Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Në mbledhjen e fundit të Parlamentit të Kosovës u miratua leximi i parë i Projektligjit të buxhetit për vitin e ardhshëm, i cili u kritikua ashpër nga opozita që e quajti, ndër të tjera, edhe të pashpresë për qytetarët. Ndërkaq, propozimi i deputetes Margarita Kadriu për formimin e Komisionit parlamentar për të vërtetën reale në mbledhjen e tatim taksave, ishte më së i qëlluar. Ishte propozim me vend sepse ka të bëj me gjetjen e mundësive reale për rritjen e shumës së parave në arkën e shtetit, e cila me bindje të plotë mund të them se do të kalonte tremilardshin ashtu siç pretendon deputetja Kadriu, por edhe do të eliminonte pengesat e dukurit e tashme që janë shfaqur në këtë drejtim. Për më tepër do të realizoheshin edhe shumë projekte kapitale, por edhe do të përmirësohej mirëqenia sociale e qytetarëve.
Bizneset i shmangën pagimit të tatimit me ndihmën e zyrtarëve tatimor
Ka fakte të pamohueshme se po të bëhej vjelja e tatimit konform ligjit dhe Kushtetutës, përkatësisht sipas të hyrave vjetore që bizneset dhe veprimtaritë tjera i realizojnë, pa fije dyshimi se arka shtetërore do të ishte “ mbushur” shumë më tepër se sa sot. Dhe shtrohet pyetja se përse është kështu e nuk është ndryshe. Në fakt, ka shumë faktor e dukuri të shumta negative që po ndikojnë në krijimin e kësaj situate të “ mangët” buxhetore, por faktor kryesor që determinojnë kaq keq në grumbullimin e tatimit sigurisht se janë ekonomia informale, korrupsioni, favorizimet e bizneseve të caktuara të lidhura me “ boset” në hiearkin e lartë të shtetit, por edhe të qendrave komunale dhe forma tjera perfide të shmangies së pagimit të tatimit. Bishtnimit të kryerjes së obligimeve tatimore nuk do të kishin pasur sukses ta bënin shumica e bizneseve në Kosovën e pasluftës, sikur kësaj të mos i kontribuonin, ndër të tjera, edhe zyrtarët tatimor, përkatësisht inspektorët kompetent, të cilët për një drekë apo një shumë fare të vogël parash, deri në minimum ulin shkallën e ngarkesës të pagesës së tatimit. Në këtë “ lojë” të fëlliqur që po luhet tash e shumë vite pas, sigurisht se jo vetëm që po e dëmton në masë të madhe buxhetin e Kosovës, por po i vë në pozitë të palakmueshme edhe kompanitë të ndryshme, të cilat nuk kanë pranuar që të lidhen me klientelat politike. Me një fjalë, kjo formë e deritashme e vjeljes së taksave në sektorin privat duhet të ndryshoj në të mirë dhe të marrë kahjen e shëndetshme në mënyrë që të arrihen rezultate, pse të mos themi, edhe trefish më të mëdha në pasurimin e arkës së shtetit.
Dy shembuj të bishtnimit të tatimit
Edhe pse jo vetëm unë por edhe zyrtarët tatimor janë në dijeni për këta dy shembuj që do t’i përmendi me këtë rast, emrat e tyre nuk do t’i publikoj, por lë të mbetën vetëm si një pasqyrë e keqe e bishtnimit të pagimit të tatimit për shtetin. Derisa për shembullin e parë nuk kam “ fakte” të bollshme për të dëshmuar qind për qind bishtnimin e pagesës së taksave nga një pronar i një restoranti të njohur në Kryeqendrën tonë, i cili sipas një informate që rrjedhë nga njerëz që janë në afërsi më të, besohet se ai ka një qarkullim deri në 200 mijë euro në muaj, ndërkaq në anën tjetër në arkën e shtetit paguan një shumë simbolike. Është ky favorizim i caktuar i këtij biznesi apo jo. Shembulli i dytë ka të bëj me një këngëtar të njohur, i cili para disa viteve ishte në një ballafaqim televiziv me drejtorin e ATK-së, i cili pretendonte se shumën e parave që ia kishin kërkuar për të paguar ishte e madhe, ndërsa ky i “ uruar” kishte kryer, siç thoshte, obligimin e tij me 37 euro për tre muaj. Unë dhe 250 mysafirë të tjerë që ishim në një dasëm ku ky këngëtar dhe bashkëshortja e tij për pesë gjashtë orë kishin marrë “ kesh” në dorë 3200 euro qeshnim me ironi, por edhe shprehnim çudi se si ky njeri që shtirët se është edhe serioz mund të gënjej haptas se nuk ka pasur më shumë të hyra se nuk ka pasur punë. Lë të llogarisë ai se sa është të dashur të paguaj vetëm nga kjo dasëm e të mos flasim se sa koncerte e dasma të tjera ka marrë pjesë ky këngëtar së bashku me gruan e tij. Po të mos kishte pasur punë nga e mori gjithë atë pasuri: shtëpi të bukur e besa edhe vetura të shtrenjta e shumë e shumë lukse tjera.
Kritika e opozitës
Opozita ishte shumë e “ zhurmshme” gjatë debatit për buxhetin e vitit të ardhshëm. Kjo është e vlefshme dhe e shëndetshme për demokracinë dhe është veprim që flet se opozitarët nuk do t’i lënë rehat pozitën në “ ofensivë” për të realizuar kërkesat e arsyeshme të tyre. Mirëpo, një gjë tashmë u pa e u dëshmua se më shumë së mbi 1.5 miliardë euro nuk ka dhe shi për këtë subjektet politike në opozitë nuk duhet të pushojnë gjatë gjithë kohës për të mobilizuar pozitën në luftimin e të gjitha dukurive që janë pengesë për shtimin dhe pasurimin e arkës së shtetit. Për këtë ka kapacitet Kosova, ka kapacitet ekonomia dhe biznesi kosovar. Ndërkaq, propozimi e deputetes Kadriu do të duhej të përkrahej nga të gjithë kolegët e saj në parlament.
Ndryshimet nisin nga qendra
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Sa më la përshtypje një paraqitje e liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt, në rrjetin social pas një mbledhje që kishte pasur me strukturat e larta të këtij subjekti politik. Në të vërtetë, më shumë ishte një artikull i bukur gazetaresk se sa ndonjë mesazh politik që do të forconte bindjen e anëtarësisë dhe të qytetarëve për diçka serioze që do zhvillohet nga ai moment kur kishte përfunduar ai takim. Nuk ishte politik sepse më shumë ishte një shkrim hulumtues që kishte të bënte me akuzat që një kohë të gjatë kishin të bënin me haraçin, që flitej e përflitej se ose janë njerëz të afërm të këtij subjekti apo ndoshta edhe ata që e bëjnë këtë punë kriminale e thirrën në emër të saj. Dhe menjëherë shtrohet pyetja se ku ishin deri me tash këto struktura që nuk e trajtonin këtë akuzë tejet të rëndë me kohë dhe t’iu hiqet qafe kjo barrë kaq e madhe njëherë e përgjithmonë, apo u desh që kjo humbje e radhës t’ua kthjell mendjen liderit të partisë dhe të tjerëve se ndoshta aktualizimi i kësaj teme më herët do të kishte sjell suksese pozitive në mbështetjen nga elektorati.
Nuk mjafton vetëm pranimi i gabimeve
Deri me tash nuk kemi pasur rastin të dëgjojmë nga liderët tanë se gjatë punës së tyre kanë gabuar, duke e hedhur fajin për dështime diku tjetër, sidomos, në shkaqe objektive. Mirëpo, kësaj radhe Haradinaj na u bë “korrekt” dhe pranoj se deri me tash kishte gabuar. Dhe për ato gabime që kishte bërë, ai mendon se duhet bërë një reformim të dukshëm në parti, duke ftuar që këtij subjekti t’i bashkohen numër sa më i madh i intelektualëve dhe njerëzve tjerë kompetent për të bërë ndryshime në të ardhmen, por edhe duke i larguar ata që eventualisht janë të “ përzier” në akte kriminale. Këto synime për të sjell diçka të mirë në Kosovën e pasluftës gjithnjë ishin në platformën e programit të këtij subjekti që nga formimi i saj, mirëpo asnjëherë nuk gjetën përkrahje nga qytetarët, për të cilën gjë flasin të dhënat e rezultateve pas zgjedhore ku asnjëherë nuk fitoi besimin e më shumë se dhjetë për qind të votave. A është gabimi me këtë rast i mosdijes së organizimit partiak për të bind numër më të madh të qytetarëve se ky subjekt është zgjedhja e duhur për ardhmërinë e Kosovës dhe prosperitetin e banorëve të saj, apo faji e gabimi është krejt diku tjetër . Lideri partiak pranoi se ka bërë gabime, por cilat ishin ato gabime nuk arritëm t’i mësojmë. Nuk mjafton vetëm pranimi i fajit, sepse gabimet e përsëritura tash e sa vite duhet të sjellin edhe pasoja mbi ata që aq shumë i sollën dëm partisë që kurrë nuk arriti numrin dyshifror të votës së elektoratit prej se merr pjesë në zgjedhje AAK. Në fakt,desha ta them se pasojat duhet t’i bart lidershipi, i cili është përgjegjësi kryesor i të gjitha zhvillimeve të deritashme politike, të korrat e të cilave ishin shumë larg synimeve që kishin propaganduar dhe që i kishin realizuar në të vërtetë.
Ramushi e dëshironte vetëm postin e Kryeministrit
Nga momenti kur Haradinaj arriti që të “ shijoj” pozitën e Kryeministrit për rreth tre muaj, nuk kemi patur rastin të dëgjojmë aq shumë nga liderët tjerë të këtë më shumë vendosshmëri për t’u ulur sërish në karrigën e të parit të qeverisë se sa ky lider i AAK-së. Jo vetëm bashkëpartiaket e tij por edhe ai vetë pa u hamendur fare më kë u takua e më kë pati ndej nuk e la pa e përmend synimin e tij për t’u bërë kryeminister, ngaqë, sipas tij, vetëm ai është zgjedhja e duhur. Bile na kujtohet me një rast kur pati thënë se vetëm lë të udhëheq ai qeverinë se këtë mund ta bëj edhe pa e pasur asnjë minister nga partia e tij, Apo rasti tjetër kur u lirua nga burgu si i pafajshëm, turr e vrap, filloi të kontaktoj me Kryeministrin e atëhershëm Thaçi për t’ia lëshuar vendin, pa respektuar rregullat e përcaktuara të sistemit zgjedhor. Pikërisht ky apetit sikur u konsumua shumë lehtë nga qytetarët të cilët menduan ndryshe, përkatësisht i thanë jo dhe votën e besimin ia dhanë dikujt tjetër që duhet të vijë në pushtet edhe për katër vjetët e ardhshëm.
Apetite të tepruara të partive të vogla
Zgjedhjet i fitoi PDK e cila në Parlament ka 26 deputet më shumë se AAK. Aty ishte besimi, aty ishte programi joshës që e bindi elektoratin se programi i saj ofron zgjidhje të duhura, por edhe që lideri i saj e ka atë fuqinë politike, por edhe diplomatike për të vazhduar me politikat e saj të ndërtimit të vendit. Kështu vendosi verdikti i popullit dhe pikë. Ndaj kërkesa e Haradinajt edhe pas përfundimit të zgjedhjeve të bëhet Kryeminister ishte e pajustifikueshme dhe e pa bazuar në rezultatin paszgjedhor.
Në asnjë rast, në cilindo shtet, nuk mund të dëgjosh që një parti që nuk e ka fituar besimin qytetar të këtë kërkuar postin e të parit të qeverisë ashtu siç bëri lideri i AAK-së. Thënë konkretisht, është verdikti i votës së qytetarit ai që përcakton se kush dhe në çfarë mënyre do të ndërtoj institucionet e reja të shtetit. Apo thënë më mirë ai që i fiton zgjedhjet ai e bartë të drejtën për postin e Kryeministrit dhe të më shumë posteve ministrore por edhe të grupeve e komisioneve parlamentare. Edhe koalicioni ndërmjet PDK-së dhe LDK-së nuk është i bazuar në respektimin e votës së qytetarit, por nëse kihet parasysh se shteti gjendej para “ bankrotimit” atëherë lë të mbetët në ndershmërinë e tyre ky përfundim i këtillë i zgjidhjes së ngrëçit politik gjashtë mujor . Së këndejmi, këto apetite të tepruara të partive të vogla, por edhe të atyre pak më të mëdha duhet të flakën njëherë e përgjithmonë dhe të respektojnë së pari votën e qytetarit e më pastaj edhe ligjin dhe sistemin zgjedhor në përgjithësi. Në këtë mënyrë do të respektohej edhe demokracia dhe besimi qytetarë.
Liderët nuk e kanë me tapi karrierën politike
Pos në LDK që nga pas lufta erdhën në krye të saj edhe dy emra të tjerë, në subjektet tjera politike nuk kemi patur rastin të shohim e bile as të këtë ndonjë angazhim e gatishmëri për të bërë ndryshime nga qendra, përkatësisht për ta freskuar partinë me një lider të ri. Deri sa lideri i PDK-së arriti që në tri palë zgjedhje të dalë fitues dhe të këtë një kredibilitet për të udhëhequr edhe më tej këtë parti politike, të tjerët nuk patën sukses që të realizojnë synimet e tyre dhe shi për këtë askush prej tyre nuk barti ndonjë përgjegjësi për humbjet e pësuara. Bazuar në zhvillimet e fundit politike, nuk do të shkon larg e ndryshime edhe në kreun e PDK-së do të ndodhin. Mirëpo kur është fjala e përgjegjësisë askush nga liderët tanë atë nuk e bartë mbi vete, por gjithnjë e hudhin në periferi të ngjarjeve. Këtë e tregon edhe shembulli i liderit të LDK-së, Mustafa, që para qytetarëve kishte premtuar se nëse nuk do t’i fitoj zgjedhjet do të jap dorëheqje, por ai këtë nuk e bëri. Ndërkaq, Haradinaj jo që nuk e ka ndërmend ta bëj një gjë të tillë, por në emër të asaj që u humbë e që vetë si lider duhet të jap përgjegjësi, kërkon reformim të partisë, duke harruar se pikërisht lidershipi i saj nuk po gëzon mbështetje tek qytetarët. Nuk dëshiroj të keqkuptohem as nga z. Haradinaj, sepse e vlerësoj lartë kontributin e tij sidomos gjatë luftës çlirimtare, e as nga ky subjekt politik në përgjithësi, por duhet të kihet parasysh një e vërtetë e madhe se çdo fillim e ka edhe fundin e saj. Me zor nuk shkon asgjë e posaçërisht politika.
Dhe krejt në fund. Liderët nuk e kanë me tapi karrierën politike. Nëse ia duan të mirën subjektit të tyre politik dhe vendit të tyre, ata duhet të jenë të gatshëm dhe pjesë përbërëse për të ndihmuar rreth freskimit me kuadro të reja, kreative e kompetente për të bërë vërtetë ndryshime pozitive. Edhe qytetarët dëshirojnë të shohin fytyra të reja në skenën tonë politike. Ndoshta mund të ngjallin shpresa për një të ardhme më të mirë, më të shëndetshme e sidomos për gjeneratat e reja që hëpërhë ardhmërinë e tyre e shohin, fatkeqësisht, jashtë vendit të tyre të lindjes.
Margaritari i mërgatës shqiptare në Suedi
Saranda Iseni me sukses udhëheq firmën për ndihmë juridike në qytetin e Lundit dhe momentalisht është konsulente dhe ligjëruese edhe në Shkollën e Lartë Teknike në Malmo. Shkruan poezi, ndihmon shumë SHSHASH “ Papa Klementi XI Albani” dhe ka treguar një talent të rrallë si moderatore/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Në fillim e identifikuam vetëm si një figurë e dashur që me besimin e saj të pashoq në vetvete e frymëzon dhe e gjallëron punën dhe aktivitetin e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar “Papa Klementi XI Albani” në Suedi. Mirëpo, me vonë kuptuam se Saranda Iseni përmban në veti shumëçka dimensionale në aktivitetin e saj të përditshëm, që nuk mund t’i gjesh tek femrat tjera në këtë vend të largët skandinav. Në të vërtetë, ajo ka merita të mëdha për angazhimin e saj të pandërprerë që zhvillon dhe virtytet e saja burrërore që për fat të mirë janë të mjaftuara për të vërtetuar shpirtin e saj për t’u bërë e denjë dhe të dalë krenare para çdo sfide eventuale. Ajo ka edhe një ideal të lartë kombëtar duke bërë përpjekje të pandërprera për të mbajtur kontakte me personalitete e figura të shquara të jetës politike, kulturore e sportive në të gjitha trojet etnike shqiptare, për të ndihmuar bashkatdhetarët tanë në këtë vend dhe për të zhvilluar aktivitete të shumta e të dobishme për kombin e atdheun.
Shkëlqen në fushën e jurisprudencës
Është një e re me karakter ë fort, me mendje të kthjellët, me vullnet shumë të madh dhe aftësi profesionale e krijuese. Duke pasur këto karakteristika doemos se i paraprinë arritjes se sukseseve dhe rezultateve jashtëzakonisht të mira sidomos në profesionin e juristes që hëpërhë e ushtron në qytetin universitar në Lund të Suedisë. Puna e saj e palodhshme dhe elani i saj për punë e ngritje në shkallë të lartë të arsimit, kësaj të reje ia mundësoi që vetëm pak vite pasi u vendos në këtë shtet të regjistrohet në Fakultetin Juridik dhe në afatin optimal të marrë diplomën në fushën e jurisprudencës me notë të lartë. Ndërkaq vetëm pas një viti ajo e hap zyrën për ndihmë juridike të qytetarëve, zyrë kjo që tashmë është bërë e njohur jo vetëm në rajonin e Skonës, por edhe më gjerë. Në këtë zyrë ofrohen ndihma në lëndët civile, kontrata të ndërmarrjeve, emigracion,sigurime si dhe të gjitha lëmit juridike- administrative, pos atyre që kanë të bëjnë me vepra penale. Duke njohur mirë funksionimin e sistemit të drejtësisë, sidomos të organeve gjyqësore, si dhe të institucioneve që janë në shërbim të qytetarëve, deri me tash pothuajse doli gjithnjë fitimtare në zgjidhjen e lëndëve në favor të klientëve të saj. Dhe jo vetëm kaq. Saranda Iseni nga ky vit ka hyrë me sukses në portën e madhe në lëmin e jurisprudencës me plotë befasi e të papritura, duke u bërë konsulente dhe ligjëruese në Shkollën e Lartë Teknike në qytetin e Malmos. Nëse vazhdon me këtë ritëm të sukseseve të arritura, emri i kësaj gruaje të re shqiptare do të dëgjohet për profesionalizëm perfekt jo vetëm në këtë vend, por edhe më gjerë.
E ndjeu rëndë shpërnguljen në dhe të huaj
Saranda Iseni ka lindur para 33 vjetësh në Kalishtë të Strugës. Katër klasë të fillores i kreu në fshatin e lindjes, ndërkaq pjesën tjetër dhe gjimnazin me sukses të shkëlqyeshëm në Strugën piktoreske. Në Suedi për shkak të bashkimit familjar u shpërngul në vitin 2000. Këtë rrugë të hidhur kurbetçare ajo e ndjeu rëndë dhe ia si e shpjegon shkurtimisht situatën në të cilën ajo u gjend në ato momente: “ Isha e mbështetur në dritare me vështrimin kah liqeni. Edhe pse ishte muaj shtator, që në mengjez kishte zbritur ulët një mjegull, qielli ishte errësuar dhe fare mirë mund të parandieje se pas pak, ndoshta, mund të bie edhe shi. Tek rrija dhe po prisja, gjithçka përreth po nxihej, peizazhi kishte marrë një pamje të zymtë, që i përshtatej gjendjes sime shpirtërore. Në fytyrë me ishte ishte mbështetur një hije makthi, i një njeriu të frikësuar që edhe dy ditë do të marrë rrugën e largët të mërgimit. Zot me ndihmo”. Ndërkaq, kur ajo arriti në Suedi jeta iu dukë jeta e ftohtë, e distancuar. Në të njëjtën kohë, në shpirtin dhe mendjen e saj ndjeu një energji se duhet maksimalisht t’i përkushtohet mësimit të gjuhës suedeze se ndryshe ardhmëria e saj nuk do të ishte e ndritur. Natë e ditë ishte me libër në dorë, mund ky që iu shpagua sepse në vitin 2007 u regjistrua në Fakultetin Juridik në qytetin universitar të Lundit dhe e përfundoi në vitin 2012. Është nën e mrekullueshme e dy fëmijëve.
Shoqata e shkrimtarëve i dha krah e frymë të re në shumë aspekte
Sukseset e deritashme që ka arritur Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar” Papa Klementi XI Albani” në Suedi sigurisht që janë të lidhura ngusht edhe me emrin e Saranda Isenit. Kontributi i saj i pazëvendësueshëm ka të bëj posaçërisht me organizimin e sesioneve dhe formave tjera letrare, ndihmën në fushën juridike, e posaçërisht derdhja e mjeteve nga fondet e institucioneve shtetërore në llogarinë e këtij asosacioni, ka të bëjë pikërisht me njohjen e saj të burimeve që i përcakton shteti për këto forma të veprimit. Talenti i saj ka arritur shkallën më të lartë edhe në fushën e moderimit. Në secilin eveniment të organizuar ajo është e pakrahasueshme dhe do të ishte më së e domosdoshme që personalitet që merren me këtë lëmi në Shqipëri, Kosovë e trojet tjera etnike të kontaktojnë me të dhe t’ia besojnë udhëheqjen e ndonjë organizimi të madh, pse jo edhe në fushën e muzikës. Për këtë do të binden se nuk kanë bërë zgjedhje të “keqe”. Saranda e flet shumë bukur gjuhën shqipe dhe duke e folur aq pastër ajo në të vërtetë dëshmon për dashurinë që ka për të. Anëtarësia në Shoqatën e Shkrimtarëve në Suedi, asaj, siç thotë edhe vet, i dha krah dhe frymë të re në ngritjen profesionale në shumë aspekte për shkak se u përkrah, u mbështet dhe i dha hapësirë për të treguar gjithë atë bagazh të pasur intelektual që ka. Është e angazhuar në shumë grupe punuese, që kanë të bëjnë me grumbullimin e materialit të veprimtarisë mërgimtare jo vetëm në këtë shtet, të cilat më pastaj botohen në librat “ Thesari Kombëtar i mërgatës shqiptare” Deri me tash janë botuar tre libra të tillë, të cilët janë pritur mirë nga opinioni, komuniteti shqiptar dhe kritika. Është anëtare e Kryesisë së SHSHASH” Papa Klementi XI Albani” në Suedi dhe Anëtare e Kryesisë së Shoqatës së Krijuesve Shqiptar në mërgatë.
Fjalë miradije nga të gjithë
Prof. Fetah Bahtiri, veprimtar i dalluar dhe anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve, e vlerëson kësisoj Saranda Isenin: “ Gjithmonë e buzëqeshur, e gëzuar e me diskonim të mirë. Gjithmonë e gatshme për të ndihmuar njerëzit në nevojë. E pasur me ndjenja patriotike për atdheun e vet, për kombin e vet, për mëmën Shqipëri. E gjindshme në të gjitha situatat kur moderon në ndonjë eveniment dhe shumë e aftë për këtë punë. Ka fjalor të pasur dhe gjuhën shqipe e njeh, e përdorë bukur dhe e shkruan me fare pak gabime. E do poezinë dhe merret me poezi. Shkruan lirika të bukura kryesisht nga jeta e përditshme e në veçanti merret me shkrimin e poezive kushtuar dashurisë. Si anëtare e Kryesisë së Shoqatës është e paprintueshme në punë dhe veprime. Detyrat i kryen me përkushtim dhe me sukses të plotë. Është e angazhuar në menaxhimin e shoqatës sidomos në fushën e veprimtarisë juridike. Një femër elegante, tërheqëse, e bukur”, përfundoi ai. Hysen Ibrahimi, Kryetar i Shoqatës, thekson: Saranda përgjithësisht është një grua intelektuale, e zgjuar, talente. Këto të arritura të zhvillimit të saj, mendoj se i ka trashëgimi nga familja e saj atdhetare. Ndërkaq, kur shohim talentin e saj në skenë si moderatore, ajo lë të kuptoj se ka një stil të tillë të të folurit dhe prezantimit, që i afrohet burimit të së folurës së pastër të gjuhës shqipe. Ajo arrinë ta përfitoj dhe t’i jap gjallësri atmosferës kudo që ndodhet, duke i bërë kureshtar për ta dëgjuar me vëmendje si të ishte një bilbil. Saranda Iseni është një grua e përmasave të mëdha që o shkon për shtati modelimi për të cilën gjë ka aftësi dominimi në çdo paraqitje, shoqëri dhe mjedis ku ndodhet. Në kuadër të veprimtarisë së saj në SHSHASH” Papa Klementi XI Albani”, po dëshmon se është shumë aktive, e sinqert në punë dhe e angazhuar për ta ndihmuar atë në të gjitha format e mundshme. Saranda në këtë asosacion gëzon respekt nga të gjithë anëtarët dhe tash ajo ka fituar një përvojë të konsiderueshme në fushën e krijimtarisë, modelimit, organizimit dhe sensibilizimit të punës së suksesshme të shoqatës sonë”, tha në fund Hyseni. Osman Ahmetxhekaj, veprimtar i dalluar, Saranda është një grua e shkolluar, e arsimuar, e edukuar dhe e zgjuar që ia kanë lakmi edhe shumë kolege e femra tjera jo vetëm të komunitetit shqiptar. Puna e saj e palodhshme dhe shumë intriguese është një shembull i dobishëm për brezat e tashëm dhe të ardhshëm jo vetëm në botën e mërgatës shqiptare. Është shokë shembullor, mikpritëse, gojëmbël, bujare, ambicioze, profesioniste në fushën e jurisprudencës, e gatshme për të ndihmuar të gjithë ata që kanë nevojë, moderatore e “ kalibrit” të lartë, bujare”. Me një fjalë, ajo është margaritari i mërgatës shqiptare në Suedi,theksoi Osman Ahmetxhekaj.
Prioritet i institucioneve është zhvillimi ekonomik e jo dialogu me Beogradin
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës duhet t’ia tërheq vërejtjen përfaqësuesit serb në Prishtinë se ai nuk mund të sillet si të dojë e të përzihet edhe në punët e brendshme të vendit tonë/
Opinion XHAVIT ÇITAKU/
Udhëheqësin e listës serbe të Parlamentit të Republikës së Kosovës, Jablanoviq, e ka kapur aq shumë për “ bark” formimi i asosacionit të komunave serbe se sa që ka interesim për t’u organizuar mbledhja e këtij organi më të lartë legjislativ, e cila pritet të mbahet gjatë kësaj jave, në të cilën do të funksionalizohet puna e tij dhe pritet që të formohet edhe qeveria e re. Bile në deklaratat e tij ky politikan i ri serb shkon aq larg sa që humb durimin e pritjes për të “ diktuar” edhe rendin e ditës në atë mbledhje, ku në pikën e dytë, sipas tij, duhet të jetë formimi i asosacionit serb pa pasur kurrfarë përgatitje dhe një dokument të duhur e të qartë se si do të duket në praktik funksioni i këtij organizmi. Jablanoviq shkon edhe më tej duke i dhënë vetës të drejt të thotë se ky organizem, që ka për qëllim një formë të bashkëpunimit të komunave të populluara me pakicën serbe, do të këtë autorizime të mëdha qeverisëse, apo më mirë më thënë një organ “ ekzekutiv” paralel kundruall organeve qendrore të vendit. Këto deklarata sikur i vërtetoj edhe drejtori i zyrës ndërlidhëse të Serbisë i vendosur në Kryeqendrën tonë, Gjokiq, i cili tha se pas formimit të asosacionit të komunave serbe, dialogu i institucioneve të Prishtinës nuk do të zhvillohet më me Beogradin, por me përfaqësuesit e këtij organizmi, duke lënë të kuptohet se, sipas tij, veç është vendosur për t’i dhënë një formë të “ autonomisë” veriut të Kosovës. Edhe pse këto deklarata, sidomos ajo politike e përfaqësuesit të Serbisë, janë të patolerueshme dhe përzierje direkte në punë të brendshme të Republikës së Kosovës, çuditërisht në asnjë rast nuk dëgjuam nga Ministria e Punëve të Jashtme, as nga pozita e as nga opozita një reagim të ashpër. Kjo nuk është vetëm përzierje në punët e brendshme të vendit tonë, por edhe një formë e rrezikimit të integritetit të vendit dhe dhënies së sinjalit të qartë se Serbia nuk ka heq dhe as që ka ndërmend të heq dorë nga pretendimet e saj territoriale ndaj vendit tonë. Së këndejmi, institucionet tona përkatëse por edhe qeveria duhet të kundërshtojnë tash dhe në të ardhmen që këto deklarata e synime për të ndarë pjesë të territorit të Kosovës të mos ndodhin më dhe t’ua tërheq vërejtjen këtyre “ lakmitarëve” të tokës dardane dhe atyre që kryejnë punë diplomatike në Prishtinë se kështu nuk mund të sillën e të veprojnë në një shtet sovran e të pavarur të pranuar nga 108 shtete të botës.
Asosacion e bazuar në ligj dhe Kushtetutë
Duhet t’ia përkujtojmë Jablanoviqit dhe të tjerëve se jo që në seancë nuk do të jetë në rend të ditës aktual formimi i asosacionit serb por as që do të këtë autorizime ashtu siç fantazoni ju në kokën tuaj. Me nguti e pa detaje të qarta nuk mund të kryhet asnjë punë e lëre më një çështje që është e lidhur drejtpërsëdrejti më sovranitetin e vendit. Pra, asosacioni, siç ka thënë Edita Tahiri, do të formohet bazuar në ligjet dhe aktin më të lartë juridik- Kushtetutën, apo thënë më mirë identik me atë organizem që ka qenë në legjislaturën e kaluar të Parlamentit të Kosovës. Në një shtet të vogël, siç është Kosova, formimi i një organizmi politik qeverisës, ashtu siç pretendon ky politikan serb, do të thotë barazi me dhënien e një autonomie për serbët e veriut dhe afrimin e saj edhe më shumë me Beogradin pa dhënë asnjë herë llogari tek organet qendrore të Kosovës. Ndaj, nuk e besoj se delegatët e Kosovës do të lejojnë dhe votojnë një gjë të tillë dhe këto kërkesa absurde që bien ndesh me Kushtetutën. Delegatët dhe institucionet, por edhe populli shumicë tash dhe në të ardhmen do të punojnë e do të dëshmojnë për integrimin e pakicës serbe në çdo pore të jetës e punës dhe për pjesëmarrje të barabartë me të gjithë të tjerët sipas forcës e votës në të gjitha organet e institucionet e Republikës së Kosovës, por jo për me shumë të drejta se sa të tjerët, ashtu siç kërkon Jablanoviq, se ose do të përfaqësohen me shtatë për qind në çdo formë të qeverisjes ose serbët dot bojkotojnë pjesëmarrjen e tyre. Me kërcenime e kërkesa të pambështetura në fakte nuk mund të ndërtohet e zhvillohet jetë e përbashkët. Edhe vetë ky përfaqësues i listës serbe e di dhe është i bindur se shtatë përqind është shumë dhe nuk përkon me numrin e pakicës serbe që jetojnë në Kosovë. Duhet nisur nga realiteti i krijuar dhe nga e drejta e patjetërsueshme që populli shqiptar kishte në ish- Jugosllavi, si popull i tretë për nga numri i banorëve, si element konstituiv, që të vendos për fatin e vetë pas shkatërrimit të asaj krijese artificiale.
Për fqinjësi të mirë edhe me Serbinë- si dy shtete të barabarta
Krijimi i raporteve të mira me fqinjë sigurisht se është një gjë e mirë dhe që konsiderohet si një standard i lartë i ndërtuar më shumë sakrifica sidomos nga lufta e dytë botërore e këndej. Tashmë bëhet pak fjalë për ndërrim kufijsh e apetitesh tjera gllabëruese të tokave të huaja, pos Rusisë, por edhe Serbisë. Ndërkaq, duke pasur fqinj Serbinë, Kosova dhe institucionet e saja janë të përcaktuara se përkundër gjithë atyre tmerreve që i ka shkaktuar ky shtet popullit shqiptar, të angazhohet për krijimin e kushteve për një fqinjësi të mirë edhe me këtë shtet. Mirëpo, edhe Serbia duhet ta heq nga “ koka” njëherë e përgjithmonë synimin e saj për të përvetësuar ndonjë pjesë të Kosovës në dobi të saj, sepse nga shpallja e pavarësisë çdo gjë ka marrë fund. Pra, gjithnjë tash dhe në të ardhmen shteti serb duhet të niset dhe të bindet se Kosova është e humbur dhe më kurrë kthim prapa nuk ka. Në çdo nismë, marrëveshje dhe çështje tjera me interes, të dyja palët janë të barabarta, si dy shtete të pavarura e sovrane. Vetëm kështu dhe pa ndërskamaza mund të ndërtohet një fqinjësi e mirë, që do të ndikoj edhe në integrimin më të shpejt të serbëve të Kosovës në të gjitha instancat shtetndërtuese të vendit, por edhe të integrimit të këtyre dy vendeve në Bashkimin Evropian.
Delegatët e Parlamentit kanë përgjegjësi të madhe për votën e tyre rreth asosacionit
Megjithatë, me duken pak të habitshme deklaratat e pafundme nga personalitete të ndryshme të BE-së, por edhe të diplomatëve të akredituar në vendin tonë se ndër prioritet kryesore të faktorit politik të Kosovës është vazhdimi i dialogut me Beogradin, deklarata këto sikur i kanë “ rebeluar” përfaqësuesit e serbëve shtetas të Kosovës. Krijohet bindja se këto personalitete dhe shtetet që ata i përfaqësojnë me shumë janë të orientuara në këtë drejtim se sa zgjidhja e problemeve madhore që ka hëpërhë vendi ynë e sidomos me shkallën jashtëzakonisht të ulët ët zhvillimit ekonomik, ku për çdo ditë e më shumë po krijohen rreshta të gjatë të pritjes për një vend pune. Ndaj, edhe do të ishte e udhës që këta diplomatë të akredituar në vendin tonë, por edhe qeveritë e shteteve të zhvilluara ekonomike evropiane dhe SHBA-të më shumë të angazhohen për të joshur investitorë në mënyrë që të ndërtojnë kapacitete të reja prodhuese dhe kështu të hapen vende të reja pune si dhe të ndërpritet sado pak ikja e të rinjve për një jetë më të mirë pikërisht në këto vende që aq shumë i japin prioritet këtij dialogu.
Pa dyshim se nisja e bisedimeve me Beogradin duhet të vazhdoi dhe një ditë edhe të përfundoi, por nuk është e udhës që gjithnjë t’iu “ rrihet” mbi kokë institucioneve kosovare se ky dialog na qenka aq shumë i rëndësishëm kundruall shumë telasheve të tjera me të cilat po ballafaqohet Kosova nga pas lufta e këndej. Institucioneve të reja duhet t’iu japim kuroja dhe ato të kenë guxim e forcë për të përballuar çdo trysni, pa marrë parasysh se prej kujt, që të vendosin drejt e bazuar në Kushtetutë për secilën çështje që do të hynë në rend dite gjatë qeverisjes katërvjeçare. Posaçërisht delegatët e Kosovës kanë përgjegjësi të madhe që të mos lejojnë në asnjë mënyrë që të luhet me fatin, përkatësisht me integritetin territorial të vendit, duke hedhur poshtë çdo kërkesë që është në kundërshtim më ligjet pozitive në fuqi .
Dhe krejt në fund. Prioritet i prioritete është zhvillimi ekonomik dhe hapja e perspektivës për qytetarët e vendit tonë e jo dialogu me Beogradin.
MANIFESTIM NE BOROS-SUEDI
Në Boros të Suedisë mbahet manifestim poetik “ Sofra poetike”/
Ky manifestim ka edhe karakter garues, ndaj ftohen të gjithë krijuesit e interesuar që t’i dërgojnë punimet e tyre origjinale më së largu deri më 20 dhjetor të këtij viti në adresën: dituria@.se/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Qendra Kulturore Shqiptare “ Migjeni” në Boros të Suedisë, në kuadër të shumë aktiviteteve konkrete që po zhvillon një kohë të gjatë, së bashku me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar “ Papa Klementi XI Albani” që vepron në këtë shtet skandinav, për herë të dytë organizojnë manifestimin letrar i titulluar “ Sofra poetike në Boros”, i cili do të mbahet kah fundi i marsit të vitit të ardhshëm. Sipas organizatorëve ky manifestim qëllim kryesor ka kultivimin dhe ruajtjen e poezisë shqipe në mërgatë. Thënë konkretisht, kjo veprimtari ka për qëllim që ta kultivoj e ruaj gjuhën dhe kulturën shqiptare në mërgim në këtë pjesë të Evropës. Njëkohësisht ky manifestim, kjo sofër, paraqet një shtytje e nxitje për të gjithë ata që janë të prirur të merren me shkrime që ta gjejnë vetën këtu, të veprojnë kështu në mënyrë të organizuar dhe nesër të krijojnë vepra më të mira letrare, artistike e kombëtare.
Sofra poetike ka edhe karakter garues, ndaj këto dy asosacione ftojnë poetë shqiptar nga Skandinavia dhe nga të gjitha shtetet tjera ku jetojnë e krijojnë pjesëtarë të komunitetit shqiptar si dhe nga Shqipëria, Kosova dhe trojet e tjera etnike, që të marrin pjesë në këtë manifestim të rëndësishëm letrar. Me qëllim që përzgjedhja e krijimeve më të mira letrare të jetë sa më e qëlluar, këto dy asosacione kërkojnë nga poetet që për “ Sofrën poetike në Boros” punimet e tyre origjinale t’i dërgojnë ( nga tri poezi) deri me 20 dhjetor të këtij viti në adresën : dituria@. se
SHSHASH “Papa Klemnti XI” dhe QKSH “ Migjeni” që veprojnë në këtë shtet të largët meritojnë lëvdata për një punë të mrekullueshme që janë duke bërë këtu në mërgim me synimin e vetëm që në këtë mënyrë t’i shërbejnë rinisë sonë, popullit tonë dhe atdheut të cilin e duan aq shumë të gjithë këta krijues, shkrimtarë e veprimtarë. Po ashtu, qëllimi i këtij manifestimi është që t’i afroj njeri me tjetrin krijuesit shqiptar me krijuesit e vendit ku ata veprojnë e krijojnë, pra me poet suedezë dhe poet të komuniteteve tjera që jetojnë e veprojnë këtu.
Në fund të këtij evenimenti do të ndahen edhe shpërblime për poezinë më të mirë, për poezinë e mërgimit, librin më të mirë dhe prezantuesin më të mirë të punimit të tij si dhe shumë shpërblime të tjera.
- « Previous Page
- 1
- …
- 6
- 7
- 8
- 9
- 10
- …
- 15
- Next Page »