Të linçosh në këtë formë dhe në këtë përmbajtje, në rend të parë, bijën e kombit Donika Gërvallën, nuk i shkon për nder LDK-së, përkundrazi kjo është e turpshme për këtë subjekt politik/
Ne Foto:Donika Gervalla/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Nuk u befasova aspak me vendimin e Kryesisë së LDK-së për anulumin e zgjedhjeve në degët e Gjermanisë, Zvicrës dhe Kllokotit. Rasti i Kllokotit është vetëm një farsë e anëtarëve të kësaj Kryesie, sepse tehu i orientimit ishte goditja e degëve në Gjermani dhe Zvicër, degë këto që tashmë një kohë të gjatë kanë në shënjestër të kritikës punën dhe aktivitetin centralist të kreut të LDK-së. Sidomos kreut të kësaj partie politike nuk po i pëlqen dhe nuk po i shkon për shtati zgjedhja e delegatëve, të cilët, disa sish, kanë paralajmëruar se nuk do të përkrahin kandidaturën e Isa Mustafës për t’u rizgjedhur edhe për një mandat në krye të LDK-së.
Dega e LDK-së në Gjermani ishte përcaktuese në mbajtjen gjallë të sistemit paralel në kohën e okupimit
Të diferencosh, të përjashtosh dhe të anulosh një proces jashtëzakonisht demokratik të zhvilluar në degët e Gjermanisë dhe Zvicrës është e patolerushme dhe e turpshme për anëtarët e Kryesisë së LDK-së. Mërgimtarët tanë gjithandej Evropës e Amerikës e dinë fare mirë se sidomos dega e LDK-së në Gjemani, në kuadër të së cilës ishin tubuar veprimtarë me bagazh të madh patriotik e intelektual, ishte përcaktuese në mbajtjen gjallë të sistemit paralel në kohën e okupimit nga Serbia. Thënë konkretisht, ishte e para kjo degë që diti aq mirë të organizoj mërgatën shqiptare për të realizuar kauzën për çlirim kombëtar dhe të formimit të Fondit të Trepërqindshit që mbajti gjallë sistemin arsimor e shëndetësor të Kosovës, Presidencën dhe në përgjithësi të popullatës që nuk u gjunjëzua ekonomikisht nga të gjitha ato vështirësi që i shkaktonte okupatori serb. Në këtë punë të madhe për komb e atdhe, me përkushtim, entuziazëm e vullnet ishte e angazhuar edhe Donika Gërvalla, e cila tash e një kohë të gjatë po shikohet me sy të keq, sidomos nga kreu i LDK-së, i cili duke përgatitur këtë kurth me atë vendim tipik komunist, po mundohet ta linçoj këtë bijë të kombit shqiptar. Mirëpo, kjo veprimtare e devotshme nuk do të dorëzohet para këtyre ndërskamzave të njerëzve të lig, të njerëzve të pakurriz dhe të lajkatarëve të shumtë që për interesa personale, klientiste, grupore po mundohen që LDK-në ta fusin buzë greminës, ta ndajnë në dysh apo edhe të përsëritët edhe një herë skenari i karrigave. Është për të ardhur keq se si anëtarët prezent të Kryesisë së LDK-së ranë në këtë nivel kaq të ulët të anulimit të zgjedhjeve të këtyre dy degëve më të mëdha dhe më të organizuara në diasporë, pa kontributin e të cilave, dorën në zemër, Kosova nuk do të kishte arritur këtu ku është sot. Këto dy degë ishin ato që me lidhjet e tyre me njerëz të politikës, kulturës, artit e mediave arritën që të sensibilizojnë aq shumë opinionin ndërkombëtar me situatën e rëndë që ishte prezente gjatë okupimit klasik të Kosovës dhe, po ashtu, falë veprimtarëve të tyre është arritur që të organizohen shumë takime të ish- Presidentit Rugova me lider të shteteve të fuqishme. Të injorohet kjo veprimtari e pasur dhe me përmbajtje e këtyre dy degëve me anë të atij vendimi përjashtues të Kryesisë qendrore, tregon qartë se jo vetëm që nuk respektohet statusi i këtij subjekti politik, por është edhe jo demokratik dhe jashtëzakonisht i rrezikshëm për të ardhmen e tij.
