Të linçosh në këtë formë dhe në këtë përmbajtje, në rend të parë, bijën e kombit Donika Gërvallën, nuk i shkon për nder LDK-së, përkundrazi kjo është e turpshme për këtë subjekt politik/
Ne Foto:Donika Gervalla/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Nuk u befasova aspak me vendimin e Kryesisë së LDK-së për anulumin e zgjedhjeve në degët e Gjermanisë, Zvicrës dhe Kllokotit. Rasti i Kllokotit është vetëm një farsë e anëtarëve të kësaj Kryesie, sepse tehu i orientimit ishte goditja e degëve në Gjermani dhe Zvicër, degë këto që tashmë një kohë të gjatë kanë në shënjestër të kritikës punën dhe aktivitetin centralist të kreut të LDK-së. Sidomos kreut të kësaj partie politike nuk po i pëlqen dhe nuk po i shkon për shtati zgjedhja e delegatëve, të cilët, disa sish, kanë paralajmëruar se nuk do të përkrahin kandidaturën e Isa Mustafës për t’u rizgjedhur edhe për një mandat në krye të LDK-së.
Dega e LDK-së në Gjermani ishte përcaktuese në mbajtjen gjallë të sistemit paralel në kohën e okupimit
Të diferencosh, të përjashtosh dhe të anulosh një proces jashtëzakonisht demokratik të zhvilluar në degët e Gjermanisë dhe Zvicrës është e patolerushme dhe e turpshme për anëtarët e Kryesisë së LDK-së. Mërgimtarët tanë gjithandej Evropës e Amerikës e dinë fare mirë se sidomos dega e LDK-së në Gjemani, në kuadër të së cilës ishin tubuar veprimtarë me bagazh të madh patriotik e intelektual, ishte përcaktuese në mbajtjen gjallë të sistemit paralel në kohën e okupimit nga Serbia. Thënë konkretisht, ishte e para kjo degë që diti aq mirë të organizoj mërgatën shqiptare për të realizuar kauzën për çlirim kombëtar dhe të formimit të Fondit të Trepërqindshit që mbajti gjallë sistemin arsimor e shëndetësor të Kosovës, Presidencën dhe në përgjithësi të popullatës që nuk u gjunjëzua ekonomikisht nga të gjitha ato vështirësi që i shkaktonte okupatori serb. Në këtë punë të madhe për komb e atdhe, me përkushtim, entuziazëm e vullnet ishte e angazhuar edhe Donika Gërvalla, e cila tash e një kohë të gjatë po shikohet me sy të keq, sidomos nga kreu i LDK-së, i cili duke përgatitur këtë kurth me atë vendim tipik komunist, po mundohet ta linçoj këtë bijë të kombit shqiptar. Mirëpo, kjo veprimtare e devotshme nuk do të dorëzohet para këtyre ndërskamzave të njerëzve të lig, të njerëzve të pakurriz dhe të lajkatarëve të shumtë që për interesa personale, klientiste, grupore po mundohen që LDK-në ta fusin buzë greminës, ta ndajnë në dysh apo edhe të përsëritët edhe një herë skenari i karrigave. Është për të ardhur keq se si anëtarët prezent të Kryesisë së LDK-së ranë në këtë nivel kaq të ulët të anulimit të zgjedhjeve të këtyre dy degëve më të mëdha dhe më të organizuara në diasporë, pa kontributin e të cilave, dorën në zemër, Kosova nuk do të kishte arritur këtu ku është sot. Këto dy degë ishin ato që me lidhjet e tyre me njerëz të politikës, kulturës, artit e mediave arritën që të sensibilizojnë aq shumë opinionin ndërkombëtar me situatën e rëndë që ishte prezente gjatë okupimit klasik të Kosovës dhe, po ashtu, falë veprimtarëve të tyre është arritur që të organizohen shumë takime të ish- Presidentit Rugova me lider të shteteve të fuqishme. Të injorohet kjo veprimtari e pasur dhe me përmbajtje e këtyre dy degëve me anë të atij vendimi përjashtues të Kryesisë qendrore, tregon qartë se jo vetëm që nuk respektohet statusi i këtij subjekti politik, por është edhe jo demokratik dhe jashtëzakonisht i rrezikshëm për të ardhmen e tij.
Përvoja tregon se atij që i bën mirë ta kthen më të keq
Vendimi i Kryesisë së LDK-së për të anuluar zgjedhjet në këto dy degë të diasporës ta përkujton përvojën e hidhur të dëshmuar nga populli se atij që i bën mirë ta kthen më të keq. Edhe Isa Mustafa e bëri të njëjtën gjë. Derisa ishte minister i ekonomisë në qeverinë e Bukoshit dhe qëndronte në Gjermani, pati shumë të mira nga dega e LDK-së në këtë vend, ndërkaq tash vërtetë po ua kthen më të keq, duke ua mohuar vullnetin dhe përcaktimin e anëtarëve të saj për kandidatët që ata vetë i zgjodhën me votën e lirë. Sa ishte në Gjermani Isa Mustafa jetoj me para dhe djersën e mërgatës dhe tash të gjitha i ka hudhë pas shpine dhe nuk ndien për një përgjegjësi falënderimi. Kjo nuk i bën nder LDK-së, përkundrazi kjo përbuzje do të reflektohet shumë negativisht në zhvillimet brenda këtij subjekti politik, ndërsa e ardhmja dukët mjaft e zymtë dhe e papërspektivë.
Kjo nuk është frymë rugoviane
Të diferencosh, të anulosh dhe të përjashtosh vullnetin e elektoratit të këtyre dy degëve në Gjermani dhe Zvicër më së paku mund të quhet frymë rugoviane. Askush ama askush në LDK nuk mund të marrë me mend se ish- Presidenti Rugova do të lejonte këso vendimesh linçuese të merren në subjektin e tij politik. I tërë opinioni shqiptar e di fare mirë se sa tolerant ishte dhe kurrë nuk ka ndodhur që të reagoj e aq më pak që t’i shkoj mendja për të ndërmarrë masa “ ndëshkuese” për ata që mendojnë ndryshe, për ata që e kanë kritikuar. Mirëpo, kjo po ndodh nga ata që kanë trashëguar veprimet dhe sjelljen ndëshkuese ndaj kundërshtarëve të tyre, apo siç thotë një fjalë popullore” çka piqet nuk hiqet”.
I pari që nuk u pajtua me këtë vendim antidemokratik ishte ish- Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, mirëpo nuk dëgjuam se çfarë ishte reagimi dhe mendimi e kandidatëve tjerë për kryetar të LDK-së. Nuk e di se a ishte prezente në atë mbledhje urgjente edhe Vjosa Osmani dhe si ishte reagimi i saj për këtë veprim të ngutshëm. Nëse edhe ajo e ka ngritur dorën pro këtij vendimi, lirshëm mund të konstatoj se edhe ajo nuk ka të bëj me politikën rugoviane. Ndërkaq, Lutfi Haziri është në atë rrethin e ngusht të vendosjes dhe dihet si ka votuar.