëndësi të veçantë. Pra, ishte një privilegj për këtë shoqatë, që do të mbahet gjatë mend.

             Donatorët ndihmojnë më të madhe aktivitetin e Shoqatës së shkrimtarëve

Rrahman Rrahmani, anëtar i kryesisë, foli rreth ndihmës së madhe që donatorët dhanë për mbarëvajtjen e aktiviteteve të shoqatës me theks të veçantë në botimin e librave “ Thesari Kombëtar..” por edhe në sigurimin e materialeve të nevojshme si dhe pagesën e qirasë për zyre. Thënë konkretisht, vazhdoi ai, po të mos ishin biznismenet shqiptar botimi i këtyre librave, që në fokus ka punën e dobishme atdhetare të zhvilluar me dekada nga mërgata shqiptare, kjo do të ishte e pamundshme. Pra, ndihmë materiale dhanë: Vëllazëritë Halim, Qazim dhe Robert Hoti, Mursel Shkupolli, Albert Jashari, Burim Muharremi, Naim Latifi, Mr. Fadil Geci, Drita Nikoliqi-Binaj, vëllezërit Sebat e Qamil Aliti, Haki Ademi, Mentor Duraku, Bujar Zhuri. Në këtë kontekst do përmendur edhe ndihmën e madhe të institucioneve të shtetit suedez si dhe të ish-ministrit të Diasporës, Ibrahim Makolli.

Do theksuar se në fund të këtij evenimenti u mbajt një orë letrare në të cilën krijimet e tyre i paraqitën disa poet që tashmë kanë bërë emër në letërsinë shqipe. Tri krijimet e para u shpërblyen nga juria.

Filed Under: Mergata Tagged With: SHSHKSH “ Papa Klementi i XI Albani”, Xhavit Citaku

A duhet protestuesit t’iu japin përkrahje milionerëve

April 21, 2016 by dgreca

Derisa politikanët tanë kanë pasuri multi- milionëshe, mijëra familja i kanë sofrat e zbrazura, në të cilat nuk kanë çka të shtrojnë e çka të drekojnë./

Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/

E kishin pas pyetur fukaran: Allahile apo na tregon se a ish zor mos me pas, me demek me kanë fukura. Ai iu kishte përgjigjur: po nja dy- tre vjet ish bukur zor e më pastaj njeriu po mësojke. Ndërkaq, kur është fjala për politikanët tanë pasanik është diçka krejt tjetër, është një muhabet krejt tjetër, është një vlerësim krejt tjetër. Këta politikan që nga pas lufta kurrë nuk e pushuan vrapin pas shtimit të pasurisë, apo më mirë më thënë kurrë nuk u ngopën. Pra, deri sa fukaraja mësohet me gjendjen e rëndë që e ka, politikanët tanë pasanik kurrë nuk ditën të thonë mjaft. Ndoshta pasuria njeriun e bënë të verbër e të shurdhër, por populli këtë po e sheh dhe po merr informacione gjithnjë e më shumë se sa janë bërë milioner këta politikan që sot rrëfehen se punojnë e angazhohen për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Përralla që si ha hiq pazari. Apo si@ thotë një fjalë popullore: katundi që shihet kallauz nuk do.

                                          Si i shohin të politikanët pasanik të varfëritë

Shumica e qytetarëve të Kosovës e kanë gjendjen e vështirë ekonomike. A ka gjë më të turpshme se sa në këtë gjendje politikanët tanë të krijojnë aso pasurie, të cilën para lufte as ëndërr nuk e kanë parë e as që e kanë poseduar. Athua si e shohin këtë gjendje këta politikan, këtë fukarallëk, i cili në një masë është krijuar pikërisht duke keqpërdorë e abuzuar me paranë e taksapaguesve kosovar dhe formave tjera kriminale. Athua a ndihen keq kur shohin mijëra familje që mëzi e kalojnë ditën me sofër të zbrazët, duke mos pas çka të shtrojnë e çka të drekojnë. Flasin ata shumë e shumë se janë për ndryshime, janë në funksion të luftimit të se keqës, janë për të përmirësuar standardin e qytetarëve, po besa flasin edhe për gjendjen sociale të tyre. Pa dyshim kjo është një hipokrizi. Me fjalë nuk mund të fshihen ato të bëra pikërisht në dëm të qytetarëve. Po të ndiheshin aq keq këta politikan do të duhej në forma konkrete që të ndihmojnë familjet e varfëra me gjithë atë pasuri milionëshe që kanë. Ende nuk ka ndonjë shembull që këta politikan e kanë bërë një gjë të tillë. Me një fjalë, fukaraja me sy të përlotur i sheh këta politikan që kanë shtëpi të bukura e luksoze, vetura, tokë qindra hektarësh, para në banka e çka jo tjetër. Lakmojnë shumë e ankohen shumë për gjendjen e tyre. Por ndihma është e vogël, fare e vogël. Inshalla vijnë ditë më të mira për Kosovën dhe qytetarët e saj, por nuk besoj se ndryshimet do të vijnë me këta politikan. Rruga e tyre është e mbrapsht, shumë e mbrapsht.

