Duke dëgjuar një emision televiziv/
Nga Xhevair Lleshi/ Një nga ata që më dukej serioz në një diskutim për artin më bëri të sëmurë. Diskutohej në gjuhën shqipe dhe secili fliste shqip si në Kohën e Qepës. «Nuk muj me fol nrysh» të vjen përgjigjja. Dhe zorrët e fjalëve të vijnë grykë! Fjalët elegante, të zgjedhura, të hajthme, miqësore, të ngrohta, fjalët që ndezin zemra, ato që nënkuptohen, që mbeten në grykë, që nuk shfaqen, fjalët që gjithmonë janë të zëna me punë – këto mungojnë! Nuk i gjen më. Nuk i dëgjon më! «Nuk muj me fol nrysh !» E ç’të keqe ka? Më mirë në kotnajën e fjalëve pa cak, pa atë hollësinë e nevojshme të domosdosë së të folurit të kthjellët e të normuar të gjuhës shqipe.
NË TELEVIZION FLITET SHQIPE STANDARDE ! Jo fjalë të ditës, jo fjalë që nuk zbardhen dot as në dritën e diellit, as përmes gjakrave të nxehtë, jo fjalë që kërkojnë ndonjë skenar të veçantë, por një e folur me tharm, që trondit shpirtin dhe mbahet mend. «Nuk muj me fol nrysh» Dhe mund të jesh zv.ministër apo ministër dhe të flasësh kështu? Kush të duron? O Zot! Fjalë të rrethuara me njëmijë dialekte. Ja, mbaroi fjalimi ministror me fjalët nëpër duar (jo nga goja e as nga mendja!), po fjalë me skenar… Dhe mbledhjet janë të pafundme për dashurinë e fjalës shqipe të kulluar, të shqipes së kulluar! «Nuk muj me fol nrysh !» Të këputet shpirti në mes të punës, të pushimit, të ngehjes dhe kështu me radhë drejt një realiteti të përbuzur të përnatshëm në emisionet televizive. Kushti i parë për të qenë nëpunës i lartë apo i ulët është: të flasësh bukur gjuhën shqipe! «Un e kom pas ni hall.» Do të duhet luajtur brydhët kjo pjesë orkestrale e fjalës së bukur shqipe. Në korin e madh të të folurit shqipja e saktë dhe të mrekullueshme ka ngritur flamurin e bardhë. Është dorëzuar, duke u nënshtruar përplot bindje, se gjuha shqipe MBROHET NGA LIGJI… Çfarë mjerimi!