Përvoja tregon se atij që i bën mirë ta kthen më të keq
Vendimi i Kryesisë së LDK-së për të anuluar zgjedhjet në këto dy degë të diasporës ta përkujton përvojën e hidhur të dëshmuar nga populli se atij që i bën mirë ta kthen më të keq. Edhe Isa Mustafa e bëri të njëjtën gjë. Derisa ishte minister i ekonomisë në qeverinë e Bukoshit dhe qëndronte në Gjermani, pati shumë të mira nga dega e LDK-së në këtë vend, ndërkaq tash vërtetë po ua kthen më të keq, duke ua mohuar vullnetin dhe përcaktimin e anëtarëve të saj për kandidatët që ata vetë i zgjodhën me votën e lirë. Sa ishte në Gjermani Isa Mustafa jetoj me para dhe djersën e mërgatës dhe tash të gjitha i ka hudhë pas shpine dhe nuk ndien për një përgjegjësi falënderimi. Kjo nuk i bën nder LDK-së, përkundrazi kjo përbuzje do të reflektohet shumë negativisht në zhvillimet brenda këtij subjekti politik, ndërsa e ardhmja dukët mjaft e zymtë dhe e papërspektivë.
Kjo nuk është frymë rugoviane
Të diferencosh, të anulosh dhe të përjashtosh vullnetin e elektoratit të këtyre dy degëve në Gjermani dhe Zvicër më së paku mund të quhet frymë rugoviane. Askush ama askush në LDK nuk mund të marrë me mend se ish- Presidenti Rugova do të lejonte këso vendimesh linçuese të merren në subjektin e tij politik. I tërë opinioni shqiptar e di fare mirë se sa tolerant ishte dhe kurrë nuk ka ndodhur që të reagoj e aq më pak që t’i shkoj mendja për të ndërmarrë masa “ ndëshkuese” për ata që mendojnë ndryshe, për ata që e kanë kritikuar. Mirëpo, kjo po ndodh nga ata që kanë trashëguar veprimet dhe sjelljen ndëshkuese ndaj kundërshtarëve të tyre, apo siç thotë një fjalë popullore” çka piqet nuk hiqet”.
I pari që nuk u pajtua me këtë vendim antidemokratik ishte ish- Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, mirëpo nuk dëgjuam se çfarë ishte reagimi dhe mendimi e kandidatëve tjerë për kryetar të LDK-së. Nuk e di se a ishte prezente në atë mbledhje urgjente edhe Vjosa Osmani dhe si ishte reagimi i saj për këtë veprim të ngutshëm. Nëse edhe ajo e ka ngritur dorën pro këtij vendimi, lirshëm mund të konstatoj se edhe ajo nuk ka të bëj me politikën rugoviane. Ndërkaq, Lutfi Haziri është në atë rrethin e ngusht të vendosjes dhe dihet si ka votuar.
Bujar Bukoshi ambasador: a është kjo e mundur?
Të emërohet Bujar Bukoshi në pozita të ndryshme politike e tash së voni po i përgatitet hapësira të bëhet edhe ambasador i rangut të lartë, kjo për mërgatën shqiptare është një ofendim i rëndë për shkak se ky njeri e keqpërdori në masë të madhe Fondin e Trepërqindshit/
Opinion nga XHAVIT ÇITAKU/
Përkundër vërejtjeve nga faktori ndërkombëtar se personat që janë nën hetime, janë marrë me krime apo aktualisht janë në ato valë të zhvatjes së shtetit, nuk bën të zgjidhen në vende të ndryshme udhëheqëse, siç dukët, kjo nuk po ua vranë veshin qeverisë dhe organeve tjera që emërojnë personalitete në pozita të larta, qofshin politike, ekzekutive apo edhe diplomatike. Shembulli i fundit që u bë i ditur këto ditë është se Bujar Bukoshi do të emërohet në pozitën e ambasadorit, edhe atë, siç thotë edhe vet, të rangut të lartë, përgjegjës për siguri, ku do të këtë mundësi të shëtisë nëpër shumë shtete. Bujar Bukoshi, dihet botërisht se ishte i ndjekur penalisht për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare derisa ishte minister i shëndetësisë dhe siç po ndodh në shumicën e rasteve këta keqpërdorues po shpallen të pafajshëm me arsyetime banale që nuk i ha drejtësia e mirëfillt në asnjë shtet. Ky lajm, posaçërisht, nuk u prit mirë nga mërgata shqiptare, e cila më të drejt pyet se si është e mundur që një ish-udhëheqës i Fondit të Trepërqindshit të marrë pozita çfarë të dojë përkundër faktit të pamohueshëm se ky njeri ka keqpërdorur më të madhe parat që u grumbulluan në atë fond nga djersa dhe mundi i bashkatdhetarëve tanë të shpërndarë në të gjitha kontinentet. Ka shembuj të shumtë që mërgimtarët tanë e shkrin tërë pasurinë e tyre që kursyen me vite tëra për të mirën e atdheut, për çlirimin nga okupuesi serb. Në vend që të kishin filluar kaherë hetimet për të parë se në çfarë mase u keqpërdorë ky fond dhe ku mbetën ata qindra milionë marka gjermane, qeveria jonë e shpërblen këtë njeri me emërimin e tij edhe në pozitën e diplomatit. Kjo sjellje kaq injorante e pushtetit të vendit tonë karshi mërgatës shqiptare, që ishte njëri ndër faktorët kryesor të çlirimit të Kosovës dhe mbajtjes gjallë të popullatës para gjatë dhe pas luftës , është një gabim i pafalshëm. Se kush ishte iniciator që Bukoshi të marrë edhe pozitë diplomati këtë nuk mund ta di, por një gjë dihet se në krye të qeverisë gjendet ish-ministri i financave, Isa Mustafa , që së bashku me shefin e tij bën çfarë dëshiruan me ato para të grumbulluara në Fondin e Trepërqindshit, ndaj nuk është e rastësishme që tash Bukoshi pa ndonjë vështirësi zgjedh detyra e pozita që atij i konvenojnë në kohë të caktuar. Emërimi i tij mund të jetë edhe një shkas që ato para që i ka futur në banka të ndryshme në shtetet ku ruhet sekreti i klientëve të tyre të marrë vesh se sa ka arritur norma e kamatës dhe sa janë shtuar mjetet deri me tash.
Derisa LDK në vazhdimësi thirret se po ndjek rrugën rugoviane, shembulli i fundit i se Bukoshi do të bëhet ambasador i rangut të lartë definitivisht tregon qartë se kjo nuk është fare e vërtetë aq më shumë kur dihet se ky njeri sa e sa herë ia ka ndërprerë financimin e presidencës, në krye të së cilës ishte Dr. Ibrahim Rugova. Po ashtu, Bukoshi sabotoj edhe luftën çlirimtare duke qenë pengesë e madhe në sigurimin e armatimit për shkak të mosderdhjes së mjeteve për këtë qëllim edhe pse mërgata shqiptare, pos dhënies së mjeteve për Fondin e Trepërqindshit disa herë mori aksione plus për t’u armatosur çlirimtarët, apo thënë me gjuhën e fakteve në dy aksione të mëdha që u organizuan secila familje dha nga 100 marka gjermane për çdo anëtarë të saj. Këtë injorim nuk e meriton mërgata e jonë dhe ajo tash e në të ardhmen kurrë nuk do të pushoi së insistuari që të dalin në dritë keqpërdoruesit e mjeteve të tyre, të cilat u dhanë për Kosovën e për të mirën e qytetarëve të saj e jo që ato të përfundojnë në xhepat e matrapazëve, të cilët në vend që të japin llogari, ata tash gjenden në vende udhëheqëse politike e besa së shpejti do të emërohen edhe në pozita të larta diplomatike. Kjo bënë vaki vetëm tek ne.
Së këndejmi, detyrë dhe obligim së pari i Kryeministrit aktual, Isa Mustafa, por edhe e presidentës së vendit. Atifete Jahjaga, është që këtë njeri të mos e emërojnë në pozitën e ambasadorit, sepse kjo do të ishte një gabim i pafalshëm por edhe një ofendim për qindra mijëra bashkatdhetarë tanë që punojnë e jetojnë në dhjetra shtete anekënd botës . Mërgata shqiptare shpreson e beson se një gjë e tillë nuk do të ndodh.
Terrorizëm i pamëshirshëm shtetëror mbi popullatën e pafajshme shqiptare
Më shumë politikanët shqiptarë merren me grupin e armatosur se sa që shprehin interesim për terrorizimin e më së 40 mijë shqiptarëve, vrasjen dhe shkatërrimin e pasurisë së tyre.- Befason rënia në heshtje e liderëve shqiptar në Maqedoni që nuk e panë të arsyeshme të gjenden afër qytetarëve kumanovas në këto momente të rënda për ta/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Secili që ka gjak shqiptari dramën tmerruese në Kumanovë e priti me pikëllim të madh dhe dhimbje të thellë në zemër e shpirt. Si mund të mos jetë kështu kur një ushtri e tërë barbare me armë më bashkëhore e tanke kishin sulmuar pamëshirshëm pa kurrfarë paralajmërimi mbi 40 mijë shqiptarë të këtij qyteti duke shkatërruar dhjetra shtëpi, duke vrarë shumë civil, duke burgosur fëmijë, gra e pleq dhe duke terrorizuar qindra të tjerë në mënyrën më të vrazhdë që njeh njerëzimi. Në cilin vend në botë do të kishte ndodhur një sulm i këtillë mbi një popullatë duarthatë në emër të luftimit të një grupi, i cili po të kishte profesionalizem do të kishte mundur lehtë të izolohet e jo që me shprazjen e lloj lloj armësh të goditën shtëpitë në të cilën banojnë qytetarë të pafajshëm. Mirëpo, për pushtetin e këtij shteti kur janë në pyetje shqiptarët mund të veprohet në këtë formë të panjerëzishme pa dhënë kurrfarë përgjegjësie, bile as morale.
Pjesëtarët e UÇK-së nuk luftuan për të shitur mend
Ata trima ishin të gatshëm për të vdekur vetëm e vetëm për t’u dalë në ndihmë vëllazërve nga një skenar shfarosës që kishte planifikuar antishqiptari i përbetuar, Gruevski, me kriminelët Jankullovska dhe shefi i shërbimit sekret të këtij shteti të brishtë. E konsideronin jetën e qytetarëve të shenjtë dhe më të çmuar se sa të tyren dhe ajo luftë e tyre mbinjerëzore, ajo trimëri e treguar dhe ajo përpjekje për të shpëtuar banorët nga një masakër e mundshme dhe e përgatitur mirë do të mbetët gjithnjë në kujtesën e çdo shqiptari si një shembull i shkëlqyer se si sakrifikohet jeta për komb dhe atdhe. Këta trima, pjesëtarë të UÇK-së, nuk erdhën e nuk luftuan për të shitur mend. E dinin këta heronjë të ditëve tona se kur i hynë kësaj rruge do të kenë vështirësi të mëdha, por kur politikanët shqiptar rrinë duarkryq dhe nuk e bëjnë edhe një hap më të vogël në drejtim të barazisë kombëtare dhe implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, atëherë dëshmorët e rënë dhe ata që u arrestuan morën forcë dhe nga dashuria për atdheun e kombin, për qytetarët e nëpërkëmbur morën armët në duar në mënyrë që të shembet kjo qeveri antishqiptare dhe që vuajtjet e padrejtësitë që iu bëhen shqiptarëve në të gjitha porët e jetës të ndërpriten njëherë e përgjithmonë. Pra, këto veprime shtypëse sllavo- maqedonase, po kërkojnë forca të reja të cilat pa dyshim se do të lartësohen aq sa do të mjaftojnë që populli shqiptar në Maqedoni të jetë faktor i rëndësishëm e vendimmarrës në të gjitha proceset. Rreth këtyre forcave patriotike do të mblidhen shumë më tepër shqiptar që do të dinë e shohin më mirë rrugën e prosperitetit e të ardhmës më të mirë për shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre etnike. Jeta po na mëson se drejtësia për shqiptarët po vonohet, por një gjë dihet se ndryshimi do të ndodh e deshën apo nuk e deshën hordhitë antishqiptare. Po ashtu një gjë po merret vesh ashiqare se dikush i kishte thirrur, dikush i kishte mashtruar dhe dikush edhe i kishte tradhtuar këta trima. Kjo gjë herët a vonë do të merret vesh. Për dikë shumë lehtë është të përbalt këtë sakrificë të madhe që dhanë pjesëtarët e UÇK-së, por asnjëri ama asnjëri kurrë nuk e dëshiron e as që e ëndrron të ishte në lëkurën e tyre sidomos të atyre që janë të arrestuar mbi trupin e të cilëve shprazët dhuna çnjerëzore e kriminelëve maqedonë.
Ku jeni o politikanë shqiptarë?
Derisa popullata shqiptare përjetoj momentet më të vështira nga terrori sllavo-maqedonas politikanët shqiptarë më shumë po merren me grupin e armatosur se sa që po shprehin farë dhimbje e interesim për pasojat tejet të rënda në këtë komunë shqiptare. Asnjëri prej tyre nuk u dëgjua të thotë një fjalë të vetme se aksioni barbar i policisë ishte tepër i vrazhdë, tepër i dhunshëm, por mund të thuhet e terror i shfrenuar dhe se për këtë dikush do të duhej të jap përgjegjësi, ndryshe këtë barbari nuk do të mund të pranohet dhe të lejohet as tash, as kurrë. Me një fjalë, as politikanët në Kosovë e as ata në Shqipëri nuk reaguan konform situatës së krijuar në Kumanovë, por deklaratat e tyre ishin të vakëta duke u angazhuar që të mbretëroj arsyeja dhe të ulën gjakrat, shprehje këto tashmë rutinë që mund t’i dëgjosh edhe nga ndërkombëtarët. Politikanët tanë do të duhej pa kurrfarë ngurrje t’ia tërheq vërejtjen antishqiptarit të përbetuar Gruevskit se ai nuk mund të “ luaj” si të do me fatin e shqiptarëve dhe t’i terrorizoj kaq keq sikur që ndodhi në Kumanovë. Të përkrahesh Gruevskin në këto momente është barazi me gjunjëzim para tij dhe soldateskës së tij ndëshkuese që bëri ndaj shqiptarëve. Kjo nuk duhet të ndodh në asnjë moment dhe rrethanë. Më së shumti befason rënia nën hije e politikanëve shqiptar në këtë shtet fqinjë të cilët i ka kapluar frika deri në palcë dhe popullatën shqiptare në Kumanovë e kanë lënë nën mëshirën e të tjerëve, përkatësisht të Zoevit, i cili i vizitoj këta njerëz të traumatizuar jo se ka ndonjë dhimbje për ta, por ai këtë e ka bërë për interesin e tij personal, për karrierën e tij politike. Ndaj edhe shtrohet pyetja se si është e mundur që asnjëri prej tyre të mos gjendet në mesin e këtyre njerëzve me halle të mëdha.
Menduh Thaçi duhet të jap dorëheqje!
Në momentin kur në medie doli se Menduh Thaçi i kishte thënë shefit të shërbimit sekret se më të do jetë deri në vdekje, ky politikan shqiptar do të duhej të jepte dorëheqje të parevokueshme nga partia që e drejton. Kjo do të ishte puna më e vogël që do të mund të bënte ky njeri, i cili edhe ashtu nuk e meritonte të udhëheqte këtë parti për shkak se sa e sa herë humbi në zgjedhjet e organizuara në këtë shtet dhe se nuk mbahet mend që ka dhënë farë kontributi që edhe shqiptarët t’i gëzojnë të drejtat e barabarta me “ maqedonët”. Ky, pra, do të ishte një akt moral dhe asgjë më shumë, ndërsa historia do të flas kur të dalin edhe tjera punë të fshehura që ka bërë ky njeri. Edhe në partitë tjera shqiptare ka nevojë për një freski me kuadro të reja e profesionale, sepse në politik një dihet fare mirë politikani konsumohet pas një periudhe. As ministrat shqiptarë nuk di të duhej të rrinin ulur në kabinetin qeveritar të urdhërdhënësit të atij terrorizmi shtetëror mbi popullatën e pafajshme shqiptare.
E egër je ti Jankullovska e jo shqiptarët
Ministrja e Punëve të Brendshme të “ Maqedonisë” tashmë është njohur për shprehjet e saj raciste në drejtim të shqiptarëve. Ajo madje këtë popullatë shtetformuese e quan edhe të egër dhe e krahason me indianet e Amerikës Veriore. Mirëpo, urdhëri i dhënë për të shkatërruar çdo gjë shqiptare në Kumanovë dëshmoi qartë se sa e egër është Jankullovska, se sa e pashpirt është kjo grua karshi shqiptarëve. Zatën, nuk mund të pritet më shumë nga një përfaqësuese e një popullate që nuk ka as identitet kombëtar, as flamur, as kulturë e as histori të saj. Vjedhja e identitetit, ndërtimi i statujave të personaliteteve të kombeve tjera, nuk të bënë të fortë, përkundrazi të bën qyqar, të bën të qesh bota më këtë naivitet ballkanas. U bë mirë që shkove për të mos u kthye kurrë në atë pozitë që shumë familjeve shqiptare ua nxive jetën. Mallkuar qofsh.
Paralajmërimi i Daut Haradinajt shokues, tmerrues, shqetësues…
Skenar të tërheqjes zvarrë të njerëzve mund të shihen vetëm në shtetin e ashtuquajtur islamik dhe këto veprime kanë mundur të ndodhin edhe në kohën e inkuizicionit/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Nuk po mund të besoj. Po me dukët një ëndërr e keqe. Apo po shtirem se është një ëndërr që nuk do të dëshiroja ta shoh. Mirëpo, fatkeqësisht është një realitet i tmerrshëm që lexova në portale shqiptare: Daut Haradinaj paralajmëron anëtarët e Komisionit për veteranët e UÇK-së se do të tërhiqen zvarrë nëpër shesh. Është ky një paralajmërim shokues, tmerrues e shqetësues. Është një veprim çnjerëzor që kohëve të fundit mund të shihen duke u kryer vetëm në shtetin e ashtuquajtur islamik nga xhihadist e terrorist dhe në kohën e inkuizicionit. Është kjo një deklaratë jashtëzakonisht e pamatur por edhe naive e thënë në kohën kur e tërë bota është duke e dënuar me forcë gjithë atë tmerr që është duke ndodhur në hapësirën e shtetit islamik ku po kryhen masakra nga më të vrazhdat që i njeh njerëzimi. Dhe tash sipas Daut Haradinajt e njëjta gjë do të mund të ndodh edhe në Kosovë të cilën gjë do të mund ta bëjnë ish-ushtarët e UÇK-së, të cilët ideal patën çlirimin e vendit dhe gëzimin e të drejtave të shqiptarëve që ishin nëpërkëmbur nga okupatori fashist serb. Këtë sigurisht se nuk do ta lejojnë të ndodh kurrën e kurrës këta heronjë të ditëve tona, mirëpo kjo vetëm se po hedh në sipërfaqe dhe po argumenton se ka të tillë që mendojnë se do të duhej të ndërmerren edhe këso masa makabre që tek qytetarët e kosovës janë të papranueshme dhe të dënueshme.
Të mbretëroj toleranca dhe mirëkuptimi
Është më së e domosdoshme që procesi i verifikimit të veteranëve të UÇK-së të jetë real dhe në lista të futën vërtetë ata që e meritojnë, ata që me pushkë në dorë luftuan për çlirimin e atdheut. Pa dyshim se këtu rol të madh luajnë edhe komandantët e niveleve të ndryshme të cilët më për së afërmi i njohin luftëtarët që ishin nën udhëheqjen e tyre. Nuk duhet në asnjë mënyrë që në ato lista të gjenden të tillë që kanë lidhje farefisnore apo të tjerë që vetëm kanë parë “ ëndërr” se kanë qenë ushtarë të UÇK-së. Pavarësisht se ku gjenden pengesat, gabimet apo lëshimet e mundshme është më së e domosdoshme që të mbretëroj toleranca e mirëkuptimi në mënyrë që ky proces të përfundoj siç është më së miri. Për këtë ka mundësi reale që të ndodh kështu vetëm nëse kërkohet vullnet e dëshirë nga të gjithë. Së këndejmi as nuk është koha e aq më pak nevoja që të ndërmerren masa drastike ndaj askujt edhe nëse ka gabuar apo që eventualisht ka bërë ndonjë lëshim që lehtë mund të përmirësohet.
Ai që ka bagazh atdhetar duhet të jetë shumë i matur
Daut Haradinajt duhet t’ia përkujtojmë se nisur nga ai bagazh i madh atdhetar që ka familja e tij ka paralajmërim është i ngutshëm dhe shqetësues. Është shqetësues sepse nxit, cyt e “ josh” njerëzit e pandërgjegjshëm që të ndërmarrin hapa radikal që do të shpijnë në rrezikimin e prishjes se situatës në Kosovë, e cila edhe ashtu është mjaft e brishtë. Dhe duhet ta dijë Daut Haradinaj se po të ndodh një gjë e keqe nga ky paralajmërim famkeq edhe ai do të këtë një përgjegjësi nëse jo penale sigurisht se morale po se po. Për një komandant të nivelit të Daut Haradinajt do të duhet të mbretëroj durimi e maturia si dhe mesazhi për veprime që shpijnë në zgjidhje të problemeve me mirëkuptim dhe tolerancë e jo që të paralajmërohet një veprim që nuk duhet të zë vend në Kosovë. Janë vetëm gjykatat ato që i dënojnë njerëzit dhe askush tjetër.
Poezia shqipe ka shumë dhimbje dhe në të njëjtën kohë shumë mall për lirinë
Kështu tha Ulmar Qvick, albanolog, shkrimtar, gazetar e mik i madh i shqiptarëve në festivalin e djeshëm të poezisë “ Sofra poetike” që u mbajt në Boros të Suedisë/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Qendra Kulturore Shqiptare “ Migjeni” në Boros të Suedisë, në kuadër të shumë aktiviteteve konkrete që po zhvillon një kohë të gjatë, së bashku me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar “ Papa Klementi XI Albani” që vepron në këtë shtet skandinav, për herë të dytë organizuan manifestimin letrar i titulluar “ Sofra poetike në Boros”, i cili u mbajt dje e në të cilin morën pjesë krijues e dashamirë të fjalës së shkruar jo vetëm nga Suedia, por edhe nga Norvegjija, Gjermania, Zvicra e Greqia si dhe poet e miqë suedez. Sipas organizatorëve, Sokol Demakut, Bahtir Latifit dhe Hysen Ibrahimit, udhëheqës të këtyre asosacioneve ky manifestim që tashmë është bërë tradicional qëllim kryesor ka kultivimin dhe ruajtjen e poezisë shqipe në mërgatë. Thënë konkretisht, kjo veprimtari ka për qëllim që ta kultivoj e ruaj gjuhën dhe kulturën shqiptare në mërgim në këtë pjesë të Evropës. Njëkohësisht ky manifestim, kjo sofër, paraqet një shtytje e nxitje për të gjithë ata që janë të prirur të merren me shkrime që ta gjejnë vetën këtu, të veprojnë kështu në mënyrë të organizuar dhe nesër të krijojnë vepra më të mira letrare, artistike e kombëtare.
Në fillim të këtij evenimenti, Saranda Iseni, e cila ishte edhe moderatore, recitoj bukur vjershën e shkrimtarit suedez, Karl Nordstrym, “ Ata dhe Ne” kushtuar vuajtjes së madhe që shqiptarët patën gjatë luftës së fundit në Kosovë nga soldateska famkeqe serbe.. Me poezitë e tyre u paraqitën edhe Hysen Ibrahimi, Remzi Basha, Louesie Halvardson,, Henrik Mimerson, Shuquri Sejdijaj, Shaban Osmani, Nuha Zllufi, Myrvete Mehmeti. Ndërkaq, Juliana Janku që kishte ardhur nga Gjermania pos në shqip ajo lexoi krijimet e saja edhe në gjuhën anglishte me qëllim që edhe krijuesit dhe miqtë suedez të kuptojnë më afër përmbajtjen e tyre të mrekullueshme.
Dhimbja të bënë vjershëtar
Në këtë tubim të rëndësishëm poetik e morën fjalën edhe disa krijues, të cilët lartësuan poezin si një fuqi magjike që po arrin t’i tuboj krijues e dashamirë të fjalës së shkruar nga shumë vende të botës. Ullmar Qvick, albanolog, shkrimtar, gazetar e mik i madh i shqiptarëve, i dha një përgjigje karakterit dhe domethënies se poezisë , kësaj ëme të artit duke thënë: Para shumë vitesh lexova për një poet në kohën e Vikingëve, i cili shpjegoi pse ishte bërë poet. Ai e shprehu me gjuhën solemne të përdorur para në mijë vjetësh. “ E MORA DHURATËN E DHIMBJES, DHE PRA U BËRA VJERSHËTAR”. Ky poet i panjohur para njëmijë vjetësh na jep mesazhin se si vuajtja dhe dhimbja mund të shihen pozitivisht si dhuratë, duke qenë se ajo mund të shndërroj të keqen në diçka të mirë dhe të bukur, në poezi. Poezia shqipe ka shumë dhimbje dhe në të njëjtën kohë shumë mall për lirinë. Për këtë arsye besoj se ky poet nordik nga koha e larshtë ka një lloj ngjashmërie me poetët shqiptar deri në ditët tona. Dhimbja për fatin e atdheut, për krimet e armiqve mizor, për vdekjen që vjen pa pritur dhe pa mëshirë, të gjitha këto janë pjesë përbërëse në poezinë shqipe. Kuptohet se në këtë poezi jetojnë edhe lirika, lumturia e dashurisë dhe optimizmi, prapë jo aq shumë sa dhimbja dhe malli. Poezia ka veti dhe aftësi të mrekullueshme për të shprehur gëzime dhe hidhërime, vuajtje dhe fitore, shpeshherë në pak rreshta. Poezia kalon nëpër shekuj dhe përmban mesazhe të rëndësishme edhe për njerëzit e kohës sonë. Për këtë arsye mirëpres me gëzim të madh këtë iniciativë për të futur përsëri kulturën shqiptare dhe poezin në qendër të vëmendjes duke shpresuar që të kemi dobi dhe kënaqësi nga dita e Sofrës poetike”, tha ndër të tjera ai.Hamit Gërguri, autor i disa librave në gjuhën shqipe e suedeze, ndër të tjera theksoi se në shqiptarët erdhëm në këtë vend të largët e të ftohtë, por me zemër të ngrohtë. Gjetëm strehim, bukë e përkujdesje dhe buzëqeshjen e parë kur ikëm nga ato përndjekje barbare që na i bënte regjimi fashist serb. Ne, krijuesit dhe artistët shqiptar, me punën tonë po bëjmë përpjekje që ta rrisim dhe pasurojmë degën në atë drurin e pasur kulturor të Suedisë. Bardha Mançe, redaktore e programit shqip në radio Athinë, foli fjalë miradije për punën e mrekullueshme që po bëjnë qendra kulturore “ Migjeni” dhe Shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptar këtu në Suedi, të cilat duhet të jenë një shembull i mirë edhe për të tjerët se si duhet të punohet në mërgim. Behide Hasanaj , foli kryesisht për punën e saj 35 vjeçare në fushën e humanizmit dhe të ndihmës së madhe që ajo së bashku me shoqatën i dhanë popullit në kohën kur kishte më së shumti nevojë. Shuquiri Sejdijaj, krijues dhe gazetar, tha se vërtetë tash po e kuptoj se sa e fuqishme, sa magjike qenka poezia me vetë faktin se sot në këtë eveniment kanë ardhur krijues e dashamirë nga shumë vende evropiane.
U ndanë tetë shpërblime për poezitë më të mira
Sofra poetike ka edhe karakter garues ndaj edhe u ndanë tetë shpërblime për krijimet më të mira poetike, dy nga ato iu ndanë dy krijuesve suedezë. Do theksuar se në garë morën pjesë me krijimet e tyre morën pjesë mbi 30 poet nga shumë vende evropiane, Kosova e Shqipëria. Të shpërblyerit janë: Lebibe Zogiani, Myrvet Elmazi, Bajram Muharremi, Louise Halvardsson, Vlhelme Vranari, Isa Ferizi, Vasa Papaj dhe Henrik Mimersson.
Në këtë tubim u promovuan edhe Libri i Lebibe Zogianit “ Më falë një jetë”, i Hysen Berishës “ Familja Teraba, i Nulla Zullufit” Larg Vendlindjes dhe i Shuquri Sejdijajt “ Veç një zemër”.
SHSHASH “Papa Klemnti XI” dhe QKSH “ Migjeni” që veprojnë në këtë shtet të largët meritojnë lëvdata për një punë të mrekullueshme që janë duke bërë këtu në mërgim me synimin e vetëm që në këtë mënyrë t’i shërbejnë rinisë sonë, popullit tonë dhe atdheut të cilin e duan aq shumë të gjithë këta krijues, shkrimtarë e veprimtarë. Po ashtu, qëllimi i këtij manifestimi është që t’i afroj njeri me tjetrin krijuesit shqiptar me krijuesit e vendit ku ata veprojnë e krijojnë, pra me poet suedezë dhe poet të komuniteteve tjera që jetojnë e veprojnë këtu.
- « Previous Page
- 1
- …
- 3
- 4
- 5
- 6
- 7
- …
- 15
- Next Page »