                                                                   Hapeni sytë qytetarë!

Arsyetimet e politikanëve pasanik as që duhet të peremendën. Si mund të arsyetohet një politikan kur thotë se ka shitë një banesë dhe ka krijuar gjithë atë pasuri kur me ato para as ato vetura që i ka në posedim nuk do të mund t’i blente. Prapë, po themi përralla. E keqja më e madhe është se këta politikan po thirren në kontributin e dhënë gjatë luftës, thuase ai kontribut do të duhet që shpaguhet më këtë pasuri që kanë krijuar. Askush deri me tash nuk ka mohuar kontributin e askujt për atë që ka bërë. Mirëpo, kritika të mëdha po bëhen se si arriti në këtë shkallë kaq të lartë pasuria e tyre multi- milionëshe, aq më parë kur dihet se çfarë gjendje kishin para lufte. Duke parë këtë situatë ,përkatësisht këtë pangopshmeri të politikanëve tanë shtrohet nevojë e domosdoshmëri që qytetarët tanë t’i hapin sytë dhe të mos e përkrahin të keqen, të mos i përkrahin këta politikan që deri me tash dëshmuan qartë se interesi i tyre personal është mbi atë shoqëror.

                                                               Më të përfolurit ftojnë për protesta

Dikush nuk e sheh vehtën apo i pëlqen vetja dhe krejt ajo çka ka bërë, edhe pse ajo është në sy për të keq nga të tjerët. Kështu është edhe me disa politikan tanë që ftojnë për protesta, ndërsa në anën tjetër janë njerëzit më të përfolur për dyshimet rreth pasurisë së tyre. Sa është kjo e logjikshme të veprojnë kësisoj kur i gjithë opinioni ka drejtuar gishtin drejt tyre, flasin e çka nuk flasin për ta, me arsye sigurisht. Ndaj, marrja pjesë në këto protesta do të ishte barazi me përkrahjen e gjithë asaj që kanë bërë këta politikan, me të keqën që kanë bërë. Të kuptohemi. Jam për ndryshime. Për ndryshime rrënjësore. Për ndryshime që do të përmirësojnë gjendjen ekonomike në përgjithësi, posaçërisht të qytetarëve që as një euro në ditë nuk kanë për të siguruar bukën për familjet e tyre. Ndryshime po, por jo me këta njerëz që Kosovën e kanë sjell buzë greminës.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: A duhet, përkrahje milionerëve, protestuesit t’iu japin, Xhavit Citaku

Në politikë nuk ka asgjë të dhimbshme

April 16, 2016 by dgreca

Është papjekuri politike e Lutfi Hazirit të thotë se koalicioni PDK-LDK është koalicion i zorit, ngaqë nëse është i tillë atëherë si do të mund të realizohen projektet qeveritare dhe ato të institucioneve të tjera që u janë premtuar qytetarëve të Kosovës/

Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/

Nga analiza, komente, opinione  e artikuj të ndryshëm po lexojmë e po dëgjojmë akoma konstatime e përfundime të atilla që, bie fjala, koalicioni ndërmjet PDK dhe LDK-së është i panatyrshëm, apo thënë më mirë se qenka bërë një koalicion i zorit. Ndoshta kanë arsye të dalin me konstatime të tilla, por mua ma merr mendja se kjo nuk përkon me realitetin, përkatësisht me marrëveshjen që është arritur në mes të këtyre dy subjekteve më të mëdha politike të vendit. Në rend të parë, kemi të bëjmë me dy parti që lidhën” martesë” për të tretën herë dhe ky fakt flet shumë se asgjë e panatyrshme nuk ka ndërmjet tyre, aq më parë se tri herë radhazi për një kohë të gjatë u njohën mirë deri në detaje për të mirat dhe të këqijat që i ka edhe njëra palë edhe pala tjetër. Po të kishte diçka të panatyrshme nuk besoj që do të kishte ardhur momenti për t’u bashkuar për të tretën herë dhe atë për ta udhëhequr së bashku Kosovën për një periudhë katërvjeçare. Gjithçka që do të ishte e panatyrshme do të ndikonte shumë keq dhe nuk do të funksiononte as qeveria e as parlamenti i Kosovës, ndaj edhe të gjitha ato dallime që i kishin, sidomos, në programet e tyre, kanë marrë një “ dizajnim” të përshtatshëm nga të dy palët dhe me të synohet të realizohen shumë projekte e punë të tjera me rëndësi për vendin dhe për banorët e tij.

Dhimbjes së LDK-së iu dha terapia e duhur

Ai që e kupton mirë politikën, e di fare mirë se në këtë sferë,sidomos, në planin e brendshëm nuk ka vend për të ashtuquajturën se ishte e dhimbshme lidhja e një koalicioni të caktuar paszgjedhor.  Këtë fjalë si shpesh po e përdorë Lutfi Haziri, nënkryetar i Kryesisë së LDK-së dhe kryetar aktual i komunës së Gjilanit. Së këndejmi, me duhet t’ia përkujtoj këtij politikani se askush me dhunë nuk i ka shtyrë që të lidhin marrëveshje me PDK-në dhe nga ajo që shihet, bile ky subjekt të cilin ai e përfaqëson nuk pësoi kurrfarë dhimbjeje, përkundrazi atë  dhimbje të madhe që e pati deri në momentet e fundit me këtë koalicion iu është shëruar. Në të vërtetë, dhimbje e tmerr LDK-ja pati nga humbja që pësoj në zgjedhjet e fundit dhe nga kjo sëmundje u shkaktua dhimbje e madhe që nuk ia gjente vetit vendin disi me u “ rehatua “e posaçërisht  ta shpëtojë liderin e LDK, por edhe njerëzit e afërmit të tij nga përgjegjësia që e priste para anëtarësisë. Në LVAN nuk kishte as rastin minimal që Isa Mustafa të zgjedhet Kryeminister, se këtë nuk ia mundësonte në asnjë mënyrë, lideri i AAK-së dhe me të drejt ngaqë vetë Isa Mustafa ia kishte “ dorëzuar” këtë post,, ndaj pa bërë as një as dy u hidh në “ krahet” e Thaçit që disi për “ mrekulli” arriti të ulët në karrigën e të parit të qeverisë. Me një fjalë, dhimbje në politikë nuk ka dhe atë nuk të shkakton askush, pos që vetvetes i shkakton stres për shkak të pengesave që mbyllin rrugët e realizimit të synimeve për të arritur në pushtet në mungesë të votave nga qytetarët. Ndërkaq, votat LDK-ja nuk i pati për të qeverisur me vendin dhe u drejtua aty ku gjenë më së shumti strehim, “ vëllazërim” e përputhje të ideve dhe platformës programore për periudhën katërvjeçare të qeverisjes. Asgjë të keqe nga ky koalicion nuk ka, por nuk duhet të thuhen pallavra që nuk i ha më qytetari se kjo marrëveshje na qenka e dhimbshme, e gabuar, e panatyrshme, e zorit. Sa e sa herë është thënë se në politikë asnjëherë nuk bënë të thuhet se  “ kurrë”, me këtë apo me atë subjekt nuk do të lidhi koalicion, ngaqë vet gara për të hyrë në lojën e marrjes së pushtetit gjithnjë sjell befasi që pa marrë parasysh deklaratat e mëparshme vjen deri të bashkimi i forcave të përbashkëta për të krijuar institucionet e reja të shtetit. Thënë konkretisht, në politik ka kompromise për çështje të caktuara dhe marrëveshje për mënyrën e qeverisjes së vendit dhe ndarjes së pushtetit ndërmjet subjekteve politike që lidhin koalicion. Së këndejmi, Lutfi Haziri, sidomos, në këtë ambient të papërshtatshëm të zhvillimeve të politike në vend nuk duhet të flas pallavra të këtilla, sepse nëse vërtetë është koalicion i zorit, siç thekson ai, atëherë ky politikan pothuajse e mbanë përgjegjësinë e plotë, ngaqë është nënkryetar i LDK-së që pa bekimin e tij zor se kishte me u krye kjo punë.

Fatkeqësisht liderët tanë nuk kanë fjalor tamam politik

Ofendimet, shpifjet, trysnia mbi mjetet e informimit për të mbajtur vetëm anën e një subjekti politik, sikur janë bërë rutinë e veprimit të shumicës së liderëve tanë. Një sulm i paparë ishte bërë edhe në drejtim të PDK-së veçanërisht kundër ish- liderit të saj Hashim Thaçi. Aq shkuan larg liderët e bashkuar në koalicionin pasgjedhor i ashtuquajtur V+LAN-it sa publikisht kishin deklaruar se as kafe nuk do të pijnë me përfaqësuesit e këtij subjekti politik e lëre më të bëjnë farë marrëveshje për qeverisje të përbashkët. Posaçërisht kategorik me këtë vendosshmeri  ishte udhëheqësi i LDK, Isa Mustafa, dhe njerëzit e afërm të tij, mirëpo po ky lider ishte ai që sa qel e mbyll sytë kishte ndërruar mendje dhe kishte takuar Thaçin natën, me të cilin tash krah për krah po qeverisin vendin. Edhe me këtë rast po ia përkujtojmë Lutfi Hazirit se ai së bashku me rrethin e tij të ngusht punoi natën e ditën për t’u lidh koalicioni aktual qeverisës. Ndaj edhe mund të konstatohet se parti e natës është vetë LDK, lidershipi i së cilës posa terrohej turr e vrap e në selinë e PDK-së, duke e lutur aman shpëtona nga kjo “ fatkeqësi “ që po ndodh në subjektin e partisë së Hazirit. Ndaj,  shtrohet domosdoshmëri që liderët tanë të përdorin një fjalor adekuat me demokracitë e zhvilluara, ngaqë më pas lidhja e çfarëdo koalicioni nuk do të sulmohej e kritikohej sikur që ishte bërë në adresë të subjekteve më të mëdha politike të vendit.

Lutfi Haziri thotë edhe se koalicioni është i gabuar

Ndodh që një qift edhe pse të dashuruar pasi të jenë martuar të ndahen me konstatimin se ishte gabim që nga fillimi, mirëpo, nëse ata sërish bashkohen më nuk bëhet fjalë për ndonjë gabim se ishin bashkuar, por për një nguti që kishin bërë për shkak të ndonjë mospajtimi për ndonjë çështje fare të vogël. Edhe PDK e LDK ishin të “ dashuruar” shumë vite më par dhe asnjëherë nuk kishin gabuar që ishin në një koalicion qeverisës, por në pyetje është xhelozia politike, përkatësisht se secili syresh dëshiron të mbetët i pari dhe në qendër të vëmendjes në skenën politike të vendit, ndaj edhe sulmet dhe kritikat e pavenda e të ashpra në fushatën para e zgjedhore e ka këtë përgjigje. Pra, Lutfi Haziri e ka vetë gabim kur thotë se ky koalicion është i gabuar, por për hirë të asaj që të mos shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme u desh të sakrifikohet edhe me lidhjen e kësaj marrëveshjeje. Ky arsyetim i Hazirit nuk ka mbështetje në fjalorin e mirëfilltë politik sepse nëse ky koalicion është i gabuar atëherë i gabuar do të jetë edhe gjithë procesi  qeverisës, për të cilën gjë nuk presin qytetarët e vendit. Njeriu njëherë gabon e jo tri herë z. Haziri. Zgjidhni fjalët. Ndoshta edhe po flisni në iluzion sepse  konstatimin tim se ky koalicion është bërë me pëlqimin e plotë të të dyja palëve po e vërtetojnë deklaratat e liderit tuaj të thëna se PDK e LDK po qeverisin pa kurrfarë problemesh dhe se për gjithçka vendimet merren në pajtueshmëri të plotë Sharjet dhe marrja me njerin- tjetrin e subjekteve politike qytetarit nuk i intereson. Qytetarit i intereson mirëqenia dhe perspektiva e ndritshme e tij.

LDK të njëjtën valle po e luan edhe me AAK-në

Jemi dëshmitarë se pati një përplasje të fuqishme ndërmjet LDK-së dhe AAK-së, të cilat akuzojnë njëra tjetrën për hajni, korrupsion, kapje të shtetit e çka jo tjetër. Në këtë lojë jashtëzakonisht naive politike që po luajnë këto dy subjekte politike, megjithatë, ashiqare po shihet se grindavec si gjithnjë po identifikohet LDK-ja, së cilës shumë po i vjen rëndë nga akuzat që adresohen në adresë të saj e sidomos  liderit Isa Mustafa. Megjithatë, jam i bindur se po të kërkohej në këto momente,p.sh., farë koalicioni të gjitha këto LDK-ja do t’i harronte dhe do të pranonte lidhjen e “ kurorës” me AAK-në ashtu siç bëri me PDK-në, sepse nga ajo që deri me tash është parë nga kjo parti shumë pak moral politik ka mbetur në të. Inshalla vijnë ditë më të mira e shpëtohet ky subjekt politik nga disa njerëz që interes kryesor kanë lakminë personale dhe realizimin e apetiteve të tjera individuale që po e dëmtojnë jashtëzakonisht shumë LDK-në.

Përçarja e opozitës për pushtet

Sa “ ëmbël “ tingëllonte në opinion së më në fund edhe opozita di të bashkohet dhe të luftojë “ të keqen” se ajo po pretendonte se po e bënë. Se sa kishte përkrahje qytetare edhe kjo u pa. Mirëpo, tash po shihet ashiqare se ndërmjet këtyre partive ka mosmarrëveshje apo më mirë më thënë përçarje. Sherri ka filluar se ende pa u dukur askund në horizont se do të këtë zgjedhje liderët opozitar veç kishin kalkuluar me postet që do të duhej t’i  takonin një subjekti të caktuar. Mirëpo, në asnjë mënyrë nuk kanë mundur të pajtohen dhe tash po  ka shtyerje bërrylash dhe kritika ndërmjet tyre sidomos në mes të VV-së dhe AAK-së. NISMA në këtë rast është në mes dhe ende në opinion nuk kanë dalë se sa po kërkojnë hise në pushtet. Sille kah të sillesh përçarja erdhi vetëm për shkak të apetiteve për pushtet, të karrierës politike e jo të ndonjë alternative që do të ndryshonte gjendjen në të mirë të prosperitetit të vendit dhe të një të ardhme më të mirë për gjeneratat e ardhshme.

Kosovës i duhet një frymë e re, një gjeneratë e re, intelektual të nivelit të lartë, pse jo edhe akademik që dinë, donë e mund ta ndryshojnë këtë gjendje të rëndë në Kosovën e pasluftës. Mos të prekën këta liderë nëse ua themi troç se ata janë të shpenzuar dhe që 16 vjet nuk argumentuan me asgjë se u punua dhe do të punohet me vrullshëm e me projekte të arritshme në një stad më të zhvilluar në të gjitha fushat e posaçërisht në atë ekonomik. Besoj e shpresoj se njerëzit e mençur që në Kosovë ka shumë do të bashkohen në një front të përbashkët dhe do të hapërojnë drejt shtigjeve të reja, drejt një perspektive më të ndritshme për të gjithë qytetarët e vendit tonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Në politikë nuk ka asgjë të dhimbshme, Xhavit Citaku

Krijuesit shqiptarë në Suedi

March 29, 2016 by dgreca

Poezia, kjo fuqi magjike/

Pos krijuesve shqiptar në festivalin” Sofra Poetike, që u mbajt në Boros të Suedisë, morën pjesë edhe shkrimtarë suedez dhe të komuniteteve tjera që jetojnë në këtë vend skandinav./

Nga XHAVIT ÇITAKU/

Qendra Kulturore Shqiptare “ Migjeni” në Boros të Suedisë, në kuadër të shumë aktiviteteve konkrete që po zhvillon një kohë të gjatë, së bashku me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar “ Papa Klementi XI Albani” që vepron në këtë shtet skandinav, për herë të katërt organizuan manifestimin letrar i titulluar “ Sofra poetike në Boros”, i cili u mbajt dje e në të cilin morën pjesë krijues e dashamirë të fjalës së shkruar jo vetëm nga Suedia, por edhe nga disa vende evropiane si dhe poet e miq suedez. Sipas njërit nga organizatoret të këtij eveniment, Sokol Demaku ky manifestim  që tashmë është bërë tradicional qëllim kryesor ka kultivimin dhe ruajtjen e poezisë shqipe në mërgatë. Thënë konkretisht, kjo veprimtari ka për qëllim që ta kultivoj e ruaj gjuhën dhe kulturën shqiptare në mërgim në këtë pjesë të Evropës. Njëkohësisht ky manifestim, kjo sofër, paraqet një shtytje e nxitje për të gjithë ata që janë të prirur të merren me shkrime që ta gjejnë vetën këtu, të veprojnë kështu në mënyrë të organizuar dhe nesër të krijojnë vepra më të mira letrare, artistike e kombëtare. Më pas ai foli edhe rreth aktivitetit të pasur e me përmbajtje që po zhvillon Shoqata kulturore shqiptare “ Migjeni” në Boros të Suedisë, e cila është bërë një faktor i rëndësishëm në kultivimin dhe ruajtjen e gjithçkaje që është shqiptare si dhe në integrimin e shqiptarëve në rrjedhat e shoqërisë suedeze. Kulmin e suksesit kjo shoqatë e ka arritur kur pas një pune të madhe dhe kontakteve të zhvilluara me organe e institucione kompetente u bë e mundshme që në kuadër të saj të funksionoj me mjaft sukses radio e kanali televiziv lokal. Po ashtu, anëtarët e kësaj shoqate po organizojnë aktivitete të shumta kulturore që po tubojnë jo vetëm pjesëtar të komunitetit shqiptar, por miq të komuniteteve tjera që jetojnë në këtë komunë e më gjerë. Ndërkaq, Hysen Ibrahimi, kryetar i SHSHASH” Papa Klementi i XI Albani”, të pranishmit i informoj lidhur me aktivitetin e madh që po zhvillon ky asosacion . Ai me shifra e fakte konkrete vuri në dukje se anëtarët e shoqatës së shkrimtarëve dhe krijuesve shqiptar kanë bërë punë të madhe në botimin e librave të rinj dhe në fusha të tjera të krijimtarisë.

Me poezitë e tyre në këtë festival u paraqitën u paraqitën Hamit Gurguri, Axin Welat, Soleyman Ghasemiani, Bajram Muharremi, Fetah Bahtiri, Shuquri Sejdiu, Louise Halvardson, Henric Mimerson, Elhame Zhitia Krasniqi,Mona Juniku, Shaban Osmani,Muhamet Krasniqi,Remzi Basha,Emine Hoti, Edona Heta Sejdiu, Idriy Gashi, Ibrahim Abedini dhe Hysen Ibrahim.

Në këtë tubim mori pjesë edhe Zyrtarja e lartë e Komunës ës Borosit, Ida Legnemark, e cila pos tjerash tha se në në komunë jetojnë rreth 3500 pjesëtar të komunitetit shqiptar të cilët me sukses janë integruar në shoqërinë suedeze dhe janë një shembull i mirë i punës, mësimit ndihmës së zhvillimit të përgjithshëm në mjedisin ku ata jetojnë.

Poezia përmban mesazhe të rëndësishme

Në këtë tubim të rëndësishëm poetik, u lartësua poezia si një fuqi magjike që po arrin t’i tuboj krijues e dashamirë të fjalës së shkruar nga shumë vende të botës. Në poezitë e lexuara me këtë rast motiv  kryesor i krijuesve ishte dhimbja për atdheun, pastaj në këto krijime jetojnë edhe lirika, lumturia e dashurisë dhe optimizmi. Zaten të gjitha këto janë pjesë përbërëse në poezinë shqipe. Kuptohet se në këtë poezi jetojnë edhe lirika, lumturia e dashurisë dhe optimizmi. Poezia ka veti dhe aftësi të mrekullueshme për të shprehur gëzime dhe hidhërime, vuajtje dhe fitore, shpeshherë në pak rreshta. Poezia kalon nëpër shekuj dhe përmban mesazhe të rëndësishme edhe për njerëzit e kohës sonë. Për këtë arsye ky manifestim tash e katër vjet me sukses ka futur përsëri  kulturën shqiptare dhe poezinë në qendër të vëmendjes duke shpresuar që të kemi dobi dhe kënaqësi nga dita e Sofrës poetike”. Hamit Gërguri, autor i disa librave në gjuhën shqipe e suedeze, ndër të tjera theksoi se në shqiptarët erdhëm në këtë vend të largët e të ftohtë, por me zemër të ngrohtë. Gjetëm strehim, bukë e përkujdesje dhe buzëqeshjen e parë kur ikëm nga ato përndjekje barbare që na i bënte regjimi fashist serb. Ne, krijuesit dhe artistët shqiptar, me punën tonë po bëjmë përpjekje që ta rrisim dhe pasurojmë degën në atë drurin e pasur kulturor të Suedisë. Shuquri Sejdijaj, krijues dhe gazetar, pos tjerash, u angazhua që të kihet parasysh në kultivimin e drejt të gjuhës shqipe për shkak se, sipas tij, kohëve të fundit është i pranishëm një bastardim i gjuhës sonë të bukur. Këtë pos tjerash, fatkeqësisht mund ta vëresh edhe në disa medie e portale jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri dhe troje tjera etnike shqiptare.

U ndanë tetë shpërblime për poezitë më të mira

Sofra poetike ka edhe karakter garues ndaj edhe u ndanë tetë shpërblime për krijimet më të mira poetike, katër i ndanë Shoqata “ Migjeni” dhe katër të tjera Shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptar “ Papa Klementi XI Albani.  Të shpërblyerit janë Elhame Zhitia Krasniqi,  Fetah Bahtiri,Bajram Muharremi, Louise Halvardsson, Henrik Mimersson, Mona Juniku, Shaban Osmani, Idriz Gashi,Shuquri Sejdiu. Në këtë tubim u promovuan edhe Librat e autorëve shqiptar që jetojnë e veprojnë në këtë vend skandinav: Hamit Gurgurit, Hysen Ibrahimit, Sokol Demakut, Fetah Bahtirit, Emine Hotit, Mona Junikut, Bajram Muharremit- Bistrica dhe Antalogjija e “ Sofres Poetike”.

SHSHASH “Papa Klemnti XI” dhe QKSH “ Migjeni” që veprojnë në këtë shtet të largët meritojnë lëvdata për një punë të mrekullueshme që janë duke bërë këtu në mërgim me synimin e vetëm që në këtë mënyrë t’i shërbejnë rinisë sonë, popullit tonë dhe atdheut të cilin e duan aq shumë të gjithë këta krijues, shkrimtarë e veprimtarë. Po ashtu, qëllimi i këtij manifestimi është që t’i afroj njeri me tjetrin krijuesit shqiptar me krijuesit e vendit ku ata veprojnë e krijojnë, pra me poet suedezë dhe poet të komuniteteve tjera që jetojnë e veprojnë këtu.

 

Filed Under: Mergata Tagged With: kjo fuqi magjike, poezia, Xhavit Citaku

Paralizim i veprimeve të dobishme

February 11, 2016 by dgreca

Siç dukët dëshira për të vënë në dyshim faktin, që çdo politikan arrin ta kuptoj e miratoj vetëm ato ndjenja e veprime që qëndrojnë afër idealeve të tyre, që në të vërtetë në momentin aktual është diçka e “marrë” dhe alogjike/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Pavarësisht fjalëve që përsëritën papushim sa herë që këtë e kërkon nevoja e ragimit, kritikës, sugjerimit, këshillës, që nganjëherë, mund të jenë edhe të mërzitshme , apo edhe një shembull i padobishëm, megjithatë, gjithsecili po mundohet, po përpiqet që sado pak të ndikoj që me shkrime, opinione, analiza dhe forma tjera t’i kthej në rrugë të drejt liderët tanë politik, sepse kjo mënyrë e të vepruarit nuk i shkon për shtati mendësisë popullore e aq më pak rregullave e normave juridike. Nuk po bëjnë punë as “parimet” dhe veprimet e këtyre lakmitarëve për pushtet, ngaqë ata nuk po vërejnë se shteti për ta sikur tërësisht është i “ huaj” . Mirëpo, siç dukët dëshira për të vënë në dyshim faktin, që çdo politikan arrinë ta kuptoj e miratoj vetëm ato ndjenja e veprime që qëndrojnë afër idealeve të tyre, që në të vërtetë në momentin aktual është diçka e “ marrë” dhe alogjike. Tek njerëzit e zakonshëm mund të ndryshosh shumë gjëra, por vetëm nëse u flet me gjuhën që ata e kuptojnë, mirëpo siç dukët nga veprimet e politikanëve tanë mund të ndodh që ata kanë trashëguar një traditë “ mijëvjeçare” “ kapadaillëku”, në vend që do të duhet të ndodhte e kundërta. Njerëzit e këtij niveli të shkollimit, jo të gjithë, do të duhej të ishin besimtarë, bujar, bashkëpunues, por edhe patriot për t’i shërbyer sa më mirë popullit, i cili për këtë arsye ka dhënë votën. Pra, sjellja e tyre nuk duhet të jetë “ luftarake”, por duhet të jenë mbrojtës i të “ dobëtëve” dhe “ kalorës” të së drejtës, me një fjalë “Don Kishoti”. Nuk ka gjë më mirë sikur këta lakmitarë për pushtet të kishin dhënë shembulin si njeridashës, shpirtmirë dhe miqësor e jo të ndodh e kundërta, të urrehen, të xhelozojnë të hakmerren ndaj njeri- tjetrit. Ky polarizim kaq i thellë ndërmjet dy blloqeve ka çoroditur, ka prishur baraspeshën politike, ka paralizuar veprimet e dobishme në favor të gjetjes së rrugëve adekuate në drejtim të zgjidhjes së problemeve e mosmarrëveshjeve aktuale, sepse po vjen në shprehje kryenëçsia që po i bën të pabindur dhe të paarsyeshëm këta politikan. Ata në shpirtin e tyre janë shumë të trazuar e në anën tjetër shpërfillës ndaj kërkesave të shumta për të hapur rrugën e funksionizimit të institucioneve të shtetit e sidomos të Parlamentit, organin më të lartë ligjdhënës të vendit tonë. Do të duhej ta kishin një shqetësim shpirtëror dhe një parandjenjë të asaj që do të duhej t’i pllakoste më vonë. Ka të ngjarë. Por më i besueshëm me dukët hamendësimi se tek këta politikan pasqyrohet një ndrydhje se çfarë do të përjetojnë nëse ata nuk zgjidhen në postet që i ëndërrojnë. Dhe k jo trysni shpirtërore po i bën që ata të vuajnë dhe hera- herës, të humbin vetëbesimin dhe fuqinë e veprimit, kuptohet konform normave juridike dhe aktit më të lartë Kushtetutës.
Parlamenti do të duhej të ishte pikëkthesë e rëndësishme në jetën politike dhe shoqërore
Në të parë, liderëve tanë ju duket një ngjarje e vogël bllokimi dhe mbarëvajtja e Parlamentit të Republikës së Kosovës, por që po bën buj në opinionin e brendshëm e për shumë në atë të jashtëm. Në të vërtetë, Parlamenti do të duhej të ishte një pikëkthesë e rëndësishme në jetën politike, por edhe shoqërore sepse për herë të parë në historinë më të re të Kosovës ky organ e ka mundësinë që vetë të vendos e të sjell e miratoj ligje që po vlerësohen me standarde ndërkombëtare. Mirëpo, siç dukët lidrëve tanë po iu mungon parapërgatitja shpirtërore apo aftësia e nevojshme gjykuese, të cilët për shkak se nuk po i japin rëndësi se çfarë mund të ndodh me këtë ngërç institucional, vendin e kanë futur në një fazë të “ re” apo më mirë më thënë në një pikë më të dobët të funksionimit të sistemit institucional në përgjithësi. Veprimet e tyre shpesh po janë të çoroditura, që po prishin baraspeshën e të qenit politik si dhe po paralizojnë veprimet e nevojshme karshi situatës së krijuar.
Liderët duhet të zgjohen nga ëndrrat edhe pse pak si vonë
Mungesa e një bashkëpunimi të mirëfilltë pozitë- opozitë, vetëm sa po e ndryshojnë trajtën e të vepruarit kryeneç dhe asgjë më shumë. Kjo përplasje me realitetin sigurisht se po i kushton shumë shtrenjtë qytetarit, ngaqë politikanët tanë po ua vështirësojnë jetën, sidomos, gjeneratave të tashme, por jo edhe familjeve të tyre. Liderët tanë duhet të zgjohen nga ëndrrat, edhe pse pak si vonë, dhe të zbresin në tokë, të çlirohen nga lakmia e tepruar për pushtet, nga urrejtja, nga hakmarrja, kundrejt gjithëçkaje që është deshtake. Pra, gjërat duhet të kuptohen seriozisht dhe të gjykohen mirë e drejtë. Fërkimet e të gjitha llojeve, mungesa bashkëpunuese, keqkuptimet edhe për gjëra më të thjeshta, janë dukuri bashkëshoqëruese jo normale në këtë kohë për çdo këmbim mendimesh, idesh dhe për çdo veprim aq të ndieshëm në gjithë hapësirën kosovare. Është zor të themi se mos vallë janë këto “ pasojë” e papjekurisë shpirtërore, politike e shoqërore, apo në radhë të parë i “ zvetënimit” moral të tyre, që me kërkesat e tyre të “ pathemelta” po ia rëndojnë aq shumë jetën e qytetarëve dhe shtetit që ai të rritët e zhvillohet shëndetshëm. Në këto rrethana të krijuara askujt nuk po i shkon ndërmend të lëshoj pe, të bëhet bujar, të “ sakrifikoj” , të ndihmoj në ndërtimin e institucioneve të vendit dhe të gjitha lëshimet eventuale dhe dobësitë të tejkalohen aq sa është e mundur së bashku.
Asosacionit serb nuk duhet t’i lejohet marrja e kompetencave të komunave
Lidhur me asosacionin serb tashmë Kushtetuesja ka dhënë verdiktin dhe më askush nuk mund të punoj e veproj jashtë atij vendimi. Mirëpo, me duhet të them se në atë formën cfarë ishte paraparë me marrëveshje shihej qartë se ky asosacion merrte kompetencat e komunave, që pa dyshim se është në kundërshtim të plotë me aktin më të lartë juridik të vendit. Me sa me kujtohet, në marrëveshje është thënë edhe kjo se “ Zajednica” do të formohet në frymën e Kushtetutës dhe kështu duhet të jetë dhe pikë. Po ashtu, me kujtohet edhe deklarata e ish- presidentit serb Tadiq, i cili pati thënë ndër të tjera se nuk duhet të gëzohemi aq shumë se, megjithatë, asosacioni do të formohet konform ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Mendoj se rreth hartimit të statutit rolin kyq do të duhej ta kishte opozita, e cila besoj se do të ishte konstruktive në këtë drejtim. Po ashtu, edhe rreth demarkacionit opozita duhet të ofroj ekspert të saj dhe të punohet bashkërisht në eliminimin e gabimeve eventuale që do të mund të jenë evidente rreth përcaktimit të kufirit me Malin e Zi.
Sa është ëmbël më qenë në pushtet?!..
Me këtë rast me duhet të përkujtoj një shembull konkret se sa i ëmbël është pushteti, se sa ëmbël është të kesh një vend udhëheqës në politik. Një ish-koleg- gazetar në vitet e tetëdhjeta u zgjodh në një post të rëndësishëm në një komunë. Pas një kohe e takova me të dhe e pyeta: Pse u largove nga profesioni i gazetarit? Ai u përgjigjë: E nuk e di ti sa mirë ish me kanë udhëheqës. Me këtë po i kuptoj edhe liderët opozitar që ishin në pushtet e që sërish me të gjitha forcat po mundohen të kthehen aty ky iishin më parë, por edhe ata të pozitës që i kanë privilegjet e të qenit udhëheqës. Megjithatë, një gjë dihe se marrja e pushtetit bëhet vetëm me anë të votës dhe asesi në mënyra tjera.
Liderët sidomos të opozitës duhet të kenë maturi- situata mund të dalë nga kontrolli
Se si dhe në çfarë mënyre do të reagoj e veproj opozita, ajo vendos vetë. Mirëpo dhuna jo që është e pajustifikueshme, por është edhe e dënueshme. Pos kur është ndërruar sistemi në shtetet komuniste, në raste të tjera kurrë nuk është përkrahur ai që me dhunë ka marrë pushtetin. Mirëpo, ajo që me brengos mua është fakti se duke patur parasysh protestat e deritashme dhe përfundimin e tyre të dhunshëm, druaj, druaj shumë se situata mund të përkeqësohet shumë dhe të shkaktohen trazira të paparashikueshme. Në asnjë mënyrë nuk mendoj që të kundërshtoj këtë formë më demokratike të të shprehurit të pakënaqësive mirëpo përvoja e deritashme ka dëshmuar se ende nuk jemi të “ pjekur” që protestat të përfundojnë qetë ashtu siç i ka hije një populli të civilizuar. Në këtë frymë duhet të angazhohen edhe liderët opozitar, të cilët duhet që mospajtimet dhe kundërshtimet e tyre të shpalosin në Parlament, por edhe të kërkojnë mënyra të qarta për tejkalimin e tyre. Çdo eskalim i situatës do të jetë një barrë e rëndë për secilin lider politik, ndaj edhe kahet e aktivitetit të tyre duhet të orientohen që paqja të mbretëroj në gjithë hapësirën kosovare e të mos bëhemi horë para opinionit sidomos atij ndërkombëtar, të cilët mund të na fajësojnë se ne nuk dimë të mbajmë e të krijojmë shtet. Maturia tash për tash është gjëja më e mirë që mund të ndodh.
Dhe krejt në fund. Një qytetar u shpreh kësisoj: me keqardhje me duhet të them se jemi të detyruar të shohim me tmerr e neveri se si njerëzit që dëshirojnë të bëhen dikushi po mundohen të shqyejnë dhe të shkelin me këmbë shoqi- shoqin vetëm e vetëm se për të gjithë nuk ka vende udhëheqëse.

Filed Under: Analiza Tagged With: i veprimeve, Paralizim, te dobishme, Xhavit Citaku

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 15
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT