• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BARBARITË SERBE NDAJ SHQIPTARËVE NË VITET 1912 -1913

September 19, 2023 by s p

Prof. Xhelal Zejneli   

Kush e harron të kaluarën rrezikon që ajo t’i përsëritet. 

(George Santayana (1863-1952), filozof amerikan me prejardhje spanjolle) 

*   *   *

Gjatë Luftës së Parë Ballkanike, më 23 dhe 24 tetor 1912, midis ushtrisë serbe dhe asaj turke u zhvillua beteja e Kumanovës. Sipas disa raporteve që i përmend në librin e vet publicisti vjenez Leo Frojndlih (Leo Freundlich, 1875-1953), pas fitores serbe në këtë betejë, ushtarët turq të vrarë janë varrosur në një gropë të përbashkët. 

Kryepeshkopi i Shkupit Lazër Mjeda* raporton në vitin 1912 se në fshatrat e Kumanovës ushtria serbe ka kryer krime të rënda. Shtëpive të fshatarëve shqiptarë ua ka vënë flakën. Ata që kanë tentuar t’i shpëtojnë zjarrit, i kanë vrarë. I njëjti burim thotë se, për të mos harxhuar municion, fëmijët i kanë vrarë me bajoneta. 

Korrespondenti i luftës nga Ballkani për gazetën Kievskaya Mysl, Leon Trocki (me prejardhje hebraike) flet për dëshmitë e një ushtari serb i cili thotë: “Shumë fshatrave të rrethinës së Kumanovës, ushtria serbe ua ka vënë flakën. Skena të tilla janë parë përgjatë vijës hekurudhore, deri në Shkup”. The New York Times i boton të dhënat nga raportet austro-hungareze ku thuhet se midis Kumanovës dhe Shkupit ushtria serbe ka vrarë rreth 3.000 civilë shqiptarë.

Shënim: Kryepeshkopi i Shkupit Lazër Mjeda (Mjedë, 6.3.1869 – Shkodër, 8.7.1935) është klerik katolik, themelues i shoqërisë kulturore “Agimi”, mbrojtës i çështjes kombëtare, vëlla i Ndre Mjedës (1866-1937). Gjatë shërbimit në Shkup dhe në Prizren, ishte dëshmitar i krimeve serbe ndaj shqiptarëve. Lidhur me këtë, nëpërmjet një raporti të hollësishëm, e njoftoi Vatikanin. Në gusht të vitit 1920, për veprimtarinë atdhetare, u burgos nga serbët.     

*   *   *

Shkupi ka qenë qendër administrative e Vilajetit të Kosovës. Sipas të dhënave të caktuara, para Luftës së Parë Ballkanike ka pasur rreth 60.000 banorë. Përqindja më e madhe e tyre kanë qenë shqiptarë. Në raportet që i ka botuar në librin e vet publicisti Frojndlih thuhet: “Ushtria serbe, me të hyrë në Shkup, çdo natë ka hedhur në lumin Vardar rreth 20-30 shqiptarë”. Në raportet e publikuara të autorit të sipërthënë thuhet: “Krime më të rënda kanë kryer formacionet paraushtarake, komitët serbë. Ata kanë kryer terror ndaj shqiptarëve. Gjatë natës, grupe ushtarësh të dehur kanë hyrë nëpër shtëpitë e shqiptarëve, kanë plaçkitur dhe kanë vrarë”. Në librin “Golgota shqiptare” të publicistit Frojndlih jepen të dhëna edhe për “shumë raste përdhunimesh të grave dhe të vajzave të mitura”. Ka pasur raste kur çetnikët serbë “i kanë vrarë shqiptarët në rrugë, pa i dhënë kujt përgjegjësi”. Shpeshherë, shqiptarët e vrarë kanë mbetur pa u varrosur për arsye se gjatë dimrit toka ka qenë e ngrirë. Ka ndodhur që kufomat të jenë hedhur në puse. Sipas burimeve të publicistit Frojndlih, 38 puse të rrethinës së Shkupit kanë qenë të mbushura me kufoma shqiptarësh. Kryepeshkopi i Shkupit Lazër Mjeda raporton: “Në një hendek të madh pas kështjellës së qytetit janë hedhur mbi 100 kufoma shqiptarësh të vrarë. Në zonën e quajtur Uji i Tharët ka një grykë e cila është varr masiv i 80 shqiptarëve”. Gazeta vjeneze Reichspost përmend rastin e pacientëve shqiptarë në spitalin e Shkupit. Gjatë vizitë së parë, mjeku kishte parë 132 pacientë. Të nesërmen kishin mbetur vetëm 80 sish. Ditën e tretë ndërkaq, jo më shumë se 30. Pacientëve shqiptarë nuk u kanë dhënë ushqim. Si pasojë, disa prej tyre kanë vdekur urie, ndërsa shumë të tjerë i kanë hedhur të gjallë në Vardar. Dëshmitarët okularë tregojnë se ushtarët dhe paramilitarët serbë i kanë komentuar vrasjet e shqiptarëve dhe plaçkitjet e pasurive të tyre, si të kishte qenë kjo diçka krejt normale. Për t’i plaçkitur fshatrat shqiptare përreth, shumë serbë kanë ardhur edhe prej Shumadie. Disa prej tyre ua kanë marrë shqiptarëve kuajt dhe bagëtinë, disa të tjerë ndërkaq i kanë shkulur   edhe dyert dhe dritaret e shtëpive. Në raportin e komisionit ndërkombëtar përmendet deklarata e mësuesit të Shkupit, Vasil Smilev i cili ka parë sesi pranë fshatit Butel trupat serbe kanë masakruar 60 meshkuj dhe femra shqiptare. Për krimin e sipërthënë ai e kishte njoftuar konsullatën ruse. Konsulli austro-hungarez në Shkup, fon Hajmrot (von Heimroth) raporton se krejt Shkupi i ka parë fshatrat që digjen. Vlerësohet se në rajonin e Shkupit janë therur rreth 2.000 shqiptarë. 

*   *   *

Shumë robër lufte dhe të plagosur, ushtria serbe i ka dërguar në Nish. Korrespondenti i luftës Hermenegild Vagner (Hermenegild Wagner) ka raportuar për gazetën londineze Dejli Mejl (Daily Mail), për gazetën vjeneze Reichspost dhe për The New York Times. Gjatë qëndrimit treditor në Nish në nëntor të vitit 1912, ka qenë dëshmitar i veprimeve çnjerëzore ndaj robërve shqiptarë. Instituti i Historisë në Prishtinë thotë se në Nish, shqiptarët i kanë mbajtur në kampe përqendrimi. Duke iu referuar dokumenteve të arkivit serb, historianët e Kosovës tregojnë se më 27 tetor 1912, në llogorin e Nishit janë dërguar 650 shqiptarë, ndërsa më 30 tetor, edhe 700 të tjerë.  

*   *   *

Në tetor të viti 1912, ushtria serbe e sulmon Prishtinën. Raportet flasin se me të hyrë në qytet, ushtria serbe dhe paramilitarët e saj, e fillojnë “gjuetinë” ndaj shqiptarëve. Nga masakrat e kryera, popullata e Prishtinës pothuajse është asgjësuar. Ushtria serbe ka hyrë në Kosovë me „Armatën e tretë“ të komanduar nga gjenerali Bozhidar Jankoviq (1849-1920). Kryepeshkopi Lazër Mjeda dhe publicisti austriak Leo Frojndlih, përgjegjës për krimet ndaj popullsisë civile në Kosovë e konsiderojnë gjeneral Jankoviqin. 

Daily Telegraph ka shkruar në atë kohë: “Të gjitha tmerret e historisë nuk janë kurrgjë para mizorive të kryera prej trupave të gjeneral Jankoviqit”.  Si kryetar i „Mbrojtjes Popullore“, gjeneral Jankoviqi mori pjesë në luftimet e çetnikëve për Maqedoninë. Vlerësohet se në ditët e para të pushtetit serb, në Prishtinë janë vrarë 5.000 shqiptarë. 

Shënim: Vendbanimi apo komuna që ndodhet në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë e ka mbajtur emrin e tij. 

*   *   *

Ndaj pushtimit të Ferizait, banorët vendas kanë rezistuar me vendosmëri. Sipas raporteve të caktuara, luftimet për qytetin kanë zgjatur tri ditë. Pasi e kishin marrë qytetin, komandanti serb kishte urdhëruar që banorët e larguar nga qyteti, të kthehen në shtëpi dhe t’i dorëzojnë armët. Me t’u kthyer në shtëpitë e veta, 300-400 vetë ishin masakruan. Pas kësaj ka pasuar shkretimi i fshatrave shqiptare të rrethit të Ferizait. Njësitet ushtarake dhe paramilitare serbe u janë vërsulur shtëpive të pasura të shqiptarëve, kanë plaçkitur dhe kanë vranë sa kanë mundur. Krimet në qytet dhe rrethinë janë shënuar në raportet e konsujve të huaj. Konsulli serb në Shkup thotë se 1.200 shqiptarë janë vrarë gjatë luftimeve. Qyteti iu bashkëngjit Mbretërisë së Serbisë, ndërsa emri i tij u ndërrua dhe u quajt Uroshevac, sipas carit serb Urosh. 

*   *   *

Nga ushtria serbo-malazeze pësoi edhe Gjakova. Gazeta The New York Times shkruan se “në të dyja anët e rrugës shihen njerëz të varur”. Rruga për në Gjakovë i ngjan një “lugine të trekëmbëshave për varje”. Krime të rënda ndaj popullsisë civile në rajonin e Gjakovës kanë kryer formacionet policore-ushtarake malazeze të quajtur Kori i xhandarmërisë mbretërore. Në Gjakovë është zbatuar edhe konvertimi i dhunshëm i shqiptarëve të fesë katolike në fenë ortodokse. Gazeta vjeneze Neue Freie Press (New Free Press) e datës 20 mars 1913 raporton se më 7 mars të viti 1913 kleriku ortodoks serb, me ndihmën e ushtrisë, ka konvertuar dhunshëm në fenë ortodokse rreth 300 katolikë të Gjakovës. Françeskani At Engjëlli (Pater Angelus) ka refuzuar të heqë dorë nga feja e vet. Pasi e kanë torturuar, e kanë vrarë me bajonetë. Instituti i Historisë i Prishtinës thotë se në mars të vitit 1913, në rajonin e Gjakovës, Mali i Zi ka kryqëzuar, d.m.th. ka kthyer në fenë ortodokse mbi 1.700 shqiptarë. Historiani dhe akademiku Zef Mirdita (Prizren, 1936 – Zagreb, 2016) flet për “përndjekjen sistematike të klerit katolik dhe për vrasjen e parisë katolike”. Ai thotë se “gjatë viti 1913, në rajonin e Gjakovës janë konvertuar me dhunë në fenë ortodokse rreth 12.000 shqiptarë katolikë”. 

*   *   * 

Pasi ushtria serbe e vuri nën kontroll Prizrenin, mbi popullsinë civile pasuan masat represive. Njësitet ushtarake dhe paramilitare serbe hynë nëpër shtëpi, plaçkitën, ushtruan dhunë dhe vranë njerëz, pavarësisht nga gjinia dhe mosha. Gjatë ditëve të para të administratës ushtarake serbe, rreth 400 njerëz “u zhdukën”. Kufomat ishin lënë të shtrira nëpër rrugë. Sipas deklaratave të dëshmitarëve okularë, ato ditë përreth Prizrenit ka pasur afërsisht 1.500 kufoma shqiptarësh. Gazetarëve të huaj nuk është lejuar të shkojnë në Prizren. Pas veprimeve të ushtrisë serbe dhe të njësiteve paramilitare, Prizreni ishte bërë një prej qyteteve më të shkatërruara të   Kosovës. Disa e kishin quajtur “mbretëri e vdekjes”. Përkundër gjithë kësaj, gjeneral Jankoviqi e kishte detyruar parinë e Prizrenit të nënshkruajnë një deklaratë falënderimi që do t’i dërgohej mbretit Petar I Karagjorgjeviq (1844-1921), për “çlirimin” e tyre. Vlerësohet se në rajonin e Prizrenit janë masakruar 5.000 shqiptarë. Trupat serbe nuk kanë mundur të gjejnë kuaj për bartjen e pajisjeve për të shkuar në drejtim të perëndimit. Barrën prej 50-60 kilogramësh ua kanë ngarkuar 200 shqiptarëve. Marshi i natës për në Lumë ka zgjatur shtatë orë. 

*   *   * 

Me të parë gjeneral Jankoviqi se fiset shqiptare të Lumës nuk do t’u lejojë trupave serbe të përparojnë kah deti Adriatik, i ka quajtur ata “bastardë të cilët duhet vrarë”. Pas kësaj, u ka urdhëruar trupave serbe të vazhdojnë me një rreptësi të veçantë. Ushtria e ka masakruar popullatën, burrat, gratë dhe fëmijët, pa kursyer kënd. Në rajonin e Lumës ka djegur 27 fshatra. Raportet flasin për mizoritë e papara të ushtrisë serbe, përfshi edhe djegien e grave dhe të fëmijëve, të lidhur për mullari, para syve të etërve. Pas kësaj, rreth 400 meshkuj të Lumës, vullnetarisht u janë dorëzuar autoriteteve serbe. Ata i kanë dërguar në Prizren dhe i kanë vrarë.

Në atë kohë gazeta The Daily Telegraph ka shkruar: “Tmerret e kryera nga gjeneral Jankoviqi, kurrë s’kanë ndodhur në histori”. 

*   *   *

Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912-1913) u vendos që Luma të mbetet në Shqipëri. Megjithëkëtë, ushtria serbe nuk tërhiqej. Në shtator 1913, shqiptarët u kundërvihen me armë. Ushtria serbe ndërkaq u hakmor në mënyrë mizore. Raporti i komisionit ndërkombëtar përmend letrën e një ushtari serb i cili e përshkruan ekspeditën ndëshkimore ndaj shqiptarëve të rebeluar, të ndërmarrë kah fundi i shtatorit të viti 1913. Ai shkruan: “Këtu po ndodhin gjëra të tmerrshme. Si është e mundur që njerëzit të jenë kaq barbarë dhe të kryejnë mizori të tilla?! … Luma nuk ekziston më. S’ka gjë tjetër pos kufomave, pluhurit dhe hirit. Në fshatrat me 100, 150, 200 shtëpi nuk ka asnjë njeri, thjesht, asnjë. Grumbullojmë 40-50 të vrarë dhe i shpojmë me bajoneta. Plaçkitim në të katër anët. Oficeri u tha ushtarëve të shkojnë në Prizren për t’i shitur gjërat që i kanë vjedhur”.               

Në dhjetor të viti 1913, për masakrën ndaj shqiptarëve në rajonin e Lumës dhe të Dibrës, Fuqive të Mëdha iu dërgua një raport zyrtar. Masakra ishte kryer pasi ishte shpallur amnistia nga autoritetet serbe. Në raport ishin shënuar emrat dhe mbiemrat e personave të vrarë prej aradheve serbe, shpeshherë në mënyrën më barbare: duke i djegur, duke i therur, duke i prerë me bajoneta. Jepet edhe lista me të dhëna të hollësishme e fshatrave të djegura dhe të plaçkitura në zonën e Lumës dhe të Hasit. 

*   *   * 

Durrësi është qytet në mes të bregdetit shqiptar. Serbia e pushtoi dhe u përpoq ta bënte port kryesor të saj. Më 6 mars 1913, në zonën e Durrësit, trupat serbe dogjën shumë fshatra. Raportet flasin se në fshatin Zezi, ushtria serbe ka djegur njëzet gra që kanë qenë në shtëpitë e veta. Trupave serbe që e kishin marrë Durrësin u ishte urdhëruar të vazhdojnë ekspeditën edhe pse nuk kanë të siguruar furnizim. Të mbetur pa furnizim, ata janë mbështetur vetëm në plaçkitjen e popullsisë vendase. Plaçkitja ka marrë përmasa të tilla saqë serbët në Durrës, mallrat e plaçkitura i kanë ngarkuar nëpër anije dhe i kanë dërguar në Selanik. Që andej, ngarkesat janë dërguar në Beograd. 

*   *   * 

The New York Times shkruan për dëshminë e mjekut të Kryqit të Kuq i cili thotë se gjeneral Jankoviqi në afërsi të Sjenicës ka vrarë 950 shqiptarë dhe turq – njerëz të respektuar. Në raportin e konsullit austriak thuhet se në Lipjan, më 17 nëntor 1913 shumë kufoma shqiptarësh i kanë lënë të shtrira përgjatë vijës hekurudhore. 

*   *   * 

Masakër është kryer edhe ndaj popullatës së Gjilanit. Qyteti është djegur dhe është shkatërruar, edhe pse banorët e qyteti nuk ka bërë rezistencë. Ushtria serbe dhe paramilitarët serbë kanë vrarë shqiptarë edhe në Tërstenik, Vërban, Preshevë etj. Pas disfatës në betejën e Bërdicës afër Shkodrës, forcat serbe i kanë masakruar banorët e fshatit Barbullush ku kanë vrarë pleq, gra dhe fëmijë. 

*   *   * 

Në zonën e Pejës, deri në qershor të vitit 1913 Mali i Zi ka konvertuar dhunshëm në fenë ortodokse 20 fshatra shqiptare, ndërsa në qytet – rreth 200 vetë. Më 21 shtator 1913, banorët shqiptarë të Gjakovës, të Pejës, të Plavës, të Gucisë dhe të ish-Vilajetit të Kosovës u kanë dërguar një peticion Fuqive të Mëdha. Aty thuhet: “Ushtria serbe dhe malazeze e rregullt, që nga dita e parë e pushtimit të territorit shqiptar, kanë ndërmarrë çdo gjë dhe kanë bërë çmos që popullata, ose ta humbë kombësinë e vet, ose raca shqiptare të shuhet në mënyrë mizore”. 

*   *   * 

Një numër burrash dhe grash të Krujës, thjesht janë qëlluar me plumb, ndërsa shumë shtëpi janë djegur. Më 5 janar 1913, komandanti i ushtrisë serbe, kapiten i klasës së parë, A. Petroviq, banorëve të qarkut të pushtuar të Krujës u ka lëshuar një komunikatë: “Po qe se në qytet, në fshat apo në rrethinë vritet vetëm një ushtar serb, qyteti do të rrafshohet me tokën, ndërsa të gjithë meshkujt e moshës mbi pesëmbëdhjetë vjeç do të vriten me bajoneta”. Raportet thonë se serbët në këtë qytet e kanë shkatërruar kishën katolike. 

*   *   * 

Raporti i datës 12 mars 1913 flet për krimet e trupave serbe në rrethinën e Tiranës. Me fjalë të tjera, kur ushtria serbe ka mësuar se banorët vendorë u kanë ofruar strehim vullnetarëve shqiptarë, i tërë vendbanimi është djegur. Dhjetë burra dhe dy gra janë ekzekutuar, ndërsa 17 vetë kanë pësuar nga zjarri. 

*   *   * 

Instituti i Historisë në Prishtinë, duke iu referuar dokumenteve të diplomacisë serbe thotë se prej tetorit të vitit 1912 deri në gusht të vitit 1914, nga Kosova, nga Sanxhaku dhe nga viset shqiptare në Maqedoni, janë dëbuar me dhunë 281.747 vetë, pa i llogaritur fëmijët deri gjashtë vjeç. Në pronat e shqiptarëve të dëbuar, qeveria serbe ka sjellë mbi 20.000 familje serbe, ndërsa qeveria e Malit të Zi kishte planifikuar të sjellë 5.000 familje. 

Pjesa tjetër e rajoneve të pushtuara që kanë kaluar nën administrimin ushtarak serb, në vitet në vijim do t’i nënshtrohet procesit sistematik të kolonizimit dhe të serbizimit. Më 20 shkurt 1914, pushteti serb miratoi Ligjin për reformën agrare dhe për kolonizimin e rajoneve të reja. Pas kësaj, në shumë prona shqiptare u vendosën kolonë serbë, kryesisht nëpunës, ushtarë dhe policë. 

Më 27 shkurt 1914, qeveria e Malit të Zi miratoi ligjin për kolonizimin e tokave të pushtuara dhe deri në vitin 1915, kur Mali i Zi është pushtuar, kolonët malazezë vendosen në “Metohi” – në tokat që u ishin marrë shqiptarëve. Qysh në nëntor të vitit 1912 qeveria e Malit të Zi themeloi një komitet i cili ishte i autorizuar që shqiptarëve t’ua njohë pronësinë vetëm po qe se kanë dokumente mbi 50 vjet, të verifikuara në librat kadastrorë (defterhanet) të Stambollit. Ndryshe, pasuritë e paluajtshme të tyre janë evidencuar si pronë shtetërore. 

*   *   * 

Socialdemokrati serb Dimitrije Tucoviq (1881-1914) thotë se borgjezia serbe, duke e proklamuar politikën pushtuese ndaj Shqipërisë “për herë të parë nga fytyra e popullit serb e ka hequr vellon e një kombi të ndershëm që lufton për çlirimin e vet”. Ai thotë: “Serbia ka dashur të ketë dalje në det dhe një koloni të sajën, por mbeti pa dalë në det, ndërsa prej kolonisë së paramenduar krijoi një armik të përbetuar”. Në vijim, thotë: “Armiqësia e pafund e popullit shqiptar ndaj Serbisë është arritja e parë e politikës së qeverisë serbe ndaj shqiptarëve”. Arritja tjetër, edhe më e rrezikshme është “shtyrja e Shqipërisë në gjirin e Italisë dhe të Austro-Hungarisë”, dy fuqive të mëdha më të interesuara për Ballkanin Perëndimor. Në nëntor të vitit 1915, njësitë ushtarake austro-hungareze u pritën në Kosovë si çlirimtarë. 

Historiani dhe akademiku serb Dimitrije Bogdanoviq (1930-1986), shkrimet e Dimitrije Tucoviqit mbi „mizoritë e ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve“ i konsideron si „argumente të propagandës austriake kundër Serbisë“.    

*   *   * 

Historiani britanik, profesor i Departamentit të historisë në Columbia University Mark Mazouer (Mark Mazower, Londër, 1958- ), në librin e tij “Ballkani, që nga fundi i Bizantit deri më sot” (The Balkans, From the End of Byzantium to the Present Day), studimit të historisë së Ballkanit i ka kushtuar rëndësi të madhe. Për këtë libër e ka marrë çmimin “Volfson” për histori (The Wofson History Prize). Ai thotë: “Në ish-vilajetet osmane të Kosovës dhe të Manastirit, ushtria pushtuese serbe pa dyshim ka vrarë mijëra civilë. Përkundër pohimeve të pamenduara të disa oficerëve serbë për shfarosjen e shqiptarëve, këto vrasje më tepër janë kryer nga hakmarrja sesa për shkak gjenocidi”.

*   *   *

Duhet theksuar se kudo që ka shkelur ushtria serbe, ka hasur në qëndresën e armatosur të popullit shqiptar. Qëndresa, sakrificat dhe lufta e shqiptarëve ka vazhduar deri në çlirimin përfundimtar prej kolonialistëve serbomëdhenj.     

*   *   *

Historiografia serbe nuk pranon që Serbia të ketë kryer krime gjatë luftërave ballkanike. Sipas serbëve, të dhënat mbi krimet serbe të asaj periudhe na qenkëshin “të njëanshme, produkt i propagandës austro-hungareze dhe italiane. Për ta vazhduar ekspeditën e vet për në Selanik, Austro-Hungaria ka synuar që territoret shqiptare t’i vërë nën kontrollin e vet. Italia ndërkaq, ka synuar që duke e kontrolluar këtë territor, ta kontrollojë ngushticën e Otrantos, ndërsa detin Adriatik ta shndërrojë në liqen të vet”. 

Më 26 gusht 1913 trupat serbe nuk e kanë lejuar Komisionin ndërkombëtar të hetimeve të hyjënë Serbi. Sipas palës serbe dhe asaj greke, anëtari rus i Komisionit ndërkombëtar tëhetimeve, Pavel Nikollajeviç Milukov (Pavel Nikolajevič Milyukov, 1859-1943) dhe ai britanik Henri Noel Brailsford (Henry Noel Brailsford, 1873-1958) qenkëshin bullgarofilë.

Qeveria serbe, shumicën e raporteve për krimet e luftës i ka mohuar zyrtarisht. Asnjë pushtues në histori nuk ka pranuar se gjatë ekspeditave ushtarake ka kryer krime ndaj popullsisë civile.       

Për krimet serbe ndaj shqiptarëve në luftërat ballkanike dëshomon edhe Carnegie Endowment for Internationl Peace, Report of the International Commission to Inguire into the Causes and Conduct of the Balkan Wars (Washington D. C., 1914), faqe 151 e tutje.      

*   *   *

Historianët serbomëdhenj dhe qeveritë serbe që i relativizojnë apo që i mohojnë krimet serbe ndaj shqiptarëve në periudha historike të caktuara, përgënjeshtrohen nga fshati Zajaz i rrethit të Kërçovës. Në Luftën e Dytë Ballkanike (1912-1913) e më vonë, ushtria serbe dhe paramilitarët serbë në shumë qytete dhe fshatra të pjesës veriperëndimore në Maqedoni, ndaj popullsisë civile shqiptare kanë kryer mizori. 

Për t’i zbardhur krimet serbe në këto anë, në fshatin Zajaz dhe në vise të tjera të rrethit të Kërçovës u kryen gjurmime dhe kërkime shumëvjeçare të hollësishme dhe profesionale. Gjurmimet u kryen nga ekspertë dhe specialistë. U zbuluan nëntë varre masive me mbetjet mortore të 500 civilëve të vrarë, midis tyre edhe pleq, gra dhe fëmijë. Të gjitha viktimat janë identifikuar me emra e mbiemra. U zbuluan edhe puse me mbetjet mortore të viktimave. Varre masive kishte pasur edhe në oborre shtëpish. Për viktimat e barbarive serbe, në afërsi të fshatit Zajaz të Kërçovës u ndërtua Kompleksi përkujtimor “Nëna Shqiptare”. Aty u rivarrosën me nderime të larta të gjithë të vrarët. Kompleksi monumental me mbi tremijë metra katrorë u hap për vizituesit që duan të bëjnë homazhe, më 28 nëntor 2017, në Ditën e Flamurit, në Ditën e Pavarësisë. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet. Midis tyre, shumë personalitete të lëmit të politikës, të shkencës, të artit dhe të fesë.   

Viktimat e Zajazit dhe të rrethit të Kërçovës, të identifikuara me emër e mbiemër, janë dëshmi e gjallë dhe e pakontestueshme e iracionalizmit serb ndaj shqiptarëve në të gjitha trojet ku kanë shkelur çetnikët.     

*   *   *

Serbia ka kryer krime edhe gjatë luftës çlirimtare të Kosovës në vitet 1998-1999. Ushtria, policia dhe paramilitarët serbë kanë vrarë, kanë ekzekutuar, kanë plagosur, kanë rrëmbyer, kanë burgosur, kanë torturuar, kanë djegur, kanë përdhunuar. Kanë vrarë fëmijë para syve të prindërve, kanë vrarë prindër në sy të fëmijëve. Të vrarë – 1133 fëmijë. Të zhdukur – 1617. I varrosën në varre masive, hodhën kufoma në puse, dogjën kufoma në furra fonderie. Në lumin Danub u gjet nga një peshkatar autofrigoriferi me 86 kufoma. Nën kanosjen e armëve vrastare, rreth një milion shqiptarë u dëbuan prej vatrave të veta. I zhdukën gjurmët e Ukshin Hotit, e nxorën nga treni dhe e ekzekutuan profesor Fehmi Aganin, e ekzekutuan në prag të shtëpisë profesorin dhe poetin Latif Berisha, e ekzekutuan avokatin Bajram Kelmendi bashkë me tre djemtë e tij, i ekzekutuan vëllezërit Bytyçi – Yllin, Agronin, Mehmetin të cilët ishin shtetas amerikanë etj. Mos vallë edhe këto na qenkëshin propagandë austro-hungareze dhe italiane!? Luftën pushtuese, Serbia e humbi. 

Kosova, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës – ngadhënjeu. Kosova e Adem Jasharit. Për luftëtarin trim, varr nuk ka. Ka një këngë për të.

*   *   *

Që prej vitit 1878 e këndej, Serbia ndaj shqiptarëve ka kryer gjenocid. Për këtë, ajo duhet të përgjigjet para Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte, për krime kundër njerëzimit dhe për gjenocid. 

*   *   *

Serbi! Ja te është Shqipëria, ja te janë shqiptarët, ja te është shqiptaria. Nuk shkulet dot populli më i vjetër i Ballkanit, ndër më të vjetrit e Evropës – prej një Serbie të mjerë!

Prof. Xhelal Zejneli    

Filed Under: Histori Tagged With: Xhelal Zejneli

MILAN KUNDERA, ME RASTIN E VAJTJES NË AMSHIM

July 13, 2023 by s p

Prof.Xhelal Zejneli/

Milan Kundera (Bërno/Brno; Çeki, 1 prill 1929 – Paris, 11 korrik 2023) është shkrimtar çek dhe francez. Njihet për shkrimet erotike dhe politike. Lindi në një familje të shtresës së mesme. Babi i tij, Ludvik Kundera (1891-1971), nxënës i kompozitorit Leosh Junaçek (Leoš Junáček), ishte muzikolog dhe pianist çek. Në vitet 1948-1961, ka qenë në krye të Akademisë Muzikore të Janaçekut në Bërno. E ëma quhej Milada Janosikova Kunderová. Milani i filloi studimet e muzikologjisë dhe të kompozimit. Në opusin e tij janë të shumta ndikimet dhe referencat e muzikologjisë. Në Pragë studioi edhe letërsinë dhe estetikën, por pas dy semestrave kaloi në Akademinë e Filmit të Pragës. Aty ndoqi ligjërata nga regjia dhe skenari. Diplomoi në vitin 1952, aty filloi të ligjërojë letërsinë botërore. Në ideologjinë e çekëve të rinj ndikuan me të madhe përvojat e Luftës së Dytë Botërore dhe të pushtimit gjerman. Kështu, në vitin 1948, Kundera i ri, iu bashkua Partisë Komuniste të Çekosllovakisë. Në vitin 1950, ai dhe shkrimtari çek Jan Trefulka (1929-2012), u përjashtuan nga partia për shkak “të veprimtarisë antipartiake”. Këtë incident, që të dy e shtjelluan në pikëpamje letrare. Kjo e frymëzoi Kunderën për temën kryesore të romanit “Shakaja” (1967). Në vitin 1956, Kundera përsëri u pranua në Partinë Komuniste. Në vitin 1970 për së dyti u përjashtua prej saj. Bashkë me artistët dhe me shkrimtarët e tjerë, si dramaturgu çek Vaclav Havel (Václav Havel, 1936-2011), në vitin 1968 edhe Kundera u angazhua në Pranverën e Pragës. Kjo ishte një periudhë e shkurtër e optimizmit reformist që u shua në gusht të po atij viti me invadimin sovjetik të Çekosllovakisë. Kundera edhe më tej mbeti i angazhuar në reformën e komunizmit çek dhe polemizoi publikisht ashpër, në shtyp, me Havelin, duke thënë se çdokush duhet të jetë i matur për arsye se “ende askënd nuk e burgosin për shkak të mendimit”, ndërsa “pesha e Vjeshtës së Pragës do të mund të ishte më e madhe se pesha e Pranverës së Pragës”.

Në vitin 1956 Kundera u martua me Olga Haasova – Smërçkova (Olga Haasová – Smrčková).   Në vitin 1967 u martua me Vera Hrabánková.   

*   *   *

Shënim: Më 16 janar të vitit 1969, studenti 20-vjeçar i historisë dhe i filozofisë i Fakultetit  Filozofik të Universitetit të Karlovit – Jan Pallah (Jan Palach), duke protestuar kundër pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë, dogji veten në qendër të Pragës, në Sheshin Vacllav (Václav), para Muzeut Kombëtar. Vdiq pas tri ditëve. Lindi në Pragë më 11 gusht 1948, vdiq po aty, më 19 janar 1969. Para se të shkonte në pavdekësi, ky hero i shqiptoi fjalët: “Ka çaste në histori kur të duhet të bësh diçka”.        

*   *   *

Në fund Kundera hoqi dorë prej ëndrrave reformiste të veta dhe në vitin 1975 u shpërngul në Francë. Atje u afirmua si një autor i natyralizuar. Në vitet ’90 të shekullit XX shkruan vetëm në gjuhën frënge.

Prej vitit 1981 është qytetar i Francës. Në vitin 2019, pas dyzet vjetësh, Kundera mori shtetësinë çeke.       

*   *   *

Kundera është ndikuar nga tregimtari austriak me prejardhje hebraike, i lindur në Pragë, Franc Kafka (Franz Kafka, 19883-1924) si dhe nga filozofi dhe poeti gjerman Fridrih Niçe (Friedrich Nietzsche, 1844-1900). Veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës. Ai nisi të botojë në vitin 1953. Romanet e fundit i shkroi në frëngjisht.

Konfliktin e vet programor me letërsinë “të eks-statizmit lirik” e paraqet me shembullin e historisë së jetës të poetit të ri i cili talentin e vet dhe ambiciet rinore i vë në shërbim të ideologjisë komuniste. 

Në letërsi u paraqit në vitet ’50 të shekullit XX., me vargjet që i ngrënin lartë mitet komuniste si dhe me dramat me problematikë shoqërore “të angazhuar”. Në fillim të viteve ’60 të shekullit XX, u distancua nga fillimet e veta letrare që i quajti “periudhë e papjekurisë”. Në fund të dhjetëvjeçarit, d.m.th. në fund të viteve ’60 t qindvjeçarit të 20-të, u bë personaliteti kryesor i qerthullit të shkrimtarëve të cilët kishin mendime dhe qëndrime kritike ndaj regjimit stalinist. Paraqitja publike e tyre në vitin 1967, inicio “pranverën e Pragës” e cila, në gusht të viti 1968, përfundoi me ndërhyrjen ushtarake sovjetike.

Periudhën “e shtatë arritjeve kulmore” apo të “opusit”, siç i quan vetë ai, e fillon me romanin “Shakaja” (Žert, 1967) të cilin kritika çeke e pret në mënyrë të përmbajtur, ndërsa kritika e huaj – si një sensacion të dorës së parë. Historia jetësore groteske e heroit kryesor të veprës është një kornizë në të cilën autori i pasqyron ndryshimet në shoqërinë çeke në të ashtuquajturën periudhë të real-socializmit (realizmit socialist). 

Në përmbledhjen e tregimeve “Dashuritë qesharake” (Smešné lásky, 1970) renditen dramat e vogla, intime, në të cilat lojërat me objektin e pasionit, si rregull, shqiten nga duart e protagonistëve, duke përfunduar me dëshpërim. 

 Vepra “Valceri lamtumirës” (Valčik na rozloučenou, Toronto 1979), në frëngjisht “La Valse aux adieux”, 1986 është një thurimë e ndërlikuar intrigash dashurie, krijim në prozë plot konfliktesh të pabesueshme dhe përfundimesh të papritura. 

Vepra “Libër qeshjesh dhe harresash” (“Kniha smichu a zapomneni”, Toronto 1981), në frëngjisht “Le Livre du rire et de l’oubli”, 1985) përfshin shtatë tregime relativisht të pavarura me temën e qeshjes (që mund të jetë naive dhe intelektuale) dhe të harresës (që godet botën të pavetëdijshme për vazhdimësinë e vet). 

Vepra më e popullarizuar e Kunderës “Lehtësia e padurueshme e qenies” (Nesnesitelná lehkost biti, Toronto 1985), në frëngjisht “L’Insoutenable légèreté de l’être, 1987) merret me motivet e emigracionit, të idilit dhe të kiçit. Heronjtë e saj kthehen nga Zvicra në Çekosllovakinë “e normalizuar” për të kuptuar sesi në të vërtetë ikin nga vetvetja. Idilin provincial të tyre e ndërpret vdekja e papritur në qarkullimin rrugor. 

Romani filozofik “Pavdekësia” (në frëngjisht “L’Immortalité, 1990; në gjuhën çeke “Nesmrtelnost”, 1993), është një sintezë tipike e veprës beletristike dhe eseistike të Kunderës. Në qendër të tij ndodhet figura e njeriut të fundit të shekullit XX, qeniet në një botë pa Zot, të mbështjellë nga reklama, nga manipulimi i mediumeve dhe nga vlerat e rrejshme. 

Kundera është edhe autor dramash. Midis tyre “Monade”, “Lauresha”, “Zhaku fatalist dhe padroni i tij”.

*   *   *

Popullaritet ndër lexues i siguruan pesë romanet e tij. Me romanin “Jeta është gjetkë” (Život je jinde, Toronto, 1979), në frëngjisht “La Vie est ailleurs”, 1987, përqafon modernizmin e traditës kafkiane në kundër-lirizmin, në kundër-romanizmin, në skepticizmin dhe në kriticizmin e tij, së cilës i referohet në esetë të shkruara në gjuhën frënge “Arti i romanit” (L’Art du roman, 1986). 

Romanet dhe tregimet – Shakaja (Žert, 1967); Dashuritë qesharake (Směšné lásky, 1968); Jeta është gjetkë (Život je jinde, 1969); Valceri lamtumirës (Valčík na rozloučenou, 1976); Libër qeshjesh dhe harrese (Kniha smíchu a zapomnění, 1979); Lehtësia e padurueshme e qenies  (Nesnesitelná lehkost bytí, 1984); Pavdekësia (Nesmrtelnost, 1990); Ngadalësia (La Lenteur, 1993); Identiteti (L’Identité, 1998); Injoranca (L’Ignorance, 2000). 

Esetë – Arti i romanit (L’art du Roman, 1985); Testamentet e tradhtuara (Les testaments trahis, 1992); Perdja (Le Rideau, 2005).

Drama – Zhaku fatalist dhe padroni i tij  (Jakub a jeho pán, 1975); “Monade”, “Lauresha”.

*   *   *

Kundera është vlerësuar me çmime ndërkombëtare: 

Prix Médicis étranger, (1973);

Common Wealth Award of Distinguished Service, (1981);

Çmimi Jerusalem Prize for the Freedom of the Individual in Society, (1985);  

Çmimi Shtetëror Austriak për Letërsi Evropiane, (1987);   

Prix de la critique, (1987);

Çmimi “Nelly Sachsové”, (1987);

Medalja për Merita e Klasës së Parë (1995). 

Çmimi ndërkombëtar “Herder”, (2000); 

Çmimin Shtetëror Çek për Letërsi, (2007), etj.  

*   *   *

Sipas kritikëve të caktuar, Kundera e ka merituar edhe çmimin “Nobel” për letërsi, por nuk ia doli të laurohej.  

Prof.Xhelal Zejneli 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Xhelal Zejneli

KRIMET E ANDARTËVE GREKË NË JUG TË SHQIPËRISË

April 18, 2023 by s p

– VITI I MBRAPSHTË –

Prof. Xhelal Zejneli/

Gjatë vitit 1913, grekët e mbajtën të pushtuar jugun e Shqipërisë. Popullatën ortodokse të kësaj zone e quanin popullatë greke. Ndërkohë, dolën me projektin – autonomi e Vorio Epirit. Më 2 mars 1914 shpallën të ashtuquajturin shtet të pavarur të Vorio Epirit me kryeqytet Gjirokastrën. Në qeverinë e këtij farë shteti u përfshinë edhe do shqiptarë të shitur. Shteti fantazmë krijoi edhe ushtrinë e vet.

Në radhët e saj u përfshinë vrasës, kriminelë dhe vjedhës që u liruan nga burgjet. Të organizuar në “batalione të shenjta” apo Hierollohite, ata iu vërsulën jugut të Shqipërisë. Vranë, dogjën dhe shkatërruan gjithçka. Banorët ortodoksë të këtyre anëve e kundërshtuan krijimin e këtij farë shteti. Megjithëkëtë, do të shitur, u bënë pjesë e andartëve grekë. Një prej synimeve të qarqeve vorioepirote greke ishte djegia e fshatrave me popullsi shqiptare të fesë islame dhe vrasja e dëbimi i banorëve të zonës.

Çetat shqiptare në Kolonjë, Tepelenë, Kurvelesh, Delvinë dhe gjetkë të udhëhequr: nga atdhetari e veprimtari i Rilindjes Kombëtare, udhëheqës i luftës së armatosur të çetave për lirimin kombëtar të vendit – Çerçiz Topulli (1880-1915); nga luftëtari dhe komandanti i forcave vullnetare për mbrojtjen dhe për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj – Selam Musai (1860-1920); nga veprimtari i lëvizjes për çlirim kombëtar dhe për mbrojtjen e tërësisë tokësore të vendit gjatë Rilindjes – Sali Butka (1857-1938); nga luftëtari për mbrojtjen e trojeve amtare, sidomos në jug të Shqipërisë – Sulo Beqiri (fund i shek.. XIX – 1970) dhe nga atdhetari kundër pushtuesve osmanë dhe italianë, komandant çetash – Sali Vranishti (Sali Murati/Vranishti, 1880-1926) dy muaj pandërprerë u bënë ballë hordhive andarte greke.

Në kuadër të trupave vullnetare që në vitin 1914 luftuan kundër bandave të andartëve grekë, midis të tjerëve, mori pjesë edhe Avni Rustemi (1895-1924).

Shqiptarëve u erdhën në ndihmë edhe ushtarakët holandezë të cilët ndodheshin në Shqipëri për të organizuar xhandarmërinë e shtetit.

Qeveria e Princ Vidit (Wilhelm Wied, 1876-1945) ishte e zënë me komplotet e Esat pashë Toptanit* (1863-1920) dhe me kryengritjen e Haxhi Qamilit* (Qamil Zyber Xhameta, 1876-1915). Pas një qëndrese dymujore të përgjakshme, një pjesë e popullatës u drejtuan drejt Vlorës dhe Beratit.

Në vitin 1914, andartët grekë kryen ndaj shqiptarëve krime barbare dhe mizori të papara: shumë të vrarë (sipas disa burimeve, janë 7.000 të vrarë); fshatra të djegura (sipas disa burimeve, bëhet fjalë për 192 fshatra të djegura); banorë të dëbuar me dhunë prej vatrave të veta (sipas burimeve të caktuara, bëhet fjalë për më se 100.000 banorë); prej tyre, mbi 4.000 kanë vdekur nga uria dhe nga sëmurjet.

Burimet thonë se në Hormovë, andartët grekë kanë vrarë 217 burra; në Panarit kanë therur 340 burra, gra dhe fëmijë; në fshatrat e Përmetit, të Pacomit dhe në Kuqar kanë vrarë apo kanë therur 75 burra, 40 gra dhe 27 fëmijë.

Popullata është vendosur kryesisht në ullishtat e Vlorës. Shumë vetë kanë vdekur urie.

Për këtë tragjedi ka shkruar edhe shkrimtarja dhe udhëpërshkruesja britanike, mike e madhe e shqiptarëve – Edit Durham (Mary Edith Durham, 1863-1944), popullata ndërkaq, i ka vajtuar në këngë. (Me shkrimet antropologjike të saj, Edit Dyrham pasqyroi jetën e shqiptarëve në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX).

Për masakrat në jug të Shqipërisë në vitet 1913-1914, si dëshmitar i kohës flet edhe prifti ortodoks shqiptar nga Leusa – Kosta Papa Tomori, në librin e tij “Barbaritë greke”, të botuar më 1917.

Për ngjarjet e sipërthëna i ka shkruar edhe studiuesi dhe publicisti Teki Selenica (1882-1962).

* * *

Gjatë historisë politike të kohës më të re, d.m.th. që nga viti 1877 e këndej, grekët, serbët, malazeztë, më vonë edhe sllavo-maqedonasit, të mbështetur nga Rusia cariste, bolshevike dhe putiniste, kanë kryer krime ndaj shqiptarëve. Para këtyre krimeve, Fuqitë e Mëdha të Evropës – Anglia, Franca, Gjermania, Austro-Hungari dhe Italia i kanë mbyllur sytë.

Synimet grabitqare të fqinjëve ballkanikë të shqiptarëve i ndali në Konferencën e Paqes në Paris (1919-1920), presidenti amerikan Udro Uilson (Thomas Woodrow Wilson, 1856-1924). Ky hartoi deklaratën e 14 pikave të shpallur më 8 janar 1918, ku kërkohej vendosja e paqes mbi bazën e parimit të kombësisë dhe të vetëvendosjes së popujve. Kundërshtoi kompromisin anglo-franko-italian të janarit të vitit 1920 që parashikonte kalimin e Shkodrës dhe të Shqipërisë së Veriut në kufijtë e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene.

Lëvizja kombëtare shqiptare fitoi në kohë dhe organizoi Kongresin e Lushnjës (28-31 janar 1920) dhe Luftën e Vlorës (1920) që siguruan tërësinë tokësore dhe pavarësinë Shqipërisë.

Për krimet e fqinjëve ballkanikë ndaj shqiptarëve, pavarësisht nga ç’thotë BE-ja, nxënësit dhe studentët shqiptarë duhet të mësojnë nëpër shkolla dhe universitete – nga tekstet e historisë. Fuqitë e Mëdha të kontinentit kanë gjetur një gjuhë pajtimi ndër vete, por vetëm pasi i kanë pranuar krimet që ia kanë bërë njëri-tjetrit dhe kanë kërkuar falje për to.

Në rajonin e Ballkanit ndërkaq, fqinjët grabitqarë të shqiptarëve, jo vetëm që nuk pendohen për gjenocidin e kryer ndaj tyre, por sot e kësaj dite vazhdojnë të kryejnë krime.

Krimet ndaj popujve s’harrohen dot kurrë. As vjetrohen. Në shenjë kujtimi dhe nderimi të viktimave të krimeve të fqinjëve ballkanikë të kryera ndaj shqiptarëve që nga viti 1877 e këndej, shqiptarët duhet të ngrenë një qendër përkujtimore monumentale.

Shënim:

Esat pashë Toptani (Tiranë, 1863 – Paris, 1920) – veprimtar politik i cili punoi kundër interesave kombëtarë. Si komandant i forcave rezerviste të Shqipërisë së Mesme që luftonin për mbrojtjen e Shkodrës në vitet 1912-1913, pas vrasjes së komandantit të Korpusit (Garnizonit) të Shkodrës – Hasan Riza pashës* (1871-1913), të organizuar prej tij, në prill të vitit 1913 ua dorëzoi qytetin forcave malazeze. Duke qenë ministër i Luftës dhe i Punëve të Brendshme në qeverinë e Vilhelm Vidit (1876-1945), sabotoi qëndresën dhe luftën popullore për çlirimin e Shqipërisë së Jugut nga forcat greke dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar. Në verë të vitit 1915 nënshkroi një marrëveshje me qeverinë e Beogradit në dëm të pavarësisë politike dhe tërësisë tokësore të shtetit shqiptar. U vra me atentat nga Avni Rustemi (1895-1924).

Hasan Riza pasha (1871-1913) – Vali dhe komandant i garnizonit ushtarak të Shkodrës gjatë luftës së Parë Ballkanike. Lindi në Bagdad, nga një nënë me prejardhje shqiptare. Në janar 1911 u caktua komandant i Korpusit (Garnizonit) të Shkodrës, ndërsa në mars të vitit 1912 u emërua edhe vali i vilajetit të Shkodrës. Në vitet 1912-1913, organizoi dhe drejtoi mbrojtjen e Shkodrës. U vra pabesisht më 30 janar 1913. Në këtë vrasje ishte dora e Esat pashë Toptanit. Varri i tij ndodhet në Shkodër. Në vitin 1993, për merita në mbrojtjen e Shkodrës, u dekorua me “Urdhrin për veprimtari patriotike” të kl. I.

Haxhi Qamili (Qamil Zyber Xhameta, fshati Sharrë, Tiranë, 1876 – Durrës, 1915) – Udhëheqës i Kryengritjes së Shqipërisë së Mesme të viteve 1914-1915 – kohë e vitit të mbrapshtë. Mori pjesë në batalionin e rezervistëve “Erzeni” dhe në vitet 1912-1913 luftoi nën komandën turke për mbrojtjen e Shkodrës nga agresioni i Malit të Zi. Gjatë fazës së dytë të kryengritjes kundër qeverisjes së princ Vilhelm Vidit, doli me parullat antikombëtare: “Duam babën, duam gjuhën turke, duam flamurin turk”. Në nëntor të vitit 1914, ishte në krye të djegies së sarajeve të Esat pashë Toptanit. Kryengritja e udhëhequr prej tij, me parullat antikombëtare të saj, goditi rëndë strukturat e shtetit, rrezikoi pavarësinë e tij dhe në qershor të vitit 1915 u shfrytëzua si pretekst për agresionin e forcave të armatosura të Serbisë kundër Shqipërisë. Pas shtypjes së kryengritjes, u zu prej forcave serbe. Nga gjyqi i organizuar prej Esat pashë Toptanit, u dënua me vdekje dhe u var në Durrës.

Xhelal Zejneli

Filed Under: Analiza Tagged With: Xhelal Zejneli

QASJA E GABUAR E PERËNDIMIT NDAJ SERBISË

March 10, 2023 by s p

Prof. Xhelal Zejneli/

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e këndej, Perëndimi ka pasur ndaj Serbisë një qasje të gabuar. Fuqitë e Mëdha perëndimore shpesh e zbatojnë politikën e kulaçit dhe e kërbaçit apo e shkopit dhe e karotës. Por në rastin e qëndrimit hegjemonist dhe ekspansionist të Serbisë ndaj Kosovës, kjo nuk ndodhi. Fuqitë perëndimore, jo vetën që nuk ndoqën ndaj Serbisë politikë të kulaçit dhe të kërbaçit, por edhe e ledhatuan atë, e përkëdhelën. Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e deri më sot, Fuqitë perëndimore investuan në Serbi miliarda euro dhe dollarë. Në ndërmarrjet perëndimore të ngritura në Serbi, u punësuan mbi njëqind mijë serbë. Serbia, në një anë mbështetej nga Rusia e Putunit, nga Kina dhe nga vende të tjera, ndërsa në anën tjetër ajo mbështetej ekonomikisht edhe nga Fuqitë perëndimore, d.m.th. nga Gjermania, nga ShBA-ja, nga Franca, nga Austria etj. Nga Moska dhe Pekini, Serbia mbështetej politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht, ndërsa nga Perëndimi – ekonomikisht. Sot kemi një situatë kur ajo mbështetet nga perëndimorët, jo vetëm ekonomikisht, por edhe politikisht, për të mos thënë edhe ushtarakisht. Qëndrimi i ShBA-së ndaj Serbisë ka pësuar një salto mortale, një kthesë të pabesueshme. * * * Agresionin rus ndaj Ukrainës, shqiptarët e dënuan në shkallë kombi. Pushtimin rus të Ukrainës, Kosova e dënoi në mënyrë të prerë, duke i vënë Moskës edhe sanksione. Por plani franko-gjerman, i mbështetur nga Uashingtoni, dëshmon se qëndrimi i Kosovës ndaj agresionit rus në Ukrainë, nuk u vlerësua fare. Madje, Uashingtoni, Parisi dhe Berlini mbajnë anën e Beogradit, ndonëse serbët ishin dhe mbeten të vetmit në Evropë që nuk i vënë sanksione Rusisë. Çfarë paradoksi?! Kjo politikë joparimore e Fuqive perëndimore e befasoi tërë kombin shqiptar. Për të treguar se janë me shqiptarët, perëndimorët e afirmojnë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Por plani franko-gjerman tregon se perëndimorët nuk qenkëshin me Kosovën. Shqiptarëve nuk u duhet afirmimi i Shqipërisë në rrafshin ndërkombëtar, në një kohë kur perëndimorët, me themelimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe, cenojnë tërësinë tokësore të kombit shqiptar. E ashtuquajtura bashkësi e komunave me shumicë serbe apo zajednica, nuk është asgjë tjetër pos dodik republikë, asgjë tjetër pos shtet brenda shtetit. Sapo të themelohet dodik republika, serbët do ta formojnë edhe ushtrinë e këtij shteti brenda shteti. Sakaq, do të shkaktojnë edhe pretekste për ta shkëputur nga Kosova dhe për t’ia bashkëngjitur Serbisë. Para ndodhive të tilla Uashingtoni, Parisi dhe Berlini do t’i mbyllin sytë. Asociacioni, zajednica, dodik republika, d.m.th. shteti brenda shtetit, do të jetë përmbi Kosovën, do të jetë më i favorizuar se Kosova vetë. Shteti brenda shtetit do t’i parandalojë edhe marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë, do t’i pengojë kontaktet dhe marrëveshjet. Sot në veri ndodhet përmendorja e princit mesjetar serb, “car” Llazarit (Lazar Hrebеljanović / Лазар Хребељановић, 1329-1389). Nesër do të ngrihet edhe ajo e Sllobodan Millosheviqit, e Vojisllav Sheshelit. dhe e dishepullit të tyre – Aleksandar Vuçiqit. Angazhimi i ShBA-së për themelimin e zajednicës, e dodik republikës, d.m.th. e shtetit brenda shtetit dëshmon se për Uashingtonin Serbia paraqitka interes më të madh seç paraqitkan shqiptarët, d.m.th. interesi amerikan në Serbi qenkësh më i madh se te shqiptarët. * * * Qëkur u çlirua nga Kosova nga pushtuesit serbë në vitin 1999 e këndej, s’ka dyshim se e ashtuquajtura klasë politike shqiptare, ka bërë gabime. Gabime ka bërë edhe inteligjencia shqiptare. Ndryshe, zajednica, dodik republika apo shteti brenda shtetit nuk do të ishte në rend dite. Për gabime të këtij lloji paguhet çmim historik. Në anën tjetër, politika dhe diplomacia serbe s’ka reshtur së punuari dhe së vepruari nëpër kancelaritë evropiane dhe në Uashington për t’i bërë për vete perëndimorët dhe për t’i denigruar dhe për t’i paraqitur shqiptarët si popull joperëndimor apo pseudo-perëndimor. * * * Gjithmonë kur Kosova vihet në krye të agjendës së Brukselit, në Tiranë shpërthejnë zënkat ndërpartiake. Nga kjo rezulton se shqiptarët nuk kanë të përkufizuar një kauzë kombëtare. Kauzat personale në Shqipëri të politikanëve të harxhuar, kanë dalë përmbi kauzat kombëtare. Kauzat personale të politikanëve të lodhur apo të politikanëve që ndodhen matanë interesit kombëtar, u shiten shqiptarëve si kauza kombëtare. * * *Aty ku e la Millosheviqi politikën serbomadhe, mu aty e vazhdoi po atë ideologji dhe politikë, pasardhësi i tij i devotshëm – Vuçiqi. Që atëherë, Serbia, në vend që të përjetonte katarzë dhe të merrte rrugën e demokratizimit, ajo u ndal dhe mbeti aty ku ishte, në vitet ’90 të shekullit XX. Që atëherë, ora e Vuçiqit ka punuar dhe vazhdon të punojë me atë të kohës së kasapit të Ballkanit. Zjarrvënësin e gadishullit, perëndimorët e ndëshkuan, ndërkaq birin shpirtëror të Sheshelit, e mbështesin me të madhe. Ç’farë paradoksi?! Paradoks, por jo si ai i filozofit grek Diogjenit (Diogjeni, nga Sinopa, rreth viti 400 deri në vitin 323 para K.).Uashingtoni, Berlini dhe Parisi mbështesin politikën klerofashiste të Serbisë. Kjo s’i bën nder Perëndimit. Ka parime në politikën e perëndimorëve apo ka interesa politikë?! Një politikë që bazohet në interesa politikë dhe jo në parime, është në kundërshti me vlerat evropiane dhe me demokracinë perëndimore.Sot në Serbi, mu si në kohën e Millosheviqit, mbizotëron një qeverisje jodemokratike dhe antihistorike, totalitare dhe tiranike, despotike, autoritare dhe autokratike, bolshevike dhe proruse, retrograde, anakronike dhe mesjetare. Si është e mundur që një politikë të tillë ta mbështesin dhe ta shpërblejnë perëndimorët?! Në vend që ta dënojnë dhe ta ndëshkojnë. Në rrethana të tilla, në shoqërinë serbe, lidhur me realitetin e ri në rajon, përfshi dhe Kosovën, nuk ka hapësirë për lindjen dhe përhapjen e ideve racionale. Shoqëria serbe vazhdon të notojë në ujërat e turbullta të radikalizmit dhe të obskurantizmit mesjetar. Sot, mbase edhe Vuçiqi është duke e parë se gjithë ky iracionalizëm po bëhet pengesë për një transformim demokratik të Serbisë. Në dy dekadat e fundit, në krye të politikës, të bazuar në mite mesjetare, ka qëndruar pikërisht ai. Ky është peng, edhe i Putinit, edhe i vetvetes. Plani franko-gjerman bie ndesh: – me pakon e Ahtisarit, pako kjo të cilën e kanë mbështetur vetë perëndimorët;- me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, në orën 15:39, në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë; pavarësi kjo të cilën e kanë mbështetur vetë perëndimorët;- me parimet e BE-së për pacenueshmërinë e kufijve;- me vlerat dhe parimet demokratike të BE-së.- me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë*;Shënim: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me qendër në Hagë, si organ i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, pasditen e datës 22 korrik 2010 bëri të ditur se “shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”. Njoftimin e bëri publik kryetari i GjND-së, juristi dhe diplomati japonez i shkolluar në Kembrixh, Hisashi Ovada (Hisashi Owada, 1932- ). * * * Për çfarë dialogu mund të flitet?! Nuk mund të investosh në Serbi dhjetëra miliardë euro apo dollarë dhe të kërkosh prej saj të bëjë dialog. Ledhatoje, përkëdhele dhe favorizoje Serbinë, e pastaj kërkoji asaj dialog. Një kërkesë e tillë s’ka sesi të mos jetë sterile, shterpe. Serbia do ta njihte realitetin e ri në Kosovë dhe në rajon, vetëm kur Fuqitë perëndimore – Uashingtoni, Berlini dhe Parisi do ta izolonin atë. Këta e kanë bërë të kundërtën. Izolimi apo veçimi i Serbisë nuk është vetëm interes i shqiptarëve, i Kosovës. Është interes i rajonit, i Evropës dhe i mbarë Perëndimit. Politika e Beogradit, qëkur u shpërbë amalgama jugosllave, paraqet gangrenë për rajonin. Ajo politikë, e bazuar në një ideologji mesjetare, më vonë edhe garashaniniste, nëpërkëmb tërë sistemin perëndimor të vlerave. Me të mbështetur Serbinë sot, vetë perëndimorët i shkelin vlerat dhe parimet e veta. * * * Asociacion, bashkësi komunash, zajednicë, dodik republikë, shtet brenda shtetit! Po atëherë përse u bë lufta?! Përse u vranë mijëra njerëz, fëmijë, gra dhe pleq. Sa për asociacion, zajednicë, bashkësi komunash serbe, dodik republikë dhe shtet brenda shtetit s’ka pasur nevojë për luftë. Pas themelimit të asociacionit, bashkësisë së komunave serbe, zajednicës, dodik republikës, përkatësisht shtetit brenda shtetit a thua do të ketë politikan dhe intelektual shqiptar që do të shkojë për të bërë homazh te varri i komandantit legjendar Adem Jasharit?! Një politikan i Kosovës, dikur ushtarak i lartë i luftës çlirimtare, e ka përdorur më herët shprehjen “dodik republikë”. Sot i njëjti e mbështet kërkesën e perëndimorëve për themelimin e bashkësisë së komunave serbe. Çfarë kthese absurde?! Asociacioni, bashkësia e komunave serbe, zajednica, dodik republika s’janë tjetër pos krijimin në Kosovë të shtetit brenda shtetit. Krijim ky që do të jetë shumë më e favorizuar dhe më e privilegjuar se Kosova vetë. Krijim ky që shumë shpejt do të shkëputet nga Kosova për t’iu bashkëngjitur Serbisë. Dhe s’do të ketë kush që do ta ndalë. Atëherë s’do të jenë as emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Eskobar (Escobar) me shuttle diplomacy-në e tij, as ambasadori i ShBA-së në Beograd, Kristofer Hill (Christopher Robert Hill, 1952- ). * * * Duket sikur rrumbullakimin e shtetësisë së Kosovës nuk do ta bëjnë demokratët amerikanë. Ata e filluan në vitin 1999 me presidentin Bill Klinton (William Jefferson Clinton, 1946- ) dhe duket sikur thonë: “Prej nesh, kaq!” Me fjalë të tjera, një qëndrim më të prerë ndaj Serbisë, duhet të manifestojnë republikanët. Por bota e di se politika strategjike amerikane është një. Ajo nuk ndryshon as me ndërrimin e administratave. Kush janë interes strategjik i amerikanëve: shqiptarët proamerikanë apo serbët prorusë dhe prokinezë?! * * * Për çfarë dialogu ngulin këmbë Uashingtoni, Berlini dhe Parisi, kur Vuçiqi deklaron: “Sa të jem unë kryetar i Serbisë, kurrë s’kam për ta njohur pavarësinë e Kosovës”; kur ai thotë se Serbia do ta parandalojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Serbia s’e ka të drejtën e vetos, por e kanë miqtë e tyre – rusët. * * *Asociacion, bashkësi komunash serbe, zajednicë, dodik republikë apo shtet brenda shteti. Edhe po të bëhet kjo, Kosova do të vazhdojë të mbetet në Kushtetutën e Serbisë, pjesë e saj, të vazhdojë të quhet Kosovë dhe Metohi. Kur ta marrin detyrën deputetët apo funksionarët e Serbisë, do të betohen se do ta mbrojnë tërësinë territoriale të saj. Kosova do të vazhdojë të konsiderohet “tokë e shenjtë serbe”, “djep i Serbisë”, “Jerusalem serb”, “Serbi e Vjetër”. Uashington, Berlin dhe Paris, mos i krijoni mundësi klerit fashist të Kishës Ortodokse Serbe që bashkë me Vuçiqin ta sjellin legalisht Rusinë në asociacionin, në zajednicën apo në dodik republikën që mëtoni ta krijoni ju! * * *Në vend që ta kushtëzojnë dhe ta shantazhojnë Serbinë, perëndimorët e kushtëzojnë Kosovën. E pabesueshme! Flijohet viktima në dobi të agresorit serbo-çetnik që ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve. Për liberalizimin e vizave, Kosova duhej të priste vite e vite. Po qe liberalizimi i vizave për Kosovën bëhet si kompensim apo si shpërblim për ta nënshkruar themelimin e shtetit brenda shtetit, kurrë mos u liberalizofshin ato. Ku është parë në histori: “Unë ty territor, ti mua viza”. Territor për viza! Një absurditet si ky s’e gjen dot as te teatri absurd apo në antidramat e dramaturgut, romancierit dhe poetit irlandez Semjuel Bek (Samuel Barclay Beckett, 1906-1989), aty ku Estragoni pret pafundësisht Godonë, i cili s’dihet në do të vijë ndonjëherë. * * * Kosova është digë e shqiptarisë përballë synimeve ekspansioniste të hordhive të egra barbare sllavo-bizantine. Xhelal ZejneliPhoto: BBC

Filed Under: Rajon Tagged With: Xhelal Zejneli

Ç’PO NDODH ME ALEATËT PERËNDIMORË – KOSOVA

February 2, 2023 by s p

Xhelal Zejneli/

Që nga viti 1991 e këndej, s’ka ditë që shqiptarët të mos e përsërisin refrenin: “aleatët tanë perëndimorë”; “miqtë tanë perëndimorë”; “partnerët tanë strategjikë”. Me kalimin e kohës, ky refren u shndërrua në klishe. Me aleatë, shqiptarët nënkuptojnë ShBA-në dhe fuqitë e tjera të Perëndimit. Refrenet e sipërthëna u përdorën dendur sidomos pas luftës së Kosovës të viteve 1998 dhe 1999. 

Vitet e fundit po shihet se aleatët tanë perëndimorë nuk na dalin zot sa duhet, nuk na përfillin si dikur. Mbase janë të zhgënjyer me shqiptarët. Ata çdo vit hartojnë raporte për Shqipërinë dhe për Kosovën. Shqiptarët ndërkaq, raportet e tilla nuk i marrin me seriozitet. 

Ka kohë që aleatët tanë perëndimorë janë bërë aletë të Serbisë. Ç’paradoks! Bota demokratike, në miqësi me një Serbi fashiste. Një gjë e tillë rrallë ka ndodhur në histori. 

Në Konferencën e Ambasadorëve (1912-1913), gjashtë Fuqitë e Mëdha të kohës: Anglia, Austro-Hungaria, Gjermania, Italia, Franca dhe Rusia, me vendimet që morën, më tepër se gjysmën e shqiptarëve i lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Brenda kufijve të shtetit të ri shqiptar u përfshinë vetëm gjysma e tokave shqiptare. Nga trungu i atdheut “gërshërët e rrobaqepësve të mbledhur në Londër – siç u shpreh shtypi i kohës – shkëputën krahinat më pjellore dhe që kishin qenë vatra të Lëvizjes Kombëtare”. Kundër shqiptarëve në këtë konferencë ishin: Rusia, Franca dhe Anglia. Gjermania fare nuk çau kokën për shqiptarët.

Fuqitë e Mëdha evropiane nuk e njohën qeverinë e Ismail Qemal Vlorës (1844-1919). Në tetor të vitit 1913 caktuan në krye të shtetit shqiptar princin gjerman nga një familje protestante – Vilhelm Vidin (Wilhelm Wied, 1876-1945). Ky erdhi në Shqipëri më 7 mars 1914. 

I bindur se e vetmja rrugë për t’u dhënë fund çrregullimeve dhe anarkisë në vend ishte krijimi i një qeverie të vetme për gjithë Shqipërinë, më 22 janar 1914, Ismail Qemali dha dorëheqje, duke ia kaluar pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Me këtë akt u shënua edhe rënia e qeverisë së tij, që ishte krijuar nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës më 4 dhjetor 1912. Argumentet historike, politike dhe gjeografike të tij në mbrojtje të të drejtave të popullit shqiptar, Evropa nuk i përfilli. Megjithëkëtë, këtij burri të shtetit, historia i dha të drejtë. Paqja në Ballkan nuk mund të rivendosej duke sakrifikuar të drejtat e kombeve të tjera në interes të synimeve ekspansioniste. 

A po përsëritet sot historia në rastin e Kosovës?! A po e flijojnë sot Kosovën, miqtë tanë perëndimorë?! 

*   *   *

Ka kohë që miqtë tanë perëndimorë e kanë shpërfillur çështjen e rrumbullakimit të shtetësisë së Kosovës.

Ish-kancelari gjerman Gerhard Shreder (Gerhard Schröder, 1944- ) ka qenë kancelar në vitet 1998-2005. Është i pari kancelar gjerman që ka miratuar vendimin për ndërhyrjen e forcave ushtarake gjermane në operacionet luftarake jashtë vendit. Me fjalë të tjera, kur ky ishte kancelar, forcat ushtarake gjermane, në kuadër të NATO-s, morën pjesë në ndërhyrjen ushtarake kundër forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në Kosovë dhe në Serbi. Më pas ky u bë i afërt me Vladimir Putinin (1952- ). Në vitet 2016 dhe 2017 ka qenë katër herë Beograd ku është pritur nga kryeministri, përkatësisht kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq. Është ndër shtetarët e rrallë, në mos i vetëm që e viziton Beogradin, ndonëse ka marrë vendim për ndërhyrjen kundër makinerisë vrastare serbe. Kjo tregon se qëndrimi i tij ndaj Kosovës ka ndryshuar rrënjësisht. Në kohën e tij, çështja e rrumbullakimit të shtetësisë së Kosovës nuk bëri asnjë hap para.

Pas Shrederit, në krye të Gjermanisë vjen kancelarja Angela Merkel (Angela Dorothea Merkel, 1954- ). Kjo qëndroi në krye të Gjermanisë gjashtëmbëdhjetë vjet. Edhe kjo, mu si paraardhësi i saj, ishte e afërt me Moskën, me Putinin. Afrinë me Moskën e arsyetonte me çmimin e volitshëm të gazit natyror rus. Edhe gjatë qeverisjes së saj, çështja e rrumbullakimit të Kosovës fare nuk lëvizi nga vendi. Nën ndikimin e Putinit, Merkeli për Kosovën mbështeste një zgjidhje kompromisi me Serbinë. 

Barak Obama (Barack Hussein Obama, 1961- ) në krye të ShBA-së ka qenë dy mandate. Edhe në kohën e tij, puna e Kosovës nuk u mbyll. Në kohën e presidencës së tij, sekretare e Shtetit ishte Hilari Klinton (Hillary Diane Rodham Clnton, 1954- ). Me një fjalë, Obama për Kosovën s’ndërmori dot gjë. 

Zgjidhje përfundimtare s’i dha Kosovës as presidenti Donald Tramp (Donald John Tramp, 1946- ). Duhet thënë se në kohën e tij, Kosova e formoi shtrinë e vet.

Presidenti i përtashëm i ShBA-së Xho Bajden (Joseph Robinette Biden, Jr. 1942- ) njihej si mik i shqiptarëve. Por, gjatë mandatit të tij të deritashëm, punën e Kosovës mundohet ta zgjidhë me njëfarë kompromisi, thellësisht në dëm të shqiptarëve. 

Emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar (Gabriel Escobar) ngul këmbë për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, që s’është gjë tjetër përpos shtet brenda shtetit. Përpos anglishtes, Eskobari flet edhe spanjisht, rusisht, serbisht, kroatisht, çekisht, portugalisht. 

Nga sa më sipër rezulton se vitet e fundit Kosova fare s’ka qenë në agjendën e miqve perëndimorë. Përveç kësaj, duhet shtuar se vitet e fundit Fuqitë perëndimore si Gjermania, Franca, Austria, Italia, ShBA-ja etj. kanë investuar me të madhe në Serbi. Bëhet fjalë për miliarda euro, për hapjen e dhjetëra mijë vendeve pune. 

Ç’paradoks?! Fuqitë perëndimore investojnë në një Serbi fashiste të udhëhequr nga kriminelët si Vuçiqi dhe Ivica Daçiqi (1966- ).      

*   *   *

Shumë analistë shqiptarë në shkrimet e veta e kanë demaskuar dhe e kanë stigmatizuar politikën destabilizuese, destruktive, luftënxitëse, antidemokratike, antihistorike,  retrograde, anakronike, hegjemoniste, ekspansioniste, kolonialiste dhe fashiste të Beogradit dhe të Vuçiqit në rajon, e në veçanti ndaj Kosovës. Është për t’u habitur sesi në qendrat perëndimore shkrimet e tilla kanë hasur në Vox clamantis in deserto.     

*   *   *

Ka kohë që perëndimorët po e ledhatojnë Serbinë. A thua pse?! Mbase për arsye se në vitin 1999 ndërhynë ushtarakisht kundër makinerisë vrastare të saj dhe tani sikur duan të tregojnë se nuk janë kundër popullit serb. S’ka dyshim se perëndimorët duan ta nxjerrin Serbinë nga zona ruse e interesit dhe nga sfera ruse e ndikimit për ta futur në zonën perëndimore të interesit dhe në sferën perëndimore të ndikimit. Dhe ky kalkulim ka një çmim. Po del se ky çmim duhet të jetë Kosova. Për ta kënaqur Serbinë dhe Vuçiqin, duhet ta shkelim mbi interesat jetikë të Kosovës. Investimet në Serbi, mbase janë interes ekonomik i ndërmarrjeve perëndimore. Por, të njëjtin interes ndërmarrjet gjermane mund ta realizojnë duke investuar në Kosovë apo në ndonjë vend tjetër të rajonit. Perëndimorët duan ta bëjnë për vete Serbinë ndoshta edhe për shkak të pozitës gjeografike të saj. 

Fuqitë perëndimore të cilat ngulin këmbë që Beogradi t’i vërë sanksione Rusisë, janë fuqi filoserbe. Edhe kjo e ka një çmim në dëm të Kosovës: “Ti Serbi, vëri sanksione Rusisë, ndërsa ne do të të shpërblejmë në raport me Kosovën”.     

 Kosova e dënoi agresionin rus ndaj Ukrainës dhe e mbështeti atë në forma të ndryshme. Megjithëkëtë, qendrat perëndimore fare s’e përfillin një përcaktim të tillë të shqiptarëve në shkallë kombi. 

Në anën tjetër, Serbia edhe pse është i vetmi shtet në Evropë që nuk i vuri sanksione Rusisë, ajo favorizohet, përkëdhelet, ledhatohet, mbështetet, privilegjohet nga Fuqitë perëndimore.

Çfarë absurditeti?! E dhimbshme dhe e turpshme. 

Në vend që ta mbështesin për muri Serbinë dhe Vuçiqin, ata ushtrojnë trysni mbi kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin (1975- ) dhe tentojnë ta izolojnë atë, ta anashkalojnë apo ta shpërfillin. Ky veprim i aleatëve tanë perëndimorë është jodemokratik për arsye se ai e ka mandatin e shumicës së popullit të Kosovës. Diplomati perëndimor që thotë se do ta bëjmë asociacionin pa Kurtin, ai shkel parimet demokratike themelore mbi të cilat funksionon  Bashkimi Evropian.   

Evropë! Nuk ndërhyn Albin Kurti në punët e Serbisë. Është Vuçiqi ai që ndërhyn në punët e Kosovës. Kurti nuk e destabilizon Serbinë. Është Vuçiqi ai që synon ta destabilizojë Kosovën, madje edhe tërë rajonin. Nuk ka qenë Vuçiqi i burgosur në burgjet e Kosovës. Ka qenë Kurti i mbyllur në zandanët e xhandarëve serbë. Për qytetarët e saj, Kosova është një çështje jetike, për Serbinë ndërkaq, nuk është veçse interes kolonialist. 

*   *   *

Ka kohë që në ShBA vepron lobi serb. Nuk dihet saktë përse kohët e fundit Uashingtoni e çon mirë me Beogradin dhe me Vuçiqin. Nuk mund të besohet se kjo ndërlidhet me zgjedhjet presidenciale të ardhshme. Kandidati demokrat, Xho Bajdeni apo ndonjë tjetër, duke e çuar mirë me Beogradin mbase dëshiron t’i sigurojë votat e serbëve të atjeshëm, ndonëse nuk kemi të bëjmë me ndonjë numër të madh serbësh në Amerikë. 

Ambasadori amerikan në Beograd Kristofer Hill (Christopher Robert Hill, 1952- ) është mjaft i angazhuar rreth “çështjes” së Kosovës. Sipas tij, së pari u dashka të formohet bashkësia e komunave serbe, pastaj të shqyrtohen çështjet e tjera. Ai shton se marrëdhëniet ndërmjet ShBA-së dhe Serbisë do të forcohen akoma më shumë. 

*   *   *

Fuqitë e mëdha kanë interesa perandorake. Ato nuk janë mik vetëm me ty. Ata synojnë të lidhin miqësi me tërë botën. Herë-herë, edhe me shtetet jodemokratike, për të mos thënë tiranike, despotike dhe autokratike. 

Një Fuqi e Madhe mund t’i thotë Serbisë të inskenojë trazira në veri të Kosovës, për t’ia bërë me dije Kurit se pa ne nuk mund të përballesh me Serbinë. Ka të ngjarë që një skenar i tillë të ketë ndodhur edhe me rastin e bllokimit të rrugëve para do kohe. 

Politika e sotme e Fuqive të Evropës s’ka sesi mos të ta përkujtojë politikën antishqiptare të tyre të kohës së Kongresit të Berlinit (1878) dhe të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912-1913). Atëherë, shqiptarët i quanin mbetje turke në Ballkan. Si të tillë, duhet t’i lëmë pa shtet ose me një gjysmë shteti. 

Për katër për qind serbë të Kosovës, është ngritur në këmbë i tërë Perëndimi, me gjithë atë Amerikë në krye. Atëherë shtrohet pyetja: Përse ndërhynë Fuqitë perëndimore në vitin 1999?! Për të krijuar brenda Kosovës shtet brenda shtetit?! Nuk duhet besuar se ka politikan në Kosovë që do ta nënshkruante njëfarë dokumenti që parashikon krijimin e shtetit brenda shtetit. Të tillat nënshkrime, historia nuk do t’i falte. Gjunjëzimin e Kosovës para synimeve të shfrenuara serbe historia nuk do t’ia falte as Tiranës, as inteligjencies së Shqipërisë, as të ashtuquajturës klasë politike të Shqipërisë. 

Këto farë projektstatute që parashikohen për Kosovën janë katërçipërisht në kundërshti me Kushtetutën e Kosovës. Një shtet brenda shtetit të formës së këtillë nuk e kanë pritur as serbët, as Vuçiqi. Këtë farë projekti për themelimin e shtetit brenda shtetit nuk do t’ia kishin bërë Kosovës as edhe armiqtë historikë të shqiptarëve. Me këtë farë projekti të shtetit brenda shtetit ngadhënjyes i shumëfishtë po del kryekrimineli Vuçiq dhe Serbia fashiste. Me shtetin brenda shtetit, fitues i padiskutueshëm po del Vladimir Vladimiroviç Putini. 

Çfarë paradoksi?! Në një anë, ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) Serbia ushtron gjenocid të heshtur, në anën tjetër për serbët e Kosovës parashikohet krijimi i shtetit brenda shtetit, përkundër faktit se i gëzojnë të gjitha të drejtat sipas standardeve më të larta të BE-së. Atëherë, nga kjo rezulton se BE-ja nuk u besuaka vlerave dhe parimeve të veta. 

Ky brez i politikanëve të BE-së nuk e njeh sa duhet historinë e Ballkanit, sidomos ideologjinë dhe politikën serbomadhe të dyqind vjetëve të fundit. 

Një ditë s’kanë për të qenë në skenën politike, as Gabriel Eskobari, as diplomati sllovak i cili vjen nga një shtet që s’e ka njohur Kosovën, Mirosllav Lajçak (1963- ), as politikani spanjoll, me kombësi argjentinase dhe spanjolle, i cili po ashtu vjen nga një shtet që s’e njeh Kosovën,  Josep Borel (Josep Borrell, 1947- ). Kosova ndërkaq, kjo digë që mbron shqiptarinë, do të qëndrojë ndër shekuj. 

Shqiptarët properëndimorë, përballë Serbisë bizantine dhe proruse. Fitues po na dalin, madje me ndihmën e perëndimorëve, serbët prorusë. Të mos pandehin Fuqitë perëndimore se Serbia do të heqë dorë nga vëllai i madh – Rusia. Ata i lidh përkatësia familjes sllave, i lidh edhe bolshevizmi. 

Gjithë kjo zhurmë për një grusht serbësh. Në Maqedoni jetojnë mbi 30% shqiptarë. Po sikur këta të kërkojnë një entitet shqiptar?! Jo, Fuqitë perëndimore kërkojnë prej tyre të ruajnë paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon. A s’e shohin BE-ja dhe Uashingtoni se mbartës i shtetësisë në Maqedoni është një popull me identitet të diskutueshëm, përballë shqiptarëve që s’kanë në dorë pothuajse asgjë konkrete.               

*   *   *

Në një kohë kur vendoset për çështje historike që ndërlidhen me Kosovën, politikanët e Shqipërisë – Sali Berisha, Ilir Meta, Edi Rama kacafyten ndër vete. Sikur në Kosovë nuk ndodh asgjë. Puna e Kosovës u intereson atyre vetëm kalimthi. E dhimbshme, e turpshme. Shqipëria duhet t’i japë Kosovës mbështetje morale, politike dhe diplomatike. Po këtë duhet ta bëjë edhe inteligjencia e Shqipërisë, institucionet shkencore më të larta të kombit. Një letargji e këtillë, një moskokëçarje si kjo, s’është parë askund në histori. Indolencë dhe indiferencë e pafalshme. 

Është detyrë e Perëndimit të mbështesë Kosovën demokratike, ku ka rend dhe rregull si në asnjë vend tjetër të rajonit, ku luftohet korrupsioni, ku ndërtohet suksesshëm shteti ligjor, shteti i së drejtës. S’paskan mundur Fuqitë perëndimore t’i bindin pesë shtete të BE-së që ta njohin pavarësinë e Kosovës!! Gjepura. S’paskan mundur Brukseli dhe Uashingtoni për ta pranuar Kosovën në BE dhe në NATO!!  

Xhelal Zejneli

Filed Under: Opinion Tagged With: Xhelal Zejneli

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT