• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dheu im hesht nën akull

July 31, 2017 by dgreca

nebackground-albania-theth-9

David Gjeçaj, ish folës i Radio Vatikanit (seksioni shqip) për 30 vjet, prift katolik i lindur në Theth:«Ne e çmojmë atdheun kur nuk e kemi më!» /

1 xhevair-lleshi-zyre

Nga Xhevair LLESHI/

 «Dheu im s’ka ma mimikë, po maskë. Asnjë gjest nuk ban, veç thrret ndihmë, e shpesh i qëllon të tradhtojë çdo gja, madje edhe një emocion çfardo. Dheu im rri kokulun, i zhytun në dëshprimin e tij dhe vetëm pret. Pret sa duket të ngjajn’ hata të mëdha, më të mdha se ai vet, që detyrimisht duhet të marrin ngut në të përpjetat e thepisuna. Dheu im hesht nën akull, ndonëse bërtet si fmijë i vogël sa ka n’kokë; e ka qejf, po qejf të madh ama të baj nji piskamë ziet dhe doemos t’bjer në sy. Më thoshte dikush se atdheu im vdes për të mbajtur vesh, për të përgjuar si miu. Jo, jo nga ato kush foli e çfarë tha. Por ka thagma të tjera që ngrenë peshë të madhe. Ja, i shikon artistët që, rrinë kokrra-kokrra dhe s’bëhen dot bashkë? Ama secili me vete sajon një skenë dhe ban sikur merret me diç të randsishme! Edhe atdheu im kshtu vepron, ban sikur merret me politikë të madhe, hiqet si fuqi ushtarake, s’e çmon popullin e tij, nuk sheh ma tej se hunda e vet, teshtin dhe mallkon. Dheu im lundron mbi humbje. Jo, atdheu im nuk çjerret, nuk thrret ma, nuk jep urdhna, nuk zemrohet, ha dhe pi si i babëzitun, ngre ndonjë kurth të vogël dhe pret diçka t’madhe, t’ia japin thelën e mikut të randësishëm. Asgja, asgja fare, nuk ndodh me atdheun tim. Ia ka xanë sytë e mira, ka qeverinë nëpër kambë, e mban, e ruan, e rruan, e qeth, e tall nëpër dhambë, e ysht t’bahet gjak dhe t’fitojë kot së koti famë. Dhe fama fitohet edhe nga hidhësi. Për shembull shkopinjt’ e gomës të jenë prej hillsi dhe ai që rrihet të jetë lakuriq… Dheu im shan shumë, qan shumë, nuk zgjedh kurrë ma t’mirën, i pëlqen të flejë me të zakonshmen, zhytet në botën e vet të mbrendshme, mediton pak, pi duhan dhe mendohet për të djeshmen. Me një fjalë shikon prapa n’vend që të shohë përpara. Se ka nëpër kambë qeverinë!…

Dheu im nuk i kupton fare urdhnat nga lart, edhe telefonat nuk i ngre kurrë, edhe ulet e ngrihet sipas qejfit, knon pa tingull, ngashren, dhe mban n’dorë lahutën dhe fyellin. Kot. Punën e bëjnë ata nën tokë. Me ta fitohet famë e jo llafe. Dheu im ka mobilizim revolucionar në shkallën ma t’naltë, funebre dhe sublime, pa madhshti, si kurdo. Dheu im i ka komunistët n’ballë, i mbron t’besuemit dhe punon kokë më kokë. Dheu im merret me njerëzit që kanë në kokë lakra e jo tru. Dheu im ashtë vet dhe ka të tjerë nën mbikëqyrje. Dheut tim nuk i vdesin kurrë udhëheqësit. Dheu im i dashtun ka vetëm ditëlindje. Dheu im është vigjilent: të gjithë ia fusin dhe ai nuk ia fut dot askujt, pra ashtë impotent. Të pish ujë si dhallë edhe fyti bëhet i tejdukshëm! Dheu im di të sillet, di ç’flet, po edhe kur s’thotë asgja, merret me fytyrën e botës, me gjestet e saj! Jemi a s’jemi, si thoni?

Dheu im nuk del nga shtëpia, rri heshtas por jo pa fjalë, se fjalët kot, kur grin sallatë, i ka në majë të gjuhës. Dheu im e ka qepur edhe kur ia fut kot në tym dhe i duket sikur thotë diçka. Dheu im ashtë i hutuem, krejt i tronditur. Ai vetëm sa lë të lirë frymëmarrjen e nxituar dhe gjithnjë mundohet të bajë zhurmë, zë vend diku dhe kthen kokën për ta parë botën nga dritarja. Dheu im knon nëpër festat tona të pakta bashkë me zogjtë kangtarë dhe gjithnjë me hare të patregueme. Por atdheu im ashtë me fat, udhton vetë me satelit dhe ç’sehir që ban: bota i duket sa një gogël dhe aty Shqipnia ka humbur fare… Dheu im…

Dheu im s’e ka mendjen fare te njerëzit, ban mbledhje të pafundme, pret asgjanë dhe tret fjalët e udhëheqësit. Ka telashe atdheu, tregon kujdes të jashtëzakonshëm për pudrën dhe plehun kimik, se dheu im s’ka bajga, edhe fekale ka pak, domethanë jo aq sa duhej të kishte. Veçse mos harroni: dheu im rruhet çdo ditë dhe nuk paguan taksa, sheh telin e korrentit dhe ngrin nga pabesia e drejtuesve. Pastaj ka shpikur spiunat. Çdo shtëpi ka ma shumë spiunë se sa njerëz. Gjithë rrugës atdheu im i dashur, ecën në kambë dhe kollitet, por nuk qet gjak. Gjysma e së keqes. Po, mëmëdheu kujton dhe shkruan, nuk harron ngjarje të kohëve t’para. Dheu im gjithnji ka nostalgji për luftnat, malet, skërkat dhe bokrrimat, urinë dhe vllavrasjen. Atdheu im vdes për njiçik atmosfenë t’randë. O Zot, sa e vret mendjen për kët. Dhe shplodhet nëpër gurore, nga Tomori në Veleçik. Dheu im çan gurë me varé. Nuk i len ato të shkreta vese…  Ngordh për të fshehur diçka, dhe fle natën me vasha si zanat, me vashat yje. Dheu im do të vdesë nga bukuria, keni për t’ia digjue krismën. Ngaset atdheu im. Mban qen, zogj, rrit lule, bën ndonji pordhë dhe e mban barkun me dorë…  Dheu im psherëtin. Ka ditë qi nuk flet ma, ashtë mbyllun n’kullën e ngujimit, ashtë mbyllun në vetvete dhe çdo gja i lexohet qartë: vuajtje i shihen në ftyrë. Dal në Shkodër dhe ndigjoj atdheun tim që thoshte pa da: Tek ne kan’ metun vetëm vajzat ma t’bukura, ma t’bukurat fare! Duhet t’më besoni njerëz. Jam besnik i dheut tim… Vuaj dhe unë… Mirmbeçi!…»

Filed Under: ESSE Tagged With: David Gjeçaj, Dheu im, hesht nën akull, Xhevair Lleshi

SHPIRTRAT FLENË NË RADOHINË

July 15, 2017 by dgreca

300px-JbjeshkaNë Theth duke biseduar me Zamir Marikën/
4 bjeshketEse nga Xhevair Lleshi/

Hiking in Thethi

Në Theth kërkonim atë plakun e mençur që hidhej shkëmb më shkëmb sikur fluturonte. I madh Pjetër Luca, një dorë njeri, por me sytë zhivë dhe të këpuste në mes me të qeshurën dhe shikimin e butë, tjetërsoj. Të vinte në dhé me sytë e çuditshëm, edhe kafe, edhe të shkruar, edhe bojë qielli të hapur, edhe të zinj, edhe blu, sy kameleoni, por ja që buzëqeshja e tij të ngrohte, të hidhte mjaltë dhe të ripërtërinte menjëherë. Këto dy përbashkime të çuditshme i vija re për herë të parë.1 bjeshket e Nemuna

Hë Zamir, ti ç’mendim ke?

Unë s’kam fare mendime, jetoj, vetëm jetoj të tanishmen, çastin. Ç’më jep ky çast? S’e di dhe s’do ta di kurrë, vetëm se e pranoj. Ja po të vijë këtu ndonjë barkë, i hipi, e lë kishën e vjetër e të re këtu pranë dhe ia ther me të, drejt e në Koman, në grykat e famshme ku jeton Grabovi i Madh dhe ku të rrëmbejnë zanat e sirenat e ty të duket se nga çasti në çast do të rrëmbejë Çirçja e famshme. Grabovi i Madh, iliri i pavdekshëm endet mal më mal dhe bisedon me shpirtrat. E ka thënë ai, arkeologu i madh, Rey, të cilit sa për ta ditur ia kanë bërë fërtele të shkruarat dhe i kanë nxjerrë si vepra origjinale, edhe këta tanët. Se mos vetëm Reyt, po edhe Ugolinit, edhe… Një klithmë shpendi e bëri ta kthente kokën pas. Ja, edhe ky skifter i madh më thirri tani. Nuk më thirri mua por mbretëreshën e vet, duket fle edhe ai në Radohinë, me shpirtrat. Vërtet nuk e ditke? Po, or mik, shpirtrat flenë në Radohinë. Do të vish me mua në logun e saj? Vemi. Patjetër, buzëmbrëmjes. Aty do të shohësh një kuvend të madh e të pa treguar. Aty flasin shpirtrat, të padukshmit e mëdhenj, qeshin, qajnë, tregojnë, puthen, pinë verë, magjepsen dhe dashurojnë. Por që të shohësh shpirtrat duhet të kesh sy…2 bjeshket N

Do ta ndez një profesor.

E pashë në sy thellë. M’u duk i tjetërsuar, ndryshe. Ishte gati t’u hipte këmbëve që tani, edhe pse po ngrihej temperatura në pranverën e përjetshme të Thethit. Një gotë raki bën punë këtu. E heq? Jo. Aha, e kuptova, s’të lë ndonjë sfrat i madh në shpirt. Vetëm ajo pengesë s’të lejon të shkosh më tej se vetvetja. Nejse. Tani e kishim me shpirtrat, po? Sigurisht për shpirtrat. Këtë ma ka zbuluar për herë të parë Aleks Buda, kur na shpuri në kalanë e Elbasanit. Nuk di si ra puna, por më kujtohen fjalët e tij. Dëgjoni djem. Do shkojmë brenda në kala, për atë punë kemi ardhur. Do shohim, do pyesim, do dëgjojmë, do ndiejmë. Të gjitha do t’i hedhim në kartë. Unë në çdo hap do jem me ju, por edhe unë do t’i hedh si ju në kartë gjithçka shoh, dëgjoj dhe mendoj. Dakord trima? Ah edhe ju trimëresha. S’ka si Elbasani. Profesor? Po. S’ka si Thethi! Ai u kthye ndaj saj. S’ke qenë në Theth profesor? E kam në plan Majë. Ajo, studentja, qeshi lehtë. Si tani më kujtohet. Profesor, mos harro të shkosh në logun e shpirtrave në Radohinë. Bari bëhet gjer në gju. Atje më çon nana mbrëmjeve. Mësova dhe unë t’i shoh e t’i dëgjoj… Ç’thua, Majë? Atë që di, profesor… Aleksi u nda nga grupi dhe na priti në hyrje të portës në një kafe të vogël fare. Por s’m’u hoq nga mendja logu i shpirtrave në Radohinë. Ç’të të them or mik. Për vit kam ardhur në Theth dhe shkoja në log. Hë hë dëgjova pëshpërimat e para. Nuk i kuptoja por vitin tjetër nisa edhe t’i kuptoj. T’ia thosha kujt? Nuk mundja. Ndryshe nofka e të lajthiturit ishte aty. Por, megjithatë, unë i kam dëgjuar shkoqur e më shkoqur fjalët e tyre, ç’thoshin, ç’qeshnin, ç’rënkonin, ç’qanin. Ç’bën çdo njeri, se shpirtra njerëzish ishin. Më vjen keq për ata që nuk i dëgjojnë. Maja edhe i shihte, kurse shqisa ime s’më ndihmoi t’i shihja. Mbeta qorr dhe gjithnjë që vij i kërkoj edhe me sy, por sidoqoftë i përfytyroj teksa ecin, vishen, ndihmojnë njeri-tjetrin, mbuluar me mjegull të bardhë dhe ecin kurdoherë pa lënë gjurmë. Është jetë tjetër ajo, or mik. M’u kthye në pasion. Majën nuk e pashë asnjëherë. Vonë kam marrë vesh se jeton në Gjermani, në Marburg dhe ndonjëherë në Klagenfurt të Austrisë. Maja e çuditshme, e bukur si loti, dashur sa s’gjeje tjetër, e zonja në të gjitha. Vetëm me sport s’merrej…

E pashë që mendohej. Zamiri ndezi një cigare. Kishte një marrëdhënie të çuditshme me duhanin. Pinte sa dendej, fuste një lugë kafeje turke me pak sheqer në gojë, që duhma të mos bëhej problem për të tjerët dhe ngiste më tej. Edhe në Kalanë e Beratit e kam vënë re këtë gjë, më tha, duke mbajtur këmbët në ujin e lumit. Të vinte keq t’i mbaje këmbët aty, në gurgullimat e kristalta që shpërndanin stërkala të qeshure të çuditshme. More njeri, mos je ti me shpirtrat? Të qepen pas. Eh, sa mirë do ishte. Kur të vemi, shtoi, ju që s’i dëgjoni dhe s’i shihni (m’i ka mësuar Maja) do të jeni mirë sepse pranoheni menjëherë në botën e tyre, por ne, e di, do ta kemi fort vështirë. E di ç’ndodhi në Berat? U prish «bulevardi» lindor i kështjellës, se do ndërtonin kanalin e ujërave. Dhe e di si rrodhën punët? I hyri ruspa rrugës, i hodhi në erë gurët e shtufit, të errët në gurkali e të tjetërllojtë, që s’e sheh dot kurrë gjëkund, por aty ishte dhe drita përthyhej habitshëm. E, ja që ruspa i hodhi në erë ku të mundej dhe ç’të shohësh tani, e kanë shtruar me pllaka Tomori, të bardha, të ndritshme, ku të lëbyren e të vriten sytë dhe rrëshqet. Thyen kokën. Dhe më kryesorja nuk dëgjon më asnjë llaf. Kur shëtisja aty mbrëmjeve, në kohën që restauroja Vllahernën, në shoqëri me Toshin (Kastriot Dervishin. Është në Kanada tani, por takohemi dendur se vjen pasi i dhemb shumë për Mangalemin ku ka dy hotele!). Po edhe me Gonin, Agron Polovinën. Sigurisht do të më pëlqente të shëtisja me këdo. Madje njëherë ndodhi edhe me Foto Vonglin, aktor i mirë dhe me llafet grurë. Po ai ishte si ti, nuk dëgjonte gjë. I vdekshëm i madh. Kurse Toshi hyri në lojë, ashtu më bëhet se nuk më pyeste më. E, që ta ngas llafin or mik, aty, në «bulevard» më parë ishte krejt ndryshe, jo vetëm nuk ngopeshe me zërat e shpirtrave që të shoqëronin në çdo hap, por nuk rrëshqisje, nuk të vriteshin sytë nga përthyerja e dritës, nuk e thyeje kokën dhe nuk verboheshe. Por mbi të gjitha ngjyrat e shtufit në shkelura nga njerëzit në mijëra vjet përfunduan kriminalisht pas mureve rrethues të kalasë. Turp. Dhe të gjitha me firmën e Institutit të Monumenteve. Të një drejtori e të një tjetri. Unë i restauroj pikturat, restauroj gjithçka, më duket sikur restauroj shpirtra…

Më la. Iku. Po shkonte nëpër meditimin tim, duke u ndërmendur në fjalët e tij. Sigurisht do të rrinte ca në log dhe pastaj do kthehej e do t’më tregonte, ashtu siç shëtiste në rrëfenjat e tij të mahnitshme nga Ardenica, Tomori, Korça, Voskopoja, Vllaherna dhe me shpirtin e Onufrit. Shpirtin e Onufrit. Eh, e kam lexuar romanin tënd historik për Onufrin, legjendën e ikonave. Ia kam dëgjuar zërin kur duke medituar restauroja në Vllahernë. Dhe më vjen plasje kur ç’nuk dëgjoj, sikur edhe mbishkrimin se vinte nga qyteti i shumëndritur i Beratit, në Kostur, e kanë hequr, e kanë prishur, se e duan Onufrin ta kenë të tyrin. Atë romanin tënd duhet ta lexojë çdo njeri. Patjetër. Po ç’të them më or mik? Më ka pëlqyer. Nuk të njihja dhe prej tij tani të njoh. Me sa duket vajti t’u ndizte qirinj shpirtrave, përkëdheli barin, leu me gëlqere natyrore dritën që binte pjerrtas dhe bënte shenja që të ndillte shqiponjat. Ato i marrin shpirtrat dhe i çojnë në Tomor, në Zagori, në… Mos vdeksha pa vajtur në Zagori edhe një ditë të vetme. Po, kam dashuri dhe dashuri të madhe për vendin tim. Po nuk dëgjove shpirtrat nuk ke si e do vendin tënd. Të vjen rëndë? Vërtet? Mos u mërzit po edhe po u mërzite shko futu në kishë. S’ka gjë. Kisha i qas edhe myslimanët, ashtu si pranon të krishterët edhe xhamia. I di Grabovi i Madh këto punë. Të futesh në kishë gjen një mundësi për të dëgjuar shpirtrat, ndonëse unë s’i kam dëgjuar në Vllahernën e famshme të Kalasë së Beratit. Ngjitur me të i thashë Koçit që kishte hapur themele të tjera sepse kishte rënë në shtresa historie të papërsëritshme. Dhe Koçi i mjerë më dëgjoi, lajmëroi Institutin në Tiranë dhe ata, pa ardhur fare i thanë të vazhdonte. Po more, edhe Genc Samimi ishte. E di që e ke mik. Po sterna e vjetër u bë dhé. Por edhe ajo që ndodhi këto dy vite në  Akropol. Zbulim i çuditshëm. Kriminelët argalisen me ne. Qeshin gjersa gajasen dhe e qepin gojën varfanjakët. Edhe zbulimet e rastësishme në Akropolin e Beratit vdiqën, i varrosën fare pa vdekur. Kush e di ç’punojnë shpirtrat edhe atje! T’i dëgjosh! Po ku dëgjoni ju, një takëm si puna jote.

Eh, nuk të ndahem më Zamir Marika! Do të udhëtoj vetëm me ty derisa t’i dëgjoj edhe unë shpirtrat, derisa… derisa të dëgjoj shpirtin e tim biri! A do ta dalloj dot vallë? Kush e di! Një Zot! Ndoshta Grabovi i Madh… Dhe me siguri do të endem pastaj në log të Radohinës, për t’u hedhur në Qafë të Vizhnës për t’u endur në Bjeshkët e Namuna. E di Zamir? Jo, nga ta di ç’ke ti në mendje. Pse nuk komunikojmë mendërisht, derisa komunikon me shpirtrat. Unë nuk komunikoj, ta thashë, unë dëgjoj. Mirë, mirë, mos u nxeh, por të komunikosh mendërisht nuk është mëkat! E, kështu mbetëm me kaq se ai iku në Log. Atje duhet të ketë mbërritur. Më erdhi ndërmend biseda tek «Shqiponja» në Shkodër, buzë Drinit të madh e aq të hijshëm që sikur mburret që ka marrë me vete Kirin. Kiri është mbret i Alpeve dhe jo mbret i dikurshëm i Persisë. Qesh Drini me këtë shaka jo aq të hollë. I merr e i ul në frone Drini njerëzit e tij, duke përshëndetur Drishtin aty afër, i transformuar në fshat të zakonshëm e që mburret ende me Urën e Mesit dhe i thërret shpirtit të Grabovit të Madh, Atit të molepsur në histori venecianësh e turqish, sa herë që kujtesa (sikur të ishte pije magjike!) ta zbriste pastaj me këmbë në tokë, në realitetin e dhimbshëm. E ja aty te Palma e parë, është gjetur një mozaik i rrallë. E shkulën, e çuan te plehrat. Se kush u kujtua dhe vajti, e gjeti dhe e çoi te porta e muzeut historik, pa ditur në zbriti nga qielli apo e kishte sjellë me kohë Drini. Me arkeologji moderne thuren edhe legjenda të paqena. Dhe u tërbua Zamir Marika se gjuha vete ku dhemb dhëmbi. Durrësi. Çfarë historie. E kishte parë edhe ai Oderzon dhe nuk më la të paktën t’i mburresha pak! Mrekulli, or mik! Oderzo është afër Trevizos në Itali. Qyteti romak poshtë nën xham (jo xham dokudo, të kuptohemi!). As qytet i fishkur, as i veshur me të zeza, që e bën meshën me zogj mali, fushe e deti, për të gjithë. Oderzo më ka mrekulluar. Qyteti modern sipër, qyteti i vjetër, romak, poshtë nën xham. Po të duash futesh nëpër katakombet e tij. Bileta është e shtrenjtë, e kripur mjaft. Aq sa s’ta mban dot xhepi. Edhe në Durrës, kështu duhej të ishte. Edhe në Berat. Edhe në Gjirokastër. Ç’ma kujton të zezën, Gjirokastra ka marrë fund. Kur të kujtohen për të, do të jetë shumë vonë. Shumë vonë. Të dhemb shpirti or mik. Po pse nuk e more Vangjush Dakon dhe ta çoje në Oderzo, e pyeta. E kush jam unë? Ç’thua! Vangjush Dakon nuk e merr dot ta çojë atje edhe Edi Rama. E njeh ti atë shkurto të Suiftit? Jo? Epo s’ke faj. Nuk i mbushet qypi atij, jo! Dhe vijon ta shkatërrojë me ç’i vjen në mendje! Po Edi Rama pse nuk e merr për veshi? Këtë s’e di, por them se e ngrëna të zë zgurrën e fytit dhe të mbyll dyert e shpirtit…

Dhe erdhi në vete Zamir Marika. U përmend. E pashë tek zbriste nga Logu i Shpirtrave në Radohinë. Lebetitë e qëmotshme i kishin ngritur kurth në Qafën e Vizhnës. Aty sheh një tjetër botë, një tjetër hapësirë, një bukuri e pashoqe. Po ti s’ke shkelur aty, do t’më thuash! Magji tjetër dhe po kaq e madhërishme si kjo që shohim. Ja, pyeti ata polakët dhe do të shohësh se do të tregojnë përralla të tjera, krejt larg atyre që jemi mësuar t’i njohim ne. Kam dëgjuar or mik se këtu do të kalojë hekurudha nga Peja drejt Thethit, Tërthores, Bogës, Koplikut. E ke dëgjuar. Dhe pastaj Evropa do zbarkojë në Theth. Po a e mban dot Thethi i gjorë krejt Evropën? Këtu, mor djalë (mua më thotë djalë ky i flamosur?) në çdo qafë sheh një botë tjetër. Sa male aq edhe lugina. Dil në Nikaj Mërtur, dil në Valbonë, dil në Kir, dil në Bogë, në Ruznicë, në Vuthaj, në Vërmosh! Zot i madh, o Grabov i shenjtë, ç’më bën të ngrys jetën me emra vendesh! Mos vdeksha pa i shkelur. Se për atje flasin edhe shpirtrat në Log të Radohinës. E ke parë atë zemrën gjigante të dashurisë në gjoks të Radohinës? Ja tek e ke, plasi! As këtë nuk e sheh, le të tjerat. Zamir Marika qesh. Qesh me të madhe dhe fotografon mjeshtërisht. Fotografon zemrën gjigante të Radohinës të gdhendur nga dora e Grabovit të Madh ndoshta…

Aty në Log shihje Luginën e Thethit në një ngjyrë gurkali me një nuancë të gjelbër të thellë, duke kundruar magjishëm heshtjen që mbretëronte kudo, pa hijet që natyrshëm s’të linin të qetë. Mos vallë hijet ishin shpirtrat? Vinin e shkonin hije të gjata që e drithëronin me gjithsej Luginën. Dhe fluturat e shumta që lëshonin lodrime ngjeshur në flatra ose dremisnin mbi ajrin e hollë të thurur me ëndje aq imët sa asgjë s’binte në sy. Zemra e Radohinës ishte një shkëmb në mes të dritës, që herë dukej tutje diku, e herë fare afër, atje s’kishte mundësi të afrohej këmbë njeriu, përveç shpirtrave që frymonin mbi Log. Zamir Marika vraponte sa andej këtej. Donte të arrinte në Qafë Pejë për të kërkuar edhe në qiellin plot ndriçime të shumta e në ngjyrë, afreske të vjetër prej mijëvjeçarësh.

E pashë, tha. Çfarë pe o njeri. Fytyrën e Gjergj Fishtës. Do ketë qenë në Log. E kishte Lahutën. E ku do të shkonte Ai pa Lahutën? Le që s’e pranojnë as në Log. Ra muzgu i dytë e i tretë brenda një çasti dhe ne shkuam të kërkojmë vetveten. Po fytyra e Homerit shqiptar s’na u nda asnjë çast. Mos do një gllënjkë raki Shpiragu, e pyes. Apo një plloskë verë që derdhet në burimet e Okolit, verë, po ç’verë, që del prej diellit. Nuk të deh kjo verë. Hijet  lëkundeshin, e mend po rrëzohej edhe zemra e Radohinës me frikën se mund të gremisej edhe Logu i Shpirtrave atje në Radohinë. Drejt saj po vinte një grup polakësh. Mos, edhe këta? Pse ata s’kanë shpirt?

Dikush këndonte matanë dhe zëri zbriste nga Qafa e Rragamit. Një grup njerëzish zbrisnin duke këndur. Nuk ishte këngë majëkrahi, zërat sikur rriheshin me njëri tjetrin, duket që vinin prej Valbone. O Zamir Miraka, o vëlla, më fal që s’të vura re, po sa paske ndryshuar, or burrë i dheut. Po më ngjan si Franc Nopça për besë. Ç’ngjashmëri keni ju të dy! Si u poqe kështu papritur me të mor burrë? Edhe ai, Nopça i famshëm i shqipes, shko e prite e mos luaj mendsh po deshe… Po ç’ta zgjatim, pi pak raki Shpiragu or mik, eja në vete, shkunde kokën fort dhe kërko ç’të duash. Edhe shpirtin tim merre dhe ma ço në Log të Radohinës…

 

Tiranë, më 09.07.2017

Filed Under: Featured Tagged With: SHPIRTRAT FLENË NË RADOHINË, Xhevair Lleshi, Zamir Marika

THETHI BËHET GATI PËR PAPËN

July 14, 2017 by dgreca

Ese nga Xhevair Lleshi/
 
Lajmi mori dheun. Të gjitha malet, ahet, lisat, pishat, rrjetet e internetit dhe portalet gjithashtu njoftuan se një malësor nga Thethi i kishte dërguar Papës së Romës një lutje që të bujtte në shtëpinë e tij në Theth e të kalonte pushimet midis nëntë maleve të famshëm, të merrte pjesë në meshën për të rënët në luftën kundër komunizmit dhe pastaj të ishte i pranishëm në Logun e Shpirtrave, në 2000 m lartësi.
1 Theth
Mos! E vërtetë të jetë? S’ma merr mendja që Papa i Romës dhe i krejt katolikëve të marrë helikopterin personal dhe të vijë drejt në Theth! Po halli nuk është se si do vejë Papa në Theth, po hajt përmbaj gjithë botën pastaj! Thethi me siguri do shenjtërohet, vendet ku do të shkelë Papa do kthehen në vende pelegrinazhi, çezmat ku do pijë ujë, dëbora ende e pashkrirë e prekur prej tij, s’dihet si do përfundojnë burimet e Okolit, ç’do bëhet me kullën 350 vjeçare të bacës Sadri, ku do venë studentët, si do grumbullohen çekët, gjermanët, polakët, zviceranët e ku e di nga ç’tjetër komb. Por nuk do kenë fund të mirat dhe të këqijat!  Mbase të njëqind shtëpitë e Thethit do kthehen në bujtina 4-5katëshe, mbase rruga do të bëhet nga më të bukurat, ndoshta kalon edhe hekurudha dhe Autostrada e Evropës Qendrore drejt Shëngjinit!
Nuk donte të luante më me fjalën askush. E takova Zef Barin thethianin e tërbuar që u shkruan të gjitha agjencive turistike të botës, njeriu që njeh fill e për pe historinë dhe terrenin e vendit. Po në «Maçu Piçu», i them, do ta çoni Papën? Ku? – më drejtohet dhe më sheh me vëmendje në bebe të syrit. Po, kur vjen nga Qafë Tërthorja nuk e paske parë? Ai u mendua pak. Maçu Piçu është në Ande, në Peru, kurse këtu jemi në Alpe. Mos je gjë i lajthitur, apo i lodhur? Apo ndoshta i sëmurë? Natyrisht, i kisha të gjitha ç’thoshte, se e vërteta më kishte bërë kështu Thethi i tij dhe imi. Ç’paradoks, e ha njeri këtë? – i them. Ndoshta nuk sheh mirë, Zef miku, apo edhe je konsumuar nga shpjegimet e shumta që jep e merr, apo edhe fryma e gabuar të ka futur në të thella. Ja tek është, por ai më spërkati me ujë lajthie dhe u largua. Nesër, pasi njerëzit dhe miqtë e panumërt të Papës kur të vijnë në Theth e Ndërlysë do të shohin se sa ngjan mali përballë Tërthores, Guri i Lohes, me Maçu Piçun e Amerikës Latine…
Të gjithë u binin lodrave e tupaneve, por më tepër polakët, të rinj e të moshuar. Më tej sllovakët bënin si skocezët, u binin gajdeve duke imituar melodi nga Voskopoja e Pogradeci. Mirë që s’kanë ardhur fyejtë e Gramshit! Mos! Do ngjallen këngëtarët e lashtë, të vjetrit e rinj dhe antikët e vjetër! Me siguri. Vjen Papa i Romës! S’është shaka kjo. Unë, shtonte Pjetër Luca me një fije buzëqeshjeje nën sy, po të isha si Edi Rama vija në Romë dhe nuk ikja nga Selia e Shenjtë derisa Papa të mbathte opingat dhe t’u hipte këmbëve për në Theth. Qejf o qejf! Ia preu mendja atij malësorit pa emër që i shkroi Papës.
Pastaj vajti ç’vajti kur ua lexoi letrën shqip polakëve, çekëve, serbëve, gjermanëve dhe ca anglezëve të krisur që nuk shembeshin me birra, për ftesën që i bënte Papës. Aq duhej! U ndez imagjinata dhe ec t’i përmbaje. Filloi rrëmuja e bukur. Qindra vetë u nisën drejt Qafës së Rragamit për të vajtur në Valbonë. Të tjerë ia mbytën për në Qafë Pejë të binin më shpejt në Lëpushë, apo në Vuthaj. E, po të vini në Vuthaj, u thanë, mos harroni të nënshkruani peticionin e vuthjanëve për t’i ngritur monument akademikut Rexhep Qosja. Trembesha mos harronin dhe na pinte e zeza! Se ata kishin mbërritur në atë gjendjen ekzaltuese kur njeriu heq dorë përfundimisht prej asaj që i jepte kënaqësi më tepër. Por as kjo nuk ishte aq e bukur, sepse duhej thënë në pikën më të ulët të dëshirës, domethënë në gjendje dëshpëruese. I thonë shtatë-tetë orë rrugë më këmbë…
Ç’po ndodhte me këtë pritje të famshme? M’u bë se e zbulova sekretin krejt rastësisht dhe i dhashë të drejtë malësorit pa emër, sepse në të vërtetë letrën do ta përcillte drejt Selisë së Shenjtë vetëm Zef Bari, ambasadori i vetëm i Thethit nëpër botë, me seli në Tiranë. Por stoicizmi i Zefit për të rezistuar ishte gati i paimagjinueshëm. Mos të harrojmë se Thethi është në kulmin e forcave të tij krijuese! Po për ç’krijimtari bëhet fjalë? Është koha kur të gjithë regjisorët dhe punonjësit e Ministrisë së Kulturës do të vihen në garë me në krye ministren për të realizuar albume, filma dhe paratë lumë. Si mund të ndodhë kjo? Dhe të mos bëhet rruga deri në fund? Kuje e zezë! Nuk bënte të prishej për kaq pak gjë kjo festë që mbi të gjitha tingëllonte si imagjinare. Po a do të vinte princi dhe princesha e tij aktore? A do të vinin qytetarët me emër të Shkodrës, Tiranës dhe Durrësit? Se Baba Mondi dihet që vjen, e ka mirë me katolikët dhe me katedralen në Tiranë. Po Anastasi, kryeprifti grek i Kishës Ortodokse Shqiptare? Me siguri edhe ai, por i pari do jetë kryeministri, presidenti, ish presidentët, ishkryeministrat e kush nuk do të vijë. Do të lozë qeni i kallajxhiut në Theth! Mund të prisheshe prej këtyre vogëlsive të çuditshme ku edhe bëhej edhe zhbëhej personaliteti, thonë. Por veç kaq, thonë!….
Në Theth as që mendojnë për pasojat, për grindjet dhe merren me përgatitjet. Kanë vërshuar bojaxhinjtë nga Prishtina, Tirana, Shkodra, Podgorica dhe Shkupi. Madje kanë ardhur edhe nga Beogradi. Kurse mua do t’më pëlqente të vinte Dr. Ridvan Pllana, prishtinasi që jeton në Adelajde të Australisë së largët, se ai di t’i qajë me lot ato të shkreta rrugëtime. Pa le të ngjallet ai, i largëti Evlia Çelebiu, që të çon në gjuhën e vjetër osmane me tepsi e kusi, me tenxhere dhe me derexhe! Gjuhë kjo edhe në këto ditët e sotme që po mjaullin në ekranet e televizionet tona. Se nuk është pak që osmanishten ta flasë edhe kryeministri, sidomos kur drekon me të parin e sotëm të Perandorisë Osmane. Allah! Por të mos e largojmë fillin nga Papa i Romës, të mos ngatërrojmë punën dhe detyrat e secilit në pritje e përcjellje e të mos e larushitim me politikë dhe me gjuhën e epërme të lartësive. Gjuhën e lartë le ta lëmë për Logun e Shpirtrave, atje ku është e përnatshme festa e amshimit të madh dhe veç këtyre ku sundon vetëm bukuria përrallore. Që andej secili le të shohë rolin që do ketë, le të ndërtojë me përimtësi edhe të ardhmen e tij po të dojë. Ndoshta do ketë lindur ato ditë ndonjë vogëlush thethjan që ta bekojë Papa, apo t’i bëhet nun Papa, siç bëri kryeministri ynë me Zahon e vogël, i cili u pagëzua në aeroportin «Nënë Tereza». Emri i saj vlen më shumë se një kishë. Dhe ati, prifti i Thethit, rri e buzëqesh me një fije ironi. Sikur dëgjova vargjet e Lahutës, po i mësonte duket. Bukur. Askush s’lëshonte pe, as në çështjet fetare as në përgatitjet e festës…
Dikush po numëronte kecat dhe po i vinte të hanin gjeth te Shtegu i Dhenve, ose le të ngatërroheshin me qengjat në Maçu Piçu (Lohe). S’ka festë pa kurbanë. Gjaku rrëke do jetë në Theth, veç në  i ndaloftë Papa, se Baba Mondi i Kryegjyshatës Botërore nuk i ndaloi dot asnjëherë shqiptarët që therin e bëjnë kërdinë në mal të Tomorit e në Qafë të Kulmakut (aq sa ndryshon edhe ngjyra e barit që edhe sot e kësaj dite është i kuq!). Po kush të dëgjon? Duhej arlekini gazmor i Thethit, jo gjykatësi i ftohtë që s’jepet! Tërheqja prej bujës që enkas krijohet prej artistëve që do vijnë patjetër në Theth (e ku do vejë Papa për pushime nëse atje nuk do jenë artistët, që ka mundësi të vijnë si turistë nga të gjitha vendet, se Papa nuk shkon gjëkund pa rrahur rrugët e internetit e të televizionit; se bota fundja sa një grusht është!), moda që ata e duan vërtet çmendurisht, do t’i përkasë fama që nuk e fshehin, ku, edhe lavdia pse jo, madje do ta gëzojë për çudi Papën dhe ata më të dobëtit, që sigurisht do jetë si kudo në të kremte të tilla. More do vijë për festë apo për të pushuar Papa? Ndoshta do t’i pëlqejë ky ajër i kondicionuar i nëntë maleve dhe i Luginës më të famshme në botë. Edhe Papën kishte mangët Thethi! Dhe kush, Thethi, që s’di ku të fusë veten e tij, s’di as ku të fshihet, pa le!. Po mirë që janë këta malet e mëdhenj, mirë që është Maçu Piçu, Valbona dhe Lëpusha aq afër (ndonëse shtatë a tetë orë më këmbë! Po kush, cili është ai burrë që në Theth e mat punën me orë?) Atmosfera e komunitetit thethjan të Thethit qysh sot kur po flasim ka ndryshuar, sepse kush nuk po vrapon drejt Thethit dhe maleve të tij. Mos o Zot ndonjë zjarr thuaj, se po të qenë lebërit këtej do t’ua ndiznin çibukët nën mustak maleve dhe pyjeve e kur të shihje pastaj lodrën gazmore të zjarrit!…
As pashë e as dëgjova qoftë edhe një tekë apo shenjë mendjemadhësie, vuajtje a mundim, sepse ata s’kishin kohën e duhur as për t’u gëzuar, pa le për t’u shkëputur prej dualizmit të tyre ekstrem. Dikush mund të kundërshtonte duke thënë se Papa s’ia kishte ngenë Thethit, se nuk kishte kohë ku e kur t’i fliste tërë hallet që i zienin mbi kokë, por ama kushdo mund të kënaqej më shumë me të ngrëna e të pira, me interpretime, që përkundër mund edhe t’i harronte, se s’të linin rehat grerat anembanë botës, po edhe një barrë me vështirësi që doemos e sfilitnin. Papa, jo, donte të vinte në Theth dhe s’përmbahej nga gëzimi, pa asgjësuar njerëzit e kotë, ata të thyeshmit e gjorë, që jepeshin politikisht dhe praktikisht, prej trysnisë së përditshmes të madhe që të bënin gjëmën. Kjo dihet mirë.
Unë ende nuk jam në gjendje ta përfytyroj ditën e Vizitës së Madhe, apo të Pushimeve të Mëdha, që do tronditnin botën! Si ato dhjetë ditët që tronditën…! Mos! Dhjetë Ditët Që Tronditën Thethin! Do dalin libra, drama do bëhen, filma mbase, pa dokumentarët s’do kenë fund. Do bëhen e ç’nuk do bëhen. Kërkoj ndërkohë Zef Barin për të folur me të rreth vizitës, programit. More, u kujtua, po sikur t’i shkrepet të vijë Ai, Donalt Trampi? Mos e thuaj dy herë. Fjala merr dheun dhe ku të fshihesh pastaj! Vijnë batalione me marinsa, vijnë ata të CIAs dhe ata të FBIsë, bashkë me Lunë tonë (ai i uruari nuk harxhon shumë se është i pakët!). E lëmë me kaq, i thashë Zefit, se hidh ujë e shto miell kush e di ç’gatuajmë pastaj! Qeshi, ogur i mirë, dhe asaj kohe iu krijua njëfarë komoditeti për të qëndruar mënjanë. Dukej sikur çdo thethjan do hiqej mënjanë, se burra të hollë e me një barrë mend, e kuptuan se zullumi mund të zonë, dhe u përpoqën të gjenin shkakun për të mos marrë pjesë nëpër filma dhe në ansamble artistike. S’dihej ç’ndodhte dhe hajt të gjeje vrimë ku të futeshe. Papa ishte aktori i madh dhe njeriu i madh, shpeshherë, siç na ndodhte rëndom të gjithëve kur frymëzoheshim dhe gjenim arsyen e thjeshtë për të bërë më të mirën. T’i ktheje shpinën tani, në këtë pikë ku kishin arritur gjërat, as që bëhej fjalë ta mbuloje me harrim, këtë fakt kaq interesant të ditëve të pushimit të Papës në Theth (more mos ka marrë vesh se këtu dikur mes maleve ka qenë një kamp pushimi punëtorësh, ku asnjë katolik nuk erdhi për të kaluar pushimet, përveç myslimanëve!) u bë ngasje e papërballueshme për të gjithë, sidomos për Saimir Kumbaron që e ndiqte pas festën, po edhe regjisorë të tjerë, që i kishin bërë gati listat e të ftuarve të tyre, madje edhe çfarë do hanin dhe pinin… Dhe lajmi vërtet kishte marrë dheun! Papa i Romës do të linte Selinë e Shenjtë për të ardhur në Theth…
 
Tiranë, më 13.07.2017

Filed Under: ESSE Tagged With: esse per Theetuin, Papa ne THeth?, Xhevair Lleshi

NË THETH, NË FSHATIN E BOTËS

July 8, 2017 by dgreca

1 Theth

Ese nga Xhevair Lleshi/Thethi! Në gjuhën shqipe i thonë thjesht në një emër që s’e gjend dot kund. Por në të vërtetë të vë në mendime dhe gjithnjë e gjen shpjegimin brenda shqipes. Ngrihen lart malet e lartë mbi luginën e madhërishme, duke sogjetuar mbi kreun e Shqipërisë me një krenari të epërme. Dhe sytë mbeten në rrëzë të Okolit aty ku nisin ujërat e kristalta të Shalës. Atje në pyjet që ndryshe nga gjithë bota azdisen në një blu të thellë, si një det i hatashëm gjer lart në qiell, duke krijuar një unitet të paparë me të. Ti or mik, ashtu si bëri Franc Nopça, baroni me famë i shqipes zonjë, mund të futesh në këto troje vetëm nga lugina e Bogës, shoqëruar tashmë nëpër një rrugë të re, në brendësi, me kokën që mbetet në të dy anët majave dhe vështrim kredhur në detin e pyjeve, duke dalë doemos në Qafën e Tërthores ku befasia të trondit dhe ti mbetesh krejt i mahnitur, ashtu si do të jetë zverdhur nga kjo pataksje e mrekullueshme, dikur edhe vetë gjuhëtari, gjeologu dhe albanologu i madh. Aty nisin grykat, luginat, pyjet e mahnitshëm. Aty buron edhe gjuha shqipe. Atëherë një çast e më parë tek foleja e së bukurës, tek foleja e shqipes zonjë: në Theth. Aty trysesh ëmbël në luginën e çmendur që të mbush me një frymëzim perëndie. 4 ThethUji i kulluar nis zhaurimën duke kënduar bashkë me zanat e Fishtës. Kështu janë këto bukuri magjepsëse, si shtojzovalle që bëjnë një sy gjumë të tronditur para takimit me hijet e maleve që i presin në muzg. Këto ëndrra marrin menjëherë një ngjyrë të theksuar trëndafili që befas duket sikur i sheh në valët e kreshpëruara që fshehin hiret e maleve përreth me një ngritje të epërme te qiejt si kreshta e botës, fshehur prej ditës kur kambanat bien e bien melodishëm e ku pasqyrohen çuditërisht kokëposhtë mbi Luginë. 1 Theth-51Atje poshtë s’ka humbëtira, atje sërish janë malet, janë bashkë me legjendën e treguar nga gjyshërit dhe stërgjyshërit në shekuj. Aty kullot bagëtia, në liri të plotë, atje vijnë oshtima nga thellësia e tokës, atje dëgjohet edhe çiftelia edhe lahuta, atje tingulli i një rapsodi të vjen pranë e të mban peshë…  Zamir Marika mban frymën dhe vë dorën në gjoks, duke iu dridhur aparati fotografik: çfarë pamje! Zot i madh! Dhe hesht i menduar.2 Church-of-Theth-Albania1

Unë këtë e marr për përkëdhelje dhe e pyes nëse e ka lexuar Edith Durham, këtë studiuese legjendare për viset shqiptare: një vajzë e re, aq e re sa mund të të binte të fikët, e madhe e me gjurmë të rënda për zakonet dhe trashëgiminë shqiptare aq mbresëlënëse. Këtyre anëve, madje në çdo centimetër katror ka lënë gjurmë të tjera duke endur e shpjeguar fijet e holla të Kanunit, ai, ati i madh, Shtjefën Gjeçovi. E kisha lexuar veprën e tij si një roman të famshëm, i tillë për çdo kohë. Vjen afër nesh Pjetër Luca, ati i Nik dhe Sokol Pjetrit. Ai tund kokën. Merr ujë nga lumi i zanafillës në luginë, lag fytyrën dhe freskia e drithëron në pëllëmbët e rreshkura. Dhe jo si gjithë të tjerët bën kryqin me sytë nga qielli. Dhe sheh me radhë: Shtegu i Dhënve, Vijat, Radohina, Qafa e Vizhnës, Maja e Arapit (Okoli), Qafa e Pejës, Kurrizi i Paplukës dhe Maja e Alisë, Qafa e Rragamit të Valbonës, Maja e Hekurave, Qafa e Currajve që të hedh në Nikaj Mërtur, e më tej, më tej… në pafundësi. 5 Thethi1Ç’ishte kështu ky njeri i çuditshëm që s’donte të më jepte një përgjigje për malet e madhërishëm që rrinin kaq pranë, sup më sup me njëri-tjetrin dhe s’bëzanin por flisnin vetëm me thellësitë, tronditshëm? Ç’ishte? Binte në sy diçka e hershme. Pjetri fuste dorën në ujët me hënë e me muzg dhe e tundte kokën me një brengë të çuditshme, duke ndjekur rrugën e hënës me një magjepsje të mrekullueshme. Ai njeri mendonte dhe mendimet e tij përcilleshin vetiu tek të tjerët. Një zë njeriu lëshonte ca thirrje që ai i kuptonte por nuk na tregonte si të ishte një marrëveshje e fshehtë dhe kuptimplote. Qeshte e tundte kokën. E di ç’thonë, o njeri? Atje do ta gjeni zanat e pyllit që hedhin valle. Ju s’e merrni dot me mend që unë i kam parë me sytë e mi, ndaj dhe i dëgjoj çdo mbrëmje…Ky Pjetri kishte qenë i pranishëm në të gjitha ngjarjet që prej krijimit të botës, padyshim ishte i krisur në paraqitjen e tij aq interesante, se s’kish se si njeriu të fliste me qeniet e padukshme për ne të tjerët, të vdekshmit e zakonshëm. Kaluam rrëzë shkëmbinjve të Okolit, hidrocentralet e rinj prej përroskave plot ujë aq sa të mbahej gjallë një bujtinë katërkatëshe dhe të hiqte dorën e shtetit në ndalesat e turpshme të energjisë elektrike. S’ka energji! Bashkë me ulërimën e gjeneratorëve përzihej kënga e shtojzovalleve të pyllit e të luginës. Këtu do t’i lëmë pleqtë para se të vdesin. Ta ndjejnë thellësinë e kësaj pranvere korriku. Se në Theth hyn e del vera është vetëm pranverë. I sjellin me kujdes pleq e të rinj, i mban era për krahu, se vijnë nga Valbona. 1 Theth UjTjetër botë Valbona edhe pse pëshpëritin se ajo botë ka nisur të prishet. E ç’janë ata? Amerikanë, polakë, çekë, sllovakë, zviceranë, gjermanë… E ç’nuk janë!  Bëjnë meshë në kishë, u bien kambanave, falen për shpirtin e tyre dhe shkojnë me të perënduar, diku në një kthesë apo lëndinë për të ngritur çadrat. Ndërsa pranë tyre oshtin lumi me ujë të kristaltë duke parë edhe vet i mahnitur lodrimin e troftës së egër, me një pamje për të lënë mendtë. U dëgjua befas teshtima e Majës së Hekurave. Nik Pjetri vuri dorën në zemër…  Jemi bërë me bujtina të reja, tha, njëra më e bukur se tjetra. Kudo varen vetëm drita, nga ato llambat led, u thonë. I ulim dhe i ndezim, ca edhe rrafsh me tokën, se edhe ajo drita kërkon të lëshojë, siç vijnë ngaherë prej Qafës së Vizhnës, duket sikur ecën një ushtri me njerëz dhe ne ajo na ka mbajtur zgjuar jetë e mot. Kurse mua djali më iku nga Qafa e Pejës, shton Pjetri. Është në Florida. Njëzetedy vjet ndenji pa ardhur, që nga tetëdhjetë e gjashta. Më thosh ngaherë në telefon se e bënte kryqin për shkretinë dhe asgjënë, se aty s’kishte frymë njeriu prej të tijve, se atje s’kishte Theth. Ja, ku jam ende, kullos grigjën e deleve mes lëndinave. Janë bërë njëqind e ca pleq që kullosin bagëtinë e shtojnë sepse na mban frymën dhe na siguron turistët me ushqimin që na falin malet. Ne, atë kohë, malet na kanë mbajtur me frymë. Kollomoqi i qeverisë nuk shpohej as nga plumbi por ulte kryet mali dhe zbriste një drenushë a një derr i egër për të mbajtur frymën… Zoti i madh është një me malin dhe vetë ky ka një shpirt allasoj….

Theth_Thethi_Albania

Ahu është një dru i fortë, me të cilin është zbukuruar çdo bujtinë. Dhe mbahen çatitë që nga njëzeta. Atyre, çative u merrte erë Nopça, njëlloj si Fishta i madh i Lahutës, po edhe si ai italiani i veçantë At’ Zef Valentini. Ia themi emrin shqiptar ne. Isha përpara një fushëtire nën një brinjë mali, nën Majën e Alisë, pa njeri dhe pa kurrfarë grigje, as këmborë, as blegërimë, as ndonjë fyell që zbraz brengën e njeriut. Të pret te Ujëvara e Grunasit, tha frati. Shkuam atje, përpara na doli një shtjellë e çuditshme uji, një melodi me njëmijë zëra dhe me dymbëdhjetë ngjyra drite me një të kuqe të famshme. Ngjitu e ulu nëpër mollokë të mëdhenj si të zbritur nga qielli dhe të dukej se po hyje në një botë tjetër. Në muret e shkëmbit uji bashkë me ngjyrat e krijuara ndizte një botë me shenjtë dhe plot shtegtarë. Aty fliten të gjitha gjuhët e botës. Ja, edhe ky na duhej me këtë fyellin e gjatë në dorë. Është ai, bariu i grigjës, ai që na prin çdo mbrëmje, që lutet për këta endacakë, po edhe ata të rinjtë e universitetit të sporteve, të degës së alpinizmit (edhe të degëve të tjera). Çfarë spektakli që japin. Një qytetnim i ri po vjen, ta dini. Kurrë më parë… Ja, i shikon? Një plak me mjekër të ashpër drizë hyri në kullën 350 vjeçare që s’u shemb asnjëherë, po i afrohet të katërqindave. Ai na dëgjon, Sadriu, i mjeri, që ka ndërmend të kthehet, unë po i lutem Zotit që të kthehet… Mjaft, or plak, dhe ai u bë kaq kohë që e kërkojnë dhe vazhdimisht e kërkojnë…

Zbresim të dëgjojmë zërat e shpellës, ai bën pagëzimin e emrave të rinj, të troftave që s’dinë ku të futen, se tani është koha e tyre… Zbritëm nëpër shkallët e bujtinës duke mbajtur një susak dhallë në duar dhe i hipëm një reje të hollë që endej përmbi kokat tona. Hëna qe përzierë me kopenë e deleve të bardha që s’bënin më tutje po qëndronin të shushatura në vend. Pjetër Luca i shtyu një nga një. Kështu bënte ai kur shkonte për ditë të shënuar, e merrte në duar lahutën dhe e përgëzonte si të kolovitej. Po pse e bënte këtë, mos për tekat e tij, jo or jo, po atje lart mbi shkamb ishte çerdhja e shtojzovalleve, ato të bukurat e dheut që vinin me gjëmime dhe që dukej se do fluturonin nën qiellin e bruztë të mbrëmjes.

Nata do të davaritej me një qetësi të hatashme dhe shpella në Okol gjëmonte ujët në gji, tek një liqeth që s’mbahej mend të bënte këmbë e të dilte prej asaj gryke, as kur binte, as kur shtronte bora mbi katër metra, as edhe sikur vetë zoti të binte për të fjetur. Papritur ujët në gji të malit do tundej me llahtar dhe buiste me një fill zëri të njomë e madhështor si ato të vargjeve të Fishtës, kur në këtë skaj të kreshnikëve të Bjeshkëve të Namuna do të ngriheshin vetëtima të mprehta e të mbetura pa u dashuruar. Edhe vetëtimat ngrinin sikur prisnin prej lart lajmin, larg e larg, duke lënë një vazhdë drite plot ngjyra të thekshme nate kur hapen drejt agut dhe treten larg në të bruztën e humbur.

E di ç’thonë këngëtarët çekë kur vijnë këtu me motoçikletat e tyre të famshme? Këtu kemi humbur dhe jemi gjetur. Këtu edhe jemi vrarë po edhe jemi ngjallur te pragu i kishës ose nën ujëvarë, kur ia beh shiu i dendur, se ai vjen kur nuk e pret, po s’duhet të vijë, lutemi, as nga Radohina, as nga Jezerca, se të paudhat re edhe ia behin jo njëherë, i shalojnë këta male si unazë rreth nesh dhe ato bukuroshkat fluturojnë bashkë me to… Veç kur i gjen në ag mbi çati dhe i buzëqeshin dritës.

Ti do të pyesësh pse i mbulojnë kështu me dru ballet e bujtinave. Ja pse, mor zot, se këtu na i lanë të parët, me frikën se mos përplaseshin vetëtimat në shkëmb. Ah, ç’hiqte mëma e ujit dhe e malit për t’u mbushur mendjen. I kemi dëgjuar rënkimet e tyre, këngët, të folmen e allasojtë, me ritmin e atij zogut të vjetër me gjuhën e Nopçës në shqipen e kulluar ku burojnë tridhjetë e gjashtë krojet e Radohinës, Okolit, Paplukës, Hekurave, ngado dhe me një hap vetëtime hidhet në Pejë, Vuthaj, Pllavë, Vërmosh, Valbonë, në shtatë kontinentet e botës. Se ne, or njeri i mirë, jemi në qendër të botës këtu, ku vet shqipja asht’ një botë e tanë. Hynte njëri në derë, dhe e mbante kockën e shpatullës së ngrënë nën dorë, si për t’ia shpjeguar me alfabetin e perëndive të At’ Zef Valentinit.

Qeshte shumë ky Zefi siç bënte edhe Gjergj Fishta me lahutën e maleve, duke ia rrëmbyer vargjet lumit tonë, pikë më pikë, kur kalonte pëllëmbën e dorës në mjekër dhe shikonte hijet e shtatë maleve të xhindosur. Ja, po vjen, nuk e dallon si i çan erërat? Nuk guxoja t’i thosha asgjë, se kisha frikë mos prishja këtë magjepsje të maleve dhe të luginës, që merrnin frymë kaq qetë dhe pastaj dendur e më dendur mbi Fshatin e fjetur të Botës. Ç’thotë kjo natë, mendoja,

çfarë shikon ky njeri pranë meje, që mua s’ma zënë sytë asgjëkund, që tremb dhe pastaj befas më egërson?

Të nesërmen në mëngjes, nën ritmin e dritës së lëbyrtë dhe ajrit të freskët, gjithnjë pranveror, u ngjitëm nëpër një rrugë me kalldrëm të ndrequr dhe iu afruam një ndërtese të re, të vogël, të bërë krejt ndryshe, jo me stilin e drurit të gdhendur, por me beton dhe hekur, si zyra shteti që ishin, si zyra informacioni të rilindura nga bota e asgjësë, pranë lumit të gjallëruar padukshëm. Po ai shtet që i lë pa drita, që vjen në pikë të agut me makinë të madhe për të gjobitur me 200 mijë lekë, ende pa u betuar qeveria, bujtinën e Nik Pjetrit. Sa e merr në telefon një i dashur nga Greqia dhe «jasu» e tij ushton thekshëm mes maleve. Të prish gjuhën apo jo gjoba dhe ethja e qeverisë, apo jo. Nopça dhe Zef Vqalentini ngjethen atje ku përgjojnë tan botën! Në atë bujtinë të ngritur me gjak e me djersë, e menduar prej shumë kohësh dhe e krijuar si metaforë në ballkonin e strehës së Shtegut të Dhënve fryn puhizë edhe prej fantazmave që nuk banonin më aty pari. Ishin zhdukur dhe frymët e vdekura nganjëherë sillen rreth bujtinave të Thethit. 47 bujtina dhe 100 shtëpi. Të gjitha mikpritëse. Sytë blu të zgjuar, me një shkrim të xixët dhe me një vetëtimë mërie të endur hollë, nën buzëqeshjen fantastike përulej lehtë nusja e Nik Pjetrit. Një bukuri e pa shkuar dëm, një protestë me fustan të bryllët, përplot dritë, ngre duart lart dhe thërret Zotin e madh në ndihmë, me zërin e saj të ngrohtë Lebetitë e qëmotshme: E ç’e doni, ç’e doni këtë farë të bukur, si pika e lotit, që na ka zaptuar motin, robtë, zotin, ujin, malet dhe zërin? Harrojeni sa më shpejt këtë njeri! Mbrëmë i shkruam në një sms që të na jepte lejen për ta bërë hidrocentralin sa për lagjen tonë, sa për bujtinën tonë. Zotat nuk e durojnë dot gjëmimin e gjeneratorit! Po si unë jeni edhe ju të gjithë… E di. Edi?…

Mos e harro premtimin, o njeri! Po ai ikën, ja, atje udhës, nuk e patë ju? Nuk i bëri përshtypje asgjë  dhe s’e ktheu kokën pas! E pse ta kthente? Ai nuk e di që këtu rrojnë themeltarët e shqipes, ata që zbuloi Nopça dhe Fishta, ata që bekoi Zef Valentini, ata që shërojnë të sëmurët dhe u rrëfejnë tan botës rrënjët që buron si ujë i kristaltë.

Ata, mor zot, na lanë vetëm, për qiell e për dhé. Na kanë lënë vetëm me stuhitë e dëborës, vetëm edhe para këtyre miqve që na bujtin nga ana e anës, nga tan’ bota e madhe! Na katandisën të flasim me vetëtimat dhe taksidari vjen të nesërmen e zgjedhjeve të mallkuara, na kërkojnë të bëhemi më mikpritës dhe të ngurosemi të paqësuar nën ethet e atdhedashurisë këtu. Ehu, me kë flas dhe unë! E ku merrni vesh ju nga kjo bota jonë që endet midis freskut, bollëkut dhe indiferencës? Se s’ka më keq e më vështirë se indiferenca e qeverisë! Edhe ju si të tjerët, se mos keni ardhur për ne! Mallkuar retë e qiellit që nuk shprazin vetëtima mbi kokat e epërme! Ju or miq vini dhe ikni me fjalë nëpër gojë, por befas ktheni rrugë dhe na lini pendët. Ç’doni që na ngrini mendjen dhe në gjurmët tuaja vijnë prerësit e dritave të paguara, taksidarët e çmendur… Vetë policët kanë ngelur pa ardhur ende me blloqet e tyre nëpër duar. E vetmja polici në botë me rroba fosforeshente dhe blloqe gjobash nëpër duar edhe ato fosforeshente!… Ju mor vëlla, s’pyesni për njeri… udhës i keni të gjitha, njerëzit po ikin, ikin e s’e kthejnë kokën pas, vetëm ikin të trandur ku t’u zërë këmba truall më të bukur e duke lënë shkretë qendrën e botës tanë, këtë ujë të bekuar e këtë ajër jete që ta ngroh shpirtin bashkë me shqipen tonë të kullueme…

Zbritëm rrugën prej kalldrëmi të sapo ndrequr dhe morëm bregut të lumit. Dielli u zu nga retë, një erë e beftë tronditi Thethin, atëherë pashë gjënë më të bukur; dritën e veçantë që zbriste nga Maja e Hekurave dhe hapte krahët duke u ngritur lar e pastaj zbriste menjëherë poshtë tronditshim, duke shkundur rrezet me një vigmë rrëqethëse dhe e mbuloi kopenë e pafundme që mori përpjetë bashkë me dymbëdhjetë shtojzovallet e luginës e të pyllit që qeshnin me të madhe e plot drithërimë emocionale.

S’kam ç’të bëj që ti s’sheh gjë, mor zot, thoshte me zërin e ngrohtë Pjetër Luca, ikën dhe ato, na lanë shëndenë, shkuan vërtet, po do të vijnë siç thonë të epërmit tanë të mëdhenj. Lebetitë e qëmotshme, në vigjilje të Kërshnellave, kur bie borë dhe ata, Nopça e Valentini, vijnë si çdo vit këtu pa stap në dorë, me mjekër të madhe nga koha e gjatë, se tani po i afrohen moteve që s’vijnë më, se janë nga soji i njerëzve të shenjtë për shqipen e shqiptarët. Prandaj erdhën dhe i lanë borxh fjalët këtu në Theth, në qendrën e mahnitshme në botës, ku edhe vetë natyra ka mbetur me kohë pa fjalë. Ndaj fryn erë e bukur veriu e ulur këmbëkryq me jugun mu në sheshin e Vetëtimave…

 

Tiranë, më 07.07.2017

Filed Under: Featured Tagged With: fshati i botes, Thethi, Xhevair Lleshi

NGA BUDI I MADH TEK ISMAIL QEMALI DHE ARMENËT

July 1, 2017 by dgreca

Me zotin Kadare, në bisedë të lirë/
1 Xhevair LlashiNga Xhevair Lleshi/I freskët, pse jo edhe  rinor, si të gjithë me një shenjë në thua, i kreshpëruar si sfinks, u ul në një nga tryezat nën hije të «Juvenilia Park». Frynte një fllad i ngrohtë, e cila në dimër kur fryn nga Mali i Gjerë kthehet në brizë. Sikur të ishte pak fresk! Ndoshta do ta lëvizte pak nga vendi edhe burokracinë shqiptare që shkruan ende në letra bakalli, por kjo sigurisht s’ka kohë…
Si është e mundur të jepet ai film! Dëshmorët e monumenteve! Një gjë antiperëndimore! Nuk hoqëm dorë! Kush është regjisori? Kush? Një emër i panjohur? Me siguri. Dhe skenaristi? Po ashtu një emër i tillë… Ç’film! Në raste të tilla mendimi i parë që vjen lidhet me ndjesinë e fajit. Faji i shoqërisë, i vetë kohës… Po sot ç’kemi? Koha, të paktën duhet të ishte e pamëshirshme me këtë film. Kishte ngelur të intrigohej me të pavërtetat e thurura aq keq sa s’bëhet nga e famshmja histori e jona! Por…
Kadare është aty. Asnjë çast nuk rri pa përmendur diçka të rëndësishme. Budi. Një lexim tangjent dhe një kujtesë për t’u pasur zili. Dhe kjo ka rëndësi, se pothuajse të gjithë e ndjekin me sy. Madje edhe kamerieri që e përshëndet: «Mirë se erdhe zoti Ismail!» «Lëreni kamerierin, – thotë me të qeshur, – por mua më thirr thjesht «Zoti Kadare»! Dëgjohet një «më falni» dhe kamerieri shkrep aparatin fotografik. Fjalët e Kadaresë janë si përmbytjet në kohë të bukur, përplot tingëllim, herë me kostume kombëtare, herë qëndisur me flamur, por gjithnjë kanë veshur pelerinën e stuhisë edhe po të mos jenë të asaj kohe. Dhe qëndron tek Budi, duke iu larguar medoemos atij filmi dhe tekave shqiptare për të rënë pre e fenomeneve që s’pinë ujë dhe rëndojnë në tryezat e programeve televizive që herë japin sa u pëlcet koka telenovela turke dhe herë të tjera mbyten duke marrë dekorata për merita të kota nga një ditë famëkeqe, të shumtën e herës e shënjuar edhe me damkën e vdekjes. Fjala e tij është sfidë për këdo dhe ai nuk e duron dot fare qëndrimin mospërfillës ndaj perëndimit!
…Budi! E vërteta është se ai ka shkruar fare pak shqip, por ne e dimë se ai ka shkruar me frymëzim të lartë dhe poezia e tij sublime, e epërme ka një harmoni të përsosur me çastet e rikthimit që poetët nuk e përballonin dot lehtë, me braktisjen dhe rikthimin. Janë maja dhe Budi gjen gjithnjë klimën e përshtatshme… Ndërsa një regjisor që ka bërë atë farë filmi, për monumentet dhe fajëson Austro-Hungarinë, s’di ç’të them që punonjësi i televizionit që u stis njerëzve atë film nuk brengoset fort duke na fyer keq që na shfaq atë zymti, pa i shkuar në mendje se na bën një dëm të paparë… E meqë zura ngoje Budin, sa mirë do të qe të mësohej në shkollë. Një njeri si ai që i dha dritë shqipes në ato kohë të largëta, kurse tek ne s’i japin dot të sotmit, ata që e kanë në dorë. Mbrojeni shqipen sa nuk është edhe aq vonë, domethënë nuk është ngrysur fare. Se dihet se sa e shpejtë dhe e pandalshme është teposhta në Shqipëri. Ja, më gjeni dot një libër të Budit që ta lexojnë njerëzit dhe të krenohen pastaj. Dhe të mendojnë si të duan në ka qenë i vetmuar, i pikëlluar, njeri si çdo njeri, i rrahur me vaj e me uthull, i rreptë apo i shtruar. Por unë di që Budi nuk i shmangej asgjëje…
Fliste shtruar sikur të tregonte një histori për politikanët, madje për njerëz bujarë e mirënjohës, që i mbushin duart me premtime e fjalë pa peshë, që hiqen madje edhe si burra shteti duke i hapur vetes kokëçarje e telashe me shumicë…  Kështu që etja për të dëgjuar fitonte një klas tjetër, fjala sillte fjalën për tekstet e letërsisë, për botimet e shkrimtarëve shqiptarë dhe për libraritë (sikur të kishte të tilla!), por ja që gjuha shkon atje ku dhemb dhëmbi, për largimet e njerëzve nga e vërteta, për botimin e «Rrëfim për Skënderbeun» nga Murgu Anonim rus i fundshekullit XVI. Fama e asaj kohe dhe fama e kësaj kohe! A durohet kjo? bërtet dikush qoftë edhe përtej Atlantikut! Çdo ditë, çdo çast flitet për kësi gjërash? Po Kadare ka shfaqur ndonjë mendim? Po ne? pyesin ata dhe Kadare qeshet.
Budit, për shembull, fama e madhe i erdhi nga letërsia e tij eprane. Çdo ditë ka prillin e vet, ashtu siç ka edhe dhjetorin e vet. Edhe çdo njeri. Patriotët që sigurisht nuk lexojnë (dhe nuk mund të lexojnë!) kanë dalë me kohë të pjesshme tek atdheu. Dhe bëhen pastaj fama e tij. Ka nga ata që i bien edhe pianos së perëndimit, që përngrehen edhe për Vatikanin apo për katolikët, dhe pastaj ulen  këmbëkryq në kohën e mbrëmjes si nuk lodhen nga suksesi i shkrehur. Në ujërat e famës notojnë gjenitë, majat! E kini vënë re se edhe majat e ashpra, kur shëtisim në vise me maja, na duken fort të bukura dhe i pëlqejmë pa masë?
Brenga! Mund të lodhesh e rraskapitesh me brengën, madje edhe kur ylli i saj shkëlqen, siç ndodh edhe me regjisorët shpesh, me motin e mirë politik, me kostumet e poezisë, apo me ndërrimin e kushtetutave dhe dokeve të botës. Brenga është se letërsia, duke qenë e përkorë dhe buzëhollë, ka pranuar në majat e saj fare pak burra. Ka ditur t’i përzgjedhë e madje t’i ruajë fort! Por brenga nuk rri e qetë, e veshur me mërzi të thellë që s’i gjendet zanafilla, e zhgënjyer nga koha dhe vjen e përplaset në emisione televizive duke ngritur në qiell një regjisor që, kush e di, zhgënjimi me kohën, moskuptimi, madje nganjëherë edhe puna mund ta çonte gjer në rrëzë të famës, po asnjëherë të na rrëfehet si gjení sot… Unë këtë e lexoj si pikëllim poetik, ose trill regjisorial. E tepërt.
A e di? Historiani Bejtullah Destani (një historian i mirë, apo jo!) më dërgoi revistën «The Fortinghtly Rewiew», April 1917, ku lexova një shkrim të Ismail Kemal Bey! Revista e paralajmëronte se kush ishte Ismail Qemali ynë. Dhe përse bëhej fjalë? Kjo figurë madhështore e kombit tonë shkruante në mbrojtje të armenëve, me kulturë të lartë, duke nënvizuar se në perandorinë osmane dy popuj kishin një kulturë të tillë: shqiptarët dhe armenët. Shqiptarët në zemër të Evropës dhe armenët dymijë kilometër larg shquheshin për këtë. Dhe ndodhi gjenocidi, vrasja masive e armenëve, pas marrëveshjes që bëri Abdyl Hamidi, sulltani, dhe cari rus, u morën vesh për hatanë që ndodhi, shpjegon Ismail Qemali në artikull, duke hedhur poshtë me përbuzje edhe idenë se vrasjet masive i kreu Enver Pasha, një oficer turk me origjinë shqiptare. Domethënë se gjenocidin kundër armenëve e paskan ushtruar shqiptarët! Dhe ngrihet Ismail Qemali, më 1917, që shkruan në revistën prestigjioze angleze dhe vihet në mbrojtje të armenëve duke denoncuar autoritetet turke gjatë Luftës së Parë Botërore. Dhe a merren historianët me këto? Asfare! Madje edhe, sado e pashpresë të duket kjo, nuk e njohin fare.  Por analiza është e saktë, përtej pasurisë, skamjes dhe përtej të përditshmes, larg strehës ku futin kokën të pikëlluarit, pasi Shqipëria kur ndodhi vrasja masive e armenëve, kishte vite që ishte larguar nga perandoria osmane dhe fuqitë e mëdha e mbanin ende Ismail Qemalin për njeri të rëndësishëm, burrë shteti dhe kryetar të shtetit shqiptar. Ende sot flitet për këtë temë. Por ne mund të krenohemi se Ismail Qemali, kryetari i parë i shtetit shqiptar, e ngriti zërin lart. Ne kjo na ndihmon të kuptojmë se ç’ishte ky njeri i madh dhe ky zë i shquar i Shqipërisë sonë…
A i kemi thënë të tëra ç’dihen për këtë burrë shteti? As Kadare nuk beson se janë thënë, sigurisht. Një kafe me sa duket është pak kohë për të folur për tema kaq të mëdha, për shqetësime fetare, për piktorët dhe muzikën, për letërsinë, pikëllimin e pashpresën e shumëkujt, për energjitë e shpenzuara kot, për brezin e shkrimtarëve që ai vetë i botonte në Drita e Nëntori, për pjellat e urisë dhe halucinacionet që vinin prej saj. Uria e shkrimtarëve për të qenë edhe ata të pranishëm në «libraritë» e Tiranës e të Shqipërisë, po flashkej dhe ndërkaq mund të flitej larg asaj teme, fjala vjen për hyjnitë e artit. A do ta ngremë një gotë verë, zoti Kadare, a do të përmendim më pas figurat e mëdha, apo edhe arkivin e Vatikanit e të Venedikut, të Vjenës e të Parisit, të Londrës e të Berlinit? A do të kujtohemi ndoshta për ndonjë ceremoni krejt të veçantë? Apo do të përmendim thjesht faktin se në art s’ka alibi. Apo do të ngremë shëndetin e urisë për «pakëz Perëndim» që bënte majë të padukshme në zemrat e rinisë kryeqytetase dhe asaj shqiptare dikur. E njëjta uri mund të jetë në çdo kohë! Këtej, me siguri, buron politika dhe interesa të nëndheshme, gjithmonë o në dëm o në dobi të atdheut. Dhe zoti Kadare endet edhe me patriotët, edhe me nacionalistët, edhe me fetarët e thekur, pastaj ndalet pak nga politikanët, veshngrehur ndaj ushtrisë së kartënxirësve, dashamirëve të panumërt. Por nuk ishte hera e parë (me sa dukej as e fundit!) që, në të keqen e saj, Shqipërinë e dëmtonte një pjesë e traditës së vet. Por, kurrsesi jo, tradita e Budit, tradita e Ismail Qemalit. Dhe kjo duket se vlen edhe për traditën botërore. U tentua që ta çonin tek majat Safon e Greqisë së lashtë, por nuk arritën dot, ndonëse kishim të bënim me prirjen hyjnizuese të femrës që në poetikën e lashtë, po edhe atë popullore, në kundërthënie me kodin moral. Por nuk u arrit as me Virgjinia Vulf…
Një kafe e thjeshtë dhe një bisedë duke kapërcyer shekujt, kapërcim që do ta bëjë bukur poezia. Të burgosurit e diktaturës, për shembull, e thonë gjithnjë se librat e tij ishin si një dritë në fund të tunelit. Sa herë i kemi dëgjuar ta thonë këtë hapur dhe me zë të lartë. Ata (dhe jo vetëm ata, kuptohet) i lexonin madje duke i kaluar dorë me dorë, i përpinin ato që fshiheshin plot nur midis rreshtave, duke prodhuar një fuqi të llojit tjetër, të veçantë, atë që di ta bëjë bukur arti i madh. Kësisoj njerëzit gjenin ngushëllim edhe nëpërmjet letërsisë. Kohë e vështirë teksa analistët kanë veshur petkun e shkrimtarit e s’lënë kënd tjetër të flasë për letërsinë, krijojnë enkas heshtje edhe për famën, duke ndenjur përnatë në TV, duke u marrë me politikë dhe letërsi bashkë, duke krijuar dogma të reja për tradhtinë e dikujt, duke filluar me libra të diskutueshëm – sidomos për figura të dyshimta, për të ngritur mjegull të re për ata që i kanë vënë kazmën Shqipërisë, duke e mbajtur si dikur kolonelin Tomson në hije, duke ngritur sfrat ndaj Princ Vidit dhe kujtdo që erdhi në këtë vend. Ndaj dhe tradita jonë shpesh na bëhet edhe ferrë nëpër këmbë. A thua endet një pëlhurë tjetër nga një Penelopë e re duke pritur e përcjellë si mikeshë absurde edhe vetë historinë…  Megjithatë letërsia, në të gjitha rrethanat, e ruan klasin elitist. Në muzgun otoman, për shembull ngrihet Budi i madhërishëm kundër gjithçkaje që ishte pengesë, ndoshta edhe ndaj ashpërsisë së jetës së përditshme dhe kodit zakonor shqiptar. A thua se shkrimtarët e ardhshëm shqiptarë do t’i priste sfida befasuese, koha e komunizmit, duart me kallo, kominoshet dhe përplot tmerre të tjera, a thua se do të gjenin aromën, butësinë dhe lotët? Por kjo u  shkul dhe u hodh në plehra! Me sa duket letërsia do ta kishte të vështirë të ruante qoftë edhe disa dromca nga oborri i saj fisnik. Trysnia e diktaturës ndihej pranë, kjo tjetra e demokracisë i linte azat, sikur thonë nën buzë diçka të prishur keq. E kush mund ta hiqte këtë zgjedhë? E quajnë zgjedhë, pale! Dhe midis endet si mjegull aroma e letërsisë së vërtetë, me aromën Kadare, herë turbull, herë pakuptueshëm sepse ai shkëlqen në një qiell kryeneç.
Ç’qiell! Aty është etaloni i madhështisë, zoti Kadare dhe jo një tjetër i rremë! Dhe mjeranët e fjalës, kërkojnë të rrinë diku anës, të tjerë kridhen në terrin e fjalës duke u fshehur aty në hijen e kërkimit për të qenë shkrimtar. Vazhdojmë të ushqejmë «krenarinë kombëtare» me lugë të zbrazur! Dhe kështu ndodh edhe me gjurmët e historisë, edhe pse del e shfaqet si gjithnjë i madh Ismail Qemali. Ndoshta prej të sotmes (së ndritur! O Zot!) harrojmë edhe këtë burrë shteti dhe që dinte t’i mbronte aq mirë shqiptarët! Jo më kot herë pas here kthehemi në vend çudirash, ndonëse nganjëherë gjejmë sebep për t’u zbukuruar më kot me mustaqet vesh më vesh, apo të ngjyhemi për ibret…
I freskët, pse jo edhe rinor, si të gjithë me një shenjë në thua, i kreshpëruar si sfinks, u ul në një nga tryezat nën hije te «Juvenilia Park». Erdhi zoti Kadare, pëshpëriste flladi që ngjante si brizë…
 
Tiranë, më 27 qershor 2017

Filed Under: ESSE Tagged With: DHE ARMENËT, NGA BUDI I MADH, TEK ISMAIL QEMALI, Xhevair Lleshi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 11
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT